VOAL

VOAL

Nicë, reagojnë udhëheqësit botërorë

July 15, 2016
blank

Komentet

blank

Kina, përparësi e agjencive amerikane të zbulimit

VOA/Marrë nga Associated Press

Në një takim të kohëve të fundit me dyer të mbyllura me drejtuesit e qendrës kundër terrorizmit, zyrtari i dytë më i lartë i CIA-s e bëri të qartë se lufta kundër al-Kaidës dhe grupeve të tjera ekstremiste do të mbetej përparësi, por se paratë dhe burimet e agjencisë do të zhvendoseshin gjithnjë e më shumë në çështjet e lidhura me Kinën.

Një vit pas përfundimit të luftës në Afganistan, presidenti Joe Biden dhe zyrtarët e lartë të sigurisë kombëtare flasin më pak për antiterrorizmin dhe më shumë për kërcënimet politike, ekonomike dhe ushtarake të paraqitura nga Kina dhe Rusia. Brenda agjencive të zbulimit ka patur një zhvendosje të qetë të burimeve dhe qindra oficerëve në pozicione të përqendruara në çështjet e lidhura me Kinën, përfshirë disa që më parë punonin në çështjet e lidhura me terrorizmin.

Zyrtarët e agjencive të zbulimit theksojnë se lufta kundër terrorizmit nuk po injorohet. Një javë më parë doli njoftimi mbi një sulm me dron të CIA-s në Kabul, në të cilin u vra udhëheqësit i al-Kaidës Ayman al-Zawahri. Por disa ditë më vonë, Kina organizoi stërvitje ushtarake në shkallë të gjerë dhe kërcënoi të ndërpriste kontaktet me Shtetet e Bashkuara për shkak të vizitës së Kryetares së Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi në Tajvan. Ky zhvillim nënvizoi mesazhin që zëvendësdrejtori i CIA-s, David Cohen, kishte dhënë në takimin e mbajtur javë më parë, se përparësia kryesore e agjencisë është të përpiqet të kuptojë dhe t’i kundërpërgjigjet Pekinit.

Shtetet e Bashkuara kanë qenë të alarmuara prej kohësh nga ambicjet politike dhe ekonomike në rritje të Kinës. Kina është përpjekur të ndërhyjë në zgjedhjet e vendeve të tjera, ka ngritur fushata të spiunazhit kibernetik dhe të korporatave dhe ka dërguar në kampe miliona ujgurë të arrestuar. Disa ekspertë mendojnë gjithashtu se Pekini në vitet e ardhshme do të përpiqet të pushtojë me forcë ishullin demokratik të vetëqeverisur të Tajvanit.

Zyrtarët e agjencive të zbulimit thonë se ata kanë nevojë për më shumë njohuri për Kinën, të nxitur pjesërisht edhe nga pamundësia për të përcaktuar shkakun e pandemisë së COVID-19. Pekini është akuzuar për fshehje informacioni në lidhje me origjinën e këtij virusi.

Dhe lufta në Ukrainë ka nënvizuar rëndësinë e përpjekjeve të lidhura me Rusinë. Shtetet e Bashkuara kanë përdorur informacione të deklasifikuara për të ekspozuar planet e luftës të presidentit rus Vladimir Putin përpara se ai të fillonte sulmin ndaj Ukrainës dhe për të rekrutuar mbështetjen diplomatike për Kievin.

Mbështetësit e qasjes së administratës së presidentit Biden theksojnë se fakti që Shtetet e Bashkuara ishin në gjendje të gjurmonin dhe të vrisnin al-Zawahrin është dëshmi e aftësive të saj për të identifikuar nga jashtë kërcënimet në Afganistan. Kritikët thonë se fakti që al-Zawahri jetonte në Kabul, nën mbrojtjen e talebanëve, sugjeron se ka një rigjallërim të grupeve ekstremiste që Amerika nuk është e pajisur mirë për t’iu kundërvënë.

Zhvendosja e përparësive mbështetet nga shumë ish-oficerë të zbulimit dhe ligjvënës nga të dyja partitë, të cilët thonë se është e vonuar. Në mesin e mbështetësve janë edhe zyrtarë që kanë shërbyer në Afganistan dhe misione të tjera kundër al-Kaidës dhe grupeve të tjera terroriste.

Ligjvënësi Jason Crow, një ish-ushtarak që ka shërbyer në Afganistan dhe Irak, thotë se Shtetet e Bashkuara kanë qenë tepër të përqendruara në antiterrorizmin në vitet e fundit.

“Një kërcënim shumë më i madh ekzistencial është Rusia dhe Kina”, thotë ligjvënësi demokrat nga Kolorado, i cili është anëtar i Komisionit të Zbulimit dhe Forcave të Armatosura në Dhomën e Përfaqësuesve. Ai tha se grupet terroriste “nuk do të shkatërrojnë mënyrën amerikane të jetesës… ashtu siç mund ta bëjë Kina”.

Zëdhënësja e CIA-s Tammy Thorp vuri në dukje se terrorizmi “mbetet një sfidë shumë reale”.

“Ndonëse krizat si sulmi rus në Ukrainë dhe sfidat strategjike si ajo e paraqitur nga Republika Popullore e Kinës kërkojnë vëmendjen tonë, CIA do të vazhdojë të gjurmojë në mënyrë agresive kërcënimet terroriste në nivel global dhe do të punojë me partnerët për t’i eliminuar ato”, tha zonja Thorp.

Sipas disa njerëzve të njohur me këtë çështje, të cilët folën në kushte anonimiteti, Kongresi ka nxitur CIA-n dhe agjencitë e tjera të zbulimit që ta bëjnë Kinën një përparësi kryesore. Zhvendosja e burimeve drejt Kinës ka çuar në shkurtimin e fondeve në departamentet të tjera, duke përfshirë edhe atë kundër terrorizmit. Shifrat specifike nuk janë të disponueshme sepse buxhetet për agjencitë e zbulimit janë sekrete.

Ligjvënësit duan më shumë informacion rreth zhvillimit nga Kina të teknologjive të përparuara. Nën Presidentin Xi Jinping, Kina ka bërë triliona dollarë investime në shkencën kuantike, inteligjencën artificiale dhe teknologji të tjera që ka të ngjarë të përmbysin mënyrën se si zhvillohen luftërat dhe ekonomitë në të ardhmen.

Në kuadër të këtij ndryshimi, Komisionet e Kongresit po përpiqen të gjurmojnë më mirë se si agjencitë e zbulimit po shpenzojnë fondet e tyre në çështjet lidhur me Kinën, duke kërkuar më shumë hollësi se si programet specifike kontribuojnë në realizimin e këtij misioni, tha një person i njohur me këtë çështje.

“Jemi vonë, por është mirë që më në fund po e përqendrojmë vëmendjen tonë në atë rajon”, thotë Chris Stewart, ligjvënës republikan nga Juta që shërben në Komisionin e Zbulimit të Dhomës së Përfaqësuesve. “Kjo do të thotë investime në njerëz, burime ushtarake dhe në diplomaci.”

CIA vitin e kaluar njoftoi se do të krijonte dy “qendra misioni” të reja, një për Kinën dhe një për teknologjitë në zhvillim, për të centralizuar dhe përmirësuar mbledhjen e informacioneve të zbulimit lidhur me këto çështje. CIA po përpiqet gjithashtu të rekrutojë më shumë njerëz që flasin gjuhën kineze dhe të reduktojë kohën e pritjes për kontrollin e biografisë për të punësuar njerëz të rinj më shpejt. Brenda agjencisë, shumë oficerë po mësojnë gjuhën kineze dhe po kalojnë në role të reja të përqendruara në çështjet që janë të bëjnë me Kinën, megjithëse jo të gjitha ato punë kërkojnë trajnim gjuhësor, thanë njerëz të njohur me këtë çështje.

Zyrtarët vënë në dukje se oficerët e zbulimit janë trajnuar për t’iu përshtatur sfidave të reja dhe se shumë prej tyre u zhvendosën më shpejt në role kundër terrorizmit pas sulmeve të 11 shtatorit 2001.

Qendra Kundër Terrorizmit e CIA-s, e riemërtuar Qendra e Misionit Kundër Terrorizmit gjatë një riorganizimi në vitin 2015, mbetet një pikë krenarie për shumë njerëz që e vlerësojnë punën e saj për mbrojtjen e amerikanëve nga terrorizmi pas 11 shtatorit. Oficerët e CIA-s zbarkuan në Afganistan më 26 shtator 2001 dhe ishin pjesë e operacioneve për rrëzimin e talebanëve, si dhe gjetjen dhe vrasjen e udhëheqësve të al-Kaidës, përfshirë Osama bin Ladenin.

Dhe 13 vjet pasi një agjent i dyfishtë mashtroi oficerët që po gjurmonin al-Zawahrin dhe hodhi veten në erë, duke vrarë shtatë punonjës të agjencisë, CIA e vrau atë në një sulm pa viktima civile të raportuara.

CIA ishte gjithashtu e përfshirë në disa nga momentet më të errëta të luftës kundër terrorizmit. Ajo operonte burgje sekrete për të mbajtur të dyshuarit për terrorizëm, disa gabimisht, dhe u zbulua nga një hetim i Senatit se kishte përdorur metoda të marrjes në pyetje që, sipas ligjeve ndërkombëtare dhe amerikane, klasifikohen si forma të torturës. Njësitë speciale afgane të trajnuara nga CIA u akuzuan gjithashtu për vrasjen e civilëve dhe shkeljen e ligjit ndërkombëtar.

Ka patur një debat prej kohësh nëse antiterrorizmi i tërhoqi agjencitë e inteligjencës shumë larg spiunazhit tradicional dhe nëse një pjesë e punës së CIA-s për gjetjen e terroristëve duhej të bëhej nga forcat speciale të ushtrisë.

Ish shefi i CIA-s në Afganistan, Marc Polymeropoulos mbështet një përqëndrim më të madh në çështjet e lidhura me Kinën dhe Rusinë, por thotë se “Nuk ka asnjë arsye për të zvogëluar rëndësinë e asaj që duhej të bënim”.

“Nuk është e drejtë të thuhet se në njëfarë mënyre e gjithë puna kundër terrorizmi që bëmë, ishte e gabuar, se ne humbëm vëmendjen nga misioni ynë. Duhet të mbani në mend se si u ndjenë njerëzit më 12 shtator”, thotë ai.

Përqëndrimi i vëmendjes nga agjencitë e zbulimit tek Kina dhe Rusia do të zgjasë me vite dhe do të kërkojë durim dhe pranim të faktit se ndryshimi i kulturës së tyre do të marrë kohë, thotë ish zyrtari i lartë i CIA-s Douglas Wise.

“Për dekada, ne jemi marrë me luftën kundër terrorizmit. Ne duhet të kemi një plan racional për të bërë këtë adaptim, në mënyrë që të mos shfrytëzohet nga armiqtë tanë koha që procesi i këtij ndryshimi mund të marrë”, tha ai.

blank

Dënohet prapë gazetarja ruse që protestoi kundër luftës në Ukrainë

RFE/RL

Gazetarja televizive ruse, Marina Ovsyannikova, e njohur protestën e saj kundër luftës në Ukrainë në një emision të drejtpërdrejtë, është dënuar prapë për “diskreditim” të forcave të armatosura të vendit.

Një gjykatë e qarkut në Moskë më 8 gusht urdhëroi ish-redaktoren e Channel One të paguante një gjobë prej 40.000 rubla (660 dollarë) për postimet e saj të fundit në internet që protestonin kundër luftës së vazhdueshme të Rusisë në Ukrainë.

Avokatët e Ovsyannikovas insistuan që akuzat e fundit të kthehen në polici, pasi siç thanë klientja e tyre ishte informuar gabimisht për rastin kundër saj, sepse hetuesit i kishin dërguar letrat në adresën e gabuar.

Ovsyannikova tha në seancë se për këtë rast ishte njoftuar nga gazetarë të tjerë, derisa ajo ishte jashtë vendit.

Javën e kaluar, e njëjta gjykatë e qarkut në Moskë e gjobiti Ovsyannikovan me 50.000 rubla (825 dollarë), për shkak të protestës së saj kundër pushtimit rus, me një mbishkrim “Putini është një vrasës, ushtarët e tij janë fashistë”, bashkë me disa foto të fëmijëve të vrarë në Ukrainë.

Marina Ovsyannikova ishte producente në televizionin shtetëror rus, Channel One. Televizioni shtetëror është burimi i vetëm i lajmeve për miliona rusë.

Më 14 mars, gazetarja ishte shfaqur në transmetim të drejtpërdrejtë gjatë edicionit të lajmeve në televizionin shtetëror të Rusisë, Channel One, duke mbajtur një mbishkrim mbrapa prezantueses, në të cilin dënohej lufta në Ukrainë.

Mbishkrimi në rusisht thoshte: “Jo luftës. Ndaleni luftën. Mos i besoni propagandës. Ata po ju gënjejnë këtu”.

Ovsyannikova ishte producente në televizionin shtetëror rus në kohën e protestës së saj. Ajo u arrestua më vonë dhe u gjobit me 30.000 rubla (rreth 500 dollarë) nga një gjykatë për thirrje për protesta të paligjshme.

Ajo dha dorëheqjen nga Channel One dhe kaloi disa muaj jashtë vendit, përfshirë Ukrainën, duke shprehur vazhdimisht kundërshtimin e saj për luftën.

blank

Bandat po gënjejnë shqiptarët për në Angli: Ejani se nuk ka kohë, nëse zgjidhet Kryeministri i ri nuk do keni më shanse!

Trafikantët po mashtrojnë emigrantët me varka nga Shqipëria që ti dërgojnë drejt Britanisë përpara se të ketë një kryeministër të ri.

Ata u thonë atyre se një udhëheqës i ri do të ndalojë të gjitha kalimet e Kanalit me një armatë patrullash – dhe se dështimi për t’i ndaluar ata ishte rënia e Boris Johnson.

Kontrabandistët kanë ulur gjithashtu çmimin për kalimin prej 20 miljesh gjatë motit të mirë deri në 2,000 £ për person, krahasuar me 10,000 £ në muajt e kaluar.

Ndërkohë çmimet për kalimin e fshehur në një kamion janë rreth 22,000 £ dhe vijnë me një rrezik shumë më të madh për t’u kapur.

blank

Zbulimet vijnë pasi një raport i inteligjencës zbuloi se katër në dhjetë persona që mbërrijnë me varka të vogla janë nga Shqipëria, pavarësisht se nuk ka pasur luftë atje për 25 vjet.

Nëntë banda qëndronin pas 2,863 emigrantëve që erdhën nga 1 qershori deri më 12 korrik. Prej tyre, 1,075 ishin shqiptarë .

Katër në dhjetë emigrantë të Kanalit janë nga Shqipëria paqësore, thuhet në raportin e publikuar nga mediat angleze, The Sun dhe Daily Mail.

Numri i përgjithshëm që ka bërë udhëtimin këtë vit arriti në 18,000 të shtunën kur 337 kaluan në dhjetë varka.

Një burim tha: “Shqiptarëve u thuhet se qindra njerëz do të patrullojnë Kanalin, gardhet do të ruajnë bregdetin dhe ata do të kthehen dhe do të humbasin paratë e tyre.

“Kur të ketë një kryeministër të ri, do të ketë një gënjeshtër të re – çfarëdo që duhet për të vazhduar këtë tregti”.

blank

Deputetja e Dover dhe Deal, Natalie Elphicke, tha se kryeministri i ri duhet t’i shohë vendkalimet si një “prioritet kyç”.

Ajo shtoi: “Është e padiskutueshme që shumë janë thjesht emigrantë ekonomikë.

“Ka një mënyrë të drejtë për të aplikuar për të punuar në Angli – dhe nuk është në duart e kontrabandistëve të njerëzve”.

Sekretarja e Brendshme Priti Patel tha:”Postimet në mediat sociale të përdorura nga kontrabandistët kriminalë që promovojnë kalimet e paligjshme janë krejtësisht të papranueshme.

“Kjo qeveri tashmë po përballet me këtë propagandë mashtruese në internet, me forcat e rendit, kompanitë e mediave sociale dhe qeveritë jashtë shtetit”.

“Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar punon me qeverinë shqiptare për një sërë çështjesh, duke përfshirë nënshkrimin e një marrëveshjeje historike për largimin e shtetasve shqiptarë pa të drejtë për të qenë në Mbretërinë e Bashkuar në vitin 2021.

“Që atëherë, ne kemi hequr mbi 1000 shkelës të shtetasve të huaj shqiptarë, duke përfshirë disa që kaluan Kanalin ilegalisht për të ardhur në Angli”.

“Qeveria ka një procedurë të vendosur për të patrulluar Kanalin, duke përfshirë Ministrinë e Mbrojtjes, Zyrën e Brendshme dhe departamente të tjera, dhe duke u angazhuar me autoritetet franceze”.

“Askush nuk duhet të vërë në dyshim vendosmërinë e kësaj qeverie për të thyer modelin e biznesit të bandave kriminale, pasi çdo departament qeveritar është përfshirë në trajtimin e çështjes së migracionit të paligjshëm.

“Sipas Partneritetit tonë të ri të Migracionit dhe Zhvillimit Ekonomik me Ruandën, ne do të zhvendosim ata që po bëjnë udhëtime të rrezikshme, të panevojshme dhe të paligjshme në Angli”.

blank

Shqiptarët 5000 kërkesa për azil në Britani deri në fund të marsit, një 31-vjeçar ekstradohet nga Londra në Bruksel për krime emigracioni (EMRI)

Një 31-vjeçar shqiptar do të ekstradohet nga Britania e Madhe për në Belgjikë, ku do të përballet me akuzat në lidhje me krimet e emigracionit dhe përfshirje në organizatë kriminale.

Elio Danaj u paraqit në Gjykatën e Magjistraturës së Westminsterit të mërkurën dhe prokurorët blegë kërkuan ekstradimin e tij nga autoritetet londineze, pasi pretendojnë se ai është i përfshirë në një bandë kriminale që lehtësonte hyrjen dhe qëndrimin e paligjshëm.

Danaj u arrestua nga policia Metropolitane pasi mbi të rëndonte një urdhër-arresti europian.

Ndërkohë mediat britanike i bëjnë jehonë informacioneve të rrjedhura nga një raport sekret i ushtrisë në vend, që ka zbuluar se 40% e njerëzve që kalojnë Kanalin me varka të vogla janë nga Shqipëria, ku nuk ka pasur luftë për 25 vjet, që do të thotë se nuk ka gjasa të jenë refugjatë.

Raporti pasoi një operacion survejimi nga Marina Mbretërore dhe ekspertët e inteligjencës. Në të thuhet gjithashtu se nga data 1 qershor deri më 12 korrik të këtij viti, një në katër emigrantë të vëzhguar ishte nga Shqipëria.

Në statistikat e fundit të Home Office për azilin, thuhet se deri në fund të marsit 2022 numri i kërkesave për azil nga shqiptarët në Mbretërinë e Bashkuar ishte dyfishuar në pothuajse 5000, më shumë se sirianët dhe afganët, dhe numri i katërt më i madh pas Iranit, Irakut dhe Eritreas.

Dokumenti i zbuluar ka dhënë emra të koduar për secilën nga nëntë bandat që organizojnë trafikun e emigrantëve shqiptarë, të cilat janë: Dragon, Lotus, Gorgon, Behemoth, Colossus, Titan, Tiamet, Hydra dhe Leviathan.

Mes tyre këto banda kanë organizuar transportin e 2,863 emigrantëve në qershor dhe korrik. Nga këta, 1075 ose 37.5% ishin shqiptarë. Iranianët ishin numri më i madh i radhës (13%) të ndjekur nga emigrantët nga Afganistani (12.7%).

blank

Pushtimi i Ukrainës i ka sjellë humbje katastrofale Kremlinit, Putini i tërbuar shkarkon 6 nga komandantët kryesorë të ushtrisë ruse

Inteligjenca britanike në një zbulim të fundit pretendon se Vladimir Putini ka shkarkuar brutalisht “të paktën gjashtë” komandantë të lartë, pasi ka mbetur i tronditur nga humbjet që forcat ruse vazhdojnë të pësojnë në Ukrainë.

Deklarata e Ministrisë së Mbrojtjes në Britaninë e Madhe nënvizon se kreu i Kremlinit ka ndërmarrë masa drastike dhe është i tërbuar nga rezultatet katastrofike të operacionit ushtarak të pushtimit.

Në mënyrë të veçantë, në raport pretendohet se: “Performanca e dobët e forcave të armatosura të Rusisë gjatë pushtimit të saj në Ukrainë ka qenë e kushtueshme për udhëheqjen ushtarake të Rusisë, me shumë gjasa që rezultoi në shkarkimin e të paktën gjashtë komandantëve rusë që nga fillimi i luftës në shkurt 2022”.

Sipas tyre, Komandantët e Qarqeve Ushtarake Lindore dhe Perëndimore të Rusisë kanë shumë të ngjarë të kenë humbur postet e tyre.

Gjeneral-koloneli Aleksandr Chayko është shkarkuar si komandant i Qarkut Ushtarak Lindor në maj 2022.

Gjeneral-koloneli Aleksandr Zhuravlev, i cili ka komanduar Qarkun Ushtarak Perëndimor që nga viti 2018, ka munguar në Ditën e Marinës së Rusisë në Shën Petersburg më 31 korrik 2022 dhe ka shumë të ngjarë të jetë zëvendësuar nga gjeneral-lejtnant Vladimir Kochetkov.

Ndërkohë, gjenerali Aleksandr Vladimirovich Dvornikov është shkarkuar më pas, sepse i është dhënë komanda e përgjithshme e operacionit në Ukrainë dhe gjenerali Sergei Surovikin ka marrë komandën e Grupit Jugor të Forcave nga gjenerali Genadi Valeryevich Zhidko.

“Këto shkarkime shoqërohen nga të paktën 10 gjeneralë rusë të vrarë në fushën e betejës në Ukrainë. Efekti kumulativ në qëndrueshmërinë e komandës ka të ngjarë të kontribuojë në vështirësitë taktike dhe operacionale ruse”, theksohet në vijim të raportit.

Vendimet e fundit të Putin vijnë në një kohë që zyrtarët ushtarakë ukrainas raportojnë se Rusia ka humbur të paktën 42,000 trupa që nga fillimi i konfliktit. bw

blank

Hebrejtë rusë e ukrainas dhe dallimet mes tyre

VOA

Që nga fillimi i sulmit rus ndaj Ukrainës, komuniteti hebre në Rusi nuk i ka mbështetur në mënyrë të hapur veprimet ushtarake të Kremlinit, duke minuar kështu pretendimin e Presidentit Vladimir Putin se forcat ruse janë në një mision për të denazifikuar Ukrainën. Hebrenjtë rusë nuk duan të flasin për këtë çështje dhe shumë prej tyre kanë zgjedhur të largohen nga vendi. Materiali në vazhdim është përgatitur nga Byroja e Zërit të Amerikës në Moskë.

Hebrenjtë përbëjnë një nga pakicat më të vogla në Rusi, por ndjenja e komunitetit me pjesën tjetër të popullsisë hebraike në territoret e ish-Bashkimit Sovjetik është shumë e fortë. Ose ishte…

Sulmi rus në Ukrainë ka shkaktuar një thyerje emocionale dhe politike midis hebrenjve rusë dhe ukrainas.

“Në një nivel personal shoh një përkeqësim të marrëdhënieve midis hebrenjve rusë dhe ukrainas. Me fjalë të tjera, hebrenjtë ukrainas politikisht aktivë priren të fajësojnë hebrenjtë rusë se nuk protestojnë mjaftueshëm kundër pushtimit të Ukrainës”, thotë Boruch Gorin me Muzeun Hebraik dhe Qendrën e Tolerancës.

Ndër ata që protestuan ishte njeriu që për 30 vjet shërbeu si kryerabin i Moskës, Pinchas Goldschmidt. Ai kritikoi hapur aventurën ushtarake të Putinit dhe në fund iu desh të largohej nga vendi.

Zoti Goldschmidt, tani në Izrael, ka shprehur pesimizëm për të ardhmen, duke u thënë gazetarëve së fundmi se ka “shumë re të errëta në horizont” për hebrenjtë rusë.

Për disa, asgjë nuk garanton se antisemitizmi i parë gjatë epokës sovjetike nuk do të rikthehet.

“Nuk u mësua asgjë prej saj. Ajo që ndodhi, të themi, gjatë katastrofës së atyre viteve, mund të ndodhte në çdo vend, në çdo kohë. Nuk varet nëse e mbajmë mend atë periudhë apo jo”, thotë historiani Oleg Melamed.

Gjatë dekadës së fundit, komuniteti hebre në Rusi është shtuar ndjeshëm. Shumë familje që u larguan për në Izrael në vitet 1990 vendosën të kthehen. Kopshtet e fëmijëve si ky në periferi të Moskës dhe qendrat e tjera kulturore hebraike janë dëshmi e një popullsie në rritje.

Por duket se kjo prirje ka ndryshuar që nga sulimi i Rusisë në Ukrainë.

“Pas fillimit të operacionit special të Rusisë në Ukrainë, si faktorët ekonomikë, politikë dhe të gjithë faktorët e tjerë çuan në faktin që një numër i madh njerëzish ose u larguan ose filluan të mendojnë të largohen”, thotë Boruch Gorin me Qendrën e Tolerancës dhe Muzeun Hebraik.

Disa familje që kanë shtetësi izraelite ose që kanë të drejtë të aplikojnë për të, tani po vënë në pikëpyetje nëse Rusia është ende vendi më i mirë për fëmijët e tyre.

“Ne jemi të hapur për të gjitha idetë, por Rusia aktualisht ka ndryshuar në mënyrë drastike. Nuk e kam idenë se si do të ndryshojnë gjërat në të ardhmen në bazë të zhvillimeve aktuale. Para shkurtit, ishte mirë të jetoje në Rusi. Moska është ndër qytetet e zhvilluara mirë”.

Hebrenjtë që janë kundër operacionit ushtarak rus në Ukrainë nuk mund ta thonë hapur këtë në kamera. Ashtu si për rusët e tjerë, rreziku është i lartë. Por ata po e thonë atë me veprimet e tyre, duke e lënë vendin me mijëra në numër, që nga shkurti i kaluar.

blank

Raporti i ‘Amnesty International’ për Ukrainën nxit zemërim e dorëheqje

VOA

Organizata “Amnesty International” kërkoi ndjesë të dielën për “shqetësimin dhe zemërimin” që ka shkaktuar një raport i saj publikuar të enjten, ku akuzohej Ukraina për vënien në rrezik të civilëve.

Por organizata tha sot se megjithatë i qëndron plotësisht gjetjeve të paraqitura. Në një email dërguar agjencisë “Reuters” të dielën, “Amnesty International” shkruante se kishte gjetur forcat ukrainase pranë zonave civile, në 19 qytete e fshatra që kishte vizituar, gjë që siç thotë organizata, i kishte ekspozuar ata ndaj sulmeve ruse.

Publikimi i raportit shkaktoi dorëheqjen e kryetares së “Amnesty International” për Ukrainën dhe nxiti kritika nga Kievi e diplomatë perëndimorë, të cilët akuzuan autorët e tij për pretendime të paqarta që dukej se barazonin veprimet mbrojtëse të ushtrisë ukrainase, me taktikat e pushtuesve rusë.

Kryetarja e dorëhequr e “Amnesty International” për Ukrainën, Oksana Pokalchuk, tha se kjo organizatë nuk mori parasysh kundërshtimin e saj ndaj raportit, duke shtuar se ai ishte një dhuratë propagande për Moskën.

Në një deklaratë të postuar të premten në mbrëmje në Facebook, Oksana Pokalchuk akuzoi organizatën për shpërfillje të realitetin në një kohë lufte në Ukrainë dhe shqetësimeve të anëtarëve të personelit lokal, që kishte kërkuar që raporti të ripunohej.

Në një reagim ndaj raportit, Presidenti Volodimir Zelenskiy akuzoi grupin se po përpiqej të shkarkonte agresorët rusë nga përgjegjësia.

Zyrtarët ukrainas thonë se përpjekjet e tyre janë përqendruar tek evakuimi i civilëve nga zonat që ndodhen në vijën e parë të frontit. Rusia, e cila mohon të ketë shënjestruar civilë, nuk ka komentuar rreth gjetjeve të raportit.

Moska ka justifikuar në mënyrë të përsëritur sulmet në zonat civile, duke pretenduar se luftëtarët ukrainas kishin ngritur pozicione zjarri në vendet që kanë qenë objektiv i saj.

blank

Elon Musk sfidon Twitter-in: Debat publik mbi llogaritë e rreme

Shefi ekzekutiv i kompanisë Tesla, Elon Musk, sfidoi të shtunën shefin ekzekutiv të kompanisë Twitter, Parag Agrawal, duke i kërkuar një debat publik rreth përqindjes së llogarive të rreme në platformën e rrjetit social.

“Të dëshmojë para publikut se Twitter-i ka më pak se 5% në ditë përdorues të rremë!”, shkroi në rrjetin Twitter zoti Musk.

Shefi ekzekutiv i kompanisë Tesla, Elon Musk, po ashtu nisi një sondazh duke i pyetur përdoruesit e rrjetit nëse më pak se 5% e përdoruesve të përditshëm në Twitter janë të rremë.

Kompania Twitter hodhi poshtë të enjten një pretendim të zotit Musk se ai ishte mashtruar për nënshkrimin e një marrëveshjeje prej 44 miliardë dollarësh për të blerë kompaninë.

Zoti Musk ngriti një kundërpadi ndaj rrjetit Twitter më 29 korrik, duke përshkallëzuar kështu betejën e tij ligjore kundër kompanisë, lidhur me ofertën e tij për t’u tërhequr nga marrëveshja për blerjen e firmës Twitter.

Zoti Musk tha të shtunën se nëse kompania Twitter ofron të dhëna rreth metodës që përdor për të konfirmuar se llogaritë janë reale, atëherë marrëveshja e tij për të blerë kompaninë do të vazhdojë në bazë të kushteve fillestare. bw

blank

“40% e emigrantëve me gomone janë nga Shqipëria”- Anglia në alarm, publikohet raporti sekret i ushtrisë, oficerë shqiptarë do vendosen në Dover

Pothuajse 500 milionë paund janë shpenzuar në 7 vitet e fundit për parandalimin e kalimit të paligjshëm të emigrantëve në kanalin e “La Mansh-it”, që ndan Britaninë e Madhe nga kontinenti europian.

Në total përfshihen shuma të mëdha që i janë dorëzuar qeverisë franceze në një përpjekje për të parandaluar azilkërkuesit e mundshëm që të largohen nga brigjet e tyre, si dhe për koston fillestare të marrëveshjes së azilit që Britania e Madhe ka firmosur me Ruandan.

Por media britanike DailyMail ka publikuar një raport sekret të ushtrisë britanike, që zbulon se 40% e emigrantëve që kanë kaluar me gomone janë nga Shqipëria.

“40% e emigrantëve që kalojnë Kanalin anglez janë nga Shqipëria, një vend në paqe, jo një komb i shkatërruar nga lufta, sipas një raporti sekret të inteligjencës ushtarake”, raporton media britanike.

Gjithsej 1075 shqiptarë kaluan Kanalin me varka të vogla të organizuara nga bandat e kontrabandës së njerëzve gjatë një periudhe 6 javore këtë verë, ndërsa vitin e kaluar gjithsej 757 shqiptarë kaluan me gomone, sipas shifrave zyrtare të qeverisë britanike.

Bandat shqiptare thuhet se po blejnë gomone të fuqishme nga fabrikat kineze dhe po i përshtatin ato duke u kërkuar firmave kineze t’i bëjnë ato më të mëdha për të vendosur sa më shumë emigrantë në bord.

Ekspertët besojnë se kalimet po ushqehen nga mediat sociale, me kontrabandistët që reklamojnë shërbimet e tyre në TikTok dhe paguajnë deri në 5,500 paund për person. Ndërkohë, një oficer ndërlidhës i policisë shqiptare do të vendoset në Dover për të ndihmuar në trajtimin e problemit në rritje, por raportohet se ka mungesë të përkthyesve shqiptarë për të ndihmuar.

Zbulimi vjen në ditën kur një burrë në një kajak duhej të shpëtohej nga autoritetet britanike dje pasi u përpoq të kalonte kanalin i vetëm. 288 persona të tjerë kaluan Kanalin Anglez të premten, më 5 gusht, duke e çuar numrin e përgjithshëm të emigrantëve që arritën në Mbretërinë e Bashkuar këtë javë në 1,372.

Pesë varka të vogla kaluan gjatë periudhës së fundit 24-orëshe, tregojnë shifrat e qeverisë. Në fillim të kësaj jave, një rekord i ri ditor u vendos pasi 696 persona bënë udhëtimin e rrezikshëm të hënën, sipas shifrave nga Ministria e Mbrojtjes.

Kjo shënoi vetëm herën e dytë këtë vit që më shumë se 600 njerëz mbërritën në Mbretërinë e Bashkuar përmes kalimeve me varka të vogla, me 651 që ishin regjistruar më 13 prill. Me 696 emigrantë të hënën, numri i përgjithshëm i njerëzve që kaluan këtë vit u rrit në 17,134.

Ndërkohë, Sekretarja e Brendshme Priti Patel pritet të shpallë së shpejti një paketë të re financimi, që do të përfshijë dhjetëra milionë paund për francezët për më shumë patrullime në plazh dhe pajisje vëzhgimi.

“Rritja e kalimeve të rrezikshme të Kanalit është e papranueshme. Jo vetëm që janë një abuzim i hapur i ligjeve tona të imigracionit, por rrezikojnë jetë dhe pengojnë aftësinë tonë për të ndihmuar refugjatët që vijnë në Mbretërinë e Bashkuar përmes rrugëve të sigurta dhe ligjore. Akti i Kombësisë dhe Kufijve do të na mundësojë të godasim abuzimin me sistemin dhe kontrabandistët e njerëzve, të cilët tani do të jenë subjekt i një dënimi maksimal me burgim të përjetshëm”, tha një zëdhënës i qeverisë angleze. bw

blank

Takimi në Soçi: Propozimi që Erdogan i bëri Putinit

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan dhe presidenti rus Vladimir Putin kanë zhvilluar një takim të përbashkët, ku në fokus ishte edhe lufta në Ukrainë.

Mediat turke shkruajnë se presidenti turk i ka kërkuar homologut rus të të takohen me presidentin e Ukrainës në Turqi.

Gjithashtu Erdogan është shprehur se në këtë luftë nuk mund të ketë fitues.

“Pavarësisht vështirësive në terren, unë gjithashtu besoj se kriza do të zgjidhet në tryezën e bisedimeve. I kujtova Putinit edhe një herë se ne mund të presim takimin e tij me Presidentin ukrainas Volodymir Zelenskyy në Turqi”, ka thënë ai.

blank

Inteligjenca britanike: Lufta në Ukrainë pritet të hyjë në fazë të re

RFE/RL

Lufta e Rusisë në Ukrainë pritet të hyjë në fazë të re, pasi luftimet mund të përqendrohen në territor prej 350 kilometrash që përshkon qytetin e Zaporizhjas dhe atë të Hersonit, ka thënë inteligjenca ushtarake e Britanisë së Madhe të shtunën.

Forcat ruse ka shumë mundësi që janë duke u mbledhur në jug të Ukrainës, në pritje të ndonjë kundër-sulmi, apo janë duke bërë përgatitje për sulm tjetër, ka thënë Ministria britanike e Mbrojtjes përmes një postimi në Twitter.

Konvoje të gjata të kamionëve dhe tankeve ushtarake ruse, me artileri dhe armë tjera, vazhdojnë të largohen nga rajoni Donbas i Ukrainës dhe po lëvizin drejt jugperëndimit.

Grupet taktike të batalionit, që përbëhen nga 800 në deri 1.000 trupa janë angazhuar në Krime dhe ka mundësi që ato të shfrytëzohen për t’iu ofruar mbështetje trupave ruse në rajonin e Hersonit, kanë thënë autoritetet britanike.

Sipas tyre, forcat e Ukrainës janë duke vënë fokusin në ura, depo municioni dhe linja hekurudhore që janë të rëndësishme për rajonet jugore, duke përfshirë linjat që lidhin Hersonin me Krimenë e pushtuar nga Rusia.

Presidenti rus, Vladimir Putin, ka urdhëruar pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt.

Ai e quan luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.

blank

Momenti kur 6 komandantë të Putinit hidhen në erë

Në një video është momenti kur gjashtë komandantë rusë u vranë në një pritë ukrainase, sipas një prej oficerëve të lartë të Kievit.

Pamjet dramatike fiksojnë momentin se si një autokolonë me dy automjete – që thuhet se po transportonte komandantët rusë nga një takim – u godit nga një raketë antitank.

Pamjet, që mendohet se janë kapur në vijën e frontit të Donbasit pranë Avdiivkas, tregojnë se si automjeti i parë u hodh në erë përpara se i dyti të përmbysej.

Videoja u postua në internet të premten nga Anatonly Shtefan, i cili është një kolonel në Forcat e Armatosura të Ukrainës.

Shtefan, i cili pseudonimin ‘Stirlitz’ në rrjetet sociale, tha se sulmi u krye nga trupat e brigadës së 56-të të Motorizuar.

Sipas ministrisë së mbrojtjes të Ukrainës, kjo brigadë është aktualisht në veprim rreth Avdiivka, që ndodhet disa milje në veri të qytetit të Donjeckut të kontrolluar nga Rusia. /abcnews.al


Send this to a friend