ERVIN KOÇI/ Postimet e Kryeministrit Edi Rama në favor të shembjes së Teatrit Kombëtar, duke listuar emrat artistëve që janë shprehur për një teatër të ri, kanë ngjallur sërish reagime.
Ashtu si në rastin e aktores Rajmonda Bulku, edhe këtë herë ka qenë dikush tjetër që ka reaguar. Bëhet fjalë për të birin e regjisorit të ndjerë, Mihallaq Luarasi, piktori Eldon Luarasi. Ashtu si ka bërë përgjatë këtyre ditëve, Rama ka veçuar një personalitet, që është shprehur pro shembjes së godinës së TK-së.
Këtë herë ishte regjisori Mihallaq Luarasi, por nuk ka mbetur në heshtje. Ka qenë i biri, Eldoni, i cili i bën thirrje Ramës të mos trazojë të vdekurit, ndërsa sa i takon amanetit të tij, ai shprehet se e njeh me mirë se Kryeministri e me sa duket, ka qenë i ndryshëm nga ai që pretendon Kryeministri.
POSTIMI I RAMËS
I pari që reagoi për çështjen e Teatrit dhe për protestën kundër shembjes së godinës, e cila po vijon pa ndërprerje, ishte Edi Rama. Këtë herë, kreu i qeverisë solli një reagim të ish-regjisorit të famshëm, Mihallaq Luarasi, i cili ka pas deklaruar se ajo godinë duhet të shembet dhe të ndërtohet një godinë e re.
Në “Facebook” Rama shkroi: “Mihallaq Luarasi, regjisori i famshëm i Teatrit Kombëtar, u kthye në shënjestrën e pamëshirshme të diktaturës komuniste, gjatë gjuetisë së egër të shtrigave që Enver Hoxha shpalli në vitet ’70, kundër artit e kulturës së degjeneruar perëndimore. Ai u linçua publikisht nga vetë diktatori komunist dhe u sfilit burgjeve, duke hyrë në librat e gazetat e propagandës enveriste, si një dele e zezë e regjimit totalitar. Ai sot nuk jeton më, por e ka lënë pak vite më parë amanetin e tij për Teatrin Kombëtar”, ka shkruar Rama, duke sjellë edhe qëndrimin e Luarasit për Teatrin.
“Ky teatër që kemi sot është i pandreqshëm. Është turp që Teatri Kombëtar i Shqipërisë ka ngelur në atë ndërtesë të ndërtuar që në kohën e Italisë. Qysh në vitin 1966, drejtuesve të asaj kohe u është kërkuar një teatër i ri, që fatkeqësisht nuk u ndërtua kurrë. Duhet më shumë vëmendje për Teatrin Kombëtar, nuk duhet një rikonstruksion i tij, por ndërtimi i teatrit të ri. Më 1966, në Teatrin Kombëtar, kur ishte gjallë dhe aktori i madh Naim Frashëri, rastësisht u takuam në oborr me Manush Myftiun, anëtar i Byrosë Politike atë kohë. Naimi i tha: ‘Nuk po mendon partia për një teatër të ri?’- ndërsa përgjigjja e Manush Myftiut ishte: ‘Naim, nipat tanë të ndërtojnë një teatër të ri, ne nuk kemi mundësi, presim nga nipat tanë’. Pra, ne jemi ata që sot duhet ta ndërtojmë një Teatër të ri Kombëtar”, theksoi kreu i qeverisë Edi Rama, në reagimin e tij në “Facebook”.
REAGIMI

“Mos i trazoni të vdekurit z. Kryeministër! Nuk mund t’ju përgjigjen dhe nuk mund t’ju kundërshtojnë”.
Kështu i drejtohet Ramës Eldon Luarasi, duke cituar një prej librave të fundit të Luarasit. “Në emër të tim eti, njeriut që i kushtoi jetën Teatrit, po ju bëj me dije se unë i biri, amanetin e tij mbi Teatrin Kombëtar e njoh më mirë se kushdo tjetër. Në një nga librat e tij, im atë ka shkruar: ‘Varrmihësit nuk dëgjojnë se nuk duan të dëgjojnë. Ata duan të hedhin lopatat e fundit të dheut mbi arkivolin e Teatrit Kombëtar. Teatri Kombëtar nuk mund të vritet, sepse këtë krim mund ta bëjë vetëm një armik i jashtëm, një pushtues që shtie për të vrarë kombin tonë. Sot për sot ne nuk jemi të pushtuar (dhe asnjëherë mos qofshim), prandaj kjo gjëmë është e pamundur’. Që prej një viti e gjysmë jam pjesë e protestës për mbrojtjen e Teatrit Kombëtar, fillimisht si qytetar dhe më pas si artist, me bindjen se demokracia e vërtetë mbart vlera të padiskutueshme”, shkruan Eldon Luarasi.
Komentet