Këtë temë e sjell kohët e fundit, në një rrafsh të plotë e të gjerë Zeno Zoccatelli, gazetar italishtfolës i swissinfo.ch. Një ndër tematikat për të cilat Zoccatelli interesohet është edhe politika shëndetësore në federatë dhe në kantonet e ndryshme, veçanërisht aspekti i tyre financiar.
Kolegu zviceran është mbështetur gjerësisht në burime të tilla si Wikipedia, arkivi i Institutit të Historisë së Mjekësisë pranë Universitetit të Bernës, gazetat Tages Anzeiger, Le Temps, arkiva të agjencive të lajmeve, tekste të historianëve, gjeografëve e tjerë.
SËMUNDJA E ALPEVE
Sëmundja e Alpeve, e quajtur ndryshe kretinizmi alpin (crétinisme des Alpes ) u bë qendër e vëmendjes në mesin e Shekulit XIX, siç thekson autori, pikërisht kur Zvicra zgjoi më shumë sa kurrë më parë interesin e vizitorëve, historianë, gjeografë, turistë të kamur e tjerë. Ndonëse ishte e përhapur në vende të tjera alpine si dhe në vend të tjera malore e jomalore, kjo sëmundje u identifikua pikërisht me Zvicrën dhe zviceranët, saqë në fjalorin enciklopedik të Diderot dhe D’Alembert (1756), ku shkruhej se “ky emër (kretin, shënimi ynë) i është dhënë një lloji burrash të lindur në numër të madh në Valais, veçanërisht në Sion, kryeqytetin e tyre.” Aty thuhet se “është e vështirë të shpjegohet shkaku dhe pasoja e kretinizmit”, por iu vihet faji higjienës së dobët, klimës malore, ujërave e tjerë. Në zërin përkatës enciklopedik ata sjellin një kujtim të Kontit de Maguiron, nga Lioni i Francës, sipas të cilit e vetmja gjë e pazakontë e vërejtshme nga jashtë ishte lëkura e tyre e verdhë shumë e zbehtë.
Ne zërin enciklopedik të “Fjalorit Historik Zviceran”, përgatitur nga mjekja nukleare Claudine Als më 2000 dhe përmirësuar më 2008 e 2026, kjo sëmundje përshkruhet si një mangësi e pakthyeshme në zhvillimin e trurit të njeriut, e shoqëruar me shurdhëri, xhuxhizëm dhe keqformime të kockave dhe nyjeve. Sëmundja zakonisht zhvillohet në fetus ose në periudhën menjëherë pas lindjes për shkak të një mungese të rëndë të jodit në dietë, e cila nga ana tjetër çon në dështim të tiroides (kretinizëm endemik); vetëm në raste të rralla ka një origjinë gjenetike (kretinizëm familjar). Sipas autores, kretinizmi ka të ngjarë të ketë qenë endemik që nga Epoka e Gurit në të gjitha kontinentet, ku gusha (struma) për shkak të mungesës së jodit ishte e përhapur.
Përshkrimi më i vjetër i Sëmundjes së Alpeve, shënohet në zërin më lart, daton që nga viti 1220 (Jacques de Vitry). Më pas, fenomeni dhe përsëritja e tij në rajonet alpine u dokumentuan në mënyrë të përsëritur nga udhëtarët që kalonin Alpet në rrugën e tyre për në Itali, si dhe nga studiues të tillë si Felix Platter (1536–1614), Albrecht von Haller (1708–1777), Horace Bénédict de Saussure (1740–1799) dhe Heinrich Zschokke (1771–1848). Diagnoza mjekësore përkatëse u formulua vetëm në shekullin e 18-të në Valais. Meqenëse një gushë (strumë) e theksuar konsiderohej një shenjë e inteligjencës së ulët, “kretini i Alpeve” u bë një klishe e vërtetë në artet pamore. Në përfaqësime të shumta të Udhëtimeve të Kryqit, për shembull, një gushë (strumë ) e theksuar dhe tiparet tipike të ashpra të kretinoidit dallojnë torturuesit me prejardhje të ulët shoqërore dhe kurrë pasuesit fisnikë të Krishtit.
Më 1810, Napolon Bonaparti, urdhëroi të bëhet regjistrimi i të sëmurëve të tillë në gjithë kantonin Valais (Valé). Nga 70 000 banorë të kantonit, 4 000 vuanin nga kretinizmi, term me prejardhje nga fjala latine “christianus”, pra “cristian”, i mirëdashur prej Zotit. Ndërsa në një regjistrim tjetër, po në Valais, më 1843, nga Shoqëria Zvicerane e Shkencave Natyrore numëroheshin 3 000 të sëmurë.
SFIDË ZVICERANE
Shkencëtarët zviceranë kryen eksperimente pioniere në trajtimin dhe parandalimin e kretinizmit. Në shekullin e 19-të, klinika e kretinizmit Abendberg mbi Interlaken, e themeluar në 1841 nga mjeku Johann Jakob Guggenbühl dhe që sot konsiderohet si pararendëse e institucioneve të mëvonshme neuropsikiatrike (institucioneve sociale), prezantoi një metodë terapeutike idealiste me frymëzim romantik. Kirurgjia e strumës dhe kërkimet shkencore të lidhura me të mbi kretinizmin, të zhvilluara nga çereku i fundit i shekullit të 19-të, i dhanë Theodor Kocher Çmimin Nobel në Mjekësi në 1909, hera e parë që një kirurg e merrte atë.

Mjeku Johann Jakob Guggenbühl me pacientët e tij dhe, në të djathtë, dhjakonja Ernestine Jaquet, asistentja e tij në klinikën Abendberg; litografi sipas një fotografie të Carl Durheim, nga vepra Die Heilung und Verhütung des Cretinismus und ihre neuesten Fortschritte, botuar në Bernë më 1853 (Biblioteka Kombëtare Zvicerane).
Të prekurit nga sëmundja alpine vuanin nga nanizmi (shtatshkurtësia), shurdhmemecëria, zhvilimi mendor i mbetur në fazën e hershme fëminore. Këta u bënë objekt kureshtjeje nga turistët e ardhur nga mbarë bota, por edhe objet i studimeve mjekësore. Por fajin për këtë sëmundje nuk e kishin asnjëri prej faktorëve të fajësuar për praninë e tyre. Fajin e kishte një faktor që mungonte. Dhe ky faktor ishte jodi.
Jodi, siç theksohet në shkrimin e kolegut zviceran, është një element i pazëvendësueshëm për tiroide të shëndetshme- ato ndodhen në qafë dhe janë përgjegjëse për metabolizmin, rritjen dhe zhvillimin e njeriut. Mungesa e jodit sjell zmadhimin e gjendres tiroide, duke shkaktuar hipertiroidizmin dhe gushën. Kjo mungesë gjatë shtatzanive mund të shkaktojë kretinizmin e lindur.
Mjeku Heinrich Hünziker, mjek nga Adliswil, në kantonin e Zyrihut, në një studim 24 faqesh të vitit 1914, vinte gishtin pikërisht te mungesa e jodit. Pothuaj një shekull më parë, mjekë të tjerë, ndër të cilët gjenevasi Jean-François Coindet e kishte nuhatur këtë aspekt. Por Hünziker, për herë të parë, arrinte në mendimin se jodi nuk ishte një medikament për t’ua dhënë në doza të mëdha të sëmurëve, por një përbërës themelor i ushqyerjes së përditshme, i cili duhej dhënë në doza fare të vogla.
Tages-Anzeiger në atë kohë e përkufizonte “vizionar” mjekun Hunziker, por “shkencëtar” mjekun valezan Otto Bayard. I frymëzuar nga kolegu, më 1918, kryemëvete, arriti në fshatin Grächen (Grehen) me një mushkë të ngarkuar me thasë kripe, të cilën ai vetëm e kishte përzier me sasi të vogla joduri të sodës. E futi në ushqimin e pesë familjeve të goditura rëndë nga “Sëmundja e Alpeve”, pesë muaj rresht. Në pranverë të gjitha shenjat e gushës ishin zhdukur dhe jodi nuk kishte shkaktuar asnjë helmim. Rezultati trimërues i garantoi Bayardit financime federale për ta shtrirë eksperimentin në fshatin Törbel (Tërbël). Suksesi ishte i jashtëzakonshëm. Brenda pak kohësh u shëruan plotësisht 1 000 të sëmurë të prekur rëndë.
Në janar 1922 komisioni Zviceran i Gushës, i përbërë nga akademikë, kuadro ushtarakë dhe autoritete shëndetësore, u mblodh në Bernë, për të debatuar rreth rezultateve të arritura nga Hunziker e Bayard. Në qershor, pas debateve të ndezura midis atyre që mbronin tezën e futjes së jodit në kripën e gjellës dhe atyre që druanin se kjo do të shkaktonte helmimin masiv, Komisioni iu dha rekomandim zyrtar të gjitha kantoneve të promovonin përdorimin e kripës së jodizuar në gjellë e tyre të përditshme.
Akti pionier i Hünzikerit dhe Bayardit nuk do të gjente sukses të plotë dhe përfundimtar pa rolin vendimtar të kolegut të tyre Hans Eggenberger, i mbiquajtur gjeniu i promovimit. Kirugu nga Herisau i Apencelit të Jashtëm, anëtar i Komisionit të lartpërmendur, i bindur plotësisht në dobinë shpërtimtare të eksperimente të dy kolegëve, ndërmori një fushatë të gjerë bindëse në terren. Ai nguliti tek të gjithë bindjen se kripa e jodizuar do të ishte “Volsaltz”, thjesht kripë e mirëfilltë. Nëpërmjet rrjetit kantonal të Kryqit të Kuq, të cilin e kishte bashkëthemeluar, deri më 12 shkurt arriti të mbledhë 3480 firma dhe prodhimi e shitja e kripës së jodizuar filloi gjerësisht në kanton, disa muaj para se të kjo të përhapej në të gjitha kantonet.
Në fund të viteve Njëzet, parandalimi i sëmundjes alpine ishte shtrirë në të gjithë vendin. Rastet e të lindurve shurdhë dhe shfaqja e gushës u zvogëluan pa masë. Duke filluar nga vitet Tridhjetë, nuk lindën më të sëmurë alpinë në Zvicër.
Komisioni Zviceran i Gushës, sot i njohur si Komisioni Zviceran i Fluorit dhe Jodit, vazhdon të mbikqyrë dhe të prandalojë kthimin e sëmundjeve nga mungesa e jodit.
NJË FITORE GLOBALE E SHËNDETËSISË
Profilaksia me kripë të jodizuar, e futur në 1922 në kantonin e Appenzell Ausserrhoden (Apencel i Jashtëm ) dhe më vonë në të gjithë Zvicrën, falë mjekëve përfshirë Hans Eggenberger, Otto Bayard, Heinrich Hunziker dhe Fritz de Quervain, u bë një praktikë shembullore globalisht. Që atëherë, në Zvicër nuk lindën më foshnje me kretinizëm. Personi i fundit që vuante nga sëmundja vdiq në vitet 1970 dhe 1980. Duke ndjekur shembullin zviceran, edhe vendet e tjera të industrializuara arritën ta zhdukin sëmundjen, e cila, megjithatë, mbetet e përhapur në Botën e Tretë.
Rasti zviceran krijoi shkollë. Shtetet e Bashkuara të Amerikës e ndoqën shembullin e Zvicrës më 1924, ndjekur më vonë përgjatë dekadave shumë vende të Botës; në disa prej tyre është bërë ligj, ndërsa në Zvicër përdorimi i kripës së jodizuar mbetet vullnetar.
Në një shkrim të saj gjithashtu të kohëve të fundit, Patrizia Rennis, e interesuar për temat gastronomike dhe të mënyrës së ushqyerjes, shkruan se jodizimi i kripës bën pjesë në programin shëndetësor të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH). Në shkrimin e saj “Pse në kripën tonë ka jod dhe fluor?” ajo shkruan se nga viti 1950, përveç jodit, kripës iu shtua edhe fluori. Kjo është një masë parandaluese për dhëmbët, sepse fluori e forcon zmaltin dhe e shmang kariesin, gërryerjen e dhëmbëve.
Ndonëse përdorimi i kripës së jodizuar dhe të fluorizuar nga popullsia është vullnetare, pra, nuk është e detyrueshme ligjërisht, instancat publike e mbajnë në vëmendjen e tyre këtë aspekt kaq të rëndësishëm për shëndetin. Në çdo pesë vjet Zyra Federale e Ushqimeve dhe e Veterinarisë e kontrollon përmbajtjen e jodit tek fëmijët e moshës shkollore dhe të grave shtatzëna. Kjo instancë gjithashtu mban qëndrime këshilluese ndaj popullsisë se cilat ushqime të menysë së përditshme përmbajnë jod të mjaftueshëm, në mënyrë të veçantë duke u kujdesur për kategoritë e vegjetarianëve e të veganëve, të cilët i shmangin nga menyja e tyre ushqimet me jod, por nganjëherë përdorin edhe ushqime të mbijodizuara.
Vetëm më 1965 kirurgu bazelas Franz Merke (4 shkurt 1893- 6 qershor 1975) konstatoi se hapësirat gjeografike të akullnajave të lashta përkonin pikë për pikë me zonat e goditura në mënyrë endemike nga “gusha”, pra nga sëmundja alpine. Ky element, i pranishëm në sasi të mëdha në oqeane, u depozitua në tokë pas tërheqjes së deteve të para, por shtresa e madhe e akullit që mbulonte rajonin alpin gjatë akullnajës së fundit e shkatërroi qindra metra thellë nëntokën dhe gradualisht “lau” jodin. Sipas tij, në periudhën e tyre të fundit, akullnajat e kanë “përzënë” përfundimisht jodin nga këto hapësira. Prandaj, natyrshëm, produktet ushqimore të tokave përkatëse nuk mund të kishin përmbajtje jodi. Në shtator të vitit 1964, Merke mbajti një leksion mbi historinë dhe ikonografinë e gushës endemike dhe kretinizmit në Kongresin e 19-të Ndërkombëtar për Historinë e Mjekësisë në Bazel. Zbulimi i Franz Merkes iu dha përfundimisht një bazë shkencore teorive të mjekëve të tjerë gjenialë të cilët shumë më herët kishin nuhatur se gjendra tiroide zmadhohej ngaqë ishte e uritur për një element të munguar në ushqime, pikërisht jodi.