VOAL

VOAL

Përndjekja komuniste ndaj çamëve, zbulohen dokumentet e Sigurimit

June 23, 2018
blank

Komentet

blank

DON  RROK  FRISKU – Nga Fritz RADOVANI

Pjesa e 54 e Zamakut Flamurit të Kastriotit

 

DON  RROK  FRISKU

 

FOTO MUNGON

(1892 – 1956)

 

Asht le në Mirditë në fshatin shumë të permendun Spaç, me 21 Mars 1892.

Ishte pinjoll i një fisi shumë të njoftun në atë krahinë. Prindët e sjellin me studjue në Seminarin Papnuer të Shkodres per meshtar. Sudimet e nalta teologjike dhe filozofike Don Rroku i ka perfundue n’ Austri. Asht shugurue meshtar dhe meshen e parë e ka thanë në Kathedralen e Shkodres.

Meshen e dytë e ka thanë n’ Orosh, ku ishte i pranishem edhe Imzot Doçi, aso kohe shumë i njohun si Abat i Mirditës.

Ka sherbye si meshtar nder zonat e Veriut, ku binte në sy pershpirtnia e tij, dhe pjesmarrja e frutëshme në pajtimin e gjaqeve dhe mosmarrveshjeve.

Per pak kohë ka sherbye si meshtar n’ Orosh, në vitin 1917. Ka vazhdue me sherbye mandej në Qafë të Malit per 24 vjetë, ku nuk harrohet asnjëherë në shtëpijat e atyne besimtarve që e respektuene aq shumë. Don Rroku ishte shumë i përgatitun dhe komunikues me fshatarët e atyne zonave malore.

Në fillim të vitit 1940 transferohet në fshatin Vig të Mirditës ku qendroi aty rreth tri vjetve, tue ju gjetë pergjithshka atyne fshatarve, të cilët e nderonin per gjithshka, po mbi të gjitha ishte prania nder sofrat e tyne të pajtimit.

Sigurisht, bie edhe në sy të Sigurimit shtetit komunist, kur ishte me detyrën e Tij në Mnelë, ku me 24 korrik 1947 e arrestojnë me motive politike.

U dënue me akuzat e njohuna si armik i pushtetit me 12 vjet heqje lirije dhe konfiskime pasunije etj., si zakonisht që vazhdonin pafund nder dosje.

Pasojat e torturave të bame mbi trupin e Tij ishin të pafund e pasherim.

Rreth vitit 1956, në moshen 64 vjeçare, tue mos tregue ma të voglin kujdes ndaj Don Rrok Friskut, në Burgun e Burrelit vdes dhe vorroset dikund pa e dijtë askush fundin e jetës së Tij, si zakonisht veprohej nder ata vende.

Jo vetem sot, po asnjëherë as nuk ka me dijtë kush se ku ishte grumbullue nder ata bisha që thirreshin agjenta të Sigurimit të shtetit komunist, ajo që thirrej urrejtje apo mëni kunder popullit dhe figurave që jetonin në gjiun e vorfnisë dhe persekucionit tij. Cilido kjoftë Ai intelektual që kishte mujtë me perfundue shkollen e naltë në Europen Perëndimore, edhe në kjoftë se të gjitha shpenzimet i kishte pasë vetem nga familja e vet dhe askush tjeter, Ai shikohej me synin e “armikut popullit”, edhe tue mos kenë aspak i këtillë madje, me rasen e parë që një prej tyne shikohej me synin e Sigurimit, atij i plotsohej dosja dhe i bahej gati edhe fletë-arresti, tue i përgatitë dhe qelinë apo birucen ku pa shkue mirë fillonin masakrat e torturat mbi trupin e tij.

Ndersa per Klerikët katolik gjithshka ishte gatëshme, edhe “revolveri”!

Edhe Ata ishin të gatshem me dhanë jeten e vet per Idealin e Fesë, gja e cila i rreshton me Zamakët e Flamurit të Gjergj Kastriotit – Skenderbeut!

            Melbourne, 8 Gusht 2022. 

blank

France-soir (1949)- “Një plebishit duhet të vendosë për fatin e Shqipërisë…”— Deklarata e Mbretit Zog në Kajro

Ahmet Zogu – Mbret i shqiptarëve

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 8 Gusht 2022

 

“France-soir” ka botuar, të enjten e 1 shtatorit 1949, në faqen n°5, deklaratën e mbretit Zog në Kajro në lidhje asokohe me të ardhmen e Shqipërisë, të cilën, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar:

 

Një plebishit duhet të vendosë për fatin e Shqipërisë…” thotë ish-Mbreti Zog

blank

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Kajro, 31 gusht (A.F.P.). — Në deklaratën për shtyp të publikuar sot në Kajro nga “Legata Mbretërore e Shqipërisë”, ish-Mbreti Zog deklaron në veçanti :

 

Pas kaq shumë sakrificash të përgjakshme dhe përpjekjesh të mjerueshme vëllavrasëse që na janë imponuar në dhjetë vitet e fundit të historisë sonë, detyra e çdo shqiptari është t’i shërbejë me besnikëri çështjes së atdheut dhe të ketë besim në të ardhmen e tij.

 

Ditën kur kjo do të jetë e mundur, mbreti do të kërkojë që të organizohet në atdhe një plebishit legal dhe i paanshëm nën kontrollin e Kombeve të Bashkuara dhe qeveria kombëtare që do të formohet më pas do të arrijë vëllazërimin dhe garantimin e lirisë.

blank

Historia e rusit të bardhë që vuajti 7 vjet në Spaç: Pse e persekutoi Kadri Hazbiu – Nga Uvil Zajmi

Brezi i ri, kryesisht ata që kanë lindur pas viteve ’90-të, shumë pak mund ta dinë se cili ka qenë Niko Bespalla, futbollisti me gjuajtjen e tmerrshme e më të fuqishme që ka parë futbolli shqiptar? Djali i një familje të ardhur nga Rusia, fëmijëria, rinia, “Lokomotiva” e Durrësit, “Partizani” e “Dinamo”, te Flora, si dhe rrëmbimi e dashuria me bukuroshen e “Emin Durakut”. Ndëshkimi për një grusht kallaj, deri te puna në fermë. Golat spektakolarë, takimi me sekretarin e parë të Komitetit të Partisë së rrethit të Durrësit, Muho Asllanin, drama për humbjen e djalit, futbollist. Çfarë bën sot Nikolla Bespallov, lojtari mit i viteve ’60-të? Historia e panjohur e një prej legjendave të futbollit shqiptar që kujtohet edhe sot me mjaft nostalgji nga të moshuarit durrsakë e jo vetëm, të cilët e kanë ndjekur dikur futbollin, si tifozë të zjarrtë.

Fëmija i një rusi të bardhë
Historia e Niko Bespallës (apo Nikolla Bespallov, siç është emri i tij i vërtetë), nuk është vetëm ajo sportive, por edhe familjare. Madje, shumë e veçantë…! I ati, Spiridon Bespallov, një rus i bardhë, shumë fisnik, oficer madhor, pas largohet me familjen nga Rusia rreth viteve ’20-të, vjen në Shqipëri. Fillimisht qëndron në Tiranë, pastaj në Durrës. I martuar me Varvarën, dasmë që e pati bërë në Titograd, lindin tre fëmijë: Nikolla është djalë i vetëm i dy motrave. Ashtu si shumë të tjerë, për pasoja që mund të kishte për kohën e më pas, mbiemri Bespallov u transformua në Bespalla. Kështu e kanë njohur dhe pak e dinë se ai i vërteti është Bespallov, mbiemër i rëndë i denjë për një sportist kalibri.

 

Rinia, shumë shpejt protagonist
I lindur në vitin 1938, Niko Bespalla, shumë shpejt ingranohet me skuadra futbolli të moshave në Durrës, ku dallohet nga të tjerët. Luante mirë dhe u aktivizua me të rinjtë e ekipit “Lokomotiva”. Në vitin 1956, federata organizoi një turne kombëtar dhe qyteti i Durrësit do të përfaqësohej me një skuadër të seleksionuar me futbollistë nga Kavaja, Shijaku e Durrësi. Të rinjtë e Durrësit janë kampionë, ai është kapiten skuadre dhe trajneri Adem Karapici e afron me skuadrën e parë të Lokomotivës. Është vetëm 19 vjeç, sezoni futbollistik 1957 luhet me tetë ekipe dhe papritur ai realizon 17 gola. I gjatë 1.72, ka një gjuajtje të fortë që e dallon nga të tjerët, si dhe një fizik robust, as sa konsiderohet nga specialistët si futbollist me të ardhme.

blank

 

Shërbimi ushtarak, te Klubi Sportiv “Partizani”
Viti 1957. I zbuluar si talent ai merret për të kryer shërbimin e detyrueshëm ushtarak trevjeçar te Sport-Klub “Partizani”, ku qëndron deri në vitin 1960. Fiton dy herë titullin kampion, duke qenë pjesë e triumfit të skuadrës në Lajpcig, kur klubi zuri vendin e dytë dhe mori medaljet e argjendta në turneun e futbollit të Ushtrive Popullore të vendeve të Demokracisë Popullore, siç quheshin në atë kohë vendet e Lindjes Komuniste. Luan në krah të Sul Maliqatit, Fatbardh Deliallisit, Miço Ndinit, Besim Fagut, Rexhep Merjes, Mexhit Haxhiut, Dedës, Lin Shllakut, Panajot Panos, Refik Resmjes, Kolec Krajës, etj., me trajnerë Borinin dhe Xhep Spahiun. Mbante në fanellën numrin 8, që për kohën tregonte edhe pozicionin si gjysmësulmues që futbollisti kishte në fushë. Por, para transferimit një ngjarje sportive do të regjistronte një tjetër moment historik të karrierës së tij…!

blank

blank

blank

blank

 

blank

blank

 

Penalltia e humbur…!
Kur kanë mbetur edhe tri minuta lojë dhe rezultati është 0-0, arbitri e njohur kryeqytetas Ramazan Kuka, pati akorduar një penallti për “Lokomotivën”, që luante kundër “Partizanit” në Tiranë. Të pranishmit në Stadiumin “Qemal Stafa” kanë mbajtur frymën, kur Bespalla i është afruar pikës së bardhë, ka goditur fuqishëm, por topi është pritur nga portierë Maliqati. Ndërkohë, “Partizani” ka shfrytëzuar hutimin e durrsakëve dhe në pak çaste ka shënuar dy here, duke e fituar ndeshjen 2-0. Ka qenë 3 nëntori i vitit 1957 dhe Bespalla atë ditë nuk e harron, pasi një javë më vonë, do ta merrnin të kryente shërbimin ushtarak te “Partizani”. Por humbja e penalltisë ka lënë një shije jo të mirë te tifozët: “E dije që do të shkoje te Partizani, prandaj e ke humbur qëllimisht”, ishin akuzat ndaj tij. Por, ka qenë e kundërta: “Dy javë më ka dhembur dora nga pritja e gjuajtjes sate”, i ka thënë Sulejman Maliqati, kur u takuan së bashku në Klubin Sportiv “Partizani”. Dhe sfida e parë me fanellën e “Partizanit” në një miqësore ndaj rusëve të “Krilla Sovjet”. Një përballje krejt rastësore, por çuditërisht e lidhur edhe me prejardhjen e tij. Madje, nuk do të ishte as e para dhe e fundit ndaj rusëve.

blank

 

Tifoz i “Dinamo”-s, ikën nga “Partizani”
Ndonëse e i’u lutën të qëndronte te “Partizani”, një ndjenjë tjetër e shtynte të shkonte te ekipi “Dinamo” që asokohe ishte nën vartësinë e Ministrisë së Punëve të Brendshme, ashtu si në të gjithë Lindjen Komuniste. Tifoz me këtë skuadër që në fëmijëri, pa mbaruar ushtrinë (viti 1960), ndërsa luhet faza e dytë, ai është pranuar te “Dinamo” dhe emri Niko Bespalla figuron i regjistruar si efektiv te ky klub. Në nëntor luhet një takim miqësor midis “Partizanit” dhe një ekipi rumun e, në banketin e organizuar mungon vetëm Bespalla, i cili tashmë e kishte shpallur ndarjen me “Partizani”-n, për të hapur një tjetër cikël, atë me “Dinamo”-n. Nuk pati presion nga titullarët e lartë ushtarakë të kohës, por vetëm Refik Resmja dhe Robert Jashari, ishin miqtë që tentuan t’ia ndryshonin mendjen, por pa dobi.

blank

 

Largimi dhe kthimi surprizë
Janar, janë ditët e para pranë klubit të ri. Të gjithë lojtarët e skuadrës qëndrojnë të sistemuar dhe flenë në dhomat e stadiumit “Dinamo”, që për shumë vite ka shërbyer edhe si klub. I kanë caktuar një të tillë bashkë me portierin Mile Qoshe, por i mërzitur, i pa ambientuar me mjedisin gri e të ftohtë të stadiumit, vendos ta braktisë “Dinamon”. Bashkë me futbollistin A. Dume, pa njoftuar askënd, kthehet në Durrës dhe fillon stërvitjen me ekipin vendas, “Lokomotiva” Ndërkohë, kampionati ende nuk ka filluar dhe në prag të tij, “Dinamo” luan një ndeshje miqësore në Shijak me vendasit e “Erzeni”-t. Për të parë takimin, i pranishëm është edhe Bespalla. “Shkova për të ndjekur ndeshjen, – tregon ai. – Më vijnë tifozët e “Erzeni”-t dhe të “Dinamos” e më luten që të luaj në pjesën e dytë me “Dinamon”. Dikush i dha një palë këpucë, një tjetër mbathje dhe fanellë e, pamenduar gjatë, Bespalla shfaqet në fushë me “Dinamon”. Pas pak ditësh, në kryeqytet, skuadra dinamovite luan një tjetër miqësore me “Vllazninë” e Shkodrës, që mbyllet me një gol të Bespallës. “Niko Bespalla luan me “Dinamon”, por jo me dokumente të rregullta federimi. Ai është lojtar i “Lokomotivës” dhe duhet të kthehet në Durrës”, shkruante asokohe në mes të tjerash në një shkrim gazeta “Sporti Popullor”.

blank

 

Transferim i rrallë, normal për kohën
Për të bërë kalimin zyrtar të Bespallës te “Dinamo”, klubi kishte projektuar një variant, krejt unik për kohën. Luhet një turne për Kongresin e 5-të të Partisë së Punës dhe në Durrës në një miqësore, janë përballë “Lokomotiva” dhe “Besëlidhja” e Lezhës. Me drejtorin e stadiumit “Dinamo” ai niset herët paradite për në Durrës, duke u paraqitur fillimisht në Degën e Brendshme, te kryetari i asaj kohe, Kolonel Kopi Niko. Pastaj në fushën e vjetër, atje ku do të realizohej edhe transferimi zyrtar: Sipas marrëveshjes, ai kishte veshur fanellën e “Lokomotivës”, duke bërë paraqitjen me skuadrën, si dhe shkelmimin simbolik të topit, për t’u larguar më pas nga fusha, pa kuptuar askush se çfarë po ndodhte. Nuk i foli njeri dhe ai u largua në heshtje nga Durrësi..! Te blutë e “Dinamo”-s, tashmë e prisnin Skënder Jareci, Skënder Halili, Selim Gjoci, Halluni, Aurel Verria, Tallushi, Mehdi Bushati, Stavri Lubonja, Duro, Shyqëri Rreli, Beliu, Vorfi, Bet Vila dhe trajneri Zyber Konçi.

blank

 

Dashuria dhe rrëmbimi i vajzës bukuroshe…!
Ardhja në Tiranë te “Dinamo” është e lidhur me tri momente të paharruara për jetën e tij: Bespalla aktivizohet me klubin e njohur shqiptar, që e ka regjistruar në Politeknikumin “7 Nëndori”, por edhe dashurohet. Një dashuri jo si të tjerat. Ndërsa vinte në klub, duke kaluar pranë shkollës “Emin Duraku”, zbulon bukuroshen Flora, një atlete, pinjoll i familjes Dajçi, personazhe të njohur të sportit të atletikës. Ka mjaftuar një tingëllimë zileje e biçikletës (markë ruse, femrash) me të cilën ai lëvizte, për t’ia tërhequr vëmendjen, madje në këtë dashuri kanë kontributin e tyre edhe Taip Çutra, Aagim Janku, Lad Balluku, V. Lleshi e Faruk Sejdini, nxënës të një klase në ‘Polikum’, që e lajmëronin shoqen e tyre, se kishte ardhur Niko. Pastaj rrëmbimi, kur ajo ishte vetëm 16 vjeçe, një histori dashurie si në filma, që e tillë është edhe sot. Lindën katër fëmijë, dy djem e dy vajza, nga të cilët djali…!

blank

 

Në Bullgari, ndeshja më e bukur
Në karrierën e tij gati 20-vjeçare, Niko Bespalla ka luajtur më shumë se 400 ndeshje, kampionate, kupa, por edhe sfida ndërkombëtare. Por, atë të zhvilluar në Bullgari, sfida për Kupën Ballkanike ndërmjet “Levski” i Sofjes dhe “Dinamo” e Tiranës, e kujton dhe e vlerëson si ndeshjen më të bukur të karrierës së tij. Ndeshja përfundoi në barazim 2-2. Për “Dinamon” ishte Mehdi Bushati autori i dy golave. Megjithatë, për Bespallën kjo sfidë mbetet më e veçanta: e kujtuan si lojtar të marrë nga ‘Barcelona’, për atë çfarë demonstroi gjatë ’90-të minutave. Ndërkohë, me Kombëtaren nuk ka asnjë ndeshje. Janë vitet e mos përfaqësimit në aktivitetet europiane (1953-’57 dhe 1958-’63). Vetëm turne me ekipin përfaqësues të Tiranës, që konsiderohej në mjaft takime si ekipi kombëtar, si dhe me klube në Bashkimin Sovjetik apo vendet e tjera të Lindjes Komuniste të asaj kohe. Nga 1 maji i ’58-ës, kur në Tiranë u luajt kundër Republikës Demokratike Gjermane (1-1) gol i Kolec Krajës, skuadra kombëtare u rikthehet takimeve zyrtare. Kjo ndodhi në vitin 1963, saktësisht më 29 qershor, në Kopenhagë 4-0 me Danimarkën.

Me Bylykun, dyluftimi i paharruar
Niko nuk ka pasur frikë nga asnjë mbrojtës dhe asnjë kundërshtar. Vetëm kundër Nuri Bylykut të ekipit “17 Nëndori” e ka pasur mjaft të vështirë. Ai ishte një lojtar fanatik për trajnerin, i fortë dhe me një markim të “bezdisshëm” për kundërshtarin. Gjithmonë trajneri e vendoste në mbulimin e lojtarëve më problematikë që kishte skuadra tjetër. (Një duel i tillë historik është edhe ai Pano-Bylyku, i njohur për rivalitetin sportiv midis futbollistëve). I tillë ka qenë edhe dyluftimi Bespalla-Bylyku. Ndërsa “Besën” e kishte skuadrën, së cilës i shënonte në vazhdimësi. Madje, edhe rekordin me katër gola në një ndeshje e ka regjistruar pikërisht, me “Besën” në Kavajë.

Goditja, e cila i hoqi nishanin nga trupi
Sezoni 1963-1964, dhe Bespalla është vendosur përfundimisht në Durrës, madje si titullar me “Lokomotivën” që luan kundër “Partizanit”. Në një çast të lojës tenton, t’i shkëputet mbulimit të Miço Papadhopullit, i cili ndërhyn rëndë, duke e goditur me taka në bel, i gris fanellën, njëkohësisht i shkëputet nga trupi një nishan, që i shkaktoi një plagë në trup të cilën i’a mjekuan. Nuk e harron atë moment kur nuk pa nishanin, pasi pati një çast hutimi dhe tronditje nga gjaku që i rridhte. Fanellën e asaj ndeshjeje e qepi dhe për shumë takime luajti me të, madje për një kohë të gjatë e ruante si të vetmin trashëgim nga jeta sportive. Por, koha, rrethanat, moskujdesi, indiferenca, bënë që ta humbiste për të mos e gjetur kurrë atë, si të vetmin kujtim që i kishte mbetur nga karriera sportive.

Pse më ngjason me Sivorin e famshëm…?!
Nuk e di, por Niko Bespalla të kujton Omar Sivorin e famshëm, ish-argjentinasin e Juventusit të viteve ’60-të. Një karrierë thuajse e afërt në mjaft aspekte: E njëjta shtat lartësi dhe paraqitje, i njëjti pozicion në fushë, inteligjencë natyrale, aftësi dribluese, ego, agresivitet loje, protagonist për skuadrat dhe kohën që luajtën, rebelë në fushë dhe jashtë saj. Edhe Bespalla i kundërshtonte vendimet e arbitrave, duke protestuar me dorën lart që e kishte si shenjë mos aprovimi të vendimeve të tyre. Me arbitrin e njohur shkodran, Baki Dibra, ka edhe largimin më spektakolar nga fusha e lojës…! Sezoni 1963-’64, në Durrës, luhet “Lokomotiva” – “Besa”. Gjyqtari i takimit, Dibra, e thërret, i kërkon numrin për ta këshilluar. Nga nervozizmi, Bespalla i kthen kurrizin…! E dënuan të mos aktivizohej në 5 ndeshje, pasi sjelljen e tij Komisioni i Disiplinës e konsideroi me të drejtë si gjest antisportiv.

Kur e kujtuan të arratisur…!
Viti 1962, ndodhet në Stamboll me skuadrën e “Dinamo”-s për Kupën Ballkanike. Krejt papritur në Tiranë, u hap fjala se Panajot Pano e Bespalla janë arratisur. Të shqetësuara, dy motrat e tij trokasin në dyert e Ministrisë së Brendshme, për t’u informuar. Nuk i presin e as i japin informacion, pasi edhe ata dyshonin për lajmin që qarkullonte. Natyrisht që në pak ditë situata u qetësua dhe u sqarua se lajmi nuk ishte i vërtetë. Por, duhej të vinte vapori “Partizani”, me të cilin udhëtonte skuadra në kthim, që në portin e Durrësit, dy motrat që prisnin anijen, të përqafonin vëllanë e tyre.

Braktisja e kryeqytetit
Te “Dinamo”, Bespalla luajti në dy vite, 1961 dhe 1962. Largimi i tij përfundimtar nga klubi dhe kryeqyteti, ishte i papritur. Ka një gjendje të mirë fizike, është në formë dhe me “Dinamon” është titullar. Në stadiumin “Dinamo”, do të luhet për Kupën Ballkanike, midis “Dinamos” dhe “Levskit” të Sofjes, kur trajneri e thërret dhe i komunikon se do të qëndrojë në stol, për të qenë më i freskët për pjesën e dytë. I revoltuar, qëndron në dhomë, kundërshton të zhvishet e të ulet në stol e ndërsa i nervozuar lëviz në korridorin e katit të dytë të stadiumit, përballet me ministrin e Punëve të Brendshme, Kadri Hazbiun. Të nesërmen, zhvillohet një mbledhje urgjente dhe vjen urdhri që e përjashton nga aktiviteti sportiv. Rikthehet pas një viti, por jo më me “Lokomotivën”, por e lejojnë të luajë në Shijak, me “Erzeni”-n, në kategorinë e dytë. Luan në finale ndaj “Traktori”-t të Lushnjës, një ndeshje e paharruar: tension, madje thuhet se edhe krisma armësh u dëgjuan. Fitoi “Erzeni”, por federata përsëriti ndeshjen që u ri luajt në Tiranë dhe Lushnja fitoi takimin. Vetëm në sezonin 1963-’64, Bespalla do të jetë titullar me Lokomotivën, ku gjen miqtë e tij, trajnerin Tom Gjini, por edhe Telin, Cikon, P. Konomin, Dajën, Golashin, Gramin etj.

Goli që e bëri të famshëm…!
Goli më i bukur, që i dha më shumë famë, është ai i realizuar kundër Partizanit, në Durrës në sezonin futbollistik 1964-’65. Ja si e kujton Mikel Janku, portieri i njohur atë moment: “Arbitri akordoi një goditje dënimi për “Lokomotivën”, ballore, rreth 30 metra larg. Organizova murin mbrojtës, duke i lënë një hapësirë të vogël pozicionit tim. Pasi ka vendosur topin, Bespalla fillon numërimin mbrapsht, pra me kurriz nga topi që shoqërohej në kor gjithmonë nga publiku. Vetëm 16 hapa, kthehet merr vrull dhe godet. Ka qenë një gjuajtje rrufe, predhë e vërtetë, të cilën nuk munda ta ndal dhe topi përfundoi në rrjetë”. Për Bespallën, ai ritual ka qenë sistematik në ndeshje kur jepej një goditje dënimi. “Ishte një distancë vrulli që më jepte shpejtësi e forcë goditëse, pas së cilës topi merrte një parabël, që ishin karakteristike për goditjen time. I gjithë stadiumi e priste me padurim një moment të tillë. Por edhe Teliti ka pasur një gjuajtje të tillë”, tregonte Bespalla.

Ndaj gjermano-perëndimorëve të Këlnit, për një gjuajtje
Ishte viti 1964 kur “Partizani” u ndesh në Kupën e Kampioneve ndaj Këlnit të famshëm ku luante i madhi Overat. Në shtator shtator të atij viti, në Stadiumin “Qemal Stafa”, i tejmbushur si rrallë ndonjëherë, luhej takimi i parë dhe Bespalla është marrë si përforcim me një motiv: vetëm për gjuajtjen bombë që zotëronte. Dhe çasti erdhi. Ishte dhënë një goditje për “Partizani”-n, në një pozicion shumë të favorshëm për Bespallën, te porta nga kodrat e liqenit. Ndërsa ai po përgatitej të godiste, Pano e Jashari, janë kombinuar midis tyre, duke i’a humbur këtë mundësi shënimi. Madje ajo sfidë ka edhe dy detaje të veçanta, por, për t’iu shmangur çdo verifikimi, edhe radio kronistët ishin udhëzuar të mos ia përmendnin emrin, por vetëm: “Topin e ka gjysmësulmuesi…”. Dhe në takimin e kthimit në Këln, ai nuk udhëtoi me skuadrën, pasi ishte dhënë një urdhër për të mos e marrë me vete në atë takim. Të njohur të familjes kërkuan ta takojnë, duke menduar se do të ishte pjesë e skuadrës, por të zhgënjyer janë larguar nga hoteli kur janë njoftuar se: “për arsye dëmtimi”, Bespalla nuk ka ardhur në Këln.

Më 1967-ën, shtatë vjet heqje lirie
I kanë privuar lirinë për një grusht me kallaj, vlefta e të cilit shkonte deri në 25 mijë lekë. Punonte si magazinier në Ndërmarrjen Industriale të Prodhimeve dhe ishte një mik që ia kërkoi. Por e kanë “zbuluar” dhe sipas nenit 80 të Kodit të Procedurës Penale, ai veprim konsiderohej përvetësim i pronës së pasurisë socialiste. E kanë dënuar me 7 vjet heqje lirie, një vit në Spaç, pastaj në kampe pune. Karriera e tij tashmë kishte përfunduar njëherë e përgjithmonë. Drama kishte goditur atë, familjen, miqtë, opinionin sportiv. Askujt nuk i besohej se njëri nga futbollistët më të famshëm, Niko Bespalla, ishte ndëshkuar nga gjykata për një grusht kallaj. “Mundet të ishte edhe si një hakmarrje nga braktisja që i bëra klubit “Dinbamo”, një veprim që acaroi zyrtarët e dikasterit”, gjykon Bespalla.

Në Fermën e Sukthit, e kërkon Muho Asllani…!
Pas daljes nga burgu, Niko me bashkëshorten, sistemohen me punë në sektorin e Fermës Bujqësore të Sukthit. Në atë kohë, Muho Asllani, sekretar i Parë i Komitetit të Partisë, vizitonte fermën. Bespallën e largojnë për të mos e takuar, ndërsa shoferi i tij, Petrit Pullazi, për një çast ka parë Florën, gruan e tij dhe i thotë shefit të tij, Muho Asllanit: “Kjo është gruaja e Niko Bespallës”. “Po Niko ku është”?, iu drejtua ai. “E kanë fshehur”, ishte përgjigjja hazërxhevap e shoferit. Pa mbaruar mirë fjalën ai, Sekretari i Parë i Durrësit, ka urdhëruar t’ia sjellin aty për ta takuar. Shpejt e kanë njoftuar dhe me një biçikletë ka mundur të vijë. Pasi e ka parë të rënë moralisht, të dëshpëruar, Muho Asllani e ka përqafuar atë, në shenjë respekti dhe mirënjohje për të gjithë kontributin që kishte dhënë si futbollist i atij rrethi. Niko Bespalla me bashkëshorten punoi në atë ndërmarrje bujqësore deri sa doli në pension në vitet ’90-të, duke trashëguar vetëm një pasuri monetare prej saj, shumën prej 125 mijë lekësh të vjetër, të një pensionisti tashmë…!

Sa afër dhe larg vdekjes
Fusha, kundërshtarët, asgjë nuk e ka mposhtur, por viti 1981 ka qenë më i trishtuari për të, gruan, familjen, kur papritur i ndahet nga jeta djali në moshë të re, i cili, pas një viti në gjendje kome, nuk mundi të jetonte më. Vitet e fundit, vetë ai u godit nga një shqetësim, një plagë në këmbën e djathtë, pikërisht tek ajo që i dha famë. Luftë disamujore për t’a mposhtur dhimbjen e për të jetuar. Ka kaluar një kalvar të pa treguar, nga njëri spital te tjetri. Një angazhim i madh i mjekëve, në tentativë për ta shpëtuar, kanë mundur t’ia kthejnë shëndetin, entuziazmin dhe dëshirën për të jetuar e treguar. Trashëgimtari i vetëm, djali i tij, Justini, ka luajtur me “Teutën” e Durrësit, ndërsa ka shpresë tek i nipi. Tashmë 75-vjeçar, Niko Bespalla është shumë simpatik, ruan një kujtesë të mahnitshme, të shtang kur dëgjon t’i tregojë ngjarjet, personazhet deri në detaje.

Niko ka qenë një mit i vërtetë për kohën dhe ashtu i thjeshtë, jetoi së bashku me bashkëshorten, Florën, në një apartament modest në Durrës, deri sa u nda nga jeta më 27 mars të vitit 2017. Nuk do të kishte bërë asnjë sport tjetër përveç futbollit, edhe pse detin e ka pasur shumë pranë. Pak vite, (1993-’97) punoi si trajner i moshave në qytetin e Shijakut. Nuk shkoj në stadium edhe pse deri sa u nda nga jeta, në tribunën VIP të “Niko Dovana”-s ka qenë një ndenjëse me emrin e tij, vendosur nga i famshmi Tut Leshteni (ish-kapiten i “Lokomotivës”) e Presidenti Soport-Klub “Teuta”, Mon Hasanbelliu. Nga ajo kohë, pak relike i kishin mbetur. I vinte keq për fanellën e famshme dhe medaljet e argjendta që nuk i kishte më. Diku të dhëna e të pakthyera, diku të falura, arkivin e kishte me pak kujtime të mbetura. Ishte njeriu që jetoi kohën e futbollistëve ikona të viteve ’50-të, luajti në krah me legjendarët e viteve ’60-të, duke qenë edhe ai protagonist i padiskutueshëm midis tyre. Në veçanti, edhe për gjuajtjen e famshme! /Memorie.al/

blank

FARI I ARBЁRISË – Nga Eugjen Merlika

 

“ Qindra vjet më parë, kur Shqipëria lindte vetëm trima e luanë, në qytetin e dëgjuar të Krujës………”
Fan S. Noli

Studimi i historisë, ndër të gjitha shkencat humanitare, është ai që nxit më shumë flatrat e fantazisë, për t’u shkëputur nga jeta e zakonshme e çdo dite e për t’u kredhur në kohë të tjera, të afërta apo të largëta. Në këto përfytyrime lind dëshira për t’u njëjtësuar me ato kohë, mjedise, zakone e njerëz, me të cilët do të donim të nisnim një bisedë të gjallë edhe se na duken aq të largët, por që në thelb janë si ne. Edhe se kanë jetuar qindra apo mijra vite më parë, ndërmjet tyre e nesh shumë gjëra kanë mbetur të përbashkëta.
Njeriu lind, jeton dhe vdes. Me pak fjalë kjo është historia e njerëzimit. Lindja dhe vdekja janë dukuritë më të zakonshme, ndaj të cilave, njeriu, megjithë fuqinë e mëndjes, është krejt i pazoti t’i ndryshojë. Ato dukurí janë stacionet ku nis e përfundon udhëtimi i secilit mbi këtë planet të zgjedhur e aq bujar. Mes tyre rrjedhin ditët, javët, muajt, vitet, koha, një karvan i pandalshëm, që nuk njeh fillim e mbarim, por vetëm mbart e shkarkon pa ndërprerje, pa mëshirë…
Jetët e njerëzve ngjasojnë. Të gjitha përmbajnë në vetvete kush më shumë e kush më pak gazin, dhimbjet, kënaqësitë, lotët, dashurinë, urrejtjen, vuajtjen, mundimin, sakrificat, sodisfaksionet, zhgënjimet, dëshpërimin, fitoret, humbjet… Raporti ndërmjet tyre përcakton dhe atë që quhet fat e njëkohësisht dhe vendin që ze secili në bashkësinë njerëzore. Në këtë ecje të vazhdueshme e të pafund shumica dërmuese kalon pa lënë gjurmë, si ujët e lumit që derdhet në det, ndërsa pak, shumë pak shquhen, ngrihen përmbi të tjerët për nga fuqia e mëndjes, e shpirtit e karakterit. Kështu lindin profetët, shenjtët, burrat e shtetit, ligjvënësit, shkencëtarët, filozofët, strategët, shkrimtarët… Janë ata që japin drejtimin e ecjes, që emërtojnë kohët, që përcaktojnë ritmet, që ndriçojnë rrugët, paçka se ka ende nga ata që besojnë se “masat e bëjnë historinë”. Janë farët, vepra e të cilëve është pasuria më e çmuar që trashëgon njerëzimi në përgjithësí e çdo popull në veçantí.
Për ne, shqiptarët, fari më i shndritshëm që ndriçoi mëndjet e zemrat në rrugën e gjatë e të errët të ecjes sonë, qe Gjergj Kastrioti. Pér madhështinë e Tij, fuqinë trupore, aftësitë luftarake e shtetërore, meritat si apostull i Shqiptarizmit dhe mbrojtës i Krishterimit është shkruar kaqë shumë sa nuk mund të shtohet asgjë.
I paisur me dhuntí të rralla e forcë të pashembullt karakteri, u shqua mbi të gjithë bashkëkombësit e Tij për nga vlerat dhe pasojat e një veprimtarie që, pothuajse njëzëri, është quajtur sipërnjerëzore. Sot, në largësi kohe të konsiderueshme, mbas disa qindvjetorësh ecjeje në shtigjet e errëta e të thepisura të historisë sonë, ne kuptojmë më mirë se sa mbinjerëzore ishte gjithshka që përballoi e mposhti Gjergj Kastrioti, që nga fuqia ushtarake e Perandorisë më të madhe të kohës, në një nga kulmet e saj të forcës, e deri tek vështirësitë e formimit e të drejtimit të një kombi-shtet, të prirur më shumë për të ruajtur interesat klanore të principatave, se sa për të punuar për të mirën e tij. Kjo vepër madhështore, që bëri figurën e Tij simbolin më të spikatur të idesë së Kombit shqiptar dhe farin më të qëndrueshëm udhërrëfyes të historisë së tij, qe një epope çerek shekullore luftërash në truallin e lashtë të Arbërit, që vendosja gjeografike e kishte bërë të përballej gjithmonë me stuhitë e kohëve.
Turqit, të mahnitur nga cilësitë e princit arbër, i vunë epitetin Iskander-bej, princ Aleksandër, në ngjasim me botpushtuesin më të madh të lashtësisë. Nëse me të e bashkonte prejardhja etnike e aftësitë strategjike të luftëtarit, ndryshimet në karakteret dhe në prirjet e veprimtarive ishin të dukëshme. Aleksandri u shqua si një strateg botpushtues me aftësí të rralla që, në më pak se dhjetë vite, arriti të krijojë një nga Perandoritë më të mëdha të historisë së njerëzimit, ndërsa Skënderbeu spikati si komandant i ushtrive të vogla mbrojtëse, përballë sulmeve të fuqisë më të madhe ushtarake të kohës.
Të dy vdiqën të pathyer në beteja. Mbas vdekjes Perandoria e Aleksandrit erdhi duke humbur shkëlqimin, u coptua e mbaroi ashtu si Shqipëria që humbi lirinë e i u nënështrua natës së gjatë të pushtimit shumë shekullor. Këta fakte lartësojnë më shumë imazhin e personazheve, duke i vënë të dy në Panteonin e historisë botërore, e i bëjnë heroj kombëtarë të popujve të tyre.
Gjergj Kastrioti i u dorëzua amëshimit dhe historisë, por emri dhe vepra e Tij u bënë pjesë të indeve të shqiptarëve që, brez mbas brezi, e përcollën në këngët dhe legjendat, e ruajtën në kujtesë, në zemër, në vetëdije, në ritet e tyre në Shqipëri e kudo në botë ku vunë këmbë. Jeta dhe bëmat e Tij frymëzuan dhe shoqëruan çastet më të rëndësishme të shekujve, ngjarjet e hidhura e ditët e pakta të gazit. Figura e Tij plot shkëlqim, e përcjellë nga Barleti, ka hyrë në ndërgjegjen e Kombit shqiptar si një monument, me gjithë peshën legjendare të imazhit të shpëtimtarit të Atdheut. Por mbas këtij imazhi fshihet jeta e një njeriu, pjesa e parë e së cilës është më shumë e zhytur në mjegullën e legjendës se sa në saktësinë e fakteve të njohura.
Thuhet se lindi në qytetin e Krujës në vitin 1405, në familjen e një princi që ishte kthyer në vasal të Sulltanit si pasojë e betejave të humbura kohë më parë. Ishte mashkulli i fundit i familjes së Gjon Kastriotit dhe Vojsavës, që përbëhej nga katër djem e pesë vajza.. Duke marrë për të vërteta variantet e Barletit dhe Gjon Muzakës, në moshën tetëvjeçare së bashku me vëllezërit merret peng nga Sulltani për të garantuar besnikërinë e t’atit kundrejt tij. Ishte një goditje e fuqishme që do të rrëzonte në gjunjë edhe burra të sprovuar e jo më një fëmijë ende kërthijë, që papritmas gjëndet i vetëm, larg prindërve, vëllezërve, motrave, shokëve, vëndlindjes, në mes të një ambienti të panjohur, të cilit nuk i njeh as gjuhën. Por instikti i fortë mbrojtës i racës i jep forcën për të qëndruar.
Ishte trauma e parë e madhe që pëson në jetën e Tij. I duhet të mësohet me disiplinën e fortë të shkollës së jeniçerëve që është baza e fuqisë ushtarake të shtetit otoman. Aty mëson se jeta nuk të përkëdhel, nuk të fal asgjë, se gjithshka duhet fituar në një garë të pamëshirshme e të pafund. Episodet e ndryshme të dueleve e provave të forcës dëshmojnë për një pregatitje fizike e ushtarake të përsosur. Kështu ngjit shkallët e karjerës nën vështrimin miratonjës të Sulltan Muratit II, që i beson poste gjithënjë e më të rëndësishme, duke qënë i bindur se vitet kanë bërë punën e tyre e Skënderbeu nuk do të ketë tjetër synim veç lavdisë së Perandorisë. Gabohet Sulltani ashtu sikurse do të ishte gabuar kushdo që do të mendonte se dhjetëvjeçarët, nën trysninë e përditëshme të edukatës dhe mendësisë osmane, do të kishin mbytur në embrion çdo kujtesë të fëmijërisë, të familjes, të dheut të lindjes.
Malli dhe dashuria për familjen e shfarosur, për dheun dhe njerëzit e Arbërit ishin si prushi i mbuluar me hi, i pashuar në zemrën e djaloshit. Që këtu fillon sipërnjerëzorja në jetën e heroit, përballimi i një periudhe tridhjetëvjeçare në rolin e aktorit që duhet të rrezatojë besnikërinë për Sulltanin e, në fshehtësi, të derdhë lot të hidhur për gjithshka të dashur, nga e cila e kanë shkëputur me forcë që fëmijë. Duhej qëndrueshmëri e nerva të çelikta, por edhe një formim shpirtëror i pazakontë për t’i dalë në krye një gjëndjeje të tillë. Duhej forcë karakteri që buron nga ADN e molekulave dhe është pikërisht kjo forcë që përcakton personalitetin, i cili është në gjëndje t’i prijë e t’i paraprijë ngjarjeve me përmasa madhore. Në sajë të këtij karakteri, Skënderbeu i lavdisë otomane e i shkëlqimit të oborrit të Sulltanit ruan dhe mbron si gjënë më të shtrenjtë Gjergj Kastriotin, e lindur mes shkrepave të Krujës, duke përcaktuar si synimin kryesor të jetës jo lluksin, famën apo ofiqet vetiake por lirinë e Atdheut. Ai është i vetëdijshëm për rreziqet dhe vështirësitë e sipërmarrjes së lirisë, për të cilën ëndërron e thur plane, por karakteri e shtyn me forcë të hedhë mbas shpine dyshimet e t’i besojë Zotit në qiell dhe shpirtit liridashës të popullit të tij në tokë.
Kur i paraqitet rasti i parë për të sendërtuar ëndërrat, nuk nguron të veprojë me vrullin e një djaloshi e me pjekurinë e një të moshuari. Ishte tridhet e tetë vjeç, në kulmin e fuqisë së trupit, të shpirtit e të mëndjes e jeta i reduktohet në një qëllim të vetëm: liria e Vendit të të parëve.
“ Lirinë nuk u a solla un, atë e gjeta këtu mes jush…” janë fjalët e para që u drejton bashkatdhetarëve, në agimin e asaj epopeje të gjatë e zulmëmadhe që u bë kuintesenca e historisë së shqiptarëve. Entuziazmi i çastit madhor të Kombit i zbeh dhimbjen për dramën e Tij të brendëshme, atë të vetmisë që e rrethon. Nuk gjen më prindërit e vëllezërit kanë vdekur në rrethana të paqarta. Pranë ka vetëm një motër të re, të tjerat janë të martuara e nga ndarja me to kanë kaluar tridhjetë vite. Legjenda na thotë se Skënderbeu gjeti nënën, Vojsavën, së cilës pritja e gjatë dhe dëshpërimi i kanë humbur arsyen, sa që të mos njohë as të birin. Kjo do të kishte qënë goditje shumë e fortë për zemrën e Gjergjit që, në përfytyresën e tij, kishte ruajtur figurën e bukur të nënës së re e të përkëdhelive të saj, që ishte rritur me to në shpirt e fantazi e tani prekte me dorë pasojat tragjike të asaj dite të mallkuar, kur i grabitën fëmijërinë.
Por koha shtërngon e nuk i le shteg për të vajtuar. Arkivon në shpirt dhimbjen e merr përsipër detyrën e prijësit, në të cilën nuk ka më vend për jetën vetiake. Betejat e pabarabarta që e presin, për të cilat Ai, më shumë se kushdo tjetër, është i vetëdijshëm në rolin e Davidit i rrëmbejnë mendimet, energjitë, shqetësimet. Duhet organizuar qëndresa mbasi mllefi i Sulltanit për “tradhëtinë” është shumë i madh dhe kundërveprimi do të ketë goditje marramendëse. Vrapon për në Lezhë ku princave kolegë e bashkëluftëtarë mundohet t’u përcjellë një të vërtetë të qartë si drita e diellit: lirinë e fituar mund t’a ruajnë vetëm nëse janë të bashkuar e nuk i besojnë sirenave të huaja apo të interesave vetiake, nëse janë të ndershëm e të vendosur për të përballuar barrën që i bie secilit. Vitet e gjata të luftërave e vunë në prova, herë herë të rënda, besën e lidhur në Lezhë.
Me mobilizimin e principatës së Tij Krujë – Mat – Dibër dhe ndihmat e princëve të tjerë në pak kohë krijoi e stërviti një ushtri që pagëzohet në Torvioll me fitoren dhe lavdinë. Betejat pasojnë njëra tjetrën e buzëqeshjeve të shqiptarëve i përgjigjet rritja e famës së prijësit e lindja e shpresës së Evropës së krishterë në mbrojtjen e qytetërimit të saj. Mbreti i Arbërvet mbulohet me lëvdata e premtime ndihmash e mbështetje, sidomos mbas rrethimit të parë të Krujës, në të cilin qëndresa shqiptare shihet si dukuria më e dobishme e shpresëdhënëse për t’i vënë fre lakmisë pushtuese të Perandorisë osmane drejt Perëndimit të krishterë. Por ndihmat janë më shumë me fjalë se me vepra e vitet e luftërave lënë gjurmët e tyre në jetën e arbërve. Çmimi njerëzor e lëndor është i rëndë e prijësi, që e kalon pjesën më të madhe të kohës pranë luftëtarëve të Tij, vuan shpirtërisht. Ai nuk mban asgjë për vete nga trofetë e luftërave, u a shpërndan gjithshka oficerëve dhe ushtarëve. Ata janë për Të familja e madhe ndërsa Ai është për ata prindi, vëllai, mësuesi, gjenerali, komandanti, Mbreti. Në këto marredhënie gjendet edhe kyçi i fitoreve në betejat e vazhdueshme, i sukseseve e i jetëgjatësisë së tyre.
Megjithatë jo gjithshka ecën përsosmërisht në ata vite luftërash e lavdije. Jo gjithmonë aleatët janë të ndershëm e korrektë me Mbretin. Princi më i fuqishëm i Lidhjes, Gjergj Arianiti, e kërcënon me prerjen e ndihmave nëse nuk martohet me të bijën, Donikën. Kështu në moshën dyzet e gjashtë vjeçare Skënderbeu ndërton çerdhen e Tij familjare, për t’i dhënë Arbërisë edhe trashëgimtarët e kurorës e për të mbajtur të lidhur aleancën luftarake për lirinë.
Cmira ngre krye në disa raste e përcakton sjellje që dëmtojnë luftën e përbashkët, madje arrin të marrë edhe trajtat e tradhëtisë së hapur e të kalimit në fushën kundërshtare. Janë të tjera goditje që merr padrejtësisht Ai që kishte përbuzur lavdinë e Sulltanit për të mbrojtur lirinë e popullit të Tij. I rëndon shumë tradhëtia e gjeneralit të Tij më të mirë, Moisi Golemi e më shumë ajo e princit Hamza. I pari u tërhoq nga premtimet e turqve për të mundur Skënderbeun e për t’i zënë vendin Atij si Mbret i emëruar nga Sulltani. I dyti pasqyron një ves të lashtë, kompleksin e Kainit që, fatkeqësisht, jo rrallë vazhdon të jetë burim dramash e tragjedish edhe në ditët tona.
Hamzai ishte njeriu më i afërt që kishte Skënderbeu në shtabin e Tij, ishte djali i vëllait Reposh, që kishte vdekur si murg në manastirin e Hilandarit. Mbante ndër deje gjakun e Kastriotëve, edhe se nga nëna origjina ishte turke. Kishte ndarë me ungjin të gjitha dëshirat e projektet, që nga planet e thurura në Edërne deri tek marrja e vulës së Qatipit të Sulltanit në Nish, për t’u kthyer në “Krujën e bekuar” atë 28 nëntor 1443. Kishte luftuar me trimërí përkrah ungjit në betejat me turqit. Deri sa ungji ishte beqar Hamzai qe një djalë besnik e i qetë, kur Ai u martua në mendjen e tij filluan të shfaqen ide ogurzeza,
.Për shumë kohë, thellë në vetvete, kishte ëndërruar skeptrin e Mbretit të Arbërisë, por erdhi një çast në të cilin lindja e një fëmije i bëri pluhur e hi të gjitha ëndërrat. Trauma e pësuar çoi në një trallisje e çoroditje të ideve e të ndërgjegjes. Valët e fuqishme të ambicies për pushtet mbytën tek Hamzai parimet e ndjenjat deri në atë pikë sa t’i kundërvihet ungjit në krye të ushtrive armike. Sa i madh zhgënjimi e sa e thellë dhimbja në shpirtin e Gjergj Kastriotit, kur u gjend i tradhëtuar edhe nga nipi. Bota i u përmbys mbi kokë, por edhe një herë tjetër karakteri i jep forcë të përballë tragjedinë, sepse për një të tillë bëhet fjalë kur një Kastriot, gjaku i tij, pështyn mbi sofrën e të parëve e mbi sakrificat e një populli që lufton për mbijetesë deri në frymëmarrjen e fundit. Mbasi e ka thyer në betejë dhe e ka zënë rob, ndihet i paguar por çduhet të bëjë me të? Mbas këshillimeve me gjeneralët e Tij e një lufte të brëndëshme vendos t’i falë jetën, ashtu siç kishte bërë edhe me Moisi Golemin. Po ndërsa ky i fundit u kthye me të gjitha ofiqet në rradhët e ushtrisë e mbeti besnik deri në vdekjen e llahtarëshme, për Hamzanë dielli i Arbërit perëndoi e ditët e tij u ngrysën në një burg të Italisë, në një breg deti, por nuk ishte Adriatiku. Hamzai më vonë u kthye në Shqipëri duke jetuar në vëzhgim prej njerëzve të Skënderbeut, pastaj mundi të arratiset në Turqi, ku kishte lënë gruan dhe fëmijët. Atje thuhet se jetoi edhe ca kohë i përbuzur nga Sulltani dhe i urryer nga turqit, mbasi quhej shkaktar i humbjes së turpëshme të disa viteve më parë në Albulenë. Vdiq i helmuar nga turqit.
Zemra e lënduar e prijësit të Arbërit ishte një zemër e madhe, ishte përbërësi i dytë i personalitetit të Tij së bashku me karakterin. Në një kohë kur rregullat e kodit moral e shtetëror në periudhë lufte ishin pothuajse të ngurta, Ai arrin të falë tradhëtinë e vërtetë. Instiktivisht më vjen ndër mënd krahasimi me një tjetër prijës, që për gati gjysëm qindvjeti shumkush e vuri përkrah Skënderbeut si vlerë, që “tradhëtitë” e shpikura i dënonte me vdekje në serí, madje ishte krenar se serinë e kishte hapur bash me kunatin e tij….
Luftërat e pareshtura e raskapitën Vendin. Një brez shqiptarësh që i kishin filluar ato pa i u dirsur mustaqja, tashmë ishin të thinjur para kohe.Tokat e mbetura djerrë ishin treguesit e pakësimit të forcave njerëzore, ndërsa hordhitë e Anadollit nuk reshtnin së dynduri drejt trojeve të Arbërit. Fuqitë e prijësit kishin filluar të ndjenin peshën e një jete të tërë të kaluar mbi shpinë të kalit me shpatë në dorë. Nga ana tjetër vitet zulmëmëdha nuk kishin qenë aq bujarë me të nga ana shpirtërore. Shumë herë ishte plagosur zemra e heroit e shumë probleme kishte përballuar mendja e Tij. Cmira, zili e intriga të princave të ndryshëm e kishin vënë në provë të fortë durimin e Tij. Nga shokët e vjetër të luftës kishin mbetur pak. Ndihmat nga Italia fqinjë, mbas vdekjes së Papës Piu II ishin pakësuar ndjeshëm dhe arka e Shtetit, nëse mund të quhej i tillë, ndjente mangësi. Kishin mbetur të paprekura aftësitë strategjike të Komandantit dhe entuziazmi i ushtarëve e, në veçantí ai i atyre të gardës.
Gjergj Kastrioti e kuptonte se qëndresës së tij po i avitej fundi. Ishte i qetë në ndërgjegje, mbasi e kish kryer detyrën që i kishte vënë vetes në të rit e vet. Por e mundonte e ardhmja e Vendit të cilit i mbrojti lirinë për gati një të katërt shekulli. Parashihte se humbja e luftës, kurdo që të vinte, do të ishte me shumë dhimbje. Bashkatdhetarët e Tij nuk do të humbisnin vetëm lirinë, por edhe pasurinë e ndoshta edhe jetën. Thellë në shpirt mendonte fatin e gruas e të djalit, ende shumë të ri. Si prijës largpamës, të cilit i rëndonte në ndërgjegje e ardhmja e bashkëluftëtarëve që kishin ndarë me Të jo vetëm gazin e fitoreve, por edhe mundin, sakrificat e humbjet e njerëzve të dashur, kërkoi të gjejë një rrugëdalje. I drejtohet Ferdinandit, djalit të mikut të Tij Alfonsit, Mbret i Napolit, të cilit jo shumë kohë më parë i ka ndihmuar për të shuar kryengritjet e baronëve vartës të tij. Prej tij merr premtimin e mikpritjes së bashkatdhetarëve që do të braktisin Atdheun e pushtuar nga turqit.
Këto janë projekte që i përkasin një të ardhmeje kur Ai të mos ishte më në jetë, për çastin duhej vazhduar lufta, por duhej një tjetër besëlidhje, mbasi ajo e para ishte zbehur e kish humbur forcën vepruese. Thërret përsëri në Lezhë princat, mundohet të shuajë kundërshtitë e të sendërtojë një tjetër marrëveshje. Por trupi e shëndeti i Kryetrimit nuk i përgjigjen më dëshirave të Tij. Sëmuret nga malarja e në shtratin e vdekjes i buzëqesh për të fundit herë lajmit të fitores në një tjetër betejë. Fitoret vazhdojnë për inercí edhe se Ai nuk ishte më në krye. Por deri kur?
Para pak kohësh i është dashur të mundë në një betejë të përgjakëshme një tjetër arbër, që ishte vënë në shërbim të armikut, Ballaban Pashë Baderën, një tjetër bir të kësaj toke që vinte t’a shkelte atë me ushtritë e armikut.
Napoleon Bonaparti, kur u nis për në Shën Helenë, në vështrimin e fundit brigjeve të Francës, psherëtiu: “Eh Francë, të kishe më pak tradhëtarë!”. Ndoshta në netët e etheve kllapitëse të Lezhës edhe Gjergj Kastriotit i faniteshin në përfytyresë fytyrat e atyre që interesat e tyre të ngushta i vunë përmbi idealet e “shekullit të madh”. Ndoshta i vjen në mënd viti 1448, kur ngurimi i princave dhe pengesat e Gjergj Brankoviçit i bënë të humbiste mundësinë e bashkimit me Janosh Huniadin për të ndryshuar fatet e luftës se dytë të Kosovës e, ndoshta, të gjithë aventurës ushtarake turke në Ballkan.
Prijësi i Arbërisë mori një tufë thupra, i bëri bashkë e i a dha princave t’i thyenin. Mbasi asnjëri nuk arriti t’a kryejë veprimin, i ndau fije fije në mënyrë që të thyheshin lehtë. Kuptimi e morali janë ata të zakonshmit, të cilët i urti Gjergj kishte 25 vite që i përsëriste: vetëm duke qënë të bashkuar mund t’i qëndrohej së keqes, në të kundërt e keqja nuk do të kursente asnjërin. Ishte një nga mësimet e mëdha të Burrit më të shquar të kësaj toke, por që fatkeqësisht u vu në zbatim pak herë e pasojat i paguam në të gjitha kohët, deri në ato më të vonat….
Ai mbylli sytë në Lezhë duke mbjellë lotët në të gjithë sytë e arbërve, për të cilët do të fillonte periudha më e errët e historisë së tyre. U varros çuditërisht aty e jo në Krujë, ndoshta për t’i kumtuar historisë se Ai nuk kishte përkatësi krahine apo qyteti, i përkiste të gjithë atyre që flisnin gjuhën e Arbërit. Shpirti i Tij u ngrit lart në Qiell nga ku sodit me dhimbje dertet shekullore të Vendit të tij, ndërsa në të nuk i mbeti asgjë. Kockat i morën Turqit si hajmali të fuqisë mbinjerëzore të heroit, ndërsa armët përfunduan në Vjenën e largët. Për Arbërinë Ai, që lindi gjashtëqind vite më parë, mbeti fari i përjetshëm, i pashuar, i pakrahasueshëm.
Nëntor 2005

Marrë nga vëllimi : “Përsiatje njerëzore, letrare, shoqërore, historike” OMSCA 1

blank

PERGJEGJET KOLË MIRAKAJ: DERI KUR NË SHERBIM T’ ANMIKUT? LETER E HAPËT Z. ABAZ ERMENIT NEW – YORK, QERSHOR 1967

 

 

“…Besoj se shprehi ndiesitë e mbarë Popullit Shqiptar,
se po të jetë që fqijtë tonë e kuptojnë nevojen e bashkëjetesës paqësore
e bashkëpunimin leal të fqijsisë së mirë, tue na kthye të Drejtat që na perkasin,
Populli Shqiptar dishron miqësi të sinqertë edhe me Grekët
dhe me Sllavët e Ballkanit.”

Kolë Mirakaj (1967)

M’a beso z. Abaz Ermeni (dhe ju ndjeksat e tij) se bash po më dhemb zemra që më shternguet t’u ap ketë pergjegje botnisht, pse e dij që polemikat nuk i sjellin asnji dobi çashtjes së dhimbëshme e të vështirë që fati i randë na ka ngarkue të gjithë atyne që e quejnë veten antikomunista e atdhedashës.
Megjithse në ketë leter të hapët më duhet me dokumentue çeshtje të pergjithëshme të zhvillimit historik të ngjarjeve e veprimeve (sado shkurtimisht), pergjegjësinë e këtij dokumenti e ngarkoj mbi veten time, meqë nuk jam këshillue me askend, perposë ndergjegjes sime.
***
U mbushen 22 vjet në ketë mërgim të zi e nuk u mbushet mendjet se mosbashkimi i grupeve antikomuniste, sulmet kunder forcash të shndoshta kombëtare e sabotimet kundër atyne që dojshin e dijshin me veprue per shpetim t’Atdheut, kjene faktori kryesorë që e sollen kominizmin në fuqi, e jo forca e tyne vetë. Të njajtin veprim që batë në Shqipni, po bani tash 22 vjet edhe në mërgim, pa mujtë të merrni asnji mësim nga e kaluemja. Vazhdoni akoma edhe sot mbas 22 vjetësh që popullin Shqiptar e ka mbulue zija, perpiqeni me denigrue forcat kombëtare antikomuniste, tue sulmue vazhdimisht Blokun Kombëtar Indipendent dhe udhëheqësat e tij, e jo vetem Blokun po kedo që nuk i asht shtrue vullnetit tuej egoist.
Njizetedy vjet kemi heshtë para trillimeve e edhe fyemjesh personale që keni hjedhë kundra nesh paburrnisht, jo pse na ka mungue guximi ose argomentat, por vetem per hir të çeshtjes kombëtare; per të lanë shtekun hapët per bashkim të të gjitha forcavet antikomuniste tue perfshi edhe juve; per bashkim të shpirtnave të Shqiptarëve, pse jemi të vetdijshem se edhe po të zhduket regjimi komunist per nji shkak ose nji tjeter, ka me na u dashtë të perballojmë rreziqet që mund t’i kërcnohen Atdheut nga ndokush tjeter e sidomos Greqia, që ç’ prej 1913-tës e këndej, nuk hjekë dorë nga pretendimet grabitçare mbi Korçën e Gjinokastren.
E qé, edhe ndjesitë e mija n’ atë çeshtje:
E dini mirëfillit se komunizmi më ka tha loçken e zemrës; më ka mbytë në gjak e rroposë gjithçka asht e kandëshme per jeten e njeriut. Megjithkëte, po të jetë që Greqija o kushdotjeter sulmon Shqipninë për të grabitë Tokë shqiptare, unë edhe me Enver Hoxhen kishem me iu vu në dispozicjon, kështu në moshë pleqnijet e i gjymtuem si jam, per mbrojtje t’ integritetit toksor t’ Atdheut, si ushtar i thjeshtë e pa asnji konditë. E pra jam edhe i dënuem me vdekje nga ai regjim.
***
Tash 22 vjet edhe ma parë, na kemi kerkue bashkëpunim e vllaznim; ju perherë keni predikue mëninë e keni veprue per shkatrrim të forcave kombëtare. Këte e dokumenton edhe shtypi i të dy palëve. Kjo mënyrë veprimi e jueja dishmon, se ju dashtë o padashtë, jeni tue i sherbye anmikut të perbashkët KOMUNIZMIT e anmiqëve të tjerë të KOMBIT SHQIPTAR.
Kur tham ju, nuk të drejtohem vetem ty z. Abaz Ermeni, po njisoj edhe udhëheqësave të tjerë të Partisë Agrare Internacionale, që edhe Ty si të ndjemit Mit-hat Frashërin, duen të mbajnë rob të vullnetit të tyne të çaperdisun, me lajka per qellimet e tyne t’errta.
Unë e dij që Ti je antikomunist e nuk t’a mohoj as ndjenjen patriotike, as guximin trimnor, po kishem me të këshillue të shikosh mirë çka ké per-rreth-e-qark. Rueju mos të bini viktimë siç ra i ndjemi Mit-hat Beu!
Sa me paknaqësi e mora vendimin me u pergjegjë njiherë e pergjithnji, e din ndergjegja e ime, por mbasi edhe tash mbas 22 vjet tragjedije të Vendit tonë, po vazhdoni rrugen e shpartallimit të forcave kombëtare me trillime e gënjeshtra që synojnë të fallsifikojnë historinë, ka ardhë koha që mërgata antikomuniste dhe opinjoni i pergjithëshëm shqiptar mos të mbeten
perherë tue ndigjue vetëm zanin shtremnues të fakteve, po të ndigjojnë edhe zanin e fakteve, zanin e së vertetës. Per të kjartësue gjithshka, nuk mjafton nji shkrim i kufizuem si kjo leter, po duhet nji liber i cili asht i pergatitun tash 16 vjet (i ruejtun nder tri kopje në vende të ndryshme) e që auktori nuk ka dashtë t’a botojë akoma, per të mos u ba pengim per bashkërendim të forcave kombëtare në një llogore të vetme antikomuniste, me që e verteta e dokumentueme, mund të dilte e hidhun per ndoken, e ndoshta ndonjë IDHULL, mund të rroposet perdhé.
Siç e shifni z. Abaz Ermeni, jam tuej u perpjekë të mbaj stil shkrimi si u ka hije njerzëve të qytetnuem e si lypë burrnija shqiptare me u sjellë ndaj kundershtarit, që luftohet, po njiherit nderohet, e jo me fjalë banale, siç e ka zakon ana e juej.
***
Erdha në Shtetet e Bashkueme t’ Amerikës mbas 22 vjet mërgim per me fitue buken me djersen time, pse nuk m’a lejonte ndergjegja t’u bije në qafë dashamirëve e atyne që më besojnë t’u hjekë kafshaten e bukës së fëmijëve. Natyrisht, me mundësitë e mija të vogla me u perpjekë edhe me dhanë kontributin tim modest per çeshtjen kombëtare per të cilen nuk kam kursye asnji therori që nga rinija gati fëmijë.
Që se erdha këtu, kam folë vetem fjalen e moderacjonit, fjalen e vllaznimit që synon t’ arrihet në vllaznim e bashkëpunim të Shqiptarëve antikomunista, të Shqiptarëve të vertetë atdhedashtësa. Këte kanë ndigjue nga unë miqë e kundershtarë, pse pa bashkim nuk mund të bahet forcë as morale as materjale, e pa forcë nuk mund të kryejmë misjonin e randë që fati i randë e zhvillimi historik na kanë ngarkue.
Njizetedy vjet mërgim, para se të vijshe këtu jetova si munda n’ Itali, tue fillue nder kampe per refugjatë, mandej nder komunitete fetare per sevapë e mandej me djersen time, kur mujta të gjejë ndonjë punë çfarëdo.
Mbasi kaluen gati tre muej mbas ardhjes time këtu e nuk ndigjova se morët ndonji qendrim ekstremist kundra B.K.I. as kundra meje personalisht o ndokujtë tjeter t’anës s’onë, dhe vizitat miqësore që më bane disa agrarista jo të rendit të dytë dhe hallet vllaznore e kombëtare që dertuem, mendova se edhe Partia Agrare, tashma paska arrijtë në kuptim të nevojës së bashkëpunimit kombëtar me tjerat grupe politike antikomuniste, e kjo më gëzoi mjaft, po edhe na ishim prap gati të harrojmë shpifjet e fyemjet personale e t’u shtrijshim doren vllaznisht edhe juve. Paskem pasë qenë gabue.
Po ka do kohë që CELULA (a si e queni?) e juej këtu në New York, ka fillue një fushatë t’ eger me anë të radios kundra B.K.I. e kryesisht, kundra prof. dr. Ernest Koliqit e meje.
Ku e keni hallin dhe synimin?
Në qoftë se mendoni se me ketë mënyrë i bani sylesha bashkëatdhetarët tuej t’u besojnë se tue denigrue patriotë që patriotizmin e kanë dishmue me therorina eprore e jo me fjalë demagogjike, kështu i sherbehet çashtjes kombëtare e kështu luftohet bolshevizmi, dinje se i nençmoni teper Shqiptarët dhe i fyeni randë, madje ma teper se askend, vetë ndjekësat tuej.
Po të mendoni se me sisteme të tilla ia doli Enver Hoxha, prandej me të tilla sisteme do t’ ua delni edhe ju, aq ma keq. Një pjesë e Shqiptarëve u gënjyen njëherë nga premtime që i sollen mjerimin, po nuk gënjehen ma. Kushdo që ti paraqitet popullit me të atilla sisteme e me mëni kundra vllaznish të gjakut, nuk fiton gja tjeter, veçse perbuzje.
Eh, lum bashkëatdhetari! Keni kalue çdo kufi.
Janë ndigjue disa herë agraristat tuej tuej thanë njerzëve se po nuk jé me Ballin Agrar, nuk jé Shqiptar! Deri në ket cak i keni fanatizue naivët. Në ketë ekstremizem nuk ka arrijtë as komunizmi. Komunizmi, kundershtarët i ka quejtë reaksionarë, anmiqë të popullit e tradhëtarë;
por cilësinë Shqiptare nuk ua ka mohue. E ju proklamoheni demokratë antikomunistë, po në anën tjeter vepra e juej pothuej se e shkapercen sistemin komunist n’ ekstremizëm e fatkeqësisht, dashtë e pa dashtë jeni tue i sherbye anmikut të perbashkët, martirizuesit të popullit Shqiptar, komunizmit e njiherit anmiqëve të tjerë të Shqipnisë.
Ti z. Abaz Ermeni dhe ju të tjerët udhëheqësa të Partisë Agrare, e dini mirëfillit se demokracija e ka burimin ték toleranca e respektimi i mendimeve të ndryshme. Në bazë të këtij mendimi askush prej nesh nuk ka të drejtë me gjykue o nençmue tjetrin, por vetem me ba kritiken korrekte, ndertuese. Kjo e drejtë i perket vetem Popullit Shqiptar kur të vehet në gjendje të shprehet lirisht dhe Historisë, mbasi të kenë kalue në jetë tjeter protagonistat e ngjarjeve. Ekstremizma e stilit të sistemit bolshevik që u thotë komunistavet (Lenin-i) “HUDHNJE GENJESHTREN” në qarkullim kundra kundershtarëve; persëritnje dy herë, dhjetë herë, njimijë herë, pse dikur ka per t’ia truellue trutë edhe atij që e din që asht gënjeshter, gati me e besue edhe ai të vertetë. Ky sistem u ka shti në rrugë të gabueme. Të krijoni çfardo lloj gënjeshtrash jo vetem kundra nesh të B.K.I. po kundra kujtdo që nuk i shtrohet kryengurrtësisë s’uej.
Këte verteton qendrimi që keni marrë edhe kundra patriotësh të ndritëshem si Nuredin Vlora, Ali Klisura, Koço Muka etj., udhëheqësa të Ballit Kombëtar që mbasi nuk munden t’ua mbushin menden ju të hiqnit dorë nga rruga rrenimçare, ata nuk ecen ma në rrugen tuej. Derisa u ndatë prej Tyne, mburreshit me naltësinë morale, politike e patriotike të Atyne VETERANËVE dhe jam i sigurtë, se njilloj do të kishi denigrue edhe të ndjemin Mit-hat Frashëri, po t’ mos ia kishit dalë me miklimet t’ueja t’i terratisni mendjen e t’i tharbëtoni zemren.
Sot që Mit-hat Frashëri ka kalue në Jeten e Amshueme, unë perulem para kujtimit të Tij e si biri i nji familje që ka lanë emen të lumnueshem në historinë kombëtare, e si Ai vetë që ishte atdhedashës i pa zhigla, i CILI, po per Atë emen që bante, ndofta ka qenë (e patën kujtue) personaliteti ma i pershtatëshem i kësaj mërgate që në bashkëpunim me të tjera mendje të ndituna do të kishte mundë me bashkue, me vllaznue e udhëheqë persëmbarit këte mërgatë.
Na të B.K.I. ua kemi ofrue ketë mundësi e vetveten në dispozicionin e Tij; pa kushte, mjaftonte që Ai t’ishte Babë i paanëshem. E Ai e çmonte dhe e pranonte këte inisiativë, por mbas takimit me rrethin e Tij e zmbrapte…
Dy heresh e ka thirrë historia në pikëpjekje Mit-hat Beun:
⦁ Në Shqipni mbas dorëzimit t’ Italisë, me bashkue të gjithë Shqiptarët në luftë kunder
komunizmit, me ia shporrë qafet këte kolonë të pestë të sllavizmit Kombit, per të muejtë me sigurue per kohen që pritej mbrojtjen e Atdheut në pergjithësi, gja që edhe unë personalisht ia pata sugjerue e ofrue në Gusht të 1944-ës. Nji veper e tillë, do t’a kishte shpetue Shqipninë pa ra nder kthetrat e tiranisë komuniste, e ndoshta, edhe Kosoven.
⦁ Gjatë viteve 1946 – 49 kur i kerkojshim të marrin Flamurin e Bashkimit, t’na printe!
Nder të dy herët ju ekstremistët që dominojshi vullnetin e Tij, e ndaluet pa i dalë në pikëpjekje Historisë! Historia vazhdoi rrugen e vet, e né Shqiptarëve, na la mbrapa në fatin që gjindemi sot. Ky asht shkaku që mërgata Shqiptare gjindet sot në këte gjendje! E ndofta, ky asht edhe shkaku që ç’ prej 1948, kur komunizmi i Shqipnisë i prishun me Jugosllavi e akoma jo i forcuem nga Rusia ishte nder grahma të fundit, po dhe na kishim nji rrezistencë t’armatosun nder Malet e Veriut mirë të organizueme dhe që kishte penetrue në ushtri e deri në polici per kryengritje të pergjithëshme, që po t’i kishim dhanë na të mërguemit pak shpirt’e ndihmë, ka fort gjasë që, ç’ atëherë, komunizmi në Shqipni do t’ ishte permbysë. E ju akoma sot vazhdoni të mburreni per çka i keni ba Bashkimit të Shqiptarëve e vrasjes morale të Mit-hat Frashërit!
(Shih fletoren “Flamuri”, 28 Shkurt 1966, nr. 148 – 151, kolona e gjashtë).
Jeni turrë kunder Mbretit Zog, simbol i sovranitetit të Shqipnisë, tue i ngarkue çfardo të keqje pa i njohë asnjë meritë. E pra, asgja tjeter mos me dashtë me i njohë Atij Mbret të Shqiptarëve në jeten e Tij politike që prej Kongresit të Lushnjes e deri në vdekje, e mandej si kryetar shteti, njerëzit e ndergjegjëshem (ndjekësa o kundershtarë) ashtu edhe historia: Ia njohin që kje Ai që mundi të krijojë nji Shtet Shqiptar me administratë të mbrendëshme politike e diplomaci të jashtëme, të njohun nga gjithë bota dhe rendin publik me qetësi shembullore.
Jeni turrë kunder Ernest Koliqit me mënyra shburrnore e banale çka nji nxanës i dikurshem i Tij si ju, z. Abaz Ermeni, nuk duhej kurrë t’a kishte lejue pse nuk e pranon as burrnia shqiptare, as moraliteti i njerëzëve të qytetnuem. Të tjerë ishnxanësa të Tij, e jo ma ultë me kulturë se z. Yte, dhe me ndjenja patriotike të flakta (si Isuf Luzaj), akoma sot e thërrasin MJESHTER. Ky shkrimtar i kalibrit të madh që në moshen e rinisë me novelat, artikujt e romanet e Tij, asht perpjekë vazhdimisht me vue në dukje (pah) virtytet e nalta të Fisit Shqiptar, tue predikue ruejtjen e tyne e shortimin e të mirave të kulturës moderne mbi cungun e atyne virtyteve e zakoneve të mira, pa të cilat Shqiptari nuk do t’ ishte mâ Shqiptar. Na nderon edhe sot me personalitetin e Tij të naltë që i sjellë kultura e shqueme edhe para botës së huej dhe prodhon gjithnji e mirë sa askush tjeter per kulturen e letersisë shqiptare.
Asgja tjeter mos të kishte ba Ernest Koliqi per çeshtjen kombëtare, mjafton me e vue në rend të parë të patriotëve vepra e Tij arsimore në pergjithësi e në veçanti, në tokat e çlirueme në PRILLIN FATBARDHË të vitit 1941.
***
Mbas bashkimit të Kosovës dhe të tjerave vise Shqiptare me Atdheun, vinte në rend të parë çeshtja e arsimit nder ata vende ku nen mbretninë e Karagjorgjeviqëve, nuk ishte lejue as ma e ulta shkollë Shqipe. Qeveria e Romës kerkonte me kambëngulje që të ndiqej shembulli i Italisë kur kjo kishte aneksue Alto – Adigj-e (Sud Tirol), pa u kujtue se mes dy rasteve nuk kishte analogji me që Sud Tirolasit ishin Austriakë të gjuhës gjermane, ndersa Kosova e të tjera krahina të lirueme ishin të gjuhës dhe të gjakut Shqiptar.
I deleguemi i qeverisë italiane, ekspert i Ministrisë s’ Arsimit t’ Italisë, kerkonte që të fillohej të vihej Gjuha Shqipe nder ato shkolla nga nji klasë në vit, tue fillue nga e para fillore e nga e para gjimnaz, kështu, vetem në krye të tetë vjetëve mund të shqiptarizoheshin të gjitha klasët. Qeveria e kryesueme nga Shefqet Verlaci e kundershtonte projektin e Romës, por Ai që i dha grushtin kje Ernest Koliqi, që nuk pranoi asnji kompromis, e si pergjegjës i Arsimit i paraqiti Mëkambësit të Mbretit dorëheqjen si protestim. Jacomoni, ndeshet nga njianë me urdhnat e Romës dhe nga tjetra anë me qendrimin pakompromis të Koliqit, të cilit ia refuzon dorëheqjen në formë konfidenciale tue e autorizue Koliqin me gjetë zgjidhjen e pabujëshme. Zgjidhjen e gjet Ernesti tue e ba faktin e krymë.
Mblodhi 250 arsimtarë (nder të cilët ishit edhe disa nga ju agraristët e mavonshem), i dergoi në Tokat e Lirueme, gjoja me mbledhë folklor, por me urdhen taksativ: Me pergatitë hapjen e shkollave në Gjuhën Shqipe per të gjitha klasët, që prej së pares fillore deri tek e tetëta gjimnaz per Shtatorin e atij viti, dhe ashtu u bâ. Fondet e nevojshme i kjene dhanë në tjetër formë nga Mëkambësi i Mbretit dhe nga kryeministri Verlaci. Ishte guximi e mendja e hollë e Ernest Koliqit që realizoi këte veper të madhe kombëtare, që nuk u zhduk as nuk mund të zhduket mâ. Këte e dini mirë edhe ju agraristët po nuk e thoni, kujtoni se errësohet dielli me shoshë.
Dobija e letersisë dhe e kulturës kombëtare u këshillon të gjithë intelektualëve të mblidhen rreth këtij kroni ditunije, e të punoni sëbashkut per kulturë e letersi Shqiptare.
Leni hujet (inatet) e ambicjet e vinju punës së mbarë. Me kohë, me mundim e inteligjencë edhe ju mund të baheni kroje të dobishme, gjigante si Ai.
Sot Kosovari nuk mendon si e mendonte shumica me u bashkue me Shqipninë, se atje do të gjente një Turki të vogel, po e ndiejnë se hyjnë në gjiun e NANËS, në gjiun e Atdheut. Kjo shqiptarizem e flaktë që asht ringjallë nder Shqiptarët e robnuem, asht meritë e shkollës Shqipe, e në këte meritë vendin e parë e nxen Prof. Dr. Ernest Koliqi.
E çka nuk keni lanë pa thanë kunder Mustafa Krujës, kunder asaj mendje të ndritun e zemre të pervlueme nga atdhedashunia e cila, e shterngoi të kalonte në mërgim ma shumë se 40 vjet ma të mirat e moshës së Tij, e së fundit në këte mërgim, po mos të kishin kenë puna e së motres së Tij dhe bujaria e Mbretit Zog, do të kishte mbetë me vdekë urijet. E pra, dihet se Mustafa Kruja, të kishte mendue per veten e Tij ka pasë mundësina me e sigurue jetesen dhe ekonominë në shkallen ma të kënaqëshme, por Ai, nuk pat mendue kurrë per vete, po per Shqipninë, t’ i sherbente me çdo therori.
Çka keni thanë e çka keni per të thanë kunder meje? – Se jam fashist, se paskam ardhë këtu me organizue grupin fashist. A e kam mohue ndonjiherë të kaluemen time? – As që kam nder mend t’a mohoj në çfardo rrethanet. E pohova edhe kur kjeshë arrestue në Brescia nga policia italiane, në Maji të 1945-ës, atë kohë kur më vrau nji “fashist” edhe pa proces, që t’i quhej “meritë”, e pohova edhe para oficerit amerikan që ishte i ngarkuem me kontrollue veprimet e policisë dhe pata proven se ata që ishin burra, respektoheshin! Ai porsa i tregova arsyenat kombëtare, urdhnoi kuestorin të më lironte menjiherë, dhe prej atij çasti më deklaroi nen protekcion të Armatës së V-të; ndersa do t’ ashtuquejtun bashkëpuntorë t’ Aleatëve, ishin të ndrymë me ia dorzue Enver Hoxhës, po të mos ndryshojshin rrethanat; pse nuk kishin dijtë të mbanin perherë nji rrugë qendrimi.
Fjala fashist sot asht krejt pa krypë e kot mendohet se damton kush kend me atë fjalë!
Fashizmi ka kenë nji fenomen historik i kohës së tij e që mbas mendimit tim nuk duhet të kthehet mâ. Këte e perfitoi nji ish-socialist që quhej Benito Mussolini, per të shpetue Atdheun e Tij, pa ra nder kthetrat e anarkisë e të tiranisë bolshevike e që me këte lëvizje, e me ndihmen që i dha nacionalizmit spanjol, shpetoi Europen! Ishte nji fenomen i lindun nga nevojat e kohës.
Në Shqipni, nuk ka pasë as fashizem as antifashizem në kuptimin e fjalës; ka pasë vetem korrente të ndryshme mendimesh, që të gjitha synonin me i sherbye Atdheut.
Na në hijen e fashizmit perpiqeshim të ruejmë e të forcojmë nacionalizmin shqiptar, dhe me atë veprimtari e lealitet nxorem mjaft koncesione në dobi të çeshtjes kombëtare, dhe patme vu bazat per Shqipninë Etnike e sovrane per t’ ardhmen.
Tham se nuk ka pasë fashizen e antifashizem në Shqipni, pse fashizmi tek na nuk erdhi as si lëvizje kulturore – propagandistike – politike, as me lëvizje armësh si n’ Itali e ngjetiu. U proklamue me nji dekret të Mëkambësit të Mbretit, per analogji me Italinë e prap u suprimue me nji dekret të Mëkambësit të Mbretit pa gjetë asnji kundershtim.
Ana e juej bashkëpunuet me neve, me italianë e edhe me komunistë njiherit, në të njajten mënyrë bashkëpunuet me Gjermanët e me Aleatët. Siç pohojmë na të t’onat, pohoni me guxim burrnor edhe ju të tuat!
SYNIM’ I SHTERPËT

Per të nda Shqiptarët në fashistë e antifashistë, nder tradhëtarë e superpatriotë, jeni kapë per verigen e kalbët të disa telegrameve të fallsifikuem që u shpallën nga agjensia “Stefani” dhe u botuen nga fletoret italiane njiherit me pushtimin ushtarak të Shqipnisë, se gjoja disa parësi të Shqiptarëve i paskeshin kerkue Duce-s ndihmë, që ta shpetojë Shqipninë nga regjimi i asaj kohë. Ata telegrame ishin të fallsifikueme e qé ku asht prova:
Në Mars të vitit 1940, fillova nji qarkullim fjalimesh që i vazhdova në gjithë Shqipninë, që prej kinema theater MAJESTIK në Korçë, rreth mardhanjeve italo – shqiptare në gjendjen e krijueme nga forcat e rrethanat historike; dhe deklarova:
ASNJI SHQIPTAR nuk e kishte dishrue as ftue pushtimin ushtarak nga Italia, as verbalisht, as me telegrame ose letra. Solla si shembull Kapidanin e Mirditës me veprimin e Tij në ato rrethana, i cili i kje vue në dispozicion Madhnisë së Tij Mbretit me 5.000 burra që pritshin armët per të vrapue në luftë.
Me 15 Mars, Kapidani kje thirrë n’ audiencë nga Mbreti Zog per të bisedue per gjendjen që po shihej e turbulltë me Italinë. N’ atë audiencë Kapidani i dha besen Mbretit se po të ngjiste gja per okupim të Shqipnisë nga Italia, Ai do të vihej në dispozicion me të gjitha fuqitë e Tija, vetem se i duheshin armë.
Në fund të Marsit, Mbreti emnoi Sul Kurtin rrethkomandant në Burrel, me porosi që të rrinte në lidhje telefonike me Kapidanin, per t’i transmetue porositë e Mbretit. Me 5 Mars, Sul Kurti me urdhen të Madhnisë së Tij, lajmëron Kapidanin të mblidhte menjiherë vullnetarët e t’i grumbullonte rreth Rrubikut ku do t’u shkonte armatimi. Menjiherë Kapidani qiti kushtrimin e mblodhi 5.000 burra Mirditas e Thkellas tek Kroji i Sh’ Lleshdrit, dhe me 7 Prill i telegrafoi Madhënisë së Tij, tue lajmërue se ishte i gatshem per luftë dhe kerkonte armët. Pokështu, ju vuna edhe unë në dispozicion me deklaraten që i bana prefektit të Shkodres Javer Hrushidit, porsa ndigjova në radio lajmin e tentativës së zbarkimit italian. Këto i thashë publikisht para elitës dhe popullit të Korçës, si edhe para autoriteteve civile e ushtarake shqiptare e italiane, në atë kohë kur Italia njihej potenca e tetëmiljon bajonetave dhe ishim nen okupacionin ushtarak të saj. E persërita që prej Gjinokastres në Kukës, në të gjitha qendrat kryesore të Shqipnisë. E thashë jo vesh në vesh po të MADHE e botnisht. Me fjalë të tjera i thashë “DUCE GËNJEVE !” Nuk u mjaftova ta them vetem me fjalë që i merr era e treten n’ eter, po i thashë edhe me shkrim që u botue nga Ministria e Kulturës Popullore “DISTAPUR”, fashikulli nr. 3.
Që unë i bana ato deklarata aq të guximëshme per atë kohë, nuk isha i interesuem aso kohe as sot personalisht, pse as emni i Ernest Koliqit as i imi, nuk figurojnë n’ ato telegrame.
Isha i interesuem kombëtarisht per Historinë. E shtoj, se asnji personalitet që ka ba ose ban pjesë në B.K.I. nuk figuron n’ ato telegrame të fallsifikueme, perveç nji BURRI, (që asht në Jeten tjeter), i Cili, me qendrimin e Tij patriotik të atyne ditëve, i pat pergënjeshtrue edhe vetë. Kjo asht e verteta lakuriq e atyne telegrameve. Asnji tjeter akt privat a zyrtar nuk ekziston i nenshkruem nga pergjegjësat e asaj kohë, perveç atyne protokolare t’ akordeve e mardhanjeve të karakterit nderkombëtar në mes të dy shteteve.
E kur unë aso kohe N.Sekretar i P.F.SH., pata guximin ti tham botës dhe Duce-s me fjalë e me shkrim çka u tha ma nalt, z. Yte, z. A. Ermeni e të tjerë, ndofta pershpëritëshit fjalë e ndjesi reaksionare kundra gjendjes s’ imponueme Shqipnisë (nënza) siç ishin në zemer të çdo Shqiptari, po n’ anen tjeter, vrapojshi kush po merr trisken e P.F.SH. sa ma parë. E keni vazhdue me veshë këmishen e zezë e të duertrokitni emnin e Duce-s, në mos ma teper, poaq sa unë e Ernest Koliqi.
Keni kalue n’ anen tjeter kur Boshtit filloi t’i rrjedhin kazani, e kur u pa se kazani po shterrej, per të muejtë me nxjerrë veten “puritana” filluet edhe të ndani Kombin në fashista e anti, kolaboracionistë, nen patriotë e tradhëtarë, tue cilësue veten superpatriotë.
Na akuzoni edhe per fashiot që iu vune Flamurit. E di shpirti ynë, e dishmojnë provat që kemi dhanë pastaj sesa plagë e randë ka kenë per neve ajo ditë! E mirë, na nuk mundem t’a ndalonim, e prap ishim na me në krye Mustafa Krujen, Terenc Toçin, Shefqet Verlacin, Ernest Koliqin, Ekrem Libohoven etj., që me takt e guxim e bame Duce-n të terheqin spatat e të na e dorzojnë Flamurin e Skenderbeut.
Pra më tregoni ju “superpatriotët”, ku ishit e çka keni ba atë ditë që ata ia vune spatat Flamurit? Pse nuk doli nji nga ju me i hjedhë Mëkambësit të Mbretit nobare nji vezë skllukë?
Né që na queni fashista, arrijtëm të bindim Duce-n me pranue edhe suprimimin e P.F.SH. dhe zevendsimin e saj me nji Lëvizje thjeshtë shqiptare.
Nuk ka as nuk ka pasë tjeter spjegim z. A. Ermeni, veçse frikën që në nji bashkim të pergjithëshem disa nga rrethi Yt, se mos po mbeteshin në hije e kështu o burra, na e vetem na të perpiqemi të marrim krejt pushtetin (kot t’ imagjinuem), qyshë se keni nda edhe pozitat që nga Kryetari i Republikës e deri tek Nenprefekti, e mandej (në mendjen tuej), me ushtrue Pushtetin absolut per të zhdukë kundershtarët. A nuk zbatoi të njajtin sistem komunizmi?
Dinje se mënyra e veprimit tuej sot i sherben vetem komunizmit: “NDAJ E MBRETNO” dhe se per t’ ardhmen ka per të pasë efektin e kundert t’ asaj që mendoni ju.
Historia cilëson veprimet e faktet dhe jo pallavrat as dëshirat.
Veprimet e faktet peshojnë në damin tuej si n’ Atdhe, ashtu edhe në mërgim.
Po ua kujtoj edhe nji gja me randësi kryesore:
KOMB E SHTET NUK MUND TË THEMELOHEN MBI MËNI (URREJTJE) E
RRESHTNA VLLAZNISH, siç mendoni ju dhe komunizmi!
Vetem me therorina të perbashkëta të të gjithë bashkatdhetarëve e vllaznim,
NDERTOHET SHTET E KOMB !

KARTAT NË SHESH

Na queni kolaboracionistë me të huejtë, me okupatorin. Nuk e kemi mohue as nuk e kemi nder mend të fshihemi mbas bekimit t’ Argjipeshkvit o të Kryemyftisë së Shkodres, siç po bajnë disa prej jush, se gjoja kishin “bekimin” e Mit-hat Frashërit me bashkëpunue me fashista e me “sabotue”(!), a nuk u duket qesharak ky lloj perligjimi? Na nuk e mohuem bashkëpunimin tonë me Italinë fashiste dhe per rrjedhim me Boshtin Romë – Berlin. Këte bashkëpunim e sollen rrethanat nderkombëtare të kohës e nevojat kombëtare, per të shpetue çka t’ ishte e mundun.
Kolaboracionistë në terminologjinë e ré quhet ai që bashkëpunon me të huejn në vendin e vet. Pra as ju, mos e mohoni pjesen tuej në këte kuptim! Edhe ju bashkëpunuet me të huejn, madje edhe jeni mburrë per atë bashkëpunim, pra kolaboracionistë kemi kenë të dy palët, na pa vullnet, shterngue nga rrethanat e interesi i Atdheut, ndersa ju, me krejt vullnetin e lirë.
Na me Boshtin, ndersa ju me Aleatët, per rrjedhim edhe me Rusinë Sovjetike!
FLASIN FAKTET, DISHMOJNë VEPRAT !

⦁ Me 7 Prill 1939, Italia filloi zbarkimin e ushtrisë në kater limane të Shqipnisë.
Shqiptarët e lanun në fatin e tyne nga e gjithë Bota e bane detyren që i perkiste nji kombi të vogel. Luftuen sa mundën e do gjak u derdh, sa me i dishmue Botës se Lirinë e mbrojnë me gjak. Nji tjeter shtet 15 miljonësh kishte kapitulue pa pushkë e të shtime, tue pasë edhe nji nder industritë ma moderne t’ Europës.
Shqiptarët që u gjendën në ball të luftës, ultimatumin e agresorit e pritën me ata plumba që patën. Burra si Kapidani i Mirditës u vunë në dispozicion Madhnisë së Tij Mbretit, të gatshem me shkue me luftue me trimat e tyne vullnetarë. Koha nuk priti të grumbulloheshin forcat shqiptare. Mbreti, me largpamjen e Tij e gjykoi se nuk ishte koha me shkatrrue Vendin me guerrilje nder rrethanat e kohës dhe e la Atdheun. Mbrenda tri ditësh ushtria italiane pershkoi Shqipninë anë e mbanë deri nder kufijë të Greqisë e Jugosllavisë. Ushtria italiane nder kufijtë e këtyne fqinjëve kje pritë me të dridhuna po edhe me lule e tjera gjeste miqësie.
2. Mbas largimit të Mbretit dhe qeverisë nga Tirana, me 8 prill u formue Komiteti Ekzekutiv i kryesuem nga Kryeinspektori i Oborrit Mbretnor, Shkelqësia Xhafer Ypi, e Sekretarët e Pergjithëshem të Ministrive. Ky urdhnoi pushimin e rezistencës e pritjen miqësore të ushtrisë italiane.
3. Ministri i Punëve të Jashtme t’ Italisë konti Galeazzo Ciano, që me 8 prill kishte ardhë në Tiranë, e në marrveshje me Komitetit Ekzekutiv ishte vendosë me mbledhë nji Asamble në Tiranë me 12 të atij muej. Parësia e krahinave të Shqipnisë bashkë me shumicen e deputetëve të seksionit t’ atëhershem, kishte arrijtë në Tiranë me daten 10 e 11. Vetem perfaqësia e Shkodres ngurroi t’i pergjegjej asaj ftesë, e mbas dy ditë bisedime në shtëpi të Kapidanit të Mirditës mbasi caktoi nji program veprimi, arrijti në Tiranë në mengjes të 12 prillit 1939 e prime nga At Gjergj Fishta, At Anton Harapi e Gjon Marka Gjoni. U ndaluen në hotel Internacional e kerkuen nga delegacionet tjera që të dilshin nga Parlamenti, per të ngulë kambë të gjithë sëbashku siç kishte vendosë dërgata shkodrane, “mos me pranue bashkimin e kunorës, por nji Princ të Shtëpisë Savoja mbret”. Nuk iu pergjegjen thirrjes sonë, me që ato dërgata e kishin pranue kerkesen e Ministrit Ciano. Dërgata shkodrane nuk pranoi të hynte në mbledhje pa u skjarue me perfaqsuesin e Italisë mbi fatin e Shqipnisë. Ngarkuem At Anton Harapin dhe Gjon Markagjonin per këte skjarim e kambëngulje në tezen tonë.
Dy perfaqësuesit tonë u gjetën para fakteve: a. Të gjitha delegacionet tjera kishin pranue formen e UNIONIT pa asnji kundershtim; para vendosmenisë italiane që o do të pranohej bashkimi i kunorëve, ose do t’ ishte diçka ma e randë. Para këtyne faktorëve të pakalueshem të ngarkuemit tonë prap nuk e kishin dhanë fjalen e pranimit e sëbashku me kontin Ciano, e me Jacomonin, erdhën në sallen ku pritshim na të tjerët. At Antoni na shpjegoi të gjithë bisedimin e çeshtjen, tue na vue në dijeni se Shkodra kishte ngelë vetem, pse delegacionet tjera të gjitha e kishin pranue kerkesen e Italisë pa hezitim. Erdhëm në nji kompromis: Konti Ciano, perfaqësues i Italisë, n’ emen të Mbreti Perandor dhe të Duce-s, të bante nji deklaratë publike per ruejtjen e sovranitetit e t’ integritetit të Shtetit Shqiptar, të pacenueshëm në ketë bashkim kunorash.
Ciano e pranoi dhe e bani deklaraten e kerkueme para popullit e perfaqësuesëve të tij të rastit. Këthyeme prap në hotel dhe e stilizuem deklaraten si vijon, të cilen, e lexoi në Parlament ish-antari i Këshillit të Naltë shkelqesa Ndoc Pistulli.
DEKLARATA

“Mbështetë mbi marrëdhanjet që na perfaqësuesat e krahinës së Shkodres, që para zhdukjes së regjimit zogist patëm me perfaqësuesit e Italisë fashiste, si edhe mbi besen e dhanun prej Ekselencës së Tij Konte Galeazzo Ciano, i cili njiherë privatisht i’ a dha fjalen Princit Mirditës z. Gjonit të Markut, e mandej publikisht edhe para dërgatës shkodrane se: INDIPENDENCA E SHQIPNISË asht e garantueme në mënyren ma absolute, me Flamurin e vet, me Gjuhë, shkolla e zhvillim të tyne, me administratë shtetnore të veten ushtarake e civile, me perfaqësina para shteteve të tjera dhe me gjithçka asht në natyrë të nji Shteti e nji Kombi, me rracë, gjuhë, histori, tradicione e tagre të veta.
Na Perfaqësuesit e krahinës së Shkodres, pranojmë, që Mbreti Perandor i Italisë fashiste, të jetë njiheri edhe Mbreti i Shqiptarëve.”
Ky dokument u nenshkrue prej të gjithë delegacionit të Shkodres me rradhë si vijon:
Kapidan Gjon M. Gjoni, Ndoc Pistulli, Don Mikel Koliqi, Pater Gjergj Fishta, Mark Kakarriqi, Kolec Deda, Daut Gjylbegaj, Zejnel Broja, Asllan Bekteshi, Kolë B. Mirakaj, Zef Boriçi, Shaqir Omari, Taip Hilmija, Gjyl Gjylbegu. Në të djathtë të dokumentit, figuron emni i At Anton Harapit, që ka shkrue dokumentin historik me doren e vet.

Po t’ ishin bashkue me këte qendresë morale edhe perfaqësuesit e krahinave të tjera të Shqipnisë, Italia do t’ ishte mendue shumë para se me shkelë disa nga këta kushte siç i shkeli, e që veprimi i mavonshëm i atyne që i queni tradhëtarë e bani prap Italinë t’ ia këthejë këto të drejta Shqipnisë.
Në nji libret të botuem në Washington në 1951, nga Cost A. Chekrezi, Ai thotë: “Ata që kundershtuan më rrebtësisht vendimin e Duces, ishin krerët katolikë të Shkodres.”
Kostë Chekrezi nuk ka kenë perkrahës i yni, por ka afermue nji të vertetë historike.
4.Na e konsideruem çeshtjen kështu: SHTËPIJA ka marrë zjerm; mbrenda kemi familjen, pasuninë e gjithshka asht e denjë per jeten e njeriut. Kush të jetë burrë duhet të hyjnë në zjarm me shpetue çka të jetë e mundun ose me u djegë edhe vetë. Nuk mujtëm me ndejë me duerkryq tue ba sehirë si disa “superpatriotë” (!). Gjithshka u ba aty, e ma vonë me protokole të karakterit të së Drejtes Nderkombëtare – Shtet me Shtet.
Në këto rrethana shternguese kombëtarisht filloi kolaboracionizmi ynë me Italinë fashiste e per rrjedhim me Boshtin Romë – Berlin, të cilit na të bindun se interesi i Atdheut n’ atë kohë e lypte t’ ishim leal, e ashtu qendruem deri në fund; edhe kur i mbrami ushtar gjerman po lente Shqipninë. I ndejtëm leal pse, mbas mendimit t’im, per të muejtë me ba politikë të dobishme per Kombin duhet me kenë dishka, e per me kenë dishka, duhet me pasë nji forcë.
Kjo forcë o perbahet nga fuqia e armëve, ose nga fuqia morale që vjen nga besnikija, nga lealiteti. Na si popull i vogel e i pa mjete që jemi, nuk mund t’ a mbështesim politiken në forcen e armëve e aq ma pak në demagogjina e dredhina, po vetem në Forcen Morale.
***
Tani miqë agrarista, duhet pa kolaboracionizmi i juej dhe mandej frytet e këtyne dy kolaboracionizmave, me që edhe ju keni kenë kolaboracionistë me të huejn, dhe frytet e këtyne dy kolaboracionizmave janë:
1.Ju e pranuet gjendjen de facto të imponueme nga rrethanat që u thanë; e pranuet qyshse pa farë hezitimi bashkëpunuet me neve dhe u batë antarë të P.F.SH.
Mbajtët nëpunësinë dhe fituet tjera të reja deri në shkallë të ministrave, madje edhe të Ministrit – Sekretar të Partisë Fashiste Shqiptare, po ashtu si unë. E pranoi edhe vetë Mit-hat Frashëri, perderisa lejoi të nipin Hysref Frashërin të bahej Federal i P.F.SH., e Ai vetë (Mit-hati) mori koncesionin monopol të furnizimit të të gjitha Ministrive me landë të shkresave.
2.Keni fillue me kalue në opozicion kur Boshtit filloi t’i rrëshqasin fati nder frontet e luftës, atëherë kur keni fillue me shty disa të rijë të ndezun në flakë atdhedashunije (po naivë), që të arratisen nder male, ku ju akoma nuk kishit nji udhëheqje të tuejen me i rreshtue në luften nacionale, e kështu perfundojshi të perpimë nga bandat komuniste, kolonë e pestë e sllavizmit.
3. Edhe mbasi keni fillue me formue çetat tueja keni vazhdue të bashkëpunoni me neve e me komunista njiherit, e me këta të fundit keni vazhdue me punue deri në mbledhjen e Mukajve e që, mbas asaj mbledhje u shternguen të ndaheni nga ata, me sulmet e drejta kunder jush.
4. Enver Hoxha, Mehmet Shehu e sa të tjerë i shpetuet disa herë pa mbetë në duertë e autoriteteve qeveritare ose të vriteshin nga nacionalistë, siç ngjau kur i pat rrethue Reis Agaj në Sevaster, e i shpetoi Skender Muço me shokë, dhe jo vetem këta, po edhe Miladin Popoviqin e Dushan Mugoshen i shpetuet disa herë, dhe patët bashkëpunim e raki me meze me ta, jo vetem njiherë…
5. Keni ba njifarë bashkëpunimi dredharak me Misjonet ushtarake Aleate (dredharak pse njiheri bashkëpunojshi me italjanë ma parë, e me gjermanë masandej…), pa asnji marrëveshje protokolare konditash per t’ ardhmen e Shqipnisë. Krenët tuej të mbrojtun nga qeveria, rrinin të qetë në kryeqytet e tjera qendra të Shqipnisë, tue ua ngarkue aksionet komunistëve kur keni vazhdue të mbanit pozitat “fashiste e naziste”, tue marrë edhe ndihma të posaçme nga qeveritë e kohës me premtime me luftue komunizmin. Ky lloj bashkëpunimi pa kondita protokolare me të huejtë në terminologjinë e së Drejtes Nderkombëtare, quhet mercenarizem.
Per hirë të së vertetes afermoj se nder ju ka kenë Prof. Isuf Luzaj, që ka ba opozicion që në fillim haptas dhe kje internue në Ventotene. Të tjerët të internuem ma teper kanë kenë në villegjaturë se sa në internim të kuptimit të fjalës, me që ishin të lirë nder qytete të ndryshme të Italisë. Rroga e nëpunësisë u paguhej tanësisht, familjet merrnin ndihmen e jashtzakonëshme e edhe ndihmen si të internuem.
Kemi nji personalitet që rrinte në hotel De Gasperi, në via Colina, në Romë, si i internuem, e perveç ndihmës që merrte nga qeveria italiane per atë cilësi, merrte edhe nga Mëkambësi i Mbretit dymijë fr. Sh. në muej pra, dyfish rrogen e nji Ministri në fuqi!
6. Nuk ishit të zotët të mbani nji pozitë të caktueme, të ndiqnit nji rrugë të vetme, po kujtuet se politika mund të bahej me akrobacina e demagogjina dhe nuk deshët të parashikoni rreziqet që po i kercënoheshin Kombit, siç i parashikonim na e ua thonim kryetarëve tuej.
7. Koha provoi se nuk kishit asnji plan per shpetimin e Shqipnisë, sido që të perfundonte ndeshja e gjigantëve, por edhe sabotojshi me veprimet tueja planin që kishim na n’ atë drejtim.
8. U mundëm nga nji anmik i perbashkët ju e na dhe dolem rrugëve të Botës, tue e lanë Popullin në fatin tragjik të tij, por me nji ndryshim: Na megjithse mundeshim me i shpetue me kohë, i lame me Popullin familjet e loçkat e zemrave tona dhe shumë të tjerë luftarë, per të mbajtë gjallë shpirtin e qindresës, me shpresë se do të vinte nji ditë që të kishim nji bazë të fortë per ndermarrje kryengritjeje per të Shpetue vendin nga tirania bolshevike.
Kjo bazë qendroi deri në Korrik të vitit 1951, tue na pritë neve të mërguemëve.
Ju me perjashtimin tand z. A. Ermeni e të vllazenëve Kazazi, ua dhatë kambëve tue i lanë shokët luftarë në fatin e tyne e që unë “fashisti”(!), i shoqnova nëpër Kalvarin e udhtimit në Jugosllavi, i nxora nga Tragjedia e Vjenës, dhe ua çila rrugen e shpetimit per Itali.
9. Tash 22 vjet mërgim, po sabotoni bashkëpunimin e forcave kombëtare tue u perpjekë me denigrue kedo që nuk u ndjekë juve në rrugen rrenimçare. A ka sherbim ma të çmueshem që mund t’i bahej regjimit komunist? Miljarda me pasë derdhë Enver Hoxha e Mehmet Shehu (siç duket se i kanë derdhë disa pare) nuk ishte dashtë t’ arrijnë me e rrëzue mërgaten antikomuniste në këte shkallë që gjendet sot! Ju ia dolët! Ua dhatë bishtin spatës n’ Atdhé e në mërgim!
***
E tani, më lejoni nji pyetje:
Ku ishit diten e 7 Prillit të Zi? Ku ishit diten e 12 Prillit 1939 ?
Pse nuk doli nji nga ju, që monopolizoni (me fjalë) patriotizmin, t’ia hjedhin gurin atij “BALILOS”, me shprazë ndobare nji fishek qorr atë ditë në sallen e Asamblesë per protestë para tribunës së Kontit Ciano?

VEPRIMET E FRYTET
E DY KOLABORACIONISTëVE

NA:
1.Nder ato rrethana që u permendën e dihen, na vepruem me squtësi e guxim sëbashku tue vu shumherë në rrezik personalitetin tonë, e me këte mënyrë shpetuem figuren juridike të Shtetit Shqiptar, që të vazhdonte jeten (nobare formalisht) si Shtet sovran – monarkist.
2. Patme Qeveri Shqiptare me Parlament që vepronte në bazë të Statutit që M. Tij Victor Emanueli (simbas traditës së Shtëpisë Savoia) ia dha Mbretnisë Shqiptare, siç ia kishte dhanë i ati Mbretnisë Italiane të bashkueme nen skiptren e Tij.
3. Ruejtem të pacenueme Gjuhën Shqipe jo vetem në Parlament, po në të gjithë administraten e Mbretnisë dhe n’ Arsim që e permirësueme me shtimin e shkollave, me programe kombëtare – edukative, me botime librash që ma perpara mungojshin, sidomos per klasët e nalta të gjimnazeve në Gjuhë Shqipe. Krijueme edhe Institutin e Naltë të Studimeve Shqiptare, drejtimi i të cilit i kje besue mendjes së ndritun të Mustafa Krujës.
4. Sollëm permirësim ekonomik aq sa Shqipnia nuk e kishte pasë prej shumë e shumë kohe, sa që nga pikpamja ekonomike, Shqipnia kje ba si në ishull lumnije në ngushtica që Lufta i kishte sjellë Europës mbarë, na kishim aq sa kemi shpetue edhe Greqinë pa vdekë urije.
5. I Bashkueme Atdheut tokët e robnueme, tue realizue të Drejten ma të Shejtë të Kombit mbarë.
6. Hapem Shkollen Shqipe në Kosovë e të tjera Krahina të Lirueme, shkollë që perveç perparimit e qytetnisë, ka ngjallë edhe ndergjegjen e vetëdijen (koshjente) kombëtare që nuk mund të shuhet kurrma!
7. Hoqem spatat e fashizmit në Flamur tue e kthye në pastertinë origjinale.
8. Nxorem mundësinë që pranë legatave e konsullatave italiane, ku Shqipnia kishte interesa, t’ ishin aty diplomatë Shqiptarë per të trajtue ata interesa.
9. Arrijtëm të ndrrojmë (shkembejmë) Perfaqësi diplomatike edhe me Italinë, në rangun e Legatave, ku ishin akreditue Ernest Koliqi, Perfaqësues i Shqipnisë pranë Qeverisë Italiane, me cilësi Minister Fuqiplotë; dhe Dr. Silenzi, Perfaqësues i Italisë pranë Qeverisë Shqiptare, po me të njajtin Titull si Koliqi.
10. Kemi nxjerrë pelqimin nga vetë Mussolini me suprimue P.F.SH., dhe me e zevendsue me Lëvizjen “BIR TË SHQIPES”.
***
JU:
1.Bashkëpunuet me neve n’ administratë shtetnore dhe në P.F.SH. deri diten që Mussolini kje arrestue në vilen private të Mbretit me 25 Korrik 1943.
2. Në të njajten kohë e deri në Mbledhjen e Mukajëve, bashkëpunuet edhe me komunistë, tue u dhanë atyne prestigj nacional.
3. Koha e faktet treguen se per atë lloj bashkëpunimi që patët me agjentët e Aleatëve, nuk kishit asnji marrëveshje protokolare me Aleatët per t’ ardhmen e Shqipnisë mbas mbarimit të Luftës së Dytë Botnore, asnji plan veprimi per ruejtjen e asaj që ishte fitue nga kolaboracionizmi ynë, sidomos fitimi që solli Prilli fatbardhë i vitit 1941.
4. Nuk ishit të zotët të mbanit nji qendrim të caktuem e të perherëshem, siç e mbajtem né, po njiherit ishit me neve e me komunistë, me agjentët e Aleatëve, me Italinë e Gjermanë.
Ky sistem akrobacinash, u bani të humbni çdo konsideratë nga të gjitha anët, sa që edhe vetë Aleatët erdhën në perfundim që të perkrahin bandat komuniste ma teper se juve.
5. Fryti i këtij lloji bashkëpunimi tuej e sabotimi që i bajshit planit të tyne të mbrojtjes me aksione të pafrytëshme, solli realitetin tragjik që po dermishet Populli Shqiptar tash 22 vjet.
***
Këta janë veprimet e faktet dishmuese per të dy palët, të cilat kronika i ka rregjistrue e që Historia ka per t’i gjykue!
Prandej, z. Abaz Ermeni, as Ti as unë nuk kemi mandat, as nuk jemi të cilsuem me gjykue njanitjetrin!
Megjithate, unë personalisht, nuk mohoj atdhedashuninë tuej, as t’ atyne që u ndjekin në mirëbesim. Por jam i bindun, se ju krenëve ua ka terratisë arsyen e tha zemrat lakmia e ARRIVIZMËS.
Si e keni guximin para ndergjegjes suej t’ ua mohoni atdhedashuninë e patriotizmin Atyne që këta virtyte i kanë të zieme në furren e therorivet eprore?
Vetem egoizmi i verbët mund t’ i perligjin vetes nji qendrim të tillë.
***

APEL NDëRGJEGJEVE Të PASTERTA

Me gjithë që, tash 22 vjet na keni sulmue paburrnisht me çdo lloj intriget e shpifjet, na të BLOKUT KOMBETAR INDIPENDENT, jemi prap gati per hirë t’ Atdheut t’ iu shtrijmë doren lealisht edhe juve, pse dijmë që pa Bashkim të të gjithë Shqiptarëve nuk mund të bahet forca e nevojshme, dhe pa Vllaznim e therorina të perbashkëta, nuk mund të rindertohet Shtet e Komb!
Po kje se udhëheqësit e Partisë Agrare Internacionale e Blerët nuk doni të hiqni dorë nga rruga që asht vetem në dobi të regjimit gjaksuer komunist, atëherë u baj apel atyne burrave e sidomos djelmoçave që u kanë ndjekë në mirëbesim, të hulumtojnë ndergjegjmënisht me gjetë të verteten e dobisë kombëtare, të terhiqen nga rruga e juej antikombëtare, nga verbënia e juej dhe të kthehen në rrugen kombëtare, në rrugen e Vllaznimit Shqiptar!
Nuk i ftoj të hyjnë në rreshtat e B.K.I., ose të O.L.L., apo të ndonji grupit politik që nuk asht origjinalisht i tyne. I ftoj të kthehen në BALLIN KOMBËTAR të vertetë, që kerkon bashkëpunim e vllaznim me të gjithë Shqiptarët, në Ballin që udhëhiqej nga zemrat patriotike si, Nuredin Vlora, Ali Klisyra, Koço Muka, Rasim Babameto, Kolë Tromara, Isuf Luzaj etj.
Me këta Burra pata disa herë bashkëfjalime kur isha Minister i Punëve të Mbrendshme, kur akoma ishim në gjendje po t’ ishim të Bashkuem, t’a shpartallojshim komunizmin, po të kishit ndigjue ju të tjerët (me Mit-hat Frashërin në krye), zanin e këshillat e Tyne, jam i sigurt edhe sot, se Shqipnia nuk do të kishte pësue fatin tragjik që pësoi.
Ata Burra e patën kuptue se të perçamë do të humbëshin të gjithë!
E patën kuptue se po të bashkoheshin forcat nacionaliste me forcat e qeverisë, edhe këta nacionale, jo vetem që do të zhdukshim rrezikun komunist në pak kohë, po të kishim kenë në gjendje me vu në veprim edhe Planin e Mbrojtjes që kishte qeveria, e që ua kishim tregue këtyne Burrave, e fort e mundëshme ishte që Shqipnia, nuk do të kishte pësue as tragjedinë bolshevike, as coptimin e dytë që pësoi.
***

PLANI YNë I MBROJTJES

1.Me u armatosë sa ma teper e me u organizue ushtarakisht, per të perballue me sukses luften e vertetë që parashihnim se do të shperthente kunder Shqipnisë nga ana e fqijëve, në rasë se ushtritë e Boshtit do të shterngoheshin me u terhjekë nga Shqipnia, para mbarimit të Luftës.
2. Me këte plan, ishte perfshi edhe mbrojtja e Kosovës me të tjerat Vise të lirueme me 1941, që prej Ulqinit deri në Rozhajë, që prej Tetove deri në Diber.
3. Qeveria merrte pergjegjësinë e veprimit të këtij plani dhe të konseguencave personale ndaj Aleatëve.
4. Kur vendi të okupohej i tani nga forcat Aleate, qeveria i dorëzonte pushtetin korrentit të mbajtun proaleat.
5. Per të mbajtë këte korrent proaleat, mendojshim se disa personalitete nacionaliste të deklaroheshin me propagandë perkrahës të kauzes Aleate, por jo, me ba aksione sa me pengue armatimin e planit të tyne. Gjithshka duhej ba në marrëveshje konfidenciale dhe me pelqimin e qeverisë.
***
Se çfarë fryti do t’ epte ky plan, proven e kemi pasë në qendresen që bane kosovarët, tue pasë perkrah vetem nji regjiment të vogel ushtrije të rregullt të komanduem nga Heroi kolonel Fuat Xhaferaj Dibra, që jo vetem ndaloi sulmet e gjithanëshme t’ anmikut, po edhe shpartalloi dy divizione bullgare, tue u marrë edhe topat e që ajo rezistencë u shue vetem me tradhëti të Enver Hoxhës e Mehmet Shehut, që derguen divizionet e tyne, tue i gënjye kosovarët, se ata do të mbeteshin me Shqipni, kështu, mbasi i çarmatosi me besë edhe i masakroi, ua dorzoi ato Tokë Ilirjane – Dardane, Jugosllavisë.
Merret me mend se mbrojtja si mbas planit tonë me 200.000 luftarë, do t’ ishte e pathyeshme nga askush derisa t’ arrinin ushtritë anglo – amerikane, e merret me mend se tue pasë gjetë ato Tokë në dorë të nji ushtrije kombëtare antikomuniste, e vendosun me vdekë para se me i lëshue në dorë t’ anmikut, se çeshtjen kuptohet se e kishim të fitueme 90%, që mund të zgjidhej paqësisht me Jugosllavinë, me nji plebishit nen kontrollin e Aleatëve.
KUSHTET PER REALIZIMIN E PLANIT

⦁ Zhdukja e bandave komuniste, kolonë e pestë e sllavizmit, per t’ mos i pasë thikë mbas shpine.
⦁ Organizimi e armatimi i DYQINDMIJË Luftarëve që Shqipnia bashkë me Tokat e Lirueme, i nxirrte nga klasat ushtarake të zgjedhuna. Nji forcë e tillë, do të ishte e mjaftueshme per të mbrojtë kufijtë në Veri, Lindje e Jug, deri t’ arrijshin ushtritë anglo – amerikane, me që ishte parashikue (siç ngjau) se forcat jugosllave në shumicen e tyne, do t’ ishin t’ okupueme me ushtritë gjermane në terheqje nëpër Jugosllavi.
⦁ Per armatim e ndihmë organizimi, kishim premtim solemn nga Mussolini, jo vetem me na dhanë të gjithë armatimin e nevojshem, po edhe me na lanë teknikët që do të na nevojiteshin per armët ajrore e artilerinë e randë etj. Po na duhet t’ epshim proven se n’ asnji rasë ato armë nuk do të këtheheshin kunder ushtrisë italiane.
Marrëveshjen per Planin e Mbrojtjes e pata perfundue unë me Mussolinin, n’ audjencën që pata me Duce-n të Premten e Madhe të vitit 1943, në prani të kater kolegëve të mij Shqiptarë, nder të cilët Hilmi Leka, Hysref Frashëri, Vasil Alarupi, dhe (kujtoj) edhe nji që në këte rasë nuk më kujtohet emni. Ishte pranë edhe shefi i gabinetit të Duce-s, pranë Ministrisë së P. Jashtëme, ambasadori Babuscio Rizzo. Këte takim e di në hollësi edhe Profesor Namik Ressuli, të cilit, si shok që e kishim, ia tregueme po atë ditë.
Per të fillue vumjen në veprim të planit të Mbrojtjes, u vendos n’ atë takim rekrutimi i njizetë batalioneve shetitës, si hap i parë me uniformë të gjendarmerisë Shqiptare dhe me nji shej të ri dallues që do t’ ishte distiktivi i “Birëve të Shqipes”. Me këta batalione do të bahej spastrimi i bandave komuniste. Këta batalione do të liroheshin t’ armatosun e me divizat ushtarake, mbas gjashtë muej sherbimi, që kështu t’ ishin të gatshëm per çdo rasë nevoje.
Prap do të zevendsoheshin me njizetë batalione tjerë e kështu me rradhë, derisa të plotsohej numuri i parashikuem prej 200.000 vetësh.
N’ atë audjencë Mussolini pranoi perfundimisht edhe kerkesen e bame me kohë nga Mustafa Kruja e të tjerë (që kemi permendë) per suprimimin e P.F.SH., dhe zevendsimin e sajë me “LËVIZJA E BIRËVE TË SHQIPES”.
Këte emen të Lëvizjes së Ré thjeshtë Shqiptare e propozova unë n’ atë audjencë dhe Mussolini komentoi: “Il Movimento degli aquilloti, un nome degno per i figli del aquilla di Skanderbeg”.

FAKTORëT E DESHTIMIT

⦁ Unë si Minister i Punëve të Mbrendëshme, isha i ngarkuem që t’ a vije në veprim Planin e Mbrojtjes. Nji dekret i Mëkambësit të Mbretit (gjeneral Pariani), më autorizonte me zgjedhë oficerat nga çdo armë si dhe civila, e me i gradue e emnue deri në graden e nenkolonelit.
U sabotova nga të gjitha anët, jo vetem nga t’ ashtuquejtunit kundershtarë të regjimit, po edhe nga vetë personalitetet që ishin të regjimit. Nuk di a asht e vertetë, por lexohet në procesin që u pat dënue nji grup personalitetesh, se i ndjemi Hilmi Leka kishte deklarue n’ atë proces se kryesisht ai me Ekrem Libohoven, kishin sabotue tek Mëkambësi i Mbretit planin tim, të rekrutimit të njizetë batalioneve që u sipërpermenden.

2. Vazhdimi i bashkëpunimit të Ballit Kombëtar e i Abaz Kupit me komunistë, me aksionet e tyne, e vinin në dyshim Mëkambësin e Mbretit, se mos edhe nga ata batalione mund të dilte kush nga rradhë per të kalue në rradhët kundershtare.
3. Arrestimi i Mussolinit me 25 korrik 1943, i pamundun të parashihej, kje shkaku kryesor i falimentimit.
Megjithata sabotime, pata arrijtë që në qershor të regjistroj dymbëdhjetmijë vetë të inkuadruem në 20 batalione nga mosha 21 – 35 vjeçare, bashkë me kuadrot e tyne, dhe pata emnue Komandant të Pergjithshem të tyne kolonel Bilal Nivicen. Pritshim armët tjera dhe të tjera paisje per thirrje, që Mëkambësi i Mbretit i sigesttionuem nga sabotuesit akoma nuk i kerkonte. Nga gjysma e korrikut, mbas nji arsyetimi që i bana Mëkambësit, e vuna para dilemës: O me kerkue armatimin dhe çka ishte e nevojshme, o me pranue dorëhjekjen time. Më premtoi se deri me 15 gusht, do të më ishte dorëzue gjithshka, dhe do të më jepej autorizimi me thirrë edhe njerzit nën armë. Si u pa, Mussolini u arrestue. Italia ndrroi fletë e me 8 Shtator 1943 kapituloi.
4. Erdhi ushtria gjermane, komandanti i të parave reparte gjenerali Carchanico, më kerkoi bashkëfjalim me anë të të ndjemit major Lek Marashi. Më deklaroi se ushtria gjermane kishte ardhë vetem per nevojat strategjike të Luftës, per të nxanë zbraztinen që lente ushtria italiane në Adriatik, se e konsideronte Shqipninë vend mik e n’ atë kuptim, do të qendronte ushtria gjermane, se nuk do të perzihej në punët e mbrenëdshme dhe më premtoi ndihmen e Tij.
I premtova bashkëpunim per mbajtje të qetësisë me kusht që po të zbarkojnë ushtri anglo – amerikane, forcat shqiptare nuk marrin pjesë në luftim perkrah asnjenes palë, me që Shqipnia deklarohet neutrale. E pranoi edhe këte tezë, mjaft që mbajshim qetësinë mbas frontit. I tregova se per të mbajtë qetësinë pa trazime, duhen zhdukë bandat komuniste, e i tregova planin tim tue i kerkue armatimin që do të merrej nga ushtria italiane. Ma premtoi! I tregova se kjo qeveri duhet të bijnë, por unë gjithnji jam gati me dhanë të gjithë kontributin tim per çka u bisedue.
Mbas dy ditësh erdhi Ministri Neubacher bashkë me Xhafer Deven nga Beogradi.
Kundershtarët ia dolën t’ ua mbushnin mendjen Neubacher-it e Devës, që të rrëzojnë qeverinë tonë dhe ashtu ngjau. Gjeneral Carchanico kje largue menjiherë nga Komanda e Tiranës dhe vendin e Tij e zuni njitjeter gjeneral, që nuk kishte detyrim moral ndaj meje. Jo vetem kaq, po kjeshë lajmue nga njeni nga antarët e Komitetit Ekzekutiv, që u formue nen kryesi të Bedri Pejanit (tregue me besë), se Gjermanët, do të më arrestojshin dhe internojshin në Gjermani si badoljan (!). Kjo më shterngoi të lâ Tiranen menjiherë e në zbardhun të dritës së ditës 13 shtator 1943, bashkë me familje e me 25 djelmoça të vendosun me vdekë, t’ armatosun deri nder dhambë, lashë Tiranen e po atë ditë arrijta në Pukë.
Vetëm në gusht të 1944, munda të kjarohem me Komanden Gjermane. Gjenerali Fitztum dergoi tre oficera të vet n’ Iballe, të më ftonin me besë të shkoi në Tiranë. Shkova!
I bisedova gjeneralit haptas e më kuptoi se nuk ishe ashtu si më kishin paraqitë kundershtarët. I tregova Planin e Mbrojtjes (që atëherë i kishte dalë koha asisojt), e marrëveshjen që pata me gjeneralin Carchanico. U bind n’ argumentët e mija e më premtoi me më dhanë gjithshka ishte e nevojshme, por me konditë që forcat që do të mblidheshin mos të kishin karakter partinash, por vetem kombëtar – ushtarak. Kerkoi Besen nga Sylço Beg Bushati, Gjon M. Gjoni, Mit-hat Frashëri e timen, që armët tona nuk do të zbrazeshin kunder ushtrisë gjermane në asnji rasë.
***
Porsa dola nga audjenca e gjeneralit, (kje edhe këtu prezent major Lek Marashi), shkova menjiherë tek Ministri i Arsimit shkelqesa Koço Muka dhe i kerkova të më bante nji pikpjekje me Mit-hat Frashërin. Pikpjekja u ba po atë ditë në shtëpi të Koços.
Biseduem me Mit-hat Frashërin në prani të Koço Mukës situaten kritike të vendit.
I tregova fillë per fillë bisedimin me gjenaral Fitztum-in, premtimet dhe kushtet e Tija.
I thashë se Shkodra me Malësina të Veriut, do t’ishin gati me iu pergjegjë nji thirrjes së Tij. Këte ma kishin sigurue Sylço Beg Bushati, Gjon M. Gjoni e në pergjithësi Krenët e Maleve, dhe jo ma pak se 12.000 luftarë do të dilnin vetem nga krahina e Shkodres. I pelqej puna ime e u deklarue i gatëshem me marrë atë barrë, por m’u lut t’ ia propozojshe Mehdi Beut që t’ a merrte inisjativen si Kryetar i Regjencës e se perkrah Tij do t’ ishte edhe vetë Mit-hat Frashëri. “Po kje se Mehdi Beu nuk e merr inisjativen, atëherë – tha – e marr unë!”
Të nesermen u paraqita tek Kryetari i Regjencës, që më pranoi menjiherë e me shumë njerëzi. I shpjegova gjithshkafen si Mit-hat Beut. Pranoi të ftojnë në Tiranë Krenët e Malësive, me perjashtim të Gjonit M. Gjonit e të Sylçe Beg Bushatit. Pa këta dy Burra nuk bahej gja, e kështu nuk mbetem dakord me Mehdi Beun.
Iu drejtova prap Mit-hat Beut, po nuk e gjeta në enthuzjazmin e fjalët e ditës së parë. Edhe kjo ndermarrje u ba të deshtojë nga i ndjemi Mit-hat Frashëri në Tiranë, dhe nga nji tjeter personalitet në Shkoder, që nuk ishte i Ballit Kombëtar.
Per hir të së vertetes Historike, pohoj e dishmoj se në mbledhjen e “Besëlidhjes së Shkodres” që kje në shtëpi të Hafiz Ali Krajës, kur u referova rreth bisedimeve të Tiranës siç më kishin kerkue dy perfaqësuesit e Ballit Kombëtar: Lec Kurti e Omer Ruzhdija, n’ emen të Ballit të krahinës së Shkodres, u deklaruen të gatshem me qitë kushtrimin sëbashku pa karakter partishë, ashtusi kishte vu konditë gjenerali Fitztum, edhe po t’ishte se Komiteti Qendror i Ballit, nuk do t’ epte pelqimin. Kjé njitjeter personalitet që nuk hoqi dorë nga karakteri partiak i cili, deklaroi se ana e tij kishte vendosë të dilte ilegal që atë natë, e megjithkëte, pretendonte t’ i dergojshin pjesen e armëve, ushqim etj., që do të merreshin nga Gjermanët.
Ata ilegalë të deklaruem kunder Gjermanëve, dhe me marrë armët nga Gjermanët!

 

PSE I QENDRUEM LEAL BOSHTIT ?

⦁ Pse prej boshtit kishim premtim e siguri me pasë Shqipninë Indipendente nder Kufijtë e vertetë të sajë Etnikë. Ky premtim filloi të bahet realitet me bashkimin e Kosovës e të tjerave Krahina, që iu bashkuen Shtetit Shqiptar në vitin 1941, i forcuem edhe nga koncesionet që rradhë mbas rradhet po na i lëshonte Mussolini, në bazë të kerkesave të deklaratës së Shkodres, të datës 12 Prill 1939.
⦁ Këto premtime nuk i epshin Aleatët dhe nuk mund të priteshin prej tyne, me që ishin aleatë me Jugosllavinë e Greqinë; per ma teper, Ministri i Punëve të Jashtme të Britanisë së Madhe, shkelqesa Antony Eden, kishte deklarue zyrtarisht në Dhomen e Komuneve që me 1942: “Mbas kësaj Luftë me fitoren Aleate, Shqipnisë do t’ i njihet indipendenca e integriteti toksor nder kufijtë e 1913-ës, me nji rektifikim në kufijtë e Jugut.” Kjo per neve, do të thonte me ua lëshue Korçën e Gjinokastren Greqisë, pa të cilat nuk do të kishte mâ kuptim nji Shtet Shqiptar.
Donte të thonte që patjeter, duhej t’ i lëshonim Jugosllavisë Kosoven e të tjerat Krahina të Lirueme në Prillin e vitit 1941. Né, nuk mund të tradhëtojshim këto pjesë të shejte t’ Atdheut. Perveç kësaj, (e që vertetonte angazhimet e marruna nga Anglia në dam të Shqipnisë) ishte edhe fakti që Aleatët nuk pranonin formimin e nji Qeverije Shqiptare në mërgim nen Mbreti Zog, siç kishin veprue per të tjerat kombësi t’ okupueme nga ushtritë e Boshtit.
Me u vue në sherbim t’ agjentave Aleatë kunder Boshtit nder të tilla kondita, neve na dukej se i vejshim thiken me doren tonë NANËS !
⦁ Bindja e nevojës së lealitetit ndaj Boshtit ishte forcue në mënyrë të posaçme, mbasi patëm shti në dorë planin e gjeneralit serb DRAGUTIN MIHAJLOVIÇ (Drazha), aso kohe Komandant i Pergjithshëm i Çetnikëve në Jugosllavi, e Minister i Luftës në Qeverinë e M. Tij Pjetri II, me qender në London. N’ atë plan e në urdhënat per zbatimin e tij ai i epte udhëzime komandantëve të reparteve çetnike, që në diten që do të caktohej të marrshonin mbi Kosovë e Metohi dhe Sanxhak, të shfaroseshin çka ishte Shqiptarë e muslimanë. Të marrshonin edhe mbi Shkoder dhe t’ okuponin edhe portin e Shën Gjinit e që do t’ i aneksoheshin Jugosllavisë së ré.
Që Shqiptarët e Tokave të robnueme nuk u shfarosën, kjé fati që nuk fitoi Mihajloviçi!

DREJTë ALEATëVE

Na nuk bame akte anmiqësie veprimit kunder Aleatëve. Nuk i ndoqem me i kapë as vra misionet e tyne ushtarake që u zbritën në Shqipni per të ba turbullime në dobi të kauzes Aleate. Këte mund t’ a vertetojë majori i atëherëshem i RAF-it NEELL, që e shpetova pa ra në dorë të Gjermanëve në Truen të Pukës e që dy herë e pata mysafir per bisedime (kerkue nga Ai), por që perfunduen pa marrëveshtje bashkëpunimi, me që unë refuzova ofertat per perfitime personale, tue i kerkue kondita kombëtare që nuk kjé në gjendje të m’i apin.
Sot rrethanat historike kanë ndryshue, e me që politika nuk asht demagogji, po realitet, me ato fuqi Aleate t’ atëherëshme, na do t’ ishim leal e besnikë siç ishim me Boshtin, mbasi edhe ata si na Shqiptarët janë antikomunistë, po kjé se na sigurohen të Drejtat që i perkasin KOMBIT SHQIPTAR !
***
Ju z. Abaz Ermeni, per ma shumë se njizetë vjet, jeni krenue me fjalë dhe shtyp se keni vra ushtarë italianë e gjermanë, tue i dhjetëfishue numurat. Harroni se ata ushtarë nuk mund të konsideroheshin fashista e nazista, po Bijtë e dy popujve per miqësinë e të cilëve, Shqipnia ka pasë perherë nevojë e ka per të pasë, e se ju me ata kapadailleqe, i fyeni ata popuj.
Turkia na pat okupue e na mbajti në robni e errësinë per gati pesë shekuj, prandej e kishim anmike, por mbas vjetit 1912, kanë ndryshue rrethanat historike edhe me Turki. Sot Turkia e Ré e perkrahë Pavarsinë e Shqipnisë, prandej asht n’ interesin kombëtar të perpiqemi t’ a kemi mike e jo t’ a fyejmë vazhdimisht siç bani ju.
***
Kemi ba na e ju çka na ka marrë mendja se ishte e dobishme per çeshtjen kombëtare. Mirë o keq, dishka koha e ka tregue e Historia ka me dhanë verdiktin perfundimtar. Por mos harroni se dishka e randë ka ngja! Shqipnia u rrenue! Kush e ka fajin? Pergjegjen ka me e dhanë vetem ndergjegja e Shqiptarëve dhe Historia! Nji gja do t’ a kishit per detyrë: Nobare mos u perpiqni me i ba gjithkendin anmik të Shqipnisë!
Pa më thoni: Mbasi Lufta mbaroi si mbaroi me rrjedhimet e sajë fatzeza per vendin tonë, çfarë dobije i del Shqipnisë per t’ ardhmen me u tregue anmiqë kunder Italisë e Gjermanisë, me vazhdue tue perbuzë e denigrue Turkinë? E që këta janë sot të vetmit popuj që bajnë pjesë në aleancë me Ameriken në Paktin e Atlantikut! A e dini se në Paktin e Atlantikut asht edhe dikush anmik i Shqipnisë, e se Shqipnia zyrtare (jo Populli) asht anmike e kolegëve të atij Pakti; prandej, sot kemi nevojë per miqë mbrenda Paktit!
Mos harroni se sot Italia asht Shteti ma i interesuem per ruejtjen e Pavarsisë e integritetit të Shqipnisë! Ju kujtoj deklaraten e de Gasperit! Ju njoftoj se kur kishin në rrezik Triesten me ia dorëzue Aleatët Jugosllavisë, dhe Shqipnia me u perpi si republikë autonome nga Jugosllavia, Shtatmadhoria Italiane i pat thanë Qeverisë së vet: “Po të jetë se Italia nuk mundet sot të mbrojë njiherit Triesten e Shqipninë, lè të lëshojnë Triesten, po n’ asnji mënyrë me lanë të zhduket Pavarësia e Shqipnisë.”
Edhe Gjermanët kanë interesë të jetë shteti Shqiptar i pavarun në Ballkan, per të balancue influencën serbe. Perveç kësaj, ata kanë tregue perherë simpathi të posaçme per Popullin Shqiptar, sa që shkecëtarë albanologë na kanë quejtë “Herrenvolk” (Popull zotnishë), jo per pasuni e qytetnim modern po per karakter e traditë Fisnike, pa të cilat Shqiptari nuk do t’ ishte mâ SHQIPTAR !

Unë shtoj, e Besoj, se shprehi ndiesitë e mbarë Popullit Shqiptar, se po të jetë që fqijtë tonë e kuptojnë nevojen e bashkëjetesës paqësore e bashkëpunimin leal të fqijsisë së mirë, tue na kthye të Drejtat që na perkasin, Populli Shqiptar dishron miqësi të sinqertë edhe me Grekët dhe me Sllavët e Ballkanit.

New–York, Qreshor, 1967. Kolë Mirakaj

 

Shenim: Ky material nuk ka asnjë ndryshim nga origjinali.
Mbrenda kllapave janë shenimet e Autorit.
U kopjue besnikisht nga Fritz Radovani.
Melbourne, Shtator, 2012.

Studimi i këtij materiali historik duhet të vlejë per njohjen e së vertetes!
Botimi nuk duhet të ketë asnjë ndryshim prej origjinalit.
Me respekt, Fritz Radovani.
Melbourne, Shkurt 2013.

blank

Një këndvështrim tjetër për historinë e shqiptarëve të Çamërisë – Nga Hajredin Isufi, historian

 

blank

Duke qenë në proces të hartimit të një studimi për Luftën e Dytë Botërore në krahinën e Çamërisë (1940-1945) dhe impaktin e saj në fatin tragjik të shqiptarëve atje, mësova për botimin në Greqi të një libri të ri për Filatin, qytet i rëndësishëm për historinë e shqiptarëve në shtetin fqinj. Për më tepër, duke qenë se  vite më parë kam hartuar dhe botuar edhe vetë një monografi me rreth 400 faqe pikërisht për këtë qytet isha kureshtar ta lexoja dhe të mësoja diçka më shumë. Kontaktova me autorin, George Kotsi (Jorgo Koçi), një gazetar i njohur në veri të Greqisë, u tregua shumë i mirësjellë, madje, duke më dërguar vetë një kopje të librit që mban titullin “Filati” dhe nëntitull: “Fakte historike dhe folklorike”, publikuar në gjuhën greke nga shtëpia botuese “Ektipotiki Ipiru”, Janinë 2021. Në prolog të librit, autori shkruan për Filatin si “vendin që e lindi, ku jetoi dhe krijoi”.

Libra për Çamërinë dhe çamët janë botuar shumë në Shqipëri, edhe në Greqi, por shumica janë libra “partizanësh” në kuptimin që janë “pro” ose “kundër”. Edhe autorët shqiptarë duket se shpesh bien viktimë e një skeme apo formule otomane të çështjes çame kur nuk shkruajnë për çamët si një komunitet apo bashkësi unike por identifikohen sipas religjionit: myslimanë/të krishterë. Libri “Filati” i Jorgo Koçit, sipas mendimit tim, është një nga librat me vlerë për historinë e kësaj krahinë gjatë dhe pas Luftës së Dytë Botërore. Është hera e parë që paraqiten me vërtetësi marrëdhëniet mes komuniteteve në Çamëri. Duket se vepra është ngjizur pas një pune të gjatë kërkimore dhe pasionante të Jorgo Koçit (George Kotsi) për dritësimin e vlerave të vendlindjes. Ai e përshkruan Filatin me shumë mall dhe dashuri, duke rrëfyer morinë e ngjarjeve dhe rrethanave historike, duke iu referuar si dokumenteve arkivore, ashtu dhe dëshmive gojore. Ky libër ndriçon shumë gjëra. Mendoj se të vërtetat historike mbi Çamërinë dhe popullsinë e saj, veçmas për periudhën e Luftës së Dytë Botërore (1940-1945) duhen shkruar me vërtetësi, duke hequr dorë në shkrime prej patetizmit romantik, këndvështrimeve provinciale, duke marrë apriori njërën anë kundër palës tjetër apo duke e shpjeguar çdo ngjarje, edhe konfliktet banale, me shtetin apo politikën. Nga ana tjetër, me sinqeritetin e njeriut që e ka pësuar dhe vazhdon ta vuajë dramën tragjike të vendlindjes, autori konkludon se gjithë problemi nuk është faj as i çamëve myslimanë, as i ortodoksëve të hershëm çamë, madje, as i grekëve që jetojnë në vendet që u lëshuan nga çamët. Sipas Jorgo Koçit (Giorge Kotsi), është thjesht një padrejtësi kolosale që politika e asaj kohe lufte (dhe çdo luftë është një lloj katrahure, ua “bëri dhuratë” popujve të vegjël të papërkrahur. Është në thelb një periudhë që të dy palët në fillim e kanë vuajtur njësoj, pa e ditur se në ç’krah do t’i hidhte historia. Nuk është një histori armiqësie në bllok me shqiptarët e Çamërisë, sikurse mund të ketë frikë ndokush, një histori e çuditshme ku të dyja palët (të dy komunitetet: shqiptarë e grekë; myslimanë e të krishterë) e kanë parë veten të kërcënuar nga forca të pakontrolluara, banda pa din e iman që bëjnë kërdi në kohëra të turbullta… Ky libër i thjeshtë kur fillova ta lexoja, sikur ma bëri edhe më të ndjeshme këtë ndjesi; ndjesinë e sinqertë që popujt vetë mund t’i zgjidhin problemet e veta. Kurse politika, nëse nuk është konsekuente apo e paditur, mund t’i ngatërrojë keq ato.

blank
Lundrat për të kapërcyër lumin Kalama

Libri i Jorgo Koçit është mbushur me mall, njëkohësisht me histori tragjike; me djegie, grabitje, vrasje dhe grindje midis njerëzve të të njëjtit vend. Por, ndryshe nga shumë autorë të tjerë që janë marrë me historinë e marrëdhënieve mes vetë shqiptarëve të Çamërisë, pra, midis vetë çamëve, por edhe mes shqiptarëve dhe grekëve që historia i gjeti bashkë, fqinjë apo në të njëjtën tokë dhe vend, autori i mëshon më shumë të përbashkëtave sesa atyre që i ndajnë mizorisht protagonistët e këtyre ngjarjeve tragjike.

Monografia e Jorgo Koçit (George Kotsi) për vendlindjen e tij, Filatin, është mbushur me njerëz që u janë ndodhur pranë njëri-tjetrit, kanë shpëtuar jetë në kohë të turbullta dhe marrëzirash, flitet për emra dhe figura që kanë qenë “heronj” të palëve në konflikt dhe njëkohësisht viktima të lojërave të poshtra të egoizmit politik dhe etjes për sundim ndaj tjetrit. Faqet më të bukura dhe më domethënëse të librit flasin për histori miqësie të forcuar përmes bashkëjetesës së gjatë dhe përmes burrërisë të njerëzve të këtyre anëve. Ai është mbushur me histori miqësie prekëse mes çamëve të krishterë e çamëve myslimanë, po ashtu edhe për falënderime të ndërsjellta edhe miqësi shpëtimtare më kohë lufte mes shqiptarëve dhe grekëve.

Nuk mund të mohohet se gjatë Luftës Dytë Botërore jo pak shqiptarë të Çamërisë bashkëpunuan me okupatorët nazifashistë, njësoj siç pati edhe plot grekë që bënë të njëjtën gjë. Kuislingu, prej të cilit mori emrin fenomeni i bashkëpunimit me pushtuesin dhe pastaj si cilësim për bashkëpunëtorët e fashizmit dhe nazizmit gjatë Luftës së Dytë Botërore, nuk ishte as grek, as shqiptar; ishte kryeministri norvegjez me këtë emër në anën tjetër të Evropës, pra, shumë larg Ballkanit. Edhe disa nga bejlerët çamët me emër në atë kohës, si vëllezërit Nuri e Mazar Dino, Haziz Çami nga Malluni, Rexhep Dino dhe Xhemal Dino u vunë në shërbim të pushtuesit, duke u rreshtuar në anë të agresionit fashist, pra, u bënë pjesëmarrës në sulmin kundër Greqisë. Nuk është as vendi dhe as që kemi mundësi që të rihedhim në kaq pak vend të gjitha historitë që ka përcjellë Jorgo Koçi, porse mbase është vendi që për të hequr disi atë shijen e hidhur që ka lënë kjo çështje mes njerëzve që nuk i dinë historitë, të përmendim ndonjë ngjarje kurioze nga libri:

“Pushtimi i Filatit nga forcat italiane ngjalli frikë dhe pasiguri te familjet e krishtera të qytetit. “Flitej se do t’na thernin myslimanët!”. Në qytet nuk kishte masakra, por thashethemet kishin për qëllim të përhapnin panik (të largoheshin familjet nga shtëpitë e të krishterëve). Të nesërmen, më 29 tetor 1940, në mëngjes nisemi për në fshatin Spatar. Atje babai im kishte një mik mysliman, Sako Brahon që na mirëpriti. Nga miku i babait mësuam se shtëpinë tonë në Filat e kishin grabitur. Pas disa ditësh u kthyem nga Spatari në Filat ku na priti një tjetër mik mysliman i babait, Selfo Mahmuti”.

“Përballë qëndresës së vendosur të forcave greke, më 19 nëntor 1940 italianët tërhiqen nga territoret e Greqisë. Me largimin e forcave italiane autoritetet e Filatit internuan në dhjetor 1940 të gjithë myslimanët meshkuj mbi 18 vjeç. Por ata nuk morën parasysh familjet shqiptare të pambrojtura e, për pasojë, “të krishterë të pavetëdijshëm u turrën si të tërbuar kundër grave dhe fëmijëve të pambrojtur” (f.167). Në vitin 1941 burrat myslimanë u kthyen nga internimi dhe, “të prekur nga veprimet e turpshme të grekëve ndaj familjeve myslimane, u bashkuan më mirë me italianët, se nuk e përtypnin dot turpin që u ishte bërë familjeve të tyre” (f.168).

blank
Xhamia e Filatit përbri pazarit të vjetër, viti 1895

Duhet pranuar se në këtë kohë pati edhe viktima. Studiuesi Jorgo Koçi sjell si shembull se “në fund të vitit 1941 pati viktima në Ledhëz, Grikohor e në Kushovicë. Për vrasjet e kryera thuhej se ishte “banda e Daljanit” (shih J. Kotsi, Filates, f.182)

Përmes dëshmive nga bashkëqytetarët e tij e të tjerë miq të njohur autori sjell për lexuesin histori tragjike të vrasjeve të disa shqiptarëve të pasur të fshatrave të Filatit. Nëpërmjet dëshmisë së Jorgo Nusios në libër tregon se Omer Dema, pronar i tufave të mëdha bagëtish në Picar, qumështin ia jepte tregtarit të krishterë me inicialet K. Por agai çam nuk paguhej nga i krishteri. Një ditë në shenjë nervozizmi në vitin 1944 shkoi në baxhon e K. dhe me një send të fortë e la pa jetë. Thuhet se më vonë dhëndri i K. futi njerëz dhe e vrau again. Nga një burim tjetër mësohet se guna e shtrenjtë e agait çam ishte blerë në Paramithi nga Kosta Liano nga Filati. Familjarët e agait të Picarit kur ia panë të veshur gunën Lianos e akuzuan atë si vrasës. Jorgo Koçi i ka vënë qëllim vetes një mision që të shkruajë të vërtetën, duke mos u pajtuar me veprime të dhunshme të individëve të caktuar, se ata janë vetëm pakicë e nuk përfaqësojnë masën e ndershme të njerëzve.

Në libër kemi një dëshmi interesante që shfaqet për herë të parë në historiografinë greke ku shkruhet për marrëdhëniet e myslimanëve me të krishterët para luftës në Filat. Në atë dokument thuhet: “Deri në vitin 1944 banorët e Filatit në varësi të fesë dhe gjuhës ndaheshin në dy pjesë: në të krishterë dhe myslimanë, këta të fundit përbënin shumicën. Marrëdhëniet mes dy komuniteteve nuk ishin të shkëlqyera, por mund të përshkruheshin si tolerante dhe miqësore. Gjithsesi ato ishin më të mira se marrëdhëniet mes dy komuniteteve në Paramithi (fq.168). Për marrëdhëniet e mira mes myslimanëve e të krishterëve në Filat studiuesi sjell dëshminë e nënës së tij. Sipas asaj, gjyshja e Jorgo Koçit, Kako Sija, që jetonte në Paramithi kishte në Filat shoqen e saj më të ngushtë- një shqiptare, gruan e Shuaip Cane Llaja. Ajo e vizitonte atë shpesh në Filat dhe flisnin greqisht (f. 168).

Monografia e Jorgo Koçit plotëson një boshllëk në historiografinë e Çamërisë të viteve të Luftës së Dytë Botërore. Duke shfletuar faqet e librit mësojmë se më 18 dhjetor 1943 në Paramithi ishte mbajtur një mbledhje e përbashkët e gardës gjermane SVERIS dhe bejlerëve Dino. Në atë takim Rexhep Dino kishte deklaruar se: “Çamëria do të bëhej e pavarur dhe autoritetet greke do të persekutoheshin” (f.175). Në atë takim u hartua dhe një deklaratë e nënshkruar vetëm nga paria myslimane për autonominë e Çamërisë. Një lëvizje e ngjashme nga Rexhep Dino u bë edhe në Filat.

blank

Në libër, gjithashtu, janë dhënë mjaft konsiderata të kronistëve të huaj që e kanë vizituar Filatin si William Martin Leake, Pouqueville, Theadhore Lima etj. Ata janë vështruar me kujdes për të mënjanuar ndonjë pasaktësi. Libri sjell dokumente arkivore pak të njohura ose aspak, si, për shembull, një statistikë me vlera për popullsinë e Filatit në vitet 1895-1896. Për ilustrim po sjellim të dhëna statistikore për popullsinë e rajonit të Filatit: Spatari fshat me 73 shtëpi e 366 banorë; Dolani me 66 shtëpi e 305 banorë; Galbaqi me 110 shtëpi e 447 banorë; Koska me 166 shtëpi e 962 banorë; Lopsi me 189 shtëpi e 749 banorë. Në libër informacionet interesante e që publikohen për herë të parë ndjekin njëri-tjetrin. Është me interes publikimi i artizanëve e tregtarëve në qytetin e Filatit në vitin 1933. Është një listë e gjatë ku shënohen farkëtarët,  , berberët, argjendarët, kafenetë, kallajxhijtë, avokatët, restorantet, mjekët, orëndreqësit etj. (shih f. 134-135 në libër). Pra, kemi të bëjmë me një studim të veçantë në llojin e vet, me një enciklopedi dhe arkiv të gjallë të ngjarjeve historike për atë qytet e rrethinat. Kjo tregon përkushtimin dhe pasionin e studiuesit Jorgo Koçit për tu dhënë brezave të rinj historinë e vërtetë të qytetit të tyre. Në libër janë befasuese numri i madh i ilustrimeve për Filatin në periudha të ndryshme historike.

blank

DON  PREK   NIKÇI – Nga Fritz RADOVANI


Pjesa Nr. 53, Zamak i Flamurit Kastriotit …

 

DON  PREK   NIKÇI

 

DON PREK NIKÇI
(1921 – 1974)

 

Asht le në Gurz të Durrësit me 2 Nandor 1921, prej familjes së Gjonit dhe të Lena Nikçit. Në pragun e mbylljes së kuvendeve të Shkodres, i kerkon Imz. Vinçenc Prennushit, me vazhdue rrugen e meshtarisë, dhe në vitin 1946 shugurohet meshtar në Tiranë. Caktohet me sherbim në Rrëshen. Aso kohe ka mosmarrveshje me Don Ndoc Sahatçinë dhe Don Ndere Lufin. Në 1952 e transferojnë prap sepse Don Preka kishte hapë dy zyre, një fetare dhe një tjeter shtetnore, gja që ishte në kundershtim me ligjet kishtare, mbasi një klerik kryesisht duhet marrë me problemet e Fesë. Per këte çeshtje edhe pse flet haptas Don Ndre Lufi, mendimet e Tija i bijnë ndesh kryeministrit Mehmet Shehu, mbasi vendimet e kishës nuk ka sesi me i pranue M.Shehu.

Don Ndre Lufi per kambnguljen e Tij dënohet me disa vite burg mateper.

Ajo që bjen në sy të publikut asht se Don Prek Nikçi, krejt jashta kohës ra haptas në pikpamje socialiste, dhe gati pranohej me vështirsi një dishka si kjo, edhe nga publiku ku ai sherbente si klerik katolik.

Veprimet e Don Prekës ishin të papranueshme edhe per arsye se aso kohe edhe mosmarrveshjet e Klerit Katolik, sa vinin e acaroheshin me shtetin komunist, që as ai nuk kje aspak i knaqun mesa kishte ba deri atëherë.

Asht 1967 kur diktatori tiran Ever Hoxha, shpallë botnisht “Revolucionin Ideologjik e Kultural të vitit 1967”, Revolucion i tipit kinez.

Gjithkah mbledhje të PPSh, të BRPSh, organizatave profesionale, të grues dhe të çdo skute ku strukej kjoftë edhe një komunist, i cili do të tregonte publikisht “solidarizimin” e vet dhe të kolektivit, me “mbylljen e të gjitha objekteve të kultit”, ku përfshiheshin Kishat, Xhamijat, kuvendet dhe deri tek të gjitha ndertesat ku kishte banue kjoftë edhe një pensionist i smurë.

Ky “Revolucion” përfshinte çdo person të çdo besimi mbrenda Shqipnisë!

Ishin ba mbledhje të klerikve pranë Komiteteve Ekzekutive të Rretheve, qyteteve e fshatrave, per njohjen e vendimeve të reja të këtij “Revolucioni” dhe, do të vazhdonin deri në pafundsi hapjet e atyne vendimeve që, do të realizonin “Shqipninë komuniste ateiste”të tipit kinez 1967, i vetmi në Botë!

Viti 1967 ishte viti ma i ngarkuemi me aktivitete antifetare në Shkoder.

Organizohet një mbledhje me shkrimtarë, artista, piktorë e skulptorë të gjithë Shkodres, në Shtëpinë e Kulturës nga Kryetari i Komitetit Ekzekutiv i Rrethit Bilal Parruca. Tema ishte e dijtun prej të gjithve: “Feja në Shkoder”.

Tema vertetë ishte e dijtun, po mbledhja ishte krejt e papritun per të gjithë!

Bilal Parruca e hapë mbledhjen me një ngjarje në zyren e vet, ku kishte thirrë një prej aktivistave ma të njoftun, i cili gjithëherë ishte tregue edhe i gatshem me i sherbye pushtetit ashtusi ndonjëtjeter i besimit mysliman apo ortodoks, kjoftë per probleme të randsishme e jo shumë të publikueme.

Bilali kerkon nga Don Prek Nikçi, pjesmarrjen nder mbledhje që kishin ndermend me organizue ato ditë në Shkoder, per mbylljen e Kishave të Shkodres, tue fillue nga Kathedralia e Madhe, ku ishin vendosë Flet-rrufetë dhe pritej dorzimi i çilsave nga Imzot Çoba ose Sekretari Don Mark Hasi.

Krejt papritmas Don Preka kundershton kerkesen e Bilalit, tue deklarue haptas: “Deri sot këtu, unë kam kenë me ju, tue mendue se keni mendim per një tjeter perfundim, po në kjoftëse keni mërijtë këtu, dhe kerkoni me i mbyllë Kishat Katolike perfundimisht, këtu perfundimisht ndahem edhe unë me ju! Nuk mund të pranoj kurrsesi me marrë përsiper një turp po, por dhe një mëkat të tillë të pashlyeshëm kunder besimit, Kishës e besimtarve!”

Qendrimi i Don Prekës jo vetem ishte i papritun, po per shumicen e atyne që ishim në mbledhje, kje gati edhe i pabesueshem, ndonse fjala e Bilalit ishte e kjartë dhe shumë e saktë në lidhje me qendrimin e Tij të vendosun.

Mbasi Don Preka ka dalë nga mbledhja, nuk asht pa në Shkoder, po ka ikë dhe asht vendosë pranë kushrinjve të vet në Fushë Krujë, ku mbas pak ditësh ka fillue edhe punen në fabriken e çimentos, si puntor aty.

Në 1974, me 15 Mars u hap fjala se Don Preka, u dogj në kazanin e çimentos e humbi jeten pergjithmonë, ndonse e verteta e asaj vdekje nuk dihet as sot.

E hodhen të tjerët Don Preken, apo kje aksident? – Asgja s’asht e sigurt!

Dihet e sigurtë që Don Prek Nikçi, nuk e mbylli jeten me turp ashtusi, edhe mund të ngjante sikur të aktivizohej në mbylljen e Kishave Katolike.

Ai mujti me përballue momentin ma delikat tue kundershtue njollosjen e vet me mbylljen e Kishave. Mos pjesmarrja e Tij nder ato mbledhje turpi dhe qendrimi burrnor në çastet e fundit, e rreshtojnë klerikun e njoftun Don Prek Nikçi, nder Martirët e Kishës Katolike ku akti i fundit, e rreshton Perjetsisht si, Zamak i Flamurit Gjergj Kastriotit – Skenderbeut.

            Melbourne, 4 Gusht 2022.

blank

Société des nations (1923)- Fjalimi i plotë i Mit’hat Frashërit në Lidhjen e Kombeve (Dokumenti)

Portret i Mit’hat Frashërit në Paris (1920). – © Auguste Léon – Albert Kahn Collection

blank

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 3 Gusht 2022

 

“Société des nations” ka botuar, me 1 janar 1923, në faqet n°46 – 47, fjalimin e mbajtur asokohe nga atdhetari, shkrimtari, diplomati dhe politikani i shquar shqiptar, z. Mit’hat Frashëri, në selinë e Lidhjes së Kombeve në Gjenevë, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar:

blank

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Zoti President. — Fjalën e ka z. Frashëri, Delegat i Parë i Shqipërisë.

 

  1. Midhat Frashëri (Shqipëri). – Zoti President, zonja dhe zotërinj, po ngjitem në foltore për të përmbushur një detyrë. Unë vij t’i jap llogari Shoqërisë së madhe për mirënjohjen e vendit të vogël që kam nderin ta përfaqësoj dhe që në fakt e konsideroj të lidhur me Lidhjen e Kombeve nëpërmjet lidhjeve të njohjes.

 

Shqipëria, zotërinj, mund të quhet ndrikull e Lidhjes së Kombeve. Ishte Lidhja e Kombeve që e ndihmoi në rilindjen e saj, e pranoi në mesin e saj dhe i mundësoi të vendoste marrëdhënie diplomatike me shtetet e tjera. Rruga që i kishte hapur Lidhja e Kombeve ishte më e lehtë më vonë, pasi ky kumbar, ose më mirë kjo kumbarë, nuk pushoi së interesuari për shtetin e vogël.

 

Që atëherë – mund ta pohoj këtë pa frikë se të përgënjeshtrohet – Shqipëria ka bërë çdo përpjekje për të merituar përkushtimin e Lidhjes së Kombeve. Gjendja e brendshme e saj është përmirësuar gjithnjë e më shumë, marrëdhëniet me fqinjët kanë hyrë në një fazë normale; Marrëdhëniet diplomatike janë vendosur dhe rruga që ajo duhet të kalojë i është lehtësuar kështu.

 

Edhe pse një nga kombet më të rinj që ka hyrë në Lidhjen e Kombeve, Shqipëria është një nga vendet më demokratike për nga kushtetuta dhe administrata e saj. Këtu mund të dëshmoj se idetë e përfaqësuara nga Lidhja e Kombeve gjejnë te shqiptarët partizanët më të bindur. Nuk janë vetëm parimet, por është pikërisht ideali që përfaqëson kjo Shoqëri, është kjo vëllazëri, ky solidaritet midis popujve që ne vijmë të konfirmojmë çdo vit këtu përsëri, të cilët gjejnë ndër shqiptarët më të bindurit.

 

Unë i përkas një rajoni të Evropës që ka vuajtur shumë, ndoshta ai që ka vuajtur më shumë gjatë dy dekadave të fundit.

 

Është ky rajon i Evropës që kishte më shumë nevojë për paqe, pajtim dhe harmoni midis elementëve të ndryshëm të tij. Popujt ballkanikë kanë filluar të kuptojnë se ka vetëm një mënyrë për të arritur prosperitetin, vetëm një mënyrë për të shkëputur zakonet e këqija të së kaluarës, sipas të cilave çdo popull përtej kufirit konsiderohej armik. Ata tashmë e kuptojnë se një solidaritet interesash të përbashkëta, materiale dhe ekonomike, madje edhe morale e intelektuale, duhet t’i bashkojë popujt dhe jo t’i ndajë ata.

 

Kjo ide e popujve ballkanikë mbështetet fuqishëm nga ndikimi i qeverive të tyre përkatëse. Besoj se jam interpretuesi besnik i kësaj ndjenje kur them se perspektiva e një lufte, natyrisht mjaft të largët, tmerron popujt e Ballkanit, që aspirojnë paqen. Megjithatë, të gjitha përpjekjet e tyre nuk mundën të çonin në një rezultat të shpejtë dhe të menjëhershëm.

 

 

blank

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Ata përhapin një energji të madhe për këtë qëllim dhe atmosfera e Gjenevës, jo vetëm e këtij qyteti ku njerëzit vijnë për të shijuar lirinë fetare dhe politike, por edhe atmosferën e kësaj Shoqërie të madhe ku ne vijmë çdo vit për të rizhytur veten në idetë e vëllazërisë, bashkëpunimit dhe solidaritetit, kontribuon shumë në këtë. Kjo atmosferë e dobishme kontribuon në masë të madhe në përmirësimin e marrëdhënieve që theksohet dita-ditës.

 

Mirëpo, a mjafton të kufizohemi vetëm në ardhjen këtu për t’u mbushur me frymë në atmosferën e Lidhjes së Kombeve, apo nuk është ende e nevojshme të mbështesim përpjekjet e lindura nga nevojat imperative të vendeve të Ballkanit ? Dje, delegati i shquar i Greqisë foli për punën e mirë të një delegati të Lidhjes së Kombeve, i cili aktualisht kryeson zgjidhjen e vështirësive të vogla, të cilat, për fat të keq, ende ekzistojnë midis disa elementeve ballkanike.

 

Ky është një shembull i mirë që ilustron qartë punën e dobishme që Lidhja e Kombeve po kryen dhe do të vazhdojë të kryejë në të ardhmen. Ndërhyrja e drejtpërdrejtë e një delegati të caktuar nga Lidhja e Kombeve mund të arrijë më shumë në dy javë sesa tre vjet përpjekje të vetë popujve. Nëse shtetet ballkanike do t’i drejtoheshin Lidhjes së Kombeve, përfaqësuesit e së cilës shfaqin një frymë të madhe pavarësie dhe paanshmërie, çdo herë që do të lindte një vështirësi e vogël, për të kërkuar mbështetjen morale dhe ofiqet e mira mjaft të paanshme, ato do t’i bënin një shërbim çështjes së paqes.

 

Sigurisht, zona e rajonit të Ballkanit nuk është shumë e madhe, por idetë që mbretërojnë brenda Lidhjes së Kombeve janë të frymëzuara nga solidariteti i ngushtë që ekziston midis të gjitha vendeve, midis të gjitha rajoneve, të mëdha e të vogla. Kështu, të gjitha shtetet formojnë një tërësi, një trup harmonik. Sëmundja më e vogël, lëndimi më i padukshëm mund të prekë të gjithë trupin; po kështu vështirësitë e vogla, mosmarrëveshjet e vogla ndërmjet elementëve përbërës të një vendi apo rajoni mund të prekin të gjitha kombet.

 

Nëse hyj në këto konsiderata, është sepse duhet t’i jap llogari Lidhjes së Kombeve, si një shoqëri aksionerësh. Lidhja e Kombeve na ka investuar me kapital moral të destinuar të japë fryte. Ky kapital moral, në fakt, shpërblehet çdo vit e më shumë.

 

Progresi i arritur në një vend të vogël vetëm sa mund të rrisë numrin e mbështetësve të Shoqërisë sonë të madhe dhe të konsolidojë besimin që duhet të kemi në të ardhmen e saj dhe në shërbimet që ajo është thirrur të bëjë.

 

Të nderuar delegatë, Lidhja e Kombeve nuk lindi vetëm nga vullneti i pak njerëzve; nuk lindi vetëm nga një Pakt; përfaqëson, në sytë e popujve të vegjël që kanë filluar të ndërgjegjësohen për të drejtat e tyre, manifestimin e një ideali të ri, atë të vëllazërisë dhe mbi të gjitha të solidaritetit midis vendeve të ndryshme. (Duartrokitje.)

blank

Durendal (1905)- Kritikë për librin “Ese për gjuhët natyrore dhe gjuhët artificiale” të Pyrrhus Bardylit (Faik Konicës)

Faik Konica (1875 – 1942)

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 4 Gusht 2022

 

Revista katolike e artit dhe letërsisë “Durendal” ka botuar, me 1 janar 1905, në faqen n°443, një kritikë asokohe për librin e Pyrrhus Bardylit (Faik Konicës), të cilën, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar:

blank

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Disa janë të përhumbur nga shpikja e një gjuhe artificiale dhe universale që do të shërbente si një mjet intelektual për të gjithë botën : volapuk, esperanto, gjuha blu.

 

Dr. Colombo tani na ofron latinishten komerciale. Ai jep faturat e  makinave dhe verërave të shampanjës në një gjuhë krejtësisht qesharake dhe ekstravagante. Unë nuk mendoj se ai do të ketë sukses.

 

  1. Bardyli në librin e tij interesant studion jetën e gjuhëve natyrore dhe, duke treguar varfërinë e gjuhëve artificiale, dëshmon se nëse lind nevoja për një gjuhë universale, ajo do të formohet dalëngadalë, duke u brumosur mbi jetën, në të gjitha aspektet e saj.
blank

The Washington Post (1926) – “Biznesmenët amerikanë, në krahasim me ata europianë, preferohen në Shqipëri për këtë arsye…” – Një rrëfim i rrallë dhe intim i Faik Konicës

Faik Konica, i cili do të jetë ministri i parë i Shqipërisë në këtë vend pas shumë vitesh. Selia e tij ndodhet në hotelin Willard.

 

blank

– Burimi : Harris & Ewing – The Washington Post, e enjte, 15 korrik 1926, f.24

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 2 Gusht 2022

 

“The Washington Post” ka botuar, të enjten e 15 korrikut 1926, në ballinë, një rrëfim të rrallë dhe intim të Faik Konicës, asokohe i porsaemëruar ambasador i Shqipërisë në SH.B.A, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

 

Prerja e flokëve 2.000 vjeçare, thotë i dërguari shqiptar

Stil i modës së vjetër në vendin e tij, Ministri i Ri raporton – Nuk do të hyjë në shoqëri këtu – Ka prirje për shkrimin e dramave.

blank

Burimi : The Washington Post, e enjte, 15 korrik 1926, ballinë

Prerja e flokëve është modë e vjetër në Shqipëri, deklaroi Faik Konica, ministër I porsaemëruar në Shtetet e Bashkuara nga ai vend, pasi mbërriti dje në hotelin Willard.

 

Shkrimtari–d iplomat shpjegoi se gratë në vendin e tij i presin flokët që prej 2.000 vitesh.

 

  1. Konica nuk shqetësohet për jetën shoqërore dhe nuk ka ndërmend të luajë këtu “lojën sociale”. Ai refuzoi emërimet diplomatike në Londër dhe Romë për shkak të mospëlqimit të tij për shoqërinë. Teatri, pranoi ai, është hobi i tij. Ndërsa vetë dramaturg, zoti Konica i konsideron esetë e tij veprën më të mirë letrare. Megjithatë, ai ka shkruar më shumë se një partiturë dramash. Z. Konica mbart idetë më liberale dhe më të avancuara mbi skenografinë.

 

Në “The Whisker”, prodhuar prej tij në Marlboro, Mass., tre vjet më parë, ministri nuk kishte as skenë dhe as dekor, siç konceptohet përgjithësisht në teatër.

 

Audienca e tij gjithashtu nuk qëndroi ulur gjatë performancës. Ajo i ndoqi lojtarët (aktorët) në një zonë të hapur. Ndjekja e kastit u jep spektatorëve një ndjenjë pjesëmarrjeje në komplotin (intrigën) që ai shpjegoi.

 

  1. Konica planifikon të vazhdojë të shkruajë gjatë shërbimit diplomatik në Uashington. Aktualisht është duke punuar për përkthimin e “Twelfth Night – Nata e Dymbëdhjetë” në gjuhën e tij amtare. Loja e fjalëve të Shekspirit (përkthimi – përshtatja) e bën të vështirë punën e tij, rrëfeu zoti Konica.

 

George Bernard Shaw është dramaturgu i preferuar i ministrit, dhe ai numëron Mencken, Dreiser, Anderson dhe Cabell ndër romancierët e tij të preferuar. Gjatë pesë viteve të qëndrimit në Londër, zoti Konica nuk humbi kurrë një shfaqje shekspiriane të prodhuar atje.

 

I fundit në familjen diplomatike është një beqar, 51 vjeç. Zoti Konica nuk kërcen. Në shpjegim, ai shprehu frikën se ishte “shumë i trashë”. Ai është me trup masiv, me shpatulla të gjera.

blank

Burimi : The Washington Post, e enjte, 15 korrik 1926, f.21

Ministri pranoi një admirim të madh për bukurinë e grave amerikane. “Ka një përqindje më të madhe të grave të bukura në Amerikë,” pohoi ai, “se në çdo qytet të huaj në botë, me përjashtim të Vjenës”.

 

Ministri do t’i prezantohet zyrtarisht Sekretarit të Shtetit Kellogg brenda një ose dy ditëve në vijim. Z. Konica ka lindur në Shqipërinë e Jugut në vitin 1876 (1875) dhe ka studiuar në Francë dhe në Universitetin e Harvardit. Nga viti 1912 deri më 1914 ai ishte delegat në Londër, Romë dhe Vjenë, duke kërkuar pavarësinë e Shqipërisë. Gjatë luftës botërore ai u mbajt i burgosur në qytetin e fundit. Në vitin 1923 z. Konica u zgjodh deputet në asamblenë kushtetuese të Shqipërisë.

 

Biznesmenët amerikanë janë të kërkuar në Shqipëri për të zhvilluar vendin industrialisht, tha Z. Konica, “Biznesmenëve europianë nuk u besohet”, deklaron ai, “sepse nuk mund të dihet kurrë kur ata janë të nxitur nga motive politike në aktivitetet e tyre të biznesit. Amerikanët janë të preferuar sepse shqiptarët e dinë që ata bëjnë biznes vetëm për hir të biznesit.”

 

blank

PROJEKT – LIGJI PËR TË DREJTËN E INFORMIMIT – Nga EUGJEN MERLIKA

 

Mbas shumë vitesh përpjekjesh për të miratuar një ligj mbi trasparencën në dosjet e ish Sigurimit të Shtetit na paraqitet nga Qeveria aktuale një projekt-ligj “Për të drejtën e informimit për dokumentat e ish-Sigurimit të Shtetit të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë”.
Në relacionin mbi projekt-ligjin, të datës 6 janar 2015, thuhet : “Nëpërmjet ndërtimit të një rrjeti shumë të madh bashkëpuntorësh dhe të përdorimit të metodave antiligjore dhe antinjerëzore, Sigurimi i Shtetit ka mundur të terrorizojë, të manipulojë, të dekurajojë, të torturojë, të dënojë, të internojë, të ekzekutojë, të shtypë dhe të dhunojë të drejtat elementare njerëzore të qytetarëve shqiptarë.”
Është një pohim shumë i rëndësishëm, mbasi sjell një të vërtetë të pakundërshtueshme mbi natyrën dhe karakterin e regjimit komunist shqiptar, si një regjim terrorist i cili, nëpërmjet organit të tij më shprehës, Sigurimit të Shtetit, e ktheu Shqipërinë në një kamp të stërmadh, ku nuk ekzistonte asnjë liri individi apo e drejtë njerëzore e ku viktimat e dhunës, për frymë poullsie, kalonin shifrat e secilit Vënd të Lindjes komuniste evropiane. Duke mbajtur parasysh se Sigurimi i Shtetit nuk ishte një organizëm i huaj në Shtetin komunist, por “dora besnike” dhe “syri vigjilent” i saj, gjithmonë nën drejtimin epror të partisë komuniste e drejtuesve të saj me Enver Hoxhën në krye, përfundimi logjik është se ajo parti mbeti, deri në fundin e saj, e njëjta parti terroriste, e themeluar nga Miladin Popoviçi e Dushan Mugosha, besnike e përjetëshme e parimeve diktatoriale të komunizmit primitiv të markës staliniane.
Historia e përpjekjeve për t’i dhënë shqiptarëve një ligj që duhej t’i jepte mundësi hyrjeje atyre në sekretin e dosjeve të ish-Sigurimit, është e pasur në dështime, sa që sot jemi i vetmi Vend ish komunist, krahas Rusisë, që nuk e kemi. Shpjegimi duhet kërkuar në një farë strategjie, që i ka shërbyer klasës politike pas komuniste për të ruajtur kontrollin e plotë mbi jetën administrative e politike të Vendit, kryesisht në shmangien e pjesëmarrjes në to të elementëve të padëshiruar, të cilët mund të frenoheshin nëpërmjet vendimesh që buronin nga “fshehtësia e dosjeve”, para të cilave qytetari ishte krejtësisht i pafuqishëm të mbrohej e të nxirrte në dritë të vërtetën e tij.
Duke mbajtur parasysh këto konsiderata mendoj se projekt-ligji qeveritar, nëse kthehet në ligj, është një hap i madh përpara, në drejtim të trasparencës, qoftë përsa i përket mundësisë që i jep viktimave të dhunës së ish Sigurimit të njohin bashkëpuntorët e tij në fatkeqësinë e tyre, ashtu sikurse i shërben edhe imazhit të Vendit, që do të rradhitej, edhe se i fundit, në shtetet e tjera të Evropës ish socialiste. Gjatë gjithë këtyre viteve është përkrahur nga nismëtarë të ndryshëm mendimi se ky lloj ligji duhej të ishte një mbiligj, i cili duhej të përfshinte brënda të gjithë krimin komunist, të personifikuar në ish Sigurimin e Shtetit, zbardhjen e tij e njëkohësisht edhe masat e penalizimit që duhej të rridhnin nga trasparenca mbi të, në drejtim të Shtetit, institucioneve dhe personelit të tyre. Trasparenca dhe lustracioni duhet të shkriheshin në një ligj të vetëm i cili, për arsye të ndryshme, nuk arriti kurrë të shohë dritën. Këmbëngulja për të vazhduar përsëri me atë kërkesë, pa vënë në dyshim vullnetin e mirë të mbështetësve, nuk më duket se tregon realizëm politik, mbasi siç ndodhi në 2008, përsëri mund të pësojë të njëjtin fat, duke u hedhur poshtë nga Gjykata Kushtetuese e përkrahur nga Komisioni i Venecias. Një gjë e tillë nuk i shërben ish të dënuarve të diktaturës, për të cilët ka më shumë rëndësi të mësojnë se cilët kanë qenë ata që i kanë “shitur” tek ish Sigurimi, duke ndihmuar në përcaktimin e fatkeqësisë së tyre dhe të familjeve, se sa nëse X apo Y janë në ndonjë funksion shtetëror.
Lustracioni, aq shumë i lakuar në këta vite duhet të ishte realizuar, së pari, mbi ish kuadro të lartë të fazës së fundit kamaleontike të regjimit komunist të cilët, në projektin e kalesës ramiziane, u caktuan në role drejtuese në partitë e ndryshme. Emrat e funksionet e tyre janë të njohur për të gjithë, nga ish ministra tek ish kryetarë gjykatash, nga ish diplomatë tek ish funksionarë të Sigurimit, por nuk mbaj mënd ndonjë protestë të veçantë për raste të tilla. A kishte nevojë për të parë dosjet e paqena të tyre për të kërkuar largimin e tyre nga politika ?
Projekt-ligji qeveritar e shkëput lustracionin nga trasparenca. I parë në këndvështrimin e mësipërm është një ligj gjysmak, i ngjan gotës së ujit përgjysëm, që për dikë është plot e për dikë bosh. Si ish i dënuar i ndërgjegjes, pa dashur të përfaqësoj askend, veç vetes, mendoj se plotëson kërkesën kryesore që është : “të gjithë qytetarët e prekur të njihen me përmbajtjen e dokumentave të krijuara rreth tyre nga ish Sigurimi i Shtetit.”, thuhet në relacionin shoqërues. Në të njëjtin relacion, në lidhje me mundësinë e punësimit në funksione drejtuese të ish bashkëpuntorëve të Sigurimit thuhet shprehimisht : “Në ndryshim nga ligjet e mëparëshme me këtë objekt, ndërsa e zbardh të gjithë veprimtarinë në shërbim të ish-Sigurimit të Shtetit për një kategori të gjërë personalitetesh të politikës dhe administratës shtetërore, ligji nuk sanksionon në mënyrë esplicite papajtueshmërinë e ish bashkëpuntorëve me funksionet aktuale përkatëse që ata mund të mbajnë në administratë. Kjo nuk do të thotë se ligji e lejon ushtrimin e funksioneve publike nga ish bashkëpuntorët, por ai e le këtë çështje në juridiksion të akteve të tjera ligjore dhe nënligjore.”
“ Duke iu shmangur dispozitave ndaluese, ligji e le në dorë të institucioneve përgjegjëse që të hartojnë legjislacion apo akte të tjera rregulluese, në të cilat të përcaktohen ndalesa eventuale për ushtrimin e funksioneve publike nga bashkëpuntorët e ish-Sigurimit të Shtetit.”
Ky problem mbetet për t’u zgjidhur nga një tjetër ligj dhe aktet nënligjore pasuese. A ekziston tek ligjvënësi vullnet për të përballuar problemin ? Askush nuk mund të japë siguri në këtë drejtim, por kjo nuk do të thotë të mos pranohet ligji i parë, duke i vënë kusht sine qua non ligjin e dytë. Edhe në rastin më të keq, mbas miratimit të projekt-ligjit në fjalë mund të vazhdojë beteja për ligjin e dytë, atë të lustracionit.
“Zgjidhja e parë radikale do të ishte që dosjet e Sigurimit të hapen në tërësinë e tyre pa asnjë përjashtim, që do të thotë se qytetarët shqiptarë, të cilët e kanë arritur moshën madhore t’i gjejnë diku këto dosje dhe t’i lexojnë lirisht dhe falas, ashtu siç lexohen librat në një bibliotekë publike.” Hasa një pohim të tillë të çuditshëm në një shkrim të ditëve të fundit. Mos e dhëntë Zoti të sendërtohet një mundësi e tillë që përfytyrohet nga autori i shkrimit. Ata dokumenta nuk janë romane për të argëtuar lexuesit, por dëshmi dramash e tragjedish të shumë mijra njerëzish. Si të tilla nuk mund të jenë objekte panairi në shitje për këdo. Mbi to duhet të ruhet privatësia, siç e parashikon projekt-ligji. Secili duhet të jetë në zotërim të së fshehtës së tij, të cilën vendos ai me ndërgjegje të plotë nëse don t’a bëjë të njohur.
Por projekt-ligji a ka nevojë për ndryshime ? Në të gjej dy nene të cilët mendoj se duhen rishikuar. Neni 3, pika 4, gërma “c” konsideron bashkëpuntor të Sigurimit të Shtetit cilindo që “ka deklaruar gatishmërinë për të dhënë informacione ish Sigurimit të Shtetit”. Në këtë kategori, të formuluar në këtë nen, hyjnë të gjithë ata që kanë firmosur një deklaratë të pregatitur nga oficerët e ish Sigurimit. Ligjvënësi duhet të mbajë parasysh terrorin fizik e psikologjik të jashtzakonshëm që është ushtruar mbi t’ashtuquajturit “armiq të klasës”, apo dhe të tjerëve qytetarë shqiptarë për të rekrutuar njerëz në shërbim. Nëse ajo deklaratë nuk pasohet nga një veprimtari e ndërgjegjëshme në dhënie informacioni, por mbetet vetëm një copë letër e firmosur kush e di se në çfarë kushtesh, nuk duhet të përbëjë n’asnjë mënyrë akuzë bashkëpunimi. Në këtë drejtim mendoj se ajo pikë duhet të riformulohet.
Neni 22, që trajton “E drejta për informimin e t’afërmëve të të vdekurve apo të zhdukurve, në pikën 5 thotë : “Ky nen nuk zbatohet në rastet kur personi i vdekur ose i zhdukur ka shprehur, përpara vdekjes ose zhdukjes, me shkrim, vullnetin e tij për moszbulimin e informacioneve të kërkuara, ose kur ky vullnet mund të provohet qartësisht nga rrethana të tjera.” Më duket e pamundur që një njeri, para ekzekutimit, të kujtohej të linte me shkrim një pohim të tillë. Edhe se mund të ketë pasur ndonjë rast të tillë, përgjithësimi në ligj më duket se le shteg për spekullime, prandaj mendoj se duhet të rishikohet edhe kjo pikë e këtij neni.
Këto ishin dy vërejtje që më ranë në sy në leximin e projekt-ligjit, miratimi i të cilit do të plotësonte një zbrazëti në legjislacionin tonë pas diktatorial e do të ngushtonte, sado pak, hendekun ndërmjet klasës politike e qytetarëve, sidomos viktimave të dhunës komuniste. Projekt ligji parashikon informimin e plotë me emër e mbiemër të bashkëpuntorëve. Nëse ligji do të ndryshohej, në dobi të pseudonimeve apo inicialeve, do të ishte një tjetër mashtrim i madh, një tallje e papranueshme. Nëse Kuvendi i ynë do të merrte përsipër një turp të këtillë, do të dëshmonte paaftësinë dhe mungesën e seriozitetit të klasës politike për të vepruar në dobi të një zhvillimi qytetërues të shoqërisë sonë, duke dekretuar dështimin e saj të plotë e vazhdimësinë me mendësinë e diktaturës.
Shkurt 2015

Marrë nga vëllimi “Demokratura shqiptare në vështrimin e një të mwrguari”
UETPRESS Tiranë, nëntor 2017

blank

Si u arratis Nikoll Hysaj pasi dekonspiroi Sigurimin. Letra e kryetarit të Degës për Enverin: Tentuam ta bënim informator, por…

Zbardhen disa dokumente arkivore me siglën “Sekret” të nxjerra nga Arkivi Qendror i Shtetit në Tiranë (fondi i ish-Komitetit Qendror të PPSh-së), të cilat i përkasin vitit 1979 dhe janë pjesë e një dosjeje voluminoze ku ndodhen relacione, raporte, njoftime, udhëzime, shënime, letra, informacione, etj., të Degës së Punëve të Brendshme të rrethit të Shkodrës drejtuar Ministrisë së Punëve të Brendshme, të cilat më pas i janë dërguar Komitetit Qendror të PPSh-së.

Pjesë e asaj dosjeje është dhe një raport-informacion i hartuar nga kryetari i Degës së Punëve të Brendshme të rrethit të Shkodrës, Rexhep Kolli, që mban datën 7 nëntor 1979, i cili ia ka dërguar eprorëve të tij në Ministrinë e Punëve të Brendshme, ku bëhet fjalë për ngjarjen e bujshme të datës 27 korrik të atij viti, ku Nikoll Pjetër Hysaj me origjinë nga Vermoshi, një person që ndiqej nga Sigurimi i Shtetit që nga viti 1973, mundi që të kalonte kufirin shtetëror dhe të arratisej në Jugosllavi.

Ashtu siç do të shohim në dokumentin në fjalë, kryetari i Degës së Punëve të Brendshme të rrethit të Shkodrës, Rexhep Kolli, ka bërë një përshkrim të hollësishëm dhe me detaje të biografisë së Nikoll Pjetër Hysaj, duke filluar nga origjina e familjes dhe qëndrimin e saj politik që nga periudha e Monarkisë së Zogut dhe ajo e pushtimit nazi-fashist, 1939-1944, çlirimi i vendit ku familja Hysaj kishte strehuar dhe furnizuar Prek Calin, arratisjen në Jugosllavi në vitin 1949, të babait të Nikollës, Pjetër Hysaj, së bashku me vëllanë, Markun dhe kushëririn e tyre, Kolën, vrasjen e Pjetër Hysaj në vitin 1952 nga forcat e kufirit, duke e akuzuar atë si njeri që punonte për UDB-në, dënimin me 10 vjet burg të Gjon Kol Hysaj në vitin 1979 etj.

Pas anës biografike të familjes Hysaj, në raportinformacionin në fjalë dërguar Ministrisë së Punëve të Brendshme, Rexhep Kolli, është ndalur dhe ka bërë një përshkrim po ashtu të hollësishëm, lidhur me sjelljet dhe qëndrimin moralo-politik të Nikoll Pjetër Hysaj, duke theksuar në mes të tjerash se, në vitin 1973, organet e Sigurimit të Shtetit, kishin tentuar ta bënin atë informator të tyre, por e kishin përjashtuar brenda vitit, pasi ai i kishte dekonspiruar dhe që nga ajo kohë e deri ditën që Nikolla u arratis, më 27 korrik 1979, ai ishte survejuar dhe ndjekur rregullisht nga organet e Sigurimit të Shtetit, (si një kontingjent me të kaluar të keqe dhe qëndrim të keq), duke qenë në përpunim aktiv 2/A.

Më pas në dokumentin në fjalë, pasi ka përshkruar të gjitha rrethanat e arratisjes së Nikoll Pjetër Hysaj, kryetari i Degës së Punëve të Brendshme të rrethit të Shkodrës, u ka bërë me dije eprorëve të tij, edhe masat përkatëse disiplinore e dënimet që kishte marrë për Punëtorët Operativë dhe personat përgjegjës, që kishin në mbikëqyrje Nikollën.

Lidhur me këto dhe të tjera për atë ngjarje të bujshme që vuri në alarm Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe deri Komitetin Qendror të PPSh-së, (aq sa, ministri Feçor Shehu, u detyrua që t’i raportonte Enver Hoxhës), na njeh dokumenti në fjalë që publikohet për herë të parë nga “Memorie.al”.

Por ajo që bie në sy në këtë dokument, është fakti që, babai i Nikollës, Pjetër Hysaj, nuk përmendet në asnjë vend se është vrasësi i Nik Pjetër Ndrekës (“Hero i Popullit”), ashtu siç ai u akuzua nga propaganda dhe regjimi komunist i Enver Hoxhës deri në vitin 1991, gjë e cila tregon qartë dhe më së miri, se ajo akuzë, ishte një sajesë e trillim i regjimit komunist në fuqi, me qëllim që të nxinte biografinë e familjes Hysaj dhe të krijonte urrejtje nga banorët e asaj zone, ndaj tyre.

Dokumenti sekret me relacionin e formuluar nga kryetari i Degës së Punëve të Brendshme të rrethit të Shkodrës, Rexhep Kolli, dërguar Komitetit Qendror të PPSh-së, lidhur me të biografinë dhe rrethanat e arratisjes së Nikoll Pjetër Hysaj, në 27 korrik 1979

REPUBLIKA POP. SOC. E SHQIPËRISË SEKRET RELACION

Mbi arratisjen e Nikoll Pjetër Hysës

Më datën 27 korrik 1979, është larguar në drejtim të paditur Nikoll Hysa, i biri i Pjetrit dhe Ages, lindur në fshatin Vermosh të rrethit Shkodër në vitin 1947, me arsim 7-vjeçar, i paorganizuar, i padënuar, me profesion punëtor – murator, me kombësi dhe shtetësi shqiptare, i martuar me 1 fëmijë, ka kryer shërbimin ushtarak dhe me banim në fshatin e ri, Bushat. Qëndrimi politik i familjes së tij gjatë regjimit antipopullor të Zogut dhe gjatë pushtimit të vendit tonë nga pushtuesit italo-gjermanë, ka qenë indiferent.

Në periudhën e Luftës dhe mbas çlirimit, familjarisht kanë mbajtur qëndrim të keq, janë lidhur me kriminelin Prek Cali dhe e kanë strehuar e furnizuar atë. Mbas prishjes së marrëdhënieve të vendit tonë me revizionistët jugosllavë, babai i tij, Pjetër Hysa, së bashku me të vëllain, Mark Hysën dhe të kushëririn e tij, Kolë Hysën, arratisen në Jugosllavi. Në vitin 1952, i vënë në ndjekje nga forcat tona, Pjetër Hysa, i ati i Nikollës, është vrarë kur ky vepronte në shërbim të UDB-së, në zonën e Vermoshit.

Aktualisht, ka një kushëri mbi tri breza të arratisur, ndërsa, Gjon Kol Hysa, kushëriri i tij i largët, ka qenë riatdhesuar dhe një vitin 1979, është dënuar me dhjetë vjet heqje të lirisë, për krimin e agjitacionit e propagandës kundër pushtetit popullor.

Vetë Nikolla, mbasi kryen arsimin 7-vjeçar, ka punuar në fshat, më vonë mobilizohet në ushtri dhe mbasi kryen shërbimin ushtarak, deri në muajin maj të vitit 1979, ka banuar në Vermosh së bashku me gruan dhe djalin në moshë të vogël. Në vitin 1971, i përmenduri në lëndë, është tentuar për ta tërhequr në bashkëpunim të organeve të Sigurimit të Shtetit në kategorinë e informatorit nga punëtori operativ Beqir Çoka, dhe mbas një viti, më 10.2.1972, është përjashtuar nga rrjeti agjenturial, për arsye se ka dekonspiruar. Si njeri me të kaluar të keqe dhe me qëndrim të keq, është evidentuar kontingjent. Në vitin 1976, është marrë në përpunim në P.P., mbasi dyshohej se ka dijeni për arratisjen e bashkëfshatarit të tij, Gjergj Rizaj, por mbasi të dhënat në ngarkim të tij nuk u vërtetuan, është hequr dhe përsëri është mbajtur në evidencën e kontingjenteve dhe nën kontroll agjenturial, por të dhëna në ngarkim të tij, nuk kanë dalë. Nikolla gjatë viteve të fundit, është lejuar nga kooperativa dhe në bazë të kërkesës së tij, është vendosur me punë në Bonifikim, në Rruga – Ura, në Koman. Më vonë, herë pas here ka kërkuar të largohej nga Vermoshi, për t’u stabilizuar me punë dhe banim në thellësi, në ndonjë Fermë ose N.B. Mbi këtë bazë dhe për ta larguar nga zona kufitare, kemi biseduar me Komitetin Ekzekutiv dhe në fund të muajit maj 1979, është vendosur me banim në fshatin e ri në Fermën e Bushatit dhe në datën 16 qershor, ka filluar punën punëtor në N.B, në sektorin e Trushit.

Memorie.al


Send this to a friend