1 korrik 2026, Prishtinë
Për Gjergj Kastrioti Skenderbeun (1405-1468) nuk ka asnjë portret i dokumentuar në mënyrë të padiskutueshme si vepër e realizuar gjatë jetës së tij. Pikërisht kjo mungesë ka bërë që çdo paraqitje figurative e tij të bëhet objekt debatesh, atribuimesh dhe interpretimesh të ndryshme. Ndër portretet më të njohura të Skenderbeut, është ai që sot ruhet në “Galleria degli Uffizi” në Firence. Kjo vepër bën pjesë në koleksionin e famshëm të portreteve historike që rrjedh nga muzeu i mjekut, historianit dhe biografit italian nga qyteti Como, Paolo Giovio (1483-1552).
Portreti në Uffizi është realizuar në vitin 1553 nga Cristofano di Papi dell’Altissimo (1525-1605), me porosi të Dukës së Firencës, Cosimo de’ Medici I (1519-1574), i cili kishte vendosur të kopjonte sistematikisht koleksionin e Giovios për ta ruajtur në Firence.
Dell’Altissimo ishte piktor italian i periudhës së Manerizmit i lindur në Firence. [Manerizmi u zhvillua nga viti 1520 deri më 1600, ndërmjet Renesansës së Vonë dhe Barokut]. Dokumenti më i hershëm që e përmend daton në vitin 1552, kur ai paraqitet tashmë si një artist i formuar, i ngarkuar nga Duka i Toskanës, Cosimo I de’ Medici, për të udhëtuar në Como me qëllim kopjimin e portreteve të famshme të koleksionit të Paolo Giovios.
Sipas dëshmisë së historianit të artit, Giorgio Vasari (1511-1574), poashtu piktor dhe arkitekt italian i Rilindjes, i cili e njohu personalisht, Cristofano kishte realizuar një numër të konsiderueshëm portretesh. Veprimtaria e Cristofanos u kushtëzua pothuajse tërësisht nga projekti i kopjimit të portreteve. Cristofano kishte studiuar pranë piktorit dhe portretistit italian të Manerizmit, të shkollës Fiorentine, Jacopo Pontormo (1494-1557). Stili i tij karakterizohet nga forma të qarta dhe kompakte, sipërfaqe të lëmuara dhe një trajtim rigoroz i figurës, tipare që e afrojnë me piktorët maneristë të gjysmës së dytë të shekullit XVI.
Portreti i Gjergj Kastrioti Skenderbeut në Uffizi është bërë objekt debati të gjatë historiografik, pasi Friedrich von Kenner (1834-1922), ka sugjeruar se ai mund të jetë kopje e një origjinali të humbur të Gentile Bellinit (1429-1507). Bellini ishte një nga piktorët më të rëndësishëm të Rilindjes veneciane. I lindur në familjen e famshme Bellini, ai u bë piktori zyrtar i Republikës së Venecias dhe realizoi disa nga veprat më të rëndësishme të artit venecian të shekullit XV. Në vitin 1479 u dërgua në Kostandinopol me mision diplomatik për realizimin e portretit të famshëm të Sulltan Mehmetit II (1432-1481), i cili sot ruhet në “National Gallery” në Londër dhe konsiderohet një nga kryeveprat e portretit rilindas.
Austriaku Kenner, nuk ishte historian arti i specializuar në pikturën e Rilindjes italiane. Ekspertiza e tij kryesore ishte numizmatika dhe arkeologjia, jo analiza stilistike e pikturës. Kenner mendonte se Bellini kishte realizuar një portret të Skenderbeut, i cili më pas kishte humbur dhe ishte ruajtur vetëm nëpërmjet kopjes së dell’ Altissimos. Kjo teori mbështetet kryesisht në afërsinë kronologjike ndërmjet Bellinit dhe epokës së Skenderbeut, si dhe në disa ngjashmëri ikonografike ndërmjet portretit të Sulltan Mehmetit II dhe portretit të Skenderbeut në Uffizi. Megjithatë, kur veprat analizohen nga këndvështrimi i historisë të artit, lindin një sërë problemesh që e bëjnë këtë teori të vështirë për t’u pranuar.
Dallimi i parë dhe më i rëndësishëm lidhet me vetë natyrën e dy portreteve. Bellini është i interesuar për karakterin psikologjik të subjektit. Ai nuk e idealizon figurën, por përpiqet të kapë individualitetin e saj. Tiparet anatomike të sulltanit paraqiten me realizëm: hunda është e theksuar, faqet modelohen gradualisht përmes dritës dhe hijes, ndërsa syri integrohet natyrshëm në strukturën e fytyrës. Portreti krijon ndjesinë e pranisë së një individi konkret.
Ndryshe ndodh me portretin e Skenderbeut në Uffizi. Kjo vepër nuk paraqet karakteristikat e një portreti të realizuar nga natyra. Ajo ka natyrën e një portreti historik dhe ikonografik. Figura nuk paraqitet si individ, por si hero. Tiparet janë idealizuar për të mishëruar virtyte si urtësia, trimëria dhe autoriteti. Mjekra e gjatë dhe e bardhë, profili i pastër dhe vështrimi i vendosur funksionojnë si simbole të heroizmit dhe jo si përshkrime të një personi konkret.
Një nga argumentet më të forta kundër atribuimit Bellinit është trajtimi i mjekrës. Në portretin e Mehmetit II, Bellini ndërton mjekrën përmes masave tonale. Shikuesi nuk dallon qime individuale, por një vëllim të vetëm të modeluar me dritë dhe hije.
Në portretin e Skenderbeut, përkundrazi, mjekra është ndërtuar përmes kaçurrelave individuale, secila e trajtuar me kujdes dekorativ. Kjo mënyrë pune është karakteristike për pikturën maniriste të shekullit XVI dhe jo për realizmin venecian të Bellinit. Po aq domethënës është trajtimi i dritës. Bellini përdor një ndriçim gradual dhe atmosferik. Kalimi nga drita në hije është i butë dhe pothuajse i padukshëm. Në portretin e Skenderbeut kontrastet janë shumë më të forta. Fytyra, mjekra dhe kapela (bonnetto) theksohen nga ndriçimi në mënyrë dramatike, duke krijuar një efekt monumental që i shërben idealizimit të figurës.
Edhe paleta koloristike e dy veprave ndryshon ndjeshëm. Bellini përdor ngjyra të harmonizuara dhe të kontrolluara, me dominim të ngjyrës okër, kafe të ngrohtë dhe të kuqe të errët. Në portretin e Skenderbeut shfaqen tone më intensive, veçanërisht vjollce, pembe dhe e bardhë, të cilat reflektojnë kulturën koloristike të Toskanës të shekullit XVI dhe jo atë të Venecias të shekullit XV.
Një tjetër element i rëndësishëm është trajtimi i syrit. Bellini nuk e përdor syrin si mjet dramatizimi. Syri i Mehmetit II është i vogël, i qetë dhe pjesë organike e fytyrës. Në portretin e Skenderbeut syri bëhet qendra e vëmendjes. Kontrasti ndërmjet iridës dhe pjesës së bardhë është më i fortë, ndërsa vështrimi fiton një karakter heroik dhe simbolik. Kjo qasje i përket një tradite të ndryshme artistike.
Nga këndvështrimi ikonografik, ngjashmëritë ndërmjet dy portreteve janë të pamohueshme. Të dy figurat paraqiten në profil dhe ndajnë disa tipare të përgjithshme. Megjithatë, historia e artit dallon qartë ndërmjet ngjashmërisë ikonografike dhe identitetit stilistik. Dy vepra mund të paraqesin figura të ngjashme pa qenë krijuar nga i njëjti artist. Në këtë rast, ngjashmëritë janë kryesisht ikonografike, ndërsa dallimet stilistike janë të thella.
Një problem i zakonshëm në historinë e artit të Rilindjes është humbja e veprave origjinale dhe ekzistenca e kopjeve të mëvonshme. Shumë piktura të shekullit XV njihen sot vetëm përmes riprodhimeve ose kopjeve të shekujve të mëvonshëm.
Megjithatë, dhe kur një origjinal humbet, kopjet zakonisht ruajnë disa elemente të stilit të artistit: strukturën e dritës, kompozicionin, tipologjinë e fytyrës, trajtim tonal, etj. Në rastin e portretit të Skenderbeut, pyetja kryesore është nëse këto elemente janë të pranishme në një masë të mjaftueshme për të justifikuar lidhjen me Bellinin.
Problem serioz për teorinë e Friedrich von Kenner është mungesa e dokumentacionit që dëshmon ekzistencën e një portreti të Skenderbeut të realizuar nga Gentile Bellini. Deri më sot nuk është zbuluar asnjë burim arkivor venecian, osman apo italian që të vërtetojë se Bellini ka pikturuar ndonjëherë Gjergj Kastrioti Skenderbeun. Hipoteza mbështetet kryesisht në analogji vizuale dhe jo në prova dokumentare.
Analiza e ndërtimit anatomik, trajtimit të dritës, përdorimit të ngjyrës, lëvizjet e brushës,
karakterit psikologjik të figurës dhe kontekstit historik, tregon qartë se portreti i Skenderbeut në “Galleria Uffizi” dhe portreti i Mehmetit II nga Gentile Bellini nuk janë vepra të së njëjtës dorë artistike dhe as produkte të së njëjtës periudhë kulturore. Midis tyre ekziston një diferencë prej afro shtatë dekadash zhvillimi artistik, e cila reflektohet në çdo aspekt të gjuhës së pikturës.
Ngjashmëritë që vërehen janë kryesisht ikonografike dhe kompozicionale, ndërsa dallimet stilistike dhe teknike janë aq të thella, sa e bëjnë të vështirë pranimin e tezës se portreti i Uffizit është një kopje e drejtpërdrejtë e një origjinali të humbur të Gentile Bellinit.
Përkundrazi, gjithçka tregon se kemi të bëjmë me dy vepra të krijuara në kontekste të ndryshme artistike, nga piktorë me formim, qëllime dhe gjuhë estetike krejtësisht të ndryshme.
Në të njëjtën kohë, duhet të kemi parasysh natyrën e punës së Cristofano dell’Altissimos, ai nuk ishte një piktor krijues në kuptimin e Bellinit, por një kopjues profesionist shumë i përpiktë, i ngarkuar me riprodhimin e portreteve të koleksionit të Paolo Giovios. Për këtë arsye, teoria e Friedrich von Kenner mbetet vetëm një hipotezë historiografike, por jo një përfundim i mbështetur nga provat stilistike dhe dokumentare.
Si përfundim, unë si autori i këtij studimi, njohës i mirë i historisë së artit, profesor i arteve figurative dhe portretist me një përvojë shumëvjeçare në bregdetet e Sllovenisë, Greqisë dhe Turqisë, gjatë së cilës kam realizuar mbi tre mijë portrete nga natyra, konsideroj të arsyeshme të shprehë rezervat e mija profesionale ndaj hipotezës së atribuimit të portretit të Skenderbeut në Galerinë Uffizi në stilin e piktorik të Gentile Bellinit.
Nga këndvështrimi i praktikës së portretit dhe i analizës stilistike, kjo vepër e Cristofano dell’Altissimos paraqet karakteristika formale, teknike dhe estetike që dallohen ndjeshëm nga gjuha artistike e Bellinit, çka e bën të vështirë pranimin e një lidhjeje të drejtpërdrejtë autorësore ose stilistike ndërmjet tyre.
(Në të majtë) Portreti i Gjergj Kastrioti Skenderbeut i vitit 1553, i realizuar nga piktori manerist nga Firenca, Cristofano di Papi dell’Altissimo (1525-1605). Në qytetin italian Como, Altissimo bëri kopjet e 24 portreteve deri në maj të vitit 1553, lista e këtyre pikturave është botuar më 1844 “Nuova Raccolta di Lettere sulla Pittura, Scultura ed Architettura, Vol. I.” nga Michelangelo di Romano Gualandi (1756-1824). Në fillim piktura u vendos në “Palazzo Vecchio” në Firencë (residenca e familjes Medici), ndërsa më 1587 në “Galleria degli Uffizi” të krijuar nga Duka i Firences, Cosimo I de’ Medici (1519-1574), ku ndodhet edhe në ditët e sotme. Ngjyra vaji në dërrasë, përmasat: 45 x 60 cm.
(Në të djathtë) Portreti i Sulltan Mehmetit II, i datuar më 25 nëntor 1480, përbën një nga veprat më të rëndësishme të piktorit venecian Gentile Bellini (1429-1507), përfaqësues i Rilindjes së Hershme Italiane të Shkollës Veneciane. Realizimi i kësaj vepre lidhet me marrëdhëniet diplomatike ndërmjet Venecias dhe Sulltanit pas nënshkrimit të paqes. Në vitin 1479, Bellini u dërgua në Kostandinopol nga autoritetet veneciane, me kërkesë të vetë Sulltan Mehmetit II. Sot, kjo pikturë ruhet në koleksionin e “Victoria & Albert Museum”, në bashkëpunim me “The National Gallery” në Londër. Ngjyra