Sot në Troy, Michigan më 15 Qershor 2026, rreth 150 shqiptarë u mblodhën në një protestë qytetare në mbështetje të protestuesve në Shqipëri. Shumica e pjesëmarrësve ishin të rinj dhe studentë shqiptaro-amerikanë, të cilët jo vetëm morën pjesë, por organizuan, drejtuan dhe menaxhuan të gjithë programin.
Protesta nisi me këndimin e Himnit Kombëtar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Himnit Kombëtar Shqiptar, duke reflektuar lidhjen e fortë që komuniteti shqiptaro-amerikan ka me të dy vendet. Gjatë aktivitetit, shumë studentë dhe pjesëmarrës morën fjalën lirisht, duke ndarë shqetësimet, zhgënjimin dhe revoltën e tyre ndaj korrupsionit, mungesës së transparencës dhe gjendjes politike e ekonomike në Shqipëri. Zëri i tyre ishte i sinqertë, i guximshëm dhe plot shpresë për një Shqipëri më demokratike, më të drejtë dhe me më shumë mundësi për brezin e ri.
Kjo protestë nuk u thirr nga asnjë parti politike. Ajo lindi nga zëri i komunitetit dhe nga zëri i rinisë shqiptare. Ishte një mesazh i qartë për qeverinë dhe opozitën në Shqipëri se shqiptarët kërkojnë ndryshim dhe se qytetarët nuk janë të kënaqur as me qeverisjen aktuale dhe as me opozitën aktuale.
Energjia që solli rinia ishte e jashtëzakonshme. Ata sollën idetë e tyre, vizionin e tyre dhe besimin se Shqipëria mund të bëhet më e mirë. Kur të rinjtë ngrihen dhe kërkojnë të ardhmen e tyre, është një thirrje që askush nuk duhet ta injorojë.
Pothuajse çdo pjesëmarrës mbante flamurin kuqezi ose ishte veshur me ngjyrat kombëtare. Sheshi ishte i mbushur me pankarta dhe mesazhe të ndryshme, ku protestuesit shprehën shqetësimet e tyre për realitetin në Shqipëri. Mesazhet kërkonin transparencë, luftë kundër korrupsionit, mbrojtjen e pasurive kombëtare dhe ndalimin e shitjes së tokave shqiptare.
Megjithatë, thelbi i protestës shkonte përtej çështjes së tokave apo mbrojtjes së bregdetit shqiptar. Mesazhi kryesor ishte politik dhe i drejtpërdrejtë: kërkesa për ndryshim në drejtimin e vendit. Gjatë protestës u dëgjuan vazhdimisht thirrje për dorëheqjen e Kryeministrit Edi Rama, “RAMA JEPE DOREHEQJEN”, ndërsa protestuesit kërkuan përgjegjësi, transparencë dhe lidership që i shërben interesit publik. U kërkua gjithashtu më shumë përgjegjësi nga e gjithë klasa politike, si nga socialistët ashtu edhe nga demokratët.
Protestuesit theksuan se protesta nuk ishte kundër Amerikës, investimeve amerikane apo zhvillimit ekonomik të Shqipërisë. Përkundrazi, ajo ishte qartësisht pro-amerikane dhe në mbështetje të investimeve të ndershme që krijojnë vende pune dhe zhvillim për vendin. Shqetësimi kryesor i protestuesve lidhej me mungesën e transparencës, dyshimet për korrupsion dhe mënyrën se si po miratohen dhe menaxhohen disa projekte të mëdha. Mesazhi i tyre ishte se Shqipëria ka nevojë për investime, por investime me transparencë, llogaridhënie dhe në interes të qytetarëve shqiptarë.
Të rinjtë duan demokraci, të drejta njerëzore, mundësi të barabarta dhe një vend ku mund të ndërtojnë jetën e tyre me dinjitet. Ata duan një Shqipëri ku të mos detyrohen të largohen për të realizuar ëndrrat e tyre.
Një falënderim i veçantë për Valon Vuçitërna dhe të gjithë ekipin e tij studentor për përkushtimin dhe punën e palodhur që e bëri këtë protestë realitet.
Rinia është shpresa e kombit. Dhe sot, zëri i saj u dëgjua qartë.
Shqipëria kërkon ndryshim!�
Shqipëria nuk është në shitje!�
Shqipëria është e shqiptarëve!�
E ardhmja i përket rinisë

