Aktivisti Ilir Dedaj deklaroi se mosbindja civile është e vetmja mundësi për të bërë të mundur largimin e kryeministrit Edi Rama dhe të qeverisë së tij.
Në një intervistë për News24, ai komentoi protestën, duke shtuar se nuk mjafton që të qëndrojnë vetëm para Kryeministrisë, duke përmendur mosbindjen civile qytetare demokratike.
“Personalisht, duke qenë në pjesëmarrës në protestë, unë jam përpjekur të përbashkoj të gjithë frymën pro protestës, antiqeveritare, dhe që kjo të konkretizohet me një mosbindje civile qytetare demokratike e cila mund të jetë e vetmja zgjidhje për largimin e kryeministrit dhe të gjithë sistemit. Të përgatitemi për t’i dhënë goditjen përfundimtare këtij pushteti. Nuk mund të rrimë përherë në rrugë duke bërë rutinën e përditshme. E gjithë politika është fokusuar që ta shuajë protestën.”, tha aktivisti.
Sipas tij, protesta ka arritur ta dobësojë qeverinë e Ramës dhe kjo reflektohet edhe në faktin që deputetët tentojnë t’u fshihen protestuesve.
“Në optikën time, protesta e ka dobësuar. Edhe reagimet e kryeministrit në fillimet e kësaj proteste, çfarë nuk na ka quajtur. Ka dhënë efektin e saj. Duke marrë edhe rastin e fundit që ndryshuan takimin te selia e PS. Sot deputetët i tremben protestës. A janë këta që janë zgjedhur nga populli? Përse fshihen. Kjo duket kudo se protesta e ka dhënë efektin e saj.”, tha ai.
Duke komentuar faktin se me 12 shtator në shesh do të zbresë edhe diaspora, aktivisti tha se duhet të qëndrojnë aty derisa Rama të dorëzohet.
“Ne duam të vijmë me 12 dhe të qëndrojmë aty deri në rrëzimin e Ramës. Kjo duhet edhe mbështetje e brendshme. Na duhen numrat për të qenë në një mosbindje civile qytetare demokratike.”, shtoi ai.