Peshorja aty, petashuqe, me një ekran të hirtë në krye. Unë ende përgjum’sh. Sa vura këmbët mbi tastierën e saj feksi menjëherë një dritëz e lehtë tek ekrani. Numrat nisën të rrokulliseshin me nguti kush t’ia kapërcente njeri -tjetrit.
Mirë qënkam… Ecja dhe ngjitja në kodër ma mbajnë hapin të lehtë, kokën të freskët. Jetoj në moshën e përkujdesjes… por edhe të gripit e të kollës po u nxitova, në moshën e takikardisë po më la mendja për t’u bërë tani atlet.
Këtë mëngjes u peshova pa…gjumin, veç me të mbathura dhe kanotjere. Gjumi ma shton peshën ose edhe ma lehton. Pagjumësia, në të vërtetë, është e lodhshme, më rrotullon mua sa andej-këndej. Shoh ëndrra me def të dynjasë e me maskarenj të rinj, që janë krenarë për dinakëritë e tyre.
Peshorja nuk më g’njen asnjëherë . Më trallis gruaja kur më ledhaton e më thotë se po më rrudhet lëkura ngaqë ha (ham-ham) pak dhe po më tkurret barku. Mos u bëfsha asnjëherë barkalec.! Thonë se barkalecët janë të lodhshëm, përtacë, të ngadalshëm në shtratin bashkëshortor.
Peshorja s’më peshon mua kokekëmbë nga maja e flokëve tek thonjtë. Më peshon gjysmak ose më shumë se ç’jam veç me ndërresat. Ua thashë:
Mërzia ka peshë, deri diku të rendë, ankthi më të rëndë, pikëllimi ta shton o ta tret fare peshën. S’kam s’i t’i lë mënjanë as mërzinë, as ankthin, as pikëllimin. Është sikur të lë mënjanë veten, të dal në rrugë aq i rëndë sa t’i rëndem mirëfilli hapit tim të parë. Mund të jem dhe i lehtë. Ooo, kjo më bën të qesh.
Kam lënë takim me orën në orën tetë. Po në këtë ngutje kam lënë takim me Halim Malokun para teatrit “Moisiu.” Sa dal në rrugë mua më rrëmben lehtësisht flladi. Ku ta takoj orën? Ajo në orën (kur do vet) i palos akrepat, i palos e i puthit. I bzan zemrekut t’mos b’zaj nja 2 orë dhe ia mbath nga zyra e pritjes së popullit në kafenenë me bisht.
Tani, tej i mërzitur peshohem në…ajër. Të gjithë ne peshohemi në ajër. Ajri është peshorja më e saktë nga të gjitha. Simotrat e saj janë të vërteta, të pastra. Të afrohen po i deshe, të zemërohen po i shkele.
Mbahu, o këmbësor – i thashë vetes. Pyeta veten : sa të peshon koka? Koka më dëgjoj menjëherë dhe m’u gjegj :
“më pak se gjithë trupi hëpërhë”
“më shumë se gjithçka e me të tëra, gaz e plasje, punë e mbaruar dhe grindavece,”- gjykova unë.
” pagesë e rëndë dritash dhe ujërash,”- vazhdoj koka.
“aheng kur të tjerët flejnë, puth e nduk, mbush e zbraz ullukë.” ,- e mbylla unë
ligjërimin tim.
Kjo qënka koka?. Me dije dhe halle të mbëdhaja? Unë kokë kam si e gjithë njerëzia por s’paskam krye. Tani për tani peshoj sa mendjelehtësia ime, sa kokëfortësia ime shkreti.
Sikur të peshonte koka ime sa ajo e një trumcaku.? Nuk do ta doja shumë se kam frikë. Nga se kam frikë ? Kam frikë nga zëri im. Njeriu i gëzohet zërit të trumcakut. Shpesh ia plagos zërin atij. Me zë të plagosur koka ime do peshonte pak, fare pak ose sa një gjyle.
Ah, të kisha kokën e një bohçeje pishe plot farëra dhe aroma.
Bëëëëër, ç’më panë sytë, ç’m’u terrën ?
Pashë gjarprinj. Të mëdhenj e të
mbufatur. Gjarprinj e breshka të baltosura rrëzave, qelb njerëzor mbi Vijat e Bardha, në trotuare. I pashë të hyjnë e dalin nga farmacitë, spitali. Gjarprinjtë dhe breshkat pinë gjithë natën me të burgosurit. Në mëngjes dolën nga qelitë, u lanë e u shplan mirë e mirë në nevojtoren pa policë. Ia dhanë vrapit në oborrin policor. U shpëtuan policëve.
Sa i shoh gjarprinjtë unë bie
menjëherë në peshë. Po sikur të shqyhen qelitë plot hajdutë, at e bijëvrasës, plot homo dhe krim?
Helmi nuk helmohet me helm.
Nëse kjo ndodh nesër ç’peshë dhe ç’fytyrë do ketë mëngjesi i qytetit?
Po fryma jonë ç’peshë do të ketë.?
Kush rëndon më shumë : fajtori a faj?
Gjuha e zjarrit a tymi, tymnaja a hiri ?
Ja, ec e fol me veten, ec e tako veten, ler veten time tek tjetri e merr kokën e tjetrit për krye të miat kthehem në shtëpi. Kokën pse e kam kaq të lehtë e kaq të rëndë.?!
S’kam asnjë peshë, as peshën e një pëshpërimë, por i gjithi kërcas plasaritje, çarë i gjithi sikur kam plot pyka të mprehta në trupin tim trung.