Organizata që mbron të drejtat e gazetarëve shkruan se “problemi nuk është polemika apo kundërshtimi i një qëndrimi kritik, por fakti që kritika ndaj pushtetit trajtohet si defekt moral i gazetarit dhe jo si pjesë e një debati legjitim publik”.
Sipas “Safe Journalists Albania”, kur një njëri me pushtet, në këtë rast Kryeministri, ‘përgjithëson dhe diskrediton rolin e gazetarisë në vend që të japë llogari, vëmendja zhvendoset nga çështjet reale të interesit publik drejt sulmit ndaj atyre që bëjnë pyetje’.
“Pas deklaratës së Kryeministrit Edi Rama, që ia atribuon ndotjen plastike kryesisht sjelljes së qytetarëve, gazetarja investigative Klodiana Lala ngriti pyetje konkrete dhe të dokumentuara mbi funksionimin e inceneratorit dhe përgjegjësinë institucionale për menaxhimin e mbetjeve.
Në reagimin e tij pasues, Kryeministri nuk iu përgjigj këtyre pyetjeve me fakte apo sqarime institucionale. Përkundrazi, ai zgjodhi një gjuhë përçmuese dhe delegjitimese, duke folur për “injorancë”, “mungesë etike” dhe “dezinformim”, pa adresuar asnjë prej pretendimeve konkrete.
Problemi nuk është polemika apo kundërshtimi i një qëndrimi kritik, por fakti që kritika ndaj pushtetit trajtohet si defekt moral i gazetarit dhe jo si pjesë e një debati legjitim publik.
Kur Kryeministri, nga pozita e tij e pushtetit, përgjithëson dhe diskrediton rolin e gazetarisë në vend që të japë llogari, vëmendja zhvendoset nga çështjet reale të interesit publik drejt sulmit ndaj atyre që bëjnë pyetje. Kjo dobëson debatin publik dhe rrezikon të normalizojë presionin ndaj gazetarëve, veçanërisht ndaj grave në gazetari”, thuhet në reagim.
Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar një polemike në rrjetet sociale me gazetaren e kronikës së zezë së News24, Klodiana Lala për situatën e përmbytjeve në vend.
Disa ditë më parë, gazetarja Lala ka publikuar një reagim lidhur me statusin e Edi Ramës ne X, ky i fundit shprehej se problem per përmbytjet ishte fakti se qytetarët hedhin mbeturinat ne rruge, c’ka sipas tij sjellin ‘taposjen” e grykave të kanaleve.