VOAL

VOAL

Presidenti Trump dhe vija që ndan politikën nga zbatimi i ligjit

Michael Brown

Në SHBA, William Barr, kreu i Departamentit të Drejtësisë (ose Prokurori i Përgjithshëm, siç njihet këtu), tha të enjten se tweet-et e Presidentit Trump në lidhje me departamentin që ai drejton dhe çështjet që shqyrton “ma bëjnë të pamundur të kryej punën time”, siç u shpreh ai. Komentet vijnë në një kohë që Departamenti i Drejtësisë është përfshirë në polemika mbi afatin e burgimit që duhet t’i jepet njërit prej miqve të zotit Trump, të cilin gjykata e ka shpallur fajtor.

Deklarata bombë vjen nga njëri prej anëtarëve më të besuar të kabinetit të presidentit Trump.

Ajo bëhet pak ditë pasi Departamenti i Drejtësisë, i kryesuar nga Prokurori i Përgjithshëm William Barr, rrëzoi prokurorët e vet dhe rekomandoi një dënim më të lehtë me burg për një mik të hershëm të zotit Trump.

Roger Stone u shpall fajtor se kishte gënjyer Kongresin, se kishte manipuluar dëshmitarët dhe kishte penguar drejtësisnë gjatë hetimit për ndërhyrjen e mundshme ruse në zgjedhjet e vitit 2016. Prokurorët kërkojnë një dënim të gjatë me burg për Roger Stone-in. Presidenti Trump e kundërshtoi rekomandimin e tyre dhe u shpreh në Twitter se kjo ishte “diçka e tmerrshme dhe shumë e padrejtë”.

Por, në një deklaratë të pazakontë, Prokurori i Përgjithshëm Barr tha në një intervistë për rrjetin ABC News se ka ardhur koha që Presidenti Trump të mos bëjë më tweet-e për çështjet penale të Departamentit të Drejtësisë.

“Të bësh deklarata publike dhe tweet-e për departamentin, për njerëzit në departament, për çështje që janë në pritje në departament dhe për gjyqtarët të cilëve u kemi paraqitur çështje për gjykim, kjo ma bën të pamundur të kryej punën time, e bën të pamundur të garantojmë gjykatat, prokurorët dhe departamentin se ne po e kryejmë punën tonë me integritet,” tha zoti Barr.

Megjithatë, Presidenti Trump u duk se e mbështeti prokurorin e përgjithshëm. Sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Stephanie Grisham, tha në një deklaratë se presidenti nuk u shqetësua nga komentet.

Rekomandimi që dhanë prokurorët për dënimin e mikut të vjetër të Presidentit u rrëzua nga zyrtarët e Departamentit të Drejtësisë dhe kjo ka ngritur pikëpyetje për një presion politik të padrejtë të Shtëpisë Bardhë.

Një zyrtar i Departamentit të Drejtësisë tha se vendimi për të rrëzuar atë që ai e quajti një rekomandim “ekstrem dhe të tepërt” u mor para se Presidenti Trump të komentonte në Twitter të martën në mëngjes.

Katër prokurorët dhanë dorëheqjen nga çështja Stone në shenjë proteste. Vëzhguesit thonë se shqetësimi kryesor është se mos po errësohet vija që ndan politikën nga zbatimi i drejtësisë.

“Ekziston një traditë e vjetër që prokurorët janë të pavarur nga autoritetet politike. Kjo bën që ata të jenë në gjendje të japin gjykime profesionale dhe të informuara, pa ndonjë ndërhyrje politike,” thotë Darrell West, i Institutit Brookings.

Vendimi përfundimtar për dënimin e Roger Stone-it do të merret nga një gjykatës federal dhe mund të shpallet qysh javën e ardhshme.

Ky është një tjetër episod polemikash për Prokurorin e Përgjithshëm William Barr, i cili vitin e kaluar e shfajësoi Presidentin Trump për pengim të drejtësisë lidhur me hetimin për Rusinë.

Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve Nancy Pelosi shprehu pakënaqësi.

“Prokurori i Përgjithshëm e ka ulur veten në nivele të tilla,” tha ajo.

Zoti Barr do të përballet me ligjvënësit kur të dëshmojë në një komision të Kongresi në fund të marsit.

Trumpi sulmon ish shefin e stafit John Kelly

Presidenti amerikan Donald Trump sulmoi të enjten ish-shefin e tij të stafit, John Kelly, pasi ky i fundit mbrojti ndihmësin e shkarkuar të Këshillit të Sigurisë Kombëtare Alexander Vindman, i cili dëshmoi kundër presidentit disa javë më parë.

John Kelly, gjeneral në pension, i cili shërbeu si shef i stafit të Shtëpisë së Bardhë për 17 muaj, deri në fillim të vitit të kaluar, mbështeti nënkolonelin Vindman gjatë një fjalimi në një universitet të Nju Xhersit, ku shprehu kundërshtime edhe për disa politika dhe veprime të Presidentit Trump.

“Kur e hoqa John Kelly-n, gjë që mezi prisja ta bëja, ai e dinte fare mirë se e kishte mbushur kupën,” shkruante zoti Trump në Twitter të enjten.

“Puna si shef i stafit nuk ishte për të,” shkruante presidenti Trump. “Ai hyri me bujë, por doli me heshtje, por si shumë ish zyrtarë të tjerë, ai nuk e kupton situatën dhe nuk e mban dot gojën mbyllur, gjë që në fakt e ka detyrim ushtarak dhe ligjor ta bëjë. Gruaja e tij e fantastike, Karen, për të cilën kam shumë respekt, në një rast më tërhoqi mënjanë dhe më tha me insistim se ‘John-i ju respekton shumë. Kur nuk do të jemi më këtu, ai do të flasë vetëm mirë për ju’. Por nuk ndodhi kështu!”

Në komentet e së mërkurës mbrëma, John Kelly tha se nënkoloneli Vindman, si oficer ushtarak, “bëri pikërisht atë që ne i mësojmë ata të bëjnë nga djepi në varr. Ai shkoi dhe i tha shefit të tij atë që sapo kishte dëgjuar.”

Vitin e kaluar, Vindman u shprehu shqetësim eprorëve kur mësoi se Presidenti Trump i kërkoi Presidentit të Ukrainës Volodymyr Zelenskiy “një favor”, të niste hetime ndaj njërit prej rivalëve kryesorë të zotit Trump në fushatën prtesidenciale të vitit 2020, ish-nënpresidentit Joe Biden dhe djalit të tij Hunter Biden që punonte për një kompani gazi ukrainase.

Më pas, nënkoloneli Vindman në fund të vitit të kaluar u bë ndër dëshmitarët kryesorë kundër Presidentit Trump pasi demokratët në Dhomën e Përfaqësuesve ngritën akuza ndaj presidentit, me synimin për ta shkarkuar atë.

“Ne i mësojmë ata: Mos zbatoni një urdhër të paligjshëm,” tha Kelly duke iu referruar nënkolonelit Vindman.

Vindman, së bashku me vëllain e tij binjak, Eugene Vindman, një tjetër nënkolonel që punonte në Këshillin e Sigurisë Kombëtare, u shoqëruan nga Shtëpia e Bardhë të premten e kaluar dhe u kthyen në postet e tyre të mëparshme në Departamentin e Mbrojtjes. Kritikët kanë akuzuar Presidentin Trump se u tregua hakmarrës për heqjen e nënkolonelit Alexander Vindman, por presidenti e quajti atë “tepër të pabindur”.

Në fjalimin e së mërkurën, zoti Kelly tha se kishte pasur një numër mosmarrëveshjesh me Trump.

Ai mori në mbrojtje median, një objektiv i shpeshtë i zemërimit të zotit Trump; vuri në pikëpyetje vlerën e dy samiteve të presidentit me udhëheqësin e Koresë së Veriut Kim Jong Un, dhe kritikoi vendimin e Presidentit për të falur një komando të marinsave, i dënuar për krime lufte. zëri i amerikës

Senati kufizon kompetencat e Presidentit për luftë kundër Iranit

Senati miratoi të enjten një masë legjislative dypartiake e cila kufizon kompetencat e Presidentit Donald Trump për të zhvilluar luftë kundër Iranit.

Sipas masës legjislative, të hartuar nga senatori demokrat Tim Kaine, Presidenti duhet të marrë miratimin e Kongresit, përpara se të angazhohet në veprime të mëtejshme ushtarake kundër Iranit. Tetë republikanë iu bashkuan demokratëve për të miratuar rezolutën e cila mori 55 vota pro dhe 45 kundër.

Duke iu përgjigjur argumentimit të disa prej mbështetësve të zotit Trump dhe vetë presidentit se masa do t’i dërgonte një sinjal dobësie Iranit dhe kundërshtarëve të tjerë të mundshëm, zoti Kaine tha se “e kundërta është e vërtetë”.

Kur ne jemi të vendosur për sundimin e ligjit në një botë që ka uri për këtë gjë, ky vendim është thelbësor. Ne kemi rregulla që duhet të ndjekim në mënyrë që të marrim një vendim të mirë dhe ky është një mesazh force”, tha zoti Kaine.

Senatori republikan Mike Lee ra dakord me komentet e zotit Kaine.

Presidenti Trump e ka kundërshtuar masën legjislative, duke argumentuar në dy postime në twitter të mërkurën se “një votim kundër propozimit të Tim Kaine ishte i rëndësishëm për sigurinë kombëtare”.

Masa legjislative pason vendimin e presidentit për të sulmuar e vrarë një komandant të lartë ushtarak iranian, që rriti shqetësimet për një konflikt në rajon nisur nga kundërpërgjigjja e Teheranit, me një sulm me raketa ndaj bazave amerikane në Irak.

Sipas agjencisë së lajmeve “Reuters” Presidenti Trump ka bërë të ditur se do të vendosë veton ndaj projekligjit të miratuar në Senat.

Kandidati miliarder Bloomberg dhe shanset e tij

Në SHBA, rezultatet e dy garave të para mes kandidatëve për president brenda Partisë Demokrate e kanë fragmentarizuar krahun e moderuar të partisë dhe nuk kanë nxjerrë një fitues të qartë.

Disa analistë e shohin këtë si një mundësi për fushatën e ish-kryetarit të bashkisë së Nju Jorkut Mike Bloomberg, e cila tani për tani është zhvilluar kryesisht në media.

Brian Padden i Zërit të Amerikës na njeh me strategjinë jokonvencionale të miliarderit Bloomberg për të mos marrë pjesë në garat e para mes kandidatëve, por të shfrytëzojë të metat e tyre, që sipas demokratëve ua bëjnë të pamundur të mposhtin Presidentin Donald Trump në nëntor.

Autobusi i fushatës Michael Bloomberg ishte këto ditë në Richmond të Virxhinias, duke tërhequr një grup mbështetësish të zjarrtë, të cilët besojnë se biznesmeni miliarder dhe ish kryetari i bashkisë së Nju Jorkut është i vetmi kandidat demokrat që mund të mposhtë Presidentin Donald Trump në zgjedhjet presidenciale të nëntorit.

“Ai mund ta bëjë këtë. Të tjerët do të skualifikojnë veten e tyre. Është e tmerrshme. Trumpi do të na mundë fare lehtë nëse nuk kemi Bloombergun”, thotë Craig Hedley, votuesi i Partisë Demokrate.

Zoti Bloomberg nuk mori pjesë në garat e para në dy shtete mes demokratëve.

Në këto dy gara, senatori progresist i Vermontit Bernie Sanders ishte fituesi i votës popullore. Por axhenda e tij për ta bërë falas arsimin në universitete dhe kujdesin shëndetësor është parë nga shumë të moderuar si diçka polarizuese dhe ekstreme.

“Unë nuk mendoj se Sanders mund të ndërtojë një koalicion dhe ta mposhtë Trumpin. Neve na dihet dikush që mund të fitojë, një i moderuar”, thotë Deborah Hedley, votuese demokrate.

Pretendentët e moderuar – ish-kryebashkiaku i South Bendit në Indiana, Pete Buttigieg dhe senatorja e Minesotës Amy Klobuchar – janë paraqitur mirë, por mund ta kenë të vështirë tani që garat zhvendosen në shtete me më shumë votues të pakicave. Ndërkohë, ish nënpresidenti Joe Biden është paraqitur keq në dy garat e para.

Zoti Bloomberg, i cili po hyn në garë me vonesë, po e paraqet veten si një forcë bashkuese. Më parë ai ka qenë republikan.

Michael Bloomberg

Michael Bloomberg

“Unë garoj për ta bashkuar përsëri vendin, për të risjellë fjalën ‘të Bashkuara’ në emrin e vendit tonë Shtetet e Bashkuara të Amerikës,” thotë zoti Bloomberg.

Ish kryebashkiaku ka fituar mbështetjen e disa drejtuesve partiakë, si kryetarja e bashkisë së Uashingtonit, Muriel Bowser. Ai gjithashtu ka dhuruar miliona dollarë për kandidatët demokratë dhe organizatat që luftojnë kundër ndryshimit të klimës dhe dhunës me armë.

Calandrian Simpson Kemp humbi të birin për shkak të dhunës me armë:

“Askush nuk kujdeset për fëmijët tanë, por mund t’ju përmend dikë që e bën. Emri i tij është Mike Bloomberg. Ai kujdeset.”

Por zoti Bloomberg është kritikuar për taktikën policore që zbatohej në kohën kur ishte kryebashkiak, me të cilën policia ndalonte njerëzit edhe kur nuk kishte dyshime serioze. Më vonë ai kërkoi falje për këtë taktikë që synonte pakicat.

“Tani e shoh që ne mund dhe duhet të kishim vepruar më shpejt për ta ndalur këtë taktikë. Më vjen keq që nuk e bëmë,” tha ai në fund të vitit të kaluar.

Fakti që zoti Bloomberg po e financon me paratë e tij fushatën ka ngjallur kritika nga ana e kandidatit Sanders dhe të tjerë, që thonë se ai po përpiqet të blejë zgjedhjet.

E gjithë kjo do të vihet në provë kur zoti Bloomberg të garojë në votimet e Super të Martës në muajin mars, kur gara të shtrihet në 14 shtete me elektorate të mëdha dhe të larmishme.

Senati çon përpara rezolutën që kufizon veprimet e Trumpit kundër Iranit

Ndërtesa e Kongresit amerikan.

Senati i kontrolluar nga republikanët ka çuar përpara një masë që synon të kufizojë aftësinë e presidentit amerikan, Donald Trump për marrjen e veprimeve ushtarake kundër Iranit.

Tetë republikanë kanë mbështetur demokratët në votimin fillestar të këtij dokumenti.

Rezoluta jodetyruese i kërkon Trumpit që të largojë trupat amerikane, të përfshira në armiqësi kundër Iranit, përveç nëse Kongresi shpall luftë apo miraton autorizim specifik për përdorim të forcës ushtarake.

Trump dhe mbështetësit e tij kanë thënë se kjo masë do të dërgojë sinjal të gabuar te Irani dhe armiqtë tjerë potencialë.

“Është shumë e rëndësishme për sigurinë e shtetit që Senati i Shteteve të Bashkuara të mos votojë për Rezolutën për Fuqitë e Luftës ndaj Iranit. Ne jemi duke kaluar mirë me Iranin dhe kjo nuk është koha për të treguar dobësi”, ka thënë presidenti Trump përmes një postim në Twitter.

Megjithatë, senatori demokrat, Tim Kaine, që ka udhëhequr procedurat e kësaj rezolute, u ka thënë gazetarëve: Ne nuk dërgojmë sinjal të dobësisë kur ngrihemi për sundim të ligjit”.

Dhoma e Përfaqësuesve, e drejtuar nga demokratët, ka miratuar një rezolutë të ngjashme muajin e kaluar, pasi demokratët dhe disa republikanë janë zemëruar pas dështimit të Trumpit për t’i informuar ata rreth strategjisë për Iranin.

Ky veprim ka ardhur pas Trump ka udhëruar sulm me dron për të vrarë gjeneralin e forcave elite iraniane, Qasem Soleimani.

Trump nuk kishte informuar Kongresin për këtë vendim.

Në përgjigje të vrasjes së Soleimanit, Teherani ka nisur sulme me raketa në Irak, në dy baza ku strehohen ushtarë amerikanë.

Sipas kushtetuës amerikane, Kongresi ka fuqi për të shpallur luftë, dhe jo presidenti. rel

Joe Biden humb garën në Nju Hempshër, Sanders kryeson

Senatori amerikan, Bernie Sanders, ka shpallur fitoren në Nju Hempshër pas mposhtjes së Pete Buttigieg, ish-kryebashkiakut të South Bend në Indiana, me një diferencë të vogël në zgjedhjet e Partisë Demokratike për kandidatin në zgjedhjet presidenciale të këtij viti në Shtetet e Bashkuara.

Sanders e shpalli rezultatin si “fillimin e fundit” për presidentin e SHBA-së, Donald Trump.

Gara tani zhvillohet në Nevada më 22 shkurt.

Pas senatorit të Vermontit u rradhitën Buttigieg dhe senatorja e Minesotas, Amy Klobuchar, e cila doli si një pretendente e befasishme duke zënë vendin e tretë.

Senatorja, Elizabeth Warren dhe Joe Biden, të cilët konsideroheshin kandidatët kryesorë, përfunduan në vendet e katërt dhe të pestë.

Sipërmarrësi i teknologjisë, Andrew Yang dhe senatori i Kolorados Michael Bennet të dy u larguan nga gara.

Cilat ishin rezultatet në Nju Hempshër?

Rreth 280.000 votues demokratë votuan të martën, duke i siguruar fitore prej 26% senatorit Sanders.

Me 95% të votave të numëruara, Sanders, 78 vjeç, doli para kandidatit Buttigieg, me vetëm 1.6%, ose rreth 4,300 vota.

Sanders premtoi se do të ndërtojë një “lëvizje politike shumë-gjeneruese, shumë-racore” për të mposhtur republikanët.

Rezultati në Nju Hempshër do t’i sigurojë Sandersit nëntë nga 24 delegatët që do të përfaqësojnë këtë shtet në Konventën Kombëtare të Demokratëve që mbahet në muajin korrik, ku partia nominon kandidatin për president të SHBA-së.

Edhe pse ai kishte më pak vota, Buttigieg gjithashtu do të sigurojë nëntë delegatë.

Duke falënderuar përkrahësit, ai u zotua se nuk do t’i nënshtrohej “vizionit të polarizuar” të politikës.

Çfarë kishte ndodhur javën e kaluar në votimet e para të demokratëve?

Rezultatet e një votimi të demokratëve në Ajoa, gjatë javës së kaluar, u vonuan për shkak të problemeve teknike.

Për dallim nga Ajoa, votimet në Nju Hampshirë tradicionalisht konsiderohen si parësore pasi votat numërohen nga shteti, jo partia.

Të dy shtetet janë kryesisht rurale dhe të bardha, dhe jo përfaqësuese të elektoratit më të madh të demokratëve.

Mbetet pikëpyetje nëse votuesit që kanë dalë nga Ajoa dhe Nju Hempshër mund të tërheqin një koalicion më të gjerë të votuesve që përfshin edhe votuesit me ngjyrë.

A është fundi i garës për Biden?

Për muaj të tërë pasi ai i hyri garës në prill të vitit 2019, Joe Biden u pa si pararendës, duke marrë 41% në anketimet në shkallë vendi.

Ish-nënpresidenti i SHBA-së, 77 vjeç, zuri vendin e katërt në Ajoa, dhe mbështetja e tij ka rënë në 20% në shkallë vendi, duke e rradhitur atë për herë të parë pas senatorit Sanders.

Ende pa u mbyllur vendvotimet Biden u nis nga Nju Hempshër drejt Karolinës së Jugut.

Mbështetja për Biden është më e fortë në mesin e votuesve afrikano-amerikanë, të cilët përbëjnë rreth dy të tretat e elektoratit kryesor demokrat të shtetit jugor.

Sidoqoftë, një sondazh i Quinnipiac tregoi se mbështetja ra pas rezultateve në Ajoa, nga 52% në 27% – megjithëkëtë,Biden është ende demokrati më i popullarizuar për votuesit me ngjyrë.

Zgjedhjet presidenciale në Shtetet e Bashkuara do të mbahen më 3 nëntor dhe nga Partia Republikane, presidenti aktual, Donald Trump, do të garojë edhe për një mandat.

Përgatiti: Kestrin Kumnova

Presidenti Trump dhe kandidati demokrat Bloomberg shkëmbejnë kritika

Presidenti i SHBA Donald Trump dhe kandidati për president Michael Bloomberg akuzuan njëri-tjetrin për racizëm, gjë që ka çuar në shkallëzimin e luftës së fjalëve mes dy biznesmenëve të pasur.

Presidenti Trump e nisi i pari, duke postuar në Twitter një klip audio të vitit 2015, ku dëgjohet zoti Bloomberg duke mbrojtur përdorimin e një taktike të caktuar të policisë në kohën kur ishte kryetar i bashkisë së Nju Jorkut mes viteve 2002 dhe 2013.

Taktika e njohur si “stop and frisk” ka të bëjë me ndalimin e një të dyshuari pa patur ndonjë arsye të fortë.

“UOU, BLOOMBERG është një racist kokë e këmbë!” shkroi Presidenti Trump në Twitter, koment që më pas e fshiu.

Edhe presidenti Trump në të kaluarën e ka mbështetur një taktikë të tillë.

Zoti Bloomberg, i cili po kandidon për të marrë emërimin e Partisë Demokrate për të sfiduar republikanin Trump në zgjedhjet e 3 nëntorit, kërkoi ndjesë për përdorimin e kësaj teknike policore nëntorin e kaluar, pak ditë para se të shpallte kandidaturën.

Në një deklaratë të martën, zoti Bloomberg citoi atë që e quajti angazhim tij për reformën në drejtësinë penale dhe barazinë racore, duke shtuar: “Presidenti Trump trashëgoi një vend që ishte duke marshuar drejt një barazie më të madhe dhe na ndau me apelimet e tij raciste dhe retorikën e urrejtjes”.

Të dy personalitetet janë miliarderë. Donald Trump u pasurua me biznesin e pasurive të palujtëshme ndërsa Michael Bloomberg i fitoi miliardat duke shitur informacion financiar.

Zoti Bloomberg nuk po garon në katër garat e para mes demokratëve por po bën një fushatë të kushtueshme në të gjithë vendin përpara garave brenda partisë në muajin mars. Ai është ngritur në anketat e opinionit publik ndërkohë që po shpenzon qindra miliona dollarë për reklama televizive./zëri i amerikës

Custin: Ambasadori Grenell kurrë nuk ka thënë se do anulohen investimet në Kosovë

Dick Custin, zëdhënës i të dërguarit të posaçëm amerikan për bisedimet Kosovë – Serbi, Richard Grenell, i tha të martën mbrëma Zërit të Amerikës se ambasadori Grenell kurrë nuk ka thënë se “Shtetet e Bashkuara do të anulojnë projektet dhe investimet deri sa qeveria nuk i heq taksat dhe nuk heq dorë nga planet për vendosje të reciprocitetit”.

Ai i bëri këto komente duke u përgjigjur në kërkesën e Zërit të Amerikës për të sqaruar njoftimet që dolën në mediet lokale në Kosovë sipas të cilave ambasadori Grenell ka komunikuar gjatë ditës me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin, si dhe kryetaren e parlamentit Vjosa Osmani rreth çështjes së tarifave ndaj mallrave serbe. Sipas Radiotelevizionit të Kosovës ambasadori Grenell “ua ka bërë të qartë se Shtetet e Bashkuara janë të gatshme të bëjnë investime miliona dollarëshe në Kosovë, nëse hiqen tarifat. “Megjithëkëtë’, shkroi RTK duke ju referuar një burimi të saj, “SHBA-ja do t’i anulojë të gjitha këto projekte deri sa qeveria nuk i heq taksat dhe nuk heq dorë nga planet për vendosje të reciprocitetit”.

Zëdhënësi Custin tha se ambasadori Grenell kurrë nuk e ka thënë një gjë të tillë. Ai në përgjigjen e tij u shpreh se “Ambasadori Grenell gjithmonë e ka bërë të qartë se tarifat dëmtojnë ekonominë e Kosovës dhe i dërgojnë një mesazh të keq sektorit privat se Kosova nuk është një vend për të bërë biznes. Ai ka dëgjuar nga shumë afaristë brenda Kosovës, përfshirë disa ndërmarrje amerikane, se tarifat po i dëmtojnë ata. Ambasadori Grenell u ka bërë të qartë udhëheqësve politikë në Kosovë dhe Serbi se investimet amerikane në Kosovë nuk do të kenë rezultatin e dëshiruar për të ndihmuar ekonominë nëse tarifat vazhdojnë të jenë në fuqi. Dhe zëvendësimi i tarifave me më shumë barriera duke i quajtur ato “si masa të reciprocitetit ” gjithashtu do të jetë kundërproduktive për krijimin e vendeve të punës për të rinjtë”, thuhet në deklaratën e zëdhënësit të të dërguarit të posaçëm amerikan Richard Grenell.

Ambasadori Grenell, ritheksoi të martën kërkesën për heqjen e tarifave ndaj mallrave serbe. Në një postim në rrjetin social tëitter, ambasadori Grenell tha se “është thelbësore që tarifat të hiqen, në mënyrë që investimet të funksionojnë”.

Ai i bëri këto komente në përgjigje të një postimi po në twitter të shefit ekzekutiv të programit për Kosovën të Korporatës “Sfidat e Mijëvjeçarit”, Petrit Selimi, lidhur me investimet e kësaj korporate në Kosovë.

Qeveria e re e Kosovës e ka kushtëzuar heqjen e tarifave me vendosjen e masave të reciprocitetit të plotë më Serbinë. Por, ende është e paqartë se si do të realizohet një synim i tillë i qeverisë së re.

Në nëntor të vitit 2018, qeveria e Kosovës vendosi tarifat prej 100 për qind ndaj mallrave serbe në shenjë kundërshtimi ndaj qasjes së Beogradit ndaj shtetësisë së Kosovës. Beogradi kushtëzon vazhdimin e bisedimeve për normalizim marrëdhëniesh me Kosovës me heqjen e këtyre tarifave, por qeveria e ish kryeministrit Ramush Haradinaj refuzoi çdo përpjekje të diplomacisë perëndimore për ta bindur për një gjë të tillë.

Opozita nuk pajtohet me planet e kryeministrit Kurti për heqjen e tarifave madje Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, paralajmëroi sot se “do të përdorë të gjitha mjetet demokratike për të penguar heqjen e tarifave”

Menjëherë pas formimit të qeverisë së Albin Kurtit, ambasadori amerikan Richard Grenell, i dërguar i posaçëm amerikan për bisedimet Kosovë – Serbi, tha se “pret që tarifat të hiqen menjëherë”. Ambasadori Grenell gjatë muajit janar vizitoi Kosovën dhe Serbinë duke kërkuar që Prishtina të heqë tarifat, ndërsa Beogradi t’i jap fund fushatës për tërheqjen e njohjeve për pavarësinë e Kosovës.

Ai kritikoi qasjen e opozitës duke ritheksuar qëndrimin amerikan për heqjen tarifave.

Matthew Palmer: Rusia e do Ballkanin me një element kaosi në të

I dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Matthew Palmer, tha se Rusia dëshiron që ky rajon të jetë “i përçarë, kundër vetes dhe me një element kaosi në të”.

Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë në Sofje, Palmer tha se SHBA-ja është e shqetësuar për qëllimet dhe aktivitetet e Rusisë në Ballkanin Perëndimor.

“Nëse i identifikoj disa, do të veçoja përpjekjet e Rusisë për të zvogëluar mbështetjen për Marrëveshjen e Prespës midis Shkupit dhe Athinës. Ato janë shembull i aktivitetit malinj të shtetit rus”, tha Palmer.

Sipas tij, rusët duan që Ballkani Perëndimor të jetë një zonë, ku ata “mund të çojnë poshtë-lart nivelin e tensioneve”.

Me Marrëveshjen e Prespës, Shkupi është dakorduar për ndryshimin emrit të shtetit – nga Maqedoni në Maqedoni të Veriut – gjë që i ka hapur rrugë përparimit të tij në rrugën e integrimit në NATO dhe në Bashkimin Evropian.

Megjithatë, vitin e kaluar, Këshilli Evropian ka dështuar t’i ndajë Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë datën e negociatave për anëtarësim në BE.

Por Palmer, duke folur për Radion Evropa e Lirë tha se shpreson shumë që për këtë çështje të vendoset në muajin mars dhe që përgjigjja të jetë “po”.

“Ne mendojmë se të dyja vendet kualifikohen me meritë. Mendojmë se është një sinjal i rëndësishëm që duhet t’i dërgohet rajonit. Mendojmë se është thelbësore që Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria të kenë rrugë të qartë evropiane dhe perspektivë evropiane”, tha Palmer.

Ai tha se SHBA-ja ka një vizion për Ballkanin Perëndimor dhe se ai është një vizion pozitiv.

“Një vizion për një rajon në paqe me veten, në paqe me fqinjët, i qëndrueshëm, i begattë dhe i integruar në familjen evropiane të kombeve. Ky nuk është vizioni i Rusisë”, tha Palmer.

Rusia është fajësuar edhe për mbështetjen e një përpjekjeje për grushtshtet në Mal të Zi në vitin 2016.

Rusia mbështet ushtarakisht Serbinë dhe ka lidhje të ngushta me presidentin e këtij vendi, Aleksandar Vuçiq, ka vlerësuar Departamenti amerikan i Mbrojtjes në një raport të parë nga Radio Evropa e Lirë në nëntor të vitit të kaluar.

Palmer është emëruar i dërguar i Departamentit amerikan të Shtetit për Ballkanin Perëndimor në gusht të vitit të kaluar.

Pak muaj më vonë, presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka zgjedhur ambasadorin amerikan në Gjermani, Richard Grenell, të dërguar të administratës së tij në dialogun midis Kosovës dhe Serbisë.

Grenell ka realizuar disa vizita në Kosovë dhe Serbi, në përpjekje për t’i shtyrë palët drejt normalizimit të marrëdhënieve.

Palmer, në një intervistë për një televizion të Serbisë në muajin dhjetor, ka thënë se SHBA-ja dëshiron të shohë normalizim të plotë të marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë, që do të nënkuptonte njohje të ndërsjellë.

Prishtina dhe Beogradi “duhet të ulen në tryezë, të arrijnë marrëveshje dhe bashkë të përcaktojnë rrugën kah e ardhmja evropiane”, ka thënë atëbotë Palmer.

Përgatiti: Valona Tela

SHBA akuzon katër ushtarakë kinezë për një sulm të madh kibernetik

Prokurori i përgjithshëm amerikan, William Barr.

Shtetet e Bashkuara akuzan katër zyrtarë ushtarakë kinezë për një sulm të madh kibernetik kundër gjigantit amerikan të vlerësimit të kredive, Equifax.

Mbi 147 milionë amerikanë janë prekur në vitin 2017 kur hakerët kanë vjedhur të dhëna të ndjeshme personale, përfshirë emra dhe adresa.

Disa konsumatorë britanikë dhe kanadezë janë prekur po ashtu.

Duke i shpallur akuzat, prokurori i përgjithshëm amerikan, William Barr, e përshkroi sulmin e hakerëve si “një nga shkeljet më të mëdha të të dhënave në histori”.

“Ka qenë një ndërhyrje e qëllimshme dhe gjithëpërfshirëse në informacionet private të popullit amerikan”, tha ai.

Sipas dokumenteve të gjykatës, katër të akuzuarit janë anëtarë të Institutit 54 të Kërkimeve në Ushtrinë Çlirimtare Popullore të Kinës.

Ata kanë kaluar javë të tëra në sistemin e kompanisë Equifax, duke vjedhur të dhëna personale, thuhet në dokumente.

Grupi gjithashtu akuzohet për vjedhje të sekreteve tregtare, përfshirë përpilimin e të dhënave dhe modelin e bazës së të dhënave.

Kina nuk i ka komentuar ende akuzat.

Firma e vlerësimit të kredisë, Equifax, mban të dhëna për më shumë se 820 milionë konsumatorë, si dhe informacione për 91 milionë biznese. rel

“Trashëgimtarja” e kancelares Merkel jep dorëheqje

Partia e qendrës së djathtë e kancelares Angela Merkel, u zhyt më thellë në krizë të hënën kur trashëgimtarja e saj shpalli se nuk do të konkurrojë për postin e kancelares, pas dështimit në zgjedhjet rajonale.

Annegret Kramp-Karrenbauer, njoftoi udhëheqjen e Bashkimit Kristian-Demokrat (CDU) se do të fillojë procesin e organizimit të garës për udhëheqjen e partisë gjatë verës. Gjermania do të mbajë zgjedhjet e ardhshme të përgjithshme në vjeshtën e vitit 2021 dhe kancelarja Merkel, 65 vjeçare, që drejtoi Gjermaninë për 15 vjet, tha dy vjet më parë se nuk do të konkurrojë për mandatin e pestë si kancelare.

Zhvillimi i sotëm thellon telashet e politikës gjermane, pak ditë pasi që partia e kancelares Merkel u kritikua ashpër rreth votimeve për kryetarin e shtetit Thuringia ku CDU dhe Alternativa për Gjermaninë e së djathtës së skajshme, mbështetën një kandidat të qendrës. Votimi shkatërroi atë që është parë si tabu sa i përket bashkëpunimit të partive politike gjermane me partitë ekstreme.

Zonja Kramp-Karrenbauer, e përmendur shpesh me akronimi AKK, mori përsipër udhëheqjen e CDU-së ë dhjetor të viti 2018 pasi mundi ministrin e Shëndetësisë, Jens Spahn dhe zotin Friedrich Merz, një ish-veteran i partisë, i cili u mënjanua nga zonja Merkel para se ajo të bëhej kancelare në vitin 2005.

Zonja Kramp-Karrenbauer, 57 vjeçare, që është edhe ministre e Mbrojtjes, ka luftuar për të siguruar rezultate më të mira të zgjedhjeve të partisë në rënie përballë një sfide të ashpër nga e djathta.

Është e paqartë se si do të ndikojë zhvillimi i fundit në planet e mëparshme të kancelares Merkel për trashëgiminë e saj. Ndër emrat që aktualisht janë lakuar si udhëheqës të partisë, janë Jens Spahn, Friedrich Merz dhe Armin Laschet, guvernatori i Rhine-Westphalias, shteti më i populluar i Gjermanisë./zëri i amerikës

Trumpi shkarkon dy zyrtarë të lartë që dëshmuan kundër tij në Senat

Dy zyrtarë të lartë amerikanë që kishin dhënë dëshmi në Dhomën e Përfaqësuesve gjatë hetimeve ndaj presidentit Donald Trump, janë shkarkuar nga pozitat e tyre pas përfundimit të gjykimit, ku Trump u shpall i pafajshëm ndaj akuzave për abuzim të pushtetit dhe pengim të punës së Kongresit.

Koloneli Alexander Vindman me prejardhje nga Ukraina, që dëshmoi për telefonatën midis presidentit amerikan dhe atij të Ukrainës, u shkarkua nga pozita më 7 shkurt.

Në anën tjetër, Gordon Sondland, një donator i fuqishëm i Komitetit inagurues të Trumpit, tha përmes një njoftimi se Trump planifikon ta emërojë ambasador të SHBA-së në Bashkimin Evropian.

Të dy të lartëpërmendurit kishin dhënë dëshmi që konsiderohej e dëmshme ndaj argumenteve të presidentit Trump ku thuhej se nuk kishte të bënte asgjë me akuzat.

Trump kishte sulmuar publikisht kolonelin Vindman dhe ishte distancuar nga Sondland pas dëshmive të tyre. Zëdhënësja e administratës, Stephanie Grisham, kishte thënë më 6 shkurt se “ndoshta ata njerëz që nuk e kanë respektuar presidentin duhet ta paguajnë”.

Përfaqësuesi i Demokratëve në Dhomën e Përfaqësuesve, Eliot Engel, tha se vendimi për të larguar Alexander Vindman është i turpshëm.

Senati i kontrolluar nga republikanët, ka votuar të mërkurën për ta shfajësuar Trumpin, në procesin e nisur nga demokratët në Dhomën e Përfaqësuesve.

Kjo ka qenë vetëm hera e tretë në histori që një president amerikan është përballur me një proces të tillë. rel

Ambasadori Grenell rithekson kërkesën që Kosova të heqë tarifat ndaj Serbisë

Ambasadori amerikan, Richard Grenell, i dërguar i posaçëm i presidentit Donald Trump për bisedimet e paqes Kosovë – Serbi, tha sërish të premten se tarifat ndaj mallrave serbe, duhet të hiqen.

Në një postim, në rrjetin social, twitter, ambasadori Grenell i është drejtuar kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli duke shkruar “Kadri, Shtetet e Bashkuara po kërkojnë që Kosova të heqë tarifat 100%. Ato dëmtojnë Kosovën dhe pengojnë bizneset në krijimin e vendeve të punës. Albini ka të drejtë për këtë”, ka shkruar Grenell.

Reagimi i ambasadori Grenell pasoi debatet që nxiti kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili paralajmëroi heqjen e tarifave ndaj mallrave serbe dhe zëvendësimin e tyre me masat e reciprocitetit të plotë më Serbinë.

Të enjten edhe kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, i bëri thirrje kryeministrit Kurti që “të mos ngutet” me tarifat.

“Taksa ndaj importeve serbe ka qenë vendim dinjitoz i shtetit tonë për t’iu kundërvënë sulmeve të njëpasnjëshme që Serbia ka bërë kundër Kosovës. Shpreh shqetësimin për ngutinë e tepruar të kryeministrit të ri për të përmbushur kërkesat e Serbisë dhe për të rehatuar Listën Serbe, e cila u largua nga qeveria e kaluar për shkak të taksës. Një qeveri ka rënë si pasojë e taksës, gjë që ka dobësuar për një kohë Kosovën. Prandaj, nuk duhet të ketë manovrime politike për këtë temë të ndjeshme, e cila rrezikon ta dëmtojë më tej vendin tonë. Qeveria e re duhet të mos të dorëzohet para Serbisë përpara sfidave dhe vendimeve të mëdha që e presin Kosovën”, shkroi zoti Veseli në rrjetet sociale.

Ndërkaq ish kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj në një letër të hapur drejtuar kryeministrit Albin Kurti, i bëri thirrje që të mos heqë tarifat ndaj mallrave serbe të vendosura në vjeshtën e vitit 2018, të cilat u pasuan me pezullimin e bisedimeve Kosovë – Serbi.

“Albin, mos e lejo tregun e fitimit të mbi 400 milionë Euro-ve për Serbinë, shtetin i cili të ka rrahur e të ka torturuar. Shtetin, që me paratë e popullit të Kosovës blenë armë në Rusi. Të lutem, mos e kamuflo këtë vendim sovran me terme të mjegullta siç është “reciprociteti”. Mos e hjek taksën Albin. Mos u tërhiq për disa poena të përkohshëm që mund t’i fitosh nga bashkësia ndërkombëtare. Miku që është mik i vërtetë të don e të ndihmon me lavd, por edhe me kritika. Nëse nuk jemi të zotët e vetes nuk na don as miku”, shkroi ai.

Në nëntor të vitit 2018, qeveria e Kosovës vendosi tarifat prej 100 për qind ndaj mallrave serbe në shenjë kundërshtimi ndaj qasjes së Beogradit ndaj shtetësisë së Kosovës.

Beogradi kushtëzon vazhdimin e bisedimeve për normalizim marrëdhëniesh me Kosovës me heqjen e këtyre tarifave, por qeveria e zotit Haradinaj refuzoi çdo përpjekje të diplomacisë perëndimore për ta bindur për një gjë të tillë.

Menjëherë pas formimit të qeverisë së Albin Kurtit, ambasadori amerikan Richard Grenell, i dërguar i posaçëm amerikan për bisedimet Kosovë – Serbi, tha se “pret që tarifat të hiqen menjëherë”. Ambasadori Grenell gjatë muajit janar vizitoi Kosovën dhe Serbinë duke kërkuar që Prishtina të heqë traumat, ndërsa Beogradi t’i jap fund fushatës për tërheqjen e njohjeve për pavarësinë e Kosovës. zëri i amerikës

Buttigies fitues i zgjedhjeve paraprake në Ajova

Rezultatet përfundimtare nga zgjedhjet presidenciale paraprake në Ajova brenda Partisë Demokrate nxjerrin fitues ish-kryetarin e bashkisë së qytetit South Bend, Pete Buttigieg, me 26.2%.

I dyti doli Senatori Bernie Sanders, me 26.1%, i cili kryeson ndërkohë në votën popullore.

Një sërë problemesh vonuan rezultatet e konkurimit të parë brenda partisë për zgjedhjet e 2020-s dhe krijuan pasiguri për saktësinë e tyre.

Dy fituesit kryesorë morën pothuajse të njëjtin numër delegatësh pas zgjedhjeve me grupe të zhvilluara të hënën, një traditë e hershme e zgjedhjeve paraprake në këtë shtet.

Senatorja Elizabeth Warner, u rendit e treta, ndërsa ish-nënpresidenti Joe Biden në vend të katërt. Zoti Biden e quajti këtë një grusht të rëndë për fushatën e tij, por tha se nuk do të largohej nga gara. zëri i amerikës

Presidenti Trump konfirmon vdekjen e një udhëheqësi të Al-Qaidas në Jemen

Presidenti amerikan, Donald Trump, konfirmoi të enjten vdekjen e një udhëheqësi të al-Qaidas në një sulm me dron të Shteteve të Bashkuara në Jemen.

Presidenti Trump tha se Shtetet e Bashkuara kryen një operacion të suksesshëm kundër terrorizmit duke vrarë Qasim al-Rimin, themeluesin dhe drejtuesin e al-Qaidas në Gadishullin Arabik (AQAP). Ai ishte zëvendës i udhëheqësit të al-Qaidas Ayman al-Zawahiri.

“Nën drejtimin e Rimit, AQAP-i kreu dhunë të paskrupullt ndaj civilëve në Jemen dheu përpoq të kryej dhe të frymëzojë një numër sulmesh kundër Shteteve të Bashkuara dhe forcave tona,” tha presidenti Trump. “Vdekja e tij kufizon më tej AQAP-in dhe lëvizjen globale të al-Qaidas, dhe na sjell më afër eliminimit të kërcënimeve që këto grupe paraqesin për sigurinë tonë kombëtare.”

Rimi iu bashkua al-Qaidas në vitet 1990, duke punuar në Afganistan për Osama bin Ladenin dhe ishte i lidhur me disa komplote që shënjestronin amerikanët.

Vrasja e Rimit është e treta me radhë në operacionet amerikane kundër terrorizmit në muajt e fundit. Në tetor, Shtetet e Bashkuara vranë themeluesin e Shtetit Islamik, Abu Bakr al-Bagdadi. Në janar, një sulm ajror vrau komandantin e lartë iranian Qassem Soleimani./zëri i amerikës

Trumpi feston shfajësimin nga Senati

Presidenti amerikan, Donald Trump, që përballet me fushatë për rizgjedhje dhe ndoshta edhe me hetime tjera në të ardhmen, ka festuar shfajësimin nga akuzat për abuzim të pushtetit dhe pengim të punës së Kongresit.

Pasi ka hyrë në sallë ku është pritur me duartrokitje të mëdha nga ligjvënësit republikanë, zyrtarë të administratës dhe figura të mediave konservatore në Shtëpinë e Bardhë, Trump ka thënë se demokratët kanë nxitur përpjekje “të korruptuara” për të dëmtuar presidencën e tij.

“Unë kam bërë gjëra të këqija në jetën time, e pranoj… mirëpo ky është rezultati përfundimtar”, ka thënë Trump, teksa ka mbajtur një kopje të gazetës Washington Post me titull kryesor “Trump u shfajësua”.

Senati i kontrolluar nga republikanët, ka votuar të mërkurën për ta shfajësuar Trumpin, në procesin e nisur nga demokratët në Dhomën e Përfaqësuesve.

Kjo ka qenë vetëm hera e tretë në histori që një president amerikan është përballur me një proces të tillë.

Udhëheqësja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi ka thënë se deklaratat e Trumpit kanë qenë “plotësisht të papërshtatshme, sidomos gjatë Lutjeve të Mëngjesit”.

Përgjatë kësaj ceremonie, Trump ka akuzuar “disa njerëz shumë të pasinqertë dhe të korruptuar”, që kanë kërkuar ta largojnë atë përmes procesit që e ka konsideruar “mashtrim”.

Në gjyqin kundër tij, 52 ligjvënës kanë votuar për ta liruar atë nga akuza për abuzim të pushtetit, derisa 48 kanë thënë se ai është fajtor.

Senatori, Mitt Romney ka qenë republikani i vetëm që ka votuar kundër Trumpit.

Pas votimit, Trump ka akuzuar Romneyn se është “aset i fshehtë” i Partisë Demokratike, që vetëm pretendon se është republikan.

Senatori Mitt Romney.

Senatori Mitt Romney.

Në votimin për akuzën e dytë, për pengim të punës së Kongresit, 53 ligjvënës kanë votuar për të shpallur presidentin të pafajshëm derisa 47 e kanë konsideruar atë fajtor.

Akuzat janë ngritur pas dyshimeve se presidenti i 45-të i SHBA-së ka kushtëzuar ndihmën ushtarake në vlerë të miliona dollarëve për Ukrainën, në këmbim të nisjes së hetimeve për rivalin e tij politik, demokratin, Joe Biden.

Demokratët kanë akuzuar Trumpin se përveç ndihmës ushtarake, ai ka kushtëzuar me hetime edhe një vizitë në Shtëpinë e Bardhë të homologut të tij ukrainas, Volodymyr Zelenskiy, derisa Ukraina të bënte publik lajmin për nisje të hetimeve.

Trump nga fillimi ka mohuar çdo keqbërje në marrëveshjet e tij me Ukrainën.

Përgatiti: Krenare Cubolli

FBI: Kina rreziku më i madh

FBI-ja shpalli të enjten Kinën si kërcënimin më të madh për forcat e zbatimit të ligjit në Shtetet e Bashkuara. Drejtori i agjencisë Christopher Wray tha se Pekini po kërkon të vjedhë teknologji amerikane “duke përdorur çdo mjet të nevojshëm”.

Ai shtoi se 56 zyrat rajonale të agjencisë kanë hapur rreth 1 mijë hetime lidhur me përpjekjet nga ana e Kinës për të vjedhur teknologji.

Shefi i kundërzbulimit në FBI John Brown tha agjencia ka arrestuar 24 persona në 2019-n lidhur me raste ku përfshihej Kina dhe gjatë këtij viti janë arrestuar 19 persona të tjerë.

Gjatë një konference në Uashington DC në qendrën për Studimeve Strategjike e Ndërkombëtare (CSIS) zoti Brown tha se FBI-ja besonte “se asnjë vend nuk paraqet një kërcënim më të madh sesa Kina komuniste”. Zoti Wray tha se kërcënimi duhej të përballej me veprimeve nga gjithë qeveria amerikane.

FBI-ja po kryen 1 mijë hetime që kanë të bëjnë me përpjekjet e mbetura në tentativë të Kinës për të vjedhur teknologji amerikane në pothuajse çdo sektor të industrisë“, tha ai.

Zoti Wray shtoi se Kina po shfrytëzon në mënyrë agresive hapjen akademike të SHBA-së për të vjedhur teknologji, duke përdorur “bashkëpunëtore në kampuse” dhe duke krijuar “institute në kampuset amerikane”.

Drejtor i Kundërzbulimit Kombëtar dhe Qendrës së Sigurisë William Evanina tha në konferencë se Kina kishte si përparësi të veçantë vjedhjen e teknologjisë së avionëve amerikanë dhe makinave elektrike. zëri i amerikës

Senati amerikan e shpall presidentin Trump të pafajshëm

Senati amerikan e liroi Presidentin Donald Trump nga dy akuzat e ngritura për shkarkimin e tij: shpërdorim pushteti dhe pengim i Kongresit.

Senati i kontrolluar nga republikanët votoi të mërkurën pasdite 52 me 48 për ta liruar Presidentin nga akuza e parë se kishte bllokuar ndihmën ushtarake për Ukrainën në këmbim të asaj që demokratët thonë se ishin hetime të motivuara politikisht. Votimi për akuzën e dytë, pengim i Kongresit, përfundoi me rezultatin 53 me 47.

Përfundimisht presidenti u lirua nga të dyja akuzat.

Një nga senatorët republikanë, Mitt Romney, votoi pro akuzës së parë ndaj zotit Trump që synonte shkarkimin e tij. Ai ishte i vetmi që u nda nga republikanët duke votuar kundër.

Zoti Romney i cili e ka kritikuar edhe më parë zotin Trump për çështje të tjera, e quajti kërkesën që Presidenti i bëri autoriteteve në Ukrainë për të hetuar rivalin e tij politik Joe Biden “një gabim të rëndë” dhe tha se zoti Trump ishte “fajtor për shpërdorim të rëndë të besimit publik”.

“Ajo që ai bëri nuk ishte “perfekte”, tha zotit Romney në Senat, duke iu referuar mënyrës se si Presidenti Trump e ka përshkruar bisedën e tij telefonike me presidentin e Ukrainës.

“Ajo ishte një sulm flagrant ndaj të drejtës sonë për të zgjedhur, sigurisë sonë kombëtare dhe vlerave tona themelore”, shtoi senatori republikan.

Deri përpara kësaj deklarate, asnjë prej 53 senatorëve republikanë nuk kishte dhënë ndonjë sinjal se do të votonte kundër Presidentit, për shkarkimin e të cilit nevojiteshin votat e dy të tretës së anëtarëve të Senatit me 100 vende.

Po ashtu, asnjëri nga të 47 demokratët nuk votoi në një linjë me republikanët për ta liruar presidentin nga akuzat.

Shpallja jofajtor e Presidentit Trump mund të ketë ndikime afatgjata në politikë dhe në ekuilibrin e pushtetit në Uashington. Ajo e fuqizon politikisht presidentin në fushatën e tij për zgjedhjet e nëntorit 2020.

Gjatë fjalimit të tij vjetor mbi gjendjen e vendit që u mbajt të martën në mbrëmje Presidenti nuk e përmendi procesin për shkarkimin e tij. Por ai e ka kritikuar në mënyrë të vazhdueshme duke e cilësuar si “gjueti shtrigash”, e duke theksuar se nuk ka bërë asnjë shkelje.

Demokratët thanë se “administrata, zyrtarët kryesorë të saj dhe republikanët e Senatit po fshehin të vërtetën”. Sipas senatorit Chuck Schumer, “akuzat janë jashtëzakonisht të rënda.” “Ndërhyrja në zgjedhje, shantazhimi i një vend të huaj për të ndërhyrë në zgjedhjet tona, këto cënojnë thelbin e demokracisë sonë”, tha ai.

Udhëheqësi i shumicës në Senat Mitch McConnell, i cili luajti rol kyç në zhvillimin e një procesi të shkurtuar gjykimi, duke mos lejuar thirrjen e dëshmitarëve, tha se akuzat ndaj presidentit Trump “nuk përbëjnë aspak një çështje që mund të çonte në largimin e parë nga detyra të një presidenti në historinë amerikane”.

Pete Buttigieg udhëheq në garën e parë të demokratëve për president

Pete Buttigieg.

Pete Buttigieg, ish-kryetar i një qyteti në Indiana, ka shënuar fitore të lehtë në rrethin e parë zgjedhor në Ajoa, proces i cili në muajt vijues përcakton se kush fiton nominimin e demokratëve në garën për president të Shteteve të Bashkuara.

Pas numërimit të 62 për qind të votave, Buttigieg ka fituar 26.9 për qind të përkrahjes, i përcjellë nga senatori, Bernie Sanders me 25.1 për qind, më pas senatorja Elizabeth Warren me 18.3 për qind dhe ish nën-presidenti amerikan, Joe Biden me 15.6 për qind.

Në këtë rreth zgjedhor, kandidatët garojnë për të fituar sa më shumë delegatë në konventën shtetërore të partisë që zhvillohet më vonë gjatë vitit.

Buttigieg, 38-vjeçar, që nuk ka qenë i njohur në gjithë kombin një vit më parë, e ka konsideruar rezultat preliminar si “fitore të jashtëzakonshme”.

Pas publikimit të rezultateve të para, ai ka përmendur homoseksualitetin e tij, duke thënë se rezultati i Ajoas flet shumë për këtë çështje.

“Kjo vlen për fëmijët, për dikë në komunitet që mendon nëse i ai apo ajo i përkasin familjes që kanë. Nëse besoni në veten dhe shtetin tuaj, ekziston përkrahje e madhe në atë besim”, ka thënë ai.

Rezultatet e pjesshme janë publikuar 20 orë pas përfundimit të procesit të votimit.

Numërimi i votave është thënë të jetë vonuar për shkak të “gabimit të kodimit”.

Ajoa ka 41 nga 1,9991 delegatët që kërkohet të ofrojnë mbështetje për nominimin e kandidatit për garën presidenciale.

Nga viti 1996, secili demokrat që ka fituar rrethin e parë zgjedhor në Ajoa ka siguruar nominimin e partisë për zgjedhjet e muajit nëntor.

Sanders, Biden, Warren, dhe Buttigieg aktualisht konsiderohen kandidatët kryesorë në garë. rel

Presidenti Trump mban fjalimin mbi gjendjen e vendit, një ditë para votimit në Senat

Keida Kostreci

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump mbajti fjalimin tradicional për gjendjen e vendit në një klimë të tensionuar në Uashington, një ditë para votimit në Senat për sharkimin ose jo të tij. Por Presidenti Trump tha se Shtetet e Bashkuara janë më të fuqishme se kurrë dhe u përqendrua tek sukseset e administratës së tij. Megjithatë për çështjet ku republikanët dhe demokratët janë në skaje të kundërta, qëndrimet e tij nuk ofruan një emërues të përbashkët.

Dy vështrime të ndryshme për ekonominë

Presidenti Donald Trump e hapi fjalimin me një mesazh optimist:

“Tregu i vendeve të punës është rritur, varfëria po fundoset, krimi po bie, besimi po rikthehet dhe vendi ynë po lulëzon dhe po gëzon respekt të madh përsëri! Armiqtë e Amerikës janë në arrati, mirëqenia e Amerikës është në rritje dhe e ardhmja e Amerikës është e shkëlqyer”, tha ai, para se të deklaronte se gjendja e vendit është “më e fuqishme se kurrë”.

Ndërsa republikanët brohorisnin “katër vjet të tjerë”, një kujtesë se të dyja palët e kanë kthyer vështrimin nga zgjedhjet e nëntorit, Presidenti Trump foli për një papunësi të ulët rekord, veçanërisht mes afrikano-amerikanëve, grave dhe veteranëve.

“Unë i mbaj premtimet. Vetëm në tre vjet, e kemi asgjësuar mentalitetin se Amerika është në rënie dhe e kemi hedhur poshtë tkurrjen e fatit të Amerikës. Po ecim përpara me një ritëm që ishte i paimagjinueshëm vetëm pak kohë më parë dhe nuk do të kthehemi më kurrë mbrapsht”, tha ai.

Por disa nga pretendimet e Presidentit Trump si për shembull se Shtetet e Bashkuara janë bërë prodhuesi më i madh i naftës dhe gazit natyror dhe se sektori i prodhimit është rritur nën administratën e tij, u hodhën poshtë nga kontrolli i fakteve kryer nga agjencia e lajmeve AP.

Dhe përgjigjia e demokratëve u përqendrua pikërisht tek ekonomia.

Guvernatorja e Miçiganit, Gretchen Whitmer që foli në emër të partisë së saj tha se “punëtorët amerikanë po vuajnë”.

“Miliona vetë mezi po ia dalin ose nuk kanë para që të mbarojnë muajin, pasi paguajnë për transportin, borxhet studentore dhe ilaçet. Kështuqë kur presidenti thotë që ekonomia është e fortë, pyetja ime është: e fortë për kë?”, tha ajo.

Zoti Trump foli gjithashtu për politikat e tij tregëtare, të cilat tha ai po e forcojnë Amerikën.

“Para disa ditësh ne nënshkruam një marrëveshje të re të pashembullt me Kinën që do t’i mbrojë punëtorët tanë, pronën tonë intelektuale, do të sjellë miliarda dollarë në thesarin tonë dhe do të hapë tregje të reja për produkte të prodhuara pikërisht në Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, tha ai.

Presidenti tha se administrata e tij ka investuar 2.2 trilionë dollarë në ushtri, përfshirë krijimin e degës së re të quajtur Forca Hapësinore, si edhe se aleatët e NATO-s po paguajnë tani pjesën që u takon për mbrojtje.

Politika e jashtme

Një nga momentet kur të dyja palët duartrokitën ishte kur zoti Trump prezantoi udhëheqësin venezualian të opozitës Juan Guaido që ishte në galerinë e të ftuarve, duke e quajtur udhëheqësin legjitim të vendit.

Duke folur për Lindjen e Mesme, zoti Trump tha se 100 për qind kalifatit të Shtetit Islamik është shkatërruar, duke përmendur vrasjen e udhëheqësit të grupit, Abu Bakar al-Baghdadi dhe kryegjeneralit iranuan Qassem Soleimani.

“Mesazhi ynë ndaj terroristëve është i qartë: nuk do t’i shpëtoni kurrë drejtësisë amerikane. Nëse sulmoni qytetarët tanë, e paguani me jetën tuaj”, tha ai.

Por një raport i fundit i zyrtarëve amerikanë të mbrojtjes dhe zbulimit thotë se operacioni që vrau al al-Baghdadin në Siri, tetorin e kaluar, pothuajse nuk e ka frenuar fare grupin.

Agjencia e Zbulimit e Departamentit të Mbrojtjes analizon se struktura e komandës dhe strukturës e organizatës si edhe shumë nga rrjetet e saj klandestine mbeten të paprekura.

Presidenti tha se është në dorën e regjimit iranian që të heqë dorë ose jo nga synimi për të prodhuar armë bërthamore dhe për të ndalur përhapjen e terrorit, duke i ofruar ndihmë për të mëkëmbur ekonominë nëse bashkëpunon.

Procesi i shkarkimit, i papërmendur por i pranishëm

Është e pamundur ta shkëpusësh fjalimin e presidentit Trump nga momenti kur ai u mbajt, një ditë para se të votohet nëse do të shkarkohet ose jo dhe në një vit zgjedhjesh.

Është praktikisht e sigurt që senatorët do ta lirojnë Presidentin nga akuzat e shpërdorimit të pushtetit dhe pengimit të drejtësisë pasi partia e tij republikane ka shumicën në Senat, ndërkohë që për shkarkimin e një presidenti kërkohet një shumicë prej dy të tretat e votave.

Presidenti nuk e përmendi procesin e shkarkimit dhe ndoshta vetëm një fjali, mund të interpretohet sikur i referohej atij.

“Të vetmet fitore që kanë rëndësi në Uashington, janë ato që japin rezultate për popullin amerikan”, tha zoti Trump.

Por tensioni ishte i dukshëm me Kryetaren e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi – udhëheqësja më e lartë demokrate që drejtoi procesin e shkarkimit – ulur pas tij.

Të dy kundërshtarët politikë nuk ishin takuar prej muajsh.

Në fillim Presidenti Trump i dha kopjen e fjalimit zonjës Pelosi, por nuk ia dha dorën, ndërsa ajo zgjaste të sajën. Zonja Pelosi vetëm pak sekonda më pas, prezantoi Presidentin pa përdorur shprehjen tradicionale “është një nder dhe kënaqësi e veçantë të prezantoj Presidentin e Shteteve të Bashkuara” dhe në fund të fjalimit, ajo grisi kopjen e saj ndërsa presidenti ishte në podium.

Bill Sweeney, profesor në Universitetin Amerikan tha se ishte fjalimi më partiak që kishte dëgjuar ndonjëherë.

“Veprimet e tij, fakti që nuk i dha dorën zonjës Pelosi. Prezantimi që i bëri kryetarja Pelosi, duke mos thënë disa nga fjalët që janë taditë dhe pastaj kur shihje republikanët brohorisnin në çdo moment dhe demokratët rrinin ulur. Nuk ishte fjalim për gjendjen e vendit. Ishte fjalim për rizgjedhje”, i tha ai Zërit të Amerikës.

Me një sy nga zgjedhjet e nëntorit

Për çështjet ku të dyja palët janë më të polarizuara, qëndrimet e zotit Trump, binin pa mëdyshje në qendër të pozicioneve republikane.

Kështu ishte për shembull çështja e imigracionit.

Presidenti Trump akuzoi “politikanët” radikalë, që u japin strehë të sigurt “të huajve të paligjshëm kriminelë”.

“Nëse hyni ilegalisht, do të dëboheni menjëherë”, tha ai.

Ai tha se duhet të reformohet sistemi i imigracionit, në favor të një sistemi merite.

Ai premtoi gjithashtu se do ta mbrojë gjithmonë Amendamentit e Dytë për të drejtën e armëmbajtjes që ai thotë se është nën sulm.

Dhe në galerinë e të ftuarve ishte personaliteti konservator i medias, Rush Limbaugh, i cili sapo ka njoftuar se është me kancer dhe të cilin zoti Trump e nderoi me medaljen e lirisë. Zoti Limbaugh shihet nga liberalët dhe demokratët si dikush që ngjall gjuhën e urrejtjes.

“Mendoj se mesazhi i tij ishte efektiv për bazën e tij. Por baza nuk është shumica e popullit amerikan”, tha profesor Sweeney.

Sondazhi i fundit i organizatës Gallup tregon se baza republikane është në masë dërrmuese me zotin Trump dhe se madje procesi i shkarkimit mund t’ia ketë forcuar pozitat. Rezultatet që dolën të martën tregojnë se 94 për qind e republikanëve e miratojnë punën e tij, 6 për qind më shumë sesa një muaj më parë. Dhe megjithëse shkalla e miratimit në nivel kombëtar, 49 për qind e bën Presidentin Trump të parin që nuk e ka arritur kurrë 50 për qindshin, kjo shifër është tre për qind më e lartë sesa mbështetja e ish-Presidentit Barack Obama në të njëjtën periudhë të presidencës. Shifra e mëparshme më e lartë për zotin Trump ishte 46 për qind në prill të vitit të kaluar.

Miliarderi Bloomberg intensifikon fushatën presidenciale

Ish kryetari i bashkisë së Nju Jorkut dhe miliarderi Michael Bloomberg ishte i fundit mes kandidatëve demokratë që hyri në garën presidenciale dhe i vetmi kandidat që ende nuk ka marrë pjesë në debatet e demokratëve. Amerikanët mësojnë për axhendën dhe platformën e tij nga reklamat politike që ai vetë i financon. Kohët e fundit, zoti Bloomberg hapi një zyrë të re në Harlem, zyra e parë e fushatës së tij në shtetin e Nju Jorkut. Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Nina Vishneva sjellë hollësitë.

Në Rrugën 125 të Harlemit, në qytetin e Nju Jorkut ndodhet zyra e re e fushatës së kandidati presidencial Mike Bloomberg.

Zyra ende nuk është përfunduar nga brenda, por hapja zyrtare e saj është bërë.

“Unë jetoj këtu afër, shoh se ai po vendoset në Harlem, që është gjë e mirë, ai është i angazhuar me komunitetin. Kam qenë aktiv në fushatën e kandidates Kamala Harris, për fat të keq, ajo u tërhoq nga gara sepse nuk u angazhua sa duhet. Të shohim se çfarë do të ndodhë!”, thotë një banor i Harlemit.

Për të marrë emërimin e Partisë Demokrate si kandidat për President, Bloomberg do të ketë nevojë për mbështetjen e votuesve afrikano-amerikanë, të cilët janë një grup i konsiderueshëm në zgjedhjet paraprake të demokratëve.

Politika e ndalimit dhe kontrollimit e zbatuar nga administrata e zotit Bloomberg, kur ai ishte kryetar i bashkisë së Nju Jorkut, një ligj që lejonte policinë të ndalonte dhe të kontrollonte njerëzit për armë dhe kontrabandë, vuri në shënjestër anëtarët e komuniteteve pakicë.

Mënyra se si ky ligj u zbatua u shpall antikushtetuese nga Gjykata Federale e Nju Jorkut.

Pas hyrjes në garën presidenciale, Bloomberg kërkoi falje për veprimet e tij të së kaluarës. Qëllimi i tij më i madh tani, thotë ai, është të frenojë Presidentin Donald Trump.

“Përparësia ime e parë është të heq nga pushteti Donald Trumpin. Po shpenzoj të gjitha paratë e mia për të hequr Trumpin. Doni që unë të shpenzoj më shumë, apo më pak?”

Bloomberg tashmë ka shpenzuar dhjetëra miliona dollarë për reklama televizive dhe është gati të shpenzojë deri në një miliard dollarë të parave të tij në garën për president.

Mesatarisht, ai shpenzon rreth 3 milionë në ditë për fushatën.

Megjithatë, shumë njerëz e shohin strategjinë e Bloomberg-ut si një dëshirë për të “blerë demokracinë”.

“Ne nuk kemi nevojë për para. Ne kemi nevojë për një udhëheqës! Dikush që do të na çojë në një vend të mirë. Bloombergu mendon se më

shumë para mund ta sjellin atë në këtë pozitë”, thotë një banore e Nju Jorkut.

Por këshilltari politik Hank Sheinkopf thotë se pozicioni centrist i Bloombergut mund të funksionojë.

“Mike Bloomberg nuk merr vendime pa bërë kalkulime, ai ka mbaruar studimet për inxhinieri. Ai ka një ide për çdo gjë që bën. Nëse nuk fiton dot, ai me siguri do të jetë në gjendje të ketë ndikim në rezultatin e zgjedhjeve në vjeshtë.”

Pavarësisht se nuk ka marrë pjesë në debatet e demokratëve, Bloomberg po fiton terren. Sipas sondazheve, tani ai është kandidati i pestë më i njohur i demokratëve pas konkurrentëve Joe Biden, Bernie Sanders, Elizabeth Warren dhe Pete Buttigieg.

Bloomberg ka marrë një mbështetje të madhe nga Judge Judy, një personazh i famshëm amerikan i cili drejton një emision televiziv popullor që merret me zgjidhjen e çështje të vogla juridike.

Airbus gjobitet me 3.9 miliardë dollarë për përfshirje në ryshfete

Departamenti amerikan i Drejtësisë njoftoi të premten se prodhuesi evropian i avionëve, Airbus SE ka pranuar të paguajë më shumë se 3.9 miliardë dollarë gjoba tek autoritetet në Shtetet e Bashkuara, Britani dhe Franca në kuadër të një marrëveshje pas akuzave për ryshfet, si dhe shkelje të kontrollit të eksportit të armëve.

Airbus filloi negociatat për një marrëveshje me Departamentin e Drejtësisë tre ditë pasi prokurorët federalë akuzuan kompaninë për shkelje të Ligjit mbi Praktikat e Korrupsionit të Huaj (FCPA) dhe komplot për të shkelur Ligjin e Kontrollit të Eksportit të Armëve (AECA) dhe rregulloret e tij të zbatimit.

Akuzat për ryshfet rrodhën nga dyshimet për një skemë të kompanisë për t’u ofruar dhe paguar ryshfete zyrtarëve të huaj, përfshirë atyre të qeverisë kineze, për të marrë kontrata për shitjen e avionëve.

Akuzat për shkelje të Ligjit të Kontrollit të Eksportit të Armëve rezultuan nga dështimi i kompanisë Airbus për t’i njoftuar autoritetet amerikane në lidhje me kontributet për organizatat politike dhe fitimet e bëra në lidhje me shitjen e avionëve një ushtrie të huaj.

Departamenti i Drejtësisë e përshkroi marrëveshjen si “zgjidhja më e madhe globale e ryshfeteve të huaja deri tani”.

“Airbus u angazhua në një skemë shumëvjeçare dhe masive për të forcuar në mënyrë korruptive interesat e saj të biznesit duke paguar ryshfete në Kinë dhe vendet e tjera dhe duke i fshehur ato ryshfete,” tha Ndihmës Prokurori i Përgjithshëm Brian A. Benczkowski i Divizionit Kriminal të Departamentit të Drejtësisë.

Si pjesë e marrëveshjes, Airbus do t’i paguajë afro 600 milionë dollarë autoriteteve amerikane, 2.29 miliardë dollarë autoriteteve në Francë dhe më shumë se 1 miliard dollarë Zyrës për Mashtrime të Rënda të Britanisë. zëri i amerikës

Gjyqi kundër Trumpit: Demokratët nuk i sigurojnë votat për të thirrur dëshmitarët

Ilustrim.

Demokratëve në Shtetet e Bashkuara u është dhënë një goditje e madhe në përpjekjet e tyre për të thirrur dëshmitarë në gjyqin ndaj presidentit amerikan, Donald Trump.

Ata kishin nevojë për katër vota të senatorëve republikanë, për të votuar në mënyrë që të lejohet paraqitja e dëshmitarëve, por njëri nga senatorët tha se nuk do ta mbështes kërkesën e demokratëve.

Senatori, Lamar Alexander, tha se demokratët e kanë dëshmuar se Trump kishte vepruar në mënyrë të papërshtatshme, por kjo nuk ishte një vepër për shkarkim.

Njoftimi i hap rrugën lirimit të mundshëm të presidentit nga Senati qysh ditën e premte.

Në Senatin me 100 ulëse, gjenden 52 republikanë.

Për çfarë akuzohet Trumpi?

Presidenti amerikan akuzohet për abuzim të pushtetit në lidhje me veprimet e tij kundrejt Ukrainës, si dhe për pengim të punës së Kongresit, i cili menjëherë ka nisur hetime lidhur me veprimet e Trumpit.

Demokratët në Dhomën e Përfaqësuesve kanë thënë se Trump ka pezulluar ndihmën ushtarake në vlerë të 400 milionë dollarëve për Ukrainën, dhe ftesën për vizitë në Shtëpinë e Bardhë për presidentin e ri ukrainas, Volodymyr Zelenskiy, duke i kërkuar Kievit që të nisë hetime kundër një rivali politik.

Trump ka kërkuar nga Ukraina të hetojë Joe Bidenin, i cili është aktualisht një prej kandidatëve kyçë në garën e demokratëve për ta sfiduar Trumpin.

Përveç ish nën-presidentit amerikan, Trump ka kërkuar hetime edhe për djalin e Bidenit, Hunter.

Trump i ka mohuar akuzat dhe gjyqin ndaj tij e ka quajtur “gjueti shtrigash”. rel

Gjyqi i presidentit Trump në Senat hyn në fazë të re

Avokatët e Presidentit Trump mbyllën seancën e tyre të mbrojtjes të martën, duke u thënë 100 senatorëve se Presidenti nuk bëri asgjë të gabuar në bisedëne tij me udhëheqësin e Ukrainës.

Me përfundimin e mbrojtjes nga ekipin ligjor i Presidentit Trump, gjykimi për shkarkimin e tij në Senat kalon tani në fazën tjetër: në atë me pyetjet me shkrim të senatorëve drejtuar të dyja palëve.

Republikanët dhe Demokratët e Senatit do të alternojnë paraqitjen e pyetjeve të tyre me shkrim për t’u lexuar nga Kreu i Gjykatës së Lartë John Roberts.

Faza e parë e gjyqit në Senat përfundoi ndërsa vazhdojnë përplasjet për pranimin e dëshmitarëve dhe provave të reja në fazën tjetër -përfshi ish-këshilltarin e Sigurisë Kombëtare John Bolton.

Presidenti Trump mblodhi mbështetësit e tij në shtetin e Nju Xhersit… vetëm disa orë pasi ekipi i tij ligjor mbylli argumentat mbrojtëse në Kongres.

“A po bëjmë një procedurë shkarkimi sepse ndihma u dha tre javë para përfundimit të vitit fiskal? Për një telefonatë 6-minuta? Në fund tëfundit, kjo është e gjitha”,tha Jay Sekulow, avokat i President Trump.

Avokatët e presidentit përdorën vetëm gjysmën e kohës së tyre të caktuar … duke u thënë senatorëve se përpjekjet e demokratëve për shkarkimin e presidentit janë të rrezikshme.

“Ajo që po ju kërkojnë të bëni është të shkarkoni një president të suksesshëm në prag të zgjedhjeve në kundërshtim me Kushtetutën. Kjo do të ndryshonte në mënyrë të rrezikshme vendin tonë dhe do tëdobësonte përgjithmonë të gjitha institucionet tona demokratike. Ju të gjithë e dini se kjo nuk është në interes të popullit amerikan”, tha Pat Cipollone, këshilltar i Shtëpisë së Bardhë.

Por gjyqi është shumë larg përfundimit-pasi po rritet presioni për të thirrur ish këshilltarin e Sigurisë Kombëtare John Bolton për të dëshmuar.

“Nëse kolegët e mi republikanë tani dështojnë të thërrasin dëshmitarë, ata në thelb po shkatërrojnë Kushtetutën dhe po shkelin ligjin që kërkon që ata të dëgjojnë këta dëshmitarë. John Bolton ishte në dhomë kur u bë telefonata. Ishte me sy dhe veshë aty bshkë me presidentin. Ai e quajti atë si një marrëveshje droge. U përpoq ta ndalonte. Ne duhet që pa diskutim ta dëgjojmë këtë dëshmi”, tha senatori demokrat Richard Blumenthal.

Që të mund të thirren dëshmitarë duhet që katër senatorë republikanë t’u bashkohen demokratëve. Por jo të gjithë republikanët kanë besim në ato që mund të thotë zoti Bolton.

“John Bolton është një punonjës i pakënaqur, shumë i zemëruar dhe i pushuar nga puna, i cili dëshiron të bëjë miliona dollarë me dëshmi. Një pyetje e rëndësishme për John Boltonin është: ‘Pse nuk doje të dëshmoje një muaj më parë, por tani që po fiton miliona dollarë për një libër? Çfarë ka ndryshuar?’, pyet senatori republican, Rand Paul.

Republikanët po bëjnë thirrje për një marrëveshje që do të sillte si dëshmitarë ish-nënpresidentin Joe Biden dhe djalin e tij, Hunter. Demokratët argumentojnë se Biden dhe djali i tij nuk kanë asnjë lidhje me këtë proces.

“Nëse ata dëshirojnë këmbime dëshmitarësh, atëherë le të thërrasin Mick Mulvaney. Mick Mulvaney ka thënë se ai kundërshton ato që do të thotë John Bolton. Le të thërrasin Mick Mulvaneyn. Le të thërrasin Sekretarin Pompeo. Le të thërrasin njerëz që janë dëshmitarë të përhershëm të këtij skandali dhe kësaj skeme korruptive, nëse duan këmbim dëshmitarësh. Por kjo nuk është vërtet ajo që duan. Ata duan një shpërqendrim. Dhe nuk mendoj se senatorët duan të lejojnë që ky proces të kthehet në një cirk”, tha ligjvënësi Adam Schiff.

Anketat tregojnë se shumica e amerikanëve dëshirojnë prova të reja dhe dëshmitarë në gjyqin në senat, i cili vazhdon me pyetjet e senatorëve. zëri i amerikës

Presidenti Trump sulmon ish-këshilltarin e sigurisë kombëtare John Bolton

Presidenti Donald Trump ndërmori sot sulmin më të ashpër deri tani ndaj ish-këshilltarit të tij të sigurimit kombëtar John Bolton, i cili në një dorëshkrim të librit të tij ende të pabotuar, thotë se Presidenti Trump luajti rol qendror në fushatën e presioneve me motive politike ndaj Ukrainës.

Presidenti Trump tha në Twitter se vite më parë zoti Bolton “nuk mori dot miratimin si ambasador i SHBA në Kombet e Bashkuara dhe që nga ajo kohë nuk merrte dot miratim për asgjë.” Ai, shkruan presidenti Trump, “më lutej për një post që të mos kërkonte miratimin e Senatit.”

“Nëse do të kisha dëgjuar atë, shkruan Presidenti, ne do të ishim sot në Luftën e Gjashtë Botërore.”

Presidenti Trump shkruan se zoti Bolton, i cili e la postin e këshilltarit të sigurisë kombëtare në shtator, “menjëherë pas kësaj shkroi një libër të pandershëm dhe të pavërtetë me informacione të klasifikuara. Si mund ta bëjë dikush këtë?” – pyet Presidenti.

Siç njofton gazeta Nju Jork Tajms, në dorëshkrimin e tij, zoti Bolton e kundërshton versionin e dhënë nga Presidenti Trump për çështjen e ndihmës ushtarake prej 391 milion dollarësh ndaj Ukrainës. Sipas gazetës, ai thotë se presidenti e bllokoi ndihmën deri sa Ukraina të fillonte hetimet ndaj ish-nënpresidentit Joe Biden dhe të birit të tij Hunter.

SHBA, Kinës: Ndani më shumë informacione për virusin

Dr. Anthony Fauci

Zyrtarët amerikanë të shëndetësisë po i bëjnë thirrje Kinës të ndajë më shumë informacione se si po përhapet koronavirusi i ri i shfaqur në qytetin Wuhan.

Virusi ka infektuar më shumë se 4500 njerëz në 18 vende, kryesisht në Kinë. Më shumë se 100 kanë vdekur.

Ekspertët kinezë kanë njoftuar se virusi mund të përhapet edhe nga pacientët që nuk shfaqin simptoma. Por zyrtarët amerikanë të shëndetësisë thonë se nuk dëshirojnë të komentojnë rreth një deklarate të tillë.

“CDC (Qendrës për Kontrollin e Sëmundjeve) nuk i është dhënë mundësia t’i shqyrtojë këto të dhëna,” tha Drejtori i Qendrës, Robert Redfield në një konferencë shtypi të martën. “Kinezët besojnë se i kanë ato të dhëna. Shpresa jonë është të jemi në gjendje t’i studiojmë ato dhe të jemi më të saktë.”

Nëse pacientët e përhapin virusin pa shfaqur simptoma, kjo kërkon procedura të ndryshme ekzaminimi, tha Drejtori i Institutit Kombëtar të Alergjive dhe Sëmundjeve Infektive, Anthony Fauci.

Dr. Fauci tha se pacientët pa simptoma nuk ka gjasa të kenë shumë ndikim në përhapjen e sëmundjes.

“Në të gjithë historinë e viruseve që prekin frymëmarrjen, të çdo lloji qofshin, transmetimi asimptomatik nuk ka qenë kurrë burimi i shpërthimit të sëmundjeve,” tha ai.

Zyrtarët kanë identifikuar pesë raste në Shtetet e Bashkuara dhe deri tani asnjë rast transmetimi të sëmundjes nga njeriu te njeriu. Dr. Redfield tha se rreziku për amerikanët aktualisht është i ulët, por beson se do të ketë edhe raste të tjera.

Të gatshëm dhe të aftë

Shtetet e Bashkuara kanë ofruar të dërgojnë ekspertë në Kinë për të ndihmuar në kontrollin e sëmundjes, por Sekretari i Shëndetit dhe Shërbimeve Njerëzore Alex Azar tha se Pekini nuk e ka pranuar ofertën.

“Ekspertët e CDC janë të gatshëm dhe të aftë të shkojnë në Kinë ose mbi bazën e bashkëpunimit dypalësh ose nën kujdesin e Organizatës Botërore të Shëndetit,” tha ai.

OBSH njoftoi në një deklaratë të martën se organizata “do të dërgojë ekspertë ndërkombëtarë për të vizituar Kinën sa më shpejt të jetë e mundur”. ((https://www.who.int/news-room/detail/28-01-2020-who-china-leaders-discuss-next-steps-in-battle-against-coronavirus-outbreak))

“Qëndrimi i qeverisë kineze, nivelet e bashkëpunimit dhe bashkëveprimit me ne janë krejtësisht të ndryshme nga ajo që pamë në vitin 2003,” kur zyrtarët u përpoqën ta mbulonin shfaqjen e sindromës së rëndë akute të frymëmarrjes (SARS), një sëmundje që shkaktoi gati 800 të vdekur në të gjithë botën, tha Azari. “Dëshiroj t’i lavdëroj ata për këtë.”

Sidoqoftë, ai tha, “ne po i bëjmë thirrje Kinës. Më shumë bashkëpunim dhe transparencë janë hapat më të rëndësishëm që mund të ndërmerren për një përgjigje më të efektshme”.

Kundërmasat

Nuk ekziston ndonjë trajtim i miratuar për infeksionin koronavirus, por Dr. Fauci thotë se disa kura janë në studim e sipër, përfshirë medikamente që kanë treguar njëfarë efektiviteti kundër virusëve Ebola dhe HIV.

Një vaksinë është në studim e sipër dhe Dr. Fauci shpreson të fillojë provat e para brenda tre muajve të ardhshëm.

Ai paralajmëroi, megjithatë, se “të nisësh provat e Fazës së Parë nuk do të thotë se ke një vaksinë të gatshme për përdorim”. Do të duhen disa muaj për të përcaktuar nëse vaksina është e sigurt dhe që të mund të kalohet në testime të tjera. Ai vuri në dukje se kur u konfirmuan rezultatet e provave të para me vaksinën kundër SARS, sëmundja ishte vënë tashmë nën kontroll.

Zyrtarët po ekzaminojnë udhëtarët e ardhur nga Kina në 20 aeroporte të SHBA. zëri i amerikës

Akuza ndaj profesorit të Harvardit për pjesëmarrje në programet kineze

Qeveria amerikane ngriti akuza të martën ndaj shefit të një departamenti në Universitetin e Harvardit dhe një punonjësi në Universitetin e Bostonit, se nuk kanë bërë të njohura marrëdhëniet e tyre me agjencitë kineze të kërkimit shkencor edhe pse kanë përfituar fonde nga qeveria amerikane për hulumtime.

Prokurorët ngritën akuza ndaj shefit të Departametit të Kimisë dhe Biologjisë Kimike në Universitetin e Harvardit Charles Lieber, se ka gënjyer lidhur me pjesmarrjen e tij në një program kinez të quajtur “Plani i Mijëra Talenteve”.

Sipas dokumenteve gjyqësore, zoti Lieber kishte bërë deklarime të rreme, fiktive dhe të pavërteta pranë Departamentit amerikan të Mbrojtjes lidhur me rolin e tij në planin kinez. Ai po ashtu kishte përdorur të njëjtat taktika me Insitutin Kombëtar të Shëndetit lidhur me rolin dhe lidhjet e tij me Universitetin Teknologjik të Wuhanit në Kinë.

Në bazë të dokumenteve të gjykatës, Lieber akuzohet për deklarata të rreme ndaj një agjencie qeveritare. Prokurorët po ashtu kanë ngritur akuza ndaj një punonjësi të Universitetit të Bostonit se ka gënjyer në lidhje me punësimin për ushtrinë kineze, tha për median një zëdhënës i Departamentit të Drejtësisë.

Këto janë zhvillimet e fundit në vazhdën e një serie akuzash të ngritura nga qeveria amerikane ndaj disa akademikëve lidhur me marrëdhëniet e tyre me Kinën.

Prokurorët federalë akuzuan muajin e kaluar një student kinez të mjekësisë se ishte përpjekur të kontrabandonte jashë Amerikës ekzemplarë të kërkimeve për kancerin. Në gusht, po ashtu u ngritën akuza ndaj një studiuesi në Universitetin e Kansasit, se kishte refuzuar të bënte të ditura lidhjet me një unviersitet kinez. zëri i amerikës

Plani i Trumpit: Zgjidhje me dy shtete për konfliktin izraelito-palestinez

Presidenti Donald Trump publikoi të martën planin e tij të paqes Izraelito-Palestinez, gjatë një takimi në Shtëpinë e Bardhë me Kryeministrin e Izraelit Benjamin Netanjahu. Plani është rezultat i një pune tre vjeçare të këshilltarit të lartë të Presidentit, Jared Kushner, i cili është njëkohësisht edhe dhëndri i zotit Trump.

Përpara njoftimit të planit për paqe në Lindjen e Mesme zoti Trump ka zhvilluar takime me zotin Netanjahu dhe udhëheqësin e opozitës izraelite Benny Gantz për t’i njohur ata me përmbajtjen e tij.

Zoti Netanjahu e ka cilësuar planin si “mundësia e shekullit që nuk duhet humbur”. Zoti Gantz e quajti atë një “moment historik të rëndësishëm”.

Një zëdhënës i zotit Netanhaju tha se kryeministri izraelit do të nisej drejt Moskës të mërkurën për të njohur Presidentin rus Vladimir Putin mbi propozimin.

Ndërkohë të martën me mijëra palestinezë demonstruan kundër planit amerikan, disa orë përpara publikimit të tij në një ceremoni në Uashington.

Ndërsa udhëheqësit izraelitë e kanë mirëpritur planin, udhëheqësit palestinezë e kanë kundërshtuar atë edhe pse nuk është bërë ende publik. Ata thonë se administrata e zotit Trump është e njëanshme, pro Izraelit.

Palestinezët frikësohen se plani i zotit Trump do të shuajë shpresat që ata kanë për një shtet të pavarur në Bregun Perëndimor, në Gazë dhe në lindje të Jeruzalemit.

Ndërkohë të martën ndaj zotit Netanjahu është ngritur një padi zyrtare në gjykatë lidhur me akuza për korrupsion, një zhvillim që pasoi vendimin e kryeministrit izraelit për të hequr dorë nga një kërkesë e tij për të kërkuar imunitet parlamentar nga ndjekja penale. zëri i amerikës

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, bëri thirrje për një zgjidhje me dy shtete të konfliktit midis Izraelit dhe palestinezëve, gjatë prezantimit të planit të tij për Lindjen e Mesme.

Megjithatë ai tha se plani parasheh që Jerusalemi të mbetet kryeqytet “i pandarë” i Izraelit.

Presidenti amerikan shtoi se plani prej 80 faqesh, që është “më i detajuari” ndonjëherë, premton se shteti i ardhshëm palestinez do të jetë “i lidhur” me Jerusalemin Lindor.

Ai tha se marrëveshja do të “dyfishonte” territorin nën kontrollin e palestinezëve.

Palestinezët duan shtet të pavarur në Bregun Perëndimor dhe Gaza, me kryeqytet Jerusalemin Lindor.

Statusi përfundimtar i Jerusalemit ka qenë gjithmonë një nga pyetjet më të vështira dhe më të ndjeshme në konfliktin izraelito-palestinez.

Presidenti Trump gjatë një paraqitjeje së bashku me kryeministrin e Izraelit, Benjamin Netanyahu, tha se plani “mund të jetë mundësia e fundit” për palestinezët.

Netanyahu tha se është një plan i mrekullueshëm për Izraelin dhe për paqen.

Ai shprehu gatishmërinë të negociojë me palestinezët bazuar në këtë plan.

Konferenca e përbashkët e Trumpit dhe Netanyahut.

Konferenca e përbashkët e Trumpit dhe Netanyahut.

Kreu i opozitës izraelite, Benny Gantz, i cili gjithashtu u takua me Trumpin të hënën, e quajti planin “një moment historik dhe të rëndësishëm”.

Udhëheqësit palestinezë thonë se ata nuk janë ftuar në Uashington për prezantimin e “projektit të fshehtë të paqes” të presidentit Trump.

Mijëra palestinezë protestuan në Rripin e Gazës, kundër planit të paqes.

Megjithatë, të hënën, udhëheqësi palestinez, Mahmoud Abbas, tha se nuk do të pajtohej me ndonjë marrëveshje që nuk siguronte një zgjidhje dy-shtetesh.

Një zyrtar i lartë amerikan i ka thënë agjencisë Reuters, se nëse palestinezët pranojnë të negociojnë atëherë mund të ketë lëshime në të ardhmen.

Pikat kryesore të planit?

Agjencia Reuters ka publikuar disa pjesë kyçe të cilat i adreson plani i presidentit Trump:

* Statusi i Jerusalemit, duke përfshirë vendet historike të shenjta.

* Vendosja e kufijve me pajtim të dyanshëm.

* Arritja e marrëveshjeve të sigurisë që do të hiqte frikën e Izraelit nga sulmet e palestinezëve dhe fqinjëve armiqësorë.

* Kërkesa palestineze për shtetësi në territorin e Bregut Perëndimor, Rripin e Gazës dhe Jeruzalemin Lindor – të okupuar nga Izraeli në luftën e Lindjes së Mesme në vitin 1967. ( Palestinezët kërkojnë që Izraeli të largojë vendbanimet e tij në Bregun Perëndimor dhe Jerusalemin Lindor. Më shumë se 400,000 izraelitë tani jetojnë midis rreth 3 milionë palestinezëve në Bregun Perëndimor, me 200,000 banorë të tjerë në Jerusalemin Lindor).

* Gjetja e një zgjidhjeje për situatën e rëndë të miliona refugjatëve palestinezë.

* Marrëveshjet për të ndarë burimet natyrore, siç është uji.

Historiku i planit

Këshilltari i Shtëpisë së Bardhë, Jared Kushner, është autor kryesor i planit. Ai shpalli fazën e parë të planit në Bahrein gjatë muajit qershor 2019.

Faza e parë e planit bënte thirrje për një fond investimi 50 miliardë dollarësh për të forcuar ekonomitë palestineze dhe vendeve arabe fqinje.

Kushner ka punuar për dy vjet në këtë plan, të cilin presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump e ka quajtur “marrëveshje të shekullit”.

Prezantimi i planit vjen në kohën kur si presidenti amerikan, Donald Trump ashtu edhe ai izraelit, Benjamin Netanyahu, janë duke u përballur me akuza dhe procese gjyqësore.

Trump përballet me një proces gjyqësor për shkarkim në Senat ndërsa ndaj Netanyahut është ngritur akuzë për korrupsion.

Të dy mohojnë akuzat.

Trump dhe Netanyahu këtë vit përballen me fushatat e rizgjedhjes – Netanyahu në mars dhe Trump në nëntor.

Përgatiti: Kestrin Kumnova

Mitch McConnell dhe gjyqi për shkarkimin e Presidentit Trump

Kushtetuta amerikane kërkon që Senati të jetë përgjegjës për mbajtjen e një gjyqi për shkarkimin e presidentit. Por nuk thotë asgjë për mënyrën se si duhet të zhvillohet gjykimi. Ndërsa ekzistojnë disa rregulla që janë përcaktuar për këtë gjykim, drejtimi i tij më tej do të përcaktohet nga udhëheqësi i shumicës në Senati, Mitch McConnell.

Pas kësaj thirrjeje me fjalë të buta qëndron një realitet i vështirë: Mitch McConnell ka pushtetin të përcaktojë rrjedhën e gjyqit të fajësimit të Presidentit Donald Trump. Dhe McConnell është i njohur për kontrollin e vendosur të republikanëve.

U desh një jetë e tërë shtrëngimi duarsh, shkëmbime favoresh dhe fitore në zgjedhje që McConnell të arrinte qëllimin e tij të përjetshëm për të qenë udhëheqësi i shumicës së Senatit amerikan.

Lindur në Alabama, McConnell mposhti poliomielitin në fëmijëri para se të shkonte të jetonte në Kentucky kur ishte 14 vjeç. Në moshën 22 vjeçare, ai u bë praktikant në Senatin amerikan.

Rrugëtimi i McConnell për në krye të Senatit filloi në vitin 1984, duke mposhtur rivalin demokrat me rreth 5,000 vota, dhe duke u bërë i pari republikan që fitoi zgjedhjet në Kentucky në 16 vjet.

Zgjedhja si senator ishte qëllimi i tij i vetëm. Pasi mbërriti aty, McConnell i vuri syrin pozicionit udhëheqës. Përpjekjet e tij për të mposhtur përpjekjet e demokratëve për të kufizuar kontributet dhe shpenzimet në fushatë i dhanë ati një emër të mirë mes republikanëve.

“Askush nuk e njeh Senatin më mirë sesa Mitch McConnell. Ai ka qenë atje për një kohë të gjatë. I njeh nevojat dhe interesat e senatorëve të ndryshëm, veçanërisht në anën republikane”, thotë Darryl West me Institutin Brookings.

Kur republikanët ishin në pakicë, McConnell zotëroi rregullat e ndërlikuara të Senatit. Mes tyre: ai që njihet si filibuster, – procesi që lejon çdo senator të flasë në sallën e Senatit për aq kohë sa të jetë e mundur fizikisht, në përpjekje për të mos miratuar ose ndryshuar një ligj.

Mundësia e McConnell për të bllokuar përpjekjet e demokratëve u shpërblye nga republikanët e Senatit, të cilët e zgjodhën si drejtuesin e tyre në vitin 2007.

Kur demokrati Barack Obama u zgjodh president në vitin 2008, McConnell ishte vija e parë e mbrojtjes së republikanëve. Në vitin 2010, ai nuk maskoi qëllimin e qartë të republikanëve – duke bërë një deklaratë që e bëri zotin McConnell të famshëm në partinë e tij dhe duke nxitur një reagim të irrituar nga demokratët.

“Gjatë javës së kaluar, disa thanë se u tregova pa takt kur sugjerova që përparësia jonë kryesore politike gjatë dy viteve të ardhshme duhet të ishte mohimi i Presidentit Obama për një mandat të dytë”.

Obama fitoi rizgjedhjen, por McConnell përfundimisht pati fjalën e fundit në vitin 2016, kur refuzoi të caktonte një seancë apo votim për zgjedhjen e të emëruarit të Obamës, Merrick Garland për një post në Gjykatën e Lartë. Ky vend bosh – dhe shumë të tjerë në të gjithë sistemin e gjykatave federale – – u plotësuan pasi u zgjodh presidenti republikan Donald Trump.

Tani, Trumpi përballet me një gjykim për shkarkim në Senat. Si drejtues i shumicës, McConnell ka votat për të hartuar procedurat. Ai ka pranuar se po koordinon strategjinë me avokatët e zotit Trump, duke u thënë gazetarëve se “nuk është një gjykatës i paanshëm pasi ky është një proces politik”.

“Motivimi kryesor i McConnell është mbajtja e kontrollit të shumicës së Senatit nga republikanët. Pothuajse çdo vendim që ai merr është nga ai këndvështrim … “, thotë Darryl West.

Ndërkohë që disa senatorë republikanë përballen me fushata të vështira për rizgjedhje në shtete të tilla si Maine, Kolorado dhe Arizona, drejtimi i senatorit McConnell për politikën e gjykimit mund të përcaktojë nëse ai do të vazhdojë ta mbajë postin e ëndërrave të tij si drejtues i shumicës në Senat. zëri i amerikës

Dëshmia e John Boltonit mund të ndryshojë rrjedhën e gjyqit për shkarkim

Gjyqi për shkarkimin e Presidentit Donald Trump rifilloi të hënën mes njoftimeve për prova të reja që mund të ndryshojnë votën e senatorëve republikanë lidhur me dëshmitarët e mundshëm, nga fundi i kësaj jave. Sipas një artikulli në gazetën New York Times, ish-Këshilltari i Sigurisë Kombëtare, John Bolton ka pohuar se zoti Trump i ka thënë personalisht se e kishte kushtëzuar ndihmën për Ukrainën me një hetim të rivalëve të tij politikë. Kjo mund të jetë një pike kthese në çështjen për shkarkim.

Zoti Bolton – që prej kohësh është kërkuar si dëshmitar nga demokratët në Kongres – është vënë përsëri në qendër të përpjekjeve të tyre, pasi në një një libër ende të pabotuar të tij, pjesë të të cilit dolën në shtyp, pretendon se një dëshmi e tij do të konfirmonte akuzat për abuzim me pushtetin kundër Presidentit Trump.

“Jo vetëm që ka prova të mëtejshme që presidenti bllokoi ndihmën për të përfituar politikisht dhe kërkuar hetim, por duket se ka një përpjekje gjigande për të fshehur këtë të vërtetë mes kaq shumë njerëzve me peshë në Shtëpinë e Bardhë, që e dinin dhe nuk thanë asgjë, jo më të përpiqeshin ta ndalnin. Edhe nëse kishte ndonjë fije logjike në vendimin për të mos dëgjuar dëshmitarë dhe shqyrtuar dokumente, libri i zotit Bolton, e rrëzoi atë”, tha senatori Chuck Schumer, udhëheqës i pakicës demokrare në Senat.

Por në ditën e dytë të argumentave të ekipit të mbrojtjes së Presidentit, avokatët e tij, u morën vetëm indirekt me pretendimet e zotit Bolton.

“Ne merremi me provat e përfshira në transcript, me informacionin publik. Nuk merremi me spekullimet që nuk bazohen në standardet për provat”, tha Jay Sekulow, këshilltar ligjor i Shtëpisë së Bardhë.

Ndërsa presidenti i hodhi plotësisht poshtë.

“Mund t’u them se nuk i është thënë asgjë John Boltonit”, tha ai.

Por informacioni i ri duket se po i bën disa senatorë republikanë të jenë të hapur të votojnë për dëshmitarë.

“Medoj që ka gjithnjë e më shumë gjasa që republikanë të tjerë të bashkohen me ne që duam të dëgjojmë dëshminë e John Boltonit. Dëshmitarë ose dokumenta të tjera, është tjetër çështje por mendoj se është bërë e qartë se dëshmia e John Boltonit është e rëndësishme për vendimin tonë”, tha senatori republikan, Mitt Romney.

Do të duhej që katër senatorë republikanë të votonin me demokratët, që të miratohej pranimi i dëshmitarëve. Aleati i zotit Trump, Lindsey Graham tha se ishte i hapur për një mundësi të tillë. Shumica e senatorëve republikanë thanë se koha e përshtatshme për të konsideruar dëshminë e zotit Bolton do të jetë nga fundi i kësaj jave, kur të votojë gjithë senati për këtë çështje.

“Është e qartë që do ta diskutojmë seriozisht. Bëhet fjalë për të enjten ose të premten, pastaj të shohim se ç’do të ndodhë”, tha senatori republikan Mike Braun.

Një votim për të lejuar zotin Bolton si dëshmitar mund të hapte rrugën për zyrtarë të tjerë aktualë dhe të shkuar të administratës për të dëshmuar por republikanët ka gjasa që të kërkojnë dëshmitarët e tyre, përfshirë ish-nënpresidentin Joe Biden dhe të birin e tij, Hunter.

Puna e Hunterit në kompaninë ukrainase të gazit Burisma, është një nga çështjet e përmendura nga ekipi mbrojtës i zotit Trump, që ka përsëritur pretendimin kryesor se zoti Trump nuk ka bërë asgjë të gabuar.

“Presidenti gjatë gjithë kohës ka vepruar në përputhje me autoritetin e tij kushtetues dhe interesat ndërkombëtare. Të pyesësh një udhëheqës të huaj që të hetojë korrupsionin, nuk është shkelje detyre”, tha zoti Sekulow.

Argumentat hapëse në gjyq, pritet të përfundojnë deri të mërkurën, pasuar nga mundësia që senatorët të bëjnë pyetje për çështjen. zëri i amerikës

SHBA, në prag të planit për paqen izraelito-palestineze

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu dhe ish-shefi i ushtrisë Benny Gantz, sfiduesi i tij në zgjedhjet e parakohshme të marsit, zhvillojnë sot takime të ndara në Shtëpinë e Bardhë, ku presidenti Donald Trump pritej të ndante hollësi rreth planit të tij të shumëpritur për zgjidhjen e konflikti izraelito-palestinez.

Shpallja në publik e planit pritet të bëhet të martën gjatë një konference të përbashkët shtypi me pjesëmarrjen e Presidentit Trump dhe Kryeministrit Netanyahu.

Duke folur të hënën në Zyrën Ovale me kryeministrin Netanyahu, Presidenti Trump tha se plani i tij “ka shumë kuptim për të gjithë.”

Ai nuk pranoi të zbulojë hollësi dhe të shpjegonte se përse plani do të ishte i favorshëm për palestinezët, por tha se “është diçka që ata duhet ta dëshirojnë”.

Palestinezët nuk kanë pranuar të bisedojnë me administratën Trump, si protestë ndaj politikave pro-izraelite të presidentit, siç ishte zhvendosja e ambasadës amerikane nga Tel Avivi në Jeruzalem.

Palestinezët druajnë se plani do t’i shuajë shpresat e tyre për një shtet të pavarur në Bregun Perëndimor, Jeruzalemin Lindor dhe Rripin e Gazës. Udhëheqësit palestinezë thonë se ata nuk u ftuan nga Uashingtoni dhe se asnjë plan paqeje nuk mund të funksionojë pa pjesëmarrjen e tyre.

“Ata ndoshta nuk do ta pëlqejnë atë fillimisht,” tha Presidenti Trump. Por mendoj se në fund do ta pëlqejnë…. Është një plan shumë i mirë për ta. Në fakt është tepër i mirë për ta,” tha ai.

Ministria e jashtme palestineze tha në një deklaratë të dielën se asnjë Palestinez nuk do ta pranonte planin.

Presidenti Trump e ka reklamuar projektin e tij si “marrëveshjen e shekullit”, por hollësitë kanë mbetur të fshehta gjatë tre viteve punë për të arritur deri në shpalljen e tij. zëri i amerikës

Gjyqi në Senat, argumentet e republikanëve dhe aludimet e z. Bolton

Avokatët e Presidentit amerikan Donald Trump rifilluan të hënën mbrojtjen në gjyqin në Senat, ndërkohë që republikanët të cilët kanë aty shumicën, po përpiqen t’u përgjigjen akuzave të një ish këshilltari të sigurimit kombëtar që aludon se zoti Trump i kishte thënë se synonte të bllokonte ndihmën ushtarake për Ukrainën derisa Kievi të fillonte hetimet ndaj rivalit kryesor demokratik të presidentit.

Senatori Lindsey Graham, mbrojtës i vendosur i Presidentit Trump, u tha gazetarëve se do të mbështeste posedimin me mënyra ligjore të dorëshkrimit të librit të ri të zotit John Bolton, “Dhoma ku ndodhën ngjarjet”, për t’i bërë atij “një vlerësim dhe për të parë nëse ekzisojnë arsye që dorëshkrimi të hyjë në procesverbal.”

Aludimi i zotit Bolton se Presidenti Trump synonte që Ukraina të hetonte ish-nënpresidentin Joe Biden dhe djalin e zotit Biden para se ai të zhbllokonte 391 milion dollarët ndihmë me të cilat Kievi do të luftonte kundër separatistëve pro-rusë, minon një ndër argumentet kryesore të avokatësve mbrojtës, të cilët thonë se presidenti nuk ka gisht në ndonjë marrëveshje “më jep-të jap” me Ukrainën, pra ndihmë në këmbim të një hetimi me ngjyra politike.

Deri tani, demokratët që kanë pakicën në Senat, ishin duke zhvilluar një betejë të kotë për të bindur të paktën katër senatorë republikanë me të cilët të formonin një shumicë të thjeshtë për të kërkuar që zoti Bolton dhe zyrtarë të tjerë të Presidentit Trump të dëshmojnë lidhur me atë që dinë rreth ngjarjeve në prapaskenë të lidhura me Ukrainën.

Avokatët e zotit Trump thonë se nuk ka fakte të dorës së parë që të tregojnë se disa zyrtarë kanë folur drejtpërdrejt me presidentin për veprimet e tij në Ukrainë. Por zoti Bolton është takuar shpesh me presidentin deri sa ai e largoi atë shtatorin e kaluar nga posti i këshilltarit të sigurimit kombëtar.

Të hënën, ndërsa hapej dita e dytë e mbrojtjes së Presidentit Trump, avokati i tij Jay Sekulow u tha të 100 senatorëve që luajnë rolin e jurisë, se veprimet e presidenti “në çdo kohë” kanë qenë të ligjshme dhe brenda autoritetit të tij kushtetues.

Avokati mbrojtës i zotit Trump, Kenneth Starr e quajti Dhomën e Përfaqësuesve të drejtuar nga demokratët “një institucion që ka humbur drejtim” në nxitimin për të ngritur akuza ndaj udhëheqësit amerikan, duke bërë “plot shkelje të procesit themeltar” dhe duke e trajtuar padrejtësisht presidentin Trump.

Starr tha se në vend që të largojë zotin Trump nga detyra, Senati duhet ta lirojë atë nga akuzat dhe të “lejojë njerëzit të vendosin” fatin e tij në zgjedhjet e nëntorit, ku ai po kërkon një mandat të dytë në Shtëpinë e Bardhë. Avokati Starr ishte personi që drejtoi hetimin, i cili çoi në ngritjen e akuzave ndaj ish-Presidentit Bill Clinton në vitin 1998.

Senatori Mitt Romney nga shteti Juta, një republikan që mbështet thirrjen e dëshmitarëve, të cilët zoti Trump nuk i ka lejuar të dëshmojnë në proces, tha se ato që rezultojnë nga libri i zotit Bolton e bëjnë “gjithnjë e më të mundur” që më shumë senatorë republikanë të kërkojnë dëgjimin e dëshmitarëve.

Shumë republikanë të Senatit dhe zyrtarë të Shtëpisë së Bardhë mezi presin që zoti Trump të lirohet nga akuzat deri në fund të javës, përpara se të mbajë fjalimin për gjendjen e vendit javën e ardhshme. Thirrja e dëshmitarëve mund të zgjaste ndjeshëm gjyqin në Senat. zëri i amerikës

Trump: E “dërmuam plotësisht” çështjen e ngritur nga demokratët

Katherine Gypson

Presidenti Donald Trump tha të dielën se avokatët e tij “dërmuan plotësisht” çështjen që kanë ngritur demokratët kundër tij duke synuar shkarkimin nga detyra.

Një një postim në twitter pasi ekipi i tij ligjor mbylli ditën e parë të paraqitjes së argumenteve mbrojtëse Presidenti shkruante se “gjuetia e shtrigave është një ndërhyrje masive në zgjedhje që nuk është parë kurrë më parë“.

Ai sulmoi prokurorin kryesor të demokratëve, ligjvënësin Adam Schiff, duke e cilësuar atë si “politikan të korruptuar” dhe siç shtonte më tej ai “ndoshta një njeri shumë të sëmurë.

Ai (Schiff) nuk e ka paguar çmimin, për atë që i ka bërë vendit tonë!“, shkruante zoti Trump.

Zoti Schiff tha për televizionin NBC News se ai i sheh komentet e zotit Trump si një kërcënim.

Ai është një president i inatosur dhe hakmarrës dhe nuk kam asnjë dyshim për këtë”, tha zoti Schiff. “Dhe nëse mendoni ndryshe, mjaft të shihni postimet e tij për mua sot, ku shkruan se duhet të paguaj një çmim”, tha ai.

Java e parë e gjyqit ndaj Presidentit Donald Trump në Senat u mbyll të shtunën, ndërsa avokatët e presidentit filluan mbrojtjen e tij, duke argumentuar se Presidenti nuk kishte bërë asnjë gabim në komunikimet e tij me Ukrainën. Ekipi i avokatëve mbrojtës ka tre ditë kohë për të argumentuar para 100 senatorëve të cilët do të vendosin për largimin ose jo nga detyra të Presidentit Trump. Korrespondentja e Zërit të Amerikës Katherine Gypson sjell hollësitë.

Në një ditë të shkurtër të shpalosjes së argumenteve fillestare, të përshkruar si një prezantim paraprak, avokatët e Shtëpisë së Bardhë sulmuan nga fronte të ndryshme demokratët. Së pari ata e quajtën të pabazë akuzën për shkarkimin e Presidentit.

“Demokratët akuzuan presidentin se përdori ndihmat për sigurinë për të detyruar Presidentin (Voldymyr) Zelenskiy të njoftojë hapjen e hetimit (ndaj djalit të ish nënpresidentit Biden). Por si mund të jetë e mundur kjo kur ukrainasit nuk ishin në dijeni se ndihma e sigurisë ishte pezulluar? Nuk mund të ketë një kërcënim, nëse personi që po kërcënohet nuk e di. Nuk mund të ketë një ofrim të një favori, nëse favori nuk ekziston”, tha Mike Purpura, avokat i Shtëpisë së Bardhë.

Avokatëtë e Shtëpisë së Bardhë argumentuan se presidenti ka kompetenca të gjera për vendimmarrje.

“Mos rënia dakord me vendimet e presidentit për çështje të politikës së jashtme, ose mbi atë se nga kush i merr këshillat, nuk është një arsye për shkarkimin e tij”, tha avokati i Shtëpisë së Bardhë, Jay Sekulow.

Avokatët e Presidentit Trump kritikuan gjithashtu menaxherët e demokratë të gjyqit për hamendjet në lidhje me motivet e presidentit.

“Kjo është e rreme. Kjo nuk është thirrja e vërtetë. Kjo nuk është provë. Ky nuk është transkripti (i telefonatës)”, tha avokati Mike Purpura.

Demokratët thonë se problemi mund të zgjidhet me lehtësi nëse republikanët lejojnë paraqitjen e dëshmisë së dorës së parë që republikanët deri më tani kanë refuzuar ta bëjnë.

“Përshtypja ime e fortë nga dy orët e para është se çështja e sjelljes së dëshmitarëve dhe dokumenteve është bërë edhe më e rëndësishme”, tha senatori demokrat Tim Kaine.

Demokratët kanë kërkuar paraqitjen si dëshmitarë të disa zyrtarëve dhe ish zyrtarëve të administratës, duke përfshirë Ambasadorin John Bolton dhe Shefin e Personelit të Shtëpisë së Bardhë, Mick Mulvaney, i cili u tha gazetarëve vitin e kaluar se pezullimi i ndihmës ishte i lidhur me kërkesat e presidentit.

“Nëse kjo ishte me të vërtetë për luftimin e kurrupsionit nga Presidenti Donald Trump, atëherë pse e fshehu atë nga Kongresi? Pse nuk i thanë popullit amerikan se çfarë po bënin? Arsyeja që ata nuk e kanë njoftuar popullin Amerikan është sepse ishte një kërcënim i korruptuar për t’i ndihmuar ata që të vidhnin zgjedhjet”, tha ligjvënësi demokrat Adam Schiff, menaxher i gjyqit në senat.

Prezantimi dy orësh nga mbrojtja e Presidentit Trump dukej se kishte më shumë efekt tek republikanët sesa argumentet shumë më të gjatë të demokratëve.

“Për 23 orë nuk dëgjuam asgjë përveç disa vogëlsirave dhe një këndvështrimi të vetëm. Në këto dy orë, unë mendoj se ata bënë më shumë përparim sesa tërësia e asaj që ata na vunë, me male informacioni, gjëra të vogla dhe thjesht nuk arritën në pikën e duhur”, tha senatori republikan Mike Braun.

Gjyqi pritet të rifillojë të hënën me vazhdimin e paraqitjes së argumenteve nga avokatët mbrojtës të Presidentit.

Vdes në aksident ajror ylli i basketbollit Kobe Bryant

Ylli në pension i basketbollit Kobe Bryant ka humbur jetën pasi helikopteri me të cilin po udhëtonte u rrëzua në Calabasas të Kalifornisë të dielën në mëngjes, njoftoi agjencia e lajmeve TMZ.

Kobe Bryant po udhëtonte me të paktën tre persona të tjerë në helikopterin e tij privat kur zbriti në Calabasas, rreth 65 kilometra në veriperëndim të Los Angeles.

Sherifi i Qarkut në Los Anxhelosit shkruante në Twitter se pesë vetë humbën jetën pas rrëzimit të një helikopteri në Calabasas dhe se nuk kishte të mbijetuar. zëri i amerikës

Trumpi zotohet për publikim të planit për paqe në Lindje të Mesme

Presidenti amerikan, Donald Trump ka thënë se planifikon të prezantojë planin e tij për paqe në Lindje të Mesme më 28 janar, në ditën kur është raportuar se do të takohet me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu në Uashington.

“Ndoshta do ta prezantojmë planin pak para vizitës”, u ka thënë Trump gazetarëve teksa ishte nisur për në Florida, pas pjesëmarrjes në Forumin Ekonomik Botëror në Davos të Zvicrës.

“Është një plan fantastik. Është një plan për të cilin kemi punuar shumë”, ka shtuar ai.

Palestinezët, që nuk kanë qenë të ftuar në Shtëpinë e Bardhë në takimin me Netanyahun, kanë dënuar menjëherë këtë njoftim.

Nabil Abu Rudeineh, zëdhënësi i presidentit të Autoritetit Palestinez, Mahmoud Abbas, ka thënë: Ne e paralajmërojmë Izraelin dhe administratën amerikane që të mos kalojnë linjat e kuqe”.

“Ky hap vetëm rikonfirmon kundërshtimin tonë absolut të asaj çfarë ka bërë administrata amerikane deri tani, sidomos me njohjen e Jerusalemit si kryeqytet të Izrealit”, ka thënë zëdhënësi.

Palestinezët janë zemëruar edhe nga ajo që e konsiderojnë si qasje pro-izraelite e Trumpit, duke përfshirë vendimin për transferim të ambasadës amerikane në Izreal nga Tel Avivi në Jerusalem.

Palestinezët kërkojnë që Jerusalemi Lindor të jetë kryeqyteti i tyre në të ardhmen.

Izraeli ka aneksuar Jerusalemin Lindor dhe ka shpallur gjithë qytetin si kryeqytet, një hap që nuk është njohur nga komuniteti ndërkombëtar.

Trump po ashtu nuk ka përkrahur zgjidhjen me dy shtete për konfliktin disa dekadësh, një formulë ndërkombëtare që do të mund të rezultonte me funksionimin e shtetit palestinez dhe Izraelit.

Presidenti amerikan ka thënë se ka biseduar “shkurt” me palestinezët, të cilët sipas tij “kanë shumë motiv për të arritur marrëveshje”.

“Jam i sigurt se në fillim mund të reagojnë në mënyrë negative, mirëpo plani është shumë pozitiv për ata”, ka thënë Trump. rel

SHBA, kufizime për “turizmin e lindjeve”

Administrata e Presidentit Donald Trump publikoi të enjten rregulla të reja vizash që synojnë kufizimin e “turizmit të lindjeve”, një praktikë me të cilën gratë vijnë në SHBA për të lindur, në mënyrë që fëmijët e tyre të marrin shtetësinë amerikane.

Aplikantëve do t’u refuzohen vizat turistike nëse zyrtarët konsullorë përcaktojnë se ato synojnë të vijnë në SHBA kryesisht për të lindur. Por për zyrtarët do të jetë e vështirë të bëjnë dallimin nëse ato vijnë për shkaqe mjekësore apo për të lindur. Gratë me nevoja mjekësore do të trajtohen si të huajt e tjerë që hyjnë në SHBA për trajtim mjekësor dhe duhet të dëshmojnë se i kanë paratë për të paguar, përfshirë shpenzimet e transportit dhe të jetesës.

Praktika e udhëtimit në SHBA për të lindur është në thelb e ligjshme, megjithëse ka patur raste që autoritetet kanë arrestuar operatorët e agjencive të turizmit të lindjeve për mashtrime me vizat ose evazion fiskal.

Në rregulloren e re thuhet se Departamenti i Shtetit “nuk beson që vizitat në Shtetet e Bashkuara me qëllim kryesor marrjen e nënshtetësisë amerikane për një fëmijë, duke lindur në Shtetet e Bashkuara, janë një veprimtari legjitime për kënaqësi ose e një natyre rekreative”.

Administrata e Presidentit Donald Trump po i kufizon të gjitha format e imigracionit, por Presidenti Trump ka shprehur shqetësim të veçantë për çështjen e marrjes së nënshtetësisë me anë të lindjes. Sipas Kushtetutës amerikane, kushdo që ka lindur në SHBA konsiderohet shtetas amerikan.

Presidenti ka kërcënuar se do t’i japë fund kësaj praktike, por studiuesit ligjorë kanë thënë se kjo nuk është aq e lehtë për t’u realizuar. zëri i amerikës

SHBA, nis paraqitja e argumenteve në gjyqin ndaj Presidentit

Në Uashington, demokratët e Dhomës së Përfaqësuesve akuzuan të mërkurën Presidentin Donald Trump se vuri në lëvizje një “skemë korruptive” për t’i bërë presion Ukrainës që ajo të hetonte rivalin e tij politik, ish-nënpresidentin demokrat Joe Biden, me synimin mashtrues për të fituar zgjedhjet presidenciale të 2020-s.

Kongresmeni Adam Schiff u tha të 100 anëtarëve të Senatit që luajnë rolin e jurisë në gjyqin e presidentit se “Presidenti ka treguar që ai beson se është mbi ligjin dhe se i përbuz kufijtë që i njeh ligji.”

Demokratët kanë ngritur dy akuza ndaj Presidentit republikan Trump, me synim shkarkimin e tij në gjyqin që po zhvillohet në Senat.

Ligjvënësi Schiff, duke paraqitur në Senat argumentet e demokratëve kunër zotit Trump, tha se presidenti i 45-të i vendit kërkoi “ndihmë nga jashtë për të favorizuar politikisht veten e tij” në zgjedhjet amerikane.

Zoti Schiff është anëtari kryesor i grupit të Dhomës së Përfaqësuesve që luajnë rolin e prokurorëve në këtë gjyq. Ai tha se presidenti pezulloi 391 milion dollarë ndihma ushtarake të miratuara nga kongresi për Ukrainën, “një vend në luftë me Rusinë”, ndërsa i bënte presion Presidentit ukrainas Volodymyr Zelenskiy për të hapur hetime ndaj zotit Biden dhe djalit të tij Hunter në bordin e një kompanie ukrainase të gazit natyror.

Për këtë, tha zoti Sciff, “ai përdori fuqitë shtetërore që i ishin besuar vetëm atij,” dhe shtoi se veprimet e Presidentit Trump “shkelën betimin e tij të shenjtë ndaj detyrës”.

Ligjvënësi tha se presioni i zotit Trump ndaj Presidentit Zelenskiy ishte njëlloj si t’i kërkonte një udhëheqësi të huaj “të bënte punën e tij të ndyrë politike”, pasi në zgjedhjet e nëntorit do të përballet ndoshta me rivalin Biden, i cili është në krye të sondazheve të votuesve demokratë.

Gjatë 13 orëve debat që filloi të martën pasdite dhe përfundoi të mërkurën herët në mëngjes, demokratët humbën disa votime radhazi ndaj shumicës republikane të Senatit rreth çështjes nëse do të paraqiten në gjyq dokumente dhe dëshmitarë të tjerë.

Pasditen e së mërkurës ishte radha e demokratëve të dilnin në foltoren e Senatit për të paraqitur me hollësi argumentet e tyre rreth veprimeve të Presidentit Trump në Ukrainë. Kjo ishte e para nga tre seancat tetë-orëshe ku ata do të flasin për çështjen.

“Nuk ka asnjë mosmarrëveshje serioze në lidhje me faktet themelore,” tha zoti Schiff, duke shtuar se në vend të kësaj, avokatët e Shtëpisë së Bardhë që mbrojnë zotin Trump thjesht do të argumentojnë se ai nuk mund të hiqet nga detyra për abuzimin e pushtetit presidencial.

Para se të fliste në Senat, zoti Schiff u tha gazetarëve: “Faktet janë diskredituese dhe ne do t’i paraqesim ato në detaje të hollësishme.”

Të shtunën, avokatët e Presidentit Trump do të fillojnë mbrojtjen e tyre gjatë tre ditëve. Presidenti përballet me dy akuza: shpërdorim pushteti dhe pengim i përpjekjeve të kongresit për të hetuar veprimet e tij të lidhura me Ukrainën.

Demokratët argumentojnë se Presidenti Trump nuk kishte asnjë interes për të luftuar korrupsionin në Ukrainë, siç pretendojnë disa republikanë, përveçse ta bindëte Zelenskiy-n të shpallte hetime kundër zotit Biden dhe të birit të tij.

Pat Cipollone, avokat i Presidentit Trump

Pat Cipollone, avokat i Presidentit Trump

Avokatët e Presidentit thonë nga ana e tyre se ai thjesht po bënte politikë të jashtme, diçka legjitime për një president, prandaj duhet të lirohet menjëherë nga akuzat. Ata thonë se Dhoma e Përfaqësuesve nxitoi të ngrejë akuza për shkarkimin e zotit Trump me një proces të çalë, në të cilin presidenti nuk u trajtua në mënyrë të drejtë.

Ndërsa gjyqi zhvendoset tek thelbi i akuzave kundër zotit Trump, është pëothuajse e sigurt se Senati, me shumicë republikane, do ta nxjerrë atë të pafajshëm. zëri i amerikës

Trumpi do t’i bashkohet nismës për një trilion pemë

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, tha se SHBA-ja do t’i bashkohet nismës për një trilion pemë, të ndërmarrë në Forumin Ekonomik Botëror, në Davos të Zvicrës.

Trump i bëri komentet në hapje të Forumit, i cili po shoqërohet me thirrjet e aktivistëve për të ndërmarrë më shumë hapa për luftimin e ndryshimeve klimatike.

Me planin e shpallur, një trilion drunj duhet të mbillen këtë dekadë me kontributet financiare të bizneseve, qeverive dhe filantropëve.

Iniciativa synon t’i japë një impuls ripyllëzimit në mbarë botën, për të luftuar dioksidin e karbonit të tepërt në atmosferë, i cili, sipas shkencëtarëve, është përgjegjës për rritjen e temperaturave globale.

“Jam besimtar i madh i mjedisit. E dua ujin më të pastër dhe ajrin më të pastër”, tha Trump.

Trump iu adresua Forumit Ekonomik Botëror vetëm disa orë përpara se në Senatin e Shteteve të Bashkuara të nisë gjykimi i tij.

Trump akuzohet se i ka bërë presion Ukrainës për të hetuar një rival të tijin politik.

Dhoma e Përfaqësuesve e Shteteve të Bashkuara, e udhëhequr nga rivalët e tij demokratë, i ka ngritur akuzat formale kundër tij në muajin dhjetor. rel

Trump në Davos: SHBA, në mesin e një bumi ekonomik

Presidenti i SHBA Donald Trump përshëndeti arritjen e dy marrëveshjeve të mëdha tregtare dhe tha se amerikanët po “fitojnë përsëri si kurrë më parë”, ndërkohë që mbajti fjalimin e hapjes në Forumin Ekonomik Botëror në Davos të Zvicrës.

Fjalimi mbahet pak orë përpara se në Senatin e SHBA të fillojë në formën e plotë gjyqi rreth akuzave të ngritura nga demokratët e Dhomës së Përfaqësuesve që synojnë shkarkimin e tij.

Presidenti Trump bëri një përshkrim të atyre që i quajti fitore për punonjësit e shtresës së mesme dhe bizneset, përfshirë fazën e parë të një marrëveshjeje tregtare me Kinën dhe miratimin nga Senati të një marrëveshjeje të re tregtare me Kanadanë dhe Meksikën.

“Kur fola në këtë forum dy vjet më parë, ju thashë se kishim filluar rimëkëmbjen e madhe të Amerikës” tha Presidenti Trump. “Sot jam krenar të deklaroj se Shtetet e Bashkuara janë në mesin e një bumi ekonomik, të tillë që bota nuk ka parë kurrë më parë.”

Ai u bëri thirrje vendeve të tjera të ndjekin shembullin e tij dhe të çlirojnë qytetarët e tyre nga “burokracia shtypëse”.

Në agjendën e Presidentit Trump para kthimit në Uashington të martën pasdite ishin takimet me disa udhëheqës botërorë, mes të cilëve Presidenti i Irakut Barham Salih, Kryeministri pakistanez Imran Khan, Presidentja e Konfederatës Zvicerane Simonetta Sommaruga, Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen, si dhe presidenti i qeverisë rajonale të Kurdistanit, Nechirvan Barzani.

Në konferencën vjetore të Davosit janë ftuar më shumë se 3,000 pjesëmarrës, ndërkohë që numri i personelit ushtarak dhe policisë për masat e sigurisë arrin në 5,000.

Qindra protestues, disa të veshur me kostume të koalave për të rritur ndërgjegjësimin për zjarret shkatërruese në Australi, u drejtuan për në Davos duke marshuar përmes një shtegu malor dhe pastaj me tren, pasi autoritetet kanë ndaluar hyrjen në këmbë në këtë qytet alpin. Ata kërkojnë që udhëheqësit globalë në forum të tregohen më agresivë lidhur me ndryshimin e klimës.

Presidenti Trump foli gjithashtu mbi përqëndrimin te rritja ekonomike dhe kundërshtoi ata që i quajti “profetë të pesimizmit me parashikimet e tyre të apokalipsit”.

“Ata parashikuan një krizë të mbipopullimit në vitet ’60, uri masive në vitet ’70 dhe fundin e naftës në vitet 90. Këta alarmistë kërkojnë gjithmonë të njëjtën gjë: fuqi absolute për të dominuar, transformuar dhe kontrolluar çdo aspekt të jetës sonë. Ne nuk do t’i lejojmë kurrë socialistët radikalë të shkatërrojnë ekonominë tonë, vendin tonë ose të zhdukin lirinë tonë”, tha Presidenti Trump.

I pyetur për aktivisten e mjedisit Greta Thunberg, e cila do të hapte një debat për shmangien e një “apokalipsi klimatik” menjëherë pas fjalimit të Presidentit Trump, udhëheqësi amerikan tha se ishte njeri që besonte shumë te mjedisi dhe shtoi se dëshironte ajër dhe ujë të pastër. zëri i amerikës


Send this to a friend