Analisti Fatos Lubonja komentoi në një lidhje me “Skype” në rubrikën “Opinion”, në News24, protestën e 7 korrikut, të zhvilluar nga opozita kundër qeverisë së Edi Ramës.
Analisti Lubonja tha se protesta shfaqi qartazi disa gjëra, ku sipas tij, tregoi se Berisha kontrollon pjesën më të madhe të PD, që kundërshtarët brenda PD-së janë të dobët përpara tij, si dhe përveç mbështetësve të opozitës, aty kishte dhe shumë njerëz të tjerë.
“Mendoj që protesta shfaqi qartazi disa gjëra dhe la hapur disa gjëra të tjera. Shfaqi qartazi se ai që mund të quhet “grupi i themelimit”, Berisha, kontrollon pjesë më të madhe të PD, për të mos thënë që kontrollon pjesë dërrmuese të PD. Pra është një opozitë që imponohet me numrat e veta. Shfaqi qartazi që kundërshtarët janë shumë të dobët përpara tij, flas për kundërshtarët brenda PD. Shfaqi qartazi që përveç njerëzve të PD-së, aty kishte dhe shumë njerëz të tjerë, që në një far mënyre janë të pakënaqur nga qeveria. Sigurisht pastaj ka lënë çështje të hapura, atë se sa mundet të grumbullojë për të krijuar një masë kritike, për të sfiduar pushtetin e Ramës. Gjuha që përdoret a është apo jo kjo gjuha përbashkuese për të krijuar këtë dhe politikat që përdoren janë apo jo të tilla.
Çfarë duhet bërë për t’u bashkuar pjesa tjetër, çfarë duhet bërë më shumë për t’u afruar ajo pjesa gri, që mendoj se janë të rëndësishme në lojën politike shqiptare. Ashtu sikurse do të thoja edhe dy gjëra shumë të rëndësishme që gati nuk ceken, sepse mbulohet gati gjithçka me denoncimin, por nuk kemi qartazi një formulim të një programi alternativë se si mund të dilet nga kjo situatë. Shqipëria në rrezik, por cili është programi që do të shpëtojë Shqipërinë, përtej denoncimit të atyre që po qeverisin. Kjo lidhet me gjërat që janë përtej të majtës e të djathtës, kundër krimit, korrupsionit, oligarkisë, medias së kapur, etj, etj, pra që janë probleme që ka krijuar kjo qeveri. Pra, cila është ideologjia bazë e kësaj opozite, çfarë është e ndryshme nga partia në pushtet. Këto nuk janë të formuluara qartazi.
Grumbullimi i kaq shumë njerëzve në një kohë të papërshtatshme, ka të bëjë me vullnetin e organizatorëve, shtysa që ka Berisha, edhe për shkak të mërzive të tij mund të thuash, por janë shtysa të rëndësishme, dhe historia tregon se njerëz me vullnet mund të bëjnë shumë, mendoj se dhe Ilir Meta bën pjesë në këtë. Besoj nuk ka të bëjë shumë me pakënaqësinë në rritje, sepse ka pasur dhe me parë, por lidhet dhe me një lloj bazamenti militantësh që PD e ka të pandryshueshëm, kështu që nëse ky vullnet do të jetë dhe më i madh, me pakënaqësi që parashikohen në rritje, mundet të kemi protesta shumë më të fuqishme. Nuk ka pasur asnjëherë ndjeshmëri ndaj shtesave të brishta… sigurisht që maxhoranca duke u ndjerë e sigurt se ka një opozitë që mendon se e ka përçarë, i duket se mund të bëjë akoma dhe më shumë çudira në shtrëngimin e rripave të njerëzve dhe asgjë të mos ndodhi, dhe kjo është një nga arsyet e kësaj që po ndodh… pra është një situatë ku maxhoranca me dhe pa të drejtë mendon se mund të vazhdojë të sillet kështu, është detyrë e opozitës dhe njerëzve që të organizohen nëse duan të dalin nga kjo situatë”, u shpreh analisti.
(BalkanWeb)





