VOAL

VOAL

Prof. Dr. SAMI REPISHTI NË 90 VJETORIN E LINDJES – Nga ANTON ÇEFA

July 19, 2015
blank

Komentet

blank

“Lef Nosin e çuam për ta fshehur te një personalitet i shquar, por ai e dorëzoi te Sigurimi”- Kujtimet e hebreut Marko Menahem

blank

Nga Ledia Lleshi
blank

 

-Si u strehuan hebrejtë nga familjet e njohura elbasanase dhe kujtimet e Marko Menahemit, i cili jetoi edhe komunizmin shqiptar-

Memorie.al / Hebrejtë dhe shqiptarët, një lidhje që i mbrojti nga revanshi gjerman dhe internimi në Aushvic, bën pjesë tashmë në kujtesën e popujve. Kjo mikpritje ka marrë vlerësim përtej kufijve, duke e renditur popullin tonë, përkrah mbështetësve dhe mbrojtësve të shumë personave, madje edhe familjeve që gjetën strehë, duke i shpëtuar vdekjes së sigurt. Populli shqiptar, ruajti integritetin e tij dhe çështja e hebrenjve, u cilësua si një çështje e brendshme. Shumë vite pas, ende familjet shqiptare ruajnë kujtimet, kanë marrë vlerësimet dhe madje mirënjohjen e atyre që shpëtuan, nën mbrojtjen e shqiptarëve. Nuk janë shumë, madje me certifikatën e mirënjohjes “Të drejtë midis popujve”.

Një prej këtyre familjeve është familja Nosi në Elbasan. Nipi i kësaj familjes, Skënder Kosturi sjell kujtimet e nënës së tij Adelinës, e cila u nda nga jeta pak kohë më parë. Në këtë familje ka jetuar një hebre, Marko Manehami, i cili nëpërmjet një letre ka treguar historinë e tij, por edhe vlerësimin për familjen Nosi, që e mbajti dhe e mbrojti në çdo rast. Një tjetër rast i njohur për strehimin e hebrenjve, është familja Biçaku nga Qarrishta e Librazhdit. Nga kjo familje nuk kanë mbetur dëshmitarë, pasi shumica prej tyre, emigruan në mundësinë e parë drejt Amerikës, apo vendeve të tjera. Një prej tyre në kujtimet e tij tregon, se si i strehuan 26 hebrenj, të cilët ruajnë edhe kujtime të bukura, nga përpjekjet për t’u fshehur. Një prej tyre në shtëpinë e Biçakajve, u bë baba.

Hebrenjtë e Luftës së Dytë Botërore

Gjatë Luftës së Dytë Botërore, në Elbasan u strehuan dhjetëra familje hebrenjsh. Mbiemrat e njohur elbasanas, kanë qenë edhe pritësit e familjeve hebreje, të cilat kërkonin t’i shpëtonin gjenocidit nazist. Mes familjeve që strehuan hebrenj, përmenden familja e madhe e Biçakçinjve, Shuteriqët, familja e Vasil Nosit, Adelina Nosi, Qemal Karaosmani, Destan Kurmaku, Besim Zyma, Niko Piluri, etj. Banorët e lagjes “Kala”, i mirëpritën pasi panë tek hebrenjtë, besimin dhe respektin që kishin ata për shqiptarët.

Edhe pse pushtuesit gjermanë, ishin të rrezikshëm dhe mund të masakronin familjet e tyre, ata sërish ruajtën traditën shqiptare të besës. Gjatë periudhës së Luftës, hebrenjtë kanë qëndruar brenda katër mureve të shtëpive, ku strehoheshin. Jo vetëm familjet ku jetonin, por edhe familjet e tjera të kësaj lagjeje, ofronin ndihma materiale dhe ushqimore për hebrenjtë. Pas përfundimit të Luftës, ata u rikthyen në Elbasan duke ju ofruar ndihmë banorëve të kësaj lagjeje. Hebrenjtë i ndihmuan më pas familjet elbasanase me viza, bursa studimi etj. Miqësia mes familjeve elbasanase dhe hebrenjve ka ekzistuar deri vonë. Hebrenjtë u vlerësuan si njerëz të zgjuar, të suksesshëm dhe të respektuar nga të gjithë.

Dëshmitë

Mark Menahemi, do të hynte në historinë e familjes Nosi, në Elbasan, pasi u mirëprit dhe u strehua tek kjo familje duke ndjekur nga afër edhe arrestimin dhe pushkatimin e Lef Nosit. Në një letër që ai i dërgon familjes Nosi, (pas vitit 1994) fëmijëve të doktor Nosit, Grigorit, Rudit e Vasos, shkruan disa nga peripecitë që hoqën ai dhe të gjithë bashkë në ato ditët para se ta arrestonin Lef Nosin. Ndër të tjera në këtë letër, një kopje të së cilës e ruan djali i Adelinës, Skënder Kosturi, thuhet se: “Në qershor të vitit 1944, gjermanët më ndiqnin meqë kishin marrë informata se unë isha izraelit. Unë ika nga Cërriku në Elbasan dhe u strehova, sipas rekomandimeve, në shtëpinë e familjes Nosi.

Në fillim kam jetuar në shtëpinë e tyre, ku jetonin Vasil Nosi me gruan e tij, vëllai i tij, doktor Steliano Nosi, nëna e tyre Eleonora, që u bë edhe nëna ime, dhe kohë pas kohe vinte motra e tyre Adelina Kosturim e martuar në Tiranë dhe në të njëjtin oborr banonte Lef Nosi, i cili ka qenë njeri nga të tre Regjentët e Shqipërisë në periudhën shtator 1943-nëntor 1944. Më vonë, kur gjendja u bë e vështirë, kalova në fabrikën e alkoolit të familjes Nosi jashtë Elbasanit, ku kisha një dhomë dhe çdo ditë dikush nga familja, më sillte ushqime.

Në këtë kohë arrestohem nga një oficer i Gestapos dhe Vasil Nosi, bëri përpjekje maksimale, për të më shpëtuar kur ndodhesha në qelitë e burgut të Elbasanit. Transferimi i oficerit më të egër të Gestapos në Tiranë, bëri që ai të mundej të më lironte. Ata më pas më strehuan në spitalin e tyre në Llixhat e Elbasanit, ku kujdeseshin për mua. Pas 29 nëntorit 1944, kur komunistët morën pushtetin, unë qëndrova tek Nosët, të cilët më donin shumë dhe më propozuan të qëndroj në Shqipëri e, të punoj në fabrikë”. (Mark Menahemi ishte një inxhinier specialist i disa fushave).

Mbërritja e komunizmit

Në letër ai tregon edhe ditët kur Lef Nosi nuk ishte arrestuar ende dhe ndihmën që i kanë dhënë atij disa njerëz, por edhe tradhtinë e të tjerëve. “Komunistët kërkonin të tre regjentët që ishin në krye të shtetit gjatë okupacionit gjerman, për t’i dënuar me vdekje. Vasili m’u lut për të fshehur xhaxhanë e tij, Lefin. Vasil Nosi, Steliano dhe unë, vajtëm në shtëpinë e një mësueseje, Fahrie Averiqi, në ‘Rrugën e Kavajës’ në Tiranë, me ndihmën e mikut të tyre, Xhemal Farka. Qëllimi ishte që të ndërmjetësonim tek Nako Spiru, që Lefi të dorëzohej vullnetarisht, sepse duke u dorëzuar vullnetarisht, nuk do ta dënonin me vdekje.

Unë nuk isha dakord, sepse diçka nuk shkonte dhe fatkeqësisht doli fjala ime. Ato ditë Nakoja, kishte ikur me shërbim në Moskë dhe atëherë Lefi, kërkoi të dorëzohej nëpërmjet nipit të një mikut të vjetër të tij, figurë e shquar e historisë sonë kombëtare. I thashë Vasilit, se nuk kisha besim tek ky person, pasi përpara se të merrte grada në ushtrinë partizane, kishte një të kaluar të errët, me forca të tjera ushtarake. Pavarësisht nga këto dyshime, rreth orës 9 të mbrëmjes, duhet t’ia dërgonin Lefin këtij kapiteni të ushtrisë partizane, në shtëpi. E hipën në makinë dhe, me të kaluar urën që të çon tek ‘Rruga e Elbasanit’, dy burra të rinj, u lëshuan me vrap për të na ndaluar. Duke dredhuar nga Kryeministria, tek ‘Rruga e Durrësit’, e kthyem Lefin në shtëpinë e mësueses.

Vasili shkoi vetë dhe e kontaktoi personin në fjalë, i cili i qetësoi dhe i tha t’ia sillte Lefin në shtëpi. ‘Unë po të pres në shtëpinë pa drita’ i kishte thënë. E nxorëm Lefin për së dyti. E përcolla unë dhe personi në fjalë, duke kujtuar që unë mund të isha Vasili, më tha: ‘Mos u bëj merak tani Vasil’. Por, sikurse na tregoi Lefi në birucë, kur venim dhe e takonim, pas gjysmë ore, pasi e lamë në atë shtëpi, i kish thënë: ‘Lef, të kërkojnë tek porta’, ai sa hapi portën, e arrestuan. Të njëjtën mbrëmje, u arrestuan edhe Vasil e Steliano Nosin, Xhemal Farkën, por edhe unë, megjithëse isha me pasaportë në xhep, e të nesërmen në mëngjes, duhej të nisesha me një vapor për në Izrael”!

Dënimi i Marko Menahemit, pse ndihmoi familjen Nosi!

Marko Menahemi, u dënua me 4 vjet dhe bëri një vit e gjysmë burg. Më vonë shërbeu si pedagog, në Politeknikumin “17 Nëntori” dhe dha një kontribut të shquar, në shumë projekte madhore të shfrytëzimit të rezervave minerale natyrore të vendit tonë. Pas vitit 1990, iu plotësua ëndrra për të shkuar në Izrael, në atdheun e tij. Në vitin 1993, organizata “Jatt Vashem” në Izrael, në shenjë mirënjohjeje, për shpëtimin e jetës së Marko Menahemit, i akordoi Dr. Steliano Nosit, Vasil Nosit dhe motrës së tyre, Adelina Kosturi, titullin e lartë: “Të drejtë midis popujve”. Emrat e tyre janë të gdhendur në një pllakë bronzi në Muzeun e Holokaustit, në Jatt Vashem, si dhe në Washington.

Titullin e ka tërhequr nipi i familjes Nosi, Skënder Kosturi. “Ishte viti 1992, kur na erdhi ftesa, nëna ime për shkak të shëndetit nuk shkonte dot dhe vendosa të udhëtoj unë drejt Izraelit. Ishim 14 përfaqësues, nga e gjithë Shqipëria. Atje takova Mark Manehamin dhe hebrenj të tjerë, të shpëtuar nga shqiptarët. Këtë aktivitet të madh, e ka sponsorizuar një milioner amerikan Harvey Serner. Ai gjithashtu sponsorizoi realizimin e një filmi dokumentar, për jetën e hebrenjve në Shqipëri. Shqiptarët protagonist, kanë edhe nga një kopje të këtij filmi, me tregimet e të mbijetuarve”, kujtonte Kosturi.

Hebrenjtë në Mesjetë

Sipas të dhënave historike dhe objekteve me karakter arkeologjik, në Elbasan ka jetuar një komunitet i madh hebrenjsh. Gjurmët e para të hebrenjve në Elbasan, hasen në shekullin e XIII-të, ndërsa në fund të shekullit XV-të, dokumentohet me fakte ekzistenca e tyre në këtë qytet. Në fund të shekullit XV-të, një pjesë e hebrenjve të përndjekur nga inkuizicioni spanjoll e portugez, u vendosën në qytetin e Elbasanit. Fillimisht mendohet se janë vendosur në lagjen “Kala”, ku gjetën mikpritjen dhe përkrahjen e popullsisë me traditë të këtij qyteti.

Disa vite më vonë, hebrenjtë e Elbasanit ndërtuan një sinagogë ekzistenca e së cilës vërtetohet nga një fragment rozoni, me Yllin e Davidit, i cili ruhet në muze. Sipas studimeve dhe materialeve të grumbulluara nga Visarion Xhuvani, një ndër patriarkët më të famshëm të Kishës Ortodokse Shqiptare, në Elbasan ka ekzistuar një vend-banim i madh hebrenjsh, gjatë sundimit të Perandorisë Osmane. Në vitin 1930, Visarion Xhuvani shkruan se; “ata kishin një sinagogë, e cila më pas u përdor si han nga turqit i quajtur me emrin “Hani i Shehetilës”. Sipas historianëve dhe arkeologëve, hebrenj kanë banuar në të gjithë trevën e Elbasanit. Ata merreshin kryesisht me tregti. Në afërsi të fshatit Xibrakë të qytezës Belsh, ndodhet një varr guri, i cili mban emrin “Varri i Çifutit”.

Gojëdhëna tregon, se varri i takon një tregtari të njohur hebre, të kohës. Në vitin 1930, kohë kur u ndërtua tregu kryesor në Elbasan, u gjetën monedha ari, me simbole hebraike. Monedhat dhe objektet e tjera arkeologjike, tregojnë se hebrenjtë e Elbasanit, mbanin emra biblike, si; Jakov, Moisi, Abraham, etj. Gjatë viteve të fundit të shekullit të kaluar, në Elbasan u gjet një pllakë guri në formë trapezoidale, në sipërfaqen e së cilës janë skalitur disa rreshta me shkrim hebraik, të vendosur në një kornizë.

Përreth saj, janë 6 yje me 6 cepa, simbole të Yllit të Davidit. Gjurmë të kulturës dhe piketimeve hebraike, takojmë edhe në ditët e sotme në lagjen “Kala”. Një prej tyre, është edhe sinagoga pranë shtëpisë së Dhimitër Shuteriqit. Megjithëse një pjesë e mirë e objekteve janë dëmtuar, kanë mbetur shenja të ekzistencës së objekteve fetare hebraike, si dhe të bashkë ekzistencës së komunitetit hebre, i cili u mirëprit dhe u pranua nga banorët e Elbasanit.

Familja Biçaku, nderimi nga komuniteti hebre

“…..Historia me hebrenjtë në fshatin Qarrishtë, fillon në shtator të vitit 1943. “Dimri ishte tepër i ashpër, sidomos në këtë zonë të largët malore dhe binte shumë dëborë”, kujton Muhamet Biçaku. Për javë të tëra, 26 hebrenjtë u strehuan në dhomat e shtëpisë së Biçakajve, duke fjetur bashkë në ato pak dhoma dhe duke ngrënë ato pak gjëra, që kishte familja; kryesisht bukë misri, gjizë dhe pastërma (mish të tharë). “Por miqtë ishin në besë. Zakoni, tradita e mikpritja, e ka mikun të shenjtë dhe ata nuk mund të dorëzoheshin në çfarëdo rrethane që të ishin”, rrëfen Muhameti, i cili në atë kohë ishte rreth të 20-ave.

“Nuk pranonin të rrinin pa punuar, megjithëse miku sado gjatë të jetë mysafir, në bazë të kodit zakonor, nuk duhet kurrsesi të punojë”, vazhdon Biçaku. Pas çlirimit dhe pas gati dy vjetësh qëndrimi në fshehtësi, 26 hebrenjtë, mund të lëviznin dhe të iknin nga Qarrishta e largët. Ndarja nuk ishte aspak e lehtë, madje e dhimbshme, pasi të gjithë ishin familjarizuar me njëri-tjetrin. Njëri nga hebrenjtë, Majo Aurest, që tani jeton në Argjentinë, ka madje një kujtim tepër të rrallë nga Qarrishta dhe Shqipëria. Gruaja e tij, lindi një vajzë, aty në shtëpinë e Biçakajve. Megjithatë, hebrenjtë që u strehuan në Qarrishtë u shpërndanë nëpër botë, dikush në Rusi, një tjetër në Argjentinë, disa në Amerikë dhe vetëm Rafael Faragi, është sot në Haifa të Izraelit, në atdheun e hebrenjve…..”! Memorie.al

blank

Dervish Hima më 1919: “Maqedonia e Aleksandrit të Madh, që dikur ishte vetëm një vend shqiptar, duhet të jetë një shtet autonom…”

Dervish Hima (1872 – 1928)

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 22 Shtator 2023

 

“Il Popolo Romano” ka botuar, të dielën e 30 nëntorit 1919, në ballinë, analizën e Dervish Himës në lidhje kërkesat për pavarësinë e Shqipërisë dhe autonominë e Maqedonisë në Konferencën e Paqes në Paris, të cilën, Aurenc Bebja, nëpërmjet blogut të tij “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

 

Shqipëria dhe Maqedonia

blank

Burimi : Il Popolo Romano, e diel, 30 nëntor 1919, ballinë

Pavarësia e Shqipërisë dhe autonomia e Maqedonisë ishin dy çështje të një rëndësie tepër të lartë nga pikëpamja e politikës së përgjithshme të Ballkanit dhe e qetësisë së atyre popujve.

 

Pasi të sigurohet pavarësia e Shqipërisë në kufijtë e saj natyrorë, siç ishte para luftës ballkanike, konfliktet e përhershme apo luftimet e përgjakshme mes serbëve dhe shqiptarëve do të marrin fund.

 

Kryengritjet e shumta kundër dominimit të serbëve, racë e huaj dhe për nga natyra e saj mizore dhe barbare, do ta vënë popullin shqiptar në gjendje të shkundë zgjedhën më të padurueshme të historisë.

 

Për shkak të këtij rregulli të neveritshëm maqedonasit nuk e kanë marrë ende kushtetutën e pritur. Siguria në lidhje me dëshirën e Konferencës për të krijuar një shtet maqedonas për të siguruar qetësinë dhe të drejtën për të jetuar për racat e ndryshme të vendosura në të, prodhon gëzim të përgjithshëm tek ata popuj. Rumunët, bullgarët, shqiptarët, turqit dhe izraelitët, të cilët përbëjnë shumicën absolute të këtij vendi, besojnë se Providenca, nëpërmjet Konferencës, u jep atyre mbrojtjen e saj më të lartë. Që prej luftërave ballkanike këto rajone nuk kanë pasur gjë tjetër veçse sëmundje, rrënoja, zjarre dhe shkatërrime.

 

Fuqitë evropiane, pak vite para luftërave ballkanike, për të bërë disa revolucione kundër Perandorisë Osmane, vendosën të zbatonin reformat e nevojshme për të mbrojtur të drejtat e popujve.

 

Reformat e Maqedonisë duhej të shtriheshin, nga pikëpamja administrative, edhe në një pjesë të barabartë të Shqipërisë.

 

Në çdo rast, duke krijuar një shtet tampon, Konferenca do t’i shërbente njerëzimit dhe paqes së përgjithshme në të ardhmen.

 

Të gjithë besojnë sinqerisht se Konferenca dëshiron prosperitetin dhe sigurinë e këtyre vendeve të mjera.

 

Një Shtet tampon, nën mbrojtjen e Lidhjes së Kombeve dhe me një komisioner të lartë, do të kishte detyrën e tij të madhe civilizuese për këto raca që nuk duan gjë tjetër veçse të jetojnë në paqe, duke siguruar në të njëjtën kohë një të ardhme të mundshme që shmang të gjitha konfliktet që mund të lindin midis pesë shteteve ballkanike : shqiptare, serbe, bullgare, rumune dhe greke.

 

Duhet thënë kjo e vërtetë historike : se Maqedonia e Aleksandrit të Madh dikur ishte vetëm një vend shqiptar, por pas dyndjeve të barbarëve, romakëve, sllavëve, bizantinëve, fizionomia e historisë së saj të lashtë ndryshoi.

 

Shpresojmë se bota liberale do të mbështesë krijimin e një Maqedonie autonome, e cila do të sigurojë një paqe të gjatë për njerëzimin e vuajtur – Le të shpresojmë se për këtë arsye lufta monstruoze e viteve 1914-1918 nuk do të jetë më e mundur mes njerëzve.

 

Pikërisht për këto arsye ne bëjmë thirrje për formimin e shtetit të gjashtë autonom, në Ballkan, nën mbrojtjen e Lidhjes së Kombeve.

 

Prandaj, a do të dëshirojë Konferenca të kuptojë nevojat urgjente të politikës ballkanike ?

 

Dervish Hima

blank

Il Piccolo di Trieste (1956)- Dy konferencat e studiuesit të shquar shqiptar Ernest Koliqi në qytetin e Triestes

Ernest Koliqi (1901 – 1975)

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 23 Shtator 2023

 

“Il Piccolo di Trieste” ka botuar, të shtunën e 10 marsit 1956, në faqen n°6, një shkrim për studiuesin e shquar shqiptar Ernest Koliqi, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet blogut të tij “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

blank

Studiuesi i shquar shqiptar sot i ftuar i Triestes

blank

Burimi : Il Piccolo di Trieste, e shtunë, 10 mars 1956, faqe n°6

Sot pasdite, Profesori Ernest Koliqi, i Universitetit të Romës, do të mbajë dy konferenca në Trieste për çështje aktuale mjaft interesante : në orën 18:30, në hotelin Excelsior, ai do të flasë për kushtet e kulturës dhe intelektualëve në vendet prapa perdes, dhe në veçanti për Shqipërinë, vendin e tij të origjinës : më parë në orën 16:30, Profesor Koliqi do të zhvillojë një bisedë në klubin “Maria Cristina” për jetën e grave në vendet komuniste.

 

Profesori Koliqi është një nga personalitetet kryesore të kolonisë shqiptare në Itali, pasi në kohën e tij ka qenë kryetar i Kuvendit të Tiranës dhe Ministër i Arsimit Publik. Aktualisht është i detyruar të qëndrojë në ekzil nga regjimi aktual i vendit të tij dhe mban katedrën e gjuhës dhe letërsisë shqipe në Universitetin e Romës.

 

blank

Il Piccolo di Trieste (1912)- Falë Mark Kakarriqit arritëm të intervistonim në qytetin tonë Ismail Bej Qemalin

Mark Kakarriqi (1884 – 1942) – Ismail Qemali (1844 – 1919)

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 26 Shtator 2023

 

“Il Piccolo di Trieste” ka botuar, të mërkurën e 20 nëntorit 1912, në faqen n°2, intervistën ekskluzive me Ismail Bej Qemalin pak para se të nisej nga Trieste në drejtim të Shqipërisë për të shpallur pavarësinë e vendit të shqiponjave, të cilën, Aurenc Bebja, nëpërmjet blogut të tij “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

 

Shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë është shumë e afërt

Intervista jonë me Ismail Qemalin

 

Burimi : Il Piccolo di Trieste, e mërkurë, 20 nëntor 1912, faqe n°2

Dje në mëngjes ka mbërritur në qytetin tonë, direkt nga Vjena, kreu i partisë së pavarur shqiptare, Ismail Qemal Bej Vlora. Me të udhëtonin katërmbëdhjetë personalitete të shquara shqiptare. Ai u prit në stacion nga udhëheqësi i ri shqiptar Mark Kakarriqi, i njohur për studimet e tij mbi çështjen shqiptare dhe nga fisnikët e kolonisë. Ismail Qemal Beu zbriti në “Excelsior Palace Hotel” për t’u ndalur disa orë dhe u largua në orën dy pasdite me vaporin “Brünn” për në Shqipëri. Një nga redaktorët tanë, i prezantuar me dashamirësi nga z. Mark Kakarriqi, zhvilloi një bisedë të shkurtër me Ismail Qemalin.

 

Ai është një plak i pashëm, rreth të shtatëdhjetave, me një vështrim të gjallë dhe depërtues, një mjekër të bardhë të gjatë dhe një sjellje fisnike dhe të ashpër. Ai është një njeri i kulturuar që ka udhëtuar shumë dhe ka jetuar në kryeqytetet e Evropës. Për shumë vite ai ishte guvernator i Tripolit. Me ardhjen në pushtet të xhonturqve dhe kthimin e Kushtetutës së vitit 1877, Ismail Qemal Beu ishte deputet i Vlorës.

 

— Unë do të qëndroj në Trieste vetëm për disa orë, sa për të parë disa miq dhe për të ngrënë mëngjes. Kështu që unë do të nisem për në det.

 

— A më lejon të të pyes se ku po shkon?

 

— Dëgjo: vapori me të cilin hipëm nuk shkon normalisht në portin ku kam ndërmend të zbarkoj, por i detyrohem mirësjelljes së drejtuesve të Lloyd’s, që pranuan një zbarkim të jashtëzakonshëm. Po shkoj në Durrës.

 

— Porti i dëshiruar nga serbët…

 

— Nuk mendoj se serbët do të arrijnë atje para meje. Në Durrës më presin me padurim. Terreni është përgatitur me durim.

 

— Dhe çfarë do të ndodhë pas mbërritjes tënde?

 

— Diçka shumë e thjeshtë, por e dëshiruar me zjarr prej nesh: “Shpallja e Pavarësisë” së atdheut tonë. Ne duam të përgatisim Evropën për këtë fakt të kryer. Do të krijohet një qeveri e përkohshme dhe ndoshta unë do të jem kreu i saj.

 

— Po racat e tjera, malësorët, mirditorët?

 

— Ju siguroj se të gjithë jemi dakord për idenë e pavarësisë, të gjithë të një mendjeje. Ne jemi ata që filluam luftën e hakmarrjes kundër qeverisë së keqe të xhonturqve, duke pushtuar këtë verë Shkupin, ne jemi ata që kemi mbështetur betejat e vazhdueshme, për vite e vite të tëra, dhe është e drejtë që aspiratat tona të konkretizohen në realitet. Koha nuk mund të ishte më e përshtatshme. Qeveria turke në Shqipëri nuk është gjë tjetër veçse një hije e largët. Komunikimet me Kostandinopojën janë ndërprerë. Çfarë më shumë? Në Shkodër janë shqiptarët ata që mbështesin me heroizëm rrethimin.

 

— Çfarë mendon për kundërshtimin e Serbisë ndaj formulës: Shqipëria e shqiptarëve?

 

— Unë i di idetë dhe kundërshtimet e atyre qarqeve në pushtet: Ata gabohen. Shqipëria është e pjekur për shpengimin e saj civil. Ajo do të bëhet gjithashtu një faktor i rëndësishëm për zhvillimin e saj ekonomik. Kemi pasuri latente, pyje, miniera që nuk janë shfrytëzuar. Dhe Trieste, e cila dominon Adriatikun, do të jetë e para që do të ndjejë përfitimin. Dhe të gjitha portet e Adriatikut do të kenë përfitime të mëdha.

 

— Më lejo edhe një pyetje. Për udhëtimin tënd në Vjenë dhe Budapest, çfarë mund të më thuash ?

 

— Jam plotësisht i kënaqur. Aty janë të bindur tashmë se pavarësia e Shqipërisë është një zgjidhje e domosdoshme dhe mbi të gjitha e drejtë dhe e aftë për të thjeshtuar konformimin e ardhshëm të gadishullit ballkanik. Dhe të gjitha fuqitë evropiane dhe veçanërisht Anglia janë të të njëjtit mendim.

 

Pasi mori këto deklarata dhe informacione, rëndësia e të cilave nuk do t’i shpëtojë lexuesit, redaktori ynë u largua nga Ismail Qemali, duke lënë përshtypjen se kishte folur me një njeri të kthjellët, energjik dhe një apostull shumë të zjarrtë të çështjes së tij.

 

blank

PSE VETEM SHKODRA?!- Nga Fritz RADOVANI: Pjesa XX

PROFESOR PRENKË KAÇINARI
(1910 – 1956)
CILA ISHTE DETYRA E
SEKSIONIT KATOLIK
PRANë DEGëS Së
MBRENDSHME Të
SHKODRES Në 1946,
I VETMI N’BOTë ?
-ZHDUKJA E PERJETëSHME E EMNAVE
Të PAHARRUESHEM
BASHKë ME MENDIMET E TYNE.
Profesor Prenkë KAÇINARI
DOSJA 167: U MBYLL ME 3 SHTATOR 1956, ORA 5 MBAS DREKE. PROF. PRENKË KAÇINARI
Asht lé në Mitrovicë më 17 korrik 1910 . Ka përfundue studimet e nalta në fakultetin e Filozofisë, në vitin 1937 në Lion të Francës. Vjen profesor në Shkodër. Ka miqësi me Dr. Federik Shirokën, me të cilin asht mjekue dhe ka ba pjesë bashkë me Te në Organizatën “Balli Kombëtar”.
Në vitin 1946, transfërohet mësues në Korçë, ku arrestohet pikërisht kur ishte tue verue mbasi ishte randue nga sëmundja tbc dhe “… Akuzohët:
– Se ka vazhduar shkollën nëpërmjet të Klerit Katolik.
– Ka bashkpunuar për ardhjën e fashizmit.
– Kur erdhi Italia u holl në mal me “Ballin Kombëtar” dhe në Kishë tek priftërijtë shtypte trakte, merrte udhzime nga kleri katolik dhe elementët e pakënaqur në Tiranë, gjoja i sëmurë rrinte i mbyllur në shtëpi.
– Ka bërë pjesë në grupe Social-Demokrate, kishte lidhje me profesorët e Korçës, Foto Bala, Sulo Klosi etj.
– Ka punuar për të rrëzuar Pushtetin Popullor dhe për shkëputjet e lidhjeve me Bashkimin Sovjetik për t’u lidhë gjoja me popuj përparimtarë sipas tij, që donte të thonte të lidhesh me Anglo-Amerikanët.
– Ka propaganduar për të rrëzuar Pushtetin me vjolencë. – Ka punuar me elementët e rinjë për të patur lidhje me demokristjanën e grupet e social-demokratës të udhëzuara nga Prenka.
Me kalimin e kohës Sigurimi i Shtetit sa vinte e bahej ma i ashpër dhe i rrezikshëm. Përditë e ma tepër specializohej në drejtim të së keqes. Sigurisht, që në fillim i mungonte eksperienca por shpirti i keq dhe i mbrujtun me krime, ishte zgjedhë me kujdesin ma të madh ndër këta organe të mnershme e terroriste. Bie në sy që në fillim të vëprimëve të para të sigurimit mënyra e përzgjedhjes së elementit që kanë ndër mend me arrestue, ku merrët pikë orientuese shkolla që ka krye ose vendi ku ka përfundue shkollën e mesme ose të naltë. Kontrollohej rrethi familjar dhe shoqnor, e para, a ka simpatizue doktrinën komuniste ose jo dhe se, a mund të na shërbejnë ne ose jo.
Në shenjë janë shkollat e Françeskanëve dhe të Jezuitëve, ndërsa në pikëpamje mbarshtetnore janë në shënjestër edhe ata që kanë përfundue Gjimnazin e shtetit në Shkodër.

Ishte koha kur ishstudentët e vitëve maparë kishin mundësinë me u hakmarrë ndaj atyne që nuk ishin angazhue në rrethët komuniste, që nuk i kanë simpatizue, ose kanë kenë indiferent ndaj vëprimëve të tyne. Kush mund të kishte shprehë ndonjë fjalë u quejt menjëherë “armik i popullit”, ose u mendue si “zog” i çelun në çerdhën e reaksionit që ishte “Shkodra”. Shumë nga studentët e ardhun në Shkodër, pa përjashtue ata që jetuen në Konviktin e njohun “Malet tona”, ose që kanë banue në Shkodër, por që kanë ndjekë shkollën në këtë qytet kjoftë edhe atë femnore të Motrave Stigmatine apo “Donika Kastrioti”, u ndoqën njësoj si nxanësit e shkollës Fullcit.

Hys Zaja me një copë letër, madje, pafarë kursimi të çonte në duertë e kriminelëve: Zoji Themeli, Cuf Lohës, Ali Qorrit, Filip Pemës, Qamil Gavoçit, Kolec Ilisë, Petro Ballatës, Qazim e Fadil
Kapisyzit, Jonuz Dinit, Dul Rrjollit, Ali Xhungës, Lilo Zenelit, Nesti Kopalit etj.
Me një telefonatë nga “qendra” të merrte dreqi sa nuk dijshe a do të shihësh ma dritën e diellit. E, sa të pafajshëm u zhdukën prej duerve të zhytuna në gjak të katilave të Sigurimit shtetit?
As nuk bahet fjalë se ka me u dijtë e vërteta. Derisa mbulohet Gjenocidi që i asht ba gjithë Popullit Shqiptar, Shqiptarët do të vazhdojnë me kenë të fyem dhe të poshtnuem.
Prof. PRENKË KAÇINARI e Prof. ARSHI PIPA ishin të burgosun që në vitin 1946. Të dy “armiqë të popullit”, të dy të sëmurë në Sigurim me t.b.c., të dy të masakruem … Vëprimtaria armiqësore e Prenkës vërtetohet edhe nga të pandehurit:
– Sulo Konjari thotë: Prof. Prenkë Kaçinari ka qenë antar i partisë Social-Demokrate.
– Gjovalin Vlashi thotë: Unë kam folë rreth gjendjes së formueme në Shqipni, gjithmonë kundër Pushtetit. Ndër të tjerë ka qenë edhe Prenkë Kaçinari.
– Xheudet Tirana thotë: Elementët që unë kam biseduar kundër Pushtetit Popullor dhe që ishin një mendimi me mue, ndër të tjerë ka qenë edhe Prenkë Kaçinari.
– Pashko Gjeçi: Në mbledhjën e parë që kemi ba në Lice në Durrës, ka kenë edhe Prenkë Kaçinari. Një mbledhje e kemi ba në shtëpi të Vasil Zirit, dhe një tek Simon Deda (gjoja i vetvramë në
sigurim), një tek Stavro Frashëri…Ndër të gjitha ka kenë Prenkë Kaçinari…
Në grup kishim edhe Pjetër Gjinin, Nush Radovanin, Kol Ashtën, Ndrekë Demën, Prenkë Kaçinarin, Simon Dedën, Luigj Ljarjen, Gaspër Jakovën, këta ishin për Social-Demokratën.”
Ishin të mjaftueshme këto akuza me përcjellë prap edhe Prof. Prenkë Kaçinarin bashkë me Arshi Pipen para Gjyqit.
Pyetet PROF. PRENKË KAÇINARI, i cili deklaron:
“Kam kenë profesor në Shkodër. Atëherë nuk kishte Këshill të Lëvizjes N.Çl., por Lëvizje N.Çl. kishte. Në korrik të 1943 kam shkue në Shllak me “Ballin Kombëtar” për t’i ikë kuesturës. Me
Mit-hat Frashërin jam takue në fillim të 1943 dhe bashkë me Zef Palin, jam organizue me “Ballin Kombëtar”. Në Tiranë jam takue me R. Barbullushin që më foli për Social-Demokratën, por unë i
thashë, se jam i sëmurë e nuk due me dijtë gja për këtë punë.

Pashko Gjeçin e njof, por nuk kam ba pjesë në ndonjë organizatë me té. Thanjet tjera nuk i pranoj, mbasi me ata përsona nuk kam asnjë lidhje. Me Klerin Katolik nuk kam pasë asnjë lidhje. Kam

njoftë Don Mikel Koliqin dhe Don Ndre Zadejën. Me Don Ndreun kam bisedue vetëm për probleme filozofike dhe letrare. Nuk dij se ka pasë ndonjëherë në Shqipni organizatë apo parti
demokristjane. Unë nuk kam marrë pjesë në ndonjë parti apo organizatë trathtare klandestine. Jam kenë antifashist. Don Ndre Zadeja dhe në përgjithsi Kleri nuk e ka simpatizue okupacionin e fashizmin. Mbas 1944 nuk jam angazhue në politikë, ata që më akuzojnë nuk dij mbi ç’baza më akuzojnë.”( Dosja 1167, po aty).
Thirret Pashko Gjeçi, i cili deklaron: “Preka më duket se ka kenë në mbledhje në Durrës me Partinë Social-Demokrate, kështu e dij unë.”
“Prenkë Kaçinari i përgjegjet: Unë nuk kam ndonjë anmiqësi, por le të pohojnë drejtë!”
Edhe ndonjë dëshmitarit tjetër të parapergatitun Prenka, gjakftohët dhe me ton burrnor i jep atë përgjegje që meriton. Jam i sigurt, se këta dëshmitarë të topitun para qëndrimit të palëkundun të Prenkë Kaçinarit, fillojnë që në gjyq me mohue jo aq nga turpi, sa nga mendimi i gabuem i tyne, se në gjyq ata nuk kanë me kenë ndonjëherë përballë Prenkës.
Vetë përdorimi i fjalës “më duket” se ka qenë edhe Prenka!, tregon lëkundje, një lojë që gënjeshtarët e përdorin shpesh me mendimin që i akuzuemi me u lëkundë në qëndrimin e tij dhe po
e hangri “ullinin”, hyni në grackë, ose ma vonë me pasë mundësinë me i thanë viktimës: “Të dhashë një mundësi me mohue!”.
Faktet tregojnë se ata mbetën gjithmonë akuzues dhe shpifës, ndërsa burra u rikëthyen vetëm ata që para gjyqit thanë:
“E kemi pranue me shtërngim, por e vërteta asht kjo që po tham tashti këtu !” e, nuk janë kenë të paktë edhe burrat që mbas dhunimit të mnershëm në hetuesi, kanë gjetë forca me thanë të vërtetën.
Tue mos pasë fakte për gjykimin që mund t’i kenë ba gjykata, Prenka ose Arshiu ma vonë prap do të përsërisnin gjyqin. Unë po vazhdoj me thanjet e tyne mbasi jam i bindun se edhe Prenka edhe
Arshiu, do të ridënoheshin njësoj edhe sikur kurrkush mos t’i kishte dalë dëshmitar i rremë në gjyq ose në hetuesi, madje, ma vonë edhe do t’ishin pushkatue si shumë shokë të tyne. Por, për me kenë të qetë shpirtnisht të paktën sot, ata që jetojnë nuk duhët të mendojnë se ata burra vdiqën pa folë për dobësinë tonë e, “ishalla edhe dokumentat janë djegë, se ashtu po flitët!”
Jo, jo! Mos rreni veten gjithë jetën!
Të gjithë dokumentat janë!
Koha ka me provue dhe ka me vulosë ndër fletët e historisë se të gjitha poshtërsitë Enver Hoxha, me shokët e tij i ka lanë këtu e askush mos të mendojnë, se i kanë marrë me vedi në varr!
Me datën 24 dhetor 1947 Kryetari i Gjykatës Ushtarake Durrës, major Gjon Banushi, jep ve ndimin nr. 704 themel. Si mbas zhvillimit të gjyqit nga dt. 18 dhetor 1947:
“Në emër të Popullit Shqiptar”:
“Arshi Pipa, Prenkë Kaçinari, Hysen Ballhysa, Pashko Gjeçi kanë qenë antarë të organizatës së gjerë agjento-sabotatore dhe antarë të grupit social-demokrat, për të rrëzuar me dhunë
Pushtetin Popullor duke pritur një zbarkim nga jashtë.
I pandehuri ka bërë mbledhje të rregullta me Prenkë Kaçinarin, Stavro Frashërin, Is-han Podgoricën, Simon Dedën, Hysen Ballhysin, Sabri Ticin e Rifat Dërvishin, dhe këto mbledhje janë
bërë në liceun e qytetit.
Prandaj: Për të gjitha këto, bashkërisht dhe pjesërisht në kundërshtim me prokurorin, në bazë të ligjes së sipërme vëndosi:
1. Prenkë Kaçinari, me privim lirije për jetë, konfiskim të pasurisë së tij të luajtëshme dhe të paluajtëshme.
2. Arshi Pipa, me 20 vjet privim lirije.
3. Hysen Ballhysa, me 15 vjet privim lirije.
4. Pashko Gjeçi, me qenë se u tregua shumë i sinqertë para Gjyqit dhe deponoi vullnetarisht jo vetëm fajsinë e tij, por edhe të shokve të tij pjestarë të po një organizate, i akordohën shkaqe
lehtësore në konformitet me nenin 45, të ligjës 382, dt.12 dhjetor 1946, dhe vendosë: dënimin e tij me 5 vjet privim lirije, dhe konfiskimin e pasurisë.
Të katër të pandehurit humbin të drejtat civile dhe politike për tre vjet, dhe vuajtja e ndëshkimit fillon nga data e arrestimit. Trupit Gjykues të Gjykatës Ushtarake të Durrsit, që përbahej nga:
Kryetar, Major Gjon Banushi, antarë, Major Gjule Çiraku dhe Kap. I Halil Ramohito, prokuror, Kap. Petrit Hakani dhe sekretar Arqile Mihali.
Durrës 24 dhjetor 1947. Sekretari d.v. Antar d.v. Antar d.v. Kryetari d.v. (vetëm firmat)
***
Seksioni i Mbrendshëm i Durrësit përcjell dosjen në Gjykatën e Naltë tue shtue këtë dokument:“Komunikatë: Me datën 24 shkurt 1948 Prokuroria vë ré se:Nga shqyrtimi i aktëve të të pandehurve
Arshi Pipa, Pashko Gjeçi, Prenkë Kaçinari dhe Hysen Ballhysa, rezulton se kanë qenë antarë të organizatës agjento-sabotatore. Organizata është shtrirë në elementët e pakënaqur nga Pushteti e
Reformat. Kanë organizuar grupe në shkolla si profesorë dhe kanë bërë mbledhje të rregullta. Kanë marrë vëndime për zgjerimin e organizatës dhe kanë propaganduar kundër të gjithë Reformave të Pushtetit. Kanë sabotuar në sektorët e tyre, kanë agjituar për të përgatitur terrenin për ndërhyrjen e Anglo-Amerikanve. Qëllimi i të pandehurve ka qenë rrëzimi i Pushtetit me forcë dhe me anë të një kryengritje në lidhje me forcat e huaja.
Vepra e tyre është tradhëti ndaj Pushtetit Popullor dhe Atdheut. 24 shkurt 1948 Prokurori Ushtarak i U.K. Shqiptare; Kapiten I. Nevzat Haznedari d.v.
***

Gjykata e Naltë Tiranë me nr. 96 të vëndimit, nr. Regj. 61, e mbledhur me datën 29 shkurt 1948, me kryetar major Niko Çeta, antarë, kap. I Veladin Zejneli dhe kap. I Nexhat Hysejni, prokuror

kap. I Nevzat Haznedari dhe kryesekretar, Thoma Rino, mbasi shqyrtoi dokumentacionin e të pandehurve, vëndosi:
1. PRENKË VLASH KAÇINARI, me 20 vjet privim lirije.
2. ARSHI MUSTAFA PIPA, me 20 vjet privim lirije.
3. HYSEN NAMIK BALLHYSA, me 15 vjet privim lirije.
4. PASHKO VASË GJEÇI, me 5 vjet privim lirije.
Kryesekretari d.v. Antar d.v. Antar d. v. Kryetari d.v. (vetëm firmat).
Këtu mbyllet vetëm dosja…
***
Prof. Prenkë Kaçinari, provoi, se ka rasë që jeta tregohët e ashpër dhe mizore e ndonjëherë, jo e meritueme kjo veper për atë që e provoi…
Lexoni me kujdes këta pak rreshta, (pa koment):
“I dashtuni Mark, (Të dashtunit e mi)
Edhe pak çaste më mbetën, kur unë përfundimisht po shkëputem nga kjo jetë. Me përmallim të madh po ju la të gjithve: kunatën, motra, nipa e mbesa që kaq fort ju kam dashtë. Vëndosa me e krye këtë akt dobësije do ta quani, por për mue kje akt kurajoz. Vuajta tepër e tash ma s’po mund të duroj. Po i nap fund të gjitha vuajtjeve të mija. Kjeshë te ju; nuk dhashë me kuptue gja; nuk dojshe me tradhtue veten, kisha frigë të mos më mbusheshin sytë me lotë. Nuk e pashë edhe motrën time të dashur, Luljen, që ishte e shtrueme në spital. Se çfarë çastesh të fundit po jetoj, nuk mund t’i përshkruej. Po e shkruej këtë letër me lot ndër sy.
Erdha këtu në Tiranë vetëm e vetëm për mos me ju qitë telashe ju. Në vendin ku do të vras vetën dëshroj të varrosëm.
Një dëshirë tjetër e, që due ta plotësoni asht: të mos mbani askush shej zije për mue; zinë e mbani në zemër.
E tash lamtumirë përgjithmonë. E di se do të kishit dëshirue t’ju shkruajshe ma gjatë. S’po më punojnë ma as mendja, as dora.
Përqafime e të puthuna të përmallshme; më kujtoni në bisedat tuaja, jam i juaji
Prenkë
Kaçinari
Tiranë, 3.IX.1956 ora 5 mbasdreke.”
=======================
Kjo letër iu postue nga Tirana nga vetë Prenka, z. Mark Lezhja në Durrës, që ishte burri i motrës së Prenkës, Karrolinës, ku ruhet origjinali. (shënimi i FR).
Vetvrasja u krye nder varrezat Ortodokse të Tiranës, ku edhe u varros mbas veprimeve të Prokurorit të Tiranës, Minir Tirana. Ai njoftoi per vetvrasjen Lajde Kaçinarin.
Në kjoftë se Prof. Prenkë Kaçinari u vetvra si pasojë dishprimi nga Vendimet e Jaltës per Shqipninë… Dhe, sundimi sovjetik mbi Popullin Shqiptar me të gjitha mjetet antinjerzore të komunizmit,

nuk duhet lanë në heshtje një zhdukje antinjerzore e një Profesori të vertetë dhe me atë kulturë Perëndimore, që ishte e mbulueme Shqipnia e para 1944.

Po të njajtin fat po ka edhe sot Shqipnia nen thundren sllavo komuniste, gja të cilen, sot e kemi të dokumentueme edhe nga vazhdimsia e politikës së komunistit Edi Rama, me grupin e tij
antiatdhetar e antishqiptar që po kerkon edhe shperbamjen e Shqipnisë Gjergj Kastriotit e Nanë Terezes.
Mendoj se, një Burrë si Profesor Prenkë Kaçinari ka vend per studim në shkollat e nalta, ku duhet theksue se perballë Sigurimit shtetit komunist dhe torturave të tyne mizore, kishte Burra të Vertetë Shqiptarë!
E SA FILOZOF’ E DIJETARĒ, ZHDUKU KOMUNIZMI N’ GROPA PA EMNA VETEM NĒ SHKODER?
Melbourne, 29 Shtator 2023.
blank

PSE VETEM SHKODRA?- Pergatiti Fritz RADOVANI: Pjesa XIX

KUJTONI VESHJET E MALEVE!
CILA ISHTE DETYRA E
SEKSIONIT KATOLIK
PRANë DEGëS Së
MBRENDSHME Të
SHKODRES Në 1946,
I VETMI N’BOTë ?
-ZHDUKJA E PERJETëSHME E
ZAKONEVE Të KëTYNE MALEVE, RINISë,
DHE E VESHJEVE Të TYNE SHEKULLORE!
A JU KUJTOHEN O SHQIPTARë ?!
KURR MOS I HARRONI ÇAKÇIRëT E AS Të BUKREN XHUBLETë!
blank
blank
PA KëTA THESARE NUK KA
SHQIPNI!
blank
E, PA KëTO
NANA,
S’KA AS
SHQIPTARë!
MeBOURNE, 26 SHTATOR 2023.
blank

Dossier: Më 25 shtator 2007 u nda nga jeta At Zef Pllumi, ofm – Tre porositë e tij për shqiptarët

Ç’ këshill i jepni popullit shqiptar e sidomos rinisë? At Zef Pllumi: E porosis per tri gjana: Të kenë fé, kurr të mos e braktisin fenë; të kenë shpresë; e mbi të gjitha, të kenë dashuni; ky asht mesazhi qi e ka dhanë Sh’Pali përpara mejet, e para Sh’ Palit e ka dhanë Krishti vetë! Kjo asht porosia e kjo pershndetja per të gjithë popullin shqiptar.

R.SH. – Vatikan

Sot më 25 shtator bie përvjetori i kalimit të françeskanit shqiptar At  Zef Pllumit në amshim. Ky dëshmitar i paepur i Zotit dhe i kombit na la  faqe të mrekullueshme të historisë së Ungjillit të shpresës e të qëndresës së vërtetë shqiptare.

At Zef Pllumi ndërroi jetë më 25 shtator 2007 në spitalin romak “Gemelli”, por në mendje e në zemra tona si dhe të atyre që e kanë njohur nga afër, ky personalitet i Kishës dhe i Kombit Shqiptar, është i paharrueshёm. Me rastin e përvjetorit të kalimit të tij në shtëpinë e Atit Qiellor, duam të vëmë edhe një herë në dukje, dëshminë e shndritshme të fesë, të kulturës e të atdhedashurisë që na la ky Patër Françeskan heroik – siç paraqitej me shumë dashamirësi At Zef Pllumi.

Nuk do të harrojmë dëshminë tejet të çmueshme të atij kalvari, pjesë e të cilit ishte edhe personalisht At Zefi, që përjetoi populli shqiptar, Kisha, kleri e Vendi mbarë në periudhën e errët të diktaturës komunist në Shqipëri. Nuk do ta harrojmë aftësinë e tij të leximit të së kaluarës e të së sotmes dhe të dialogut e të afërsisë që kishte me gjithkënd.

“Tashma asht ngulít gjanësisht në vetëdijen e shqiptarëve ideja se të gjithë kishim nevojë për nji rrëfim paqsor dhe të vërtetë të kohës së komunizmit, si ai që na la At Zef Pllumi tek kryevepra e tij «Rrno vetëm për me tregue».  Janë shkrue shumë vepra për at’ periudhë, prej shkrimtarësh të ndryshëm, por ajo e fratit françeskan qëndron si për nga pikëpamja artistike ashtu edhe nga ajo historike në nji plan ma naltë se tjerat. Rrëfimi i tij zhdrivillon rranjët e nji tragjedie kombtare që nisi në vitin 1944, nji luftë që për ne niste atëherë kur e gjithë Europa fitonte paqen e shumëandrrueme”.

Në përvjetorin e ndarjes së tij nga jeta tokësore, At Zef Pllumin e kujtojmë me admirim e mirënjohje, ndërsa në mendje tonë na kthehen vizionet e tij të mëdha, plotë shpresë, plotë dashuri e fuqi ungjillore që ua transmetonte të gjithëve. At Zef Pllumi ende sot mungon, u mungon Etërve Françeskanë, i mungon Kishës, i mungon botës së kulturës dhe shoqërisë shqiptare për vlerat që mishëronte e dëshmonte me bindje e thjeshtësi, me kujtesë të saktë e largpamësi.  Ai u konsiderua me të drejtë si ndërgjegjja e një treve dhe historie të tërë.

Jeta dhe veprimtaria e At Zef janë histori jete, feje, qëndrese, shprese, pra, histori vëllazërimi, dokument historik, dëshmi e dokument me vlera të mëdha kombëtare që na mundëson të shohim imtësisht atë çka ndodhi në Shqipëri gjatë regjimit të diktaturës ateiste komuniste.

Personalisht pati një jetë shumë të dhimbshme, plot vuajtje dhe sakrifica, por gjithmonë e kurdoherë besnik ndaj Fjalës së Zotit dhe bindjeve të fesë, ideve kulturore e kombëtare, të cilat diti t’i ruaj për rreth tre dekadave të burgjeve komuniste dhe t’i sjell nga errësira në dritë, nga vuajtja në liri, nga vdekja në ringjallje.

*****

Veprimtaria meshtarake

At Zefi, i mirënjohur për veprimtarinë e tij meshtarake, sidomos në Tiranë e në Shkodër, për persekutimin e tmerrshëm nga ana e regjimit komunist e për veprimtarinë e tij të shquar letrare, lindi më 7 prill 1924 në Mal të Rrencit, pranë Lezhës. Ishte tepër i vogël, kur zgjodhi rrugën  e jetës rregulltare françeskane. Vijoi, kështu, mësimet ndër fretën, deri më 1942, kur kreu liceun ”Illyricum” në Shkodër. Taman kur përgatitej për të vijuar jashtë shteti studimet filozofike e teologjike, iu desh t’i ndërronte universitetet evropiane me një universitet tjetër: atë të burgut. U arrestua për herë të parë më 14 dhjetor të vitit 1947. Në fillim të vitit 1948 u dënua me tri vjet burgim, që i vuajti në Shkodër, Beden të Kavajës, Orman Pojan të Maliqit. Sapo u lirua, u kthye ndërmjet sivëllezërve te kuvendi françeskan i Arrës së Madhe. Në vitet 1958-1967 shërbeu si famullitar në Malësitë e Dukagjinit. Në shtator të 1967 –tës u arrestua rishtas dhe u dënua me 25 vjet burgim.  Këtë herë iu desh të rrinte tepër gjatë në universitetin e burgut, duke lëvizur nga Spaçi, në Kryporet e Vlorës, në Ballsh, Fier, Zejmen e Shën Vasil të Sarandës. U lirua në prill të vitit 1989, për të rifilluar më 1990 misionin e tij meshtarak në Tiranë e në Shkodër.

Rilidhi, jo pa vështirësi të të gjitha natyrave, fillin e jetës, të këputur brutalisht. Tani në biografinë e tij u dukën emrat e vendeve, që duhet t’i kishte shkelur në të ri: Itali, Belgjikë, Francë, Gjermani, Poloni, Kroaci, SHBA… Shkollë e re kjo, për fratin e vjetër! E nisi edhe veprimtaria e tij letrare, që e radhit ndërmjet shkrimtarëve më në zë të ditëve tona, me një sërë veprash. Kujtojmë  “Rrrno vetëm për të tregue” , vepër me tre vëllime (V. I T. 1995/ v. II T. 1997; v. III T. 2001), “Antipoezi për shekullin XX, Poemë antiepike”, (T. 2001); “Françeskanët e mëdhaj shqiptarë” (T. 2001); “Siç thonim dje – përmbledhje publiçistikash” (T. 2001); Para njëmijë vjetëve – skenarë filmi (T. 2003) dhe vepra e fundit “Frati i Pashallarëve”, (Sh. 2004).

Disa prej këtyre veprave, ndonëse të bazuara mbi përvojën e burgjeve, e kanë kaluar tejet cakun e kujtimeve. Kanë  marrë karakterin e veprave të mirëfillta letrare, që pasurojnë fondin aq të varfër të letërsisë shqiptare, e cila që prej më se një gjysmë shekulli ka prodhuar kryesisht vepra të indoktrinuara. E vepra të tilla nuk i thonë më asgjë lexuesit. Kështu At Pllumi, që shkruan në dialektin gegë,  sot është përfaqësuesi më i shquar i shkollës letrare të Veriut, që megjithatë nuk ka dekë.

Shkrimet e At Zefit

Por At Zefi njihet edhe për veprimtari të tjera:  firmë publicistike, që  duket rishtas në shtypin e kohës (u botua në gazetën “Bota shqiptare” të Romës, shkrimi i tij publicistik “Demokracia shqiptare me dy diktatorë”) ai pati marrë mbi vete një vepër tjetër të lumnueshme: ribotimin e revistës famëmadhe të Françeskanëve “Hylli i Dritës”. Dhe ia doli mbanesh jo vetëm ta botonte, por edhe t’i jepte shkëlqimin e parë, në një kohë kur shtypi shqiptar përgjithësisht, s’premton asgjë të mirë. Por “Hylli” i lavdishëm, u detyrua të mbyllej rishtas për mungesë fondesh, për t’u hapur s’e di se kur….. Gjithsesi Pater Zefi vijoi të botonte, ndonëse sytë nuk duanin t’i bindeshin më. Por, si shkruan ai për vete në fund të një autobiografie të shkurtër, për të “thonë se  âsht i marrë e nuk rrin me dekë rahat”. Fjalë filozofike që përmbledhin simbolikisht atë mendësi, e cila nuk e lë një shoqëri (shqiptarin) të ecën përpara.

Edhe ne të redaksisë shqipe pranë Radio Vatikanit, sot Vatican News, ruajmë jo pak kujtime personale të paharrueshme të takimeve e bisedave që kemi pasur me At Zef Pllumin, gjatë qëndrimeve të tij në Romë e në Vatikan si dhe gjatë vizitave tona në Shkodër e në Shqipëri.

Sot në përvjetorin e kalimit në amshim të françeskanit At Zef Pllumi, ju propozojme disa fragmente nga intervista që realizuam në janar të vitit 2007 me At Zef Pllumin për programin shqip të Radio Vatikanit, me rastin e marrjes së çmimit “Penda e artë” për veprën “Rrno vetëm për me tregue” në dhjetor të vitit 2006. Kjo vepër, pohon mes tjerash At Zefi, “rrëfen të vërtetën e fakteve pa inate, me ma të madhen paanësi, tuj tregue faktet pa i gjykue..”. ‘Rrno vetëm për me tregue’ ashtë “një mendim i ndryshëm prej të gjithë historianëve tjerë të Shqypnisë qi kanë shkrue deri me sot”. Po ta dëgjojmë At Zef Pllumin në mikrofonin e dom David Gjugjës:

At Zef Pllumin në mikrofonin e dom David Gjugjës

***

Si ngjet me shumicën e njerëzve të Kishës që vijnë në  Romë për çështje të ndryshme, edhe At Zef Pllumi erdhi më 20 maj 2004 të takonte redaksinë shqipe të Radio Vatikanit. I ftuar nga dom David Gjugja për një intervistë, At Pllumi iu përgjigj me kënaqësi ftesës dhe bisedoi gjatë e shtruar para mikrofonit të përgjegjësit të Programit shqip pranë Radios së Papës. Po propozojmë sot transmetimin e kësaj interviste, në të cilën preken çështje nga më të ndryshmet që kanë të bëjnë me Kishën e me shoqërinë e djeshme e të sotme shqiptare.

Dom Davidi: – Jam shumë i emocinuem, shumë i kënaqun, që kam para vedit  këtu, në studiot e Radio-Vatikanit, një prej atyne figurave të mëdha, që janë dëshmi e gjallë, hallkë lidhëse, apo ma mirë me thane, hallkë e pakëputun e traditës mijëvjeçare  të krishtenimit në Shqipní, hallkë vendimtare e Kishës, e meshtarëve dhe e rregulltarëve, që dishmon për mbijetesën e Kishës katolike në Shqipëri, e cila pas aq shumë vuajtjesh e përndjekjesh sistematike e të tmerrshme, mâ në fund ia doli me fitue mbi fuqitë djallëzore të komunizmit të Enver Hoxhës e të shokëve të tij. E kam fjalën për Pater Zef Pllumin, françeskan shqiptar.

At Zef, po fillojmë me përshëndetjen tonë të zakonshme: mirëse ju pruni Zoti!

At Zefi: – Mirë se u gjeta!

Dom Davidi: – Si jeni?

At Zefi: – Jam shum mirë. Po thom mirë, se jam 80 vjeç e shokët e mij s’kanë mërrijtë me i bâ kaq vjet. Pleqnia kurr nuk asht e mirë, por, mbasi jam në gjendje me folë e me mendue, prap se prap ia di Zotit për nderë e thom se jam shum mirë.

Dom Davidi: – Pater Zef, ju jeni një dhantí prej Zotit për né, sepse, sikur thatë edhe ju vetë, jeni këtu për me tregue atê që ka ndodhë; e jo vetëm të këqijat, por sidomos për të na tregue edhe një herë se fuqia e dashunisë së Zotit, fuqia e Krishtit të ngjallun, ka ngadhënjye mbi anmikun e Kishës, të popullit, të vendit…..

At Zefi: – Po, sigurisht. Ajo asht puna mâ e mirë dhe detyra qi kena na, pleqt, për me mujtë e me e kallëxue, në mënyrë qi të tjerët qi vijnë mbas nesh, të bâjnë si të duen vetë, por t’i dijnë punët, të cilat na i kemi kalue, të mirat e të këqijat; kemë lumninë qi kem pasë, kemë vuejtjet qi kem pasë e edhe shkatërrimin, termekun e madh të komunizmit, qi shembi tokën tonë.

Dom Davidi: – E, mos të harrojmë, kemë sidomos qëndrimin burrnor, në saje të të cilit u ruejtën vlerat njerëzore, kombëtare, shpirtnore, fetare. Ju keni shkrue disa libra, si libri me kujtime “Rrno vetëm për me tregue”; keni rrëfye me hollësi prekëse vuejtjet e tmerret e kohës e, sikur thashë mâ përpara, keni vû në pah fuqinë e Zotit, që ju ka mbajtë gjallë ju e ka mbajtë gjallë fenë në zemrat e shumë besimtarëve. Cila âsht porosia kryesore që keni dishrue me na transmetue ne, lexuesve, përmes kujtimeve tueja?

At Zefi: – Çdo jetë, sado bukur qi të kalojë e sado e kandshme qi të jetë, nuk ka veshtrim pa vuejtje. Por ka vuejtje mbi vuejtje. Moshës sonë i rá mbi krye nji vuejtje e jashtzakonshme, diktatura komuniste. Megjithatë, nuk kje një gjâ e papritun në popullin shqiptar. At Fulv Kordinjano ka shkrue në revistën “I Jesuiti” në vitin 1920 se ‘kur popullit shqiptar t’i vijë koha me u vû në kontakt me kulturën përendimore, ky popull ka me përqafue o jakobinizmin antiklerikal, ose komunizmin ateist’.  Edhe ashtu ndodhi. Prandej të parët tonë pak a shumë na kanë pregatitë gjatë formimit shpirtnor qi na kanë dhanë kur ishim të rí, nuk na kanë lanë të papregatitun. Ishin të pregatitun ata për vedi, e na pregatitën edhe né, në mënyrë qi të mund t’i rezistojshim një persekucjoni antikatolik, persekucjonit fetar në Shqipni.

Dom Davidi: – Pater Zef, gjithë këto paralajmime, veç Kordinjanos, i kanë bâ edhe meshtarë të tjerë, priftën e rregulltarë jezuitë e françeskanë, të cilët e parafolën ketë të zezë, ketë rrebesh kaq të rrebtë: Ju mendoni se populli shqiptar do të kishte mujtë me e shmangë komunizmin, apo duhet ta konsiderojmë si pasojë të ndikimit të disa faktorëve, që e sollën këtë lloj regjimi në mënyrë të pashmangshme?

At Zefi: – Ishte rrjedhë e logjikë historike. Nuk mund të shmangej. Për me hi prej një mbrapambetje, nuk po thom feudale, se do të ishte tepër e përparueme, por prej një mbrapambetje shekullore, në shekullin XX, qi ishte mâ i përparuemi i shekujve, duhej një hap jo i zakonshëm përpara. Hapi duhej të ishte revolucionar, sepse revolucionet i pershpejtojnë punët. Gjithkund, veç te na jo! Te na revolucioni, në vend qi me i pershpejtue punët, me i kapercye epokat historike me një hap të vetëm, i zmbrapi epokat. Na ktheu mbrapshtë. Sepse hapi mund të bâhet para, por mund të bâhet edhe mbrapa.  Mjerisht ashtu ndodhi në Shqipni.

Dom Davidi: – E megjithatë, në atë periudhë kur paralajmohej e kur çfaqej komunizmi, kur e qitëte kryet kadalë-kadalë, kemë pasë njerëz, personalitete me nivel ndërkombëtar, botnor, me një mendje të mprehtë, me një largpamësi të jashtzakonshme, apo jo?

At Zefi: – Asokohet mund të thom se në Shqipni intelektualët mâ të mëdhaj ishin klerikë katolikë. Nuk asht nevoja me i përmendë. Mjafton me kujtue se çdo famullitar – çdo famullitar, ishte shumë mâ i pregatitun se një profesor i soçëm. Klerikët katolikë kishin po atë kulturë, qi kishte Evropa, kryesisht Evropa qëndrore, Austria. E kultura austriake ishte shumë e balancueme. Ndërsa mbas Luftës I Botnore, studentët shqiptarë nisën me shkue e me studiue edhe në Francë e në Italí, ku sundojshin idetë antiklerikale e antifetare, që kishin mbî nga Revolucioni Freng. Qysh këtu nisi të parashikohej ardhja e komunizmit në Shqipní. E kjo, jo pse studentët shqiptarë në përendim ishin djelm të këqij; jo, ishin djelm të mirë, por me ato gjykimet e tyne djaloshare, kur kthejshin në Shqipní e e shihshin vendin aq të mbrapambetun, mendojshin me i kalue epokat me nji hap; por a kapërcehen epokat me nji hap?!

Dom Davidi: – Jo, nuk âsht e mujtun, sepse kush e bân hapin tepër të gjatë, në një shteg me gropa…

At Zefi: – … bjen mrendë. E ashtu edhe ndodhi. Ata kishin vullndet të mirë, por nuk e kuptuen çka ishte në të vërtetë komunizmi. Komunizmi asht idé e bukur në teori, asht dishira me i bâ gjith njerëzit të barabartë, të bashkuem. Ide shumë të bukura. Por vjen puna qi partitë e sidomos përfaqësuesit e naltë të tyne, kanë ide krejtësisht të tjera. E kështu, peshkaqejt e mëdhaj, që drejtojshin komunizmin, i gllabëruen të gjithë peshqit e vogjël, pikërisht ata qi luftuen e diqën për nji të ardhme vertetë të lumtun të njerëzimit, siç ishte djelmnia komuniste e asaj kohe.

*  *  *

Dom Davidi: – Pater Zef, tue ju falënderue për ketë bisedë atnore, vëllaznore, të përzemërt,  më duhet t’ju kthej mbrapa e t’ju lutem të na pikturoni kuadrin e situatës shoqnore-politike-kishtare që i parapriu komunizmit dhe e bâni të mujtun fitoren e tij në Shqipni e në gjysën e botës…. Pse, për shembull, Imzot Noli dështoi si qeveritar….?

At Zefi: – Imzot Noli dështoi si qeveritar, pse nuk ishte njeri i politikës. Mjerisht në Shqipni nuk ka pasë kurr njerëz të politikës. I vetmi qi mund të thomi se kishte pregatitje politike, ishte Luigj Gurakuqi, i vetmi njeri i vërtetë i politikës qi ka pasë Shqipnia. Të tjerët ishin përfaqësues të një politike së huej. Turkhan Pasha, Ismail Qemal Vlora ishin poltikanë të njoftun, por përfaqësues të perandorisë turke, të një kohe së kalueme; prandej nuk mund ta përfaqësojshin Shqipninë si vend i lirë, indipendent, i pamvarun. Asht e vërtetë se u takoi atyne me e çpallë e me e bâ, por nuk mund të përfaqësojshin një klasë politike ose nji grup politik të pregatitun, me idè krejtësisht shqiptare. Një klasë apo një grup i tillë nuk ekzistonte. E ndër ta ishte edhe Fan Noli, qi ishte i aftë  për pendë, por jo për politikë.

Dom Davidi: – Don me thânë edhe pamvarësia, çlirimi nga pushtimi shumshekullor turk, e gjet popullin të papregatitun, në kllapí…

At Zefi: – Shikjo, e ka thane tjetër kush para mejet, e ka thanë Faik Konica, qi Shqipninë e krijuen idealistat, patriotë e idealista; politikanët e shkatërruen….

Dom Davidi: – e populli e vuen…

At Zefi: – Sigurisht!

Dom Davidi: – Kur ju shikjon njeriu kështu, veshë me zhgun të Shën Françeskut, Shejtit që i solli lulëzimin pranveror Kishës universale në një çast aq kritik të historisë së saj, e kam fjalën për Kishën botnore, i kujtoni medoemos historinë mijavjeçare të krishtenimit në Shqipni. Dihet se feja e krishtenë ndër shqiptarë nisë qysh kur Shën Pali e Shën Andreu shkelën në këto treva, tue i hapë kështu rrugën një tradite të lumnueshme, tepër të lashtë. Thue mund të mendojmë se shqiptarët, pikërisht në çastet mâ kritike të historisë së tyne, i ranë mohit këtij burimi, u larguen prej tij, për të rravgue larg, apo edhe në ketë rasë qemë viktima të politikës së atyne që janë mâ të mëdhaj se na, e kam fjalën për perandoritë që sunduen botën , për perandorinë romake, bizantine e ottomane.

At Zefi: – Eeee… mjerisht këtu qindron e keqja historike e popullit tonë, pse përpara jemë kenë si gjith popujt tjerë, por kur u ndá Perandoria Romake, na u gjetëm të dám dysh mbrenda kësaj Perandorie. Veriu me Romën, pra me okçidentin, ndërsá Durrsi, që kje kufini krysor i vijës së Theodosit e pjesa tjetër, i mbetën Perandorisë Bizantine. Populli – i cili asokohe nuk ishte endè popull shqiptar, siç i thomë sot, asokohe fise ilire, prej kah kemë rrjedhë, u gjet në nji situacion aq të vështirë historik sa mâ s’ka, situatë lufte, që nuk pushoi kurr mbrenda kufijve tonë. Luftat i luftojshin të mëdhajt ndërmjet vetit, po shqelmat e tyne i hajshim na, i báte ky popull. E kështu u formue kultura e mosbesimit. Shqiptari e hupi shpresën në njanën e në tjetrën palë. Nisi mos me i besue mâ kurrkuj. E kështu edhe kultura pësoi dame të pariparueshme, sepse lufta bjen me vedi gjithmonë rrenim, bjen shkatërrim, e jo vetëm shkatërrim material, por edhe moral, e sidomos kulturor.

Dom Davidi: – Ç’kuptim kanë për ju përndjekjet, martirizimi? Sa vjet keni kalue ndër burgje e kampe përqëndrimi?

At Zefi: – Sa vjet? Vjet thue? Kam kalue tanë jetën…. qysh në riní, d.m.th. qysh kur kam kenë 20 vjeç, sepse pikërisht kur ishem në ketë moshë, në Shqipní hynë komunistat. Filloi atëherë jeta e burgut, e vijoi derisa u bâna 65 vjeç, kur u lirova. Por nuk asht se kam vuejtë vetëm unë: vuejtjet e mia janë një pjesë fort e vogël e vuejtjeve të mëdhá, të papërshkrueshme të mbarë popullit shqiptar.  Burgjet e kampet e përqëndrimit janë kenë si dordoleci në arë, për me trembë sorrat; njashtu janë kenë kampet e burgjet, ku janë grumbullue njerëz pa faj pa mëkat, thjeshtë për mos me e lanë rahat pjesën e ashtuquejtun të lirë të populli, por me i thanë: “Kqyr, a e sheh sa keq asht ai? Njashtu ta bâj edhe ty, në kje se të shkon mendja me hapë gojën e me çilë zanin, e aq mâ keq, në kje se të shkon mendja me kalue edhe në veprim. Por populli ka vuejtë në njëmijë mënyra, sepse ka burg mbi burg. Tanë populli, mbrendë e jashtë, ishte në burg.

Dom Davidi: – E cila asht domethânja e martirizimit – e vuejtjes me e pa kuptim? Sepse në sa në vetvete asht krejt pa kuptim,  nuk asht aspak pa kuptim për ata që kanë pësue për hatër të Krishtit a të etjes për liri e demokraci njerëzore e shoqnore….

At Zefi: – Shikjo, e thaçë edhe nji herë qi jeta nuk ka veshtrim pa vuejtje. Edhe ai qi mendon se asht mirë, mirë, mirë, krejt mirë, edhe në kjoftë se s’i mungon asgja materiale, asht vetë jeta që nuk e lên rahat, sepse ka vuejtjet e grindjet e veta të mbrendshme. Njeriut i shamatohen trutë mbrenda vedit, jo mâ kur krijon familje e kur asht në shoqni me të tjerë. Vuejtja asht e pashmangshme në jetë, por varet si i konsideron vuajtjet, si i bán vuejtjet, kuj ia kushton vuejtjet…. na i quejmë flijim, se vuejtjet janë flije. Në kjoftë se na këto flije ia kushtojmë Zotit edhe i bájmë për hater të Tij e i ktehjmë në flije shpirtnore, atëherë báhen shumë mâ kollaj e kthehen në shpëtimtare si për atë qi vuen e, ishalla edhe për të tjerët. Mue, gjatë jetës së burgut, më kanë takue shum rasa kur, ndër tortura, s’kishem çka me bâ tjetër, veç me i lypë ndihmë Zotit, me e lutë, tue thanë: “Aman, më pështo!”. E më ka ndodhë në një rasë që  ai, i cili po më torturonte, më tha: “Çka je kah i lot buzët? Po lutesh, a?” . “Po – i përgjegja – tue lutë Zotin jam! Jam tue iu lutë qi ta shndrisin menden mos me më rrahë mâ”.  Edhe ai stepej përpara kësaj gjendje, përpara buzëve që lëvizshin pa fjalë… përpara uratës së shqiptohej pa zâ. Vuejtje ishte, por mvaret… Dikush disprohet e des  mbrendë e barabar prej vuejtjes nuk pështon, dikush tjetër e bán për hater të Zotit. E kjo na ka ndodhë në përgjithësi né, të gjithë klerikëve katolikë. Jemë kenë të formuem kështu!

Dom Davidi: – Ju në librat “Rrno vetëm për me tregue”, e në libra tjerë, i përshkrueni pikërisht këto vuejtje, tue dënue të keqen por, e kjo t, bân me të vërtetë përshtypje, tue mos urrye askend, madje tue i falë autorët…

At Zefi: – Kur i kam shkrue këto libra, nuk kam dashtë me bâ letërsi. I kam shkrue që mos të harrohet, mos të harrohet – po e përsëris – çka kemi hjekë, jo vetëm na, por gjithë populli shqiptar. Në kje se Vëllimi I kujton krysisht vuejtjet e klerit katolik e të nji pjese të intelektualëve, Vëllimi II asht për të gjithë Shqipninë, e cila quhej e lirë, por e lirë nuk ishte. Në sa Pjesa III përfshin vuejtjet e burgut jo vetëm të mijat, por të shumkuj, madje mâ shumë të tjerëve.

Qellimi i tyne asht kryesisht historik, për me kundërshtue historinë krejt rrenacake, krejt gënjeshtare qi asht shkrue gjatë këtyne 50-vjetëve. E mjerisht, mjerisht, tue kenë se burgjet e vuejtjet ishin të panjoftuna, jo prej shumkuj, por gati prej gjithkuj, njerëzit i kanë besue asaj historisë idilike, qi asht shkrue, aq sa po të kallxoj nji gjâsend. Më ka takue, mbas ’90-ës e këndej, me ndeshë nji vajzë në tren, në sa udhëtojshe nëpër Itali. Ishte prej Lancianos. Babën e kishte tregtar të madh. Jo thjeshtë tregtar, por mâ tepër industrialist. Më thotë vajza, në sa treni përshkonte udhët e Italisë: “Në kohëne  komunizmit mediat aq të mirë e paraqitshin gjendjen e Shqipnisë, sa si baba i em, ashtu edhe unë e tanë familja, bâmë kërkesë me shkue në Shqipni. Shyqyr që s’na kenka dhânë leja se vetëm tash e kuptuem ku e paskemi pasë ndër mend me u mbytë. Vetëm tash, pra, e morëm vesht cila ishte e vërteta”. Prandej i kam shkrue këto libra. Jo se kam pasë qellim me denue kend, pse kurrkend nuk kam dënue; asht kenë nji fatkeqësi e madhe e popullit shqiptar. Madje fatkeqësi mund ta qyejmë edhe për ata që kanë pasë detyrën e torturuesit, për ata që kanë martirizue vëllazënt e vet shqiptarë. Nuk më duket zanat  fort i kandshëm ai i njeriut që rjep lëkura njerëzore. Prandej nuk kam urrye kurr e kurrkend…

Dom Davidi: – Ka pasë një ças vendimtar për Kishën – e âsht ai i përpjekjeve të komunistave për krijimin e Kishës kombëtare, për shkëputjen e Kishës katolike nga Selia e Shën Pjetrit.Ç’ju kujtojnë këto çase e cili ishte reagimi i Kishës?

At Zefi: – I kujtoj ato çase, si të kishin ndodhë dje. Edhe Enver Hoxha i ka përmendë ndër fjalimet e veta… takimet që ka kërkue qysh në fillim me Monsinjor Gjinin, me Monsinjor Prennushin… i kujtoj, sepse mundohej me bashkëpunue, në se mund t’ia delte me e realizue këtë bashkëpunim. Por, a mund të ketë bashkëpunim ndërmjet fesë e ateizmit? Kjo asht krejt e pamujtun. Kleri katolik nuk mund të pranonte me u bâ vegël e hueja, aq mâ tepër kur ishte fjala me u bâ vegël në duert e anmiqve të fesë. Ky asht qendrimi i përhershëm i Kishës katolike. U bane shumë përpjekje, shumë bisedime, që vazhduen me vjet e vjet, por kleri katolik nuk lëshoi kurr pê. U mërrijt te ajo, qi mandej u quejt Kishë nacionale, qi u trumbetue aq tepër prej propagandës komuniste e prej atyne qi nuk i dinë punët e mbrendshme. E verteta asht se kje nji marrveshtje e mbrendshme qi të firmohej ai statut vetëm sa për sy e faqe, për mediat, por në të vertetë marrëdhanjet me Vatikanin siguroheshin nëpermjet vetë organeve shtetnore… Ipeshkvit të vetëm qi kishte mbetë në Shqipni, Imzot Bernardin Shllakut, i erdh letra prej qeverisë, por nuk ndigjoi me e firmue; e jo vetëm ai, por as klerikët tjerë nuk ndigjuen me vú firmë, pa u sigurue mâ pare për marrëdhanjet me Vatikanin…. E kjenë sigurue, mandej firmosen.

Dom Davidi: – Don me thanë këtu kemi një lloj kompromisi për me shpëtue si njenën pale, ashtu edhe tjetrën….

At Zefi: – Po, njënën e tjetrën palë. Marrëveshtja ishte e mshehtë, siç janë gjatë historisë shumë marrëveshtje sekrete. Madje komunistët u penduen që e bânë këtë marrëveshtje me Kishën katolike, sepse qysh në atë ditë, për 15 vjet rresht, Kisha katolike, qi kishte mërrijtë në grahmat e fundit, filloi me u pëtrî, me e marrë vedin me forca të veta, don me thanë me forcat e popullit besimtar. Kurr nuk asht ndihmue Kisha prej popullit të vorfën, sa në periudhën prej vjetës 1950 deri në vjetën 1967. Ata 17 vjet Kisha erdh tue e marrë vedin, u rindërtue edhe me kler, pamvarësisht se ishte i mbyllun e i ndaluem seminari, fidanishta e meshtarëve. Prap se prap Zoti i dha fuqi përparimit, i dha guxim Kishës me ecë përpara në kohnat mâ të vështira që ka mujtë me pasë Kisha, e kjo punë i terboi edhe mâ tepër komunistat dhe vendosën shkatërrimin e plotë të fesë.

Dom Davidi: – E perskutimi komunist filloi të sulmonte njerëzit mâ të spikatun, prijësit, barijtë, trunin….

At Zefi: – Ashtu filloi persekutimi. Fillimi i persekutimeve gjithmonë kapë në fillim krenat, fillon prej nalt, për t’u ulë poshtë. Mandej, prej ’67-tës e mbrapa, kur u ndalue krejtësisht feja e Kisha në Shqipni, atëherë nis me marrë mbarë, aq sa mund të thomi se nuk pështoi kurrkush prej klerit katolik pa hy në burg.  Mund të kenë pështue dy-tre vetë, e edhe ata sepse ishin të sëmuet, pse nuk  paraqtshin kurrfarë rreziku imagjinar për qeverinë, po sa për të tjerët, të gjithë kemi kalue nëpër burgje….

Dom Davidi: – E çka mendoni ju se mund të mësojnë brezat e ri prej gjithë këtij rrebeshi, që të mos shkojë dâm e mira e të mos përsëritet mâ kurr e keqja…. ?

At  Zefi: – Tashti termeqet nuk mund t’i parashohë kurrkush se kah vijnë e tek vijnë e sa ballsh kanë me kenë, kur të vijnë…. këto i ka jeta… por do të mësojmë prej tyne se si me i bájtë me durim e me vendosmëni. Ka randësí sidomos mos me i luejtë kurr parimet. Mjerisht – tue kenë njerëz – ndoshta gabime të vogla, të parandësishme, edhe mund të bâhen, por pa damtue idenë.

Dom Davidi: – Si thotë fjala e urtë: “Me mëkatnue asht njerëzore, me qindrue në mëkat asht djallëzore.

At Zefi: – Tashti: a asht kenë kleri katolik në naltësinë e duhun; a ka pasë ndonji qi nuk mujt me qindrue – e sot ketë po mundohen me e gjetë, tue vû gishtin ku munden e tue thanë jo kje ky e jo kje ai. Puna asht se jo të gjith njerëzit munden me kenë heroj e me dekë si heroj. Mund të jetë bâ edhe ndonji gabim. Por duhet të kemi parasysh qi edhe Krishtit, qi asht Zot, në shoqninë prej 12 vetësh qi pati, nji i ka dalë trathtar. Por tue kqyrë proporcionet prej 200 vetësh, qi përbajshin klerin katolik, ndonji qi ka gabue nuk çon peshë aspak. Ndërsa fesë nuk i rá mohit kurrkush. Ndoshta ndokush gaboi, ndoshta nënshkroi ndoj gjâ send, që sot dënohet, por, ka pasë thanë Nastradini: ai qi nuk asht rrxue prej fikut, mos të vijë me më pá”.  Ata qi mund të kenë nënshkrue, e kanë bâ ketë prej torturave të padurueshme, shumë mâ të zeza se ramja prej fikut….

*  *  *

Dom Davidi: – Tue kujtue gjithë atë veprimtari  për “Fé e Atdhé” që zhvilloi kleri, e sidomos zhguni françeskan, nuk mund të mos kemi dishirë ta ndigjojmë, shkurtimisht, mendimin tuej për kontributin e Kishës katolike në fushën e kulturës e, sidomos, në atë të zgjimit të vetëdijes kombëtare….

At Zefi: – Tashti me folë për françeskanët e për verpimtarinë e tyne, duhet me e pa këtë veprimtari në tanë botën, sepse Urdhni i themluem prej Sh’Françeskut, me idé thellësisht popullore, gjindet kudo në botë. Urdhni ka si idé kryesore vorfninë, tue zhdukë kështu atë që sot kishte me kenë pasioni themelor: dishirin për pasuní. Ideja e pasunisë zhduket. Vendin e saj e xên ndjenja mâ fisnike që ka njoftë ndonjiherë njeriut: dashunia. Dashunia për Zotin në radhë të parë. E kur të kesh dashuni për Zotin, do të kesh edhe për të gjitha kreatyrët tjera, pa dallim. Si je mësue me dashtë Zotin, nisë e ndien dashuni edhe për lule, për shpend, për shtasë… e aq mâ tepër për njeriun. Kjo âsht karakteristika kryesore e françeskanizmit në botë. Mirë po, tue punue për me e edukue njeriun me ketë dashuni, nuk kem dallue as trima as frikacakë, as pasanikë as të vorfën, as të dijshëm as të padijshëm. Prej këndej edhe dashunia për Atdhé e binomi “Fé-Atdhé”, që don me thânë me punue për Zotin e për popullin. Â’ kenë nji kohë kur françeskanët shqiptarë  janë kenë aq të paktë, aq të paktë, sa nuk ia kanë mërrijtë me i përhapë idetë e dashunisë së Zotit. Kanë ardhë, atëherë, misionarë të huej, qi kanë pasë një karakteristikë të veçantë: janë bâ të popullit, ku kanë shkue; janë mishnue me popull, për me e çue te Zoti, e ka ardhë prej vedit qi edhe ata kanë punue për ketë popull, për me i dhanë kulturë, dashuni, gjithçka kanë mujtë.

Dom Davidi: – Cili ka qenë roli i revistave të mirënjoftuna “Hylli i Dritës” e  “L.E.K.A.”, në këtë përpjekje për të rrezatue dashuni e kulturë. Mjerisht sot nuk i kemi mâ këto dy revista, me tipare të ndryshme, por me qellime të njajta, të cilat do të jepshin të njajtën ndihmesë edhe sot, kur ka aq shumë nevojë pikërisht për dashuni e për kulturë…

At Zefi: – Kleri katolik, tue mendue për Zotin, ka mendue për popullin, ka punue me e marrë e me e çue te Zoti. Vështirësia mâ e madhe si për klerin shqiptar, ashtu edhe për misionarët e huej, ka kenë se populli ishte tepër i padijshëm, i pashkollë. E ky popull i padijshem e i pakurrfarë shkollet kishte vetëm kulturën gojore të veten e dhantitë natyrore, qi ia kishte falë Zoti. Ta pret mendja se malet e fushat, qi nuk e kanë lodhë fort menden, mund të epshin edhe xheni të mëdhaj, siç edhe dhanë në të vërtetë. Prandej edhe kleri i dha randësi të madhe shkollave. Thonë se shkolla e parë në Shqipni kje hapë me 1887. Po shkollat shqipe na i gjejmë ç’prej vjetës 1680, madje të organizueme si s’ka mâ mirë prej misionarëve. Në sa në shkollën françeskane dihet mirë se mësohej në gjuhë shqipe qysh me 1861. Nuk quheshin shkolla kombëtare, pse mbaheshin prej klerit katolik, por në të vertetë ishin kombëtare, e këtë e tregon fakti se kjenë ato që formuen njerëzit e kombit. E edhe tashti, kleri katolik duhet me i dhânë randësinë mâ të madhen kulturës, sepse kultura asht nji gjâ e perbashkët për të gjitha besimet e për të gjitha shtresat e kështu, tue kulturue popullin, e çojmë mâ afër Zotit, pikërisht me anë të kulturës. Për njatë qëllim u zhvillue shtypi, u çilën shkollat, u botuen libra e revista… Deri me 1944, kur erdhën komunistat, Kisha katolike ka pasë njaqë shkolla, sa ka pasë shteti shqiptar. Atëherë kleri katolik kishte peshë politike e randësi të madhe.

Dom Davidi: – Po e përsëris prap pyetjen: ç’ vend kishin ndërmjet këtyre përpjekjeve “Hylli i Dritës” e “L.E.K.A.”?

At Zefi: – Tashti secili ka punue në të njajtin drejtim, por me mundësitë e veta. Kur flasim për revistat e klerit katolik, duhet të kujtojmë se e para revistë kulturore âsht “Elçija e Zemrës së Krishtit”, qi doli shumë mâ parë se “Hylli i Dritës”- 50-vjet përpara, por ishte revistë fetare, me përmbajtje vetëm fetare e shpirtënore, ndërsa e para revistë kulturore kje “Hylli i Dritës”.

Dom Davidi: – Me një fjalë “Hylli i Dritës” ka luejtë rolin e Doktrinës Shoqnore të Kishës, që sot Papa Gjon Pali II e nënvizon me forcë…

At Zefi: – Nuk asht se na i kena prî Papës, por Kisha katolike kulturën e ka pasë gjithmonë në qëndër të vemendjes. Ka luftue me anë të kulturës, qysh në kohën e të krishtenëve të parë, për me vijue në kohë të mjesme… tashti koha e mjesme akuzohet si koha mâ obskurantiste e historisë. Por kjo asht krejtësisht e pavertetë. Në atë kohë janë filozofët mâ të mëdhaj, katedralet mâ të mëdhá, mâ të bukurat, mërrijtën kulmet të tana artet e shkencat humane. Në sa shkencat ekzakte përparuen mâ vonë, por nuk duhet harrue se në Hanë e në Mars njerëzit po shkojnë tue u nisë shi nga ato kalkulime qi kjenë bâ qysh në atë kohë.

*   *   *

Dom Davidi: – Pater Zef, folëm pak për Kishën, pak për kulturën, pak për françeskanizmin. Ju keni punue e punoni për të ardhmen e vendit e të Kishës. Posaçërisht me dërgimin e  të rinjve jashtë për të studiue, me shpresën se do të kthehen në Atdhé e të punojnë për të mirën e popullit. Ç’mendoni për politikën shqiptare e për politikanët? Mendoni se kemi politikanë të vërtetë, me nivel?

At Zefi: – Kjo âsht e meta mâ e madhae  e historisë së këtij populli. Të thashë edhe përpara: na jemë çpallë shtet në vedi, pa i pasë njerëzit që ta drejtojnë, pse zakonisht shtete i drejton politika, popujt i drejtojnë njerëzit e politikës; janë ata që e japin drejtimin, porse njerëzit e politkës janë pak a shum të pregatitun, duhet të jenë kështu. Ndërsa në Shqipni asht krijue mendimi feudal se ai që ka politikën, ka gjithçkafen në dorë, se politika asht burim fitimit. Shqiptari endè s’e ka kuptue se politika asht shërbim e jo fitim.  Vetëm kur të vijnë ata njerëz që kanë me e kuptue se politika asht shërbim, atëherë, po, mund të shpresojmë…. Ti merre fjalën ministër. Po ta përkthejmë, don me thanë shërbëtuer; po te na ka kuptimin sundimtar, që don me thanë gërryes. Asht i pari mendim që duhet ndërrue. Nuk asht aspak e lehtë, por kadalë –kadalë… Tashti po bâhen 100 vjet që jemë të pamvarun – 100 vjetori i Pamvarsisë  do të kremtohet në vjetën 2012 – por endè s’kemë mërrijtë me formue shtet! Kjo âsht fatkeqësia mâ e madhe  e këtij populli. Mbas njiqind vjetësh, alá s’ka shtet të vërtetë. Jemi pa dritë, pa rrugë, jemi pa ujë, pa gjithçka.

Dom Davidi: – Pater Zef, e Kisha, në këtë situatë të vështirë shoqërore, ekonomike e politike, me gjithë mungesën e infrastrukturave, mundohet me bâ çka mund të bâhet, apo jo?

At Zefi: – Kam pasë dhânë nji intervistë në revistën “Jezus” para disa vjetsh. Me njata mendime qi kam kenë atëherë, me njato jam edhe sot. Më pat pvetë ai kryeredaktori i revistës e më pat thanë: “Po Kisha katolike si asht në Shqipní? I thaçë: “Ajo anije s’ka zbarkue në brigjet tona”. Si – tha – po unë kam ato, statistikat. Janë ma se njiqind priftën, njiqind mungesha. – Po, more, po – i thashë –janë, janë… Ka, si priftën, ashtu edhe mungesha – por nuk e di a janë mâ tepër degë e Kryqit të Kuq, apo njerëz të Kishës, qyshsè kanë hapë ambulanca e merren mâ teper me punë qi i takojnë Kryqit të Kuq. Na në Shqipni kemi nevojë mâ tepër për mend, për trû, ata vijnë e na bâjnë injicjone, po injicjonet nuk na i shëndoshin trutë. Kisha misjonin e vet e kryen ndër shkolla nëpërmjet kulturës e jo tue dá pako, ndihma ushqimore…. Nuk po thom se asht gjâ e keqe; asht gjâ e mirë, por qi ndihmon vetëm trupin, në sa menden e shpirtin pak i ndihmon. Mjerisht edhe sot na kemi nji fatkeqësi të madhe se s’kemi klerin shqiptar të mjaftueshëm. Ashti ai qi e din se ku i dhemb e ku i djeg shqiptarit, qi ia njeh të metat e të mirat. Mjerisht klerikët e vjetër shqiptarë u shuen, ose nuk janë mâ në gjendje për punë. Mosha bân punën e vet. Kështu Kisha mbet në duer të të ardhunve. E ata që erdhen, erdhen me ‘i farë mendimi se po krijojnë Kishën. Menduen se këtu ishte vend-bosh. Harruen se Kisha në ketë vend asht qysh në kohë të Sh’Palit. Menduen se po vijnë si misionarë me hjedhë themelet e Kishës së re. Këtu asht e meta e Kishës katolike në Shqipní të soçme, e cila nuk ka marrë para syshë kurrgjâ çka asht kenë e prandej edhe asht pa themele.

Dom Davidi: – Sidokjoftë, shenjat premtuese nuk mungojnë, e nuk mund të mohohet se asht bâ një punë e madhe…..

At Zefi: – Âsht bâ punë e madhe; sidomos janë bâ kishat, kuvendet, ndertesat, e edhe shkolla janë hapë, por jo aq shum sa duhet, sepse edhe populli katolik, në krahasim me çka asht kenë, asht shumue, pse asht shumue populli në përgjithësi. Atëherë a’ kenë folë për një qind mijë katolikë, sot sigurisht katolikët nuk janë nën 500 mijë. Por në kjoftë se atëherë janë kenë njëqind shkolla, sot duhen me kenë 500. Pra kjo asht e meta kryesore e Kishës katolike në Shqipni: nuk i përgjigjet nevojave të kohës, sidomos në çashtjen e  kulturës. Për kah kishat, janë mâ të mira se ç’janë kenë, kuvendet e famullitë janë mâ të mira se ç’janë kenë, por janë të gjitha punë materiale.

Dom Davidi: – Nji prej sfidave që duhet të përballojë sot Kisha në Shqipni, asht edhe takimi ndërmjet zonave të ndryshme, banorëve që lëvizin nga krahinat e ndryshme, që dynden drejt zonave fushore, sidomos drejt qytetve…… kjo zhvendosje mund të krijojë shqetësime, por mund të jetë edhe pasuri, po të shfrytëzohet si duhet….

At Zefi: – Asht pasuni e paçmueshme, persè qytetet përtrihen me gjak të ri, me një gjak shumë të fuqishem, në kjoftë se ka kush i edukon, kush i drejton. Por në kjoftë se ne, klerikët, nuk i vêmë detyrë vedit me i marrë këta njerëz e me i çue te Zoti, ka me dalë tjetërkush qi, për së shpejti, ka me i çue te djalli. Prandej duhet me gjetë metodën, se si me i çue këta njerëz te Zoti.  Kisha vetëm nuk mund t’ia dalin. Sot janë mediat….

Dom Davidi: – Ju keni mendimet tueja për metodat: doni, për shembull, të krijoni një radio me vlerë, qi të punojë pikërisht për edukimin e krishtenë, por kjo deri tash ka mbetë vetëm dishirë… të cilën urojmë ta realizoni sa mâ shpejt…

At Zefi: – Ishalla ka me u realizue. Mjetet m’i kanë dhurue qysh në vjetin 1991-92. Sigurisht qi ato janë plakë, se këto mjetet po dalin përherë e mâ të reja. Por sidokjoftë, munden  me shërbye si bazë. Mjerisht ai plan i emi nuk u kuptue pse – si i thonë nji fjale – si të kruen dora jote, nuk të kruen e kurrkuja – misioinarët nuk i dinë nevojat e verteta: janë misionarë të mirë – nuk mund të flas keq për kurrnji – kanë punue përtej fuqive të veta e me flijime të mëdha, por gjithsesi nuk e dinë se ku na dhemb e ku na djeg.

Dom Davidi: – Ju mendoni gjithnjë për kohën tuej, kur Kishën e drejtojshin personalitete të fuqishme shqiptare. Ju i keni njoftë, madje keni jetue e bashkëpunue me disa prej tyne, tue kenë i zgjedhun me punue në arkivin françeskan prej vetë Pater Palit, provinçalit të parë shqiptar të Provinçës së Zojës Nunciatë. E dimë se arkivi i vjetër u  grabit prej komunistave, por dimë edhe se sot fretënt kanë një arkiv e një bibliotekë të pasun, krijue e ruejtë falë zellit e kujdesit të fretënve mergimtarë: Pater Daniel Gjeçajt, Pater Jak Marlekajt e Pater Paulin Margjokajt, të cilët punuen me pasion për të vû në vend gjithçka ishte shkatërrue. E gjithë këto vlera ruhen tashti në Bibliotekën e  re të fretënve në Gjuhadol…

At Zefi: – Kam kenë i ri fort, kur kam punue në arkiv, tue kenë se në atë kohë të vështirë,  nuk kishte asnji tjetër qi mund të punonte. Kjo më ka ndihmue me njoftë për së afërmi vepra të mëdha të françeskanëve e të Kishës katolike. Mjerisht pjesa ma e madhe asht zhdukë faret; pjesa qi ka teprue, asht në dorë të shtetit. S’ka gja! Mjaft qi mos të hupin e të jenë të hapuna për studime, pse arkivat e bibliotekat janë për të gjith njerëzit, për ata që duen me dijtë të vërtetën si a’ kenë, pamvarsisht se në arkiva e vërteta nuk del kurr. Në arkiv gjen gjithçka, por jo të vertetën. Historia mund të shkrueht ma mirë tue u nisë nga letrat personale, jo nga letrat zyrtare, se kur shkruen njeri nji letër zyrtare, mundohet me e mshehë të vertetën, ose, së paku, me e ndryshue. Në arkiv, pra, gjen gjithçka, të mira e të këqija, gjen paditë e njanit e të tjetrit, gjen rrena sa të duesh, por nuk don me thanë se tue shfrytëzue arkivin, shkrove nji histori të vertetë. Megjithatë arkivat janë të randësishme për me njoftë jetën e kalueme të popullit shqiptar, të klerit, të Kishës, Unë kam pasë fatin me njoftë shum personalitete të mëdhá të katoliçizmit në Shqipni: Pater Anton Harapin, Pater Pal Dodën, Pater Frano Kirin…. kam njoftë edhe Pater Gjergjin, ndonëse krejt i vogël; kam njoftë edhe të afërm të tij. Jam përpjekë me shkrue diçka për ta. Kam shkrue “Françeskanët e mëdhaj”. Vepra qi kanë bâ fretent e mërguem, Pater Daniel Gjeçaj, Pater Jak Marlekaj, Pater Paulin Margjokaj, asht nji vepër heroike, krye krejet pse nuk u asht ligshtue zemra, nuk e kanë hupë besimin në ditën  e kthimit të Kishës, të Urdhnit, kanë jetue gjithnji me shpresë, ashtu si thotë Bibla për Abramin “Contra spem, speravit” – “”Kundra shpresës – shpresuen!”.  Pra vijuen me pune me bindjen se feja s’ka me mbarue kurr. Kështu ruejtën për të nesërmen – don me thanë për të soçmen , së cilës ata i kanë thanë e nesermja – gjithë këtë pasuni. Por të soçmes nuk ia mërrijën. Kështu, falë shpresës dhe punës së tyne, na sot kemi nji arkiv të mirë, që tue mbledhë libra, filma, fotokopje ka me vijue e me u pasunue përherë e mâ teper…

Dom Davidi: – Përmendët mâ parë arkivin shtetnor. E di se në këtë arkiv ka shumë dokumente të rrëmbyeme prej arkivave të jezuitëve, të fretënve, prej zyrave famullitare…; mandej vepra të randësishme, që mbahen ndrŷ e që, mendoj, se meritojnë me pá dritën….

At Zefi: – Kjo nuk më duket gjâ e keqe, sepse me mbajtë nji arkiv, duhet me pasë kushte teknike, sot për sot të jashtzakonshme, pse letra asht letër e pergamena-pergamenë: prishen vedit; koha bân punën e vet, mikrobet të veten… Unë jam sjellë shum nëpër arkiva, jam interesue teper për me dijtë çka ka aty e per me xjerrë edhe ndoj send prej tyne. Kam pá, prandej, se shteti ka krijue kushte me të vertetë të mira. Kështu nuk kishem me dishrue që të dalin prej atij vend. Mendoj, veç, se duhet t’i jepet mundësia me i konsultue, me i studiue e me i fotografue të gjith atyne, qi kanë nevojë për këtë material. E kjo, thjeshtë sepse na, si Kishë e si provinçë, nuk kemi mërrijtë alá me krijue konditat që ka shteti për me ruejtë letrat e pergamenat.

Dom Davidi: – Me që e kemi fjalën për arkivin, në arkiv të shtetit ruhen edhe Kodikët, që kanë vlerë të jashtzakonshme. Mund t’i quej letërnjoftim për popullin shqiptar, për Kishën shqiptare, të cilën e radhisin ndërmjet kishave mâ të mëdhá, mâ të vjetra, mâ fisnike. Si i vlerësoni Ju këta kodikë: Kodikun e  Beratit e të tjerët, ku gjinden fragmente të ungjijve ndër mâ të vjetrit.

At Zefi: – Unë i kam pasë studiue në kohën kur studiojshe teologjinë . I kam pasë njoftë të tanë: Codex Aureus, Codex Rubles; Codex Anthimi, Codex Beratensis… Këta janë kenë të ruejtuna në nji Kishë në Berat. Sot i ka në dorë shteti. E unë mendoj se asht tepër mirë qi i ka shteti, përse ka mundësi me i ruejtë, në sa ndër né do të ishin damtue, siç paten fillue me u damtue.

Dom Davidi: – Sigurisht ruejtja asht punë e mirë, por nuk mund të mos e quejmë fatkeqësi që këto Kodikë të mbeten të panjoftun për nxanësit e shkollave, sepse askush s’e ka marrë mundim me i përfshi në programet e tekstet shkollore…Në sa do të ishte mirë që pikërisht me to të niste studimi i traditës kulturore shqiptare….

At Zefi: – Këtu asht e meta e madhe edhe e Kishës. Nuk i ka kushtue kujdes kulturës, sa i ka kushtue infrastrukturës. Shkollat qi janë hapë sot prej klerit katolik, janë hapë me programe shtetnore e me tekste shtetnore. Atje alá vazhdojnë idetë komuniste, materialiste… Gjithçkafja asht e rreme. Prandej shkollat qi të hapë Kisha katolike kishte me u dashtë të jenë shkolla të veçanta, ku të mësohet kultura e vërtetë. Tekstet duhet të bâhen të reja, të gjitha. Na duhet një kulturë me të vërtetë evropiane. Edhe s’kishe me i thanë mâ shkolla klerikale, por Euroshkolla, që të bâhet mësim si kudo në Evropë.

Dom Davidi: – Po kalojmë te një argument tjetër, jo mâ me pak randësi: si i vlerëson populli shqiptar martirët e vet. Kam parasysh këtë ças një thanje të shkrimtarit francez Albert Camus, drejtue martirëve të vendit të vet: “Martirë, miqtë e mi. Duhet të zgjedhim: me u harrue, me u përqeshë, me u bâ objekt tallje… ose me u kthye në vegla, për t’u kujtue….”

At Zefi: – Martirë ka gjithfarësh: ka martirë të së mirës e të së keqes. Na kemë Skanderbeun e Ballaban Pashen, të dy kanë kenë shqiptarë, e shqiptar ka kenë edhe Haxhi Qamili. Dikush vjen e na thotë se Skanderbeu asht martir, por për një tjetër martir asht Ballabani e madje edhe Haxhi Qamili. Atë e zgjedh njeriu vetë. Randësi ka me zgjedhë figura të deja, për me ecë përpara. E figurat mâ të dejat janë martirët e Kombit, të kulturës të fesë. A dishrojmë me kenë të harruem? Sigurisht këtë nuk e dishrojmë; të përqeshun, të tallun? As këtë jo e jo. Vegla – për hir të kujtimit? Këtë kishem me e dishrue. Kishem me dishrue të ishin vegla në duert e të mirëve, por të mirët nuk përdorojnë vegla, pse ketë e quejnë servilizëm, korrupsion….As të tallun nuk dishroj me kenë, por prap se prap edhe i talluni mbetë gjallë e del sado vonë ndoj’ kritik me ia vû nderën në vend. Ma e keqja asht me kenë i harruem, qi don me thanë me kenë i hjedhun. Vêne oroe në praktikë: don me xânë kos? Dom me xânë brumin për bukë? Ta dish se as kosi as buka nuk xêhen pa tharm. Këtë kishem me dishrue un per martirët: me kenë tharmi i së ardhmes!

Dom Davidi: – Ju, klerikët keni qenë e jeni krypa e tokës sonë, drita e njerëzve tonë, rojtarët e së mirës, që s’mund ta zhdukë askush nga zemrat, që ka me vijue me ekzistue gjithmonë edhe në orët mâ të errëa të historisë së popullit, të cilin ju e keni zgjue e e keni mbajtë me shpresë, e keni mësue me iu shmangë rrugëve ku nuk duhet të ecë. Ç’ këshill i jepni popullit shqiptar e sidomos rinisë?

At Zefi: – E porosis per tri gjana: Të kenë fé, kurr të mos e braktisin fenë; të kenë shpresë; e mbi të gjitha, të kenë dashuni; ky asht mesazhi qi e ka dhanë Sh’Pali përpara mejet, e para Sh’ Palit e ka dhanë Krishti vetë! Kjo asht porosia e kjo pershndetja per të gjithë popullin shqiptar./Radio Vatikani

https://www.vaticannews.va/sq/bota/news/2023-09/at-zef-pllumi-ofm-ne-pervjetorin-e-vdekjes.html

blank

“Pas torturave, më hidhnin ujë! Hetuesi më kapi dorën dhe…”- Dëshmia e ish-kampiones së notit

Nga ANA XHEKA

 

-Arrestimi dhe burgosja e notares durrsake, Jolanda Gila, që nuk pranoi të bëhej spiune e Sigurimit-

Memorie.al / Ka mbushur 70 vjeç, por në pamje të parë duket se ka më pak vite mbi supe. Vlerësimi që i japin të tjerët kur e shohin, e zbavit së tepërmi dhe asnjëherë nuk e tregon moshën e saj të vërtetë. Problemet e shumta që i ka bërë “dhuratë” jeta, si torturat dhe rrahjet në hetuesinë e Durrësit, për të pranuar akuzën “për agjitacion e propagandë”, vuajtjet në burgun e Kosovës në Lushnjë, pamundësia për t’u martuar dhe për t’u bërë nënë, apo vdekja e prindërve, i ka sfiduar nga kujtimet e të qenit kampione kombëtare e notit. Fëmija i vetëm i familjes Gila, Jolanda, provoi gjatë gjithë jetës kamxhikun dhe përkëdhelinë e fatit; mentaliteti i kohës e privoi nga martesa dhe kënaqësia e të qenit nënë, për shkak se ishte ndër të parat femra që guxoi të dilte me rroba banje, duke u marrë me not.

Refuzimi i kërkesës së saj për t’i shërbyer ish-Sigurimit të Shtetit, i kushtoi një ndjekje dhe persekutim të ashpër nga ky institucion, deri në sajimin e akuzës famëkeqe për “agjitacion e propagandë”, akuzë e cila i kushtoi 4 vite heqje lirie.

Znj. Jolanda, kur e keni filluar për herë të parë aktivitetin si notare?

E kam filluar në moshën 13-vjeçare, së bashku me vajzën e xhaxhait tim, Luçi Gila. Trajner ishte djali i hallës sime, Kristaq Bekridheli, arsye kjo që e bindi tim atë të më lejonte të merresha me not. Ishim grupi i parë i notareve të aktivizuara në Sport-Klubin “Ylli i Kuq”. Fillova me stilin “bretkosë” dhe menjëherë mora pjesë në kampionatin ballkanik, që u zhvillua pas disa muajsh në Durrës. Noti ishte dhe mbetet pasioni im. E ushtrova deri në vitin 1964.

Në vitin 1951, përfundova “Teknikumin e Fizkulturës” dhe njëkohësisht u emërova mësuese fizkulture në shkollën 8-vjeçare “29 Nëntori” në Durrës. Rezultati im më i mirë ka qenë në vitin 1954, në kampionatin kombëtar, stafeta 4 herë 100, ku theva rekord. Karrierën time të sportit, e mbylla në vitin 1965 në kampionatin kombëtar të zhvilluar në pishinën e Korçës, ku sërish vendosa rekord në 200 metra.

Ju jeni dënuar me 6 vjet heqje lirie, nën akuzën: “për agjitacion e propagandë”. Si filloi ky persekutim ndaj jush?

Qenia ime aktive në Durrës, nuk kishte kaluar pa rënë në sy nga krerët e ish-Sigurimit në qytet. Në vitin 1952-1953, më thërrasin në ish-Degën e Brendshme. Më thërret në zyrë Jashar Kasimati dhe pasi më bën disa elozhe e, më përmend faktin se isha mbesa e dëshmorit Jorgji Mali, më thotë: “A e di përse të kemi thirrur? Duam që ti, paralelisht me profesionin e mësueses së fizkulturës, të bashkëpunosh me ne”.

Menjëherë reagoi ndërgjegjja ime dhe i dhashë një përgjigje të thjeshtë, kundërshtuese: Nuk e bëj dot. “Do të të lemë tri ditë kohë të mendohesh, para se të na përgjigjesh, – vijoi Kasimati, – por mendohu mirë”. Pas tri ditësh, paraqitem sërish në ish-Degën e Brendshme dhe i jap të njëjtën përgjigje negative.

Në këto kushte, ma kërkojnë përgjigjen me shkrim dhe pasi e dhashë këtë, filloi ndjekja dhe gjuetia ndaj meje, në të gjitha format, deri sa arritën të ngrenë ndaj meje, akuzën për agjitacion dhe propagandë. Hijet lëvizëse të spiunëve më ndiqnin në të gjitha seancat dhe orët e mia mësimore, rrugës kur shkoja dhe vija në shkollë dhe kudo tjetër.

Për çfarë u akuzuat konkretisht dhe si?

Gjithçka ishte përgatitur me shumë kujdes. Ata kishin instruktuar njerëzit, që do dëshmonin kundër meje. Kishin dërguar në shtëpinë time, një prej atyre që unë i quaja shoqe, me motivacionin për të marrë një model fustani dhe e kishin fotografuar në hyrje të banesës. Në këtë mënyrë, do ta përdornin në gjykatë, për të thënë se dëshmia e saj, ishte e vërtetë dhe ajo kishte qenë në shtëpinë time. Unë kisha në shtëpi një bllok me fjalë dhe shprehje të ndryshme të gjuhës italiane, të mbledhura nga libra të ndryshëm, ku nuk bënin përjashtim edhe fraza marksiste-leniniste.

Italishten e dija shumë mirë, pasi nëna ime ishte rritur në Itali dhe në shtëpinë tonë, kishte jetuar së bashku me ne për shumë vite një italian, mik i babait. Pasi ishte përgatitur gjithçka me kujdes, pikërisht më 8 tetor 1979, në prag të Kongresit të Gruas që do të zhvillohej në Durrës, unë u arrestova.

Kjo ndodhi kur isha te një shoqja ime, kur kisha vetëm pak kohë që isha pushuar nga puna, me motivacionin se kisha kënduar diku këngë italiane. Rreth pasdites im atë, më tha se duhet të paraqitesha në Këshillin Popullor të lagjes, sepse kishte një përgjigje pozitive, për kërkesën time për punë.

Sapo shkova në Këshillin e lagjes, më dhanë në dorë një zarf dhe pa më lënë ta hap, më thanë: Prit se dikush ka diçka për të folur me ty. Pas disa minutash, erdhën disa civilë dhe më kërkuan të hip në “Gaz”-in e Degës, duke më thënë se pyetjet, do të m’i bënin në Degën e Brendshme. Rrugës, hetuesi Ilmi R., më komunikoi arrestin, më akuzën e “agjitacionit e propagandës”.

Si e mori vesh familja arrestimin tuaj dhe kur u dënuat?

Atë ditë, nuk munda ta lajmëroj familjen. Kur e morën vesh, prindërit u sëmurën, sepse unë isha fëmija i vetëm. Pronat e tim ati, ishin shtetëzuar, por pas arrestimit tim, ata i priste internimi. Fakti që nëna ime ishte motra e një dëshmori, e shpëtoi babanë nga internimi, kurse unë i rezistova rrahjeve dhe torturave nga më të dhunshmet, në hetuesinë e Durrësit. Më lidhnin duart me pranga dhe më rrihnin, derisa më binte të fikët. Pastaj më hidhnin sërish ujë dhe kërkonin që ta pranoja akuzën.

Dy herë rresht pas mesnate, më sillnin në qeli të burgosura të tjera, që kishin marrë përsipër të bënin rolin e provokatores dhe të spiunes, për të marrë informacion nga unë, për lidhjet që ata dyshonin se unë kisha me njerëz të tjerë dhe ndikimin tim mbi ta. Në kushtet e një gjendjeje të dalldisur timen, ish-hetuesi Ilmi R., mori dorën time dhe firmosi, duke shkruar ai vetë në fletën e proces-verbalit, sipas të cilit unë e pranoja akuzën.

Kështu, në vitin 1980, dola në gjyq dhe u dënova me 6 vjet heqje lirie, duke shpëtuar nga akuza e dytë, sipas së cilës, paraqisja rrezikshmëri shoqërore. Dënimin e vuajta në burgun e Kosovës në Lushnjë, së bashku me 250 të burgosura të tjera, një pjesë e të cilave, ishin të huaja.

Si e kujtoni momentin, kur dolët nga burgu?

Në vitin 1983, përfitova nga një amnisti dhe nga sjellja e mirë në burg. Atë ditë nuk do ta harroj kurrë. Të gjithë banorët e fshatit Kosovë, e kishin marrë vesh dhe kishin rrethuar gardhin tonë. Unë dëgjova dikë që bërtiste nga gëzimi dhe nuk dija ç’kishte. Dola dhe mora vesh, se kishte dalë një amnisti ligjore. Në oborr, të gjithë pyesnin me zë të lartë, se cila kategori përfitonte. Pas pak vjen një nga rojet dhe më thotë: “Edhe ti Jolanda përfiton”.

Nuk u besoja veshëve. Më është dukur pambarimisht e gjatë, rruga deri në Durrës. Te stacioni i trenit, kishte shumë njerëz që prisnin të afërmit e tyre. Mes turmës dallova nënën, që ishte plakur dhe kërrusur. Sapo e takova, mes ngashërimit, pyes për tim atë dhe mësoj që më kishte vdekur, gjatë viteve të mia të burgimit. Ndërsa nëna ishte në pikë të hallit. Bënte punë të ndryshme dore, për të mbijetuar. Pas më shumë se 10 vjetësh, ne morëm pronat tona, por atëherë dha shpirt edhe nëna ime, duke më lënë krejt të vetme.

Karriera sportive e Jolandës

“Vitet kur merresha me sport, i kujtoj si më të lumturat e jetës sime. Atë periudhë e kujtoj me nostalgji, si një skenar të gjallë filmi”, shprehet Jolanda. Ish-rekordmenia kombëtare e notit thotë se shpeshherë, e pushton një ndjenjë keqardhjeje, kur mendon për kushtet në të cilat stërviteshin dhe zhvilloheshin garat, në vitet ’60-të.

“Për pishina shërbenin sipërfaqe uji në det, të rrethuara nga varkat me flamurë mbi to. Kjo ishte e gjithë infrastruktura jonë atëherë dhe me gjithë vështirësitë, arrinim të realizonim kampionate kombëtare”, thotë Jolanda, duke shtuar dhe mentalitetin e atëhershëm për femrat, që dilnin me rroba banjoje në publik.

Jeta pas viteve ’90-të

Jolandën, pas kaq vitesh e sheh të veshur me pantallona, që kujdeset për ngjyrën apo modelin e flokëve. Motivimin për të sfiduar vetminë, e gjen në shumë elemente të tjera, që për shumëkënd janë të parëndësishme. Ajo përjeton lindjen e diellit në mëngjes, shijon kafen e parë, çdo mirëmëngjesi që merr nga fqinjët. Shëtitjet në qytet janë pasioni i saj, pa lënë mënjanë edhe vizitat e shpeshta në qytete të tjera të Shqipërisë.

Sa herë që gjen mundësinë, me një dëshirë që nuk i shteron, tregon për kohën e lumtur, kur ishte në grupin e notareve të para të Durrësit, kur paralelisht me notin, u afirmua si një nga sopranot e operës së parë “Era e lirë”, luajtur në Pallatin e Kulturës, “Aleksandër Moisiu”. Memorie.al

blank

Po ku ishe ti o Zot ! Nga Çiljeta Bome

Mund të jetë një imazh bardhezi i 1 person dhe fëmijëMund të jetë një imazh bardhezi i 1 person dhe fëmijë
Sa e kam ëndërruar këtë çast!!!
Sa vite me rradhë e kam ëndërruar kete fragment si në foto…UNE dhe MAMI IM💕
Po e kam realizuar kete takim kur isha 3 vjeç,
kur më çuan per here te pare ne burgun e grave ne Kuçovë ose Qyteti Stalin siç i thoshin ato vite….
Ishte një rrugë e gjatë mes baltrash ku na la autobuzi,
vinte shumë erë naftë, të mbyste nafta….
por unë ecja me nxitim pas gjyshes plakë me bastun, 80 vjeçare, qe te takoja mamin tim ne burgun 318…
Nuk e harroj sa të vdes atë moment kur isha në krahët e nenes time, dhe vinte era Nënë….
ah sa doja ai çast mos mbaronte kuuuuurrë 💔🥲
Sa kujtime më solli ndërment kjo foto;
Ky ishte takimi ynë i parë që unë mbaj ment!
PO KU ISHE TI O ZOOOOT ?
blank
blank

PSE VETEM SHKODRA?!- Pergatiti Fritz RADOVANI: Pjesa XVIII

PROF. SIMON RROTA
(1887 – 1961)
CILA ISHTE DETYRA E
SEKSIONIT KATOLIK
PRANë DEGëS Së
MBRENDSHME Të
SHKODRES Në 1946,
I VETMI N’BOTë ?
-ZHDUKJA E PERJETëSHME E
EMNAVE Të PAHARRUESHEM.
blank
blank
NJë KAPITULL TJETëR
I veshjeve Të VERIUT
PREJ PIKTORIT Të MADH
SIMON RROTA
blank

Lekë DUKAGJINI
(Veper e Piktorit Simon RROTA)
Profesor! Nxanësit Tuej, nuk e harrojnë kurr këte vjerrshë:
“Deri sa të sillet bota,
Edhe hyjt rreth rruzullimit,
Do të rrnojë Simon Rrota,
Profesor’ i vizatimit!” (…1956).
Melbourne, 22 Shtator 2023.
blank

“Kur ishim me Mynyrin në Itali, në dhomë e hotelit, na hynë dy femra sovjetike, të veshura me këmishë nate dhe…”/ Si u inskenua akt-akuza, për dy inxhinierët e naftës?!

Pjesa e njëzetë e katërt

Memorie.al /Qëllimi i këtij libri, është të bashkojë ndihmesën në përpjekjet që bëhen, për të paraqitur të vërtetat dhe tmerret e diktaturës komuniste në Shqipëri. Qëllimi kryesor i librit, nuk është t’i tregojë popullit tonë e kujtdo tjetër, se ne naftëtarët kemi qenë të pafajshëm, sepse kjo është bërë e njohur nga botime në shtypin tonë, nga televizionet e huaja, si dhe nga takimet direkte me Forumin Ndërkombëtar dhe atij shqiptar të të Drejtave të Njeriut. Dëshira e autorit, është që nëpërmjet kësaj historie, së bashku me tregime të tjera, të luftohet çdo shfaqje në çfarëdo forme, qoftë dhe të moderuar, që ai mund të ketë për të krijuar një shoqëri komuniste. Mendoj se edhe nëpërmjet kësaj historie të hidhur personale, do të shfaqet fytyra mizore e pabesë dhe prepotente e enverizmit, që për një gjysëm shekulli, ja mbajti thikën me majën në gjoks popullit shqiptar, me syrin pishë, duke përgjuar lëvizjet për shpëtim nga jashtë, apo rebelim të vetë popullit, i gatshëm ta shtynte thikën drejt zemrës, në lëvizjen më të parë. Ngjarjet janë vënë në fushat ekonomike ku ajo është shfaqur më me forcë, siç ka qenë industria e naftës dhe e gazit, ku pata fatin të derdh energjitë e mia, për një jetë të tërë dhe të bëhem në ato ngjarje pjesëtar dhe dëshmitar. Të gjitha ngjarjet që shkruhen në këtë libër kujtimesh, janë të vërteta, jo vetëm pa asnjë për zmadhim apo zbukurim të tyre, por ndofta, nuk di sa kam mundur të paraqes forcën tmerruese të ngjarjeve që ndodhnin në atë sistem dekadent të socializmit, ku nuk ekzistonte asnjë ndjenjë humane.

Të nesërmen në mëngjes, aty nga ora tetë, më thirrën. Unë u tregova hartimin që pata bërë gjatë natës, nën ato pak rreze të zbehta drite që më vinin nga vrima e hapur përmbi derë. O Zot, çfarë po ndodhte me ne! Çfarë po shikonin këta sytë tanë e, çfarë po krijonte kjo mendja jonë e burgut! Pasi u njohën me historinë që pata sajuar, ata përsëri mbetën të pakënaqur. Kështu që përsëri filluan të njëjtat metoda, që paskëtaj u bënë të përditshme. Unë u kisha premtuar se, do të sillesha si një nxënës i bindur, po për mua ishte tepër e vështirë të futesha në binarët e historive që ata kishin në kokë. Ishim kryekëput në fushat e imagjinatës.

Dhe ata i kuptonin vështirësitë që hasja, prandaj çdo ditë më hapnin horizont nëpërmjet pyetjeve, që njëkohësisht më përcaktonin se kur dhe me kë duhej ta ndërtoja ngjarjen. Kjo ndodhte nga që tashmë ata ishin mbështetur tek një farë skenari, që kishin bërë më parë me Mynyrin. Ai ishte burgosur disa muaj më herët dhe ato që kish sistemuar bashkërisht me hetuesit, duhej të ishin themelitë për ndërtesën, ku duhej të vija edhe unë gurët e mi. Por a mund të arrinte përfytyrimi im në ato çfarë kishte shkruar Mynyri, në skenarin e tij për veprimtarinë tonë të përbashkët?! Hetuesit më kërkuan të shkruaja se qysh ishte rekrutuar Mynyri dhe çfarë dija unë për këtë në periudhën që banonim bashkë në ndërtesën e inxhinierëve dhe teknikëve beqarë, në Kuçovë. E kuptova mire, se duhej t’i përshtatesha tregimeve të kolegut tim, por si?!

Ja që edhe pasi pranoje, nuk ishte më e lehtë, se duheshin pajuar hamendjet e dy fatzinjve, që shkruanin në dy biruca veç e veç. Ishe kjo arsyeja se përse hetuesia jonë, vazhdoi muaj të tërë. Ishte kjo arsyeja që unë thirresha në dy tre seanca hetimi çdo ditë, në të cilat si kryetar i grupit, i emëruar nga hetuesia vetë, duhej të bëja lidhjen me gjithë këta të pandehur. Dhe me mua ata zhvilluan jo pak, por përmbi treqind seanca të tilla! Tërbimi, rrahjet, torturat, fyerjet e tyre, bëheshin më të papërmbajtura: “Pse nuk po e thua të vërtetën ashtu si ka ngjarë?! Akoma fshihesh”?!

Ishte një tragjikomedi që vazhdonte me muaj. Pyetjet e tilla ata rrallë herë i plotësonin me fijen e perit që më lëshonin, e unë duhet ta kapja që të nisja ta zhdridhja. Vetëm tek tuk ata më thoshin: -“Përse nuk e thua kështu si na e ka treguar Mynyri”? Dhe hapnin e më lexonin copëza nga krijimtaria e kobshme e Mynyr Arapit, e sajuar me siguri nën dhunë të tmerrshme dhe ajo. Atëhere unë gjeja vetëm pak “lesh” për të tjerrë, se isha i bindur se rruga përsëri do të më mbyllej. – Më falni, – u thosha, – kujtesa ime nuk po më ndihmon. Tani po kujtohem se është pikërisht ashtu si shkruan Mynyri!

Ne po luanim një lodër teatrale të shëmtuar, me dy palë të kundërta apo, si i thonë, antagoniste. Unë rrija në birucë e mundohesha nëpërmjet fillit të famshëm të perit, që më jepnin ata, të kuptoja se me kë dhe se si e deshin të zhvilluar ngjarjen. E dija, ama, se çdo ditë, do të dëgjoja shprehjet e tyre të pakënaqësisë, çdo ditë do të dëgjoja fyerje, çdo ditë koka ime do të përplasej pas murit. E dija që Rustem Ajazi, do të më tregonte koburen, do të niste të numëronte fishekët e karikatorit, para fytyrës sime. Prandaj u mësova me këtë ecuri, e kjo përveçse e dhimbshme, u bë edhe e mërzitshme.

Dhe kështu nëpërmjet seancave të përditshme, të zgjatura, ata duke më dhënë “fill” dhe unë duke tjerrë, duke më hedhur vazhdimisht poshtë ato që kisha shkruar më parë, po arrinim aty ku kërkonin të dilnin, mjeshtrit e hetuesisë stalinianë. Ata shpesh herë m’i grisnin ato që kisha shkruar dhe më vërsuleshin të inatosur, që nuk po reagoja si kolegët e mi, të arrestuar. Por unë e kuptoja, se e vërteta nuk ishte kjo. Kështu vetëm për të arritur në atë shtjellim që i kish bërë Mynyri, pikënisjes së aventurës së tij, se si “ishte rekrutuar ai agjent i sovjetikëve”, m’u desh një periudhë prej tri javë shkrimesh, me versione të ndryshme, që gjithnjë afroheshin drejt asaj që kërkohej.

Unë dhe tani nuk e kam shumë të qartë, mënyrën si e përfundova këtë kapitull të skenarit, për të cilën u deshën shumë faqe të shkruara e të grisura. Nga vetë kërkesa që më bënë hetuesit, m’u dha spuntoja, se si Mynyri na qenkej rekrutuar prej rusëve. Ata më urdhëruan:- “Tani na rrëfe: si u rekrutua Mynyri nga rusët në Kuçovë, kur jetonit në fjetoren e beqarëve”? Pasi m’u dha ky element, unë krijova një variant, që akti i rekrutimit, u krye në mensën ku hanim bukë, ku disa herë duhej të paskësh ardhur edhe Mynyri. Në këtë mjedis mense, ishte gjendur edhe një sovjetik, që e pat rekrutuar Mynyrin në praninë time. Kjo nuk u pranua dhe unë u detyrova “ta rikujtoj” më mirë ngjarjen, se e kisha harruar! Bëra disa herë ndryshime e korrigjime, por nuk dilja nga kufiri i mensës. Pas seancash të gjata, duke parë që unë kisha ngecur e nuk dija fare të sajoja, ata m’u zbrazën të pakënaqur: – “Pse nuk na thua të vërtetën, atë që ndodhi me atë femrën ruse në shtëpi”?

“Fill” i ri!

Mynyri do të kish krijuar ndonjë variant, që ish rekrutuar mbi bazën e marrëdhënieve me një femër ruse. Mora letër e laps dhe kërkova të vete në birucë. E kisha vështirë futjen e femrës, por e qullosa: sikur qe bërë një festë ditëlindje, në mensën ku hanin bukë inxhinierët beqare. Aty erdhi edhe Mynyri. Në vallëzim e sipër, ai zuri dashuri me gruan e një specialisti sovjetik. U shkëputën tok nga mbrëmja e vajtën në dhomën ku banonte Mynyri, dhomë që ai nuk e kishte larg nga mensa. Të nesërmen, ata, si gjithnjë, u zemëruan dhe m’i grisën fletët në sytë e mi dhe më dhanë racionin e përditshëm të torturave.- “Maskara! Përse na gënjen e, nuk na thua të vërtetën që ngjarja ka ndodhur në shtëpinë ku banonte ajo”?! Atëherë u detyrova “ta shpie” çiftin në shtëpinë e saj dhe aty fill, pa pritur të shoqin e saj. Edhe ky variant nuk ishte në përputhje me ato që u kish përgatitur Mynyri. Kur po më shpinin në birucë, thosha me vete: -“Or, Mynyr, më dërgo një mesazh se si e ke katranosur rekrutimin tënd, se vdiqa! Plagët më rrjedhin gjak e unë nuk e gjej dot”!

Me gjithë jetën e ndyrë të birucës, me gjithë merakun e pandërprerë për fatin e familjes, unë do të qeshja me këtë tragjikomedi, që nuk po merrte fund. Po të mos ishin torturat! Oh, jo, torturat e përjashtonin fare humorin! Si përfundim, ngjarjen nuk e zhvilluam në mensë, se aventura nuk paskej ndodhur fare atje. Bile, as në festën e ditëlindjes. Dashnorët, kishin qenë në shtëpinë e saj, kur befas kishte ardhur dhe i kishte zënë i shoqi. Mynyri në panik e sipër, paskej hapur dritaren e banjës dhe qenkej hedhur prapa shtëpisë, që të largohej. Por ai, rusi, e kishte parë dhe e kishte njohur. Kështu që rusët vajtën e gjetën Mynyrin, e kishin thirrur në një zyrë e i paskeshin thënë: – “Mynyr, prano të bashkëpunosh me ne, ose ne do të raportojmë në komitet të Partisë. Do të tregojmë atje, që ti ke përdhunuar një grua sovjetike – (në vitin 1960!) – dhe ata do të të burgosin si antisovjetik”!

Ky version fare fëminor, hetuesisë i kishte pëlqyer. Imagjinata e ime, mes kërcënimesh e rrahjesh, me “ndihmën” e hetuesve punoi shumë mirë. Gradualisht arritëm ta sajojmë me këtë histori, tërësisht të ndryshme nga ajo që nisa unë. Të gjitha fletët e shkruara prej meje, për tri javë rresht, ishin grisur me t’i paraqitur dhe në fund u ruajt versioni final, i tillë që kushdo që e lexon, arrin përfundimin se deponimet, janë përputhur shumë saktë. Kjo ishte puna e fëlliqur që bënte hetuesia, për të fshehur metodat e saja të poshtra. Kjo ishte arsyeja se përse prokurorët, nuk morën pjesë asnjëherë gjatë gjithë seancave tona. Kjo i lejonte hetuesit kriminelë, të kishin duart e lira për të bërë kombinimet, që në fund, çdo gjë ata, ta kishin në rregull, paçka se në proçesin që u takonte atyre, i shkelën ligjet në mënyrë flagrante.

Sipas ligjeve në fuqi, për çdo seancë hetimi, duhej të mbahej protokolli, e të firmosej nga deponuesi, hetuesit dhe prokurori i posaçëm. Në të gjitha seancat tona, asnjëherë nuk u veprua kështu. Pasi përfundoi përqasja e deponimeve, ne i shkruam ato në letër të pastër dhe na urdhëruan që t’i lexonim para mikrofonit, që ata t’i ruanin edhe të inçizuara, pranimet e fajësisë sonë. Siç mësova më vonë, pas gjyqit dhe dënimit tonë, edhe ky version ishte përfundimtari, por nuk paskej qenë i vetmi. Në fillim Mynyri dhe më pas Enrikoja, kishin ndërtuar variante të tjera.

Meqenëse këta të dy në vitet ’80-të, kishin qenë bashkë në Itali, për marrje eksperience në qendrën elektronike të përpunimit të materialit seizmik, pranë AGIP-it, e kishin ndërtuar historinë në Romë. Mynyri kishte pranuar, se ishte rekrutuar nga shërbimet sekrete italiane. Ai mendoi se ky do të ishte rasti më i besueshëm, për t’u futur në dosje të deponimeve. I frymëzuar nga filma të ndryshëm, Mynyri e pat paraqitur ngjarjen sikur, po flinin në hotel bashkë me Enrikon; në një kohë u kishin hapur derën dhe u kishin hyrë papritmas ca individë me armë në duar, u kishin thënë: “Mos lëvizni”?. Të panjohurit u kishin ngjeshur të dyve lecka në hundë, nga ato me lëndë që të venë në gjumë. Kur hapi sytë, ai pa që ndodhej në ambasadën sovjetike. Shtjellimi i mëtejshëm shpinte aty ku sovjetikët i kishin thënë: “Ose prano të punosh për ne, ose do të raportojmë, që ti ke ardhur vetë në ambasadën tonë e, je lidhur me ne, e kështu ty të pret burgu ose vdekja, zgjidh e merr”! Si përfundim, Mynyri kish pranuar.

Por asnjë në këtë dëshmi, nuk shtronte pyetjen, jo vetëm se nga e morën vesh në atë qytet të madh, se ku rrinin specialistët shqiptarë, por edhe se si këta dy burra trupmëdhenj, i nxorën të mbajtur përmbi supe dhe si ndodhte që hotelierët, nuk panë se ç’bëhej në hotelin e tyre?! Por këto nuk kishin rëndësi, sepse as prokuroria e as gjykata, nuk do të bënte pyetje të tilla logjike. Për këto organe, rëndësi kish që ti vetë po pranoje dhe po jepje një histori, ku ishe në faj. Ndërsa kur filluan proçesin hetimor me Enriko Veizin, këtij ia kërkuan dëshminë, mbështetur mbi fantazinë e shokut të tij: “Na trego se çfarë ndodhi me ty dhe Mynyrin atë natë në hotel, me sovjetikët”?

Enrikoja e kuptoi menjëherë se duhej krijuar një histori me sovjetikë dhe me hotel. Dhe ngjarjen e shtjelloi kështu: “Po flinim me Mynyrin në dhomën që kishim zënë në hotel. Hapet dera dhe na hyjnë dy femra të veshura me këmishë nate; njëra i vajti Mynyrit dhe tjetra erdhi tek mua. Na thanë në fund, se ishin sovjetike, që më parë patën vendosur në dhomë kamera të fshehta dhe tashmë ne ishim të fotografuar. Na dhanë ultimatumin që; ose të pranonim të punonim për to, ose ato do t’i nisnin fotografitë në Shqipëri, duke u treguar autoriteteve tona, se ne kishim shkelur rregullat, duke fjetur me femra ruse. Si rezultat, unë pranova të vihem në shërbim të sovjetikëve…”!

Histori më naive se këto, as që mund të imagjinohen. Në mes të Italisë, me kamera të fshehta, në një hotel privat! Mynyri, si vlonjat prej një familje ushtarakësh, zgjodhi variantin e kobures, e të vënies në gjumë, ndërsa Enrikoja i shkretë, si një artist i shquar i karikaturës shqiptare, nga figurat më të njohura të këtij zhanri, fitues edhe i çmimeve ndërkombëtare, me një imagjinatë artistike-liberale, si djalë i pashëm, e ndërtoi skenarin me femra. Vjetërsia e këtyre episodeve tragjikomike, nuk duhet të shkaktojë asnjë buzëqeshje, se koha nuk i shëron dot tërësisht plagët. Për të ardhur deri tek sajimi i këtyre historive, Mynyr Arapi, kish kaluar nëpër seanca të llahtarshme të terrorit psikologjik dhe të dhunës së ashpër fizike. Enriko Veizit, i kishin shkulur dhëmbët pa asnjë miligram lëndë anestetike dhe kish pësuar tortura antinjerëzore, nga kuadrot e hetuesisë së Fierit, që dhunën e bënin më shumë si pasion se si detyrë.

Këto kujtime besoj se mjaftojnë për të shuar çdo shkëndijë zbavitëse, që mund të ketë shkaktuar ndonjëra nga faqet e këtij libri. Le t’i rikthehemi skenarit. Asnjë nga versionet fillestare, nuk mbeti më në këmbë, sepse ngjarja e Italisë, ishte tepër vonë dhe nuk lejonte hapësirë për veprimtari të gjerë e me pasoja dëmprurëse të grupit tonë, që ishte llogaritur të delte shumë i urryer. Ai duhej patjetër të lidhej me aktivitetin e personave armiq, që kishin penetruar deri në Byronë Politikë, por që tani ishin planifikuar për t’u arrestuar. E rëndësishme për hetuesit, ishte se fitoren ata e arritën, meqë ne të burgosurit, e pranuam fajësinë tonë. Pastaj të tjerat mund të ri takoheshin, duke hequr diçka tjetër.

Kështu Enrikon, ata e detyruan të ndryshojë kohën nga vitet ’80-të, në vitet ’60-të, menjëherë pasi ai kishte mbaruar studimet e larta në Tiranë. Midis të tjerash, i ndjeri Enriko, na e tregonte se momentin e “rekrutimit”, si pjesëtar të këtij grupi, meqenëse nga hetuesia i kërkohej ta lidhte me mua e me Mynyrin, e kishte paraqitur sikur një ditë, ne e kishim lajmëruar që nga Fieri, ku punonte, të vinte në Kuçovë, në Drejtorinë e Përgjithshme të Kërkimeve. Kish treguar se në orën e caktuar, ai ish futur në një nga sallat ku ne ishim mbledhur mbi njëzet vetë. Në këtë moment, unë që drejtoja këtë mbledhje armiqsh, ua prezantova Enrikon, si një pjesëtar të ri të grupit tonë sabotator, sikur ky grup të paskej qenë një klub sportiv dhe sikur unë t’i njihja njerëzit me një futbollist të ri, që tani e tutje do të luante në ekipin tonë!

Enriko Veizi, e kish hartuar këtë tregim edhe me përtesë, edhe me një ndjenjë humori të hidhur, që ia zhvillonte arti i karikaturave dhe që mund ta paguante shtrenjtë, kur ata ta vinin re ironinë, dhe t’ia grisnin. Por ata as e vunë re dhe as ia grisën, dhe nëse nuk gabohem, kështu ka mbetur përfundimisht në deponimet e tij, që janë edhe sot në arkivat gjyqësore. I gjithë proçesi hetimor nga fillimi e deri në fund ishte vetëm një gënjeshtër pa mbarim. Hartimet tona të natës ata na i hidhnin poshtë jo se nuk ishin të vërteta, por sepse nuk ishin gënjeshtra që hynin mirë në punë. Unë nuk di cilën të tregoj më parë e nuk ia vlen se do të duheshin radhë vëllimet, po t’i rreshtoja të tëra ato.

Përmbi kokat e hetuesve

Në një nga seancat e pasdites, kur po vazhdonte hetimi, hapet dera dhe hyn në dhomë një njeri, të cilin nuk e njihja, megjithëse m’u duk si fytyrë e parë diku. Në ato çaste, nuk munda të përqendrohesha e të mundoja kujtesën time, për ta gjetur se ku e kisha hasur, por më vonë në birucë, m’u kujtua se këtë fytyrë e kisha parë të ulur në divan, atë ditë që ministri i Brendshëm, më thirri në zyrën e tij, në Tiranë. Krye-hetues Rustemi, i cili e shoqëronte, me urdhëroi të ngrihesha në këmbë për ta respektuar këtë autoritet që vinte nga kryeqyteti dhe ma bëri të njohur: -“Shoku është kryetar i Hetuesisë së Përgjithshme i Republikës! Kryetari i madh i hetuesisë, ishte i veshur me rroba të mira, por më ka mbetur në kujtesë një detaj banal; kish mbathur një palë këpucë ushtarake me qafa dhe pantallonat i kishte të mbledhura sipër në to. Dukej sikur o kishte ardhur, o po shkonte në një fushë me baltë. Fytyra e tij ishte e qeshur dhe çuditërisht kish një pamje mirëdashëse.

Kryehetuesi m’u drejtua duke më thënë midis të tjerash, se ishte një gjë e mirë për mua e për familjen time, që më në fund kisha pranuar dhe pas kësaj, tok me shokët e hetuesisë në rreth, do të bëja mirë të shtjelloja të gjitha ngjarjet, të gjitha nyjet e aktivitetit armiqësor të grupit tonë. Njeriu, duke patur iluzionin e trashëguar se në këtë jetë, në fund të fundit, e vërteta gjithmonë del në breg, se ajo zhytet, por nuk mbytet, mendova se njeriu që kisha përpara, mund të ishte i mashtruar. Këta hetues që më rrihnin nga mëngjesi në darkë, do të dilnin të dështuar, se nuk kishin hetuar asgjë, se ata nuk kishin lëvizur asnjë metër jashtë këtyre bodrumeve dhe se nuk më kishin gjetur asnjë faj, po qe se unë nga frika e drurit, nuk do të kisha pranuar vetë, se e kam bërë. Këtë duhet t’ia tregoja krye-hetuesit. Mendova se sidoqoftë, ishte mirë që ai burrë i sjellshëm, ta dinte se ç’bëhej këtu. Unë ndofta nuk do të gjeja një rast më të mirë se ky, për të dalë nga kjo pëlhurë merimangash.

– Zoti kryetar i Hetuesisë së Republikës, – i thashë. – Unë pranova fajësinë time, nën torturat e presionet e grupit hetimor. Nuk i kam bërë me të vërtetë ato akte të ulëta, edhe pse i kam pranuar. Unë kurrë nuk kam menduar e vepruar kundër popullit e vendit tim, kurrë nuk jam marrë me ato gjëra që kam shkruar në letër. Ajo që mund t’ju japin të lexoni, është imagjinatë e pastër, në favor të disa personave, që përgatitën arrestimin tim. Unë do të vazhdoja akoma ta denoncoja procesin e ndyrë dhe punën kriminale, që bënin rrogëtarët e krye hetuesit, por ai me të dëgjuar fjalët e mia, u bë si i xhindosur dhe me zë të lartë e të prerë, iu drejtua hetuesve me këto fjalë, që unë nuk do t’i harroj kurrë:

– “Urdhëroj që ndaj të arrestuarit Xhaçka, të përdoren të gjitha llojet më të rënda të torturave që kemi, derisa ai të pranojë e të mos i kundërshtojë me akuzat tona”! I pakënaqur tërësisht nga qëndrimi im, pasi dha këtë urdhër, ai doli duke shfryrë nga dhoma ku bëheshin hetimet. Hetuesit, të tërbuar nga rrëfimi me të cilin unë tentova të dërgoi të vërtetën në sferat e larta, duke e ndjerë veten si të shkelur në besë, më urdhëruan ta shkruaja në letër, tërë atë që i kisha thënë kryetarit të tyre, pra të mohoja me shkrim ato që kisha pranuar më parë. Menjëherë pas kësaj filluan torturat, me një egërsi të jashtëzakonshme, me një zell më të madh se më parë, sikur para tyre nuk kishin një njeri të vërtetë me mish e kocka, por një imitim të tij plastik, një pupac. Kjo torturë vazhdoi me orë të tëra, orë që nuk kishin fund. Përpjekja e parë për të mbrojtur të vërtetën më doli më keq. Dhe duhet të ishte e kotë. Memorie.al

blank

PSE VETEM SHKODRA?!- Pergatiti Fritz RADOVANI: Pjesa XVII

KOL IDROMENO
(1860 – 1939)
CILA ISHTE DETYRA E SEKSIONIT KATOLIK PRANë DEGëS Së MBRENDSHME Të SHKODRES Në 1946, I VETMI N’BOTë ?
-ZHDUKJA E PERJETëSHME E VEPRAVE Të PAHARRUESHME.
blank
DARSMA SHKODRANE (1924)
NJë KAPITULL I PLOTë I veshjeve Të VERIUT PREJ PIKTORIT Të MADH KOL IDROMENO.
SHKODRA ISHTE E DO Të JETë NDER SHEKUJ DJEP KULTURE E ARTI!
blank

Send this to a friend