Një amerikan dhe një shtetas francez që janë kthyer në vendet e tyre pasi lanë një anije turistike të goditur nga një shpërthim vdekjeprurës i hantavirusit kanë rezultuar pozitivë, thanë autoritetet.
Në total janë konfirmuar shtatë raste të hantavirusit të lidhura me anijen MV Hondius, ndërsa dy raste të tjera dyshohen, tha të hënën, më 11.05.2026, Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH).
Departamenti amerikan i shëndetësisë tha se një shtetas i dytë amerikan në fluturimin e riatdhesimit kishte shfaqur gjithashtu simptoma të lehta, duke shtuar se të dy pasagjerët kishin udhëtuar në “njësi biokontrolli për një masë shtesë kujdesi”.
Ministrja franceze e Shëndetësisë, Stéphanie Rist, tha se një grua po izolohej në Paris dhe gjendja e saj shëndetësore po përkeqësohej, ndërsa janë identifikuar 22 kontakte të saj.
Tre pasagjerë kanë vdekur pasi udhëtuan me anijen, dy prej të cilëve u konfirmuan se kishin virusin.
OBSH tha se personi që besohet të ketë qenë i pari i infektuar në shpërthim vdiq para se të mund të testohej.
Dy shtetas të tjerë britanikë me raste të konfirmuara po trajtohen aktualisht në Holandë dhe Afrikën e Jugut.
Hantaviruset zakonisht barten nga brejtësit, por transmetimi nga njeriu te njeriu i variantit Andes — që OBSH beson se është kontraktuar nga disa pasagjerë të anijes holandeze gjatë qëndrimit në Amerikën e Jugut — është i mundur.
Simptomat mund të përfshijnë ethe, lodhje ekstreme, dhimbje muskujsh, dhimbje stomaku, të vjella, diarre dhe vështirësi në frymëmarrje.
Zyrtarët thonë se rreziku i një shpërthimi të madh është shumë i ulët.
Më shumë se 90 pasagjerë të anijes MV Hondius, aktualisht e ankoruar në Ishujt Kanarie të Spanjës, po riatdhesohen.
Në përditësimin më të fundit nga Tenerife të hënën, më 11.05.2026, zyrtarët spanjollë thanë se 54 pasagjerë dhe anëtarë të ekuipazhit ndodheshin ende në bord. Ministrja spanjolle e Shëndetësisë, Mónica García, tha se gjashtë prej tyre ishin pasagjerë: katër australianë, një britanik dhe një shtetas i Zelandës së Re.
Rreth 22 persona do të zbrisnin nga anija për të fluturuar drejt Holandës të hënën, më 11.05.2026, tha ajo — përfshirë australianët që pritej të dërgoheshin direkt në shtëpi, por avioni i tyre nuk mund të garantohej se do të mbërrinte në kohë.
MV Hondius pritej më pas të nisej për në Holandë më vonë gjatë së hënës, më 11.05.2026, shtoi ajo.
Në deklaratën e saj herët të hënën, më 11.05.2026, Departamenti Amerikan i Shëndetësisë dhe Shërbimeve Njerëzore tha se të gjithë 17 qytetarët amerikanë në fluturimin e së dielës do t’i nënshtroheshin “vlerësimit klinik” në një institucion mjekësor në Nebraska. Një shtetas britanik që jeton në SHBA u riatdhesua gjithashtu bashkë me ta.
Shtatë pasagjerë të tjerë amerikanë ishin kthyer tashmë në shtëpi dhe po monitoroheshin në shtetet e tyre.
Para se të konfirmohej rasti amerikan, kreu i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus, paralajmëroi se vendimi i SHBA-së për të mos ndjekur udhëzimet e organizatës së tij lidhur me shpërthimin e hantavirusit “mund të ketë rreziqe”.
OBSH ka rekomanduar 42 ditë izolim për ata që largohen nga MV Hondius.
Por Dr. Jay Bhattacharya, kreu i përkohshëm i Qendrave Amerikane për Kontrollin e Sëmundjeve (CDC), tha se nuk donte të shkaktonte panik publik, duke këmbëngulur se transmetimi nga njeriu te njeriu ishte i rrallë dhe se virusi nuk duhej trajtuar si Covid-i.
Pasagjerët e anijes turistike u fotografuan duke veshur mantela blu, kapela mbrojtëse dhe maska mjekësore ndërsa zbrisnin të dielën në portin e Granadilla de Abona në Tenerife.
Të dielën, më 10.05.2026, një avion me 20 shtetas britanikë mbërriti në Mbretërinë e Bashkuar.
Pasagjerët fluturuan drejt aeroportit të Mançesterit me një fluturim charter nga Tenerife dhe u dërguan në spitalin Arrowe Park në Wirral, Merseyside, për t’u izoluar për 72 orë. Asnjëri prej tyre nuk ka raportuar simptoma.
Në Spanjë, 14 spanjollë të dërguar me avion në Madrid tani përballen me karantinë të detyrueshme në një spital ushtarak. Dy fluturime të tjera evakuimi janë planifikuar për pasditen e së hënës, më 11.05.2026.
Një fluturim tjetër me 26 pasagjerë dhe anëtarë ekuipazhi — përfshirë tetë shtetas holandezë — mbërriti në Holandë të dielën, 10.05.2026.
Më herët të hënën, më 11.05.2026, Ukraina tha se katër qytetarë të saj do të qëndronin në bord të MV Hondius si pjesë e ekuipazhit për të siguruar transferimin e anijes në Holandë. Pas mbërritjes, ministria e jashtme tha se ata do të pritej të karantinoheshin në një institucion mjekësor.
Një tjetër shtetas ukrainas pritej të largohej nga anija si pjesë e evakuimit të pjesshëm të ekuipazhit me një fluturim drejt Holandës.
Aktualisht, nuk janë regjistruar shenja sëmundjeje tek ukrainasit, shtoi ministria.
Në një video-mesazh të publikuar të hënën, më 11.05.2026, nga Oceanwide Expeditions, që operon MV Hondius, kapiteni tha se mendimet e ekuipazhit ishin “me ata që nuk janë më me ne”.
Jan Dobrogowski tha gjithashtu se “javët e fundit kanë qenë jashtëzakonisht sfiduese për të gjithë ne”, duke lavdëruar durimin, disiplinën dhe mirësinë e treguar në bord.
Gjatë përditësimit të saj, ministrja spanjolle e shëndetësisë tha gjithashtu se një nga oficerët e policisë të përfshirë në operacionin e riatdhesimit kishte vdekur nga arresti kardiak.
Një burrë i moshuar holandez ishte pasagjeri i parë që vdiq në bord të MV Hondius më 11.04.2026. Ai kishte zhvilluar më herët simptoma — por konsiderohet rast i mundshëm pasi nuk janë kryer teste.
Bashkëshortja e tij, një grua 69-vjeçare, u largua nga anija në ishullin Shën Helena më 24.04.2026 dhe fluturoi drejt Afrikës së Jugut. Ajo vdiq dy ditë më vonë në një klinikë në Johanesburg.
Një grua gjermane vdiq në bord të anijes turistike më 02.05.2026. Të dyja gratë janë raste të konfirmuara.
MV Hondius u nis nga qyteti jugor argjentinas Ushuaia më 01.04.2026 dhe aktualisht është ankoruar në portin e Granadilla-s, në jug të Tenerife-s./BBC