VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

Osmani: Fyerjet çnjerëzore ndaj meje nuk ia fal kurrë LDKsë

By | May 26, 2020

Komentet

Shqipëri: Personeli shëndetësor ndjehet i pasigurtë në punë gjatë pandemisë

Në Shqipëri, u njoftuan sot edhe 4 vdekje të tjera prej koronavirusit, të moshave nga 21 vjec deri në 67 vjeç, ndërsa nga testet e fundit gjetën 85 persona të tjerë të infektuar.

Prej 26 qershorit e deri sot autoritetet shëndetësore po njoftojnë një seri vdekjesh thuajse të përditshme nga 2-4 persona prej koronavirusit.

Spitali Infektiv është në gjendje kritike, ku shpesh numri i shtrimeve është më i lartë se ai daljeve. Aktualisht aty janë të shtruar 88 persona, 16 nga të cilët në terapi intensive.

Gjendja vlerësohet e rëndë jo vetëm për pacientët, po edhe për vetë mjekët dhe personelin ndihmës.

Shoqata “Together for Life” publikoi sot një studim, sipas të cilit, pjesa dërrmuese e personelit shëndetësor ndihet i pasigurtë në vendin e punës, për shkak të mungesave në pajisjet mbrojtëse dhe për testimet e pakta që bëhen ndaj tyre.

“Mbi 60 për qind e personelit shëndetësor pohojnë se ndihen pjesërisht të sigurt ndërsa afro 30 për qind të tjerë nuk ndihen aspak të sigurtë nga infektimi i mundshëm në vendin e punës” – thotë Denisa Canameti, drejtuese e grupit të studiuesve pranë shoqatës “Together for Life”.

Studimi zbuloi se më shumë se gjysma e personelit shëndetësor ka shprehur shqetësim për kushtet e trajtimit të pacientëve me covid-19.

Ata pohojnë se ka një nivel të ulët të testimeve për vetë personelin shëndetësor he familjarët e tyre edhe pse kanë shenja të infektimit.

“Afro 40 për qind e peronelit shëndetësor janë ankuar tek shefat për mungesë të materialeve të mbrojtjes personale, ndërsa 30 për qind nuk janë ankuar ose nga frika se humbi vendin e punës, ose sepse nuk ka besim tek dhënia e ndonjë zgjidhjeje” – tha zonja Canameti.

Sipas studimit, më tepër se gjysma e personelit shëndetësor pohojnë se po punojnë nën stress, prej mungesës së mbrojtjes dhe prej zbatimit për herë të parë të protokolleve.

Por edhe më problematike është gjendja tek punonjësit e sistemit shëndetësor parësor, të cilët i sigurojnë me paratë e tyre mjetet mbrojttëse përballë mijëra vizitave mjekësore të qytetarëve, ndërsa testimi i tyre për infektim është dy herë më pak se ai në spitale, ndaj edhe dy mjekët që humbën jetën ishin në systemin parësor ose ishin jashtë spitaleve COVID. zëri i amerikës

Freedom House: Shqipëria, hapa prapa në demokraci

Organizata Freedom House me qendër në Uashington tha se demokracia në Shqipëri pësoi rënie gjatë vitit 2019, duke materializuar shqetësimet për rritjen e autoritarizmit dhe të një sistemi jofunksional të kontrolleve dhe balancave mes pushteteve të qeverisjes.

raportin e saj vjetor për Shqipërinë të publikuar të mërkurën, organizata vazhdon ta cilësojë vendin si “regjim në tranzicion ose hibrid”, dhe tha se viti 2019 u karakterizua nga një rishfaqje e krizave politike.

Raporti veçon prirjet shqetësuese, sipas tij, në aspektet e qeverisjes demokratike, proceseve zgjedhore, pavarësisë së mediave dhe korrupsionit.

Sipas organizatës, krahasuar me vitin paraardhës, Shqipëria shënoi rënie nga 3.50 në 3.25 pikë në fushën e qeverisjes demokratike, për shkak të një sërë krizash që prekën institucionet, duke përfshirë dorëheqjen në bllok të opozitës parlamentare, një procedure për shkarkimin e Presidentit dhe përplasjeve mes gjykatave dhe parlamentit.

Në sferën e procesit zgjedhor, Shqipëria ra nga 4.50 në 4.25 pikë, për shkak të bllokimit të reformës zgjedhore dhe konfliktit politik lidhur me zgjedhjet e parakohshme vendore, thotë Freedom House.

Në raport thuhet se edhe korrupsioni vazhdoi të ishte shqetësues në vitin 2019, ndërkohë që arritjet modeste në luftën kundër korrupsionit të vogël mbetën në hije për shkak të shqetësimeve serioze për pandëshkueshmërinë. Në vitin 2019 u shtuan po ashtu shqetësimet për korrupsionin e madh dhe kapjen e shtetit.

Freedom House thotë se zhvillime veçanërisht shqetësuese u vunë re në procesin legjislativ dhe zbatimin e ligjit për koncesionet dhe PPP-të. Parlamenti miratoi disa ligje për PPP konkrete dhe projekte koncesionare, megjithë paralajmërimet e organeve ndërkombëtare dhe ekspertëve vendas.

Në të njëjtën kohë, pandëshkueshmëria e zyrtarëve të lartë vazhdoi të ishte problem në vitin 2019, thotë organizata.

Prokuroria, thuhet në raport, nuk arriti të hetojë me shpejtësi akuzat e ngritura nga Partia Demokratike (PD) dhe media për rolin e krimit të organizuar në blerjen e votave gjatë zgjedhjeve të parakohshme për kryetarë bashkie në Dibër dhe zgjedhjeve të përgjithshme të 2017 në qarkun e Durrësit.

Viti 2019 ishte një sfidë edhe për mediat e pavarura, të cilat u vunë nën kërcënim si nga një paketë legjislative kundër shpifjes e miratuar nga Parlamenti ashtu edhe nga goditjet e vazhdueshme të qeverisë ndaj medias online, thotë raporti.

Qeveria, si dhe bizneset dhe grupet kriminale, u përpoqën të fitojnë ndikim të jashtëm mbi median, ndërsa pronarët e mediave rregullisht i përdorin ato për të favorizuar interesat e tyre të biznesit ose ato politike. Kryeministri Edi Rama dhe përfaqësues të tjerë të Partisë Socialiste vazhduan ta kritikojnë median shqiptare si një “kazan plehrash” dhe kërcënuan gazetarët me akuza për shpifje, thotë Freedom House.

Në raport përmendet se Bashkimi Evropian e shtyu dy herë vendimin për të hapur negociatat e pranimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, duke dëmtuar besueshmërinë e vet dhe duke rrezikuar seriozisht arritjet e reformave në të dyja vendet. zëri i amerikës

Thaçi do të intervistohet në Hagë edhe gjatë së enjtes

Në Zyrën e Prokurorisë së Specializuar në Hagë, për të tretën ditë me radhë, u intervistua presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.

Pas intervistimit, që zgjati gjashtë orë, Thaçi nuk u prononcua për media.

Intervistimi i Thaçit do të vazhdojë gjatë së enjtes.

Thaçi është paraqitur në Hagë me ftesë të Prokurorit të Specializuar.

Zyra e Prokurorit të Specializuar ka njoftuar muajin e kaluar se më 24 prill ka paraqitur një aktakuzë për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit kundër presidentit Thaçi, kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, dhe disa të tjerëve, emrat e të cilëve nuk janë bërë publikë.

Pas intervistimit të hënën, në ditën e parë, Thaçi ka thënë se është diskutuar për “çështje sqaruese, teknike” dhe për interesimin e prokurorëve për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës”.

Të martën, Thaçi nuk është deklaruar për media.

Aktakuza e paraqitur ka kaluar tani në duart e gjykatësit të procedurës paraprake, i cili ka maksimum gjashtë muaj kohë, nga muaji prill, për ta konfirmuar ose hedhur poshtë.

Thaçi ka thënë më herët se do të japë dorëheqje nga posti i presidentit, nëse aktakuza kundër tij konfirmohet.

“Vetëm me Bechettin ikën 109 mln euro”, Ish avokatja e shtetit nxjerr të dhënat: Çfarë po humbim nga lufta personale e kryeministrit

Ish avokatja e Shtetit, Ledina Mandija tregon çfarë mund të ishte bërë me 109 milionë euro që kryeministri Rama humbi në përballjen me sipërmarrësin italian Francesco Bechetti.

Përmes një video, zonja Mandija, a angazhuar në Partinë Demokratike si anëtare e Këshillit Kombëtar, bëri përgjegjës kryeministrin që shndërroi një luftë personale në një gjibë të rëndë për Shqipërinë.

 

Statusi i plotë:
Kryeministri në ikje po dëmton çdo ditë interesin publik. Lufta e tij personale me sipërmarrësin italian Francesco Bechetti do ti kushtojë të gjithëve shqiptarëve plot 109 milionë euro!

Edi Rama vendosi interesat e tij personale mbi ligjin dhe interesat e vendit, dhe për dëmin që ai shkaktoi shqiptarët e varfëruar duhet të paguajnë gjobën 109 milionë euro, në vend që këto para ti mbanin për vete.

Ky është krim. Dëmi ekonomik i shkaktuar nga Edi Rama po e vret ekonominë dhe po zbraz xhepat e shqiptarëve.

Shikoni sa familje dhe biznese mund të ishin ndihmuar me kaq shumë para? Sa shkolla dhe spitale mund të ishin ndërtuar? Sa njererëz mund të ishin ndihmuar:👇

Të dhënat në video:
Shqiptarët janë duke paguar me taksat e tyre luftën personale të Kryeministrit Edi Rama, me pronarin e Agon Channel Francesco Becchetti. Shteti shqiptar do t’i paguajë 109 milionë euro. Edi Rama nuk flet për dëmin e drejtpërdrejt që u ka shkaktuar qytetarëve!
Ndërkohë, Me 109 milionë euro mund të ishin ndërtuar 7 spitale te rinj, 100 shkolla të reja, 200 kopshte dhe çerdhe të reja. Me 109 milionë euro, mund të ishin blerë 4.500 respiratorë për t’u përballur me pandeminë. Mund të ishin kryer 726.666 testime për COVID-19. Me 109 milionë euro, mund të jepeshin 235 euro subvencione të drejtpërdrejta për 463.550 fermerët e punësuar në sektorin bujqësor!
Mund të dyfishohej për 3 vite ndihma ekonomike për 60 mijë familje shqiptare

Kosovë: Katër viktima dhe 203 raste të reja me COVID-19

Autoritetet në Kosovë thanë të enjten se ka arritur në 101 numri i viktimave nga koornavirusi që nga fillimi i pandemisë. Në 24 orët e fundit katër persona humbën jetën ndërsa 203 nga 419 të testuar dolën se janë të infektuar.

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike tha me rastet e konfirmuara t shtunën, Prishtina prin me gjithsej 75 raste e pasuar nga komuna Gjilan me 28 raste, komuna Ferizaj 21 raste, komuna Fushë Kosovë 11 raste, komuna Lipjan 11 raste, komuna Podujevë 8 raste, komuna Viti 6 raste, komuna Mitrovicë 6 raste, komuna Drenas 5 raste, komuna Kamenicë 4 raste, komuna Malishevë 4 raste, komuna Vushtrri 4 raste, komuna Skenderaj 4 raste, komuna Gjakovë 3 raste, komuna Shtime 3 raste, komuna Pejë 3 raste, komuna Obiliq 2 raste, komuna Rahovec 2 raste dhe me nga 1 rast komunat: Deçan, Prizren dhe Shtërpce.

Rastet e së enjtes e çuan në 4 mijë e 715 numrin e përgjithshëm të të infektuarve, nga të cilët deri tani të shëruar janë shpallur 2 mijë e 227 raste, ndërsa 2 mijë e 387 mbeten raste aktive.

Kosova po përballet me periudhën më të vështirë shëndetësore që nga paraqitja e koronavirusit në mesin e muajit mars. Brenda 12 ditëve në Kosovë janë regjistruar 50 vdekje si pasojë e infektimeve, disa prej të cilave po hetohen nga organet e rendit.

Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj bëri thirrje të shtunën që të respektohen masat e qeverisë për të mos vendosur gjendjen e jashtëzakonshme.

Nëpërmjet faqes së tij në Facebook, ministri Zemaj tha se “virusi rëndon gjendjen e popullatës, rrit krimin, hileqarët e shfrytëzojnë për grumbullime njerëzish në rrugë, ku shtohen infeksionet, rrit kërkesën për ndihma sociale, vë në pikëpyetje hapjen e kufijve, hapjen e shkollave që funksionojnë̈ edhe gjatë kësaj kohe, mund të rris pakënaqësinë e secilit”, shkroi ai.

Qeveria tha se është duke shqyrtuar mundësinë e vendosjes së gjendjes së jashtëzakonshme për shkak të përkeqësimit të situatës. Kryeministri Avdullah Hoti, zhvilloi një diskutim të shtunën me kryetarët e komunave të Kosovs që sipas tij u pajtuan për ashpërsimin e masave për frenimin e përhapjes së mëtejme të pandemisë.

Të dielën pritet që çështja të diskutohet në Këshillin e Sigurisë së Kosovës. zëri i amerikës

SHBA dhe BE dënojnë kërcënimin fizik ndaj kryeparlamentares Osmani

Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Prishtinë dhe shefja e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Nataliya Apostolova, kanë dënuar kërcënimin fizik ndaj kryetares së Kuvendit të Kosovës Vjosa Osmani të premten, nga një deputet i Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Përmes një postimi në Twitter, ambasada amerikane thotë se kuvendi ka humbur kohë duke u shpërqëndruar në sulme personale dhe retorika politike, ndërkaq nuk ka arritur të marrë përgjegjësinë për të zgjidhur krizën ekonomike dhe shëndetësore në vend.

Ndërkaq, shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë, Apostolova, tha se dhuna nuk ka vend në shoqëri demokratike e sidomos ndaj gruas.

“Parlamenti i Kosovës duhet të bëjë punë konstruktive që të ballafaqohet me sfidat që ka përpara. Të gjithë duhet të përkushtohen për consensus politik dhe të përmbahen nga dhuna që nuk ka vend në shoqëritë demokratike, e sidomos në kuvend dhe ndaj gruas – kryeparlamentares”, tha ajo.

Seanca e Kuvendit të Kosovës në të cilën po diskutohej projektligji për rishikimin e buxhetit të Kosovës, të premten në mbrëmje, u ndërpre pas një përplasjeje verbale në mes të deputetit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Xhavit Ukaj dhe kryetares së Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani.

Kryeparlamentarja, më vonë, përmes një postimi në Facebook njoftoi se ka paraqitur rastin në polici.

Incidentin e kanë dënuar edhe përfaqësues politikë e organizata joqeveritare në Kosovë. rel

1965/Sigurimi: “Martin Camajn e duan amerikanët, ta përbaltim sikur është bashkëpunëtor i Sigurimit” Nga Kastriot Dervishi

Më 3.2.1959, Zbulimi Politik hapi dosjen e kërkimit për Martin Camajn, ndonëse nuk kishte asnjë material për të. Theksohej se kishte “urryer luftën nacionalçlirimtare” dhe pas lufte qëndrimi nuk kish qenë i mirë.  Raporti u propozua nga operativi kapiten Sotir Josifi dhe u miratua nga kryetar i Degës së Dytë të Drejtorisë së Zbulimit Politik në MPB, kolonel Kopi Niko.

Në raportin e datës 30.10.1965 të përpiluar nga nënkolonel Malo Zahaj thuhej se “amerikanët e duan shumë këtë njeri”. Për të menduar të kundërtën, u mendua një skemë mashtrimi, e cila synonte të krijonte dyshime te amerikanët se Martini ishte i Sigurimit. Për këtë ata mendonin “ta digjnin para zbulimit amerikan” nëpërmjet një kombinacioni. Për këtë mendohej në planin e darës 4.11.1965 të dërgoheshin disa letra nga Shqipëria në Itali ku disa persona të përhapnin opinione negative, sikur ishte çuar nga Sigurimi, etj. Madje në një nga letrat që do i shkruanin “antikomunistët”, këta do kërkonin ta vrisnin si “i dërguar nga Sigurimi”. Këtu do shfrytëzohej fakti se Camaj u kish thënë disa miqve vetë atë që i kishte bërë Sigurimi. Për këtë, deklarata që Camaj i kish nënshkruar Sigurimit, do shpërndahej fotokopje. Në ndihmë të këtij plani do të vihej fakti i ish agjentit Isuf Mullai (personazhi i vërtetë romanit “Mërgata e qyqeve”), i cili ndonëse nuk kishte bërë asgjë kishte siguruar namin se Sigurimit kish bërë hatanë jashtë vendit në krye të organizatave “reaksionare”. Plani i Sigurimit bazohej te shpifja e gjerë e shpifjes dhe gënjeshtrës, sikur Martini ishte dërguar nga Sigurimi dhe po punonte për ta. Mjete të tjera nuk kishin. Ky plan synonte ta “disaktivizonte” në sy të amerikanëve, por mundej sipas tyre (se gjë nuk dinin) të ishte edhe agjent i jugosllavëve dhe italianëve (pra sipas gjuhës ordinere komuniste, “poliagjent”). Plani i “djegies”, përmbante këto pika:

-Kërkim informatash nga Degës së Punëve të Brendshme Shkodër, në kishte të dhëna për ndonjë denoncim të Martinit (nuk kishte asnjë). Nëse po, a kishin personat e dënuar, të afërt në RFGJ.

-Interesimi rreth rrethit shoqëror të tij dhe lidhjeve të mundshme me Sigurimin.

Në vijim të këtij plani, kundër Martinit do merreshin këto masa:

-Do të niseshin gjoja nga Shqipëria letra ku ai do akuzohej se ishte shkaktar i burgosjes së njerëzve të tyre dhe vetë ai ishte arratisur.

-Do kërkohej në letra që ta vrisnin Martinin si “agjent i Sigurimit”.

-T’u tregohej personave që nuk besonin fotokopja e deklaratës së bashkëpunimit të Martimit me sigurimit.

Më mënyrë të habitshme, plani i vitit 1965, është krejt i ngjashëm me planet e ditëve tona që synojnë përbaltjen e Martin Camajt.

Përfundon video takimi i Parisit Kosovë – Serbi

Presidenti francez Emmanuel Macron dhe kancelaria gjermane Angela Merkel, zhvilluan sot një video konferencë me kryeministrin e Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç. Takimi ishte paraparë të mbahej në Paris, por duket se gjerat ndryshuan edhe për shkak të pandemisë së COVID-19-tës.

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, tha gjatë konferencës se suksesi i procesit të normalizimit duhet të mbështetet në parimet se “tërësia tokësore e Kosovës është e pangeociueshme, organizimi kushtetues i Kosovës nuk mund të preket dhe marrëveshja duhet të jetë në pajtim me Kushtetutën e Kosovës”.

Ai tha se Kosova synon një marrëveshje gjithëpërfshirës të paqes me Serbinë që duhet të çojë në njohje të ndërsjellë”. Sipas tij, Bashkimi Evropian duhet të sigurojë njohjen nga pesë vendet anëtare që nuk e njohin Kosovën. Pjesë e marrëveshjes duhet të jetë anëtarësimi i Kosovës në OKB, tha ai.

Presidenti serb Aleksandër Vuçiç, i cilësoi si ultimatum qëndrimet e tilla.

“Pala shqiptare doli me kërkesa që janë: ruajtja e tërësisë tokësore dhe kushtetues të Kosovës, njohja e ndërsjellë dhe jo modelin e dy Gjermanive, anëtarësimi i Kosovës në Kombet e Bashkuara dhe që shtetet tjera ta pranojnë Kosovën, e pastaj do të merren me çështjet e të zhdukurve dhe dëmet e luftës. Unë kam thënë se e gjitha kjo është e pakuptimtë, se jam i gatshëm të flasim dhe të bëjmë hapa të vegjël”, tha ai pas takimit, duke nënvizuar se të dielën do të organizohet një video-konferencë, si fillim formal i dialogut Kosovë-Serbi, teksa të enjten do të mbahet takimi zyrtar në Bruksel.

Video konferenca e sotme pasoi takimet e ndara të presidentit francez Emmanuel Macron, fillimisht të martën me kryeministrin Hoti dhe të enjten me presidentin Vuçiç.

Takimi i së dielës, sipas zyrtarëve të BE-së “do të rifillojë diskutimet dhe punën për arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht detyruese për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës që do të trajtojë të gjitha çështjet e hapura”.

Plani për rifillimin e bisedimeve të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian u publikua pak ditë pasi që Prokuroria e Posaçme për Kosovën me seli në Hagë, publikoi njoftimin për ngritjen e akuzave ende të pakonfirmuara ndaj presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryetarit të Partisë Demokratike, Kadri Veseli, si të dyshuar për krime kundër njerëzimit dhe krime lufte.

Publikimi i akuzave bëri që të dështojnë planet për një takim Kosovë-Serbi në Shtëpinë e Bardhë me 27 qershor me ndërmjetësimin e ambasadorit Richard Grenell, i dërguar i posaçëm i presidentit Donald Trump për bisedimet e paqes Kosovë – Serbi.

Ambasadori Grenell paralajmëroi se së shpejti do të caktohet një datë e re e takimit, ndërsa u shprehu mbështetjen përpjekjeve evropiane, duke shfaqur shpresën se video konferenca e sotme do të sigurojë edhe liberalizimin e vizave për Kosovën.

Bisedimet Kosovë – Serbi të ndërmjetësuara nga BE-ja që filluan në vitin 2011 siguruan një varg marrëveshjesh por nuk përmbushën synimin për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet të dyja vendeve. Zyrtarët evropianë thonë se rifillimi i bisedimeve do të hap një periudhë të re me më shumë shpresa për një marrëveshje përfundimtare.

Serbia vazhdon të kundërshtojë pavarësinë e Kosovës të shpallur më 17 shkurt të vitit 2008, por normalizimi i marrëdhënieve është kusht për integrimet evropiane të të dyja vendeve. zëri i amerikës

Intervista – Williamson për aktakuzën ndaj Thaçit e Veselit: Besoj që tash ka dëshmitarë të rinj në proces

Ish-kryeprokurori i Task Forcës Hetimore Speciale Clint Williamson që kishte kryer hetimet për pretendimet e raportit e Dick Martyt për dyshimet e pretenduara për krime të kryera nga UÇK-ja ka folur për aktakuzën e ngritur nga Prokurori Special kundër Presidentit Hashim Thaçi dhe kryetarit të PDK’së Kadri Veseli.  Prokurori amerikan, ka thënë se beson që në aktakuzën e tanishme që është bërë publike nga Prokurori Special mund të ketë edhe dëshmitarë të rinj në proces për dallim nga dëshmitarët e vitit 2014, kur ai kishte dalur me të gjeturat nga hetimet e pretendimeve të raportit të Dick Martyt.

Williamson, ka thënë se aktakuzat ndaj Thaçit dhe Veselit janë akuza ndaj individëve dhe jo ndaj UÇK’së si organizatë. Ish-kryeprokurori Williamson ka thënë se i gjithë kuptimi i Gjykatës Ndërkombëtare është që të mos mbahen përgjegjës një grup i tërë njerëzish për krimet që kanë kryer individët e caktuar.

Ai në një intervistë për Syri TV ka folur edhe për pretendimet e senatorit Dick Marty për trafikun e organeve gjatë luftës në Kosovë. Williamson tha se në vitin 2014 kur ka publikuar gjetjet nuk ka besuar se ka pasur prova të mjaftueshme për të ndjekur penalisht pretendimet e raportit të Dick Martyt.

A janë ngritur këto aktakuza kundër Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit apo kundër luftës së UÇK’së?

Clint Williamson: Nuk kam patur mundësinë të shoh aktakuzën, nuk mund të flas për specifikat e akuzave por çdo aktakuzë që do të vinte nga Gjykata Speciale e Kosovës, siç ka ndodhur në çdo tribunal tjetër do të ngriteshin kundër individit jo organziatës.

Thaçi dhe Veseli kanë qenë udhëheqësit kryesor të UÇK’së, a hedhin dritëhije këto akuza mbi luftën që zhvilloi UÇK’ja gjatë konfliktit?

Clint Williamson: Jo, ky është i gjithë kuptimi i Gjykatës Ndërkombëtare, si në rastin e Tribunalit të Jugosllavisë dhe Hagës, përpjekje që ndodhën në Gjykatën Shtetërore të Bosnjës, janë për të mbajtur përgjegjësi individët në mënyrë që ti të mos fajsosh një grup të tërë njerëzish për krimet që kanë kryer individët, pra nuk është një çështje ku të gjithë serbët mbahen përgjegjës, apo të gjithë shqiptarët janë përgjegjës, ose të gjithë kroatët apo boshnjakët. Është për individët që kanë luftuar në ushtri në grupe paramilitare, apo në polici apo në lidershipin politik të këtyre vendeve apo subjekteve të ndryshme të cilat janë përgjegjës të drejtpërdrejtë për krime të ndryshme, besoj që kjo është një veçantim i rëndësishmë që duhet bërë, ky është edhe kuptimi i këtij procesi.

Ju keni qenë edhe drejtor i departamentit të drejtësisië në kosovën e pasluftës, çfarë njohurish keni ju për aktakuzat e ngritura ndaj Thaçit dhe Veselit, kohë më parë në Bruksel ju keni folur për natyrën e akuzave se cilat ishin ato, për cfarë e kishit fjalën?

Clint Williamson: Ka qenë në vitin 2014 kur unë publikova gjetjet tona paraprake të hetimit, realiteti është se kanë kaluar gjashtë vjet që nga ajo kohë dhe nuk kam njohuri se cila është aktakuza aktuale që është dorëzuar për konfirmim. Besoj që ajo që është e rëndësishme për të thënë është se këto aktakuza nuk janë konfirmuar ende, ndaj nuk është ende zyrtare derisa në momentin ky proces të ketë përfunduar në gjykatë. Ajo për cfarë unë fola në atë kohë ishte se cilat ishin provat që ne kishim në dispozicion në 2014. Unë kam qenë në kontakt me pasardhësit e mi gjatë këtyre viteve, por nuk kam folur për specifikat që ata kanë në dorë momentalisht, cilët janë dëshmitarët dhe cilat janë akuzat që ata po nxjerrin, ajo çka mund të them unë për provat e 2014 është se ato mund të kenë ndryshuar në mënyrë drastike këto gjashtë vjet.

A mund të jenë mbledhur më shumë akuza apo mund të jenë shkatërruar ato, pra cilat janë pritshmëritë tuaja?

Clint Williamson: Mbase të dyja bashkë, natyrisht që në periudhë gjashtë vjeçare mund të ketë dëshmitarë të cilët nuk gëzojnë më shëndet të mirë, mbase janë ndarë nga jeta, ke njerëz të cilët vendosin të mos jenë më pjesë e procesit. Jam i sigurt që disa dëshmitarë që ne kishim në 2014 nuk janë më pjesë e procesit në të njëjtën kohë besoj që kanë marrë dëshmitarë të rinjë të cilët kanë informacione shtesë që ne nuk i kishim në atë kohë. Kur ti heton kur ti flet me një dëshmitar ata mund të tregojnë historinë e tyre dhe shpeshherë ata mund të identifikojnë persona të tjerë të cilët mund të kenë informacione të ngjashme, më pas ti nis e flet me ata persona. Pra provat ndërtohen gjatë kohës, pra ashtu sic thashë shumë prova që ekzistojnë tani jam i sigurt që është ndryshe çfarë ka qenë në 2014.

Në njohuritë e tua si drejtori i drejtësisë pas luftës në Kosovë, aktakuzat kundër Thaçit dhe Veselit janë ngritur për veprimet e tyre gjatë apo pas luftës?

Clint Williamson: Sërish nuk mund të flas  për aktakuzën aktuale, prioriteti në hetimet tona ishin ato të kryera pas konfliktit, pra sërish bazuar në provat e 2014, shumica e tyre janë pas 12 qershorit 1999 dhe pse mendoj se ka pasur incidente edhe para kësaj periudhe, por nuk mund të them se çfarë ka në aktakuzën aktuale.

A mendoni se gjykata ndërkombëtare po e trajton Kosovën në të njëjtën mënyrë si Serbinë, kur kujtojmë se Kosova ishte viktima ndërsa Serbia ishte agresori?

Clint Williamson: Jam i vetdijshëm për këtë, e kam thënë edhe në deklaratën e gjetjeve, kam qenë në Kosovë në 1999 kam parë se çfarë ka ndodhur aty, kam udhëhequr hetimet e Gjykatës Ndërkombëtare të ish-Jugosllavisë për krimet e kryera kundër shqiptarëve të Kosovës. Kam qenduar në Tiranë gjatë shumicës së bombardimeve duke drejtuar zyrën e Gjykatës Ndërkombëtare t ëish-Jugosllavisë në Tiranë, duke folur me refugjatë nga Kosova duke marrë deklarata të dëshmitarëve, mbledhje provash. Kam qenë aty përgjatë gjithë asaj vere, duke marrë pjesë në ekzaminimin e varreve masive pra e di shumë mirë se cfarë ka ndodhur, nuk ka asnjë dyshim mbi faktet që kanë ndodhur gjatë asaj periudhe, edhe pse mund të themi që Kosova ka qenë viktimë e agresionit serb, kjo nuk i justifikon  krimet e kryera nga ata individë të cilët janë në shkelje të ligjit ndërkombëtar mbi luftën. Edhe nëse vendi yt sulmohet dhe je duke e mbrojtur vendin, kjo nuk të jep një licencë për të vrarë një civil apo të ekzekutosh të burgosur lufte, këto janë gjëra të ndaluara qoftë vendi yt agresori apo mbrojtësi i agresionit.

Cila është e vërteta mbi deklaratën e fundit të senatorit zviceran Dick Marty për trafikun e organeve njerëzore gjatë luftës në Kosovë, ju e keni përmendur një fakt të tillë edhe në konferencën tuaj në Bruksel

Clint Williamson: Po e kam thënë ato ishin gjetjet tona të 2014, gjetjet tona në 2014 përbeheshin gjerësisht me gjetjet e Dick Martyt gjatë pyetjeve të tij për Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Bashkimit Evropian. Por ashtu siç e thashë gjatë asaj kohe në 2014, nuk besoja se kisha prova të mjaftueshme për të ndjekur penalisht. Ka patur prova që ato gjëra kanë ndodhur, por niveli i provave ishte i pamjaftueshëm për t’i ndjekur penalisht, nuk mund të them se mbi cilat baza qëndrojnë provat aktuale sepse nuk e kam atë informacion, mirëpo pozicioni im është i njëjtë me deklaratën që kam bërë në atë kohë./GazetaExpress/

Camaj agjent? Reagon Akademia e Shkencave, kujton fjalët e Kadaresë: Një nga shkrimtarët më të mirë të kombit tonë!

Ka reaguar Akademise e Shkencave të Shqperisë pas debatit të madh për Martin Camajn, pas publikimit të një shkrimi nga Auron Tare.


Përmes një reagimi zyrtar, Akademia e cilëson si nga shkrimtarët më të mirë të kombit tonë, duke iu referuar edhe percaktimit të bërë nga shkrimtari i madh, Ismail Kadare.

DEKLARATA E PLOTË

Martin Camaj – një nga shkrimtarët më të mirë të kombit tonë

Tiranë, më 9 korrik 2020

Akademia e Shkencave ka ndjekur debatin e ditëve të fundme për disa personalitete të rëndësishëm të letërsisë, shkencës dhe kulturës kombëtare.

Akademia e Shkencave vlerëson se ky debat nuk ka të bëjë me vlerat dhe kontributet letrare dhe shkencore të personaliteteve për të cilët diskutohet.

Krijimtaria, kontributet dhe vlerat e trashëgimisë letrare, kulturore e shkencore janë për Akademinë e Shkencave kriter themelor për vlerësimin e personaliteteve të botës shqiptare. Ne do të mirëprisnim çdo debat për një problematikë të tillë me objekt të mirëfilltë shkencor.

Në këtë optikë përgjegjësie institucionale, Akademia e Shkencave e ka shprehur qendrimin e vet ndaj vendit që kanë në historinë e letërsisë këta personalitete përmes kërkimeve cilësore në formën e monografive, artikujve shkencorë dhe botimeve enciklopedike të shumë anëtarëve të saj, që qendrojnë mbi përditshmërinë e debateve mediatike.

Akademia rikonfirmon vlerën e këtyre kontributeve dhe në mënyrë të përmbledhur zgjedh të shqiptohet me fjalët e akademikut Ismail Kadare:

Eshtë një nga shkrimtarët më të mirë të kombit shqiptar, me po atë vlerë në prozë sikurse në poezi, dy hapësira të mëdha, me të cilat ai u përpoq të zëvendësonte atdheun e munguar. Ishte po aq i fisëm në veprën e tij, sa edhe në vizionin për raportet njerëzore brenda familjes së shkrimtarëve. Këto të fundit, për fat të keq, vazhdojnë të jenë kaq munguese në jetën tonë.

Ismail Kadare për Hyllin e Dritës: Martin Camaj është një nga shkrimtarët më të mirë të kombit shqiptar

H. D. – A e keni njohtë Martin Camajn dhe çfarë marrëdhëniesh keni pas me të? Çfarë ideje keni për krijimtarinë e tij letrare?

I. K. – Kam pasur fatin ta takoj për herë të parë Martin Camajn, në tetor të vitit 1981, në Frankfurt. Pas mbarimit të një konference shtypi, m”u afrua një burrë i pashëm, i cili, pasi më foli shqip, tha emrin e vet: Martin Camaj. E njihja, pa dyshim, nëpërmjet revistës “Shejzat” të Koliqit dhe atij iu bë qejfi që ia thashë këtë. Biseduam një copë herë në këmbë, midis zhurmimít të zakonshëm te një mjedisi të tillë. Pas vendosjes sime në Paris, një mik i përbashkët gjerman, Werner Daum, që kishte qenë diplomat në Tiranë, më solli të falat e Martin Camajt, si dhe dëshirën e tij për t’u takuar përsëri, në kushte fare të tjera tani. Për fat, sapo kisha lexuar dy novelat e tij të gjata “Rrungajat e marsit” dhe “Pishtarët e natës”, të cilat më kishin pëlqyer mjaft dhe Werner Daum më tha se ishte i lumtur t`ia njoftonte këtë gjë Camajt, baslıkë me kënaqësinë time për t’iu përgjigjur ftesës së tij. E lamë takimin pas disa javësh,’ngaqë do të ndodhesha në Munih, ku ai banonte, në një forum ndërkombëtar shkrimtarësh. Isha i ftuar për drekë në shtëpinë e tij bashkë me Daum-in. E prisja me padurim këtë takim, kur vetëm disa ditë përpara tij, erdhi lajmi i pikëllueshëm se Martin Camaj nuk ishte më i kësaj bote.

Eshtë një nga shkrimtarët më të mirë të kombit shqiptar, me po atë vlerë në prozë sikurse në poezi, dy hapësira të mëdha, me të cilat ai u përpoq të zëvendësonte atdheun e munguar. Ishte po aq i fisëm në veprën e tij, sa edhe në vizionin për raportet njerëzore brenda familjes së shkrimtarëve. Këto të fundit, për fat të keq, vazhdojnë të jenë kaq munguese në jetën tonë.

Kadare, interviste me ” Hylli i Dritès”

 

Ndahet nga jeta në moshën 84-vjeçare mjeshtri i violonçelit Gjovalin Lazri

Është ndarë nga jeta në moshën 84-vjeçare, violonçelisti Gjovalin Lazri (1936-2020). Lazri prej disa muajsh vuante nga një sëmundje e rëndë, ndërsa para pak ditësh presidenti i vendit Ilir Meta, i akordoi titullin “Mjeshtër i madh”, të cilin e tërhoqi i biri.

Por kush ishte Gjovalin Lazri?

I lindur në Shkodër, kreu shkollën artistike “Jordan Misja”,  për violonçel. E më pas vazhdoi studimet e larta në Pragë, në Akademinë e Muzikës dhe Arteve

(1959 – 1961​). Për t’u rikthyer në Tiranë në vitin 1962, si student në konservatorin Shtetëror të Tiranës.

Për katër degada ka punuar si pedagog në shkollën “Jordan Misja” në Tiranë.

Ka përgatitur kuadro të shumtë violonçelistë që sot janë solistë, pedagogë dhe pjesëmarrës në orkestrat kryesore të vendit dhe ndërkombëtare edhe ka qenë zv.drejtor artistik i shkollës së mesme artistike “Jordan Misja”, Tiranë (duke përfshirë edhe shkollën koreografike).

Por ka qenë edhe udhëheqës artistik i shkollës, duke drejtuar denjësisht aktivitete të shumta dhe cilësore: si Koncerte brenda shkollës; Konkurse në rang kombëtar; Takime kombëtare ndërmjet shkollave artistike të vendit; Koncertet e Majit; Koncerte me rastin e të gjitha festave kombëtare; Takime dhe festivale ndërkombëtare (Ballkan dhe Europë).

Ka qenë kryetar i përhershëm i Qendrës së Kualifikimit të kuadrit artistik për shkollat muzikore të vendit në të gjitha kategoritë dhe specialitetet e profilit artistik (20 vjet).

Ka qenë kryetar i “Bërthamës Shkencore Metodike” ngritur nga Ministria e Arsimit dhe Kulturës në dobi të kualifikimit metodik dhe profesional të kuadrit të shkollave artistike të vendit (10 vjet)

Nga vitet ’60-2000 ka pasuar disa ​debutime si violonçelist solist; pjesëmarrës në orkestrën e Teatrit të Operës dhe Baletit, Filarmoninë e Tiranës, dhe orkestrën e Radio Televizionit Shqiptar.

Është aktivizuar rregullisht në shtypin e kohës dhe i ftuar në emisione në Radio Televizionin Shqiptar si njohës i pedagogjisë muzikore, si dhe për diskutime e opinione për figura të shquara të artit tonë kombëtar.

Por kontributi i profesor Lazrit është i madhe dhe në fushën e botimeve në fushën e muzikës.

2001-​“Portret Instrumentisti: Jeta dhe Veprimtaria e Profesor Ymer Skenderit”.

2004​-“Violonçeli” – libër artistiko-metodik ne ndihme te studenteve e mesuesve te rinj, si edhe për të apasionuarit pas instrumentit e muzikës.

2009​-“Liceu Artistik “Jordan Misja” ne vitet 1946 – 1991”.

2011​-“Portret Instrumentisti: Jeta dhe Veprimtaria e Profesor Ymer Skenderit”. Ribotim i pasuruar me material të reja.

2013-​“Figura të Shquara të Kombit Tone – Kujtime të Jetuara ”.

 Tituj:

1972 — Medalja “Naim Frashëri”

1977 — Medalja “Naim Frashëri” (Dekret 4932)

1984 — Urdhri “Naim Frashëri” i Klasit III (Dekret 6913)

2020 — “Mjeshtër i Madh” – Akorduar nga President i Republikës