Anila Zajmi nuk është thjesht vajza e një prej emrave më të rëndësishëm të pikturës shqiptare, Nexhmedin Zajmi. Ajo ka ndërtuar rrugën e saj si piktore dhe restauratore, duke jetuar prej vitesh dhe duke ushtruar profesionin në Itali, larg, por gjithnjë pranë kujtesës dhe ngjyrave të atit.
Mes studios, kujtimeve dhe trashëgimisë artistike, Anila flet për një marrëdhënie të veçantë baba–bijë, ku arti ishte njëkohësisht urë lidhëse dhe terren debati. “Babai nuk donte të ndikohesha nga arti i tij”, – thotë ajo, duke nënvizuar se liria krijuese ishte mësimi më i madh që mori prej tij. Në këtë rrëfim për gazetën “Panorama”, ajo sjell jo vetëm portretin e një artisti, por edhe dimensionin njerëzor të një babai që jetoi për penelin, natyrën dhe të vërtetën artistike.
Znj. Anila, si do ta përkufizonit me pak fjalë thelbin e artit të Nexhmedin Zajmit? Cilat janë tiparet që, sipas jush, e bëjnë të dallueshëm stilin e Zajmit në pikturën shqiptare?
Në stilin e tij, krijimtaria e Zajmit kristalizon tiparet më të qenësishme të autorit. Frymën realiste, koloritin e ngrohtë, një perceptim të qartë e konceptim figurativ të lidhur me traditën, motive të zbuluara përmes njohjes, përvojës e përjetimeve vetjake. Ky përjetim u jep veprave të tij elementë frymëzimi dhe një informacion të pasur kohor. Zajmi ishte piktor i një profili shumëdimensional. Piktura për Zajmin ishte realiteti, njeriu i gjallë, natyra, mjedisi, duke e pasqyruar në çdo rast edhe bukurinë, dashurinë për vendin e tij. Si piktor i natyrave të qeta, peizazheve, portreteve, tablove, e gjithë karriera artistike e tij pasqyron këto fusha, ku ai punoi. Zajmin e gjeje në studio, në kantiere, në Theth, kudo. Zajmi ishte dhe mbetet piktori i natyrës, që bashkë me terrenin, studion, ishin frymëzimi i tij shpirtëror dhe artistik. Ato ishin bërë pjesë aktive e pandarë e jetës së tij, të cilat i mbante brenda vetes për t’i derdhur sapo takohej me pëlhurën.
Një ditë jete e Zajmit, si do e kujtoni atë?
Zajmi ishte shumë veçantë në artin e tij, pasi personazhin figurën artistike nuk e fantazonte. Nuk e ideonte, por e krijonte realisht. Donte njeriun natyrën të komunikonte direkt, me të, me ngjyrat, emocionet që ofronin ato. Këto elementë e frymëzonin, ishin në stilin, formimin e tij artistik. Nga çasti kur ai dilte në mëngjes, rrugës, në kafe, në biseda, kontakte, ai e jetonte, e kërkonte njeriun, nga jeta e përditshme që do t’i shërbente për të realizuar idenë që kishte. Në shumë piktura të tij janë personazhe, figura, njerëz që ai i mori nga kombinate, fusha, hidrocentrale, zona e thella, ku shkonte i përzgjidhte. Jo vetëm në Tiranë, por edhe në qytete të tjera, zona të largëta kur ai shkonte. Kështu ka vepruar në Fierzë, Vaun e Dejës kur për të realizuar tablonë “Diga e Drinit”, qëndroi më shumë se tre vjet aty duke prekur realitetin, njerëzit. Zajmi ishte piktor i natyrës dhe jo i studios, edhe pse lëvizja me kavaletin në krah nuk ishte komode, e lehtë.
Çfarë roli luante natyra dhe figura njerëzore në universin artistik të tij?
Ka trokitur në sa familje pa i njohur, kur aty kishte parë njeriun, personin, që i interesonte duke e ndjekur ku banonte, e iu lutur t’i pozonte, pasi ai tip i shërbente. Kishte intuitën të godiste figurën artistike që i nevojitej. I pranonin t’i pozonin, por edhe refuzonin. Çdo pikturë e tij ka një histori pas saj. E lidhur edhe me këto detaje, veçanërisht portretet. Ndër to, “Dardharja”, “Delegati”, “Tregim nga lufta”, “Veri”, “Bjaram Curri”, “Kostum i Lunxhersië”, “Irisi”, e shumë të tjera. Duke iu referuar edhe kohës në Akademinë e Romës.
Si ndikoi formimi i tij në Akademinë e Romës në gjuhën e tij artistike?
Nga pikëpamja artistike, realizimi, në krijimtarinë e tij nuk është i jashtëm, por i thellë, të cilën Zajmi e thelloi dhe e pasuroi në forma të reja shprehëse në artin figurativ kombëtar. Kishte parimin se arti do impenjim, angazhim të madh nëse do të duhet të bësh realisht art. Studimi në Akademinë e Arteve të Bukura të Romës, duke marrë një formim, edukim artistik nga ajo shkollë e njohur, ai e përcillte në punët, krijimtarinë e tij. Zajmi ishte piktor i ngjyrave, i natyrës, jo i studios. Ai nuk ishte njeri, piktor i artit të mbyllur, donte liri, hapësirë.
Si ishte raporti i Zajmit me tablotë e tij?
Babai i kushtoi jetën dhe në çdo çast, moment, ishte i lidhur thellësisht me artin. Ajo ishte familja e vërtetë e tij. Kishte dashuri për pikturat, i jetonte. Shkonte në galeri i shihte, çmallej me to shpesh edhe i kontrollonte për ndonjë dëmtim. Zajmi nuk e ndërtoi jetën artistike kalimthi, apo të rastësishme. Për çdo veprim në punë, diskutime për një vepër, tablo, hedhje peneli, mendohej thellë, duke e përjetoi nga fillimi deri në fund të jetës së tij. Me dëshirën për të jetuar, punuar e krijuar, minutë pas minute, orë pas ore, ditë pas dite, javë pas jave, me muaj e vite.
Flisni për piktura të gjetura në të njëjtën pëlhurë?
Si piktore restaurtaore, në disa veprat e tij, më ka qëlluar të gjej disa shtresa, piktura, njëra mbi tjetrën. Kjo ndodhte pasi në mungesë të pëlhurës, ai punonte, e prishte, rifillonte sërish, duke pikturuar mbi të njëjtën telajë e hedhur ngjyrat njëra sipër tjetrës, pikërisht në atë pëlhurë.
Cilat ishin marrëdhëniet me ju?
Shpesh diskutonim gjatë në studio, e në shumë raste nuk binim dakord, kishim kontradiktë, ishim në kundërshtim mendimi. I pëlqente debati, qëllonte të bëhej i “ashpër” me mua në trajtime çështjesh artistike, koncepte. Por edhe thyhej kur në fund të diskutimit më përqafonte.
Si do e komentonit raportin prind-fëmijë të një profesioni?
Në një rast të tillë nuk është e lehtë marrëdhënia aq më shumë të bëhen krahasime, përcaktime. Secili ka kohën, periudhën sigurisht edhe vlerat artistike, nuk janë njëlloj. Unë kam preferuar të jem e pavarur prej tij dhe nuk doja të isha e përfshirë në “veprën e Zajmit baba”. As ai nuk e dëshironte këtë. Sidoqoftë, si femër ndjehesha e mbrojtur prej tij. Më la në artin tim ashtu si e gjykonte ai. Edhe sot në punën time më shoqërojnë ngjyra e babait.
Një artist, jo vetëm i ngjyrave, por edhe i matur në jetë?
Zajmi kishte një gjykim të thellë, fliste, shprehej qartë dhe me një gjuhë artistike profesionale. Me një logjikë të fortë, e njihte mirë artin, deri në trajtimin që i bënte në rolin e një kritiku të mirëfilltë. Ritmin e jetës, angazhimeve të tij e reflektonte, edhe kur zgjohej në mesnatë, nxitonte drejt studios, për të vendosur atë detaj që e provokonte. Sa herë harronte të vinte për drekë, ose kthehej vonë në darkë pas një pune intensive dhe në fytyrë kishte ngjyrat e penelit, bojërat, të cilat ne ia pastronim me benzinë.
Një krijimtari me gamë të gjerë?
Karakteristike mbetet fakti i pamohueshëm, se Zajmi e vlerësonte jetën, por mbi të gjitha natyrën, admironte njeriun, malësorin, fshatarin punëtorin, që i pasqyronte realisht dhe me dashuri në punët e tij. Me shumë shije, dhe energjia që kishte si natyrë, ia nxiste dëshirën për ta përcjellë në ndërtimin artistik të një personazhi, peizazhi apo tabloje. Në veprat e tij, Zajmi trajtoi shumë edhe figurën e gruas të cilën e gjen në mjaft tablo të tij.
Nexhmedin Zajmi artist, lidhja e tij me politikën?
I paangazhuar asnjëherë me politikë, duke qenë kundër një marrëdhënie të tillë, edhe pse për kohën ishte normale, kur artisti të ishte pjesë dhe në funksion të saj. I formuar në një shkollë të artit perëndimor, kishte konceptin se vlerat që mbartin ngjyrat që duhet të hedhësh në pëlhurë, nuk kanë e nuk duhet të kenë lidhje me politikën, personazhet e saj.
Një artist me ndërgjegje të lartë qytetare, familjare dhe artistike…
Zajmi ishte shumë atdhetar, një fakt të cilin e shpreh mjaft mirë në artin, tablotë e tij. Ai i fliste disa gjuhë të huaja, anglisht, italisht, maqedonisht, rusisht. Vlerësonte artin italian se e njihte mirë. Në filozofinë e tij, puna, vepra artistike nuk duhet të kenë si pikë referimi atë që merr apo ke marrë. Siç edhe shprehej, në krijimtarinë e një artisti të shtrirë në shumë vite shpërblimin më të madh ta jep koha, pasi ajo është në gjendje të vlerësojë e të çmojë në tërësi veprën artistike që ke bërë.
Një karrierë, kontribut kombëtar i vlerësuar me disa tituj?
Zajmi nuk ka vrapuar asnjëherë pas titujve, e tillë ishte natyra e tij. Në krijimtarinë e tij, titujt dhe vlerësimet artistike nuk kishin shumë peshë në raport me atë çfarë ai hidhte në tablo, koloriti që ti i jep veprës, me të cilën ti do të komunikosh me publiku. Nëse shkon në Galerinë Kombëtare të Arteve, aty do të gjesh Zajmin e vërtetë dhe punën e tij. I vinte mirë kur veprën e tij e dallonin për stilin që transmetonte, atë shkollës italiane.
Si reflektohet karakteri i tij i fortë në veprat që ka lënë pas?
Zajmi ishte me karakter shumë të fortë, ndonëse impulsiv, por i drejtë, i ndershëm, mbi të gjitha nuk bënte kompromis për asgjë. Ai shpesh “grindej” edhe me punën e tij. Atë që mendonte ta thoshte në sy, nuk kishte frikë nga askush pavarësisht nga personi e pozicioni që mund të kishte. Nuk e njihte interesin dhe asgjë nuk e bënte për interes. Por, njëkohësisht ishte tejet i ndjeshëm, jetësor, me humor, me një komunikim që nxirrte nga gjumi këdo nëse flije kur takoje atë. Nuk i pëlqente njerëzit pa ritëm pa nerv, aq më shumë artistët dhe artin e tyre.
Lidhja e Zajmit me jetën, ndarjen prej saj, si e konceptonte?
Vital, asnjëherë nuk e pranonte vdekjen, nuk e imagjinonte edhe pse kishte shumë frikë prej saj. Rrallë që Zajmin mund ta gjeje të papërgatitur në përgjigje kishte një eksperiencë të madhe pune, jete dhe ishte i gatshëm për çdo situatë. Fakti që një pjesë të madhe të veprimtarisë artistike ai e kishte kaluar në terren, uzina hidrocentrale, male, fusha, duke shkelur gjithë Shqipërinë, atje ku edhe krijoi, ndërtoi veprën e tij artistike e më gjerë.
Vlerësimi për krijimtarinë e Zajmit?
Gjykoj se ka qenë dhe mbetet i veçantë. Edhe pas ardhjes së demokracisë, në lidhje me vlerësimet, preferencat, përcaktimet për artin, artistët veçanërisht të realizmit socialist. Qëndrimi, opinioni, kritikat dhe vlerësimi ka qenë tejet korrekt, e transmetuar, shprehur, nga cilido që e ka njohur punë, veprën, figurën, personalitetin e tij. Si një profesionist, i pa ndikuar asnjëherë në artin e tij nga politika. Edhe pse kanë kaluar shumë vite, Zajmi dhe tablotë e tij qëndrojnë me dinjitet të plotë. Ndjehemi të nderuar e të vlerësuar për atë çfarë ai krijoi në shërbim të artit kombëtar.
Një vijues i trashëgimisë të lënë nga Idromeno, Kolombi, Mio e Rrota?
Personazhet, portretet kompozimet e punuara me ngjyra të freskëta tone të larmishme e plot dritë, janë vepra që kanë zënë një vend të konsiderueshëm, në fondin e Galerisë Kombëtare të Arteve. Zajmi mbetet një ndër piktorët e një plejade, epoke që i dhanë shtyrje, ndryshim dhe një transformim artit figurativ shqiptar. Me një kontributi të rëndësishëm, në vazhdimin e traditës, të Idromenos, Kolombit, Rrotës, Mios e mjaft piktorëve të tjerë, por edhe në krijimin e një tradite dhe arti bashkëkohor me vlera të mëdha kombëtare, artistike dhe historike.
Kohë e fundit është realizuar një album me krijimtarinë e tij?
Një album gjykoj, që të jep ndjesinë se ngjyrat e hedhura janë si të penelit të parë. Po kështu, edhe personazhet. Një mënyrë kompozimi, realizimi, vendosje e tablove, që pa e hapur ende të kuptohet që ai album, është i Zajmit. Një histori e gjatë e shtrirë në kohë e që ka mundur t’i rezistojë asaj. Që mund t’i shërbejë admiruesve të artit, studiuesve, të interesuar për jetën, veprën e tij.
Një album, si një ritakim pas aq vitesh me, babain, piktorin Nexhmedin Zajmi?
Aty janë vendosur, një pjesë e mirë e krijimtarisë, rreth 150 piktura të tij. Një album i realizuar, ideuar edhe sipas shijeve të tij, se të tillë, të atij modeli do i pëlqente. Si një ekspozitë retrospektive. Ashtu e shoh, sa herë e shfletoj faqet e tij. Njëkohësisht albumi shërbeu për të gjetur, rreth 30 piktura të babait, në koleksionistë, familje, miq që ai ia ka dhuruar, të cilët i ofruan me kënaqësi për t’i vendosur në këtë album.
/Gazeta Panorama
Komentet