Byroja e Kuvendit ka përjashtuar dje me 10 ditë nga punimet e Parlamentit, ish-kryeministrin Sali Berisha, pasi e quajti Kryeministrin Edi Rama “kriminel”. Ndërkohë që, pas këtij vendimi, burime pranë Partisë Demokratike bënë të ditur se kjo forcë mund të shkojë drejt bojkotit me 10 ditë të punimeve të Parlamentit.
Demokratët njoftuan dje në mbrëmje mbledhjen me urgjencë të Grupit të PD-së për të marrë vendim pas përjashtimit të Berishës, por duke qenë se një pjesë e madhe e deputetëve ndodhen në zonat e elektorale, mbledhja është shtyrë për ditën e sotshme në orën 10:00.
Burime bënë të ditur se vendimi i Grupit shkon drejt bojkotit 10-ditor të punimet e Kuvendit, si qëndrimi i mbajtur kur Berisha u përjashtua herën e parë nga Byroja.
Vetë ish-kryeministri nuk ka reaguar pas vendimit të Byrosë, por ka publikuar në “Facebook” fjalën e tij, duke thënë se: “Në Parlament, duke denoncuar racizmin e ulët të Edvin Kristaq Ramës ndaj Veriut të Shqipërisë”.
VOTIMI
Dje anëtarët e PS-së në Byronë e Kuvendit kanë miratuar kërkesën e firmosur nga 8 deputetë të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, në të cilën kërkohej përjashtimi i deputetit Berisha nga Kuvendi për shkelje të rendë të rregullores. Mësohet se gjatë votimit kryetari i Parlamentit, Ilir Meta, nuk e ka miratuar kërkesën e Partisë Socialiste, duke shprehur kartonin e “abstenimit”.
Ndërkohë që i vetmi nga opozita në mbledhjen e Byrosë ka qenë nënkryetari i Kuvendit, Edmond Spaho, i cili ka votuar kundër. Kërkesa është miratuar me 5 votat e socialistëve, Taulant Balla, Anastas Angjeli, Musa Ulqini, Fatmir Toçi dhe Mimoza Hafizi. Në mbledhjen e Byrosë së Kuvendit nuk ka marrë pjesë nënkryetari i Kuvendit, Shpëtim Idrizi, Valentina Leskaj dhe deputeti i PDsë, Sherefedin Shehu.
Në kërkesën e miratuar nga anëtarët e PS-së në Byro thuhet se: “Gjatë fjalës së tij deputeti Sali Berisha ka fyer në mënyrë të përsëritur Kryeministrin duke iu drejtuar: Edi Rama ky kriminel… Kryeministri është një kriminel! Në vlerësimin tonë përdorimi i këtyre fjalëve fyese hyn në përcaktimet ligjore të Rregullores së Kuvendit. Për këtë qëllim në përputhje me pikën 1 të nenit 65 të Rregullores së Kuvendit kërkojmë mbledhjen e Byrosë së Kuvendit për dhënien e masës disiplinore sipas nenit 63 shkronja ‘ç’ ‘Përjashtim nga pjesëmarrja në komisione dhe në seanca plenare deri në 10 ditë’”, thuhet në kërkesën e miratuar dje nga socialistët.
Gjatë mbledhjes me dyer të mbyllura, deputeti Taulant Balla ka paraqitur kërkesën e Grupit të PS-së, duke thënë se deputeti Berisha ka shkelur në mënyrë të përsëritur rregulloren e Kuvendit.
Balla mësohet të ketë thënë se përdorimi i gjuhës fyese në Kuvend dhe ndaj Kryeministrit duhet të dënohej nga Byroja, pasi shkelja e rregullores ishte në mënyrë të përsëritur. Por mësohet se gjatë diskutimit nënkryetari i Kuvendit, Edmond Spaho, e ka quajtur si të papranueshme kërkesën e Grupit të PS-së.
FATION BINJAKU
Komentet