VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

Presidenti Trump sulmon mediat për mbulimin e hetimit të ndërhyrjes ruse

By | March 26, 2019

Komentet

SHBA, shpërthimi i fruthit, situata më e keqe prej rreth 30 vitesh

Javën e kaluar u njoftuan tridhjetë e tre raste të reja të fruthit duke shënuar një total prej 1,077 rastesh aktive brenda Shteteve të Bashkuara. Autoritetet e shëndetësisë thonë se ky ishte shpërthimi më i keq i infeksionit viral që prej vitit 1992 kur u regjistruan 2,126 raste.

Rreth 30 shtete kanë raportuar raste të prekjes nga fruthi. Në fund të majit distrikti i Rockland-it në Nju Jork shpalli gjendjen e emergjencës për shkak të shpërthimit të fruthit në komunitetin hebre ultra-ortodoks.

Në vitin 2000 autoritet shpallën se fruthi ishte zhdukur brenda SHBA-së, ose katër dekada pasi e kishin vendosur si objektv eleminimin e tij. Një sëmundje konsiderohet se është eliminuar kur kalon një vit i plotë pa transmetime aktive. Nëse deri në tetor 2019, përhapja e sëmundjes nuk do të vendoset nën kontroll, Shtetet e Bashkuara do ta humbasin statusin e vendit ku infesksioni viral rezulton të jetë eliminuar.

Humbja e këtij statusi do të ishte një goditje e fortë për kombin dhe do të zhbënte punën e madhe në të gjitha nivelet e shëndetit publik“, thuhej në një deklaratë për shtyp të muajit të kaluar të Qendrës për Kontrollin e Sëmundjeve (CDC). “Përpara përdorimit të gjerë të vaksinës së fruthit, çdo vit rreth 3 deri në 4 milionë persona janë prekur nga fruthi në Shtetet e Bashkuara, me rreth 400 deri në 500 raste vdekjesh dhe 48 mijë raste trajtimi spitalor”.

Sipas Qendrës për Kontrollin e Sëmundjeve shumica e rasteve po përhapen nga fëmijët e moshës shkollore të pavaksinuar. Komunitetet me një shkallë të ulët vaksinimi krijojnë shanse që sëmundja të përhapet me lehtësi.

Agjencia e lajmeve “Associated Press” raportoi se udhëtimi drejt vendeve ku rastet e fruthit ndeshen rëndom, veçanërisht në Ukrainë, Izrael e Filipine ka kontribuar gjithashtu në përhapjen e sëmundjes në SHBA.

Presidenti Trump nënshkruan urdhër ekzekutiv për sanksione të reja ndaj Iranit

Presidenti Donald Trump nënshkroi një urdhër ekzekutiv për vendosjen e sanksioneve të reja ndaj Iranit, në përpjekje për të shtuar presionin ndaj ekonomisë iraniane, me synimin që Teherani të ndryshojë sjellje.

Ky veprim vjen ndërsa po shtohen shqetësimet rreth mundësisë së një konfrontimi të armatosur mes të dy vendeve, pasi zyrtarët amerikanë kohët e fundit fajësuan Teheranin për sulmet ndaj dy cisternave me naftë në ngushticën e Hormuzit. Irani i mohon këto akuza, ashtu sikurse edhe rrëzimin nga Irani të një droni amerikan javën e kaluar.

Presidenti Trump tha të enjten se e kishte anuluar një sulm hakmarrës kundër disa objektivave iraniane. Por të enjten, sipas njoftimit të mediave amerikane, zoti Trump miratoi gjithashtu sulmet e Komandës amerikane të Kibernetikës ndaj sistemeve kompjuterike të një grupi iranian të zbulimit, që përdoreshin për të kontrolluar hedhjen e raketave.

Sekretari i Shtetit Mike Pompeo i quajti masat e reja ndaj Iranit “të rëndësishme”, por nuk pranoi të jepte detaje specifike për gazetarët, para njoftimit zyrtar të sanksioneve.

Ai i bëri këto komente para se të fillonte një udhëtim në Arabinë Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, në vijim të përpjekjeve të administratës Trump për të ndërtuar një koalicion aleatësh për t’iu kundërvënë Iranit. Sekretari Pompeo u takua të hënën me Mbretin saudit Salman dhe me princin e kurorës Mohammed bin Salman.

“Bota duhet ta dijë se ne do të vazhdojmë ta bëjmë të qartë se me përpjekjen që kemi ndërmarrë për t’i mohuar Iranit burimet për të ushqyer terrorin, për të ndërtuar sistemin e tyre të armëve bërthamore, për të ndërtuar programin e raketave, ne do t’ia mohojmë burimet që u duhen, duke mbrojtur kështu interesat amerikane dhe të amerikanëve në gjithë botën”, – tha zoti Pompeo.

Irani ka mohuar se po punon për të prodhuar armë bërthamore dhe nënshkroi një marrëveshje në vitin 2015 me Shtetet e Bashkuara, Britaninë, Kinën, Francën, Rusinë dhe Gjermaninë për të zbutur shqetësimet, duke kufizuar aktivitetin bërthamor në këmbim të lehtësimit të sanksioneve.

Por marrëdhëniet SHBA-Iran janë keqësuar gjatë mandatit të Presidentit Donald Trump, veçanërisht që kur mori vendimin vitin e kaluar që të tërhiqej nga marrëveshja bërthamore dhe për vendosjen e sanksioneve të reja.

Megjithëse Presidenti Trump u tërhoq nga kundërpërgjigjia ushtarake, për shkak të rrezikut të numrit të lartë të viktimave që do të kishte shkaktuar, siç tha ai, paralajmërimet ndaj Iranit vazhduan.

Këshilltari i Sigurisë Kombëtare John Bolton tha se përmbajtja amerikane nuk duhet të keqkuptohet si dobësi.

“Askush nuk i ka dhënë Iranit liçencë gjuetie në Lindjen e Mesme. Siç tha Presidenti Trump, ushtria jonë është e rindërtuar, e re dhe absolutisht më e mira në botë”, tha zoti Bolton.

Por ish-shefi i Shtatmadhorisë amerikane, Mike Mullen shprehu shqetësim.

“Shqetësimi im më i madh është se presidentit po i mbarojnë alternativat. Dhe duke pasur parasysh se vazhdon retorika dhe se ishim aq pranë goditjes së Iranit, situata mund të dalë jashtë kontrollit. Lufta me Iranin është gjëja e fundit që na duhet në këtë moment”, – tha ai.

Megjithëse po vendos sanksione, Presidenti Trump thotë se mezi pret që të vijë koha kur ato të hiqen. za

SHBA “ka nisur sulm kibernetik” ndaj Iranit

Mediat në Shtetet e Bashkuara raportojnë se SHBA-ja ka nisur sulm kibernetik ndaj sistemeve kompjuterike të ushtrisë iraniane më 20 qershor, vetëm disa orë pari Irani rrëzoi një dron amerikan.

Washington Post dhe Associated Press, duke cituar zyrtarë të paidentifikuar amerikan, raportuan se ky sulm është kryer me miratimin e presidentit amerikan, Donald Trump.

Megjithatë, zyrtarët e mbrojtjes së SHBA-së refuzuan që të konfirmojnë këto raportime.

Sulmi kibernetik vjen pasi Trump, fillimisht miratoi, pastaj anuloi, sulmet ajrore ndaj disa caqeve brenda Iranit, duke thënë se kundërpërgjigja për dronin e rrëzuar nuk do të ishte “proporcionale” dhe se sulme të tilla do të mund të çonin në humbjen e jetëve të ushtarëve dhe civilëve iranianë.

Trump tha se në vend të sulmeve, SHBA-ja do të vendosë sanksione të rënda ndaj Iranit më 24 qershor, por nuk dha më shumë detaje.

Por presidenti Trump së bashku me Sekretarin amerikan të Shtetit, Mike Pompeo, duket se zbutën gjuhën e ashpër, që kohët e fundit kanë përdorur ndaj Iranit.

Presidenti tha se është i hapur që të arrihet një marrëveshje e shpejtë me Iranin, që sipas tij, do të ndihmonte Republikën Islamike të rimëkëmbej nga kriza shkatërruese ekonomike, që në masë të madhe është shkaktuar nga ndalesat financiare të vendosura nga SHBA-ja.

Nëse Teherani do të hiqte dorë nga armët bërthamore, Trump tha se ai do të bëhej “shoku më i mirë” i Iranit.

Në një deklaratë më 22 qershor, sekretari Pompeo tha se “kur regjimi iranian do të vendosë të heqë dorë nga dhuna dhe t’i përgjigjet diplomacisë sonë me diplomaci, ai (Irani) do të dijë se si të kontaktojë me ne”, u shpreh Pompeo.

“Deri atëherë, diplomacia jonë e izolimit dhe fushata e presionit ekonomik ndaj regjimit do të intensifikohet”, tha sekretari Pompeo.

Washington Post ka raportuar se Trump ka autorizuar Komandën Kibernetike të SHBA-së që të sulmojë kompjuterët ushtarakë iranianë, pasi më 20 qershor, Garda Revolucionare Islamike e Iranit rrëzoi një dron amerikan.

Teherani ka thënë se droni po fluturonte mbi territorin e tij, përderisa Pentagoni thotë se droni ishte mbi ujërat ndërkombëtare në momentin kur është rrëzuar.

Associated Press ka cituar dy zyrtarë amerikanë të kenë thënë se sulmi kibernetik ka pasur për cak sistemin kompjuterik të Gardës së Iranit.

Ndërkaq, Washington Post raporton se sulmi ka shkatërruar mundësinë e kompjuterëve për të kontrolluar raketat dhe lëshimin e tyre.

Washington Post dhe AP thanë se sulmi kibernetik është zhvilluar që disa javë, teksa tensionet ndërmjet Uashingtonit dhe Teheranit janë rritur.

Duke folur sot, një komandant i lartë i Gardës Revolucionare paralajmëroi se çdo konflikt në rajon, mund të shpërndahet në mënyrë të pakontrolluar.

“Nëse konflikti shpërthen në rajon, asnjë vend nuk do të mund ta menaxhoj përmasën e tij apo edhe kohën”, citohet të ketë thënë për agjencinë Fars,Gjeneral-majori, Gholamali Rashid.

Rashid tha se administrata e Trumpit “duhet të sillet në mënyrë të përgjegjshme që të mbrojë jetën e forcave amerikane”.

Ai tha se Irani nuk po kërkon luftë, teksa shtoi se shteti i tij do ta mbrojë veten nga çdo “kërcënim apo agresion”.

SHBA-ja e fajëson Iranin për sulmet ndaj cisternave të naftës në Gjirin Persik dhe Gjirin e Omanit. Irani, në anën tjetër, mohon çdo përfshirje në këto sulme.

Përshkallëzimi i tensioneve ka bërë që shumë kompani të fluturimeve të mos fluturojnë mbi Gjirin e Omanit dhe Ngushticën e Hormuzit.

Kompania shtetërore ajroree Arabisë Saudite është kompania e fundit që ka njoftuar se ka ndryshuar rrugët e fluturimeve me qëllim që të shmangë hapësirën ajrore iraniane, duke thënë se ky vendim vjen për shkaqe të sigurisë.

Vendimi i kompanisë saudite vjen pasi Autoriteti i Aviacionit në SHBA ua ndalojë avionëve të regjistruar në SHBA që të operojnë mbi disa territore në Gjirin Persik dhe Gjirin e Omanit, pas rrëzimit të dronit amerikan.

Përgatiti: Mimoza Sadiku

Trumpi e konfirmon se SHBA ishte gati për goditje ndaj Iranit

Presidenti amerikan Donald Trump tha të premten se kishte hequr dorë nga një goditje ushtarake ndaj Iranit sepse një përgjigje e tillë ndaj rrëzimit të dronit amerikan nga ana e Teheranit do të shkaktonte humbjen e jetës së një numri të madh njerëzish. Media amerikane kishte njoftuar se Presidenti amerikan Donald Trump miratoi goditje ajrore ndaj Iranit të enjten, por më pas u tërhoq nga vendimi për t’i ndërmarrë ato.

Në një sërë postimesh në Twitter, presidenti Trump tha se sanksionet ekonomike ndaj Iranit, po jepnin efekt dhe sanksione të tjera ishin vendosur të enjten vonë, pas shkatërrimit të dronit amerikan nga një raketë iraniane tokë-ajër. Zoti Trump tha se plani kishte qenë për të goditur tre objektiva të ndryshme në përgjigje të rrëzimit të dronit dhe se i kishin thënë se 150 vetë do të kishin humbur jetën si pasojë e tyre dhe për këtë arsye ai ishte tërhequr.

Agjencia e lajmeve Reuters thotë se qeveria iraniane i tha se kishte marrë një mesazh nga Presidenti Trump përmes Omanit, ku ai paralajmëronte për një sulm të pritshëm ndaj Iranit.

Reuters tha se përgjigjia e menjëherëshme e Teheranit ndaj mesazhit të Presidentit Trump ishte një paralajmërim i ashpër lidhur me pasojat “rajonale dhe ndërkombëtare” nëse Shtetet e Bashkuara ndërmerrnin veprime ushtarake.

Por një zyrtar iranian më pas mohoi që Irani të kishte marrë mesazh paralajmërimi.

I dërguari amerikan për Iranin Brian Hook, i cili ishte për vizitë në Arabinë Saudite tha se është e rëndësishme të bëhet gjithçka për të qetësuar gjendjen.

“Diplomacia jonë nuk i jep të drejtën Iranit që të përgjigjet me forcë ushtarake dhe Irani duhet t’i përgjigjet diplomacisë sonë me diplomaci, jo forcë ushtarake”, tha ai.

Por kreu i Divizionit të Hapësirës Ajrore të Gardës Revolucionare iraniane, Amirali Hajizadeh tha se Teherani kishte dërguar dy sinjale paralajmëruese 10 minuta para se të lëshohej raketa.

“Ata që kontrollonin dronin, i dëgjuan paralajmërimet por nuk u kushtuan vëmendje. Duke pasur parasysh se droni kishte shkelur kufijtë tanë, ai u vu në shënjestër nga raketa tokë-ajër e divizionit ajror të Gardës Revolucionare dhe u godit”, tha ai.

Por Uashingtoni këmbëngul se droni ishte mbi ujra ndërkombëtare.

Vendimi amerikan për t’u tërhequr nga goditjet ushtarake ndaj Iranit, duket se shmanj një konflik të mundshëm të armatosur që do të përfshinte pjesën më të madhe të Lindjes së Mesme.

Po ashtu duket se hap një shteg pët dialog mes dy vendeve kundërshtare.

Të enjten në mbrëmje, Administrata Federale e Aviacionit lëshoi një urdhër urgjent përmes së cilit ndalonte të gjitha kompanitë ajrore amerikane që të lejonin avionë të hynin në hapësirën ajrore mbi pjesë të Gjirit Persik dhe atij të Omanit, zona ku u godit droni i Marinës amerikane nga Irani. Edhe disa linja ajrore ndërkombëtare, përfshirë KLM –në holandeze dhe Qantas të Australisë thonë se nuk do të fluturojnë mbi Ngushticën e Hormuzit. za

Media: Presidenti Trump miratoi goditje ajrore ndaj Iranit, por u tërhoq

Zyrtarët e sigurisë kombëtare në Uashington mohuan komentet lidhur me njoftimet e medias se Presidenti amerikan Donald Trump miratoi goditje ajrore ndaj Iranit të enjten, por më pas u tërhoq nga vendimi për t’i ndërmarrë ato për arsye të panjohura.

Fillimisht presidenti Trump autorizoi sulme ndaj një numri objektivash iraniane, si radarë dhe bateri raketash, siç njoftoi së pari gazeta The New York Times.

Më pas, edhe The Washington Post dhe media të tjera njoftuan se zyrtarët e administratës thanë se presidenti i miratoi kundërgoditjet.

Ndërkohë agjencia e lajmeve Reuters thotë se qeveria iraniane i tha se kishte marrë një mesazh nga Presidenti Trump përmes Omanit, ku ai paralajmëronte për një sulm të pritshëm ndaj Iranit.

Reuters tha se përgjigjja e menjëhershme e Teheranit ndaj mesazhit të Presidentit Trump ishte një paralajmërim i ashpër lidhur me pasojat “rajonale dhe ndërkombëtare” nëse Shtetet e Bashkuara ndërmerrnin veprime ushtarake.

Të enjten në mbrëmje, Administrata Federale e Aviacionit lëshoi një urdhër urgjent përmes së cilit ndalonte të gjitha kompanitë ajrore amerikane që të lejonin avionë të hynin në hapësirën ajrore mbi pjesë të Gjirit Persik dhe atij të Omanit, zona ku u godit droni i Marinës amerikane nga Irani. Edhe disa linja ajrore ndërkombëtare, përfshirë KLM –në holandeze dhe Qantas të Australisë thonë se nuk do të fluturojnë mbi Ngushticën e Hormuzit. za

Presidenti Trump paralajmëron Iranin

Presidenti Donald Trump dha një paralajmërim për Iranin nëpërmjet mediave sociale, disa orë pasi zyrtarët amerikanë të mbrojtjes konfirmuan se Teherani kishte qëlluar një avion amerikan pa pilot mbi hapësirën ajrore ndërkombëtare.

Iran made a very big mistake!

— Donald J. Trump (@realDonaldTrump) June 20, 2019

“Irani bëri një gabim shumë të madh!” tha presidenti Trump në Twitter të enjten, ndërsa tensionet mes Uashingtonit dhe Iranit vazhdojnë të përshkallëzohen pas sulmeve të dyshuara mbi dy anije çisternë në Ngushticën e Hormuzit javën e kaluar.

​Zëdhënësi i Komandës Qendrore Amerikane Bill Urban tha të enjten se një raketë iraniane tokë-ajër goditi një avion pa pilot të mbikqyrjes detare të marinës amerikane në hapësirën ajrore ndërkombëtare mbi Ngushticën e Hormuzit.

Ai e quajti atë një “sulm të paprovokuar mbi një pajisje mbikqyrëse amerikane”, dhe tha se avioni pa pilot është përdorur për misionet e inteligjencës, vëzhgimit dhe zbulimit mbi rajonet oqeanike dhe bregdetare.

Ushtria amerikane tha se Irani u përpoq të rrëzonte një dron amerikan javën e kaluar dhe tensionet mes dy vendeve u rritën me sulmet kundër anijeve çisternë në rajon për të cilat Shtetet e Bashkuara fajësojnë Iranin, por që Irani i mohon.

Marrëdhëniet janë përkeqësuar që kur Presidenti Donald Trump u tërhoq vitin e kaluar nga marrëveshja ndërkombëtare që kufizon programin bërthamor të Iranit në këmbim të lehtësimit të sanksioneve.

Rrëzimi i dronit shënon sulmin e parë të drejtpërdrejtë të Iranit ndaj Shteteve të Bashkuara gjatë kësaj krize.

حسین سلامی جانشین فرمانده کل سپاه پاسداران انقلاب اسلامی

“Ne nuk kemi ndonjë synim për luftë me asnjë vend, por jemi plotësisht të përgatitur për luftë,” tha komandanti i Gardës Revolucionare Hossein Salami në një fjalim në televizion.

Duke folur para një grumbulli njerëzish në qytetin perendimor të Sanandajit, Salami tha se droni amerikan “shkeli sigurinë tonë kombëtare kufitare”.

“Kufijtë janë vija jonë e kuqe,” tha Salami. “Çdo armik që shkel kufijtë do të asgjësohet”.

Sanksionet e reja amerikane kanë dëmtuar ekonominë e Iranit dhe Teherani ka njoftuar rritjen e prodhimit të uraniumit të pasuruar, ndërsa kërkon ndihmë nga vendet evropiane për të shmangur sanksionet amerikane.

Një zyrtar i lartë i Departamentit të Shtetit siguroi dje Kongresin se Shtetet e Bashkuara nuk po kërkojnë luftë me Iranin. Por demokratët në Kongres janë të shqetësuar se tensionet në rritje me Republikën Islamike do t’i japin administratës Trump një justifikim për të hyrë në një konflikt ushtarak. Ata paralajmërojnë se Presidenti Trump duhet të respektojë fuqinë kushtetuese të Kongresit për të shpallur luftë.

I dërguari i posaçëm amerikan për Iranin tha se politika e Presidentit Trump në Iran synon përfundimisht të sjellë Teheranin në tryezën e negociatave.

brian hook hearing

Brian Hook informoi ligjvënësit në një komision të Dhomës së Përfaqësuesve të mërkurën mes shqetësimeve të disa prej anëtarëve të Kongresit se situata në Lindjen e Mesme mund të përshkallëzohet në konflikt ushtarak.

“Askush nuk duhet të jetë i pasigurt lidhur me dëshirën tonë për paqe apo gatishmërinë tonë për të normalizuar marrëdhëniet, nëse mund të arrijmë një marrëveshje gjithëpërfshirëse”.

Disa në Kongres kanë shprehur shqetësime se dërgimi i trupave amerikane, presionet e sanksioneve dhe retorika e nxehtë mund të tërheqin aksidentalisht Shtetet e Bashkuara në një konfrontim ushtarak me Iranin.

Trumpi premton dëbime masive të emigrantëve të paligjshëm

Presidenti Donald Trump, i cili nisi zyrtarisht fushatën për rizgjedhje, thotë se autoritetet amerikane të emigracionit do të fillojnë deportimin e miliona emigrantëve pa dokumente. Disa analistë pohojnë se kërcënimet e tij nuk janë tjetër përveçse pjesë e retorikës së nxehtë të fushatës, por për miliona njerëz mesazhi i tij është një paralajmërim serioz. Ramon Taylor i Zërit të Amerikës sjell këto hollësi.

Duke nisur zyrtarisht fushatën, Presidenti Trump u bëri jehonë disa temave të njohura:

“Ne besojmë se vendi ynë duhet të jetë vendi i shenjtë për qytetarët që respektojnë ligjin, jo për të huaj kriminalë”, tha ai.

Përpara kësaj, ai publikoi një numër komentesh në Twitter, ku paralajmëronte se autoritetet e emigracionit do të kryejnë dëbime masive, duke filluar nga java e ardhshme. Një operacion i tillë do të kërkonte qindra, apo mijëra agjentë dhe personel ligjzbatues, të cilët qysh tani përballen me një vëllim të madh pune. Analistët thonë se qeverisë i duhen më shumë mjete dhe njerëz.

Jessica Vaughn, është me Qendrën për Studimet e Emigracionit.

“Mendoj se gjëja e parë është se qeveria duhet të ketë kapacitetin, aftësinë dhe burimet për të zbatuar ligjin. Me fjalë të tjera, jepini fund krizës në kufi pastaj sigurohuni që autoritetet të jenë në gjendje të bëjnë punën në brendësi të vendit.”

Momenti kur Presidenti e dha njoftimin ngriti menjëherë pikëpyetje sa i përket qëllimeve të tij. Por kundërshtarët paralajmërojnë se retorika e tij tashmë është provuar se vjen me pasoja.

“Mendoj se nuk mund të lejojmë qeverinë federale të bëjë atë që ajo thotë se do të bëjë. Ne pamë se si ata nuk i ndryshuan planet për ndarjen e familjeve në kufi dhe, siç e dini, sado që kjo rezultoi diçka e tmerrshme, nuk i pengoi ata ta zbatonin. Prandaj duhet të besojmë se ata do të përpiqen ta bëjnë edhe këtë”.

Avokati i emigracionit Matthew Cameron thotë se një operacion masiv deportimi thjesht nuk është i mundur, por nuk ka dyshim se kjo do të ngjallë frikë në komunitetin e emigrantëve pa dokumente.

“Kjo do të thotë që njerëzit nuk do të shkojnë në takimet me mjekun, nuk do të shkojnë të marrin fëmijët nga shkolla, nuk do të shkojnë dot të punojnë, nëse vërtet besojnë se ka mundësi që kjo të ndodhë”.

Në të njëjtën ditë që kërcënoi për deportime masive, Presidenti Trump tha se Shtetet e Bashkuara po përgatiten të nënshkruajnë një marrëveshje me Guatemalën, për të mos lejuar njerëzit nga ky vend i Amerikës Qendrore të largohen për t’i shpëtuar përndjekjeve dhe të vijnë të kërkojnë strehim në SHBA.

Ish drejtorja e komunikimit të Shtëpisë së Bardhë dëshmon në Kongres

Në SHBA, Komisioni Juridik i Dhomës së Përfaqësuesve po zhvillon të mërkurën një seancë dëgjimore me dyer të mbyllura me ish-drejtoren e Komunikimit të Shtëpisë së Bardhë Hope Hicks. Kjo është hera e parë që ligjvënësit marrin në pyetje një person të rrethit të ngushtë të presidentit, që prej publikimit të raportit të Prokurorit të Posaçëm Robert Mueller në muajin prill.

Demokratët e konsiderojnë dëshminë e zonjës Hicks, ish-ndihmëse e ngushtë e Presidentit Donald Trump, një fitore të rëndësishme pasi zoti Trump i ka penguar gjerësisht hetimet e nisura prej tyre.

Komisioni kërkoi fillimisht që dëshmia e zonjës Hicks të ishte publike, por në fund ra dakord për një seancë me dyer të mbyllura. Një transkript i seancës pritet të publikohet në ditët në vazhdim.

Është e paqartë se sa informacion të ri do të ofrojë Hope Hicks. Ajo ka bashkëpunuar gjerësisht me hetimin e zotit Mueller lidhur me ndërhyrjen ruse në zgjedhje. Një avokat i Shtëpisë së Bardhë, i pranishëm gjatë seancës dëgjimore, pritet ta ndalojë atë t’u përgjigjet disa pyetjeve.

Në një letër dërguar të martën kryetarit të komisionit Jerry Nadler, avokati i Shtëpisë së Bardhë Pat Patrick Cipollone shkruante se zoti Trump e kishte udhëzuar zonjën Hicks që të mos i përgjigjej pyetjeve “në lidhje me periudhën e shërbimit të saj si këshilltare e lartë e presidentit”.

Zoti Cipollone tha se zonja Hicks, si një nga ish-këshilltaret e larta të zotit Trump është “absolutisht imune” lidhur me dëshminë për shërbimin e saj ndaj presidentit për shkak të ndarjes së pushteteve mes degëve ekzekutive e legjislative. Shtëpia e Bardhë ka përmendur gjithashtu privilegjin ekzekutiv në lidhje me shumë nga kërkesat e demokratëve, duke përdorur fuqinë e presidentit për të refuzuar dhënien e informacionit për të mbrojtur konfidencialitetin e procesit vendimmarrës të Zyrës Ovale.

Demokratët kanë argumentuar se përgjigjet e zonjës Hicks nuk mbrohen nga imuniteti apo privilegji ekzekutiv, sidomos pas bashkëpunimit të saj me zotin Mueller. Komisioni i ka kërkuar zyrtarisht zonjës Hicks të paraqesë dokumente, por ajo është pajtuar vetëm pjesërisht me këtë kërkesë. za

Ligjvënësja e SHBA i kërkon Facebook-ut të ndalë planet për monedhën digjitale

Një ligjvënëse në SHBA i bëri thirrje komanisë Facebook të ndalë zhvillimin e monedhës digjitale, si dhe ftoi drejtuesit e kompanisë për të dëshmuar para Kongresit.

Deklarimet e saj janë pjesë e shqetësimeve botërore, lidhur me ndikimin në privatësi dhe në sigurinë e të dhënave, që mund të ketë monedha Libra.

Ligjvënësja demokrate, Maxine Waters, që kryeson Komitetin për Shërbime Financiare të Kongresit, tha se Facebook duhet të ndalë planet derisa Kongresi dhe rregullatorët të mund të shqyrtojnë çështjen.

“Facebook ka të dhëna për miliarda njerëz dhe vazhdimisht ka treguar një shpërfillje për mbrojtjen dhe përdorimin e kujdesshëm të këtyre të dhënave”, tha ajo në një deklaratë.

Edhe ligjvënësi republikan, Patrick Mc Henhry, gjithashtu kërkoi një seancë të Komitetit për nismën e re të Facebook-ut.

Të martën, kompania Facebook ka zbuluar planet për të lëshuar në qarkullim, vitin e ardhshëm, një monedhë të re digjitale, të quajtur Libra.

Facebook tha se njerëzit do të jenë në gjendje të bëjnë pagesa me monedhën nëpërmjet aplikacioneve të tyre, si dhe përmes shërbimit të mesazheve WhatsApp.

Presidenti Trump fillon zyrtarisht fushatën për rizgjedhjen

Jim Malone

Presidenti Donald Trump fillon zyrtarisht fushatën elektorale për rizgjedhjen e tij, në një shtet kyç – Floridën. Presidenti Trump shpreson se votuesit do ta shpërblejnë në votime vitin e ardhshëm për ekonominë e fortë të vendit. Por, ndërsa i afrohemi garës së vitit 2020, anketime të ndryshme tregojnë se ai mbetet jopopullor në segmente të mëdha votuesish. Kjo është zakonisht një shenjë rreziku për një president që kërkon të rizgjidhet.

Air Force One ulet për një miting në Pensilvani, një ndër shtetet kryesore për zgjedhjet e 2020-s, dhe ku Presidenti Trump fitoi me vështirësi në vitin 2016.

Presidenti Trump e shikon ekonominë amerikane si avantazhin e tij kryesor në këtë fushatë elektorale.

“Politika është një botë e çmendur. Por, kur kemi shifrat më të mira të punësimit në histori; kur kemi nivelin më të ulët historikisht të papunësisë; kur kemi ndoshta ekonominë më të mirë që kemi patur ndonjëherë… Nuk di se si mund t’i humbasim këto zgjedhje, apo jo?”, u tha mbështetësve Presidenti Trump.

Një reklamë e re televizive e fushatës Trump u kujton votuesve arritjet e tij.

Ndërsa shpall zyrtarisht në Florida synimin për të rikandiduar, Presidenti Trump duke se është gati të përballet me këdo që mund të shfaqet nga një mori kandidatësh demokratë për president.

Për momentin, ish-Nënpresidenti Joe Biden kryeson në radhët e demokratëve, ndërsa është përqëndruar tek kritikat ndaj Presidentit Trump.

“Në pikëpamjen time, ai është një kërcënim, një kërcënim ndaj vlerave tona thelbësore. Katër vitet e Donald Trump-it do të shihen si një anomali në historinë amerikane. Tetë vite do të ndryshonin me themel atë çfarë ne jemi si komb, dhe se si na sheh bota”, deklaroi zoti Biden.

Të dhënat e anketimeve më të fundit i kanë nxjerrë në avantazh zotin Biden dhe disa kandidatë të tjerë demokratë, në një matje teorike përballë Presidentit.

Presidenti Trump hodhi poshtë edhe anketimet e brendshme të fushatës së tij, të cilat gjithashtu tregonin se zoti Biden dhe disa kandidatë të tjerë demokratë do të fitonin me diferencë të madhe në disa shtete kyçe.

Por, anketimet në një fazë kaq të hershme për zgjedhjet presidenciale mund të jenë jo të sigurta.

“Siç e pamë në vitin 2016, anketimet dhe gara mund të ndryshojnë papritur. Mendoj se presidenti mund të detyrohet të pranojë realitetin duke thënë se ka mbetur prapa dhe se nuk është hapur sa ç’duhet. Megjithatë është e rëndësishme që demokratët të kuptojnë se anketimet mund të ndryshojnë parpritur dhe shpesh nuk tregojnë se si është pozicionuar publiku amerikan”, i tha kanalit ABC analisti politik Mattthew Dowd.

Megjithë ekonominë e fortë, niveli i miratimit për Presidentin Trump vazhdon të jetë historikisht i ulët.

Dhe ka mbetur kështu për pjesën më të madhe të presidencës së tij.

“Nëse shqyrtojmë vetëm anketimet mund të themi se asgjë nuk ka ndryshuar. Donald Trump ka qenë gjatë gjithë presidencës së tij në nivelin nga 30% deri në mbi 40% të miratimit”, thotë Larry Sabato, i Universitetit të Virxhinias”.

Nga anketimet del se megjithëse Presidenti Trump ka mbajtur përgjithësisht të kënaqur bazën e tij politike, atij i duhet të gjejë mënyrat për ta zgjeruar këtë bazë në mënyrë që të rrisë shanset e fitores.

Presidenti Trump thotë se udhëheq garën me demokratët, anketat tregojnë ndryshe

Presidenti amerikan Donald Trump, deklaroi të hënën se ai udhëheq garën me një grup kandidatësh demokratë për president, që kërkojnë ta rrëzojnë atë në zgjedhjet e vitit 2020, megjithëse fushata e tij i hodhi poshtë si të pavërteta tre anketa, pas zbulimit të rezultateve të tyre, duke treguar se zoti Trump është shumë prapa udhëheqësit demokrat, ish-nënpresidentit Joe Biden.

“Vetëm sondazhet e rreme na tregojnë se jemi pas grupit Motley Crew,” shkruante zoti Trump në Twitter, duke ju referuar një grupi muzikor të viteve 1980, “Ne po paraqitemi me të vërtetë mirë, por është shumë herët të përqendrohemi tek kjo çështje. Mbetet shumë punë për të bërë! Do ta bëjmë përsëri madhështore Amerikën!”

https://twitter.com/realDonaldTrump/status/1140591670280564737

Sipas mediave amerikane, Donald Trump ishte i zemëruar që sondazhet që u bënë publike nga vetë fushata e tij, tregojnë se ai po e humb betejën me rivalin demokrat Biden në shtetet kyçe për betejën presidenciale, që ka gjasa të jenë vendimtare për rezultatin e zgjedhjeve të 3 nëntorit 2020.

Një sondazh i brendshëm në muajin mars tregonte se Presidenti Trump vinte pas zotit Biden në anketa, i cili aktualisht po udhëheq 22 demokratë të tjerë që kërkojnë emërimin e partisë presidenciale, me 16 përqind në Pensilvani, 10 për qind më tepër në Wisconsin dhe shtatë përqind më shumë në Florida. Presidenti Trump fitoi në të tre këto shtete në zgjedhjet e vitit 2016, ndaj demokrates Hillari Klinton dhe ka gjasa që ata t’i duhen përsëri për të fituar një mandat të dytë katërvjeçar në Shtëpinë e Bardhë.

Menaxheri i fushatës së zotit Trump Brad Parscale, i konfirmoi rezultatet e sondazhit, por tha se ato ishin të vjetëruara.

Për të minimizuar rrezikun e rrjedhjes së informacionit në zgjedhjet e ardhshme, fushata e zotit Trump i pushoi nga puna tre nga 5 personat që punonin për anketat e tij.

Sondazhet e pavarura gjithashtu tregojnë se presidenti amerikan është prapa disa prej rivalëve të tij në anketa, thuajse 17 muaj përpara zgjedhjeve.

E pasigurt e ardhmja e kompensimeve të punonjësve të shpëtimit të 11 shtatorit

Komediani amerikan Jon Stewart shprehu indinjatën ndaj ligjvënësve që nuk morën pjesë në një seancë për një fond që do të kompensonte plotësisht punonjësit e ndërhyrjes së shpejtë gjatë sulmeve të 11 shtatorit 2001 në Qendrën Botërore të Tregëtisë në Nju Jork.

Zoti Stewart, një avokat i hershëm për anëtarët e ekipeve të shpëtimit të 11 shtatorit e drejtoi dorën nga karriget e zbrazëta në Komisionin Juridik të Dhomës së Përfaqësuesve dhe i quajti ata “një turp për vendin dhe një njollë për institucionin” e Kongresit. Ish-drejtuesi i programit satirik “The Daily Show” akuzoi gjithashtu anëtarët e komisionit se po tregonin “mungesë të papranueshme respekti”, për punonjësit e emergjencës.

“Indiferenca juaj u ka kushtuar këtyre burrave dhe grave gjënë më të çmuar: kohën. Është e vetmja gjë që po u mbaron. Rolet duhet të ndërrohen në këtë seancë. Këta burra dhe gra duhet të jenë në podium dhe Kongresi duhet të jetë aty poshtë duke iu përgjigjur pyetjeve se pse dreqin qenka kaq e vështirë dhe pse u dashka kaq shumë kohë”, tha zoti Stewart.

Mbi 7 miliardë dollarë u përfshinë në një fond për të kompensuar zjarrfikësit, ekipet e ndërtimit, policët dhe punonjës të tjerë të ndërhyrjes së shpejtë që nxituan në rrënojat e Qendrës Botërore të Tregëtisë, duke thither pluhur, tym, kimikate dhe lëndë të tjera të rrezikshme.

Shumë vetë po vuajnë nga probleme frymëmarrjeje, çrregullime me sistemin e tretjes, kancer në mushkëri dhe kancere të tjera.

“Ky fond nuk është biletë për në parajsë. Është për të mbajtur familjet tona, kur ne nuk mundemi. Asgjë më shumë. Ju të gjithë thatë se nuk do të harroni kurrë. Unë jam këtu që të sigurohem që vërtet nuk do të harroni. Më detyruat të vij këtu një ditë para raundit të 69-të të kimioterapisë. Dhe unë do të bëj të pamundurën që të mos harroni kurrë të kujdeseni për ekipet e shpëtimit të 11 shtatorit”, – tha Luis Alvarez, ish-detektiv i policisë së Nju Jorkut që ishte pjesë e ekipit të shpëtimit të 11 shtatorit.

Departmenti i Drejtësisë ka paralajmëruar se fondi po tkurret pas nuk ka mekanizëm në Kongres që të mos ta lejojë një gjë të tillë, para se të skadojë programi vitin që vjen.

Pagesat e sigurimeve janë reduktuar dhe 21 mijë kërkesa janë ende pezull.

Zoti Stewart dhe të tjerë po i kërkojnë Kongresit që të miratojë një ligj që të sigurojë se fondi do të vazhdojë të funksionojë për 70 vitet e ardhshme. za