VOAL

VOAL

Patriarku Kiril: Njeriu që bekon raketat e Putinit jeton në luks me një pasuri 4 miliardë euro

May 12, 2022
blank

Komentet

blank

Ushtari rus i akuzuar për krime lufte deklarohet fajtor gjatë seancës gjyqësore në Kiev

RFE/RL

Ushtari i parë rus që po përballet në gjyq ndaj akuzave për krime lufte në Ukrainës, është deklaruar fajtor gjatë seancës së zhvilluar të mërkurën në gjykatën e Kievit. I pyetur gjatë seancës dëgjimore më 18 maj, nëse ishte fajtor për vrasjen e një civili 62-vjeçar ukrainas, i cili po ngiste biçikletën në fshatin Chupakhivka, në rajonin verilindor të Sumy, rreshteri Vadim Shishimarin, u përgjigj: “Po.” Shishimarin, me prejardhje nga rajoni rus i Irkutsk rrezikon burgim të përjetshëm për krimin e kryer.

Vrasja ndodhi vetëm disa ditë pasi Rusia nisi pushtimin e paprovokuar të Ukranës. 21 vjeçari Shishimarin, në anëtar i një njësie tanku, i kapur rob nga forcat ukrainase, pohoi se kishte gjuajtur mbi civilin në një video të postuar nga Shërbimi i Sigurisë së Ukrainës. “Më urdhëruan të gjuaja,” deklaroi Shishimarin, gjatë transmetimit të videos. “Ndaj tij gjuajta vetëm një plumb. Ai ra përtokë dhe ne vazhduam rrugën”.

Muajin e kaluar, prokuroja e Përgjithshme e Ukrainës Iryna Venediktova publikoi emrat e 10 ushtarëve të Brigadës së 64-t të këmbësorisë së forcave ushtarake ruse, duke thënë se ata janë të dyshuar për “krime ndaj civilëve dhe krime të tjera lufte”, duke shtuar se hetuesit ukrainas po vazhdojnë të mbledhin prova dhe se zyra e saj po përgatiste akuza mbi krime të luftës kundër 41 ushtarëve rusë, ku përfshihen edhe bombardimet ndaj infrastrukturës civile, vrasjet e civilëve, përdhunimet dhe plaçkitjet. Nuk është ende e qartë se sa prej të dyshuarve janë në duart e Ukrainës dhe sa mund të gjykohen në mungesë.

blank

Një fregatë ruse merr zjarr në Detin e Zi

Një ose më shumë raketa ukrainase do të kishin goditur fregatën ruse Admiral Makarov

 

VOAL- Një fregatë ruse, Admiral Makarov, është djegur pranë ishullit Snake në Detin e Zi pasi u godit nga një raketë ukrainase Neptun. Kështu deklaroi deputeti i popullit Oleksiy Honcharenko në Telegram, i cituar nga mediat ukrainase. Do të kishte ndodhur një shpërthim në anije, i ndjekur nga një zjarr.

Avionët ushtarakë rusë po fluturojnë mbi atë zonë të Detit të Zi dhe anijet e shpëtimit kanë mbërritur nga Krimea për të ndihmuar fregatën. Sipas të dhënave të përditësuara nga Shtabi i Përgjithshëm i Ukrainës, “rusët kanë humbur një anije”. Një dron zbulues Forte11 gjithashtu do të fluturonte në zonë. Uebsajtet e gjurmimit të anijeve raportuan gjithashtu se Spk-46150, një vinç lundrues rus i përdorur për tërheqjen dhe shpëtimin e anijeve, po largohej nga porti i Sevastopolit për në ishullin e gjarpërinjve.

Por zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, u tha gazetarëve që i kërkuan detaje mbi aferën se ai “nuk kishte një informacion të tillë” në lidhje me admiralin Makarov.

Pas fundosjes dramatike të kryqëzorit Moskva më 14 prill, Kievi do të kishte goditur atë që ishte ndoshta luftanija e dytë më e rëndësishme ruse në Detin e Zi.Nuk dihet ende nëse raketa Neptun e ka nxjerrë përgjithmonë anijen jashtë veprimit Luftën e Moskës.

Admiral Makarov, një anije moderne dhe një pasuri e rëndësishme për përpjekjet luftarake të Moskës, besohej të ishte në bazën detare të Sevastopolit. Nëse fundosja e saj do të konfirmohej ose nëse do të pësonte dëmtime të mjaftueshme për ta lënë jashtë veprimit për një kohë të gjatë, do të ishte një goditje e rëndë për presidentin rus Vladimir Putin. rsi-eb

blank

Një analizë e rrallë e kolonelit në pension në televizionin rus

Nga Steve Rosenberg, BBC

Ishte një program i jashtëzakonshëm televiziv.

’60 Minuta’ është emisioni kryesor politik në televizionin shtetëror rus: diskutimi në studio promovon linjën e Kremlinit në gjithçka, duke përfshirë të ashtuquajturin ‘operacion special ushtarak’ të presidentit Putin në Ukrainë. Kremlini ende deklaron se ofensiva ruse po shkon sipas planit.

Por i ftuari në studio, Mikhail Khodarenok, një analist ushtarak dhe një kolonel në pension, pikturoi një pamje krejt të ndryshme.

Ai paralajmëroi se ‘situata për Rusinë do të përkeqësohet qartë’ pasi Ukraina po merr ndihmë shtesë nga Perëndimi dhe se ‘ushtria ukrainase mund të armatosë një milion njerëz’.

Duke iu referuar ushtarëve ukrainas, ai vuri në dukje se ‘dëshira për të mbrojtur atdheun e tyre është shumë e madhe’.

“Fitorja përfundimtare në fushën e betejës përcaktohet nga morali i lartë i trupave që po derdhin gjak për idealet për të cilat janë gati të luftojnë”.

“Problemi më i madh për situatën politike dhe ushtarake të Rusisë është se ne jemi në izolim total politik dhe e gjithë bota është kundër nesh, edhe nëse ne nuk duam ta pranojmë. Ne duhet ta zgjidhim këtë situatë”.

“Situata nuk mund të konsiderohet normale kur kundër nesh është një koalicion prej 42 shtetesh dhe kur burimet tona ushtarako-politike dhe ushtarako-teknike janë të kufizuara”.

Të ftuarit e tjerë heshtën, edhe prezantuesja Olga Skabayeva, zakonisht e ashpër dhe e zëshme në mbrojtjen e saj ndaj Kremlinit, u shfaq jashtëzakonisht e nënshtruar.

Është e rrallë të dëgjosh analiza të tilla realiste në TV rus. Kremlini e ka bërë të rrugës që të kontrollojë peizazhin mediatik këtu: mbyllja e burimeve të pavarura të lajmeve ruse dhe sigurimi që televizioni- mjeti kryesor në Rusi për formësimin e opinionit publik- është në mesazh.

Por çfarë ndodhi në ’60 minuta’? A ishte kjo një thirrje spontane zgjimi që i rrëshqiti ‘rrjetës’? Ppo ishte planifikuar paraprakisht përgatitjea e rusëve për lajme negative mbi ‘operacionin special ushtarak’?

Është shumë herët për ta thënë. Qëndroni të sintonizuar me televizionin rus për sinjale të mëtejshme.

blank

Pse Rusia humb aq shumë pajisje ushtarake në Ukrainë?

Carlos Coelho

Rusia raportohet të ketë humbur më shumë se 650 tanke dhe rreth 3,000 automjete të tjera të blinduara dhe pajisje të rënda, në luftën e saj në Ukrainë. Ekspertët ua atribuojnë humbjet armëve të avancuara anti-tank që i janë dhënë Ukrainës nga vendet perëndimore, strategjisë së dobët ruse dhe moralit të ulët të ushtarëve rusë.

Ukraina thotë se Rusia ka humbur rreth 1,200 tanke, por kjo shifër nuk është konfirmuar në mënyrë të pavarur. Megjithatë, blogu ushtarak, Oryx, i cili mbledh humbjet e pajisjeve ushtarake ruse në Ukrainë, bazuar në fotografitë e dërguara nga vija e frontit, thotë se Rusia ka humbur 664 tanke deri më 13 maj dhe rreth 3,000 automjete të tjera të blinduara dhe pajisje të rënda.

Pajisjet e braktisura

Nga 664 tanke që Rusia ka humbur në Ukrainë, 283 janë braktisur ose kapur. Sipas analistëve ushtarakë, kjo do të thotë shumë për operacionet: Inteligjenca e dobët ka bërë që oficerët komandues rusë të mos jenë në gjendje t’i planifikojnë siç duhet operacionet e tyre sulmuese. Edhe bërthama e personelit ushtarak përbëhet kryesisht nga rekrutët – rreth 80 për qind – të cilët nuk janë të trajnuar profesionalisht për t’i përdorur pajisjet.

Forcat pushtuese, po ashtu, kanë shpresuar se ukrainasit do t’i presin krahëhapur, gjë që nuk ka ndodhur. Numri i madh i viktimave në ditët dhe javët e para të pushtimit ka ndikuar në moralin e trupave ruse, që shpesh janë arratisur nga pozicionet e tyre, duke i lënë pas pajisjet.

Në fakt, aq shumë pajisje ushtarake ruse janë braktisur, saqë autoritetet ukrainase kanë deklaruar se kushdo që posedon pajisje të tilla, nuk ka nevojë t’i deklarojë ato për qëllime tatimore.

Videot amatore të tankeve ruse dhe automjeteve të tjera të blinduara, që tërhiqen nëpër fusha dhe fshatra nga traktorët ukrainas, janë bërë vazhdimisht virale në mediat sociale.

Automjetet ushtarake janë zakonisht të braktisura, të prishura ose pa karburant. Ato shpesh u dorëzohen forcave të armatosura ukrainase, që luftojnë kundër pushtimit rus.

Pajisjet e shkatërruara

Sa u përket pajisjeve ruse që kanë humbur në luftime, lufta në Ukrainë ka ekspozuar të meta të mëdha në to, si dhe materiale të vjetruara ose me cilësi të ulët.

Frëngjitë e tankeve që janë hedhur në erë, tregojnë një problem dizajni, të njohur si defekti “Jack-in-the-box”. Shumë tanke ruse, përfshirë T-72, i cili është përdorur shumë në pushtimin rus të Ukrainës, kanë një sistem të automatizuar municioni, që njihet si: “mbaj dhe ngarko”. Predhat vendosen në një unazë brenda frëngjisë dhe municionet ruhen nën operatorët e tankeve. Dhe, kur e shtëna e armikut godet një vend të cenueshëm – si p.sh. pjesa e sipërme e tankut, ku armatura është më e hollë – unaza e municionit mund të shpërthejë dhe të fillojë një reaksion zinxhiror, që avullon ekuipazhin dhe shpërthen frëngjinë e tankut.

Strategjia e dobët

Ushtria ruse operon përmes njësive të pavarura luftarake, të njohura si grupe taktike batalionesh, të përbëra nga tanke, këmbësori dhe artileri.

Këto njësi janë krijuar për të sulmuar shpejt dhe përbëhen prej shumë automjetesh të blinduara, por kanë pak këmbësori për të ofruar mbrojtje nëse kolona e blinduar sulmohet.

Njësitë ruse mund të shkaktojnë shumë dëme, por taktikat efektive të Ukrainës, së bashku me armët anti-tank të siguruara nga Perëndimi, i kanë dhënë Rusisë një goditje të madhe.

Armët anti-tank që i janë dhënë Ukrainës nga vendet perëndimore

Shumë tanke ruse janë të pajisura me forca të blinduara reaktive, të dizajnuara për t’i bërë ballë goditjes së raketave. Megjithatë, raketat Javelin, të prodhuara nga SHBA-ja, janë të pajisura me dy koka luftarake: e para e largon armaturën reaktive, ndërsa e dyta depërton në tank.

Armët tjera janë dëshmuar shumë efektive kundër pajisjeve ruse. Droni Bayraktar TB2, prodhim turk, ka aftësi unike për të zbuluar dhe identifikuar objektivat nga një distancë deri në 50 kilometra.

Deri më tani, më shumë se 30 vende kanë ofruar ndihmë financiare dhe ushtarake për Ukrainën. Furnizimet kanë qenë të kufizuara në armë, municione dhe pajisje mbrojtëse, si: sisteme anti-tank dhe anti-ajrore, pasi anëtarët e NATO-s kanë frikë se ofrimi i pajisjeve më të rënda sulmuese, të tilla si avionët luftarakë, mund të çojë në një konflikt të drejtpërdrejtë me Rusinë.

Para pushtimit të Ukrainës, ushtria ruse ka pasur reputacionin e një ushtrie të fortë, efektive dhe teknologjikisht të avancuar. Këtë reputacion e ka arritur kryesisht përmes përfshirjes së saj në luftën e Sirisë.

Por, në këtë teatër të ri të luftës, ushtria ukrainase, edhe pse është më e vogël, ka dëmtuar seriozisht reputacionin e saj.

Përgatitën: Valona Tela dhe Lendi Susuri
blank

McDonald’s largohet nga Rusia

VOAL- Gjigandi amerikan i restoranteve, i cili kishte mbyllur qepenat e tij në Rusi në fillim të prillit, njoftoi sot, të hënën, se do të tërhiqet plotësisht nga vendi dhe do të shesë të gjitha dyqanet pas pushtimit rus të Ukrainës.

“Ne duhet të qëndrojmë të palëkundur kur bëhet fjalë për vlerat tona,” tha menaxheri i përgjithshëm Chris Kempczinski cituar në një deklaratë.

G7, sanksione të tjera në Moskë dhe armë në Kiev

Kompania ka qenë e pranishme në Rusi për tridhjetë vjet me mbi 850 restorante dhe 62,000 punonjës.

McDonald’s njoftoi mbylljen e përkohshme të lokaleve dhe ndërprerjen e aktiviteteve më 8 mars, së bashku me shumëkombëshe të tjera që kishin dashur të distancoheshin nga vendimi i presidentit Vladimir Puti për të pushtuar Ukrainën.

Braktisja përfundimtare do t’i kushtojë grupit, sipas vlerësimeve, midis 1.2 dhe 1.4 miliardë dollarë. Tregu rus deri më tani përfaqësonte rreth 9% të xhiros së kompanisë dhe 3% të fitimit operativ. rsi-eb

blank

A është Putin një Hitler i ditëve të sotme?

Valona Tela

Presidenti rus, Vladimir Putin, shfrytëzon çdo rast për të përsëritur justifikimet e tij të pabaza për pushtimin e të Ukrainës. Ai pretendon rrejshëm se Qeveria demokratike në Kiev udhëhiqet nga neo-nazistët, se pakica rusisht-folëse atje përballet me gjenocid dhe se aleatët perëndimorë të Ukrainës paraqesin kërcënim ekzistencial për Rusinë. Ai, po ashtu, thotë se Ukraina ka planifikuar ta sulmojë Rusinë, gjë të cilën Kievi e mohon kategorikisht.

“Rusia i ka dhënë një goditje parandaluese agresionit. Ka qenë një vendim i detyrueshëm, në kohë dhe i duhur – vendim i një vendi sovran, të fortë dhe të pavarur”, ka thënë Putin më 9 maj.

Në këtë datë, Rusia kujton mposhtjen e Gjermanisë naziste, më 1945. Mbi 27 milionë qytetarë sovjetikë kanë humbur jetën në atë që rusët e quajnë Luftë të Madhe Patriotike. Putin ka thënë se kujtimi për ta nuk venitet kurrë.

Por, pak orë pas fjalimit të tij, sekretari britanik i Mbrojtjes, Ben Wallace, ka thënë se pushtimi i Ukrainës është, në fakt, duke e çnderuar të kaluarën e Rusisë dhe ka akuzuar Putinin për fashizëm.

“Me pushtimin e Ukrainës, Putin dhe rrethi i tij i gjeneralëve pasqyrojnë fashizmin dhe tiraninë e 77 vjetëve më parë, duke përsëritur gabimet e regjimeve totalitare të shekullit të kaluar. Ata po tregojnë të njëjtën mospërfillje për jetën njerëzore, për sovranitetin kombëtar dhe për sistemin ndërkombëtar, të bazuar në rregulla”, ka thënë Wallace.

Kryeministri i Polonisë, Mateusz Morawiecki, ka thënë se Putin është më i rrezikshëm se udhëheqësi nazist, Adolf Hitler, apo diktatori sovjetik, Joseph Stalin. Në një shkrim për gazetën britanike The Telegraph, më 10 maj, Morawiecki ka thënë se “Putin nuk është as Hitler, as Stalin”.

“Fatkeqësisht, është më i rrezikshëm. Ai, jo vetëm që ka në dispozicion armë më vdekjeprurëse, por ka në dorë edhe mediat që përhapin propagandën e tij”, ka thënë Morawiecki.

Ish-drejtori i inteligjencës kombëtare të SHBA-së, James Clapper, ka thënë në një intervistë për rrjetin CNN se Putin “është Hitleri i shekullit 21”. “Ai është brutal, i ftohtë dhe nuk ka respekt për njerëzimin”, ka thënë Clapper.

Në mediat sociale, hashtagu #PutinHitler është trend qëkur Rusia ka nisur pushtimin e fqinjit të saj më 24 shkurt. Ngjashëm edhe karikaturat e Putinit me pamje të Hitlerit.

Hitleri, si udhëheqës i Gjermanisë naziste, ka filluar Luftën e Dytë Botërore në Evropë, duke pushtuar fillimisht Poloninë, në shtator të vitit 1939. Paraprakisht, forcat e tij kanë aneksuar Austrinë dhe Çekosllovakinë e atëhershme.

Putin, para pushtimit të Ukrainës, ka ndërhyrë ushtarakisht në Gjeorgji në vitin 2008 dhe, gjashtë vjet më vonë, ka aneksuar Gadishullin ukrainas të Krimesë. Historianët dhe shkencëtarët politikë janë të ndarë në mendime – nëse Putin është apo jo një Hitler i ditëve të sotme.

Sipas historianit amerikan, Alexander Motyl, një krahasim i tillë nuk mund të mohohet. Ajo që bota sheh sot, kujton, sipas tij, të bëmat e ushtrisë naziste.

“Perëndimi, derisa merret me Putinin, duhet ta kuptojë se ka të bëjë me një Hitler tjetër. Ka të bëjë me një Gjermani tjetër naziste. Ky është një realitet i trishtë. Është po ashtu e trishtë që ne e kemi lejuar Putinin të bëhet kështu. Sepse, me dekada të tëra, Evropa Perëndimore dhe Amerika nuk e kanë vlerësuar plotësisht rrezikun dhe të keqën që ka paraqitur Putin”, thotë Motyl për programin Expose të Radios Evropa e Lirë.

Motyl, ligjërues në Universitetin Rutgers në Nju Xhërsi, thotë se edhe Putini, edhe Hitleri kanë përdorur propagandën për të fituar mbështetjen e popullatës së tyre, të dy kanë pretenduar se njerëzit e tyre janë racë e veçantë, me traditë të shquar, dhe të dy kanë këmbëngulur se vendet e tyre janë të rrethuara me armiq.

Motyl tregon se cila, sipas tij, është paralelja më e rrezikshme midis dy figurave:

“Vetë ekzistenca e hebrenjve ka qenë kërcënim sipas Hitlerit. Vetë ekzistenca e ukrainasve është kërcënim sipas Putinit. Këtu, natyrisht se nuk bëhet fjalë vetëm për Hitlerin dhe Putinin, sepse ka pasur shumë gjermanë, ashtu siç ka shumë rusë, që pajtohen me këto pikëpamje. Dhe, ashtu siç ka vendosur Hitleri, që hebrenjtë duhet të shfarosen, ashtu ka vendosur edhe Putini që ukrainasit duhet të shfarosen. [Putini] preferon të thotë denazifikim i Ukrainës, por në thelb bëhet fjalë për program të shfarosjes”, thotë Motyl.

Hitleri ka qenë orkestrues i Holokaustit. Mbi 6 milionë hebrenj janë vrarë nga Gjermania naziste dhe bashkëpunëtorët e saj gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Pikërisht për shkak të këtij gjenocidi, Peter DeSimone, profesor i historisë në Universitetin Utica në Nju Jork, thotë se nuk do ta quante Putinin Hitler.

“Putini të quhet Hitler – mendoj se nuk është e drejtë për tragjeditë që ka kryer Hitleri dhe për shumë e shumë viktimat e tij. Putini, mendoj ushtarët e tij, gjeneralët e tij patjetër që janë duke kryer mizori. Nuk ka dyshim për këtë, por Hitleri ka qenë një nivel krejt tjetër”, thotë DeSimone për Exposenë.

Sipas tij, dy figurat mund krahasohen në strategji dhe terminologji. Putin, në disa raste, ka thënë se shpërbërja e Bashkimit Sovjetik ka qenë “katastrofike” dhe “e padrejtë. Ai po ashtu ka thënë se Rusia “është dashur të nisë operacionin” në Ukrainë, përpara se ta sulmonin të tjerët. Sipas DeSimones, këto deklarata janë dëgjuar edhe më parë.

“Kjo është një praktikë që fashistët e kanë përdorur në të kaluarën, duke thënë se historia jonë nuk është respektuar kurrë dhe përse duhet të presim që pala tjetër të na respektojë tani. Ne duhet të veprojmë. Ka qenë ideja e Hitlerit që unë duhet të sulmoj i pari, përpara se të sulmohemi”, thotë DeSimone.

Një tjetër gjë që ka tërhequr krahasime me simbolin e svastikës, të veshur nga ushtarët nazistë në Luftën e Dytë Botërore, është shkronja “Z”. “Z” është bërë simbol i luftës ruse në Ukrainë. Fillimisht është parë i vizatuar në tanke dhe në automjete ushtarake, ndërsa më vonë është adoptuar nga të gjithë ata që mbështesin luftën.

Kuptimi i saktë nuk dihet, por disa vende në Evropë kanë ndaluar përdorimin e këtij simboli, ashtu si edhe të simbolit V dhe të fjongos së Shën Georgievit, që njësoj janë bërë shenja të agresionit rus në Ukrainë.

Motyl dhe DeSimone thonë se Rusia, aktualisht, paraqet rrezik për paqen në botë, njëjtë sikurse Gjermania e viteve 1940. Sipas tyre, komuniteti ndërkombëtar duhet të vazhdojë mbështetjen ushtarake për Ukrainën, derisa forcat e saj të arrijnë të dëbojnë ushtrinë ruse jashtë kufijve. Profesori Motyl thotë se interes i Rusisë nuk është vetëm Ukraina.

“Ai [Putin] është i vendosur për shkatërrimin e Ukrainës, por është i vendosur edhe për rindërtimin e Perandorisë Ruse. Kjo nënkupton [pushtimin] e Moldavisë, të shteteve të Baltikut, Polonisë, Kazakistanit, Armenisë dhe ndoshta Azerbajxhanit”, thotë Motyl.

Se si do të përfundojë apo vazhdojë lufta në Ukrainë, askush nuk mund ta thotë me siguri. Pushtimet e Hitlerit kanë marrë fund kur Bashkimi Sovjetik ka shkatërruar ushtrinë naziste, më 1945. Hitleri ka bërë vetëvrasje kur trupat ruse i janë afruar bunkerit të tij në Berlin.

Një dallim i qartë midis dy figurave është se Rusia e Putinit, ndryshe nga Gjermania e Hitlerit, është fuqi bërthamore. Sipas Institutit Ndërkombëtar për Kërkime të Paqes në Stokholm, Rusia ka stokun më të madh të armëve bërthamore në botë: me mbi 6,000 armë.

Në fillim të luftës, Putin ka paralajmëruar se nëse dikush përpiqet të ndërhyjë në Ukrainë, do të përballet me pasoja të papara ndonjëherë në histori. Shumë njerëz kanë thënë se lideri rus i është referuar luftës bërthamore. Zyrtarët perëndimorë, në disa raste, kanë përsëritur se një luftë e tillë nuk do të kishte fitues. Ata po ashtu e kanë bërë të qartë se nuk do të ndërhyjnë direkt midis Rusisë dhe Ukrainës.

Profesori Motyl thotë se mund të imagjinojë lehtësisht një puç kundër Putinit, të iniciuar nga gjeneralët apo policia e tij sekrete.

“Historia sovjetike ka qenë plot me grushtshtete dhe puçe. Një përpjekje e dështuar ka ndodhur në vitin 1991. [Leonid] Brezhnevi dhe kolegët e tij kanë larguar [Nikita] Khrushchevin nga detyra. Puçi bolshevik ka ndodhur më 1917. Puçi Kornilov ka ndodhur po ashtu më 1917. Andaj, nuk ka arsye për të besuar se kjo nuk mund të ndodhë edhe në rrethanat aktuale”, thotë Motyl.

Megjithatë, zyrtarë të inteligjencës amerikane kanë thënë se presidenti rus duket se po përgatitet për një luftë të gjatë në Ukrainë. Deri më tash, atje janë vrarë mijëra njerëz, ndërsa miliona janë larguar nga shtëpitë.

blank

G7 e rrit presionin ndaj Rusisë

VOAL- G7 dëshiron të mbajë presionin mbi Rusinë të lartë, duke vendosur sanksione të mëtejshme dhe duke vazhduar furnizimin me armë për Ukrainën. Në deklaratën përfundimtare të takimit treditor të ministrave të jashtëm të vendeve më të industrializuara, theksohet gjithashtu se kufijtë e rinj që Rusia përpiqet të ndryshojë me forcë nuk do të njihen kurrë.

U shpreh gjithashtu një angazhim për të zbutur mungesat e ushqimit të lidhura me konfliktin në Evropën Lindore dhe u kërkua t’i jepet fund bllokadës së eksporteve të grurit ukrainas.

Vendet e G7 synojnë gjithashtu të reduktojnë varësinë e tyre nga nafta dhe gazi rus dhe të luftojnë kundër asaj që është quajtur dezinformim i Kremlinit.

Nuk është vetëm Moska në qendër të deklaratës përfundimtare. Në të vërtetë, G7 i bën thirrje Kinës që të mos dëmtojë sanksionet e vendosura kundër Rusisë dhe Bjellorusisë të ndalojë lehtësimin e agresionit kundër Ukrainës. rsi-eb

blank

Paradoksi i Putinit: Ushtarët braktisin luftën sepse nuk është … luftë

Diktatori i Kremlinit, Vladimir Putin sërish refuzon ta përshkruajë agresionin e tij kundër Ukrainës me emrin e vërtetë: një luftë e përgjakshme pushtuese. Në vend të kësaj ai përdor eufemizmin: operacion special ushtarak.

Por sipas gazetës gjermane, BILD, kjo ka shkaktuar një situatë paradoksale. Si rezultat, ushtarët po largohen nga lufta ose po refuzojnë që të marrin pjesë.

Kjo për shkak se nëse do të quhej luftë, ndëshkimi do të ishte shumë i rëndë- ata rrezikojnë gjoba të rënda dhe vite të tëra në burg. Por tani që quhet operacion special ushtarak, gjërat ndryshojnë.

Nëse Putini do e quante luftë dhe do vendoste ndëshkime të ashpra- ai rrezikon të humbasë edhe mbështetjen popullore. Nëse luftëtarët refuzojnë, ata mund të flaken nga ushtria, por sipas ligjit ushtarak, nuk duhet të kenë frikë nga pasoja penale. Mjafton që të kërkojnë një punë të re.

Avokati Mikhail Benyash tha për Guardian se qindra ushtarë kanë kërkuar ndihmë ligjore nga ekipi i tij për të shmangur shkuarjen në luftë. Pasoja ndaj tyre ka qenë vetëm pushimi nga puna ose transferimi në një vend tjetër.

“Komandantët po i kërcënojnë me burg nëse dezertojnë, por ne u themi se kjo nuk ndodh. Unë nuk di asnjë rast kur një refuzues të ketë përfunduar në gjyq”.

Dmitri tregoi eksperiencën e tij për Guardian: “Ata u tërbuan. Por pas pak u qetësuan për shkak se nuk kishin çfarë të bënin. Më transferuan në Belgorod, por nuk shkova në luftë”. syri.net

blank

Një eklips i plotë do ta kthejë hënën në të kuqe, ja si ta shihni të dielën

Hëna do të shkëlqejë me një ngjyrë të kuqe të ndezur gjatë eklipsit të parë total hënor të këtij viti që ndodh të dielën — në kontrast të fortë me shkëlqimin e saj të bardhë qumështor.

Një eklips i pjesshëm do të fillojë në orën 22:27 T të dielën, me eklipsin total të Hënës që fillon në orën 23:29  ET sipas EarthSky.

Eklipsi i plotë do të përfundojë në orën 12:53 pas mesnate, kur hyn e hëna dhe eklipsi i pjesshëm do të përfundojë në orën 1:55 të mëngjesit të së hënës.

Një eklips hënor ndodh kur hëna, Toka dhe dielli bien në një linjë, me hënën që kalon nëpër hijen e Tokës, sipas NASA-s.

Kur hëna kalon nëpër pjesën më të errët të hijes së Tokës, e quajtur ombra, njihet si një eklips total hënor, tha agjencia hapësinore.

Kur rrezet e diellit arrijnë në Tokë, pjesa më e madhe e dritës blu dhe jeshile shpërndahet, ndërsa ngjyrat portokalli dhe të kuqe mbeten të dukshme, kjo është arsyeja pse hëna merr një nuancë të kuqërremtë dhe shpesh quhet “hëna e gjakut”, sipas Almanaku i fermerit të vjetër.

Jo të gjithë do të jenë në gjendje të kapin një paraqitje të shkurtër të eklipsit total hënor, sepse duhet të jetë natë për ta parë atë, tha Noah Petro, shefi i Laboratorit të Gjeologjisë Planetare, Gjeofizikës dhe Gjeokimisë të NASA-s.

Njerëzit në Amerikën e Jugut dhe në pjesën lindore të Amerikës së Veriut do të kenë një pamje të mrekullueshme të eklipsit hënor, tha ai. Eklipsi total i Hënës do të jetë i dukshëm në pjesën më të madhe të Afrikës, Evropës dhe Amerikës së Jugut dhe në pjesën më të madhe të Amerikës së Veriut.

Rreth dy eklipse hënore ndodhin çdo vit dhe tjetri do të jetë një eklips total hënor në nëntor, tha Petro. Pastaj nuk do të ketë një tjetër eklips total hënor deri në mars 2025, shtoi ai.

Si të shikoni eklipsin

Është krejtësisht e sigurt që mund të shihet një eklips hënor me sy të lirë, sipas Petro.

“Kjo është gjëja më e mirë për eklipset hënore është se nuk kërkon pajisje tjetër përveç një pasion dhe interes për të qenë jashtë dhe një horizont të qartë,” tha Petro.

Për kushte optimale shikimi, shmangni dritat e ndritshme dhe ndërtesat e larta që mund të pengojnë shikimin tuaj, tha ai.

Ndërsa kulmi i eklipsit mund të zgjasë vetëm për një kohë të shkurtër, tonet ngjyrë bakri të hënës do të ndryshojnë gjatë natës, sipas Petro.

Këto ndryshime e bëjnë këtë fenomen qiellor interesant për t’u parë gjatë gjithë eklipsit dhe jo në një moment të caktuar, tha ai.

Nëse koha është me re ose nuk arrin ta shohësh eklipsin hënor, mund të ndjekësh një transmetim të drejtpërdrejtë të tij nga NASA.

Do të ketë edhe shtatë hëna të plota në vitin 2022, sipas Almanakut të “The Old Farmer’s”

14 qershor: Hëna  luleshtrydhe

13 korrik

11 gusht

10 shtator: Hëna e korrjes

9 tetor: Hëna e gjahtarit

8 nëntor: Hëna e kastorit

7 dhjetor: Hëna e ftohtë

Këta janë emrat e popullarizuar që lidhen me hënat e plota mujore, me origjinë nga fiset indigjene amerikane. Emrat ndryshojnë nga fisi në fis, sepse një hënë e plotë kishte rëndësi të ndryshme në të gjithë fiset nga muaji në muaj ose nga sezoni në stinë. syri.net

blank

Britania: Putin po e poshtëron veten para botës

RFE/RL

Sekretarja e Jashtme britanike, Liz Truss, ka thënë se sanksionet ndërkombëtare kundër Rusisë duhet të hiqen kur të gjitha trupat ruse të jenë larguar nga Ukraina.

Ajo ka thënë në një takim të ministrave të Jashtëm të shtatë shteteve më të industrializuara (G7) se presidenti rus, Vladimir Putin, duhet të përballet me disfatë në mënyrë që të parandalohet agresioni i mëtejmë.


“Putin është duke e poshtëruar veten para botës”, ka thënë ajo, duke shtuar se atij duhet t’i mohohet çdo përfitim për shkak të pushtimit në Ukrainë.

Ajo po ashtu ka bërë thirrje që Ukraina të ketë qasje në pajisjet ushtarake të NATO-s.

Ministria britanike e Mbrojtjes ka thënë më 13 maj se forcat ukrainase kanë ndalur me sukses një përpjekje të forcave ruse për të kaluar në Donbas përmes lumit.

Ministria ka thënë se disa imazhe tregojnë se Rusia ka humbur pajisje të armatosura teksa ka tentuar të kalojë lumin Siverskyi Donets, dhe sipas saj, ushtarët rusë kanë dështuar që të shënojnë përparim në atë zonë.

Komandantët rusë janë duke u përballur me presion në rritje nga udhëheqësit e tyre dhe janë duke zbatuar strategji të rrezikshme në fushëbetejë, është thënë në raport.

Presidenti rus, Vladimir Putin, ka urdhëruar më 24 shkurt, atë që e quan “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Perëndimi është përgjigjur me sanksione të ashpra ndaj Rusisë, duke shënjestruar ekonominë e shtetit dhe oligarkët rusë.

blank

Patriarku Kiril: Njeriu që bekon raketat e Putinit jeton në luks me një pasuri 4 miliardë euro

Nga Liana Spyropoulou, BILD

Ai është një nga të besuarit më të ngushtë të diktatorit të Kremlinit, Vladimir Putin: Patriarku Kirili I.

Në vitin 2006, pasuria personale e kreut të Kishës Ortodokse u vlerësua deri në 4 miliardë euro. Studiuesit e lidhin atë me KGB-në. Sipas blogerëve ortodoksë, atij i pëlqen të bëjë ski në mal dhe makinat e shpejta. Të mërkurën e kaluar, Brukseli propozoi sanksionet kundër tij.

Kirili, që në vitin 2009 pasoi Patriarkun e ndjerë, Alexios, i cili rindërtoi Kishën pas rënies të Bashkimit Sovjetik dhe sistemit ateist, e ka kthyer Ortodoksinë Ruse në një makinë të vërtetë politiko-fetare në shërbim të Kremlinit.

“Ne nuk duam të luftojmë askënd, Rusia nuk ka sulmuar kurrë askënd. Është një mrekulli që një vend i fuqishëm dhe i madh nuk sulmon askënd, por vetëm mbron kufijtë e tij,” tha Patriarku për pushtimin e Ukrainës nga Putini.

Tri ditë pas aksioneve të para ushtarake, ai i quajti kundërshtarët e vendit të tij ‘force të së keqes’ dhe madje bekoi ushtrinë ruse.

Kush është patriarku ortodoks që bekon raketat e Putinit?

Patriarku Kiril lindi në vitin 1946 me emrin Vladimir Gundyaev dhe u fronëzua në vitin 2009.

Shumica e perëndimorëve dinë pak për Kirilin. Sipas pasaportës së tij, Vladimir Gundayev lindi në Leningrad në vitin 1946 në familjen e një prifti ortodoks. Ai u diplomua me nderime në Akademinë Shpirtërore të Leningradit në vitin 1969.

Në vitin 1970 mori titullin e mjeshtrit dhe u emërua sekretar personal i Mitropolit Nikodimit, shef i marrëdhënieve me jashtë të Kishës.

Që prej atëherë, Kirili ka qenë fytyra e Kishës Ortodokse në të gjithë udhëtimet e huaja në Europën Perëndimore. Në vitin 1989, ai u emërua drejtues i Departamentit për Marrëdhëniet me Jashtë të Kishës së Patriarkanës së Moskës. Për shumë vite ai drejtoi kështu politikën e jashtme të Kishës Ortodokse Ruse. Në vitin 1991, u emërua Peshkop Mitropolit i Smolenskut dhe Kalingradit.

Më 27 janar 2009 ai u fronëzua si Patriarku i 16-të i Moskës dhe të gjithë Rusisë.

Pseudonimi ‘Mikhailov’

Karriera spektakolare e Kirilit si përfaqësues i kishës në Këshillin Botëror të Kishave në Gjenevë, dhe më vonë si kryetar i Departamentit për Marrëdhëniet me Jashtë të kishës, bëri që disa studiues ta lidhnin atë me inteligjencën sovjetike.

Ai njihej me pseudonimin ‘Mikhailov’ kur punonte për shërbimin sekret sovjetik, KGB. Që nga viti 1972, Kirili/Gundayev/Mikhailov thuhet se është marrë gjithnjë e më shumë me vendet e Lindjes së Mesme.

Historiani dhe aktivisti për të drejtat e njeriut, Felix Corley arriti të provojë këtë lidhje në vitin 2018. Provat e tij përmblidhen në një artikull të titulluar: Dosjet e Mikhailiv, Patriarku Kiril dhe KGB-ja.

Burimet e tij: Dokumentet nga arkivat e KGB-së në Moskë, të cilat ai shkruan se u shikuan nga një numër studiuesish pasi arkivat u hapën për një kohë të shkurtër pas grushtit të dështuar të shtetit në gusht 1991, por aksesi u mbyll përsëri pasi udhëheqja ortodokse ruse kishte protestuar kundër.

Mitropoliti i Duhanit

Në mesin e viteve ’90, falë mbështetjes së presidentit Boris Yeltsin dhe kryeministrit Viktor Chernomyrdin, Departamentit të Marrëdhënieve me Jashtë të Kishës, i kryesuar nga Kirili, iu dha privilegji i importit pa taksa të alkoolit dhe cigareve.

Kisha Ortodokse Ruse u bë kështu importuesi kryesor i cigareve në Rusi. Nuk dihet deri më sot se çfarë fitimesh janë bërë me të dhe për çfarë janë shpenzuar këto para.

Numri i shtatorit 1996 i Moska News raportonte se nën flamurin e bamirësisë të Kishës Ortodokse, të përjashtuar nga taksat, Kirili organizoi importimin e produkteve me taksa të rënda, kryesisht të duhanit.

Mitropoliti i atëhershëm i Smolenskut dhe Kaliningradit konfirmoi importimin e produkteve shumë ‘jo të krishtera’. Në vitin 1997, Kirili pranoi se kishte importuar alkool dhe duhan, por pretendoi se Kisha Ortodokse nuk mund të refuzonte ‘ndihmat humanitare’.

Sipas gazetës më të madhe të pavarur ruse, Novaya Gazeta, Kisha Ortodokse Ruse dhe fondacioni privat i Kirilit ‘Nika’ ishin organizata jofitimprurëse që importuan tetë miliardë cigare vetëm në vitin 1996.

Biznesi i ‘kishës’ së Kirilit u zhvillua në mënyrë të jashtëzakonshme pasi konkurrentët e ligjshëm nuk mund të sfidonin me çmimet e tij të ulëta për duhanin dhe alkoolin. Importuesit natyrisht u dëbuan nga tregu pasi nuk mund të konkurronin me çmimet e Kirilit sepse paguanin detyrimet e nevojshme qeveritare.

Novaya Gazeta e quante Kirilin ‘Mitropolitin e Duhanit’.

Ora e dorës ‘Phantom’

Një tipar i jetës së tij është një orë dore zvicerane Breguet me vlerë rreth 30 mijë euro, e njohur edhe si ‘Ora Phantom’. Në vitin 2012, kreu i Kishës Ruse u fotografua me këtë orë në një aktivitet.

Në kohën kur fotografia u publikua në faqen e internetit të kishës, Breguet nuk shihej më, por reflektimi i orës së artë mund të shihej përmes pasqyrimit të tavolinës së lëmuar mirë- në të cilën ishte ulur Kirili.

Kirili mohoi të kishte mbajtur ndonjëherë orën, por përfundimisht pranoi se kisha e kishte retushuar orën nga fotoja dhe kërkoi falje. Ai u detyrua të pranonte se ishte ora e tij. Kirili pretendoi se ora ishte një dhuratë nga një mik i pasur, ajo u shit dhe paratë u dhuruan për bamirësi.

Tani Brukseli po propozon të sanksionojë patriarkun Kiril për mbështetjen e luftës së Kremlinit kundër Ukrainës. A do ta prekë edhe atë paketa e gjashtë e sanksioneve kundër Rusisë apo fuqia globale e kishës do ta ndihmojë atë që të shmangë diçka të tillë?

syri.net

blank

OKB do të hetojë vrasjet, torturat dhe abuzimet e tjera në Ukrainë

RFE/RL

Këshilli i OKB-së për të Drejtat e Njeriut (UNHCR), më 12 maj, miratoi me shumicë votash një rezolutë për të jetësuar një hetim mbi akuzat për abuzime nga trupat ruse në zonat e Ukrainës që rusët i kishin përkohësisht nën kontroll.

33 shtete votuan pro hetimit ndërsa vetëm dy kundërshtuan – Kina dhe Eritrea.

Dymbëdhjetë vende abstenuan nga votimi.

Rezoluta e UNHCR-së përmend raste të dukshme të torturës, të të shtënave dhe dhunës seksuale, së bashku me mizoritë e tjera të dokumentuara nga një ekip i OKB-së në terren.

Komisionerja e Lartë e OKB-së për të Drejtat e Njeriut, Michelle Bachelet, e cila kryeson këshillin, tha më herët se mijëra kufoma janë gjetur në rajonin e Kievit pas tërheqjes së forcave ruse në ato që mund të jenë dëshmi e krimeve të luftës.

Ajo tha përmes videolidhjes se autoritetet po punonin për të verifikuar shkeljet.

“Shkalla e vrasjeve të paligjshme, duke përfshirë indikacionet e ekzekutimeve në zonat në veri të Kievit, është tronditëse”, tha Bachelet.

UNHCR-ja më 12 maj dënoi mizoritë e dokumentuara nga ekspertët në territoret e pushtuara nga Rusia dhe kërkoi qasje për punëtorët humanitarë tek njerëzit që janë marrë nga Ukraina në Rusi që nga fillimi i pushtimit.

Ajo përmendi akuzat se shumë prej tyre janë detyruar të shkojnë në Rusi.


Send this to a friend