Qindra qytetarë kanë protestuar sot në tri fronte, sa tek Kuvendi, në dy prej Komisariateve ku janë shoqëruar dhe izoluar protestuesit.
Deri tani mësohet se ka 20 qytetarë të shoqëruar, mes tyre shumë aktivistë të njohur si Gent Progni apo Altin Goxhaj.
Gjithashtu raportohet për 9 efektivë të lënduar që po mjekohen në spital.
Pas marshimit në mesditë ata po qëndrojnë në Komisariatet nr. 4 dhe 1 në Tiranë, ku mbahen protestuesit, duke kërkuar me thirrjet “Lironi çunat tanë”, apo “Arrestoni Ramën dhe Ballukun”, “Parlament i Krimit”, “Revolucion” dhe të tjera.
Pas largimit me shpejtësi të deputetëve dhe ministrave të mazhorancës nën mbrojtjen e forcave të rendit, vjen edhe bilanci i parë i asaj që u shndërrua në një përplasje të dhunshme përpara Parlamentit.
Përplasjet e dhunshme, përdorimi i sprejit lotësjellës dhe hedhja e ujit me presion nga autobotët kanë lënë pas pasoja nga të dyja palët.
Burime bëjnë me dije se deri tani Policia e Shtetit ka shoqëruar në komisariate 20 protestues.
Nga ana tjetër, përleshjet fizike kanë sjellë edhe dëmtimin e uniformave blu. Aktualisht, 9 efektivë policie janë dërguar në spital, ku po marrin ndihmën e nevojshme mjekësore.gsh