VOAL

VOAL

Robertson: Kurti e Vuçiq të gjejnë marrëveshje, ndryshe mund të gjendemi në situatën e tmerrshme të viteve ’90

Ish-sekretari i NATO-s, tashmë Lord George Robertson ka alarmuar palën kosovare dhe atë serbe, që të gjejnë një marrëveshje.

Në të kundërtën, ai thotë të dyja vendet mund të gjenden në situatën e tmerrshme të viteve ’90, gjë të cilën pohoi se askush s’do ta dëshironte, transmeton klankosova.tv.

”Jo vetëm besim. Detyrim. Po vendos detyrim mbi supet e tyre për të dëgjuar’’, u shpreh për rtv21, Lordi Robertson referuar kryeministrit Albin Kurti e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq.

”Ju jeni dy persona që u jepni këshilla të drejta, të dobishme, ndoshta këshilla të pakëndshme kohë pas kohe”.

”Të dy duhet të gjejnë një marrëveshje sepse në të kundërt, e dini, mund të gjendemi përsëri në në natyrën e tmerrshme të marrëdhënieve gjatë viteve ’90. Kështu që askush nuk do të dëshirojë këtë për njerëzit”.

Hovenier i quan shprehje revanshiste deklaratat e të ashtuquajturit ‘Kuvend panserb’: Pavarësia e Kosovës nuk rinegociohet

Ambasadori amerikan, Jeffrey Hovenier, ka shprehur shqetësim mbi deklaratën e Kuvendit të ashtuquajtur ‘’gjithëserb’’, me të cilën pretendohet se Kosova ‘’është pjesë e pandashme e Serbisë’’.

Ndaj kësaj deklarate, Hovenier reagoi ashpër duke konfirmuar se ky nuk është qëndrim i SHBA-së dhe partnerëve për Kosovën, duke theksuar se Pavarësia e saj nuk do të rinegociohet, transmeton klankosova.tv.

”Ne shprehim shqetësimin tonë për një deklaratë të një Kuvendi panserb që thotë se Kosova është në njëfar mënyre e kam harruar shprehjen që kanë përdorur më duket ‘pjesë e pandarë e Serbisë’”.

”Mund të them vetëm këtë se ky nuk është qëndrimi i vendit tim apo i partnerëve. E kemi njohur Kosovën, si vend të pavarur sovran, demokratik dhe kjo s’është për debat, e as nuk do të rinegociohet, duhet të pranohet dhe të kremtohet”.

”Dhe duhet të jetë pjesë e suksesit të rajonit bashkërisht. Dhe përkundër atyre shprehjeve revanshiste, asgjë nuk do të bëhet”.

Robertson: Lufta në Ukrainë kërcënim edhe për Ballkanin Perëndimor, rajoni të jetë në fokus të Samitit të NATO-s

Në Samitin për Ballkanin Perëndimor të Economist Impact ka folur edhe ish-Sekretari i NATO-së, George Robertson. Robertson ka thënë se lufta e Rusisë në Ukrainë është një kërcënim ekzistencial për Perëndimin dhe gjithashtu edhe për Ballkanin Perëndimor, shkruan Gazeta Express.

“Sot ekziston një kërcënim ekzistencial për Perëndimin, përfshirë edhe Ballkanin perëndimor. Ky kërcënim mbulon gjithë kontinentin e Evropës”, ka thënë Robertson.

Ai ka përmendur përfshirjen Perëndimore gjatë viteve të 90-ta për të ndalur luftërat dhe spastrimin etnik të regjimit të Sllobodan Millosheviqit ndaj shqiptarëve.

“Është jashtëzakonisht e rëndësishme të theksohet se përfshirja e bashkësisë ndërkombëtare, ishte një bazë e rëndësishme për stabilitetin politik dhe prosperitetin ekonomik”, ka thënë ish-Sekretari i NATO-së.

Tutje Robertson ka përmendur edhe Samitin e NATO-s që do të mbahet në Washington përgjat 9, 10 dhe 11 korrikut dhe ka thënë se ky Samit duhet të fokusohet edhe në atë se çfarë po bën Rusia në Ballkanin Perëndimor, duke përmendur keqinformimin dhe ndërhyrjen në zgjedhje, raporton Express.

“Samiti duhet të fokusohet edhe për atë se çfarë po bën Rusia në Ballkanin perëndimor. Keqinformimi, ndërhyrja në zgjedhje, destabilizimi, shkatërrimi ekonomik, gjitha këto janë instrumente të Rusisë dhe agjencive të inteligjencës. E gjithë kjo do të jetë në vëmendje të ministrave në Washington”, ka thënë Robertson.

Në fjalën e tij, Robertson ka thënë se e ardhmja e rajonit është në duart e qytetarëve dhe të atyre që zgjedhin për t’i përfaqësuar./GazetaExpress/

Albin Kurti: Kosova prin në Ballkanin Perëndimor për rritje ekonomike dhe sundim të ligjit

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se Kosova udhëheq në mesin e vendeve të Ballkanit Perëndimor për zhvillimin ekonomik dhe sundimin e ligjit, duke theksuar se në vitet e fundit është forcuar në shumë rrafshe.

Kurti ka deklaruar të martën në Samitin “Ballkani Perëndimor 2024” se Kosova është pozicionuar në rritje për të ardhmen, e përparim ka shënuar investimet e huaja direkte, në sektorin e kulturës, sportit, shëndetësisë dhe të arsimit.

“Kosova po udhëheq për rritje ekonomike dhe sundim të ligjit në Ballkanin Perëndimor. Pritet të ketë rritje të investimeve…Kosova ka shumë për t’i ofruar Bashkimit Evropian për siguri e partneritet, duke e forcuar demokracinë, zhvillimin ekonomik e mund  të krijojë një rajon që është i zhvilluar dhe lulëzon”, ka deklaruar Kurti.

Kryeministri Kurti ka shtuar se sfidë kryesore për vendet e Ballkanit Perëndimor është tejkalimi i paragjykimi historike, por që siç ka thënë ai, këto vende kanë dëshmuar se mund të arrijnë pajtim e dialog.

“Komunitetet në Kosovë po bashkohen të ndërtojnë një të ardhmen të mirë e ky shpirt i bashkëpunimit do të vazhdojë të lulëzojë. Kosova është e pozicionuar për rritje në të ardhmen”, u shpreh ai. sn

Hovenier: Dialogu duhet të përfundojë me njohje

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Jeffrey Hovenier, tha se dialogu mes Kosovës dhe Serbisë është një sfidë që duhet tejkaluar vetëm me njohje reciproke dhe jo diçka më pak.

“Përfundimi i këtij procesi duhet të jetë njohja mes dy vendeve, sepse diçka më pak se kjo nuk e përmbush këtë vizionin që e kemi për një Evropë të plotë, të lirë, të begatshme dhe në paqe”, tha ai.

Duke folur në një panel të samitit “The Western Balkans 2024”, që po mbahet në Prishtinë, Hovenier theksoi edhe rëndësinë e zbatimit të marrëveshjeve që Kosova dhe Serbia kanë arritur në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve.

“Ka një varg zyrtarësh amerikanë, përfshirë dhe mua, që kalojmë shumë kohë për zbatimin e plotë të obligimeve që Kosova dhe Serbia i kanë marrë në procesin e lehtësuar nga BE-ja”, tha Hovenier.

Dy vendet janë në negociata për më shumë se një dekadë, por shumë prej marrëveshjeve që kanë arritur, nuk i kanë zbatuar.

Të dyja palët fajësojnë njëra-tjetrën për mungesë gatishmërie.

Hovenier theksoi edhe një herë qëndrimin e tij se nuk pajtohet me një deklaratë – të miratuar më 8 qershor nga Serbia dhe entiteti serb i Bosnje e Hercegovinës, Republika Sërpska – në të cilën Kosova trajtohet si “pjesë e patjetërsueshme e Serbisë”.

“Ky nuk është qëndrim i vendit tim apo i partnerëve. Ne e kemi njohur Kosovën si vend të pavarur demokratik dhe kjo nuk mund të diskutohet”, tha Hovenier.

Të njëjtën gjë ai e tha edhe një ditë më herët, duke kujtuar se SHBA-ja e ka njohur Kosovën si shtet të pavarur dhe se ajo do të mbetet prapa këtij qëndrimi “me krenari”. REL

Kurti: Problemin e kemi me Beogradin, jo me serbët e Kosovës

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se Qeveria e drejtuar prej tij nuk ka problem me serbët e Kosovës, por me Qeverinë e Serbisë.

Duke folur në samitin “The Western Balkans 2024”, të martën në Prishtinë, Kurti tha se integrimi i serbëve të Kosovës në institucionet e vendit, është çështje parësore për të.

“Problemi që kemi, nuk ka të bëjë me serbët. Problemin e kemi me Beogradin, i cili nuk u distancua as nga Millosheviqi i së kaluarës e as nga Putini i së tashmes”, tha Kurti duke iu referuar ish-presidentit jugosllav dhe presidentit aktual rus.

Serbët në veri të Kosovës, të ndikuar nga Beogradi dhe strukturat e tij paralele në Kosovë, kundërshtojnë vazhdimisht autoritetin e Qeverisë në Prishtinë.

Shpesh organizojnë protesta ose bojoktojnë vendimet e autoriteteve kosovare.

Në nëntor të vitit 2022, ata dolën nga institucionet e Kosovës në veri, në shenjë kundërshtimi ndaj vendimit të Qeverisë së vendit për t’i riregjistruar makinat me targa ilegale serbe.

Kurti tha të marën se Kosova po bën tashmë konvertimin e patenshoferëve, diplomave e targave të makinave, si hapa për integrimin e komunitetit serb.

Por, Qeveria e tij është nën presionin e ndërkombëtarëve për të formuar Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

Për këtë asociacion, Kosova dhe Serbia u dakorduan qysh në vitin 2013.

Marrëveshja mes tyre u miratua edhe në Kuvendin e Kosovës, por Gjykata Kushtetuese konstatoi më pas se ajo ishte jokushtetuese, meqë nuk përfshinte edhe etni të tjera.

Pavarësisht garancive nga SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian, Kosova nuk e zbatoi marrëveshjen nga frika se një asociacion i tillë do të ndikonte në funksionimin e shtetit.

Serbia, e cila e konsideron Kosovën ende pjesë të veten, nuk ka zbatuar ngjashëm një varg marrëveshjesh me Kosovën. REL

Maqedonci: Më 13 qershor Kosova bëhet pjesë e koalicionit për deminimin e Ukrainës

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci ka thënë se më 13 qershor, Kosova do të bëhet pjesë e koalicionit për deminimin e Ukrainës.

Tutje ministri tha se ky koalicion do të nënshkruhet bashkë me Lituaninë.

“Kosova në vazhdimësi është duke e ndihmuar Ukrainën. Unë si ministër i Mbrojtjes, së bashku me komandantin e Forcës së Sigurisë së Kosovës marrim pjesë në takimet e grupit të kontaktit për Ukrainën, Këto takime mbahen zakonisht në Bruksel. Duke qenë pjesë e këtyre takimeve jemi të vetëdijshëm që jemi pjesë e përgjegjësisë që kërkohet nga secili anëtarë i grupit të kontaktit për mbështetjen e Ukrainës”, tha ministri në Edicionin Special.

“Ne kemi realizuar disa trajnime në fushën e deminimit, këtu në Kosovë për trupat ukrainase. Në vazhdimësi jemi duke e mbajtur një ekip, një kontingjent trajnues në Mbretërinë e Bashkuar, si pjesë e operacionit “Itnerflex””.

“Instruktorët tanë janë duke dhënë më të mirën, dhe duke prezantuar në mënyrën më të mirë, jo vetëm ministrinë e Mbrojtjes dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës, por edhe Republikën e Kosovës në tërësi”.

Maqedonci ka përmendur edhe pakot mbështetëse që Kosova i ka bërë Ukrainës.

“Një ditë pas çlirimit të Kosovës, më 13 qershor, unë do të jem pjesë e grupit të kontaktit për Ukrainën, dhe para këtij takimi do të nënshkruajmë së bashku me Lituaninë një letër të qëllimit, më të cilën Kosova bëhet pjesë e koalicionit të deminimit ku janë edhe disa vende të tjera të NATO-s për kontributin ndaj Ukrainës”, u shpreh Maqedonci. sn

Kurti me drejtorin e Qendrës Memoriale të Gjenocidit të Srebrenicës: Serbia të ballafaqohet me të kaluarën e saj

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti (djathtas), takohet me drejtorin e Qendrës Memoriale të Gjenocidit të Srebrenicës, Emir Sulljagiq, Prishtinë, 10 qershor 2024.

 

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka pritur në një takim të hënën në Prishtinë drejtorin e Qendrës Memoriale të Gjenocidit të Srebrenicës, Emir Sulljagiq, ku u bë thirrje që Serbia të ballafaqohet me të kaluarën e saj, tha Zyra e tij në një njoftim.

“Kurti i uroi mirëseardhje në Kosovë Sulljagiqit në 25-vjetorin e çlirimit të vendit tonë dhe përfundimit të spastrimit etnik dhe gjenocidit të Serbisë në Kosovë”, thuhet në një njoftim të Zyrë së Kurtit.

Të hënën në Kosovë u shënua 25-vjetori i përfundimit të luftës dhe i çlirimit të vendit.

“U tha se për paqe në Ballkan, Serbia duhet të ballafaqohet me të kaluarën e saj dhe të mbahet përgjegjëse për krimet, masakrat dhe gjenocidet e kryera, dhe që të sillen para drejtësisë përgjegjësit e krimeve të kryera gjatë luftës”, sipas njoftimit.

Sulljagiq është i mbijetuar i këtij gjenocidi të kryer nga forcat serbe në korrikun e vitit 1995 në Srebrenicë, në të cilën u vranë mbi 8.000 burra dhe djem boshnjakë.

Krimi në Srebrenicë njihet si gjenocid nga gjykatat ndërkombëtare.

Më 23 maj, anëtarët e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara miratuan rezolutën që shpall 11 korrikun Ditë Ndërkombëtare të Përkujtimit të Viktimave të Gjenocidit në Srebrenicë.

“Duke vlerësuar miratimin e rezolutës së Kombeve të Bashkuara mbi 11 korrikun si Ditë Ndërkombëtare të përkujtimit të gjenocidit të Srebrenicës, kryeministri rikujtoi se Kuvendi i Kosovës ka miratuar në korrikun e vitit 2021 një rezolutë të posaçme e cila e dënon gjenocidin serb në Srebrenicë”, theksoi Zyra e Kurtit.

Sulljagiq shprehu “mirënjohje për mikpritjen e ngrohtë” që po i bëhet në Kosovë, si dhe ritheksoi potencialin e bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Bosnjë e Hercegovinës, thuhet në njoftim.

“Në takim u vlerësua bashkëpunimi mes Institutit për hulumtimin dhe dokumentimin e krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë dhe Qendrës Përkujtimore të Srebrenicës dhe memorandumi i bashkëpunimit që pritet të nënshkruhet”, thuhet në njoftim.

Kurti e theksoi “përkushtimin e Qeverisë për procese gjithëpërfshirëse të drejtësisë tranzicionale, si dhe finalizimin e Strategjisë së parë të Republikës së Kosovës për Drejtësi Tranzicionale”. REL

Tony Blair: Bombardimet e NATO-s 25 vjet më parë ishin gjëja e duhur

VOA/Leonat Shehu

Ish kryeministri britanik, Tony Blair, tha të hënën se bombardimet e NATO-s 25 vjet më parë kundër forcave jugosllave për të ndalur dhunën në Kosovë, ishin gjëja e duhur për t’u bërë.

“Ne ndihmuam, dhe nuk jam penduar kurrë”, tha ai.

Ish kryeministri britanik, i cili në Kosovë vlerësohet si një nga personalitetet kryesore që nxitën fushatën ajrore të NATO-s kundër forcave serbe në vitin 1999, i bëri këto komente gjatë një fjalimi në parlamentin e Kosovës në kuadër të veprimtarive për shënimin e 25 vjetorit të çlirimit të saj.

“Kosova më në fund u çlirua. Njerëzit janë në gjendje të jetojnë përsëri, të shpresojnë përsëri, të besojnë përsëri në një shoqëri të ardhshme të lirë dhe të drejtë, të lirë nga shtypja dhe padrejtësia”, tha ai.

Ish kryeministri Blair tha se 25 vjet më parë kishte negociata të tensionuara politike dhe angazhim të jashtëzakonshëm diplomatik për të ardhur deri te çlirimi i Kosovës. Ai tha se lufta për t’i dhënë fund dhunës në Kosovë ishte për të gjithë botën, përfshirë edhe vendin e tij që beson se për liri dhe drejtësi, një luftë që ia vlen të luftohet.

“Sikur të kishim lejuar që Kosova dhe populli i saj të vazhdonin të brutalizoheshin, t’u hiqen të drejtat, t’u vidhet e ardhmja, e ardhmja jonë në vende si imi do të ishte pakësuar. Prandaj për mua ishte lufta për Kosovën jo vetëm për Kosovën, por për të gjithë ne”, tha zoti Blair.

Në Prishtinë vlerësohet se NATO-ja ka luajtur një rol të jashtëzakonshëm jo vetëm në ruajtjen e një mjedisi të sigurt por edhe rindërtimin e Kosovës e cila doli nga lufta me mbi 10 mijë të vrarë e rreth 5 mijë të zhdukur.

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani tha se zoti Blair ishte vendimtar për ndërhyrjen e NATO-s në Kosovë.

“Sikurse atëherë që ishit hero i popullit të Kosovës si dhe hero i lirisë dhe demokracisë edhe sot jeni hero i paqes për vendimin e drejtë të asaj kohe dhe gjithë përkrahjen që ja keni dhënë Kosovës gjatë këtyre 25 viteve. Në prill ë vitit 1999 ju e keni cilësuar intervenimin në Kosovë si një kauzë të drejtë, e tillë ishte siç është dëshmuar atëherë e tillë dëshmohet edhe sot sepse në pyetje ishte vetekzistenca e një populli”, tha presidentja Osmani.

Me 12 qershor të vitit 1999 NATO-ja filloi operacionin e vendosjes së trupave paqeruajtëse në Kosovë, pas një fushate 78 ditëshe të bombardimeve ndaj forcave serbe, që po atë ditë filluan largimin nga Kosova, duke i dhënë fund luftës gati dy vjeçare. Atëbotë në Kosovë u vendosën rreth 50 mijë ushtarë, ndërsa numri i tyre është shkurtuar vit pas viti.

Nëntë vjet pas ndërhyrjes së NATO-s, Kosova shpalli pavarësinë e saj e cila deri tash është njohur nga mbi 110 vende të botës në mesin e të cilave Shtetet e Bashkuara dhe vendet më të rëndësishme të Bashkimit Evropian, ndërsa kundërshtohet nga Beogradi dhe Moska.

Kurti: 2024 është vit i integrimit të komunitetit serb

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se viti 2024 është vit i integrimit të komunitetit serb.

Ai ka thënë se brenda pesë muajve, autoritetet e Kosovës i kanë lëshuar më shumë se 7.000 pasaporta të Kosovës, 6.800 letërnjoftime dhe 1.100 patentë-shoferë, në komunat me shumicë serbe.

“Ndërrimi i patentë-shoferëve joligjor me ata RKS është duke vazhduar mirë. Për më shumë, 159 biznese të reja janë regjistruar në Agjencinë për Regjistrim të bizneseve në katër komunat në veri”.

Kryeministri Kurti ka thënë se këto shifra janë rezultat i besimit që “një shtet i bashkuar është një shtet i fortë”.

Në fillim të majit, Qeveria e Kosovës pati njoftuar se Ministria e Brendshme e Kosovës ka nxjerr vendim që u mundëson qytetarëve të konvertojnë patentë-shoferët e lëshuar nga institucionet jolegale serbe në Kosovë, në ato zyrtare, të lëshuara nga institucionet e Kosovës.

Mirëpo, përgjatë kësaj periudhe, Perëndimi i ka kritikuar autoritetet e Kosovës për marrjen e disa vendimeve që kanë prekur minoritetin serb.

Në mesin e vendimeve është edhe ai Bankës Qendrore të Kosovës për zbatimin e një rregulloreje që përcakton euron si valutën e vetme për kryerje të pagesave në para të gatshme.

Kështu, banorëve në komunat me shumicë serbe u është pamundësuar përdorimi i dinarit.

Komuniteti ndërkombëtar ka vlerësuar që vendimi është marrë pa një përgatitje adekuate dhe që ka ndikuar negativisht në përditshmërinë e këtij komuniteti.

Serbia deklaron se ndan ndihmë për serbët në Kosovë në vlerë të miliona eurove, dhe ua paguan atyre rrogat, pensionet dhe ndihmën shtesë.

Kur përmendet komuniteti serb, faktori ndërkombëtar insiston secilën herë e më shumë që Kosova duhet të formojë sa më shpejt Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje për Asociacionin më 2013 dhe më pas më 2015 mbi parimet për themelimin e tij.

Po më 2015, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka gjetur se marrëveshja nuk është në harmoni të plotë me Kushtetutën.

Serbia kërkon që Kosova të zbatojë marrëveshjet e arritura, por Qeveria e Kosovës është deklaruar kundër një asociacioni njëetnik.

Serbia nuk e njeh pavarësinë e Kosovës dhe angazhohet vazhdimisht në fushata lobuese kundër Kosovës.

Dy vendet dialogojnë në Bruksel, për normalizim të marrëdhënieve, qysh prej vitit 2011.

Palët kanë nënshkruar një mori marrëveshjesh, por jo të gjitha janë zbatuar.

Bashkimi Evropian ka përsëritur disa herë se zgjidhja e të gjitha problemeve mes dy vendeve, është faktor tejet i rëndësishëm për rrugën e tyre evropiane. REL

Policia arreston një rus në Zveçan për kalim ilegal të kufirit

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se e ka arrestuar një shtetas të Rusisë në fshatin Grizhan të Zveçanit, pasi është vërtetuar se ai nuk ka hyrë në Kosovë në mënyrë të rregullt.

Arrestimi është kryer më 7 qershor, dhe është publikuar në raportin 24-orësh të Policisë.

Me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje.

Më 13 maj të këtij viti, Policia e Kosovës pati dëbuar dy shtetas tjerë rusë, të cilët ishin ndaluar në datën 6 të atij muaji, gjithashtu, për kalim ilegal të kufirit.

Të gjithë shtetasit rusë, përfshirë ata me pasaporta diplomatike, të cilët duan të hyjnë, kalojnë transit apo qëndrojnë në Kosovë, duhet të pajisen me vizë.

Ky vendim është marrë nga viti 2022.

Deri atëherë, qytetarëve rusë me pasaporta diplomatike dhe zyrtare u është lejuar hyrja, transiti dhe qëndrimi deri në 15 ditë në territorin e Republikës së Kosovës pa vizë.

Rusia nuk e njeh shtetësinë e Kosovës.

Megjithatë dy vendet kanë marrëdhënie formale. Zyra Ndërlidhëse ruse në Prishtinë është hapur qysh në vitin 2005, edhe pse veprimtaria e saj në publik është e shfaqur fare pak. REL

30 ditë paraburgim për dy të dyshuarit për spiunazh

Dy të dyshuarit e arrestuar për spiunazh do të qëndrojnë në paraburgim për 30 ditë.

Kështu është vendosur nga gjyqtari i procedurës paraprake në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

Kjo është konfirmuar nga zëdhënësja e gjykatës, Mirlinda Gashi, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Edhe gjykata e ka konfirmuar paraburgimin për dy të dyshuarit.

“Gjyqtari i procedurës paraprake ka aprovuar si të bazuar kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurve dhe të njëjtëve iu është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaji, për secilin”, thuhet në njoftim. sn

Policia e Kosovës e merr në pyetje gruan e Millan Radoiçiqit

Autoritetet kosovare e kanë marrë në pyetje të enjten bashkëshorten e Millan Radoiciqit, ish-nënkryetarit të Listës Serbe, i cili e mori përgjegjësinë për sulmin vdekjeprurës të shtatorit të kaluar kundër Policisë së Kosovës në veri të vendit.

Lajmi u konfirmua për Radion Evropa e Lirë nga zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për Rajonin e Veriut, Veton Elshani.

“Konfirmojmë se në Mitrovicën e Veriut është duke u intervistuar ky person, në prani të avokatit, me ftesë të Krimeve Ekonomike në Prishtinë”, tha Elshani.

Ai nuk tregoi mbi çfarë dyshimesh po merrej në pyetje ajo.

Në prill autoritetet kosovare konfiskuan dhe sekuestruan pasuri të Millan Radoiçiqit në veri të Kosovës.

“Ka pasur një urdhër gjykate për konfiskimin e tri pronave, vilës së Millan Radoiçiqit, restorantit Grey dhe një banese në katin e gjashtë mbi restorantin Grey”, kishte thënë Elshani pas aksionit më 4 prill.

Vila gjendet buzë liqenit të Ujmanit në komunën e Zubin Potokut në veri të Kosovës, ndërsa restoranti dhe banesa gjenden në Mitrovicë të Veriut – ky komuna të banuara me shumicë serbe.

Këto tri prona të paluajtshme ishin sekuestruar fillimisht nga Prokuroria e Kosovës në shtatorin e vitit të kaluar.

Radoiçiq e pranoi se e kishte organizuar dhe udhëhequr sulmin ndaj policisë së Kosovës më 24 shtator në fshatin Banjskë të Zvecanit, ku mbeti i vrarë një polic, ndërsa gjatë shkëmbimit të zjarrit u vranë edhe tre sulmues.

Kosova ka akuzuar Serbinë se qëndron pas sulmit në Banjskë, por Beogradi ka thënë se nuk ka gisht në të.

Në Kosovë ende nuk është ngritur ndonjë aktakuzë ndaj Radoiçiqit, ndonëse ishte paralajmëruar se do të ngrihej deri në fund të marsit të këtij viti.

Në dhjetor të vitit të kaluar, Agjencia Ndërkombëtare e Policisë (INTERPOL) kishte lëshuar një fletarrestim për Radoiçiqin me kërkesë të Kosovës, i cili iu dërgua përmes Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK).

Radoiçiq u paraqit para Gjykata e Lartë në Beograd tetorin e vitit të kaluar, por gjykata hodhi poshtë propozimin e Prokurorisë së Lartë Publike për të caktuar masën e paraburgimit, duke e lënë të lirë.

Atij i është shqiptuar masa e ndalimit të daljes nga territori i Republikës së Serbisë, si dhe e ndalimit për të shkuar në Kosovë.

Komuniteti ndërkombëtar ka bërë thirrje disa herë që përgjegjësit për sulmin në Banjskë të përballen me drejtësinë. REL

Konjufca: BE s’mund të na e marrë kompetencën për propozimin e draftit të Asociacionit

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, tha se nuk është kompetencë e Bashkimit Evropian që të propozojë draft-statut për Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë.

“Drafti që është dorëzuar nga ana e Bashkimi Evropian, ka një parregullsi, sepse kjo nuk është kompetencë e BE-së dhe mendoj që nëse BE-ja nuk e modifikon këtë qëndrim, atëherë po i bie që do që t’ia marrë me zor një kompetencë shtetit të Kosovës”, tha Konjufca të enjten para gazetarëve.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha të mërkurën në një intervistë për A2CNN se emisari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, mund ta dërgojë draftin në Komisionin e Venedikut.

Draftin e BE-së, Kurti e ka cilësuar “non-paper”.

“Është një ide [dërgimi i draftit nga Lajçak në Komisionin e Venedikut] të cilën edhe unë si kryetar i Kuvendit e mbështes”, tha Konjufca.

Sipas tij, çështja e Asociacionit nuk mund të marrë epilog “për shkak të mënyrës se si është shtruar nga bashkësia ndërkombëtare”.

Vitin e kaluar, Bashkimi Evropian, si ndërmjetës i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, ua prezantoi palëve një draft-statut për Asociacionin, i cili u pranua në parim.

Në të njëjtin vit, Kosova dhe Serbia arritën një marrëveshje për normalizimin e raporteve, që parasheh edhe sigurimin e një niveli të vetëmenaxhimit të komunitetit serb dhe zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të arritura në dialog.

Në kuadër të dialogut që ndërmjetësohet nga BE-ja, Kosova dhe Serbia kanë arritur dy marrëveshje për Asociacionin: më 2013 dhe 2015.

Më 2015, Gjykata Kushtetuese tha se Marrëveshja mbi parimet për themelimin e Asociacionin nuk ishte në harmoni të plotë me aktin më të lartë juridik të shtetit. Harmonizimi, sipas Kushtetueses, mund të bëhet përmes akteve nënligjore.

“Nuk mendoj që Kosova ka të drejtë të penalizohet se është vonuar [për draftin e Asociacionit], penalizimet mund të jenë të tjera, penalizim kanë qenë sanksionet, edhe atë e kemi vuajtur ne si Kosovë, çmimet kanë qenë, dhe çmimet i ka paguar Kosova. Por, kompetencën nuk mund të e na marrë BE-ja, për ta propozuar një draft, i cili do të jetë draft zyrtar, dhe që pastaj kalon në Gjykatë Kushtetuese e në instanca të tjera”, tha Konjufca.

Kosova dështoi të futej në agjendën e takimit të Komitetit të Ministrave në Këshillin e Evropës, i mbajtur në mes të majit në Strasburg, pasi shtetit iu vendos kusht që të lëvizte përpara me themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Një ditë para takimit në Strasburg, kryediplomatja e Kosovës, Donika Gërvalla, përmes një letre njoftoi Këshillin e Evropës se Kosova synon që të hartojë një draft-statut për Asociacionin dhe ta dërgojë në Kushtetuese deri në fund të majit, në këmbim të pranimit të shtetit në këtë organizatë për të drejtat e njeriut.

Por, në letrën e Gërvallës thuhej se draft-statuti do të frymëzohej nga një draft i prezantuar kohë më parë nga organizata gjermane Friedrich-Ebert-Stiftung, e jo draft-statuti që iu paraqit Kosovës dhe Serbisë nga BE-ja tetorin e vitit të kaluar.

Megjithatë, Kosova deri më tani nuk ka ndërmarrë hapa drejt themelimit të tij. REL

Policia thotë se në lokacionet e të dyshuarve për spiunazh u konfiskuan armë dhe municione

Policia e Kosovës njoftoi se janë konfiskuar armë, municione dhe maska ushtarake gazi në dy lokacionet e dy shtetasve kosovarë që u arrestuan për spiunazh të mërkurën në Ferizaj.

Prokuroria bëri të ditur se dy shtetasit kosovarë u arrestuan pas një hetimi disamujor dhe se i ngarkon ata me veprën penale “spiunazh”.

Ata janë ndaluar për 48 orë, me vendim të prokurorit.

“Gjatë kontrollit në lokacionin e dy të dyshuarve kosovarë, në cilësi të provave materiale janë gjetur dhe sekuestruar dokumente të ndryshme, kompjuterë, telefona, USB, DVR, kaseta, armë dhe municione, maska, maska ushtarake gazi, si dhe shumë dëshmi të tjera”, thuhet në raportin 24-orësh të Policisë së Kosovës.

Lidhur me këtë rast nuk janë dhënë më shumë detaje.

Por mediat lokale raportuan se personat e arrestuar dyshohet se kanë spiunuar për Agjencinë Serbe të Sigurisë dhe Informacionit (BIA).

Në një reagim më vonë të mërkurën, BIA tha se e mohon “çdo lidhje me personat e arrestuar në Kosovë”.

BIA shtoi se bëhet fjalë për “përpjekjet e Prishtinës për përhapjen e lajmeve të rreme, se janë dy persona me iniciale B.SH dhe M.Q., të cilët janë arrestuar të mërkurën në Ferizaj me akuzën se kanë kryer vepër penale të spiunazhit në marrëdhënie bashkëpunimi me Agjencinë”. sn

Kurti: Veriu kurrë s’ka qenë më i sigurt! Serbët po çlirohen nga grupet kriminale të interesuara për destabilizim

‘Veselinovic, Radoicic, të gjithë këta i përkasin strukturave paramilitare në Serbi, të cilët kanë prona të mëdha, pasuri marramendëse, të cilët organizojnë elementët kriminale për ta destabilizuar Kosovën’.

Kështu u shpreh në studion e A2 CNN, Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, teksa foli për lidhjet që ka Serbia me kriminelët në veri. Më tej, ai bëri edhe një krahasim mes Serbisë dhe Rusisë, duke krahasuar edhe Prigozhin me Radoicic.

“Në dallim nga vitet 90 kur ka pasur një nacionalizëm të masave si lëndë djegëse për makinerinë e luftës së diktatorëve. Nëse do të dërgoje në atë kohë një maune me kallashnikovë në cilindo fshat në Boshnjë, Kroaci apo edhe në Kosovë, të gjithë do ta merrnin një armë. Tashmë nuk është më ky rasti. Në Kosovë, nëse dikush provon t’i japë dikujt armatim lajmërohet në polici. Prandaj çfarë po bëjnë qendrat hegjemonike të Beogradit? Po dëshirojnë të punojnë me struktura kriminale në mungesë të mbështetjes popullore. Këto grupe e kanë sot një lloj admirimi ndaj “ujqërve” të NATO-s nga Kremlini ose grupeve si Ëagneri. Serbia në Ballkan sillet si një Rusi e vogël dhe Rusia e vogël e ka një Putin të vogël, i cili është Aleksandar Vucic, por e ka edhe Prigozhinin e vogël, i cili është Milan Radoicic. Në dallim nga Prigozhini, ky i Serbisë është i lirë dhe mbrohet nga pushteti dhe merr pjesë në fushatë zgjedhore për presidentin e Serbisë.

Unë besoj se drejtësia mund të vonojë, por do t’i kapë këta. Policia dhe inteligjenca te ne po bëjnë punë të shkëlqyer, nganjëherë edhe gjyqësori me prokurorinë, por këto dy të fundit do të mund të bënin shumë më mirë dhe shumë më tepër”, tha Kurti.

Kurti tha më tej se si po çlirohen serbët në veri nga grupet kriminale. “Veriu kurrë nuk ka qenë më i sigurt dhe kriminelët kurrë nuk kanë qenë më të rrezikuar. Paniku i tyre përcjellë edhe rrezik për qytetarët dhe forcat e sigurisë. Ata janë të interesuar për destabilizim dhe konflikte të reja”, u shpreh Kurti. sn

Operacioni i AKI, arrestohen B.SH. dhe M.Q. në Ferizaj, dyshohen se spiunonin për shërbimin sekret serb

Operacionini i AKI, arrestohen B.SH. dhe M.Q. në Ferizaj, dyshohen se spiunonin për shërbimin sekret serb

Policia e Kosovës ka arrestuar sot në Ferizaj dy persona të cilët dyshohen për spiunazh dhe bashkëpunim me “BIA”-n e Serbisë.

Sipas burimeve të Gazetës Express bëhet fjalë për të dyshuarit B.SH. dhe M.Q. dhe Express mëson se Agjencia Kosovare e Inteligjencës (AKI) ka qenë instrumentale për kapjen e dy të dyshuarve.

Aksioni i Policisë së Kosovës po vazhdon, ku edhe po bastisen pronat e të dyshuarve.

Ata dyshohen se për shumë vite kanë bashkëpunuar me strukturat e inteligjencës serbe. Njëri prej të arrestuarve ka qenë zyrtar doganor gjatë viteve 90-99, derisa pasluftës ka vazhduar të ushtrojë funksionin e doganierit gjatë periudhës së administrimit të UNMIK-ut në Kosovë./Express/

Asociacioni, Osmani takon sot kryetarët e komunave

Prishtinë – Presidentja e Kosovë, Vjosa Osmani do të presë sot në takim këshillin e kryetarëve në kuadër të Asociacionit të Komunave të Kosovës.

Kryetari i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Agim Aliu do ta mbajë një fjalim rasti për sfidat dhe preokupimet e komunave derisa temat që do të diskutohen në këtë takim janë:

Roli i komunave në parandalimin e dhunës me bazë gjinore, roli i pushtetit lokal në zhvillimin e turizmit në Kosovë, bashkëpunimi mes presidencës dhe komunave në realizimin e projekteve dhe sfidat e komunave në qeverisjen lokale. sn

‘Raporti i BE për Banjskën, i vonuar’ ish.zv/ministri: Serbia ka zgjedhur me kohë Rusinë

Ish-zv.ministri i Brendshëm i Kosovës, Selam Shkodra e cilësoi të vonuar raporton e Bashkimit Europian që konfirmoi edhe njëherë se Serbia fshihej pas sulmit terrorist në Banjskës.

Sipas Shkodrës, bashkësia ndërkombëtare duhet ta kuptojë se Serbia ka zgjedhur prej kohësh Rusinë dhe tentativa e tyre për t’i ndarë janë të dështuara.

“Ky raport mirë që është formalizuar, por që ditët e para e kemi potencuar që faktet ishin të njohura. Serbia ishte e përfshirë drejtpërdrejtë me shërbimet sekrete që drejtohej nga Vulin dhe që është shpërblyer nga Vuçiç. Vulin punon me strukturat e tij që të minojë situatën e sigurisë në Kosovë dhe Bosnje. Ka një aktivitet të shtuar në Mal të Zi dhe Maqedoninë e Veriut. BE dhe ndërkombëtarët duhet ta kuptojnë se tentativat e tyre për ta shkëputur Serbinë nga Rusia janë të dështuara”, tha ish.zv/ministri. sn

Osmani e uron presidenten e parë grua në Meksikë: Shpresoj për një mundësi bashkëpunimi mes vendeve tona

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani e ka uruar presidenten e sapozgjedhur të Meksikës, Claudia Sheinbaum Pardo.

Përmes një postimi në rrjetin social, X, Osmani shkroi se shpreson që presidenca e saj do të ofrojë një mundësi për bashkëpunim me Kosovën.

Tutje, ajo potencoi se është frymëzuese që të shoh gra që marrin role udhëheqëse.

“Urime Presidentes së zgjedhur në zgjedhjen e saj historike si presidentja e parë grua e Meksikës. Në një botë që përballet me shumë sfida, është frymëzuese të shohësh më shumë gra që marrin role udhëheqëse. Shpresoj se presidenca e saj do të ofrojë një mundësi për bashkëpunim të zgjeruar mes vendeve tona”, ka shkruar Osmani.

Claudia Sheinbaum, shkencëtare, i fitoi një shumicë dërrmuese votash zgjedhjet, duke u bërë presidentja e parë grua e Meksikës. sn

Mbi 2 milionë turistë nga Kosova vizituan Greqinë pas liberalizimit të vizave- E kundërta ndodh në Shqipëri

Instituti i Statistikave të Kosovës ka deklaruar se numri i turistëve kosovarë që kanë vizituar Selanikun e Greqisë, i ka kaluar 2 milionë, pas liberalizimit të vizave.

Në postimin e tyre në X, theksohet se ‘krahasuar me një vit më parë, Selaniku ka shënuar një rritje prej 20% të turizmit, ku në këtë rritje kanë kontribuar turistët kosovarë’.

Por sipas këtij instituti, e kundërta ka ndodhur me turistët e Kosovës në Shqipëri, pasi numri i tyre ka shënuar një rënie të dukshme.

Postimi i plotë:

Numri i turistëve kosovarë që vizitojnë Selanikun e Greqisë ka kaluar 2 milionë pas liberalizimit të vizave për Kosovën.

Krahasuar me një vit më parë, Selaniku ka shënuar një rritje prej 20% të turizmit, ku në këtë rritje kanë kontribuar turistët kosovarë.

Në të kundërt, ka pasur një rënie të dukshme të turistëve kosovarë në Durrës, Shqipëri, të cilët më parë ishin vizitorë besnikë, sipas operatorëve turistikë.

MPJD-ja e quan arbitrar arrestimin e shtetasit kosovar nga Serbia

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës (MPJD) e ka dënuar si arbitrar arrestimin e një shtetasi kosovar nga autoritetet serbe të shtunën, duke thënë se i ka kërkuar bashkësisë ndërkombëtare të ndihmojë në lirimin e tij të menjëhershëm.

Në një komunikatë për media, MPJD tha se Zyra Ndërlidhëse e Kosovë në Serbi u njoftua të shtunën për arrestimin Tefik Mustafës nga autoritetet e Serbisë në pikëkalimin kufitar Merdarë, për krime të pretenduara të luftës ndaj popullsisë jo-shqiptare, gjatë luftës në Kosovë më 1999.

Paraprakisht, Ministria e Brendshme e Serbisë njoftoi për media të shtunën pasdite për arrestimin e Mustafës.

Ministria kosovare tha se e dënon “ashpër ndalimin, arrestimin dhe keqtrajtimin e qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe, njëkohësisht, i bën thirrje Bashkësisë Ndërkombëtare të ndërmarrë hapa konkret për lirimin e menjëhershëm të qytetarit Tefik Mustafa”.

Ajo i bëri thirrje bashkësisë ndërkombëtare gjithashtu të kërkojë përgjegjësi nga shteti serb “për këto veprime arbitrare dhe destruktive, të cilat bien ndesh me konventat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut”.

MPJD-ja shtoi se do të kërkojë zyrtarisht nga autoritetet serbe që ta lejojnë përfaqësuesin e zyrës së Kosovës në Serbi, Jetish Jashari, ta vizitojë Mustafën, “nё mёnyrё që shteti dhe Qeveria e Kosovës tё njoftohen më konkretisht për trajtimin që po i bëhet Mustafës nga organet serbe”.

Për arrestimin e Mustafës, MPJD-ja tha se i ka njoftuar menjëherë vendet e QUINT-it në Kosovë dhe misionet diplomatike të Shteteve të Bashkuara dhe Britanisë së Madhe dhe të shteteve tjera në Beograd.

“Zyra Ndërlidhëse e Republikës së Kosovë në Serbi i ka dërguar kërkesë zyrtare Zyrës Ndërlidhëse të Serbisë në Kosovë për konfirmim të arrestimit dhe për ofrimin e detajeve tjera relevante, në të cilën kërkesë është përfshirë edhe Delegacioni i Bashkimit Evropian në Serbi”, thuhet në njoftim.

Në tre vjetët e fundit, në Serbi janë arrestuar disa shtetas të Kosovës me dyshimet e pretenduara se kanë kryer krime gjatë luftës në Kosovë 1998-99.

Më 17 prill, autoritetet serbe e arrestuan shtetasin kosovar Sadik Duraku, i cili ka nënshtetësi britanike gjithashtu, nën dyshimet “për krime lufte” më 1999 – akuza që u hodhën poshtë nga familjarët e tij.

Duraku u arrestua në një vendkalim kufitar mes Kroacisë dhe Serbisë dhe një gjykatë serbe i caktoi masën e paraburgimit po atë muaj.

Familjarët e tij thonë se akuzat kundër Durakut nuk qëndrojnë, pasi ai, para luftës në vitin 1999, ka jetuar me familjen e tij në Angli.

Në fillim të këtij viti, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, akuzoi Serbinë për, siç i cilësoi ai, arrestime të padrejta, të qëllimshme dhe dashakeqe të qytetarëve të Kosovës. REL

Arrestohet një kosovar në Merdarë per “krime lufte”, thotë MPB serbe

Autoritetet serbe njoftuan të shtunën se e kanë arrestuar një kosovar në pikën kufitare që lidh Serbinë me Kosovën, nën dyshimin për “krime lufte”.

Zëvendëskryeministri dhe ministri i Brendshëm i Serbisë (MPB), Ivica Daçiq, tha se Tefik Mustafa u arrestua pasditen e 1 qershorit në Merdarë për “krime lufte kundër civilëve në Kosovë”.

Në një komunikatë për media, MPB-ja serbe theksoi se Mustafa, “si pjesëtar i UÇK-së [Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës], në deklaratat e dëshmitarëve përmendej si pjesëmarrës në rrëmbimin e policëve Goran Marinkoviq, Zhivojin Paviq dhe Predrag Millosheviq, më 19 qershor 1999 në rrugën Prishtinë – Gjilan, të cilëve u humbën të gjitha gjurmët”.

“Personi do të dorëzohet në Prokurorinë për Krime Lufte”, tha Daçiq, sipas komunikatës.

Haxholli: Mbase “temë propagandistike” e Serbisë

Më vonë, në një postim në Facebook lidhur me këtë rast, sekretari i Zyrës Ndërlidhëse të Kosovës në Beograd, Fatmir Haxholli, tha se Serbisë “me gjasë po i duhet ndonjë temë propagandistike për zgjedhjet e nesërme në Serbi”, duke iu referuar zgjedhjeve lokale që do të mbahen më 2 qershor në Serbi.

Duke e përmendur rastin “Panda”, ai tha se policët për të cilët Serbia thotë që janë zhdukur, “është shumë më e mundshme të jenë zhdukur, apo të jenë gjallë në Serbi, sesa të ketë ndodhur diçka e tillë në territorin e Republikës se Kosovës”.

Radio Evropa e Lirë u është drejtuar me pyetje Ministrisë së Jashtme të Kosovës dhe Policisë së Kosovës në lidhje me arrestimin e shtetasit kosovar, por nuk mori përgjigje.

Në tre vjetët e fundit, në Serbi janë arrestuar disa shtetas të Kosovës me dyshimet e pretenduara se kanë kryer krime gjatë luftës në Kosovë 1998-99.

Më 17 prill, autoritetet serbe e arrestuan shtetasin kosovar Sadik Duraku, i cili ka nënshtetësi britanike gjithashtu, nën dyshimet “për krime lufte” më 1999 – akuza që u hodhën poshtë nga familjarët e tij.

Duraku u arrestua në një vendkalim kufitar mes Kroacisë dhe Serbisë dhe një gjykatë serbe i caktoi masën e paraburgimit po atë muaj.

Familjarët e tij thonë se akuzat kundër Durakut nuk qëndrojnë, pasi ai, para luftës në vitin 1999, ka jetuar me familjen e tij në Angli.

Në fillim të këtij viti, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, akuzoi Serbinë për, siç i cilësoi ai, arrestime të padrejta, të qëllimshme dhe dashakeqe të qytetarëve të Kosovës. REL

Osmani takohet me nënsekretaren amerikane për Tregti Ndërkombëtare, flasin për siguri, ekonomi e mbështetje për Ukrainën

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, gjatë vizitës së saj në El Salvador, ka takuar nënsekretaren amerikane për Tregtinë Ndërkombëtare, Marisa Lago dhe ndimhës-sekretaren e Shtetit, Julieta Valls Noyes.

Noyes, takimin me Osmanin e cilësoi si të mrekullueshëm, teksa tha se me të parën e shtetit të Kosovës folën për marrëdhëniet dypalëshe.

“Takim i mrekullueshëm me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani dhe nënsekretaren për Tregtinë Ndërkombëtare, Marisa Lago në El Salvado, për të diskutuar marrëdhëniet dypalëshe dhe tregtinë, mbështetjen për Ukrainën, çështjet e sigurisë dhe ato ekonomike”, shkroi Noyes, transmeton Klankosova.tv.

Ndërsa, Osmani  tha se gjatë takimit pati diskutim përmbajtësor për partneritetin e Kosovës me ShBA-së, zhvillimet e fundit të sigruisë dhe mundësitë për rritje të tregtisë.

Osmani ka udhëtuar për vizitë zyrtare në El Salvador, ku u prit me nderime të larta, teksa tha se vizitën po e bën për krijimin e aleancave të reja dhe thellimin e atyre ekzistuese me shtetet e Amerikës Latine.

Gjenden uniforma të policisë serbe- Sveçla akuzon Serbinë për destabilizim

Ministri i Brendshëm i Kosovës Xhelal Sveçla ka njoftuar se janë gjetur dhjetëra uniforma policie dhe të asaj speciale në një shtëpi në fshatin Isev i Poshtëm në Komunën e Leposaviqit. Në një postim në Facebook. Ministri thekson se mekanizmi terrorist i Serbisë në veri të Republikës së Kosovës po çmontohet çdo ditë e më shumë. Sipas tij kjo është dëshmi e radhës se mekanizmat e sigurisë së Serbisë ishin dhe mbeten përgjegjësi i tentativës për destabilizim dhe aneksim të veriut të vendit tonë.

Postimi i plotë i ministrit Sveçla

Mekanizmi terrorist i Serbisë në veri të Republikës së Kosovës po çmontohet çdo ditë e më shumë.

Pas informatave inteligjente, në një shtëpi në fshatin Isev i Poshtëm në Komunën e Leposaviqit u gjetën dhjetëra uniforma të policisë se rregullt dhe asaj speciale serbe si dhe pjesë të uniformave të Policisë së Kosovës. Kjo është edhe një dëshmi e radhës se mekanizmat e sigurisë së Serbisë ishin dhe mbeten përgjegjësi i tentativës për destabilizim dhe aneksim të veriut të vendit tonë.

Falë vigjilencës dhe punës së pakursyer të të gjitha institucioneve të sigurisë së Republikës së Kosovës kjo tentativë e Serbisë për destabilizim të vendit suksesshëm po parandalohet dhe luftohet.

Është detyrë dhe obligim i yni shërbimi ndaj të gjithë qytetarëve pa asnjë dallim, ndërkohë që është përkushtimi dhe vendosmëria jonë që me të gjitha mjetet ligjore të mbrojmë sovranitetin dhe integritetin territorial të vendit tonë. Të gjitha elementet terroriste që tentojnë destabilizim do të shkatërrohen pa kursim e përgjithmonë.

Image

Patrullim në kufirin e Kosovës, Franca dërgon avionin e saj ‘mbi’ ushtrinë e Serbisë

Pas alarmit të lëshuar nga ministri i mbrojtjes i Kosovës, Ejup Maqedonci, në Ditarin e Kosovës, forcat e NATO-s duket se janë vënë në lëvizje për të mbikëqyrur lëvizjet e ushtrisë serbe.

Për të dytën ditë me radhë, një avion i trupave të Francës është ngritur nga një bazë ajrore në Kroaci dhe ka udhëtuar drejt Prishtinës, më pas, për disa orë ka patrulluar shumë pranë kufirit të Kosovës.

Sipas Flightradar, qe monitoron levizjet e mjeteve fluturuese, avioni francez ka kryer të njëjtin itinerar edhe gjatë të mërkurës. Kjo vjen pasi ministri Maqedonci tha në A2 CNN se 3 brigada të ushtrisë së Serbisë gjenden shumë pranë kufirit me Kosovën.

Ai gjithashtu përmendi dyshimet se nën udhëheqjen e Aleksandër Vulin, zëvendëskryeministrit serb shumë të afërt me Rusinë, Beogradi po përgatit një provokim ndaj Kosovës.

Nënkoloneli gjerman: Në Kosovë dokumentuam varreza masive, informacionet mund të përdoren në gjykatë

Marco Langhorst, i cili shërben si zëvendëskomandanti i Regjimentit të tretë të Policisë Ushtarake gjermane, ka folur rreth përgatitjeve të fundit të zhvilluara nga ky njësit.

Langhorst i cili është pjesë e Policisë Ushtarake që nga viti 1998-të, në intervistën e publikuar nga Ministria gjermane e Mbrojtjes, është pyetur rreth dokumentimit të krimeve të luftës në përgjithësi, transmeton Klankosova.tv.

Nënkoloneli përmendi edhe Kosovën, ku tha se së fundmi kanë dokumentuar varreza masive.

Sipas tij këto informacione që kanë mund të përdoren në gjykatë.

“Dokumentimi i krimeve të luftës kishte rënë në plan të dytë për shkak të situatës aktuale të rendit. Së fundmi, gjatë misionit tonë në Kosovë, na është dashur t’i dokumentojmë varrezat masive dhe të regjistrojmë informacione që mund të përdoren në gjykatë. Që atëherë, hapësira e informacionit është bërë dukshëm më e vështirë dhe më e shpejtë. Dezinformimi dhe propaganda janë të zakonshme. Ne duhet të përshtatemi me këtë. Gjatë trajnimit tonë, ne punojmë shumë intensivisht me Zyrën Federale të Policisë Kriminale, ndër të tjera. Përfaqësues të Gjykatës Ndërkombëtare Penale ishin gjithashtu me ne për t’u përgatitur për skenarë të mundshëm. Lufta në Ukrainë tregon shumë qartë se sa e rëndësishme është të dokumentohen krimet e luftës dhe ta dominosh hapësirën e informacionit”, tha ai.

Sipas kolonelit gjerman, regjimenti i tretë i Policisë Ushtarake në Munchen, është “pika e parë e kontaktit për të gjitha pyetjet e policisë ushtarake nga ushtarët në Gjermani”.

Gërvalla: Një luftë tjetër në Ballkan do të ishte shumë e mirëpritur nga Rusia

Ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla-Schwarz, ka theksuar se Rusia mund të ndezë tensionet në Ballkan dhe të krijojë një luftë të re që Perëndimi të shpërndahet nëse mbizotëron në luftën e saj me Ukrainën.

Kryediplomatja e Kosovës për “NatSec Daily” ka paralajmëruar se ambiciet territoriale të presidentit rus Vladimir Putin nuk ndalen në kufirin ukrainas – dhe se fitorja e Ukrainës kundër Rusisë do të siguronte stabilitet në Ballkanin e trazuar prej vitesh, shkruan RTK.

“Strategjia e Putinit është të mbajë Perëndimin të hutuar me konflikte të ndryshme. Pra, një luftë tjetër në Ballkan do të ishte shumë e mirëpritur nga Rusia”, ka theksuar ajo, duke shtuar se Kosova në veçanti është një objektiv joshës për Putinin, sepse prosperiteti i vendit minon argumentin e tij se Perëndimi nuk mund të ndihmojë vendet e ish-bllokut lindor.

“Putini flet çdo javë për Kosovën…Nuk ka të bëjë me rëndësinë gjeopolitike të Kosovës, por ka të bëjë me faktin se Kosova është një histori suksesi e Perëndimit, një histori suksesi e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, është një histori suksesi e NATO-s, një histori suksesi e vendeve perëndimore evropiane”, ka theksuar Gërvalla-Schwarz, për “NatSec Daily”.

Paralajmërimi i Gërvalla-Schwarz vjen pasi kombet e tjera evropiane në afërsi të Rusisë kanë shprehur publikisht shqetësimet e tyre për agresionin në rritje të Putinit ndaj fqinjëve të saj. Javën e kaluar, Suedia tha se Putini po shikonte ishullin e rëndësishëm strategjik baltik të Gotlandit.

Kryeministri finlandez Petteri Orpo paralajmëroi se Rusia tashmë po sulmon fqinjët e saj duke përdorur taktika hibride. Dhe Bashkimi Evropian dënoi gjithashtu Rusinë për heqjen e bovave që përcaktojnë kufirin e saj lumor me Estoninë.

Krasniqi thotë se nuk do të ketë shpërndarje të Kuvendit

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka thënë të mërkurën se Kuvendi i Kosovës nuk do të shpërndahet, për shkak të mungesës së mbështetjes nga dy partitë e tjera opozitare për këtë.

Partitë opozitare, PDK, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), ka kohë që kërkonin që vendi të shkonte në zgjedhje të parakohshme, por nuk arritën pajtueshmëri për mënyrën se si të bëhej kjo.

“Ju njoftoj se mundësia për shpërndarjen e Kuvendit është ezauruar [shteruar]. Thirrja e PDK-së për shpërndarjen e Kuvendit nuk ka gjetur mbështetje. Jam i habitur nga mosgatishmëria e partive opozitare për ta bërë një gjë të tillë, sepse mosshkuarja në zgjedhje po ia zgjat mandatin pushtetit aktual”, tha Krasniqi të mërkurën në një konferencë për media në Prishtinë.

Mandati i Qeverisë së Kosovës, të udhëhequr nga Albin Kurti, përfundon në fillim të vitit 2025.

Kryeministri Kurti është shprehur i hapur për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme përmes shpërndarjes së Kuvendit, duke thënë se do të ishte mirë që zgjedhjet e reja të mbaheshin në pranverë ose në vjeshtën e këtij viti.

Derisa PDK-ja mbështeti mundësinë e zgjedhjeve të reja përmes shpërndarjes së Kuvendit, LDK-ja dhe AAK-ja kundërshtuan dhe kërkuan që Qeveria e Kurtit të japë dorëheqje, apo të shkarkohet.

“Partia Demokratike ka qenë gjithmonë e gatshme për cilindo variant që mundëson zgjedhje të parakohshme dhe largimin e kësaj qeverie. Edhe për ne, dorëheqja ka qenë mënyra e preferueshme e shkuarjes në zgjedhje, por të gjithë e dimë se si mundësi e vetme reale në tavolinë, ishte përmes shpërndarjes së Kuvendit”, tha Krasniqi.

Më herët të mërkurën, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, tha se ditëve të fundit janë “zvogëluar shanset” për shpërndarjen e Kuvendit.

Krasniqi e kishte takuar Kurtin në fillim të majit për të biseduar për mundësinë e zgjedhjeve të parakohshme, por Lumir Abdixhiku i LDK-së dhe Ramush Haradinaj i AAK-së, refuzuan.

Abdixhiku dhe Haradinaj kanë argumentuar se Qeveria Kurti duhet të japë dorëheqje për të marrë “përgjegjësi për dështimet e saj”.

Prej se Kosova është bërë shtet i pavarur në vitin 2008, asnjë qeveri e zgjedhur nuk e ka çuar deri në fund mandatin 4-vjeçar.

Qeveria e tanishme e Kurtit mund të bëhet e para që e përfundon mandatin e plotë katërvjeçar, pas mungesës së pajtueshmërisë për zgjedhje të parakohshme.REL

Grupi i Krizave ndryshon raportin, pranon se gaboi në raportimin për Banjskën

Organizata joqeveritare “International Crisis Group”, e cila ka mision parandalimin e konflikteve në botë, e ka përditësuar raportin më të ri kushtuar Kosovës. Në raport kishte trajtuar situatën në veri të Kosovës.

Raporti është përditësuar në pjesën ku kjo organizatë kishtë thënë se KFOR-i ka negociuar me grupin paraushtarak serb për t’u larguar nga Banjska gjatë sulmit të 24 shtatorit.

Grupi Ndërkombëtar i Krizave (ICG) e ka ndryshuar një pjesë të tekstit të martën dhe për këtë gjë ka dhënë një sqarim.

“Ky tekst u përditësua më 28 maj 2024. Versioni origjinal i këtij raporti gabimisht deklaroi se personeli i KFOR-it negocioi tërheqjen e grupit të armatosur serb nga bllokimi në Banjskë”, theksohet në raportin e ICG-së.

Pjesë nga ky raport u përmendën edhe në një draftraport të prezantuar gjatë fundjavës në Asamblenë Parlamentare të NATO-s.

Ndërkohë KFOR-i kishte mohuar këtë raportim.

“Kjo është e pasaktë. Në asnjë moment KFOR-i nuk ishte i përfshirë në negociatat e supozuara. Pasi u thirr për të përforcuar praninë e tij, KFOR-i u koordinua ngushtë me Policinë e Kosovës dhe misionin e BE-së për sundimin e ligjit (EULEX) për të rivendosur sigurinë në zonë”, thuhet në komunikatën e KFOR-it.

“NATO ka mbajtur gjithmonë qëndrimin se faktet duhet të vërtetohen dhe autorët duhet të përballen me drejtësinë. Pas dhunës, NATO ka dislokuar rreth 1000 paqeruajtës shtesë dhe forca të blinduara më të rënda në Kosovë. Ky ka qenë përforcimi më i madh i kontingjentit tonë në Kosovë në një dekadë; dhe kjo tregon se NATO është e gatshme të ruajë paqen”, thuhet më tej në komunikatë.

‘3 brigada serbe shumë afër kufirit’- Ministri i Mbrojtjes i Kosovës jep alarmin për destabilitet

Ministri i Mbrojtjes i Kosovës Ejup Maqedonci ka dhënë alarmin për destabilitet në Ballkanin Perëndimor.

Në një intervistë në A2 CNN, Maqedonci tha se tri brigada serbe janë shumë afër kufirit me Kosovën, duke përbërë një kërcënim për paqen dhe sigurinë jo vetëm në rajonin ballkanik por edhe më gjerë. Sipas tij Serbia po rrit buxhetin për mbrojtjen dhe me armatime nga Rusia, Kina e Irani.

“Kryeministri Kurti e ka thënë shumë herë që militarizimi i Serbisë paraqet kërcënim të përhershëm për paqen e stabilitetin jo vetëm për Ballkanin Perëndimor, por edhe më gjerë. Ky militarizim po bëhet në vazhdimësi. Kemi një rritje të buxhetit për mbrojtjen në Serbi. Një pajisje me sistem armatimi nga Rusia, Kina e Irani. Një zbarkim i trupave serbe jo larg territorit tonë tre nga 4 brigada serbe janë vendosur në jug të Serbisë, jo shumë larg kufirit me Kosovën. Këto 3 brigada kanë tejzgjatje operacionale 28 baza ushtarake dhe 20 të xhandarmërisë që janë në distancë nga 300 metra deri 5 km larg kufirit të Kosovës. Duke i shtuar mbështetjes që i kanë dhënë grupit të Raidoçiç vitin e kaluar më 24 shtator në tentativën e tij, për të aneksuar pjesë nga territori ynë, ne vlerësojmë që Serbia vazhdon të jetë kërcënim për paqen dhe sigurinë, jo vetëm për Ballkanin perëndimor, por edhe më gjerë”.

Raportimet në shtypin serb se Beogradi ka thirrur rezervistët për stërvitje masive në mënyrë që të jetë i përgatitur për emergjencë kombëtare, ai tha se kjo është pjesë e armatimit të Serbisë për t’i shfrytëzuar për destabilizim.

“Kjo është pjesë e armatimit të Serbisë. Serbia po tenton të rrisë edhe personelin ushtarak që ti përgatisë për ndonjë momentum të caktuar që t’i shfrytëzojë për çështje të destabilizimit të Ballkanit Perëndimor. Serbia ka probleme me rekrutimin e personelit për forcat e saj të armatosura dhe po tenton që përmes presionit t’i detyrojë të paraqiten”.

Lidhur me avancimin e Kosovës si anëtare e asociuar e Asamblesë Parlamentare të NATO-s, Maqedonci theksoi se vendi i tij është i përgatitur për të qenë pjesë e strukturave të aleancës.

“Kosova është e përgatitur për të qenë pjesë e strukturave të NATO-s. Forcat tona janë duke u stërvitur. Vendi ynë ka treguar se ne e meritojmë të jemi drejt anëtarësimit. Kosova është e vendosur për të ecur drejt rrugëtimit në NATO e BE”.

ASK: Kosova pritet t’i ketë 1.6 milionë banorë

Kosova pritet t’i ketë 1.6 milionë banorë, ka njoftuar Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) në një konferencë për media.

Ushtruesi i Detyrës së drejtorit ekzekutiv të ASK-së, Avni Kastrati, ka deklaruar se të dhënat zyrtare do të publikohen kah mesi i muajit korrik.

“Të dhënat publikohen në pjesën e parë të muajit korrik, por në bazë të ditëve të fundit të mbarimit të procesit, edhe shtesa që ka qenë, pritjet janë që Kosova t’i ketë rreth 1.6 milionë banorë”, ka thënë ai të hënën.

Kastrati njoftoi se në tërë procesin e regjistrimit të popullsisë janë përfshirë rreth 5.100 persona.

ASK-ja u bëri të ditur se të gjitha të dhënat e tjera do të publikohen në korrik, derisa procesi u tha se ka shkuar kryesisht pa probleme.

Sulmi në Banjskë- KFOR-i e mohon, por kush negocioi për largimin e Raodiçiçit me terroristët e tjerë nga veriu i Kosovës

Më 24 shtator 2023, Banjska u bë qendra e një sulmi ndaj Policisë së Kosovës, që tronditi komunitetin lokal dhe tërhoqi vëmendjen ndërkombëtare. Në këtë ngjarje tragjike, e cila përfshiu përleshje të armatosura midis forcave të sigurisë së Kosovës dhe një grupi të armatosur të paidentifikuar, humbi jetën rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku si dhe tre prej sulmuesve serb.

Milan Radoiçiq, ish-nënkryetar i Listës Serbe – partisë kryesore të serbëve të Kosovës – pranoi përgjegjësinë për organizimin e këtij sulmi të armatosur. Pasojat e këtij sulmi po vazhdojnë edhe sot, ndërsa autoritetet dhe organizatat ndërkombëtare po hetojnë shkaqet dhe përgjegjësitë për këtë akt të rëndë. Së fundmi lidhur me këtë ngjarje International Crisis Group ka dalë me një draft-raport, ku theksohet se KFOR ka negociuar për tërheqjen e paramilitarëve serbë nga Banjska.

“Nga frika e një gjakderdhjeje, KFOR-i negocioi tërheqjen e grupit në pyjet përreth, nga të cilat ata u shkrinë. Kosova beson se deri në 200 luftëtarë të tjerë ishin fshehur në atë kohë në pyllin e dendur midis Banjskës dhe kufirit serb”, thuhet në këtë raport, i cili u citua në komisionin për mbrojtje e siguri në Asamblenë e Përgjithshme të NATO-s të mbajtur dy ditë më parë, raporton tg.

E ndaj të gjeturave të këtij raporti ka reaguar misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR. KFOR-i në një reagim publik thotë se ky raportim është i pasaktë. “Në asnjë moment KFOR-i nuk ishte i përfshirë në negociatat e supozuara”, vijon komunikata. Pasi u thirr për të përforcuar praninë e tij, KFOR-i thotë se u koordinua ngushtë me Policinë e Kosovës dhe misionin e BE-së për Sundimin e Ligjit (EULEX) për të rivendosur sigurinë në zonë. “Dhuna që ndodhi në Banjska erdhi pas një sulmi kundër paqeruajtësve të KFOR-it në maj të vitit 2023, i cili rezultoi në plagosjen e 93 pjesëtarëve të KFOR-it, disa prej të cilëve pësuan lëndime të rënda”.

KFOR-i thotë se NATO ka mbajtur gjithmonë qëndrimin se faktet duhet të vërtetohen dhe autorët duhet të përballen me drejtësinë. Kujtojmë se organizata ndërkombëtare policore INTERPOL tashmë ka lëshuar një urdhër arresti për ish-nënkryetarin e Listës Serbe, Milan Radoiçiq dhe 11 persona të tjerë për sulmet terroriste të 24 shtatorit në Banjskë.

Kurti: Të dhënat nga regjistrimi i popullsisë, bazë për vendime më të mira

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se rezultatet e regjistrimit të popullsisë do t’iu mundësojnë institucioneve që të krijojnë politika, strategji dhe të marrin vendime më të mira për zhvillim më të qëndrueshëm.

Këto deklarata Kurti i bëri gjatë ceremonisë së mbajtur më 25 maj për shënimin e përfundimit të regjistrimit të popullsisë, ekonomive familjare dhe banesave në Kosovë.

“Të dhënat e mbledhura do të jenë baza për politika, strategji e vendime më të mira, për një zhvillim edhe më të hovshëm e më të qëndrueshëm të vendit tonë”, tha Kurti.

Regjistrimi i popullsisë nisi më 5 prill. Fillimisht ishte caktuar që të përfundonte më 17 maj, por pas kërkesave të disa komunave, procesi u shty deri më 24 maj.

Gjatë këtij procesi, edhe diaspora ka mundur të regjistrohet përmes një platforme online.

Agjencia e Statistikave të Kosovës e vlerësoi të suksesshëm procesin e regjistrimit.

“Regjistrimi i popullsisë, si një nga projektet më madhore dhe më komplekse të një vendi në kohë paqeje, përkundër sfidave dhe kompleksitetit që ka pasur, u realizua me shumë sukses. Suksesi është arritur falë bashkëpunimit dhe koordinimit që ka pasur ASK-ja me institucionet e tjera [vendore e ndërkombëtare]”, u tha në njoftimin për media të ASK-së.

Më 5 prill, kur edhe filloi regjistrimi – Lista Serbe, partia kryesore e serbëve në Kosovë e cila gëzon mbështetjen e Beogradit – kishte thënë se serbët nuk do të merrnin pjesë në procesin e regjistrimit të popullsisë.

Regjistrimi i fundit i popullsisë në Kosovë, në vitin 2011, nuk ishte mbajtur në katër komunat në veri – Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan – të banuara me shumicë serbe, ndërsa serbët nga komunat e tjera në jug, me ftesë të Beogradit, kryesisht e kishin bojkotuar procesin.

Sipas Ligjit për regjistrimin e popullsisë, ekonomive familjare dhe banesave, çdo person mund të gjobitet nga 30 deri në 2.000 euro, nëse refuzon t’i japë informacionet e kërkuara nga regjistruesi.
Gjobat janë edhe më të mëdha, deri në 20.000 euro, për biznese.

Krasniqi u kërkon liderëve partiakë të shpërndajnë Kuvendin

Memli Krasniqi, kryetari i subjektit më të madh opozitar, Partisë Demokratike të Kosovës, tha se përmes një letre dërguar krerëve partiakë në pushtet dhe opozitë, ka kërkuar që zgjedhjet e reja parlamentare të mbahen sa më shpejt.

Krasniqi tha se u ka dërguar letër kreut të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, atij të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, dhe kreut të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradianj, për të koordinuar hapat që të shpërndahet Kuvendi i Kosovës në mënyrë vendi të mbajë zgjedhje të parakohshme parlamentare.

“Partia Demokratike e Kosovës ka propozuar datat 30 qershor ose 7 korrik për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme dhe për shkak të afateve ligjore dhe kushtetuese, për të arritur njërën nga këto data, mocioni procedural për shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës, do të duhej të votohej më së largu deri më 29 maj. Andaj, edhe sot, unë i ftoj të gjitha partitë parlamentare që të koordinohemi e të bashkëpunojmë për të mirën e qytetarëve tanë”, shkroi Krasniqi në Facebook.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, së fundi ka mbajtur takime me përfaqësuesit e partive politike parlamentare për të diskutuar për mundësinë e mbajtjes së zgjedhjeve të reja. Sipas tij, zgjedhjet do të ishte mirë që të mbaheshin në pranverë ose në vjeshtën e këtij viti.

Por, partitë ende nuk kanë gjetur pajtim për formën se si të shkohet në zgjedhje.

PDK-ja kërkon që në zgjedhje të shkohet përmes shpërndarjes së Kuvendit, e cila paraprakisht kërkon mbledhjen e 40 nënshkrimeve për mocionin, i cili pastaj duhet të votohet nga 80 ligjvënës.

LDK-ka kërkon që në zgjedhje të shkohet përmes shkarkimit të Qeverisë apo dorëheqjes së saj dhe pastaj shpërndarjen e Kuvendit. Kërkesë të ngjashme ka edhe AAK-ja.

Ndërkaq, Lëvizja Vetëvendosje e ka përjashtuar mundësinë e dorëheqjes së ekzekutivit aktual.

Prej se Kosova është bërë shtet i pavarur në vitin 2008, asnjë qeveri e zgjedhur nuk e ka çuar deri në fund mandatin 4-vjeçar. REL

Shtyhet debati në Kuvend për Qeverinë Kurti

Kuvendi i Kosovës ka dështuar që të zhvillojë seancën për të diskutuar qeverisjen e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, në mungesë të deputetëve dhe dakordimit mes partive.

Seanca është shtyrë, por nuk është bërë e ditur data e re.

Shefi i grupit parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AA) Besnik Tahiri, ka thënë se seanca është kërkuar për të zhvilluar “një ballafaqim të vërtetë” mes opozitës dhe kryeministrit.

Vetë Kurti ka qenë i pranishëm në seancë.

“Grupi parlamentar i AAK-së, tash e tre muaj e ka dërguar në kryesi një kërkesë për një debat për tre vjetët e Qeverisë. Në diskutim me grupet parlamentare dhe në mungesë të deputetëve për një temë kaq të rëndësishme, një ballafaqim i vërtetë mes opozitës dhe kryeministrit nuk do të duhej të ndodhte pa një dakordim të plotë. Andaj po e shtyjmë këtë debat”, ka thënë ai.

Qeveria e Kurtit, e cila është betuar në mars të vitit 2021, ka hyrë në vitin e katërt të qeverisjes. Mandati i saj përfundon në fillim të vitit të ardhshëm.

Thirrja e kësaj seance është bërë teksa po zhvillohen bisedime për mbajtje të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.

Vetë Kurti ka thënë se është i interesuar për të diskutuar për datën e re të zgjedhjeve.

Megjithatë, krerët e partive opozitare kanë opsione të ndryshme për mënyrën se si duhet të shkohet drejt zgjedhjeve të reja. REL

Kuvendi i Kosovës miraton marrëveshjen me Danimarkën – i jep në shfrytëzim 300 qeli burgu

VOA/Leonat Shehu

Me 86 vota për dhe shtatë kundër, parlamenti i Kosovës ratifikoi të enjten marrëveshjen me Danimarkën për dhënien në shfrytëzim të 300 qelive të burgut në qytetin e Gjilanit, për të ndihmuar vendin skandinav të përballet me sistemin e tij të mbipopulluar të burgjeve.

Ministrja e Ekonomisë Artane Rizvanolli tha se qëllimi i kësaj marrëveshjeje është forcimi i mëtejshëm i marrëdhënieve me Danimarkën dhe përfitimet e vendit nga kjo marrëveshje.

“Sipas traktatit Kosova do të vendosë në dispozicion kapacitete të përshtatshme për 300 të burgosur të Mbretërisë së Danimarkës dhe rrjedhimisht Kosova do të përfitojë në këmbim tarifë vjetore fikse për shfrytëzimin e burgut prej 15 milionë eurosh dhe 6 milionë të tjera për energji të gjelbër të cilat i kemi shumë të nevojshme”, tha zonja Rizvanolli.

Ideja për marrëveshjen ishte paraqitur në fund të vitit 2021 me të cilën parashihej që shteti danez të marr në shfrytëzim për një periudhë 10 vjeçare qendrën e paraburgimit në Gjilan, rreth 45 kilometra në lindje të Prishtinës.

Zyrtarë të ministrisë së Drejtësisë kanë thënë se Kosova pritet të përfitojë 210 milionë euro nga Danimarka, e cila do të financojë sistemin e drejtësisë të Kosovës dhe projekte të energjisë së ripërtërishme.

Praktika të tilla janë zbatuar në vendet evropiane edhe më parë, përfshirë Norvegjinë dhe Belgjikën që kishin marrë me qira qeli burgu në Holandë.

Kritikët e marrëveshjes në Kosovë tërheqin vërejtjen se vendi ka mungesë të mundësive dhe burimeve për një marrëveshje të tillë.

Marrëveshja që ishte kundërshtuar më herët nga opozita, tashmë është mbështetur nga Partia Demokratike e Kosovës, gjë që mundësoi ratifikimin e saj.

Mbështetja e Partisë Demokratike në opozitë për votimin e marrëveshjeve ndërkombëtare pas gati një vjet bojkotimi, pasoi një takim javën e kaluar ndërmjet kryetarit të kësaj partie Memli Krasniqi dhe kryeministrit Albin Kurti, në të cilin është diskutuar edhe për zgjedhjet e reja.

Partia Demokratike e Kosovës u kërkoi gjatë javës partive politike parlamentare mbështetje për një mocion për shpërndarjen e parlamentit të Kosovës, si rrugë për të çuar vendin në zgjedhje të parakohshme.

Derisa partia në pushtet lëvizja Vetëvendosje është shprehur e gatshme të hap diskutimet me partitë opozitare në vend për të shpallur zgjedhjet e reja parlamentare, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës në opozitë kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Albin Kurti si rrugë për ta cuar vendin në zgjedhje të reja.

Mocioni për shpërndarjen e parlamentit mund të bëhet me nënshkrimet e 40 deputetëve, ndërsa për miratimin e tij duhen 80 vota në parlamentin 120 vendesh. Nëse deputetët merren vesh për shpërndarjen e parlamentit atëherë presidentja duhet t’i shpallë zgjedhjet e parakohshme që duhet të mbahen më së largu 45 ditë pas shpalljes së tyre.

Mandati i qeverisë aktuale përfundon në fillim të vitit 2025. Përgjatë tij partitë opozitare kanë kritikuar qasjen e qeverisë kundruall aleatëve të saj perëndimor gjë që çoi edhe në dështimin për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.

KFOR thotë se u njoftua për aksionin në veri, por s’mori pjesë në të

Një veturë e KFOR-it grek shihet pranë një veture të Policisë së Kosovës, gjatë aksionit policor në veri më 20 maj 2024.

 

Misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR, tha se është njoftuar “pak kohë” para se autoritetet kosovare të sigurisë të nisnin operacionin në veri të Kosovës kundër institucioneve financiare serbe në Kosovë më 20 maj.

Gjatë operacionit policor, të kryer në katër komunat në veri të Kosovës – të banuara me shumicë serbe – autoritetet e Kosovës thanë se mbyllën gjashtë objekte Bankës Kursimore të Postës dhe Bankës Popullore të Serbisë.

Gjatë aksionit, që autoritetet e Kosovës thanë se kishte të bënte me vendosjen “e rendit dhe ligjshmërisë”, u konfiskuan prova të ndryshme, përfshirë para.

Teksa po zhvillohej aksione, vetura të KFOR-it, por edhe të Misionit të Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit në Kosovë (EULEX), u panë në veri.

“Personeli i KFOR-it nuk u përfshi në zbatimin e këtyre operacioneve”, u tha në njoftimin e KFOR-it të lëshuar më 21 maj.

Ky mision tha se pret “konsultime me kohë” për çdo veprim të Policisë së Kosovës apo Forcës së Sigurisë së Kosovës “që mund të ndikojë te siguria rajonale”.

Misioni i NATO-s në Kosovë përsëriti qëndrimin se mbështet dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian, duke thënë se dialogu është rruga e vetme për zgjidhjen e çështjeve të hapura.

Aksioni i Policisë së Kosovës në veri është kritikuar nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.

Në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë, nga Departamenti amerikan i Shtetit thanë se ky aksion ishte veprim i pakoordinuar me partnerët ndërkombëtarë, duke theksuar se përshkallëzon tensionet.

Edhe BE-ja e quajti përshkallëzues dhe të njëanshëm aksionin policor në veri.

Policia e Kosovës tha se aksioni i 20 majit u krye pas raportimeve të institucioneve monitoruese financiare, sikurse njësia e inteligjencës financiare dhe Banka Qendrore e Kosovës. Në aksion mori pjesë edhe Administrata Tatimore e Kosovës.

Aksioni i autoriteteve të Kosovës vjen një javë pasi Banka Qendrore e Kosovës njoftoi se ka përfunduar afati tranzitor për rregulloren e saj, që ndalon përdorimin e dinarit serb për kryerjen e pagesave.

Rregullorja e BQK-së, që hyri në fuqi më 1 shkurt, parasheh euron si monedhën e vetme për kryerjen e pagesave.

Kosova dhe Serbia janë takuar shtatë herë muajt e fundit në Bruksel, në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja, për ta gjetur një zgjidhje për dërgimin e ndihmës financiare nga Serbia për serbët e Kosovës, por nuk kanë gjetur pajtim deri tani. REL

Bilanci i aksionit në veri të Kosovës, konfiskohen rreth 75 milionë dinarë, 1.6 milion euro, dollarë e franga

Policia e Kosovës ka zbardhur detaje lidhur me aksionin e zhvilluar gjatë ditës së hënë në veri të vendit.

Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës thuhet se përpos mbylljes së gjashtë njësive ilegale të “Bankës Postare Kursimore”, u konfiskuan edhe prova të ndryshme materiale.

Rreth  1.600.000 euro, rreth 74.700.000 dinar, rreth  19.500 franga, rreth 13.800 dollar amerikan, 40 dollar australian. Dokumentacione dhe prova relevante që ndërlidhen me rastin”, thuhet në njoftim.

“Gjashtë filiale të të ashtuquajturës  ‘Bankë Postare Kursimore’  në veri të vendit janë mbyllur dhe në objektet e tyre janë vendosur shenjat zyrtare për mbylljen e tyre, përderisa të gjitha veprimet e mëtejme policore do të realizohen në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë”, thuhet në njoftim.sn


Send this to a friend