Shtëpia Botuese “Onufri” sapo ka nxjerrë nga shtypi vëllimin me poezi “Rrugën për te zemra e ngatërrojnë të gjithë”, të poetit të shenjuar lirik Fatbardh Amursi (Rustemi). Arti është shprehja më e lartë e ndiesive të njeriut të veçantë. Arti poetik për Fatbardh Amursin është një fe. Por një tjetër fe. Ku ekzistenca është një pranim i qënies. Poeti grishet te e pazakonta brenda jetës së përditshme. Ëndërrimet nostalgjike për lumturinë, detajet e vogla të jetës në lëvizje, ideja e ikjes së Kohës, që nuk të shqitet nga mendja, përsiatjet mbi vetminë dhe disa anë të prizmit të fatit njerëzor, magjia dhe xhentilenca ndaj femrës, si dhe ngjyrimet e panumërta të jetës së shpirtit, janë risia e kësaj vepre që ilustron më së miri nocionin e modernitetit.
“Oh, sa shumë ishuj ka në botë!
Vetmia s`është
Përherë e keqe.
Eh, sa shumë ishuj ka në botë.
Le të vazhdojnë
Ata të lehin,
Kur qenin zgjedh ta bësh ti shok.
Dëshpërimi
S`më bën dot murg,
As profet i mbyllur në shpellë.
Mëvetësinë time unë po të dua:
E shndërroj në një planet”.
***
“Qytetërimet
s`dallohen vetëm nga veprat e artit,
sa xhentil je para një femre,
sa beson në zot.
Ato përherë testohen,
se ç`raporte ke ti me zogjtë”.
Liritë, për poetin, janë mundësi që i ofrohen shpirtit të lirisë. Shpirti i tij është i palodhur në kërkimin dhe përthithjen e tjetërsimeve, të gjendjeve ku ndodhet, kundrejt forcave pavetore.
“U përballa me flakët
Dhe ia dola,
Kur komandën zjarr e kish një
Që më donte të pjekur.
Llava e vullkanit imagjinar
Shkaktoi vuajtje më tepër nga një Vezuv”.
Heroi romantik i vetmisë është i dëshpëruar nga monotonia dhe e rëndomta, nga format e marrëzisë, të hipokondrisë, apo të fiksimeve nga kontaktet afektive me shoqërinë. Poeti përpiqet ta ndajë qënien transhedente nga ekzistenca e përditshme, ku sundon zvetënimi, zbrazëtia dhe llumi.
“S`ka qytet më të ndyrë
Nga ai që i dorëzohet llumit.
Injorojeni panairin e kotësive,
(Tregun e skllevërve në një semafor kollaj e gjen)
Të dekoruarit me tituj fals e bëjnë pis qytetin,
Sikurse ata që mbahen,
Se në duar kanë çelsat e hadit,
Qoftë dhe fatin tënd.
Atëherë kur u bëra burrë.
Kur kurthin
Ma ngriti e rëndomta,
Me një shtresë hiri gri
Si jetët monotone të qytetit pa ngjyrë,
Vetëm ngaqë e nënvleftësova gjynahqarin
Duke më hedhur hi në fytyrë”.
Përmbledhja “Rrugën për te zemra e ngatërrojnë të gjithë” është një muzikë imazhesh, me fuqi dhe efekte të fuqishme përjetimi. Poeti shpalos të gjitha mënyrat e mundshme të ligjërimit, si artist zemërdhembshur, me origjinalitet të spikatur. Larg toneve patetike dhe deklarative, përmes ballafaqimit të dhimbshëm midis dëshirës për të qenë i lumtur dhe mendimit të ngulmët, sado objektiv qoftë ai, duke iu drejtuar një qënieje të paidentifikuar, që mund të jetë jeta ose njerëzimi. Si alkimi e fjalës, poezia e Amursit është edhe alkimi shpirtërore e jetës, që ndërton një model estetik për tërë poezinë e tij postmoderne.
Në qoftë se duam të vëmë në dukje saktësisht mjetin e vecantë për të kristalizuar këtë origjinalitet, atë do të gjejmë te përdorimi i dendur i metaforës, që është figura më e preferuar e shprehjes poetike në tërë krijimtarin e tij, duke i dhënë asaj karakterin pjellor dhe duke çliruar të gjitha fuqitë e imagjinatës.
“Zgjova një mjelmë për t`i thënë
Një mjelmë në breg të liqenit
me kokën e futur mes krahëve
flinte e përkëdhelur nga një rreze dielli.
Rosat e egra zhurmonin pas krahëve të mi,
ndërsa patat e egra morën fluturim
për t`u kthyer përsëri.
E zgjova se doja t`i mburresha,
se në jetë s`kam vrarë asnjë zog,
se nuk kam penguar askënd në fluturim,
Ia fsheha,
se zogjtë janë ende të trëmbur
dhe nuk i zënë besë njeriu
në vendin tim”.