VOAL

VOAL

Ukraina t’i mbajë zgjedhjet pas armëpushimit, thotë ndihmësi i Trumpit

Radio Evropa e Lirë

Shtetet e Bashkuara dëshirojnë që Ukraina t’i mbajë zgjedhjet, potencialisht deri në fund të vitit, sidomos nëse Kievi arrin marrëveshje armëpushimi me Rusinë në muajt vijues, ka thënë zyrtari amerikan, Keith Kellogg, në një intervistë për agjencinë e lajmeve Reuters.

Kellogg, i dërguari amerikan për Ukrainën dhe Rusinë, ka thënë se zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale të Ukrainës, të pezulluara gjatë luftës, “duhet të mbahen”.

“Shumica e vendeve demokratike mbajnë zgjedhje në kohë lufte. Mendoj se është e rëndësishme të veprojnë ashtu”, ka thënë Kellogg.

“Është mirë për demokracinë. Ajo është e mira e demokracisë solide, kur keni më shumë se një person në garë”.

Trump dhe Kellogg kanë thënë se janë duke punuar në një plan për të ndërmjetësuar një marrëveshje në muajt e parë të administratës amerikane, për t’i dhënë fund luftës së Rusisë në Ukrainë, të nisur në shkurt të vitit 2022.

Ata kanë bërë të ditura pak hollësi për strategjinë e tyre për dhënie fund të konfliktit më vdekjeprurës në Evropë, prej Luftës së Dytë Botërore.

Aktualisht është e paqartë si mund të pritet propozimi i Trumpit në Kiev.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka thënë se Ukraina do t’i mbajë zgjedhjet këtë vit, nëse luftimet marrin fund, dhe nëse do të ketë garanci të forta për siguri, të cilat do t’ia pamundësojnë Rusisë rikthimin e armiqësive.

Një këshilltar i lartë në Kiev dhe një burim brenda Qeverisë ukrainase, kanë thënë për Reutersin se administrata Trump nuk ka kërkuar zyrtarisht nga Ukraina që t’i mbajë zgjedhjet presidenciale deri në fund të vitit.

Shteti i vogël- Donald Trumpi u kërkon dorëheqjen miliona punonjësve të qeverisë federale

Dorëheqje në këmbim të tetë rrogave të paguara deri në shtator: Presidenti amerikan befasoi me ofertën e bërë punonjësve federalë, që nuk duan të kthehen në zyrë, lëvizje kjo që synon tkurrjen e qeverisë amerikane.

Në një email dërguar miliona punonjësve, administrata e tij i informoi punonjësit se kanë kohë deri më 6 shkurt për të vendosur nëse duan të jenë pjesë e programit të “dorëheqjes së shtyrë”.

Nëse ata pranojnë të lënë punën e tyre deri në atë datë, mesazhi thotë se ata do të përfitojnë nga paketa që u garanton 8 muaj paga. Administrata Trump pret që deri në 10% e punonjësve të pranojnë ofertën, që do të thotë rreth 200,000 nga më shumë se dy milionë punonjës të qeverisë federale.

Zyrtarë të lartë të administratës Trump u kanë thënë mediave amerikane se ky program mund t’i kursejë qeverisë deri në 100 miliardë dollarë. Punonjësit, që donin të pranonin ofertën, duhej t’i përgjigjeshin një email-i me fjalën “dorëheqje” në hapësirën e dedikuar subjektit. Oferta përfshin paga dhe përfitime për punonjësit deri më 30 shtator. Disa punonjës nuk e morën ofertën, duke përfshirë punonjësit e postës, anëtarët e ushtrisë, zyrtarët e imigracionit dhe disa personel të sigurisë kombëtare, sipas emailit.

Mesazhi nga Zyra e Menaxhimit të Personelit, paralajmëronte gjithashtu për ndikimin edhe tek ata që zgjedhin të qëndrojnë. “Ne nuk mund t’ju japim siguri të plotë në lidhje me pozicionin tuaj, por nëse ai eliminohet, ju do të trajtoheni me dinjitet“, theksohet më tej. sn

Departamenti i Drejtësisë shkarkon punonjësit e përfshirë në hetimet ndaj Presidentit Trump

VOA Marrë nga Associated Press

UASHINGTON – Departamenti i Drejtësisë njoftoi të hënën se ka shkarkuar mbi dymbëdhjetë punonjës që patën punuar me çështjet hetimore ndaj Presidentit Donald Trump, duke vepruar kështu me shpejtësi për të ndëshkuar juristët që u përfshinë në proceset hetimore.

Masat e shpejta ndaj prokurorëve të karrierës që punonin në ekipin e prokurorit të posaçëm Jack Smith janë shenja më e fundit e ndryshimeve brenda Departamentit të Drejtësisë dhe reflektojnë vendosmërinë e administratës për të larguar nga qeveria punonjësit që i konsideron jobesnikë ndaj presidentit.

Masat u ndërmorën në kundërshti me normat dhe pasuan transferimin e disa zyrtarëve të lartë të karrierës në divizione të ndryshme. Tradita e deritanishme mundësonte që prokurorët e karrierës ta vazhdonin punën në departament përgjatë administratave të presidentëve të ndryshëm dhe nuk ndëshkoheshin për përfshirjen në procese delikate hetimore. Shkarkimi i zyrtarëve u njoftua se hyri në fuqi menjëherë.

“Sot, prokurori i përgjithshëm në detyrë James McHenry i dha fund punësimit të një numri zyrtarësh të Departamentit të Drejtësisë, të cilët patën luajtur një rol domethënës në procesin hetimor ndaj Presidentit Trump”, thuhet në një deklaratë të qarkulluar nga një zyrtar i Departamentit të Drejtësisë. “Për shkak të veprimtarisë së tyre, prokurori i përgjithshëm në detyrë nuk beson se këta zyrtarë do të veprojnë për të zbatuar me besnikëri axhendën e presidentit. Kjo masë është në përputhje me misionin për t’i dhënë fund përdorimit politik të qeverisë”.

Nuk ishte menjëherë e qartë se cilët prokurorë do të prekeshin nga ky urdhër, apo se sa prej atyre që punuan me hetimet ndaj Presidentit Trump, do të vazhdonin në Departamentin e Drejtësisë. Nuk u mësua gjithashtu se sa prej prokurorëve të shkarkuar mund ta ankimonin masën me argumentin se departamenti nuk ka respektuar mbrojtjet për punonjësit e shërbimit civil në qeverinë federale.

Vetë prokurori i posaçëm Smith dha dorëheqjen nga Departamenti i Drejtësisë më herët këtë muaj, pasi paraqiti një raport voluminoz për dy dosjet hetimore ndaj zotit Trump, për përpjekjet për përmbysjen e rezultatit të zgjedhjeve të vitit 2020 dhe për mbajtjen e dokumenteve të klasifikuara në pronën e tij Mar-a-Lago, në Florida. Të paktën një prej anëtarëve kryesorë të ekipit të prokurorëve, Jay Bratt, gjithashtu dha dorëheqjen nga Departamenti i Drejtësisë këtë muaj, pasi shërbeu si prokurori kryesor për çështjen e dokumenteve të klasifikuara.

Shkarkimet u njoftuan fillimisht nga kanali televiziv Fox News.

Trumpi nuk heq dorë nga Groenlanda: Banorët atje duan të bashkohen me SHBA! Ne sigurojmë lirinë

Presidenti Donald Trump ka thënë se beson se SHBA do të fitojë kontrollin e Groenlandës, pasi shfaqi për marrjen e territorit autonom danez në javët e fundit.

“Unë mendoj se do ta kemi atë,” u tha ai gazetarëve në Air Force One të shtunën, duke shtuar se 57,000 banorët e ishullit duan të jenë me SHBA.

Komentet e tij vijnë pas raporteve se kryeministrja daneze Mette Frederiksen këmbënguli se Grenlanda nuk ishte në shitje në një telefonatë të zjarrtë me presidentin javën e kaluar.

Trump shfaqi perspektivën e blerjes së territorit të gjerë të Arktikut gjatë mandatit të tij të parë në vitin 2019 dhe ka thënë se kontrolli amerikan i Grenlandës është një “domosdoshmëri absolute” për sigurinë ndërkombëtare.

“Unë mendoj se njerëzit duan të jenë me ne. Nuk e di vërtet se çfarë pretendimi ka Danimarka ndaj saj, por do të ishte një akt shumë armiqësor nëse ata nuk do të lejonin që kjo të ndodhte sepse është për mbrojtjen e botës së lirë. Unë mendoj se Grenlandën do ta marrim sepse ka të bëjë me lirinë e botës. Nuk ka të bëjë fare me Shtetet e Bashkuara përveç se ne jemi ata që mund të sigurojmë lirinë. Ata nuk munden”, tha ai.bw

Themeluesit të “Oath Keepers” i ndalohet hyrja në Kapitol pa leje nga gjykata

Stewart Rhodes

 

VOA Marrë nga Associated Press

Një gjykatës federal vendosi të premten që themeluesit të organizatës “Oath Keepers”, Stewart Rhodes, t’i ndalohet të hyjë në Uashington pa lejen e gjykatës, pasi Presidenti Donald Trump ia uli dënimin me 18 vjet burg udhëheqësit të grupit, i cili mori pjesë në sulmin e 6 janarit 2021 në Kapitol.

Gjykatësi federal Amit Mehta, i cili mbikëqyri gjyqin ndaj zotit Rhodes dhe anëtarëve të tjerë të organizatës së tij, lëshoi urdhrin dy ditë pasi zoti Rhodes vizitoi Kapitolin, ku u takua me të paktën një ligjvënës, bisedoi me të tjerët dhe mbrojti veprimet e tij të 6 janarit 2021.

Urdhri i gjykatësit Mehta vlen për shtatë të pandehur të tjerë të cilët u përballën me akuzat më serioze për sulmin ndaj Kapitolit, të ngritura nga Departamenti i Drejtësisë. Urdhri gjithashtu ua ndalon atyre hyrjen në ndërtesën e Kapitolit apo në mjediset përreth pa lejen e gjykatës.

Stewart Rhodes nga qyteti i Granburit në Teksas, u lirua nga burgu disa orë pas nënshkrimit të urdhrit ekzekutiv nga Presidenti Trump të hënën vonë për të falur mbi 1,500 persona të akuzuar për sulmin ndaj Kapitolit, që kishte për synim të pengonte certifikimin e fitores së demokratit Joe Biden në zgjedhjet presidenciale të vitit 2020.

Ndërsa zoti Trump fali shumicën e të pandehurve, ai uli dënimet me burg për zotin Rhodes dhe 13 persona të tjerë. Kjo do të thotë se ata mbeten në lirim me kusht dhe duhet të respektojnë disa kufizime të vendosura nga gjykata nën mbikëqyrjen e një oficeri të policisë.

Stewart Rhodes nuk hyri në Kapitol më 6 janar, por u akuzua për orkestrimin e një komploti javor për të ndalur me forcë transferimin e pushtetit. Ai u dënua për komplot për rebelim në vitin 2022 dhe mori një nga dënimet më të rënda në procesin masiv të Departamentit të Drejtësisë.

Zoti Rhodes tha gjatë vizitës së tij në Kapitol në fillim të kësaj jave se ai tani po i kërkon Presidentit Trump një falje të plotë.

Senati konfirmon John Ratcliffe si drejtor të CIA-s

John Ratcliffe duke bërë betimin si drejtor i Agjencisë Qendrore të Zbulimit, CIA. 23 Janar, 2025

 

VOA Jeff Seldin

Ligjvënësit amerikanë konfirmuan të enjten një anëtar kyç të ekipit të sigurisë kombëtare të Presidentit Donald Trump, me një votim 74-25 që John Ratcliffe të drejtor i Agjencinë Qendrore të Zbulimit, CIA.

Zoti Ratcliffe i cili shërbeu si Drejtor i Zbulimit Kombëtar gjatë mandatit të parë të Presidentit Trump, bëri betimin rreth dy orë më vonë përpara Nën Presidentit JD Vance.

Nën Presidenti Vance e cilësoi zotin Ratcliffe një “patriot të madh” dhe tha se ka besimin e Presidentit.

 

Votimi erdhi tre ditë pasi zoti Trump bëri betimin si Presidenti i 47-të i Shteteve të Bashkuara dhe tre ditë pas një kërkese nga republikanët dhe demokratët më të lartë në Komitetin e Inteligjencës së Senatit për një votim të shpejtë mbi emërimin e zotit Ratcliffe për të udhëhequr CIA-n.

“Bota jonë është shumë e rrezikshme që të ketë vonesa nga Senati për konfirmin e drejtorit të CIA-s”, thanë senatorët Tom Cotton dhe Mark Warner në një deklaratë të hënën.

Zoti Ratcliffe ëshët drejtori i parë i Agjencisë Qendrore të Zbulimit që ka drejtuar më parë Zbulimin Kombëtar.

Për shkrimin e këtij artikulli ndihmuan gazetarët Katherine Gypson dhe Kim Lewis

“E trishtë që Bideni nuk fali veten!”- Donald Trumpi jep intervistën e parë si president!

Donald Trumpi ka dhënë intervistën e tij të parë që pasi u betua si president i SHBA-së, ku theksoi edhe njëherë angazhimin e tij për të dëbuar miliona emigrantë pa dokumente nga SHBA.

Në këtë intervistë për  Fox News, republikani siguroi se “mijëra terroristë” ndodhen në vend për shkak të politikës së imigracionit të ndjekur nga paraardhësi i tij Joe Biden.

Trump theksoi se vende si Venezuela “i hoqën bandat nga rrugët e tyre dhe i sollën në SHBA”“Do merremi me të”, siguroi presidenti i ri i SHBA-së.

Pak para kësaj interviste, zëdhënësja e presidencës amerikane, Caroline Leavitt, njoftoi se republikani kishte nënshkruar një urdhër ekzekutiv për të dërguar 1500 trupa shtesë në kufirin e SHBA-së me Meksikën. Ata do t’i shtohen më shumë se 2,000 ushtarëve tashmë në kufirin jugor të vendit.

Në intervistën e tij, Trump përmendi edhe vendimin e paraardhësit të tij për të falur paraprakisht disa anëtarë të familjes së tij, si dhe zyrtarë publikë, si Anthony Fauci.

Republikani tha se është e trishtë sipas tij, që Biden nuk e fali veten.

“Dhe ju e dini, gjëja qesharake, ndoshta e trishtueshme, është se ai nuk e fali veten,” tha Trump.

Kur u pyet nga gazetari i Fox News nëse do të dëshironte që Kongresi të hetonte paraardhësin e tij, Trump u përgjigj: “Unë mendoj se do ta lë Kongresin të vendosë”.

Trump ndër të tjera u ndal edhe te zjarret qe kanë përfshirë Los Angeles-in, duke lënë të kuptohet se ai po konsideron eliminimin e Agjencisë Federale të Menaxhimit të Emergjencave (FEMA).

“FEMA nuk e ka bërë punën e saj për katër vitet e fundit,” tha ai. “FEMA do të jetë një bisedë e madhe shumë shpejt, sepse unë do të preferoja që shtetet të merren me problemet e tyre,” përfundoi ai.

Republikani kritikoi mënyrën se si po menaxhohen zjarret në Los Anxhelos nga guvernatori demokrat i Kalifornisë, Gavin Newsom.

Trump hodhi poshtë gjithashtu shqetësimet se TikTok po mbledh të dhënat personale të amerikanëve në emër të Kinës, duke thënë: “A është kaq e rëndësishme që Kina të spiunojë të rinjtë? Fëmijët e vegjël duke parë video të çmendura?”

Gazetari replikoi duke thënë se platforma në pronësi të kompanisë kineze ByteDance, është “një aplikacion spiun për kinezët komunistë”, ndërsa republikani tha me humor: “Po amund të thuash këtë për të gjitha produktet që prodhohen në Kinë? Shiko telefonat, ne i kemi prodhuar kryesisht në Kinë, kemi kaq shumë gjëra që prodhohen në Kinë, kështu që pse të mos i referohemi kësaj?” gsh

Trumpi paralajmëron Putinin për luftën në Ukrainë

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trumpi, ka sugjeruar se do ta godasë Rusinë me sanksione shtesë, nëse presidenti Vladimir Putin nuk i pranon bisedimet për paqe për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë, përderisa i ka bërë thirrje udhëheqësit kinez, Xi Jinping, gjatë një bisede telefonike, për të ndihmuar në ndaljen e konfliktit.

“Duket se po”, u ka thënë Trump gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë, më 21 janar, kur është pyetur nëse Uashingtoni do të vendosë sanksione të reja ndaj Rusisë, nëse Putini nuk i bashkohet tavolinës së negociatave.

Trump nuk ka ofruar hollësi për masat e reja të mundshme, të cilat do t’i shtoheshin një varg sanksionesh që tashmë shënjojnë Rusinë për pushtimin në shkallë të gjerë të Ukrainës më 2022.

Presidenti amerikan ka ritheksuar synimin e tij për të biseduar me Putinin në planin afatshkurtër, por pa përmendur një periudhë.

“Ne po bisedojmë me [udhëheqësin ukrainas, Volodymyr] Zelensky. Do të flasim me presidentin Putin shumë shpejt. Do ta shikojmë”.

Trump ka thënë më 20 janar se Zelensky i kishte thënë atij se dëshironte një marrëveshje për paqe për t’i dhënë fund luftës.

Duke iu referuar aleatit të ngushtë të Putinit, udhëheqësit kinez Xi, Trump ka thënë se e ka nxitur atë që të kontribuojë që t’i jepet fund luftës brutale.

“Ai nuk ka bërë shumë në këtë drejtim. Ai ka shumë… fuqi, sikurse ne që kemi shumë fuqi. I thashë: ‘Duhet ta zgjidhësh’. Ne diskutuam për të”, ka deklaruar Trump.

Presidenti amerikan ka thënë, po ashtu, se ekipi i tij po shikon mundësitë për dërgimin e armëve shtesë për Ukrainën.

Gjatë fushatës së tij për president, Trump ka folur ashpër kundër nivelit të ndihmave të mundësuara nga administrata e presidentit Joe Biden.

Megjithatë, Trump ka thënë, herë pas here, se është i hapur ndaj idesë së një programi kreditor, sipas të cilit Ukraina do të paguante SHBA-në për dërgesat e armëve.

Në deklaratat e tij të fundit, ai ka përsëritur edhe qëndrimin e tij se aleatët e tjerë duhet të rrisin shpenzimet e tyre për mbrojtjen e Ukrainës, duke i bërë thirrje Bashkimit Evropian që të “barazojë” ndihmat me ato të ofruara nga SHBA-ja.

Komentet e Trumpit u bënë në ditën e dytë të mandatit të tij të ri në Shtëpinë e Bardhë, dhe përfaqësojnë ditën e dytë rresht në të cilën ai është dukur t’i bëjë trysni Putinit – të cilin ai shpesh e ka lavdëruar – për të ecur përpara drejt negociatave për paqe.

Gjatë fushatës zgjedhore, Trump ishte zotuar se do t’i jepte fund luftës brenda 24 orëve pas marrjes së pushtetit. Ai është tërhequr nga këto deklarata javëve të fundit, por është zotuar se do t’i japë shpejt fund luftës.

Shumë analistë kanë thënë se do të jetë e vështirë që lufta në Ukrainë të përfundojë në të ardhmen e afërt, sepse Putin beson se është duke fituar dhe nuk është i interesuar t’i ndërpresë luftimet, pavarësisht humbjeve të mëdha që po pëson Rusia.

Një natë më parë, presidenti amerikan ka thënë se Putin “po e shkatërron” Rusinë duke refuzuar arritjen e një marrëveshjeje për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.

Këshilltari për politikë të jashtme i Rusisë, Yury Ushakov, u ka thënë gazetarëve se Moska “po i merr parasysh” komentet e Trumpit, por nuk ka pranuar të japë hollësi, teksa ka shtuar se Kremlini po pret “propozime konkrete që do të përbënin bazë për kontakte”.

Sanksionet e vëna tashmë nga Shtetet e Bashkuara dhe nga BE-ja e kanë sakatuar ekonominë ruse. Rusia, po ashtu, ka djegur qindra miliarda dollarë për luftën, ka humbur rreth 700.000 ushtarë dhe i ka frikësuar fqinjët e saj, përderisa ka sakrifikuar tregun fitimprurës evropian të gazit dhe qasjen në tregjet financiare perëndimore, teksa rublës i ka rënë vlera. REL

Trumpi: Putini “po shkatërron Rusinë” duke mos arritur një marrëveshje për përfundimin e luftës me Kievin

Presidenti i Shteteve të Bashkuara Donald Trump flet me gazetarë në Zyren Ovale të Shtëpisë së Bardhë, më 20 janar, 2025/AP

 

VOA

Presidenti i Shteteve të Bashkuara Donald Trump thotë se duke mos negociuar një përfundim të luftës së saj me Ukrainën, Presidenti rus Vladimir Putin po “shkatërron Rusinë”.

“(Presidenti ukrainas Volodymyr) Zelenskyy më tha që ai do që të arrijë një marrëveshje”, u tha Presidenti Trump gazetarëve të hënën në Zyrën Ovale, pas inaugurimit të tij si presidenti i 47-të i Shteteve të Bashkuara. “Nuk di nëse Putini e do një gjë të tillë. Ndoshta nuk do, nuk e di. Ai duhet të bëjë një marrëveshje. Mendoj se po shkatërron Rusinë duke mos bërë një marrëveshje”.

“Mendoj se Rusia do të ketë probleme të mëdha”, shtoi Presidenti Trump. “Shikojeni ekonominë, shikojeni inflacionin në Rusi… Unë merresha vesh me të dhe shpresoj që ai do që të bëjë një marrëveshje”.

Presidenti i rizgjedhur i Shteteve të Bashkuara gjithashtu tha se ai dëshiron ta takojë së shpejti Presidentin rus Putin, por se një datë për takimin nuk është përcaktuar ende.

Vetëm disa orë para ceremonisë së inaugurimit të zotit Trump të hënën, zoti Putin i tha Këshillit të Sigurisë së Rusisë përmes një fjalimi të transmetuar në televizion se ai është i hapur për bisedime me administratën e re amerikane rreth luftës në Ukrainë dhe armëve bërthamore.

“Po i shohim deklaratat e Presidentit të sapo zgjedhur të Shteteve të Bashkuara dhe pjesëtarëve të kabinetit të tij lidhur me vullnetin e tyre që të vendosin kontakte të drejtpërdrejta me Rusinë”, tha zoti Putin, sipas agjencisë së lajmeve Reuters.

“Gjithashtu po e dëgjojmë deklaratën e tij për nevojën që të bëjmë çdo gjë që është e mundur për të parandaluar Luftën e Tretë Botërore. Ne natyrisht e mirëpresim këtë qëndrim dhe e përgëzojmë presidentin e zgjedhur të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për fillimin e mandatit”, shtoi ai.

Trumpi pezullon për 90 ditë ndihmat ndërkombëtare: Çfarë dihet deri tani?

Presidenti i SHBA-së, Donald Trumpi, duke treguar një urdhër ekzekutiv pas inaugurimit si president në Uashington, më 20 janar 2025.

 

Radio Evropa e Lirë

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, nënshkroi një urdhër ekzekutiv të hënën, i cili pezullon përkohësisht të gjitha programet e ndihmës ndërkombëtare të SHBA-së për 90 ditë, derisa të shqyrtohen nëse ato janë në përputhje me objektivat e tij politike.

Ende nuk është e qartë se si do të ndikojë ky vendim te programet aktuale të SHBA-së për ndihma, pasi financimi për shumë programe tashmë është miratuar nga Kongresi amerikan dhe duhet të shpenzohet, nëse nuk është shpenzuar ende.

Radio Evropa e Lirë ka pyetur Ambasadën e SHBA-së dhe Agjencinë e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID), nëse ky vendim do të ndikojë në ndonjë mënyrë në ndihmat e parapara për Kosovën, por deri më tani, nuk ka marrë përgjigje.

Në uebfaqen e USAID-it thuhet se, që nga viti 1999, mbi një miliard dollarë janë shpenzuar për zhvillimin e Kosovës.

Në tetor të vitit të kaluar, USAID-i shënoi 25-vjetorin e themelimit në Kosovë, ku ka zhvilluar programe për luftën kundër korrupsionit, sundimin e ligjit dhe qeverisjen e mirë, luftën kundër dezinformimit dhe avokimin e mediave të pavarura, forcimin e shoqërisë civile dhe demokracisë, zhvillimin ekonomik dhe tërheqjen e investimeve të huaja.

Në gusht të vitit 2024, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e nënshkroi një grant me USAID-in, i cili ofronte ndihmë shtesë për institucionet e Kosovës në vlerë prej 34.5 milionë dollarësh.

Granti ishte pjesë e marrëveshjes së arritur më parë në vlerë prej rreth 146 milionë dollarësh, që synonte ofrimin e shërbimeve më të mira për qytetarët, rritjen e përgjegjësisë së institucioneve dhe menaxhimin më efikas.

Aktualisht, USAID-i në Kosovë është duke financuar një mori aktivitetesh. Ndër to janë:

  • ndihma mbi 12 milionë dollarëshe për mbështetjen e reformave legjislative dhe ngritjen e Gjykatës Komerciale;
  • ndihma 15 milionë dollarëshe për të përmirësuar gjithëpërfshirjen dhe llogaridhënien në qeverisje;
  • ndihma mbi 13 milionë dollarëshe për të adresuar sfidat e korrupsionit dhe qeverisjes së mirë në komuna;
  • ndihma gati 12 milionë dollarëshe për përmirësimin e pavarësisë së gjyqësorit dhe prioritizmit të nevojave të qytetarëve gjatë proceseve gjyqësore;
  • ndihma mbi 16 milionë dollarëshe për të promovuar konkurrencën e mirë në tregjet vendore dhe ndërkombëtare;
  • ndihma mbi 13 milionë dollarëshe për pjesëmarrjen e qytetarëve në qeverisjen lokale;
  • ndihma gati 12 milionë dollarëshe për të rritur kapacitetet institucionale për zhvillimin e tregut të energjisë.

Ndihmat e tilla kanë vazhduar edhe gjatë periudhës kur SHBA-ja dhe BE-ja kanë kritikuar Qeverinë e Kosovës për vendime që kryesisht kanë të bëjnë me jetesën e serbëve në katër komunat me shumicë serbe në veriun e Kosovës, si heqja nga përdorimi e dinarit serb, shpronësimi në veri të Kosovës për ndërtimin e bazave policore, mbyllja e institucioneve paralele që funksionojnë sipas sistemit serb, etj.

Ndihmësadministratorja në Byronë për Evropë dhe Euroazi në USAID, Erin Elizabeth McKee – pjesë e administratës së ish-presidentit amerikan, Joe Bien – kishte thënë gjatë vizitës së saj në Kosovë vitin e kaluar se fokusi i USAID-it në të ardhmen do të jetë mbështetja e realizimit të reformave në kuadër të Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor.

“Kjo është një mundësi reale për të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor që të ecin përpara në anëtarësimin në BE dhe të jenë në gjendje jo vetëm t’i kalojnë reformat, por t’i zbatojnë ato në një mënyrë kuptimplote”, kishte thënë ajo për Radion Evropa e Lirë.

Por, urdhri, ndër shumë të tjerë që Trumpi nënshkroi në ditën e tij të parë pas kthimit në detyrë, tha se “industria dhe burokracia e ndihmës ndërkombëtare nuk janë në përputhje me interesat amerikane dhe në shumë raste janë të kundërta me vlerat amerikane”.

Tutje, aty thuhet se këto ndihma “shërbejnë për të destabilizuar paqen botërore duke promovuar ide në shtetet e huaja që janë drejtpërdrejt të kundërta me marrëdhëniet harmonike dhe stabile brenda dhe midis shteteve”.

Si pasojë, Trump shpalli se “nuk do të shpërndahen më ndihma ndërkombëtare nga Shtetet e Bashkuara në një mënyrë që nuk është plotësisht në përputhje me politikën e jashtme të presidentit të Shteteve të Bashkuara”.

Javën e kaluar, sekretari i ri amerikan i Shtetit, Marco Rubio, iu tha anëtarëve të Komitetit të Marrëdhënieve të Jashtme të Senatit se “çdo dollar që shpenzojmë, çdo program që financojmë dhe çdo politikë që ndjekim, duhet të justifikohet me përgjigjen ndaj tri pyetjeve të thjeshta”.

“A e bën Amerikën më të sigurt? A e bën Amerikën më të fuqishme? A e bën Amerikën më të pasur?”, tha ai.

Urdhri i nënshkruar nga Trumpi e lë në dorë të Rubios ose përfaqësuesit të tij për të përcaktuar se nëse një ndihmë është në përputhje me politikat apo jo, në konsultim me Zyrën e Menaxhimit dhe Buxhetit.

Departamenti i Shtetit dhe Agjencia Amerikane për Ndihmën Ndërkombëtare janë agjencitë kryesore që mbikëqyrin ndihmën ndërkombëtare.

Trump ka kritikuar prej kohësh ndihmën ndërkombëtare, pavarësisht faktit se ndihma e tillë zakonisht përbën rreth 1 për qind të buxhetit federal, përveç rrethanave të jashtëzakonshme siç janë miliardat e armatimeve të dhëna Ukrainës.

Trump ka qenë kritik ndaj shumës së dërguar në Ukrainë për të ndihmuar në forcimin e mbrojtjes së saj kundër pushtimit të Rusisë.

Llogaritja e fundit zyrtare e ndihmës ndërkombëtare në administratën e Bidenit tregon se 68 miliardë dollarë janë angazhuar për programe jashtë shtetit që shtrihen nga ndihmat për katastrofa deri te shëndeti dhe iniciativa pro demokracisë në 204 shtete dhe rajone.

Disa nga marrësit më të mëdhenj të ndihmës amerikane, Izraeli me 3.3 miliardë dollarë në vit, Egjipti me 1.5 miliard dollarë në vit dhe Jordania me 1.7 miliard në vit besohet se do të shohin ulje dramatike në financim, pasi këto shuma janë të përfshira në pako afatgjata që datojnë nga dekada më parë dhe në disa raste janë të rregulluara nga obligime traktatesh.

Financimi për agjencitë e OKB-së, përfshirë agjencitë për ruajtjen e paqes, të drejtat e njeriut dhe refugjatët, kanë qenë tradicionalisht shënjestra për administratat republikane. Administrata e parë e Trumpit e nisi reduktimin e shpenzimeve për ndihmën ndërkombëtare, duke pezulluar pagesat për disa agjenci të OKB-së, përfshirë Fondin e Popullsisë të OKB-së dhe financimin për Autoritetin Palestinez.

Presidenti Trump shpalos vizionin në ditën e parë të mandatit të dytë

VOA Anita Powell

Presidenti Donald Trump u kthye në Shtëpinë e Bardhë të hënën, duke njoftuar veprime të shumta ekzekutive për çështjet kryesore si emigracioni dhe energjetika. Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës Anita Powell Presidenti Trump, në fjalimin e tij të parë si President, premtoi gjithashtu se do të zgjerojë territorin e Shteteve të Bashkuara, siç tha ai, deri në Mars.

Në ditën e parë të mandatit të dytë, Presidenti Donald Trump shpalosi vizionin për një Amerikë më të guximshme dhe më të madhe.

“Shtetet e Bashkuara do të bëhen sërish një komb që rrit pasurinë, zgjeron territorin, ndërton qytete, rrit pritshmëritë tona dhe mbart flamurin tonë në horizonte të reja dhe të bukura. Ne do të ndjekim fatin tonë deri në hapësirë, duke dërguar astronautët amerikanë për të vendosur flamurin tonë në planetin Mars”, tha Presidenti Trump.

Më pas ai filloi punën duke nënshkruar një mori urdhrash ekzekutivë. Ai tha se ato përfshijnë shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme në kufirin jugor, gjë që mundëson dërgimin e trupave në kufi dhe shpalljen e energjetikës si urgjencë kombëtare. Kjo mundëson rritjen e shpimeve në tokë për të nxjerrë më shumë naftë. Ai gjithashtu deklaroi se ka vetëm dy gjini, mashkull ose femër, dhe tha se do të urdhëronte që Gjiri i Meksikës të riemërohej si Gjiri i Amerikës.

Historianët thonë se Presidenti Trump përdori fjalimin që tradicionalisht ka qëllim të bashkojë vendin për të portretizuar një të ardhme me të cilën shumë amerikanë mund të mos pajtohen.

“Fjalimi ishte më pak një fjalim inaugurues dhe më shumë një fjalim që mbahet në Kongres për gjendjen në vend. Ai renditi një sërë idesh e projektesh, nga deportimi i emigrantëve, deri te rimarrja e kontrollit mbi Kanalin e Panamasë. Fjalimi ishte një përzierje e zemërimit, gënjeshtrave dhe termave bullizues. Kjo nuk është diçka që kemi dëgjuar më parë nga fjalimet inauguruese”, thotë për Zërin e Amerikës profesor Jeremi Suri nga Universiteti i Teksasit në Austin.

Mijëra mbështetës të Presidentit Trump erdhën në Uashington nga i gjithë vendi duke thënë se politikat e tij kanë rëndësi për ta.

“Ai po rikthen gjykimin e shëndoshë në vend. Shumë njerëz mendojnë se ne jemi shumica e heshtur dhe kjo do të na japë mundësinë të flasim me zë të lartë dhe të mos kemi frikë të themi të vërtetën dhe të flasim me logjikë të shëndoshë”, thotë Melanie Voll, banore Cleveland.

Menjëherë pas inaugurimit, Presidenti Trump foli me një grup më të vogël mbështetësish në Kapitol dhe përsëriti pretendimet se zgjedhjet e vitit 2020 ishin “plotësisht të manipuluara”, një pretendim për të cilin nuk ka prova.

“Mendoj se ky ishte një fjalim më i mirë se sa ai që mbajta më parë, apo jo? Unë mendoj se ky është më i mirë”, tha Presidenti Trump.

Disa nga mbështetësit e fuqishëm të Presidentit Trump shprehën gëzimin e tyre.

“Kështu duket një fitore e vërtetë”, tha miliarderi Elon Musk.

Zoti Musk ishte njëri nga miliarderët që morën pjesë në ceremoninë e inaugurimit. Organizatat që merren me mbrojtjen e konsumatorëve po japin alarmin për disa nga lëvizjet më të heshtura të presidentit të ri, që synojnë të zbusin disa rregullore. Ata thonë se nga këto vendime do të përfitojnë kompanitë e miliarderëve.

“Administrata e ardhshme e Trumpit dëshiron të pezullojë një sërë rregullash dhe të heqë një sërë masash mbrojtëse për publikun, me kërkesë të atyre që janë më të pasurit mes nesh, për shkak të interesave të veçanta të korporatave. Ata përfitojnë kur ne nuk kemi masa mbrojtëse”, thotë Lisa Gilbert, presidente e organizatës joqeveritare ‘Public Citizen’.

Historianët dhe analistët thonë se nuk është e qartë se sa nga veprimet e ditës së parë të Presidentit Trump, të cilat zyrtarët thonë se janë mbi 100, do të funksionojnë kur të sfidohen ligjërisht. Për këtë përgjigje, thonë ata, duhet pritur.

Trumpi merr detyrën dhe zotohet se do të jetë “paqebërës”

Ray Furlong

Donald Trumpi u betua si presidenti i 47-të i Shteteve të Bashkuara, duke u zotuar se do të jetë një “paqebërës”.

“Ne do ta matim suksesin tonë jo vetëm me betejat që i fitojmë, por edhe me luftërat që ne i përfundojmë dhe – ndoshta më e rëndësishmja – me luftërat në të cilat nuk do të hyjmë kurrë”, tha Trump.

Deklaratat e tij ngjallin shpresë e frikë në zonat më të mëdha të konflikteve në botë.

Për ukrainasit, të pushtuar nga Rusia për gati tre vjet, paqja është shumë e dëshiruar.

Po kështu edhe në Lindjen e Mesme ka shumë njerëz që shpresojnë për një fund të konfliktit.

Megjithatë, Trump nuk dha asnjë detaj se si do të arrihet dhe ruhet paqja.

Duke e uruar Trumpin përmes një postimi në rrjetet sociale, presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, tha se “paqja përmes politikës së forcës”, është një shans “për të forcuar udhëheqjen amerikane dhe për të arritur një paqe afatgjate dhe të drejtë, që është prioriteti kryesor”.

Kështu do të dëshironte Zelensky që ta cilësonte Trumpin si paqebërës: duke i mundësuar Ukrainës të hynte në bisedime nga një pozicion i fuqishëm, me ndihmën e ofruar nga SHBA-ja.

Por, gjatë fjalimit të tij pas betimit, Trump e kritikoi administratën e mëparshme për “financime të pakufizuara për mbrojtjen e kufijve të huaj”.

Në Ukrainë ka shqetësime se rikthimi i Trumpit mund ta dobësojë atë, duke mos i dhënë mbështetje ushtarake, dhe ta detyrojë të bëjë paqe me kushte të pafavorshme.

“Të gjithë janë shumë të lodhur nga [lufta], por nuk pres që ai të jetë një magjistar dhe ta shndërrojë të gjithën në përrallë”, i tha Radios Evropa e Lirë një grua në Zaporizhja të Ukrainës, disa orë para inaugurimit të Trumpit.

Komentet e presidentit rus, Vladimir Putin, e nënvizuan edhe më shumë këtë frikë.

Duke folur në një takim të Këshillit të Sigurisë Kombëtare, Putin tha se është i hapur për dialog me administratën e re të SHBA-së për përfundimin e konfliktit në Ukrainë, duke u bazuar në një “paqe të qëndrueshme”.

Këto fjalë tingëllojnë si boshe në Ukrainë, pasi ai ende ka nën kontroll zona të mëdha të territorit ukrainas.

Në Lindjen e Mesme, kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, e përshëndeti inaugurimin e Trumpit, duke thënë se “ne do t’i japim fund terrorit të Iranit”.

Deklarata e Trumpit se do të jetë një paqebërës, u shoqërua edhe me një referencë për luftën në Gazë.

“Kam kënaqësinë të them se nga dje – një ditë para se ta merrja detyrën – pengjet në Lindjen e Mesme po ktheheshin në shtëpi, te familjet e tyre”, tha Trump.

Ai iu referua kështu fazës së parë të një marrëveshjeje armëpushimi mes Izraelit dhe Hamasit – organizatë e shpallur terroriste nga SHBA-ja dhe fuqi të tjera.

Dy palët ishin në luftime të ashpra për më shumë se 15 muaj.

Është e paqartë nëse marrëveshja do të mbahet.

Gjithashtu, është e paqartë se si administrata e re amerikane do t’u qaset bisedimeve të mëtejshme të planifikuara.

Për këtë, ashtu si edhe për Ukrainën, Trump nuk dha ndonjë detaj.

Por, ky ishte një fjalim inaugurues dhe jo një deklaratë politike.

Ditët dhe javët në vazhdim mund t’i qartësojnë gjërat.

Radio Evropa e Lirë

Përgatiti: Valona Tela

Marco Rubio konfirmohet nga Senati si Sekretar i Shtetit

VOA Marrë nga Associated Press

Senati konfirmoi shpejt ish senatorin Marco Rubio si Sekretar të Shtetit të hënën me një votim unanim, duke i dhënë Presidentit Donald Trump anëtarin e parë të kabinetit të tij të ri në ditën e inaugurimit.

Marco Rubio, ish senator republikan nga Florida, është ndër kandidatët më pak të debatueshëm të Presidentit Trump dhe votimi ishte vendimtar 99-0. I emëruari i Presidentit Trump për drejtor të CIA-s, John Ratcliffe pritet gjithashtu të miratohet me një votim të shpejtë.

Votimet për emërimet e tjera, duke përfshirë ish veteranin e luftës dhe ish drejtuesin e një emisioni lajmesh në Fox News, Pete Hegseth për postin e Sekretarit të Mbrojtjes, pritet të bëhen më vonë gjatë javës.

“Marco Rubio është një njeri shumë inteligjent me njohuri të jashtëzakonshme të politikës së jashtme amerikane”, tha Senatori republikan Chuck Grassley në hapje të votimit në Senat.

Shpesh është traditë që Senati të mblidhet menjëherë pas ceremonisë së inaugurimit për të filluar me miratimin e anëtarëve të kabinetit të presidentit të ri, veçanërisht të zyrtarëve të sigurisë kombëtare. Gjatë mandatit të parë të Presidentit Trump, Senati konfirmoi me shpejtësi kandidatët e tij për Sekretar të Mbrojtjes dhe Sekretar të Departamentit të Sigurisë Kombëtare në ditën e tij të parë në detyrë.

I emëruari i ish Presidentit Joe Biden për drejtor të inteligjencës kombëtare u konfirmua në ditën e tij të inaugurimit.

Me kthimin e Presidentit Trump në Shtëpinë e Bardhë dhe kontrollin e Kongresit nga Partia e tij Republikane, anëtarët e tij të kabinetit pritet të miratohen pa vështirësi të mëdha, pavarësisht skepticizmit fillestar dhe kundërshtimit nga ligjvënës nga të dyja partitë.

JD Vance betohet si Zëvendës President i Shteteve të Bashkuara të Amerikës

JD Vance është betuar në ambientet e Kapitolit në Uashington për marrjen e detyrës si zëvendës President i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Vance do të shërbejë si zëvendësi i Donald Trump, i cili do të jetë presidenti i 47-të i Shteteve të Bashkuara.

Dyshja Trump dhe Vance siguruan mandatin e ardhshëm në krye të Shtëpisë së Bardhë pas fitores së zgjedhjeve presidenciale kundër demokratëve të kryesuar nga kandidatja Kamala Harris, paraardhësja e Vance në detyrën e re. bw

Trumpi dhe Bideni arrijnë në Kongres

Valona Tela
  • Donald Trump betohet sot si president i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
  • Këtë post, ai e mbajti edhe nga viti 2017 deri më 2021.
  • Zëvendësi i Trumpit, JD Vance, betohet gjithashtu.

Trump dhe Biden tashmë në ndërtesën e Kongresit

Presidenti i zgjedhur amerikan, Donald Trump, bashkë me presidentin në largim, Joe Biden, arritën në ndërtesën e Kongresit amerikan, ku do të zhvillohet ceremonia e inaugurimit të Trumpit.

Dy liderët u takuan paraprakisht në Shtëpinë e Bardhë dhe pinë çaj.

Presidenti i ri do të betohet në orën 17:47, sipas kohës në Kosovë.

Kjo orë është zgjedhur pasi që Trump do të bëhet presidenti i 47-të i Shteteve të Bashkuara.

Për shkak të motit të ftohtë, ceremonia e inaugurimit mbahet brenda dhe jo para ndërtesës së Kongresit, siç ndodh zakonisht.

Biden lë përfundimisht Shtëpinë e Bardhë

Presidenti i 46-të i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, la përfundimisht Shtëpinë e Bardhë, duke u nisur bashkë me presidentin e zgjedhur, Donald Trump, drejt Kongresit, ku do të zhvillohet ceremonia e inaugurimit të Trumpit.

Biden shërbeu në këtë post një mandat katërvjeçar.

CNN raporton se Biden i la një letër Trumpit në Zyrën Ovale.

Presidenti i 46-të i SHBA-së, Joe Biden.

Presidenti i 46-të i SHBA-së, Joe Biden.

Trump dhe Biden udhëtojnë bashkë drejt Kongresit

Presidenti i zgjedhur amerikan, Donald Trump, dhe presidenti në largim, Joe Biden, u nisën drejt ndërtesës së Kongresit amerikan, ku do të zhvillohet ceremonia e inaugurimit të Trumpit.

Sipas traditës, Trump dhe gruaja e tij, Melania, u pritën fillimisht në Shtëpinë e Bardhë nga Biden dhe gruaja e tij, Jill, për të pirë çaj.

Masa të shtuara sigurie para ndërtesës së Kongresit amerikan.

Masa të shtuara sigurie para ndërtesës së Kongresit amerikan.

Si do t’i qaset administrata e re Trump Kosovës?

Vëzhguesit e zhvillimeve politike janë të rezervuar kur flasin për qasjen që pritet ta ketë Trump ndaj Kosovës gjatë katër vjetëve të ardhshëm.

Kosova, aktualisht, është në mes të fushatës për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit; marrëdhëniet e tensionuara me Serbinë nuk kanë shënuar ndonjë përmirësim, e ngjashëm ka ngecur edhe avancimi i Kosovës drejt anëtarësimit në strukturat euroatlantike.

Ish-diplomati amerikan, Cameron Munter, tha në një intervistë të mëhershme për Radion Evropa e Lirë se rikthimi i Trumpit në Shtëpinë e Bardhë, do të imponojë patjetër ndryshim të strategjisë në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, pasi, sipas tij, Trump do marrëveshje.

Në përfundim të mandatit, Joe Biden bën faljet e fundit për të parandaluar “hakmarrjen” nga pasardhësi i tij

VOA Marrë nga Associated Press

Disa orë para përfundimit të mandatit të tij, Presidenti Joe Biden fali Dr. Anthony Faucin, gjeneralin në pension Mark Milley dhe anëtarët e Komisionit të Dhomës së Përfaqësuesve që hetoi sulmin e 6 janarit në Kapitol, duke përdorur fuqitë e jashtëzakonshme të postit për t’i mbrojtur ata nga “hakmarrja e mundshme” e administratës së ardhshme të Donald Trumpit.

Vendimi i zotit Biden vjen pasi Donald Trumpi paralajmëroi për një listë armiqsh me emra të atyre që e kanë sfiduar politikisht, ose kanë ndërmarrë hapa për ta mbajtur përgjegjës për përpjekjen e tij për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve të vitit 2020 dhe rolin e tij në sulmin ndaj Kapitolit të SHBA më 6 janar, 2021.

“Shpallja e këtyre faljeve nuk duhet të shihet si një pohim se këta individë kanë kryer ndonjë shkelje, dhe as nuk duhet të keqinterpretohet si pranim fajësie për ndonjë vepër penale”, tha zoti Biden në një deklaratë.

“Vendi ynë u detyrohet këtyre nëpunësve publikë një borxh mirënjohjeje për angazhimin e tyre të palodhur ndaj vendit tonë”, tha ai.

Faljet, të shpallura ndërsa kanë mbetur vetëm disa orë në presidencën e zotit Biden, kanë qenë temë e një debati të nxehtë prej muajsh në nivelet më të larta të Shtëpisë së Bardhë.

Është e zakonshme që një president të lëshojë falje në fund të mandatit të tij, por amistia zakonisht u ofrohet amerikanëve që janë dënuar për krime. Zoti Biden po e përdor këtë kompetencë në mënyrën më të gjerë dhe më të paprovuar të mundshme: për të falur ata që nuk janë hetuar ende. Vendimi hedh bazat për një përdorim edhe më të gjerë të faljeve nga zoti Trump dhe presidentët e ardhshëm.

Ndërsa Gjykata e Lartë vendosi vitin e kaluar se presidenti gëzon imunitet të gjerë nga ndjekja penale për ato që mund të konsiderohen akte zyrtare, këshilltarët dhe aleatët e presidentit nuk gëzojnë një mbrojtje të tillë.

Ekziston frika se Trump ose presidentët e ardhshëm mund të përdorin premtimin për një falje të plotë për të inkurajuar aleatët që të ndërmarrin veprime të cilave mund t’u rezistonin nga frika e pasojave nëse shkelnin ligjin.

“Këto janë rrethana të jashtëzakonshme dhe nuk më lejon ndërgjegjia të mos veproj,” tha zoti Biden, duke shtuar se “Edhe kur individët nuk kanë bërë asgjë të gabuar – dhe madje kanë bërë gjënë e duhur – dhe në fund e vërteta do të dalë, thjesht fakti i të qenit nën hetim ose ndjekja penale mund të dëmtojë në mënyrë të pariparueshme reputacionin dhe financat e dikujt.”

Dr. Fauci ishte drejtor i Institutit Kombëtar të Alergjisë dhe Sëmundjeve Infektive në Institutin Kombëtar të Shëndetit për gati 40 vjet, përfshirë gjatë mandatit të zotit Trump dhe më vonë shërbeu si këshilltar kryesor i zotit Biden për shëndetësinë deri kur doli në pension në 2022.

Ai ndihmoi në koordinimin e përgjigjes së vendit ndaj pandemisë COVID-19 dhe nxiti zemërimin e zotit Trump kur kundërshtoi këshillat e paprovuara shkencërisht të shëndetit publik të zotit Trump.

Zoti Fauci që atëherë është vënë në shënjestër të urrejtjes nga njerëzit e së djathtës, të cilët e fajësojnë atë për urdhrat përm përdorimin e maskave dhe politika të tjera që ata besojnë se shkelnin të drejtat e tyre, edhe pse qindra mijëra njerëz po vdisnin.

Mark Milley është ish-kryetari i Shtatmadhorisë së ushtrisë. Ai më pas e quajti zotin Trump fashist dhe detajoi qëndrimet e zotit Trump lidhu me ngjarjet e 6 janarit 2021.

Ai tha se është mirënjohës ndaj zotit Bidenit për faljen, pasi nuk i duhet të shqetësohet më për “hakmarrjen”. Zoti Biden fali gjithashtu anëtarët dhe këshilltarët e komisionit të 6 janarit që hetoi sulmin, si dhe oficerët e policisë së Kapitolit dhe të kryeqytetit Uashington që dëshmuan para komisionit për përvojat e tyre atë ditë, kur një turmë e zemëruar dhe e dhunshme e mbështetësve të zotit Trump sulmoi Kapitolin.

Biden, një institucionalist, ka premtuar një tranzicion të qetë drejt administratës së ardhshme, duke ftuar zotin Trump në Shtëpinë e Bardhë. Megjithatë ai paralajmëroi gjatë fjalimit të tij lamtumirës për një oligarki në rritje. Ai ka paralajmëruar prej vitesh se kthimi i zotit Trump në Shtëpinë e Bardhë do të ishte një kërcënim për demokracinë. Vendimi i tij për të thyer normat politike me faljet paravepruese u mor për shkak të këtyre shqetësimeve.

Zoti Biden ka vendosur rekordin presidencial për numrin më të madh të faljeve, përfshirë faljen e djalit të tij Hunter.

Ai njoftoi të premten se do të zbusë dënimet e pothuajse 2,500 personave të dënuar për vepra jo të dhunshme të lidhura me drogën. Ai më parë njoftoi se po ua lehtësonte dënimet 37 nga 40 personave të dënuar me vdekje e, duke i kthyer dënimet e tyre në burgim të përjetshëm vetëm disa javë përpara se zoti Trump, një përkrahës i hapur i zgjerimit të dënimit me vdekje, të merrte detyrën.

Gerald Ford i dha një “falje të plotë dhe absolute” në vitin 1974 paraardhësit të tij, Richard Nixon, për skandalin Watergate.

Ai besonte se një gjyq i mundshëm do të “shkaktonte debat të zgjatur dhe përçarje” dhe se zoti Nixon e kishte paguar “me dënimin e paprecedentë të heqjes dorë nga posti më i lartë i Shteteve të Bashkuara”, siç shkruhet në shpalljen e faljes.

Donald Trumpi inaugurohet sërish në postin e presidentit amerikan

VOA

Donald Trumpi kthehet në presidencën amerikane të hënën me një ceremoni inaugurimi në Uashington, që do ta bëjë atë presidentin e parë i cili do të shërbejë në mandate jo të njëpasnjëshme që nga vitet 1890.

Miliona amerikanë pritet ta ndjekin në televizion ndërsa 78-vjeçari Donald Trump bën betimin për një mandat të ri katërvjeçar në Shtëpinë e Bardhë, ndërsa Presidenti Joe Biden, 82 vjeç, largohet nga presidenca pas një mandati të vetëm.

Ceremonia e inaugurimit do të jetë një ngjarje në një rreth më të ngushtë për shkak të motit të ftohtë, me rreth 600 pjesëmarrës që do të jenë dëshmitarë të ndryshimit të pushtetit brenda Kapitolit, në vend të ngjarjes tipike në mjedis të hapur për të cilën 250,000 veta kishin siguruar biletat.

Parakalimi tradicional i inaugurimit përgjatë rrugës Pensilvania nga Kapitoli në Shtëpinë e Bardhë është anuluar gjithashtu për shkak të motit. Zoti Trump pas betimit do të shfaqet më pak se tre kilometra larg Kapitolit në një pallat sporti dhe koncertesh me kapacitet prej 20,000 personash.

Zoti Trump u zotua të dielën vonë të “veprojë me shpejtësi dhe forcë historike dhe të zgjidhë çdo krizë me të cilën përballet vendi ynë”, ndërsa u foli mbështetësve të tij në Uashington.

“Nesër në mesditë, bie perdja mbi katër vitet e gjata të rënies amerikane dhe ne fillojmë një ditë krejt të re të fuqisë dhe begatisë amerikane”, tha zoti Trump.

Ai është zotuar të nënshkruajë një mori urdhrash ekzekutivë pas marrjes së detyrës, përfshirë ato që zhbëjnë politikat e administratës së Presidentit Biden. Ndër zotimet e tij të spikatura gjatë fushatës elektorale ishte ai për dënimet masive të atyre që ndodhen ilegalisht në vend.

Zoti Trump është zotuar gjithashtu se do të vendosë shpejt tarifa të larta ndaj partnerëve kryesorë tregtarë, përfshirë Kanadanë, Kinën dhe Meksikën.

Presidenti i zgjedhur thotë se ka në plan të falë shumë nga 1500 mbështetësit e tij që sulmuan ndërtesën e Kapitolit më 6 janar 2021, në përpjekje për të bllokuar Kongresin që të vërtetojë se zoti Biden fitoi zgjedhjet e vitit 2020. Zoti Trump i ka quajtur të arrestuarit dhe të dënuarit “patriotë” dhe “pengje” të përndjekur gabimisht.

Akuzat se republikani Donald Trump u përpoq të përmbyste në mënyrë të paligjshme rezultatin e zgjedhjeve të vitit 2020, u hoqën pas fitores së tij në zgjedhjet e vitit 2024, për shkak të një politike të Departamentit të Drejtësisë kundër ndjekjes penale të presidentëve në detyrë.

Zoti Trump u zotua për muaj të tërë t’i jap fund luftës së Rusisë kundër Ukrainës përpara se të marrë detyrën, por ditët e fundit ndihmësit e tij kanë thënë se synimi tani është të përpiqet të arrijë një armëpushim në 100 ditët e para të administratës së tij.

Trumpi zotohet përsëri se do t’i japë fund luftës në Ukrainë

Presidenti i zgjedhur i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, flet gjatë një tubimi në Uashington, 19 janar.

 

Presidenti i zgjedhur i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka thënë përsëri se do t’i bëjë Ukrainën dhe Rusinë t’i japin fund luftës gati trivjeçare.

Ai gjithashtu theksoi se do t’i kërkojë talibanëve t’ia kthejnë SHBA-së pajisjet e saj ushtarake në vlerë miliarda dollarë, të cilat ishin lënë pas në Afganistan në vitin 2021.

“Unë do t’i jap fund luftës në Ukrainë, do ta ndal këtë rrëmujë në Lindjen e Mesme dhe do ta parandaloj Luftën e Tretë Botërore”, tha Trump në palestrën Capital Arena në Uashington të dielën, një ditë para se ta bëjë betimin si president.

Ai nuk shpjegoi se si do t’i arrinte këto.

Analistët thonë se do të jetë e vështirë përfundimi i luftës në Ukrainë së shpejti, sepse presidenti rus Vladimir Putin beson se ai po fiton dhe nuk është i nxitur për ta ndalur luftën.

Gjatë këtij tubimi, Trumpi bëri një përmbledhje të synimeve që ai pretendon se do t’i përmbushë gjatë katër vjetëve të ardhshme brenda dhe jashtë vendit, duke përfshirë forcimin e ushtrisë.

Trump do të betohet si presidenti i 47-të më 20 janar, në mesditë. Ceremonia do të mbahet brenda ndërtesës së Kongresit për herë të parë pas 40 vjetësh, për shkak të motit acar

Gjatë fjalimit të tij, Trump pretendoi se Shtetet e Bashkuara po u japin talibanëve në Afganistan “miliarda dollarë në vit” dhe se ai do ta ndalojë këtë nëse grupi ekstremist nuk i kthen miliarda dollarë në pajisje amerikane.

“Dhe unë them, nëse do të paguajmë miliarda dollarë në vit, duhet t’u themi atyre se nuk do t’ua japim paratë nëse nuk na i kthejnë pajisjet tona ushtarake”, tha Trump.

Shtetet e Bashkuara lanë në Afganistan pajisje ushtarake të vlefshme rreth 7 miliardë dollarë, kur u tërhoqën në gusht të vitit 2021, pasi talibanët rimorën kontrollin e kryeqytetit, Kabul.

Rimarrja e pushtetit nga talibanët ka çuar në një rënie drastike ekonomike, ku më shumë se gjysma e afro 24 milionë banorëve të vendit kanë nevojë për ndihmë humanitare, si ushqim, sipas USAID-it, agjencisë amerikane për zhvillim.

Shtetet e Bashkuara ia kanë ndarë më shumë se 2.1 miliardë dollarë ndihmë humanitare Afganistanit që nga marrja e pushtetit nga talibanët, sipas USAID-it.

Që kur morën pushtetin, talibanët janë dënuar nga liderët perëndimorë, organizatat ndërkombëtare dhe aktivistët për shkelje të rënda të të drejtave të njeriut, veçanërisht kundër grave dhe vajzave.  REL

Trumpët kthehen në Shtëpinë e Bardhë, çfarë roli do të ketë secili anëtar i familjes

Melania, Eric, Donald Jr., Ivanka dhe Barron, e gjithë familja Trump do të kthehet në Shtëpinë e Bardhë të hënën pas inaugurimit të Donald Trump. Po çfarë roli do të ketë secili anëtar i familjes?

Edhe pse të afërmit e tij pritet të jenë më pak të përfshirë në këtë mandat të dytë të Trump, disa pritet të mbajnë një rol kyç si këshilltarë jozyrtarë të republikanit.

Gruaja e tretë e Trump, Melania, me të cilën ai u martua në vitin 2005, po kthehet si zonja e parë e SHBA. Ish-modelja 54-vjeçare do të banojë në Shtëpinë e Bardhë me ndërprerje, sipas CNN, siç bëri gjatë mandatit të parë të bashkëshortit të saj.

Tradicionalisht, zonjat e para të SHBA-së përfshihen në organizimin e darkave zyrtare dhe duke marrë përsipër të promovojnë çështjet sociale. Herën e parë që mori këtë rol, Melania Trump u përfshi në luftën kundër ngacmimeve në internet.

Djali i madh i presidentit amerikan, biznesmeni 47-vjeçar Don Jr ushtroi ndikim të madh te babai i tij për të zgjedhur J. D. Vance si zëvendëspresident.

Donald Trump Jr nuk pritet të marrë një rol zyrtar në Shtëpinë e Bardhë, por do të mbetet nënkryetar ekzekutiv i biznesit familjar, Organizata Trump.

Ivanka Trump u distancua nga politika në fund të mandatit të parë të babait të saj , pasi ishte një nga këshilltaret e tij kryesore.

“Unë e di koston e kësaj dhe nuk jam gati t’ua vë atë fëmijëve të mi,” tha së fundmi Ivanka, 43 vjeçe, nënë e tre fëmijëve.

Bashkëshorti i saj Jared Kushner ishte gjithashtu këshilltar i Trump në mandatin e tij të parë, duke u marrë kryesisht me liderët e vendeve të Gjirit gjatë periudhës kur SHBA po negocionte përfundimin e Marrëveshjes së Abrahamit për të normalizuar marrëdhëniet e saj me Izraelin.

Këtë herë, thekson CNN, Kushner nuk do të ketë një rol zyrtar, por do të jetë një këshilltar jozyrtar i Trump për çështjet e Lindjes së Mesme.

Eric Trump, 41 vjeç, më i riu nga fëmijët e Trump nga martesa e tij e parë, ishte nënkryetar i Organizatës Trump gjatë mandatit të parë të babait të tij, duke u shfaqur në mitingje dhe në televizion për ta mbrojtur atë. Ai pritet të mbajë të njëjtat role edhe në mandatin e dytë të Trump.

Bashkëshortja e tij, Lara Trump, e cila po përpiqet të bëjë karrierë si këngëtare, së fundmi dha dorëheqjen si nënkryetare e Partisë Republikane.

Një fëmijë i vetëm nga martesa e Trump me Marla Maples, Tiffany kishte bërë disa paraqitje publike në krah të babait të saj gjatë mandatit të tij të parë. 31-vjeçarja e diplomuar në drejtësi ka marrë pjesë në disa mitingje në vitin 2024, por planifikon të qëndrojë larg politikës, ndërkohë që sipas mediave amerikane, ajo është në pritje të një fëmije.

Gjatë mandatit të parë të Trump, nëna e tij Melania e mbrojti atë nga sytë e publikut, por tani 18-vjeçari Barron duket i gatshëm të fillojë rrugën e tij në politikë.

Një student në NYU në Nju Jork, fëmija më i vogël i Donald Trump ka qenë një pjesë e rëndësishme e strategjisë së republikanit për të tërhequr të rinjtë në 2024, duke përfshirë inkurajimin e tij për të intervistuar Andy Ross, një YouTuber i njohur.

Charles Kushner, babai i Jaredit, do të jetë ambasadori amerikan në Francë. Edhe pse u dënua për evazion fiskal dhe ryshfet për dëshmitarë, Trump e fali atë në vitin 2020.

Massoud Boulos, vjehrri i Tiffany Trump, do të jetë këshilltari i presidentit amerikan për Lindjen e Mesme. sn

Shtëpia e Bardhë, si realizohet zhvendosja e presidentëve brenda vetëm gjashtë orëve

VOA Dora Mekouar

Kur Donald Trumpi të betohet si presidenti i 47-të i vendit, në Shtëpinë e Bardhë do të ndodhin një seri gjërash në prapaskenë. Për rreth gjashtë orë, sendet personale të Presidentit në largim Joe Biden dhe familjes së tij do të hiqen nga rezidenca ekzekutive. Ndërkohë, siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës, Dora Mekouar, rezidenca private do të shndërrohet në shtëpinë e presidentit të sapobetuar.

Në momentin që Joe Biden largohet nga Zyra Ovale për herë të fundit – zakonisht në mëngjesin e ditës së inaugurimit – punonjësit e Shtëpisë së Bardhë hidhen në veprim. Zyra e mirënjohur duhet të riorganizohet, sipas shijeve të presidentit të ardhshëm.

Si u pëlqen që të jetë e pajisur Zyra Ovale? Çfarë tapeti? Çfarë perdesh, çfarë tavoline, etj, sepse kjo është zona e parë që përgatitet“, thotë Angella Reid, ish-punonjëse në Shtëpinë e Bardhë.

Fotot tregojnë se Presidenti Biden ndryshoi tapetin dhe disa karrige në vitin 2017, pasi mori drejtimin nga Donald Trump-i – që është pararendësi dhe pasardhësi i tij.

Por duket se kolltukët dhe perdet kanë mbetur të njëjtat.

Familja e presidentit jeton në katin e dytë dhe të tretë të Shtëpisë së Bardhë.

Përpara ditës së zhvendosjes, presidenti i ardhshëm dhe zonja e parë përzgjedhin mobiljet dhe veprat e artit që dëshirojnë nga koleksioni i Shtëpisë së Bardhë. Në kohën kur presidenti i ri mbërrin në shtëpi në Ditën e Inaugurimit, i gjen të vendosura mobiljet, së bashku me fotot personale.

Kur hyjnë presidenti i ri dhe zonja e parë, ata gjejnë shampon e tyre të preferuar në dush. Kanë furçën e dhëmbëve, pastën e dhëmbëve, rrobat e tyre të varura në dollap“, thotë Kate Andersen Brower, autore e librit “Rezidenca” (“The Residence”).

Gjithçka ndodh në më pak se gjashtë orë dhe për këtë angazhohen rreth njëqind punonjës të Shtëpisë së Bardhë.

Nuk realizohet nga profesionistë të ndonjë firme private. Është personeli i rezidencës që e bën këtë. Pra ndihmojnë të gjithë dhe këta nuk janë njerëz që janë të trajnuar për zhvendosjen. Nuk punësohen profesionistë për shkak të shqetësimeve të sigurisë“, thotë zonja Brower.

Shumë nga personeli i rezidencës së Shtëpisë së Bardhë punuan për Donald Trump-in gjatë mandatit të tij të parë nga janari 2017 deri në janar 2021.

Pra, punonjësve vërtet u pëlqente Donald Trump-i, sepse ai është mësuar të ketë njerëz përreth që i shërbejnë // dhe, ai madje u jepte bakshish në para të thata, me kartëmonedha 20-ëshe dhe 50-ëshe dhe ata e vlerësojnë këtë. Ata nuk janë persona politikë. U intereson vetëm se si i trajton presidenti”, thotë zonja Brower.

Presidenti Barack Obama e punësoi zonjën Angella Reid si drejtuese për shërbimet në Shtëpinë e Bardhë në vitin 2011. Ajo mbikëqyri ditën e zhvendosjes në janar 2017, kur u largua familja Obama dhe hyri familja Trump.

Përdornim termin ‘kaos i organizuar’, por në të vërtetë është një operacion shumë i koordinuar. // Bëhen prova disa herë për atë ditë; të gjithë mezi presin të vijë momenti“, tregon zonja Reid.

Kishte disa probleme, si për shembull mund të përdorej vetëm një ashensor.

Ashensori nuk përdorej në maksimum. E korrigjova këtë dhe fituam një orë kohë. Kishte raste për shembull kur dysheku i caktuar për ndonjë dhomë nuk ishte në madhësinë e duhur“, thotë zonja Reid.

Por sfida kryesore është gjithmonë kufizimi kohor. Dhe ka vetëm rreth gjashtë orë për të bërë gjithçka gati, për ta mirëpritur familjen e re presidenciale në shtëpinë e tyre të re.

Presidenti i zgjedhur Trump premton plotësimin e zotimeve të tij një ditë para inaugurimit

VOA Marrë nga Reuters

Donald Trumpi tha të dielën në mbrëmje përpara përkrahësve të tij në Uashington një ditë përpara se të kthehet në Shtëpinë e Bardhë se do të vendosë kufizime të rrepta për emigracionin në ditën e tij të parë në detyrë, duke premtuar se do të përmbushë me shpejtësi premtimin kryesor të fushatës së tij.

“Nesër në perëndim të diellit, pushtimi i vendit tonë do të ketë marrë fund,” tha ai mes brohoritjeve të përkrahësve të tij në pallatin e sporteve dhe koncerteve “Capital One”.

Presidenti i zgjedhur Trump përsëriti zotimin e tij të fushatës për të ndërmarrë përpjekjen më të madhe të dëbimit në historinë e Shtetevr të Bashkuara.

Ishte fjalimi i tij i parë madhor në Uashington që nga fjalimi i tij më 6 janar 2021, para sulmit në Kapitol nga një turmë mbështetësish të tij.

Mijëra mbështetës të Presidentit të zgjedhur pritën në të ftohtë dhe shi për orë të tëra, për të marrë pjesë në tubimin e tij të fitores.

Zoti Trump ka thënë se do të falë shumë nga mbi 1500 personat e dënuar ose të akuzuar në lidhje me sulmin. Tubimi i së dielës i zotit Trump, së bashku me fjalimin e tij inaugurues të hënën, mund të përcaktojë tonin e mandatit të tij të dytë në Shtëpinë e Bardhë.

Një burim me dijeni për planet e tij tha se siguria kufitare do të zërë një vend të rëndësishëm në urdhrat e parë ekzekutivë të zotit Trump të hënën, të cilat ka të ngjarë të përfshijnë klasifikimin e karteleve të drogës si “organizata të huaja terroriste”, si edhe shpalljen e një situate emergjence në kufirin SHBA-Meksikë.

Më herët të dielën, Trump hëngri mëngjes me senatorët republikanë amerikanë pranë Shtëpisë së Bardhë.

Më pas ai vendosi një kurorë në Varrin e Ushtarit të Panjohur në Varrezat Kombëtare të Arlingtonit të dielën.

“Tubimi i Fitores për ta Bërë Amerikën Sërish Madhështore” filloi në orën 3 të pasdites në “Capital One Arena”, një stadium i brendshëm për lojërat e hokejit dhe basketbollit, si dhe një vend i caktuar për disa nga festimet e inaugurimit të së hënës, pas parashikimeve për mot të ftohtë të ashpër, që i shtynë zyrtarët të anulonin festimet e planifikuara në mjedise të hapura.

 

Radha e mbështetësve, shumë të veshur me xhaketat e kuqe të markës së njohur Trump dhe kapelet MAGA, shtrihej në disa blloqe në qendër të Uashingtonit. Disa thërrisnin “SHBA! SHBA!” dhe të tjerët flisnin me megafon ndërsa prisnin.

Zona të mëdha të kryeqytetit, përreth Kapitolit dhe Shtëpisë së Bardhë janë bllokuar nga gardhe çeliku që nga java e kaluar dhe ka patur një prani të shtuar të policisë në të gjithë zonën.

Tubimi i Presidentit të zgjedhur Trump, së bashku me fjalimin e tij inaugurues të hënën, mund të japë një pamje të tonit që ai planifikon të mbajë gjatë mandatit të tij të dytë në Shtëpinë e Bardhë.

Në javët e fundit, ai ka befasuar vendet aleate me shprehjen e mendimit për marrjen e Groenlandës dhe Kanalit të Panamasë, si dhe shndërrimin e Kanadasë në një shtet të Shteteve të Bashkuara.

Emigracioni pritet të jetë objekt i veprimeve të para ekzekutive të Presidentit të zgjedhur Trump pas marrjes së detyrës, së bashku me çështjet e energjisë dhe politikat që synojnë promovimin e diversitetit, barazisë dhe përfshirjes, tha për kanalin televiziv CBS këshilltari i tij i ardhshëm për sigurinë kombëtare, Mike Waltz.

“Populli amerikan i dha atij një mandat të qartë. Mbyllni kufirin tonë, deportoni më të këqijtë e më të këqijve, përballuni me kartelet”, tha zoti Waltz në një intervistë për emisionin “Face the Nation”.

Axhenda e zotit Trump mendohet se ishte një tematikë e mundshme edhe gjatë mëngjesit të tij me senatorët republikanë në Blair House, godina përballë Shtëpisë së Bardhë, që përdoret për aktivitete të ndryshme. Senatorë kryesorë republikanë, si John Cornyn, Susan Collins, Ted Cruz, Rick Scott dhe Tim Scott ishin ndër të pranishmit që u panë duke u larguar nga aktiviteti të dielën.

Tubimi pritej të kishte ngjashmëri me fjalimet e lira që kanë qenë një element kryesor që nga fushata e tij e parë presidenciale në vitin 2016.

Më pak se 24 orë nga betimi si president- Trumpi dhe ekipi i tij mbërrijnë në Uashington, qyteti ‘pushtohet’ nga festimet

Presidenti i zgjedhur Donald Trump mbërriti në zonën e Uashingtonit të shtunën në mbrëmje për një festë të kthimit të tij në pushtet përpara një ceremonie inaugurimi që është penguar disi nga temperaturat e ftohta.

Trumpi fluturoi në bordin e një avioni të Forcave Ajrore të dërguar nga presidenti në largim Joe Biden në bazën e republikanëve në Palm Beach, Florida, ku Trump përgatiti tranzicionin e tij pasi fitoi zgjedhjet e 5 nëntorit ndaj Zëvendës Presidentes Kamala Harris. Gruaja e tij, Melania, vajza Ivanka dhe bashkëshorti i saj, Jared Kushner, e shoqëruan atë në fluturimin e së shtunës.

  • foto galeri

Pasi mbërriti në aeroportin Dulles në periferi të Virxhinias, Trump udhëtoi për në klubin e tij të golfit në Sterling, Virxhinia, në periferi të Uashingtonit.

Një imitues i Elvis Presley-t, Leo Days, argëtoi presidentin e ardhshëm dhe zonjën e parë përpara një pritjeje për rreth 500 të ftuar dhe shfaqjes së fishekzjarreve.

 

 

78-vjeçari Trump do të mbajë një tubim me mbështetësit brenda Capital One Arena në qendër të Uashingtonit të dielën, në prag të inaugurimit të tij, si dhe një event pas inaugurimit të hënën pasdite.

Parashikimi i motit të ftohtë për të hënën e shtyu Trumpin të zhvendoste ceremonitë e inaugurimit nga balli ikonë perëndimor i ndërtesës së Kapitolit të SHBA brenda në Capitol Rotunda dhe paradën poshtë Pensilvania Avenue në Capital One Arena.

  • foto galeri

Në Capitol Rotunda, Trump do të betohet në orën 12:00 dhe më pas do të mbajë një fjalim inaugurues, një fjalim që zakonisht vendos tonin për mandatin katërvjeçar të presidentit. Ai i tha NBC News se tema do të ishte “uniteti dhe forca, dhe gjithashtu fjala “drejtësi”.

Do të jetë hera e parë që nga inaugurimi i dytë i Ronald Reganit në janar 1985 që ngjarja e madhe të zhvendoset brenda.

Shumica e më shumë se 220,000 të ftuarve me biletë që kishin qenë për të parë nga hapësirat e Kapitolit të SHBA-së nuk do të jenë në gjendje të shohin betimin brenda ndërtesës. Vetëm një pjesë e vogël do të jetë në gjendje të futet brenda Arenës Capital One me 20,000 vende ku do të transmetohet inaugurimi dhe pritet të performojnë artistët dhe pjesëmarrësit e paradës.

Të shtunën, mbështetësit e Trump që kishin planifikuar të merrnin pjesë në inaugurim po shëtisnin tashmë në qendër të Uashingtonit.
Arthur Caisse, një profesor në pension 78-vjeçar dhe vëllai i tij Richard Caisse, një pronar biznesi i vogël, kishin udhëtuar nga Konektikati për të parë inaugurimin e dytë të Trump, pasi erdhën për fillimin e mandatit të tij të parë në 2017.

“Është kaq zhgënjyese sepse të gjithë ne udhëtuam kaq gjatë dhe larg për të arritur këtu, dhe më pas për të kaluar procesin e kongresit për të marrë biletat për inaugurimin. Më në fund morëm biletat, tani, bum. Ata thonë se mund të mos jemi as në gjendje të shkojë në qendrën tregtare (National)”, tha Arthur Caisse. “Unë nuk jam i zhgënjyer sepse të hënën ne do ta kthejmë vendin tonë,” tha Richard Caisse.

Debbie Koch, një profesioniste e teknologjisë së informacionit 60-vjeçare që udhëtoi nga Wisconsin me motrën e saj, tha se ende po planifikonin të merrnin pjesë në mitingun në arenën e së dielës mbrëma nëse mund të hynin brenda.
“Ne nuk e dimë me siguri,” tha ajo. “Ne jemi të emocionuar që jemi këtu.”

Të pyetur të shtunën se si do të menaxhonin turmat e mbajtësve të biletave të inaugurimit të Trump, të cilët nuk do të futeshin në Rotunda e Kapitolit ose në stadium, Shërbimi Sekret ia referoi pyetjen organizatorëve të ngjarjes. Komiteti i inaugurimit të Trump nuk iu përgjigj kërkesave për më shumë informacion të shtunën.

Pasi të kthehet në Shtëpinë e Bardhë të hënën pasdite, Trump pritet të fillojë të nënshkruajë dhjetëra urdhra ekzekutivë dhe direktiva për të goditur migracionin, për të rritur prodhimin e energjisë në SHBA dhe prioritete të tjera.

Trump, mandati i parë i të cilit zgjati nga viti 2017 deri në vitin 2021, kishte refuzuar të merrte pjesë në inaugurimin e Biden, i cili e mundi atë në vitin 2020. Ai u largua nga Uashingtoni për në Florida përpara ceremonisë, duke u zotuar se “do të kthehej”.

Biden do të marrë pjesë në ceremoninë e inaugurimit të Trump të hënën. bw

Nga oraret te pjesëmarrësit dhe planet e ditës- Çfarë duhet ditur për inaugurimin e nesërm të Trump si president

Presidenti i sapozgjedhur Trump do të inaugurohet të hënën si presidenti i 47-të i Shteteve të Bashkuara në Uashington, DC.

Dita e Inaugurimit – me Zëvendës Presidentin e zgjedhur JD Vance të planifikuar gjithashtu për t’u inauguruar si zëvendëspresidenti i tretë më i ri do të përkojë me Ditën e Martin Luther King Jr.

Është vetëm hera e tretë që Dita e MLK bie në Ditën e Inaugurimit, me raste të mëparshme që ishin inaugurimi i ish-presidentit Clinton në vitin 1997 dhe inaugurimi i ish-presidentit Obama në vitin 2013.

Inaugurimi i Trump nis zyrtarisht një mandat të dytë që ai premton se do të sjellë dëbime masive, tarifa agresive për importet amerikane dhe shpërbërjen e Departamentit të Arsimit .

Çfarë thotë Trump për inaugurimin e tij?

Presidenti i zgjedhur i tha NBC News muajin e kaluar se tema qendrore e fjalimit të tij inaugurues do të jetë “uniteti”.

“Siç thashë, ne do të flasim për unitet dhe do të flasim për sukses, për ta bërë vendin tonë të sigurt, për të mbajtur njerëzit që nuk duhet të jenë në vendin tonë jashtë ne duhet ta bëjmë këtë ”, tha ai. “E di që nuk tingëllon bukur, por duhet ta bëjmë këtë”.

Kur është inaugurimi?

Portat do të hapen për shfaqjen e sigurisë në orën 5 të mëngjesit ET, e cila përkon me orën 11 të mëngjesit me orën evropiane me shfaqje muzikore që fillojnë rreth orës 9:30 të mëngjesit, sipas një njoftimi për lajmet nga Komiteti i Përbashkët i Kongresit për Ceremonitë Inauguruese (JCCIC).

Ceremonitë inauguruese do të fillojnë në orën 11:30 me orën lokale, e cila përkon me orën 17:30 në Evropë dhe ceremonia e betimit do të fillojë në mesditë, me Vance që do të vijë i pari dhe Trump do të vijojë.

Ku është inaugurimi?

Ceremonia e betimit, e vendosur fillimisht për t’u zhvilluar në shkallët e përparme të Kapitolit të SHBA në Uashington, DC, do të zhvendoset brenda Rotundas së Kapitolit për shkak të parashikimeve të motit të ftohtë.

Parada poshtë Pensilvania Avenue do të zhvendoset në Arenën Capitol One të Uashingtonit.

Kush merr pjesë në inaugurim?

Më shumë se 220,000 bileta u shitën për këtë ngjarje, ku do të merrnin pjesë edhe ish-presidentët – Barack Obama, George Bush dhe Bill Clinton – dhe manjatë të teknologjisë .

Të pranishmit përfshijnë miliarderin Elon Musk, CEO i Alphabet Sundar Pichai, themeluesi i Amazon Jeff Bezos, CEO i Apple Tim Cook, CEO i OpenAI Sam Altman dhe CEO i Meta Mark Zuckerberg, i cili është bashkëorganizues i një pritjeje të hënën në mbrëmje, sipas AP.

Ylli i muzikës Country Carrie Underwood do të performojë në inaugurim, ndërsa grupi disko Village People dhe muzikantët Kid Rock dhe Billy Ray Cyrus u rezervuan për mitingun inaugurues të dielën. Këngëtari i Country Jason Aldean dhe grupi Rascal Flatts do të luajnë në ballon inaugurues të hënën.

Ish-kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi dhe ish-zonja e parë Michelle Obama i janë bashkuar një liste në rritje të zyrtarëve dhe ligjvënësve që nuk planifikojnë të marrin pjesë në inaugurim.

Çfarë është planifikuar për ditën?

Dita e inaugurimit tradicionalisht fillon me një procesion, në të cilin presidenti në largim bashkohet me presidentin e zgjedhur në një shëtitje drejt Kapitolit për ceremonitë e betimit.

Në procesion janë të pranishëm edhe nënkryetari, nënkryetari i zgjedhur dhe bashkëshortët e tyre dhe të shoqëruar nga anëtarët e JCCIC.
Ceremonitë e betimit, duke përfshirë betimin e detyrës, pasojnë dhe presidenti i ardhshëm jep fjalimin e tij inaugurues. Presidenti në largim dhe zonja e parë largohen me një largim nderi dhe ceremonitë e nënshkrimit fillojnë të pasuara nga një drekë inauguruese dhe Pass in Review për të lejuar kryekomandantin e ardhshëm të inspektojë trupat.

Si mund të shikoni?

Inaugurimi do të transmetohet drejtpërdrejt në disa rrjete kryesore të transmetimit, duke përfshirë ABC, CBS, CNN, CSPAN, Fox News, MSNBC, NBC dhe PBS. Shtëpia e Bardhë po planifikon gjithashtu një transmetim të drejtpërdrejtë të ngjarjeve të ditës. bw

Trumpi trondit tregun e kriptovalutave, publikon monedhën e tij zyrtare dhe gjeneron mbi 14 mld dollarë

Më 17 janar 2025, presidenti i ri i SHBA-ve Donald Trump hodhi në treg kriptomonedhën e tij zyrtare $TRUMP, dhe brenda pak orësh, ajo pushtoi botën e valutave digjitale.

Monedha, e ndërtuar në rrjetin Solana, pati një rritje të mahnitshme në vlerë, me vlerën e saj të tregut që arriti në 14.5 miliardë dollarë brenda vetëm disa orëve nga publikimi i saj. Me çmim fillimisht në 0,18 dollarë, vlera e monedhës u rrit në 7,1 dollarë përpara se të stabilizohej në 21,51 dollarë deri në orën 18:21, duke shënuar një rritje të pabesueshme prej 231,61%, sipas të dhënave të CoinMarketCap.

Prezantimi i monedhës $TRUMP nga presidenti i zgjedhur i SHBA u bë përmes platformës së tij Truth Social, ku ai njoftoi: “Meme-ja ime e re zyrtare është KETU! Është koha për të festuar gjithçka që ne mbrojmë: FITORE!”

Nisja shkaktoi një furi masive tregtare. Brenda vetëm një ore, vëllimi i tregtimit arriti gati 1 miliard dollarë dhe investitorët e hershëm panë fitime të konsiderueshme. Një tregtar, i cili bleu gati 6 milionë monedha TRUMP për rreth 1.1 milionë dollarë pati një kthim investimi prej 23 milionë dollarësh në vetëm 90 sekonda.

Rritja e shpejtë e monedhës ishte po aq mbresëlënëse për sa i përket kapitalizimit të saj të tregut, i cili arriti në 7.7 miliardë dollarë brenda dy orëve nga publlikimi. bw

Temperaturat e ulëta, Trumpi do ta bëjë betimin brenda Kapitolit

VOA Marrë nga Associated Press

Presidenti i zgjedhur Donald Trump do të bëjë betimin brenda Kapitolit të hënën më 20 janar, për shkak të parashikimeve se moti do të jetë me temperatura jashtëzakonisht të ulëta.

“Sipas parashikimit të motit për Uashingtonin, ndikuar edhe nga era, do të ketë temperatura në nivele rekord të ulëta”, shkruajti zoti Trump në një postim në platformën “Truth Social”.

“Nuk dua në asnjë mënyrë që njerëzit të kenë pasoja”, theksoi presidenti i zgjedhur Trump.

Gjatë përgatitjeve, si alternativë për çdo inaugurim gjithmonë merren masat që presidenti i zgjedhur ta bëjë betimin në ambientet e brendshme në rast të motit të keq.

Hera e fundit kur një president e ka bërë betimin në ambientet e brendshme ka qenë viti 1985, kur Presidenti Ronald Reagan filloi mandatin e tij të dytë.

Ndërkohë po shyrtohen plane alternative për më shumë se 250 mijë të ftuarit me bileta për të parë inaugurimin dhe dhjetëra mijëra të tjerë që pritet të jenë në rrugë për të ndjekur ceremoninë apo për të parë paradën.

Shërbimi Kombëtar i Motit parashikon që temperatura të jetë rreth minus-6 garë celsius në mesditën e 20 janarit, kur bëhet edhe betimi.

Në vitin 1985 kur presidenti Regan bëri betimin për mandatin e tij të dytë temperaturat u ulën në -14 gradë celsius. Në vitin 2009 kur Barack Obama bëri betimin temperature ishte -2 gradë celsius.

Firmosi ulje dënimi për 2500 të burgosur- Joe Biden hyn në histori si Presidenti që ka dhënë më shumë amnisti

Presidenti Joe Biden njoftoi të premten vendimin për uljen e masës së dënimit për thuajse 2500 persona, të cilët ishin dënuar për vepra jo të dhunshme që kishin të bëni me drogën. Me këtë vendim, Joe Biden bëhet Presidenti që ka nënshkruar më shumë falje dhe lehtësim dënimi se sa çdo president tjetër i Shteteve të Bashkuara.

Presidenti është shprehur se me keto akte synon të korrigjojë pabarazinë e masës së dënimit, pasi individët përfitues “do të kishin marrë dënime më të shkurtra nëse akuzoheshin sipas ligjeve, politikave dhe praktikave të sotme”.

“Ky veprim është një hap i rëndësishëm drejt korrigjimit të gabimeve historike, korrigjimit të pabarazive në dënime dhe ofrimin e mundësisë që individët të kthehen në familjet dhe komunitetet e tyre pasi kanë kaluar shumë kohë pas hekurave”, tha zoti Biden përmes një deklarate

Shtëpia e Bardhë nuk i bëri publik emrat e atyre që do të marrin zbritje të masës së dënimit.

Presidenti Biden njoftoi se mund të ketë edhe vendime për akte të tjera lehtësimi të masës së dënimit, duke premtuar se do të përdorë kohën përpara ianugurimit të zotit Trump të hënën “që të shqyrtojë mundësinë për të tjera falje dhe zbritje të dënimit”.

Kjo mund të përfshijë falje për zyrtarë dhe aleatë për të cilët Shtëpia e Bardhë druhet se mund bëhen padrejtësisht objektiv i adminsitratës së re.

Muajin e kaluar, Presidenti në largim fali 39 persona të dënuar për krime jo të dhunshme dhe u uli dënimet rreth 1500 të tjerëve. Për nga numri, këto vendime ishin më të mëdhatë të ndërmarra në një ditë të vetme.

Po në dhjetor, Presidenti Joe Biden lehtësoi dënimet për 37 nga 40 personat e dënuar me vdekje nga gjykatat federale, duke ua ulur dënimin në burgim të përjetshëm.

Së fundmi, zoti Biden fali gjithashtu djalit të tij, Hunter Biden, i dënuar mbi akuza federale për armë dhe mos pagim taksash.

Presidentët zakonisht nënshkruajnë një seri faljesh në fund të mandatit të tyre.

Pak para mesnatës, në natën e fundit të mandatit të tij të parë, republikani Trump, nënshkroi një sërë faljesh dhe uljesh dënimi për më shumë se 140 persona, duke përfshirë ish-aleatin e tij kryesor, Steve Bannon, reperët Lil Wayne dhe Kodak Black dhe ish-anëtarë të Kongresi.

Akti i fundit i zotit Trump si President në mandatin e tij të parë ishte falja për Al Pirro-n, ish-bashkëshorti i gazetares së kanalit Fox News, Jeanine Pirro, një nga mbrojtësit e tij më të vendosur. Al Pirro ishte shpallur fajtor për akuza për komplot dhe evazion fiskal dhe ishte dënuar me më shumë se dy vjet burg në vitin 2000.

Trumpi zbulon listën e zezë të Shtëpisë së Bardhë

Presidenti i zgjedhur e bëri publike një listë njerëzish që nuk do t’i bashkohen Shtëpisë së Bardhë këtë herë.

Krishtlindjet mund të kenë përfunduar, por presidenti i zgjedhur Donald Trump duket se ka ende shumë emra në listën e tij të “të këqijve.”

Në një postim në Truth Social të publikuar të mërkurën në mbrëmje, presidenti i ardhshëm i 47-të i Shteteve të Bashkuara identifikoi disa ish-anëtarë të stafit të Shtëpisë së Bardhë si njerëz që vuajnë nga “Sindroma e obsesionit ndaj Trump-it” dhe kërkoi nga publiku që të mos rekomandojë kandidatë që kanë punuar më parë me ndonjërin prej tyre.

Image

“Që sot, Administrata Trump e ardhshme ka punësuar mbi 1000 persona për Qeverinë e Shteteve të Bashkuara. Ata janë të shkëlqyer në çdo aspekt dhe do të shihni frytet e punës së tyre gjatë viteve të ardhshme,” filloi Trump.

“Ne do ta BËJMË AMERIKËN TË MADHE SËRISH, dhe kjo do të ndodhë shumë shpejt! Për të kursyer kohë, para dhe përpjekje, do të ishte e dobishme që të mos na dërgoni ose të mos na rekomandoni njerëz që kanë punuar me, ose janë mbështetur nga: “Amerikanët për mosprosperitet” (drejtuar nga Charles Koch), “tuhafi” John Bolton, “trupeshku” Nikki Haley, Mike Pence, luftënxitësit e pabesë Dick Cheney dhe vajza e tij, Liz “psikopatja”.

Image

“Mitt Romney, Paul Ryan, Gjeneral(?) Mark Milley, James Mattis, Mark Yesper ose çfarëdo individi tjetër që vuan nga “Sindroma e obsesionit ndaj Trump-it,” e njohur më mirë si TDS. Faleminderit për vëmendjen ndaj kësaj çështjeje!”, përfundoi ai.

 

Trump ka qenë publik në lidhje me pakënaqësitë e tij ndaj të gjithë personave në listë, përfshirë ish-zëvendëspresidentin e tij, Mike Pence.

Dyshja kishte një prishje të marrëdhënieve pas ngjarjeve të sulmit të 6 janarit në Kapitol, ku Pence e fajësoi kryesisht Trump-in për ngjarjet që çuan në kryengritje. Në kujtimet e tij të vitit 2022, So Help Me God, Pence e akuzoi Trump-in për rrezikimin e tij dhe të familjes së tij.

Ndërkohë, të tjerë në listë, si ish-zëvendëspresidenti Dick Cheney dhe ish-senatori Mitt Romney, kanë qenë kritikë të ashpër të Trump-it dhe ndikimit të tij në Partinë Republikane. Të dy refuzuan ta mbështesnin atë në zgjedhjet e vitit 2024.

Ish-kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, Paul Ryan, gjithashtu votoi kundër Trump-it në zgjedhjet e vitit 2020 dhe 2024, duke thënë për Yahoo Finance gjatë Konferencës së Institutit Global Milken në maj të vitit 2024 se ai “votoi për një republikan tjetër herën e fundit” dhe do të “votojë përsëri për një republikan tjetër këtë herë.”

Ryan e përshkroi gjithashtu Trump-in si një “narcist populist autoritar” gjatë një ngjarjeje virtuale të Teneo në vitin 2023. “Trump nuk është konservator,” tha Ryan. “Ai është një populist dhe autoritar i udhëhequr nga narcizmi. Veprimet e tij drejtohen nga ajo që rrit popullaritetin e tij ose e bën të ndihet mirë në moment.”

Një tjetër anëtar i listës së zezë të Trump-it, ish-Kryetari i Shefave të Shtabit, Mark Milley, ishte gjithashtu një kritik i hapur ndaj presidentit të zgjedhur, duke e krahasuar atë madje me një “diktator” në fjalimin e tërheqjes së tij në vitin 2023.

“Ne nuk bëjmë betim për një mbret, apo një mbretëreshë, për një tiran apo diktator, apo për dikë që dëshiron të bëhet diktator,” tha Milley atëherë, në një referencë të dukshme për Trump-in. Ai më vonë shtoi se trupat e vendit nuk rrezikojnë jetën për të parë këtë “eksperiment të madh të demokracisë të shuhet.”

Milley e përshkroi gjithashtu Trump-in si një “fashist deri në palcë” në një bisedë të përshkruar në librin e gazetarit legjendar të Uashingtonit, Bob Woodward, War, të botuar në vitin 2024.

“Askush nuk ka qenë ndonjëherë aq i rrezikshëm për këtë vend sa Donald Trump,” tha Milley për Woodward. “Tani kuptoj që ai është një fashist i vërtetë. Ai është personi më i rrezikshëm për këtë vend.” / The Daily Beast – Syri.net

Presidenti Joe Biden i drejtohet vendit në fjalimin e lamtumirës

VOA Marrë nga Associated Press

Presidenti Joe Biden e shfrytëzoi fjalimin e tij të lamtumirës drejtuar amerikanëve të mërkurën për të paralajmëruar për një “oligarki” të ultra të pasurve që po hedh themelet në vend dhe për një “sektor të industrisë së teknologjisë” që po cenon të drejtat e amerikanëve dhe të ardhmen e demokracisë.

Duke folur nga Zyra Ovale teksa përgatitet t’i dorëzojë pushtetin Presidentit të zgjedhur Donald Trump të hënën, zoti Biden dha alarmin, për siç tha ai, akumulimin e pushtetit dhe pasurisë tek një grup i vogël individësh.

“Sot, një oligarki me pasuri, fuqi dhe ndikim ekstrem po merr formë në Amerikë, çka përbën kërcënim për demokracinë tonë, të drejtat dhe liritë tona themelore dhe dëmton të drejtën që të gjithë të përparojnë”, tha zoti Biden.

Ai tërhoqi vëmendjen për “një përqendrim të rrezikshëm të pushtetit në duart e disa individëve ultra të pasur dhe pasojat e rrezikshme nëse shpërdorimi i tyre i pushtetit nuk vihet nën kontroll”.

Duke përsëritur paralajmërimet e Presidentit Dwight Eisenhower lidhur me sektorin ushtarako-industrial në fjalimin kur u largua nga detyra në vitin 1961, zoti Biden shtoi, “Jam po aq i shqetësuar për fuqizimin e sektorit teknologjiko-industrial që mund të paraqesë rreziqe të vërteta për vendin tonë”.

Alarmi i zotit Biden vjen pasi disa nga individët më të pasur në botë dhe titanët e industrisë teknologjike muajt e fundit janë rreshtuar përkrah zotit Trump, kryesisht pas fitores së zgjedhjeve të nëntorit.

Miliarderi Elon Musk shpenzoi më shumë se 100 milionë dollarë për të ndihmuar republikanin Trump që të fitojë zgjedhjet. Drejtues të tjerë të lartë, si Mark Zuckerbeg i kompanisë META dhe Jeff Bezos i firmës Amazon, kanë dhuruar para për komisionin e inaugurimit të presidentit të ri dhe janë takuar me zotin Trump në rezidencën e tij në Florida.

Më herët gjatë ditës së mërkurë, Presidenti Biden lajmëroi arritjen e një marrëveshjeje të shumëpritur armëpushimi mes Izraelit dhe Hamasit, çka mund t’i japë fund gjakderdhjes në Lindjen e Mesme.

Por Presidenti Biden nuk po largohet nga Shtëpia e Bardhë në mënyrën që ai shpresonte. Ai kandidoi për një mandat të dytë, duke lënë mënjanë shqetësimet e votuesve për moshën e tij. Pas një paraqitjeje të dobët në debatin me kundërshtarin e tij republikan Donald Trump, nën trysninë e Partisë Demokrate Presidenti Biden hoqi dorë nga gara për një mandat të dytë. Ai mbështeti Nënpresidenten Kamala Harris, e cila humbi përballë zotit Trump në zgjedhjet e nëntorit.

Ndërkohë, Presidenti Biden po përgatitet t’i dorëzojë Shtëpinë e Bardhë një individi të cilin e cilësoi si kërcënim ekzistencial për institucionet demokratike në vend.

Në një letër të hapur të publikuar të mërkurën, Presidenti Biden e pranoi nuk i kishte realizuar premtimet e tij.

“Kandidova për president sepse besoja se shpirti i Amerikës ishte në rrezik. Vetë natyra se kush jemi ishte në rrezik dhe kjo ende vazhdon të jetë”, thuhet në letrën e zotit Biden.

Më tej në letër, Presidenti Biden theksonte arritjet e tij, duke përfshirë drejtimin e vendit dhe luftën kundër pandemisë së koronavirusit, mbështetjen e prodhimit brenda vendit dhe uljen e kostos së barnave me recetë.

Fjalimi prej 15 minutash i zotit Biden mbrëmjen e së mërkurës jo vetëm që shënon fundin e presidencës së tij, por edhe pesë dekadat e tij në politikë. Pas zgjedhjes në moshën 30-vjeçare për të përfaqësuar shtetin e tij të lindjes Delauer në vitin 1972, zoti Biden ishte senatori më ri.

Zoti Biden kandidoi për postin e presidentit në vitet 1988 dhe 2008 përpara se të bëhej nënpresident pas fitores së demokratit Barack Obama. Pasi shërbeu 8 vjet në postin e nënpresidentit, zoti Biden u konsiderua se i kishte dhënë fund politikës. Por ai u kthye në skenën politike në vitin 2020, duke larguar me sukses Presidentin Trump nga Shtëpia e Bardhë.

Uashington, masa të rrepta sigurie për inaugurimin e Presidentit të zgjedhur Trump

VOA

UASHINGTON – Me dyzet e tetë kilometra gardhe të përkohshme, 25,000 oficerë policie dhe postblloqe sigurie të vendosura për të kontrolluar qindra mijëra spektatorë, Uashingtoni është bërë gati për inaugurimin e Presidentit të zgjedhur Donald Trump javën e ardhshme.

Ceremonia e betimit në shkallët e Kapitolit dhe parada deri tek Shtëpia e Bardhë do të zhvillohen të hënën, pas një fundjave me protesta nga kundërshtarët e zotit Trump dhe tubime festive të përkrahësve të presidentit republikan.

Inaugurimi vjen pas një fushate zgjedhore gjatë të cilës ndodhën dy përpjekje për atentat ndaj zotit Trump, përfshirë njërin, kur plumbi i preku shkarazi veshin, duke i shkaktuar një plagë të lehtë, si dhe pas sulmeve të natës së Vitit të Ri në disa qytete. Në një nga këto sulme, 14 persona u vranë dhe dhjetra u plagosën kur një veteran i ushtrisë amerikane goditi me makinë turmën që po festonte për Vitin e Ri në Nju Orlins. Po të njëjtën ditë, një ushtar amerikan hodhi në erë makinën Tesla Cybertruck para hotelit që mban emrin e Trumpit në Las Vegas, duke vrarë veten.

“Po operojmë në një mjedis me kërcënime të shtuara”, deklaroi të hënën agjenti përgjegjës nga Shërbimi Sekret amerikan.

Ceremonia e inaugurimit, kur zoti Trump bën zyrtarisht betimin para ligjvënësve të Kongresit, anëtarëve të Gjykatës së Lartë, zyrtarëve të administratës së re dhe dhjetëra mijëra të pranishmëve, bëhet në shkallët e Kapitolit, përballë Monumentit të Uashingtonit.

null

Ky është vend i njëjtë ku, më 6 janar të vitit 2021, mijëra përkrahës së zotit Trump thyen xhamat, u përplasën me policinë dhe i detyruan ligjvënësit të kërkojnë strehim, ndërsa synonin të përmbysnin humbjen e zotit Trump në zgjedhjet e vitit 2020 ndaj Presidentit demokrat Joe Biden.

Rivalja e zotit Trump në zgjedhjet e vitit 2024, Nënpresidentja Kamala Harris, e pranoi humbjen në zgjedhet e 5 nëntorit, ndryshe nga zoti Trump, i cili vazhdon të bëjë pretendime të rreme se humbja e tij erdhi si rezultat i mashtrimit.

Frika nga sulmuesit që veprojnë vetëm

Zyrtarët e sigurisë thonë se nuk janë të vetëdijshëm për ndonjë kërcënim specifik ndaj ceremonisë së inaugurimit. Ata janë të shqetësuar për sulmuesit që veprojnë vetëm, siç ishte rasti me autorin e sulmit në Nju Orlins, apo në dy incidentet e javës së kaluar. Në njërin incident, një person u arrestua ndërsa u përpoq të hynte në Kapitol me një thikë të madhe. Në incidentin tjetër, një person tjetër u përpoq të ndizte një zjarr në afërsi të Kapitolit, sipas policisë së Kapitolit.

“Kërcënimi nga autorë që veprojnë të vetëm mbetet arsyeja jonë kryesore për këtë gjendje të shtuar sigurie përgjatë javës së ardhshme”, deklaroi shefi i policisë së Kapitolit, Thomas Manger.

FBI-ja dhe Departamenti për Sigurinë Kombëtare paralajmëruan policinë në mbarë vendin për rreziqet ndaj sulmeve që përpiqen të kopjojnë incidentin në Nju Orlins.

Një pjesë e madhe e qendrës së Uashingtonit – që shtrihet rreth 3 kilometra nga Shtëpia e Bardhë deri tek Kapitoli – do të jetë e mbyllur për makinat. Pikat kyçe për të hyrë në këtë zonë do të bllokohen me barrikada çimentoje, kamionë dhe materiale të tjera të rënda.

Gardhi prej 48 kilometrash, me lartësi 2 metra, i menduar për të penguar ngjitjen mbi të, do të jetë më i gjati i vendosur ndonjëherë në Uashington, sipas zyrtarëve. Rreth 7,800 pjesëtarë të Gardës Kombëtare dhe 4 mijë oficerë policie nga departamente të tjera janë dislokuar në mbarë vendin për të përforcuar sigurinë.

Ndërkohë disa nga banorët e kryeqytetit, ku 90 për qind e votuesve mbështetën kandidaten demokrate Harris, po bëhen gati ta kalojnë fundjavën tre ditore, e cila përfshin edhe ditën e hënë, që është ditë pushimi në Shtetet e Bashkuara, jashtë qytetit, apo në shtëpi për t’u ikur turmave.

Rreth 70 për qind e 34,500 dhomave të hoteleve që ka Uashingtoni janë rezervuar për natën para dhe pas inaugurimit, në bazë të të dhënave të javës së kaluar. Për inaugurimin e zotit Trump në vitin 2017, 95 për qind e dhomave të hoteleve ishin rezervuar dhe rreth 78 për qind për inaugurimin për mandatin e dytë të Presidentit Barack Obama në vitin 2013.

Protestat dhe tubimet

Ceremonia e inaugurimit e zotit Trump në vitin 2017 u karakterizua me protesta masive dhe kundër protesta.

Marshi i Grave, një ditë pas ceremonisë, mblodhi qindra mijëra persona në rrugët e Uashingtonit – dhe edhe më shumë, në marshime tjera solidarizuese në mbarë vendin.

Një turmë shumë më e vogël, me 25 mijë pjesëmarrës, pritet të mblidhet në Marshin e Popullit në Uashington të shtunën, sipas shefes së policisë së kryeqytetit, Pamela Smith.

Mijëra protestues protet të marrin pjesë në dhjetëra protesta apo tubime të tjera, të cilave u kanë dhënë leje zyrtarët vendorë për t’u zhvilluar në nga e shtuna deri të hënën, përfshirë një tubim në përkrahje të zotit Trump që do të mbahet të dielën në një sallë me kapacitet prej 20 mijë vendesh.

Profesorja e Harvardit, Juliette Kayyem, e cila shërbeu si zyrtare sigurie gjatë administratës së Presidentit Obama, tha se zyrtarët duket se po ndjekin një praktikë standarde duke bërë plane për të gjitha situatat.

“Planifikimi bëhet duke patur parasysh skenarin më të keq, por dyshoj që do të ketë diçka të tillë, gjë që është lajm i mirë”, thotë ajo. “Sa i përket planifikimit, gjithmonë është më mirë të bësh më shumë se më pak”

Trumpi deklaron se do të takohet “shumë shpejt” me Putinin

VOA Marrë nga Reuters

Presidenti i zgjedhur Donald Trump tha të hënën se do të takohet me Presidentin rus Vladimir Putin “shumë shpejt” pasi të ketë marrë detyrën, javën e ardhshme.

Zoti Trump nuk dha një afat kohor se kur mund të mbahej takimi, i cili do të ishte i pari mes udhëheqësve të të dy vendeve që kur Rusia nisi sulmin në shkallë të gjerë ndaj Ukrainës në shkurt të vitit 2022.

Kur u pyet mbi strategjinë e tij për t’i dhënë fund luftës, zoti Trump i tha televizionit Newsmax se “ka vetëm një strategji dhe ajo varet nga Putini dhe nuk ma do mendja se është shumë entuziast për mënyrën se si ka shkuar lufta sepse nuk ka shkuar mirë as për atë”, tha zoti Trump.

“E di se ai do të më takojë dhe unë do ta takoj shumë shpejt. Do ta kisha takuar më parë, por duhet marrë detyra. Për disa gjëra, është më mirë të kesh marrë detyrën”, tha Presidenti i zgjedhur.

Ligjvënësi Mike Waltz,i cili pritet të jetë këshilltari i ri për Sigurinë Kombëtare tha të dielën se pritet që të ketë një bisedë telefonike mes zotit Trump dhe zotit Putin “në ditët apo javët e ardhshme”.

Një zjarrfikës mes banorëve që kanë humbur shtëpitë nga zjarret në Los Anxhelos

VOA
 Genia Dulot

Zjarret vdekjeprurëse në zonën e Los Anxhelosit po vazhdojnë prej një jave mes përpjekjeve të zjarrfikësve për t’i vënë ato nën kontroll. Të paktën 24 persona kanë humbur jetën prej tyre. Zyrtarët thonë se më shumë se 7,000 objekte, shtëpi banimi, shkolla dhe biznese, janë djegur deri tani. Një prej tyre është shtëpia zjarrfikësit Isaac Baeza dhe familjes së tij, e cila u dogj plotësisht nga zjarri në qytetin e Altadenës.

Baeza, një zjarrfikës me më shumë se 20 vjet përvojë, thotë se zjarri ka qenë i pashembullt.

“Kurrë nuk kam parë një forcë natyre si kjo, erëra dhe thatësirë të tillë”, thotë ai për Zërin e Amerikës.

Gruaja e Baezas, Rosary kujton se si morën një njoftim evakuimi të martën në mbrëmje, por nuk menduan që nuk do të gjenin më asgjë: zjarri dukej larg dhe i vogël, ata paketuan vetëm disa sende.

Në mëngjes, Baeza dhe një shok i tij u kthyen në përpjekje për të shpëtuar shtëpinë, por nuk kishte ujë.

“Ne menduam se mund ta shpëtonim shtëpinë, por zbuluam që nuk kishte ujë. Flakët po përhapeshin me shpejtësi dhe unë u largova me makinë. Mbaj mend që nga pasqyra munda të shoh pjesën e pasme të shtëpisë duke marrë flakë dhe mendoja: Ndoshta nëse do të kisha pasur ujë, do të kisha mundur t’i shuaja këto zjarre të vogla dhe ndoshta shtëpia ime nuk do të ishte djegur”, thotë ai.

Ekipet e zjarrfikësve kanë hasur mungesë uji ose presion të ulët të tij, në përpjekje për të shuar këtë vatër zjarri në Altadena dhe një tjetër, më të madhe në zonën Palisades. Guvernatori i Kalifornisë Gavin Newsom ka njoftuar për një hetim për këtë çështje.

Aktualisht zjarret në Los Anxhelos, janë shtrirë në një sipërfaqe prej rreth 150 kilometrash katrorë. Më shumë se 150,000 vetë kanë marrë urdhër evakuimi. Erërat e thata dhe të shpejta të Santa Anas, që përhapin flakët, po fuqizohen sërish të hënën, thotë shefja e zjarrfikësve të Los Anxhelesit, Kristin Crowley.

“Paralajmërimi për rrezikshmëri të lartë është në fuqi deri në orën 18:00, të mërkurën në mbrëmje. Erërat e forta të Santa Anas pritet gjithashtu të zgjasin deri të mërkurën dhe erërat më të forta do të jenë të martën”.

Familja e zotit Baeza po qëndron me disa miq, duke pritur pagesën nga kompanitë e sigurimeve. Ata thonë se kanë në plan ta rindërtojnë shtëpinë.

“Të gjithë do të kthehemi dhe do të rindërtojmë, ne dhe fqinjët tanë. Ky është komuniteti ynë. Fëmijët tanë luanin në fund të rrugës me fëmijët e tjerë. I festonim ditëlindjet bashkë. Jemi shumë të afërt”, thotë gruaja e tij Rosary Villegas.

Komuniteti i Los Anxhelosit është bashkuar në këtë kohë fatkeqësie për të ndihmuar familjet e zhvendosura, si dhe për të mbështetur zjarrfikësit. Strehat për të evakuuarit dhe stacionet e zjarrfikësve janë të stërmbushura me ushqime dhe rroba, saqë autoriteteve u është dashur të njoftojnë se tani po pranojnë vetëm dhurime monetare.

Verma në Beograd: Sanksionet kundër NIS-it synojnë Rusinë, jo Serbinë

Sanksionet e Shteteve të Bashkuara (SHBA) kundër Industrisë së Naftës së Serbisë (NIS) synojnë Rusinë, jo Serbinë, tha Richard Verma, zëvendëssekretari amerikan i Shtetit për Menaxhim dhe Burime, Richard R. Verma, të shtunën në Beograd.

“Nuk do të ketë pasoja ekonomike për Serbinë nëse pronësia ruse e NIS-it hiqet. Rusia nuk po investon në të ardhmen e Serbisë, sepse fitimet që ajo realizon nga NIS nuk investohen në Serbi. Ndryshimi i strukturës së pronësisë do të kontribuojë në më shumë paqe në rajon”, tha Verma në një konferencë të përbashkët me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Ai theksoi se NIS-i është një nga 2.000 kompanitë në pronësi ruse ndaj të cilave SHBA ka vendosur sanksione.

“Qëllimi është të hiqet pronësia ruse nga këto kompani. Ne do ta ndihmojmë Serbinë t’i diversifikojë burimet e saj të energjisë dhe të jetë e pavarur në këtë drejtim”, shtoi Verma.

Vuçiq deklaroi se fakti që sanksionet ndaj NIS nuk kanë për qëllim Serbinë është “ngushëllim i dobët”.

“Sipas llogaritjeve të para, rreth 30 vende janë prekur nga këto sanksione në mënyra të ndryshme – ose subjekte nga ato vende – por kudo bëhet fjalë për asetet, kapitalin dhe interesat ruse”, tha Vuçiq në konferencë.

Industria e Naftës e Serbisë u sanksionua nga Departamenti i Financave i Shteteve të Bashkuara më 10 janar, pasi është nën pronësinë e kompanisë ruse Gazprom Nefta.

Të premten, Vuçiq tha se bëhet fjalë për “sanksione të rënda dhe serioze” dhe se kërkohet “largimi i plotë i Rusisë nga pronësia e NIS-it”.

NIS-i u përfshi në listën e gjashtë kompanive që “janë në pronësi ose kontrollohen, veprojnë ose dyshohet se veprojnë për ose në emër të, drejtpërdrejt ose tërthorazi, Gazprom Nefta”.

NIS është kompania e vetme në Serbi, e cila merret me kërkimin, prodhimin dhe rafinimin e naftës dhe me prodhimin e gazit natyror.

Kompania shtetërore ruse, Gazprom Neft, ka shumicën e aksioneve në NIS që nga viti 2008, ndërsa nga viti 2022, aksione ka edhe kompania e saj mëmë, Gazprom.

Gjithsej, ato kanë 56.15 për qind të aksioneve, kurse 29.87 për qind janë në pronësi të Serbisë.

Pjesa e mbetur u takon qytetarëve, punonjësve, ish-punonjësve dhe aksionarëve të tjerë më të vegjël.

Gazprom Neft është nën sanksionet evropiane dhe amerikane, për shkak të pushtimit rus të Ukrainës, por prodhuesi më i madh në botë i gazit, Gazprom, nuk i nënshtrohet embargos së vendeve perëndimore. REL

Verma: Shpresojmë për një shkallë normalizimi mes Kosovës dhe Serbisë që do të çonte te njohja e ndërsjellë

Zëvendëssekretari amerikan i Shtetit për Menaxhim dhe Burime, Richard R. Verma, tha se shpreson që procesi i normalizimit të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë të përfundojë me njohje të ndërsjellë.

Verma, në një intervistë për KTV-në përsëriti mbështetjen për dialogun e Brukselit, që tha se është e rëndësishme që palët të përmbushin zotimet që kanë marrë vite më parë.

“Mendoj se të gjithë ne shpresojmë për një shkallë normalizimi që do të çonte te njohja e ndërsjellë. Por, për të arritur deri në atë pikë duhet të ndërmerren disa hapa dhe kjo gjë besoj dhe mendoj se procesi i dialogut, që ndërmjetësohet nga BE-ja, do të çojë deri në atë pikë, nëse zbatohet siç duhet”, tha ai.

Kosova dhe Serbia zhvillojnë dialog për normalizim të raporteve që nga viti 2011. Më 2023, palët arritën Marrëveshjen për rrugën drejt normalizimit të raporteve dhe Aneksin për zbatimin e saj.

Marrëveshja prej 11 nenesh, ndër tjerash parasheh një nivel të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë, njohje të ndërsjellë të simboleve shtetërore, që Serbia të mos bllokojë anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare, dhe kërkon nga Prishtina dhe Beogradi që t’i zbatojnë, po ashtu, të gjitha marrëveshjet e mëhershme të arritura gjatë dialogut.

Megjithatë, kjo marrëveshje, sipas BE-së, nuk ka nisur të zbatohet nga palët.

I pyetur për garancitë që komuniteti ndërkombëtar mund t’i japë Kosovës në rast se zbaton pjesën e vet të marrëveshjes, Verma tha se ky pakt është i obligueshëm, pavarësisht se Serbia ka shprehur rezerva për të.

Beogradi ka refuzuar që ta nënshkruajë këtë marrëveshje, por BE-ja ka thënë se ajo është obliguese për palët.

“Ne besojmë se kushtet e marrëveshjes janë ligjërisht të obligueshme dhe të dyja vendet janë zotuar për parimet e kësaj marrëveshjeje. Kështu që ajo që mendoj se është në interes jo vetëm të marrëdhënieve dypalëshe mes Serbisë dhe Kosovës, por edhe për sigurinë rajonale, si dhe për njerëzit, të cilët prosperojnë që të dyja vendet të jenë në gjendje të ulen dhe të punojnë për zgjidhjen e kësaj çështjeje”, tha zyrtari i lartë amerikan.

Vitin e kaluar, Qeveria e Kosovës e udhëhequr nga Albin Kurti u përball me kritika nga Uashingtoni për shkak të disa veprimeve në veri të Kosovës, që SHBA-ja dhe BE-ja i cilësuan si veprime të njëanshme.

Ish-ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier, që përfundoi mandatin e tij disa ditë më parë, kishte deklaruar më herët se SHBA-ja është sfiduar nga kryeministri Albin Kurti dhe Qeveria e tij në disa aspekte.

Ai ka thënë se cilësia e partneritetit mes SHBA-së dhe Kosovës “nuk është ajo që do të shpresonim të ishte në disa nga këto çështje që lidhen me mënyrën se si ai trajton veriun dhe si ai e menaxhon dialogun”.

Verma tha se kur Uashingtoni dhe Prishtina kanë sfida e mosmarrëveshje, “flasim hapur për to”.

“Dhe e përmenda se ndonjëherë veprimet e njëanshme, për shembull, si mbyllja e disa institucioneve, mund të dërgojë po ashtu sinjalin e gabuar se ku përshtaten serbët e Kosovës në shoqëri dhe mendoj se kjo ka qenë sfiduese për përparimin e vazhdueshëm në diskutimin e lehtësuar mes dy shteteve. Ne e kemi një zotim të rëndësishëm e të qëndrueshëm ndaj popullit të Kosovës dhe kjo do të vazhdojë”, tha ai, duke shtuar se takimet që realizojë gjatë ditës me Kurtin dhe presidenten Vjosa Osmani ishin takime “shumë të mira”.

Verma po e viziton Kosovën si pjesë turit që është duke e zhvilluar në Ballkanin Perëndimor, ku të enjten qëndroi në Shqipëri, ndërsa të shtunën do ta përfundojë atë me një ndalesë në Serbi, njoftoi Departamenti amerikan i Shtetit.

Vizita e Vermas po zhvillohet dhjetë ditë para se administrata Biden ta përfundojë mandatin dhe presidenti i zgjedhur, Donald Trump të kthehet në Shtëpinë e Bardhë. REL

Bideni ua zgjat afatin e qëndrimit në SHBA mbi 900 mijë emigrantëve nga Venezuela, El Salvadori, Ukraina e Sudani

VOA AP dhe Reuters

Rreth 600 mijë shtetas nga Venezuela dhe më shumë se 230 mijë të tjerë nga El Salvadori që aktualisht jetojnë në Shtetet e Bashkuara mund të qëndrojnë në vend ligjërisht edhe për 18 muaj të tjerë, njoftoi të premten Departamenti amerikan i Sigurisë Kombëtare, më shumë se një javë para se Presidenti i zgjedhur Donald Trump të marrë detyrën me premtimin për politika më të ashpra ndaj emigracionit.

Administrata e Presidentit Biden ka përkrahur fort Statusin e Mbrojtjes së Përkohshme, përfitues të të cilit janë rreth 1 milionë njerëz nga 17 vende të ndyshme.

Statusi i Mbrojtjes së Përkohshme, i njohur me inicialet TPS, lejon individët që ndodhen aktualisht në Shtetet e Bashkuara që të qëndrojnë dhe punojnë në mënyrë të ligjshme në SHBA në rast se atdheu i tyre konsiderohet i pasigurtë, për shkak të fatkeqësive natyrore, konflikteve të armatosura apo ngjarjeve të tjera të jashtëzakonshme.

E ardhmja e programit të ‘Statusit të Mbrojtjes së Përkohshme’ është e pasigurt nën drejtimin e Presidentit Trump, i cili u përpoq të kufizonte ndjeshëm përdorimin e tij gjatë mandatit të parë si President.

Ekipi i tranzicionit të Presidentit të zgjedhur Trump nuk iu përgjigj një kërkese për koment nga agjencia Reuters deri në publikimin e këtij lajmi.

Departamenti amerikan i Sigurisë Kombëtare zgjati afatin e qëndrimit në SHBA edhe për 103 mijë shtetas nga Ukraina dhe 1900 nga Sudani, që tanimë jetojnë në Shtetet e Bashkuara.

Për José Palma, një 48-vjeçar nga El Salvadori, i cili jeton në SHBA që prejv itit 1998, vendimi do të thotë se të paktën tani për do të vazhdojë të punojë ligjërisht në Hjuston. Ai është i vetmi person në familjen e tij me status të përkohshëm; katër fëmijët e tij kanë lindur në SHBA dhe kanë shtetësi amerikane dhe bashkëshortja e tij ka marrë statusin e banores së përheshme në Shtetet e Bashkuara. Nëse afati i programit TPS nuk do të zgjatej, ai mund të dëbohej dhe ndahej nga pjesa tjetër e familjes. “Më sjell pak paqe. Më ofron pak qëndrueshmëri”, shprehet ai.

Ky status i lejon individët që të qëndrojnë ligjërisht në vend, por nuk u siguron atyre një rrugë afatgjatë drejt marrjes së shtetësisë. Ata varen nga qeveria, nëse do ta rinovojë statusin e tyre kur të skadojë. Kritikët konservatorë kanë thënë se me kalimin e kohës, rinovimi i ndodh automatikisht, pavarësisht gjendjes në vendin e origjinës së personit.

Njoftimi i së premtes, i cili erdhi pasi Presidenti i Venezuelës Nicolás Maduro mori detyrën për një mandat të tretë gjashtëvjeçar, “bazohet në emergjencën e rëndë humanitare me të cilën vazhdon të përballet vendi për shkak të krizave politike dhe ekonomike nën regjimin e Maduros”, tha Departamenti amerikan i Sigurisë Kombëtare

Ky Departament përmendi “kushtet mjedisore në El Salvador që pengojnë individët të kthehen”, veçanërisht shirat e dendur dhe stuhitë në dy vitet e fundit.

Presidenti i zgjedhur Donald Trump dhe Nën Presidenti i zgjedhur, JD Vance kanë sugjeruar se do kufizojnë përdorimin e programit TPS dhe politikave që japin status të përkohshëm ndërsa zbatohet politika për dëbimet masive.

Në muajt e fundit, aktvitistët kanë shtuar trysninë ndaj administratës Biden për të kërkuar zgjatje të pragamit TPS për ata që tashmë janë përfitues si edhe për të mbrojtur njerëzit nga vende të tjera si Guatemala dhe Ekuadori.

Rasti i Nju Jorkut, Presidenti i zgjedhur Donald Trump nuk do të vuajë dënim

VOA Carolyn Pressuti, Marrë nga Associated Press

Gjykatësi i Nju Jorkut Juan Merchant vendosi që Presidenti i zgjedhur Donald Trump, të mos vuajë masë dënimi për çështjen e Nju Jorkut. Kjo do të thotë që ai është i dënuar zyrtarisht dhe kjo është pjesë e historisë së tij penale, por se nuk do të marrë dënim me burg, ose pasoja të tjera ndëshkuese. Zoti Trump dhe avokati i tij morën pjesë në seancën e dënimit përmes një videolidhjeje. Donald Trump do të betohet më 20 janar si i vetmi President i Shteteve të Bashkuara me dënim penal për krime.

Presidenti i zgjedhur Donald Trump shfrytëzoi të gjitha mundësitë ligjore për apelim dhe madje kërkoi nga Gjykata e Lartë që të bllokonte dhënien e dënimit lidhur me një nga gjyqet e tij të profilit më të lartë. Por të enjten vonë, Gjykata e Lartë hodhi poshtë kërkesën e tij për shtyrjen e dënimit.

Zoti Trump u shpall fajtor nga një juri më 30 maj të vitit 2024 për 34 akuza penale në lidhje me falsifikimin e të dhënave të biznesit, me qëllim fshehjen e një pagese prej 130 mijë dollarësh për të fituar heshtjen e një aktoreje të filmave pornografikë, pak përpara zgjedhjeve presidenciale të vitit 2016.

“Ky ishte një turp”, tha zoti Trump pas përfundimit të këtij gjyqi.

Analistët politikë si Shannon Bow O’Brien nga Universiteti i Teksasit thonë se kjo çështje ishte personale për zotin Trump.

“Atij nuk i pëlqen të pranojë fajin, dobësitë apo mangësitë”, thotë ajo.

Gjykatësi i Nju Jorkut, Juan Merchan, i cili kryesoi gjyqin, ka refuzuar kërkesat për shtyrjen e dënimit, por gjithashtu ka thënë më parë se nuk do ta dënonte me burg ish-presidentin.

“Mendoj se synimi i vëtetë është që të përçohet mesazhi se askush nuk është mbi ligjin dhe që procesi të çohet deri në fund”, thotë eksperti Gary Rose nga Universiteti Sacred Heart.

Një gjykatëse e emëruar nga zoti Trump këtë javë bllokoi përkohësisht kërkesat e Departamentit të Drejtësisë për publikimin e raporteve përfundimtare të dy hetimeve nga Prokurori i Posaçëm Jack Smith. Të dyja çështjet kanë të bëjnë me mbajtjen e dokumenteve sekrete dhe ndërhyrjen në zgjedhje që kulmoi me sulmin e 6 janarit në Kapitol.

Këtë javë, presidenti i zgjedhur ritheksoi mendimin e tij se prokurori Smith ishte emëruar në mënyrë të paligjshme.

“Ai u tërhoq nga çështja me turp. Pse duhet të lejohet të shkruajë një raport të rremë? Do të ishte vetëm një raport i rremë”, tha ai.

Prokurorëve të posaçëm u kërkohet me ligj që të përpilojnë raporte përmbledhëse. Prokurori i Përgjithshëm i Shteteve të Bashkuara tha se do të publikonte raportin e prokurorit Smith mbi sulmin e 6 janarit në Kapitol. Bërja publike e këtij raporti mund të pengojë përpjekjet e zotit Trump për të falur personat e arrestuar për këtë sulm.

“Publikimi i raportit mund të nxjerrë në dritë faktin që shumë nga veprimet e 6 janarit ishin të planifikuara, keqdashëse dhe kriminale. Kjo do ta bënte atë të dukej se ai po falë aktivitetin kriminal të këtyre njerëzve”, thotë ekspertja Shannon Bow O’Brien nga Universiteti i Teksasit në Austin.

Çështja e kartërt penale ka të bëjë me ndërhyrjen në zgjedhje në shtetin e Xhorxhias. Prokurorja u detyrua të tërhiqej nga kjo çështje për shkak të një marrëdhënieje të papërshtatshme me një punonjës. Pra, çështja është bllokuar derisa të pushohet apo të caktohet një prokuror tjetër.

“Mendoj se votuesit në të vërtetë shpresojnë që e gjithë kjo gjë të marrë fund dhe se tani ne mund të fillojmë përsëri me një mandat të dytë të zotit Trump”, thotë eksperti Gary Rose.

Mandati i dytë i Presidentit të zgjedhur Trump fillon të hënën, më 20 janar.

Ish-Presidenti Carter prehet pranë bashkëshortes së tij në Plains të Xhorxhias

Arkivoli i ish-Presidentit Carter pak kohë para varrimit në Plains të Xhorxhias.

 

VOA Marrë nga Associated Press

Funerali i qytetit të lindjes së ish-Presidentit Carter u mbajt në Kishën Baptiste Maranatha të enjtën në mbrëmje, para se në shoqërinë e familjes dhe pastorit të tij ai të varrosej pranë gruas së tij të ndjerë Rosalynn Carter në Plains të Xhorxhias.

Kisha e vogël ofroi një kontrast të fortë me madhështinë e funeralit shtetëror të enjten në Katedralen Kombëtare të Uashingtonit. Pastori personal i ish-Presidentit Carter, Tony Lowden, theksoi besimin e thellë të krishterë të ish-Presidentit Carter, duke vënë në dukje vazhdimisht përkushtimin e tij ndaj mësimeve të Jezu Krishtit.

Pastori Lowden u bëri thirrje anëtarëve të kishës t’i bënin vetes dhe të tjerëve pyetjet që ai tha se Carter i bënte gjithmonë: “Ku ke qenë? Çfarë keni bërë? Kë keni ndihmuar? Dhe si mund t’ju ndihmoj?”

Pastori falënderoi infermieret që u kujdesën për ish-Presidentin Carter dhe të tjerët që ishin pranë tij gjatë jetës së tij.

Arkivoli i ish-Presidentit Carter u largua nga kisha në shoqërinë e këngëve të krishtera “It is Well With My Soul” dhe “Old Rugged Cross”.

Zjarret në Los Anxhelos, shkatërrime me përmasa historike

VOA Marrë nga Reuters dhe AP

Të paktën pesë njerëz kanë vdekur nga zjarret që kanë kapluar një pjesë të konsiderueshme të Los Anxhelosit. Rreth 2 mijë struktura, përfshirë shumë shtëpi janë shkatërruar thellë në zemër të industrisë amerikane të filmit. Erërat që arritën shpejtësinë 160 kilometra e kanë përhapur zjarri në një sipërfaqe të madhe, duke arritur në lagjen e mirënjohur ‘Hollywood Hills’ vazhdon të shkatërrohet nga zjarret, njëri prej të cilëve vlerësohet si më i rëndi në historinë e qytetit. Në mes të shumë shtëpive që janë djegur në tërësi përfshihen edhe rezidencat e një mori yjesh të njohura të Hollivudit.

Auroritetet vazhduan përpjekjet për të shuar zjarret masive në orët e para të së enjtes në zonën e Los Anxhelosit që shkatërruan komunitete të tëra.

Mbi 100 mijë njerëz janë detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre. Zjarret që filluan të martën kanë shkaktuar tashmë disa vdekje dhe kanë shkatërruar rreth 2 mijë struktura.

Pamjet dramatike kanë vazhduar gjatë natës deri në orët e para të mëngjesit.

Kalimtarë të rastit u munduan ta shpëtojnë një shtëpi e cila rrezikonte të digjej nga flakët që kishte përfshirë një palmë aty pranë. Kalimtarët komunikuan me banorët e evakuuar të shtëpisë për t’i lejuar të hipin në çati të hedhin ujë mbi pemën që të mos lejonin përhapjen e zjarrit në tërë lagjen. Shumë situata të ngjashme janë publikuar gjithandej në rrjete sociale.

Banorët në qendër të Los Anxhelosit dolën në bulevardin e njohur të Hollivudit ku gjenden disa prej pikave më të njohura të industrisë së filmit për të parë zjarrin që i afrohej qytetit.

“Unë jam shumë e frikësuar sepse kishim një inspektim sot dhe na thanë që zjarret nuk do të kenë mundësi të kalojnë mbi kodra. Kur dolëm këtu në bulevard, fillova të qaja. Është vërtet e frikshme. E di që është më e frikshme për njerëzit që kanë humbur shtëpitë e tyre, por është vërtet e frikshme të mendosh se zjarri është kaq afër nesh”, thotë Allison Martin, banore e qytetit.

Imazhet nga hapësira tregojnë shpërndarjen e zjarrit duke kapluar qytetin dhe zonat përreth ndërsa pamjet që tregojnë situatën para dhe pas zjarreve tregojnë nivelin e shkatërrimeve masive.

Presidenti Joe Biden shpalli gjendjen e jashtëzakonshme për Kaliforninë që autorizon fonde dhe burime të tjera për katastrofën. Shtëpia e Bardhë gjithashtu njoftoi se Presidenti Biden anuloi një vizitë të planifikuar më parë për në Itali për shkak të situatës në Los Anxhelos.

“E di se bota po shikon imazhet e shkatërrimit të qytetit tonë. Unë pashë fushat e betejës me zjarrin dhe ato janë tronditëse”, tha në orët e vona të së mërkurës kryetarja e bashkisë së qytetit Karen Bass.

Deri të enjten në mëngjes, katër zjarre ishin ende aktive në Los Anxhelos, përfshirë edhe kodrat në pjesën perëndimore ku gjenden shumica e rezidencave të yjeve të njohura të Hollivudit.

Në mesin e atyre shtëpitë e të cilëve u janë djegur në tërësi janë edhe aktorët Billy Crystal dhe Mandy Moore. Zyrtarët e qytetit treguan se situata po ndryshon nga çasti në çast.

“Momentalisht zjarri ka kapluar një hapësirë mbi 6300 hektarësh. Dua ta bëj të qartë se ky incident është shumë dinamik dhe situata po ndryshon nga çasti në çast”, tha Kristin Crowley, shefja e departamentit të zjarrfikësve të Los Anxhelosit.

Kalifornia po kalon atë që njihet si sezoni i zjarreve në male. Ky sezon megjithatë ka filluar më herët dhe do të marrë fund më vonë si pasojë e rritjes së temperaturave dhe thatësirës për shkak të ndryshimeve mjedisore.

Shirat që zakonisht përfundojnë sezonin e zjarreve po vonohen, që do të thotë se zjarret mund të vazhdojnë të digjen edhe gjatë muajve të dimrit.

Ndërsa autoritetet po përballen me zjarret masive, republikanët dhe demokratët kanë këmbyer akuza për situatën. Republikanët, përfshirë Presidentin e zgjedhur Donald Trump kanë akuzuar udhëheqjen demokrate të Kalifornisë dhe Los Anxhelosit për keqmenaxhim të situatës, ndërsa demokratët kanë akuzuar rivalët e tyre se po shfrytëzojnë tragjedinë për qëllime politike.

Emisari i zgjedhur për Ukrainën thotë se Trumpi dëshiron një përfundim të drejtë të luftës

I zgjedhuri nga Donald Trumpi për postin e të dërguarit për Ukrainën dhe Rusinë, tha se presidenti i zgjedhur amerikan do të ketë parasysh interesat e Kievit kur ai të nisë punën për arritjen e një marrëveshjeje për dhënien fund të luftës dhe do të synojë që zgjidhja të jetë e drejtë.

“Njerëzit kanë nevojë ta kuptojë se ai nuk po tenton t’i japë diçka [presidentit rus, Vladimir] Putin apo rusëve”, tha Keith Kellogg, gjenerallejtënant në pension, të cilin Trumpi e ka zgjedhur në postin e të dërguarit të tij për Ukrainën dhe Rusinë dhe e ka ngarkuar me udhëheqjen e negociatave për t’i dhënë fund luftës.

“Ai po tenton të shpëtojë Ukrainën dhe të shpëtojë sovranitetin e saj”, tha Kellogg gjatë një interviste për Fox News më 8 janar. “Ai do të sigurohet që të jetë i drejtë dhe këtë e ka thënë vazhdimisht”, përfshirë edhe presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky.

Trump gjatë fushatës presidenciale vitin e kaluar tha se ai do t’i jepte fund konfliktit në Ukrainë brenda 24 orësh pasi të merrte detyrën e presidentit. Tani ai shpreson që t’u japë fund luftimeve brenda gjashtë muajve.

“Shpresoj që të ndodhë para se të kalojnë gjashtë muaj”, tha Trump gjatë një konference për media më 7 janar kur u pyet nëse do të mund të zgjidhte konfliktin për gjysmë viti.

Kellogg tha se ai preferon një periudhë më të shkurtër kohore, në një periudhë prej 100 ditësh nga inaugurimi i Trumpit si presidenti më 20 janar. Sipas emisarit, ai dhe Trumpi dëshirojnë që t’i japin fund luftës sa më shpejt të jetë e mundur.

Kellogg nuk pranoi të zbulonte përmbajtjen e ndonjë nga bisedat e tij me Trumpin mbi luftën, duke thënë se Trump “flet vetë” dhe më shumë informacione për këtë temë do të bëhen publike pas inaugurimit.

Ai la të kuptohet se po punohet që Trump dhe Putin të bisedojnë.

“Ne do të vendosim kushtet… dhe ai më pas do të jetë në pozitë që të bisedojë me Putinin dhe po ashtu me presidentin Zelensky dhe mendoj se do të arrijmë deri te një zgjidhje në një periudhë të shkurtër kohore”, tha Kellogg.

Megjithatë, ai nuk u pyet lidhur me shtyrjen e një vizite që ai pritej të zhvillonte gjatë këtij muaji në Kiev dhe në kryeqytete të tjera evropiane. Ministri i Jashtëm ukrainas, Andriy Sybiha, njoftoi më 7 janar se kjo vizitë do të riplanifikohet.

Gjatë intervistës, Kellogg kritikoi presidentin amerikan, Joe Biden, për moskomunikim me Putinin, duke thënë se kanë kaluar më shumë se dy vjet që kur ata kanë biseduar. Trump, në anën tjetër, flet si me kundërshtarët ashtu edhe me aleatët, tha ai.

“Ai e di se duhet të flitet me njerëz për të arritur te një zgjidhje përfundimtare dhe kjo është ajo çfarë ne do të bëjmë”, tha Kellogg.REL

Presidenti i zgjedhur Trump në Kongres

Presidenti i zgjedhur Donald Trump në godinën e Kongresit të Shteteve të Bashkuara (8 janar 2025)

 

VOA Marrë nga Reuters

UASHINGTON – Presidenti i zgjedhur Donald Trump mbërriti në Senatin amerikan të mërkurën me synimin për të bashkuar republikanët rreth një strategjie për uljen e taksave, për kontrollet kufitare dhe rritjen e prodhimit të karburanteve fosile, 12 ditë përpara se të rikthehet në Shtëpinë e Bardhë.

Zoti Trump hyri në Kapitolin e Shteteve të Bashkuara për herë të parë që kur mbështetësit e tij sulmuan ndërtesën më 6 janar 2021, bazuar në pretendimet për manipulimin e zgjedhjeve të vitit 2020.

Ai bëri nderimet e tij me një vizitë tek arkivoli i ish-Presidentit Jimmy Carter në hollin e Kapitolit, përpara se të takohej me republikanët, që kanë një shumicë 53-47 në Senat. Presidenti i zgjedhur Trump do të marrë pjesë në funeralin e ish-Presidentit Carter të enjten në Uashington.

Presidenti i zgjedhur Trump me bashkëshorten e tij duke bërë homazhe tek arkivoli i ish-Presidentit Jimmy Carter (Kapitol, 8 janar 2025)

Presidenti i zgjedhur Trump me bashkëshorten e tij duke bërë homazhe tek arkivoli i ish-Presidentit Jimmy Carter (Kapitol, 8 janar 2025)

Me një shumicë të ngushtë në Senat dhe Dhomën e Përfaqësuesve, republikanët ende nuk kanë rënë dakord nëse duhet të ndjekin një projektligj që përmban përparësitë e tij, ose dy projektligje, si dhe duket se kanë pikëpamje të ndryshme rreth asaj që legjislacioni duhet të përmbajë.

Disa senatorë republikanë kanë argumentuar se duhet ta ndajnë axhendën e zotit Trump në dy projektligje, duke i lejuar ata të arrijnë një sukses të shpejtë për politikën kufitare dhe energjitike, përpara se të merren me çështjen më të mprehtë, atë të taksave. Disa republikanë të Dhomës së Përfaqësuesve paralajmërojnë se, duke patur parasysh shumicën e tyre të ngushtë, përqasja me dy hapa rrezikon të dështojë në miratimin e projektligjit të dytë, që zgjat uljen e taksave të miratuara gjatë mandatit të parë të Presidentit Trump.

“Po shqyrtojmë nëse do jetë një apo dy projektligje. Çfarëdo që të jetë, nuk ka rëndësi, ne do të marrim rezultatin”, u tha Presidenti i zgjedhur Trump gazetarëve, ndërsa po ecte në Kapitol.

Ata gjithashtu do të duhet të merren me mënyrën se si të kompensojnë efektet e uljeve të reja të taksave tek borxhi në rritje i vendit prej 36 trilionë dollarësh.

Në një shenjë të mundshme të zhvillimeve që do të vijojnë, zotit Trump iu desh të ndërhynte në Dhomën e Përfaqësuesve javën e kaluar, kur Kryetari Mike Johnson fillimisht nuk pati votat e nevojshme për rizgjedhjen në postin e tij të lartë. Pas gati dy orësh negociatash, një telefonatë nga Presidenti i zgjedhur Trump ndihmoi që dy kundërshtarë republikanë të linjës së ashpër, të ndryshojnë qëndrimet e tyre dhe të mbështesin zotin Johnson.

“Asgjë nga këto nuk ndodh pa udhëheqjen e Shtëpisë së Bardhë. Diferenca është thjesht shumë e vogël”, u tha gazetarëve senatori republikan Thom Tillis. “Presidenti Trump merr statusin e kapitenit për zgjidhjen e votimit për kryetarin. Dhe ne do të kemi nevojë që ai ta vazhdojë këtë rol, për t’i përfunduar këto projektligje. Është e logjikshme”.

Presidenti i zgjedhur duke biseduar me mediat në Kapitol (8 janar 2025)

Presidenti i zgjedhur duke biseduar me mediat në Kapitol (8 janar 2025)

Të premten, presidenti i zgjedhur do të fillojë takime treditore me republikanët e Dhomës së Përfaqësuesve në rezidencën e tij Mar-a-Lago, në Florida.

“Ai duhet të dëgjojë se cilat janë përshtypjet tona për sa i përket mënyrës se si do të arrijmë atje ku të gjithë duam të shkojmë”, tha senatorja Shelley Moore Capito, që ishte organizatorja e takimit të së mërkurës.

Republikanët synojnë të mbështesin axhendën e zotit Trump duke përdorur një manovër komplekse legjislative, që do t’i lejojë ata të anashkalojnë opozitën demokrate në Senat. Shumica republikane, 53-47 në Senat, është shumë e ngushtë për të kapërcyer pragun prej 60 votash që duhen në këtë dhomë për pjesën më të madhe të ligjeve.

Në Dhomën e Përfaqësuesve, një shumicë prej 219 vendesh pritet të zvogëlohet në 217-215 pasi Presidenti i zgjedhur Trump të marrë detyrën në më pak se dy javë. Dy ligjvënës republikanë janë të gatshëm të largohen nga Kongresi dhe t’i bashkohen administratës së tij.


Send this to a friend