Dervish Luzha me emrin Rexhep Tarçuk Bala lindi më 15 Korrik 1904 në fshatin Luzhë të rrethit të Tropojës, në një familje të thjeshtë fshatare. Sipa mësuesit, bashkëpatriotit dhe Dervishit Hajdar Gurina Luzha shtrihet në koordinatat 20°06’07’’ gjerësi gjeografike veriore dhe 42°19’30’’ gjatësi gjeografike lindore. Është fshat thuajse fushor, me një kreshtë të butë, që kalon përmes fshatit, pika më e lartë e të cilit shkon 295 m mbi nivelin e detit dhe zbret në 240 m mbi nivelin e detit në pjesën më të ulët, që nga ku është hyrja kryesore automobilistike për në fshat. E përshkojnë dy Vitalinat, lumenj të vegjël, që bashkohen në pjesën fundore të fshatit. Kodrat e Bukovës e ndajnë nga Llugajt dhe Dunisha. Mali Dobrej e ndan nga fshatrat Tpla, Degë, Berishë, Bytyç dhe maja e Dhinë nga fshati Mejdan. Është në “zemër” të Tropojës, por nuk kufizohet drejtpërdrejtë me asnjë fshat të tij. Luzha është një mrekulli natyrore, dhuratë e Zotit ashtu siç është Tropoja një perlë në zonën e Alpeve shqiptare. Fshati ka pasuri të mëdha natyrore mbi dhe nëntokësore gjë që e bën të lehtë jetën e fshatarëve. Në periudhën e dimrit është e fundit që mbulohet nga bora. Toka e pasur, klima dhe puna e luzhjanëve të palodhur bëjnë që aty të kultivohen kultura të shumta bujqësore dhe mbarështohen bagëtitë. Periudhën e verës pjesa më e madhe shtegtojnë në bjeshkën e Balçinës. Historia e popullimit të sotëm e ka origjinën nga Botusha e Kosovës dhe zë fill në vitin 1555. Një vend i begatë, njerëz atdhedashës, të besës, mikpritës, bujar, punëtor, inteligjentë dhe me histori që për të gjithë brezat e kaluar të bën të ndihesh krenar. Në këtë fshat me tradita patriotike, fetare, arsimore, kulturore etj. lindi dervish Rexhep Tarçuk Bala që me vullnetin e Allahut u rrit, u formua dhe u lartësua me devotshmërinë e tij në adhurimin dhe shërbimin në rrugën e Zotit. U rrit jetim pasi prindërit i vdiqën dhe e lanë të vogël. Për të u kujdes mixha (xhaxhai) Bajram Sefë Bala që u kujdes për të si për fëmijet e tij. Që në vegjëli tek ai u duken shenjat e dervishit të ardhshëm dhe gradualisht Allahu e plotësoi me dijen dhe fuqinë e nevojshme për të qenë i devotshëm në rrugën hyjnore të Ehlitarikatit, të bamirësisë ndaj besimtarëve që i drejtoheshin atij. Në Kur-an, suretu El Bekare ajeti 21 faqe 33 thuhet: “ O ju njerëz, adhuronie Zotin tuaj, i cili ju krijoi juve dhe ata që ishin para jush ashtu që të jeni të devotshëm”. Dhe ky adhurim tek baba Dervish filloi sapo hapi sytë për herë të parë në këtë jetë deri sa kaloi në Ahiret, në fqinjësi të Zotit të tij. Në suren En Nisaë ajeti 1 faqe 109 thuhet: “ O ju njerëz ! Kinie frikë Zotin tuaj që ju ka krijuar prej një veteje dhe nga ajo krijoi palën e saj, e prej atyre u shtuan burra shumë e gra. Dhe kinie frikë Allahun që me emrin e Tij përbetoheni, ruajeni farefisin se Allahu është mikëqyrës mbi ju”.
Aktiviteti fetar
Gjithë jetën e Tij ia kushtoi kësaj feje, duke e quajtur vehten një shërbëtor i thjeshtë, pa mburrje pa fjalë, por fjalë pak dhe më shumë i heshtur, predikonte besimin në një Zot që është Allahu. Ndonjë rast përmendte emrin e ndonjë njeriu që ishte “i padëshiruar” edhe nga opinioni, i cili u kundërvihej njerëzve me “petkun” e pushtetit, servil i regjimit ne fuqi aso kohe. Shumë i ri Rexhep Tarçuk Bala merr rrugën ku Zoti e çon ne teqen e Çajës në Kukës. Aty në moshën 17-vjeçare vishet dervish i tarikatit Halveti nga sheh Rexhepi, i cili e kompleton me shërbimet e nevojshme. Dervishi kthehet në vendlindjen e tij të dashur, në Luzhë nga ku ka marrë edhe emrin Dervishi i Luzhës. Nëna e tij Fate ishte me fat dhe e bekuar pasi Zoti i dhuroi djalin, shenjtorin, prijësin, udhëheqësin dhe ruajtësin e pamjes origjinale të dervishit dhe dervishizmit në kushtet e një lufte të egër të shtetit komunist ndaj klerikëve dhe fesë në Shqipëri. E përndoqën dhe u munduan ta largonin nga rruga e fesë dhe tarikatit, por nuk ia arritën qëllimit të tyre të errët. Personat që i kundërviheshin me vetëdije (moshat madhore) Zoti i ka gjykuar dhe i gjykon. Vizitonte familjen e Sali Sadri Gurina, i cili ishte myhyb i tarikatit. Dervishi i Luzhës ishte i thjeshtë. Ai ruajti gjithmonë uniformën e Dervishit Halveti. Taxha që pasqyrohet edhe në fotot që disponojmë sot dhe hirka, rolin e së cilës e luante pelerina e zezë dhe që nuk i hiqte kurrë ishin pjesë e trupit të Tij. Zoti deshti dhe për brezin e autorit të shkrimit H.Gurina që e njohën nga afër të kënaqur dhe të bindur në shpirt flasin për cilësitë e Tij gjeniale, për dijen, fuqinë, urtësinë në zgjidhjen e halleve dhe problemeve të besimtarëve kudo dhe kurdoherë. Në fenë islame thuhet: “Kur Zoti flet me gojën e njeriut bëhen qeramete (mrekulli)”. Dhe me gojën e babës Dervish Zoti foli gjithmonë. Ai ishte i dashur me fëmijët, besimtarët dhe vëllezërit e Tij të tarikatit. Ai vlerësohet për prijësin “model” te dervishit që punoi për kënaqësinë e Zotit, për të fituar xhenetin e Tij. Dervishi shtegëtonte fshat më fshat duke predikuar besimin tek Allahu, duke u gjendur me dashuri e dhembshuri tek njerëzit dhe hallet e tyre, padyshim zgjidhjen e tyre. Faktet janë me mijëra dhe mrekullitë e babës Dervish përcillen brez pas brezi. Tropojanët e dinë e i njohin mirë. Shikimi i Tij shprehte thellësinë e mendimit, meditimit,sigurisë ne atë që ai besonte, shërbente dhe realizonte. Sipas Hajdar Gurinës ka berë shefat (ndërmjtësim) tek Allahu fuqiplotë, mëshirues dhe mëshirëbërës kështu problemet janë zgjidhur në rrugën e duhur e për këtë ne jemi të kënaqur dhe falenderues. Kështu flasin të gjithë besimtarët. Ai po të vinte në shtëpi ishte “hijelehtë” siç thotë populli, të jepte mbarësi, nuk kërkonte kurrë asgjë në këmbim të shërbimit, nuk e përfliste pritjen e respektin e bërë. Muzika popullore, këngët, vallet i pëlqenin shumë. Këtë e tregon lahuta që kurrë nuk e ndau nga vetja. I binte lahutës dhe këndonte, i pëlqente kërcimi i burrave dhe shpesh në dasma kërcente edhe vetë. I plotësuar nga Allahu me dijen e nevojshme, dhuntinë e parashikimit, përcaktimit të ngjarjeve, telepatia dhe largpamësia e kanë bërë fetar të pavdekshëm, vështirë të arritshëm nga të tjerë.
Aktiviteti patriotik
Në rrugën e gjatë si bamirës ka shërbyer pa dallime fetare, pa dallime të tjera duke mos kërkuar kurrë asgjë në këmbim të shërbimeve. Ishte një patriot dhe luftëtar për çlirimin e Shqipërisë dhe Kosovës nga pushtuesi i huaj. Me dëshirën dhe kërkesën e Tij u rreshtua në brigade e 25-të sulmuese të Tropojës. Në njërën dorë mbante flamurin tonë kombëtar dhe në tjetrën teberin (shpatën). Ai i priu brigadës çlirimtare deri në kufi me Serbinë.
Referenca
Komentet