Presidentja e Kosovës znj.Vjosa Osmani në respekt të Gjykatës Kushtetuese mandatoi Glauk Konjufcën si kandidat për kryeministër, duke i bërë thirrje opozitës që ta votojë si reagim ndaj një emergjence kombëtare kur rrezikohet kolapsi institucional.
Opozita ka qënë aktorja kryesore e mbërritjes deri këtu, duke e kthyer në kauzë luftën politike kundër Albinit, Vjosës e Donikës,
një trinom që identifikohet me erën e re të lidërshipit të Kosovës, larg aferave dhe korrupsionit që i kthente kryepolitikanët në pengje të konjukturave diplomatike, lobiste dhe agresivitetit konstant të Serbisë.
Apeli i Presidentes për votimin e qeverisë Konjufca si shërbim që i bëhet direkt popullit të Kosovës pa dallime politike, i hap rrugën votimit të buxhetit dhe projekteve të BE me kosto shumë të lartë në interes të shtetforcimit e demokracisë në Kosovë.
Deri tash apelet nuk janë dëgjuar nga opozita e cila ka teatruar dhe ka kaluar gjithçka nga llogaritjet profitere në indiferencën e ironive, pa marrë para sysh se pozitat e tyre nuk janë aspak për t’u patur zili pasi PDK-LDK-AAK së bashku mezi i bëjnë aq ndejtëse sa VV-Guxo-AL.
Pra elektorati i ka sakatuar si formacione partiake dhe aleancash për shkak të keqqeverisjeve, si dhe qasjeve të tyre politike e qendrimeve fanatike besnike ndaj një urdhëri okult që i bën bashkë mish e thua.
Kujtoj këtu apelin nominativ që Donika Gërvalla u drejtoi disa deputetëve të LDK, apel që u refuzua.
Kandidatura e Glauk Konjufcës mund të votohet, edhe prej marrëdhënieve të tij personale me opozitën si dhe nën dritën e faktit se Albin Kurti i ka kërkuar Hagës lirimin e katërshes nga paraburgimi.
Votimi do të dukej si zgjim i ndërgjegjeve të fjetura të deputetëve “llogaritarë” të opozitës që Kosova ta kalonte rrezikun për kolaps.
Qeveria Konjufca ngjan edhe si një devijacion i votës së lirë, megjithëse i legjitimuar nga Gjykata Kushtetuese, pasi elektorati nuk e ka votuar atë për kryeministër.
Gjithësesi Qeveria Konjufca do të jetë një tramplin në kuadrin e një qeverie të përkohëshme për të tejkaluar kolapsin e shtetit shkaktuar prej vonesave proceduriale nga vetë Gjykata Kushtetuese, deri në zgjedhjet e reja parlamentare.