Për dëshminë e z. Rubin në Gjykatën e Hagës u fol, u shkrua, u debatua dhe u analizua për ditë me radhë në të gjitha mediat shqiptare, veçanërisht në ato të Kosovës. Dëshmia e tij u dëgjua, u kuptua dhe u komentua në mënyra të ndryshme, varësisht nga preferencat ideologjike e partiake.
Prandaj, edhe një analizë e stërzgjatur do të ishte e tepërt. Megjithatë, për hir të aktualitetit dhe interpretimeve kontradiktore, duhet rikujtuar vetëm atë që dëshmuan z. Rubin dhe më pas z. Williamson. Atë që shumë prej nesh e dinim, dhe që të tjerët e kishin në nënvetëdije, por se pranonin hapur që dy dëshmitarët amerikanë e konfirmuan qartë.
SHBA-ja ishte përcaktuar që para fillimit të luftës për formacionin ushtarako-politik në krye me z. Thaçin, duke anashkaluar elitën e LDK-së së udhëhequr nga Rugova. Z. Rubin shpjegoi edhe arsyen pse u bë ky përcaktim; pragmatizmi, gatishmëria për kompromise dhe ambiguiteti statusor i Kosovës, të cilat e bënin Thaçin dhe bashkëpunëtorët e tij më të preferuar sesa Rugova, i cili për një dekadë me radhë këmbëngulte vetëm për pavarësi. Të njëjtën gjë e konfirmoi edhe dëshmitari tjetër amerikan, z. Williamson.
Megjithatë, z. Rubin u tregua disi hipokrit, duke fajësuar indirekt vetem rrymën “pro-serbe” të Holbrok dhe Hill. Ai heshti mbi faktin se pikërisht Holbrooke dhe sidomos Hill ishin ata që gjatë viteve 1998–1999 kishin krijuar afërsi komunikimi e mirëkuptimi me grupacionin e Thaçit në Kosovë dhe në diasporë, duke e izoluar edhe më shumë Rugovën. Ky qëndrim i atëhershëm i Departamentit të Shtetit, përmes ambasadorit Hill, pasqyrohet qartë në komunikimet zyrtare, prononcimet dhe qëndrimet e liderëve të SHBA-së dhe BE-së, si edhe në librin e tij Outpost: Life on the Frontlines of American Diplomacy.
U desh koha e duhur, momenti, fryma e epokës (zeitgeist-i), personazhet, gjenocidi i përsëritur serb,aferat dhe projektimet afatgjata gjeopolitike të SHBA-së të dokumentuara në vulome librash e studimesh, e shumë tjera që ende nuk i dimë, që të ndodhte “mrekullia jonë biblike”,të kthehemi në shtëpitë tona,të çlirohemi nga pushtimi shekullor serb dhe te shpallim Kosovën shtet.