SHKUP – Në Maqedoni vazhdon votimi me çka qytetarët e vendit do të prononcohen në referendumin mbi çështjen për ndryshimin e emrit që është parakusht për anëtarësimin e vendit në NATO dhe çeljen e negociatave me Bashkimin Evropian (BE).
Në këtë referendum, pyetja e të cilit është “A jeni për NATO dhe BE duke pranuar marrëveshjen midis Maqedonisë dhe Greqisë”, gjithsej 1.806.336 qytetarë me të drejtë vote mund të shfrytëzojnë të drejtën e tyre për të votuar në qendrat e votimit të cilat do të jenë të hapura nga ora 07:00 e mëngjesit deri në orën 19:00 në mbrëmje.
Komisioni Shtetëror Zgjedhor (KSHZ) ka lëshuar akredimit për rreth 10 mijë vëzhgues nga Maqedonia dhe për rreth 500 vëzhgues të huaj, të cilët do të ndjekin procesin e votimit në referendum.
Fushata zyrtare e referendumit filloi më 10 shtator dhe përfundoi të premten, respektivisht deri në heshtjen 48-orëshe para referendumit.
Partia në pushtet, Lidhja Social-Demokrate e Maqedonisë (LSDM), ka udhëhequr koalicionin “Së bashku për Maqedoni evropiane”, koalicion që përbëhej nga 30 parti politike dhe shoqata civile, të cilat së bashku kërkonin nga qytetarët rezultat potiziv për referendumin dhe për të ardhmen euro-atlantike të Maqedonisë.
Nga ana tjetër, partia opozitare maqedonase VMRO-DPMNE, u bëri thirrje qytetarëve që në këtë referendum të marrin vendim dhe të votojnë sipas bindjes së tyre.
Përveç fushatave “për” dhe “kundër”, në fushata u përfshin edhe shoqata civile të cilat konsideronin se referendumi duhet të bojkotohet, përfshirë edhe i ashtuquajturi “Shtabi i krizave”, i cili ishte i përbërë nga disa shoqata civile dhe u paraqitën me sloganin “Maqedonia – bojkoton”.
Ndërkaq, presidenti i Maqedonisë, Gjorge Ivanov, ka deklaruar se nuk do të votojë në referendum, sepse siç tha ai, “dy herë ka marrë besimin nga qytetarët që mos të lejojë ndryshimin e Kushtetutës, me qëllim ndryshimin e emrit kushtetutes”.
Në prag të referendumit, Maqedonia u vizitua nga diplomatë dhe përfaqësues të huaj, ndër të cilët edhe Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, Sekretari amerikan i Mbrojtjes, James Mattis, përfaqësuesja e lartë e BE-së, Federica Mogherini, Kancelarja gjermane, Angela Merkel, ai austriak, Sebastian Kurz, si dhe funksionarë të tjerë të huaj të cilët apeluan tek qytetarët e Maqedonisë të dalin në referendum dhe të votojnë për një të ardhme më të mirë të vendit të tyre.
Kujtojmë se referendumi i sotëm është i treti me radhë në nivel shtetëror në 27 vite të pavarësisë së Maqedonisë, i cili vjen pas marrëveshjes në qershor midis Maqedonisë dhe Greqisë, e cila parasheh ndryshimin e emrit të shtetit në Republika e Maqedonisë së Veriut dhe që paraqet kushtin kryesor për anëtarësim të vendit në NATO dhe çeljen e negociatave me BE-në.
Referendumi i parë ishte në vitin 1991, që rezultoi me pavarësinë e Maqedonisë nga Republika Socialiste Federative e Jugosllavisë, ndërsa i dyti ishte në vitin 2004 për t’u prononcuar qytetarët lidhur me Ligjin për ndarjen territoriale të vendit. Edhe pse shumica votuan kundër ndarjes territoriale referendumi nuk ishte i suksesshëm për shkak se pjesëmarrja në votim që ligjërisht duhet të tejkalojë 50 për qind ishte vetëm 26,58 për qind. aa
Komentet