Bisedë me piktorin shqiptar Georgio Gjergj Kola
Z.Kola le ta fillojmë intervistën me fëmijërinë tuaj, cilat janë disa nga mbresat dhe kujtimet tuaja në Shqipëri?
Ju faleminderit. Fshati im është Mërqia e Lezhës vendi ku në vitin 1703 u mblodh Kuvendi i Arbërit. Rastësia e solli të kem lindur para gati 50 vitesh duke kaluar një fëmijëri të brishtë i kënaqur me pak gjëra dhe përherë me dashurinë e përkushtimin e prindërve dhe gjithë familjes. Sikurse në çdo cep te Shqipërisë edhe në Mërqi ka disa monumente kulture që i kanë mbijetuar kohës dhe kanë arritur deri në ditët tona ndonëse në gjendje të rrënuar. Gurra e Mërqisë, Kroi Vroga, Kisha e Shën Gjonit, rruga e lamnajve që për fat të keq është drejt degradimit të plotë, sukagjeli ku së fundi një ekip Gjerman arkeologësh zbuluan kishën paleokristiane te shekullit të pestë dhe qe (ndodhet në terrenin privat që trashëgojmë nga të parët tanë) kanë qënë vendet më të preferuara ku gjeja vehten time qysh herët në botën time fëminore. Kur isha afër këtyre objekteve ndihesha përherë mirë instiktivisht. Qysh kur kam filluar të shkruaj kam vizatuar kudo ku më jepej mundësia veçanërisht më pëlqente të vizatoja njerëz duke gërvishtur gurë në mal për të ardhur tek vizatimet me model ku pata vizatuar gruan më të moshuar të fshatit dhe këtu shënohet fillimi i një rruge të bukur, interesante dhe të mundimshme. Besoj se kam qënë rreth moshës 10 vjeç.
Ju jetoni jashtë Atdheut, pse u larguat cilat ishin motivet ta linit Shqipërinë?
Gjatë trazirave të 91-shit isha mësues në shkollën e Balldrenit në Lezhë. Hemorragjia e madhe njerëzore që po i ndodhte vendit më pikëllonte pa masë kështu kisha vendosur që të mos largohem nga Shqipëria. Në qershorin e atij viti vijuam ditë të tëra nën presionin dhe terrorin e disa njerëzve që donin të shkatërronin shkollën kështu një ditë hynë dhunshëm në shkollë një grup njerëzish të kryesuar nga persona ish të burgosur ordinerë të cilët plaçkiten, dogjën dhe kthyen në ndertesë fantazëm shkollën në të cilën mësonin mbi 400 nxënës. Ky ishte edhe shkaku i vendimit tim për tu larguar nga Shqipëria në verën e vitit 1991 duke ikur nga mali për në Greqi ku për fat të keq u ballafaquam me një situatë aspak favorizuese.

Ju sot jeni një piktor I mirënjohur në Itali, në vendin ku keni emigruar dhe jetoni? Cilat janë vështirësitë e fillimit të emigrimit dhe si arritët të hapni disa ekspozita atje, dhe jo vetëm atje, por në shumë vende të botës?
Unë jetoj tani në Itali,kam tre vjet këtu dhe 23 vite të tjera jete dhe pune me lidhin me Greqinë. Akoma në Greqi funksionon ekspozita ime personale që administrohet nga miqtë e mi të nderuar koleksionistë të punës time që janë Familja Spiridhou dhe Lathura. Ritheksoj se mbijetesa në Greqi ka qënë hiperbolikisht e veshtirë pasi mungonte plotësisht kordinimi i te dy shteteve dhe besoi se ju kujtohen reprezaljet e herëpashershme që organizoheshin nga shteti me emrin famëkeq “Operacioni fshesa” që binte ndesh me dinjitetin dhe të drejtat e njeriut. Edhe pse ishte vështirë populli i thjeshtë grek në përgjithësi bëri të pamundurën bile shumë herë jashtë kapacitetit duke u munduar që të na lehtësojnë sado pak dhimbjet dhe stërmundimin e paimagjinueshëm që kaluam ato vite. Ishte muaji i parë i qëndrimit si “mik ” i paftuar në vendin fqinj kur vizitova muzeun historik te qytetit te Kozanit (vendlindja e skulptorit Odise Paskali). Më pelqeu shumë ai muzeum që në fakt është kompleks muzeal. Pasi u prezantuam me krijuesin dhe drejtorin e këtijë muzeu të paharruarin Kostandinos Siampanopoulos më ftoi për të realizuar fillimisht disa vizatime për ti botuar dhe pikërisht këtu fillon edhe bashkepunimi im i gjatë me këtë qendër të rëndësishme të kulturës dhe civilizimit që shërbeu gjithashtu për tu ekspozuar, publikuar dhe për tu njohur puna ime në Greqi, në diasporen greke në vende të ndryshme dhe më vonë edhe në ambiente të rëndësishme publike galeri dhe sallone artesh etj në disa vende të botës.
Ku i keni mbaruar studimet për pikturë dhe pse zgjodhët konkretisht këtë degë?
Për mua çeshtja e studimit për arte ka qënë një sfidë shumë e madhe. As vetë nuk e kuptoi se pse kam insistuar aq shumë dhe jam refuzuar të gjitha herët nga komisionet e pranimit si për shkollën e mesme ashtu edhe për të lartën ndonëse privatisht anëtarë të këtyre komisioneve shpreheshin me simpati maksimale për stilin e punës time pasi sikurse pohonin ishte konsoliduar në një farë mënyre si stil pavarësisht se duhej shumë punë. Këtë e vërtetojne faktet sepse u mundësua hyrja ime në shkollën “Prenke Jakova ” të Shkodrës pa dëshirën e komisionit duke përfunduar këtë shkollë me rezultate maksimale dhe me profesor piktorin e popullit Danish Jukniu te cilit pata fatin ti pozoje disa herë edhe si model për veprat e tijë. Odiseja e konkurimeve vazhdoi edhe për në ILA në Tiranë ku për pesë herë me radhë nuk u bë e mundur pranimi im edhe pse për dy vjet bëra studime fakultative ne studion e grafikës me profesor piktorin e popullit Agim Zajmi i cili me pat inkurajuar shumë moralisht dhe më siguronte se kisha votën e tijë, por pengonin të tjerët. Gjithësesi bëhej fjalë për një rraskapitje të vërtetë pas së cilës pata vendosur të studioj në degën e filologjisë në Shkodër.
Ju jeni autor i përkthimit të librit të legjendave shqiptare cilat janë disa nga legjendat që janë pasqyruar dhe sa I keni dashur ato qysh fëmijë?
Unë kam realizuar disa ilustrime dhe kopertina librash që janë botuar në disa vende dhe disa gjuhë, por punën më të madhe edhe në këtë aspekt e kam bërë në Greqi. Meqënëse kam realizuar ilustrime të librave me tematike nga kultura popullore greke që në fakt ka shumë ngjashmëri me folklorin dhe kulturën tonë, pata përgatitur projektin e një libri për”Tri Legjendat shqiptare” përkatësisht Rozafa, Kostandini e Doruntina dhe Gjergj Elez Alia dhe në kontaktet që kisha në Greqi u mundova të gjej mënyrën e botimit, por për shkak të krizës nuk ia arrita kështu me vendosjen time në Itali u interesova për këtë çështje. Kështu u mundësua botimi i librit në pesë gjuhe,shqip,italisht,anglisht,rusisht dhe greqisht. Kjo punë është rezultat i një studimi dhe përgjegjsie të lartë morale dhe profesionale që u arrit me ndihmën dhe mbështetjen e madhe të bashkshortes time Vjollcës si dhe të disa te afërmëve tanë që ndihmuan më shumë dashamirsi realizimin dhe daljen e librit që në fakt është shpërndarë në shumë vende. Në të gjitha promovimet jam emocionuar thellësisht pasi prezantohet në këtë mënyre kultura dhe trashëgimia mijëvjeçare e popullit tonë të lashtë. U realizua një ëndërr qe e kam pasur si iluzion qysh në fëmijërin time.

Si janë pritur ekspozitat tuaja në vendet mikpritëse të botës dhe cfarë interesi kishin për Shqipërinë?
Pas një pune dhe bashkëpunimi intensiv në disa qendra muzeale në Greqi dhe jashtë saj e pranova ftesën për të marrë pjesë në një konkurs që organizonte Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve të Maqedonisë perëndimore (Veriperëndimi i Greqisë). Po ndërtohej Muzeu i rezistencës së Maqedonisë greke dhe kërkohej një tablo qëndrore me këtë temë e cila do të vendosej në memorialin e ndërtuar posaqërisht. Projekti im doli fitues dhe mu besua realizimi me dimensione të mëdha. Ishte nje besim i jashtëzakonshëm dhe për këtë jam shumë mirënjohës pasi ka të bëjë direkt me emocionet dhe kulturën mijëvjeçare helene. Këtë tablo e pasuan disa të tjera të kësajë natyre për të ardhur tek pikturimi i plotë i ndertesës monument kulture i kategorise së parë Mitropolise së Kozanit që gjithashtu është një tjetër besim dhe stimulim i jashtëzakonshëm pasi edhe në këtë rast bëhej fjalë për një punë historike e rëndesisë së madhe ku kërkohej aprovimi i eksperteve të ministrisë së kulturës dhe arkeologjisë. Puna ime është mirpritur dhe vlerësuar në përgjithësi dhe për këtë jam shumë mirënjohës kudo që jam ekspozuar sikurse jam shume mirënjohës fondacioneve dhe individeve që kanë ndërmjetësuar në ekspozimin e punës time ne botë kështu merite të veçantë ka profesori Kostantinos Fotiadis në Greqi, Fondacioni Artists Acros Continents në Oslo të Norvegjisë,Fondacioni “Linpold” në NY si dhe disa galeri arti që promovojnë punën time. Prezenca për të dytën herë në ekspoziten e artit contemporan në Muzeun e Louvrit vjet me 23 Tetor përbën sadisfaksionin më të madh të jetës time artistike pasi ekspertët e Artists Acros Continents i dhanë portretit “Nënë Tereza” medaljen e arit të cilën ia dedikojë familjes time, të gjithë miqve të mi si dhe të gjithë shqiptarëve kudo që ndodhen.
Në artin e pikturës sa përputhet imagjinata me realitetin dhe konkretisht në veprat tuaja të pikturës?
Besoj se nuk është e domosdoshme që të koordinohen këto të dyja. Mua do të më pëlqente të ketë rol parësorë fantazia pa të cilën nuk ka kuptim arti. Shumë herë në ato çfarë interpretoi unë dua ta lë vehten të lirë në improvizim edhe pse nuk mund të këtë lidhje me realen.
Sa vend zenë dritat dhe ngjyrat dhe sa ka ndihmuar tradicionalja në pikturën moderne?
Drita është burimi i jetes pa të cilën është e pamundur ekzistenca. Ne vijmë nga një vend i bekuar që ka shumë dritë pasi gati të gjitha ditët e vitit janë me diell dhe ndoshta kjo është faktori i pasurisë së jashtëzakonshme ornamentale folklorike, i games së magjishme të ngjyrave ku ndihen edhe aromat dhe bukuria e madhe e natyrës së vendit tonë. Është e natyrshme që platforma dhe bazamenti im krijues është formuar gradualisht me influencën e pasurisë dhe trashëgimisë tonë të madhe folklorike popullore.
Cilat piktura të kanë dhënë më shumë kënaqësi shpirtërore dhe ndjesitë për to që janë thellë shpirtit tuaj si artist?
Pikturat primitive në shpellat prehistorike janë një dëshmi e qartë e domosdoshmërisë së artit në jetën e njeriut. Këta mua më pëlqejnë shumë sepse janë si uji i pastër kristal që del direkt nga mali. Është besoj normale të më pëlqejë e gjithë historia e zhvillimit të artëve me etapat dhe pleiadat e ndryshme që mohuan dhe pohuan njëratjetrës. Ekspresionizmin në forma të ndryshme e shikoj si më të përhershem pasi transmeton me freski dhe gjallëri imazhin. Janë të shumtë autorët që kam në preferencë sidomos ata që nxorën nga shpirti i tyre ndjenjat e pastra qe binin ndesh me fallsitetin dhe hipokrizinë që prodhon pa kursim shoqëria njerëzore në çdo etape të zhvillimit të saj.
Pikturat nudo kanë qenë gati tabu për artistët, pas 90-ës cili është vendi i tyre dhe sa ndikojnë ato në shijet estetike dhe artistike vecanërisht për të rinjtë?
Ju e dini se në Shqipëri gati gjithçka pozitive ishte e ndaluar përderisa ishte e ndaluar fjala e lirë. Figura e njeriut e cila është krijesa më e përsosur e kësaj bote dhe më e komplikuar në terësinë e sajë u ekzagjerua në shëmtim absolut në të ashtuquajturin art i realizmit socialist ku njerëzit paraqiteshin me një gëzim të sipërfaqshëm në fytyrë. Eleganca e bukurisë njerëzore u maskua me veshje të stilit sovjetik, kinez dhe vietnamez sipas ideologjisë së autoriteteve drejtuese të regjimit të atëhershëm. Shumë artistë që i shpëtuan persekutimit dhe spiunimit nga disa kolege të tyre, patën arritur ti fshehin disa nga pikturat nudo dhe i “zhvarrosen” pas viteve 90. Mendoi se në përgjithsi rinia jonë nuk është e përgatitur nga ana kulturore që të shikojë dhe të “lexoje ” një pikturë nudo sigurisht unë besoj se të gjithë kanë dëshirë të shikojnë, por vetem kaq. Problemi eshte tek aftësia dhe kultura për të shijuar vepren e artit aq më tepër kur i referohet krijesës më të përsosur të natyrës.
Sa ka ndikuar kritika e artit në veprat tuaja vecanërisht kritika shqiptare në se ka të tillë?
Unë nuk njoh dhe nuk kam kontakte me asnjë kritik shqiptar arti. Në disa ekspozime që kam bërë në Shqipëri me insistimin e vazhdueshëm të miqve dhe dashamirësve kam parë se atje është një klimë e çuditshme edhe në arte, më duket gati e njëjtë me zollomatinë në të cilën funksionojnë politikanët. Them kështu pasi kam parë një tendence të hapet prepotencë nga artistë që nuk kanë vepruar mire në vitet e sistemit të kaluar, nuk kanë qënë aspak objektiv dhe korrekt dhe çfarë është më e shëmtuara tentojnë të të japin akoma “receta” se si pikturohet. Duhet emancipim dhe nuk mund të ketë zhvillim pa këtë.
Eksperienca ime më ka sjellë në kontakt me shumë personalitete te artit si dhe artistë të nivelit botëror në vende ku jam ekspozuar gjithashtu na është ofruar asistencë kritike nga kritika profesioniste e nivelit të lartë që e kam pranuar me shumë kënaqësi kjo nuk do të thotë se dakortësohem plotësisht me atë çfarë thotë kritika, por është e rëndësishme ndoshta fakti se kjo lloj pikture merret ne konsideratë dhe kështu lehtësohet vijueshmëria. Deri tani më pranë meje është profesoresha e artit contemporan në Universitetin e Urbinos Silvia Cupini ,autore e disa librave arti dhe kuratore e disa ekspozitave të rëndësishme, është gjithashtu kuratore e muzeut të piktorit Lin Delia. Më shumë dashamirsi prezanton në publik pikturën time, analizon dhe komenton sipas këndvështrimit të saj.
Me 22 maj jam në ekspoziten e arteve contemporane në Dubai,me 4 qershor me ekspozitë personale në Acqui Terme në Itali në shtator në Oslo të Norvegjisë në tetor përsëri në Louver dhe jemi te ftuar nga Gallery Arti Fact në NY si dhe nga Revista kulturore La Cigarra në Meksikë për ekspozita personale me këta të dyja jemi ne fazën e bisedimeve.
Ju faleminderit përsëri dhe ju dëshiroj gjitha të mirat juve, komunitetit shqiptar te Amerikës dhe gjithë bashkëkombësve tanë në botë.

Prill, 2016
New York
Komentet