VOAL

VOAL

Përgjimet e Bild: “Tërmet, tërmet, i q..nanën”-Damian Gjiknuri flet me Imer Lalën

June 19, 2019

Komentet

Makutëria e betonit/ Fatmir Bektashi me dy dosje në SPAK, Rama jep leje për 50 pallate te “Ali Demi” (Foto-Video)

Një lagje e tërë është ndërtuar në zonën e “Ali Demit”, ku deri më tani janë dhënë plot 50 leje për të ndërtuar pallate, fillimisht me projektin “Mangalem 21”, duke ndërtuar 33 pallate, më pas “Kaimi” dhe “Kadiu”, të cilat kanë mbushur të gjithë kodrën me ndërtime. Projekti fillestar u reklamua edhe nga kryeministri Rama, teksa më vonë rreth tij u bënë edhe pallate të tjera, duke e kthyer të gjithë zonën në një masiv të madh betoni.

Aktualisht, nga llogaritjet e bëra, rezulton se pallatet kanë rreth 3000 apartamente, ku nëse i kthen në numër banorësh, mund të shkojë deri në 10 mijë. Aq sa një qytezë në Shqipëri, si Rrogozhina, Dimali apo edhe Tepelena. Por, ndryshe nga këto qyteza ku ka pasur një infrastrukturë rrugore, arsimore apo shëndetësore, në gjë e tillë mungon në të gjithë zonën. Pavarësisht problemeve me ligjin, ndërtuesi Fatmir Bektashi vijon normalisht biznesin, duke hapur dita-ditës kantiere.

Ai është mësuar me lobime të fuqishme për të marrë këto leje, por a ka bërë ndonjë studim qeveria apo edhe Bashkia e Tiranës për infrastrukturën e të gjithë zonës? A ka në plan për të ndërtuar ndonjë rrugë hyrëse apo dalëse për në kompleks, duke qenë se Bektashi ka shitur edhe parkimet anës rrugës? Por, më skandalozja është rruga hyrëse dhe dalëse për në të gjithë zonën.

Në video: Gjendja e rrugës hyrëse për në kompleksin “Mangalem”, plot gropa, e ngushtë dhe pa trotuar

Gjendja e rrugës “Pasho Hysa” është në gjendje tepër të amortizuar. VoxNews bëri një vëzhgim të segmentit, nga kryqëzimi i rrugëve “Pasho Hysa” e “Ali Demi”, deri në hyrjen e kompleksit. Siç duket qartë në video, rruga është e ngushtë dhe njëkalimëshe, megjithëse është me dy sense lëvizje. Në një pjesë të saj, makinat duhet të presin makinat që vijnë përballë, teksa në orët e pikut, mëngjesin dhe pasditen, rruga bllokohet totalisht nga automjetet.

Gropat e mëdha kanë zëvendësuar asfaltin, por nuk ka asnjë trotuar apo ndriçim. Megjithëse pallatet janë në zgjatim të lagjes së vjetër “Ali Demi”, sërish infrastruktura është skandaloze, megjithëse qeveria vijon të japë leje.

Në video: Rruga s’ka as trotuare duke detyruar nënat me karroca me fëmijë të kalojnë në mes të rrugës gjithë gropa

Pamjet s’kanë nevojë për koment, pasi kamera e VoxNews kapi momentin që edhe nënat me karroca për fëmijë s’kanë ku të kalojnë. Ato detyrohen të lëvizin në qendër të rrugës, sërish me gropa dhe shumë e vështirë për të kaluar. Por, më skandalozja është se, kompleksi vijon të shtohet dita-ditës dhe nga ana tjetër deri më tani s’është hapur ndonjë rrugë e re hyrëse apo dalëse.

Mundësitë janë, por siç duket të gjithë e kanë mendjen të firmosin leje të reja sesa të bëjnë studime dhe të hapin tendera për infrastrukturë. Mundësia e parë është zgjerimi i rrugës “Pasho Hysa”, shtrimi i saj me të gjitha parametrat. E dyta është hapja e një rruge të re, ngjitur me ish-Burgun e Grave, ku do të mundësohej që të shkurtohej distanca. Mundësia e tretë është nga pjesa e Xhamisë së “Ali Demit”.

Por, siç duket të gjitha mundësitë do të zvarriten për vite me radhë, pavarësisht se sipas ligjit, i gjithë ai komunitet që paguan detyrimet për gjithçka të ketë rrugë, çerdhe, kopësht apo shkollë 9 – vjeçare. Madje, qeveria duhet të detyrojë ndërtuesin kontrovers që të bëjë një godinë për shkollën apo t’a detyrojë që paratë që mori nga shitja e parkimeve në sipërfaqe, në rrugët e kompleksit, ti përdorë për rrugë.

Në foto: Në mungesë të një rruge, çerdheje, kopshti apo shkolle, qeveria i jep një tjetër leje Fatmir Bektashit të quajtur “Nokia”

Në një kohë që pushteti qendror dhe lokal duhet t’a detyronte biznesmenin Fatmir Bektashin të bënte të gjithë ato të shkruara më sipër, vetë qeveria e “shpërblen” me një leje tjetër ndërtimi për pallat. Në kodrën sipër kompleksit “Mangalem”, në një territor shumë të pjerrët, Bektashi do të ndërtojë një tjetër pallat, të quajtur “Nokia”.

Pallati do të ndërtohet në afërsi të depos së ujit, në rrugën që lidh zonën e Ali Demit me zonën e Farkës. Një çmenduri arkitekture, duke qenë se e gjithë zona më parë ka qenë me banesa private dhe jo me pallate. Për më tepër, do të betonojë një tjetër pjesë të gjelbër, ndërkohë që sërish s’ka asnjë plan për rrugë./ Vox News

Lehtësisht të shantazhueshëm – Rama përzgjedh dy kryebashkiakë të pandehur në SPAK për grupin e punës qeveri-bashki që do trajtojnë…

Kryeministri Edi Rama ka ngritur një grup pune të përbashkët mes qeverisë dhe bashkive për të trajtuar çështje specifike, përfshirë edhe “Paketa e Maleve”. Ky grup synon koordinimin mes nivelit qeverisës dhe atij lokal për problematika të ndryshme, duke përfshirë aspektet rregullative dhe organizative të projekteve.

Nga kryebashkiakët e përzgjedhur, dy janë aktualisht të pandehur në SPAK: Majlinda Bufi e Roskovecit dhe Benet Beci i Shkodrës. Përzgjedhja nuk duket rastësore, dy personazhe të pandehur janë lehtësisht të shantazhueshëm dhe kësisoj të bindur ndaj KM për të çuar para axhendë e “Paketës së Maleve” kryesisht.

Grupi do të përbëhet nga disa ministra të qeverisë dhe kryebashkiakë nga bashkitë e përzgjedhura. Sipas deklaratës së Ramës, grupin e punës do ta drejtojnë ministri i Rindërtimit, ministrja e Ekonomisë, ministri i Kulturës dhe Turizmit, si dhe ministri i Mjedisit. Nga bashkitë do të jenë përfaqësues kryebashkiakët e Lezhës, Malitqit, Shkodrës, Himarës, Durrësit dhe Roskovecit.

“Është koha të krijojmë një grup pune të përbashkët mes qeverisë dhe bashkive për të trajtuar të gjithë këto probleme dhe për t’i futur në vijë si në aspektin rregullativ dhe në aspektin e problematikave të natyrave të ndryshme që i shikoni të arsyeshme të trajtohen. Ministri do t’i drejtohet më pas qeverisë për ndryshime ligjore, nxjerrje urdhëresash të reja dhe për krijimin e sinergjive të reja për shtetin sipërmarrës”, tha Rama.

Qëllimi i grupit, sipas qeverisë, është përmirësimi i koordinimit mes institucioneve dhe adresimi i çështjeve që lidhen me zhvillimin lokal dhe projektet shtetërore, duke përfshirë dhe “Paketa e Maleve”, si dhe çështje të tjera prioritare për bashkitë dhe qytetarët./Syri.net

BIRN: Përmbytjet nxjerrin në pah keqmenaxhimin e territorit dhe infrastrukturës! Mungojnë masat parandaluese

Përmbytjet prekën disa qarqe të Shqipërisë në javën e dytë të Janarit, duke shkaktuar bllokime rrugësh, dëme materiale dhe ndërprerje të përkohshme të aktiviteteve në zona urbane dhe rurale, si pasojë e reshjeve të dendura dhe vërshimeve të ujërave.


Sipas autoriteteve, moti i keq ka shkaktuar një të vdekur, përmbytjen e gati 1600 banesave dhe të 14 mijë hektarëve tokë bujqësore, në qarqet Durrës, Shkodër, Lezhë, Berat dhe Korçë. Për t’iu përgjigjur dëmeve, qeveria ka akorduar një fond prej 50 milionë euro për t’u ardhur në ndihmë familjeve të dëmtuara.

Vërshimet e ujërave e gjetën Shqipërinë të papërgatitur. Situata e krijuar, gjithashtu nxori në pah problemet e përsëritura me infrastrukturën e kullimit dhe kanalizimeve, argjinaturat e amortizuara dhe mungesën e masave parandaluese.

Nërsa vendi përllogarit dëmet e shkaktuara, ekspertët paralajmëruan se fenomene të tilla pritet të bëhen më të shpeshta dhe më të forta në kushtet e ndryshimeve klimatike.

“Fenomenet e motit kanë qenë dhe do të jenë të pranishme,” tha Kristi Bashmili, ekspert mjedisor me Organizatën Shqiptare të Ornitologjisë. “Fatkeqësisht reagimi ndaj këtyre fenomeneve, përballimi me sa më pak kosto i ngjarjeve të tilla apo fatkeqësive natyrore duket i dobët,” shtoi ai.

Sipas Bankës Botërore, rajoni i Ballkanit Perëndimor është një nga zonat më të prekura të Europës nga ndryshimet klimatike. Ndryshimi i klimës po sjell fenomen ekstreme të motit dhe si pasojë përmbytjet, zjarret, thatësirën dhe dukuri të tjera negative. Shqipëria konsiderohet si një nga vendet e rrezikuara.

Gjatë viteve të fundit, thatësirat e zgjatura, të ndjekura nga reshje intensive, po shkaktojnë përmbytje, rrëshqitje dherash dhe probleme serioze në bujqësi dhe infrastrukturë.

“Këtë herë fati nuk na ndihmoi, dhe ne pamë përmbytje masive të shkaktuara jo vetëm nga prurjet e lumenjve, por nga mosmirëmbajtja e argjinaturave dhe kanaleve të kullimit,” tha Besjana Guri, aktiviste mjedisore dhe drejtuese e qendrës mjedisore “LUMI”.

Sipas Gurit, një tjetër shkak për përmbytjet masive është edhe niveli i lartë i erozionit që ka Shqipëria.

“Një nga shkaktarët kryesorë të vërshimeve është erozioni i lartë dhe humbja e pyjeve në shpatet malore apo në zonat breglumore,” tha ajo. “Nga ana tjetër, gërryerja e shtratit të lumenjve dhe marrja e inerteve pa kriter vetëm sa e përkeqëson situatën dhe nxit edhe më tepër vërshimet,” shtoi Guri.

Sipas Kristi Bashmilit, edhe kanalet kulluese ishin të pakontrolluara dhe të papastruara, çka solli që vendi të përmbytej me reshje që mund të konsiderohen relativisht normale.

“Ngjarjet e fundit treguan që jemi të papërgatitur mirë dhe që nuk i kemi marrë aq seriozisht sa duhet fatkeqësitë natyrore,” tha ai.

“Dikush tha që kanalet janë të zëna nga mbetjet, diku u pa që ishin të zëna nga pllaka betoni, diku pamë ura mjaft të ulëta për të maksimizuar kalimin e ujit, pra në Shqipëri shikojmë që kemi mungesë të theksuar të kontrollit paraprak të strukturave kulluese,” shtoi eksperti i mjedisit.

Bashmili theksoi se shpyllëzimet dhe djegiet e kryera ndër vite në zonat kodrinore dhe malore po japin pasojat e tyre nëpërmjet fenomeneve të përmbytjeve në zonën e ultësirës.

“Përrenjtë malorë të padisiplinuar ne i shikojmë kudo dhe kujtohemi për to vetëm kur uji ka ardhur dhe është vështirë të menaxhohen sepse kanë fuqi të jashtëzakonshme kur dalin në zonë të banuar,” shpjegoi Bashmili për BIRN.

Keqmenaxhimi i territorit është një tjetër shkak parësor që ndikon në pasojat fatale të fatkeqësive natyrore. Sipas Besjana Gurit, ndërtimi pa kriter në zona pranë shtretërve të lumenjve ndikon seriozisht në rritjen e dëmeve sociale, mjedisore dhe ekonomike të fatkeqësive natyrore.

“Ndërtimi i bizneseve apo shtëpive që janë ngritur në shtretërit aktivë të lumenjve dhe janë të predispozuar të përmbyten sjell kosto të mëdha për komunitetin,” tha ajo.

Sipas ekspertëve të mjedisit, përmbytjet e janarit nuk janë vetëm fatkeqësi natyrore, siç është munduar t’i paraqesë qeveria, por tregues i qartë i mungesës së masave parandaluese.

“Institucionet qendrore duhet të ndërmarrin hapa konkretë dhe urgjentë për të minimizuar në maksimum katastrofa të tilla, duke e marrë seriozisht çështjen e ripyllëzimeve dhe masave të shpejta të parandalimit dhe monitorimit të situatës,” tha Guri.

Ajo shtoi se gjithashtu shteti shqiptar duhet të vendosë në prioritetet e tij ndërmarrjen e masave për parandalimin e përmbytjeve në zonat e riskut, duke ndërmarrë paralelisht masat e ripyllëzimit dhe mirëmbajtjen e kanaleve të kullimit./BIRN

Ëndrra amerikane në pritje: Mijëra shqiptarë të prekur nga pezullimi i vizave të emigrimit

Mijëra persona që duan të emigrojnë në SHBA, po përballen me pasiguri pas një vendimi të administratës amerikane.

 

Doruntina Baftiu

E hënë, 4 prill 2022. Me valixhe në duar, çantë në krahë dhe shumë ëndrra në mendje e zemër, Artina – emër i vendosur nga redaksia e Radios Evropa e Lirë për ta ruajtur anonimitetin e së intervistuarës – u nis drejt SHBA-së.

Në maj të vitit paraprak, ajo ishte përzgjedhur fituese e asaj që njihej si ‘llotaria e Kartës së Gjelbër’, por që në të vërtetë quhet Programi i Vizave të Diversitetit.

Ky program ofron mundësi jetese në SHBA për banorët e shteteve që kanë përqindje të ulët emigrimi drejt SHBA-së.

Sipas ueb-faqes së Departamentit amerikan të Shtetit, SHBA-ja ka pranuar deri në 55 mijë persona në vit, të përzgjedhur në mënyrë të rastësishme, si pjesë e këtij programi.

Ky program nuk është prekur nga vendimi i 14 janarit për pezullimin e shqyrtimit të vizave të migrimit nga 75 vende, pasi që nuk hyn në mesin e vizave të emigrimit – është program i veçantë.

Megjithatë, ai është pauzuar për një kohë të pacaktuar nga një vendim paraprak, i dhjetorit të vitit të kaluar.

Artina ishte nxitur të aplikonte nga partneri i saj. Ky i fundit kishte 12 vjet rresht që aplikonte, pasi të ardhmen e tij s’e shihte askund tjetër përveç në SHBA.

Por, fati deshi që Artina të ishte ajo që ta fitonte mundësinë për të emigruar në SHBA. Që atëherë, zemra e saj ishte e dyzuar mes dy shtëpive: të sajën në SHBA dhe asaj pranë partnerit në Shqipëri.

Qysh në gusht të vitit 2022 ata nisën procesin për bashkim familjar. Të bashkuar i mbanin vetëm vizitat e herëpashershme të Artinës në vendlindje.

Kjo distancë iu bë edhe më e vështirë kur ajo mori vesh se ishte shtatzënë.

“Çdo gjë e kam përballuar vetë. Gjatë kësaj periudhe bëja udhëtime pafund drejt Shqipërisë, sepse duhet të ruaja edhe martesën, por edhe vajza të kalonte kohë me babanë… Me shpresën se do të bashkohemi shpejt…”, thotë ajo për Radion Evropa e Lirë.

E vetme në SHBA, pa familjarë e shoqëri përreth, Artina tregon se ka punuar deri në muajin e fundit të shtatzënisë, ndërsa edhe muajt e parë të mëmësisë u detyrua t’i kalonte e vetme.

Tani, ajo më shumë ankohet për “lodhjen mendore” sesa atë fizike.

“Qenka e shëmtuar ndjesia kur e fut jetën tënde në një valixhe, largohesh me ëndrra, punon, sakrifikon që ta bashkosh familjen atje ku po e ndërton jetën nga e para dhe dëgjon se, fiks kur ti arrin afër fundit të sfidës…”, lë në gjysmë fjalinë Artina.

E, pikërisht kur procesi i bashkimit të tyre familjar po i afrohej fundit, SHBA-ja vendosi ta pezullonte përkohësisht lëshimin e vizave të emigrimit nga 75 vende të botës, përfshirë Kosovën dhe Shqipërinë.

Ky vendim erdhi pasi presidenti i SHBA-së, Donald Trump, tha se të huajt që emigrojnë në SHBA, duhet ta mbajnë veten me punë dhe jo të bëhen barrë e shtetit.

Sipas një fotografie të publikuar nga ai, rreth 41 për qind e migrantëve nga Shqipëria marrin ndihma sociale në SHBA, ndërsa nga Kosova përqindja ishte edhe më e lartë: 46.

“Nga i thati digjet edhe i njomi”, thotë Artina, duke shtuar se ajo ka qenë një qytetare e përkushtuar e punëtore, që s’ka tentuar thjesht të përfitojë nga shteti amerikan.

Por, tani kur të gjitha proceset e vizave të emigrimit janë pezulluar, ajo do të duhet sërish ta bëjë pa partnerin e jetës rrugën drejt SHBA-së. Këtë herë, edhe me një vajzë 2 vjeçe në krahë.

Në gjendje të ngjashme janë mijëra banorë në Kosovë e Shqipëri. Disa nga ta, të kontaktuar nga Radio Evropa e Lirë, kanë hezituar t’i ndajnë historitë e tyre, nga frika se kjo mund t’i dëmtojë gjasat e tyre për emigrim në SHBA.

Vitin e kaluar, rreth 3.800 shtetas të Shqipërisë fituan viza të emigrimit drejt SHBA-së, si dhe rreth 650 të tjerë nga Kosova.

Artid Hila nga Shqipëria, i cili punon si konsulent për ndjekje të procedurave të emigracionit dhe vizave të tjera, ka vite që udhëheq edhe një grup në Facebook, ku ndihmon të interesuarit për emigracion në SHBA.

Ai thotë se është shqetësuar, por jo befasuar nga vendimi i 14 janarit i SHBA-së.

“Shqetësimi kryesor që dëgjoj çdo ditë, lidhet me pasigurinë totale që ka krijuar pezullimi i përpunimit të vizave të emigracionit. Aplikantët kanë frikë se po ecin përpara me të gjithë hapat e kërkuar nga Departamenti i Shtetit, ndërkohë që ekziston rreziku real që viti fiskal të përfundojë pa u lëshuar vizat”, thotë Hila për REL-in.

Ai tregon se procesi nuk është i thjeshtë: duhet plotësim i disa formularëve, ekzaminime mjekësore, përgatitje e dokumenteve dhe pagesë e tarifave.

“Shumë aplikantë kanë investuar vite pritjeje [në rastet e bashkimeve familjare], qindra apo mijëra dollarë në dokumente, përkthime, kontrolle mjekësore, udhëtime për intervista dhe plane konkrete jetese”, thotë Hila.

Tani, shton ai, ata po përballen me informacione gjysmake dhe shumë lajme të pasakta e të ekzagjeruara, pasi që nuk dihet se deri kur do të zgjasë pezullimi.

Situata të ngjashme, sipas Hilës, ka pasur edhe në të kaluarën, si gjatë pandemisë COVID-19. Por, të ngjashme s’do të thotë identike.

“Dallimi kryesor me situatën aktuale është se sot aplikantët lejohen t’i ndjekin të gjithë hapat proceduralë dhe t’i paguajnë tarifat, por në fund rrezikojnë të mbeten pa vizë, vetëm për shkak të mbylljes së vitit fiskal – një situatë që juridikisht është shumë problematike”, shpjegon Hila.

Ai shton se në shqetësimin e aplikantëve ndikon edhe një vendim tjetër. Në dhjetor të vitit të kaluar, SHBA-ja pauzoi për kohë të pacaktuar Programin e Vizave të Diversitetit, deri kur “ta dimë se kë saktësisht po e lëmë të hyjë në vendin tonë”, siç kishte thënë sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio.

Edhe nga ky program kanë fituar shumë shtetas të Kosovës e Shqipërisë ndër vite. Sipas të dhënave të Departamentit amerikan të Shtetit, në mesin e listës së fundit të përfituesve të këtij programi ishin edhe 1.598 shtetas të Shqipërisë dhe 260 shtetas të Kosovës.

Si fituese e para disa viteve, Artina kishte ndërtuar shumë ëndrra. Por, tani ka shumë pasiguri.

“Po më duket sikur këta katër vjet po fshihen nga jeta sikur të mos ishin asgjë”, thotë ajo, e shqetësuar se ndoshta opsioni i saj i vetëm do të mbetet heqja dorë nga ëndrra amerikane.

Regjisori Mevlan Shanaj Edi Ramës: “Më parë shkarko qeverinë që është bërë shumë pis – Më parë kërkoni dorëheqjen e stafit tuaj se sa mbylljen e Televizionit Publik

Ka shkaktuar reagime një deklaratë e kryeministrit Edi Rama që në një mbledhje me grupin parlamentar u shpreh në favor të mbylljes së Radiotelevizionit Publik Shqiptar. Rama tha se RTSH është i mbytur në borxhe dhe se reforma ka dështuar.

Një reagim ka bërë regjisori Mevlan Shanaj  në rrjet që Voal.ch po e boton si më poshtë:

“Më parë shkarko qeverinë që është bërë shumë pis. Të dorëzohesh z. Kryeministër duke e braktisur RTSH do të thotë të mos kërkosh t’i bashkohesh Europës. Nuk ka shtet në Europë pa Televizion Publik. Më parë kërkoni dorëheqjen e stafit tuaj se sa mbylljen e Televizionit Publik.

Duhet të dini bashkë me ata që ju bëjnë fresk se Televizioni Shqiptar u krijua nga hiçi dhe u bë universiteti i dijes së shqiptareve edhe pse ishte nën komandën e politikës. Fjala dorëzim është një miklim për artistin Edi Rama. Në Europë do t’u mbyllet dera me këtë mendësi” – shkruan Shanaj.

Edi Rama godet RTSH-në: Duhet të mbyllet!

‘Shërbimi më mizerabël në glob’ – Rama godet RTSH-në: Duhet të mbyllet

Kryeministri Edi Rama ka shfaqur pakënaqësinë e tij në lidhje me mënyrën se si po menaxhohet RTSH dhe ka paralajmëruar, mbylljen e Radio Televizionit Shqiptar (RTSH).

Gjatë fjalës së tij në mbledhjen e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Rama kërkoi mbylljen totale të Televizionit Shqiptar për një afat të papërcaktuar, deri sa të arrihet sipas tij një reformim total.

Sipas Ramës të gjitha opsionet janë në tavolinë për RTSH-në, nga mbyllja te partneriteti publik dhe privatizimi.

” E vërteta historike është se kemi tentuar të krijojmë kushtet që televizioni publik të reformohet, por kemi dështuar. Deri tani bilanci i tij është një “dështim i suksesshëm”, dmth nga borxhi në borxh, në mosperfillje. Nuk e kemi një televizion publik në Shqipëri; hera e fundit kur e kam parë ka qenë në vitin 1990, para përmbysjes së sistemit. Kam shkuar i ftuar, por nuk kam parë as veten, janë të vetmet intervista dhe nuk kam marrë asnjë mesazh. U kam thënë: mbylleni. S’kemi për të dhënë asnjë lek nga taksat e shqiptarëve, deri kur t’i meritojë. Çdo opsion duhet të jetë në tryezë, edhe mbyllja përfundimtare, edhe privatizimi, edhe partneriteti, edhe çdo gjë përveç kësaj që është”,- ka deklaruar Rama.

 

Asnjë qindarkë pas daljes nga burgu: Pse investigimi duhet të fshijë çdo pasuri të zyrtarëve, kontraktorëve dhe familjarëve deri në rrënjë

Nga Boldnews.al

Në realitetin tonë ballkanik, jemi mësuar që burgun ta shohim shpesh si një lloj “kosto biznesi” të llogaritur mirë. Për një zyrtar që ka shitur firmën e tij apo një biznesmen që ka gllabëruar miliona përmes tenderave të fryrë dhe pastrimit të parave të narkotrafikut, qëndrimi disa vite në qeli duket si një sakrificë e vogël. Kjo ndodh sepse, deri më sot, ata e kanë pasur një garanci: perandoria e tyre financiare do t’i priste e paprekur sapo të dilnin. Por kjo epokë e “të burgosurve të pasur” duhet të marrë fund. Eksperienca që transformoi Rumaninë dhe që sot po troket në zyrat e SPAK-ut po dërgon një mesazh që u djeg më shumë se prangat: Drejtësia nuk ka asnjë vlerë nëse i dënuari del nga burgu si milioner.

Kirurgjia financiare e modelit rumun

Nëse duam të kuptojmë se si mposhtet korrupsioni strukturor, duhet të shohim se çfarë bëri DNA (Drejtoria Kombëtare Antikorrupsion) në Rumani. Ata nuk u mjaftuan me statistika arrestimesh. Gjatë dekadës së tyre të artë, prokurorët dënuan mbi 1,000 zyrtarë të lartë – që nga ish-kryeministrat e deri te ministrat dhe kryetarët e bashkive. Por goditja e vërtetë ishte mbi personat juridikë: mbi 1,050 kompani ndërtimi dhe konsulence u fshinë nga harta. Prokurorët aplikuan sekuestron preventive mbi çdo llogari, çdo eskavator dhe çdo impiant asfaltimi, duke konfiskuar mbi 2.3 miliardë euro. Ky nuk ishte thjesht ndëshkim; ishte shpërbërje e mjetit të krimit.

Rënia e të “paprekshmëve”: Historia e falimentimit të detyruar

Historia e korrupsionit rumun ka emra që sot shërbejnë si gërmadha juridike. Gjiganti Romstrade SA, që dikur quhej “Mbretëresha e Asfaltit”, u shpërbë brenda natës kur doli në dritë vjedhja e fondeve të BE-së; pronari Nelu Iordache pa se si llogaritë e tij u ngrinë dhe kompania hyri në falimentim pa asnjë mundësi shpëtimi. I njëjti fat ndoqi edhe Euroconstruct Trading 98 dhe të famshmen Tel Drum SA, kjo e fundit e lidhur me kupolën politike të kohës. Këto nuk ishin thjesht firma, ishin monopole që diktonin jetën publike. Sot, makineritë e tyre janë nën sekuestro totale, duke dëshmuar se asnjë mburojë politike nuk funksionon kur drejtësia godet asetin dhe jo vetëm njeriun.

Investigimi vertikal: Nga zyrtari te nënkontraktori

Një drejtësi që funksionon vërtet duhet të ndjekë paranë në çdo hallkë të zinxhirit. Nuk është vetëm zyrtari që hedh firmën; është kontraktori që merr tenderin dhe, akoma më rëndësishëm, nënkontraktori që fshihet në hije. Aty, në segmentin e nënkontraktimit, ndodh shpesh vjedhja më e madhe përmes faturave fiktive dhe punimeve nën standard. Investigimi i SPAK duhet të jetë vertikal: çdo subjekt që ka shërbyer si “lavatriçe” për paratë e narkotrafikut apo tenderave të fryrë duhet t’i nënshtrohet likuidimit. Nuk mund të ketë imunitet për dikë që fshihet pas zinxhirëve të komplikuar kontraktorë ndërkohë që ka pastruar produktet e krimit.

Goditja e “rrënjës”: Familja dhe emrat hije

Nëse duam që ky proces të jetë i dhimbshëm për të korruptuarit, duhet të godasim trashëgiminë e tyre. Pasuria e vënë me krim rrallë mban emrin e kriminelit; ajo fshihet te bashkëshortet, fëmijët, prindërit apo edhe shoferët e besuar. Konfiskimi i zgjeruar duhet të jetë rregulli ynë i ri. Nëse një pronar firme ndërtimi apo një ish-zyrtar disponon resorte e vila në emër të personave të tretë, dhe këta të fundit nuk provojnë dot burimin e ligjshëm, shteti duhet t’i marrë ato menjëherë. Nuk ka asnjë arsye morale që një familje të jetojë në luks mbi asfaltin e vjedhur që merr jetë njerëzish çdo ditë.

Drejt “vdekjes civile” të korrupsionit

Për t’i dhënë fund riciklimit të këtij sistemi, duhen masa që i nxjerrin lojtarët e pistë jashtë fushe përgjithmonë:

  • Likuidimi i Detyruar: Kompanitë e implikuara duhet të shpërbëhen dhe mjetet e tyre të shiten në ankand publik për të dëmshpërblyer shtetin.
  • Karantina 15-vjeçare: Çdo pronar apo zyrtar i dënuar duhet të ketë një “ndalim fluturimi” në botën e tenderave publikë për të paktën një dekadë e gjysmë. Kjo është e vetmja mënyrë për të parandaluar krijimin e “maskave” të reja dhe për të pastruar tregun nga parazitët.

Shqipëria nuk ka nevojë për më shumë spektakle me pranga që përfundojnë në harresë. Kemi nevojë për një drejtësi që operon me ftohtësi financiare. Vetëm kur makineritë e firmave të korruptuara të sekuestrohen dhe llogaritë e familjarëve të tyre të ngrinë deri në rrënjë, mund të themi se po fitojmë. Drejtësia vërtet përmbushet kur mjeti i krimit – pasuria e vjedhur – asgjësohet dhe kthehet në dobi të publikut

130 milionë euro tendera sekretë, kush është Armand Shara i aferës Durana, në skenë edhe Igli Tafa

Si një prej fijeve kryesore të korrupsionit dhe grupeve kriminale rreth AKSHI-t, emri i tij nuk mund të mungonte kurrsesi në aferën Durana, gjithnjë jo drejtëpërdrejtë, por i kamufluara përmes kompanive të dyshimta dhe ortakëve.

Bëhet fjalë për Armand Shara, anëtar i bandës së Ermal Beqirit, Geron Meçes, Gëzim Hoxhës etj., që kanë zhvatur përmes tenderave korruptivë/sekretë të AKSHI-t qindra milionë euro para publike, duke i ndarë sipas roleve, pastruar më pas në pasuri të paluajtshme dhe investuar në luks deri tek jahtet.

Përfitues i mbi 130 milionë euro para publike, 55-vjeçari Armand Shara, sot dora e Ermal Beqirit në AKSH, është pronar i kompanisë TAG Engineering shpk, me objekt konsulencë në menaxhim dhe administrim biznesi, shërbime dhe zhvillime të programeve të teknologjisë informative, ndërtim etj.

Krahas pastrimit të parave të grupeve kriminale në ndërtim dhe shit-blerje të pasurive të paluajtshme, Armand Shara, përmes kompanisë TAG Engineering, kontrollon një kartel kompanish me aktivitet nga tenderat korruptivë të AKSH-it tek investimi në pasuri të paluajtshme.

Me anë të kompanisë kryesore TAG Engineering, vetë si aksioner dhe prestanomes Bledar Dhima, Armand Shara kontrollon prej tre vitesh kompaninë INFOSOFT SYSTEMS shpk, simbol i tenderave sekretë dhe korruptivë të AKSH-it, me në krye Mirlinda Kaçanaj, e arrestuar me kërkesë të SPAK-ut.

INFOSOFT SYSTEMS është përfituesja kryesore e skemës së korrupsionit të AKSH-it me tenderat sekretë. Gjatë pesë viteve të fundit, INFOSOFT SYSTEMS ka përfituar mbi 100 milionë euro para publike, përmes tenderave seksretë të AKSHI-t, me fond limit të fryrë deri në shtatëfish, me pazar në tavolinë, me oferta fituese sa fondi limit, në disa raste me dokumente false, por gjithnjë duke mashtruar me zbatimin e kontratave në funksion të skemës së korrupsionit.

Pjesë e kartelit të kompanive të Armand Sharës janë edhe ikubINFO, ikubINFO International, InfoSoft Business Solutions dhe iNext e aferës Durana. Përmes kompanisë, Ikubinfo shpk, gjatë viteve të fundit Armand Shara ka përlarë mbi 30 milionë euro tendera sekretë dhe me pazar në tavolinë nga AKSHI. Paratë më pas kanë devijuar në kompani të tjera, duke u ndarë në të njëjtët xhepa.

Edhe përmes kompanisë InfoSoft Business Solutions, Armand Sharra ka nisur të marrë tendera sekretë dhe me pazar në tavolinë nga AKSHI, me fond limit të fryrë dhe çmime arbitrate. Duket e çuditshme se si SPAK-u i ka shpëtuar deri më tani Armand Shara dhe hajduti epik, Geron Meçe, të cilin e mori peng vetë banda pas prishjesh në pazare.

Në korrik të vitit 2025, Armand Shara ka themeluar kompaninë sistemeve software iNext shpk, përmes kompanisë TAG Engineering dhe ortakut Bledar Dhima. Kompani i ka zyrat në Tiranë në ambientet e kompanisë TAG Engineering, por është regjistruar fiktivisht në parkun imagjinar Durana të Elira Kokonën në Xhafzotaj të Durrësit.

Kompania iNext shpk e Armand Sharës është pjesë e shoqatës me natyrë kriminale të Ermal Beqirit, në kërkim nga SPAK për grup kriminal, korrupsion dhe pastrim parash. Anëtarët e drupit kriminal kanë transkasione me njëri-tjetrin si dhe janë kordinuar në manipulimin e procedurave tenderuese me anë të rrjetit të kompanive që kontrollojnë.

Gëzim Hoxha, i goditur nga SPAK, bashkë me hajdutin epik Geron Meçe, prestanome i Armand Frangut (baxhanak i Edi Ramës), ‘ustai’ Ermal Beqiri dhe Armand Shara, janë pjesë e të njëjtit grup kriminal të AKSHI-t, duke zhvatur qindra milionë euro para publike përmes tendera sekretë dhe korruptivë, me anë të një rrjeti kompanish, siç edhe tregohet pjesërisht nga dosja e SPAK-ut.

(Ermal Beqiri, Armand Frangu dhe Geron Meçe)

Anëtarët e këtij grupi kriminal, të goditur pjesërisht nga SPAK-u, kanë transaksione me njëri-tjetrin si dhe janë koordinuar në manipulimin e procedurave tenderuese përmes rrjetit të kompanive që kontrollojnë.

Ndërkaq, AKSHI është institucioni kryesor publik i gjenerimit të skemës korruptive më masive gjatë dekadave të fundit, por nuk është i vetmi. Skema e korrupsionit ushqehet edhe nga një institucion tjetër, i cili çuditërisht ende nuk është goditur nga SPAK-u dhe ka mbetur jashtë vëmendjes mediatike. Bëhet fjalë për Autoritetin Kombëtar për Sigurinë Kibernetike (AKSK), me në krye Igli Tafa, për bëmat e të cilit do të flasim në vijim pasi faktet tregojnë se nuk është më i pafajshëm se Mirlinda Kaçanaj./

“Liria e fjalës në Evropë po gërryhet”- Ambasada e SHBA në Tiranë publikon deklaratën e Sekretarit Rubio: Aleancat me partnerët tanë janë ndërtuar mbi parimet e përbashkëta

Po ashtu Rubi është shprehur se aleancat me partnerët europianë janë ndërtuar mbi parimet dhe vlerat e përbashkëta dhe një prej tyre është edhe liria e fjalës.

“Aleancat tona me partnerët tanë europianë janë ndërtuar mbi parimet tona të përbashkëta, vlerat tona të përbashkëta… Një nga këto vlera dhe parime, shpresojmë, është liria dhe liria e shprehjes”, ka thënë Sekretari Rubio.

Screenshot_1

U bënë 14 vite që nga 2012 që presim nisjen e ndërtimit të Kampusit të UT Nga Prof. Asoc. Dr. Majlinda F.Keta

Të gjithë trenat nisen nga Tirana

Këtu nisi dhe Preludi i Demokracisë….

…….
22 mijë studentë të
Universitetit të Tiranës dhe
740 pedagogë tё fakulteteve
të tij janë pothuaj sa shumë qytete të shpopulluara në
Shqipëri.
Këtij komuniteti pronën publike nën administrimin e Universitetit të Tiranës ja kanë borxh t’ja mbrojnë dhe t’i kërkojnë zhvillimin e saj në
dobi të universitetit cilësor çdo shqiptar, kudo ku është sot.
U bënë 14 vite qè nga 2012 që presim nisjen e ndërtimit të Kampusit të UT.
Qeveria pas 2013 për përmbarim të projektit ja kaloi Bashkisë së Tiranës, që vit pas viti as një tullë nuk vuri…. përkundrazi në pronë të UT filloi ndërtesa për Kolegjin e Evropës…. Heshti Senati i UT, heshti Rektori i UT, Bordi i Administrimit, Konferenca e Rektorëve…..
Por nuk do të heshtë Drejtësia….kam besim.
Unë besoj se 2026 do ta zgjidhë këtë histori përrallë dhe turp për Kampusin e Ri UT.
E kuptoj që Durrësi është në
zemrën e Kryeministrit për
zhvillim strategjik dhe Universiteti atje eshtë i
rëndësishëm dhe shumë mirë bën që i mbështet për Kampusin e ri .
Veç nuk kuptoj pse nuk po i rikthehet atij të UT -ës në Tiranë??!!
Besoj se e ka kuptuar që delegimi drejt Bashkisë Tiranë ishte gabim…..
Çdo Kampus Universitar është i mirëpritur POR Kampusi iUT eshtë përfaqësuesi i historisë zyrtare të universiteteve dhe akademizmit panshqiptar, ka mbetur i pari i besuar nga të rinjtë shqiptarë për studimet universitare, i pari i rankuar në çdo rankim ndërkombëtar mes universiteteve shqiptare PO aq sa shkruesi historik i nisjes së revoltës popullore në 1990 për “ Shqipërinë si gjithë Evropa”.
Jam e bindur që qysh NESER, pas Tryezës së sotme të KM me rektorë, tryezë me jo pak teza surprizante dhe ku heshtja e dëgjuesve ishte “ astronomike”, Qeveria do ja rimarrë Bashkisë Tiranë përgjegjësinë e ndërtimit të Kampusit të UT.
Gabimi i bërë do ndreqet se edhe treni linjën e ka me fillesë të deklaruar , Tiranë – Durrës ….
Unë e kënaqur do jem që edhe të ecin paralel dy Kampuset. Të një misioni janë ….
Veç nuk duhet harruar pas 35 viteve se historia e demokracisë filloi këtu nga Tirana, nga Universiteti i Tiranës që i ka ardhur koha të rikthehet në një të vetëm bashkë me Politeknikun dhe Mjekësisë.
Po rrudhemi aq shumë sa nuk na shkon në asnjë aspekt hallakatja administrative dhe menaxheriale.
…..
Kampusi i Ri i Universitetit të Tiranës do përbashkojë shumë ideale ashtu si Qyteti Studenti mbi të cilin do jetë përbashkoi idealet e evropianizimit, qytetarisë dhe progresit socio politik të vendit.
Historia i ka të përcaktuara faltoret e veta, nuk i ndrron dot askush!

Pezullimet e vizave në SHBA- DW: Çfarë duhet të dini

SHBA- Aplikimet për viza për qëndrim të përhershëm në SHBA nga 75 vende anembanë globit do të pezullohen më 21 janar, pas një njoftimi nga administrata e Donald Trump  të mërkurën.

DW, shkruan se, midis të prekurve janë vende në Afrikë, Azi, Amerikën Latine, Lindjen e Mesme dhe Evropë. Këto përfshijnë Brazilin, Pakistanin, Nigerinë, Tajlandën, Shqipërinë, Rusinë, Uruguain dhe Egjiptin.

Informimi nga administrata Trump është se e gjitha kjo ka të bëjë me lehtësimin e asaj që ajo e konsideron një barrë të mirëqenies për SHBA-në nga emigrantët.

“Presidenti Trump e ka bërë të qartë se emigrantët duhet të jenë të vetëmjaftueshëm financiarisht dhe të mos jenë një barrë financiare për amerikanët”, thuhet në një deklaratë nga Departamenti i Shtetit i SHBA-së , i cili vazhdonte duke pohuar se politika është hartuar për të siguruar që “emigrantët nga këto vende me rrezik të lartë të mos përdorin ndihmën sociale në Shtetet e Bashkuara ose të mos bëhen barrë publike”.

Çfarë do të thotë pezullimi i vizave?

Pezullimi lidhet me përpunimin e aplikimeve për vizë nga persona me origjinë nga vendet përkatëse që duan të jetojnë përgjithmonë në SHBA. Teknikisht, aplikimet mund të bëhen ende dhe intervistat dhe takimet mund të caktohen ende, por ato nuk do të përparojnë deri në pikën ku lëshohen vizat.

Vizat aktuale të dhëna shtetasve të vendeve të prekura do të mbeten të vlefshme. Departamenti i Shtetit, ose DOS, thotë se përjashtimi i vetëm nga pezullimi vjen për shtetas të dyfishtë që aplikojnë me një pasaportë të vlefshme të një vendi që nuk është në listë. Kohëzgjatja e pezullimit është e panjohur dhe ka frikë se mund të jetë e pacaktuar.

Pse është vendosur pezullimi i vizave?

Qeveria amerikane argumenton se kjo do të thotë një faturë më e ulët e mirëqenies për amerikanët, sepse emigrantët “nxjerin pasuri nga populli amerikan”, sipas një deklarate tjetër të Departamentit të Shtetit.

Në fakt, SHBA-të tashmë kanë rregulla që mund t’i përdorin për të ndaluar emigrantët që mund të bëhen të varur nga shteti nëse shpërngulen në Amerikë. Ky rregull ka të bëjë me bazën ose arsyen e “barrës publike” për papranueshmëri. Nëse një migranti mund t’i mohohet hyrja bazuar në rregullin e “barrës publike” vlerësohet rast pas rasti nga zyrtarët e imigracionit. Por ka një numër të kufizuar arsyesh pse rregulli i “barrës publike” të hyjë në fuqi dhe të parandalojë imigracionin.

“Shumë programe nuk ngrenë shqetësime për barrë publike, duke përfshirë programet e kujdesit shëndetësor si Medicaid dhe kujdesi për COVID-19, programet e strehimit, të ushqyerit dhe shumë shërbime të tjera jetësore”, thotë Qendra e Burimeve Ligjore për Imigrantët me seli në SHBA. “Vetëm aplikantët që konsiderohen të prirur të bëhen kryesisht të varur nga ndihma monetare për mirëmbajtjen e të ardhurave ose kujdesin afatgjatë me shpenzime qeveritare mund të refuzohen për barrë publike”, shpjegon organizata .

Gjatë mandatit të parë të Trump, administrata e tij u përpoq ta zgjeronte fushëveprimin e këtij rregulli për të përfshirë më shumë faktorë dhe programe, por ndryshimet e propozuara prej tij u rrëzuan nga administrata e Joe Biden në vitin 2022.

Ndryshimi i rregullave
Pra, për momentin rregulli i vitit 2022 është ende në fuqi. Por nëntorin e kaluar, Departamenti i Sigurisë Kombëtare i SHBA-së, ose DHS, propozoi përsëri ndryshime dhe ka të ngjarë të pezullojë rregullat e vitit 2022 mbi “barrën publike” deri në fund të janarit. Në argumentin e tyre për bërjen e këtyre ndryshimeve , DHS tha se rregullat e vitit 2022 i kufizonin shumë zyrtarët e imigracionit në vlerësimin nëse një migrant do të bëhej barrë për shtetin, sepse zyrtarëve u lejohej ta gjykonin këtë vetëm bazuar në faktorë të kufizuar.

Si tjetër po e kufizon administrata e Trumpit imigracionin?
Viti i parë i mandatit të dytë të Trump në detyrë ka parë një fokus të madh në kufizimin e imigracionit. Në qershor, një ndalim i plotë udhëtimi u vendos në 12 vende. Ky ndalim u zgjerua më pas, së fundmi në dhjetor, në  39 vende me ndalime të plota ose të pjesshme udhëtimi. Shumica e këtyre janë në Afrikë, me disa në Amerikën Latine dhe Azi. Shtëpia e Bardhë përmendi mungesën e të dhënave të besueshme, shqetësimet për tejkalimin e afatit të qëndrimit dhe nevojën për të “zbatuar ligjet tona të imigracionit” kur njoftoi zgjatjen.

Administrata e Trump ka vendosur gjithashtu kufirin më të ulët të pranimit të refugjatëve në historinë e SHBA-së: vetëm 7,500 refugjatë për vitin 2026, krahasuar me kufirin prej 125,000 të vendosur nga paraardhësi i Trump, Biden. Qeveria aktuale është përpjekur gjithashtu të kufizojë migrimin e personave të kualifikuar duke  rritur tarifat për vizat H-1B – të përdorura nga kompanitë amerikane për të punësuar punëtorë të huaj për një periudhë të caktuar kohore – në një minimum prej 100,000 dollarësh (86,000 euro).

Përdorimi i një numri gjithnjë e në rritje të agjentëve të Imigracionit dhe Doganave, ose ICE, ka qenë gjithashtu kyç në nxitjen e rënies së imigracionit. DHS, nën të cilën vepron ICE, thotë se deportoi 605,000 njerëz në vitin 2025, ndërsa 1.9 milion njerëz të tjerë u larguan me dëshirën e tyre.

Edhe udhëtarët nga vendet që nuk janë në asnjërën nga listat e ndryshme të kufizuara mund të  përballen me kontrolle për aktivitetin e tyre në mediat sociale nëse miratohet një propozim i qeverisë amerikane i bërë në dhjetor. Kontrollet mund të zbatohen së shpejti për qytetarët e 42 vendeve që tradicionalisht kanë qenë në gjendje të aplikojnë për udhëtim pa viza në SHBA. Këto përfshijnë Australinë, Francën, Gjermaninë, Japoninë dhe Mbretërinë e Bashkuar. Ndonëse nuk lidhet drejtpërdrejt me imigracionin, kjo është një provë e mëtejshme e shkallës në të cilën SHBA-të po bëhen armiqësore ndaj të huajve.

A do të ndikojë kjo në Kupën e Botës apo në planet e pushimeve në SHBA?
Pezullimi i fundit nuk do të ndikojë drejtpërdrejt te tifozët që përpiqen të vizitojnë Kupën e Botës në futboll , e cila do të mbahet kryesisht në SHBA në qershor dhe korrik. As nuk do të ndikojë te pushuesit apo te kushdo që kërkon një qëndrim të shkurtër me vizë turistike.

Megjithatë, tifozët e futbollit nuk do të jenë në gjendje të udhëtojnë nga Haiti dhe Irani për të mbështetur ekipin e tyre. Ato vende, të cilat janë kualifikuar për turneun, janë në listën e ndalimeve të udhëtimit, ndërsa ato nga vendet e tjera kualifikuese, Senegali dhe Bregu i Fildishtë, përballen me kufizime të konsiderueshme si rezultat i ndalimit të tyre të pjesshëm të udhëtimit./DW

Kë e prek pezullimi i vizave të emigrimit për në SHBA?

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, e ka bërë të qartë se të huajt që emigrojnë në SHBA duhet ta mbajnë veten me punë, dhe jo të bëhen barrë e shtetit.

Prandaj, të mërkurën e 14 janarit vendosi ta pezullojë përkohësisht lëshimin e vizave të emigrimit nga 75 vende të botës, përfshirë Kosovën.

Tani, Departamenti amerikan i Shtetit po e bën rishikimin e plotë të të gjitha politikave, rregulloreve dhe udhëzimeve, për t’u siguruar që emigrantët nga këto shtete – që autoritetet amerikane i cilësojnë si vende me rrezik të lartë – të mos i shfrytëzojnë ndihmat sociale të shtetit amerikan dhe të mos bëhen barrë e parasë publike.

Pezullimi i vizave të emigrimit: Kush preket nga vendimi i Trumpit?

Vendimi, i cili prek edhe kosovarët që duan të aplikojnë për vizë emigrantësh, do të hyjë në fuqi më 21 janar 2026.

Më poshtë mund të lexoni krejt çfarë duhet të dini për këtë çështje.

Çfarë është viza e emigrimit?

Viza e emigrimit është vizë që ia mundëson një shtetasi të huaj të hyjë në Shtetet e Bashkuara, me qëllim që të jetojë atje përjetë. Pra, në thelb, kjo vizë është bileta që ia mundëson përfituesit të bëhet ligjërisht banor i përhershëm në SHBA.

Pas hyrjes në SHBA, poseduesit të vizës i lëshohet ajo që njihet si “Green Card”, që shërben si dëshmi se mbajtësi i saj është banor i përhershëm i ligjshëm.

Sigurimi social i Amerikës dhe Green Card, pranë një flamuri amerikan.
Sigurimi social i Amerikës dhe Green Card, pranë një flamuri amerikan.

Kjo vizë u lëshohet atyre që duan të zhvendosen përherë në SHBA, në vend se ta vizitojnë përkohësisht për turizëm, studime ose punë.

Pasi i pranohet viza, personi zakonisht fiton të drejtën për të jetuar përherë në SHBA, për të punuar pa kufizime, dhe përfundimisht për të aplikuar për shtetësi amerikane.

A lejohet aplikimi për vizën e emigrimit gjatë periudhës së pezullimit?

Po. Shtetasit nga vendet e prekura nga vendimi i Trumpit mund të bëjnë kërkesë për vizë dhe mund të marrin pjesë në intervistë.

Departamenti i Shtetit njoftoi se do të vazhdojë të caktojë terminë për intervista, pavarësisht se gjatë kohës së pezullimit nuk do të lëshojë viza të emigrimit për shtetasit e 75 vendeve të prekura.

Kush nuk preket nga ky pezullim?

Shtetasit me dy shtetësi që aplikojnë me pasaportë të vlefshme të një vendi që nuk është i futur në listën e 75 vendeve të prekura nuk preken nga ky vendim.

Për shembull, nga të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, vetëm Serbia nuk preket nga ky vendim.

Si ndikon pezullimi tek ata që kanë vizë të vlefshme?

Vendimi i Trumpit nuk ndikon tek ata që tashmë kanë vizë të vlefshme të emigrimit. Pra, vendimi nuk kërkon heqjen e vizave të lëshuara paraprakisht.

A vlen vendimi për vizat turistike?

Jo. Ky vendim vlen vetëm për aplikantët për vizë të emigrimit. Vizat turistike nuk janë viza emigrimi, prandaj edhe nuk preken.

Pse e mori Trump këtë vendim?

Presidenti amerikan tha se një përqindje tejet e lartë e të huajve që janë zhvendosur në Shtetet e Bashkuara, përmes vizës së emigrimit, nuk punojnë – por varen nga ndihmat sociale amerikane.

Ai nuk dëshiron që të huajt që synojnë të emigrojnë në Shtetet e Bashkuara të bëhen barrë e parasë publike dhe ndihmave të shtetit.

Për shembull, 46 për qind e shtetasve të Kosovës që kanë shkuar në SHBA përmes vizës së emigrimit marrin ndihma sociale nga Qeveria amerikane, sipas listës së publikuar nga Trump në rrjetet sociale më 4 janar.

SHBA-ja i kishte lëshuar 6.674 viza emigrimi për kosovarët në 10 vjetët e fundit, apo mesatarisht rreth 670 viza në vit, sipas të dhënave të Departamentit të Shtetit.

Radio Evropa e Lirë ka kontaktuar Qeverinë në detyrë të Kosovës për të marrë një koment prej saj për këtë çështje, por deri në momentin e publikimit të këtij teksti nuk ka pranuar një përgjigje.

Butani i prin listës, pasi 81.4 për qind shtetasve të tij që janë zhvendosur në SHBA përmes vizës së emigrimit, jetojnë me ndihma sociale.

Të dhënat zyrtare tregojnë se Shtetet e Bashkuara kishin lëshuar mbi 612.000 viza emigrimi në gjithë botën në vitin 2024, që është më shumë së në vitin paraprak (562.976).

  • 16x9 Image

    Ekrem Idrizi

    Ekrem Idrizi është redaktor i web-it dhe gazetar i Radios Evropa e Lirë në Prishtinë.


Send this to a friend