VOAL

VOAL

OFERTA – Poezi nga Arden Levine – Përktheu: S. Guraziu

June 1, 2016

Komentet

SKENA TË ABSURDITETIT- Nga ARIF EJUPI

Të krimit, të gozhdimit,
të kërcënimit dhe të linçimit,
të gjakut dhe të varreve,
të tekave dhe të hakmarrjeve,
që prangojnë duar e këmbë,
që na bëjnë të na vijë turp
kur veten shohim në pasqyrë.
.
T’i thërrasim mendjes së turbulluar
e ndërgjegjes së rrënuar,
ta ndërpresim këtë ves të ndytë,
të mos ia nxjerrim njëri-tjetrit sytë!
.
Ç ‘është kjo çmenduri e ky absurditet?
Babai djalin vret e djali nënën,
burri gruan, vëllai vëllain,
shoku shokun, miku mikun.
Jemi çmendur dhe verbëruar,
duke u bërë dorë e zgjatur e armikut!
.
Ves i lig, ves i ndytë!
Nëpër shekuj i kemi nxjerrë
njëri-tjetrit sytë.
Lëmshit të krijuar
asnjëherë nuk i është gjetur filli!
.
Mjaft me vrasje!
Mjaft me varre!
Mjaft me urrejtje, dhunë e hakmarrje!
Të ndërpritet kjo çmenduri,
ky mjerim dhe kjo ngrënie e vetvetes!
.
Arif Ejupi
Gjenevë, 12 tetor 2026

Lisat nuk ikën- Poezi të reja nga Ismet TAHIRAJ

 

LIRSHËM MUND TË LËVIZIM

 

Mund të  lirshëm në Plluzhinë e

Ticë  më lashtësi arkeologjike

A po në Rezallë  as ndër varre  s’përmendet

Gjakmarrja  assesi plaga

Dhe Likovcin e UÇK-së tashë u vëhen

emrat e luftëtarëve ,fëmijëve

Dhe në Murgën e moç sa vet bota

Po  nuk  mund të  kalosh rrepësisht  është e ndaluar{

Deviçi   i përgjakur që  e dëgjoi  tërë bota

Aty verdikt  japin popat

Mund  të kalosh   lirshëm Radishën të  Banjë të Runikut

Ku Bozhoviqet  e përtrinjë  sehirin

Në  Kuqicë lëvizë  lirshëm   deri kisha  e jonë ,Kisha e Prekocit

Ligjet  na i vë  rrënja e Zubinpotoku

Po s’guxojmi  t’i prekim  dardhat e Dobrit

Në Mitrovicë , në Veri kismet bëjnë  dekorin

Lirshëm  po lëvizim mund të lëvizim

Nuk   na   pengon maçorri ….

 

NJË SERBE E SERTË

Një serbe e sertë

Siç janë vet serbet e sertë

Hidhi gurë mbi te veten çati

E çakërdisur me gjak ne sy

 

Shau pështymë

Lum jargësh në lendinë.

theu xhamin për mbrenda

As mendja s’ta pret

Nata tha ishte e qetë

Vazhdoi vajtimin sikur derdheshin retë.

Nata ishte futë

Dora ishte sekret.

Tha këtu s’ka kulturë

S’rrohet në miniaturë.

Serbja siç ishte vet

E sertë

Përrallisë e gogësinë

As kush s’ merr më vesh.

Siç vyshket gjethi

I kësaj vjeshte

Baltërave vajtim i saj

Shket

Ujërat i gjirizeve

E veshin me te vetin petk….

KRESHTAT NUK SHUHEN

 -Barikadat-

Luaj  më ,lëviz

Më tutje  , tutje

Se  fryma e re

Po i vret fytyra

Dhe leckamaneve u nderron ngjyrat.

 Po shi i idhët shi

Po bie tinez më rehati

Shkërmoq një  livaadh

Livadh  pak e urtak.

 

Luaj ,shih siç po i sheh

Barikadat    më  hije

Më dheun  prej varreve

Gëlqere na vënë  varrëve.

 

Plepat dikush ditën

Tjetëri natën

I sakatoi

Të përgjakur.

 

Dhe shtohën  kamionet

Më fytyrë lije

Si pela  më zgjebë

Hingëllin buriatë

 

E toka  ku  toka shkelim

Na  njeh frymën

Bekimin e nënave

Dhe varret e të parëve

 

Lisat  nuk ikën

As kreshtat  nuk shuhen

Prej  diellit deri të muzgu

Frymon  fryma e jonë

Sa frymon secili njeri mbi tokë

 

Kamionet bartin qefinin

E pështjell seciln kokë të tyre

Kosovë, ktheja emrin e vet Kosovës, Dardani- Poezi nga ATDHE GECI

Në atdheun  tim  të ndarë dhe të copëtuar
një  ëndërr në ëndërr  shtrihet  dhe zgjatet
një  ëndërr  në ëndërr  i  jep krah shpresës
një  ëndërr  në  ëndërr  i  shtohet flamurit

Kosovë, ktheja emrin e vet Kosovës,
Dardani, gjatë e kemi heshtur këtë emër
gjatë  kemi luftuar të çlirohemi, Kosova
na thërret, t´ia kthejmë emrin në Dardani

S´njoh vetëdije më të lartë se të bashkuar
dhe as realitet më të lartësuar se sa atdhe
tokë dardane  ku  unë  jam  lindur e rritur
me forcën e gjuhës e të  gjakut të këndoj!

Fol  tokë  fishtiane e dardanëve  të Ilirisë
tokë barletiane e naimiane e tërë Atdheut
kohë e së vërtetës së ëndërruar ka ardhur
i dremitur jam, po gjumë nuk  kam në sy!

Iliri e atdheut  nuk  shterron me pranvera
nesër  do  të  ketë stuhi, nëpër të duhet të
kalojmë!Kosovë, ky shkrim më vjen nga
zemra, Kosovë, emri im i dheut, Dardani!…

Atdhe Geci – Dortmund, 2026

Lëshoma hisen time të Diellit, Vëlla- Nga Isuf B.Bajrami

Lëshoma hisen time të Diellit, vëlla, atë copëz drite që më takon, se unë jam bir i kësaj toke, dhe kjo tokë në zemër më këndon.

Lëshoma një rreze mbi vendlindje, një rreze mbi malin që na rriti, mbi lumin që dikur rridhte i pastër dhe fëmijërinë tonë e përcolli.

Vëlla, a e mban mend atë lumë? Atë ujë të kthjellët si loti, ku ne si fëmijë zhysnim duart dhe nuk dinim ç’ishte largimi?

A e mban mend zërin e tij, kur përplasej mbi gurët e bardhë? Sikur na tregonte një përrallë që vetëm fëmijët dinin ta dëgjonin.

Sot kthehem dhe e shoh me dhimbje.

Therra nëpër brigje, drunj të rrëzuar në shtrat, rrjedha e tij e penguar, dhe uji që kërkon një rrugë mes asaj që ne i kemi bërë.

E pyeta veten:

Ku shkoi lumi im?

Por pastaj e kuptova…

Lumi është aty.

Ne kemi ndryshuar.

Ne ia kemi zënë rrugën.

Ne ia kemi harruar këngën.

Dhe kur nisa ta pastroj, dikush më pyeti:

“Pse po e pastron lumin, vëlla?”

E heshta një çast.

Pastaj pashë ujin dhe m’u kujtua fëmijëria.

Iu kujtuan këmbët e mia të zbathura, zërat tanë mbi breg, verat e gjata, dhe ai ujë që na freskonte kur bota na dukej e madhe.

Dhe thashë:

“Sepse dikur ishte i pastër.”

“Lëre”, më thanë.

“Ka qenë gjithmonë kështu.”

Por jo, vëlla.

Nuk ka qenë gjithmonë kështu. Kështu e kemi bërë.

Dhe nëse dikur kemi gabuar, pse duhet t’ua lëmë gabimin edhe fëmijëve tanë?

Pse duhet t’u themi:

“Mos e prek lumin, sepse ne nuk e prekëm”?

Pse duhet t’u lëmë një shtrat lumi me therra në vend të një lumi me jetë?

Vëlla, unë nuk dua të luftoj me askënd.

Dua vetëm të hap një rrugë për ujin.

Dua t’i largoj ferrat që ia kanë mbytur brigjet.

Dua t’i heq drunjtë që ia kanë devijuar rrjedhën.

Dua ta dëgjoj përsëri atë këngën e vjetër që më ka mbetur në shpirt.

Sepse lumi nuk kërkon shumë.

Nuk kërkon pasuri.

Nuk kërkon lavdi.

Kërkon vetëm:

Të rrjedhë.

Ashtu si njeriu kërkon të jetojë.

Ashtu si një fëmijë kërkon të rritet.

Ashtu si një vendlindje kërkon të mos harrohet.

Vëlla, mos ma thuaj:

“Pse po merresh me këtë?”

Më thuaj:

“Çfarë mund të bëjmë bashkë?”

Sepse një lumë nuk pastrohet me një dorë të vetme.

As një fshat nuk ringjallet me një zemër të vetme.

Na duhen duart tona.

Na duhen kujtimet tona.

Na duhet guximi për të mos thënë më:

“Kështu ka qenë gjithmonë.”

Sepse e ardhmja nuk ndërtohet duke ruajtur çdo gjë siç e gjetëm.

Ndonjëherë duhet të pastrojmë atë që kemi lënë pas.

Të hapim rrugën e mbyllur.

Të kthejmë ujin në shtratin e vet.

Të mbjellim aty ku kemi prerë.

Të shërojmë aty ku kemi plagosur.

Dhe mbi të gjitha, të mos kemi frikë të bëjmë një të mirë vetëm pse dikush pyet:

“Pse?”

Vëlla, unë e di pse.

Sepse ky lumë është një pjesë e fëmijërisë sime.

Sepse ky ujë ka prekur këmbët e mia.

Sepse këta gurë kanë dëgjuar të qeshurat tona.

Sepse këto brigje mbajnë gjurmët e hapave tanë.

Sepse vendlindja nuk është vetëm një vend në hartë.

Është ajo që të dhemb kur je larg.

Është ajo që të thërret kur askush tjetër nuk të thërret.

Është ajo që ta njeh zërin edhe pasi ke harruar si tingëllon vetë zëri yt.

Prandaj, vëlla, lëshoma hisen time të Diellit.

Mos ma mbyll dritën me fjalët e së kaluarës.

Mos ma mbyll rrugën me “kështu ka qenë”.

Lëre një rreze të bjerë mbi lumin tonë.

Lëre një rreze të hyjë nëpër degët e dendura.

Lëre ujin të marrë frymë.

Lëre lumin të këndojë.

E kur një ditë fëmijët tanë të vijnë këtu, të ulen pranë ujit, të zhysin duart në të dhe të pyesin:

“Kush e bëri lumin përsëri të pastër?”

Ne të mos tregojmë gishtin kah njëri-tjetri.

Le të themi vetëm:

“E bëmë bashkë.”

Dhe atëherë, vëlla, kur lumi të rrjedhë i lirë mes dy brigjeve të tij, kur bari të jetë përsëri i gjelbër, kur zogjtë të zbresin mbi ujë, kur fëmijët të qeshin në breg,

unë do të ulem pranë teje.

Do ta zhys dorën në ujë si dikur.

Dhe ndoshta për një çast do të harrojmë vitet që ikën.

Do të jemi përsëri fëmijë.

Dhe lumi do të na njohë.

Do të na thotë:

“Erdhët më në fund…”

E ne do t’i themi:

“Po, lumë. Erdhëm. Nuk erdhëm vetëm të të shohim. Erdhëm të ta kthejmë lirinë.”

E kur Dielli të bjerë mbi ujë dhe lumi të marrë ngjyrën e arit, do të të them ty, vëlla:

Lëshoma hisen time të Diellit. Jo më shumë se ç’më takon. Vetëm një rreze mbi vendlindjen time, një rreze mbi lumin tim, një rreze mbi kujtimet tona.

Sepse ajo dritë nuk është vetëm e imja.

Është e jona.

Dhe nëse e ndajmë me njëri-tjetrin, nuk pakësohet.

Shtohet.

Vendi i Lekës,07.10.2026

DASHURIA Poezi nga Marina Cvetaeva (8.10.1982-31.08.1941) E shqipëroi Elida Buçpapaj

Zjarr? Uragan? Tërmet?
Le të shkojmë më ngadalë…
Dhimbje e njohur si për sytë pëllëmba
e dorës dhe për buzët
emri i fëmijës tënd…

Mendjelehtësi—mëkat i dashur Poezi nga Marina Cvetaeva (8.10.1982-31.08.1941) E shqipëroi Elida Buçpapaj

Mendjelehtësi—mëkat i dashur

shoku im i dashur i udhëtimit dhe armiku im i dashur!

Ti më spërkate të qeshura në sy

dhe venat me mazurka m’i spërkate.

 

Prej teje mos e ruaja unazën e martesës mësova

për këdo që Jeta do të më martonte!

Të filloja rastësisht nga fundi

dhe të mbaroja ende para fillimit.

 

Të isha si kërcell dhe si çeliku

në jetë ku kaq pak mund të bëjmë …

Të kuroja trishtimin me çokollatë

dhe të dukesha e qeshur në fytyrat e kalimtarëve!

Flijimi i Etëhem Haxhiademit nuk është vetëm i djeshëm – Ai vijon edhe sot nga vetë Akademia e Shkencave e Shqipërisë Nga Robert Martiko

TË PËRPIQESH TË FUTËSH NJË UNIVERS TË TËRË BRENDA NJË KOKRRE ARRE

Absurditeti i madh i një akademie, në mijëvjeçarin e tretë

Flijimi i Etëhem Haxhiademit nuk është vetëm i djeshëm. Ai vijon edhe sot nga vetë Akademia e Shkencave e Shqipërisë. Ndërsa studimet akademike shqiptare mbeten të përqendruara kryesisht te dokumenti, biografia, gjuha, historia dhe arkivi, Bota e Ideve mbetet e patrajtuar. Pikërisht ajo Botë që ka qenë një nga forcat e mëdha të zhvillimit të Mendimit perëndimor dhe të ndryshimit të fatit të miliona njerëzve.

Paradoksi i madh është se Haxhiademi punoi pikërisht në këtë terren dhe çuditërisht ja mohojnë. Njeriu përballë fatit, Lirisë, fajit, Përgjegjësisë, së Mirës dhe së Keqes, është një përmasë e tij që nuk pranohet t’i njihet në asnjë mënyrë. Nuk ekziston as dëshira akademike më e vogël për ta njohur.

Në vend që horizonti akademik të zgjerohet për ta përfshirë, bota e Haxhiademit mbahet peng.

Është e mundur të zvogëlohet Haxhiademi vetëm në biografi, dokument dhe histori letrare? Kjo është sikur të përpiqesh të futësh një univers të tërë brenda një kokërr arre.

Është Bota e Ideve ajo që hap rrugën drejt vetë së ardhmes së shoqërisë shqiptare. Mbajtja peng e Mendimit të Haxhiademit brenda kufijve të vjetër, sot në Mijëvjeçarin e Tretë, është një absurditet i vërtetë akademik, kufij që mendimi perëndimor i ka flakur tutje prej shekujsh.

POR ATËHERË LIND NJË PYETJE AKOMA MË E MADHE

Po sikur nesër Skënderbeu të studiohet jo vetëm për betejat, aleancat, dokumentet dhe kronikat, por si një univers idesh mbi Lirinë, Dinjitetin, Përgjegjësinë, pushtetin, zgjedhjen dhe Njeriun? Çfarë do të ndodhë? Do të vazhdojë edhe Skënderbeu gjigant të futet brenda së njëjtës kokërr arre?

Sepse problemi nuk është më Haxhiademi. Problemi është vetë horizonti i kufizuar i Mendimit akademik shqiptar.

 

MË DUKET SE DO TË SHKOJ TË JETOJ ME KAFSHËT Nga Walt WHITMAN Përkthyer nga VASILIKA IFANDI

Më duket se do të shkoj të jetoj me kafshët. Ndalem dhe i vështroj.
Nuk janë të respektuara apo të palumtura.
.
Nuk robtohen, nuk ankohen për gjendjen e tyre,
nuk rrinë zgjuar natën për të qarë për mëkatet e tyre,
nuk më nervozojnë duke folur për detyrimin ndaj Zotit.
.
Asnjëra nuk është e pakënaqur,
asnjëra nuk është çmendur nga mania e pronësisë,
asnjëra nuk gjunjëzohet para tjetrës
apo para llojit të vet që ka jetuar mijëra vjet më parë.
.
.
Walt WHITMAN
.
4 Tetor Dita Botërore e Kafshëve

Nga Homeri te Borhesi- Poemë nga PETRAQ RISTO

1.
Pa rrugë
pa shtëpi
në një sy
të Homerit
po rri.

2.
Nga shtëpia e Homerit te shtëpia e Borhesit
miliona shkopinj: degë nga pemët e dritës
me sythe sysh, klorofil.
Degë me mallin për bilbila.

Nga shtëpia e Homerit te shtëpia e Borhesit
i mblodha shkopinjtë e të verbërve (të vdekur e të gjallë)
Na mbillni, thërrisnin, na mbillni anës rrugëve.

Borhesi dhe Homeri
dy pika
të një vije të rrallë.

3.
Të vdekurit shkruajnë libra me alfabetin e barit,
vargje bari mbi Trojë dhe në sytë e Homerit,
kapituj të blertë në mençurinë e Borhesit,
ku njerëzit kthehen në hije prej dheu,
e ku brenda secilit vrapon një sozi.

Të vdekurit shkruajnë libra e ne përpiqemi të lexojmë,
të gatshëm për të vdekur që të na lexojnë të tjerët.

4.
Rërë e zhgënjyer nga floriri.
Hije e zhgënjyer nga drita.
Si vesa e qumështit,
pikuar nga gjiri,
pikon,
Aleksandria,
nga librat.

5.
Pse janë të shtrirë s’mund të quhen të mundur të vdekurit.

6.
Fishkëllej motivin e njohur nga të gjithë,
në çastet kur mbledhim supet.

7.
Në Shqipëri
bari është bërë
për t’u shkelur,
lulet për t’u këputur
dhe njerëzit
për t’u vrarë.
Zeroja paska vlerë,
te zeroja
kemi varret…

8.
Sytë e të verbërve
veç zero
nuk janë.

9.
Dhe i verbëri
i ka lotët
pasuri,
natyrisht dhe unë,
që hyj te njerëzit
me një sy.

10.
Nga shtëpia e Homerit te shtëpia e Borhesit,
i mblodha shkopinjtë e të verbërve (të vdekur e të gjallë).

Borhesi dhe Homeri: dy pika të një vije të rrallë.

Korrik, 1995 – dhjetor, 1998

ÇARÇIKUA- Tregim nga Përparim Hysi

             Sot jam nisur në dasëm dhe në krah kam Xha MYRTEN që është mjaltë e sheqer nga goja. I  moshuar (po  kur thotë dhe vet:-Jam moshatar me këtë dorakun ku  “fshtetem” una),por burrë shumë i mençëm që nuk i bie fjala për tokë.  Digjo, ti   “dhaskali i xhixhait”,në dasëm po shkojmë,po dhe nga një”gjyle do vërvitim”,se jemi  vetëm. Po shkoj në dasëm dhe veç dhëndërrit dhe nuses,e di ti”dhaskal” se kush gëzonet më shumë? Dhe pa pritur përgjigje nga unë, vazhdon: kalamanjtë.  ata do cicërojnë si harabelat në pyll. Ore,- m’u kthye prapë,- una nuk bëj muhabet pa bereqet,jo,or jo, por t’i vëmë kokë  muhabetit: kalamanjët gëzonen se do hanë bukë të ngrunjët sot.  Se u mbiu “ibreti” në barkut. u bënë kaps,për këtë trokëdheu që do na hajë një e nga një,nuk gavnjej una,se jam nga”mosha  e dorakut”una.  E di una,dhaskal, që  ti nuk e “njac” dot gjuhën si una, se ta presin me gërshërë, dhe una e kam ngrënë çahirin dhe pres “selametin”.  Ndaloi për një çast dhe tha:- Mos kujto se e lëshoj kaq gjatë  gjuhën me gjithë dynjanë, por ty të jam bërë teslim dhe ndaj po e zbraz shpyrtin.  E dëgjoja me prudencë  Xha MYRTEN që vetëm me kaq fjalë,pohonte një realitet aq të dhimbshëm që gjithkush e shihte, por nuk fliste dot.
Mbrritëm në dasëm. U ula ngjitur me Xha  MYRTEN dhe,sakaq, ia thanë sazet. Shiko,-më tha Xha MYRTJA,- qy që bën dasmën, ka shkuar dhe ka marrë saze, tujte nga Berati, se andej dhe vet ka marrë nusen nga ajo anë. Me demek e “ka vrarë” lopa. Epo ne, në fshatin tënë, e kemi patur,si të shkruar mbi gur:” Kaun që e vret lopa,e therim”. Ia dhashë të  qeshurit,me këto”gjyle” që vërvit xha MYRTJA.
                                                        *
– Qeshë mbrëmë për aheng dhe,kur ua thoshin këta, sazexhinjtë, sazeve,ranë përmbys me burra e me gra. Qe”thjatro” e shkuar “thjatros”, Sazeve vu,por kënga nga vet ata të gjallin të vdekurit. Hë më të lumtë,o çun  që m’i ke gjetur, se u kërnaqëm! Të kishe qenë mbrëma,  do hidheshe përpjetë. Seç kishin një defxhi, që e hidhte vallen përmbi sofër. Apo nuk bënte ojna si ato” xhigijat” që çfarë të them. Pas ahengut,këmbëve për në shtëpi, kur dëgjoj Kasëmin e Zeqos,t’i thotë të vëllait, Brahimit.
– Braçe, nesër nuk do i marrim gratë  në dasëm, se  a i pe,ata”xhindët e Beratit”, na luajtën gratë nga fiqiri. Tha Kasëmi, por ku do venë”qyqmanët” pa gratë. Në ardhësh me ty,se ajo”sterranikja” ime ka ikur në atë dynjanë tjetër.
Epo të rrojnë evlatët,o Xha MYRTE, e mbajta me gajret unë.
Filloi rakia me dolli dhe Xha MYRTJA, si më i vjetri ngriti një dolli dhe,pa i mbaruar shëndetet,tha:” Rrofsh,ju miqtë nga Berati se na kërnaqët shpyrtrat!  Merrjani njëherë  ashtu siç dini vet.
Ai ,me gërnetë, mori gotën e rakisë dhe pasi uroi të zotin e dasmës,vazhdoi me çiftin që martohesh dhe në fund,tha: ” Për  të kënaqur këtë  xhaxhan, do marrim një valle të kënduar!*
XHa MYRTJA,epo valle të kënduar nga burrat,këtej nga anët tona,sikur nuk ka. Muana nuk ma ha buza atë kulaç.
Kur tak brofi një çun nga ata të sazeve,doil në mes dasmorëve që qenë rreth e rrotull.Priti avazin nga sazet dhe, sakaq përkuli pak trupin dhe zgjati dorën, sikur priste dikë.
Xha MYRTJA, i paduruar, më  tha:- Po ky,birbollani, pse e njacë dorën,kot si koti, se, sipas avazit, zor se do t’i dalë”ortak”.  “Birbollani” ia tha me zë të lartë: ” Do këndoj një këngë vaji dhe,sakaq dorën e varur, e mbërtheu një grua. E mbërtheu dhe tek,e hidhte vallen,priti “birbollanin” që vazhdoi”të më qani me”oi”,kjo jo vetëm e hidhte vallen,po u bënte jehonë me,nota vaji,”oi,-oi “. U pataks mileti,- tha Xha  MYRTJA.Kjo që ia mban është ÇARÇIKUA,nusja e shtëpisë. Është nga ajo anë, ndaj doli në”mejdan”, E sheh atë plakën e moshuar? Është Hatixheja,e vjehrra e ÇARÇIKOS,që ka ulur kokën nga turpi, se vete,mu në  mes gjithë dasmorëve dhe kapë dorën e atij”birbollanit” që nuk e ka as fis dhe farë.  Valttari:- Këtë këngë të ma mbajë,kush ka hunmbur dashuri!! Oi-oi me sytë me lot ÇARÇIKUA.  Epo vallet kanë dhe atë”yrnekun” e tyre,- më tha XHa  MYRTJA. Pa të shohim e bëjmë sehir,kur të mbarojë vallja. Dhe vërtet: vallja mbaroi dhe ÇARÇIKUA, sakaq,u pushtua me botin.  Aha, mori si ters kjo punë! Dhaskal,pushtohen këtej nga ne,nëse gruaja kërcen me vëllan a një kushëri të afërt,por jo kështu nuk mban ujë  pilafi,- u nxeh xha MYRTJA. Dhe vërtet,siç ndodhi më vonë, nuk po mbante”ujë pilafi”! Pas nja dy këngëve të tjera, prapë “birbollani”. Tani këngë,po me dy zëra. Burri ia thoshte dhe gruaja ia mbante. Ia tha ky:-  U pupu ç’më bëre ,… po kush tjetër e dinte nga gratë veç ÇARÇIKOS? Sa ia tha “birbollani”:-Upupu ç’më bëre…  Ajo.”O moj kusurmadhe!” AI:”Perondat e rënda…Ajo:”Në zëmër m’i kalle”. –  Aha,- tha xha MYRTJA,- po luan qeni i kallajxhiut. Më duket si “qemane e Nastradinit” që nga prapa ma ka avazin. ia thoshin apo nuk ia thoshin. Kurdisur zërat si me porosi dhe dasmorët u shqyen së qeshurit. Gratë shkulnin faqet,tek shihnin Hatixhenë që krrusesh sikur kish bërë turp. I shoqi i ÇARÇIKOS as që e bënte qefin qeder,se në një dasëm qe  sevdallisur me të,kur kryente shërbimin ushtarak andej nga Poliçani i Beratit.  Epo,- më tha xha MYRTJA,- e di si i themi ne kësaj:”Ha-ha,bëjnë krushqit! Ha-ha dhe nusja!  Po nusja duhet të jetë me terbijet,po mbahet në hudut  ÇARÇIKUA.?
                                                                              *
Po dilnin në një valle dyshe,dy dasmorë.Ja,shikoi,-tha xha   MYRTJA,- të kënaqet shpyrti.Pas tyre,një çift grash:” Opo ja,opaja,tarinana dhe vazhdonin”.Ja, ky është lezet,- tha Xha MYRTJA, jo vjen nga “fshati i botës”,si ky”birbollani” dhe ty nuk të qasin në fshat,më kërkonte dhe “qiqra”, Tek prisnim të vinte nusja, ai, i gërnetës, e mori  fjalën prapë. Tha:- Ju falnderojmë dhe,ndërsa presim të vijë nusja,ky çuni ynë dhe ajo nusja juaj,që është nga ana jonë dhe i njeh këngët e vallet tona, do marrin një”valle të kënduar”, Njerëzit duartrokitën, se edhe valltar i zoti,por dhe “shakator”.  Bukurinë ia jepte dhe ÇARÇIKUA që nuk e hante thatë,qoftë nga vallja dhe qoftë për”ojna”.
Doli”birbollani”, u përkul dhe zgjati dorën.
– Kush troket në portët-o?
Ajo:- Një fiçorr i vogël-o
-Pa e pyesni,se çfarë do?
– Kërkon dorën e zonjës-o.
-Sa bën dora e zonjës-o?
– Gjysma e napolonit-o…
Dhe prapë u pushtuan.
Prapë duartrokitje dhe,sakaq,mbriti nusja. Tani hareja arriti kulmin. Valle e këngë dhe,më së fundi, secili u kthye në shtëpinë e vet.
                                                         *
Të neërmen qe ditë e hënë dhe mu tek gardhi i shkollës,mbledhur brigada për të shkuar në punë dhe njëra nga gratëë e plasi “bombën”.
–  Moj gra a e dini seç ka ndodhur? ÇARÇIKUA,nuse e Hatixhes, ka ikur fshehur me atë botin!!!  Me demek, në valle,i ka dhënë isharet ai boti. Pupu!- bën të tjerat. E dëgjova dhe unë dhe thashë;- Ku je o XHA MYRTE,se “qemania e Nastradinit” e mori avazin që prisje.* ka ndodhur aty mesviteve ’80-të shekullit që iku.
** I jam përmbajtur  të folurës dialektike të XHa mYRTES.
*** ibret-është fjala për misrin ibrid me të cilën ushqeheshih në fshat,sado që prodhonin grurë më  shumë se sa misër.

                                                     Tiranë,4 tetor 2026

Përkthyesi – Tregim nga Flamur Topi

Përkthyesit e mençur shpesh ua zbardhin faqen të zotëve të tyre injorantë.  Jean Giono

Koloneli gjerman, një burrë rreth të pesëdhjetave, i gjatë e i hollë, me një palë syze të argjendta, të fiksuara mirë në fytyrë, i ngrysur, serioz e autoritar, vështroi një copë herë pengjet, tridhjetë a dyzet fshatarë që, më shumë se të frikësuar, dukeshin të mpirë e të hutuar, të pasigurt për situatën e re në të cilën u ndodhën krejt papritur.

Atë ditë të zakonshme vjeshte secili kishte qenë në punë të vet – në arë, në shtëpi a në të vetmen kafene të fshatit – kur ushtarët gjermanë, mes thirrjesh, kërcënimesh dhe ulërimash të thekshme i patën zënë, i patën grumbulluar e i patën shpënë në sheshin e vogël përpara xhamisë.

Gjithnjë pa e shkëputur vështrimin hetues prej pengjeve, ku s’qe e vështirë të vihej re përçmimi, koloneli u kthye lehtësisht për nga përkthyesi dhe nisi të shpjegohej. Nga ana e vet, përkthyesi, një djalë njëzetetrevjeçar nga qyteti fqinj me fshatin, po e ndiqte me përqendrim të madh, që të mos i shpëtonte as edhe një fjalë e vetme. Ai i qe mirënjohës kolonelit.

Pas një aksioni të guximshëm të njësitit gueril në qendër të qytetit, ku kishte mbetur i vrarë një ushtar gjerman dhe ishin plagosur dy të tjerë, lagjja u rrethua brenda çerekorëshit të parë dhe në rrjetën e ngritur ranë dhjetëra qytetarë, thuajse të gjithë të rinj e të pafajshëm. Në çastin e fundit, para se të ekzekutoheshin, djaloshi iu drejtua në gjermanisht, duke i thënë se e njihte mirë gjuhën – gjë që natyrisht koloneli e kuptoi që në fjalët e para – dhe se mund të ndihmonte në komunikimin me popullsinë. Meqenëse në çdo kohë e në çdo luftë përkthyesit janë më se të çmuar, koloneli e kurseu atë.

Oficeri ndaloi një çast, duke i lënë të kuptohej djaloshit të niste nga përkthimi.

– Koloneli sapo tha se ata po e lënë Shqipërinë. Po shkojnë drejt veriut dhe janë thjesht kalimtarë në këtë vend, – iu drejtua përkthyesi pengjeve, të cilat, të pushtuara nga ankthi, s’ia ndanin sytë. – Në rrethana të tilla, – vazhdoi djali, – bllokimi nga ana e fshatit i së vetmes rrugë kalimi për trupat gjermane është një akt armiqësor dhe i dënueshëm. Nga ana tjetër, ai pranon se pozicioni i Grykës së Malit të Robit është strategjik dhe se do të duhej shumë gjak gjerman për ta shtënë në dorë dhe po aq, ndoshta më shumë, gjak shqiptar për ta mbrojtur. Koloneli, megjithatë, beson të zgjidhet me mirëkuptim, urtësi e paqe. Sa për ju, jeni pengje lufte, kështu thotë dhe nëse rruga nuk hapet brenda dymbëdhjetë orësh, të gjithë do të vriteni, pa përjashtim. Në fund, tha se do të zgjedhë vetë njërin prej jush që këto që dëgjuat e morët vesh, bashkë me lutjet tuaja, t’ia shpjerë pleqësisë së katundit tuaj.

Me sa dukej, kjo qe fraza e fundit që duhej përkthyer dhe djali i ri vështroi përsëri nga koloneli. Kësaj radhe ai tha diçka të shkurtër, pa u kthyer nga djali dhe gjithnjë pa ua ndarë vështrimin autoritar e të rreptë pengjeve.

Teksa fliste, përkthyesit i kishte rënë në sy një burrë rreth të dyzetepestave, i shkurtër e thatim, fytyrërreshkur nga dielli dhe me mollëza të dala, ndoshta për shkak të futjes përbrenda të faqeve nga kequshqyerja, në dukje një tip zevzeku, që s’e zë vendi vend, nga ata që, në sebepe familjare a më gjerë, në të mira e të liga, s’lënë rast për t’u dukur e për të rënë në sy.

Ja, pra, këtij tipi s’po i durohej të merrte fjalën e, gati-gati, ia kishte prerë përkthimin në mes më se një herë. Me të mbaruar përkthyesi, pa pritur as edhe një pauzë të vogël, burri u hodh dhe nisi të flasë me tone aspak më të ulëta se gjermani, a thua se ky i fundit qe peng e jo ai vetë.

– Na ti, more djalosh, që na e kuptuake gjuhën e tyre. Pa m’i thuaj këtij gjermanit se nuk pranojmë të na trembë e të na kërcënojë këtu, në vend tonë, në vatrën tonë. Kujtoja edhe një herë në ç’hall të madh është. S’e kalon dot Grykën e Robit pa lënë kokën gjysma e ushtrisë.

Krejt papritur, përkthyesi e ndjeu veten të zënë ngushtë. U kuptua që po nguronte t’ia përkthente gjermanit, fjalë për fjalë, shprehjen e burrit.

– Ç’u stepe kështu? Me gjermanin s’mendohesh fare! Hazërxhevap je! – ngulmoi serbes burri.

Përkthyesi nënqeshi paksa me zor.

– Më falni, zotëri! A e di me kë po flet? E di se këta nuk ta zgjasin shumë dhe po merr në qafë edhe dyzet burra të tjerë?

Po atë çast, zëra të ndryshëm, aty-këtu, në mes të turmës, i dhanë të drejtë hapur përkthyesit.

– O Lame, po lëri të shkretën kërcënimet se nuk venë te këta. Do të na marrësh në qafë. Kemi gra e kalamaj. Do të na vrasin të gjithëve, – u hodh e foli gati me të lutur një fshatar, në një moshë me kokoroshin.

– Çfarë thonë? – iu drejtua koloneli përkthyesit.

Si t’i qe tharë pështyma, djaloshi mezi u përcoll. Bëri çmos të mblidhte veten e të mos linte as më të voglin dyshim tek i huaji.

– Thonë se, hëpërhë, nuk janë të gjithë në një mendje, por do të bëjnë të pamundurën të merren vesh, t’i japin një zgjidhje.

– A ia përktheve, fjalë për fjalë, tamam ashtu siç të thashë? – mori zemër Lamja nga mungesa e reagimit të pritshëm të të huajit.

– Po, po, ia përktheva, – belbëzoi përkthyesi, paksa i turbullt, i pasigurt për rrjedhën që mund të merrnin ngjarjet për shkak të përkthimit jokorrekt, sajuar aty për aty.

– Shto edhe këto dy fjalë. I thuaj se fshati s’është pa krah. Sot a nesër, mbërrijnë partizanët, se u kemi shpënë haber. Ky, në vend të na trembë e të na kërcënojë, bën më mirë të dorëzohet. Se, për të kaluar, s’kalon dot, si një e një që bëjnë dy.

Përkthyesi e ndjeu veten të zënë edhe më ngushtë. Djalë inteligjent e i shkolluar, e dinte mirë se po t’ia përkthente kolonelit, fjalë për fjalë, kërcënimet dhe paralajmërimet e burrit, këtë e priste vdekja e sigurt.

– Hë de, o spiun i gjermanëve, hape gojën! Thuaja! Apo s’të vjen për mbarë edhe emrin t’ua përmendësh partizanëve?

– Çfarë po thotë ky burrë për partizanët? – pyeti koloneli, pa ia ndarë vështrimin e rreptë dhe nervoz.

Përkthyesi mezi u përcoll. Ankthi mend po e mbyste.

– Thotë se fshati është neutral. Nuk është zonë influence as e ballistëve dhe as e partizanëve.

Burri zevzek u mat të fliste përsëri, edhe pse numri i atyre që s’qenë në një mendje me të dhe që e kundërshtonin qe rritur.

– Dale! Dale! Prit! – ia preu shkurt dhe me zemëratë përkthyesi. – Më dëgjo. Nuk ke të drejtë të rrezikosh jetën e të tjerëve. Mund të kesh bindjet dhe mendimet e tua, por këtu janë edhe dyzet të tjerë, baballarë e djem nënash.

– Ka shumë urrejtje dhe ligësi në sytë e këtij njeriu, tepër mllef. Ç’po thotë? – pyeti koloneli duke e humbur qetësinë e durimin, mezi të përmbajtur deri atëherë.

– Thotë se për një kohë të gjatë fshati s’u është bindur verbërisht të tjerëve. As ballistëve dhe as partizanëve. Të dyja palët kanë bërë krime në këto anë dhe urrehen njëlloj prej vendasve. Brenda pak orëve fshati do të vendosë, sepse vetë e kishte ndarë mendjen për bllokimin e saj, pa pyetur kënd tjetër. Këtë ata e quajnë një akt patriotik, një detyrë ndaj atdheut të tyre.

– A është i ndërgjegjshëm fshati për të gjitha pasojat e rënda në rast refuzimi? Pengjet do të vriten, shtëpitë do të digjen, gjithçka do të rrënohet.

Përkthyesi i ri ua tha në shqip pengjeve që dëgjonin veshngrehur dhe… befas, ndodhi ajo që s’mund të besohet.

I bindur se djaloshi ia pati përkthyer kolonelit çdo shprehje të tijën, duke besuar se e kishte vënë nën këmbë të huajin, duke e marrë si shenjë dobësie mungesën e reagimit të pritshëm të kolonelit, me gjithë fjalët e rënda që i kishte thënë, kokoroshi mori zemër dhe u trimërua. Me një gjest teatral, të kuptueshëm gati në çdo vend dhe nga çdo popull i botës, burri u përkul, i ktheu prapanicën kolonelit dhe rrahu të ndenjurat e veta disa herë me pëllëmbë.

– Na ha munë, o gjerman! S’e kalon dot ti Grykën e Robit, jo, s’e kalon. Këtu do të ngordhësh edhe ti. Si qeni do të ngordhësh. Hitler kaput! Kaput Hitler!

Përkthyesi shtangu. Ngriu në vend, si i murosur. Koloneli u kthye me vërtik nga djali. Sytë i flakërinin, thua se nga çasti në çast prej tyre do të shpërthenin shatërvanë lëmshesh të zjarrta, do ta mbulonin nga koka te këmbët, do ta shkrinin e do ta tresnin, duke e bërë pjesë të llavës përshkënditëse, vrasëse. Iu qas mu në fytyrë, aq sa përkthyesi ndjeu erën e vodkës që koloneli sapo kishte pirë dhe iu kërcënua egërsisht, ndërsa i tundte gishtin tregues shumë herë përpara syve. Në fund, me dorën drejtuar nga pengjet, e urdhëroi rreptë të shkonte atje, midis tyre.

Djersët e kapluan të tërin dhe këmbët gati e lëshuan. “Ky është fundi”, – mendoi përkthyesi krejt i prerë.

Koloneli kishte nisur të fliste dhe djalit iu desh të përmblidhej me vështirësi, për ta përkthyer. Iu bë se i huaji po ligjëronte tani në një tjetër gjuhë. Një gjuhë e lashtë hieroglifesh dhe simbolesh të padeshifrueshme.

– …askush në botë nuk mund të fyejë e të çnderojë kombin gjerman. Fyhrerin tonë të madh e të lavdishëm. Por ju guxuat ta bënit dhe këtë do ta paguani rëndë, shumë rëndë.

* * *

Skuadra e pushkatarëve gjermanë u rreshtua e heshtur përballë turmës, në një largësi 8-10 metra prej saj. Pas shpinës së djalit, zëra të mekur fshatarësh të pashpresë, ku ndihej qartë ankthi, frika dhe tmerri i vdekjes së afërt, mallkonin në kor burrin me emrin Lame.

– Na more në qafë të gjithëve, o burrë. Dhe të paralajmërova. S’bëhet shaka me këta, – iu drejtua përkthyesi, dyllë i verdhë, njeriut fjalaman që tani i qe qepur goja, qe zbehur si meit, qe tkurrur e qe bërë i vockël, si një fëmijë.

Nuk mundi të mësojë kurrë përgjigjen – le që, atij vetë pak ose aspak i kishte interesuar – sepse, porsa burri u mat të hapte gojë e, natyrisht, të justifikohej, e ndërpreu dhunshëm ndërhyrja e egër e kolonelit për të mos folur. Të paktën ai.

– Djalosh, – iu drejtua oficeri i lartë, me tone më të buta e më të kujdesshme, përkthyesit, – nuk dua të më mbetet enigmë e mundimshme, ndaj më thuaj, përse shpërdorove besimin që të dhashë, jetën që të fala?

– Ju doni të dini psenë? – nënqeshi paksa me zor e trishtim të thellë përkthyesi, duke bërë përpjekjet e fundit për t’u mbrojtur. Mbase kështu, si herën e parë, ia hidhte paq së keqes, që këtë herë po i kërcënohej seriozisht. – Ja përse, zoti kolonel. Ju, pikërisht këtu, mijëra kilometra larg nga vendi dhe Fyhreri juaj, u qëndroni besnik, nuk i tradhtoni, ua mbroni me çdo çmim emrin e nderin. Përse, atëherë, kërkoni nga unë të mos e bëj këtë gjë, në mënyrën më të natyrshme, këtu, në zemër të vendit tim, në mes të njerëzve të mi? Një ditë, zoti kolonel, lufta do të mbarojë dhe secili do të përgjigjet përpara Zotit, atdheut dhe ndërgjegjes së vet. – Djali kujtoi si nëpër mjegull citatin e një udhëheqësi perëndimor të luftës, që e kishte lexuar pak ditë më parë.

I përhumbur, i sugjestionuar nga fjalët plumb të rënda “Zot, atdhe, ndërgjegje”, koloneli shtoi nga vetja edhe emrin Fyhrer, oficeri i lartë vështroi përkthyesin një copë herë në sy, i shpërqendruar. Pas një çasti të shkurtër u përmend, si i zgjuar prej një ëndrre.

– Një përgjigje e mençur, e denjë për të të falur jetën, por këtë herë, për fatin tënd të keq, nuk kam për ta bërë. S’kam për ta bërë, sepse unë fal vetëm një herë.

Koloneli bëri një kthesë të beftë, të menjëhershme, të shkathët për moshën, tipike për një ushtarak të vjetër të karrierës, thuajse të pakuptimtë e gati qesharake për një njeri të jetës civile dhe gjallërisht, me hap të rëndë e të sigurt, iu afrua i vendosur skuadrës së pushkatimit. Ai dha prerazi urdhrat dhe porositë e fundit, kuptimin e të cilave, në mesin e turmës naive e të paditur, vetëm ai, përkthyesi, mund ta mësonte i pari.

Djali i hodhi një vështrim të pikëlluar turmës. Do të kishte dashur të ishte njëri prej tyre. “Do të vuajnë më pak”, – mendoi i trishtuar. – “S’kanë për të marrë vesh asgjë. S’do të kenë kohë për këtë. Gjithçka do të ndodhë në vetëm pak sekonda. Oh!”

Përkthyesi mbylli sytë e përmbytur nga lotët dhe mbajti frymën. Ndjeu në kraharor rrahjet e shqetësuara, të forta e të shpejta të zemrës. Gjithnjë symbyllur, dalloi qartë zërin e kolonelit, i dridhshëm dhe i pasigurt, si asnjëherë tjetër. Ai e njihte mirë atë zë.

– Skuadra! Merrini në shënjestër! Gati për zjarr! Një, dy, tre! Zjarr! Heil Hitler! Heil Deutchland! Heil…

Nëntor 2006

SFIDAT JETËSORE TË NË GRUAJE…- Vështrim libri nga TAHIR BEZHANI

 

 

Rrahim Sadiku:  “Fatliga Motër,” roman, Lena graphic, 2026 Prishtinë.

 

Krijuesi Rrahim Sadiku nga Komorani i Kosovës, këto ditë nxori nga botimi romanin më të ri, ”Fatliga Motër,” një shkrim i gjatë kushtuar motrës pas vdekjes. Autori, tani i njohur me krijimtarinë e tij si në prozë ashtu edhe në poezi, në këtë vepër romanore, trajton dhimbshëm jetën sfiduese të motrës Hajri.

Tematikë trajtuese në shkrimit e këtij krijuesi gjithnjë janë preokupimet e jetës së njeriut tonë në rrethana ekzistuese të kohës së mëhershme,  të tanishmes, ku gërshetohen përplasjet e jetësore të përcjellura me  elementin elegjiak dhe plot dhimbje. Kjo qasje ia shton vlerën pendës së autorit nga se problematikës jetësore i çastet me një seriozitet të thellë  ndjeshmërie  shpirtërore. Temat përkushtuese familjare nuk janë gjë e re në letërsinë tonë, por mënyra e reflektimit te penda e Rrahim Sadikut, këtë radhë, është disi ndryshme nga shumë trajtesa të tjera që kemi lexuar te krijues tjerë. Fati i nëpërkëmbur i motrës Hajri, ndikuar nga shumë rrethana jete, nuk është vetëm fat i një motre, por fatkeqësi e shumë motrave e nënave tona në këto hapësira shqiptare.

Figura qendrore e romanit “Fatliga Motër” është jeta e motrës Hajrije, të cilën jeta e përplasë pamëshirshmen që nga fëmijëria deri në vdekje. E parahatuar, shoqëruar gjithnjë me skamjen, e përbuzur pa asnjë arsye në shtëpinë burrit, mbetur e rritur jetime, ashtu, dhimbshëm, iki në boten e amshuar për t’u bërë yll i pashuar në shpirtin dhe zemrën e vëllait, Rrahimit, i vetmi që bënte “kujdestarinë” e duhur me dashuri motre, për mbijetesën në rrethana të tilla jete.

Që nga faqet e para të këtij romani, autori Rrahim Sadiku e fillon  me atë interpretimin mitologjike të ndjellakeqes, kur dëgjohet në kulmin e shtëpisë, në një kasolle të strehuar familjarisht, krrokama e shpendkeqes e cila ndjellë fate të këqija e morte në familje.  Një ndjenjë e tillë, si paraprijëse e jetës fatkeqe, e përcjellin tërë jetën motrën  Hajrije, e cila përjetoi vdekjen e nënës në moshë të re, martesën e hershme, shpërnguljet nga një fshat në tjetrin gjithnjë me skamje e përplasje të nduardurta të kohës. Peshës së durimit i shtohet edhe fati i keq që në martesë nuk pati fatin të bëhet nënë fëmijësh si nënat tjera dhe “detyrimisht” iu deshtë të kaloi jetën me ortake, gjë që u detyrua të përjetoi shumë katrahura jetësore. Këtij fati të hidhur, autori i librit “Fatliga Motër,” z. Rrahim Sadiku, qëllimisht trajton një kohë martesash me ndërmjetësues,(mësit), ku kategori njerëzish “tregtonin” me qenie njerëzore të kohës së ikur. Autori Sadiku mirë e ka trajtuar këtë fenomen si trashëgimi primitive, jo vetëm si rast i motrës, por shprehi e veprimit në masë të gjerë.

Protagonistët e kësaj vepre romanore janë familjarë, prindër, burrë e grua, kunatë dhe ortake. Roli i secilit protagonist në vepër, me veprimet e tija, tregon gjithë thellësinë e vuajtjeve të Hajrisë ,(pos vëllait),i cili bie copë e grimë për t’i dalë në ndihmë motrës  së nëpërkëmbur në shtëpinë e burrit. Bashkëshorti i Hajrijes, Mehdiu, një mendjelehtë, dëgjon kunatën në vend të bashkëshortes për të krijuar martesë tjetër për interesin që të kenë fëmijë.

Ndarja e fundit e autorit me motrën është shumë prekës dhe emocional, i cili në vizitë për sëmundjen e saj, në një lagje të Vushtrrisë, në përshëndetje e sipër motra Hajrie i thotë: “ Për varrim ,po, do të vini ,por mua më s’do më kini”….Një ndarje e prekshme që ther në mënyrë doruntiane…

Të gjitha këto veprime, edhe shumë të tjera si zingjirë të jetës familjare, rëndojnë psikologjinë njerëzore, stopojnë gjetjet e reja për emancipim dhe vendnumërojnë gjeneratat në përparim.

 

Kam përshtypjen se autori i librit, z. Rrahim Sadiku, ka dashtë, dëshirua që ta martirizoi motrën Hajrie në literaturë letrare, si një dhimbje, sfidë  e  shembull i kohës së kaluar, e cila nuk guxon të përsëritet kurrë më në meset tona. Pra, një dedikim i qëlluar. Mendoj se autori ia ka arrite qëllimit duke u zhytur thellësive të traditës primitive me dhimbje, duke krahasuar  dhembjen e sotme të “moderuar,” me që ka raste që motër e vëlla nuk sakrifikojnë n ‘atë masë si autori i kësaj vepre. Këtu bie dukshëm në syrin e lexuesit  krahasimi i dashurisë motër-vëlla mes dy periudhash jo gjithaq të largëta, pa trajtuar qështje tjera të marrëdhënieve të familjeve të sotme….

 

 

Redaktori i romanit ”Fatliga Motër,” z. Zymer Mehani, ka nxjerr konkludime të përgjegjshme nga libri dhe e ka vlerësuar në mënyrë profesionale nga disa aspekte gjuhësore e letrare, gjë që e përgëzoj për punën e përgjegjshme redaktorialë.

Sa i përket veprës së trajtuar si roman,(me 73 faqe),ndaj mendimin se ky shkrim prozaik i gjatë, më shumë i ngjan një monografie familjare se sa një trajtese romanore. Megjithatë, respektohet dëshira dhe qëndrimi i autorit të librit  me redaktorin.

Sidoqoftë, romani “Fatliga Motër” e autori Rrahim Sadiku, është një e  arrirë e re në letërsinë tonë, një libër që krijon emocione fund e krye dhe len porosi me ide dashamirëse për kohën tonë.

 

Gjakovë,

  1. tetor,2026

Send this to a friend