VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

Pangallos në mbrojtje të RENEA-s, gazetarët tentojnë t’i ndërpresin fjalën: Jo, jo, do më dëgjoni… flamuj grek gjithandej, aq sa ta shpifin

By | November 1, 2018

Komentet

Ish-deputeti Shehaj publikon skemën ndërlidhëse të blerjes së votave në Dibër: Planifikuar dhe ekzekutuar nga Rama

Nëse nuk i keni kuptuar qartë lidhjet midis personave të përfshirë në përgjimet e publikuara nga gazeta gjermane “Bild”, ish-deputeti i Partisë Demokratike Agron Shehaj i ka vendosur ata në një skemë ku në mes qëndron Arben Keshi, si ndërlidhësi kryesor midis kryeministrit Edi Rama, ministrit të Infrastrukturës në atë kohë Damian Gjiknuri, deputetit Artan Gaçi, si dhe personave në qarkun e Dibrës.

Shehaj thotë se vjedhja e votave ka qenë një operacion i planifikuar dhe eksekutuar nën drejtimin e kryeministrit.

“Vjedhje e votave ka qenë një operacion i planifikuar dhe ekzekutuar në mënyrë të koordinuar nën drejtimin e Edi Ramës”, shkruan ai.

Bieber: Korrigjimi i kufijve nuk është ide e dëshirueshme, ngre tensionet në gjithë rajonin

Njohësi i zhvillimeve politike në Ballkan, profesori i Universitetit të Grazit, Florian Bieber, thotë se ideja e korrigjimit të kufijve për zgjidhjen e problemit ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit nuk është zgjidhje reale dhe as e dëshirueshme.

“Ndryshimi i kufijve nuk është një ide reale dhe as e dëshirueshme si zgjidhje, jo vetëm për Kosovën, por as për konfliktin e ngrirë. Ajo do të rrisë tensionet, gjë për të cilën po lexojmë çdo ditë”, ka thënë ai, shkruan EWB, transmeton Gazeta Express.

Këto deklarata Bieber i ka bërë në një konferencë së bashku me profesorin tjetër, Nikolas Cifakis, ku kanë folur për zhvillimet në Ballkanin Perëndimor.

Njësoj sikurse Bieber, Cifakis thotë se ideja për ndryshim të kufijve do të shkaktonte probleme të reja, përveç Kosovës, edhe në Bosnje e Hercegovinë.

“Ndryshimi i kufijve apo demarkacioni do të krijonte probleme të reja jo vetëm në Kosovë, por mbi të gjitha edhe në Bosnje dhe Hercegovinë”, ka thënë ai.

Ndërkohë sa i përket zhbllokimit të dialogut dhe situatës së deritanishme, Bieber thotë se përpjekjet deri tani kanë rezultuar të pasuksesshme, duke bërë thirrje që të mbahet një konferencë serioze dhe përfshirje të forcave të reja në proces.

“Është e vështirë të arrihet një rezultat vetëm me ndihmën e BE-së. Procesi duhet të përfshijë shtetet anëtare të BE-së dhe SHBA-së në mënyrë joformale, pasi që formalisht dhe vendet e tjera do të kërkonin një vend në tryezë, si Rusia”, ka deklaruar ai.

Bieber thotë se deri sot është treguar se negociatat në rajon janë të suksesshme vetëm nëse ka bashkëpunim ndërmjet BE-së dhe SHBA-së. /GazetaExpress/

MEMORANDUM I ASHASHA, NJU-JORK: SHQIPËRIA TË KËRKOJË SANKSIONIMIN JURIDIK NDËRKOMBËTAR TË KOLONIALZIMIT SLLAV NË TOKAT SHQIPTARE

Të shqetësuar për  destablizimin dhe për polarizimin e gjendjes së rëndë politike dhe sociale, sidomos në Shqipëri dhe në Kosovë, për shkak të luftës për pushtet, të korrupsionit, të varfërisë, të papunësisë enorme, të ekzodit sistematik 30-vjeçar, të krimit të organizuar, të shfrytëzimit të njeriut prej njeriut, të dhunës dhe të plaçkës së pasurisë dhe të vlerave të  shenjta të popullit, si dhe për shkak të anashkalimit, përkatësisht të injorimit të riaktualizimit të çështjes koloniale shqiptare në të gjitha hapësirat e aneksuara dhe të kolonizuara të Shqipërisë etnike nga kolonizatorët sllavë fqinjë (1878-2019), Akademia Shqiptaro-Amerikane e Shkencave dhe e Arteve në Nju-Jork, më 15 qershor 2019, miratoi  këtë

                          M e m o r a n d u m

SHQIPËRIA TË KËRKOJË SANKSIONIMIN JURIDIK NDËRKOMBËTAR TË KOLONIALZIMIT SLLAV NË TOKAT SHQIPTARE

Pavarësisht nga pikëpamjet dhe nga qëndrimet negative dhe të gabuara të liderëve politikë aktualë shqiptarë në territoret e hapësirave të Shqipërisë etnike lidhur me problemin e pazgjidhur kolonial shqiptar në Ballkan, të cilin deri tani, d.m.th. gjatë 30-të vjeçarit të shkuar (1990-2019) nuk e kanë shtruar e as debatuar qoftë në shkallë mbarëkombëtare apo në atë ndërkombëtare, Akademia  Shqiptaro-Amerikane e Shkencave dhe e Arteve në Nju-Jork me presidentin e saj në krye, Akademik Prof.Dr.  Skënder Kodra, miratoi këtë Memorandum, duke kërkuar që:

(A) Së pari, subjektet politike të pozitës në pushtet me kryeministrin Edi Rama në krye dhe të opozitës demokratike jashtë pushteti me Lulzim Bashën në krye, problemet, mosmarrëveshjet dhe kundërthëniet e krijuara polarizuese (janar –qershor 2019), t’i zgjidhin vetëm me dialog demokratik dhe paqësor (pa përdorur politikën e forcës dhe nga pozita e forcës), sepse kjo është mënyra më racionale, ligjore, demokratike dhe më e drejtë për të dalë nga kaosi dhe  nga kriza  politike dhe institucionale në  favorin e sundimit të ligjit, të Kushtetutës, të drejtësisë, të demokracisë dhe të paqes, që njëherazi garanton pajtimin, bashkëpunimin dhe stabilizimin brendakombëtar dhe brendashtetëror, si dhe hapjen e  negociatave me BE-në.  Ndryshe, çdo formë tjetër e demonstrimit  të forcës dhe e përdorimit të dhunës nga cilado palë qoftë, nuk do të ketë  kurrfarë efekti pozitiv për zgjidhjen e krizës politike dhe institucionale të brendshme në Shqipëri, e cila, sipas ankesave, kritikave dhe kërkesave të bëra nga opozita demokratike, e dalë nga parlamenti ka për shkak dhe për pasojë  korrupsionin, krimin e organizuar dhe keqmenaxhimin e qeverisë aktuale me kryeministrin aktual Edi Rama në krye.

(B) Së dyti, pa zgjidhjen e kësaj krize politike dhe institucionale me rrugë dhe me mjete paqësore, ashtu siç po rekomandojnë  dhe sugjerojnë aleatët dhe miqtë tanë ndërkombëtarë: Amerika, BE-ja, NATO-ja dhe OSBE-ja,  Shqipëria jo vetëm se nuk do të objekt i BE-së për hapjen e negociatave për aderimin e saj në të, por, do të  rrëshqasë drejt shthurjes  dhe kaosit të paparashikuar dhe me pasoja të rënda për interesin e përgjithshëm kombëtar dhe shtetëror, me rrezik që të braktiset edhe nga aleatët dhe nga partnerët e saj potencialë evropianë perëndimorë.

(C) Së treti, që të mos ndodhë një tragjedi e tillë kombëtare dhe shtetërore, kërkojmë  nga pozita-qeveria aktuale me institucionet dhe me organet e saj shtetërore të Republikës së Shqipërisë, t’i krijojë kushtet optimale dhe klimën e domosodoshme demokratike dhe të pranueshme politike, që të flasë-zbatohen me konsekuencë: LIGJI, KUSHTETUTA, DREJTËSIA, DEMOKRACIA DHE DIALOGU PAQËSOR,  JO TË SUNDOJË DHUNA, PAPUNËSIA, PABARAZIA, VARFËRIA, EKZODI, SHFRYTËZIMI I NJERIUT PREJ NJERIUT, NEPOTIZMI, DESPOTIZMI, OLIGARKIZMI, BUROKRACIA, PLAÇKA,  KRIMI, KORRUPSIONI, MAFIA POLITIKE, QË TË GJITHA KËTO JANË ANTIVLERA  NË FUNKSION TË SHKATËRRIMIT TË INSTITUCIONEVE DHE TË VLERAVE VITALE POLITIKE, JURIDIKE, DEMOKRATIKE, KOMBËTARE DHE SHTETËRORE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË.

(Ç) Së katërti, kërkojmë nga qeveria, nga parlamenti dhe nga presidenti i Republikës së Shqipërisë, të mos mbështetin asnjë propozim dhe, asnjë marrëveshje të arritur mes presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi me homologun e tij serb, Aleksandar Vuçiq për ndryshimin e kufijve territorialë të Kosovës (shkëmbim, korrigjim territori etj.), sepse kjo do të ishte humbje e territorit të Kosovës, përkatësisht të Shqipërisë etnike. Për më tepër, humbja e territorit të Kosovës Veriore, në asnjë mënyrë nuk do të mbyllte konfilktin kolonial shekullor me Serbinë, por do të justifikonte të drejtën historike të Serbisë mbi gjithë territorin e Republikës së Kosovës, duke kërkuar më pas Graçanicën, Pejën, Deçanin, Prizrenin, ku kanë kishat dhe manastiret e tyre, pavarësisht nga prejardhja  e dyshimtë historike e tyre. Këtë, me çdo kusht e do Serbia kolonialiste, në mënyrë që para Evropës dhe para bashkësisë ndërkombëtare të rehabilitohet nga kolonializmi gjenocidal i saj mbi Kosovën, si dhe mbi  Preshevën, Bujanocin, Medvegjën dhe Novi Pazarin (1878-2019).

(D)  Së pesti, duke u mbështetur në të drejtën historike  të shqiptarëve në territoret e  Shqipërisë etnike, si dhe në dispozitat dhe në nenet e Kartës së Kombeve të Bashkuara për zgjidhjen e problemeve koloniale (Kreu XI: Deklarata për Territoret Joautonome, Kreu XII: Sistemi Ndërkombëtar i Kujdestarisë dhe Kreu XIII: Këshilli i Kujdestarisë), u krijua edhe rendi juridik ndërkombëtar me bazë të qëndureshme  të dispozitave juridike ndërkombëtare në këtë fushë të marrëdhënieneve ndërkombëtare. Së këndejmi Karta e Kombeve të Bashkuara  u bë armë e fuqishme ligjore, e rëndësishme  në procesin e shkolonizimit të qindra vendeve të kolonizuara në kontinentin e Afrikës, të Azisë dhe të Amerikës Latine.  Në këtë kontekst, duke marrë parasysh gjendjen e rëndë koloniale të më se gjysmës së shqiptarëve dhe të territoreve të kolonizuara të Shqipërisë etnike (1878-2019), konsiderojmë se është momenti oportun dhe i domosdoshëm historik për politikën e jashtme dhe për diplomacinë zyrtare shqiptare si në Tiranë, ashtu edhe në Prishtinë, që të ridefinojnë kursin  e tyre të deritashëm 30-vjeçar, duke kërkuar nga bashkësia ndërkombëtare, përkatësisht nga OKB-ja,  që të marrë në  konsideratë KËRKESËN e tyre për shqyrtim, në mënyrë që kolonializmi serbo-malazez dhe greko-maqedon në territoret indigjene të Shqipërisë etnike , të sanksionohet juridikisht (sipas  Kartës së OKB-së dhe sipas së drejtës ndërkombëtare, ashtu siç u veprua me rastin e shkolonizimit të popujve dhe të shteteve të Afrikës, të  Azisë dhe të Amerikës Latine pas luftës së Dytë Botërore), sepse  gjendja e kolonive shqiptare në Ballkan, nuk është vetëm çështje e e brendshme e shteteve kolonizatore fqinje (Serbia, Mali i Zi, M.Veriore dhe Greqia), por, para së gjithash dhe, mbi të gjitha është çështje që ka të bëjë  me  bashkësinë e tërësishme ndërkombëtare, të organizuar brenda Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

Në këtë vështrim, duke u bazuar në Nenin 1, paragrafi 2  dhe në Nenin 55 të Kartës, OKB-ja nevojitet që të “shpaketojë”  dhe të sanksionojë juridikisht  sundimin kolonial sllav(Serbia, Mali i Zi, Greqia dhe M.Veriore)  mbi  2 milionë shqiptarë dhe mbi territoret e tyre autoktone të Shqipërisë etnike, duke iu njohur të drejtën e vetëvendosjes, që do të thotë shkolonizimin, pavarësimin dhe sovranitetin e tyre.

(Dh)  Së gjashti, duke qenë  se      OKB-ja nuk është “night club ” i shteteve kolonialiste sllave  të Ballkanit, por Organizatë Ndërkombëtare, që mbron drejtësinë, sigurinë, paqen dhe rendin juridik ndërkombëtar,  kërkojmë që  Prishtina dhe Tirana zyrtare  së bashku me miqtë e tyre ndërkombëtarë (Amerika, Britania e Madhe, Gjermania, Italia, Franca, Belgjika, Austria, Kandaja etj.) sa më parë të jetë e mundur, ta vënë në veprim Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, në mënyrë që kjo ta “SHPAKETOJË”  kolonializmin sllav ballkanik për debat ndërkombëtar në kuadrin e  mekanizmave të saj vepruese, ndryshe, do të bëhet shumë vonë, Ballkani do të digjet në flakën dhe në zjarrin e kolonializmit sllav, ashtu sikurse në vitet e 90-ta të shekullit, ku Serbia kolonialiste dhe gjenocidale pushtuese bëri 3 gjenocide për t’i shfarosur shqiptarët në Kosovë, kroatët në Kroaci dhe myslimanët në Bosnjë (1990-1999).

Tanimë, e pranoi, se pranoi të vërtetën e hidhur, Ivica Daçiq në Beograd apo në OKB në Nju-Jork, në Bruksel apo në Berlin,  historikisht, de fakto dhe de jure është dokumentuar se Serbia  ishte dhe, ende është shtet kolonialist, sepse po kërkon ta rikolonizojë Kosovën, duke kërkuar pjesën veriore të saj, si dhe të “blindojë” edhe më tej Preshevën, Bujanocin dhe Medvegjën nën sundimin e saj  të mëtejmë kolonialist shekullor (1878-201).

 

 (E) Së teti, sugjerojmë që institucionet e larta shtetërore të Republikë Republikës së Kosovës (qeveria dhe parlamenti) të padisin Serbinë për kolonializmin gjenocidal të saj (1912-1999). Këtë padi gjithashtu, duhet ta bëjë edhe qeveria e Shqipërisë, duke qenë se Kosova ende nuk është anëtare e OKB-së dhe, të njëjtën t’ia procedojë për shqyrtim Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.  Para se kjo padi t’i dërgohet AP-së, urgjentisht nevojitet që diplomacia e Kosovës dhe e Shqipërisë, ta përgadisin Projektin e përbashkët strategjik kombëtar dhe ndërshtetëror me përmbajtje historike dhe politike të ngjarjeve të zhvilluara në territoret e Shqipërisë etnike (1876-2019), “që kur  Serbia pas njohjes së saj nga Kongresi i Berlinit(1878) terrorizoi dhe shfarosi  shqiptarët, duke filluar që nga  Sanxahku i Nishit: Toplicë, Kosanicë, prej Krushevcit deri në Vrajë, ku ushtria serbe masakroi dhe dëboi me terror rreth 230-250 mijë shqiptarët nga trojet e tyre shekullore, si dhe nga Plava, Gusia, Hoti, Gruda e Ulqini.” (Akademik Mark Krasniqi, “Kosova Sot”, Prishtinë, 1992, f.17).

(Ë)  Së nënti, sugjerojmë që pas përfundimit të këtij Projekti me materiale, me fotografi, me filma dhe me  dokumente të tjera përkatëse arkivore historike, politike, kulturore, etnologjike, arkeologjike, që pasqyrojnë krimet e gjenocidit kolonial serb  ndaj popullsisë indigjene  shqiptare dhe të pushtimit të territoreve të Shqipërisë etnike (1876-1999),  të formohen ekipet e ekspertëve të këtyre lëmenjve dhe urgjentisht të dërgohen në shtetet e Afrikës, të Azisë dhe të Amerikës Latine (të cilat dikur ishin koloni, por pas Luftës Dytë Botërore, tanimë kanë fituar lirinë dhe pavarësinë e tyre nga metropolet kolonialiste evropiane), në mënyrë që  popujt e tyre t’i njohtojnë  me fakte dhe me argumente të shkruara shkencore dhe të ilustruara me fotografi dhe me filma historikë për  krimet e kryera shekullore të kolonializmit gjenocidal të Serbisë mbi shqiptarët dhe mbi Shqipërinë etnike.

(F) Së dhejti,  konsiderojmë se prezantimi i drejtpërdrejtë i historisë tragjike të shqiptarëve dhe të Shqipërisë etnike popujve të kolonizuar  të Afrikës, të Azisë dhe të Amerikës Latine, do të ndikojë pozitivisht në zgjimin e ndjenjës së tyre antikolonialiste dhe, kështu, pa dyshim, do të solidarizoheshin me luftën dhe me politikën antikolonialiste të popullit shqiptar dhe të Shqipërisë etnike në Ballkan, duke njohur pikësëpari Kosovën e shkolonizuar dhe të pavarësuar nga Serbia kolonialiste dhe imperialiste (1912-1999). Kjo do të ishte forma më e efektshme produktive e strategjisë dhe e taktikës diplomatike të Kosovës dhe të Shqipërisë për t’i anuluar të gjitha lobimet politiko-propagandistike dhe diplomatike antishqiptare të Serbisë kolonialiste në Afrikë, në Azi dhe në Amerikën Latine.

(G) Së njëmbëthjeti,  sugjerojmë që ky Projekt ndërshtetëror (Tiranë-Prishtinë) me karakter antilobues kundër Serbisë kolonialiste ( e cila me të gjitha mjetet dhe me format më shpifëse dhe më të rafinuara po  e gënjen, po e mashtron dhe po e manipulon tërë botën se gjoja “Kosova është territor legal” i Serbisë), duhet të  menaxhohet dhe të bashkërendohet përmes përfaqësive diplomatike dhe konsullore të Shqipërisë dhe të Kosovës në botën e jashtme në bashkëpunim të ngushtë me përfaqësuesit e diplomacisë së Amerikës dhe të shteteve aleate evroperëndimore të saj.

( GJ) Së dymbëdhjeti,  konsiderojmë se një Projekt i tillë antilobues kundër Serbisë kolonialiste,  do të duhej të ishte hartuar dhe zbatuar që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës (2008-2019),  sepse kjo do të kishte qenë “terapia” më adekuate e diplomacisë preventive shqiptaro-amerikane-evroperëndimore  për bllokimin e propagandës ndërkombëtare të Serbisë kolonialiste kundër pavarësisë së Kosovës. Mirëpo, nëse duam që Kosova të njihet sa më parë nga OKB-ja,  edhe tani  (ndonëse në politikë, nesër gjithmonë  është vonë) nuk është vonë, që t’i njohim popujt dhe shetet e pavarura të Afrikës, të Azisë dhe të Amerikës Latine, se  Serbia është shteti kolonialist, që ka kryer disa gjenocide mbi popullin shqiptar, edhe në Kosovë (1912-1999).

(H) Së trembëdhjeti,  kemi besim të madh se prezantimi i Projektit të sipërtheksuar kundër sundimit kolonial shekullor të Serbisë, do të jetë bindës  për idealin liridashës, për syrin dhe për ndjenjën shpirtërore humane antikolonialiste të popujve afrikanë, aziatikë dhe amerikano-latinë, duke kuptuar se  kolonializmi serb mbi shqiptarët dhe mbi Shqipërinë etnike, është edhe më i vjetër sesa kolonialzimi në këto tri kontinente të tyre.

(I) Së katrëmbëdhjeti, jemi të bindur se realizimi  i Projektit të mësipërm në prezantimin e historisë së Kosovës së kolonizuar dhe të aneksuar nga Serbia (1912-1999) popujve të Afrikës, të Azisë dhe të Amerikës Latine, do të jetë efektiv për njohjen ndërkombëtare të Kosovës nga ana e tyre në kuadrin e Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

 Presidenti i  ASHASHA-së,

Akademik Prof.Dr.Skënder Kodra

Nju-Jork, më 15 qershor 2019

Albumi i Piktorit: Grafikë nga cikli “Vjen një moment që mbarojnë dhe fjalët”

VOAL – Piktori i shquar grafist Avni Delvina është frymëzuar nga publikimet e reja të gazetës më të madhe gjerman, BILD, të bisedave të zyrtarëve socialistë, përfshirë Edi Ramën, gjatë fushatës për blerjen e votave të shqiptarëve.

Grafika nga cikli “Vjen një moment që mbarojnë dhe fjalët” ka në qendër ambasadorin gjerman të OSBE-së, i cili gjen mënyrën për të bërë të shurdhërin. Piktori e shoqëron grafikën me shënimin:

…..Car te te thush ty !!!!…Nuk ja vlen !!!!!!….
…..Degjoje Lili Marlenin e Bild-it se je dhe “gjerman” !!!!!!!!

BILD: Përgjimet tregojnë se qeveria manipuloi votat

Shqipëria, një nga vendet më të bukura, por edhe një nga vendet më të prapambetura në Europë. Për turistët, një mister i egër dhe i lirë në brigjet e Adriatikut. Por vendi është përballë mundësisë që të shkrihet në kaos total: ai konsiderohet si një republikë e drogës, si Kolumbia e Europës. Dhe: Shqipëria rrezikon që të bëhet një kërcënim për Ballkanin e paqëndrueshëm.

Një nga arsyet: vendi është kthyer në një republikë të mafias, klanet kriminale dominojnë politikën dhe jetën publike. Korrupsioni është normalitet, edhe blerja e votave në zgjedhje. Prej disa muajsh ka demonstrata masive. Opozita e akuzon qeverinë socialiste të kryeministrit Edi Rama për manipulim të zgjedhjeve parlamentare në vitin 2017, me ndihmën e mafias janë blerë vota, është bërë presion ndaj mbështetësve të opozitës ose janë mbajtur larg zgjedhjeve.

“Bild” ka në dorë regjistrime të shumta telefonike – të bëra nga hetuesit shqiptarë- që tregojnë për herë të parë se ka pasur një plan sistematik nga partia qeverisëse socialiste e kryeministrit Edi Rama për të manipuluar zgjedhjet në vitin 2017! Objektivi: Mashtrim elektoral, blerja e votave, shantazh ndaj votuesve të opozitës.

“Bild” tani publikon disa nga regjistrimet, disa prej të cilave vijnë nga e ashtuquajtura dosja ‘184’ e vitit 2016. Ato janë të gjitha shembuj të manipulimit, kërcënimit dhe blerjes së votuesve nga lart poshtë. Ato tregojnë se si ka bashkëpunuar politika, biznesmenët dhe kriminelët.

Në përgjime dëgjohet se si ministria e Brendshme po harton një plan për të fituar zgjedhjet për socialistët. Se si më pas – nivel pas niveli – me para, presion dhe kriminelë, sigurohet që rezultati të jetë i saktë. Po ashtu mund të dëgjoni sesi drejtuesit e lartë kërcënojnë drejtorët dhe mësuesit e shkollave.
Këto regjistrime dëshmojnë gjithashtu: kreu i qeverisë së Shqipërisë, Edi Rama, e dinte këtë komplot elektoral, ishte pjesë e tij. Zyrtarët e lartë qeveritarë e planifikuan manipulimin zgjedhor dhe e ekzekutuan atë së bashku me udhëheqësit lokalë nga partia, administrata zgjedhore dhe mafia.

Telefonatat e përgjuara nga policia anti-mafia tregojnë përfshirjen dhe dijeninë e politikanëve me ndikim. Përveç kryeministrit Rama, ministri i atëhershëm i Brendshëm i asaj kohe, Saimir Tahiri, aktualisht i akuzuar si anëtar i mafias së drogës, janë edhe të tjerë anëtarë të mëposhtëm të Partisë Socialiste:
-Ministri i Infrastrukturës, Damian Gjiknuri.
-Kryetari i Komisionit të Çështjeve Ligjore në Kuvend, Ulsi Manja.
-Kryetari i Komisionit të Sigurisë në Kuvend, Xhemal Qefalia.
-Sekretari i Përgjithshëm dhe kreu i Partisë Socialiste, Taulant Balla.
-Deputeti Pjerin Ndreu.

Megjithëse hetuesit shqiptarë e dinin për këto përgjime për vite me radhë, megjithëse gjithçka dëgjohet në përgjime ka ndodhur në të vërtetë dhe dënohet nga ligji shqiptar, ende sot nuk ka asnjë hetim ndaj politikanëve, zyrtarëve apo mafiozëve që dëgjohen në përgjime.

Përkundrazi: Hetuesit që ranë në gjurmët e lidhjeve të qeverisë socialiste me mafian e drogës, u dërguan në burg pa akuzë ose nën arrest shtëpie dhe ikën jashtë vendit. Rezultati tani në Shqipëri: Opozita nuk po paraqet kandidatë për zgjedhjet lokale të planifikuar në verë si shenjë proteste. Presidenti i vendit, Ilir Meta ka pezulluar plotësisht zgjedhore- qeveria kërkon t’i zhvillojë ato gjithsesi. Vendit i kanoset një luftë zgjedhore e vërtetë.

Qeveria pretendon se BILD është blerë nga opozita, duke shpërndarë gënjeshtra. Megjithatë, Prokuroria e Përgjithshme e konfirmoi vërtetësinë e përgjimeve, disa prej të cilave kanë mbetur të pandryshuara që prej vitit 2016.

BILD publikon përgjime të reja mbi zgjedhjet në Dibër

Armand Mero

Gazeta gjermane BILD botoi sot disa përgjime të tjera të realizuar nga Prokuroria shqiptare, lidhur me zgjedhjet vendore në Dibër. Janë të paktën 16 përgjime në të cilat janë përfshirë dhe drejtuesë të institucioneve lokale.

Në disa prej përgjimeve përmenden shifra parashë që duhet të jepen në këmbim të votave, ndërsa drejtuesë të institucioneve lokale, si ai i drejtorisë arsimore, kërkojnë haptazi deklarimin e votës, nga vartësit e tyre, në favor të Partisë Socialiste. Në një pjesë të mirë të përgjimeve rezulton një përfaqësues lokal socialist Arben Keshi, i cili më pas është emëruar si drejtor në një prej institucioneve në varësi të Ministrisë së Brendshme.

Kryeministri Rama i cili dëgjohet në një bisedë me Keshin për situatën e zgjedhjeve dhe rezultatin e pritshëm, reagoi duke u shprehur se sipas tij: “Përgjimet e pahetuara të shërbëtorit të Saliut tregojnë përsëri se u bënë për shantazh, jo për drejtësi!”.

Ai nxiti prokurorinë “të vijojë intensivisht hetimet për të nxjerrë deri në fund ku mbarojnë llafet dhe ku dalin prova fajësie para ligjit,nëse ka të tilla”, shkruan kryeministri në Twitter.

“Nëse nuk i duan lekët, të shkojnë te…”- Drejtori Keshi flet me banorë të Dibrës për blerjen e votave: Të shkruaj SMS

Drejtori pranë Ministrisë së Brendshme, Arben Keshi duket se është përfshirë gjerësisht në blerjen e votave në Dibër sipas përgjimeve të publikuara nga gazeta gjermane “Bild”.

 

Në përgjigjet 3 dhe 6, ai flet në telefon me qytetarë të ndryshëm për blerjen e votave.

Përgjimi 3:

pergjimi 3 on Vidnews.

Arben Keshi: Ku je zhdukur?

Personi: A u lodhe?

Arben Keshi: Ku shkove?

Personi: Jam te Tasia, këtu poshtë.

Arben Keshi: Ku?

Personi: Tasia.

Arben Keshi: Ku?

Personi: Tasie Lleshi

Arben Keshi: Po, çfarë thotë?

Personi: Nuk do ai Refiku.

Arben Keshi: Po në rregull, mirë

Personi: Ai tha te 30, po te 30 nuk ashtu..

Arben Keshi: Po leje, nëse nuk i duan leje. Të shkojnë te PD-ja

Personi: Ok, dakord!

Përgjimi 6

Arben Keshi: S’ka ardhur mo! E kam pasur fikur telefonin. Nuk po vjen.

Personi: Aaa, më dëgjo! Ai djali që fola ti bëjmë ofertën këtë javë?

Arben Keshi: Ëhë

Personi: Ka ardhur duke më kërkuar. Është këtu tek daja i vet.

Arben Keshi: ahaha. Mirë, ti e di vet.

Personi: Është këtu. Ai Xhevati thotë mbaro punë.

Arben Keshi: Mbarove?

Personi: E para…E dyta, (nuk kuptohet).

Arben Keshi: Ta shkruaj me mesazh, nuk mund të flas tani.

Personi: Ok!

AUDIO/ ”Është realizuar objektivi?”, publikohet përgjimi i parë i “BILD”, Edi Rama flet me drejtorin e Ministrisë së Brendshme për zgjedhjet

Gazeta gjermane “Bild”, ka publikuar sot 16 audio-përgjime të reja, ku ndër to dëgjohet kreu i qeverisë, Edi Rama, duke komunikuar me një person të quajtur Arben Keshi, drejtor në Ministrinë e Brendshme më 2017.

“Shqipëria, një nga më të bukurat, por edhe një nga vendet më të prapambetura në Europë. Për turistët një tip i egër dhe i lirë i brendshëm në bregdetin e Adriatikut.
Por vendi është gati për të zhyten në kaos total: Ajo konsiderohet tani një vend droge, si Kolumbia në Evropë. Dhe Shqipëria e gatshme të bëhet një rrezik për Ballkanin.
Një nga arsyet: Vendi ka degjeneruar, klanet kriminale dominojnë jetën politike dhe publike. Korrupsioni është normal, edhe blerja e votave në zgjedhje.

Për disa muaj me radhë ka demonstrata masive. Opozita akuzon qeverinë Socialiste të kryeministrit Edi Rama, se ka manipuluar zgjedhjet parlamentare në vitin 2017 duke përdorur Mafian, ka blerë votat dhe mbështetësit e opozitës kanë bërë presion apo edhe penguar nga votimi”, shkruan Bild.

“ BILD tani publikon regjistrime të gjera telefonike – të bëra nga hetuesit shqiptarë – për të treguar për herë të parë se ka pasur një plan sistematik të partisë socialiste në pushtet të kryeministrit Edi Rama për të manipuluar zgjedhjet në vitin 2017! Objektivi: mashtrimi elektoral, blerja e votave, shantazhi i votuesve të opozitës.”

Pergjimi nr.1

Arben Keshi: Po shefi.

Edi Rama: Hë mo si duket.

Arben Keshi: Mirë te pritshmërie jemi.

Edi Rama: E ke realizuar objektivin thua?

Arben Keshi: Them që po. Tani me pjesën e atyre komisionerëve, e kemi realizuar.

Edi Rama: Ashtu ëëë?

Arben Keshi: Po them që po.

Edi Rama: Po ata maskarenjtë kishin bërë presione me thanë?

Arben Keshi: Po deshën të me kapnin mua, por ajo ndodhi pas dy minutash që unë u futa te stafi, se po me pritshin te hoteli ku flija.

Edi Rama: Ç
farë do të bëshin ty ata?

Arben Keshi: Ishin nja 50 veta. Ishte kjo pjesa e presionit, me goditje me kështu. Ai është legen, ai Flamur Noka është…

Edi Rama: Po ku ta del dot ty Flamur Noka more.

Arben Keshi: Dhe ky djali sa doli, sa më la mua, dhe ata kujtuan se jam dhe unë në makinë. Ishin 50 veta, jo se bënë ndonjë gjë, e goditën, por problemi është se ikën dhe si kapën dot.

Edi Rama: Më mirë, mo u hap, çi do sherret. Nigjo, ti mendon që e kemi realizuar objektivin ëë?

Arben Keshi: Unë them që po. Mund të lëvizë pak ose me shumë. Por nga ata që na kanë thënë komisionerët, jemi me pritshmëri të mëdha.

Edi Rama: Komisionerët i ke pas top apo jo?

Arben Keshi: Po, po. Ne rregull i kam pas.

Edi Rama: Mirë vllai!

Arben Keshi: Ishallah! Mirë faleminderit.

Edi Rama: Hajd ciao, ciao!

E PLOTE

AUDION NDIQENI KETU

“Bashës i rrezikohet jeta”: Sander Lleshaj takim informal me truprojën e kryeopozitarit

Partia Demokratike ka bërë të ditur se ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj ka zhvilluar një takim informal ditën e premte truprojën e Lulzim Bashës, të cilin e ka vënë në dijeni se kreut të PD-së i rrezikohet jeta.

 

Këtë fakt e ka bërë të ditur sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazment Bardhi, i cili i ka dërguar një letër ministrit të Brendshëm për të kërkuar informacion për “kërcënimin e pretenduar ndaj kreut të opozitës”.

Në letër thuhet se: “Feim Dollapaj, punonjës i Gardës së Republikës, me detyrë shoqërues i kryetarit të opozitës, Lulzim Basha, na ka informuar në lidhje me takimin që ju keni pasur me të, me kërkesën tuaj ditën e premte, datë 14.06.2019 ora 15:00, në zyrën tuaj në Ministrinë e Brendshme.

Ashtu siç keni i kërkuar, z. Dollapaj na ka informuar se ju keni “infromacione të tërthorta dhe të besueshme si Ministër i Brendshëm mbi rrezikun që i kanoset sigurisë së Kryetarit të Opozitës zotit Basha” dhe se ju prisni përgjigje verbale nëse zoti Basha ‘vlerëson se kërkon masa shtesë sigurie”.

Së pari, jam i bindur që ju jeni të vetëdijen se keni detyrim ligjor që informacionet e “tërthorta dhe të besueshme mbi rrezikun që i kanoset sigurisë së kryetarit të opozitës t’i trajtoni në rrugë institucionale përmes përcjelljes zyrtare të tyre tek autoritetet përgjegjëse.

Në bazë të ligjit, ju duhet ta përcillni informacionin që keni tek drejtuesit e Gardës së republikës, që janë autoriteti përgjegjës për të vlerësuar masat e nevojshme të sigurisë ndaj një përsonaliteti shtetëror që gëzon mbrojtje të posaçme, si dhe tek institucionet ligjzbatuese që kanë përgjegjësinë ligjore për të gjurmuar, vlerësuar dhe neutralizuar çdo rrezik të tillë. Ju, po kështu, keni detyrimin të sqaroni mënyrën e marrjes së këtyre informacioneve, të cilat, ose janë marrë përmes kanaleve zyrtare, ose janë marrë në mënyrë informale, çka mund t’ju përfshijë në një manipulim me qëllime politike”, thuhet në letrën e Sekretarit të Përgjithshëm të PD.

Letra e Gazment Bardhit mbyllet me një kërkesë në emër të PD që Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, “të informojë menjëherë zyrtarisht PD-në mbi motivet që e kanë shtyrë për ta trajtuar këtë çështje në anashkalim të ligjit, si dhe të informojë menjëherë zyrtarisht, mbi seriozitetin dhe besueshmërinë e informacionit që keni përcjellë përmes shoqëruesit të Kryetarit të opozitës “mbi rrezikun që I kanoset sigurisë së Kryetarit të Opozitës”.

“Në të kundërt, mbyllet letra,-Partia Demokratike do ta konsiderojë veprimine tuaj shantazh për qëllime politike dhe ju do të mbani përgjegjësi për këtë veprim.”

Basha gjykatësve dhe prokurorëve: Do të dilni para drejtësisë bashkë me Ramën

Kreu i PD, Lulzim Basha, në një deklaratë për mediat ka reaguar pas dhënies së masës arrest me burg për 4 nga 7 të arrestuarit në Librazhd, zyrtarë të PD, të cilët tentuan t’i bllokojnë rrugën Edi Ramës për mbajtjen e mitingut.

Kreu i selisë blu është shprehur se këto arrestime kanë për qëllim të trembin qytetarët, por se kjo nuk do t’i ndalë ata deri në fitore.

Ai u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve që të bashkohen në protestën e radhës, ditën e premte, ndërsa u ka dhënë një mesazh prokurorëve dhe gjykatësve të Elbasanit që dhanë masën për të arrestuarit.

“Dua t’ju drejtohet gjyqtarëve dhe policëve të Elbasanit, ju e dini fare mirë se çfarë është ligji dhe drejtësia, se është kriminale që një prokuror  dhe një gjyqtar të braktisë ligjin dhe t’i shërbejë politikës dhe krimit.

Rama mund t’ju ketë premtuar se do t’ua falë korrupsionin dhe shkeljet ligjore, se do ta kaloni vetingun, ndërsa unë dua t’ju premtoj se shpejt do ta shoqëroni Edi Ramën para drejtësisë.

As njerëzit dhe as unë nuk do ta harrojmë dhe as falim krimin dhe korrupsionin tuaj”, tha Basha.

“Edi Rama tani po kërkon të nxisë dhunë masive në Shqipëri, ai po kërkon të nxisë përplasje mes qytetarëve, po kërkon të nxisë luftë mes militantëve të ndryshëm politikë, po kërkon të nxisë vëllavrasjen mes shqiptarëve”, deklaroi kreu i selisë blu.

Deklarata e plotë: 

Prokuroria dhe gjykata e Elbasanit vendosi sot, të mbajë në burg Kryetarin e PD të Librazhdit zotin Bujar Vreto dhe kryetarin e PD të Prrenjasit zotin Arjan Karriqi, si dhe dy qytetarë të tjerë zotin Dashamir Boja dhe zotin Bujar Kllojku.

Krimi i tyre është se kanë protestuar në buzë të rrugës ku kaloi Edi Rama.

Është vendim burracakësh i gjyqtarëve dhe prokurorëve të korruptuar të Edi Ramës.

Është represion ndaj kundërshtarëve politikë i urdhëruar direkt nga Edi Rama.

Qëllimi është vetëm një: persekutimi dhe trembja e kundërshtarëve politikë për të shuar protestën dhe përpjekjet kundër qeverisjes së kriminalizuar të Edi Ramës.

Duke shprehur solidaritetin tim për familjet e katër demokratëve të arrestuar që nuk do i kenë prindërit dhe bashkëshortët në shtëpi sot, dua ti drejtohem Edi Ramës dhe klanit të tij kriminal në qeveri:

Opozita nuk frikësohet.
Opozita nuk trembet.
Opozita nuk tërhiqet.

Unë, të gjithë demokratët në çdo cep të Shqipërisë dhe të gjithë qytetarët e bashkuar
do ta luftojmë këtë qeveri kriminale derisa Edi Rama dhe kriminelët e tij të dalin para drejtësisë së vërtetë.

Dua t’u drejtohem, gjithashtu, të gjithë policëve, prokurorëve dhe gjyqtarëve të Elbasanit, të cilët sot vendosën të mbajnë të burgosur politikë njerëz të pafajshëm, ndërkohë që kanë vite që tolerojnë dhe mbrojnë krimet e Qazim Sejdinit dhe të bandave të Elbasanit:
Ju e dini shumë mirë se çfarë është ligji dhe drejtësia!
Ju e dini shumë mirë se është kriminale që një prokuror dhe gjyqtar të braktisë ligjin dhe interesin publik për t’i shërbyer politikës dhe krimit.
Ju e dini, edhe ne e dimë. Të gjithë njerëzit e dinë.
Edi Rama mund t’ju ketë premtuar se do t’jua falë korrupsionin dhe shkeljet ligjore.
Edi Rama mund t’ju ketë premtuar se do ta kaloni vetingun. Kurse unë dua t’ju premtoj se shpejt do ta shoqëroni Edi Ramën përpara drejtësisë.
Prokurori dhe gjykatësi i korruptuar është funksionari më i rrezikshëm në shoqëri. As njerëzit dhe as unë nuk do ta harrojnë dhe tolerojmë krimin dhe korrupsionin tuaj.

Tani e gjithë bota po zbulon më në fund Edi Ramën e vërtetë: një të inkriminuar pa ndjenja, i cili për para dhe karrike nuk ndalet para asgjëje.

Një megalloman diaabolik që nuk njeh as familje, as shoqëri, as popull, as atdhe.

Tani që e ka kuptuar se u zbulua, dhe se pushtetin nuk e mban dot më me blerje zgjedhjesh dhe propagandë, Edi Rama ka vendosur ta mbajë atë me dhunë.

Pasi asgjësoi gjykatat dhe vuri nën kontroll të plotë prokurorinë, ai ka disa muaj që ushtron dhunë sistematike kundër opozitës dhe qytetarëve.

Mbi 500 qytetarë janë ndaluar gjatë 5 muajve të fundit.
Mbi 50 qytetarë janë arrestuar.
Me dhjetëra gazetarë janë dhunuar në krye të detyrës.
Me mijëra qytetarë janë sulmuar me gaz lotsjellës dhe mjete të forta nga policia.

Por dhuna e tij dështoi.
Njerëzit nuk u frikësuan.
Protestat u bënë përherë e më të mëdha!

Në protestën e fundit ka patur qytetarë pa asnjë lidhje me partitë e opozitës aq sa nuk ka patur kurrë më parë.

Protestat tona tani janë protesta të mëdha popullore, protesta të njerëzve që nuk pajtohen më me krimin dhe korrupsionin që po shkatërron jetët e njerëzve.

Kjo e ka trembur dhe e ka futur në panik Edi Ramën. Prandaj, tani ai ka vendosur të zbatojë një plan të rrezikshëm, për nxitjen e ndarjeve dhe përplasjeve sociale në Shqipëri.

Edi Rama tani po kërkon të nxisë dhunë masive në Shqipëri, ai po kërkon të nxisë përplasje mes qytetarëve, po kërkon të nxisë luftë mes militantëve të ndryshëm politikë, po kërkon të nxisë vëllavrasjen mes shqiptarëve.

Për këtë qëllim, ai po përdor policinë, prokurorinë, gjykatat dhe mercenarët e tij në media, për të krijuar ngjarje që provokojnë, që ndezin emocionet, që nxisin revoltim dhe reagime publike.

Këtë qëllim kanë arrestimet e fundit të drejtuesve të PD.
Këtë qëllim kanë përplasjet e policisë me qytetarët protestues.
Këtë qëllim ka vazhdimi i një fushate të paligjshme.
Këtë qëllim ka retorika e djegies, përmbysjes dhe e dhunës.

Motoja e Edi Ramës tani është: Çdo gjë të sakrifikohet, çdo gjë të shkretohet vetëm që ai ai të ruajë karriken dhe milionat e tij. Është një plan i dëshpëruar që do sjellë fundin e tij, dhe ne nuk do lejojmë që fundi i Edi Ramës të arrihet me kosto për Shqipërinë.

Ndaj dua t’u bëj thirrje së pari të gjithë atyre që e ndjekin verbërisht nga pas në këtë aventurë, që të mos bëhen kurban i Edi Ramës.

U bëj thirrje veçanërisht punonjësve të institucioneve ligjzbatuese: refuzoni të bëheni vegla të verbra për të shkelur ligjin, për të dhunuar popullin dhe për të kryer krime në emër të Edi Ramës.

Ne nuk do të na thyeni dot,
Ne nuk do na lëvizni dot asnjë centimetër.

Ju bëj thirrje të gjithë demokratëve dhe të gjithë qytetarëve që të vazhdojnë të jenë kurajozë dhe të bashkuar si deri më sot. Ne jemi të fortë. Ne jemi të vendosur. Ne kemi të drejtën me vete.

Do të protestojmë, do të qëndrojmë deri në fitore. Të bashkuar, nuk na ndal asgjë dhe i fusim frikën në palcë Edi Ramës dhe mercenarëve të tij.

Ftoj të gjithë qytetarët që të na bashkohen në protestën e të premtes së ardhshme.

Forca jonë është e pathyeshme sepse ne jemi shumica, sepse ne jemi e drejta, sepse ne jemi e vërteta.

Ne luftojmë për të ardhmen e fëmijëve tanë, kurse ata janë zvarranikë që luftojnë për karriken që kanë marrë duke ju vjedhur votën, paratë, pronat dhe mundësitë.

Tani është koha t’i merrni ato mbrapsht.

Asnjë hap pas, deri në fitoren e afërt të betejës tonë për Shqipërinë si gjithë Europa.

Ditët e agonisë së pluralizmit në Shqipëri, koha e fundit për ndërhyrje! – Nga ARTAN FUGA

Nëse në zgjedhjet e 30 qershorit partitë qeveritare rreth Kryeministrit hyjnë vetëm, pa pjesëmarrjen e partive reale opozitare, demo-kracisë dhe pluralizmit në Shqipëri i ka ardhur fundi! Ta çojmë në varreza, ta qajmë aty, politikanët të mbajnë fjalimet e rastit dhe mbi pllakën e gurtë të varrit të shkruhet:

11 dhjetor 1990-30 qershor 2019
Këtu prehet pluralizmi shqiptar!
Vdiq i ri!
E vranë në sherr e sipër!
Ju o kalimtarë që shkoni këtej hidhni një lot, vini një gjethe dafine dhe mendoni se njeriu sado të rritet, mbetet një fëmijë e i papërgjegjshëm!
Shqipëria prehet poshtë këtij guri varri!
Varrosja e pluralizmit shqiptar e dëmton deri në palcë popullin dhe kombin shqiptar anembanë trojeve të veta!

Qani edhe ju që nuk keni lindur ende, edhe ju të vdekur!

Brezi jonë ju vrau pa lindur dhe ju rivrau përsëri!

Kush është fajtori? Të gjithë! Llogaritë i bën Zoti në botën tjetër kur të gjithë politikanët nëse nuk tërhiqen, në ferr do t’i çojë. Pas tyre edhe ne të tjerët! Porta e parajsës është mbyllur!

Pamjet filmike nga Librazhdi a Përrenjasi dje kur populli në rrugë thërriste: Ik, ik dhe eskortat e Policisë mbronin të ardhurit dhe Kryeministrin me makina blind që iknin si të çmendura, duke rrezikuar qytetarët rrugëve a trotuareve, ishin prova e asaj që do të ndodhi në ditët dhe vitet që do të vijnë.

Zgjedhjet janë të pamundura kështu për ne qytetarët. Mes breshëri gurësh, sirenash policie, sherresh mes nesh!

Asimetria në mjete dhe vendosja e shtetit, e Forcave të Armatosura dhe e Policisë në shërbim të një force politike qeveritare për të mbrojtur përfaqësuesit e saj nga populli që pretendon se do ta përfaqësojë, treguan dje dhe në vazhdim se nuk mund të ecet kështu!

A ka zgjidhje?
Po! Po! Po!
Nga analiza e gjendjes ka të paktën 5 opsione për të gjendur një zgjidhje jo për të
kënaqur palët, por për të bërë ato akte kirurgjikale që ta shpëtojnë pluralizmin shqiptar
nga vdekja e sigurt në ditët që vijnë!

Ka 5 opsione të shkëlqyera!

Por politikanët të heqin dorë fillimisht nga mjetet e dhunshme.

Po, është dhunë ta çosh kryetarin e opozitës para zgjedhjeve në Prokurori. Pluralizmi ka mbaruar!

Po është dhunë t’i bësh gjyqin ostracist Presidentit të Republikës në një seancë llafollogjie në një Kuvend me deputetë, që marrin urdhra dhe mund të votojnë edhe nëse u thuhet: “Gomari fluturon”.

Po është akt dhune edhe të gjuash eskortën e Kryeministrit me gurë!
Këto janë zgjedhjet që na shërbeni o politikanë ne qytetarëve?!
Këto quani shprehje e vullnetit qytetar?
Kjo është qetësia që meriton qytetari kur të shkojë të hedhë votën në kuti?
Midis shkopit të policit dhe vëzhgimit të militantit që i mban shënim emrin në bllok duke
e survejuar nga ballkoni?
Çfarë talljeje po na bëni!
Vetëm një popull budalla mund të votojë kështu!
Pse? Sepse paskeni prerë datën e dasmës dhe krushqit nuk mund të kthehen më mbrapsht!

O na jepni çupën sot për nuse, o u premë me thika për një qind breza me njëri-tjetrin!

Në legjenda mijëvjeçare do të hyjë kjo javë!

Aristoteli, Makiaveli, Loku, Hobsi, Rusoi, Monteskjei do të na shihnin nga qielli dhe do të thoshin: Ja shqiptarët, kombi më idiot, më budalla, më shtetshkatërrues në Europë!

Kështu duam të na pranojë Europa!
Ne meritojmë të hidhemi në det po vazhduam edhe pak ditë kështu!
Ka 5 opsione të shkëlqyera!
Ka universitarë që i mendojnë këto, i kanë këto zgjidhje, por askush nuk dëshiron t’i dëgjojë!
Politikanët kanë nxjerrë shpatat me njëri-tjetrin.
Akademikë të korruptuar, senilë nga mendja dhe të bufatur, heshtin si minj!
Populli sheh një spektakël dhune me përbuzje dhe mendon se çfarë të bëjë: të kapë gurët, apo të marrë dhenë?!
Ai fyhet çdo herë që sheh skena dhune sepse janë kërcënime kundër tij!
Rri urtë o skllav, o raja, o palaço, o turmë! – duket sikur i thonë.
Nuk do të ketë kryetar bashkie, politikan, qytetar që pas 30 qershorit do ta nisi e do ta ngrysi ditën si njeri.
Ka 5 opsione, mund të ketë edhe 50.
Por fillimisht duhet ndërhyrë për të mos e lënë të sëmurin në agoni të vdesë në mënyrë të sigurt në 30 qershor.
Mos shpresoni se do ta shëroni me barna popullore!
E sigurt, vdekja!
As duke u rrahur dhe çjerrë sipër shtratit të tij për trashëgiminë!
Ju doni ta vdisni sa më shpejt!
O sot, ose përgatituni për varrimin e madh ku poshtë gurëve do të shkruhet:
Këtu prehet pluralizmi shqiptar!
Vdiq i ri!
11 dhjetor-30 qershor 2019!
E vranë politikanët!
Shqiptarët janë budallenj!
O kalimtar, mos kalo më këtej

A do e shpërndajë Meta Kuvendin? Lëvizja e Presidencës në KQZ (dokument)

TIRANE

Përmes sekretares së Përgjithshme, Presidenca i është drejtuar sot me një shkresë Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve, përmes së cilës i kërkon t’i vihet në dispozicion lista shumë emërore e deputetëve.

Në shkresën drejtuar KQZ, presidenca kërkon t’i vihet në dispozicion numri aktual i mandateve të deputetëve të Kuvendit në shkallë vendi, si edhe lista emërore e deputetëve aktualë të Kuvendit të Shqipërisë për cdo zonë zgjedhore për cdosubjekt.

Lëvizja e radhës e presidencës, vjen një ditë pasi Kuvendi  votoi me 100 vota pro rezolutën kundër Kreut të Shetit, e cila e bën nul vendin dekretin e tij për anulimin e zgjedhjeve të 30 qershorit.