Dy prej tyne hise më ranë. Më dysh jetën ato ma ndanë.
Kur të afrohet mandata e tretë, sheun ka me e gjetë ambël tue fjetë…
E mira dhe e keqja, janë në zhvillim – e njëjta gja.
I lumi ai që din me i nda.
Mandata e PARË –
Prizren, qershor-korrik, 1946.
Nga shkjau, por jo bigajri hak.
I ri nga mosha. Zgjati pak.
Përjetime të thella shumë
Treguen rrugën që do t’ndiqja unë.
Mandata e DYTË,
Thojtë në fyt…!
Tiranë, janar 1984.
Nga vllau me shpirt shkjau,
Pa i pasë hile e hak.
Më vjen s e r i!…
Si papritmas m’erdh ky mendim?
Mos jam gati për çmendinë?!…
E shkuemja, e tashmja
Edhe e ardhmja, që ende s’ka mbërritë,
Për miliardat e viteve pa fillim e pa mbarim,
(bashkë me data e mandata),
Janë nji ç a s t i pandërpremë,
Për HYJNOREN e përhershme.
Tiranë, 4 shkurt 2021
——————-

Atëbotë kur duheshin hapë pesë dyer të blindueme me hekura e dryna të randë, për me mbërrijtë te qelia e nëndheshme numër 16, nji kthinë pa dritare, por veç me nji kamin në tavanin e naltë, mbi të cilin trokonte pajada si çekiç çizmja e rojës;
Atëbotë, kur dimnit dridhesha si purteka nga acari, ndërsa verës pëlcisja nga vapa përvëluese, aq sa kur ndonji mizë fatkeqe, që përbirohej nga vrima e sportelit dhe ngordhte brenda nji çasti prej asaj nxehtësie-furrë, tue më shkaktue dhimbjen e të ndimit vetëm;
Atëbotë, kur asht e lëkurë, skelet i gjallë, përditë i gjakosun nga “përkëdheljet” e njerëzve të drejtësisë;
Atëbotë, kur i lidhun kambë e duer, varun në fillin e holluem të jetës, po vdisja për nji pikë ujë;
Atëbotë, kur uji e vdekja më ishin ba të barasvlefshme, aq sa i thoja shpirtit dil, por ai nuk dilte;
Atëbotë, vetëm atëbotë, më vinte në krye ky mendim:
Asht i lumtur e nuk duhet me u ankue kurrë njeriu që mundet me pi ujë sa të dojë e kur të dojë, dhe e hap Derën me duert e veta sa herë t’i teket, e jo kur duen të tjerët.
Atëherë, vetëm kaq kërkoja.
Sot qesh me veten time. Qesh, sepse çelësi i hapjes dhe i mbylljes së kësaj d e r e qenka brenda meje. Përplasja me jetën nuk qenka dënim, por domosdoshmëri. Ma randësi paska përpjekja që bajmë për me e kuptua çfarë asht u j i dhe pse asht uji, se sa lundrimi nëpër tana oqeanet e kësaj bote.
Nga “Kujtimet e burgut”
——
Shefqet Kelmendi (Peja, 1930) është shkrimtar nga Kosova dhe njihet si një ndër përfaqësuesit e plejadës së të rinjve intelektualë krijuar gjatë Luftës së Dytë Botërore. Intelektualët e tjerë të sotshëm që e nisën aktivitetin patriotik në vjeshtën e vitit 1942 janë Ramiz Kelmendi, Viktor Gashi, Kamber Pajaziti, Engjëll Berisha, Skënder Rizaj dhe Osman Basha.
U arratis nga vendlindja drejt Shqipërisë më 1956, ku punoi si arsimtar dhe botoi pjesë të shkrimeve të veta nëpër të përkohshmet letrare të kohës. Më 1984 u dënua me vdekje, por dënimi u rishikua më 1985 dhe iu shndërrua në 25 vite burgim.
Është autor i botimeve “Një brez i veçantë” – Prishtinë, 1993; “Heroina Marije Shllaku” – Tiranë, 1994 ; “Selim Kelmendi, dëshmor i demokracisë” – Shkodër, 1995.
Shefqet Kelmendi, i mbijetuar tregon Natën e të dënuemit me vdekje – Dhjetor, Stacioni i fundit
Shefqet Kelmendi, i mbijetuar i dënimit me vdekje tregon për Selim Kelmendin një tjetër martir, helmuar në burgun e Spaçit