Rrëshqitja e Kosovës nga pavarësia e saj fillojë në ditën e shpalljës së pavarësisë më 17 shkurt 2008, me miratimin e simboleve antikombëtare në kuvend duke mohuar identitetin kombëtar të shtetit, pastaj me kushtetutën, në të cilën askund nuk përmendet lufta çlirimtare, e si pasojë e kësaj Kosova sot e kësaj dite nuk ka ditë të çlirimit, siq e ka çdo popull e vend i çliruar nga pushtuesi!
Fillimi i bisedimeve të ashtuquajtura “teknike” mes Kosovës dhe Serbisë në Bruksel, për ish kryeministrin (tani president) i vendit tonë, Hashim Thaçi, përveqse moment “historik”, nga ekzaltimi me përqafimet me Daçiqin e quajti edhe si kapitull i ri për Kosovën.
I menjëhershëm ishte reagimi im ndaj deklaratës së Thaçit përmes një shkrimi autorial me titull: “Kapitulli i ri (i zi) për Kosovën”, i botuar në të përditshmet tona me datën 23.12.2012.
Përmes shkrimit në fjalë i ngrita shqetësimet e mia për rrezikun e dialogut me Serbinë, të cilat edhe pas 6 viteve, për fatin e keq të Kosovës dhe shqiptarëve në përgjithësi dolën të jenë të gjitha të vërteta të hidhura, madje edhe përtej parashikimeve!
Dialogu i Brukselit e degradoi shtetësinë e vendit tonë
Takimi i radhës i paralajmëruar mes Thaçit e Vuçiqit, me ndërmjetësimin e znj. Federica Mogherini, shënon fillimin e fazës finale të bisedimeve të pabarabarta mes Kosovës dhe Serbisë në Bruksel.
Finalizimi i dialogut të pabarabartë me Serbinë, kur kjo e fundit nuk e plotësoi asnjërën nga marrëveshjet e arritura deri më tani, nuk e zbardhi fatin e 1650 shqiptarëve të zhdukur gjatë luftës, nuk e bëri as një kërkim falje për gjenocidin e shkatuar ndaj shqiptarëve, e lërë më të përgjigjet për dëmet e luftës,…është pak më tepër se nënshtrim i lidershipit kosovar ndaj shtetit serb.
Ky skandal politik i lidershipit aktual të Kosovës, njëherit paraqet shkelje të gjakut të dëshmorëve, dhe fyerje ndaj qytetarëve të Kosovës,…është fyerje e rënd për çlirimtarët, për invalidët e luftës që lanë gjymtyrët e trupit të tyre për lirinë e vendit, për nënat e motrat tona të dhunuara nga kriminelët serb…
Përderisa dialogu “teknik” solli Fusnotën*, dialogu politik Kosovës i solli Platformën për ndarje territoriale e politike për defunksionalizimin e shtetit të Kosovës, …e për më tepër se kaq Asociacioni i komunave serbe, përveq ndarjes finale të pjesës veriore do të shkaktoj ndarje të sovranitetit të shtetit në dysh, mes serbëve dhe shqiptarëve!
Këto të arritura të politikës serbe në Kosovë, janë fryt i dialogut politik,…lidershipi ynë shkoi aq largë me çmendurinë politike, duke e quajtur këtë si “kapitull i ri” për Kosovën!
Kështu kanë të drejtë ta quajnë pushtuesit serb, që çdo ditë avancojnë me shtrirjen e tyre gjeografike e politike në Kosovë…e cila për popullin e Kosovës, s’ka si të jetë ndryshe veqse një pushtim i ri, një kapitull i rrëshqitjës së Kosovës nga shtetësia e saj.
Po mos të ishte kështu, Kosova duhej të zbatonte formulen e reciprocitetit ndaj shtetit serb, rregull kjo e dialogut mes të barabartëve.
Reciprociteti do ta detyronte Serbinë të pranoj elementet e shtetësisë tonë,…që ndoshta do të ishte një hap i normalizimit të mardhënjeve me shtetin serb!?
Nga dialogu Serbia mori gjithçka, Kosova asgjë!
Me Serbinë nuk do duhej filluar fare dialogu, pa ndodh hapi i parë i saj, që është kërkim falja publike për të gjitha të bëmat e saj ndaj popullit shqiptar të Kosovës, jo vetëm në lufën e fundit, por tani e një shekull më parë.
Kosova nuk e ka asnjë arsye të ngutet e të vrapoj pas Serbisë, në plotësimin e kushteve të saj për antarësim në BE.
Do duhej të ishte Serbia ajo që vrapon në zhbërjën e strukturave të saj në veri e gjithë Kosovën, rrënimin e barrikadave, për kthimin e afro të 1650 shqiptarëve të zhdukur, kthimin e të gjithë librave amëz e atyre kadastral, kthimin e pensioneve e të gjitha pasurive tjera të grabitura gjatë luftës së fundit.
Mirëpo kjo nuk po ndodh, sepse ka munguar e vazhdon të mungojë trysnija e Qeverisë së Kosovës ndaj Brukselit për këto gjëra e të tjera si këto.
Në politikën ndërkombëtare përfiton ai që insiston e konsiston më shumë në kërkesat e veta e jo ata që pranojnë gjithçka qe u servohet në tavolinë,…
Qeveritarët tanë, në vend që të inicojnë kërkesa ndaj Brukselit për funksionalizimin e shtetit të tyre, u shkojnë prapa kërkesave të Serbisë, duke i pranuar njërën pas tjetrës.
Serbët kërkuan decentralizimin etnik, ndodhi legalizimi i enklavave serbe. Serbia kërkojë ligjin për trashëgiminë kulturore (për kishat e manastiret serbe), ligjvënësit tanë e aprovuan, Serbia kërkojë heqjën e Republikës e vënjën e Fusnotës *, liderët tonë e nënshkruan atë, Serbia kërkojë amnistimin e kriminelëve, Kuvendi i Kosovës e miratoi në plotëni duke i sistemuar ata nëpër institucionet shtetëre, FSK dhe Policinë e Kosovës!
Thaçi me kërkesën e Brukseli e nënskroi marrëveshjen fatëkeqe të 19 prillit 2013 për themelimin e Asoaciacionit (“Zajednicës”), partitë politike (pozitë dhe opozitë) në Kuvendin e Republikës së Kosovës me përjashtim të LVV-së e aprovuan një turp të tillë!
Aventura e Thaçit dhe abuzimi me kryeministrin
Përderisa 6 vite më parë, i posaliruari nga Haga (Ramush Haradinaj) me ndryshimin konceptual i kishte befasuar të gjithë qytetarët e Kosovës, me sorrollatjet rrugëve të Kosovës për shuarjen e etjës për pushtet, ish kryeministri Thaçi nuk i plotësoi dëshirën, pasi nën sqetull e kishte futur LDK-në post-Rugoviane,…kurse vitin e kaluar të posaliruarit nga Colmari i Francës (Ramush Haradinajt), presidenti Thaçi i plotësoi ëndrrën jetësore për të shijuar edhe një herë postin e kryeministrit në qeverisje me Listën “Srpska”.
Mbase është momenti i fundit të ndalet aventura e Thaçit. Nëse edhe tani nuk ndalet avantura e presidentit të Kosovës në këto bisedime, atëherë përmbyllja (finalja) e dialogut do të ketë epilog tepër të dhimbshëm, gjegjësiht do të shënoj kapitullin e zi për Kosovën
Largimi i presidentit Thaçi nga posti i kryenegociatorit dhe ndërprerja e mënjëhershme e bisedimeve të pabarabarta në Bruksel, jo vetëm se do ta shpëtonte Kosovën nga ndarja, do ta parandalonte invazionin politik të Serbisë në Kosovë.
E ashtuqujtura Rezolutë për normalizimin e mardhënjëve me shtetin serb, e transformuar në “Pajtim në këmbim të njohjes”, s’është gjë tjetër veqse një formë e amnistimit të krimeve serbe para dhe gjatë luftës në Kosovë. Ky është kulmi i dështimit dhe i marrëzisë politike të pushtetarëve aktual.
Asnjëherë deri më sot nuk më ka rënë të ndëgjoj që viktima të kerkojë pajtim më xhelatin, me dhunuesin dhe atë pa asnjë kusht!
Sa paradoksale, po aq e papritur është kur dëgjon “sponzorizuesit” e “Pajtimit me Serbinë”, ish “luftetarët” e djeshëm të thonë; “dialogu është mënyra e vetme e zgjidhjes së problemeve”, që vetëvetiu e parashtron pyetjen reale; për çfare luftoj dje UÇK-ja!? Luftoj për normalizim të mardhënjeve apo për çlirim nga serbia!?
Në këtë pyetje duhet të përgjigjen çlirimtarët që lejuan maskaradat mashtruese të Hashim Thaçit për 10 vjet rresht.
Nëse vërtetë tani nuk ndalen aventurat e presidentit, atëherë përgjegjës për ndarje të Kosovës, janë ata që e lejojnë Hashim Thaçin të shkojë tutje me dialogun vrastar të shtetit të Kosovës në Bruksel!
Shkarkimi i presidentit dhe shpërbërja e parlamentit, shpëtim për vendin
Parlamenti i Kosovës për të parandaluar aventurat e presidentit Thaçi, fillimisht duhet shfuqizuar të gjitha nënshkrimet e ish kryeministrit në marrveshjet e Brukselit dhe shkarkimin e menjëhershëm iThaçit si pikënisje e gjithçkaje.
Formimi i menjëhershëm i një Qeverie të shpëtimit kombëtar në mbrojtje të shtetit të Kosovës deri në mbajtjen e zgjedhjeve të lira e demokratike.
Ketë e kanë për detyrë ta bëjnë të zgjedhurit e popullit , deputetet e Kuvendit të Republikës së Kosovës, për hirë të gjakut të dëshmorëve, për hirë të sakrificave të shumë brezave që nga Lidhja Shqiptare e Prizrenit e këndej.
Të ngritemi të gjithë në mbrojtje të shtetit pa dallim partiak apo fetar, me të gjitha mjetet demokratike duke filluar nga: protestat, demonstratat, grevat e përgjithshme deri në një rezistencë aktive e paqësore mbarëkombëtare.
Mbrojtja e territorit është e drejt universale. Përderisa bashkësia ndërkombëtare serbëve në veri ua lejojë barrikadimin në një territor të huaj tani e 19 vite më parë, pse t’na pengojë neve në mbrojtjen e territorit të shtetit të njohur ndërkombëtarisht.
Shteti i Kosovës duhet të bëhet njëmend e jo me improvizime sikurse deri më tani. Republika e Kosovës pa fusnota ose ndryshe nuk mund të ekzistoj, sikurse pavarësia e shtetit, që duhet të jetë e plotë ose ndryshe nuk mund të quhet ashtu, nuk ka gjysëm pavarësi, sikurse që nuk mund të ketë shtet me gjysëm liri.
Është e pabesueshme si po i lejon akoma ky popull të ndodhin gjithë këto marrëzira në ketë vend!
Këshilli i Bashkimit Evropian ka emëruar diplomatin estonez, Aivo Orav, në postin e përfaqësuesit të posaçëm të BE-së në Kosovë.
Sipas BE-së, ai do të marrë detyrën më 1 shtator 2024 dhe do të ketë një mandat fillestar prej dy vjetësh, duke pasuar Tomas Szunyog, që ka qenë në këtë post që nga viti 2020.
“Orav do të ketë rol udhëheqës në promovimin e një Kosove të qëndrueshme, paqësore, demokratike dhe multietnike, e cila bashkëpunon me rajonin. Ai po ashtu mbështet perspektivën evropiane të Kosovës dhe afrimin me BE-në. Ai do të monitorojë, ndihmojë dhe lehtësojë përparimin në fushën politike, ekonomike dhe prioritetet evropiane”, tha BE-ja.
Shefi i ardhshëm i zyrës së BE-së në Kosovë ka përvojë në rajonin e Ballkanit Perëndimor, pasi më herët ka shërbyer si shef i delegacionit të bllokut evropian në Maqedoninë e Veriut dhe në Mal të Zi.
Orav aktualisht është përfaqësues i përhershëm i Estonisë në BE. REL
Kur po bëhen 11 muaj nga sulmi terrorit i 24 shtatorit në veri të Kosovës, organi i Prokurorisë Speciale të Kosovës ende nuk ka përmbyllur hetimet për të ngritur një akuzë për këtë rast, si më të rëndin që ka përjetuar shteti i Kosovës.
Retorika në gjuhën politike se duhet të ndëshkohet Serbia, si shtet nxitës, dirigjues dhe sponsorizues nuk ka marrë përgjigje. Lidhur me përplasjet e fundit apo deklarimet e qeverisë, eksperti i çështjeve penale Arbër Jashari, thotë se hetimet janë në përfundim.
Sa i përket arsyeve që kanë çuar në vonesën e ngritjes së aktakuzës, Jashari thekson “se ky është rasti më i komplikuar që ka drejtësia e vendit”.
Sa i përket shqetësimeve të kryeministrit, Jashari shprehet: “Prokuroria për çështjet të cilat nuk janë fare çështje penale, e thirr ministren dhe e mban dy ditë, ja humb dy ditë të punës që mund të jenë shumë të dobishme në programin e saj.”
Se ku saktësisht ndodhet Radoiçiç, nuk është e qartë, por presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, tha pas sulmit “se ai gjendet në territorin e Serbisë”.
Në fund të vitit të kaluar, në bazë të një kërkese të Ministrisë së Brendshme të Republikës së Kosovës, organizata ndërkombëtare e policisë, INTERPOL, lëshoi fletarrest ndërkombëtare për Milan Radoiçiçin. sn
Prishtinë – Ministria e Jashtme ka bërë e ditur se të gjithë qytetarët e Kosovës që për arsye të ndryshme kanë qenë të detyruar të heqin dorë nga shtetësia e Kosovës mund ta rikthejnë atë përmes procedurave të lehtësuara, të shpejta dhe pa asnjë pagesë.
Këshilltari në Ministrinë e Punëve të Jashtme, Leutrim Sahiti në një postim në Facebook bën të ditur se rikthimi i shtetësisë së Republikës së Kosovës tash është pa pagesë, njofton RTK.
“370, 250 dhe 200 euro, ishin tarifat për rikthimin e shtetësisë së Kosovës, varësisht nga shteti ku bëhej aplikimi. Sot mërgimtarët mund të rikthejnë shtetësinë e Kosovës, shpejtë, lehtë dhe pa asnjë pagesë”, ka shkruar ai.
Edhe ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla një ditë më parë ka bërë të ditur se të gjithë qytetarët e Kosovës që për arsye të ndryshme kanë qenë të detyruar të heqin dorë nga shtetësia e Kosovës mund ta rikthejnë atë përmes procedurave të lehtësuara, të shpejta dhe pa asnjë pagesë.
Gërvalla ka theksuar se rikthimi i shtetësisë së Kosovës është një akt jo vetëm simbolik.
“Lidhet me shumë të drejta që janë të rezervuara vetëm për qytetarët e Kosovës, si e drejta për të votuar dhe për t’u votuar. Kosova ka nevojë për ju. Prandaj, aplikoni sa më parë pranë konsullatave tona ose në komunën prej nga vini dhe bëhuni sërish shtetas të Republikës së Kosovës!”, ka thënë Gërvalla.
Me ndryshimet e një udhëzimi administrativ, të miratuara të mërkurën nga Qeveria e Kosovës, pronat e sekuestruara të biznesmenit serb nga veriu i Kosovës, Millan Radoiçiç, do t’i jepen në shfrytëzim Ministrisë së Brendshme të Kosovës, përkatësisht Policisë së Kosovës.
Radoiçiçin, Kosova e kërkon si të dyshuar për organizimin e sulmit të armatosur në fshatin Banjskë të Zveçanit, shtatorin e kaluar.
Në këtë sulm mbeti i vrarë një polic i Kosovës, ndërsa në përleshjet e armatosura që pasuan, u vranë edhe tre sulmues serb.
Radoiçiç besohet se është i lirë në Serbi.
Gjatë një aksioni në prill, Agjencia për Administrimin e Pasurive të Sekuestruara ose të Konfiskuara e Kosovës sekuestroi dy prona të paluajtshme në Mitrovicën e Veriut, një restorant dhe një banesë, si dhe një vilë në komunën e Zubin Potokut – që të gjitha në pronësi të Radoiçiçit.
Duke folur në mbledhjen e Qeverisë të mërkurën, ministrja e Drejtësisë e Kosovës, Albulena Haxhiu, tha se këto prona, aktualisht, janë nën menaxhim të ministrisë që udhëheq ajo, përkatësisht Agjencisë për Administrimin e Pasurive të Sekuestruara ose të Konfiskuara të Kosovës.
Haxhiu tha se ndryshimet në udhëzimin administrativ janë të rëndësishme, sepse i eliminojnë procedurat e tejzgjatura për dhënien me qira të pasurive të sekuestruara dhe të konfiskuara, kur ato i kërkon një institucion publik ose organ shtetëror.
Haxhiu tha se pronat e sekuestruara të Radoiçiçit gjenden në lokacione me rëndësi strategjike.
Sipas saj, kalimi i tyre nën menaxhimin e institucioneve të sigurisë bëhet me qëllim të “rritjes së sigurisë shtetërore, territoriale dhe institucionale” në veri të Kosovës – zonë e banuar me shumicë serbe.
Pas miratimit të ndryshim-plotësimeve të udhëzimit administrativ në Qeverinë e Kosovës, Haxhiu tha se institucionet e vendit do të vazhdojnë me procedurat e tjera./REL
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u bëri thirrje qytetarëve të Kosovës që të mos e madhërojnë Faton Hajrizin, i dyshuar për vrasjen e një polici në Serbi.
“I ftoj qytetarët e vendit tonë të mos bien pre e euforisë së heroizimit dhe romantizimit të Faton Hajrizit”, tha Kurti në një mbledhje të Qeverisë së tij, të mbajtur të mërkurën.
Ditëve të fundit, llogari të ndryshme në rrjetet sociale kanë shpërndarë shkrime për Hajrizin dhe fotografi të tij, të shoqëruara me epitete të ndryshme, si “hero” dhe “trim”.
Hajrizi u vra nga autoritetet e Serbisë më 19 korrik, konfirmoikëtë javë Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës.
Më 18 korrik, sipas autoriteteve serbe, ai vrau një polic serb dhe plagosi një tjetër në qytetin Lloznicë të Serbisë.
Hajrizi ishte i arratisur nga një burg në Kosovë.
Duke folur në mbledhjen e Qeverisë, Kurti tha se sqarimi i rrethanave që nga ikja e Hajrizit në drejtim të Serbisë e deri te vrasja e tij e raportuar, “kërkon një hetim vendor dhe ndërkombëtar”. REL
Policia e Kosovës e ka konfirmuar të dielën shpërthimin me granatë dore në pjesën veriore të vendit, në afërsi të Liqenit të Ujmanit.
Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për pjesën veriore, Veton Elshani, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se nuk ka të lënduar, por vetëm dëme materiale në dy vetura, njëra me targa vendore, ndërsa tjera amerikane.
Sipas informatave të autoriteteve të sigurisë, granata është hedhur në vendin e quajtur “Te tuneli i pestë”, në rrugën magjistrale afër Ujmanit, nga një apo më shumë persona të panjohur.
Ai ka thënë se në kuadër të hetimeve, policia e ka bastisur një shtëpi rreth orës 21:00 në zonën e Zubin Potokut.
“Gjatë bastisjes, policia ka hasur dhe ka sekuestruar në mes tjerash edhe tri radiolidhje dhe një veturë”, ka thënë Elshani për Radion Evropa e Lirë.
Ai ka thënë se nuk është arrestuar askush, ndonëse policia e ka identifikuar një person, për të cilin ekziston interes për intervistim.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se, “Serbisë dhe qarqeve të caktuara mike me të, nuk iu leverdis normaliteti i krijuar në atë pjesë të vendit tonë”.
“Duke e humbur ndikimin në këtë zonë, nervoza u bëhet agresivitet. Edhe grupe të ndryshme kriminale, pak a shumë të lidhura me të, kanë humbur mundësinë për përfitime enorme çfarë i patën për më shumë se dy dekada që nga çlirimi i Kosovës”, ka thënë Kurti, duke u zotuar për sundim dhe rend publik në gjithë Kosovën.
“Kjo pjesë, ashtu si të gjitha tjerat të vendit tonë, me potencialin dhe bukuritë e saj do të përdoret nga të gjithë qytetarët pa dallim”, ka thënë mes tjerash Kurti, përmes një postimi në Facebook.
Qytetarë të zonës janë parë në javët e fundit duke u freskuar afër liqenit, pas temperaturave të larta, gati 40 gradë Celsius.
Rëndësia e Ujmanit për Kosovën
Liqeni i Ujmanit konsiderohet pikë strategjike vitale për Kosovën, pasi pos tjerash, aktualisht furnizon me ujë, një zonë me mbi 500 mijë kosovarë. Nga Ujmani furnizohen me ujë shtatë komuna, në jug dhe veri të lumit Ibër; Mitrovica e Jugut dhe e Veriut, Zveçani, Vushtrria, Gllogoci, Skenderaj dhe një pjesë e Prishtinës.
Pos tyre, termocentralet Kosova A dhe B, Trepça dhe Ferronikeli varen tërësisht nga furnizimi me ujë nga ky liqe artificial. Po ashtu, prodhohen edhe 32 Megavat (MW) rrymë në hidrocentralin e Vallaçit.
Lumi Ibër, që e mbush me ujë Ujmanin, buron në Mal të Zi, më pas kalon nëpër territorin e Serbisë, hyn në Kosovë me një gjatësi të shtratit prej 82 km, dhe prapë kthehet në Serbi.REL
Ministrja e Drejtësisë në Kosovë, Albulena Haxhiu, ka bërë thirrje të shtunën për nisjen e një hetimi vendor dhe ndërkombëtar për, siç ka thënë ajo, nxitjen dhe organizimin e arratisjeve të të burgosurve nga burgjet e Kosovës për në territorin e Serbisë.
Sipas saj, shteti i Serbisë po cyt dhe organizon arritisjen e të burgosurve, paraburgosurve dhe të kërkuarve nga drejtësia e Kosovës, në këmbim të një “ambienti mburojë ndaj pandëshkueshmërisë e ndjekjes penale të kriminelëve nga organet e Republikës së Kosovës”.
“Një mbështetje e tillë është padyshim e qëllimshme, e organizuar dhe e lidhur me qëllimin për të dëmtuar rendin publik, kushtetues e ligjor të Republikës së Kosovës”, ka thënë Haxhiu, pa ofruar ndonjë dëshmi për këto pretendime.
Ajo e ka bërë këtë postim në rrjetin social Facebook, një ditë pasi i arratisuri nga burgu i Smrekonicës në Kosovë, Faton Hajrizi, është raportuar të jetë vrarë nga autoritetet në Serbi.
Hajrizi ka qenë në kërkim nga autoritetet serbe, pasi më 18 korrik është raportuar se e ka vrarë një zyrtar policor serb dhe e ka plagosur një tjetër, gjatë një kontrolli rutinor në Lloznicë të Serbisë, qytezë në afërsi me Bosnje-Hercegovinën.
Autoritetet e Serbisë e kanë konsideruar sulmin si terrorist dhe kanë nisur operacion të madh kërkimi.
Përveç Hajrizit – i cili ka pasur një histori të arratisjeve nga burgjet e Kosovës – në ditët e fundit në Kosovë është arratisur edhe një i burgosur tjetër, Ujkan Metaj.
Ministrja Haxhiu ka thënë se nuk dihet me siguri nëse Hajrizi është vrarë dhe nëse apo, a ka ndodhur akti në Serbi, apo në Republikën Sërpska të Bosnje-Hercegovinës.
“Domosdo nevojitet hetim i gjerë e i thellë, për të zbardhur të vërtetën e këtij rasti”, ka thënë ajo.
Haxhiu, gjithashtu, e ka dënuar përdorimin e etnisë nga ana e Qeverisë së Serbisë në rastin e vrasjes së policit serb.
“Kjo retorikë e Qeverisë në Beograd është paralajmërim për ngjarje të ardhshme të gatuara në Beograd e që kanë një perspektivë të qartë shoviniste dhe etno-politike”.
Thirrje për mospolitizim të rastit ka bërë edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. REL
Zëvendëskryeministri i Serbisë, njëherësh ministër i Punëve të Brendshme Ivica Daçiq, ka thënë të premten se është vrarë personi që në orët e para të së enjtes vrau një polic në Serbi.
Identiteti i personit të vrarë nuk është përmendur në komunikatën e lëshuar nga autoritetet serbe në pasditen e 19 korrikut.
Ministria e Punëve të Jashtme e Diasporës e Kosovës, i kërkoi Serbisë që të konfirmojë identitetin e personit të vrarë.
Më vonë gjatë të premtes, Daçiq deklaroi dorasi i dyshuar i policit është vrarë në vendin e quajtur Banja Kovilaça.
Duke mos e përmendur identitetin e të vrarit, Daçiq iu është referua atij si “terrorist shqiptar”.
Megjithatë, Daçiq, teksa vizitoi vendin ku u vra dorasi i dyshuar, tha se autoritetet serbe do të kërkojnë nga Gjermania ekstradimin e vëllait të tij sepse “ai ka thënë se ia ka vjedhë pasaportën, që është gënjeshtër”. Sipas ministrit serb, Artan Hajrizi dyshohet për terrorizëm, duke shtuar se është bashkëpunëtor.
“Na ndihmoi që publikuam foton. Një vendas në lajmëroi që ka kërkuar ujë nga një banor lokal”, tha Daçiq.
Daçiq shtoi se ai po fshihej buzë lumit, duke kërkuar një mënyrë për ta kaluar atë.
“Kur ka ardhur policia, ai ka qëlluar dy herë automjetin e policisë. Policia ka reaguar dhe një plumb e ka goditur. Më pas, ai ka nisur të ikë, por është kapur nga policë të tjerë. Gjithsej, ai ka shtënë nëntë herë. Policia e ka vrarë. Ai nuk e kishte ndërmend të dorëzohej”, tha ai.
Autoritetet serbe, sipas Daçiqit po vazhdojnë hetimet e tyre për “të gjithë ata”, që sipas tij kanë marrë pjesë në këtë organizim. Daçiq tha po ashtu se një shtetas i Sllovenisë, me prejardhje serbe, është arrestuar.
Vrasja e policit Nikolla Kërsmanoviq ka ndodhur në orët e para të së enjtes kur policia e ka ndalur veturën në të cilën ka qenë i dyshuari, për një kontroll rutinor.
Që nga 6 korriku, Faton Hajrizi, shtetas i Kosovës, kishte qenë në kërkim nga autoritetet e Kosovës, pasi ishte arratisur nga burgu i Smerkonicës.
Hajrizi dyshohet se kishte udhëtuar nëpër Serbi me dokumentet e vëllait të tij, Artanit, të cilat janë gjetur në vendngjarje pas vrasjes së policit serb. Ndërkohë, Artani është paraqitur para autoriteteve në Gjermani – ku dhe jeton- dhe ka thënë se i vëllai, Fatoni ia kishte vjedhur pasaportën gjatë kësaj jave në Gjermani. Megjithatë, nuk është konfirmuar nëse Fatoni ka qenë në Gjermani.
Ministria e Brendshme e Serbisë, më herët gjatë së premtes po ashtu publikoi fotografinë e Faton Hajrizit dhe u bëri thirrje qytetarëve për bashkëpunim.
Autoritetet kryen kontrollet në dy anët e lumit Drina, që gjendet në kufi me Serbinë dhe Bosnje-Hercegovinës, pasi dyshonin se personi që kreu vrasjen mund të ishte nisur në atë drejtim, raportoi Radio Televizioni i Serbisë (RTS) më 19 korrik.
Sipas ndihmësdrejtorit të policisë Dragan Vasileviq, helikopterët dhe dronët u përfshin në kërkim.
Autoritetet serbe e kanë konsideruar sulmin si terrorist.
“Zyra e Prokurorisë për Krimin e Organizuar do ta konsiderojë rastin si një akt terrorist, sepse është një sulm ndaj zyrtarëve”, ka thënë të enjten ministri i Brendshëm serb, Ivica Daçiq.
Kush janë Artan dhe Faton Hajrizi?
Artan Hajrizi, një profil që u bë publik nga autoritetet e Serbisë si i dyshuar për vrasjen e një zyrtari policor në Serbi, është vëllai i Faton Hajrizit, i arratisur nga burgu në Kosovë, kanë konfirmuar për Radion Evropa e Lirë burime brenda familjes.
Ministria e Brendshme e Serbisë ka thënë se në vendngjarje është gjetur një pasaportë e të dyshuarit, e lëshuar nga autoritetet e Kosovës, me emrin e Artan Hajzirit (sipas autoriteteve të Serbisë), i lindur më 1991, dhe një dokument tjetër gjerman identifikimi.
Radio Evropa e Lirë ka analizuar disa nga profilet e shumta të Artan Hajrizit, në rrjetet sociale që konfirmojnë lidhjen e tij me Faton Hajrizin. REL-i po ashtu ka biseduar edhe me burime brenda familjes që kanë konfirmuar se Artani dhe Fatoni janë vëllezër.
Një prej profileve të Artan Hajrizit në rrjetin social Facebook.
Ky burim pretendon se “Artani gjendet në Gjermani dhe se sot ka njoftuar se dokumentet e tij nuk janë në banesë”.
“Artani nuk ka njohuri dhe as nuk ka qenë në rast. Atij i ka humbur pasaporta”.
Kontakti me Artanin nga REL-i nuk ka qenë i mundshëm deri në publikimin e këtij teksti.
Artan Hajrizi foli publikisht të enjten për portalin Insajderi përmes një videolidhjeje.
Artani, i cili pretendoi që gjendej në polici në Gjermani, tha se vëllai i tij e kishte vizituar për disa orë dhe se ia ka vjedhur dokumentet e tij identifikuese.
“Ai ka shkuar para dy ditësh. Unë dokumentet i kam lajmëruar të humbura. Unë nuk jam fajtor për këtë punë”, tha Artani në këtë incizim.
Ai tha se nuk ka pasur kontakt me vëllain e tij që nga ajo kohë.
Gjatë ditës, mediat vendore kanë raportuar po ashtu se kanë biseduar me babanë e Artanit, Mustafë Hajrizi, i cili citohet të ketë thënë se “Fatoni ia ka vjedhur pasaportën Artanit”.
Asnjë nga këto pretendime nuk janë konfirmuar ende nga autoritetet e Kosovës.
Faton Hajrizi, i dënuar për disa vepra penale në Kosovë, ishte arratisur ditë më parë nga Burgu i Smrekonicës në Kosovë.
Ai ka histori të arratisjeve të shpeshta nga burgjet kosovare.
Hajrizi fillimisht është dënuar në janar të vitit 2000 për vrasjen e një ushtari rus në qendër të Skenderajt, kur ishte vetëm 15-vjeçar. Për këtë vrasje është dënuar me 6 vjet burgim.
Sipas Daçiqit një person është arrestuar lidhur me këtë rast në Bijeljina të Bosnje e Hercegovinës.
Ai ka thënë se i arrestuari dyshohet se ka “transportuar vrasësin nga Presheva në Lloznicë”.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kërkuar që të mos politizohet ky rast. Radio Evropa e Lirë
Gjykata Themelore e Prishtinës ka dënuar me 12 vjet burgim Ekrem Bajroviqin, për krime lufte kundër popullatës civile.
Sipas Gjykatës, që e ka identifikuar të dënuarin vetëm me inicialet e emrin të tij, ai është shpallur fajtor për kryerjen e krimeve të luftës kundër popullatës civile shqiptare në fshatrat Staradran, Zallc, Gurrakoc dhe fshtartat tjera përreth të Komunës së Istogut. Ai gjatë luftës kishte qenë polic i Serbisë në stacionin policor të Gurrakocit.
Sipas njoftimit, më 7 dhe 8 maj të vitit 1999, gjatë një aksioni të forcave ushtarake, paramilitare dhe policore kundër popullatës civile shqiptare në këto fshatra, civilët u detyruan të largoheshin nga shtëpitë e tyre dhe u urdhëruan të niseshin drejt Shqipërisë.
I akuzuari, sipas Gjykatës, ndau burrat dhe gratë nga kolona e nisur drejt Shqipërisë, duke i plaçkitur dhe më pas forcat serbe i dërguan në një shtëpi në Staradran, duke i “pushkatuar të paktën 16 civilë të nacionalitetit shqiptarë”.
Gjykata Themelore tha po ashtu se më 7 maj të 1999, Bajroviq kishte marrë pjesë në “arrestimin dhe keqtrajtimin e 84 civilëve të nacionalitetit shqiptar, ashtu që fillimisht të dëmtuarit [burrat] i ndajnë nga kolona tjetër e civilëve, u marrin të gjitha paratë dhe sendet e tjera me vlerë e pastaj që të gjithë i dërgojnë në Gurrakoc në lokalin e Sh.S, ku i kishin maltretuar dhe torturuar në mënyrë çnjerëzore”.
Ndërsa më 8 maj 1999, sipas njoftimit, të ndaluarit i kishin dërguar në stacionin policor në Gurrakoc, “ku kolonës i printe i akuzuari E.B”.
Bajroviqit, në kuadër të dënimit do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim, pra nga 19 tetori i vitit 2022. Ai ka të drejtë të apelojë vendimin.
Për vendimin e Gjykatës Themelore ka reaguar anëtari i Frontit Demokratik pro-rus, Millan Knezheviq, i cili kërkoi që Parlamenti i Malit të Zi të dërgojë një notë proteste kundër vendimit.
“Jo vetëm për t’u dërguar notë proteste institucioneve të përkohshme të Kosovës, por për t’i dërguar një sinjal të qartë familjes Bajroviq dhe të gjithë qytetarëve malazezë se do t’u ofrojmë mbështetje institucionale për të vërtetuar një aktakuzë farsë”, tha ai.
Partia e tij nuk e njeh pavarësinë e Kosovës.
Knezheviq po ashtu tha se aktakuza ndaj Bajroviqit ishte e “fabrikuar”.
Kryetari i Kuvendit, Andrija Mandiq, – një nga liderët e Frontit Demokratik – tha se Mali i Zi e ka për obligim të kujdeset për qytetarët e tij “të cilët gjenden në një situatë kaq të vështirë”.
Ndryshe, që nga përfundimit të luftës së fundit në Kosovë, rreth 70 persona janë dënuar për krime lufte para institucioneve vendore dhe ndërkombëtare.
Nga viti 2000 deri në vitin 2008, krimet e luftës në Kosovë janë hetuar nga Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK), ndërsa nga viti 2008, prej Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit (EULEX).
Në vitin 2018, ky mision i ka dorëzuar lëndët në Prokurorinë e Kosovës dhe në gjykatat vendore.
Gjatë luftës së fundit në Kosovë më 1998-99 janë vrarë më shumë se 13.000 civilë dhe mijëra të tjerë janë zhdukur.
Mbi 1.600 persona vazhdojnë të jenë ende të pagjetur – pjesa më e madhe e tyre shqiptarë. REL
Përfaqësues të Komisionit për mbikëqyrjen e Agjencisë së Zbulimit në parlamentin e Kosovës, thanë të mërkurën se kërcënimi nga Serbia dhe organizatave që strehohen dhe trajnohen në Serbi për tensionim të situatës së sigurisë në Kosovë vlerësohet të jetë i lartë.
Këto deklarata u bënë pas takimit që përfaqësues të këtij komisioni patën me shefin e Agjencisë për Intelegjencë të Kosovës, Petrit Ajeti.
“Situata në katër komunat në veri është e qëndrueshme dhe pse ndërhyrjet dhe përpjekjet e Serbisë për tensionim të situatës së sigurisë janë të vazhdueshme. Kërcënimi nga Serbia dhe organizata paramilitare dhe terroriste anëtarë të të cilave po strehohen dhe trajnohen në Serbi vlerësohet si shumë i lartë. Bazuar në të dhënat inteligjente grupi terrorist është duke kryer ushtrime në disa lokacione në rrethinën e Novi Pazarit, Kopaonikut dhe të Kralevës”, tha Ganimete Musliu, kryetare e Komisionit.
Me 24 shtator të vitit të kaluar një grup serbësh të armatosur sulmoi policinë e Kosovës në fshatin Banjskë në veri të vendit duke vrarë një oficer dhe plagosur dy të tjerë. Milan Radoiçiç, ish nënkryetar Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve të Kosovës që mbështetet nga Beogradi, mori përgjegjësinë për përgatitjen dhe udhëheqjen e grupit të armatosur.
Zonja Musliu tha se grupi udhëhequr nga Milan Radoiçiç vazhdon të jetë i strukturuar, ka mjete të mjaftueshme financiare dhe mbështetje nga Beogradi zyrtar.
“Në vazhdimësi janë duke planifikuar, diskutuar mundësitë për sulme. Udhëheqësi i grupit Milan Radoiçiç vazhdon bashkëpunimin e afërt me strukturat e sigurisë së Serbisë me zyrtar të lartë shtetërorë si dhe është duke mbajtur kontakte me disa grupe organizata radikale dhe kriminale me shtrirje rajonale”, tha zonja Musliu.
Forcat paqerujatëse të NATO-s në Kosovë nuk ju përgjigjen interesimit të Zërit të Amerikës për të komentuar pohimet e institucioneve të Kosovës.
Por përgjatë punimeve të takimit të lartë të NATO-s javën e kaluar në Uashington, një zyrtar i lartë i aleancës tha se forcat paqeruajtëse janë të shqetësuara për situatën e sigurisë dhe mundësitë e përkeqësimit të saj”, ndërsa u bëjnë thirrje Kosovës dhe Serbië të angazhohen në dialog për gjetjen e një zgjidhjeje politike.
Pas sulmit në Banjskë diplomatët perëndimorë u vunë në përpjekje të reja për të përshpejtuar procesin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve mes shqetësimeve për qëndrueshmërinë në rajon
Nga Qeveria e Kosovës kërkohet të themelojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe, ndërsa Qeverisë së Serbisë të përmbushë detyrimet që çojnë drejt njohjes de fakto të Kosovës.
Dy takimet e fundit në Bruksel ndërmjet udhëheqësve të Kosovës dhe Serbisë dhe në nivel kryenegociatorësh të të dyja palëve që synonin zhbllokimin e zbatimit të marrëveshjes, përfunduan pa ndonjë rezultat.
Përfaqësuesit e Kosovës dhe Serbisë pritet që deri të enjten t’u dërgojnë ndërmjetësuesve të Bashkimit Evropian komentet e tyre rreth rrugës së zbatimit të marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve për të cilën palët ranë dakord vitin e kaluar në Bruksel dhe në Ohër.
Bashkimi Evropian pret që mbi komentet e palëve të hartojë një propozim të ri mbi këtë proces.
Ka përfunduar raportimi i drejtorit të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Petrit Ajeti në Komisionin për Mbikëqyrjen e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë. Kryetarja e këtij komisioni, Ganimete Musliu ka deklaruar se gjendja e sigurisë në vend është stabile, por që kërcënimi nga Serbia vlerësohet të jetë shumë i lartë. Ajo ka thënë se ka informacione se grupi terrorist serb po stërvitet në tri lokacione.
“Ne patëm në raportim drejtorin e AKI-së për të na raportuar për situatën e sigurisë në vend. Mund të themi pas këtij takimi se gjendja e sigurisë në vend është stabileSituata në katër komunat në veri është e qëndrueshme edhe pse përpjekjet e Serbisë për tensionim të situatës së sigurisë janë të vazhdueshme, kërcënimi nga Serbia dhe organizatat paramilitare dhe terroriste, anëtarët e së cilave po trajnohen dhe strehohen në Serbi, vlerësohet si shumë i lartë. Bazuar në të dhënat inteligjente, së fundmi grupi terrorist është duke kryer ushtrime në disa lokacione në rrethinën e Novi-Pazarit, Kopaunikut dhe Kralevës”, është shprehur deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës për media.
Në konferencë për media ajo theksoi se grupi paramilitar dhe terrorist i udhëhequr nga Milan Radojiçiq vazhdon të jetë i strukturuar, “ka mjete të mjaftueshme financiare dhe se ka armë e mbështetje nga Beogradi zyrtar”.
“Në vazhdimësi janë duke planifikuar, diskutuar mundësitë për sulme. Udhëheqësi i grupit Milan Radoiçiq vazhdon bashkëpunimin e afërt me strukturat e sigurisë së Serbisë, me zyrtarët e lartë shtetëror, si dhe është duke mbajtur kontakte me disa grupe, organizata radikale dhe kriminale me shtrirje rajonale”, ka shtuar Musliu./Ksp
Komentet