VOAL

VOAL

Janusz Bugajski për Danas të Beogradit: Plani trepalësh i Washingtonit & Brukselit është evident se mund të çojë në konflikte të armatosura në rajon

Eksperti Amerikan i Ballkanit Janusz Bugajski jep intervistë për Danas të Beogradit

Danas: Cilët janë treguesit më të qartë të planit trepalësh të Uashingtonit dhe Brukselit për të cilin shkruani dhe sa i rrezikshëm është një plan i tillë për paqen në rajon?
Janusz Bugajski: Një plan i tillë është evident në manipulimet zgjedhore në BeH, presionet për vendosjen e autonomisë politike serbe në Kosovë dhe tradhtinë që iu bë liderit më besnik properëndimor Milo Gjukanoviq në Mal të Zi. Një plan i tillë do të shkaktojë konflikte të reja që mund të çojnë në konflikte të armatosura sepse boshnjakët, malazezët dhe kosovarët do ta shohin atë si një përpjekje për të eliminuar shtetësinë e tyre dhe për të ngushtuar identitetin e tyre kombëtar.

Danas: A kanë SHBA një ekip në Ballkan që i kupton vërtet kushtet lokale në terren? Çfarë mund të presim nga James Rubin, i dërguari special i SHBA-së dhe koordinatori i Qendrës për Angazhimin Global në Departamentin e Shtetit (gjatë një vizite të fundit në rajon, Rubin tha se Ballkani Perëndimor është i ndjeshëm ndaj dezinformatave ruse dhe kineze dhe se shumë prej tyre vijnë nga Serbia, ai shprehu gjithashtu besimin se Mali i Zi nuk do t’i kthehet më Beogradit dhe Moskës) nëse merret parasysh se përfaqësues të administratës së Bidenit si Escobar, Chole… me sa duket po bëjnë gjithçka për të qetësuar aktorët prorusët  në dëm të aktorëve të vërtetë properëndimorë?
Janusz Bugajski: Rubin ka të drejtë se rajoni i Ballkanit është veçanërisht i ndjeshëm ndaj luftërave informative ruse dhe kineze, veçanërisht sepse ka aktorë shtetërorë në Beograd dhe gjetkë që përfitojnë prej saj.

Në deklaratën për Malin e Zi, është e paqartë nëse Rubin e keqkupton politikën e vendit apo po i dërgon një paralajmërim presidentit të zgjedhur Milatoviq që të mos lejojë Beogradin dhe Moskën të zgjerojnë ndikimin e tyre në institucionet malazeze.

Le të shpresojmë që Escobar, Hill, Chole dhe zyrtarë të tjerë po përgatiten për beteja të reja politike në rajon, sepse reagimi i tyre i dobët ndaj agjendës së Vuçiqit dhe Dodikut do të nxisë oreksin e Beogradit dhe Banja Lukës dhe në të njëjtën kohë do të inkurajojë rezistencën kundër Politikës panserbe.

Danas: Mali i Zi do të mbajë zgjedhjet parlamentare më 11 qershor. A mund të presim një ndikim hibrid më të hapur dhe më të fortë të Serbisë, pra dhe Rusisë, në Malin e Zi?
Janusz Bugajski: Absolutisht, pasi blloku pro-serb dhe liberalët syleshë në Mal të Zi janë të vendosur të hakmerren politik ndaj DPS-së.

Blloku pro Beogradit dhe pro-Moskës kërkon të ndryshojë shtetësinë e Malit të Zi, anëtarësimin në NATO, njohjen e Kosovës dhe sanksionet kundër Rusisë për shkak të luftës në Ukrainë.

Liberalët janë të fiksuar në korrupsionin e supozuar dhe sundimin e gjatë të DPS-së, ndërsa me sa duket injorojnë korrupsionin financiar dhe strategjik të partnerëve të tyre pro-rusë në parlament dhe qeveritë e koalicionit gjatë dy viteve e gjysmë të fundit.

Në vitet e ardhshme, Mali i Zi do të jetë një fushë beteje midis mbështetësve të pavarësisë dhe mbrojtësve të “botës” serbe dhe ruse.

Danas: Me fitoren e Milatoviqit, i cili mbështetet hapur nga forcat pro-ruse dhe pro-serbe, a bëhet Mali i Zi një shtet përfaqësues brenda NATO-s?
Janusz Bugajski: Duket se Beogradi dhe Moska janë të bindur se presidenti i sapozgjedhur Milatoviq mund të sillet në një orbitë më të ngushtë serbe dhe të përshpejtojë depërtimin e Rusisë në rajon.

Në intervistat e tij paszgjedhore, Milatoviq ishte shumë i përgjithshëm për qëndrimin e tij për çështje të rëndësishme rajonale.

Mbetet e paqartë nëse kjo tregon dobësi dhe pavendosmëri apo përllogaritje të thjeshta elektorale përpara zgjedhjeve parlamentare të qershorit.

Ai shpreh angazhimin e tij për anëtarësimin në BE dhe qëndrimin në aleancën e NATO-s.

Pavarësisht, presidenti i një vendi anëtar të NATO-s duhet të jetë më afirmativ dhe pozitiv për rëndësinë e anëtarësimit për pavarësinë kombëtare dhe stabilitetin rajonal dhe si një burim mbrojtjeje kundër përmbysjes së Kremlinit.

Ai do të gjykohet nga veprimet e tij në ruajtjen apo dorëzimin e pavarësisë së Malit të Zi.

Danas: Sa do të zgjidhen problemet që ka Ballkani me Rusinë me fitoren e pritur të Ukrainës?
Janusz Bugajski: Fitorja ushtarake e Ukrainës dhe dëbimi i forcave pushtuese ruse do të dërgojë një sinjal të fortë se pavarësia dhe identiteti kombëtar do të mbrohen kundër grabitqarëve perandorakë.

Kjo do të dobësojë aftësitë ushtarake dhe ekonomike të Moskës dhe narrativat propagandistike duke treguar se Rusia është një shtet i dështuar. Më e rëndësishmja, ajo do të përshpejtojë shpërbërjen e Federatës Ruse artificiale dhe do të paralajmërojë shfaqjen e shteteve të reja nga “perandoria e brendshme” e Moskës.

Megjithatë, për të mbuluar humbjen e tij në Ukrainë, Kremlini do të përpiqet të krijojë probleme të reja sigurie për Perëndimin në rajone vulnerabël siç është Ballkani Perëndimor.

Prandaj, NATO dhe BE duhet të jenë gati për provokime të reja të perandorisë së plagosur dhe në vdekje.

SHBA, akuza për krijimin e një celule të fshehtë policore kineze në Nju Jork

VOA/Marrë nga Reuters

Organet amerikane të rendit kanë arrestuar dy banorë të Nju Jorkut që dyshohet se drejtonin një “stacion policor sekret” kinez në lagjen Chinatown të Manhatanit, thuhet në një deklaratë të publikuar të hënën nga kryeprokurori federal në Bruklin. Departamenti amerikan i Drejtësisë njoftoi se janë ngritur akuza edhe për 44 oficerë kinezë të sigurisë në lidhje me përpjekjet e Kinës për të goditur disidentët në Shtetet e Bashkuara dhe në mbarë botën.

Liu Jianwang, 61 vjeç dhe Chen Jinping, 59 vjeç, përballen me akuza për komplot për të vepruar si agjentë të qeverisë së Kinës pa informuar autoritetet amerikane dhe për pengim të drejtësisë, thanë prokurorët.

Ata pritej të dalin para gjykatës federale në Bruklin më vonë të hënën.

Akuzat vijnë ndërsa Departamenti i Drejtësisë vazhdon të zgjerojë hetimet lidhur me ato që i cilëson si përpjekje të vendeve kundërshtare si Kina dhe Irani për të frikësuar kundërshtarët e tyre politikë që jetojnë në Shtetet e Bashkuara.

“Kjo ndjekje penale zbulon shkeljen flagrante të sovranitetit tonë nga qeveria kineze, duke krijuar një stacion policie sekrete në mes të qytetit të Nju Jorkut”, tha në një deklaratë kryeprokurori federal, Breon Peace.

Prokurorët thonë se i akuzuari Lu, në vitin 2018 kërkoi të bindte të kthehej në vendin e tij një individ të kërkuar nga qeveria kineze. Individi në fjalë kishte njoftuar organet e rendit se ishte ngacmuar dhe kërcënuar, thanë hetuesit.

Në vitin 2022, qeveria kineze i kërkoi të pandehurit Lu që të ndihmonte në gjetjen e një individi që jetonte në Kaliforni, i cili konsiderohej aktivist pro-demokracisë, thanë prokurorët.

Prokurorët thanë se dy të pandehurit kishin pranuar në FBI se i kishin fshirë të gjitha komunikimet e tyre me një zyrtar të qeverisë kineze pasi mësuan se ishin nën hetim.

Prokurorët federalë kanë ngritur padi ndaj mbi dhjetë shtetasish kinezë dhe të tjerë nën akuzat për vëzhgim dhe shqetësim të disidentëve që jetojnë në Shtetet e Bashkuara. Në disa raste ka patur edhe përpjekje për riatdhesim me forcë të individëve të kërkuar nga qeveria kineze.

Arrestimet vijnë pasi drejtori i FBI-së, Christopher Wray, i tha një komisioni të Senatit amerikan në nëntor, se ishte “shumë i shqetësuar” për praninë e stacioneve të tilla në qytetet amerikane.

Ai tha se ngritja e një pranie policore në Shtetet e Bashkuara nga qeveria kineze “shkel sovranitetin” dhe anashkalon bashkëpunimin e organeve të rendit.

FBI arreston anëtarin e Gardës Kombëtare, të dyshuar për publikimin e dokumenteve sekrete

VOA/Marrë nga Reuters dhe AP

Anëtari i Gardës Kombëtare të Masaçusetsit, Jack Teixeira, u arrestua të enjten në lidhje me rrjedhjen e dokumenteve ushtarake shumë sekrete në lidhje me luftën në Ukrainë dhe çështje të tjera madhore të sigurisë kombëtare amerikane, një shkelje alarmante që ka ngritur pyetje të reja në lidhje me aftësinë e Shteteve të Bashkuara për të mbrojtur sekretet më të ndjeshme.

21-vjeçari Teixeira u arrestua në shtëpinë e tij në Masaçusets nga oficerët e FBI-së pa bërë rezistencë. Akuzat ndaj tij do të ngrihen në bazë të një dispozite të Ligjit për Spiunazhin, që e konsideron krim marrjen ose transmetimin e informacionit të klasifikuar të mbrojtjes kombëtare, tha pas arrestimit Prokurori i Përgjithshëm Merrick Garland.

Zoti Garland nuk dha ndonjë motiv të mundshëm për nxjerrjen e informacioneve, por persona që kishin komunikuar me të në platformën e komunikimeve private Discord, ku u shfaqën dokumentet, kanë thënë se zoti Teixeira ishte më i motivuar nga dëshira për të shitur mend, sesa ideologjia.

Arrestimi i së enjtes ishte një moment kyç në hetimin për rrjedhjen e informacionit të zbulimit të profilit më të lartë prej vitesh dhe ushtria dhe Departamenti i Drejtësisë po vazhdojnë të hetojnë se si ka mundësi që sekretet qeveritare të publikuara në një platformë private si Discord, qarkulluan në mbarë botën.

Fakti që anëtari i Gardës Kombëtare rezultoi si i dyshuari kryesor, po shtron pyetjen se si ka mundësi që një shkelje kaq e rëndë, që Pentagoni e quajti një “rrezik shumë serioz për sigurinë kombëtare”, mund të jetë shkaktuar nga një pjesëtar kaq i ri dhe i një rangu të ulët.

Zoti Teixeira ishte specialist i sistemeve të transportit kibernetik, që do të thotë një specialist i teknologjisë, përgjegjës për rrjetet e komunikimeve ushtarake.

Disa orë pas arrestimit, kryetari i Komisionit të Zbulimit të Dhomës së Përfaqësuesve, Mike Turner, lëshoi një deklaratë ku premtoi se do të “analizojë se pse ndodhi kjo, pse kaloi pa u vënë re për javë të tëra dhe si të parandalohen rrjedhjet në të ardhmen”.

Zoti Teixeira, do të paraqitet para një gjykate në Masaçusets të premten. Nuk ishte menjëherë e qartë nëse ai ka një avokat që mund të flasë në emër të tij.

Administrata e presidentit Biden ka bërë përpjekje intensive për të vënë nën kontroll pasojat e mundshme diplomatike dhe ushtarake nga rrjedhjet që kur u njoftua për herë të parë për to javën e kaluar, duke marrë masa për të siguruar aleatët dhe për të vlerësuar përmasat e dëmit.

Dokumentet e klasifikuara – të cilat nuk janë konfirmuar nga zyrtarët amerikanë – variojnë nga informacione që tregojnë pozicionet ushtarake të Ukrainës deri te vlerësimet e mbështetjes ndërkombëtare për Ukrainën dhe tema të tjera të ndjeshme, përfshirë rrethanat kur Presidenti rus Vladimir Putin mund të përdorë armë bërthamore.

Pritet një arrestim, Biden tenton t’i ulë shqetësimet për rrjedhjen e dokumenteve amerikane

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, gjatë një vizitë në Dublin, Irlandë. 13 prill 2023.

RFE/RL

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, tentoi t’i zbusë shqetësimet lidhur me rrjedhjen e supozuar të dokumenteve të klasifikuara amerikane javën e kaluar. Ndërkohë, mediat amerikane raportojnë se një arrestim lidhur me këtë rast pritet të bëhet së shpejti në shtetin e Masaçusets.

Biden tha se rrjedhja e këtyre dokumenteve – ku jepen detaje rreth aftësive ushtarake të disa aleatëve dhe kundërshtarëve të SHBA-së – nuk zbuloi asgjë shumë të vlefshme.

Departamenti amerikan i Drejtësisë ka hapur një hetim zyrtar për këtë çështje pasi iu referua ky rast nga Pentagoni, që po vazhdon të punojë në vlerësimin e dëmeve të shkaktuara nga rrjedhja e dokumenteve.

Mediumi amerikan Washington Post raportoi më 12 prill se personi që dyshohet se publikoi dokumentet në platformën për komunikim Discord, ishte një entuziast i armëve i cili punonte në një bazë ushtarake. Ky medium raportoi duke u bazuar në intervista të bëra me dy anëtarë të këtij grupi të paidentifikuar.

Dokumentet thuhet se u postuan muaj më parë, por nuk tërhoqën vëmendje deri kur mediumi amerikan The New York Times raportoi për këto dokumente.

Wall Street Journal (WSJ) dhe Reuters, duke u thirrur në burime, raportuan se një arrestim lidhur me këtë rast është i pashmangshëm. WSJ shkruan se arrestimi mund të bëhet qysh të enjten, më 13 prill.

“Po zhvillohet një hetim i plotë, siç e dini, në komunitetin e inteligjencës dhe Departamentin e Drejtësisë. Dhe ata po afrohen”, u tha Biden gazetarëve në Dublin më 13 prill, duke komentuar për herë të parë publikisht pas rrjedhjes së dokumenteve.

Biden, i cili është duke e bërë një vizite katër-ditore në Irlandën e Veriut dhe Republikën e Irlandës, shtoi se ai “nuk është i shqetësuar për rrjedhjen”.

Më herët, Shtëpia e Bardhë tha se Biden nuk diskutoi për këtë çështje gjatë takimit të kësaj jave me kryeministrin britanik, Rishi Sunak, në Irlandën e Veriut.

Numri i dokumenteve të zbuluara, disa prej të cilave thuhet se shënoheshin me etiketën “top sekret”, nuk është i ditur.

Ato supozohet se përfshijnë informacione të ndjeshme rreth Ukrainës, Koresë së Jugut, Izraelit dhe shumë vendeve të tjera. Administrata e Bidenit ka frikë se rrjedhja e informacionit mund t’i dëmtojë marrëdhëniet e SHBA-së me aleatët kryesorë dhe partnerët strategjikë të saj.

Grupi në Discord dyshohet se përfshinte njerëz nga Rusia dhe Ukraina, sipas mediumit, dhe ishte i fokusuar në një “dashuri reciproke për armët, pajisjet ushtarake dhe Zotin”. Platforma Discord është e famshme në mesin e adhuruesve të video lojërave online.

Personi që postoi dokumentet, i cili përdorte një llogari me nofkën OG, dyshohet se u tha anëtarëve të grupit se ndonjëherë punonte në një pjesë të bazës ushtarake “që ndalonte telefonat celularë dhe pajisjet e tjera elektronike”.

Zëvendësministrja e Mbrojtjes e Ukrainës, Hanna Malyar, tha në televizionin ukrainas më 12 prill se “rreziku i rrjedhjeve është shumë minimal” sepse vetëm një “rreth shumë i ngushtë njerëzish” është në dijeni të planifikimeve ushtarake ukrainase.

Departamenti i Shtetit: Rusia në shkelje të ligjit ndërkombëtar me gazetarin e arrestuar amerikan

VOA/Marrë nga Reuters

UASHINGTON – Rusia nuk u ka lejuar zyrtarëve konsullorë amerikanë që të kenë qasje tek gazetari i gazetës Wall Street Journal, Evan Gershkovich, i cili u ndalua në fund të muajit të kaluar, duke shkelur kështu ligjin ndërkombëtar, tha të hënën zëvendës zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Vedant Patel.

Zoti Patel u tha gazetarëve gjatë një seance informimi se Moska e ka njoftuar zyrtarisht gjatë fundjavës Uashingtonin për arrestimin, por se Shtetet e Bashkuara ende po përpiqen të kontaktojnë nëpërmjet zyrtarëve konsullorë zotin Gershkovich, i cili është arrestuar që më 29 mars, me akuza për spiunazh.

“Në këtë pikë është shkelje e detyrimeve të Rusisë sipas konventës së marrëdhënieve konsullore dhe shkelje e ligjit ndërkombëtar”, tha zoti Patel.

Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Sovjetik ranë dakort në një traktat të nënshkruar në vitin 1964 se një zyrtar konsullor do të lejohet të vizitojë një shtetas të ndaluar apo të arrestuar të palës tjetër, brenda dy deri në katër ditë nga ndalimi, në varësi të vendndodhjes.

Evan Gershkovich

Evan Gershkovich

“Kemi theksuar nevojën që qeveria ruse ta mundësojë këtë qasje sa më shpejt të jetë e mundur”, shtoi zoti Patel.

Departamenti i Shtetit njoftoi gjithashtu të hënën se Sekretari Blinken mori vendimin për ta përcaktuar të padrejtë ndalimin e zotit Gershkovich, duke i bërë thirrje ndërkohë thirrje Rusisë edhe për lirimin e shtetasit tjetër amerikan Paul Whelan.

Ambasada ruse në Uashington nuk iu përgjigj menjëherë kërkesave për koment.

Avokatët e gazetës Wall Street Journal e kanë vizituar gazetarin, dhe gazeta ka bërë thirrje për lirimin e tij të menjëhershëm.

Shtetet e Bashkuara kanë bërë thirrje që Rusia të lirojë zotin Gershkovich dhe i kanë hedhur poshtë si qesharake pretendimet për spiunazh.

SHBA në kërkim të burimit që publikoi dokumentet sekrete

VOAL/Marrë nga Reuters

Zyrtarët amerikanë po punojnë për identifikimin e burimit të dokumenteve të klasifikuara ushtarake dhe të shërbimeve të zbulimit, që u shfaqën në internet, me detaje nga mbrojtja ajrore e Ukrainës, deri te agjencia izraelite e inteligjencës, Mossad.

Disa ekspertë perëndimorë të sigurisë dhe zyrtarë amerikanë thonë se dyshojnë se mund të jetë dikush nga Shtetet e Bashkuara që i ka nxjerrë dokumentet sekrete.

Zyrtarët thonë se gjerësia e temave të trajtuara në dokumente, të cilat prekin luftën në Ukrainë, Kinën, Lindjen e Mesme dhe Afrikën, sugjerojnë se ato mund të jenë nxjerrë nga një amerikan dhe jo nga një vend aleat.

“Vëmendja tani është përqendruar tek mundësia që kjo të jetë një rrjedhje nga SHBA-të, pasi shumë nga dokumentet kanë qenë në duart e amerikanëve”, thotë Michael Mulroy, ish-zyrtar i lartë i Pentagonit.

Zyrtarët amerikanë thanë se hetimi është në fazat e hershme dhe ata që e drejtojnë atë nuk e kanë përjashtuar mundësinë që elementë pro-rusë të jenë pas rrjedhjes. Kjo shihet si një nga shkeljet më serioze të sigurisë që nga koha kur mbi 700,000 dokumente, video dhe raporte diplomatike, u shfaqën në faqen e internetit “WikiLeaks” më 2013.

Pas zbulimit të dokumenteve, agjencia e lajmeve “Reuters” ka shqyrtuar më shumë se 50 dokumente të etiketuara “Sekret” dhe “Tepër Sekret” që u shfaqën për herë të parë muajin e kaluar në rrjetet sociale, duke filluar me ‘Discord’ dhe ‘4Chan’.

Reuters nuk ka arritur të verifikojë në mënyrë të pavarur vërtetësinë e dokumenteve. Disa, që japin shifra të viktimave në fushën e betejës nga Ukraina, duket se ishin ndryshuar për të minimizuar humbjet ruse.

Nuk është e qartë pse të paktën njëri dokument është shënuar i paklasifikuar, por përfshin informacione tepër sekrete. Disa dokumente janë të shënuara “NOFORN”, që do të thotë se ato nuk mund t’u jepen shtetasve të huaj.

Departamenti amerikan i Mbrojtjes tha të dielën se agjenci të shumta po punojnë për të vlerësuar ndikimin e rrjedhjes së dokumenteve tepër sekrete tek siguria kombëtare.

“Departamenti i Mbrojtjes vazhdon të shqyrtojë vlefshmërinë e dokumenteve që qarkullojnë në faqet e rrjeteve sociale dhe që duket se përmbajnë materiale të ndjeshme dhe tepër sekrete”, tha në një deklaratë zëdhënësja e Pentagonit, Sabrina Singh.

Zonja Singh tha se siguria kombëtare është përparësia më e lartë për Pentagonin dhe se zyrtarët amerikanë janë “angazhuar me aleatët dhe partnerët dhe kanë informuar komisionet përkatëse të Kongresit për zbulimin”.

Një nga dokumentet, i datës 23 shkurt dhe i shënuar “Sekret”, përshkruan në detaje se si Ukraina, me normën aktuale të përdorimit, rrezikon të mbesë pa sisteme të mbrojtjes ajrore deri më 2 maj.

Një informacion i tillë mund të jetë i dobishëm për forcat ruse dhe Ukraina tha se presidenti i saj dhe zyrtarët e lartë të sigurisë u takuan të premten për të diskutuar mënyrat për të parandaluar rrjedhjet.

Vëzhgimi i aleatëve

Një dokument tjetër, i shënuar “Tepër Sekret” nga një informacion i mbledhur nga Agjencia Qëndrore e Inteligjencës (CIA) që mban datën 1 mars, thotë se shërbimi sekret i Izraelit “Mossad” po inkurajonte protesta kundër planeve të kryeministrit Benjamin Netanyahu për të forcuar kontrollin mbi Gjykatën e Lartë të Izraelit.

Dokumenti vinte në dukje se SHBA-të e siguruan këtë informacion përmes një mënyre që sugjeron se Shtetet e Bashkuara kishin spiunuar një nga aleatët e saj më të rëndësishëm në Lindjen e Mesme.

Në një deklaratë të publikuar të dielën, zyra e kryeministrit Netanyahu e cilësoi informacionin si “të pavërtetë dhe pa asnjë bazë”.

Një dokument tjetër jep detaje të diskutimeve të brendshme midis zyrtarëve të lartë të Koresë së Jugut në lidhje me presionin e SHBA-së mbi Seulin, për të ndihmuar furnizimin me armë të Ukrainës dhe politikën e saj për të mos e bërë këtë.

Një zyrtar presidencial i Koresë së Jugut tha të dielën se vendi ishte në dijeni të raporteve në lidhje me dokumentet e klasifikuara dhe se planifikon të diskutojë “çështjet e ngritura” me Uashingtonin.

Dy zyrtarë amerikanë, duke folur në kushte anonimiteti, thanë se ndërsa ekzistonte shqetësimi për rrjedhjen në Pentagon dhe agjencitë e inteligjencës, dokumentet flasin për atë se si ishte situata para më shumë se një muaji dhe ato nuk përmbajnë vlerësimet më të fundit.

Dy zyrtarët thanë se ushtria dhe agjencitë e inteligjencës po hulumtonin proceset e tyre për të kuptuar se deri në çfarë niveli shpërndahen informacionet e klasifikuara brenda SHBA-së.

Zyrtarët po shikojnë se çfarë motivesh do të kishte një zyrtar amerikan ose një grup zyrtarësh për të nxjerrë informacione të tilla të ndjeshme, tha një nga zyrtarët që foli për Reuters.

Ai tha se hetuesit po shikonin katër ose pesë teori, që nga mundësia e një punonjësi të pakënaqur, deri tek një kërcënim i brendshëm, që në mënyrë aktive donte të minonte interesat e sigurisë kombëtare të SHBA.

Presidenti Biden: Kam në plan të rikandidoj, por nuk jam gati ta shpall vendimin zyrtarisht

VOA

Presidenti Joe Biden tha të hënën se ka në plan të rikandidojë në zgjedhjet presidenciale të vitit 2024, por nuk është ende gati ta shpallë zyrtarisht vendimin.

“Kam në plan të kandidoj, por nuk jemi ende gati ta shpallim një vendim të tillë”, tha Presidenti Biden në një intervistë për emisionin “Today” të rrjetit televiziv NBC-së, përpara një aktiviteti në Shtëpinë e Bardhë lidhur me festën e Pashkëve.

Si Presidenti Biden ashtu edhe Nënpresidentja Kamala Harris kanë thënë se do të kandidojnë së bashku.

Këshilltarët kryesorë të Shtëpisë së Bardhë pritet të marrin vendimin përfundimtar për nisjen e fushatës për rizgjedhje të zotit Biden, njoftoi ‘NBC News’, duke cituar disa burime të paidentifikuara.

“Vendimi është marrë, por atij nuk i pëlqen trysnia që po i bëhet për ta shpallur një vendim që ai tashmë e ka marrë”, tha një burim në dijeni të çështjes për rrjetin NBC.

Pentagoni, hetime rreth atyre që dyshohet të jenë dokumente sekrete lidhur me Ukrainën

VOA/Marrë nga Reuters

Një rrjedhje e dokumenteve që dyshohet të jenë të klasifikuara, ku detajohen planet sekrete të Shteteve të Bashkuara dhe NATO-s për të ndihmuar Kievin, ka të ngjarë të jetë një operacion rus dezinformimi, për të hedhur dyshime në lidhje me kundërofensivën e planifikuar të Ukrainës, tha të premten një zyrtar i lartë ukrainas.

Mykhailo Podolyak i tha agjencisë së lajmeve Reuters se të dhënat e rrjedhura të raportuara nga gazeta New York Times përmbanin një “sasi shumë të madhe informacioni të sajuar” dhe se Rusia po përpiqet të rimarrë kontrollin e ofensivës së saj ndaj Ukrainës.

“Këto janë elemente standarde të lojërave operacionale nga zbulimi rus. Asgjë më shumë”, tha ai përmes një deklarate.

Agjencia e lajmeve Reuters tha se nuk ishte në gjendje të analizonte menjëherë dokumentet e rrjedhura.

New York Times raportoi të enjten se Pentagoni po heton se si këto dokumente që dyshohet se detajojnë planet për të përgatitur ushtrinë ukrainase për një ofensivë të planifikuar, u publikuan në mediat sociale këtë javë.

“Jemi në dijeni të njoftimeve për postime në mediat sociale dhe departamenti po shqyrton çështjen”, tha zëvendës sekretarja e shtypit e Pentagonit, Sabrina Singh.

Nga ana e tij zoti Podolyak i sheh këto zhvillime si një përpjekje të Rusisë për të fituar terren në Ukrainë:

“Ata po përpiqen të ndikojnë në skenarët e planeve kundërsulmuese të Ukrainës. Për të ngritur dyshime, për të kompromentuar idetë dhe në fund për të na frikësuar me idenë se sa ‘të informuar’ janë ata”.

Trupat ukrainase janë përballur prej muajsh me një sulm rus në lindje të vendit, të përqendruar rreth qytetit të Bakhmutit. Ukraina shpreson të nisë një kundërofensivë në javët ose muajt e ardhshëm për të rimarrë territoret e pushtuara nga Rusia.

Raporti i gazetës New York Times thotë se dokumentet dukej se ishin modifikuar në pjesë të caktuara. Një pjesë e dokumenteve ofroi një vlerësim për humbjet ushtarake ukrainase që ishin shumë më të larta se vlerësimet perëndimore të disponueshme deri më tani.

Ukraina nuk i publikon nivelet e humbjeve të saj dhe është shumë e ndjeshme për këtë çështje.

Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve mirëpret presidenten tajvaneze si një “mike të madhe të Amerikës”

Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve Kevin McCarthy dhe Presidentja e Tajvanit, Tsai Ing-wen duke folur në Bibliotekën Kombëtare Ronald Reagan në Kaliforni (5 prill 2023)

VOA

Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, Kevin McCarthy, u takua të mërkurën me Presidenten e Tajvanit, Tsai In-wen, në Kaliforni, dhe e quajti atë “një mike të madhe të Amerikës”.

Në fillim të takimit të tyre, zoti McCarthy tha se “jam optimist se do të vazhdojmë të gjejmë mënyra për popullin e Amerikës dhe të Tajvanit që të punojmë së toku për të mbështetur lirinë ekonomike, demokracinë, paqen dhe stabilitetin”.

Zonja Tsai u përgjigj duke thënë se “jemi më të fortë kur punojmë së bashku”.

Por, ajo edhe paralajmëroi se rreziqet ushtarake nga Kina, e cila e konsideron Tajvanin pjesë të territorit të saj, “nuk duhen nënvlerësuar”. Ajo tha se Tajvani kërkon “një status quo paqësore” dhe se “kërkon të bëhet një partner i qëndrueshëm për botën”.

Bisedimet e planifikuara kanë ngjallur kundërshtimin nga Kina. Pekini njoftoi një operacion të përbashkët lundrimi dhe patrullimi në pjesën veriore dhe qendrore të ngushticës së Tajvanit, ndërsa Ushtria Çlirimtare Popullore tha se kishte vendosur dy destrojerë dhe një fregatë në Detin e Kinës Lindore për të bërë stërvitje me municion luftarak.

Operacionet mendohet se janë një ndëshkim për Tajvanin për dy ndalesat e presidentes në Shtetet e Bashkuara, në më pak se një javë.

Autoritetet kineze nuk dhanë hollësi për operacionin në ngushticën e Tajvanit, apo nëse marina kineze do të dërgonte edhe anije vëzhgimi.

Ligjvënësi Hakeem Jeffries, udhëheqësi i pakicës demokrate në Dhomën e Përfaqësuesve, tha se u takua me zonjën Tsai javën e kaluar në Nju Jork.

“Patëm një bisedë shumë frutdhënëse rreth sigurisë së ndërsjellë dhe interesave ekonomike mes Amerikës dhe Tajvanit”, tha Ligjvënësi Jeffries. “Diskutuam gjithashtu për përkushtimin tonë të përbashkët për demokracinë dhe lirinë”.

Ligjvënësi Jeffries tha në një deklaratë se takimi i tij me zonjën Tsai “është në përputhje me, dhe nuk përfaqëson asnjë devijim nga, marrëdhënia jozyrtare e gjatë midis Shteteve të Bashkuara dhe Tajvanit”. Shtetet e Bashkuara kanë politikën e “një Kine”, e cila pranon se Pekini e konsideron Tajvanin si pjesë të Kinës. Por megjithatë, Shtetet e Bashkuara dërgojnë ndihma ushtarake në ishullin e vetëqeverisur për ta ndihmuar atë të mbrohet.

Hakeem Jeffries

Hakeem Jeffries

Presidenti amerikan Joe Biden ka thënë shpesh se Shtetet e Bashkuara do ta mbronin ushtarakisht Tajvanin nëse Kina do ta sulmonte atë, megjithëse Shtetet e Bashkuara ka shtuar gjithashtu me shpejtësi se politika e “një Kine” nuk ka ndryshuar.

Zonja Tsai nuk e ka vizituar Uashingtonin dhe ka thënë se po kalon tranzit nëpër Shtetet e Bashkuara, me dy ndalesat e saj në kuadrin e një vizite në vende aleate në Amerikën Qendrore, në Guatemala dhe Belize. Hondurasi kohët e fundit njoftoi se po ndërpret lidhjet me Tajvanin në shenjë mbështetjeje ndaj Kinës.

Vitin e kaluar, zonja Tsai priti Kryetaren e atëhershme të Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi në Tajvan dhe Kina reagoi duke organizuar stërvitjet më të mëdha ushtarake me municion luftarak prej dekadash përreth Tajvanit.

Konsullata e Kinës në Los Anxhelos tha përpara takimit të së mërkurës se zonja Tsai po angazhohej në bisedime të tilla për të “bërë teatër politik”.

Jerome Cohen, ish-profesor në Shkollën Juridike të Universitetit të Nju Jorkut, i tha Zërit të Amerikës se duke u takuar me zotin McCarthy në Kaliforni, zonja Tsai mori një rrugë më diplomatike sesa pritja e zotit McCarthy në Tajvan që mund të provokonte llojin e përgjigjes që Kina bëri për vizitën e zonjës Pelosi.

“Nuk duhet të ketë baza për një reagim të fortë të Pekinit”, i tha zoti Cohen shërbimit në gjuhën kineze të Zërit të Amerikës. “Kjo e bën Republikën Popullore të Kinës të duket shumë keq dhe e papjekur në një kohë kur Pekini dhe Uashingtoni duhet të përpiqen të bashkohen për të përmirësuar marrëdhëniet, jo për t’i përkeqësuar ato”.

Kryetari McCarthy duke shoqëruar presidenten tajvaneze

Kryetari McCarthy duke shoqëruar presidenten tajvaneze

Robert Ross, profesor i shkencave politike në Kolegjin e Bostonit, i tha Zërit të Amerikës se takimi i së mërkurës nuk synon domosdoshmërisht të japë ndonjë rezultat konkret.

“Për Tsai Ing-wen, kjo ka të bëjë thjesht me vendosjen e një pranie në botë, vendosjen e pranisë së saj si udhëheqëse e Tajvanit dhe suksesin e saj për t’u takuar me udhëheqësit amerikanë”, tha zoti Ross.

“Për Kryetarin, objektivi i tij është të vendosë kredencialet e tij si një mbështetës i Tajvanit dhe si dikush që kundërshton Kinën. Takimi me presidenten e Tajvanit i mundëson atij që të thotë: ‘Unë po i rezistoj Kinës’. Ata nuk duan që unë ta bëj këtë, por unë do ta bëj gjithsesi”.

* Disa nga të dhënat për këtë artikull u morën nga agjencitë e lajmeve Associated Press, Agence France-Presse dhe Reuters.

Trumpi akuzohet se falsifikoi regjistra për t’i fshehur krimet, deklarohet i pafajshëm

Ish-presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, gjatë paraqitjes në një gjykatë në Nju Jork. 4 prill 2023.

 

RFE/RL

Ish-presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, është deklaruar i pafajshëm lidhur me 34 akuza për vepra penale për falsifikim të regjistrave biznesorë, në një gjykatë në Manhatan të Nju Jorkut të martën, 4 prill.

Teksa largohej nga salla e gjyqit, Trump nuk bëri asnjë koment dhe injoroi pyetjet e gazetarëve, edhe pse atij nuk i është kërkuar të qëndrojë i heshtur lidhur me rastin.

Prokurori i rastit, Alvin Bragg, tha se Trump i ka falsifikuar vazhdimisht regjistrat biznesorë për të fshehur krimet e kryera si pjesë e “komplotit për të minuar integritetin e zgjedhjeve të 2016-ës”.

aktakuzën e publikuar online thuhet se Trump akuzohet për “falsifikim të të dhënave të biznesit në Nju Jork për të fshehur informacione të dëmshme dhe aktivitete të paligjshme nga votuesit amerikanë para dhe pas zgjedhjeve të vitit 2016”.

“Trump më pas bëri përpjekje të mëdha për ta fshehur këtë sjellje, duke shkaktuar dhjetëra regjistra të rreme në të dhënat e biznesit për të fshehur aktivitetin kriminal, përfshirë këtu përpjekjet për t’i shkelur ligjet e zgjedhjeve shtetërore dhe federale”, thuhet më tutje.

Në aktakuzë thuhet se ishin bërë pagesa prej 30 mijë dhe 150 mijë dollarësh ndaj një ish-roje të Kullës Trump, i cili pretendonte se kishte një histori për një fëmijë që Trump e kishte jashtë martese, dhe për një një grua që pretendonte se kishte një marrëdhënie seksuale me Trump.

Ndërsa gjykatësi Juan Merchan bëri të ditur se seanca e radhës gjyqësore do të mbahet më 4 dhjetor të këtij viti.

Së bashku, këto akuza mbartin një dënim maksimal prej 136 vjet burgim, sipas ligjit të Nju Jorkut. Por, nëse ai dënohet në një gjyq, dënimi raportohet se do të ishte shumë më i vogël se kaq, sipas agjencisë së lajmeve Reuters.

Akuzat u ngritën pas një hetimi lidhur me një pagesë që ai dyshohet t’ia ketë bërë yllit të pornografisë, Stormy Daniels, në përpjekje e sipër për ta blerë heshtjen e saj, gjatë fushatës presidenciale të vitit 2016, për një aferë të supozuar.

Pagesa besohet se është kryer në mënyrë të ligjshme, mirëpo supozohet se Trump e ka regjistruar atë si shpenzim biznesor. Falsifikimi i regjistrave biznesorë përbën shkelje në Nju Jork.

Shtëpia e Bardhë nuk ka pranuar t’i komentojë këto zhvillime.

“Ky është një rast në zhvillim dhe ne nuk do ta komentojmë,” tha sekretarja e shtypit Karine Jean-Pierre. “Presidenti do të përqendrohet te populli amerikan, siç bën çdo ditë”.

Gjatë rrugëtimit të tij, pak para se të arrinte në gjykatë, Trump postoi në platformën e tij “Truth Social”.

“Duke u nisur për në Manhatin e Poshtëm, në ndërtesën e Gjykatës. Duket kaq SURREALE – UA, ata do të më arrestojnë. Nuk mund ta besoj se kjo po ndodh në Amerikë”, shkroi Trump.

Trump, 76-vjeçar, është ish-presidenti i parë amerikan që përballet me akuza penale.

Ish-presidenti republikan, i cili ka mohuar keqbërjen, e ka quajtur aktakuzën “persekutim politik” dhe ka parashikuar se kjo do t’i dëmtojë demokratët në zgjedhjet e vitit 2024.

Avokatët e Trump kanë thënë se ish-presidenti “nuk ka kryer asnjë krim” dhe se ata “do ta luftojnë fuqishëm këtë ndjekje politike në gjykatë”.

Ndërkohë, në qytet u mbajt një tubim në shenjë përkrahje për Donald Trump, i organizuar nga përfaqësuesja republikane e Dhomës së Përfaqësuesve, Marjorie Taylor Greene.

Greene argumentoi se Trump “po i bashkohej disa prej njerëzve më të mrekullueshëm në histori [duke u] arrestuar sot”.

“Nelson Mandela u arrestua, u vu në burg. Jezusi u arrestua dhe u vra nga qeveria romake”, tha ajo.

Aktakuzat ndaj Trumpit – Tri rastet për blerjen e heshtjes

VOA/Marrë nga Associated Press

Akuzat penale me të cilat përballet zoti Donald Trump në Nju Jork rrjedhin nga tre raste të veçanta, ku ish-presidenti dhe bashkëpunëtorët e tij akuzohen se kanë bërë pagesa për të blerë heshtjen e tre individëve gjatë fushatës së tij presidenciale në vitin 2016.

Pagesat, thotë aktpadia, u bënë për të blerë heshtjen e dy grave që pretendojnë se kanë patur marrëdhënie intime me zotin Trump, shumë vite më parë, dhe një pagesë për të blerë heshtjen e një punonjësi të kullës Trump i cili pretendonte se zoti Trump kishte një fëmijë në një lidhje jashtëmartesore.

Zoti Trump është akuzuar për 34 vepra penale të falsifikimit të të dhënave të biznesit. Më herët të martën ai u dorëzua pranë autoriteteve në Nju Jork dhe deklaroi se ishte i pafajshëm ndaj të gjitha akuzave.

Alvin Bragg

Alvin Bragg

Prokurori i Qarkut të Manhatanit, Alvin Bragg, tha gjatë një konference shtypi se rasti historik i zyrës së tij kundër ish-Presidentit Donald Trump synon të “sigurojë që të gjithë janë të barabartë përpara ligjit”, ndërsa bëri të njohura akuzat.

RASTI I PUNONJËSIT NË KULLËN TRUMP

Fillimisht, prokurori Bragg foli për rastin që përfshinte një ish-portier të kullës Trump, i cili ishte paguar 30,000 dollarë pasi ai pretendonte se kishte të dhëna që zoti Trump kishte një fëmijë në një lidhje jashtëmartesore.

Ish-punonjësi Dino Sajudin u pagua nga kompania mëmë e tabloidit “National Enquirer” në këmbim të nënshkrimit mbi të drejtat e përhershme (të lajmit të shitur nga ai) lidhur me thashethemet se presidenti kishte një fëmijë me një punonjëse në “Trump World Tower”, një gradaçielë në pronësi të zotit Trump që ndodhet pranë Kombeve të Bashkuara.

Në bazë të kontratës mes zotit Sajudin dhe firmës “American Media Inc.”, zoti Sajudin nuk mund të flasë për thashethemet apo kushtet e marrëveshjes së tij ose përndryshe duhet të paguajë një milion dollarë.

Në një intervistë me agjencinë e lajmeve Associated Press në gusht të vitit 2017, gruaja në qendër të thashethemeve mohoi të kishte pasur lidhje me zotin Trump.

KAREN MCDOUGAL

Prokurori përmendi gjithashtu edhe rastin e ish-modeles së revistës “Playboy”, Karen McDougal, e cila mori 150,000 dollarë nga firma “American Media Inc.”, pasi pretendoi se kishte një lidhje 10-mujore me zotin Trump në mesin e viteve 2000.

Karen McDougal

Karen McDougal

Paratë ishin për të blerë të drejtat e lajmit nga aktorja McDougal, por në fakt që të mos publikohej kurrë, një praktikë e njohur si “kap dhe asgjeso”, tha prokurori.

Kompania mëmë e tabloidit “National Enquirer” e ka pranuar se pagesat janë bërë posaçërisht për të ndihmuar fushatën presidenciale të zotit Trump.

Prokurori Bragg tha se zoti Trump i tha “në mënyrë eksplicite” avokatit Michael Cohen, i cili më parë punonte për Organizatën Trump, që të rimbursonte me para kesh firmën “American Media Inc.”. Më pas, avokati Cohen i sugjeroi zotit Trump se pagesa duhet të bëhej nga një kompani guaskë.

Marrëdhëniet e supozuara mes aktores McDougal dhe zotit Trump u mbajtën të fshehta deri pas publikimit të një shkrimi nga gazeta “Wall Street Journal”, disa ditë përpara zgjedhjeve të vitit 2016. Zoti Trump i ka hedhur poshtë pretendimet e saj.

STORMY DANIELS

Rasti i tretë përfshin aktoren e filmave pornografikë, Stormy Daniels, e cila u pagua 130,000 dollarë në këmbim të heshtjes së saj, për siç thuhet, një takim intim me zotin Trump në Liqenin Taho të Nevadës në vitin 2006. Trump i ka hedhur poshtë akuzat.

Stephanie Clifford e njohur me emrin Stormy Daniels

Stephanie Clifford e njohur me emrin Stormy Daniels

Prokurori Bragg tha se 12 ditë përpara zgjedhjeve më 8 nëntor 2016, avoakti Cohen i kishte dërguar 130,000 dollarë avokatit të aktores Daniels duke përdorur një korporatë guackë të financuar përmes një banke në Manhatan.

Aktorja e filmave pornografikë, emri i vërtetë i së cilës është Stephanie Clifford, u pagua pasi njoftoi se ishte e gatshme të fliste ose me tabloidin “National Enquirer” ose në televizion, për të konfirmuar takimin intim.

Në prill të vitit 2018, zoti Trump këmbënguli para gazetarëve në avionin presidencial “Air Force One” se ai nuk kishte dijeni për pagesën e bërë për aktoren Daniels përmes avokatit Cohen.

Por prokurori Bragg tha të martën, gjatë konferencës së shtypit, se zoti Trump e rimbursoi avokatin Cohen pas fitores së tij në vitin 2016 me para nga dy burime: një trust që mbante asetet e Organizatës Trump dhe nga llogaria e tij personale bankare.

TRUMP NË FLORIDA

Ish-Presidenti Donald Trump thotë se seanca e së martës në gjykatë “ishte shokuese për shumë njerëz pasi nuk kishte asgjë të re, dhe për rrjedhojë, pa baza”. Zoti Trump shkroi në rrjetin social ndërsa po udhëtonte me avion nga Nju Jorku drejt rezidencës së tij në Florida.

“Praktikisht, çdo ekspet ligjor është shprehur se çështja nuk ka baza. Nuk është bërë asgjë në rrugë të paligjshme”, shkruante zoti Trump.

Avioni i zotit Trump mbërriti në Florida dhe autokolona e tij u drejtua për në rezidencën e tij Mar-a-Lago ku qindra mbështetës po e presin. Zoti Trump pritet të flasë pas mbërritjes në rezidencë.

Ish Presidenti Donald Trump në bankën e të akuzuarit/ Deklarohet i pafajshëm për 34 akuza

Pak më parë ish-presidenti amerikan Donald Trump ka hyrë në gjyq, në pritje të njohjes me 34 akuza penale.

Ndërkohë kanë dalë pamjet e para nga salla e gjyqit.

Ish-presidenti shihet i ulur në bankën e të akuzuarit së bashku me ekipin e tij të mbrojtjes, ndërkohë që mediat botërore deklarojnë se Trump do ta shpallë veten të pafajshëm ndaj akuzave.

BBC raporton se Trump është deklaruar i pafajshëm për 34 akuza.

Trump është i pari ish-president amerikan që përballet me akuza penale. Ai u padit nga një juri e Manhatanit javën e shkuar për një çështje nga viti 2016 për pagesat që i janë bërë “pornostares” Stormy Daniels për të mbajtur të fshehtë një raport intim mes tyre, edhe pse akuzat pritet që të specifikohen në vijim.

Image

Image

Image

Del fotoja e parë e Donald Trumpit nga salla e gjyqit

Ndërkohë që pak më parë ish-presidenti amerikan Donald Trump ka hyrë në gjyq, në pritje të njohjes me rreth 30 akuza penale, kanë dalë pamjet e para nga salla e gjyqit.

Ish-presidenti shihet i ulur në bankën e të akuzuarit së bashku me ekipin e tij të mbrojtjes, ndërkohë që mediat botërore pretendojnë se Trump do ta shpallë veten të pafajshëm ndaj akuzave.

Kujtojmë se gjykata merr sot vendimin në lidhje me lirimin e ish-presidentit apo mbajtjen e tij në paraburgim.bw

Trumpi mbërrin në Nju Jork; masa të rrepta sigurie para dorëzimit të tij tek autoritetet

VOA

Ish-Presidenti Donald Trump mbërriti të hënën në Nju Jork, përpara dorëzimit të tij tek autoritetet dhe paraqitjes para një gjykatësi, ku do t’i lexohen akuzat penale të ngritura ndaj tij nga një juri e madhe. Deri tani nuk dihet se për çfarë akuzash rëndojnë ndaj zotit Trump.

Pas mbërritjes në aeroportin LaGuardia të Nju Jorkut, zoti Trump zbriti nga avioni i tij i vetëm dhe u fut në një makinë SUV të zezë, pa u përshëndetur nga askush. Vetëm grupe të vogla dhe të rralla mbështetësish kishin dalë në rrugë ndërsa autokolona e tij përdori një eskortë policie për ta çuar në Manhattan.

Ndërkohë qyteti më i madh i vendit është përfshirë nga masa të forta sigurie dhe autoritetet paralajmëruan të gjithë ata që synojnë të shkaktojnë shqetësime se “Nju Jorku nuk është një arenë për të shfryrë zemërimin e tyre”.

Zoti Trump dhe mbështetësit e tij kanë kritikuar hetimet si dhe padinë penale të ngritur kundër tij, që rrjedh nga një pagesë për të siguruar heshtjen e aktores së filmave pornografikë Stormy Daniels, bërë në ditët e fundit të fushatës presidenciale të zotit Trump në vitin 2016. Kthimi i tij në këtë qytet, hap një kapitull të paprecedentë në historinë amerikane. Zoti Trump është ish-presidenti i parë që përballet me akuza penale ndërsa ai ndodhet në mesin e një fushate të tretë për Shtëpinë e Bardhë.

Ish-presidenti planifikon të qëndrojë sot në Kullën Trump dhe më pas të martën ai do t’u dorëzohet autoriteteve për procedim e lexim akuzash nga gjykatësi i çështjes.

Pas paraqitjes në gjykatë, zoti Trump planifikon të kthehet në Mar-a-Lago për një konferencë shtypi të martën në mbrëmje. Të paktën 500 persona janë ftuar në konferencë, sipas një republikani të njohur me planet dhe që foli anonimisht për ta diskutuar situatën. Mes të ftuarve janë anëtarë të Kongresit që kanë mbështetur fushatën presidenciale të zotit Trump, si dhe donatorë dhe mbështetës të tjerë.

Ish-presidenti përforcoi gjithashtu forcoi ekipin e tij ligjor të hënën, duke shtuar një avokat të tretë të profilit të lartë, Todd Blanche. Një ish-prokuror federal, Blanche ka përfaqësuar më parë ish-kryetarin e fushatës së zotit Trump, Paul Manafort.

Deri më tani, zyrtarët nuk kanë parë një fluks njerëzish që vijnë në qytet, sikurse ishte rasti në Uashington në ditët para sulmit të dhunshëm të 6 janarit 2021 ndaj Kapitolit.

Megjithatë, autoritetet paralajmëruan se mbajtja e një arme pranë zonave të caktuara të qytetit, përfshirë gjykatat, do te konsiderohej një vepër penale.

Ndërsa mund të ketë disa persona që mendojnë të vijnë në qytetin tonë nesër, mesazhi ynë është i qartë dhe i thjeshtë: kontrolloni veten”, tha kryebashkiaku i Nju Jorkut Eric Adams. “Nju Jorku është shtëpia jonë, jo një shesh lojrash për zemërimin tuaj. Ne jemi qyteti i madh më i sigurt në Amerikë, sepse respektojmë sundimin e ligjit”, shtoi ai.

Autoritetet po planifikojnë të rrisin masat e sigurisë rreth Kullës Trump si dhe të mbyllin rrugët aty pranë. Ata kanë ndërmarrë hapa për të mbyllur dhe siguruar katin e gjykatës ku ish-presidenti do të paraqitet para një gjykatësi të martën pasdite.

Mbështetësit e zoti Trump, përfshirë një nga mbrojtësit e tij më të vendosur në Kongres, ligjvënësja republikane Marjorie Taylor Greene e Xhorxhias, kanë planifikuar një tubim në Nju Jork të martën para mesditës, ndoshta përpara se zoti Trump të dilë para gjykatësit. Zoti Adams ndërmori hapin e pazakontë duke i drejtuar një thirrje ligjvënëses.

Megjithëse nuk kemi kërcënime specifike, njerëz si Marjorie Taylor Greene, e cila njihet për përhapjen e dezinformatave dhe gjuhës së urrejtjes, ka deklaruar se do të vijë në qytet”, tha zoti Adams. “Ndërsa ndodheni këtu në qytet, duhet që të dëshmoni sjelljen tuaj më të mirë“.

Ekipi ligjor i zotit Trump pritet të sfidojë aktakuzën, dhe kanë bërë të ditur se do të përqendrohen në përdorimin e asaj që ata e quajnë një çështje të dobët e ngritur kundër ish-presidentit, në avantazhin e tij.

Zoti Trump pritet të përballet me akuza të shumta për falsifikimin e të dhënave të biznesit, përfshirë të paktën një vepër penale, në aktakuzën e lëshuar nga një juri e madhe në Manhattan javën e kaluar. Hetimet lidhur me pagesat e bëra për të siguruar heshtjen e aktores së filmave pornografike Stormy Daniels dhe ish modeles së revistës Playboy Karen McDougal.

Ato thonë se kanë pasur marrëdhënie seksuale me zotin Trump një gjë që ai e ka hedhur poshtë duke mohuar gjithashtu se ka kryer ndonjë veprim të paligjshëm. Ai thotë se çështja ndaj tij është e motivuar politikisht.

Republikanët kryesorë, duke përfshirë disa nga rivalët e mundshëm të zotit Trump brenda partisë për garën presidenciale e kanë denoncuar çështjen kundër tij. Presidenti Joe Biden dhe demokratët kryesorë kanë qëndruar përgjithësisht të heshtur lidhur me rastin.

Republikani Asa Hutchinson shpall kandidaturën për president

VOA

Ish-guvernatori i shtetit të Arkansasit, republikani Asa Hutchinson, njoftoi të dielën se do të kandidojë për zgjedhjet presidenciale të vitit 2024.

“Jam i sigurt se njerëzit duan udhëheqës që duan më të mirën e Amerikës”, tha zoti Hutchinson në një intervistë të transmetuar të dielën për programin “This Week” të televizionit ABC. Ai tha se do ta bënte njoftimin zyrtar për shpalljen e kandidaturës në muajin prill në Arkansas.

“Kam marrë një vendim dhe vendimi im është që do të kandidoj për president të Shteteve të Bashkuara”, tha ai.

72-vjeçari Asa Hutchinson la detyrën në janar, pas tetë vjetësh si guvernator. Ai ka shtuar kritikat e tij ndaj ish-presidentit muajt e fundit, duke e cilësuar rikandidimin e zotit Trump si “skenarin më të keq” për republikanët dhe duke u shprehur se kandidimi i tij ka të ngjarë të shtojë shanset për fitoren e Presidentit Joe Biden në vitin 2024.

Përveç zotit Trump, kandidaturën për president nga radhët e republikanëve e ka shpallur edhe ish-ambasadorja e Shteteve të Bashkuara në OKB Nikki Haley dhe sipërmarrësi Vivek Ramaswamy.

Guvernatori i Floridës, Ron DeSantis pritet të hyjë në garë gjatë verës, ndërsa Senatori Tim Scott i Karolinës së Jugut dhe ish-sekretari i Shtetit, Mike Pompeo, janë gjithashtu kandidatë të mundshëm.

Zoti Hutchinson, i cili pati një mandat të kufizuar, ka qenë pjese e politikës në shtetin e Arkansasit që nga vitet 1980, kur shteti anonte nga dekomokratët.

Gjatë kohës që sherbeu në Dhomën e Përfaqësuesve, zoti Hutchinson ishte një nga menaxherët në procesin për shkarkimin nga detyra të Presidentit Bill Clinton. Zoti Hutchinson ka shërbyer si nënsekretar i Departamentit të Sigurisë Kombëtare gjatë mandatit të Presidentit Xhorxhe Bush.

Si guvernator ai mbrojti shkurtimin e taksave mbi të ardhurat.

Ai nënshkroi disa ligje për kufizimin e abortit, duke përfshirë një ndalim të procedurës që hyri në fuqi vitin e kaluar, kur Gjykata e Lartë e Shteteve të Bashkuara rrëzoi atë që njihej si rasti “Roe kundër Wade”.

Vendimi historik i vitit 1973 “Roe kundër Wade” përcaktonte se gratë kanë të drejtën kushtetuese për të ndalur shtatëzaninë në gjashtë muajt e parë, kur fetusi nuk është në gjendje të mbijetojë jashtë mitrës.

Zoti Hutchinson, megjithatë, ka thënë se i vjen keq që ligji nuk përfshin përjashtime për rastet e përdhunimit ose inçestit.

Vitin e kaluar zoti Hutchinson u përball me zemërimin e zotit Trump dhe një pjesë të republikanëve kur vuri veton ndaj legjislacionit që ndalonte trajtimin mjekësor për fëmijët që duan të ndryshojnë gjini.

Për shkak të vetos, ish-Presidenti Trump e quajti zotin Hutchinson një “RINO”, “gjoja republikan” .

Megjithëse ish-guvernatori ka mbështetur politikat e zoti Trump, ai është bërë gjithnjë e më kritik ndaj retorikës së ish-presidentit dhe pretendimeve për manipulime në zgjedhjet presidenciale të vitit 2020. Ai tha se thirrja e zotit Trump për të anashkaluar disa pjesë të Kushtetutës për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve, e dëmtoi vendin.

Zoti Hutchinson zemëroi kundërshtarët e dënimit me vdekje në vitin 2017, kur urdhëroi tetë ekzekutime gjatë një periudhe dy-javore. Shteti përfundimisht kreu katër ekzekutime.

Ish-guvernatori njihet më shumë për artin e të folurit sesa për fjalimet e zjarrta. Në vend që të kundërshtojë kritikët në rrjetin Twitter, ai poston vargje biblike çdo të dielë në mëngjes.

Tornado në SHBA, 25 viktima

 

Shkatërrim në Little Rock

Stuhitë që goditën një zonë të madhe në mesperëndim dhe në jug të vendit shkaktuan një masakër, si dhe dëme materiale të pallogaritshme

 

VOAL- Numri i të vdekurve nga tornadot që shkatërruan Midwest dhe jug të Shteteve të Bashkuara në orët e fundit është rritur në 25 pasi tre persona të tjerë vdiqën kur çatia e një teatri në Illinois u shemb gjatë një koncerti rock. Dhe Shërbimi Kombëtar i Motit (NWS) tha të dielën se shkatërrimi është aq i përhapur sa do të duhen ditë për të arritur në të gjitha zonat e prekura.

Nëntë nga vdekjet janë në kontenë McNairy dhe një në Tipton County, Tennessee, pesë të tjera në qarqet Cross dhe Pulaski, Arkansas, katër në qarqet Boone dhe Crawford, Illinois, tre në Sullivan County, Indiana, një në Pontotoc, Mississippi dhe një në Madison County, Alabama.

Kryebashkiaku i Little Rock, kryeqyteti i Arkansas, tha se më shumë se 2,100 shtëpi dhe biznese u dëmtuan në qytet, por shkalla e plotë e dëmit është ende duke u vlerësuar. Tornadot shkatërruan çatitë dhe rrëzuan muret e shumë ndërtesave, përmbysën automjetet, shkulën pemët dhe shkatërruan linjat e energjisë elektrike në Little Rock dhe pjesë të mëdha të kryeqytetit të shtetit, thanë zyrtarët lokalë.

Por stuhitë nuk u ndalën në SHBA. NWS tha të dielën në mëngjes se “një brez i shpejtë i stuhive të rënda deri në të forta do të përbëjë kryesisht një rrezik të dëmshëm të erës këtë pasdite në zona të ndryshme të shtetit qendror të Nju Jorkut dhe Pensilvanisë qendrore dhe lindore. Dhe në mënyrë specifike, një paralajmërim tornado është lëshuar për shtetet lindore të Delaware, Maryland, New Jersey dhe Pennsylvania. rsi-eb

 

Si mbërritën deri tek akpadia penale ndaj ish-presidentit, prokurorët e Manhatanit?

VOA/Masood Farivar

Akuza penale e ngritur ndaj ish-Presidentit Donald Trump në Nju Jork, rrjedh nga një pagesë për të siguruar heshtjen e aktores së filmave pornografikë Stormy Daniels, bërë në ditët e fundit të fushatës presidenciale të zotit Trump në vitin 2016.

Pagesa prej 130,000 dollarësh, u bë nga avokati i zoti Trump, Michael Cohen, i njohur ndryshe si personi që arrinte të mbyllte marrëveshje kryesisht të pista. Pagesa u bë si pjesë e një skeme për të mbajtur të fshehura histori rreth marrëdhënieve jashtëmartesore të manjatit të pasurive të paluajtshme, që mund të ishin të dëmshme për të.

Ish-aktorja e filmave pornografikë Stormy Daniels

Ish-aktorja e filmave pornografikë Stormy Daniels

Zoti Cohen ka thënë se ai e ka bërë pagesën me udhëzimin e zotit Trump dhe se më vonë është rimbursuar nga Organizata Trump, kompania e pasurive të paluajtshme të ish-presidentit, që e regjistroi në financat e saj, si një shpenzim për shërbime ligjore.

Zoti Cohen pranoi fajësinë për këtë rast dhe u dënua në vitin 2018, por prokurorët federalë nuk ngritën paditi ndaj ish-presidentit, duke ia kaluar çështjen Prokurorit të Qarkut të Manhatanit, për të hetuar nëse në këtë rast ishin shkelur ligjet e shtetit të Nju Jorkut.

Në dokumentet e gjykatës për rastin e zotit Cohen në vitin 2018, prokurorët federalë thonë se zoti Cohen, duke punuar me urdhër të zotit Trump, u përpoq të parandalonte akuzueset gra, që të dilnin publikisht gjatë fushatës së 2016-ës, e të rrëfenin marrëdhëniet seksuale, që pretendonin se kishin patur me ish kandidatin për president.

‘Kap dhe vrit’

Krahas zotin Cohen, një lojtar kyç në këto përpjekje ishte edhe David Pecker, drejtuesi i ‘American Media’ (AMI), një kompani që në atë kohë publikonte tabloidin ‘National Enquirer’.

Zoti Pecker, një mik i vjetër i zotit Trumpit, kishte ofruar ndihmën e tij në trajtimin e historive problematike të zotit Trump me gra, duke identifikuar histori, që mund të bliheshin dhe më pas të mos publikoheshin. Praktika njihet në industrinë mediatike si “kap dhe vrit”, ku gazetat, apo televizionet angazhohen nëpërmjet pagesave për të parandaluar një individ që ta bëjë publike një ngjarje që mund të dëmtojnë një palë të tretë. Në këtë rast ky do të ishte ish-Presidenti Donald Trump.

Ish-modelja e revistës ‘Playboy’, Karen McDougal

Ish-modelja e revistës ‘Playboy’, Karen McDougal

Në gusht të vitit 2016, ‘American Media’ ra dakord t’i paguante ish-modeles së revistës ‘Playboy’, Karen McDougal, 150,000 dollarë për të drejtat e historisë së saj, në lidhje me marrëdhënie të përfolura seksuale, që ajo kishte pasur me zotin Trump në 2006 dhe 2007. Historia e saj u ‘mbyll në sirtar’.

Dy muaj më vonë, një përfaqësues i zonjës Daniels informoi përfaqësuesit e kompanisë ‘American Media’, se ylli i pornografisë do të dilte publikisht me histoinë e saj, për një marrëdhënie seksuale që kishte patur me zotin Trump, por ishte e gatshme ta shiste historinë e saj.

Pasi nuk arriti të siguronte një marrëveshje me zonjën Daniels, zoti Pecker vuri agjentin e saj në kontakt me zotin Cohen, i cili negocioi një marrëveshje prej 130,000 dollarësh për të ‘blerë heshtjen e saj’, shkruanin prokurorët në dokumentat që datojnë gushtin e vitit 2018.

Pagimi i parave për të siguruar heshtjen e një personi nuk është i paligjshëm. Por prokurorët federalë thonë se regjistrimi i pagesës si një shpenzim ligjor për kompainë, konsiderohet si shkelje e ligjeve federale për financimin e fushatës zgjedhore.

Ish-avokati i zotit Trump, Michael Cohen dhe ish-Presidenti Donald Trump

Ish-avokati i zotit Trump, Michael Cohen dhe ish-Presidenti Donald Trump

Zoti Trump ka pranuar se zoti Cohen është rimbursuar për shumën prej 130,000 dollarësh, që i ka paguar zonjës Daniels. Sipas tij, pagesa u bë për të ndaluar ato që ai i ka quajtur ‘akuza të rreme, me synim zhvatjen’. Por ai ka hedhur poshtë se këto pagesa kishin lidhje me fushatën e tij për president, për t’u konsideruar si kontribut financiar.

Ndërsa nuk dihet se për çfarë është akuzuar ish-presidenti nga prokuroria e Manhatanit, ekspertët ligjorë thonë se ka të ngjarë që akuzat penale të jenë përqendruar tek falsifikimi i të dhënave të biznesit.

Sipas ligjit të Nju Jorkut, falsifikimi i të dhënave të biznesit konsiderohet zakonisht kundërvajtja ligjore. Por kur kjo shkelje bëhet për të fshehur një krim tjetër, ajo ngrihet në shkallën e një vepre penale të dënueshme deri në katër vjet burg.

Nuk është e qartë nëse në padinë penale, ka akuza të tjera, apo sa të tilla mund të jenë ngritur ndaj ish-Presidenti Donald Trump.

Ndikimi i padisë penale të Nju Jorkut mbi hetimet e tjera ndaj ish-Presidentit Trump

VOA/Marrë nga Associated Press

Padia penale ndaj ish-presidentit Donald Trump, që lidhet me pagesat e bëra gjatë fushatës presidenciale të vitit 2016, për të blerë heshtjen e ish-aktores së filmave pornografikë Stormy Daniels, po ngre shqetësime se mund të minojë besimin e publikut në ato që ekspertët e demokracisë i shohin si hetime shumë më të rëndësishme.

Ish-Presidenti Trump po përballet me hetime të shumta në lidhje me mospranimin e humbjes së zgjedhjeve të vitit 2020 ndaj demokratit Joe Biden. Këtu përfshihen edhe hetimet mbi pretendimet se ai u bëri presion zyrtarëve të zgjedhjeve për të përmbysur rezultatin, inkurajoi elektorët e rremë nga shtetet të rëndësishme për zgjedhjet dhe rolin e tij në ngjarjet që çuan në sulmin e 6 janarit 2021 ndaj Kapitolit.

Jeffrey Engel, drejtor i Qendrës për Historinë Presidenciale në Universitetin Metodist Jugor, e quajti padinë këtë javë nga një juri e madhe e Nju Jorkut një hap të parë të vogël të gjërave që do të pasojnë.

“Gjëja kryesore ka të bëjë me demokracinë dhe identitetin e vendit tonë”, thotë ai.

Disa ekspertë kanë shprehur shqetësimin se akuzat ndaj ish-Presidentit Trump lidhur me pagesat për aktoren e filmave pronografikë, Stormy Daniels, të cilat nuk janë bërë publike, mund të tërheqin vëmendjen e publikut nga rastet e tjera, të cilat janë më të përqëndruara në sulmet kundër institucioneve dhe traditave demokratike të vendit.

Larry Diamond, ekspert i demokracisë në Institutin konservator Hoover në Universitetin e Stanfordit, thotë se është i shqetësuar se akuzat e ngritura në Nju Jork do të “shkaktojnë politizimin e të gjitha akuzave të tjera kundër tij dhe keqpërdorim të gjyqësorit”. Kjo është një çështje që zoti Trump e ka theksuar në mediat sociale dhe gjatë një tubimi të fundit fushate në Teksas.

“Sigurisht që nuk do të filloja me rastin më të dobët ndaj tij”, thotë zoti Diamond.

Padia tashmë ka bashkuar mbështetësit e zotit Trump, si në nivelin e bazës së Partisë Republikane ashtu edhe në mesin e atyre që mbajnë poste publike. Reagimi ndaj padisë së njoftuar të enjten ka ekspozuar përçarjet e thella politike që kanë polarizuar gjithnjë e më shumë vendin që nga ngritja e zotit Trump në krye të Partisë Republikane.

Kathy Clark, një ish-oficere policie nga zona e qarkut Palm Beach, qëndroi buzë rrugës jashtë pronës së zotit Trump në Mar-a-Lago të Floridas pas publikimit të lajmit mbi padinë, duke mbajtur një pankartë me mbishkrimin “Trump Fitoi”. Ajo thotë se padia e ngritur në Nju Jork ndaj zotit Trump do të prodhojë një efekt të kundërt.

“Njerëzit që nuk ishin të gatshëm ta pranonin se qeveria e ka politizuar sistemin gjyqësor, tani do ta kuptojnë këtë më mirë”, thotë ajo.

Donald Trump ka përhapur idenë se hetimet janë partiake dhe synojnë të minojnë fushatën e tij ndërsa ai ka filluar një përpjekje të tretë për t’u bërë president i vendit. Në faqen e tij të mediave sociale, ish-presidenti i cilësoi prokurorët e përfshirë në hetimet ndaj tij si njerëz që rrezikojnë demokracinë.

Mbështetësit e tij tjerë e dënuan padinë, duke përfshirë Prokurorin e Përgjithshëm të Virxhinias Perëndimore, republikanin Patrick Morrisey, cili tha se kjo është “një gjueti politike shtrigash dhe një ndjekje penale politike. Dhe e vetmja arsye që ata po e bëjnë këtë është sepse janë të frikësuar. Ata e dinë që nuk mund ta mposhtin atë në kutitë e votimit. Kjo është arsyeja pse ata po përdorin këto taktika të tmerrshme.”

Sondazhet kanë treguar se shumica e republikanëve ende mbështesin pretendimin e rremë të ish-Presidentit Trump se zgjedhjet presidenciale të vitit 2020 ishin vjedhur, duke sugjeruar se ata tashmë besojnë se ai është dëmtuar nga sistemi ndonëse fitorja e zotit Biden është konfirmuar nga rishikimet të shumta, rinumërime dhe auditime të zgjedhjeve presidenciale në shtetet përcaktuese.

Përpjekjet e ish-Presidentit Trump për të përmbysur këto rezultate mes pretendimeve të rreme për mashtrim të gjerë janë në qendër të dy hetimeve të tjera që janë në zhvillim e sipër, duke përfshirë atë për rolin e tij në përpjekjen për të ndalur certifikimin e rezultatit të zgjedhjeve në prag të sulmit të dhunshëm ndaj Kapitolit. Një prokuror i posaçëm po drejton gjithashtu një hetim mbi mbajtjen e dokumenteve të klasifikuara nga zoti Trump në shtëpinë e tij në Mar-a-Lago, që mund të ketë pasoja më të mëdha ligjore për ish-Presidentin.

Një hetim i veçantë në qarkun Fulton të Xhorxhias, i cili përfshin edhe qytetin e Atlantës, po bënë një hetim rreth presionit që ish-Presidenti Trump dhe të tjerët kanë ushtruar mbi zyrtarët e shtetit për të përmbysur rezultatet e zgjedhjeve presidenciale atje. Hetimi filloi pas një telefonate në të cilën zoti Trump i kërkoi Sekretarit të Shtetit të Xhorxhias që të “gjente” vota të mjaftueshme për të përmbysur fitoren e zotit Biden.

Pagesa që avokati i zotit Trump, Michael Cohen, bëri në vitin 2016 për të blerë heshtjen e aktores së filmave pornografikë, Stormy Daniels, lidhur me dyshimet për një marrëdhënie seksuale me zotin Trump, përbën një goditje më të vogël ndaj normave demokratike në vend. Por, kjo e bënë më të lehtë krahasimin e kasaj çështje me pretendimin e zotit Trump se ai po sulmohet për arsye politike.

John Bolton, ish-këshilltar i zotit Trump për sigurinë kombëtare, tha së fundmi në kanalin CNN se pyetja është se çfarë ndodh pas aktakuzës. Nëse prokurorët nuk arrijnë të sigurojnë një dënim, “unë mendoj se historianët do ta shikojnë këtë dhe do të thonë se ky është akti që e ndihmoi zotin Trump të rizgjidhej në postin e presidentit.”

Megjithatë, eksperti i demokracisë, Larry Diamond thotë se padia e Nju Jorkut nuk do t’i ndërpresë hetimet e tjera ndaj zotit Trump.

“Rastet e tjera thjeshtë nuk do të zhduken dhe mendoj se për hir të mbrojtjes së sistemit tonë kushtetues dhe mbrojtjes së shtetit ligjor, ato duhet të kenë peshën më të madhe në mendjen e publikut”, thotë ai.

Roscoe Howard, një ish-prokuror federal në Distriktin e Kolumbisë, tha se prokurorët në Nju Jork janë të vetëdijshëm se me kë kanë të bëjnë dhe trazirat që do të pasojnë. Por ai thotë se prokurorët nuk janë të përqëndruar tek opinioni publik apo pasojat politike të një rasti penal.

Shqetësimi i tyre nuk ka të bëjë me hetimet e tjera, por me përgatitjen e tyre për ta dërguar çështjen në gjykatë, thotë zoti Howard.

“Asnjë prokuror në këtë vend nuk e dërgon në gjyq një çështje që mendon se mund ta humbasë”, thotë ai. “Ata thjesht nuk e bëjnë këtë.”

Padi penale ndaj ish-Presidentit Trump, javën e ardhshme pritet dorëzimi i tij para autoriteteve

VOA

Një juri e madhe e Nju Jorkut votoi të enjten pro ngritjes së një padie penale ndaj ish-Presidentit Donald Trump. Akuzat nuk janë bërë publike, por hetimet janë përqëndruar në pagesat e bëra gjatë fushatës presidenciale të vitit 2016, për të blerë heshtjen e ish-aktores së filmave pornografikë Stormy Daniels, për një marrëdhënie seksuale që ajo pretendon se ka patur me zotin Trump. Kjo shënon herën e parë në historinë e vendit që një ish-president akuzohet për kryejen e një vepre penale. Ish-Presidenti Trump e cilësoi vendimin një gjueti shtrigash, dhe persekutim politik.

Padia penale ndaj ish-presidentit u ngrit nga Prokurori i Qarkut të Manhatanit Alvin Bragg dhe u mbështet nga juria e madhe. Por akuzat do të bëhen publike vetëm kur zoti Trump të paraqitet para një gjykatësi. Ekspertët besojnë se zoti Trump mund të akuzohet për falsifikimin e të dhënave të biznesit. Pagesa prej 130 mijë dollaresh bërë ish-aktores se filmave pornografike Stormy Daniels, nga avokati i zotit Trump, Michael Cohen, iu rimbursua këtij të fundit nga Organizata Trump, e më pas u regjistrua si shpenzim ligjor i kompanisë.

Ish-prokurori federal Neamah Rahmani e sheh aktpadinë si një zhvillim historik. Ish presidenti është duke u hetuar edhe për raste të tjera.

“Kjo është hera e parë që një ish-president akuzohet për një krim. Është e pashembullt. A do të ndjekin edhe prokurorët e tjerë, si prokurori i posaçëm Jack Smith, apo prokurorja e Qarkut të Atlantës Fani Willis, të njëjtin shembull dhe ta akuzojnë Donald Trump-in për krime më të rënda”, thotë ish-prokurori federal Neamah Rahmani.

Në një postim në internet zoti Trump, i cili ka kandiduar sërish për zgjedhjet presidenciale të vitit 2024, e quajti aktpadinë një persekutim politik dhe ndërhyrje në zgjedhje.

Stormy Daniels, aktorja e filmave pornografikë

Stormy Daniels, aktorja e filmave pornografikë

Dy hetime të mëparshme rreth pagesës për ish aktoren e filmave pornografikë nuk përfunduan në ngritje akuzash. Prokurorët federalë që i filluan hetimet ia përcollën çështjen ish prokurorit të Manhatanit Cyrus Vance, i cili po ashtu nuk vendosi të ngrejë akuza. Por prokurori aktual Alvin Bragg, i zgjedhur në nëntor të vitit 2021, i rihapi hetimet dhe mendon se ka prova të mjaftueshme për padi penale.

“Ky ishte një rast për të cilin Prokurori i Qarkut të Manhattan Alvin Bragg mendoi se kishte baza të forta ligjore ku mund të mbështeste akuzën e tij. Michael Cohen, u dënua për të njëjtën gjë nga prokurorët Federale. Njerëzit menduan në atë kohë se çfarë e bën Donald Trump-in të ndryshëm, pse ai duhet t’i shpëtojë ndjekjes penale në një kohë kur ka qenë i përfshirë në të njëjtën skemë?, thotë zoti Rahmani.

Në një intervistë në Fox News Senatori republikan Lindsey Graham i doli në mbrojtje zotit Trump. Ai e krahasoi çështjen e tij, me seancat për konfirmimin në Senat të anëtarit të Gjykatës së Lartë Brett Kavanaugh, i cili u emërua nga zoti Trump dhe u përball me akuza për ngacmim seksual.

“Demokratët u përpoqën të shkatërronin Brett Kavanaugh sepse donin kandidatin e tyre në Gjykatën e Lartë. Ata po përpiqen të shkatërrojnë Donald Trumpin, sepse i frikësohen rezultatit që ai mund të sigurojë në zgjedhje”, tha ai.

Analistja politike Sherry Bebitch Jeffe mendon se kjo lëvizja e prokurorit demokrat mund të ndihmojë zotin Trump në përpjekjet e tij për të fituar si kandidat i republikanëve për zgjedhjet presidenciale.

“Mbështetësit e tij do të zemërohen dhe nuk do ta pranojnë aktakuzën. Është ende herët, por nëse zemërimi vazhdon deri në zgjedhjet paraprake, brenda partive, ata do të jenë votuesit me pjesëmarrjen më të lartë”, thotë ajo.

Megjithatë zonja Jeffe thotë se aktakuza do ta dëmtojë zotin Trump në zgjedhjet presidenciale, duke i kushtuar atij votat e amerikanëve të pavarur.

Pas njoftimit për ngritjen e padisë penale mbështetësit e ish-presidentit Donald Trump u mblodhën të enjten në mbrëmje jashtë rezidencës së tij në Mar-a-Lago të Floridës.

John Skeadas, nga Nju Jorku, por pronar i një shtëpie në Florida, e sheh rastin si një përpjekje për të persekutuar zotin Trump, e që vë në rrezik të drejtat e të gjithë amerikanëve.

“Nëse nuk ngrihemi për atë që është e drejtë, atëherë nuk jemi më të mirë se Venezuela, nuk jemi më mirë se Kuba, Afganistani, apo Kina. Ndaj unë jam këtu si amerikan dhe mbështes demokracinë tonë”, thotë ai.

Ndërkohë ish-prokurori federal Neamah Rahman i druhet pasojave afatgjata që mund të sjellë aktpadia ndaj ish-presidentit.

“Si një ish-prokuror, besoj se askush nuk është mbi ligjin, madje edhe një ish-president. Por ajo që ngre si pikëpyetje është: a po hapim një kuti politike të Pandorës. Nëse republikanët rimarrin kontrollin e Shtëpisë së Bardhë: A do të ndjekin ata penalisht individë si Hunter Biden, Joe Biden apo Hillary Clinton? A është ky një hap i paprecedentë që do të dëmtojë sistemin tonë të drejtësisë penale dhe demokracinë tonë?”, pyet ai.

Prokurori i Qarkut të Manhatanit, Alvin Bragg

Prokurori i Qarkut të Manhatanit, Alvin Bragg

Prokurorët kanë thënë se po punojnë për të koordinuar dorëzimin e zotit Trump, gjë që mund të ndodhë në fillim të javës së ardhshme. Ekspertet thonë se pritet të zhvillohet një seancë e shkurtër, ku ai do të njihet me akuzat, do t’i merren shenjat e gishtrinjve, do të fotografohet dhe më pas të lirohet.

Ende nuk dihet nëse gjykatësi do t’i pranojë si të vlefshme akuzat penale të prokurorit Bragg, për të zhvilluar një proces gjyqësor apo do t’i hedhë ato poshtë. Në kushtet kur bëhet fjalë për një ish-president, autoritetet po marrin masa sigurie në Nju Jork, për të shmangur cdo lloj incidenti.

Ekspertët kushtetues thonë se pavarësisht ngritjes së akuzave penale, kjo nuk do ta ndalojë zotin Trump të kandidojë për president, madje edhe në rast dënimi të tij, thonë ata, ai do ta merrte sërish detyrën, nëse fitonte.

DeSantis sulmon Sorosin: Nuk do të firmos për ekstradimin e Trumpit

Guvernatori i Floridas, Ron DeSantis, tha se nuk do të firmosë një kërkesë për ekstradimin e ish-presidentit Donald Trump.

Reagimi i tij vjen pasi ndaj Trump është ngritur padi, ndërsa mund të arrestohet javën që vjen. Trump jeton në shtetin e Floridas, ndërsa padia është ngritur nga një Juri e Madhe në Nju Jork.

Gjatë një reagimi, DeSantis, i cili është kandidat i republikanëve në zgjedhjet presidenciale, tha se padia ndaj Trump është jo-amerikane dhe tregon se sistemi ligjor po përdoret si armë për të avancuar një axhendë politike.

Më tej, DeSantis sulmoi edhe miliarderin George Soros, duke thënë se ai ka paguar për prokurorin e Nju Jorkut që ka ngritur padinë.

“Prokurori i qarkut të Manhattan-it, i mbështetur nga Soros, ka thyer vazhdimisht ligjin, duke ulur vlerësimet për krimet dhe duke justifikuar sjelljet kriminale. Megjithatë ai tani po shënjestron një kundërshtar politik”, tha DeSantis.

“Florida nuk do e pranojë një kërkesë ekstradimi, duke pasur parasysh rrethanat e dyshimta të kësaj çështje me një prokuror të mbështetur nga Soros dhe axhendën e tij politike”.

Rezidenca kryesore e Trump është në Mar-a-Lago në Palm Beach të shtetit Florida. syri.net

Arrestimi i gazetarit në Moskë, Blinken thirrje amerikanëve: Nëse jeni në Rusi, largohuni menjëherë!

Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken, ka reaguar pas arrestimit të gazetarit amerikan Ivan Gershkoviç në Rusi, pasi akuzohet për spiunazh.

Nëpërmjet një postimi në Facebook, Blinken u ka bërë thirrje amerikanë që ndodhen në Rusi të largohen.

“Jemi thellësisht të shqetësuar për njoftimin e Rusisë se ka arrestuar një gazetar shtetas amerikan. Prioriteti më i lartë i yni është siguria e qytetarëve amerikanë jashtë vendit. Nëse jeni një shtetas amerikan që jetoni ose udhëtoni në Rusi, ju lutemi largohuni menjëherë’, kjo ka qenë thirrja e Blinken.

Shtëpia e Bardhë shprehu gjithashtu “shqetësimin e thellë” për arrestimin e gazetarit.

Me vendim gjykate ai është lënë në burg për dy muaj dhe nëse shpallet fajtor, dënimi mund të arrijë deri në 20 vjet. Gjyqet për spiunazh zhvillohen me dyer të mbyllura dhe lirimet janë shumë të rralla.bw

Republikanët shprehin mbështetje për zotin Trump pas ngritjes së akuzave penale

VOA/Marrë nga Reuters

Udhëheqës të lartë republikanë në Kongres shprehën mbështetje për ish-Presidentin Donald Trump, ndërsa një juri e madhe në Manhatan hapi dritën jeshile për ngritjen e akuzave penale ndaj tij. Republikanët i akuzuan demokratët se po e përdorin politikisht sistemin e drejtësisë.

Reagimi i ashpër i republikanëve ndaj ngritjes së akuzave të enjten pasqyron mbështetjen që ende gëzon zoti Trump tek Partia Republikane dhe shumë prej votuesve të tij, ndërsa ai përpiqet të rimarrë Shtëpinë e Bardhë në zgjedhjet e vitit 2024.

Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, republikani Kevin McCarthy, tha se ngritja e aktakuzës tregon se “sistemi ynë i shenjtë i drejtësi u përdor politikisht” kundër zotit Trump.

Ligjvënësja Elise Stefanik, një tjetër udhëheqëse në Dhomën e Përfaqësuesve të kontrolluar nga republikanët, e quajti aktakuzën një, “gjueti politike shtrigash dhe një ditë të errët për Amerikën”.

Senatori i Floridës, republikani Rick Scott e quajti ngritjen e aktakuzës një “hakmarrje politike kundër Presidentit Trump”, ndërsa Senatori Ted Cruz i Teksasit e quajti atë “një përshkallëzim katastrofik të përdorimit politikisht të sistemit të drejtësisë”.

Ish-Presidenti Trump e quajti ngritjen e aktakuzave një “persekutim politik”. Kandidati për Shtëpinë e Bardhë në zgjedhjet e vitit 2024 i përgatiti mbështetësit e tij ndërsa deklaroi javën e kaluar se ndaj tij do të ngriheshin akuza lidhur me pretendimet për pagesa për aktoren e filmave pornografikë Stormy Daniels. Javën e kaluar fushata presidenciale e zotit Trump mblodhi rreth 2 milionë dollarë, sipas drejtuesve të saj.

Zoti Trump është kandidati kryesor republikan në zgjedhjet e presidenciale të vitit 2024. Ai gëzon mbështetjen e rreth 44% të republikanëve, sipas një sondazhi të mbyllur të hënën nga Reuters/Ipsos dhe pasohet nga guvernatori i Floridës Ron DeSantis me 30%, pavarësisht se ky i fundit ende nuk ka shpallur kandidaturën.

Përmes një shkrimi në rrjetitn Twitter, guvernatori DeSantis tha se ngritja e aktakuzës ishte joamerikane.

“Përdorimi politikisht i sistemit tonë të drejtësisë për të avancuar një axhendë politike e kthen me kokë poshtë zbatimin e ligjit”, thuhet në postimin e zotit DeSantis në rrjetin Twitter. “Prokurori i Qarkut të Manhatanit, i mbështetur nga Sorosi, ka deformuar vazhdimisht ligjin duke lënë të lirë krimilenët. Megjithatë, tani ai po tendos ligjin për të vënë në shënjestër një kundërshtar politik”, shprehet mes të tjerash zoti DeSantis.

Por ngritja e aktakuzës paraqet probleme për zotin Trump i cili po përpiqet të kthehet në Shtëpinë e Bardhë.

Ligjvënësi demokrat në Dhomën e Përfaqësuesve, Ted Lieu e quajti ngritjen e akuzës një “precedent tronditës” por të nevojshëm nëse zoti Trump kishte kryer krime. Kolegu i tij demokrat në Dhomën e Përfaqësuesve, Jamaal Bowman tha se, “Është koha të sigurohemi që Trump-i të ndalohet të kandidojë përsëri për ndonjë post publik”.

Ngrihen akuza penale ndaj ish-Presidentit Donald Trump

VOA/Marrë nga Reuters dhe AP

Votimi i një jurie të madhe në Manhatan ka hapur dritën jeshile për ngritjen e një padie ndaj ish-Presidentit Donald Trump, nën akuza që kanë të bëjnë me pagesat e bëra gjatë fushatës presidenciale të vitit 2016 për të blerë heshjen e një aktoreje të filmave pornografikë lidhur me pretendimet për mardhënie jashtëmartesore.

Republikani Donald Trump, i cili po kandidon për të rimarrë Shtëpinë e Bardhë në zgjedhjet e vitit 2024, tha përmes një deklerate në rrjetin e tij “Truth Social” se: “Ky është një persekutim politik dhe ndërhyrje në zgjedhje në nivelin më të lartë në histori”.

Ish-Presidenti Trump tha në dekleratë se, demokratët e majtë radikalë u përpoqën me çdo mënyrë të minonin presidencën e tij që nga momenti që ai u deklarua fitues i zgjedhjeve presidenciale.

Ky është rasti i parë ndonjëherë i ngritjes së akuzave penale ndaj një ish-presidenti amerikan dhe një goditje ndaj përpjekjeve të zotit Trump për të rimarrë Shtëpinë e Bardhë në zgjedhjet e vitit 2024.

“Demokratët kanë gënjyer, mashtruar dhe vjedhur në përpjekjet e tyre për të shtënë në dorë Trump-in. Por tani kanë bërë të paimagjinueshmen, duke ngritur padi ndaj një personi plotësisht të pafajshëm, në një akt flagrant të ndërhyrjes në zgjedhje”, thuhet në deklaratën e zotit Trump.

Aktakuza u konfirmuar të enjten nga Joe Tacopina, një avokat i zotit Trump, dhe të tjerë që kanë njohuri mbi këtë çështje por nuk janë të autorizuar për të diskutuar akuzat që ende nuk janë bërë publike.

Hapja e dritës jeshile nga juria e madhe për ngritjen e akuzave ndaj 76-vjeçarit Trump, është një ngjarje e jashtëzakonshme pas vitesh hetimesh mbi marrëdhëniet e tij në fushën e biznesit dhe politikës.

Ngritja e padisë ka të ngjarë të nxisë kritikët që thonë se zoti Trump bëri manipulime deri në marrjen e Shtëpisë e Bardhë, por nga ana tjetër, kjo do të angazhojë mbështetësit e tij, të cilët thonë se republikani Trump po vihet padrejtësisht në shënjestër nga një prokuror demokrat.

“Prokurori i Mahatanit Alvin Bragg, i cili u zgjodh dhe u financua nga George Soros, është një turp. Në vend që të ndalojë valën e paprecedentë të krimit që ka pushtuar qytetin e Nju Jorkut, ai po bën punën e pistë të Joe Biden-it”, shprehet zoti Trump në deklaratën e tij të postuar në rrjetin ‘Truth Social”.

Avokati Tacopina tha në një deklaratë se: “Ai nuk ka kryer asnjë krim. Ne do ta luftojmë fuqishëm në gjykatë këtë ndjekje politike”.

Hetimi i prokurorit u përqendrua tek paratë e paguara aktores së filmave pornografikë Stormy Daniels dhe ish-modeles së revistës “Playboy” Karen McDougal, për të cilat ai druhej se do t’i shprehnin publikisht pretendimet se kishin patur mardhënënie intime me të.

Zoti Trump, i cili ka hedhur poshtë akuzat dhe ka sulmuar në mënyrë të përsëritur hetimin si të motivuar politikisht, pritet t’u dorëzohet autoriteteve javën e ardhshme, megjithëse detajet janë ende duke u përpunuar, sipas një personi anonim që ka njohuri për çështjen.

Prokurori i qarkut të Manhatanit, Alvin Bragg, po ndërmerr një hap të pazakontë. Rasti në fjalë u hetua nga dy prokurorë të mëparshëm, të cilët refuzuan të ndërmarrin hapin me peshë të madhe politike për të kërkuar ngritjen e padisë ndaj zotit Trump.

SHBA me 690 milionë dollarë programe për të fuqizuar demokracinë në mbarë botën

Nga Takimi virtual për Demokracinë në auditorin e Shtëpisë së Bardhë (29 mars 2023)

VOA

Presidenti Joe Biden çeli punimet e Takimit të dytë për Demokracinë, duke premtuar se Shtetet e Bashkuara do të investojnë 690 milionë dollarë gjatë vitit që vjen për të fuqizuar programet e demokracisë në mbarë botën.

“Po ndryshojmë rrjedhën këtu. Siç e themi shpesh, gjendemi këtu në një pikë kthese të historisë, kur vendimet që marrim sot do të ndikojnë tek kursi i botës sonë për të paktën disa dekada në vazhdim”, tha Presidenti Biden.

Shtëpia e Bardhë vuri në dukje se Shtetet e Bashkuara dëshirojnë në veçanti që ta bëjnë “teknologjinë të punojë në favor të demokracisë dhe jo kundër saj”.

Në këtë forum, kryeministrat e tetë vendeve evropiane nënshkruan një letër të hapur drejtuar drejtuesve të kompanive kryesore të mediave sociale duke u bërë atyre thirrje që të tregohen më agresivë në bllokimin e përhapjes së informacionit fals në platformat e tyre. Letra u nënshkrua nga udhëheqësit e Ukrainës, Moldavisë, Polonisë, Republikës Çeke, Estonisë, Letonisë, Lituanisë dhe Sllovakisë.

“Platformat e teknologjisë si e juaja janë shndërruar në fushëbeteja virtuale, dhe fuqi të huaja armiqësore po i përdorin për të përhapur variante false që bien në kontradiktë me raportimin që bëjnë mediat me lajme të bazuara në fakte”, thotë letra. “Reklamat e paguara dhe rritja artificialisht e mesazhit në platformat e kompanisë Meta, përfshirë Facebook-un, përdoren shpesh për të bërë thirrje për trazira sociale, shkaktim të dhunës në rrugë dhe destabilizimin e qeverive”.

Rreth 120 udhëheqës nga mbarë bota janë duke marrë pjesë në takimit përgjithësisht virtual, një përpjekje e Presidentit Biden për të forcuar pozitat e demokracive në një kohë kur qeveritë autokratike po përparojnë me axhendat e tyre, si sulmi prej 13-muajsh i Rusisë në Ukrainë dhe aleanca e Kinës me Moskën.

“Presidenti Biden e ka quajtur betejën për të fuqizuar qeverisjen demokratike në vend dhe jashtë tij si sfidën përcaktuese të kohërave tona”, deklaroi Shtëpia e Bardhë. “Kjo është për shkak se demokracia, qeverisja transparente dhe e përgjegjshme përpara popullit, mbeten mënyra më e mirë për të arritur paqe afatgjatë, begati dhe dinjitet njerëzor”.

Presidenti Biden flet gjatë takimit, ndërsa në krah qëndron Sekretari i Shtetit Blinken (29 mars 2023)

Presidenti Biden flet gjatë takimit, ndërsa në krah qëndron Sekretari i Shtetit Blinken (29 mars 2023)

Përpara se të mbanin fjalimet e tyre udhëheqësit në lidhje me demokracinë në vendet e tyre, Presidenti Biden dhe Presidenti i Koresë së Jugut Yoon Suk Yeol thanë nëpërmjet një deklarate të përbashkët se “forcimi i qeverisjes transparente dhe të përgjegjshme, të bazuar tek miratimi i të qeverisurve është një parim themelor i kohërave tona”.

Shtëpia e Bardhë tha se financimi i ri amerikan, për të cilin do të duhet miratimi i Kongresit, do të përqëndrohet tek programet që mbështesin median e lirë dhe të pavarur, luftimin e korrupsionit, fuqizimin e të drejtave të njeriut, mbështetjen e teknologjive që përmirësojnë demokracinë, si dhe mbështetjen e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.

Por, Shtëpia e Bardhë pranoi edhe mangësitë e vetë Shteteve të Bashkuara për sa i përket demokracisë, përfshirë faktin që deri më tani Presidenti Biden nuk ka arritur të fitojë miratimin në Kongres të legjislacionit që synon të zgjerojë të drejtën e votës. Megjithatë, Shtëpia e Bardhë vuri në dukje se është shtuar personeli i Departamentit të Drejtësisë për zbatimin e të drejtës së votës dhe se është miratuar legjislacion për të qartësuar procedurat e votimit në Kongres gjatë procesit të numërimit të votave elektorale për zgjedhjen e presidentit.

Banorët e Scrantonit, vendlindjes së Joe Bidenit, pikëpyetje për rikandidimin e mundshëm të tij

VOA

Në qytetin Scranton të Pensilvanisë, vendlindjes së Joe Bidenit, banorët kanë mendime të ndryshme nëse ai duhet të rikandidojë për një mandat tjetër presidencial. Disa prej tyre, thonë se kishin shpresuar që qyteti të ishte zhvilluar më shumë nën presidencën e tij, ndërsa të tjerë shprehen se Scrantoni ka njohur zhvillim dhe i mbijetoi pasojave të pandemisë së koronavirusit falë politikave të administratës Biden. Materiali në vijim sjell opinionet e disa prej banorëve dhe arsyet që ata thonë se do t’i nxisnin për të mbështetur zotin Biden, i cili pritet të njoftojë kandidimin president gjatë javëve të ardhshme.

Në vendlindjen e Joe Bidenit, në qytetin Scranton në shtetin e Pensilvanisë, nuk mund të mos vihen re simbolet që tregojnë dashamirësinë ndaj Presidentit të Shteteve të Bashkuara. Dy rrugë dhe një autrostradë mbajnë emrin e Joe Bidenit.

Letrat e Presidentit, dërguar individëve, përfaqësuesve të shoqërisë civile apo drejtuesve lokalë të qytetit, ku ai çmon “vlerat e banorëve të Scrantonit ”, të cilët janë të njerëzishëm dhe punojnë fort, disa prej tyre, i kanë vendosur me krenari në dhomat e pritjes apo në zyra.

“Kjo është një letër që Presidenti Biden na e dërgoi pas mbërmjes së madhe kushtuar anëtarëve të komunitetit afro-amerikan që shënuan arritje të mëdha, vitin e kaluar”, thotë Glyn Johns, themeluese e projektit “Black Scranton”

Dy banorë tregojnë se nënat e tyre u gëzuan pasi Presidenti i telefonoi në mënyrë të papritur, gjatë një prej vizitave të tij. Disa pronarë biznesesh thonë se i shpëtuan falimentimit falë programeve mbështetëse që miratoi administrata e zotit Biden.

Megjithatë, janë të paktë banorët që shprehen se jeta e tyre është përmirësuar nën udhëheqjen e demokratit.

Glyn John, një aktiviste 29 vjeçare, tregon se kishte shpresuar se drejtimi i Shtëpisë së Bardhë nga një politikan i lindur në Scranton do të ndihmonte në nxjerrjen në dritë të problemeve me të cilat përballen qytetet amerikane, që dikur vareshin nga industria e qymyrit apo prodhimi i çelikut. Thuajse një në pesë banorë të Scrantonit jeton në varfëri, thuajse dyfishi i mesatares në nivel kombëtar ndërsa në renditjen e shkollave në nivel kombëtar dhe shtetëror, shkollat e Scrantonit pozicionohen pothuajse në fund.

Deri tani, kjo e re ndihet zhgënjyer.

“Anëtarët e komunitetit afro-amerikan zgjodhën të jetojnë këtu. Këtu duan të jetojnë të lirë. Por gjithçka që kemi ditur mbi komunitetin afro-amerikan po shkatërrohet dhe nuk dua që kjo të ndodhë. Nëse do të na ndihmojë, le të na mbështesë me burime financiare. Le të më ndihmojë që të zgjeroj edhe më shumë këtë qendër, që njerëzit të vijnë dhe të shohin gjërat që ky komunitet mund të bëjë, që vetë zoti Biden ka deklaruar se besonte se ne mund të bënim. Nëse ai thotë se do të ndihmojë vendlindjen e tij, 100,000% që do ta votoj”, thotë ajo.

Vota e komunitetit afro-amerikan ishte e rëndësishme për fitoren në zgjedhje të zotit Biden, por përfaqësues të Partisë Demokratike druhen se zgjënjimi tek ky komunitet po rritet dhe se ata nuk kanë më besim se politika mund t’u japë zgjidhje problemeve të tyre.

“Mendoj se disa politikanë që kanë qenë pjesë e klasës politike duhet të largohen dhe t’i hapin rrugë brezit të ri. Ta ndihmojnë dhe ta mësojnë këtë brez se si të udhëheqë”, thotë Amber Viola, drejtuese emisioni.

Disa banorë të Scrantonit shprehen të shqetësuar mbi mundësinë që zoti Biden të rikandidojë për President. Aktualisht 80 vjeç, ai është presidenti më i vjetër në historinë e Shteteve të Bashkuara. Në rast se do të rikonfirmohej, ai do të ishte 86 vjeç në fund të mandatit të dytë.

“Shqetësohem për moshën dhe shëndetin e tij”, thotë Jenn Saunders, banore e qytetit të Scrantonit.

“Si zoti Trump që kërkon të rikandidojë dhe Presidenti Biden, janë të dy në të 80-at. Shumë të rinj duan që të kandidojë dikush më energjik”, thotë Amber Viola, drejtuese emisioni.

Joe Biden pritet të shpallë zyrtarisht kandidaturën gjatë javëve të ardhshme.

Sondazhet në nivel kombëtar tregojnë se demokratët do të preferonin një kandidat më të ri dhe mungesa e entuziazmit në Scranton mund të jetë një sinjal i hershëm paralajmërues për Partinë Demokratike.

Mbështetja popullore për zotin Biden vijon të mbetet mjaft e ulët. Sipas një sondazhi të kryer nga agjencia e lajmeve Reuters dhe kompania Ipsos mbështetja ndaj tij ishte 42%, muajin e kaluar, më e larta në muajt e fundit.

Shumë banorë të Scrantonit thonë se mund ta mbështesin sërish zotin Biden në vitin 2024, megjithëse pa shumë entuziazëm. Ata u shprehën të zhgënjyer për rënien ekonomike me të cilën përballet qyteti prej një kohe të gjatë si dhe mungesën e dukshme të mundësive në 2024.

Pjesëmarrja e ulët në votime, krahasuar me shumë demokraci të tjera, bën që entuziazmi të luajë një rol vendimtar në garat që mbahen në Shtetet e Bashkuara.

Në 4 zgjedhjet e fundit presidenciale, morën pjesë mesatarisht 57% e votuesve.

Ekipi i zotit Biden thonë se e mirëpret një përballje tjetër të mundshme të tij me zotin Trump, me argumentin se kjo do të nxisë bazën që nuk mbështet ish-presidentin dhe është i zemëruar me të. Megjithatë, sondazhet tregojnë, se populli amerikan nuk mendon njësoj.

Ish kryebashkiaku i qytetit të Scrantonit, Jim Connors, thotë se është krenar për udhëheqjen që dëshmoi zoti Biden pas sulmit që Rusia ndërmori ndaj Ukrainës.

“Ai shkoi në Ukrainë për të ndihmuar. Ai është nga Scrantoni. Këtë bëjmë ne. Ky qytet njihet si qyteti i miqësisë. Në këtë mënyrë është rritur Joe. Nëse ai do të rikandidojë, atëherë le të ngrihet dikush, ta sfidojë”, Jim Connors, ish kryebashkiaku i qytetit të Scrantonit.

Paige Cognetti, kryetarja aktuale e Bashkisë së Scrantonit thotë se nën presidencën e zotit Biden, qyteti ka njohur zhvillim, edhe pse në disa raste, nuk vihet re. Ajo thotë se qyteti ka përfituar nga mbështetja prej miliona dollarësh që administrata e zotit Biden ofroi për përballimin e pasojave të pandemisë COVID, duke përfshirë pagesën për një flotë të re automjetesh elektrike.

Bashkia ka shfrytëzuar fondet federale për rritur pagat dhe për të mbështetur bizneset e vogla. Zoti Biden po mbështet gjithashtu një projekt për ndërtimin e një linje të re hekurudhore nga Scrantoni në qytetin e Nju Jorkut.

“Kur mendoj për Presidentin Biden, nuk e mendoj vetëm si presidentin që ka lindur në qytetin tonë,” tha zonja Cognetti. “E mendoj si Presidenin që ka nisur një epokë financimi për gjërat që realisht u duhen qyteteve si Scrantoni”, thotë Paige Cognetti, Kryetare e Bashkisë e Scrantonit.

Mblidhet përsëri juria e madhe e Manhatanit për hetimin e ish-presidentit Trump

VOA

Juria e madhe e Manhatanit, që po heton për ish-presidentin Donald Trump lidhur me pagesën për aktoren e filmave pornografikë Stormy Daniels në ditët e fundit të fushatës presidenciale të vitit 2016, në këmbim të heshtjes së saj, pritej të mblidhej të hënën për të dëgjuar prova të mëtejshme. Megjithatë nuk ka anjë informacion se kur mund t’i kërkohet kësaj jurie të votojë për një aktakuzë të mundshme.

Është hera e parë që juria dëgjon dëshmi për këtë hetim që nga e hëna e kaluar.

Sipas agjencisë së lajmeve Associated Press, një ndër personat kryesorë për hetimet u pa sot të largohej nga godina në Manhatan ku është mbledhur prej muajsh juria e madhe.

David Pecker, një mik i hershëm i ish-Presidentit Trump dhe ish-drejtues i kompanisë që ka në pronësi gazetën National Enquirer, u pa edhe disa javë më parë në të njëjtën godinë, duke sugjeruar kështu se dëshmia e tij mund të jetë thelbësore ndërsa prokurorët vazhdojnë të përpiqen për ngritje të akuzave penale ndaj ish-presidentit.

Një automjet duke u larguar nga godina pasi David Pecker mendohet se u takua me jurinë e madhe (Nju Jork, 27 mars 2023)

Një automjet duke u larguar nga godina pasi David Pecker mendohet se u takua me jurinë e madhe (Nju Jork, 27 mars 2023)

Ish-presidenti Trump deklaroi më 18 mars në platformën e tij të mediave sociale, se ngritja e akt-akuzës ishte e pashamngshme dhe tha se priste të arrestohej të martën e kaluar. Që atëherë ai ka përdorur mungesën e një aktakuze për të pohuar, duke mos dhënë asnjë provë, se hetimi po dështon.

Ish-presidenti republikan gjithashtu ka përshkallëzuar retorikën e tij, duke paralajmëruar se “vdekja dhe shkatërrimi i mundshëm” do të shoqëronte çdo aktakuzë. Ai postoi gjithashtu një foto të tij duke mbajtur një shkop bejsbolli pranë një fotografie të Prokurorit të Manhatanit Alvin Bragg, një demokrat.

Pagesa në këmbim të heshtjes nuk përbën në vetvete një krim. Por prokurorët federalë thonë se pagesa për zonjën Daniels, si dhe për një grua tjetër, Karen McDougal, duhej të ishte raportuar si shpenzim fushate elektorale, ndërkohë që ato u regjistruan si shpenzim ligjor, një shkelje e ligjeve federale. Zoti Trump ka mohuar se pagesa ishte “kontribut për fushatën”.

Ekspertët ligjorë thonë që nëse ngrihen akuza, ato ka të ngjarë që të përqendrohen tek falsifikimi i dokumenteve financiare. Por në Nju Jork, falsifikimi i të dhënave të biznesit konsiderohet një kundravajtje. Për ta ngritur akuzën në nivelin e një vepre penale, prokurorët duhet të vërtetojnë se veprimi i mashtrimit (kundërvajtja) ka patur si synim mbulimin e një krimi tjetër.

Kjo është vetëm një nga sfidat ligjore për ish-presidentin që ka shpallur zyrtarisht kandidaturën për zgjedhjet e vitit 2024.

Prokurori i posaçëm Jack Smith po drejton hetimet e Departamentit të Drejtësisë mbi dokumentet sekrete që iu gjetën ish-presidentit në rezidencën e tioj private, pas largimit nga Shtëpia e Bardhë, si edhe mbi përpjekjet e zotit Trump dhe aleatëve të tij, për të përmbysur rezultatet e zgjedhjeve të vitit 2020. Një hetim, tjetër është duke u zhvilluar nga prokurori në Xhorxhia, mbi përpjekjet për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve në këtë shtet.

Rosenstock-Siller: Përdorimi i forcës nga NATO më 1999 ishte i domosdoshëm dhe legjitim

Këshilltarja Politike në Këshillin e Përhershëm të OSBE-së në Vjenë, Elisabeth Rosenstock-Siller, ka thënë se përdorimi i forcës nga NATO kundër regjimit të Serbisë ishte i domosdoshëm dhe legjitim.

Sipas saj, kjo ndërhyrje erdhi vetëm pasi ishin shteruar të gjitha rrugët diplomatike për t’i dhënë fund një fushate brutale të spastrimit etnik të sponsorizuar nga regjimi i Millosheviqit.

“Njëzet e katër vjet më parë, NATO nisi Operacionin Forcat Aleate për t’i dhënë fund një dekade gjakderdhjeje në Ballkan. Kjo ndërhyrje erdhi vetëm pasi kishte shteruar të gjitha rrugët diplomatike për t’i dhënë fund një fushate brutale të spastrimit etnik të sponsorizuar nga regjimi i Millosheviqit”.

“Përdorimi i forcës nga NATO në këtë rast ishte i domosdoshëm dhe legjitim. Këshilli i Sigurimit i OKB-së kishte shprehur shqetësimet e tij për situatën e rëndë humanitare në Kosovë, numrin në rritje të refugjatëve dhe kërcënimin që paraqiste për paqen dhe sigurinë ndërkombëtare. Kujtoni qindra mijëra njerëz të pafajshëm të dëbuar nga shtëpitë e tyre dhe mijëra të vrarë ose të zhdukur për shkak të dhunës së regjimit etno-nacionalist të Millosheviçit dhe forcave të tij”.

Sipas saj, është detyrë e qeverive të Serbisë dhe Kosovës që të sigurojnë që të gjitha viktimat dhe familjet e tyre të kenë qasje të plotë në drejtësi dhe informacion për fatin e të dashurve të tyre.

“Ne u bëjmë thirrje të dyja qeverive që të mbështesin përpjekjet për drejtësi dhe llogaridhënie, duke përfshirë edhe shprehjen kundër glorifikimit të kriminelëve të luftës”.

“Ndjejmë keqardhje të thellë për humbjen e jetëve të pafajshëm, përfshirë ata që humbën jetën gjatë Operacionit të Forcave Aleate. Kur vizitoi Beogradin në vitin 2016, Presidenti Biden shprehu ngushëllimet e tij personale për familjet e atyre që humbën jetën gjatë luftërave të viteve 1990, përfshirë si rezultat i fushatës ajrore të NATO-s. Shprehi ngushëllimet e mia të përzemërta edhe sot. Megjithatë, nuk duhet harruar asnjëherë se si filloi ky konflikt dhe pse”.

“Zoti Kryetar, Shtetet e Bashkuara mbështesin fuqimisht një të ardhme demokratike, të begatë dhe paqësore për Ballkanin Perëndimor dhe mirëpresin marrëveshjen e arritur nga Kosova dhe Serbia përmes lehtësimit të Bashkimit Evropian për zbatimin e marrëveshjes për rrugën e normalizimit të marrëdhënieve. Siç tha Sekretari Blinken, Shtetet e Bashkuara do të mbeten të angazhuara në mënyrë aktive, në koordinim me partnerët e BE-së, për të mbështetur Serbinë dhe Kosovën në funksionimin e zbatimit në ndjekje të një marrëdhënieje të parashikueshme dhe paqësore. Ne do të vazhdojmë të mbështesim avancimin e qeverisjes demokratike, marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë dhe prosperitetin në Ballkanin Perëndimor”.

“Le të nderojmë kujtimin e atyre që humbën jetën duke punuar së bashku për të ndërtuar një të ardhme paqeje dhe prosperiteti për të gjithë në Ballkanin Perëndimor”. syri.net

Rrokaqielli simbol i Nju Jorkut “Flatiron” u shit për 190 milionë dollarë

VOAL- “Flatiron” (Hekuri), një rrokaqiell simbol i Nju Jorkut me arkitekturën e tij karakteristike të fillimit të shekullit të njëzetë, u shit të mërkurën në ankand për 190 milionë dollarë (174 milionë franga). Shitja do të zgjidhë një mosmarrëveshje midis pronarëve të saj.

Ai që rrëmben ndërtesën historike, bosh që nga viti 2019, është financuesi Jacob Garlick, themeluesi i fondit të investimeve Abraham Trust.

Një imazh i Flatiron i marrë nga Empire State Building

 

Ndërtesa Flatiron është një ndërtesë zyre 22-katëshe, 87 metra e lartë e vendosur në Midtown Manhattan në kryqëzimin e Rrugës 22, Fifth Avenue dhe Broadway. Forma karakteristike “e hekurt” e ndërtesës është për shkak të kryqëzimit midis Fifth Avenue dhe Broadway, e vetmja rrugë në Manhattan që nuk është në përputhje me planin drejtvizor të ishullit.

I ndërtuar në dy vjet dhe i përfunduar më 1902, “Flatiron” u projektua nga arkitekti i shkollës së Çikagos, Daniel Burnham në stilin e Beaux-Arts, si shumë ndërtesa të Nju Jorkut, si Stacioni i madh Grand Central. rsi-eb

Chollet uron Kurtin për marrëveshjen e arritur në Ohër

Këshilltari i DASH-it, Derek Chollet, dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. Fotografi nga arkivi.

RFE/RL

Këshilltari i lartë i Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet, e ka uruar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, për marrëveshjen e arritur në Ohër mes Kosovës dhe Serbisë – gjatë një bisede telefonike të enjten.

Kështu thuhet në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit. Ata “folën për takimin e nivelit të lartë politik” mes Kurtit dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, dhe ky urim vjen “pas negociatave të gjata dhe të vështira”.

Kosova dhe Serbia më 27 shkurt u pajtuan për Marrëveshjen drejt normalizimit, apo që njihet ndryshe edhe si propozimi evropian. Ndërkaq, më 18 mars, palët u pajtuan për Aneksin e zbatimit të kësaj marrëveshjeje.

Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara kanë thënë se pavarësisht që kjo marrëveshje nuk u nënshkrua nga palët, e konsiderojnë atë obligative.

Marrëveshja me 11 nene nuk e obligon Serbinë që ta njohë Kosovën, por kërkon nga të dyja vendet që t’i pranojnë dokumentet dhe simbolet e njëra-tjetrës, përfshirë: pasaportat, diplomat dhe targat.

Ajo kërkon, po ashtu, nga palët që t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tash në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve, përfshirë edhe atë për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, të cilin Qeveria në Prishtinë e ka refuzuar deri më tash, me arsyetimin se mund të rrezikojë funksionalitetin e shtetit.

Më herët gjatë ditës, sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, tha se nëse marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë zbatohet, kjo do t’i hapte rrugën njohjes së Kosovës nga pesë vendet e Bashkimit Evropian që nuk e kanë njohur atë.

Edhe përfaqesuesi i lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, tha se do ta monitorojnë “me kujdes se kush e zbaton marrëveshjen e kush jo”.

Shumë shtete të BE-së e kanë mirpritur marrëveshjen e arritur në Ohër, dhe kanë kërkuar që fokusi tani të drejtohet kah implementimi.

Burimet diplomatike në Bruksel kënë thënë se disa shtete kanë ftuar që të ketë “kujdes të shtuar“ nga ana e BE-së në mënyrë që të sigurohet zbatimi i plotë i të gjitha pikave të marrëveshjes dhe që të mos lejohet devijimi nga obligimet për asnjërën palë.

Republikanët akuzojnë Sorosin lidhur me hetimet ndaj zotit Trump

VOA/Marrë nga Associated Press

Ndërsa ish-Presidenti Donald Trump përballet me mundësinë e ngritjes së akuzave penale ndaj tij lidhur me pagesat në emër të tij për të blerë heshtjen e një aktoreje filmash pornografikë gjatë fushatës së vitit 2016, republikanët thonë se rasti ka motive politike duke fajësuar si shpesh herë, George Sorosin.

Investitori dhe filantropi miliarder 92-vjeçar, i cili është akuzuar në mënyrë të rreme për gjithçka, duke filluar që nga pagesa e protestuesve të dhunshëm deri tek krimet zgjedhore, nuk e njeh dhe nuk i ka dhuruar drejtpërdrejt para prokurorit të Nju Jorkut që po drejton hetimin. Por kjo nuk e ka penguar zotin Trump dhe republikanët e tjerë që ta akuzojnë Prokurorin e Qarkut të Manhatanit, Alvin Bragg, se po vepron në emër të zotit Soros.

Të hënën zoti Trump përdori platformën e tij Truth Social për të ngritur pretendimin e pavërtetë se zoti Bragg kishte marrë më shumë se një milion dollarë nga Soros. Senatori i Ohajos, J.D. Vance, shkroi në Twitter se prokurori ishte “blerë nga George Soros”. Guvernatori i Floridës Ron DeSantis e quajti rastin një cirk të prodhuar nga një prokuror i financuar nga Soros.

Ekspertët thonë se pretendimet shfrytëzojnë një zonë gri të mbledhjes së fondeve për fushata, ku mund të jenë të paqarta lidhjet e dobëta midis donatorëve dhe kandidatëve që përfundimisht marrin fondet.

Për zotin Soros, i cili është hungarezo-amerikan dhe hebre, po ashtu qarkullojnë teori konspiracioni se ai orkestron ngjarjet botërore.

Pretendimet e gabuara për lidhjet e zotit Soros me çështjen e zotit Trump e kanë zanafillën tek një donacion që filantropisti bëri në vitin 2021. Zoti Soros dhuroi 1 milion dollarë për organizatën “Color of Change” një grup politik që zhvilloi një fushatë të pavarur financiare për të mbështetur zgjedhjen e zotit Bragg në postin e prokurorit.

Zëdhënësi i zotit Soros, Michael Vachon konfirmoi se kontributi i donatorit nuk ishte i përcaktuar për t’u përdorur për zotin Bragg. Zoti Soros nuk i dhuroi drejtpërdrejt fushatës së kandidati Bragg dhe ata nuk janë takuar kurrë personalisht, nuk kanë folur në telefon apo virtualisht, tha zëdhënësi Vachon.

Kontributi për organizatën “Color of Change” e cila i tha Associated Press se mbështet prokurorët që kërkojnë të ndryshojnë sistemin e drejtësisë penale, është në vazhdën e donacioneve të zotit Soros, i cili ka bërë kontribute të shumta në mbështetje të prokurorëve reformatorë në mbarë vendin që nga viti 2015, tha zëdhënësi Vachon.

Zoti Soros shkroi në vitin 2022 se ai i mbështet këta kandidatë sepse ata investojnë në ndryshimet që ai mbështet, përfshirë programet e shëndetit mendor dhe trajtimin e varësisë nga droga si sëmundje në vend të krimit. Personalisht dhe përmes një organizate tjetër, zoti Soros dhuroi rreth 4 milionë dollarë për organizatën “Color of Change” midis viteve 2016 dhe 2022, tha zëdhënësi Vachon.

Megjithatë, republikanët dhe komentuesit në mediat sociale po shfytëzojnë donacionet e vitit 2021 për lidhur zotin Soros me akuzat e mundshme që mund të ngrihen ndaj zotit Trump. Disa postime të shpërndara gjerësisht pretendojnë në mënyrë të rreme se zoti Soros ka dhuruar drejtpëdrejt në fushatën e zotit Bragg ose ka nxitur personalisht hetimin.

“Në situata të tilla, kur një donator jep fonde pa përcaktuar qëllimin e përdorimit nga ana e organizatës, të cilën nuk e kontrollon, nuk ka një lidhje mes kontrubuesit dhe përfituesit që ka zgjedhur të mbështesë kjo organizatë”, thotë Jerry Goldfeder, ekspert financash në Nju Jork.

“Por edhe pse nuk është e saktë të thuhet se zoti Soros kontribuoi drejpërdrejt në përpjekjet për zgjedhjen e zotit Bragg, është e saktë të thuhet se entitete të lidhur me zotin Soros investuan një shumë domethënëse për zgjedhjen e prokurorit”, thotë Hank Sheinkopf, këshilltar politik në Nju Jork.

Sipas të dhënave publike, djali dhe bashkëshortja e djalit të zotit Soros, Jonathan Soros dhe Jennifer Allan Soros kontribuan në mënyrë të drejpërdrejtë për fushatën e zotit Bragg.

Zoti Soros ka dhënë miliarda dollarë për të përkrahur liberalizmin dhe për të luftuar autoritarizmin në të gjithë botën dhe si rezultat, për republikanët prej një kohe të gjatë e kanë vënë atë në shënjestër.

Për vite me radhë, teoritë e pabaza konpirative, e kanë lidhur figurën e tij me protestat e dhunshme apo ndërhyrjet në proceset zgjedhore.

Po ashtu ai është akuzuar në mënyrë të padrejtë se ka lidhje familjare me figura politike duke filluar nga guvernatorja e Miçiganit,Gretchen Whitmer deri te presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy.

“Ne duhet të kuptojmë se kjo nuk ka të bëjë fare me zotin Soros”, thotë profesori Jonathan Sarna. “Kjo ka të bëjë me një pikëpamje shumë të vjetër, antisemite se pavarësisht se hebrenjtë janë të paktë në numër, ata kontrollojnë gjithçka. Ideja që pas çdo ngjarjeje fshihet një hebre.”

Përhapja e narrativave të tilla është e lidhur me pasoja në botën reale. Në vitin 2018, një person nga Florida përmendi dhjetra herë në mediat sociale zotin Soros përpara se të dërgonte zarfa me lëndë plasëse tek redaksitë e lajmeve, figurat krysore demokrate dhe vetë zotin Soros.

“Ajo që është zhgënjyese për shumë hebrenj amerikanë është se vërtet besonin se ishin lënë pas idetë klishe anti-semite ,” tha zoti Sarna. “Dhe tani këto ide janë kthyer.”

Ndërsa zoti Trump priste ngritjen e mundshme të akuzave të mërkuarën, përmes një email-i drejtuar mbështetësve, ai vazhdoi të nxiste retorikën kundër zotit Soros. Ai ka mohuar çdo shkelje lidhur me rastin e një pagese prej 130,000 dollarësh, për ish aktoren e filmave pornografikë Stormy Daniels, për të blerë heshtjen e saj.

Shtëpia e Bardhë: Takimi Putin-Xi nuk do t’i japë fund luftës në Ukrainë

VOA/Patsy Widakuswara

Presidenti i Kinës Xi Jinping përfundoi sot vizitën e tij tre-ditore në Moskë, ku një prej çështjeve kryesore të diskutuara ishte propozimi kinez për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë. Mirëpo, siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës në Shtëpinë e Bardhë, Patsy Widakuswara, presidenca amerikane është pesimiste që bisedimet e udhëheqësit kinez me presidentin rus Vladimir Putin do të hapin rrugën për paqe në Ukrainë.

Në Moskë, presidenti i Kinës, Xi Jinping u prit me nderime të larta. Presidenti Putin shtroi darkë shtetërore.

“Si anëtarë të përhershëm të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, Kina dhe Rusia do të vazhdojnë të punojnë me komunitetin ndërkombëtar për të mbrojtur me vendosmëri normat bazë të marrëdhënieve ndërkombëtare mbështetur në qëllimet dhe parimet e Kartës së OKB-së”, tha presidenti i Kinës, Xi Jinping.

Presidenti Xi bëri thirrje për zgjidhje diplomatike të luftës në Ukrainë, thirrje kjo e mbështetur nga presidenti Putin.

“Ne besojmë se shumë pika të planit të paqes të Kinës janë të ngjashme me qëndrimet ruse dhe mund të formojnë bazën për një zgjidhje paqësore, kur Perëndimi dhe Kievi të jenë gati për të. Megjithatë, nga ana e tyre ende nuk po shohim një gatishmëri të tillë”, tha udhëheqësi rus, Putin.

Shtëpia e Bardhë i hodhi poshtë pretendimin e presidentit Putin.

“Ne nuk kemi parë asgjë që ata kanë thënë apo paraqitur, që na jep shpresë se kjo luftë do të përfundojë së shpejti”, tha John Kirby, zëdhënës i Këshillit të Sigurisë Kombëtare në Shtëpinë e Bardhë.

Përpara takimit të presidentëve Putin-Xi, SHBA-të paralajmëruan kundër një armëpushimi të ndërmjetësuar nga Kina, duke thënë se ai do t’i ishte konfirmim i agresionit rus në Ukrainë.

Takimi i dy udhëheqësve megjithatë nuk prodhoi një propozim për armëpushim. Zoti Kirby tha se SHBA-të do të mbështesin bisedimet e ndërmjetësuara nga Pekini nëse presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy besonte se ato do të çonin në një paqe të drejtë. Për zotin Zelenskyy, kjo do të arrihej nëse paraprakisht trupat ruse tërhiqen nga i gjithë territori ukrainas i pushtuar nga Rusia.

“Unë dyshoj se Rusia do të pajtohej me këtë kusht. Ata e kanë refuzuar atë duke mos e konsideruar as si pikënisje për negociata”, tha George Beebe, nga “Quincy Institute for Responsible Statecraft”, një organizatë jo qeveritare amerikane me seli në Uashington.

Presidenti Zelenskyy u takua të martën me Kryeministrin e Japonisë Fumio Kishida, udhëheqësi më i fundit i aleancës perëndimore, që viziton Kievin.

“Duke pasur parasysh forcën e Japonisë, ndikimin e saj në Azi në mbrojtje të paqes dhe rendit ndërkombëtar dhe përgjegjësinë e Japonisë si kryesuese e grupit të 7 vendeve më të industrializuara (G7), bisedimet tona sot mund të japin vërtet një rezultat me ndikim global”, tha presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy.

Pas takimit të tij me presidentin Putin, presidenti kinez mund të zhvillojë një bisedë telefonike edhe me presidentin Zelenskyy, por kjo nuk është konfirmuar.

Aktakuzë për Trumpin? SHBA me frymë pezull

Gazetarët jashtë gjykatës së Nju Jorkut

Alarm dhe kërcënime në gjykatë, në pritje të vendimit. Ai do të ishte ish-presidenti i parë i prangosur në historinë e SHBA. Ndërtesa është rrethuar, por tani për tani “falangat” e manjatit nuk kanë lëvizur

 

VOAL- Barrierat e policisë përpara Kullës Trump dhe Gjykatës së Manhatanit; më shumë oficerë të zbatimit të ligjit dhe gazetarë sesa protestues pro Trump: Nju Jorku pret padinë e mundshme (dhe historike) të ish-presidentit amerikan.

Në një deklaratë të fundit të lëshuar të martën nga ekipi i fushatës presidenciale të Donald Trump 2024, një foto tregon dy oficerë të NYPD duke shkarkuar në heshtje një pengesë metalike nga një kamion. Me një mesazh që synon të dramatizojë dhe solemnizojë momentin: “Janë ngritur barrikada rreth Gjykatës Penale të Manhatanit, ndërsa kombi ynë pret një njoftim se presidenti Donald J. Trump do të paditet edhe nëse nuk ka kryer asnjë krim”.

Presidenti i 45-të i Shteteve të Bashkuara (2017-2021) po u jep zgjedhësve të tij një datë “5 nëntor 2024 kur ne, njerëzit, do të kthehemi në Shtëpinë e Bardhë dhe do ta bëjmë Amerikën përsëri të madhe”. Ndërkohë, ai duhet t’i përgjigjet në gjykatë një rasti të pagesës prej 130 mijë dollarësh (të bërë pak para fitores së tij në zgjedhjet presidenciale në nëntor 2016), ndaj aktores së filmave pornografikë Stormy Daniels (me të cilën dyshohet se ka pasur një lidhje).

Jashtë zyrave të Prokurorit të Nju Jorkut për lagjen Manhattan Alvin Bragg, shumë gazetarë spekulojnë kur gjyqtari dhe juria e madhe (një grup qytetarësh me kompetenca të gjera hetimore dhe aftësi për të miratuar një aktakuzë) do të përcaktojnë nëse aktakuza është e justifikuar. .

Trump u përgjigj të shtunën duke thënë në rrjetin e tij social “Truth” se ai do të akuzohej dhe “arrestohet” zyrtarisht dhe simbolikisht të martën.

Tashmë disa media po flasin për një deklaratë të prokurorit që do të shpallë aktakuzën të mërkurën dhe vetëm javën e ardhshme daljen në gjykatë të Donald Trump për ta njoftuar për akuzat dhe për ta vënë simbolikisht në arrest për disa minuta. Për një president amerikan, qoftë ai në detyrë apo është larguar nga Shtëpia e Bardhë, ky do të ishte një veprim i paprecedentë.

Donald Trump do të fotografohej, do t’i merrnin shenjat e gishtave dhe madje do të prangoseshin shkurtimisht, sipas procedurës penale të SHBA. Megjithatë, autoritetet gjyqësore të Nju Jorkut duan të shmangin një spektakël të tillë dhe konfuzionin mediatik dhe politik që rezulton.rsi-eb

Republikanët sulmojnë prokurorin e Nju Jorkut që po heton ish-Presidentin Trump

VOA/Ken Bredemeier

Ligjvënësit republikanë sulmuan të hënën prokurorin e Nju Jorkut, të zgjedhur nga radhët e demokratëve, që po heton ish-Presidentin Donald Trump në lidhje me akuzat për një pagesë prej 130 mijë dollarësh për të siguruar heshtjen e një aktoreje të filmave pornografikë, përpara mbajtjes së zgjedhjeve të vitit 2016.

Kryetarët e tre komisioneve të Dhomës së Përfaqësuesve akuzuan prokurorin e distriktit të Manhatanit për shkelje të rregullave hetimore dhe kërkuan që ai t’u ofrojë informacion dhe dokumenta në lidhje me hetimet e tij për ish-Presidentin Trump.

Ish-presidenti tha gjatë fundjavës se ai pret të arrestohet gjatë procesit gjyqësor për këtë çështje të martën, megjithëse prokurori nuk ka bërë asnjë njoftim publik për të sinjalizuar nëse do të ngrihen akuza apo jo ndaj ish-Presidentit Trump. Zoti Trump bëri thirrje për protesta në rast se ngrihen akuza, dhe zyrtarët e Nju Jorkut janë koordinuar me agjencitë federale të sigurisë për të përballuar ndonjë trazirë të mundshme pranë gjykatës në Nju Jork.

Ish-Presidenti Trump do të bëhej në këtë rast i pari ish-president i Shteteve të Bashkuara ndaj të cilit ngrihet një akuzë penale.

Ai përballet gjithashtu me hetime të gjera nga prokurori i posaçëm i Departamentit të Drejtësisë, si dhe nga një prokuror shtetëror në Xhorxhia, për rolin e tij në përpjekjet për të qëndruar në pushtet nëpërmjet përmbysjes së humbjes në zgjedhjet e vitit 2020 përballë demokratit Joe Biden.

Prokurori i posaçëm i Departamentit të Drejtësisë, Jack Smith po heton edhe rolin e ish-Presidentit Trump në nxitjen e sulmit të 6 janarit 2021 ndaj Kapitolit të Shteteve të Bashkuara, ndërsa ligjvënësit ishin mbledhur për të çertifikuar fitoren e zotit Biden, si dhe të rrethanave se si ish-Presidenti Trump mbajti dokumenta të klasifikuara në pronën e tij në Florida pas largimit nga detyra, në vend që t’i dorëzonte ato në Arkivat Kombëtare, siç e parashikon ligji.

Prokurori i posaçëm Jack Smith

Prokurori i posaçëm Jack Smith

Hetimi i Nju Jorkut bazohet tek 130 mijë dollarë të paguar për aktoren e filmave pornografikë Stormy Daniels nga ish-avokati i ish-presidentit, Michael Cohen, për të garantuar heshtjen e saj përpara zgjedhjeve të vitit 2016, për një marrëdhënie të shkurtër seksuale që ajo pretendon se ka patur me zotin Trump, një aludim që ai e ka mohuar prej kohësh. Zoti Cohen ka thënë se ish-Presidenti Trump e miratoi pagesën dhe pastaj e rimbursoi atë, duke thënë se ishte për shpenzime ligjore.

“Duket se jeni pranë përfshirjes në një abuzim të paprecedent të autoritetit hetimor: ngritje akuzash ndaj një ish-presidenti të Shteteve të Bashkuara”, shprehen në një letër dërguar prokurorit Bragg kryetarët republikanë të tre komisioneve të Dhomës së Përfaqësuesve.

“Këto akuza vijnë pas vitesh kërkimesh nga zyra juaj për një bazë ligjore – çfarëdolloj baze – mbi të cilën të ngrinit akuza”, shtuan ata.

Letra u nënshkrua nga Kryetari i Komisionit të Ligjeve Jim Jordan, Kryetari i Komisionit për Mbikqyrjen James Comer, dhe Kryetari i Komisionit për Administratën Bryan Steil.

Kryetari i Komisionit të Ligjeve, Ligjvënësi republikan Jim Jordan duke folur gjatë një konference për shtyp në Kapitol

Kryetari i Komisionit të Ligjeve, Ligjvënësi republikan Jim Jordan duke folur gjatë një konference për shtyp në Kapitol

Demokratët i kundërshtuan kritikat për hetimin ndaj ish-Presidentit Trump. Ligjvënësi Daniel Goldman u shpreh në Twitter se “mbrojtja e Trump-it nuk është një objektiv legjitim për Kongresin, (apo) hetimi i një prokurori të disktriktit të një shteti”.

“Kongresi nuk ka asnjë juridiksion për të hetuar prokurorin e Manhatanit, i cili nuk merr fonde federale, dhe as nuk ka ndonjë lidhje tjetër federale”, tha Ligjvënësi Goldman, i cili drejtoi procesin e ngritjes së akuzave në Dhomën e Përfaqësuesve në vitin 2019 për shkarkimin e ish-Presidentit Trump.

Ish-Presidenti Trump njoftoi disa muaj më parë synimin për të marrë pjesë në garën për të fituar nominimin e Partisë Republikane për të kandiduar për president në vitin 2024, dhe ka thënë se do ta vazhdojë fushatën edhe në rast se ndaj tij ngrihen akuza penale. Anketime të shumta në nivel kombëtar e tregojnë atë si kryesues në garën për marrjen e nominimit të Partisë Republikane, megjithëse disa republikanë të tjerë e kanë shpallur tashmë kandidaturën e tyre, ose kanë thënë se po shqyrtojnë seriozisht mundësinë e konkurimit përballë zotit Trump.

Ndaj ish-Presidentit Trump u ngritën dy herë akuza me qëllim shkarkimin e tij gjatë periudhës që ishte në detyrë, një herë në vitin 2019 për sjelljen e tij duke i kërkuar Ukrainës të hetonte zotin Biden, si dhe sërish në vitin 2021 për sulmin e mbështetësve të tij ndaj Kapitolit të Shteteve të Bashkuara. Ai u shpall i pafajshëm nga Senati të dyja herët.

Raporti i DASH për deputetin Agron Shehaj: I mbyllën me forcë biznesin, ishte në shënjestër

Raporti i DASH për Shqipërinë ka evidentuar edhe sulmin që Edi Rama i bëri biznesit të deputetit të PD, Agron Shehaj. 

Në raport thuhet se disa pronarë biznesesh, aktivistë të shoqërisë civile dhe politikanë akuzuan qeverinë për zbatim selektiv të ligjit për sekuestrimin e pronave për qëllime politike.

Aty përmenden si shembuj mbyllja me forcë e një ambjenti biznesi të një deputeti të opozitës, i cili tha se kompania e tij ishte vënë në shënjestër, pasi ai kishte akuzuar vazhdimisht dhe publikisht zyrtarët e qeverisë për korrupsion.

“Disa pronarë biznesesh, aktivistë të shoqërisë civile dhe politikanë akuzuan qeverinë për aplikim selektiv të ligjit për sekuestrimin e pronave për qëllime politike. Në tetor, IKMT dhe Policia e Shtetit Shqiptar mbyllën me forcë ambientet e biznesit të një deputeti të opozitës, duke përmendur shkeljen e kërkesave të ndërtimit dhe zënies së ndërtesave. Deputeti pretendoi se kompania e tij ishte në shënjestër pasi akuzoi vazhdimisht dhe publikisht zyrtarët e qeverisë për korrupsion. Kompania ngriti padi në Gjykatën Administrative të Tiranës duke kërkuar një qëndrim në pritje të shqyrtimit ligjor dhe akses në provat mbështetëse që justifikonin sekuestrimin e hapësirës së zyrës që kishte me qira. Në nëntor bllokimi u hoq”, thuhet në raportin e DASH.

Image

Guerriero: Hetoni mbi McGonigal – Shindler: Kjo çështje është e thellë dhe e shëmtuar

Ka patur sot shkëmbime në Twitter midis John Shindler, autorit të shkrimit sot në Washington Examiner titulluar (Biden përballet me një skandal të madh të politikës së jashtme, por kur do ta vënë re Republikanët e Kongresit? ) dhe Allison Guerriero ish të dashurës të McGonigal, ish shefit të kundërzbulimit të FBI.

“Kjo është arsyeja pse unë i kam kërkuar vazhdimisht Kongresit që të hetojë plotësisht çështjen McGonigal – kjo çështje është e thellë dhe e shëmtuar.”, i përgjigjet Shindler Allison Guerriero, e cila nga ana e saj i shkruan John Shindler:

“Epo Kongresi nuk do ta bëjë këtë. Dhe Ballkani është një pjesë shumë më e madhe e kësaj sesa e kuptojnë njerëzit. Më i madh se çështja e SDNY me Deripaskën. Britanikët i thanë FBI-së; ata nuk bënë asgjë dhe e mbajtën Charlie si SAC deri në 9/2018. I thashë FBI-së në 11/2019. Nuk bënë asgjë.” Dhe Allison vazhdon: “John – Pse të mos filloni të hetoni se kush ishte mbi të (McGonigal) në FBI dhe të raportoni për këtë? Më beso për këtë.”

 

Escobar: Marrëveshja Kosovë – Serbi, historike dhe duhet të zbatohet menjëherë

VOA

I dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, tha të hënën se pajtimi ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për zbatimin e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre është historik, dhe palët duhet të fillojnë vënien në jetë të saj.

Në një konferencë në distancë më gazetarë, ai tha se marrëveshja e së shtunës në Ohër është fillimi i ripajtimit ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, që kanë detyrime ligjore për t’i përmbushur. Serbia tha ai, duhet të fillojë njohjen e disa dokumenteve të Kosovës dhe simboleve të tjera kombëtare, letërnjoftimeve dhe gjërave të kësaj natyre.

Për Kosovën është e rëndësishme që të fillojë hartimin e versionit të saj të Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Ka shumë detyrime të tjera, por mendoj se këto janë më të rëndësishmet”, tha zoti Escobar, duke nëvizuar se u takon palëve të përcaktojnë se si do të duket asociacioni.

Por ne besojmë se duhet të jetë një që u shërben interesave të popullit të rajonit, një që funksionon për të dyja palët, që lejon serbët etnikë të marrin pjesë plotësisht në jetën civile dhe demokratike të Kosovës, por po ashtu, duhet të jetë një asociacion që nuk shkel strukturën kushtetuese të Kosovës apo prek funksionalitetin e saj”, tha zoti Escobar.

Sipas marrëveshjes së të shtunës, Kosova është zotuar t’i jap një shkallë më të gjerë të “vetë-menaxhimit” komunitetit serb në Kosovë dhe të zbatojë marrëveshjen për themelimin e Asociacionit.

Nga një pjesë e opozitës dhe kritikëve të kryeministrit Kurti, kjo është interpretuar ai autonomi e gjerë për komunitetin serb.

Ekziston një paragraf i cili flet për një nivel adekuat të vetëmenaxhimit të komunitetit joshumicë serb dhe natyrisht se ne do të udhëhiqemi prej standardeve më të larta që edhe serbët në Kosovë të mos kenë asnjë cenim, asnjë diskriminim”, tha kryeministri Kurti të shtunën, duke theksuar se ndërkaq se në planin themelor evropian thuhet se të gjitha marrëveshjet e deritashme duhet të zbatohen.

Plani evropian për të cilën palët u pajtuan më 27 shkurt në Bruksel ndërsa të shtunën për zbatimin e tij kërkon marrëdhënie të mira fqinjësore, njohje të dokumenteve dhe simboleve dhe respektim të sovranitetit dhe tërësisë tokësore. Ai kërkon që palët të mos pengojnë njëra tjetrën në proceset integruese, por nuk kërkon njohje të ndërsjellë.

Mosnënshtrimi i dokumentit në takimin e së shtunës ka nxitur mëdyshje nëse marrëveshja mund të trajtohet si ligjërisht e detyrueshme.

Dua ta bëjë të qartë. Ky është detyrim ligjor për të cilin Serbia është pajtuar, sikurse edhe Kosova. Diskutimi rreth nënshkrimit është përqendrim ndaj diçkaje që nuk ka ndikim në faktin se e kemi një marrëveshje. Është një marrëveshje, ne e trajtojmë të tillë, të dyja palët hynë në të me seriozitet dhe Bashkimi Evropian e konfirmoi se është e tillë në sytë e tij ”, tha zoti Escobar.

Shefi i politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian Josep Borrell njoftoi sot ministrat e Jashtëm të bllokut ndërsa të enjten pritet të informojë shefat e shteteve për marrëveshjen, zbatimi i së cilës do të mbikëqyret nga një komision i përbërë nga të dyja vendet dhe Bashkimi Evropian.

Të përgëzuar nga diplomacia perëndimore për marrëveshjen e së shtunës, udhëheqësit e Kosovës dhe Serbisë po përballen me kritika në shtëpi.

Lëvizjet e djathta në Serbi akuzuan presidentin serb për pranimin e planit evropian, duke e cilësuar si njohje të pavarësisë së Kosovës të cilën Beogradi vazhdon ta kundërshtojë.

Opozita ftoi për të enjten në seancë parlamentare kryeministrin Kurti të raportojë për marrëveshjen për të cilën një pjesë e opozitës tha se do të dëmtojë për një periudhë të gjatë proceset integruese të vendit.

Ish-Presidenti Trump thotë se mund të arrestohet të martën

VOA/Marrë nga Associated Press

Ish-Presidenti Donald Trump thotë në një postim në rrjetet sociale se ai pret të arrestohet të martën. Postimi i zotit Trump në rrjetin social “Truth Social” vjen në një kohë kur prokurorët e Nju Jorkut po shqyrtojnë mundësinë e ngritjes së akuzave në kuadër të një hetimi lidhur me pagesat e bëra ndaj dy grave, që pretendojnë se kanë patur marrëdhënie seksuale me zotin Trump.

Ish-presidenti thotë në postimin e tij se “sipas rrjedhjes së paligjshme të informacionit” nga Zyra e Prokurorit të Qarkut në Manhatan, tregohet se “udhëheqësi republikan dhe ish-presidenti i Shteteve të Bashkuara” do të arresohet të martën e ardhshme. Në postim, ai i bëri thirrje mbështetësve të tij për protesta.

Ndërkohë, më herët ka patur informacione se zyrtarët e zbatimit të ligjit në Nju Jork po bëjnë përgatitje që lidhen me masat e sigurisë, në rast të ngritjes së një padie ndaj ish-presidentit amerikan.

Chollet bisedon me Kurtin dhe Vuçiqin për “përfitimet” nga zbatimi i propozimit evropian

RFE/RL

Këshilltari i lartë i Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet, në biseda të ndara telefonike, u ka thënë liderëve të Kosovës dhe Serbisë, se zbatimi i propozimit evropian për normalizimin e raporteve, do të sjellë përfitime për të dyja shtetet.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, më 18 mars do të takohen në Ohër të Maqedonisë së Veriut, për të diskutuar për planin e zbatimit të propozimit evropian për normalizimin e raporteve, propozim që veçse është pranuar nga palët.

“Bisedova me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, lidhur me bisedimet e 18 marsit lidhur me normalizimin e raporteve me Serbinë përmes dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja. Zbatimi [i propozimit evropian] do të ofrojë përfitime domethënëse për të dyja vendet dhe do të tregojë përkushtim për një të ardhme paqësore në rajon”, shkroi Chollet në llogarinë e tij në Twitter.

Ndërkaq, nga zyra e Kurtit thanë se kryeministri kosovar, gjatë bisedës me Chollet, tha se Kosova është e përkushtuar që takimi i Ohrit “të jetë i suksesshëm”.

“U bisedua për rëndësinë që kjo fundjavë ka për Kosovën, rajonin, integrimet euroatlantike dhe sigurinë”, u tha në njoftimin e Zyrës së Kurtit.

Kurti, siç bëhet e ditur, veçse ka arritur në Ohër të Maqedonisë së Veriut.

Chollet tha se me Vuçiqin ka zhvilluar një bisedë të mirë lidhur me “rëndësinë e angazhimit konstruktiv” sa i përket planit të zbatimit të propozimit evropian.

“Bisedë e mirë me presidentin Vuçiq. U pajtuan në rëndësinë e angazhimit konstruktiv në propozimin e konsoliduar të BE-së më 18 mars. Riafirmova mbështetjen e SHBA-së për dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja dhe përfitimet që normalizimi i raporteve do t’i sillte Serbisë dhe gjithë rajonit të Ballkanit Perëndimor”, shkroi Chollet në Twitter.

Më herët gjatë 17 mars, Vuçiq deklaroi se Qeveria në Beograd do të ruajë “Serbinë e plotë, ashtu siç është e paraparë në Kushtetutë”.

Në Kushtetutën serbe, Kosova figuron si pjesë e Serbisë.

“Para nesh na pret një periudhë jo lehtë, por kur ne udhëheqim një politikë të përgjegjshme, serioze dhe të mençur, Serbia del fituese”, tha Vuçiq dhe përsëriti se ai do të “ruaj paqen”.

Në rundin e ri të dialogut, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian dhe mbështetet nga Shtetet e Bashkuara, sipas Brukselit, Kurti dhe Vuçiq do të diskutojnë për planin e zbatimit të propozimit evropian për normalizimin e raporteve.

Shefi i diplomacisë së BE-së, Josep Borrell, që do të jetë nikoqir i takimit të Ohrit, deklaroi më 17 mars, se pala evropiane ka pranuar komentet e Kosovës dhe Serbisë, dhe liderëve të dy shteteve do t’u prezantohet një plan “i konsoliduar” i zbatimit të propozimit evropian, që synon të çojë palët drejt një marrëveshjeje përfundimtare për normalizimin e plotë të raporteve.

“Ne do të flasim nesër [18 mars] dhe do të bëjmë një version të konsoliduar të aneksit, bazuar në komentet e tyre. Dhe pastaj, shpresoj që Kosova dhe Serbia do të bien dakord me rezultatin përfundimtar të këtyre bisedimeve. Ky aneks për zbatimin do të jetë pjesë integrale e marrëveshjes, pasi ne do të saktësojmë se si do të zbatohen dispozitat e saj”, tha Borrell.

Në Ohër, palët fillimisht do të takohen veç e veç me zyrtarët evropianë dhe më pas do të ketë një takim të përbashkët. Në takime, në cilësinë e vëzhguesit, do të marrë pjesë i dërguari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

Propozimi evropian, që Kosova dhe Serbia e pranuan më 27 shkurt, shihet si një marrëveshje e përkohshme e cila do të çojë në atë përfundimtare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Edhe pse nuk e parasheh njohjen reciproke – që Kosova kërkon të jetë në qendër të një marrëveshjeje përfundimtare –diplomatët perëndimorë thonë se është marrëveshja më e mirë që aktualisht mund të arrihet mes Kosovës dhe Serbisë.

Propozimi përfshin zotimin e palëve për t’i respektuar të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tani në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve, si dhe përkushtimin e tyre për të mos e penguar njëra-tjetrën në proceset integruese.

Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e raporteve ka nisur më 2011. Bashkimi Evropian e ndërmjetëson këtë proces, ndërkaq Shtetet e Bashkuara, ndonëse nuk janë palë në dialog, e mbështesin atë.

Escobar, thirrje Kosovës dhe Serbisë që të jenë konstruktive dhe fleksibile para takimit në Ohër

RFE/RL

I dërguari special i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, u bëri thirrje palëve nga Kosova dhe Serbia që të jenë konstruktive dhe fleksibile përpara takimit në Ohër që do të mbahet më 18 mars.

“Propozimi evropian për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është një nga mundësitë më të mira për të çuar rajonin përpara dhe për të krijuar kushte paqësore për të gjithë njerëzit që jetojnë në rajon, tha i dërguari special i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, në një konferencë për shtyp në Beograd.

Escobar foli në Beograd dy ditë para rundit të ri të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, që pritet të mbahet më 18 mars në Ohër të Maqedonisë së Veriut, ku palët do të bisedojnë për zbatimin e propozimit evropian.

Ai tha se SHBA-ja do që të dyja palët të jenë serioze në kërkimin e këtyre mundësive dhe të gjejnë një mënyrë për të qenë fleksibile dhe konstruktive, për të shfrytëzuar këtë mundësi që të ofron jo vetëm Evropa, SHBA-ja, por edhe komuniteti transatlantik.

“Pritjet tona janë që të dy liderët të jenë në gjendje të dëgjojnë njëri-tjetrin dhe që ata do të punojnë për ta bërë këtë marrëveshje realitet. Të mendojnë për pengesat, të kërkojnë mënyra për t’i kapërcyer ato dhe të largohen nga takimi duke kuptuar se do të vazhdojnë të punojnë deri në zgjidhje”, tha i dërguari special i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor.

Escobar theksoi se kjo është një marrëveshje për normalizim, jo për njohje, por ai përsëriti qëndrimin e SHBA-së se Kosova është shtet i pavarur me integritet territorial dhe sovranitet.

“Kjo nuk ka të bëjë me këtë”, u shpreh ai.

Përfitimet nga kjo marrëveshje, tha Escobar, janë integrimi më i shpejtë ekonomik, jo vetëm i Kosovës dhe i Serbisë, por i gjithë rajonit.

“Ajo që është ndryshe tani krahasuar me dy vjet më parë është se tani shihni një bisedë reale brenda shteteve në Kosovë dhe Serbi se çfarë do të thotë për Serbinë dhe Kosovën të kenë marrëdhënie paqësore, të parashikueshme dhe konstruktive. Të gjithë në rajon do të përfitonin nga kjo. Është diçka që është reale, nuk është bisedë e rrejshme, sepse po flasim për mundësi reale”, tha Escobar në Beograd.

Ai përsëriti se mundësitë ekonomike janë specifike për Ballkanin Perëndimor, mundësi të cilat do të rriteshin nëse të gjashtë vendet janë në rrugën evropiane.

“Ky do të jetë fokusi ynë”, tha Escobar.

Mundësia që të dyja palët t’i shohin përfitimet e kësaj marrëveshjeje, e cila sjell marrëdhënie paqësore ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, është shumë e madhe, tha Escobar dhe shtoi se “kjo është ajo që më së shumti u nevojitet serbëve në Kosovë”.

“Ata janë gjithmonë në qendër të konfrontimeve, tensioneve dhe kjo u shkakton atyre dëme psikologjike dhe dëme të tjera”, theksoi ai.

Sipas Escobarit, pozita e serbëve në Kosovë do të përmirësohet përmes zbatimit të marrëveshjes për Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

 

Escobar tha se pret nga Kosova që një nga modelet e propozuara të përfaqësuesit special të BE-së, Miroslav Lajçak, të jetë model për Asociacionin.

“Kur flas për këtë si kërkesë, nuk dua të shkaktoj një konfrontim apo ta paraqes atë si një sfidë. Fakti është se Asociacioni është pjesë e marrëveshjes së Brukselit… do të realizohet. Pyetja e vetme është sa shpejt do të ndodhë. Pjesa e dytë, cili model do të zbatohet. Përfaqësuesi i posaçëm i BE-së përmendi disa shembuj të ndryshëm se si funksionon ky lloj Asociacioni në BE, për t’u dhënë pakicave të drejtën e vetëqeverisjes, e cila nuk ndikon në funksionalitetin, nuk nxit tensione dhe ndihmon në afrimin e vendeve. Ne dëshirojmë që njëri prej atyre modeleve të jetë model për komunitetin e komunave me shumicë serbe”, u shpreh Escobar.

I dërguari special i SHBA-së tha se nuk pret që gjatë takimit në Ohër të ketë nënshkrime, por theksoi se do të hapet rruga për përparim të mëtejmë.

Megjithatë, ai nuk deshi të flasë se çfarë mund të ndodhë nëse Ohri nuk jep rezultate.

Në takimin e 18 marsit në Ohër pritet që Kosova dhe Serbia të bisedojnë për zbatimin e këtij propozimi.

SHBA-ja mbështet procesin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, që ndërmjetësohet nga BE-ja. Uashingtoni, po ashtu, mbështet propozimin evropian për normalizimin e raporteve, i cili është pranuar më 27 shkurt nga Kosova dhe Serbia.

Më herët, Departamenti amerikan i Shtetit deklaroi se një marrëveshje për zbatimin e propozimit evropian “është thelbësore për normalizim” të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ende nuk e kanë nënshkruar propozimin, por janë pajtuar se nuk ka nevojë që për këtë dokument të ketë negociata të mëtejme.


Send this to a friend