Kreu i Mundësia, Agron Shehaj teksa qëndron pas derës në një prej sallave ku po mbahet mbledhja e Këshillit të Mandateve, ku po diskutohet kërkesa e SPAK për Belinda Ballukun, theksoi se ende nuk është marrë një vendim.
“Po rri këtu se jam brenda, kam akoma shpresa se nuk e kanë marrë ende vendimin, se jam unë këtu. Unë jam këtu dhe ju aty jashtë. Meqë jeni aty, duhet ta ngrini më shumë zërin. Janë lidhur pas karriges dhe nuk ikin. E dini se vetëm pushteti mund t’i mbrojë. Ja kanë bërë të qartë Edi Ramës, po ikën do ta marrin me vete. Kam akoma shpresa që të hyj brenda. Janë akoma duke vrarë mendjen, se si duket nuk e kanë marrë akoma vendimit”, ka thënë ai.© BalkanWeb

“Dorëzoni Belindën”, “Dil nga zyra dhe jep dorëheqjen”, “Pa drejtësi nuk ka BE”, “Jo shtetit që të merr peng” janë disa nga pankartat që protestuesit e partisë Mundësia mbajnë para kryesisë së Kuvendit, teksa po protestojnë kundër të pandehurës Belinda Balluku.
“Burg, burg. Duam drejtësi”, dëgjohet teksa brohoret turma e protestuesve.
Brenda kryesisë po vijon mbledhja e Këshillit të Mandateve ku po diskutohet për kërkesën e SPAK për t’i hequr imunitetin zëvendës kryeministres të pandehur për shkelje të barazisë në tendera.

Agron Shehaj së bashku me Erald Kaprin nuk janë lejuar që të futen në mbledhjen e Këshillit për Imunitetin. Sipas Shehajt, ky është një pazar që bëjnë dy forcat politike, ndërsa situatën e krijuar e konsideroi si çmenduri.
“Kjo është çmenduria, ne do vazhdojmë do luftojmë. Këta e kanë paralajmëruar, Edi Rama do të marrë në mbrojtje Belinda Ballukun”, tha Shehaj.
Shehaj pati edhe një përballje me kryetarin e Kuvendit, Niko Peleshi: “Pse më shtyni? Sepse preka kryetarin. Me dhunë. Vazhdon avazi PS-PD, vazhdon pazari PS-PD”./Boldnews.al