Zbardhet dosja e SPAK për aferën e Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), në të cilën përfunduan si grup i strukturuar kriminal, drejtoresha e Përgjithshme, Mirlinda Karçanaj, zv.drejtoresha Hava Delibashi, biznesmenët Ergys Agasi dhe Ermal Beqiri, dhe zv.drejtori i Policisë së Tiranës, Erjon Ismaili.
Në argumentet e SPAK, theksohet se Karçanaj ka njohur të drejtpërdrejta me Ermal Beqirin, ky i fundit ortak i shoqërive tregtare që marrin pjesë në tendrerat e AKSHIT.
Takimet e drejtoreshës së AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj janë konfirmuar nga kamerat e fsheta të instaluara në zyrën e Ergys Agasit.
Ndërkohë që një ndër bisedat e përgjuara mes Karçanajt, Agasit dhe Beqirit theksohet se: “Znj. Mirlinda Karçanaj rezulton të ketë njohje të drejtpërdrejta me shtetasin Ermal Beqiri, ky i fundit ortak i shoqërive tregtare, operatorëve ekonomikë që marrin pjesë në procedurat e prokurimit publik të zhvilluar nga Autoriteti Kontraktor, AKSHI.
PO ashtu, ky shtetas është lidhje e shtetasit Ergys Agasi, i cili ka në pronësi, pra është ortak i shoqërisë “EA Solutions” sh.p.k. Edhe ky shtetas është njohje e znj. Karçanaj. Të dhënat e përftuara nga pamjet filmike, të cilat ndodhen në pajisjen kompjuterike të sekuestruar “4-Smart Battery Camera”, tregojnë se këta shtetas janë lidhje e njëri-tjetrit dhe flasin edhe për procedura apo detyra që lidhen me projekte në dukje prokurimi, pasi përmendin se “projekti bën 2 milion, ne do ta bëjmë 4”, ose “nuk futet as në eksperiencë”, të cilat nënkuptojnë përcaktimin e kritereve të procedurave të prokurimit, vlera e kontratave që do të publikohen (fondi limit) etj”.

Në dëshminë e saj Mirlinda Karçanaj sipas SPAK nuk ka mohuar njohjet me Ergys Agasin dhe me Ermal Beqirin.
“Znj. Karçanaj ka deklaruar në deklarimet e saj, se me shtetasin Ergys Agasi ka raport miqësor, ka njohje të vjetra dhe e ka takuar disa herë në zyrën e tij, për çështje private. Po ashtu, nga të dhënat e përftuara, organi procedues ka ardhur në dijeni të faktit se shtetësja Viola Agasi (që rezulton të jetë në përbërje të grupeve të punës në procedurat e AKSHI-r), e punësuar te AKSHI, është e motra e shtetasit Ergys Agasi!
Lidhur me shtetasin Ermal Beqiri, znj. Karçanaj ka deklaruar se e ka takuar njëherë rastësisht në zyrën e z. Agasi, ku z. Agasi donte të bënte një partneritet me një kompani izraelite, dhe e ka pyetur atë për zgjidhje teknike.
Prezent në ambient ka qenë edhe z. Beqiri, i cili sipas deklarueses ka qenë prezent në mënyrë rastësore. PO ashtu, me z. Beqiri deklaron që ka patur një udhëtim të përbashkët, me shumë përfaqësues të tjerë të shoqërive të teknologjisë dhe informacionit, të cilët kanë krijuar një organizatë jofitimprurëse.
Në fakt, takimi në zyrën e z. Agasi konfirmon faktin se të tre këta shtetas janë lidhje e njëri-tjetrit dhe po ashtu znj. Karçanaj është në dijeni të plotë të faktit se z. Agasi dhe z. Beqiri janë njohje dhe lidhje e njëri-tjetrit” thuhet në dosjen e SPAK.


