VOAL

VOAL

Palmer: Kurti dhe Vuçiq këtë vit mund të nënshkruajnë marrëveshjen Kosovë-Serbi

June 4, 2021

Komentet

Fluturimet sekrete në Izrael, kush e pagoi avionin privat? Media izraelite: Marrëdhënia e Ramës me biznesmenin Ron Yeffet në qendër të akuzave për projektin “Kayo”!

Yeffet nuk është i vetmi i njohur i Ramës në komunitetin e biznesit në Izrael. Biznesmeni Sani Sanilevich, i cili shërben si Konsull Nderi i Shqipërisë në Izrael, është gjithashtu i afërt me të dhe është aktiv në Shqipëri, ku po punon për ngritjen e një spitali.

Gjatë vizitës së fundit të Ramës në Izrael, pesë muaj më parë, ai ishte mysafir i Sanilevich. Rama udhëtoi drejt Izraelit me një avion të marrë me qira kundrejt pagesës nga partneri i biznesit të Sanilevich, biznesmeni Tzachi Nachmias.

Një hetim i publikuar nga media shqiptare Reporter.al zbuloi se fluturimi drejt Izraelit nuk ishte paguar nga qeveria shqiptare. Rama shpjegoi se vizita e tij në Izrael përfshinte “elemente që lidhen me sigurinë”, megjithatë mbetet e panjohur se kush e pagoi përfundimisht fluturimin.

Rama është një mysafir i shpeshtë në pronën e madhe të Yeffet në Shqipëri, ndërsa Yeffet ka interesa biznesi në fushën e pasurive të paluajtshme, infrastrukturës dhe mbrojtjes në vend. Më e rëndësishmja, një kompani në pronësi të Yeffet është partnere e kompanisë shtetërore shqiptare të mbrojtjes Kayo.

Yeffet bashkoi forcat me Kayo për të ngritur një fabrikë prodhimi në Shqipëri që prodhon automjete të blinduara, mjete zjarrfikëse, ambulanca dhe kamionë për mbledhjen e mbeturinave. Sipërmarrja e përbashkët i shet produktet e saj ministrive të qeverisë shqiptare, si edhe vendeve afrikane dhe shteteve të tjera anëtare të NATO-s.

Yeffet nuk është e vetmja lidhje izraelite e Kayo-s. Në nëntorin e kaluar, Haaretz zbuloi se Elbit Systems do t’i furnizonte Shqipërisë sisteme të avancuara artilerie dhe dronë në bashkëpunim me Kayo-n, e cila do të ngrejë një fabrikë për prodhimin e këtyre sistemeve. Në prill të vitit 2025, media të huaja raportuan se Elbit do të krijonte një shkollë fluturimi në Shqipëri.

Marrëdhëniet e biznesit dhe partneritetet që përfshijnë Yeffetin, Ramën dhe qeverinë shqiptare kanë gjeneruar raportime të shumta në mediat shqiptare, të cilat kanë kritikuar dy burrat. Arben Ahmetaj, i cili shërbeu si zëvendëskryeministër i Shqipërisë deri në vitin 2022, deklaroi në një intervistë në janar të vitit 2026 se ai që e quajti “Projekti Kayo” ishte “një projekt korruptiv që përfshin transferimin e aseteve shtetërore shqiptare në duar private”.

Ahmetaj pretendoi gjithashtu se Yeffet kishte qenë i përfshirë në marrëdhënie biznesi me Air Albania dhe kishte kërkuar të blinte borxhin kombëtar të vendit. Në prill të këtij viti, Blend Këlliçi, shkoi edhe më tej. Ai deklaroi se fakti që kompania e Ron Yeffet, R&I Trading, akuzohet për mashtrim në një proces civil gjyqësor ende në zhvillim, “kërcënon pozicionin e Shqipërisë brenda NATO-s dhe sigurinë e të gjithë Aleancës së Atlantikut të Veriut”.

Ai i referohej një padie të depozituar në një gjykatë në Florida nga biznesmeni amerikan Mark Faist, i cili pretendon se Yeffet përdori marrëdhënien e tij me Ramën – madje i premtoi edhe një takim me kryeministrin – për ta mashtruar në lidhje me mundësitë e investimit të ofruara nga R&I.

Deri më sot, këto akuza ndaj Yeffet nuk kanë çuar në ndonjë hetim zyrtar dhe është e dyshimtë që një proces civil në Florida, që përfshin vetëm disa milionë dollarë, mund të përbëjë ndonjë kërcënim për sigurinë e Shqipërisë, e aq më pak për NATO-n. Megjithatë, marrëdhënia e ngushtë mes biznesit dhe pushtetit politik që është zhvilluar mes Yeffet dhe Ramës mund të ndërthuret tani me protestat publike kundër projektit të Kushner dhe, në fund, të rrezikojë qëndrimin e Ramës në pushtet.

Vetë Yeffet u përgjigj në një bisedë me gazetën: “Nuk kam absolutisht asnjë lidhje me Air Albania. Figurave të opozitës në Shqipëri po më përdorin mua dhe biznesmenë të tjerë si mjete për të sulmuar dhe dëmtuar kryeministrin e tyre.”

Zyra e Qeverisë Shqiptare reagoi duke deklaruar: “Ka aq shumë pretendime absurde në diskursin publik në Shqipëri, sa t’u përgjigjesh secilit prej tyre jo vetëm që është e pamundur, por do të ishte vetë absurde. Kayo është një kompani shtetërore e krijuar sipas standardeve ndërkombëtare me qëllim bashkëpunimin me sektorin privat në interes publik. Akuzat ndaj saj tregojnë se sa lehtësisht përdoret sot fjala ‘korrupsion’. Ky term hidhet në qarkullim po aq lehtësisht sa t’i pyesësh dikë se çfarë ka ngrënë për drekë, ndërkohë që duhet të përdoret vetëm kur ekzistojnë fakte serioze dhe të besueshme që mbështesin një akuzë të tillë. Në rastin e Kayo-s, këto akuza janë plotësisht të pabazuara.”/reporter.al

“Njeriun e bën arsimi dhe kultura” Fjalimi i Bujar Asqeriut: Me shkopinj gome dhe me biruca do ta edukojnë rininë shqiptare?!

Disa nga fjalimet e forta të aktorit të njohur Bujar Asqeriu, janë sjellë në vëmenedje nga postime të ndryshme në rrjetet soiale, kjo pasi lidhen me situatën aktuale në vend, ku për 29 ditë shqiptarët kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, largimin e qeverisë së tij dhe anulimin e një sërë ligjesh, mes tyre ai për zonat e mbrojtura i vitit 2024.

Në fjalën e tij të shpërndarë në rrjet, aktori ka rikthyer në vëmendje debatin mbi mungesën e investimeve në art, kulturë dhe arsim.

Sipas Asqeriut, mungesa e investimeve në kulturë dhe edukim ka ndikuar drejtpërdrejt në rritjen e problemeve sociale dhe kriminalitetit.

“Në Shqipëri janë ndërtuar 24 burgje. Më thoni, sa teatro janë ngritur? Zero! E gjithë rinia shqiptare është nëpër burgje, nuk ka qytet pa burg. Them unë, këta me shkopinj gome dhe me biruca do ta edukojnë rininë shqiptare? Po të ndërtoheshin katër, pesë apo gjashtë teatro, më pak burgje do të kishim, jam i sigurt për këtë. Sepse njeriun, siç thoshte Viktor Hygo, e bën arsimi dhe kultura; nga kafshë e bën njeri, e zbukuron arti dhe kultura. Por këta nuk investojnë dhe ne zihemi me njëri-tjetrin për një pesëlekësh që hedhin ata si një kockë, kush ta kapë kockën. Rinia shqiptare, nga mosha 20 deri në 30 vjeç, e ke nëpër burgje,” u shpreh ai.

 

“Një muaj protestë në Tiranë” Televizioni publik gjerman, ZDF: Qytetarët kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama!

Televizioni publik gjerman ZDF i ka kushtuar vëmendje protestave që po zhvillohen në Shqipëri, duke raportuar se mijëra qytetarë dolën sërish në rrugët e Tiranës mbrëmjen e së shtunës për të kundërshtuar projektin e planifikuar të një kompleksi luksoz në bregdetin e Adriatikut.

ZDF thekson se protestat zhvillohen prej gati një muaji pa ndërprerje, ndërsa demonstruesit akuzojnë qeverinë e kryeministrit Edi Rama për korrupsion dhe mungesë transparence.

Në raportimin e tij, televizioni gjerman thekson se protestuesit kërkojnë, ndër të tjera, dorëheqjen e kryeministrit Rama dhe ndalimin e projektit të diskutueshëm.

Megjithatë, sipas ZDF, pavarësisht protestave të vazhdueshme dhe kundërshtimeve të forta, kryeministri Edi Rama dhe qeveria e tij kanë mbetur të vendosur për ta çuar përpara projektin e pasurive të paluajtshme.

 

“Të shtunën në mbrëmje, mijëra njerëz në kryeqytetin e Shqipërisë, Tiranë, demonstruan përsëri kundër një projekti të planifikuar luksoz të pasurive të patundshme në bregdetin e Adriatikut.
Protestat kanë ndodhur pa ndërprerje për gati një muaj. Demonstruesit akuzojnë qeverinë e kryeministrit Edi Rama për korrupsion dhe mungesë transparence, ndër të tjera, dhe kërkojnë, ndër të tjera, dorëheqjen e Ramës. Pavarësisht protestave të ashpra, ai dhe qeveria e tij kanë mbetur të përkushtuar ndaj projektit të pasurive të patundshme”, thuhet në artikull. bw

“Ftohtësi emocionale, egoist dhe manipulues”- Shau protestuesit “Fuck You”, analiza psikologjike pas sjelljes së Ramës: Një lider e tregon veten nga mënyra si reagon kur sfidohet

“Ftohtësi emocionale, egoist dhe manipulues”, ky ka qenë vlerësimi që një person i diplomuar në psikologji i ka bërë sjelljes së kryeministrit Edi Rama në reagimin e tij ndaj protestave masive ku kërkohet dorëheqja e tij dhe largimi i qeverisë.

Në një postim në rrjetet sociale, Valdet Selimaj analizon se shprehja e Ramës, i cili në një intervistë së fundmi në mediat ndërkombëtare iu drejtua protestuesve me “Fuck You”, zbardh psikologjinë që qëndron pas qeverisjes së tij.

“Fyerja e protestuesve nga Edi Rama nuk është thjesht një pamje e keqe – mund të jetë një dritare në psikologjinë pas lidershipit të tij.
Kjo video nuk është një diagnozë klinike. Është një analizë sjelljeje.
E përmend triadën e errët sepse na jep gjuhën për të kuptuar disa modele toksike të lidershipit:
-Narcisizmi: egoja, madhështia dhe armiqësia ndaj kritikave. (Tendencat narcisiste janë të ndryshme nga Çrregullimi Narcisist i Personalitetit (ÇPP). Dikush mund të ketë tendenca narcisiste pa pasur ÇPP)
-Makiavelianizmi: manipulimi, kontrolli i imazhit dhe lojërat e pushtetit.
-Tiparet e lidhura me psikopatinë: ftohtësia emocionale, mungesa e empatisë dhe shpërfillja agresive për të tjerët. (Njerëzit mund të kenë tendenca psikopatike dhe të mos kenë diagnostikuar Psikopati)
Kur udhëheqësit i trajtojnë protestuesit me përbuzje, ata mund të zbulojnë më shumë sesa zemërim. Ata mund të zbulojnë se si e shohin pushtetin, si e shohin mospajtimin dhe si i shohin njerëzit që supozohet t’u shërbejnë.
Një udhëheqës i shëndetshëm nuk ka nevojë ta poshtërojë publikun për t’u dukur i fortë.
Një udhëheqës i shëndetshëm mund të tolerojë mosmarrëveshjet pa u bërë abuziv. Prandaj kjo ka rëndësi. Sepse testi i vërtetë i lidershipit nuk është se si sillet dikush kur lavdërohet. Është se si sillet kur sfidohet”, shprehet ai. bw

“Trafik droge, pastrim parash, Kullat e Tiranës dhe protestat” – Gazetarja polake kritika qeverisë: A do të guxojë SPAK të hetojë Ramën?

Në reagimin e saj, Rejmer përmendet edhe libri “The Albanian Files”, (“Dosjet Shqiptare”), ku janë publikuar investime dhe projekte në Shqipëri, si dhe informacione që nuk ishin bërë më parë publike.

 

TIRANË- Gazetarja polake, Margo Rejmer, ka bërë një reagim të gjatë në rrjetet sociale, ku ka komentuar situatën me të cilën ndodhet Shqipëria aktualisht dhe mënyra se si Kryeministri Edi Rama po e qeveris vendin. Rejmer shprehet se shqiptarët po protestojnë, sepse modeli i zhvillimit të vendit i bazuar në investime luksoze dhe në pastrimin e parave të pista nuk i ka sjellë kurrë mirëqenie asnjë shteti, por për njerëzit e zakonshëm do të thotë vetëm varfërim.

Gazetarja ngre pyetjen edhe për përmasat e trafikut dhe pastrimit të parave, duke thënë se 50 ton kokainë sa njerëz duhen për t’i shpërndarë në rrugët e qyteteve evropiane. Ajo e vë theksin edhe te pastrimi i parave, duke shtruar sërish një pyetje se për të pastruar 1 miliard euro, sa njerëz, juristë, bankierë, noterë, punonjës zyrash ligjore dhe agjentë shitjesh apartamentesh duhen.

Ajo citon gjithashtu se biznesmenë të lidhur me mafian ndërtojnë komplekse banimi duke fryrë çmimet e tregut të pasurive të paluajtshme. Në reagimin e saj, Rejmer përmendet edhe libri “The Albanian Files”,  (“Dosjet Shqiptare”), ku janë publikuar investime dhe projekte në Shqipëri, si dhe informacione që nuk ishin bërë më parë publike. Gazetarja thekson më tej në “Dosjet Shqiptare” nuk përmenden arkitektë shqiptarë, por vetëm emra të njohur ndërkombëtarë, duke ngritur pyetje mbi burimet e financimit të projekteve në një vend të varfër.

Reagimi i plotë i Margo Rejmers:

Nuk ka gjë më të vështirë sesa të lidhësh pikat.

Një nga burimet e mia thotë se disa javë më parë, përmes portit të Durrësit ka kaluar një ngarkesë prej 50 tonësh kokainë. Merrni kalkulatorin. 50.000 kilogramë herë 20.000 euro për kilogram bëjnë 1 miliard euro. Kjo është 12 për qind e buxhetit vjetor të Shqipërisë.

Dhe kjo është vetëm një ngarkesë.

Tani llogarisni sa njerëz duhen për të shpërndarë në rrugët e qyteteve evropiane 50 ton kokainë? Sa njerëz, juristë, bankierë, noterë, punonjës zyrash ligjore dhe agjentë shitjesh apartamentesh, duhen për të pastruar 1 miliard euro?

Dhe kjo është vetëm një ngarkesë.

Një gazetare e njohur ekonomike më tha:

‘Që nga viti 2018 pyesja veten se si e bënin? Si transportonin dhe pastronin sasi kaq të mëdha parash cash? Çfarë sistemi të ndërlikuar kishin krijuar? Pastaj dokumentet e SPAK-ut dhanë përgjigjen: nëpër Evropë lëvizin kamionë të mbushur me para nga shitja e kokainës, kalojnë kufij pas kufiri falë ryshfeteve, ndërsa paratë ruhen në apartamente të blera vetëm për magazinimin e tyre ose varrosen në fuçi nën pemë ulliri. Gjithçka është kaq e thjeshtë dhe kaq primitive. Sasi të pafundme parash dhe korrupsion, kështu funksionon sistemi.’

Dhjetëra mijëra shqiptarë protestojnë, sepse modeli i zhvillimit të vendit i bazuar në investime luksoze dhe në pastrimin e parave të pista nuk i ka sjellë kurrë mirëqenie asnjë shteti. Për njerëzit e zakonshëm ai do të thotë vetëm varfërim: çmimet e ushqimeve dhe qirave rriten në mënyrë marramendëse, ndërsa leku shqiptar është aktualisht në mënyrë të pajustifikuar shumë i fortë kundrejt euros.

Biznesmenë të lidhur me mafian ndërtojnë komplekse banimi, duke parkuar para, dhe fryjnë artificialisht çmimet. Aktualisht një metër katror në qendër të Tiranës kushton rreth 3.500–4.000 euro, ndërsa paga mesatare është rreth 600 euro. Kjo e rendit Tiranën në vendet e para në Evropë për raportin mes çmimeve të banesave dhe të ardhurave të qytetarëve.

Një nga trafikantët me të cilët kam folur kohët e fundit më tha:

‘Palermo në vitet ’70 u shndërrua në një kantier të madh ndërtimi, ashtu si Shqipëria sot. Sot Palermo është plot me shtëpi bosh. Tirana do të bëhet një qytet kullash bosh, sepse kushdo që do të mundet, do të largohet prej këtu.’

Ndërkohë, Shqipëria po jeton me publikimin e ‘The Albanian Files’, opus magnum-in e Ramës, një libër me investime që tashmë janë ndërtuar, që do të ndërtohen një ditë ose, siç na mëson përvoja, që nuk do të ndërtohen kurrë.

Edi Rama, pa asnjë drojë, publikon aty informacione që deri tani nuk ishin bërë të ditura për opinionin publik, për shembull se projekti i vilave dhe hoteleve në Zvërnec ishte hartuar që në vitin 2022 me porosi të oligarkut Kastrati.

‘The Albanian Files’ nuk është vetëm një dëshmi e korrupsionit shqiptar dhe një provë e shkallës gjigante me të cilën pastrohen paratë e pista në vend. Ai është gjithashtu një dëshmi e korrupsionit moral të arkitektëve yje, si Ëiny Maas, Stefano Boeri, Bjarke Ingels dhe të tjerë, të cilët gjatë viteve të fundit kanë krijuar fasadën e shkëlqyer të suksesit të madh ekonomik të Shqipërisë.

Pse askush prej tyre nuk e pyeti veten se nga i gjente një vend kaq i varfër paratë për qindra investime dhe për ndërtimin e kullave të reja gjigante?

Në ‘The Albanian Files’ nuk përmendet asnjë arkitekt shqiptar. Edi Rama ka punuar vetëm me emra të mëdhenj të huaj. Ai e paraqiste veten si një lider-vizioner që sillte botën e madhe në një cep të Ballkanit të prapambetur. Dhe arkitektët e famshëm e përforconin këtë narrativë, duke treguar qëndrimin e tyre neokolonial ndaj Shqipërisë dhe arrogancën e tyre.

Megjithatë, të gjithë i kaloi Reinier de Graaf, arkitekti me famë botërore nga Holanda, i cili në ‘The Albanian Files’ deklaroi se do të dëshironte ta shihte Ramën si mbretin e ardhshëm të Shqipërisë.

De Graaf, autor librash dhe artikujsh mbi mënyrën se si arkitektët e ndershëm duhet t’u shmangen projekteve që shërbejnë si mbulesë për pastrimin e parave, shkruan:

‘Për ne, arkitektët, do të ishte më mirë sikur zgjedhjet e ardhshme në Shqipëri (2025) të anuloheshin. Madje do të shkoj më tej. Duke qenë se Shqipëria ka qenë prej vitesh një mbështetëse kaq e ndritur e arkitekturës, për profesionin tonë do të ishte më mirë që në këtë vend të mos zhvilloheshin më kurrë zgjedhje. Dhe ju, pas mandatit të pestë radhazi si kryeministër, thjesht të bëheshit president i përjetshëm. Ose ndoshta edhe mbret.’

Fjalët gjysmë ironike të De Graaf-it u bënë një tjetër shkëndijë që ndezi sërish zemërimin e shqiptarëve. Dje, bulevardi në qendër të Tiranës u mbush përsëri plot me protestues.

Shqiptarët thonë mjaft korrupsionit dhe trajtimit të tyre si idiotë provincialë. Ata thonë mjaft krimit të organizuar, i cili sipas tyre, nën qeverisjen e Ramës, ka marrë kontrollin e vendit.

Mes turmës pashë kohët e fundit një grua që bashkëpunon me një nga informatorët e mi dhe pastron para të pista për të. Ajo bërtiste: ‘Rama në burg!’, ndërsa marshonte së bashku me djalin e saj të vogël.

Dhe meqë po lidhim pikat, të mos harrojmë: Edi Rama është kryetar i Këshillit Kombëtar të Territorit dhe Ujit, organi që miraton çdo investim në Shqipëri, jep leje ndërtimi dhe vlerëson çdo projekt. Asnjë investim nuk mund të realizohet pa miratimin e kryeministrit.

Gjithçka duket qartë.

Tani e gjithë Shqipëria po shtron pyetjen: a do të dëshirojë SPAK-u, prokuroria kundër korrupsionit, t’i lidhë pikat?

Në një intervistë për Financial Times, Rama thotë:

‘Nuk jam kumbari i mafias’, ndërsa protestuesve u drejtohet me fjalët: ‘F*** you’.

Dhe turma në rrugë i përgjigjet:

‘SPAK you, Rama!’

Dhe përsërit:

‘Nesër do të jemi edhe më shumë.’/Dosja.al

Revolta masive, eksperti: Ditë që s’janë parë kurrë në Shqipëri! Reagimet e Ramës? Qesharake, tregojnë fundin e një diktatori! Largimi i tij është çështje ditësh

Pedagogu dhe eksperti i sigurisë publike, Gerti Metani i cilësoi 27 ditët e protestave masive kundër qeverisë së Edi Ramës si “ditë që nuk janë parë kurrë në Shqipëri”. Në një intervistë për News24, ai tha se protestat janë pasojë e pakënaqësisë së akumuluar ndër vite ndaj keqqeverisjes.

 

Ne jetojmë në një vend që ka nevojë të përmirësohet në shumë sektorë. Kjo keqqeverisjes 35 vjeçare që kanë parë xhepin e tyre para mirëqenies së popullit më bën që çdo ditë të jem aty pjesë e protestës. Të jesh pjesë e këtij revolucioni është gjëja më e bukur që mund t’i ndodhë një personi në jetën e tij. Janë 27 ditë që nuk janë parë asnjëherë në Shqipëri. Nisi nga një dhunë e pafalshme por mendoj që një pikë që derdhi gotën finale ishte ndodhia. Kauza e flamingove ka bashkuar edhe çështje të tjera, dhe na kanë bërë të jemi aty. Nuk ishte se mendohej që qytetarët do të rezistonin, do të grumbulloheshin çdo ditë e më shumë.”, tha ai.

Pedagogu i cilësoi reagimet e Ramës si qesharake, duke shtuar se tregojnë se po vjen fundi i një diktatori. Sipas tij, manteli i politikanit karizmatik ka rënë, duke shtuar se tashmë edhe ndërkombëtarët e kanë kuptuar se kush është.

“Qesharake, fundi i një diktatori. Ai e di mirë se manteli me të cilin vishej, i një zyrtari shik me atlete dhe karizëm ka rënë. Ndërkombëtarët, se banorët e Shqipërisë prej kohësh e dinin se nuk ishte lideri i duhur. Por tani edhe për ndërkombëtarët që merrnin informacione të gabuara, ka bërë që ky mbret të dalë lakuriq dhe të jetë një person që bën veprime jo të duhura se ka tendencën e shpërdorimit të fondeve. Nuk ka fokus real në gjërat jetike të vendit, por e ka mendjen të rekrutojë arkitektë, të bëhet koordinator i grupeve kriminale. I kam parë reagimet qesharake dhe të sforcuara, qasjet e fundit një diktatori për të mbajtur me dhunë pushtetin. Diktatori ka rënë dhe është çështje ditës për ta larguar nga ai post ku është. “, shtoi ai.

Ndërkohë duke u ndalur te letra e grupit koordinator të protestës drejtuar ambasadave të huaja, ai theksoi:

“Është një akt që shpeshherë bëhet nga grupet e ekspertëve, sindikatat por në këtë rast është bërë nga protestuesit dhe ai grup organizatorësh që merren me teknikalitetet. Uroj që ambasadat të reflektojnë. E kanë të vështirë të ndërhyjnë se quhet cenim i rendit të brendshëm, por gjithsesi ato kanë treguar se kanë fuqinë dhe kanë mënyrat e tyre se si mund të ndihmojnë një kauzë që është pro natyrës, pro rinisë dhe kundër oligarkisë në pushtet.”

Protestat masive për largimin e Ramës, Enio Jaço: Flamingot nuk blihen dot, pse Perëndimi duhet të mbështesë revolucionin shqiptar

Nga Enio Jaco

Në agim mbi Lagunën e Nartës, përpara se të fillojë vapa, flamingot qëndrojnë në një rresht të gjatë rozë mes ujit dhe Adriatikut. Ata janë riprodhuar përgjatë këtij bregu prej aq shumë kohësh sa askush këtu nuk e mban mend. Por në fillim të javës që vjen, ata do presin ca vizitorë. Një delegacion eurodeputetësh do vijë për t’i parë. Ata nuk vijnë vetëm për të parë zogjtë. Vijnë për të kontrolluar ujin – e për më shumë, “sistemin” që supozohet ta mbajë atë të pastër.

Dhe kur vjen fjala per flamingot: ato nuk blihen.

Ushqehen në ujëra të cekëta, të pastra e të kripura, dhe në momentin kur uji prishet, ata ikin. Asnjë lobist nuk i bind të rrinë më gjatë. Asnjë leje nuk jau shpejton kthimin. Flamingo eshte bërë sot audituesi më i mirë i besueshmërise në Shqipëri – prova jetike për institucionet e vendit. Aty ku flamingot rrinë, uji është i pastër. Aty ku ikin, diçka nuk shkon. Dhe këtë vit, ata ndezën një revolucion.

Në buzë të bregdetit të tyre të mbrojtur, pritet të ndërtohet një resort luksi i lidhur me Jared Kushner dhe Ivanka Trump.  Por peisazhi është një zonë e mbrojtur sipas klasifikimit ndërkombëtar, Zonë e Rëndësishme për Shpendët (IBA) dhe një zonë e ardhshme Natura 2000, kur Shqipëria të anëtarësohet në BE.

Dhjetëra organizata mjedisore shqiptare, së bashku me BirdLife dhe EuroNatur, kanë protestuar se ndërtimi ka ecur pa një vlerësim të impaktit në mjedis, pa konsultim publik dhe pa leje ligjore. “Natyra, konsultimi publik dhe shteti i së drejtës janë të detyrueshme per anëtarësimin në BE,” deklaroi Gabriel Schwaderer i EuroNatur.

Reagimi popullor është i pa-precedent. Ajo që nisi në 23 maj në fshatin Zvërnec, është tashmë lëvizja qytetare më e madhe që Shqipëria ka parë në 35 vite. Çdo mbrëmje, qytetarët mbushin rrugët e Tiranës. Marshimi i 20 qershorit – ishte më i madhi deri tani, kishte mbi 150,000 veta sipas mediave. Protestuesit janë të rinj, jopartiakë dhe sfidues me paqësinë e tyre, dhe mbajnë krah për krah flamingo, flamuj Shqiptarë, Evropianë dhe Amerikanë. “Shqipëria nuk shitet” është slogani i tyre, i përsëritur më vonë nga eurodeputeti gjerman Sebastian Everding në Parlamentin Evropian.

Kjo nxiti imagjinatën dhe reagimin e mediave globale: Reuters, AP, Financial Times, The Guardian, Le Monde dhe El País raportojnë tani Live nga një vend zakonisht i padukshëm për shtypin perëndimor.  Kjo në vetvete është unike.

Sinjalet e para për botën perëndimore janë, që kjo lëvizje nuk është një problem për t’u menaxhuar. Në fakt eshtë dhurata më e madhe falas që Uashingtoni dhe Brukseli do marrin për një kohë të gjatë. Një lëvizje paqësore që do çojë përpara një nga qëllimet madhore për secilin prej tyre.

Ta nisim me Uashingtonin. Doktrina e re e administratës Trump për Ballkanin Perëndimor është e pragmatike dhe tregtare. Administrata e ka mbyllur ciklin e përkëdheljeve dhe mbikëqyrjeve të vazhdueshme per Ballkanin. Ajo kërkon një rajon që qëndron me këmbët e veta dhe shkul korrupsionin dhe rrjetet e organizuara të drogës që helmojnë Amerikën.

Dhe tani një komb në Ballkan, po ndërton veten.  Falas. Revolucioni i Flamingove është ekzaktesisht ajo që kërkon doktrina. Shqiptarët nuk po i kërkojnë Amerikës ta rregullojë Shqipërinë; ata kërkojnë që institucionet që Amerika ngriti, të funksionojnë. SPAK-u, gjykata e pavarur kundër korrupsionit që Uashingtoni dhe Brukseli e mbështetën, ka nisur një hetim për marrëveshjet e tokës nga individë të lidhur me trafikun e drogës.  SPAK ka ngrirë 128.3 milionë euro të ardhura nga shitjet e kontestuara. Protestuesit kërkojnë vetëm që SPAK të ndjekë rrugën e vet, dhe asnjë marrëveshje, kushdo qoftë, të mos i shpëtojë rregullave të konkurrencës së ndershme. Asgjë nuk përmbush më shumë doktrinën Amerikane, sesa një komb që e bën vetë punën e institucioneve të pastra – pa ushtri, dhe pa miliona dollarë ndihmash nga taksapaguesit amerikane.

Për vite në Dhomën Amerikane të Tregtisë, kam kërkuar vetëm një gjë: kapitali amerikan nuk kërkon favore, kërkon rregulla të drejta, të barabarta dhe të parashikueshme. Projekti i Zvërnecit/Sazanit – pa leje, pa konsultim, dhe pa garë – është e kundërta. Mbështetja e protestuesve nuk shkon kundër investimeve; është në favor të konkurrencës.

Për Brukselin, rasti është akoma dhe më i qartë. Në sondazhin Eurobarometër të 2025, 91% e shqiptarëve mbështetën anëtarësimin në BE – shifra më e lartë e çdo vendi kandidat. Mesa duket, populli më pro-evropian në kontinent nuk ndodhet brenda Unionit; po qëndrojnë në një lagunë, duke mbrojtur rregullat evropiane që vetë qeveria e tyre i shkeli.

Ata nuk kanë asnjë interes të tërheqin pas vetes në Evropë një klasë politike të kapur. Ata duan të hyjnë të pastër.

Dhe duket se Europa po dëgjon. Partia Demokratike Europiane, pjësë e grupit Renew Europe, e ka përqafuar hapur kauzën e protestuesve. Në 17 qershor, Parlamenti Evropian votoi 483 me 103 për ndalimin e menjëherëshëm të ndërtimeve në zonat e mbrojtura dhe shfuqizimin e amendamentit të 2024 që e hoqi mbrojtjen. Brukselit i mjafton vetëm të nderojë parimin e vet: të mbështesë një shoqëri që po ndërton shtetin e së drejtës nga poshtë-lart. Shqipëria po kryen falas, atë që Brukseli shpenzon dekada e miliona duke u përpjekur ta ndërtojë nga lart-poshtë.

Perëndimi pyet shpesh si mund ta bëjë Ballkanin Perëndimor më të sigurtë. Përgjigjja nuk është edhe një samit apo një tjetër prerje shiriti. Përgjigjja qëndron te flamingot rozë në ujërat e cekëta të Nartës – të sigurosh që ata të rrinë aty, mbi një këmbë te ngritur, edhe për vitet që vijnë.

Kur eurodeputetët të shkojnë te laguna javën e ardhshme, mund të bëjnë të vetmen gjë që nuk manipulohet dot: të ecin në buzë të ujit në mëngjes dhe të numërojnë flamingot. Për sa kohë zogjtë janë aty, Shqipëria po bëhet pikërisht partneri që Perëndimi thotë se kërkon. Dhe po ia arrin vetë. Gabimi i vetëm tani do ishte t’ia kthesh shpinën ujit, ndërsa është ende i pastër. gsh

Që të jesh një Kosovar i mirëpritur në Tiranë duhet shkruash si Batoni!- Nga IRENA BEQIRAJ

Fundja përse na duhej Rotacioni?!
Kosovarë si Batoni që dallohet si ushtar i propagandës ose i kushtëzimit të mendjeve me sasi të mëdha informacionesh të paqarta, që i shpërndahen për qëllime paramenduara e duan në Tiranë .
Madje çdo kosovar që e ka valixhen të mbushur më shumë me hesape sesa rroba, dhe ambicjen më të mprehtë se uria, Tirana zyrtare i ushqen me para në bordero konçensionarësh .
Kosovarët e lirë të cilët i bashkohen protestës së vëllezërve shqiptarë i trajton si diversantë ……
Që të jesh një Kosovar i mirëpritur në Tiranë duhet shkruash si Batoni!
Fundja për të gjithë përfituesit e parave me thasë si puna e Batonit edhe armatës së Arkitektëve vizioni ishte i qartë, i matshëm e ndaj nuk u duhej rotacioni madje as zgjedhjet , apo jo Baton ?!

“Protestat kanë qenë ndër lëvizjet qytetare më frymëzuese jo vetëm në Shqipëri por edhe në Europë” Braktisi Ramën, ‘Neomalsorja’ për “Britania Daily”: Kjo qeveri s’mund të sjellë ndryshim

Protestat antiqeveritare në vendin tonë kanë hyrë në ditën e 28 të tyre dhe gjatë gjithë këtyre javëve ka pasur dinamika si në terren ku po mbahen tubimet ashtu edhe në arenën politike.
Një nga ngjarjet që pasoi protestat është largimi nga Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste i deputetes Marjana Koçeku, e njohur ndryshe si Neomalsorja. Largimi i saj përveç vëmendjes në mediat dhe opinionin publik vendas ka marrë jehonië edhe në mediat ndërkombëtare.
Përmes një postimi në rrjetet sociale Koçeku ka ndarë një intervistë për median britanike “Britania Daily”.

Koçeku teksa ka shpërndarë intervistën me titull: “Një nga deputetët më të rinj të Shqipërisë lë Partinë Qeverisëse ndërsa protestat intensifikohen dhe thotë se ‘Kjo qeveri nuk mund të sjellë ndryshime” shprehet:

“N’përpjekje me e ndihmu ndërkombëtarizimin e çështjes së këtyne ditëve. N’përpjekje me hedhë dritë në kthinat e errëta ku fshihet edhe për pak kohë elita e vjetër dhe dekadente e Shqipnisë sonë”, shkruan ajo.

Marjana

Koçeku ka ndarë një sërë problematikash të qeverisjes si dhe të funksionimit të institucioneve. Ajo deklaron se deputetët nuk kanë liri vendimmarrjeje dhe i nënshtorhen disiplinës partiake.
Ndërsa për protestat ajo shprehet se:
“Kanë qenë ndër lëvizjet qytetare më frymëzuese që kam parë, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Evropë vitet e fundit” dhe se kanë sjellë shpresë dhe frymëzim jo vetëm në Shqipëri por edhe në Europë.

Po ashtu deputetja deklaron se qeveria socialiste nuk mund të sjellë ndryshimin që kërkohet

Intervista e plotë:
Marjana Koçeku, një nga deputetet më të reja të Shqipërisë dhe ish-anëtare e grupit parlamentar të Partisë Socialiste në pushtet, i ka thënë gazetës Britannia Daily se lëvizja masive e protestave në vend pasqyron një “krizë më të thellë besimi” midis qytetarëve dhe institucioneve politike — dhe u ka dërguar një mesazh të drejtpërdrejtë demonstruesve: “Nuk jeni vetëm”.

Koçeku, e cila zuri vendin e saj në parlament shtatorin e kaluar përpara se të largohej nga Partia Socialiste në pushtet për t’u ulur si deputete e pavarur, tha se zhgënjimi në rritje me mënyrën se si ushtrohet pushteti brenda politikës shqiptare në fund të fundit e çoi atë në thyerjen e radhëve. Largimet nga partitë kryesore politike të Shqipërisë janë relativisht të rralla – veçanërisht midis deputetëve të sapozgjedhur nga shumica qeverisëse – duke e bërë vendimin e saj një akt të rrallë pavarësie politike në politikën bashkëkohore shqiptare. Komentet e saj janë veçanërisht të dukshme sepse vijnë nga një politikane që deri vonë ulej në bankat e qeverisë dhe tani është një nga zërat e paktë të pavarur të parlamentit. Si një nga anëtaret më të reja të parlamentit, Koçeku tha se i kuptonte veçanërisht aspiratat e demonstruesve kryesisht të rinj, shumë prej të cilëve besojnë se sistemi politik i Shqipërisë nuk pasqyron më shqetësimet e tyre.

Vërejtjet e saj ofrojnë një pamje të rrallë të zhgënjimit në rritje brenda shumicës qeverisëse të Shqipërisë në një kohë kur vendi po përjeton një nga lëvizjet më të mëdha të protestave në vite.

Duke hyrë në Parlament më pak se një vit më parë, vendimi i Koçekut për t’u shkëputur nga shumica qeverisëse ka tërhequr vëmendje të veçantë për shkak të moshës së saj dhe shpejtësisë me të cilën ajo u zhgënjye nga sistemi politik.

Vendimi i Koçekut është veçanërisht i rëndësishëm sepse ajo u zgjodh si pjesë e shumicës qeverisëse të Partisë Socialiste të Kryeministrit Edi Rama përpara se të vendoste të shkëputej nga radhët e saj dhe të vazhdonte si deputete e pavarur. Si e pavarur, ajo nuk është më e detyruar nga disiplina partiake dhe thotë se do të votojë sipas ndërgjegjes së saj dhe interesave të zgjedhësve të saj.

“Parlamenti shumë shpesh funksionon si një vend ku vendimet e partisë thjesht miratohen në vend që të shqyrtohen vërtet”, tha ajo për Britannia Daily. “Një nga përgjegjësitë themelore të një deputeti është të ushtrojë gjykim të pavarur në emër të qytetarëve që e kanë zgjedhur. Megjithatë, në praktikë, disiplina partiake shpesh ka përparësi mbi interesin publik.”

Në intervistën e saj me Britannia Daily, Koçeku iu rikthye vazhdimisht temave të llogaridhënies, ripërtëritjes demokratike dhe nevojës për një brez të ri lidershipi politik.

‘Protestat e përforcuan vendimin tim’

Largimi i Koçekut nga partia qeverisëse vjen në sfondin e një prej lëvizjeve qytetare më të rëndësishme në historinë e kohëve të fundit të Shqipërisë, me dhjetëra mijëra njerëz, kryesisht të rinj, që dolën në rrugë në demonstrata paqësore duke kërkuar llogaridhënie, transparencë dhe reformë demokratike. Protestat janë bërë një nga zhvillimet politike përcaktuese në Shqipëri në muajt e fundit, duke tërhequr një brez qytetarësh që thonë se ndihen të padëgjuar nga strukturat tradicionale politike të vendit.

Ajo tha se protestat nuk shkaktuan largimin e saj nga partia, por e përforcuan atë fuqishëm.

“Protestat kanë qenë ndër lëvizjet qytetare më frymëzuese që kam parë, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Evropë vitet e fundit”, tha ajo. “Kur dhjetëra mijëra qytetarë mobilizohen në mënyrë paqësore për të kërkuar llogaridhënie dhe ndryshime demokratike, përfaqësuesit e zgjedhur kanë detyrë të dëgjojnë.”

Çështjet e ngritura nga demonstruesit – llogaridhënia e qeverisë, mbrojtja e mjedisit, transparenca mbi projektet e mëdha të zhvillimit dhe kostoja në rritje e jetesës – ishin, tha Koçeku, “të njëjtat shqetësime” që e kishin shtyrë të vinte në pikëpyetje drejtimin në të cilin po shkonte Shqipëria. Në vend që ta shihte lëvizjen me alarm, ajo e përshkroi atë si një burim optimizmi.

«E shoh këtë lëvizje si një shenjë shprese dhe jo dëshpërimi», tha ajo. «Kjo tregon se njerëzit nuk kanë hequr dorë nga demokracia — përkundrazi, ata po kërkojnë që ajo të funksionojë më mirë».

‘Është vetëm çështje kohe’

Në një nga zbulimet më të habitshme të intervistës, Koçeku sugjeroi që të tjerë brenda establishmentit politik të Shqipërisë mund të ndjekin përfundimisht shembullin e saj – një pretendim që ka të ngjarë të shkaktojë shqetësim brenda Partisë Socialiste.

«Nga bisedat dhe vëzhgimet e mia, besoj se ka një shqetësim në rritje brenda disa pjesëve të establishmentit politik të Shqipërisë», tha ajo. «Ndjej se jo të gjithë ndihen rehat me drejtimin aktual të udhëheqjes politike, edhe nëse shumë zgjedhin të mos i shprehin këto shqetësime publikisht».

Ajo shtoi: “Unë besoj se është vetëm çështje kohe para se më shumë politikanë të gjejnë guximin të flasin hapur dhe të veprojnë sipas bindjeve të tyre. Demokracitë e shëndetshme varen nga individë që janë të gatshëm të mbrojnë bindjet dhe idetë e tyre përtej komoditetit të përgjithshëm politik.”

Sa i përket ish-kolegëve të saj në Partinë Socialiste, Koçeku ishte e shkurtër. “Nga kjo pikë e tutje, i gjithë komunikimi midis nesh do të kryhet përmes kanaleve zyrtare”, tha ajo. “Nuk kam pasur asnjë kontakt me asnjërin prej tyre.”

Një krizë besimi — dhe një thirrje për një rivendosje politike

Koçeku argumentoi se protestat nuk janë thjesht një përgjigje ndaj politikave specifike, por një simptomë e diçkaje shumë më themelore: një prishje e besimit midis qytetarëve shqiptarë dhe institucioneve që supozohet t’u shërbejnë atyre.

“Shumë shqiptarë mendojnë se vendimet politike merren gjithnjë e më shumë pa konsultime kuptimplote publike dhe se institucionet po bëhen më pak të përgjegjshme ndaj njerëzve të cilëve duhet t’u shërbejnë”, tha ajo. “Kur qytetarët humbasin besimin se shqetësimet e tyre mund të adresohen përmes kanaleve të zakonshme politike, ata natyrshëm kërkojnë mënyra të tjera demokratike për t’u dëgjuar zëri i tyre.”

Ajo argumentoi se reformat nuk mund të jenë të besueshme nëse udhëhiqen nga e njëjta kulturë politike kundër së cilës qytetarët po protestojnë, duke sugjeruar se establishmenti aktual politik nuk e ka më besimin e nevojshëm për të sjellë ndryshime kuptimplote. Rindërtimi i këtij besimi, tha ajo, do të kërkonte shumë më tepër sesa njoftime politikash.

“Rindërtimi i besimit do të kërkojë më shumë sesa ndryshime në politika”, tha ajo. “Kjo kërkon një kulturë të ndryshme politike – një kulturë të bazuar në transparencë, institucione më të forta demokratike, respekt për sundimin e ligjit dhe një gatishmëri për të dëgjuar qytetarët edhe kur mesazhi i tyre është i pakëndshëm.”

‘Kjo Qeveri nuk mund ta bëjë këtë — As Elita e Vjetër Politike nuk mundet’
Koçeku argumentoi se Shqipëria nuk ka nevojë vetëm për një ndryshim qeverie, por për një brez krejtësisht të ri udhëheqësish të përkushtuar ndaj llogaridhënies, transparencës dhe dialogut demokratik. Përfundimi i saj ishte i pakursyer.

“Ajo që i duhet Shqipërisë nuk është thjesht një ndryshim i individëve, por një ripërtëritje e të gjithë kulturës politike. Elita politike, funksionimi i institucioneve tona dhe mentaliteti që ka formësuar qeverisjen për dekada të tëra kërkojnë reforma të thella.”

Ajo vazhdoi: “Ndryshimi i qëndrueshëm nuk do të vijë nga zëvendësimi i një grupi aktorësh politikë me një tjetër nëse të njëjtat praktika dhe mendësi mbeten të paprekura. Shqipëria ka nevojë për një brez të tërë të ri lidershipi që përqafon llogaridhënien, transparencën, dialogun demokratik dhe shërbimin publik si parime themelore të qeverisjes.”

‘Tani keni një mandat në Parlament’

Mesazhi i Koçekut për protestuesit që kanë mbushur rrugët e Shqipërisë ishte i drejtpërdrejtë dhe personal.

«Zërat tuaj kanë rëndësi dhe nuk duhet të besoni kurrë se angazhimi qytetar paqësor është i kotë», i tha ajo Britannia Daily. «Nuk jeni vetëm — madje keni edhe një mandat në parlament tani».

Ajo zbuloi se shumë protestues e kishin ftuar personalisht të bashkohej me demonstratat në rrugë, të cilat i përshkroi si “një shenjë besimi që e vlerësoj thellësisht”. Që kur njoftoi vendimin e saj, Koçeku tha se ka marrë mijëra mesazhe nga qytetarë të zakonshëm, anëtarë të diasporës shqiptare, akademikë dhe figura publike, shumë prej të cilëve i thanë se lëvizja e saj kishte ripërtërirë besimin e tyre se politika mund të udhëhiqet ende nga parimet dhe jo nga përshtatshmëria politike.

“Forca e këtij reagimi pasqyron faktin se një vendim i tillë është shumë i pazakontë në politikën shqiptare”, tha ajo. “Ai ka sfiduar një kulturë politike të gjatë dhe ka hapur një diskutim më të gjerë publik rreth pavarësisë politike, llogaridhënies dhe përgjegjësisë së përfaqësuesve të zgjedhur për të vënë qytetarët përpara interesave të partisë.”

‘Revolucioni i Flamingove’ në Shqipëri

Shqipëria ka parë disa nga demonstratat e saj më të mëdha dhe më të qëndrueshme në vitet e fundit, me dhjetëra mijëra njerëz që dolën në rrugë në Tiranë dhe qytete të tjera duke kërkuar llogaridhënie më të madhe qeveritare, transparencë dhe reforma demokratike. Lëvizja, e quajtur gjerësisht “Revolucioni i Flamingo-ve”, fillimisht filloi si një fushatë mjedisore kundër zhvillimeve të diskutueshme të turizmit luksoz në ishullin e Sazanit dhe gadishullin e afërt të Zvërnecit , projekte të mbështetura nga investitori amerikan Jared Kushner , dhëndri i Presidentit të SHBA-së Donald Trump, dhe gruaja e tij Ivanka Trump .

Zhvillimet, të cilat përfshijnë plane për resorte luksoze në zona të ndjeshme ndaj mjedisit pranë Peizazhit të Mbrojtur Vjosë-Nartë , kanë tërhequr kundërshtime të ashpra nga ambientalistët, banorët vendas dhe anëtarët e diasporës shqiptare, të cilët kanë frikë nga dëmtimi i ekosistemeve të mbrojtura dhe akuzojnë qeverinë se po i jep përparësi interesave të investimeve të elitës mbi shqetësimet publike.

Ajo që filloi si kundërshtim ndaj projekteve të resortit, që atëherë është evoluar në një lëvizje më të gjerë proteste kundër korrupsionit të dyshuar, kapjes së perceptuar të shtetit, mungesës së transparencës dhe frustrimit në rritje me establishmentin politik të Shqipërisë. Protestuesit kanë bërë thirrje për reforma të thella politike dhe, në disa raste, dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama , duke argumentuar se demonstratat kanë të bëjnë me shumë më tepër sesa një projekt të vetëm zhvillimi dhe në vend të kësaj përfaqësojnë një kërkesë për një kulturë të re politike të ndërtuar mbi llogaridhënien dhe besimin publik. bw

Nga podiumi te prapaskenat e protestave masive, BIRN: Gratë që po mbajnë gjallë “Revolucionin e Flamingove”

Të mërkurën në mbrëmje, pas një shiu të rrëmbyeshëm që zgjati disa orë, Sidorela Vatnikaj zbret nga podiumi i improvizuar përballë Kryeministrisë dhe përqafohet me protestuesit aty pranë. Aktivistja sapo lexoi me megafon kërkesat e protestës për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe anulimin e kuadrit ligjor që favorizon ndërtimet në zonat e mbrojtura. Vatnikaj ruan ende një dozë habie për mënyrën se si një protestë e radhës u kthye në lëvizjen më të madhe që vendi ka parë prej fillimit të viteve ’90.

 

Ajo tregon se pas ngjarjes së 30 majit në Zvërnec, ku një protestues u tërhoq zvarrë nga rojet private të sigurisë, bisedoi me miq të tjerë aktivistë dhe vendosën që të protestonin të nesërmen përballë Drejtorisë së Policisë në Tiranë.

Pritshmëritë nuk ishin fillimisht të mëdha dhe Vatnikaj kujton se priste si zakonisht të mblidheshin disa dhjetra vetë. Por brenda pak minutash, organizatorët panë një turmë të madhe protestuesish që thërrisnin: “dorëheqje”. “Turma që zakonisht udhëhiqej nga aktivistët tanimë po udhëhiqte vetveten,” kujtoi Vatnikaj për BIRN. “Nga ai moment, revolta qytetare e akumuluar në tre dekada u bë si një lumë që as mund të kontrollohej e organizohej, por që po ndërtonte shtretër të rinj ligjërimi politik për një Shqipëri të re, pa autokratë, pa oligarkë, pa media të shitur dhe pa legjitimim ndërkombëtar,” shtoi ajo.

Protesta maratonë që njihet tashmë si “Revolucioni i Flamingove” nuk ka një lider dhe as një parti që e drejton. Ajo po mbahet gjallë nga mijëra njerëz që mblidhen çdo natë në bulevard dhe një rrjet aktivistësh koordinatorë – ku vajzat dhe gratë aktiviste kanë një rol gjithnjë e më të dukshëm.

Edhe Luçiana Kokaj ishte në shtëpinë e saj në Rrjoll të Shkodrës kur pa në rrjetet sociale atë që po ndodhte në Zvërnec dhe bëri paralelizmin me atë që po ndodhte në zonën e saj, ku prej shumë javësh ajo dhe banorët e zonës po protestonin për të mbrojtur të drejtën mbi tokat e tyre, mbi të cilën ka nisur ndërtimi i një resorti turistik.

E kthyer nga Italia tre muaj më parë për të protestuar për tokën e të parëve të saj, Kokaj e kuptoi se kjo nuk ishte një betejë vetëm për Zvërnecin apo Rrjollin, por për të drejtat e qytetarëve përballë arrogancës së pushtetit.

“Atë që ndodhi në Zvërnec unë e kisha provuar mbi lëkurë më parë duke parë të afërm që janë goditur në protestë; e dija që Policia e Shtetit nuk funksionon për të mbrojtur qytetarët,” thotë Luçiana Kokaj, e surprizuar gjithashtu në fillim nga bashkimi i mijëra qytetarëve.

“Normalisht, duke qenë që ishim të parët na ngeli si detyrë të siguronim mikrofonin, të gjenim ujë, të nxirrnim lejet për çdo protestë,” shtoi Kokaj, duke theksuar se vajzat që morën iniciativën kanë bërë një punë fantastike, së bashku me djemtë dhe burrat organizatorë.

Ky është edhe revolucioni i grave

sidorela
Sidorela Vatnikaj mban në duar një pankartë proteste. Foto kortezi: Sidorela Vatnikaj.

Kur më shumë se një shekull më parë gratë dolën në rrugë për të kërkuar të drejtën e votës, ato nuk po luftonin vetëm për një të drejtë politike, por po ndryshonin mënyrën se si konceptohej pjesëmarrja qytetare në jetën politike. Që prej asaj kohe, prania e grave është bërë një nga treguesit më të fortë të lëvizjeve shoqërore.

Edhe protesta e muajit të fundit në Shqipëri po ndjek këtë trajektore, me gra e vajza që jo vetëm mbushin sheshet, por ndikojnë në tonin, organizimin dhe mesazhin e saj publik dhe po ashtu në emancipimin e vetë shoqërisë.

Sidorela Vatnikaj beson se përfshirja e vajzave e grave në vijë të parë, në ligjërim dhe përballje, jo vetëm po shkatërron një sistem të vjetër autokratik, por po prodhon një imagjinatë të re politike dhe po emancipon të gjithë shoqërinë.

Edhe Luçiana Kokaj mendon njësoj, ndërsa thekson se gratë dhe vajzat janë zëri, energjia dhe forca e protestës, por edhe imazhi paqësor dhe tërheqës i saj.

“Në protestën në Rrjoll, në fillim ishin burrat, por ama ditën që gratë janë përfshirë në të ka marrë tjetër prezantim, tjetër faqe, pasi gratë e ngritën zërin shumë fort,” kujton Koka, ndërsa shton: “por kur erdhi momenti dinin dhe ta zbusnin”.

“Të gjitha ato vajza të reja, gra me fëmijë e gjyshe që vijnë aty, po ashtu ato vajzat blogere që i japin jehonë protestës, janë energjia dhe forca, janë trimëresha dhe të zgjuara,” shtoi më tej ajo.

Për Entela Spahivoglin – një tjetër organizatore që iu bashkua protestës në Tiranë pas aktivizmit të saj në Durrës kundër projektit TID, prania e kaq shumë grave dhe vajzave duhet të shihet si një gjë normale. “Ato janë aty bashkë me bashkëshortët, djemtë, vëllezërit, prindërit dhe miqtë e tyre. Kjo nuk është një protestë e grave apo e burrave. Është një protestë e qytetarëve. Forca e saj qëndron pikërisht te fakti që jemi të gjithë bashkë,” thekson ajo.

“Ne shkojmë me rrjedhën”

luciana
Luçiana Kokaj duke folur në protestë. Foto kortezi nga “Trivet”.

Kryeministri Edi Rama nuk i është përgjigjur kërkesave të protestuesve, ndërsa ka targetuar me sulme personale disa prej tyre. Njëra prej tyre është Entela Spahivogli, një aktiviste kundër projektit TID në Durrës, projekt për të cilin qytetarët protestojnë veçanërisht për shkak të vlerës së ulët të kompensimit të ofruar, vlerë që i nxjerr ata praktikisht të pastrehë.

Rama postoi në rrjetet e tij sociale fotografinë e Spahivoglit duke folur në protestë dhe e akuzoi atë si autore për ndërtim pa leje në zonën ku janë gjurmët e projektit TID. Por aktivistja iu përgjigj duke treguar se ndërtesa në fjalë i përket vitit 1941, gjë që mbështetet dhe nga pamje filmike arkivore të vitit 1966 që e tregonin ndërtesën në formën që ka sot.

Spahivogli i tha BIRN se ky ishte “një sulm personal nga Kryeministri për të më dekurajuar”.

Sulmet e kryeministrit nuk janë të vetmet presione me të cilat duhet të përballet grupi i koordinatoreve.

“Ka presione nga të gjitha anët, po ka dhe presione ndaj nesh si organizatorë për të folur, por ne përpiqemi që t’a mbajmë sa më gjithpërfshirëse që të flasin qytetarët,” tha Spahivogli. Ajo thotë se e gjen forcën te besimi për të vërtetën – që i bën më të fuqishëm sesa njerëzit me pushtet.

Jeta e këtyre vajzave dhe grave që janë njëkohësisht edhe në podium, edhe në paskuintat e protestës, lidhet me të qënit çdo moment në kontakt me atë që po ndodh në shesh, e kur ikin nga sheshi me atë se çfarë ndodh online, organizimet për të nesërmen, intervistat në media apo lajmërimet në rrjetet sociale.

Organizimi fillon zakonisht me takimin e mëngjesit në orën 9 dhe mbaron në orën 1 të natës, kur bëhet dhe një reflektim se çfarë mund të bëhet më mirë.

Për të qenë e pranishme në çdo gjë që ndodh, Kokaj e ka lënë djalin e vogël nën kujdesin e mamasë së saj në Velipojë dhe bashkë me bashkëshortin po jetojnë me qira në Tiranë. Kokaj thotë megjithatë se janë njerëzit në shesh ata që e bëjnë protestën.

“Ne shkojmë me rrjedhën, sepse është e pamenaxhueshme, pa struktura, e lirë dhe s’mund të menaxhosh gjithë qytetarët,” theksoi ajo.

Për Sidorela Vatnikajn, roli që mori në këtë proteste erdhi natyrshëm si pjesë e aktivizimit të saj të mëhershëm.

“Për mua është ‘revolucionare’ që të shoh të gjithë familjen time në protestë, nga e cila njëherë e një kohë ikja fshehtas për të protestuar,” thotë Vatnikaj, ndërsa shton: “meraku i tyre i atëhershëm është zëvëndësuar me rezistencë dhe vullnet për ndryshim”./BIRN

Nga Vincent WJ van Gerven Oei – Arkitektët duhet të paguajnë për këtë

 

26 Qershor 2026

Në vitin 1860, qeveria belge organizoi një konkurs ndërkombëtar arkitekture për ndërtimin e një gjykate të re në Bruksel. Arkitekti fitues, Joseph Poelaert, ishte njëkohësisht edhe anëtar i jurisë. Më pas nisi një proces shpronësimesh që shkatërroi një lagje të tërë popullore në qendër të qytetit, për t’i hapur rrugë një projekti megaloman, më të madh se Bazilika e Shën Pjetrit në Romë. Pati protesta të mëdha, por gjykata u ndërtua gjithsesi. Në vitin 1984 godina u rrethua me skela të marra me qira për një restaurim që në fakt nuk nisi kurrë. Ndërkohë, ndërtesa gjigante qëndron kryesisht bosh.

E gjithë kjo tingëllon shumë e njohur për këdo që jeton në Tiranën e shekullit XXI. Të gjitha, përveç një fakti: edhe sot, një nga fyerjet më të rënda në lagjen përreth Pallatit të Drejtësisë në Bruksel është “schieven arkitekt”, “arkitekt i shtrembër”. Nuk do të çuditesha nëse një ditë edhe “arkitekt i shtrembër” do të bëhej një fyerje e zakonshme në shqip.

Pasi kryeministri Edi Rama të largohet nga pushteti (jo nëse, por kur), do të duhet një punë e madhe për të vënë para drejtësisë të gjithë ata që ia kanë zhveshur Shqipërisë burimet, tokën dhe të rinjtë. Por përgjegjësi duhet të mbajnë edhe arkitektët ndërkombëtarë, të cilët për më shumë se dy dekada i kanë dhënë një mbulesë prestigji asaj që tashmë duket qartë se ka qenë korrupsion i pastër dhe pastrim parash.

“Yje të arkitekturës” si Winy Maas, Bjarke Ingels dhe Stefano Boeri duhet të thirren përpara një komisioni parlamentar hetimor, në mos nga SPAK-u, për të shpjeguar se si ishte e mundur që një nga vendet më të varfra të Europës të ndërtonte rrokaqiejt më “vizionarë”. Nga mendonin se vinin paratë? A bënë ndonjëherë verifikimet e nevojshme për projektet e tyre, apo thjesht morën pagesën dhe shijuan lavdërimet e liderit të madh?

Për fat, shumë arkitektë ndërkombëtarë janë aq të përqendruar te vetja dhe të shkëputur nga realiteti, saqë i reklamojnë vetë provat e servilizmit dhe korrupsionit të tyre. Për shembull, Instituti Mbretëror i Arkitektëve Britanikë (RIBA), anëtarët e të cilit thuhet se “veprojnë me integritet dhe përpiqen të mbrojnë e përmirësojnë reputacionin dhe dinjitetin e institutit”, vendosi t’i japë Ramës një anëtarësim nderi në fillim të vitit 2026, pikërisht kur skandali i korrupsionit me Ballukun po dominonte lajmet.

Në prezantimin që shoqëronte këtë vlerësim prestigjioz, RIBA paraqet pa asnjë ndrojtje disa projekte që sot po hetohen nga SPAK-u, përfshirë projektin Green Coast të Samir Manes, i cili sipas raportimeve ka tërhequr miliona euro investime kriminale, si dhe “Garden of Eden”, projektuar nga Studio Precht, një “zemër e re sociale” për Kryeministrinë që askush nuk lejohet ta vizitojë, ndonëse është ndërtuar me para publike.

Edhe më vonë, dhe me edhe më shumë paturpësi, pothuajse të gjithë arkitektët ndërkombëtarë paraqitën prova të rolit të tyre në një botim me titullin ironik The Albanian Files, botuar nga Lars Müller Publishers. Vlen të theksohet se në këtë libër nuk figuron asnjë arkitekt shqiptar.

Në hyrje të librit, Edi Rama shkruan:

“Në Shqipëri, fjala dosje mbart një kujtesë të gjatë dhe të dhimbshme. Dosjet ishin instrumente frike. […] Ato nuk ishin krijuar për të kuptuar. Ishin krijuar për të kontrolluar.”

Përveç faktit se qeveria socialiste e Ramës nuk i ka hapur kurrë plotësisht dosjet e komunizmit dhe vazhdon të pengojë kërkimin historik dhe drejtësinë për krimet e diktaturës, në të cilën edhe babai i tij pati rol, është e qartë se dosjet e mbledhura në këtë botim arkitekturor kanë pikërisht të njëjtin qëllim: të kontrollojnë narrativën. Fatmirësisht, nuk mashtrojnë pothuajse askënd.

Arkitektura në Shqipëri, ashtu si në Brukselin e shekullit XIX, është kthyer në një mjet për të shtypur dhe nënshtruar popullsinë shqiptare: për të shkatërruar lagje, fshatra, plazhe dhe male. Ajo është bërë një instrument për të kontrolluar imazhin e Shqipërisë dhe të liderit të saj, ndërsa shkëlqimi i çdo rrokaqielli të ri shërben për të fshehur burimin e parave, kriminelët e përfshirë dhe pyetjen shumë konkrete se kush do të ketë ndonjëherë mundësi të jetojë në këto ndërtesa.

Në fund të hyrjes, pasi flet për “bastin demokratik të vendeve të reja për të jetuar”, “gjeometrinë e përkatësisë” dhe “bashkësinë e qëllimeve”, Rama shkruan:

“Hapja e dosjeve mund t’ju tregojë shumë më tepër. Dhe kush e di, ndoshta do të zbulohet një histori krejt ndryshe nga ajo që sapo shkrova.”

Në të vërtetë, në vend që të paraqesë një lloj rilindjeje arkitekturore, The Albanian Files ofron një listë të personazheve kryesorë të nepotizmit, pastrimit të parave dhe korrupsionit në Shqipëri. Erisa Kryeziu dhe Vjolanda Peca nga Citizens.al kanë treguar tashmë se ky botim zbulon për herë të parë përmasat e dëmit të shkaktuar ndaj mjedisit natyror shqiptar, pasi konsultimet publike shmangen sistematikisht dhe pothuajse nuk ekziston informacion publik për shumë nga të ashtuquajturat “investime strategjike”. Unë do të ndalem te mënyra se si arkitektët duket se e shohin veten në gjithë këtë histori.

Libri nis me studion që e filloi të gjithë këtë proces, belgët e 51N4E, të cilët kanë realizuar edhe kopertinën (dhe projekti i tyre për Sheshin Skënderbej përshkruhet nga shumica e autorëve si “frymëzues”). Kontributi i tyre e bën të qartë që në fillim se ky libër është një vepër fshehjeje dhe trillimi, një mjet propagande që synon të justifikojë faktet pasi ato kanë ndodhur.

Për shembull, lista e projekteve të tyre fsheh faktin se ata projektuan varrin e Dritan Hoxhës (“For D.H.”, 2008), pronarit të ndjerë të Top Channel, i cili qëndron në fillesat e karrierës politike të Ramës. Gjithashtu, lista nuk përmend se ata projektuan rezidencën private të Ramës (përveç nëse e kanë fshehur nën emrin “Mountain Collection”, 2004), dhe nuk tregon se veprat e tyre më politike, si Qendra për Hapje dhe Dialog (2014) dhe Monumenti prej Bronzi për të vrarët e protestës antqeveritare të vitit 2011 (2012), nuk u pranuan kurrë publikisht në kohën kur u ndërtuan. Në atë kohë, qeveria shqiptare thjesht refuzoi t’u tregonte qytetarëve se kush e kishte “fituar” tenderin. Punimet e 51N4E u realizuan pa asnjë formë llogaridhënieje publike dhe, edhe sot, nuk dihet sa ka përfituar në të vërtetë kjo studio, e cila gjithashtu i siguroi vajzës së gruas së Ramës, Rea Xhillarit, një praktikë pune.

Libri sqaron edhe aspekte të tjera të projekteve të debatueshme arkitekturore në Tiranë. Për shembull, kur “Garden of Eden” i Studio Precht u ndërtua brenda Kryeministrisë, me financim nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit, qeveria refuzoi të tregonte se cila ishte kompania ndërtuese. Falë The Albanian Files, tani e dimë se ajo ishte Fusha shpk, e përfshirë aktualisht në disa dosje të SPAK-ut, përfshirë edhe tenderët për rikonstruksionin “frymëzues” të Sheshit Skënderbej.

E njëjta kompani shfaqet edhe diku tjetër. Gjatë protestave kundër shembjes së Teatrit Kombëtar në vitin 2018, arkitekti Bjarke Ingels refuzoi të zbulonte emrin e zhvilluesit privat që e kishte kontraktuar, ndërsa qeveria Rama po hartonte ligje të posaçme për t’ia dhënë tokën publike zhvillimit privat. Tani, në The Albanian Files, mësojmë se lidhja e tij me Fusha shpk daton që në vitin 2015, shumë kohë përpara se ne të fillonim të raportonim për këtë projekt:

“Gjatë vizitës sonë [në vitin 2015], takuam përfaqësuesit e Fusha shpk, kontraktori lokal që po punonte në Sheshin Skënderbej. Ramë dakord të zhvillonim së bashku një nga projektet e ardhshme publike. Në vjeshtën e vitit 2017 nënshkruam një kontratë me Fusha për projektimin e një teatri si pjesë e një blloku urban me funksione të ndryshme.”

Pyetja ime është: Pse ky informacion iu bë i ditur publikut danez që në vitin 2020, por nuk iu tregua kurrë qytetarëve të Tiranës, të cilët për vite me radhë u manipuluan lidhur me fatin e Teatrit Kombëtar? Do të doja ta dëgjoja vetë Ingels të shpjegonte kronologjinë e saktë të këtij “projekti publik” që nuk u bë kurrë publik, mundësisht përpara një komisioni parlamentar, nëse do të guxojë ndonjëherë të shkelë sërish në Shqipëri.

Pothuajse çdo autor përfshin ndonjë histori se si studioja e tij mori një ftesë “të papritur”, “spontane” ose “befasuese” për të ardhur në Shqipëri, për të zbuluar më pas, njësoj si Ivanka Trump, një terra incognita plot vendas të bindur, “natyrë të paprekur” dhe “vende mahnitëse”. Kjo mendësi ilustrohet ndoshta më së miri nga një novelë grafike të Luca Dinit, ku një jaht gjigant përplaset me një grup kullash, me këtë mbishkrim:

“Në të gjitha këto projekte, synimi ynë mbetet i njëjtë: të krijojmë hapësira që harmonizohen me mjedisin, si në det ashtu edhe në zemër të qytetit, duke ndërthurur bukurinë, artin dhe natyrën.”

Le t’i marrim fjalët e tyre siç janë! Ja disa shembuj të tjerë të arkitektëve “të befasuar”:

“Kryeministri Edi Rama më dërgoi një mesazh në Instagram duke më pyetur nëse do të isha i interesuar të punoja në Shqipëri.”

(Christ Precht, projektuesi i “Garden of Eden” të Ramës).

Dhe:

“Të mërkurën, me 1 maj 2024, ditë feste, në orën 22:00, miku im Pablo Bofill më telefonoi për të më thënë se ‘Edi’ do të më telefononte. […] Shumë shpejt na u kërkua të projektonim dy projekte në Tiranë.”

(Sam Chermayeff).

Një tjetër:

“Benedetta Tagliabue më shkroi për të më pyetur nëse isha dakord që numri im i telefonit t’i jepej kryeministrit të Shqipërisë. I thashë, sigurisht. Pesë minuta më vonë më telefonoi vetë kryeministri dhe më pyeti nëse mund të shkoja në Tiranë për të diskutuar mundësinë e një projekti.”

(Alejandro Aravena).

Si mund të konsiderohet kjo një mënyrë normale për zhvillimin e prokurimeve publike, apo në këtë rast, për një projekt privat të një kulle gjigante? Cili është roli i kryeministrit shqiptar në sigurimin e arkitektëve ndërkombëtarë për zhvillues privatë? Çfarë politike ndiqet këtu? Është e qartë se, herët a vonë, SPAK-ut do t’i duhet të marrë në pyetje kryeministrin për çdo projekt të madh ndërtimi, pasi The Albanian Files ofron prova të qarta se ai është personalisht i përfshirë pothuajse në çdo kullë apo projekt turistik. Të gjitha fijet të çojnë tek ai.

Edhe vetë arkitektët e pranojnë këtë hapur dhe pa asnjë drojë:

“Projekti për Shqipërinë, me vizionin dhe mbështetjen e kryeministrit Edi Rama, është unik.”

(Álvaro Siza, që shkatërron plazhin e bukur të Ranës së Hedhun).

“Kryeministri Edi Rama e ka vendosur arkitekturën në listën e prioriteteve të tij; ai merret me të në të vetmen mënyrë që e konsideron të mundshme, duke u përfshirë personalisht.”

(Christian Kerez, që duket se nuk ka dëgjuar kurrë për shtetin e së drejtës dhe projekton një resort në bregdetin e Shëngjinit).

“Shqipëria ka një lider të madh të interesuar për kulturën, artin dhe arkitekturën, gjë që sjell projekte vizionare dhe të orientuara nga e ardhmja. Kjo, fatkeqësisht, është shumë e rrallë në ditët e sotme. Është një nder i madh të punosh me ekipin e kryeministrit […] një lider vizionar.”

Image

“Edhe pse rregulloret janë fleksibël, ekziston një vizion i qartë, që vjen nga kryeministri, për zhvillimin arkitekturor dhe urban të Shqipërisë.”

“Projekti në Shqipëri që shërben si shembull është vetë projekti i kryeministrit Edi Rama për Shqipërinë […]. Për mua, kjo nga ana e kryeministrit Edi Rama […] është motivim i mjaftueshëm për të vazhduar.”

(Camilo Rebelo, që ndërhyn në një pjesë të Parkut të Liqenit në Tiranë dhe harton një masterplan ‘privat’ për perlën bregdetare të Borshit).

“Udhëheqja e Shqipërisë, veçanërisht kryeministri, tregon një interes të jashtëzakonshëm për artin dhe arkitekturën. […] Me çdo projekt të përfunduar, qytetet e Shqipërisë dhe peizazhi i saj bëhen më të jetueshëm dhe më tërheqës.”

(Cebra, përgjegjëse për përbindëshin arkitekturor të quajtur ‘Mount Tirana’ dhe për disa resorte pranë Durrësit dhe Himarës).

“Vepra më përfaqësuese është Projekti Shqiptar, një përmbledhje nismash që burojnë nga vizioni artistik gjithëpërfshirës i Edi Ramës në fillim të mijëvjeçarit.”

(Davide Macullo, përgjegjës për shkatërrimin e zonës buzë liqenit të Farkës).

“Ajo që e veçon Shqipërinë është hapja ndaj ideve të reja dhe gatishmëria për të marrë rreziqe. Besimi i kryeministrit Edi Rama se arkitektura është një pjesë jetike e së ardhmes së vendit përcakton drejtimin dhe mënyra e drejtpërdrejtë se si trajtohen projektet është vërtet freskuese.”

(Winy Maas, mbi banalitetet e turpshme të të cilit nuk do të komentoj më tej).

Megjithëse zërat shqiptarë mungojnë pothuajse plotësisht në këtë botim, ata shfaqen shpesh si “partnerë lokalë”. Një nga më kryesorët është SON Architects, e njohur për marrëdhëniet e saj të ngushta historike me Bashkinë e Tiranës. Përfshirja e saj në disa prej projekteve të përfshira në The Albanian Files do të ishte një pikënisje praktike për hetimet e SPAK-ut.

Në libër gjejmë edhe miq të vjetër të Ramës, si Anri Sala (i lidhur me ridizenjimin e korruptuar të Sheshit Skënderbej nga 51N4E dhe Fusha, mezi pres dëshminë e tij) dhe Adrian Paci (i përfshirë me Kuehn Malvezzi në ndërtesën Expo Albania dhe në një kullë të Taller Hector Barroso). Ky i fundit, megjithatë, së fundmi, përballë protestave masive, është përpjekur të distancohet publikisht nga qeveria që i ka shërbyer, me këtë lloj fjalori të mjegullt tipik të viteve ’80:

“Është e qartë se sot kërkohet një pakt i ri mes shoqërisë dhe elitës politike dhe kjo nevojë e fton klasën qeverisëse të bëjë një hap pas.”

Edhe të tjerë do të përpiqen të bëjnë të njëjtën gjë, ndërsa rezistenca ndaj qeverisë Rama rritet. Të mos harrojmë se cilën anë mbrojtën me mish e me shpirt dhe si përfituan prej saj.

Disa arkitektë shkojnë edhe më tej dhe shprehin hapur mospërfilljen e tyre për demokracinë dhe konsultimin publik, gjë që përputhet plotësisht me mënyrën autokratike të qeverisjes së Ramës, i cili e sheh politikën si “pikturimin e një tabloje”. Këtë e shpreh ndoshta më qartë arkitekti Manuel Aires Mateus, i përfshirë në projektet që kanë transformuar bregdetin në Shëngjin, Sarandë, Ksamil dhe Vlorë:

“Ka raste kur gjërat duhet të imponohen nga lart-poshtë, ndaj kjo cilësi duhet të detyrohet të ekzistojë për të krijuar një nevojë që për momentin nuk ekziston.”

Por ndoshta arkitekti që ka shprehur më qartë mungesën e plotë të turpit me të cilën secili prej tyre përpiqet të fitojë favorin e kryeministrit është Reinier de Graaf, nga studioja e njohur holandeze OMA. Paradoksalisht, De Graaf botoi së fundmi një “manifest”, Architecture against Architecture, ku ngre pyetjen:

“Çfarë mund të pengojë që ndërtesat ikonike të përfshihen në pastrimin e parave? Dhe pyetja thelbësore: cilat projekte duhet të refuzojnë arkitektët për arsye morale?”

De Graaf ka pasur mirësinë të na japë një ide të përgjigjes, përmes një letre që i ka dërguar Ramës dhe që e ka konsideruar të arsyeshme ta botojë në The Albanian Files:

“Nuk e them këtë lehtë, por për ne arkitektët do të ishte më mirë që zgjedhjet e ardhshme [në vitin 2025] thjesht të anuloheshin. Madje do të shkoja edhe më tej. Duke qenë se Shqipëria vazhdon të jetë një mbështetëse e ndriçuar e arkitekturës, profesioni ynë do të përfitonte shumë nëse vendi nuk do të zhvillonte më kurrë zgjedhje dhe nëse ju, pas mandatit tuaj të pestë radhazi si kryeministër, thjesht do të vazhdonit si president i përjetshëm, ose ndoshta edhe si mbret. […] E di se ajo që po ju kërkoj nuk është një sakrificë e vogël, por është me rëndësi të jashtëzakonshme. Shpresoj ta merrni në konsideratë.”

Nuk e them këtë lehtë, por çdo arkitekt, zëri komprometues i të cilit është dokumentuar në The Albanian Files, përbën një kërcënim të drejtpërdrejtë për demokracinë shqiptare, të mbështjellë me argumente teorike tepër të dobëta. Ky botim prej 750 faqesh paraqet prova të falimentimit të tyre moral, përçmimit ndaj proceseve të rregullta publike, armiqësisë ndaj mjedisit dhe shpërfilljes së shtetit të së drejtës.

Për hir të vetë arkitekturës, çdo qeveri që do të vijë pas Ramës, dhe nuk kam asnjë dyshim se ajo ditë do të vijë, duhet t’u kërkojë llogari secilit prej tyre: çfarë dinin, me kë folën dhe paratë e kujt pranuan. Ata duhet të mbajnë përgjegjësi.

Unë kontaktova secilën studio arkitekturore të përfshirë në libër për t’u dhënë mundësinë të përgjigjej ndaj thirrjes së Reinier de Graaf për anulimin e zgjedhjeve dhe shpalljen e monarkisë në Shqipëri. Asnjëra prej tyre nuk u përgjigj.

Syri.netImage

Reagimi i avokates – Kalaja: Të gjitha rrugët e trafikut të drogës çojnë te Rama, po fshihen qëllimisht faktet

 

Avokatja Adriana Kalaja ka reaguar pas publikimit të lajmeve mbi trafikimin e drogës përmes mjeteve diplomatike shqiptare, duke akuzuar qeverinë dhe drejtësinë se po fshehin përgjegjësit e vërtetë të këtij aktiviteti kriminal.

Në një reagim në rrjetet sociale, Kalaja shkruan se informacioni i publikuar në media përmban vetëm ‘gjysmë të vërteta’, të cilat sipas saj shërbejnë për të devijuar vëmendjen nga përgjegjësit kryesorë.

Sipas saj, mediat pranë qeverisë kanë theksuar faktin se trafiku kryhej përmes mjeteve diplomatike me targa CD, ndërkohë që opozita i ka denoncuar prej vitesh këto raste.

Kalaja ndalet veçanërisht te përmendja në raportime e ish-ministrit për Europën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj, duke theksuar se ai nuk u dekretua asnjëherë si ministër nga Presidenti i atëhershëm, Ilir Meta.

Sipas Kalasë, harresa e këtyre fakteve nuk është e rastësishme, por lidhet me përpjekjet për të mbuluar përgjegjësit politikë.

Në fund të reagimit të saj, Kalaja kujton se ngjarjet në fjalë përkojnë me periudhën pas shembjes së Teatrit Kombëtar dhe gjatë pandemisë, kur sipas saj kontrollet mbi lëvizjen e mjeteve ishin pothuajse inekzistente.

Reagimi i avokates Adriana Kalaja në rrjetet socialet:

Të gjithë rrugët e trafikut të drogës, të çojnë te banditi  Kryeministër.

Sot në media të ndryshme, rrodhi lajmi i trafikimit të drogës edhe nëpërmjet ambasadave shqiptare apo ambasadorëve, ndërkohë, kishte shumë gjysëm të vërteta në to.

Dhe siç dihet, gjysëm të vërtetat janë gënjeshtra të hidhura dhe të dëmshme.

Kështu, kryesisht sipas mediave të inceneratorëve, bazuar në informacionin e cunguar qëllimisht nga Altin Paja, u tha se ky trafik, bëhej edhe nëpërmjet mjeteve të ambasadave me targa CD.

Çfarë ka të re ky lajm kur opozita dhe kryesisht Kryetari i PD-së Z. Sali Berisha, e ka denoncuar me dhjetëra herë.

Deri edhe te fakti se ky trafik bëhej ne avionë charter të përdorur nga vëllai i Olsit të Xibrakës, të cilët minimalisht i kanë kushtuar shqiptarëve 22 milionë euro.

Ndërkohë, problemi kryesor me këtë lajm nuk qëndron këtu.

Qëndron në faktin se emri i ministrit të kohës që lakohet në lajm, është ai i Gent Cakaj.

Pooooooor jo.

Gent Cakaj siç rezulton dhe si duket e keni harruar, u refuzua e nuk u dekretua nga Presidenti Meta, ashtu si dhe shumë akte të tjera antishqiptare, kriminale dhe korruptive të kësaj narko qeverie.

Dhe si kundërpërgjigje të kësaj, Ministër i Jashtëm u dekretua vetë i biri i Kristaqit, detyrë të cilën ja kaloi me delegim Gentit të Baton Haxhisë.

Pse harrohen kaq shpejt faktet dhe të vërtetat në këtë vend?!

Sepse të gjithë rrugët e trafikimit të drogës, kalojnë nga banditi Kryeministër, para të cilat, janë përdorur në shumicë për të kapur mediat por edhe për të prodhuar sistemin e drejtësisë të Altin Pajës dhe Irenave me shumë mbiemra, datëlindje dhe pashaporta.

PS: Dhe të mendoni që ka qenë shumë pak kohë pas shembjes barbare të Teatrit Kombëtar e periudhë pandemie, ku kontrollet e mjeteve ishin pothuaj inekzistente.


Send this to a friend