Mars, 2026
Dy persë të mëdhenj takohen e largohen në kulturën e jetës.
Dhe, anipse i ndajnë shtatë shekuj, janë armiq të zjarrtë mes vete. Në fakt, janë idetë e tyre që as vdekja mëshiruese (njëri, dhjetor, 1273 dhe tjetri, qershor, 1989) nuk i bashkon dot.
I pari ishte madhnori Mevlana Rumi, poet i gjithnjohur sufist.
Dhe i dyti, ndërkaq, Homeini, prijës i brezit të ajatollahëve.
I hershmi kishte adhurimin e Muzës dhe frymës hyjnore, kurse i voni mallkimin e qiellit pse do të hidhte farën e shtypjes dhe tiranisë.
Rumi ishte mjeshtër i fjalës së bukur dhe mendimtar i urtë. Ndërkohë që Ajatollahu i parë pati vetëm predikimin e urrejtjes për ata që ishin jashtë rrezes religjioze të tij.
Mevlana, që nga thellësi e kohëve, thërriste: mbajeni larg Islamin nga politika, që t’mos detyroheni më pas të mbroni botën nga Islami.
Mirëpo, armiku i tij i moteve tona, Homeini, ripohonte poaq këtë ligjërim, veçse me vlerësim të kundërt: Islami ose është politik ose nuk është asgjë!
Rumi parathoshte Ditën tonë, ngaqë ishte pikërisht Kryemullahu që konfirmonte batërdinë: ndiqte e shpallte katil-fermane për njerëz të lirë: të vegjël e të mëdhenj, të thjeshtë e të ditur.
Diku në Rusi gjenden akoma varrezat e quajtura të dyshimtarëve. Prehen aty, pra, ata që nuk ishin fare kundërshtarë. Aristokratë të mundur apo revanshistë klase. Por mjaftë që kishin guxuar qoftë dhe të dyshonin mbrëmjeve pranë oxhakut vjeshtor në triumfin e Revolucionit bolshevik.
Kurse në Persinë e Homeinëve dyshimtarët do të përfundonin ende më keq. Ndërsa bolshevikët justifikonin krimin duke thënë: i ka vrarë ideja e bukur dhe humane e komunizmit, dyshimtarët e mullokratëve i vriste Zoti vetë.
Sepse, thjeshtë, ata janë vetëshpallur mëkëmbës të tij që prejnë të bardhën e të zezën, të vërtetën e gënjeshtrën dhe jetën e mortin mbi Dhé.
Megjithë dogmën, hipokrizinë, armët a ideologjinë e tyre, sërish nuk mund të arrijnë tek porta e armikut që quhet madhërisht e përvujtshëm Rumi, emër i lartuar në qytetërimin njerëzor.
Asnjë humbje nuk është e fundit, kishte mësuar me deshpërim gjenerali i Markezit.
Ndaj, mullokratët i pret
kurdoqoftë disfata e rezervuar politike: shfronësimi dhe rënia historike e tyre. Është dialektika e gjërave që dikton rrjedhën.
E, mandej, ftillohet beteja e rëndë shpirtërore mes Rumëve e Imamokratëve,
për të dëlirur njeriun pers
nga barishtet e liga dhe, pra, një disfatë përfundimtare.
E ardhmja nuk i përket atyre…
I përket vetëm të pavdekshmëve. E i tillë është Rumi, poeti i mbikohshëm i botës!
R.