Ai, që njëherësh mund të jem dhe unë, sikurse mund të jesh dhe ti: ishte pasionant, por jo i rrëmbyer. Tip që përballej dhe falte shumë. Si gjithë të tjerëve dhe atij i thoshin se Shqipëria, shtëpia jonë e përbashkët, i përket atij. “Atdheu im” shkruante gjithë krenari, edhe pse prej vitesh e sorollatnin për një strehë, ku të fuste kokën. Po kështu dhe “partia ime”, duke mos qenë në parti, madje shkrimet ia kthenin për gabime ideologjike. Nëse i referohesh poezive, dukej sikur partia i përkiste atij më shumë, se atyre që rrihnin gjoksin e të qënit komunist. Zor se gjeje në botë një njeri tjetër, që, t`i quante të tijat shumë e shumë, duke mos patur asgjë?! Sa herë që hartoheshin lista, qofshin për dekorime a për delegacione jashtë shtetit, mbrëmje jubilare apo darka qeveritare, kongrese apo takime me të dalluar, emri i tij nuk figuronte. Kujtonte se ishte i tyri dhe ata asnjëherë s`e pranuan. Në jetën e tij nuk mori qoftë dhe një fletë-lavdërimi, pavarësisht se “heroi pozitiv” ishte i pranishëm në krijimtarinë e tij.
Një ditë iu sos durimi dhe një mbrëmje në pallatin parafabrikat ende të papërfunduar zë forcërisht një hyrje, duke i vënë çelsin derës së jashtme. Të parët që do e akuzonin për kurajo të tepruar, ishin ata që i merrnin gjërat me përulësi, me mik dhe allishverishe. Trimëria i tregohet armikut dhe jo pushtetit popullor, pëshpëshnin lart e poshtë. E lajmëruan me ngut të paraqitej në komitetin e partisë, ku si zakonisht: o këshilloheshe, o paralajmëroheshe. Sekretari, s`i ndenji rënd, siç priste, veçse i tha fjalë që rëndonin: “nuk hahet inat me pushtetin popullor”, duke i lënë të kuptonte se konfliktin s`e kishte me partinë, por me pushtetin. Pra, nëse i ndodhte gjë, të keqen s`e kishte prej tij. Para se ta përcillte, i kujtoi historinë e shokut të tij poet, i cili, sapo qe rehabilituar në gjirin e klasës punëtore. Një poezi e tija për strehimin, ku demaskonte hatërllëqet në ndarjen e shtëpive, ishte kritikuar për nxirje të realitetit. Duke zënë forcërisht një apartament, mos po i jepte të drejtë poetit, jo me fjalë, por me një akt të paprecedent? Përderisa uzinat, fabrikat, hidrocentralet, rrugët, pallatet quheshin dhurata të partisë, si guxoje ti, të merrje forcërisht, atë që është e destinuar të dhurohet? (Dhurata ishin dhe studjot, që, partia ua kishte dhënë disa piktorëve të njohur të qytetit. Meqë akti i dhunshëm në përvetësimin e pronës së përbashkët qëlloi pikërisht në këtë kohë, s`munguan zëra, ta përflisnin për ziliqar. Kështu që fajin duhej ta kërkonte tek vetja, pse nuk shihej me sy të mirë nga autoritetet.)
-Mos harro, se ky atdhe, për të cilin ti shkruan aq bukur, të tjerëve s`u ka dhënë as një copë tokë për varr!-do i thoshte Spiro, i njohur si provokator.
-Ja më shih mua, shokun tënd, që lë përshtypjen e një të privilegjuari, ama jeta më shkoi duke fjetur në makinë! Ja që ky lloji atdheu na qëlloi, me vuajtje dhe sakrifica dhe ne do t`i përgjigjemi!-do i thoshte Gonja, shofer mauneje, që eksportonte perime në vendet evropiane.
-Unë të di jashtë ty?! Nga e more vesh kaq shpejt se ç`bëj unë këtu?!
-Unë zgjedh miqtë, ndërsa ti vazhdo e rri me problematikët, si ai miku yt, që e shiti partinë për një hyrje pallati! Ej, i bën hesap kokës ti, se kujt po i bën karshillëk?! Ngaqë s`po t`i lexon njeri librat, na bëke trimin, si e si të jesh në qendër të vëmendjes?! Se me heroin pozitiv na e ndrite?!
-Jepi gaz, Gone, jepi, se skapamento të nxjerr avull ekspresi!
-Shiko, sinqerisht s`më vjen mirë, që unë të marrë rrugët e Evropës dhe ti xhaden për tek shtëpia pa qera! Do më quajnë dhe mua shoku yt, sikurse të quanin ty për atë bejtexhiun?! Jo, or jo, sa duan partinë unë, s`dua njeri!
Me t`u larguar Gonja, si të ishte dhe ky i porositur, i afrohet Idrizi, një kapter ushtria, i cili do i qahej:
-Të them të drejtën, s`e prisja prej teje të bije në këtë batak! Vëllai yt më shumë fle në repart se sa në shtëpi dhe, si urdhëron shefo, ku të ketë nevojë atdheu! Ja si thua ti, të lëmë bunkerin dhe të bëjmë strehën tënde tek parafabrikati?! Sipas teje, liri e popullit, kap ça të kapësh?!-Ishte koha kur kapterët hanin gjeneralët.
Prej vitesh, të njohur e të panjohur, i afroheshin duke e pyetur: “Hë, more gjë shpi?!” Ngado që shkonte: “Hë, e more?!” Edhe pse e dinin pergjigjen, s`përtonin të reagonin njësoj:
“Ah, sa keq më vjen për ju, u iku rinia rrugëve!”
“Vjen katundari, zë një qoshe të ngrohtë në administradë dhe fap shtëpinë me dy dhoma e një kuzhinë! Të rroftë ty gjithë ai kontribut! Figurë leshi!”
“Është koha e të shkathtit dhe ta merr tjetri në kthesë! Ti, po kalë karroce!”
“Trasta e katundarit ka më ndikim sot nga çanta e shpinës së ushtarit.”-I dëgjonte dhe s`fliste. Ngaqë heshte e merrnin për të trëmbur. Ishin mësuar ta mënjanonin dhe e donin me patjetër të mundur. E dinte që s`ishte e lehtë të jetoje në kohën e të tjerëve, sikurse e kishte bindje se koha e tyre po mbaronte. Pas disa ditësh i sollën autorizimin e shtëpisë, pa i thënë ta gëzosh.
-Dhe nga kush e kemi këtë nder?-e pyeti e shoqja.
-Nga gjermanët që rrëzuan Murin e Berlinit dhe rumunët që vranë Çausheskun.-Ajo i mori të mirëqena fjalët e tij, ndoshta ngaqë vazhdimisht e shihte me tranzistorin pranë veshit, duke dëgjuar lajmet në disa gjuhë të huaja.
Sapo e pajisën apartamentin me sendet e nevojshme, e shoqja mbushi çantën më karamele, llokumet me arra, palafiku, amareta, liko e liker për gratë, ndërsa ai porositi raki muskat për burrat. Kur doli nga banesa, përherë të parë u ndje zot shtëpie dhe hapi iu duk më i rëndë. Bëri një copë rrugë duke i kërkuar njerëzit e merakosur me sy, por askush s`po e përshëndeste, pale ta ndalte dhe ta uronte. Këmbehej me atë, që dikur i kishte zënë rrugën: “prapë asgjë, ë, hë maskarenjtë”, po ai i rrëshqiste sikur s’e kishte njohur kurrë. Pandehma se do rrethohej nga njerëz, që e uronin dhe e përgëzonin, sa vinte dhe fashitej. Idrizi, për t`u dukur oficer, s`para e vinte kapelën e kapterit në kokë, por këtë radhë e kishte ngjeshur fort dhe shtoi hapat. Ndoshta nxitonte për në repart, ku do kalonte natën. Gonja, i sapokthyer nga Gjermania, veshur e ngjeshur si zakonisht me rroba të jashtme, i foli nga larg. Fliste me zë të lartë, përkundër të tjerëve me zë të ultë, ngaqë ndjehej si i jashtëm.
-Në rrugë të lashë dhe prapë në rrugë të gjeta! Të them të drejtën, edhe pse në dhé të huaj mendja tek ty më rrinte! Shyqyr që pi të shoh, të shëtisësh i lirë, se helbete?! Mos gjetsha njeri në shtëpi, nëse të gënjej, kastile mora një stekë me cigare filtër t`i sillja atje, ku dhe hasmit mos ia uro!
-Këtë radhë ku i çove domatet në Gjermaninë Lindore apo atë Perëndimore?
-Ëhë, iku muri! Mu kujtua koha e krijimit të kooperativës, kur i hodhëm për tokë gjerdhet!
-Njeri i bredhur ti, Gone, sheh botë me sy, ndërsa ne fakirët vijmë tryl, si kali në lëm.
-E di që të qan syri për atë botë, pa më thuaj mua, se çfarë s`më shohin sytë andej?! Një gjë s`kuptoj, ti që e ke mendjen për të ikur, përse të duhet shtëpia?!
-Ta gëzosh shpinë, shoku! I madh u tregove! S’pordhe fare dhe more atë që deshe! Hallall!-Ishte Luti, që kish sajuar një strehë me kartona diku në qoshen e muzeut të qytetit, ku kalonte natën.
-Si ore e paske marr shtëpinë ti dhe s`më the një llaf?! Më fal se po ta them, por kështu ke qenë gjithë jetën, i rezervuar me shokët! Të gjithë u habitëm se nga të erdhi gjithë ajo kurajo?! Askush s`është burim energjie, veçse përcjellës i saj. Të shihnim nga degët dhe ja u desh ky rast, të kuptonim se sa të thella qënkshin rrënjët e tua! Respekte miku im, qënke dora jonë!
-Ta dhanë, ë?! Si ka mundësi, kur ai miku yt, për punë shpije e hëngri?-Spiro pasi ngulte thumbin, nuk priste përgjigje, por nxitonte të ikte, t`i shpëtonte të sharave. Kur u kthye, e shoqja, e priti si zonjë shtëpie, njëherësh kurjoze të mësonte lajmet, të dinte se sa shumë e kishin uruar.
-U pa puna gjithë këto të qerasurat, do t`i hamë vetë, duke uruar njeri-tjetrin!
-Asnjë, fare asnjë nuk të uroj?
-Vetëm, Luti, ai që fle nëpër stolat e lulishtes. Kështu që muskatin dhe amaretat m`i vërë në një qeskë, që t`ia çoj atij.
-Ua, dhe këtë s`e prisja?!
-Me sa duket, urohet vetëm kur të jepet diçka dhe jo kur e merr vetë. Me forcat tona nuk ndërtohet vetëm socializmi, ja që u merrka dhe shtëpia.
-Po ai shoku yt, që u hodhe në flakë për të, u bë i gjallë?
-I ka mbetur hatri, pse planin e zënies forcërisht ia paskam mbajtur sekret, pasi ai m`i paska thënë gjithë të fshehtat e tij?!
Vite më pas, në kohën e re, ata që kishin bërë njërën për të mos ardhur kurrë, do e akuzonin si njeriu, që krijoi precedentin e asaj dukuria masive në plaçkitjen e atdheut, duke zaptuar fabrika e uzina, si ideator i “tokës së xanum”…
Fatbardh Amursi