VOAL

VOAL

Serbia rifillon blerjen e armëve nga Rusia

Sistemi i mbrojtjes raketore Pancir, që është dërguar nga Rusia në Serbi.

Milla Gjurgjeviq

Dy vjet pasi u paralajmërua se Serbia do të ndërpresë furnizimin me armë, zyrtarët janë duke kontraktuar dërgesa të reja nga Rusia.

Këto marrëveshje vijnë në kohën kur të gjithë sytë janë të drejtuar nga Moska dhe tensionet në kufi me Ukrainën, por edhe pas disa paralajmërimeve të Perëndimit për bashkëpunimin ushtarak të Serbisë me Rusinë.

“Furnizimi në fushën e mbrojtjes është vendim kombëtar” – kështu i komentuan në NATO paralajmërimet e Serbisë për furnizim me armë ruse.

Megjithatë, NATO bëri thirrje për ulje të tensioneve.

“Njëkohësisht, është me rëndësi që të gjitha palët të kontribuojnë në uljen e tensioneve në rajon dhe të kultivojnë paqe e stabilitet”, thuhet në deklaratën me shkrim të NATO-s, dërguar Radios Evropa e Lirë.

Aty theksohet se Serbia dhe NATO-ja janë partnere të afërta dhe se këtë vit u shënua 15-vjetori i anëtarësimit të Serbisë në Partneritetin për Paqe të NATO-s.

Serbia, siç kanë theksuar disa herë zyrtarët, është shtet ushtarakisht neutral, që nuk pretendon të anëtarësohet në NATO. Krahas bashkëpunimit ushtarak me Rusinë, Serbia bashkëpunon edhe me NATO-n përmes programit të Partneritetit për Paqe.

Krahas Kornetit edhe Panciri

Pas takimit me presidentin rus, Vladimir Putin, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, deklaroi më 25 nëntor se nga Rusia në Serbi do të arrijnë së shpejti pajisje të reja ushtarake.

“Fjala është për Kornet, respektivisht pengesa të lëshuara për Kornet dhe raketa Kornet për mjete anti-tank. Jashtëzakonisht të rëndësishme për terrenin tonë”, deklaroi Vuçiq.

Më shumë detaje për këto furnizime, shtatë ditë pas takimit të Vuçiqit me Putinin, dha ministri i Brendshëm i Serbisë, Aleksandar Vulin, pas takimit me ministrin rus të Mbrojtjes, Sergey Shoygu.

Ministria ruse e Mbrojtjes njoftoi se është rënë dakord për blerjen e sistemeve të reja të mbrojtjes kundërajrore (PVO) “Pancir S1” dhe raketave anti-tank “Kornet”.

Këto informata, megjithatë, nuk janë publikuar në njoftimin e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, lidhur me takimin Vulin-Shoygu.

Po në të njëjtën ditë, Ambasada e Ukrainës në Beograd njoftoi mediat për rritjen e pranisë ushtarake ruse në kufirin e Ukrainës.

Ndonëse në njoftim nuk përmendeshin furnizimet e reja të Serbisë me armatim rus, për të cilat njoftuan zyrtarët serbë, Ambasada e Ukrainës porositi qytetarët e Serbisë:

“Mos dëgjoni çfarë thotë Kremlini, shikoni çfarë bënë Kremlini”.

Në njoftim po ashtu përkujtohej aneksimi i Gadishullit ukrainas të Krimesë nga Rusia, në vitin 2014. Për këtë veprim, Rusia ende ndodhet nën sanksionet e Bashkimit Evropian dhe të SHBA-së.

Shormaz: Nuk na duhet bashkëpunimi me Rusinë për mbrojtje

Dragan Shormaz, deputet nga Partia Përparimtare Serbe (SNS) me në krye Aleksandar Vuçiqin, tha për Radion Evropa e Lirë se Serbia nuk ka nevojë të bashkëpunojë me Rusinë në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë, marrë parasysh se përcaktimi i saj strategjik është anëtarësimi në Bashkimin Evropian.

“Duhet ta përgatisim shtetin për këtë anëtarësim. Andaj, nuk na duhet bashkëpunimi strategjik me Rusinë”, tha Shormaz, i cili njëherësh është edhe shef i delegacionit të Parlamentit serb në Asamblenë Parlamentare të NATO-s.

Ai tha se furnizimi me armatim nga Rusia dhe Kina, bazuar në vlerë, është dukshëm më i vogël në raport me furnizimet nga shtetet anëtare të NATO-s.

“Kjo është imtësi, nuk është ndonjë furnizim i madh dhe nëse e shohim çfarë ndodhi në këto 20 vjetët e fundit, por edhe në një apo dy vjetët e fundit, del se me pajisje dhe gjithçka tjetër që i duhet Ushtrisë së Serbisë, furnizohemi më shumë nga SHBA-ja dhe shtetet anëtare të NATO-së, sesa nga Rusia dhe Kina”, tha Shormaz.

Ai pranoi se qëndrime të këtilla në partinë e tij kanë pak anëtarë. Në pyetjen nëse ka mirëkuptim brenda partisë, nga e cila vijnë ministra dhe zyrtarë që angazhohen për rikthim të politikës së jashtme serbe kah Rusia, Shormaz u përgjigj:

“Derisa askush nuk më kritikon, do të thotë se ka njëfarë pajtimi, nëse jo përkrahje”.

Shuma rekorde që ndahen për mbrojtje

Paralajmërimi për blerjen e armatimit të ri nga Rusia u bë dy vjet pasi që vetë presidenti serb tha se Serbia nuk do të furnizohet më me armatim.

“Do të ketë reforma shtesë të ushtrisë sonë. Do ta bëjmë akoma më mobile dhe më të shpejtë”, deklaroi Vuçiq më 3 dhjetor të vitit 2019, në prag të udhëtimit në Rusi për një takim me Putinin.

Mjetet e Serbisë për blerjen e armatimit të ri, ndërkohë, janë shtuar. Sipas të dhënave nga Rrjeti i Ballkanit për Siguri – portal i specializuar për mbrojtje dhe siguri – brenda këtij viti, “buxheti serb për mbrojtje, për herë të parë, tejkaloi shifrën prej 1 miliard eurosh”.

Në tre vjetët e kaluar, Ushtria e Serbisë bleu nga Rusia pesë helikopterë Mi-17V-5, katër helikopterë luftarakë Mi-35M dhe sistemin raketor PVO “Pancir S1”.

Në po kaq vite, nga Evropa, nga kompania “Airbus” u blenë pesë helikopterë H-145M.

Gjatë korrikut të vitit 2020, Serbia, mes tjerash, bleu nga Kina gjashtë fluturake pa pilotë CH-92A e më pas edhe sistemin mbrojtës raketor FK-3.

Çfarë po blen Serbia?

Sistemi rus raketor i artilerisë “Pancir S1” është i destinuar për mbrojtjen e objekteve nga operacionet e zbulimit dhe nga veprimet prej hapësirës ajrore.

Në vitin 2019, Serbia bleu një bateri nga Rusia, e cila përbëhet nga gjashtë sisteme. Së voni, një e tillë u përdor në luftën në Siri.

“Panciri” arriti në Serbi vitin e kaluar, në disa pjesë, që u kompletuan në mars.

Për herë të parë në territorin e Serbisë, “Pancir S1” hyri në tetor të vitit 2019. Krahas sistemit raketor rus S-400, ai u prezantua gjatë një manovre të përbashkët ushtarake ruso-serbe.

Edhe Brukseli, edhe Uashingtoni reaguan ndaj furnizimit të Serbisë me sistemin raketor rus.

Në një deklaratë për Zërin e Amerikës, më 25 shkurt, 2020, zëdhënësi i përfaqësuesit të lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri të Bashkimit Evropian, Peter Stano, tha se është e nevojshme që Serbia të harmonizojë politikën e saj të jashtme me politikën e bllokut evropian.

Në po të njëjtën ditë, Departamenti amerikan i Shtetit, në një përgjigje me shkrim për Zërin e Amerikës, u bëri thirrje aleatëve dhe partnerëve “që të heqin dorë nga transaksionet me Rusinë, që do të mund të çonin në sanksione, në bazë të Ligjit për ballafaqim me kundërshtarët amerikanë nëpërmes sanksioneve (CAATSA)”.

Se sa i kushtoi Serbisë “Panciri” është një informatë, të cilën autoritetet po e mbajnë në fshehtësi, njëjtë sikurse shumicën e armatimit që Serbia e siguron nga Rusia.

Po ashtu nuk dihet se me çfarë çmimi Serbia do t’i blejë nga Rusia raketat “Kornet”.

A është ushtria prioritet?

Redaktori i Rrjetit të Ballkanit për Siguri, Aleksandar Radiq, tha për Radion Evropa e Lirë se kur blihet armatimi, është e pamundur të shmanget konteksti politik.

“Dyshoj që këtu ekziston atmosfera e atillë që ushtria është prioritet i të gjitha prioriteteve dhe se vërtet ushtria e nevojat e saj janë motivi i vetëm, sepse deri më tani furnizimi me mjete ushtarake ishte i motivuar politikisht”, tha Radiq.

Sipas tij, vlera e furnizimit me mjete ushtarake nga partnerët perëndimorë i tejkalon ato me Rusinë dhe Serbia, në këtë aspekt, po tenton që të bëjë njëfarë barazie.

Pikërisht për shkak të bashkëpunimit me Rusinë, Serbia është në cak të kritikave nga Perëndimi, sepse si shtet kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, ajo nuk e ka harmonizuar ende politikën e saj të jashtme me atë evropiane.

Serbia refuzon që t’u bashkohet sanksioneve që BE-ja i ka vendosur ndaj Rusisë, për shkak të aneksimit të gadishullit ukrainas të Krimesë, në vitin 2014.

Për Dragomir Angjellkoviqin, analist politik nga Beogradi, rinovimi i marrëveshjes për furnizim me armë nga Rusia është logjik, sepse, sipas tij, “Serbia ka armatim rus në nivel dominues, respektivisht armatim të dikurshëm sovjetik”.

“Sipas mendimit tim, Serbia duhet të blejë mjete ushtarake nga shtetet që janë aleatë tonë në mbrojtjen e integritetit territorial, nga shtetet që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës dhe e përkrahin Serbinë sa i përket çështjes së mbrojtjes së Kosovës”, tha Angjellkoviq.

Çështja e Kosovës

Kosova shpalli pavarësinë në vitin 2008.

Rusia dhe Kina, të cilat janë anëtare të përhershme të Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, nuk e njohin pavarësinë e Kosovës.

I pyetur se si e komenton faktin se Serbia anon kah anëtarësimi në BE, derisa njëkohësisht thellon bashkëpunimin me Rusinë në fushën e mbrojtjes dhe vazhdon të blejë armë dhe mjete ushtarake nga Rusia, Angjellkoviq tha se Serbia nuk ka arsye që të ngarkohet me raportet mes Bashkimit Evropian dhe Rusisë.

“Do të ishte cinike që dikush që e njohu pavarësinë e Kosovës, të presë nga ne që të distancohemi nga Rusia, e cila po na ndihmon lidhur me Kosovën”, tha ai.

Rusia, aktualisht, është nën vëzhgim të vazhdueshëm të Uashingtonit dhe NATO-s, për shkak të tensioneve në raportet Moskë-Kiev.

Derisa Perëndimi e akuzon Rusinë se po përgatit pushtim të ri të Ukrainës, Moska e mohon këtë.

Zyrtarët e inteligjencës amerikane dhe figura të larta të ushtrisë ukrainase sugjerojnë se rreth 92 mijë ushtarë rusë tashmë janë vendosur në veri dhe lindje të Ukrainës dhe në Krime.

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, në një intervistë në konferencën Reuters Next më 1 dhjetor, paralajmëroi Rusinë që të mos përdorë dhunë kundër Ukrainës dhe shtoi se Moska e di që do të paguajë çmim të lartë përmes sanksioneve dhe hapave të tjerë të Perëndimit, nëse vjen deri te çfarëdo agresioni.

Përgatiti: Teuta Arifaj

Republika Sërpska diskuton për Kushtetutën e re

RFE/RL

Parlamenti i Republikës Sërpska (RS), më 10 dhjetor do të diskutojë rreth deklaratës me të cilën kërkon nga qeveria të përgatisë Kushtetutën e re të këtij entiteti në Bosnje e Hercegovinë (BeH). Kushtetuta e re parasheh bartjen e disa prej përgjegjësive të shtetit të BeH-së ndaj RS-së, si entitet.

Bartjen e disa prej përgjegjësive të cilat, sipas Kushtetutës dhe Marrëveshjes së Dejtonit i takojnë Bosnjës ndaj Republikës Sërpska, kohëve të fundit e kishte paralajmëruar anëtari i Presidencës së BeH nga Republika Sërpska, Millorad Dodik, pasi që në Bosnje me ligj u ndalua mohimi i gjenocidit.

Politikanët nga Republika Sërpska kundërshtuan këtë ligj, të cilin e kishte vendosur ish-Përfaqësuesi i Lartë për Bosnje e Hercegovinë, Valentin Inzko dhe filluan bllokadën e punës në institucionet shtetërore.

Në Deklaratën për parimet kushtetuese për të cilat do të diskutojë më 10 dhjetor Parlamenti i RS-së, kërkohet nga qeveria që të përgatisë tekstin “në të cilin do të konfirmohen të gjitha përgjegjësitë e Republikës Sërpska, përveç atyre të cilat me Kushtetutë i takojnë Bosnje e Hercegovinës”.

Në rend të ditës së seancës së veçantë janë informatat e posaçme rreth bartjes së përgjegjësive në fushën e institucioneve të drejtësisë së BeH-së, por edhe të mbrojtjes apo sigurisë.

Në dokument saktësohet që “të gjitha nenet e përcaktuara nga Përfaqësuesi i Lartë janë jokushtetuese”.

Parlamenti i RS-së, kah fundi i korrikut miratoi ligjin me të cilin u vendos që vendimi i ish-Përfaqësuesit të Lartë, Inzko rreth mohimit të gjenocidit të mos zbatohet.

Në Deklaratën tashmë të paraqitur në Parlament, përmendet se me Kushtetutën e re qyteti i Banja Llukës do të duhej të bëhej qyteti kryesor ndërkaq qyteti i Palles, kryeqytet.

Çfarë porositi Dodiku më herët?

Kërkesën për mbajtjen e seancës së veçantë në të cilën do të diskutohej rreth bartjes së përgjegjësive, më 8 nëntor e paralajmëroi anëtari i Presidencës së BeH nga RS, Millorad Dodik. Ai e bëri këtë paralajmërim pas takimit me partitë e koalicionit udhëheqës në Banjallukë dhe theksoi që pas shqyrtimit të informatave për bartjen e përgjegjësive do të përgatitet edhe plani i aksionit për kthimin e tyre në nivelin e RS-së.

Takimi i partive, u mbajt pas takimit të Dodikut me Gabriel Escobarin, zëvendës-ndihmësin e Sekretarit amerikan të Shtetit dhe të dërguarit të posaçëm për Ballkanin perëndimor në Sarajevë më 8 nëntor.

Pas bisedës me Dodikun, Escobar deklaroi që “është e hapur mundësia që të tërhiqen vendimet që solli dhe paralajmëroi Dodiku”, e të cilat kanë të bëjnë me bartjen e përgjegjësive nga niveli i BeH-së në nivelin e entitetit të RS-së.

Por, Dodik pohonte që takimi rrodhi ndryshe dhe se e njoftoi diplomatin amerikan se rreth bartjes së përgjegjësive debaton Parlamenti i entitetit.

Edhe me t’u kthyer nga Rusia më 4 dhjetor, Dodik deklaroi se do të vazhdojë me procesin e “bartjes së përgjegjësive”.

Më 20 tetor, Parlamenti i RS-së miratoi ligjin për ilaçet dhe mjetet medicinale që parasheh themelimin e Agjencisë së entitetit për ilaçe, e cila që nga viti 2009 vepron në nivel shtetëror.

Themelimi i agjencisë së këtillë nuk është në përputhje me Kushtetutën e BeH-së, pjesë e Marrëveshjes së Dejtonit nga viti 1995, me të cilin është definuar që entitetet nuk mund të marrin përgjegjësi të shtetit ose përgjegjësitë që janë në përputhje me Kushtetutë të bartura në nivel të shtetit.

Zhelka Cvijanoviq, presidente e RS-së, në tetor solli vendimin sipas të cilit për këtë entitet nuk vlejnë ndryshimet e Kodit Penal të BeH-së, me të cilin dënohet mohimi i gjenocidit dhe krimeve të tjera.

Në ndërkohë, Dodik paralajmëroi edhe bartjen e përgjegjësive kur bëhet fjalë për Forcat e Armatosura të BeH-së, Gjykatës Supreme dhe këshillin prokuroria si dhe Administratën për tatim të BeH-së.

Planet e Dodikut për “ligjin e ri për Ushtrinë e RS-së”

Më 7 dhjetor, Dodik paralajmëroi se tashmë është përpiluar edhe “ligji i ri për Ushtrinë e Republikës Sërpska dhe ligji për demilitarizim” nëse nuk do të ketë gatishmëri që të pranohet propozimi për “përgjysmimin e Forcave të Armatosura të BeH-së”.

“Nga Forcat e Armatosura të BeH-së nuk kemi asgjë, serbët atje nuk shkojnë, mungojnë 40 për qind e kroatëve e myslimanët duan që të plotësojnë kuotat. Buxheti i Bosnje e Hercegovinës ndahet më së shumti për Forcat e Armatosura dhe është rreth 187.9378 euro (370 milionë marka konvertibile) e që thënë sinqerisht nuk është kurrfarë ushtrie por vetëm shpenzues i madh”, tha Dodik gjatë qëndrimit në Beograd.

Sipas Kushtetutës së Bosnje e Hercegovinës, Republika Sërpska dhe Federata e BeH nuk munden individualisht të bartin përgjegjësitë të cilat në periudhën e shkuar u bartën ndaj shtetit.

Vdiq në autoburg – zbulohet letra e shqiptarit, ja çfarë i kërkonte drejtorit të burgut në Larisa

“Këtë vit mbarova 2 vite gjimnaz dhe duhet të kthehem në qeli dhe përditshmëria ime është shumë e mërzitshme për trurin tim”. Kjo është letra që ka shkruar Adem Rusi, i cili sipas autoriteteve vrau veten në furgonin e burgut.

Letra në fjalë është shkruar nga i riu në vitin 2017, ku i kërkonte drejtorit të burgut në Larisa, ku ai ishte në atë kohë, që të vazhdonte shkollën “Shkolla e një mundësie të dytë”.

Kujtojmë se letra në fjalë në atë kohë bëri xhiro në mediat greke, të cilat raportuan kërkesën e të riut, i cili kërkonte që të arsimohej. Mediat greke raportuan se shqiptari i kishte dhënë fund jetës duke u vetëvarur me lidhësen e këpucëve në furgonin e policisë së burgut.

Nga ana tjetër vëllai i viktimës, Shkëlqim Rusi deklaroi sot për mediat vendase se Ademi nuk ishte vetëvrarë, por akuzoi gardianët e burgut për vrasje.

Protesta në mbarë Serbinë, kundër planeve për një minierë litiumi

Marrë nga Associated Press

Mijëra protestues në Beograd dhe qytete të tjera në Serbi, bllokuan rrugët kryesore dhe urat të shtunën, për të kundërshtuar hapjen e planifikuar të një miniere litiumi, me gjithë paralajmërimet e policisë dhe një fushate frikësimi të autoriteteve kundër demonstruesve.

Protestuesit ndaluan trafikun në autostradën kryesore që kalon nëpër kryeqytetin serb. Në qytetin e dytë më të madh të vendit ballkanik, në Nish, rruga kryesore në qendër të qytetit u bllokua, siç u bllokua edhe një urë mbi lumin Danub, në qytetin verior të Novi Sadit.

Në këtë qytet, tifozë huliganë të futbollit hodhën gurë dhe shishe mbi protestuesit, të cilët u përgjigjën duke i ndjekur ata. Një huligan është rrahur rëndë. Në Beograd, persona të maskuar hodhën fishekzjarrë mbi protestuesit.

Policë në uniformë nuk ishin të dukshëm gjatë protestave dy orëshe, të cilat janë demonstratat më masive kundër qeverisë populiste në Serbi në shumë vite.

Kjo ishte protesta e dytë e tillë mbarëkombëtare e organizuar nga grupet për mbrojtjen e mjedisit mes pakënaqësisë në rritje të publikut me sundimin autokratik të presidentit serb, Aleksandar Vuçiç. Të shtunën e kaluar, protestuesit u përleshën me policinë dhe në një qytet persona të maskuar e të paidentifikuar i sulmuan me shkopinj dhe çekiç.

Grupet për mbrojtjen e mjedisit kanë kritikuar qeverinë populiste të presidentit Vuçiç, se nuk po e lufton mjaftueshëm ndotjen e përhapur në vendin ballkanik. Ata kundërshtojnë veçanërisht dy ligje të miratuara nga parlamenti, që ata i shohin si hedhje të themeleve për një minierë të litiumit nga kompania Rio Tinto në Serbinë perëndimore.

Në një veprim sfidues, presidenti Vuçiç injoroi të shtunën protestat dhe qëndroi në zonën ku kompania ndërkombëtare planifikon të fillojë gërmimet.

Presidenti Vuçiç dhe zyrtarë të tjerë serbë, i kanë denoncuar protestat dhe pretendojnë se ato financohen nga perëndimi për të destabilizuar vendin dhe për të sjellë opozitën në pushtet.

Shumë protestues u ankuan se oficerët e policisë u shkuan në shtëpi dhe i paralajmëruan se mund të përballeshin me pasoja ligjore dhe gjoba nëse merrnin pjesë në protesta. Veprimtarja Danijela Vujoviç, nga qyteti jugor i Nishit, tha se policia shkoi në shtëpinë e saj në mëngjes, për ta paralajmëruar se protestat paraqesin një “vepër kriminale”.

Policia përsëriti të shtunën paralajmërimin e saj se protestat janë të paligjshme dhe se organizatorët do të duhet të bartin të gjitha pasojat e mundshme. Policia po ashtu publikoi një numër të posaçëm telefoni dhe një adresë elektronike për këdo që donte të raportonte “dhunën e shkaktuar nga bllokadat”. VOA

Dodik takohet me Putinin, përmendet mundësia e dërgimit të Forcave Ajrore ruse në Bosnje

Anëtari i presidencës së Bosnje e Hercegovinës, Milorad Dodiku është pritur në një takim nga presidenti i Rusisë, Vladimir Putin.

Media boshnjake klix.ba shkruar se Dodik është duke kërkuar mbështetje nga Rusia për veprime të mëtutjeshme me qëllim kollapsimin e shtetit boshnjak përmes kërkesave për tranfer të kompetencave për “Republikën Serbe”, transmeton Gazeta Express.

Mediumi rus “Pravda” siç citon klix.ba, shkruan se Dodik ka arritur në Moskë në kulmin e konfliktit me Perëndimin, i cili nuk përjashton sanksionit ndaj Dodikut shkak i veprimeve të tij anti-shtetërore.

Ky mediun rikutjon se Dodik mbështetet në Rusinë dhe Kinën dhe se ai ka thënë tashmë që nuk i intereson për këcënimet për sanksione nga Perëndimi.

Tutje ky medium rus përmend edhe opsionin e ndihmës ruse për Republikën Serbe, dhe rikujton se Rusia mund të dërgojë forca ajrore në Bosnje e Hercegovinë sikur që kanë bërë në vitet e 90-ta, si kontigjent paqeruajtës ndërkombëtar. Ato forca ushtarake ruse ishin transferuar në Prishtinë në vitin 1999.

Lugina e Preshevës: Ragmi Mustafa: Serbia na e ndalon edhe flamurin, synon të na ndajë nga shqiptarët e tjerë

Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar në Serbi, Ragmi Mustafa, në një prononcim për emisionin A Show në Syri Tv të moderatorit Adi Krasta, foli për faktin sesi e priti Luginën e Preshevës ky 28 Nëntor.

Mustafa thekson se Serbia ka synuar dhe vazhdon që të synojë që të përçajë shqiptarët.

Ai shton se shteti serb është i vetmi vend në ish-Jugosllavi, që ndalon edhe flamurin shqiptar të valëvitet në Luginë.

“Serbia ka synuar përherë që të na ndajë nga shqiptarët e tjerë. Shteti serb është i vetmi vend në ish-Jugosllavi që ndalon flamurin.

E nga ana tjetër kërkon që flamuri serb të jetë në Kosovë dhe në Bosnjë, por ne i themi se ne jemi shqiptarë e autoktonë. Serbia mund të ndryshojë ligjet, por ne flamurin tonë kombëtar nuk e ndryshojmë dot”, deklaroi Mustafa.

Gjendet një peshore 1.600-vjeçare në rajonin e Detit të Zi

Karabük

Arkeologët turq kanë zbuluar një peshore çeliku të vjetër 1.600 vjet gjatë gërmimeve në një qytet antik në afërsi të Detit të Zi.

Qyteti Hadrianopolis në provincën moderne Karabük besohet se është përdorur si një vendbanim në periudhën e vonshme helenistike, romake, si dhe në periudhën e hershme bizantine.

Arkeologu i Universitetit të Karabük-ut, Ersin Çelikbaş, i cili mbikëqyr gërmimet në këtë lokalitet, për Anadolu Agency (AA) tha se gërmimet e sivjetme janë fokusuar në zbulimin e një strukture në formë të katrorit.

Peshorja e çelikut, e përdorur si kundërpeshë gjatë baraspeshimit, u zbulua në strukturën katrore, e cila gjatë gërmimeve u zbulua 50 metra në jug të një kishe të lashtë.

Çelikbaş tha se gjatë gërmimeve gjithashtu u zbuluan edhe maje të shigjetave dhe maska.

Ai tha se peshorja është në formë disku, ndërsa në mbishkrimin në të thuhet: “Theodoros, zyrtari përgjegjës i thesarit perandorak”, një mbishkrim që u tregon shkencëtarëve shumëçka për objektin e gjetur.

“Përgjegjës i thesarit perandorak”

Sipas arkeologut Çelikbaş, të qënit “përgjegjës i thesarit perandorak” nënkupton qendrën e Perandorisë Bizantine, respektivisht Stambollin, të njohur më parë si Kostandinopojë, para se qyteti të merrej nga osmanët në vitin 1453.

“Nga peshorja që kemi, mund të themi se kishte një rrjet të rëndësishëm tregtar në Hadrianopolis”, tha ai, duke shtuar: “Këto janë të dhëna të rëndësishme që vërtetojnë se këtu ishin furnizuar elemente tregtare nga kryeqyteti i perandorisë. Peshorja që ne kemi daton nga shekulli i katër i Erës Sonë, që nënkupton 1.600 vjet më parë”.

Gërmimet në Hadrianopolis gjatë vitit të fundit kanë zbuluar struktura të ndryshme, siç janë: Dy banja, kisha, një strukturë mbrojtëse, varre, një amfiteatër, një strukturë me hark dhe kube, një kamare monumentale e kultit, mure të qytetit, pallate, si dhe ndërtesa tjera monumentale.

Qyteti antik është i famshëm për mozaikët në dyshemetë e kishave, ku janë shfaqur lumenjtë biblikë: Pison; Gihon; Tigris; dhe Eufrati; si dhe shumë kafshë, siç janë kuajt, elefantët, panterat, drerët, por edhe krijesa legjendare grifin, me krye të shqiponjës dhe trup të luanit.

Çelikbaş, thotë se çdo objekt i luajtshëm që gjendet në qytetin ku bëhen gërmimet dërgohet në muzetë në provincat përreth, ndërsa ata edhe vendosen në katalogë dhe ruhen.

VIDEO – Ambasadori kroat në Tiranë: Ballkani i hapur legjitimon ‘botën serbe’

Kryetar bashkie gjatë luftës në moshën 36 vjeçare gjatë viteve 1990, politikan i bërë deputet, shkrimtar dhe diplomat i rangut të lartë e ambasador në Kosovë, Maqedoni e Veriut dhe Shqipëri në shekullin e 20-të. Shkurtimisht, kjo është përmbledhja e CV të ambasadorit të tanishëm të Kroacisë në Tiranë, Zlatko Kramariç.

Si lexues i rregullt i Albanian Daily News dhe kontributor i veçantë me biseda, opinione, dhe analiza gjatë detyrës së tij si ambasador në Tiranë, ishim kureshtarë të dinim se cila ishte e gjitha kjo lidhje e karrierës së tij nga viti 1990 deri 2021.

30 vjetori i tragjedisë së Vukovarit, kur anëtarët e Ushtrisë Popullore të Jugosllavisë dhe formacioneve paraushtarake serbe hynë brenda qytetit të shkatërruar pas tre muajsh shtetrrethim, u përkujtua si gjithmonë me pjesëmarrjen e autoriteteve më të larta të vendit.

Kjo ishte një shtysë më shumë që ADN të diskutonte me ambasadorin, Kramariç, si një prej politikanëve kryesor në Kroaci dhe kryebashkiak i Osijek gjatë artilerisë bombarduese të qytetit nga Ushtria Popullore Jugosllave, e cila ndodhi nga gushti i vitit 1991 deri në qershor të vitit 1992 gjatë luftës kroate për pavarësi, e cila hyri në histori si Beteja e Osijek (Në gjuhën kroate – Bitka za Osijek.)

‘E gjithë veprimtaria ime gjatë të gjithë karrierës sime ka qenë rezultat i tre zgjedhjeve, të cilat më kanë mundësuar të zbatoj një pozicion si nga jashtë ashtu edhe nga brenda. E di që është një kombinim i pamundur dhe kontradiktor, por kjo është pikërisht arsyeja përse mua më pëlqeu. Dhe e gjitha kjo veprimtari më bën një person të lumtur e të kënaqur,’ u shpreh ambasadori Kramariç duke nënkuptuar me mirësjellje se ka edhe më shumë se kaq.

Ai besonte se ‘Kriza Jugosllave’ do zgjidhej përmes mjeteve politike dhe jo ushtarake si vijimësi e asaj që po ndoshte pas rënies së Murit të Berlinit, kryebashkiaku i ri i Osijek, një qytet pranë Vukovarit, pa që politika e të fortit serb, Slobodan Miloseviç, ishte krijimi i Serbisë së Madhe, një Jugosllavi e re pa Sloveninë. ‘Ai vendim ishte thelbësor, vendimtar, sepse injoroi rezultatet e zgjedhjeve demokratike në Kroaci. Miloseviçit iu dha drita jeshile për planet e tij imperialiste,’ zbuloi Ambasadori.

Ai kujton se kur u përfshi Bashkimi Evropian në zgjidhjen e krizës në korrik të vitit 1991, përpjekjet e tyre ishin pa efekt. Ushtria jugosllave, bashkë me vullnetarët serb nga Serbia, Bosnja, Mali i Zi, dhe serbë vendas, po ndërmerrte veprime ushtarake duke sulmuar qytete kroate me qëllimin rrëzimin e qeverisë demokratike të Kroacisë, apo duke copëtuar ato pjesë të Kroacisë që i konsideronte ‘troje serbe.’ ‘Kështu që, është qesharake dhe e turpshme të flasësh për luftën në Kroaci si kategori e luftës civile,’ shprehet ambasadori, i cili thekson se, ‘është një luftë klasike imperiale për territore të huaja.’

I pyetur për iniciativën e Ballkanit të Hapur, ai u shpreh se është tejet e rëndësishme të kuptohet sa më parë, para se të jetë vonë, se të gjitha pasojat e mundshme politike që fshihen pas shprehjes së ‘sinqertë’: ‘Bota Serbe’ e cila me ngadalë por në mënyrë të sigurtë po legjitimizohet përmes iniciativës së Ballkanit të Hapur dhe me mbështetje ndërkombëtare.

Ambasadori tregohet i shqetësuar se situata politike në Ballkan nuk është e mirë dhe se rajoni mbetet ende një fuçi baruti. Nga ana tjetër, sipas tij, bashkësia ndërkombëtare, si rregulator, është e vonuar me reagimet e saj, e madje edhe kur reagon, reagimi është i papërshtatshëm.

Po e çon Bosnjën drejt konfliktit, Dodiku sfidon Perëndimin: Kam përkrahjen e Rusisë dhe Kinës

Anëtari serb i presidencës së Bosnjës Milorad Dodik është shprehur se ka ndihmën e presidentit rus Vladimir Putin dhe atij kinez Xi Jinping, në rast se ka probleme me përëndimin. Këtë deklaratë ai e dha për “The Guardian” në një kohë që po akuzohet se po nxit konflikt.

“Kur shkoj te Putini, nuk ka kërkesa. Ai vetëm thotë: ‘Me çfarë mund të ndihmoj?’. Për çfarëdo që kam folur me të, nuk jam mashtruar kurrë”, ka thënë Dodik.

Lexo Edhe:

Për Xi Jinping, ai gjithashtu thotë se, “Nëse ka ndonjë gjë me të cilën mund të ndihmoj, unë jam këtu”. Dodik është dënuar gjerësisht në javët e fundit për qëllimin e tij për të tërhequr pjesën serbe të Bosnjës nga institucionet shtetërore.

Propozimi u cilësua në një raport të OKB-së si një “ndarje” dhe një rrezik për Marrëveshjen e Paqes të Dejtonit të vitit 1995, e cila i dha fund luftës civile pas shpërbërjes së Jugosllavisë. Lufta kushtoi rreth 100,000 jetë.

Kjo marrëveshje paqeje krijoi një shtet, Bosnje Hercegovinën, të përbërë nga dy entitete, Federata e Bosnje Hercegovinës, e cila përbëhet kryesisht nga myslimanë e kroatë boshnjakë dhe Republika Serbe.

Presidenca tre-anëtare e Bosnjës mbahet nga përfaqësues të tre grupeve kryesore etnike.  Që nga viti 2017, Dodikut i është ndaluar të udhëtojë në SHBA, pasi ai sfidoi Gjykatën Kushtetuese të Bosnjës, duke organizuar një referendum për festimin e Ditës së Republikës Srpska, duke shënuar datën në vitin 1992 kur serbët e Bosnjës shpallën shtetin e tyre në Bosnje.

Referuar paralajmërimeve të Gjermanisë për sanksione financiare, ai tha se “Unë nuk jam indiferent, por nuk u zgjodha për të qenë frikacak”. Ai mohoi edhe një herë fajin për atë që po ndodh dhe për akuzat se dëshiron një konflikt në Bosnjë dhe se nuk dëshiron rënien e shtetit.

Serbia ua refuzoi kërkesën për vizitë në Luginë katër ministrave të Kosovës, reagon Shaip Kamberi

Ministri e Infrastrukturës, Liburn Aliu, ka njoftuar se Serbia ua ka refuzuar kërkesën për vizitë në Medvegjë, Bujanoc dhe Preshevë, atij dhe ministrave, Arbërie Nagavci, Hekuran Murati dhe Hajrullah Çeku, raporton Express.

Ndaj këtij vendimi ka reaguar deputeti shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi.

Kamberi ka shkruar në “Facebook”, se Serbia mbetet i vetmi vend në rajon që me ligj kufizon lirinë e përdorimit zyrtarë të simboleve kombëtare.

“Serbia nuk ka lejuar vizitën e sotme të katër ministrave të Qeverisë së Republikës së Kosovës në Luginë të Preshevës. Çfarë asimetrie të drejtash mes Luginës së Preshevës me serbët në Kosovë.  Serbia mbetet i vetmi vend në rajon që me ligj kufizon lirinë e përdorimit zyrtarë të simboleve kombëtare”, ka shkruar ai.

Postimi i plotë:

Serbia nuk ka lejuar vizitën e sotme të katër ministrave të Qeverisë së Republikës së Kosovës në Luginë të Preshevës. Çfarë asimetrie të drejtash mes Luginës së Preshevës me serbët në Kosovë.

Serbia mbetet i vetmi vend në rajon që me ligj kufizon lirinë e përdorimit zyrtarë të simboleve kombëtare.

Si pasojë e kësaj, Lugina e Preshevës, sot, në festën më të madhe kombëtare, mbetet rajoni vetëm i banuar me shqiptarë që nuk mundet lirshëm të realizojë të drejtën  dhe lirinë e përdorimit të simbolit kombëtar si pjesë të identittit kombëtarë.

Në këto rretha ndër më të rëndat nëpër të cilat po kalon, Lugina e Preshevës, ka nevojën si kurdoherë më parë për ndihmën shtetërore të  Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë.

S,ka moment tjetër për veprim, sot është nevoja, sot është edhe koha:

“Right Here, Right NOW”

Vuçiq takohet me Putinin në Soçi, biseduan rreth Kosovës

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq takon presidentin rus, Putin në Sochi, 25 nëntor 2021

 

RFE/RL

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, është takuar më 25 nëntor me presidentin rus, Vladimir Putin, në Soçi.

Temë e takimit ndërmjet presidentit serb, Vuçiq dhe presidentit rus, Putin ishin edhe çështje politike.

Presidenti rus deklaroi se sa i përket Kosovës, pozita e Rusisë është ‘parimore’.

“Sa i përket Kosovës, ju e dini që pozita e Rusisë është parimore dhe nuk nënshtrohet ndaj situatës aktuale politike. Ne e përkrahim pozitën tuaj, kur bëhet fjalë për zgjidhjen e problemit me Kosovën dhe shpresoj që do të zgjidhet duke ju përshtatur interesave të të gjithë njerëzve që jetojnë atje”, tha Putin.

Në anën tjetër, presidenti serb shprehi mirënjohje për përkrahjen e Rusisë në ruajtjen e integritetit territorial dhe sovranitetit të Serbisë.

“Siç e dini tashmë, në rajonin tonë jemi dëshmitarë të shtimit të provokimeve dhe tensioneve, sidomos në territorin e Kosovës”, tha Vuçiq.

Serbia nuk e njeh pavarësinë e Kosovës ngase e konsideron pjesë e territorit të saj dhe e quan ‘Kosovë e Metohi’. As Rusia nuk e pranon pavarësinë e Kosovës dhe voton kundër anëtarësimit të saj në OKB. Rrjedhimisht Serbia refuzon të imponojë sanksione ndaj Moskës, e që është kërkesë e Bashkimit Evropian.

Vuçiq e Putin dakordohen për gazin

Gjatë takimit, presidenti rus Putin i ka thënë presidentit serb që do të gjejë zgjidhje të pranueshme për çmimin e gazit rus për Serbinë.

“Mendoj që do të dakordohemi, dhe do të kërkojmë nga palët relevante që të kryejnë këtë punë. Sidoqoftë do të gjejmë zgjidhje e cila do të jetë e pranueshme për miqtë tanë serbë”, tha Putin në Soçi ku u takua me presidentin serb.

Në lidhje me këtë, Vuçiq deklaroi se raportet mes Serbisë dhe Rusisë janë në nivelin më të lartë sepse shtetet janë partnerë strategjikë, dhe se bashkëpunimi po vazhdon në të gjitha fushat.

Këtu përfshihet edhe bashkëpunimi ushtarako-teknik. Duke folur për këtë Putin theksoi se manovrat e rregullta të forcave të sigurisë ‘padyshim që u shërbejnë të dyja shteteve’.

Vuçiq qëndron në Rusi për vizitë njëditëshe, (25 nëntor) dhe siç ishte paralajmëruar, takimi me Putinin është mbajtur në katër sy.

“Secili takim me presidentin e Federatës ruse, Vladimir Putin, ka rëndësi të jashtëzakonshme për shtetin tonë”, shkroi presidenti serb në llogarinë e tij në Instagram, krahas një videoje në të cilën shihej duke u përshëndetur me Putinin në fillim të takimit mes tyre.

Vuçiq kishte deklaruar se do ta luste presidentin Putin për çmim më të arsyeshëm të gazit, e që në Serbi aktualisht paguhet 270 dollarë për 1 mijë metra kub.

Serbia në tërësi varet nga gazi rus. Marrëveshja me distributorin rus “Gazprom” do të skadojë në fund të vitit 2021, derisa në vazhdim janë negociatat për marrëveshje të re, e presidenti serb qysh më 15 tetor për transmetuesin publik serb kishte deklaruar që pala ruse propozoi çmim tri herë më të shtrenjtë krahasuar me atë aktual.

Takimi ndërmjet Vuçiqit dhe Putinit më 25 nëntor është i 19-i me radhë.

Vuçiq për herë të fundit ishte takuar me Putinin në qershor 2020, kur mori pjesë në paradën ushtarake në Moskë me rastin e shënimit të 75-vjetorit të fitores ndaj fashizmit në Luftën e Dytë Botërore.

Bullgaria vë sërish veton për Maqedoninë: Të ndahet nga Shqipëria

Bullgaria ju ka kërkuar zyrtarisht shteteve anëtare të BE-së që Shqipëria të ndahet nga Maqedonia e Veriut sa i përket procesit të integrimit.

Klan News raporton se Bullgaria kërkon që Shqipëria të gjykohet për meritat e saj dhe të vijojë rrugën drejt integrimit.

“Maqedonia e Veriut nuk plotëson ende kriteret për mbajtjen e Konferencës së parë Ndërqeveritare”, thuhet në një reagim të qeverisë bullgare.

Këtë propozim e ka bërë edhe Komisioneri për Zgjerimin, Oliver Varhelyi.

Vendimi për hapjen e negociatave me Maqedoninë e Veriut ka ngecur në Këshillin e BE-së, pasi Bullgaria ka vendosur veto për shkak të mospajtimeve që ka me Shkupin zyrtar.

Megjithatë me gjithë idenë e hedhur për ndarjen e dy shteteve për procesin e integrimit, disa shtete anëtare të BE-së kanë kundërshtuar që të hapen negociatat vetëm për Shqipërinë. syri.net

Atletja e njohur: Autobusit të Besa Trans nuk i punonin frenat, i korruptonin me nga 10 euro policët bullgarë

Atletja e njohur, Drita Islami, ka ndarë një përvojë nga një udhëtim me kompaninë “Besa Trans”, autobusi i së cilës u aksidentua dhe u përfshi nga flakët të martën në Bullgari, ku mbetën të vdekur 45 persona dhe u lënduan shtatë të tjerë, raporton Express.

Gjatë këtij udhëtimi, ajo thotë se policia e kishte ndaluar autobusin për kontroll teknik dhe se nuk e kishte kaluar testin për frenim dhe se freni i dorës nuk ishte në funksion fare.

“Në vitin 2019, kur më duhej të udhëtoja deri në Aeroportin e Sofjes, po kjo kompani ishte ajo prej së cilës bleva biletë. Mjeti i tyre transportues u ndalua nga policia për kontrollim teknik. Policia e kishte ndaluar edhe 2 her të tjera gjat të njejtës javë por e kishin lëshuar disi, por kësaj rradhe JO. Bashkë me pesë udhëtar të tjerë, ishim dëshmitar që ky mjet transporti i kësaj kompanie, nuk e kaloi testin për frenim‼️kurse freni i dorës nuk ishte në funksion fare ‼️”, ka shkruar Islami.

Tutje, ajo ka thënë se më pas u detyruan të vazhdojnë udhëtimin me një mjet tjetër privat. Edhe me ketë mjet, thotë se policia bullgare i kishte ndaluar disa herë për tejkalim shpejtësie, por se vozitësi i automjetit i korruptonte me vetëm 10 euro.

“Më pas, u detyruam të vazhdojmë udhëtimin me mjet tjetër privat, ja që vozitësi i këtij mjeti, në fakt, ishte vozitës “hua” i kësaj kompie në rast se mjetet e tyre nuk e kalojnë kontrollimin me sukses, transportohen me këtë mjet, vetur normale për 5 persona, kurse ne bashk me vozitësin ishim 7, i cili na rrezikoi jetët dona disa her gjat rruges, duke u ndaluar nga policia bullgare për tejkalim shpejtësie dhe i korruptonte me vetëm 10€ ‼️  Do të thotë, kjo kompani asnjëherë nuk ka tentuar t’i rregullojë problemet teknike të mjetëve të tyre, dhe nuk mban përgjegjsi për jetën e udhëtarëve. Po e paguajmë çmimin e mos të mbajturit përgjegjës njerëzit për gabimet e tyre, edhe atë me çfarë çmimi se!”, ka shkruar Islami.

Autobusi, i regjistruar në Maqedoninë e Veriut, është përfshirë nga flakët në një autostradë, në jugperëndim të Sofjes, mëngjesin e 23 nëntorit.

Hetimet për shkakun e zjarrit kanë nisur. Në mesin e viktimave janë gjithsej 12 fëmijë, përfshirë dy vëllezër binjakë nga 4 vjeç.

Shumica e udhëtarëve ishin turistë që ktheheshin nga një udhëtim në Stamboll të Turqisë. Shtatë persona kanë shpëtuar dhe janë dërguar me djegie në spital.

Maqedonia e Veriut ka shpallur tri ditë zie për viktimat. Ditë zie kanë shpallur edhe Kosova dhe Bullgaria.

Presidenti i Bullgarisë: Qeveria e re nuk duhet të bëjë lëshime ndaj Maqedonisë së Veriut

Presidenti aktual bullgar Rumen Radev, ka fituar një mandat të dytë pesëvjeçar, duke mundur kundërshtarin Anastas Gerdzhikov, në balotazhin e 21 nëntorit.

Në një deklaratë për mediat ai ka mbajtur një qëndrim të ashpër ndaj Maqedonisë së Veriut.

“Qeveria e re nuk do të bëjë lëshime nga pozitat nacionale kur bëhet fjalë për identitetin, historinë bullgare dhe të drejtat e bashkë-atdhetarëve tanë prapa kufirit”, ka thënë ai.

Ndërkohë sipas rezultateve zyrtare preliminare, 58-vjeçari Radev mori 66 për qind të votave ndërsa Gerdzhikov, rektor i Universitetit të Sofjes, fitoi 32 për qind.

Çfarë prodhuan zgjedhjet e treta parlamentare në Bullgari?

Presidenca e Bullgarisë ka rol kryesisht ceremonial, por Radev e ka transformuar rolin dhe ka qenë aktiv në luftën kundër korrupsionit. Bullgarët votuan më 14 nëntor edhe për zgjedhjen e parlamentit të ri. Ky proces zgjedhor është vlerësuar shumë i rëndësishëm pasi vendi anëtar i Bashkimit Evropian është i përfshirë në një krizë politike disamujore. Bazuar në rezultatet e zgjedhjeve parlamentare partia e re kundër korrupsionit “Ne Vazhdojmë Ndryshimin” doli e para, e pasuar nga partia e qendrës së djathtë GERB e ish-kryeministrit, Bojko Borisov. Bullgaria vlerësohet të jetë rrënuar nga korrupsioni që nga përmbysja e komunizmit më shumë se tre dekada më parë. Vazhdimisht ky vend kritikohet për korrupsion dhe liri të medias.

Këshilli i Evropës u bëri thirrje autoriteteve serbe të heqin muralin kushtuar Ratko Mladiçit

VOA

Piero Fassino dhe Ian Liddell-Grainger, raportues për Serbinë në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, u bënë thirrje autoriteteve serbe që të ndërmarrin veprime të qarta kundër “madhërimit të kriminelëve të dënuar të luftës dhe të largojnë, pa vonesë, një mural në Beograd kushtuar Ratko Mladiçit, i dënuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit”.

Në një komunikatë të përbashkët, ata u shprehën “të tronditur nga dështimi i autoriteteve – pavarësisht një vendimi të policisë komunale – për të hequr atë mural të vendosur në mënyrë të paligjshme dhe që Nisma e Rinjve për të Drejtat e Njeriut (YIHR), fituese e çmimit Václav Havel, u pengua të zhvillojë një demonstratë kundër muralit me 9 nëntor 2021, ndërsa ministria e Brendshme ju referuar ‘shkaqeve të sigurisë’”.

Me 9 nëntor, policia në Beograd arrestoi dy gra që hodhën vezë mbi një mural kushtuar të dënuarit për krime lufte dhe gjenocid, Ratko Mladiç, ndërsa më herët kishte ndaluar përpjekjet e grupeve për të drejtat e njeriut që të heqin muralin.

“Këto ngjarje na kujtojnë nevojën për të luftuar pa mëdyshje kundër glorifikimit të kriminelëve të dënuar të luftës. Akte të tilla dëmtojnë bashkëpunimin rajonal dhe pengojnë procesin e integrimit evropian të cilin e synon Serbia. Një shoqëri demokratike nuk mund të jetojë duke mohuar krimet e luftës dhe në një kulturë të urrejtjes dhe mosndëshkimit”, thuhet në komunikatën e raportuesve duke u bërë thirrje autoriteteve serbe të heqin pa vonesë muralet që lavdërojnë kriminelët e luftës.

Përplasjet dhe debatet rreth muralit, nxitën reagime të zyrtarëve amerikanë dhe evropianë.

Në qershor të këtij viti, Gjykatësit e Kombeve të Bashkuara vendosën të lënë në fuqi dënimin me burgim të përjetshëm për ish-komandantin ushtarak të serbëve të Bosnjës, Ratko Mladiç, për gjenocid, krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Zyrtarja e OKB-së: Mohimi i gjenocidit parandalon përparimin e shoqërisë

Alice Wairimu Nderitu, këshilltare speciale në OKB për parandalimin e gjenocidit. Beograd, 19 nëntor 2021.

RFE/RL

Serbia dhe shtetet e tjera të ish-Jugosllavisë duhet të bëjnë më shumë për të luftuar mohimin e gjenocidit dhe gjuhën e urrejtjes, nëse duan që shoqëritë e tyre të lëvizin përpara, tha për Radion Evropa e Lirë, Alice Wairimu Nderitu, këshilltare speciale e Kombeve të Bashkuara për parandalimin e gjenocidit.

Gjatë vizitës në Beograd, Nderitu tha se i takon elitave politike të shteteve që kanë përjetuar gjenocid që të vlerësojnë me saktësi të kaluarën dhe të pranojnë fajin, në mënyrë që të lejojnë brezat e rinj të shikojnë drejt së ardhmes.

“Përderisa ka një grup njerëzish me ndikim që mohojnë se gjenocidi ka ndodhur në Srebrenicë ose që gjenocidi ka ndodhur në Ruanda ose e mohojnë Holokaustin, vazhdon të jetë shumë e vështirë për shoqërinë që të lëvizë përpara”, tha ajo.

“Ata, gjeneratat e reja, duhet të shikojnë nga e ardhmja dhe të mendojnë në mënyrë pozitive për të ardhmen”, tha Nderitu.

Duke iu referuar muralit të komandantit të serbëve të Bosnjës, Ratko Mlladiq, Ndaritu tha se një mural i tij nuk do të duhej të bëhej fare.

Mlladiq, 79 vjeç, kishte udhëhequr forcat serbe të Bosnjës në luftën në Bosnje në vitet 1992-95. Ai është dënuar nga Gjykata Ndërkombëtare për Krime Lufte për vrasjen e mbi 8,000 burrave dhe djemve myslimanë në qytetin lindor të Srebrenicës.

Mlladiq është i dënuar me burgim të përjetshëm për gjenocid, krime lufte dhe krime kundër njerëzit. Më 2017 ai kishte apeluar dënimin, por tribunali me seli në Hagë, në qershor të këtij viti, hodhi poshtë ankesën e tij.

Por, shumë persona në Serbi ende e shohin Mlladiqin si hero të luftës, dhe një mural me portretin e tij, që u shfaq një muaj më parë në fasadën e një ndërtese në qendër të Beogradit, ka nxitur tensionet ndërmjet mbështetësve të tij dhe personave që e kundërshtojnë atë.

Që atëherë, murali është ngjyrosur disa herë, por shpejt është kthyer në gjendjen origjinale.

“Mendoj se murali i dha vëmendje Serbisë, por për arsye të gabuara”, tha Nderitu.

“Pse dikush do të dëshironte ta kishte atë mural? Ne duhet të shkojmë përtej dhe të pyesim pse njerëzit duan të identifikohen me Ratko Mlladiqin, aq shumë sa janë në gjendje ta mbrojnë muralin dedikuar atij”, tha ajo.

Zyrtarja e OKB-së dhe se problem thelbësor vazhdon të jetë vullneti i politikanëve për të toleruar mohimin e gjenocidit dhe glorifikimin e kriminelëve të luftës.

“Është e nevojshme që të merremi me narrativë të tillë nga e kaluara, të luftojmë gjuhën e urrejtjes dhe mohimin e gjenocidit. Problemi kryesor është pikërisht ky: mohimi i gjenocidit dhe glorifikimi i kriminelëve të luftës”, tha Nderitu për Radion Evropa e Lirë.

Sulmohet Çedomir Jovanovic në aeroportin e Beogradit

Makina e politikanit liberal serb, Cedomir Jovanovic, është sulmuar nga persona të panjohur në  parkingun e aeroportit “Nikola Tesla” në Beograd, trasnmeton Gazeta Express.

Siç raportojnë mediat serbe, Jovanovic e kishte parkuar makinën përpara aeroportit derisa ishte duke e pritur djalin e tij teksa kthehej nga Britania e Madhe, meqë si familje do të festonin një festë që kremtohet të dielën.

Kur ishte kthyer bashkë me të birin, Jovanovic kishte gjetur makinën e tij të thyer dhe një grup të rinjsh e kishin fyer . Pas kësaj, politikani serb kishte njoftuar menjëherë policinë.

Siç shkruan “mondo.rs”, ky grup i të rinjve e kishin fyer Jovanovicin me fjalët “e ke shitur Serbinë”, Këta të rinj ishin kujdesur që të mos identifikohen dhe kishin larguar edhe tabelat e makinës së tyre.

Një hetim ka filluar dhe të gjitha kamerat po analizohen.

Kroaci, mijëra njerëz në kortezhin e përkujtimit të viktimave të Vukovarit

Vukovar

Dita përkujtimore e viktimave të Vukovarit me rastin e 30-vjetorit të rënies së qyteti kroat shënohet me një sërë ngjarjesh, e njëra prej tyre është edhe kortezhi përkujtimor, raporton Anadolu Agency (AA).

Këtë vit, kortezhi përkujtimor, i organizuar në përputhje me masat epidemiologjike, udhëhiqet nga anëtarët e familjeve të të vrarëve dhe të zhdukurve, veteranët kroatë të luftës, presidenti i Kroacisë, Zoran Milanoviç, kryeministri Andrej Plenkoviç dhe kryeparlamentari kroat Gordan Jandrokoviç.

Këtë vit, në mesin e pjesëmarrësve është edhe anëtari i Presidencës së Bosnjë e Hercegovinës (BeH), Shefik Xhaferoviç.

Programi përkujtimor filloi me tubimin e përfaqësuesve të shoqatave të veteranëve dhe kreut shtetëror para Spitalit Memorial Kombëtar Vukovar, ku u mbajt programi i veçantë i quajtur “Vukovari – vend i patriotizmit me pietet të veçantë”.

Kortezhi dinjitoz u nis përpara Spitalit Memorial Kombëtar të Vukovarit, ku refugjatët ikën në vitin 1991. Pjesëmarrësit e kolonës duhet të kalojnë rrugën 5.5 kilometra për rreth dy orë. Kolona e përkujtimit do të përfundojë në Varrezat Përkujtimore të viktimave të Luftës, ku do të bëhet lutja për viktimat e Vukovarit, në krye me Imzot Gjuro Hraniç, kryepeshkop dhe mitropolit i Osjekut.

Pjesëmarrësit në kortezhin përkujtimor, përfshirë edhe kreun shtetëror, do të vendosin kurora me lule në varreza dhe më pas Imzot Ivan Shashko, peshkop ndihmës i Zagrebit, do të udhëheqë Eukaristinë solemne.

Dita përkujtimore për viktimat e Luftës kroate dhe Dita përkujtimore për viktimat e Vukovarit dhe Shkabërnjës është një manifestim kombëtar që shënohet në Kroaci më 18 nëntor në kujtim të ditës kur u thye mbrojtja e qytetit të Vukovarit në vitin 1991, gjatë masakrës në Shkabërnje mbrojtësit treguan heroizmin e tyre në Saborsko, Slunj, Cetingrad dhe Rakovica.

Kjo ditë përkujtohet në kujtim të rënies së Vukovarit më 18 nëntor 1991, nën kontrollin e forcave okupuese të formacioneve paramilitare serbe dhe të Armatës Popullore Jugosllave (APJ). Rrethimi dhe beteja për Vukovarin zgjati tre muaj, nga 24 gushti deri më 18 nëntor 1991. Qyteti, i cili u shndërrua në një gërmadhë në kohën kur ra në duart e APJ-së, u mbrojt nga afër 1.800 pjesëtarë të forcave kroate. Linja e mbrojtjes ishte dhjetë kilometra e gjatë.

Në luftime u vranë midis 2.900 dhe 3.600 njerëz. Sipas spitalit të Vukovarit, 1.624 civilë dhe pjesëtarë të Ushtrisë Kroate u vranë ndërsa 1.219 u plagosën. Më shumë se 22 mijë banorë të paraluftës mbetën të pastrehë dhe u dëbuan.

Së bashku me viktimën e Vukovarit, përkujtohet edhe kujtimi i masakrës së 43 civilëve kroatë në Shkabërnjë, të kryer në të njëjtën ditë të vitit 1991.

Shtatë vjet pas rënies, Vukovari u riintegrua paqësisht. Qyteti, i cili kishte më shumë se 44 mijë banorë para luftës, tani ka pak më shumë se 27 mijë banorë.

Gjykata Ndërkombëtare Penale për ish-Jugosllavinë (GJNPJ) në Hagë dënoi Mile Mërkshiç, një nga komandantët e njësive të APJ-së, me 20 vjet burg për vrasje dhe torturë dhe Veselin Shljivançanin me 10 vjet burg për torturë, por u lirua nga akuzat për gjenocid dhe shfarosje të popullatës joserbe ndërsa Miroslav Radiç u lirua nga akuza.

Sllavko Dokmanoviç, kryetari i Kuvendit Komunal të Vukovarit në kohën e luftës, gjithashtu u padit dhe u arrestua, por ai kreu vetëvrasje para se të jepej vendimi në vitin 1998. Krimet në Vukovar ishin pjesë e aktakuzës kundër ish-presidentit serb, Sllobodan Millosheviç, i cili nuk priti vendimin për shkak se vdiq në paraburgimin e Gjykatës së Hagës në vitin 2006.

Vojisllav Sheshel, lideri i “Shqiponjave të Bardha”, u lirua nga GJNPJ nga akuzat për krime kundër njerëzimit dhe shkelje të ligjeve apo zakoneve të luftës, përfshirë dhe konfliktet në Vukovar.

Rritet shqetësimi për zhvillimet në Ballkan, Perëndimi shqyrton mundësinë e sanksioneve

Jamie Dettmer

Kërcënimet e për shkëputje të Republikës Serbe nga Bosnja dhe riarmatosja e Serbisë kanë rritur shqetësimet se Ballkani mund të shkojë drejt konfliktit.

Kërcënimet nga udhëheqësi i Republikës Serbe, Milorad Dodik, për shkëputje nga Bosnja dhe Hercegovina, po shtojnë shqetësimin në rritje rajonal dhe ndërkombëtar për zhvillimet në Ballkan.

Kërcënimet e zotit Dodik, të kombinuara me një program të madh të riarmatosjes nga Serbia fqinje po ushqejnë shqetësimet se Ballkani mund të shkojë drejt konfliktit.

Serbia filloi negociatat muajin e kaluar me Izraelin për blerjen e raketave antitank dhe disa zyrtarë të Bashkimit Evropian dyshojnë se Beogradi mund të jetë në proces të vendosjes së kontakteve me Ankaranë për të diskutuar blerjen e llojit të dronëve të armatosur të prodhimit turk të përdorur në mënyre efektive nga Azerbajxhani në luftimet e fundit me Armeninë.

Presidenti serb Aleksandar Vuçiq thotë se fqinjët e tij ballkanikë nuk duhet të shqetësohen nga riarmatosja, të cilin ai e konsideron si një përmirësim të forcave të armatosura të vendit të tij dhe thotë se Beogradi nuk ka qëllime për të ndërmarrë sulme. Në fillim të këtij viti, ai tha: “Të gjithë po riarmatosen, edhe ne do të riarmatosemi. Nëse të gjithë të tjerët e bëjnë atë, edhe ne duhet ta bëjmë këtë.”

Alarmi në rritje

Por fqinjët e Serbisë janë të shqetësuar nga programi i saj i riarmatosjes, i cili ka çuar në rritjen me 70 për qind nga Beogradi të shpenzimeve në fushën e të mbrojtjes që nga viti 2015. Dhe ata mendojnë se kjo po bëhet në frymën e retorikës nacionaliste në rritje të zotit Vuçiç.

Beogradi ka ofruar gjithashtu mbështetje të fortë politike për zotin Dodik.

Javën e kaluar Christian Schmidt, Përfaqësuesi i Lartë për Bosnje-Hercegovinën, paralajmëroi Këshillin e Sigurimit të OKB-së se Ballkani i dëmtuar nga lufta po përballet me kërcënimin e tij më të madh që nga spastrimi etnik dhe luftërat e fillimit të viteve 1990. “Perspektivat e ndarjes dhe konfliktit të mëtejshëm janë shumë reale”, tha ai.

Ai i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar që të frenojë çdo veprim separatist të kërcënuar nga serbët e Bosnjës.

Alarmi po rritet edhe në kryeqytetet e Evropës Perëndimore, me zyrtarët që vunë në dukje se blerjet e armëve nga zoti Vuçiç i kanë shërbyer thellimit të marrëdhënieve të Serbisë me Kinën dhe Rusinë, e cila është simpatizuese e ambicieve të zotit Dodik për shkëputjen e Republikës Serbe nga Bosnja dhe bashkimin e saj me Serbinë.

Sipas zyrtarëve britanikë, Sekretarja e Jashtme e Britanisë, Liz Truss, e ka vendosur Ballkanin në rendin e ditës për takimin e muajit të ardhshëm të ministrave të jashtëm të NATO-s në Riga. Gjermania ka ushtruar presion ndaj vendeve anëtare të BE-së për të përgatitur sanksione kundër zotit Dodik. Ministri i Jashtëm gjerman, Heiko Maas tha të shtunën se Berlini dëshiron të shohë “masa (sanksione) individuale kundër atyre që vënë në dyshim integritetin territorial” të Bosnjës.

Maas shtoi: “Ne nuk mund të pranojmë vazhdimin e kësaj politike të papërgjegjshme pa ndërmarrë veprime”. Ai akuzoi Republikën Serbe se po “punon në mënyrë aktive për të shkatërruar Bosnjën dhe Hercegovinën si një shtet të tërë”.

Ish-Sekretari i Jashtëm britanik, William Hague paralajmëroi të martën se “Historia ka treguar shumë herë se ne e neglizhojmë Ballkanin Perëndimor në dëm të interesave tona”. Në një artikull për për gazetën The Times, ai tha “Për vite të tëra, udhëheqësi i Republikës Serbe, me shumicë serbe, Milorad Dodik, ka minuar shtetin e Bosnje-Hercegovinës me mbështetjen aktive ruse dhe serbe. Në javët e fundit gjendja është bërë e rëndë. Dodik po i afrohet shkëputjes nga Bosnja”.

Mosmarrëveshjet e pazgjidhura

Ai dhe të tjerët kanë frikë se mosmarrëveshjet e pazgjidhura nga luftërat e viteve 1990 në ish-Jugosllavi dhe tensionet e ndezura midis Kroacisë, e cila gjithashtu është duke u riarmatosur, dhe Serbisë po rrezikojnë stabilitetin në Ballkanin Perëndimor. Ne mesin e këtyre problemeve në Ballkan janë edhe mosmarrëveshjet për statusin e Kosovës, ish-provincës serbe, e cila shpalli pavarësinë në vitin 2008, pas një lufte që shkaktoi vrasjen e më shumë se 13,000 njerëzve, kryesisht shqiptarë.

Bisedimet e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian që synojnë normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës rifilluan kohët e fundit, por një mosmarrëveshje ndërkufitare në shtator, e nxitur nga vendimi i kryeministrit të Kosovës Albin Kurti për të mos njohur targat serbe të makinave, bëri që Beogradi të dislokonte tanke në kufirin e tij me Kosovën.

Udhëheqësi serb i kërkoi komunitetit ndërkombëtar të ndërhyjë dhe paralajmëroi se nëse nuk e bën këtë, “ne do të dimë si ta mbrojmë vendin tonë, nuk ka dyshim për këtë”. Qindra serbë të Kosovës mbyllën një rrugë kyçe kufitare dhe zyrtarët e Kosovës dërguan njësi policore shtesë për të mbrojtur pikën kufitare.

Por komentet e zotit Dodik për shkëputje janë shqetësimi më i madh për fuqitë perëndimore, thonë diplomatët amerikanë dhe evropianë. Ata kanë frikë se përpjekja e zotit Dodik për të shkëputur Republikën Serbe nga Bosnja, do të mund të shkaktonte një konflikt të ri në Ballkan, cili do të mund të rindezte shumë lehtë konfliktin midis Serbisë dhe Kroacisë, si dhe atë midis Serbisë dhe Kosovës, duke e zhytur Ballkanin Perëndimor përsëri në një luftë të ashpër ndëretnike, të ngjashme me atë të viteve 1990 që çoi në shpërbërjen e Jugosllavisë.

Marrëveshja e Dejtonit e ndërmjetësuar nga Shtetet e Bashkuara në vitin 1995 e bëri Bosnjën një shtet multietnik nën protektoratin ndërkombëtar, me marrëveshje komplekse kushtetuese për ndarjen e pushtetit midis tre grupeve kryesore etnike që e përbëjnë atë. Ajo ka dy entitete gjysmë autonome: Federatën e Bosnje-Hercegovinës (të përbërë nga boshnjakët dhe kroatët) dhe Republikën Serbe. Por udhëheqësi i Republikës Serbe, Milorad Dodik ka kërcënuar se do të tërhiqet nga institucionet e nivelit shtetëror të Bosnjës, duke përfshirë ushtrinë dhe ka militarizuar policinë e tij, e cila mund të shërbejë si një forcë ushtarake e serbëve të Bosnjës.Ai ka thënë gjithashtu se dëshiron të krijojë një gjyqësor të veçantë.

62-vjeçari Dodik muajin e kaluar paralajmëroi se do të përshpejtojë planet e tij të shkëputjes nga Bosnja, nëse ndaj tij vendosen sanksione nga vendet perëndimore. Sipas informacioneve të rrjedhura, zoti Dodik i ka thënë Zv/Ndihmës Sekretarit të Shtetit për Evropën Jugore dhe Qendrore, Gabriel Escobar në lidhje me sanksionet: “Nëse doni të flisni me mua, atëherë mos më kërcënoni”.

Milorad Dodik ka paralajmëruar se çdo ndërhyrje ushtarake e NATO-s që synon ta pengojë atë nga ndarja e Bosnjës do të kundërshtohej nga “miqtë” e tij, që është parë si një referencë për Serbinë e riarmatosur dhe Rusinë. Zoti Vuçiq u duk muajin e kaluar sikur po përpiqej të frenonte zotin Dodikun, duke thënë: “Është e rëndësishme të ruhet paqja dhe të tregohet se Republika Serbe nuk është burimi i problemit, por se ne të gjithë jemi gati të bisedojmë në rajon”.

Por ai shtoi se Serbia nuk do të bashkohet në asnjë përpjekje për të vendosur sanksione kundër Republikës Serbe të Bosnjës.

Kryeministrja e Serbisë e fton Kosovën t’i bashkohet “Ballkanit të Hapur”

RFE/RL

Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, u bëri thirrje të gjitha vendeve në Ballkan, përfshirë Kosovën, që t’i bashkohen nismës “Ballkani i Hapur”.

Ajo tha se ftesa për këto vende është “gjithmonë e hapur”.

Nisma e bashkëpunimit “Ballkani i Hapur”, e cila përfshin Serbinë, Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, parashikon lirinë e lëvizjes për kapitalin, mallrat, shërbimet dhe njerëzit midis vendeve.

“Qytetarët që jetojnë në rajon do të përfitojnë jashtëzakonisht shumë nga kjo nismë”, tha Bërnabiq më 15 nëntor, duke iu përgjigjur pyetjeve gjatë një takimi të Asamblesë Parlamentare të NATO-s, i cili po mbahet në Parlamentin serb.

Kosova, Mali i Zi dhe Bosnje dhe Hercegovina kundërshtojnë pjesëmarrjen në nismën “Ballkani i Hapur”.

Qeveria aktuale e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, e hedh poshtë këtë iniciativë dhe u bën thirrje vendeve të rajonit që të mbeten të përkushtuara ndaj agjendës së Bashkimit Evropian.

Në Beograd më 4 nëntor, është mbajtur takimi i radhës i udhëheqësve të nismës rajonale për bashkëpunim “Ballkani i hapur”.

Në takim morën pjesë presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, zëvendëskryeministri për çështje evropiane i Maqedonisë së Veriut, Nikolla Dimitrov, si dhe afaristë nga rajoni.

Presidenti Vuçiq tha se do të formohet një këshill i zbatimit të marrëveshjeve të arritura.

Çfarë është arritur deri më tani?

Në kuadër të kësaj nisme, është vendosur lëvizja e lirë e qytetarëve me letërnjoftim ndërmjet Serbisë, Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë, është nënshkruar marrëveshja për bashkëpunim në parandalimin dhe eliminimin e pasojave të fatkeqësive natyrore. Po ashtu, janë nënshkruar marrëveshje për bashkëpunim në lehtësimin e importit, eksportit dhe lëvizjes së mallrave në Ballkanin Perëndimor, si dhe një Memorandum mirëkuptimi dhe bashkëpunimi për qasje të lirë në tregun e punës.

Ndërmjet Serbisë, Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë është rënë dakord që kontrollet kufitare të hiqen nga 1 janari i vitit 2023. Po ashtu, është planifikuar që gradualisht të krijohet një treg i përbashkët për 12 milionë banorë, aq sa kanë banorë këto tri shtete së bashku – pra, të krijohet një “zonë e vetme ekonomike”.

Profesori i Shkencave Ekonomike, Muhamet Mustafa, i ka thënë Radios Evropa e Lirë (REL) se nisma “Ballkani i hapur” nuk mund të jetësohet përderisa Serbia ka qasje penguese për Kosovën, Malin e Zi dhe Bosnje e Hercegovinën.

Ndërsa njohësi i ekonomisë nga Tirana, Fatos Cocoli, i tha REL-it se Kosova duhet ta përkrahë këtë iniciativë pavarësisht problemeve politike me Serbinë.

Disa burra pastrojnë ngjyrën e hedhur mbi muralin e Mlladiqit

RFE/RL

Një grup burrash filluan të pastrojnë muralin e të dënuarit serb për krime lufte, Ratko Mlladiq, në Beograd, vetëm pak kohë pasi mbi të u hodh ngjyrë e zezë.

Siç raporton Shërbimi i Ballkanit i Radios Evropa e Lirë, burrat që po e pastrojnë muralin, me kapele në kokë, nuk kanë dashur të prezantohen e as t’iu përgjigjen pyetjeve të REL-it.

Një grup burrash pastroi muralin edhe më 10 nëntor, pasi Gjorgjo Zhujoviq, zyrtar i Partisë Social-Demokrate të Serbisë, e cila është pjesë e Qeverisë serbe, hodhi ngjyrë të bardhë mbi të.

Javën e kaluar, Ministria e Brendshme e Serbisë i ndaloi planet e Iniciativës joqeveritare të të Rinjve për të Drejtat e Njeriut, për të fshirë muralin e Mlladiqit.

Aktivistet e të drejtave të njeriut, Aida Qoroviq dhe Jellena Jaqimoviq, u ndaluan nga policia më 9 nëntor, pasi hodhën disa vezë mbi mural.

Aktivistet më pas u liruan, por murali, që atëherë, ruhet nga një grup i krahut të djathtë.


Anëtarë të organizatave joqeveritare dhe qytetarë u mblodhën në qendër të Beogradit për të kundërshtuar ndalimin e aktivisteve, por një kordon policor nuk i lejoi ata t’i afroheshin muralit.

Disa organizata të shoqërisë civile organizuan edhe më 13 nëntor protestë kundër muralit, duke kërkuar që ai të hiqet nga qendra e qytetit.

Mlladiq është dënuar nga Gjykata në Hagë me burgim të përjetshëm për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, të kryera gjatë luftës në Bosnje, nga viti 1992 deri më 1995.

Murali i tij ka gati katër muaj që qëndron në fasadën e një ndërtese në qendër të Beogradit.

Një autor i panjohur e pikturoi atë në fund të korrikut, një muaj pasi Gjykata në Hagë e konfirmoi burgimin e përjetshëm të Mlladiqit.

Borrell: Situata në Ballkanin Perëndimor – “jo aq e mirë”

RFE/RL

Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, tha se situata në Ballkanin Perëndimor “nuk është edhe aq e mirë”.

Borrell i bëri komentet në prag të një takimi të ministrave të Jashtëm të BE-së, ku situata në këtë rajon – veçanërisht në Bosnje dhe Hercegovinë dhe në lidhje me dialogun Kosovë-Serbi – pritet të jetë temë diskutimi.

Borrell tha se në Bosnje e Hercegovinë ka tendenca që rrezikojnë unitetin e këtij vendi dhe pengojnë përparimin e tij në rrugën drejt integrimeve evropiane.

Komisionari për Fqinjësi dhe Zgjerim të BE-së, Oliver Varhelyi, tha se raportet e vendeve të Ballkanit Perëndimor me BE-në nuk janë vetëm rreth zgjerimit, por kanë të bëjnë edhe me përshtatjen e politikës së tyre të jashtme me atë të BE-së.

Duke folur po ashtu në prag të takimit, Varhelyi tha se zgjerimi mbetet vegla kryesore e BE-së për të forcuar stabilitetin në Ballkanin Perëndimor

Ai tha se pret që tani, pas zgjedhjeve në Maqedoninë e Veriut dhe në Bullgari, të ketë lëvizje të shpejta pozitive në terren, që do të mundësonin nisjen e negociatave të anëtarësimit midis Maqedonisë së Veriut dhe BE-së dhe midis Shqipërisë dhe BE-së.

“Ne jemi të gatshëm për këtë dhe akoma shpresoj se kjo mund të ndodhë para fundit të këtij viti”, tha Varhelyi.

Sipas vlerësimit të Komisionit Evropian, edhe Shqipëria, edhe Maqedonia e Veriut i kanë përmbushur të gjitha kushtet për nisjen e negociatave, por kjo është bllokuar në Këshillin Evropian – në rastin e Maqedonisë së Veriut nga Bullgaria. Kjo, pastaj, ka ndikuar që të mos nisin negociatat as me Shqipërinë.

Varhelyi paralajmëroi edhe zbatimin e shpejtë të planit për investime në Ballkanin Perëndimor.

Në prag të këtij takimi, nga shërbimet e BE-së është përgatitur edhe një dokument për situatën në Ballkanin Perëndimor, si bazë për diskutimet e sotme.

Në të thuhet se në disa pjesë të rajonit të Ballkanit Perëndimor, situata politike paraqet “sfidë në rritje”.

“Në Bosnje e Hercegovinë është thelluar kriza politike dhe dominojnë retorika dhe veprime përçarëse. Ka pasur kthim të tensioneve dhe incidente në veri të Kosovës. Ndasitë ndërpartiake kanë vazhduar ta destabilizojnë dhe paralizojnë sistemin politik në Mal të Zi. Mospajtimet mes partnerëve nga Ballkani Perëndimor janë duke mbajtur peng implementimin e integrimeve rajonale”, thuhet mes tjerash në këtë dokument.

Në takim pritet të diskutohet edhe për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, i cili, sipas burimeve të BE-së, “nuk ka pasur përparim në muajt e fundit”.
Burimet e BE-së thonë se Brukseli pret që palët në dialog të përqendrohen te zbatimi i marrëveshjeve të mëhershme, përmes hapave konkretë.

Po ashtu, kërkohet që të ketë një mbështetje të madhe nga shtetet anëtare për përpjekjet e Borrellit dhe të dërguarit të posaçëm të BE-së, Miroslav Lajçak, në ndërmjetësimin e dialogut midis Kosovës dhe Serbisë.

“Palët duhet të inkurajohen që të angazhohen në mënyrë konstruktive dhe të dëshmojnë rezultate pozitive, përfshirë edhe rreth marrëveshjeve rajonale që lidhen me tregun e përbashkët rajonal, dhe të përmbahen nga veprimet e njëanshme dhe retorika përçarëse, sidomos kur është fjala për veriun e Kosovës”, thuhet në dokument.

Të martën, në Bruksel pritet të zhvillohet një takim i ri në kuadër të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, në nivel të kryenegociatorëve.

Sipas burimeve të BE-së, temat e diskutimeve do të jenë të lidhura pikërisht me zbatimin e marrëveshjeve të mëhershme, por edhe me vazhdimin e dialogut në nivel të lartë.

Kroaci, nga e marta certifikata për COVID-19 e detyrueshme në institucionet publike

Zagreb

Shtabi i Mbrojtjes Civile në Kroaci në një konferencë për media bëri të ditur detajet e paralajmërimit të certifikatave për COVID-19 për të gjithë punonjësit si dhe për të gjithë ata që të martën hyjnë në institucionet shtetërore dhe publike në Kroaci, raporton Anadolu Agency (AA).

“Me të mbërritur në punë, të gjithë nëpunësit civilë dhe publikë, punonjësit e kompanive dhe institucioneve të themeluara nga Republika e Kroacisë, qarqeve, qyteteve dhe komunave duhet të paraqesin certifikatat për COVID-19 nga e marta, 16 nëntor”, u njoftuan sot në konferencën e Shtabit të Mbrojtjes Civile në Kroaci.

“Personat që nuk janë vaksinuar do të duhet të testohen dy herë në javë. Testimi do të organizohet nga punëdhënësi ndërsa në Kroaci do të hapen 6.407 qendra testimi”, tha ministri i Punëve të Brendshme, Davor Bozhinoviç.

“Me këtë zbatohet masa e sigurisë së testimit të detyrueshëm vetëm për arsye epidemiologjike për të mos rrezikuar funksionimin e organeve shtetërore dhe administratës publike, kurse certifikata dixhitale e BE-së për COVID-19 është dëshmi se një person është testuar, se është negativ për virusin, se ka kaluar COVID-19 ose se është vaksinuar”, tha Bozhinoviç.

Të njëjtat certifikata COVID-19 do të duhet të posedojnë edhe nga shfrytëzuesit e këtyre institucioneve, palët dhe vlefshmëria e tyre do të kontrollohet nga një person i autorizuar nga punëdhënësi në hyrje të ambienteve të këtyre institucioneve.

Personat që refuzojnë të paraqesin certifikatën e COVID-19 ose refuzojnë të testohen nuk do të kenë të drejtë të hyjnë apo të qëndrojnë në ambientet e administratës shtetërore dhe publike.

Masa e njëjtë është vendosur më 4 tetor për institucionet shëndetësore dhe sociale dhe tashmë është shtrirë në të gjitha institucionet shtetërore dhe publike: shkolla, kolegje, posta, administrata tatimore, bashki etj.

Gjuriq: Deri në fund të vitit Serbia do ta ketë mbështetjen e Kongresit Amerikan

Ambasadori i Serbisë në Washington Marko Gjuriq ka deklaruar se “deri në fund të vitit pret miratimin e një rezolute në Kongresin Amerikan, e cila i jep mbështetje Serbisë”.

“Deri në fund të vitit, pres një letër mbështetjeje të Kongresit për Serbinë dhe marrëdhëniet serbo-amerikane, e cila do të nënshkruhet nga një numër i madh anëtarësh të Kongresit, duke përfshirë disa nga më me ndikim”, ka deklaruar Gjuriq për gazetën serbe “Politika”.

Ai pretendon se është e nevojshme të punohet vazhdimisht dhe me këmbëngulje në marrëdhëniet mes Serbisë dhe SHBA dhe se “shumë gjëra do të ishin ndryshe nëse do të kishim një masë kritike njerëzish në klasën politike që në thelb e kuptojnë se si funksionojnë SHBA dhe zotërojnë shumë aftësi të nevojshme për punë me institucionet dhe publikun atje”.

“Presidenti Vuçiq e kuptoi rëndësinë e kësaj marrëdhënieje dhe bëri shumë përpjekje personale. Sot Serbia ka rezultate të mira, një vizion të madh për të ardhmen dhe është një kënaqësi e vërtetë t’ua prezantojmë atë bashkëbiseduesve tanë në Shtetet e Bashkuara. Edhe atyre të cilët janë skeptikë tradicionalë”, nuk harron Gjuriq obligimin për ta lavdëruar shefin e tij.

Ai tregon se që nga marrja e detyrës, më 18 janar të këtij viti, “ka takuar dhe ka krijuar komunikim të rregullt me ​​dhjetëra anëtarë të Kongresit me të dyja partitë”.

“Me këtë aktivitet, unë punoj intensivisht me stafin politik dhe të karrierës çdo ditë për të siguruar që politikë bërësit të marrin informacionet tona për ngjarjet në Serbi dhe rajon, si dhe mundësitë për të thelluar bashkëpunimin ekonomik, politik dhe forma të tjera”, pretendon Gjuriq.

Escobar viziton Bosnje-Hercegovinën

RFE/RL

Zëvendësndihmës-Sekretari amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, njëherësh i dërguari për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, pritet të arrijë më 7 nëntor në Sarajevë, në kohën e rritjes së shqetësimeve se Republika Sërpska mund të shkëputet nga ky vend.

Republika Sërpska së bashku me Federatën Myslimane-Kroate janë dy entitetet që përbëjnë Bosnje e Hercegovinën.

Organizimi i tillë është bërë me të ashtuquajturën Marrëveshje të Dejtonit, e cila i ka dhënë fund luftës në Bosnje, në vitet 1990.

Escobar ka thënë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë më 5 nëntor se njerëzit në Bosnje e dinë që komuniteti ndërkombëtar është i bashkuar për t’u siguruar që “të zbatohen përkushtimet për paqe dhe siguri të njerëzve në rajon”, duke shtuar se “ne jemi të përkushtuar se nuk do të ketë luftë”.

Millorad Dodik, anëtar i Presidencës së Bosnjës, ka kërcënuar së fundmi me largim të Republikës Sërpska nga institucionet kombëtare, siç është autoriteti i taksave, agjencia për ilaçe dhe nga ushtria.

Escobar ka thënë se secili motiv që dëmton Marrëveshjen e Dejtonit është “shumë destabilizues në rajon”.

Shtetet e Bashkuara kanë thënë edhe më parë se nuk ka “rrugë kushtetuese” për Republikën Sërpska që të tërhiqet njëanshëm nga institucionet shtetërore.

Përfaqësuesi i lartë i komunitetit ndërkombëtar në Bosnje e Hercegovinë, Christian Schmidt, ka paralajmëruar ditë më parë se ky vend është në rrezik të menjëhershëm për t’u shpërbërë.

Në një raport për Kombet e Bashkuara, të parë nga gazeta britanike Guardian, Schmidt ka thënë se nëse “separatistët serbë zbatojnë kërcënimet e tyre për rikrijimin e ushtrisë së tyre, duke i ndarë forcat e armatosura kombëtare në dysh”, atëherë në Bosnje do të duhet të dërgohen më shumë paqeruajtës ndërkombëtarë, për ta ndaluar rrëshqitjen e vendit drejt një lufte të re.

Detyrat paqeruajtëse ndërkombëtare në Bosnje aktualisht i ka një forcë e Bashkimit Evropian, e njohur si Eufor, që i ka rreth 700 trupa.

NATO-ja ka një seli formale në Sarajevë.

Përfaqësuesit e Republikës Sërpska janë duke e bojkotuar punën e institucioneve qendrore të Bosnjës që nga fundi i korrikut, kur paraardhësi i Schmidtit, Valentin Inzko, ka vendosur një ligj që ndalon mohimin e gjenocidit dhe krimeve të tjera të luftës në Bosnje.

Republika Sërpska ka refuzuar ta ndalojë me ligj mohimin e gjenocidit.

Kryeministri hungarez Orban arrin në Banja Llukë

RFE/RL

Kryeministri hungarez, Viktor Orban, dhe bashkëpunëtorët e tij, kanë arritur të shtunën, më 6 nëntor, në qytetin Banja Llukë të Bosnje-Hercegovinës.

Siç është njoftuar, Orban po qëndron për një “vizitë miqësore në Republikën Serbe” (njëra nga dy entitetet e Bosnje-Hercegovinës).

Orban do të takohet me anëtarin e Presidencës trepalëshe të Bosnjës Millorad Dodik, dhe me kryetarin e Qeverisë së Republikës Serbe, Radovan Vishkoviq.

Në delegacionin e Hungarisë është edhe ministri i Punëve të Jashtme, Peter Sijarto.

Është paraparë një mbledhje dhe drekë pune.

Dodik ka thënë më herët për Radio-Televizionin RS se Orban, në disa nga takimet e mëparshme, ka shprehur gatishmërinë për të ndihmuar Republikën Serbe.

“Për shembull, një numër i konsiderueshëm i disa stimujve të sipërmarrësve të vegjël dhe të mesëm hungarezë mund të transferohen në Republikën Serbe dhe se njerëzit nga Republika Serbe mund t’i përdorin ato fonde sipas procedurës për të cilën do të pajtohemi”, ka thënë Dodik.

Nga kabineti i Dodikut është thënë që nuk janë paraparë deklarata për media.

Dodik ka marrë pjesë në Samitin Demografik në Budapest, në fund të shtatorit të këtij viti, në të cilin, liderët e vendeve të Evropës Qendrore nënshkruan një deklaratë të përbashkët.

Në deklaratë është thënë se migracioni nuk duhet të jetë përgjigje ndaj rënies së natalitetit të Bashkimit Evropian dhe u është bërë thirrje vendeve anëtare që të mbajnë politikën familjare nën kompetencë kombëtare.

I mbajtur për herë të parë në vitin 2015, i ashtuquajturi Samiti Demografik në Budapest organizohet çdo dy vjet, me synimin për të luftuar emigracionin, por edhe për të inkurajuar çiftet e krishtera që të kenë më shumë fëmijë.

EUFOR: Vazhdojmë me mbështetjen dhe mirëmbajtjen e mjedisit të sigurt në Bosnjë

Sarajevë

Forcat e Bashkimit Evropian në Bosnjë e Hercegovinë (EUFOR) edhe më tej do të mbështesin autoritetet lokale në mirëmbajtjen e mjedisit të sigurtë dhe stabil, në bashkëpunim me agjencitë për zbatimin e ligjeve dhe forcave të armatosura të BeH-së, tha sot komanda kryesore e EUFOR-it, duke konfirmuar se Këshilli i Sigurimit të OKB-së njëzëri miratoi vazhdimin e mandatit për një vit tjetër, transmeton Anadolu Agency (AA).

Siç thuhet në njoftimin e EUFOR-it, me ripërtëritjen e mandatit bashkësia ndërkombëtare dërgoi porosi të qartë mbështetjeje dhe besimi, duke pranuar rezultatet që operacioni “ALTHEA” realizoi gjatë 17 viteve të fundit, veçmas kontributin e EUFOR-it për mirëmbajtjen e paqes dhe stabilitetit në BeH.

“EUFOR është i gatshëm të vazhdojë me kryerjen e detyrave të saj dhe përmbyshjen e detyrave me qëllim të mbështetjes së sigurisë dhe rrethimit stabil në pajtim me mandatin dhe me përkushtim të njëqind për qind të BeH-së, qytetarëve të saj dhe përparimin e këtij vendi në rrugën e integrimit të BE-së”, theksohet në njoftimin e Komandës kryesore të EUFOR-it.

Më tej thuhet se kjo përfshin mbështetjen për Master Planin e BeH-së për municionet, armët dhe minat, çminimin dhe stërvitjen kolektive me Forcat e Armatosura të BeH-së, të cilat si forca të armatosura multietnike dhe të trajnuara ndihmojnë në rivendosjen e besimit të qytetarëve në një BeH të qëndrueshme dhe të sigurt.

Kryeministri Krivokapic: Ja pse Mali i Zi nuk i bashkohet “Ballkanit të Hapur”

Kryeministri Zdravko Krivokapic ka reaguar për herë të parë pas lajmit se Mali i Zi i është bashkuar “Ballanit të Hapur”.

Ai tha se se nuk i është bashkuar nismës për Ballkanin e Hapur, sepse një proces i ngjashëm tashmë ekziston.

Në një intervistë për Tanjug, Krivokapic tha se Mali i Zi nuk ka thënë se nuk do t’i bashkohet nismës për Ballkanin e Hapur, por se nisma të ngjashme tashmë ekzistojnë dhe se në to duhet të fokusohen.

Siç shpjegoi ai, edhe tani qytetarët e Malit të Zi kalojnë kufijtë me vendet përreth me vetëm letërnjoftim, ndërsa problemi i vetëm tha se janë lejet e punës, ndonëse siç thotë ai, kjo mund të “zgjidhet me elegancë”.

“Nuk shoh ndonjë dallim të madh mes Procesit të Berlinit dhe Ballkanit të Hapur. I vetmi ndryshim është se do ta drejtonim vetë dhe tani jemi të udhëhequr. Unë jam për pavarësi, por që ka institucione që do të kenë autoritet për të siguruar që në kuadër të Procesit të Berlinit dhe Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal, pse duhet të bëjmë një hap përpara”, tha Krivokapic.

“Le ta përfshijmë këtë. Unë nuk jam kundër asnjë nisme që ka për qëllim mirëqenien dhe përfitimin e qytetarëve që kalimi i kufirit të jetë i shpejtë, që askush të mos presë”, tha Krivokapic.

Skoci – Pas dorëheqjes së Zaev, Vuçiç pyet Ramën: A duhet ta mbajmë apo ta shtyjmë takimin në Beograd?

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, pjesë e Samitit për ndryshimin e klimës është takuar sot me Presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç.

Kreu i shtetit serb, përmes një postimi në Instagram ka bërë me dije se për takimin e radhës që ishte planifikuar në Beograt duhet që të merren parasysh ngjarjet e fundit në Shkup, ku kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev dje ka dhënë dorëheqjen.

“Mbështetje e fortë për Ballkanin e Hapur. A duhet të mbajmë apo të shtyjmë takimin në Beograd, duke marrë parasysh ngjarjet në Shkup”, ka shkruar Vuçiç.

Edi Rama shkon në Serbi më 3-4 nëntor

Në datat 3 dhe 4 Nëntor në Beograd do të zhvillohet takimi i radhës së 3 vendeve që kanë firmosur për iniciative Open Ballkan.

Kryeministri Rama, presidenti serb Vuçiçi dhe kryeministri Zaev do të diskutojnë për hapat e radhës për konkretizimin e lëvizjes së lirë të njerëzve dhe mallrave për qytetarët e tyre.

Nuk dihet ende nëse në Beograd janë thirrur të marrin pjesë dhe përfaqësuesit e 3 vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor që ende nuk e kanë hedhur hapin për t’ju bashkuar kësaj nisme.

Rama, Vuçiç dhe Zaev në mbyllje të tryezës së diskutimeve do të zhvillojnë dhe një konference për shtyp.

Eurodeputetja: Partia e Vuçiç përdor çdo formë për të sulmuar dhe mbytur zërat kritikë

Raportuesja për Kosovën në Parlamentin, Europian Vioal von Cramon është shprehur se partia e Vuçiç sulmon çdo zë që është kritik ndaj tyre.

Cramon ka zhvilluar një vizitë në Serbi, ndërsa ka folur edhe për media , duke u shprehur se nuk sheh asnjë provë për një mjedis të sigurt opozitar.

Eurodeputetja e pyetur lidhur me dokumentin e Komisionit Europian i cili thotë se presidenti Vuçiç ka premtuar përkrahje projektin e minierës së Litiumit, thotë se pret transparencë të plotë nga të gjitha palët, ndërsa theksoi se do të hetojë të gjitha pretendimet e ngritura për këtë çështje.

Ndërkohë gjatë vizitës së Von Cramon në Serbi, një grup simpatizantes të presidentit Vuçiç kanë brohoritur ‘Kosova është zemra e Serbisë’ , ‘Nuk do të na e merrni Kosovën’.

Schmidt: Bosnja përbëhet nga entitetet, e tillë do të mbetet

Përfaqësuesi i lartë ndërkombëtar në Bosnje e Hercegovinë, Christian Schmidt, 28 tetor, 2021.

 

Bosnje e Hercegovina përbëhet nga entitetet dhe e tillë do të mbetet, sepse ato janë pjesë e integritetit territorial, të përshkruar me Marrëveshjen e Dejtonit, tha përfaqësuesi i lartë ndërkombëtar në Bosnje, Christian Schmidt.

Schmidt, i cili ka marrë detyrën në muajin gusht, iu drejtua të enjten për herë të parë Dhomës së Përfaqësuesve të Parlamentit të Bosnjës.

Ai tha se është e qartë se “askush nuk ka interes ta kthejë kohën pas” dhe se “komuniteti ndërkombëtar nuk do të qëndrojë anash”.

Komentet vijnë pasi Republika Sërpska e Bosnjës – entitet i banuar me shumicë serbe – ka kërcënuar me ndarje.

Ky entitet, mes tjerash, ka sfiduar Kushtetutën e Bosnjës me miratimin e një ligji për produktet dhe pajisjet mjekësore.

Përfaqësuesit e tij kanë thënë po ashtu se serbët e Bosnjës do të tërhiqen nga ushtria e përbashkët e vendit.

Përfaqësuesit e Republikës Sërpska nuk morën pjesë në seancën ku foli Schmidt.

Ata janë duke e bojkotuar punën e institucioneve qendrore të Bosnjës që nga fundi i korrikut, kur paraardhësi i Schmidtit, Valentin Inzko, ka vendosur një ligj që ndalon mohimin e gjenocidit dhe krimeve të tjera të luftës.

Republika Sërpska ka refuzuar ta ndalojë me ligj mohimin e gjenocidit.

Schmidt tha se qytetarët e Bosnjës meritojnë të ardhme paqësore dhe të begatë.

“Ajo që ata nuk meritojnë është frika. Atmosfera e frikës dhe e ndarjes vetëm se do ta përshpejtojë largimin e të rinjve”, tha Schmidt.

“Nuk kam mundur të pres në muajin gusht që Bosnja do të përballet me sfidën më serioze ndaj sovranitetit të saj”, tha ai.

Republika Sërpska së bashku me Federatën Myslimane-Kroate janë dy entitetet që përbëjnë Bosnje e Hercegovinën.

Organizimi i tillë është bërë me të ashtuquajturën Marrëveshje të Dejtonit, e cila i ka dhënë fund luftës në Bosnje, në vitet 1990.

Politikania boshnjake: Marrëveshja për shkëmbim territoresh Kosovë-Serbi pati përkrahjen e SHBA!

Politikania boshnjake, Sabina Çudiç ka thënë se Kosova dhe Serbia kanë pasur pajtim për shkëmbim territoresh, e cila marrëveshje ishte përkrahur edhe nga Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Përmes një shkrimi në llogarinë personale në Facebook, Çudiç ka thënë se ish-i dërguari për Ballkanin Perëndimor ka qenë pro shkëmbimit të territoreve mes Kosovës dhe Serbisë.

Ajo përmend edh kreun e Prishtinës, Shpend Ahmetin, për të cilin thotë se ka qenë prezent.

“E takova zotin Palmer në Uashington në prill të vitit 2019, në mbrëmje, në pritjen pas panelit në të cilin fola bashkë me kryetarin e Prishtinës, Shpend Ahmetin, atëherë anëtar i ekipit negociator të Kosovës. Pas pak minutash, biseda jonë u bë e pakëndshme kur e pyeta drejtpërdrejt nëse ai ishte në dijeni të nënkuptimit të mbështetjes (potencialisht dhe autorizimit) të idesë së shkëmbimit të territorit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, tha ajo.

Tutje rrëfen ngjarjen ku thotë se në bisedë e sipër me Palmer, ishte bashkuar edhe Ambasadorja e Kosovës në Washington Vlora Çitaku.

Sipas Çudiç, Çitaku me nervozizëm e ka pyetur pse ka ndërhyrë në marrëveshjen që Kosova dhe Serbia duhet të arrijnë.

“Më herët atë ditë, oficeri i Ambasadës Serbe në Uashington, duke supozuar se di më shumë sesa dija në atë moment – ai më tha se marrëveshja ishte arritur, duke kërkuar një moment adekuat dhe të favorshëm nga administrata Trump për ta paraqitur atë marrëveshje si historike. Në një bisedë me zotin Palmer na u bashkua edhe Vlora Çitaku, në atë moment, ambasadorja e Kosovës në Washington”.

“Dëshmitare e përshkallëzimit të mosmarrëveshjes sime me Palmerin, duke dal në mbrojtje të tij – ajo me nervozizëm më pyeti pse ndërhyjë në marrëveshjen që Kosova dhe Serbia duhet të arrijnë? Unë iu përgjigja se pasojat katastrofike të një marrëveshjeje të tillë për Bosnje dhe Hercegovinën janë të padiskutueshme, por edhe për të gjithë Ballkanin. Të nesërmen unë dhe Çitaku duhet të ishim në takimin e përbashkët në Këshillin e Sigurisë Kombëtare. Rendi i ditës ishte ndryshuar në minutën e fundit – Më njoftojnë se pas adresimit tim të djeshëm, unë duhet të dal para se të fillojë informimi për Kosovën. Adresim im lidhej me kërcënimet e sigurisë në lidhje me vazhdimin e forcave destruktive të krahut të djathtë”, tha ajo.

Po ashtu Çudiç shtoi se plani për shkëmbim të territorit të Serbisë dhe Kosovës u ndal nga opozita e Kosovës në vitin 2019 – me angazhim të mbinatyrshëm në Bashkimin Evropian dhe Senatin Amerikan.

Ndryshe, Çudiç është zëvendëspresidente e partisë “Nasha Stranka” me seli në Sarajevë të Bosnje-Hercegovinës.

Katër fëmijë emigrantë mbyten në brigjet e Greqisë

Ministri i Emigracionit i Greqisë tha se katër fëmijë kanë vdekur, pasi një gomone që transportonte emigrantë nga brigjet e Turqisë, u fundos të martën pranë ishullit lindor grek, Kios.

Notis Mitarachi tha se 22 persona janë nxjerrë të gjallë dhe se së paku një emigrant është ende i zhdukur.

“Me gjithë përpjekjet më të mira të rojës bregdetare, katër fëmijë – të gjithë nga mosha 3 deri në 14 vjeç – konfirmohen të vdekur”, shkroi Mitarachi në një postim në Twitter.

Ai e akuzoi Turqinë për mosrespektim të një marrëveshjeje të vitit 2016 me Bashkimin Evropian.

“Autoritetet turke duhet të bëjnë më shumë për të parandaluar shfrytëzimet nga bandat kriminale. Këto udhëtime nuk duhet të lejohen kurrë të ndodhin”, tha Mitarachi.

Turqia strehon numrin më të madh të refugjatëve në botë – rreth 4 milionë – dhe thotë se BE-ja është e ngadalshme në përmbushjen e premtimeve për mbështetje financiare.

Migrantët dhe refugjatët që përpiqen të arrijnë në vendet e BE-së janë kryesisht të ikur nga luftërat dhe varfëria në Lindjen e Mesme dhe në Azinë Jugore.

Dodik s’heq dorë nga shpërbërja e Bosnjës, Daçiq: Mund të llogarisë në mbështetjen e Serbisë

Anëtari serb i Presidencë së Bosnjë e Hercegovinës, Millorad Dodik konfirmoi se ai nuk do të heq dorë nga miratimi i ligjeve që do t’i sfidonin fuqitë e shumta të vendit dhe do t’i transferonin ato në nivel të Republika Srpskas, ndërsa kryetari i parlamentit serb, Ivica Daçiq tha se ai mund të llogarisë në mbështetjen e plotë të Beogradit zyrtar, shkruan agjencia kroate e lajmeve, Index.hr, transmeton Gazeta Express.

Daçiq shkoi në Banja Llukë për të marrë pjesë në kremtimin e 30 vjetorit të punës së parlamentit të Republika Srpskas, i cili konsiderohet pasardhësi i të ashtuquajturit “Kuvendi i Popullit Serb në BeH”, i themeluar në mënyrë jokushtetuese në vitin 1991.

Të hënën, Daçiq tha se akti i tri dekadave më parë tregoi besimin se serbët mund të jenë “të vetëm” dhe se ata e kanë mbështetjen absolute të Serbisë në këtë qëllim.

Në një konferencë shtypi, Dodik e quajti Daçiqin politikan që është “shumë kompetent” për situatën në BeH dhe që është gati ta ndihmojë RS kur të jetë e mundur.

Dodik rikonfirmoi këmbënguljen që parlamenti i RS të miratojë ligje në ditët në vijim që do t’ia “rikthejnë” njësisë kompetencat e transferuara në nivelin e Bosnjës si shtet.

“Të jeni të sigurt se do ta bëjmë”, tha Dodik.

Kroaci, fillon mbledhja e nënshkrimeve për referendum kundër futjes së euros

Zagreb

Nisma e referendumit “Të mbrojmë kunën kroate” ka filluar mbledhjen e nënshkrimeve për një referendum në të cilin, nëse shpallet, qytetarët kroatë do të kenë mundësinë të votojnë kundër futjes së euros si valutë kombëtare, ose për mbijetesën e mëtejshme të kunës, raporton Anadolu Agency (AA).

Nisma përbashkët “Të mbrojmë kunën kroate” nga sovranistët kroatë dhe Partia Kroate e të Drejtave (HSP), do të përpiqet të mbledhë rreth 370.000, ose 10 për qind të nënshkrimeve, në më shumë se 250 lokacione në gjithë Kroacinë nga numri i përgjithshëm i votuesve sipas regjistrimit të vitit 2011 në 15 ditët e ardhshme, për shpalljen e një referendumi në të cilin qytetarët do të vendosin nëse janë kundër futjes së euros si valutë dhe për mbijetesën e kunës, e cila është monedha kombëtare kroate për 25 vjet.

Marko Milanoviç Liter, kryetar i komitetit organizativ të iniciativës “Të mbrojmë kunën kroate”, deklaroi se pyetja e referendumit do të ishte: ‘A jeni për futjen e një dispozite në kushtetutën kroate që thotë: Njësia monetare e Republikës së Kroacisë është kuna e ndarë në njëqind lipa?’ Vendimi për ndryshimin e monedhës në Republikën e Kroacisë merret nga votuesit në referendum”.

Milanoviç Liter theksoi se kjo çështje referendumi nuk bie ndesh me marrëveshjet ndërkombëtare që Kroacia tashmë i ka nënshkruar me Bashkimin Evropian.

“Konsiderojmë se Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kroacisë do të duhet ta konfirmojë këtë çështje kur të mbledhim një numër të mjaftueshëm nënshkrimesh. Me këtë referendum ne duam t’i kthejmë popullit kroat fuqinë për të vendosur për të ardhmen dhe proceset politike në Kroaci. Euro dëshiron të futet me forcë, pa pyetur opinionin publik të qytetarëve kroatë dhe kjo është ajo që ne duam të ndryshojmë me këtë iniciativë për referendum”, tha Milanoviç Liter.

Ai shtoi se Kroacia ka marrë përsipër të fusë euron në marrëveshjen me Bashkimin Evropian, por se marrëveshja nuk përcakton kohën dhe kushtet se kur do ta bëjë këtë. Liter beson se Kroacia aktualisht nuk është as ekonomikisht dhe as shoqërisht e gatshme për euron.

Ai paralajmëroi se të gjitha vendet anëtare kanë pasur inflacion kur futën euron dhe se as Kroacia nuk do të kursehet.

Ushtria greke dhe egjiptiane i afrohen kufirit të Turqisë, reagon Ankaraja

Greqia dhe Egjipti zhvilluan ditët e fundit një stërvitje të përbashkët ushtarake në zonën përreth Kretës duke shkaktuar mjaft shqetësim në Ankara. Mediat greke e përshkruan këtë stërvitje si një mesazh të fortë ndaj Turqisë dhe “synimeve të saj ekspansioniste në rajon” duke dhënë edhe detaje nga operacioni i përbashkët.

Mësohet se në stërvitjen e përbashkët ajrore morën pjesë 14 avionë ushtarakë. 8 prej tyre, të modelit F-16 ishin të Greqisë, kurse nga Egjipti u angazhuan 4 Mig-29 dhe dy F-16.

Stërvitja zhvillohet pas nënshkrimit në prill të marrëveshjes mes Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë greke dhe asaj egjiptiane për një bashkëpunim  më të zgjeruar në rajonin e Mesdheut.

“Hurriyet” e ka cilësuar këtë një provikim të rëndë duke iu referuar burimeve nga ushtria turke.

Gjithçka ndodh teksa Franca ke reaguar pozivitisht ndaj një zhvillimi të tillë. Ajo ka firmosur një marrëveshje të gjerë ushtarake me Greqinë për shitjen e katër anijeve ushtarake si edhe të disa avionëve të avancuar “Rafale”, raporton abcnews.al

Krahas Greqisë, Turqia nuk ka raporte të mira edhe me Egjiptin që prej vitit 2012 kur Abdul Fattah Al Sisi rrëzoi përmes një grushti shteti presidentin islamist Al Mursi.

Bërnabiq thotë se ishte planifikuar vrasja e Vuçiqit

RFE/RL

Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq deklaroi se ka pasur një plan për vrasjen e presidentit të këtij shteti, Aleksandar Vuçiq. Siç tha Bërbaniq, vrasja ishte planifikuar të ndodhte gjatë zbulimit të monumentit të Stefan Nemanjës, që u bë më 27 janar të këtij viti në Beograd.

“(Vrasja) Është planifikuar prej kohësh dhe në detaje. Janë formuar struktura paralele në Ministrinë e Brendshme (MPB) dhe janë bërë fushata në mediat e manjatëve, që janë transmetuar edhe në mediat në rajon për dehumanizimin e Vuçiqit, që ta shndërronin atë dhe familjen e tij në një grup kriminal”, tha Bërnabiq më 24 tetor për televizionin Pink.

Bërnabiq tha se këtë rast janë duke u marrë shërbimet kompetente dhe përgjegjësit nuk do të mund t’i ikin drejtësisë pa marrë parasysh “emrin dhe mbiemrin, funksionin dhe përkatësinë partiake”.

Kryeministrja serbe deklaroi se akuzat për përgjimet e Vuçiqit në aferën “Jovanjica” janë “tentativë për grusht-shtet”.

Prokuroria për Krim të Organizuar në janar nisi hetimet për shkak të përgjimeve të paautorizuara të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Siç ka thënë vetë Vuçiqi, dyshohet se ai është përgjuar nga shërbimet vendase.

MPB-ja ka kompetencë mbi këto shërbime. Kjo ministri ishte drejtuar nga Nebojsha Stefanoviq nga viti 2014 deri më 2020, kur ai u emërua ministri i Mbrojtjes. Këtë post ai e mban edhe sot.

Stefanoviq ka deklaruar vazhdimisht se ai kurrë nuk ka marrë pjesë “në ndonjë aktivitet që do ta rrezikonte presidentin Vuçiq apo anëtarët e familjes së tij”.

Edhe ish-sekretarja shtetërore e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, Diana Hërkaloviq, ishte përmendur se mund të jetë e lidhur me aferën e përgjimit të presidentit. Ajo u arrestua më 15 tetor.

Në media u raportua në janar se Hërkaloviq ishte një prej personave që ishte marrë në pyetje lidhur me aferën e përgjimit të Vuçiqit. Ministria e Brendshme dhe Prokuroria as nuk kanë mohuar e as pohuar këtë pretendim, ndërkaq Hërkaloviq po ashtu nuk është deklaruar publikisht për këtë çështje.

Afera e njohur si “Jovanjica” u bë publike në nëntor të vitit 2019, kur policia gjeti 1.6 ton marijuanë në një fermë të produkteve organike ushqimore, në pronësi të Pregrad Koluvija.

Një nga dy aktakuzat në këtë çështje, që ende është në fazën e gjykimit, përfshiu tetë persona, mes të cilëve pjesëtarë të policisë, Agjencisë së Informacionit të Sigurisë dhe Agjencisë së Inteligjencës Ushtarake, që akuzohen se kanë mbrojtur pronarin e kësaj prone bujqësore.

I pandehuri në këtë rast, Pregrad Koluvija është në arrest shtëpiak pasi Gjykata e Apelit ia hoqi masën e paraburgimit, që ishte prej vitit 2019 dhe më 1 tetor ai dha një intervistë që e bëri avokati i tij, që njëherësh është anëtar i kryesisë së partisë në pushtet, Partisë Përparimtare Serbe, Vladimir Gjukanoviq.

Ky rast po ashtu ka marrë vëmendje për shkak të pretendimeve të opozitës dhe mediave se zyrtarët e lartë shtetërorë janë të lidhur me aferën e përgjimeve, por këto pretendime janë hedhur poshtë nga autoritetet.

Erdogan kërkon që 10 ambasadorë të shpallen “non grata”

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan tha të shtunën se ka urdhëruar Ministrinë e Jashtme të shpallë “persona non grata” (persona të padëshirueshëm) dhjetë ambasadorë nga shtetet perëndimore, përfshirë edhe atë të Shteteve të Bashkuara, pasi ata kanë bërë thirrje për lirimin e filantropistit, Osman Kavala.

Kavala është në burg që prej vitit 2017, pasi akuzohet se ka financuar protestat mbarëkombëtare të vitit 2013 dhe për përfshirje në tentim grushtshtetin e vitit 2016. Ai i mohon të gjitha akuzat.

Përmes një deklarate të përbashkët më 18 tetor, ambasadorët e Shteteve të Bashkuara, Kanadasë, Danimarkës, Francës, Gjermanisë, Holandës, Norvegjisë, Suedisë, Finlandës dhe Zelandës së Re kërkuan që sa më shpejt të zgjidhet çështja e Kavalas. Ata u thirrën në bisedë nga Ministria e Jashtme, që e quajti këtë deklaratë të përbashkët si të papërgjegjshme.

“Kam dhënë urdhrin e nevojshëm Ministrisë sonë të Jashtme dhe kam thënë atë që duhet bërë: këta dhjetë ambasadorë duhet të shpallen ‘persona non grata’. Do ta zgjidhni menjëherë”, tha Erdogan gjatë një fjalimi në një tubim në Eskisehir, në veriperëndim të Turqisë.

Vitin e kaluar, Kavala u shpall i pafajshëm për akuzat lidhur me protestën, por vendimi u rrëzua këtë vit dhe u kombinua edhe me akuzat e çështjes tjetër, atë të tentim grushtshtetit.

Grupet e të drejtave të njeriut thonë se rasti i tij është simbol i goditjes që Erdogan i bën disidencës.


Send this to a friend