VOAL

VOAL

Nga buxheti në rishikimin e shpenzimeve, ja sfidat e qeverisë së re italiane

June 2, 2018

Komentet

Investigimi i ri në RAI3 për marrëveshjen e emigrantëve: Ka politikanë që kanë gjetur Eldoradon në Shqipëri

Emisioni investigativ ‘Report’ i RAI3 në Itali rikthehet sërish me fakte të reja lidhur me marrëveshjen Rama-Meloni mbi emigrantët.

Puntata e dytë e emisionit duket se është gati dhe pritet të transmetohet të dielën.

‘Pas sulmeve të dy kryeministrave, asaj italiane, Giorgia Meloni dhe atij shqiptar, Edi Rama, i rikthehemi trajtimit të marrëveshjes për emigrantët mes Italisë dhe Shqipërisë. Intervistuam kreun e qeverisë shqiptare, i cili pranoi t’u përgjigjej pyetjeve të Giorgio Mottola-s, madje edhe atyre të mprehta për infiltrimin e mafies shqiptare në qeverinë e tij’, njofton ‘Rai 3’ krahas videos që njofton investigimin në Shqipëri.

Vetë gazetarët kanë paralajmëruar se një nga personat e kontraktuar për ndërtimin e kampit, ka një kompani për të cilën nuk gjetëm asgjë në të dhënat e qeverisë.

‘Një nga personat e kontraktuar për ndërtimin e kampit, ka një kompani për të cilën nuk gjetëm asgjë në të dhënat e qeverisë. Ky person përmendet në një rast të korrupsionit të zyrtarëve. Ka disa politikanë që kanë gjetur Eldoradon në Shqipëri’, paralajmërohet në klipin e ‘Rai 3’.

Kujtojmë se në investigimin e parë nga ‘Rai 3’, u publikuan dokumente dhe informacione që sipas emisionit ‘Report’, eksponentë të rëndësishëm të qeverisë ‘Rama’ janë të lidhur me botën e krimit dhe të korrupsionit.

Sipas investigimit të RAI3 njeriu kyç në marrëveshjen mes Shqipërisë dhe Italisë për emigrantet është Sekretari i Këshillit të Ministrave, Engjëll Agaçi, i cili ka mbrojtur më parë njerëz të botës së krimit. SN

VOA: Nuk ndalen molotovët në protestën e opozitës para Bashkisë së Tiranës

Gjatë protestës së sotme të opozitës

 

Në Shqipëri, një grup mbështetësish të opozitës u mblodhën sërish sot për të protestuar përpara Bashkisë së kryeqytetit, duke hedhur një seri bombash molotov drejt godinës, pas shpinës së forcave të shumta të policisë që kishin krijuar një gardh rreth saj. Një moment paniku u krijua kur njëra nga bombat molotov ra pranë vendit ku qëndronin gazetarë e kameramanë si dhe disa qytetarë, të cilët arritën në kohë të largoheshin me vrap.

Prej gati më shumë se dy muajsh, opozita po kërkon dorëheqjen e kryebashkiakut socialist Erion Veliaj, pas arrestimit të disa drejtorëve dhe ish drejtorëve të Bashkisë, të dyshuar se janë të përfshirë në afera korruptive. Ata mendohet të kenë përfituar fonde publike, përmes kompanisë 5D, të cilën e kontrollonin me anë të personave të tjerë. Zoti Veliaj është distancuar duke deklaruar se cilido person i përfshirë, duhet të përballet vetë me drejtësinë.

Përfaqësuesë të opozitës kanë vijuar të denoncojnë raste të tjera sipas tyre, ku zyrtarë lokalë kanë përfituar, përmes të afërmeve të tyre, leje ndërtimi dhe fonde publike nga Bashkia e kryeqytetit. Ndaj zotit Veliaj, vijojnë po ashtu të lëshohen akuza për përfshirjen e tij në rastin e inceneratorit të Tiranës, duke e konsideruar atë përgjegjësin kryesor.

Zoti Veliaj u thirr në fund të muajit të kaluar, për t’u pyetur rreth kësaj çështjeje, në Prokurorinë e Posaçme. Ai qëndroi duke dhënë shpjegim për gati 7 orë, ndërsa për gazetarët deklaroi se rasti ishte “shterruar totalisht”.

Së fundmi është mësuar se Prokuroria e Posaçme ka nisur dhe një hetim pasuror ndaj tij. Në media qarkulloi disa ditë më parë një shkresë që kjo prokurori i kishte dërguar bankave të nivelit të dytë, ku kërkon informacione rreth llogarive bankare dhe transaksioneve të kryebashkiakut dhe familjarëve të tij (bashkëshortes, të ëmës dhe vëllait). Prokuroria nuk e ka hedhur poshtë ekzistencën e kësaj shkrese, e po ashtu as zoti Veliaj, nuk ka bërë ndonjë koment që të mohonte një gjë të tillë.

Albin Kurti: Në Mejë pushon guri i Nënës Pashke

Në Mejë pushon guri i Nënës Pashke. Peshon rëndë. Sa dhembja e Nënës.
Bijtë e saj, Gjovalin dhe Milan Markaj, bashkë më 374 civilë shqiptarë të paarmatosur dhe të pafajshëm u rrëmbyen, u vranë dhe u zhdukën nga forcat e armatosura të Serbisë më 27 prill 1999, në masakrën e Mejës dhe Korenicës. Deri në vitin 2003 ishin të zhdukur. Ata u gjetën në varrezën masive në Batajnicë të Serbisë.
Më 24 maj 2003 u rivarrosen Gjovalini dhe Milani. Tri ditë më pas, pasi e kreu të pamen, nëna Pashke i vuri vetës flakën. Pasi flakët e luftës ia dogjën shpirtin, ajo i vuri flakën trupit.
E kujtojmë sot e ҫdo ditë. Përditë e përjetë.
Lavdi!

ALEANCA E BRISHTË NDËRMJET XI E PUTINIT- Nga FEDERICO RAMPINI- Përktheu Eugjen Merlika

 

“Keep on Rockin’ in the Free World” ka kënduar sekretari i Shtetit Antony Blinken, duke shoqëruar me kitarrë në një bar të Kievit. Por ajo copë klasike e Neil Young është më pak optimiste nga sa mund të duket nga tituli. E kompozuar më 1989, ndërsa shëmbej blloku komunist i zotëruar nga Bashkimi Sovjetik e Amerika fitonte luftën e ftohtë, ajo këngë ishte, mbi të gjitha një autokritikë për të këqijat e shoqërisë amerikane. Edhe atëherë, në majën e prestigjit tonë botëror, këndonim “kundër” vetvetes.

Tridhjetepesë vite mbas rënies së Murit të Berlinit, “bota e lirë nuk po vallzon rokun”, comenton Washington Post. Shfaqja e Xi Jinpingut që në kuptimin e vërtetë të fjalës përqafonte Vladimir Putinin – një paraqitje dashurie e pazakontë për udhëheqësin solemn kinez – don të shprehë veçimin e Perëndimit. Vizita e gjatë e Putinit në Republikën Popullore ka çimentuar Boshtin që nuk ka asnjë logjikë ekonomike: shkëmbimi i mallrave ndërmjet Kinës dhe Perëndimit vlen gjashtë herë t’atij me Rusinë. Ndërmjet atyre të dyve ngjitësja është shumë më e fuqishme se sa interesi lëndor: neveria për “botën e lirë” e synimi për të shpejtuar rënien tonë, të vërtetë apo të supozuar që të jetë.

Boshti Xi-Putin ka shumë kundërshti dhe brishtësi. Por duhet konstatuar dukja: një pjesë e mirë e botës është në anën e tyre, ndoshta edhe për armiqësinë e përbashkët kundrejt nesh.

Shih përparimin e Rusisë n’Afrikë, që vazhdon edhe në këto javë (e i bën disi të vonuara disa nisma të reja si Planin Mattei). Nixheri është i fundit i një sëre të gjatë të regjimeve të grushteve të shtetit që kanë vendosur të përzënë ushtarakët amerikanë. Me gjithë problemet ekonomike që krijoi me mësymjen e Ukrainës, Putini arrin të shtriijë ndikimin e tij ushtarak n’Afrikë, Vënd mbas Vëndi, në sajë të Grupit Wagner. Franca është e rrethuar nga marrëzi kundër-koloniale madje planetare. Nuk mjaftojnë ish kolonitë e saj afrikane që e urrejnë dhe e kundërshtojnë, tani vihet edhe Kaledonia e Re në Paqësor të ngrihet kundër Parisit. Dukuria e hedhjes poshtë të Perëndimit është botërore.

Anekdotë vetiake: në një udhëtim të fundit në Porto Riko, territor SHBA, por jo i barazuar plotësisht me 50 Shtetet e tjerë të Bashkimit, dëgjova se ndërmjet të rinjve rritet përqindja (edhe se në pakicë) e atyre që do të donin pavarësinë e plotë. Të infektuar nga dogmat e shesheve universitare amerikane në kontinent, a nuk shohin se përkatësia në Komonuelthin amerikan i ka shpëtuar nga fati i Haitit apo të Kubës?

Ende Perëndimi nuk ka marrë masat e duhura kundrejt problemit, se sa është urgjente të rimerret nisma e Jugut të Madh për t’u a hequr ata XI-së e Putinit. Tragjedia e Gazës ka rënduar humoret kundër-amerikanë e kundër-perëndimorë ndërmjet shumë Vendeve të Jugut, jo vetëm myslimanë: n’Azi, Afrikë, Amerikën Latine, shumë rigjejnë atë shpirtin e “botës së tretë” që, në vitet Gjashtëdhjetë e Shtatëdhjetë i dorëzoi ata propagandës sovjetike ose maoiste apo kastriste. Një hop mbrapa në të shkuarën. Si atëherë, Perëndimi vallzon rokun duke u vetëfshikulluar e duke shprehur tmerr për vetveten. Dje Ernesto Galli della Loggia me të drejtë ka vërejtur se problemi fillon me vetë neve dhe indoktrinimin e dhënë të rinjve tanë. Psikoterapistët na mësojnë se nëse nuk ke asnjë thërrime vetëvlerësimi, nëse luan me poshtërimin e shkatërrimin, është e vështirë që të tjerët të të respektojnë. Ajo që bota mendon për ne është përfundim i një praktike të gjatë vetë-shkatërrimi, në të cilin jemi përshkruar si qytetërimi më i rrezikshëm i historisë njerëzore, duke nxirë dy shekuj të historisë së përparimit. Por kuadri është më pak rrënimtar se sa duket. Të marrim përqafimin e XI-së e të Putinit. Një studjues rus që drejton në Berlin Carnegie Russia Eurasia Center, Alexander Gabuev, ka përshkruar përdhunimin e kulturës e të historisë së popullit të tij, që Putini kryen n’emër të nënështrimit ndaj Kinës. Rusët papritmas blejnë vetëm “made in China”, bëjnë pushimet në Kinë, i shkruajnë fëmijët në shkollën e gjuhës mandarine. Është një përpjekje për të shrrënjosur shekuj prirjesh evropiane në zakonet e në kulturën ruse. Paraqitja e botës që i kundërvihet Perëndimit një “koalicion i gjithë të tjerëve” davaritet sapo vërehet se çfarë ndodh në afërsi të perandorive autoritare. Jo vetëm Ukraina, edhe shoqëria civile në Gjeorgji është në luftë kundër detyrimeve të Moskës. Jo vetëm Taivani, edhe Filipinet mobilizohen për t’u mbrojtur nga ekspansionizmi agresiv i Xi Jingping-ut.

Përsa i përket të rinjve tanë: nuk i japim të drejtën nëse i njëjtësojmë të gjithë me rradhët pro-Hamas që djersitin urrejtje kundër Perëndimit. Këtu n’Amerikë faqja tjetër e botës rinore është një shpërthim i krijimtarisë teknologjike e sipërmarrësie: mosha nën 29 vjeçe, e puthur nga punësimi i plotë, shpreh një përqindje të rinjsh që drejtojnë start-up. Janë talentet e rinj që projektojnë etapat e ardhëshme të inteligencës artificiale, një sektor në të cilin Amerika ka fituar drejtimin botëror. Do të ishte jo bujare të përcaktohej ajo pjesë e brezave të rinj si “shumicë e heshtur”. Nuk janë aspak të heshtur në laboratorët e kërkimeve e në këshillat e administratave ku punojnë. Mes tyre një kuotë janë talente të importuar, vijnë nga Jugu i Madh që “voton me këmbë”: vijnë në Amerikë sepse besojnë në lirinë e sipërmarrjes e në ekonominë e tregut. Ideja e tyre e Perëndimit, kaq e ndryshme nga ajo e Putin-Xi, meriton vëmëndje.

“Corriere della Sera”, 18 maj 2024 Përktheu Eugjen Merlika

Fjalimi i prost*tutës për virgjërinë – Nga AGIM XHAFKA

Sot, pasi ka vite që iu përlye për vjedhje krejt ekipi qeverisës, pasi po i futen në burg duar-duar deputetë, ministra, kryetarë bashkie, drejtorë, pasi prognoza flet për qamet lejla, Rama në parlament bëri veç atë që bën vite e vite. Bojatisje, shpërqendrim, rrena, shpifje dhe aktrim. Kërkoi që të miratohej një rezolutë antikorrupsion.

Kërkoi që me grabitësit e vet të luftojë grabitësit. Që i ka mes vedi.

Pa bërë analizë se nuk ia vlen, nga që tashmë pa skaner fare perceptimi i shqiptarëve qeverisë së tij ia ka vënë emrin; ‘HAJDUTE’, them se atij i shkon për shtat analiza financiare e një shtëpie publike. Ose e një bordelli, siç rëndom e përdor Rama këtë fjalë.

-Të bëjmë reformë të thellë,-propozoi në një mbledhje pronari i bordellit.

-Si? Na e thuaj!-iu lutën anëtarët e bordit.

-Po ja, ta fillojmë nga perdet. Të blemë ca të reja. Që të kenë ngjyrë lejla, psh.

Ndërsa të pranishmit miratonin me kokë, pronari vazhdonte me zell.

-Të ndërrojmë dhe krevatët. Që mos jenë të zhurmshëm. Qetësia u duhet klientëve ato çaste. Dyshekët t’i marrim antibakterialë, por dhe jo aq të butë. T’i blejmë të fortë që kështu t’i vijmë në ndihmë çdo pozicioni të çiftit.

Kuvertat mendoj…

Por nuk e vazhdoi dot më tej. Se ndërhyri kodoshja e bordellit. Ajo pasi përplasi shpullën mbi tavolinë tha:

-Mjaft, o zotëri. Mjaft. Ne na duhen vajza të reja, të bukura, epshndjellëse. S’na vjen e keqja nga perdet apo dyshekët.

Se askush ato çaste nuk sheh më dhomën ku është, jo më perdet që do varen në dritare.

“Mbetjet e Banjskës”- Çfarë dihet për armatimin e fundit të konfiskuar në veri?

Armët e konfiskuara gjatë aksionit në Zveçan, më 14 maj 2024

Doruntina Baliu, Millosh Katiq

“Është depoja e pestë që ne e kemi gjetur brenda vitit”, tha ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, derisa prezantonte një arsenal armësh e municionesh të kapura në veri të vendit, më 14 maj.

aksionin policor që, siç u tha, u iniciua nga informacionet e inteligjencës, në Zveçanin e banuar me shumicë serbe, u kapën dhjetëra armë e eksplozivë dhe mijëra copë municion.

Autoritetet e Kosovës thanë se ky armatim i gjetur mund të jetë i lidhur me sulmin e shtatorit të vitit 2023, në fshatin Banjskë të Zveçanit.

Në atë kohë, një grup i armatosur serb e ka sulmuar Policinë e Kosovës në Banjskë, duke lënë të vrarë rreshterin Afrim Bunjaku.

Në shkëmbim e sipër të zjarrit janë vrarë tre sulmues.

Çfarë dihet për armët e konfiskuara?

Policia e Kosovës e as MPB-ja nuk kanë ofruar detaje mbi armatimin e gjetur në aksionin e fundit apo origjinën e mundshme të tij.

Megjithatë, Njësia e Forenzikës Digjitale të Radios Evropa e Lirë, ka arritur të identifikojë llojet dhe prodhimin e disa prej armëve e municionit të gjetur, në bazë të detajeve nga fotografitë e publikuara.

Plumbat e prodhuar në Serbi e BeH

Municioni i kalibrit 7.62mm x 39mm, që u ekspozua në objektin e Drejtorisë Rajonale Policore-Mitrovicë Veri, u prodhua në vitin 1991 në fabrikën “Prvi Partizan” në qytetin e Uzhicës, në perëndim të Serbisë.

Këta plumba janë të mbushur me barutin e llojit SB-515 të prodhuar në fabrikën “Millan Bllagojeviq” në Luçan të Serbisë, në vitin 1990.

Ata janë ekspozuar me numrin 9 pas aksionit të Policisë.

Për më tepër, municioni i të njëjtit kalibër u prodhua edhe në fabrikën “Igman Zavod Konjiq” në Bosnje e Hercegovinë, në vitin 1988, i ngarkuar me barut NC-08 të prodhuar në fabrikën “Millan Bllagojeviq” në Luçan më 1987.

Këta plumba janë ekspozuar me numrin 10 në fotografinë e mëposhtme.

Radio Evropa e Lirë ka provuar të marrë informacione nga këto kompani në lidhje me armët e kapura, por të njëjtat nuk janë përgjigjur deri në momentin e publikimit të artikullit.

Municioni i konfiskuar në Zveçan, numri 9 dhe 10.

Municioni i konfiskuar në Zveçan, numri 9 dhe 10.

Armët e gjata

Municioni 7.62mm x 39mm i kapur në aksionin e fundit, përdoret veç tjerash për armën “Zastava M72B1” që po ashtu u kap në këtë aksion.

Sipas faqes specializuar WeaponSystem.net, kjo pushkë nisi të prodhohet në vitin 1973 dhe është armë e përdorur si mbështetje për ekipin gjuajtës.

Kompania e armëve “Zastava”, tani me lokacion në Kragujevc të Serbisë, ka traditë të prodhimit të armëve që nga viti 1853.

Prodhimet e tyre eksportohen dhe rishiten në dhjetëra vende të botës.

Kjo armë është ekspozuar me numrin 13 në fotografinë e mëposhtme.

Armët e konfiskuara në aksionin e datës 14 maj në Zveçan.

Armët e konfiskuara në aksionin e datës 14 maj në Zveçan.

Pushka M70 në disa variante

Prodhimi i kësaj pushke sulmi filloi në vitin 1959, po ashtu në fabrikën “Zastava” në ish-Jugosllavi. Ajo përfaqëson një version të licencuar të pushkës së quajtur Kallashnikov.

Nga viti 1970 u përdor gjerësisht nga ushtria jugosllave.

Deri në 4 milionë pushkë M70 besohet se janë prodhuar në versione të ndryshme.

Kjo pushkë është parë në fushëbeteja dhe konflikte në Afganistan, Angola, Qipro, Irak, Jordani, Kenia, Mali, Ruandë, Siri, territore palestineze…

Përdoret, po ashtu, në Bosnje dhe Hercegovinë, Kroaci, Maqedoni të Veriut, Mal të Zi, Serbi dhe Slloveni, ndërsa prodhohet ende në fabrikën e armëve “Zastava Oruzhje” në Serbi.

Kompania “Zastava” nuk i është përgjigjur kërkesës së REL-it për informacione në lidhje me këto armë.

Pushkët M70 janë të ekspozuara me numrat 2 dhe 4 në fotografinë e mëposhtme.

Pushkët M70 të konfiskuara gjatë aksionit të datës 14 maj në Zveçan.

Pushkët M70 të konfiskuara gjatë aksionit të datës 14 maj në Zveçan.

Përveç këtyre, në aksionin e Policisë u kapën edhe 62 shok-bomba, 1.5 kilogram eksploziv plastik dhe pajisje të tjera përcjellëse të armatimit.

E ekspozuar me numrin 17 shihet një pllakë mbrojtëse balistike me një shtresë anti-traumë, për t’u mbrojtur nga gjuajtjet.

Nga informacionet që shihen nga fotografia, ajo është e prodhuar nga fabrika “Mille Dragiq”, në Serbi, më 2003.

Pllaka mbrojtëse e konfiskuar në aksionin e 14 majit në Zveçan

Pllaka mbrojtëse e konfiskuar në aksionin e 14 majit në Zveçan

Kjo kompani në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë, ka thënë se vetëm nga fotografia nuk mund ta vërtetojnë se është produkt i prodhuar nga ata.

“Që të mund të japim mendimin tonë zyrtar dhe profesional duhet të kemi më shumë të dhëna dhe të bëjmë vlerësimin fizik të artikullit të përmendur nga fotografia”, thuhet në përgjigjen e kësaj kompanie.

Përveç konfiskimit të armëve, Policia e Kosovës ka njoftuar se në atë aksion kanë arrestuar edhe një ish-zyrtar policor të Kosovës pasi “dyshohet se është i lidhur me armët, të cilat janë gjetur në afërsi të shtëpisë së tij”.

Radio Evropa e Lirë kishte analizuar edhe sasinë e parë të armëve të konfiskuara pas sulmit në Banjskë.

Sipas hulumtimit, në shumicën e rasteve këto armë po ashtu ishin prodhuar në fabrikat serbe dhe ish-jugosllave të armëve.

 

Kush po i sjell armët në Kosovë?

Institucionet e Kosovës, por edhe raporte të mediave në Kosovë kanë ngritur dyshime për përfshirje direkte apo indirekte të Serbisë në armatosjen e veriut dhe sulmin e Banjskës, por një gjë e tillë është mohuar nga Beogradi zyrtar.

“Është e qartë kush qëndron prapa kësaj veprimtarie, si edhe pas depove të tjera të armatimit, sulmeve ndaj zyrtarëve tanë, pjesëtarëve të KFOR-it, gazetarëve e qytetarëve. Të njëjtit e sulmit të Banjskës, të cilët strehohen në Serbi e mbrohen dhe glorifikohen nga [presidenti serb] Aleksandër Vuçiq”, kishte thënë ministri Sveçla pas aksionit.

Në anën tjetër, Beogradi zyrtar nuk i është përgjigjur kërkesës për koment nga REL-i lidhur me arsenalin e fundit të armëve të kapur në veri.

Sipas Mentor Vrajollit, drejtor i Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë, është vështirë të verifikohet që Serbia në mënyrë të organizuar është duke dërguar armë në veri.

“Por, është shumë vështirë edhe të vërtetohet e kundërta”, thotë ai.

“Është e pamundur që gjithë ajo sasi e armëve të hyjë në Kosovë, një pjesë e tyre prodhim i vonshëm, e që askush nga shteti serb të mos ketë qenë i përfshirë në këtë kontrabandë”, thotë ai.

Sipas Vrajollit, në zgjidhjen e kësaj enigme duhet të kenë rol edhe institucionet ndërkombëtare të sigurisë.

“Krejt çka duhet është që komuniteti ndërkombëtar të flasë hapur për këtë problem dhe të bëjë trysni të drejtpërdrejtë që Serbia të mos fusë armë në Kosovë dhe të mos përpiqet të destabilzojë paqen në rajon”, thotë Vrajolli.

Brishtësia e vijës së gjatë kufitare të Kosovës dhe Serbisë, siç thotë ai, po ashtu e bën të vështirë kontrollin e kontrabandës së mundshme të armëve nga Serbia drejt veriut të Kosovës.

Në anketën e quajtur Barometri Kosovar i Sigurisë, i publikuar nga QKSS-ja, në vitin 2023, 77 për qind e të anketuarve kishin thënë se e shohin trafikimin e paligjshëm të armëve si një rrezik të lartë të sigurisë publike.

Ani pse janë disa të arrestuar për sulmin në Banjskë, ende nuk ka aktakuzë të ngritur.

Një e tillë pritet edhe ndaj ish-nënkryetarit të partisë më të madhe të serbëve të Kosovës, Listës Serbe, Millan Radoiçiq.

Ai kishte pranuar publikisht organizimin e sulmit, megjithatë vazhdon të jetë i lirë pasi është larguar nga Kosova pas sulmit. Radio Evropa e Lirë

“Sandër Sokolin e thyen në mes, na rrihnin sa nuk ecnim dot në këmbë”, ish-i bugosuri Bedri Blloshmi: Ju rrëfej Qafë-Barin dhe torturat çnjerëzore

Kampi i Qafë-Barit në Pukë, është një nga kampet më famkeqe të regjimit komunist. Me mijëra kundështarë të regjimit kaluan aty vite të tëra, duke punuar në miniera në kushte çnjerëzore, në një klimë terrori dhe dhune të vazhdueshme. Njëri prej tyre, Bedri Blloshmi, rikthehet në këtë kamp-burg 40 më vonë. Ai rrëfen për News24 mizoritë e Qafë-Barit, që sot ka mbetur vetëm një rrënojë.

I fshehur në mes të maleve, në një rrugë që gjarpëron mes pyjeve të dendur, mundësia për tu arratisur ishte pothuajse zero.

Bedri Blloshmi, i dënuar politik gjatë kohës së komunizmit, ka kaluar dy vite të jetës së tij në këtë Kamp. Megjithëse kanë kaluar mbi 40 vjet, ende e ka të freskët momentin e mbërritjes në Qafë-Bari. Ai shprehet se kujtimi i parë që i vjen në mendje sa vë këmbën në këtë kamp, është ftohti. Me borën që i kalonte 1.5 metrat, të dënuarit duhet të pununonin në galeritë e minierës, me tre turne. Të veshur keq dhe të ushqyer sa për të mbajtur shpirtin gjallë, për ata që nuk realizonin normën, vinte tortura në “Zyrën Teknike”.

Në fakt, e para gjë me të cilën përballesh sa hyn në territorin e kampit është ajo që quhej “Zyra teknike”. Me dritare nga oborri, ajo ishte vendi i torturave, e zgjedhur jo pa qëllim në atë pozicion, që të dëgjohej nga të gjithë të burgosurit ajo që ndodhte brenda. Blloshmi kujton se asnjëherë, asnjë i bugosur nuk doli dot në këmbë prej saj, nga troturat çnjerëzore që ushtroheshin mbi ta.

Ecim në oborrin e kampit-burg. Kudo që hedh sytë, çdo pjesë e tij i kujton një histori Bedriut. Menca, infermieria, oborri, për një ish-të dënuar në këtë kamp, kanë tjetër kuptim. Menca ishte vendi ku u torturuan të burgosurit, pas Revoltës së Qafë-Barit që ndodhi në të njëjtën ditë, 10 vjet pas asaj të Spaçit, por fundi i saj qe më i hidhur. Oborri, ishte vendi ku u vra në tortura Sandër Sokoli. Atij ju thye shtylla kurrizore nga dhuna, dhe u la të vdiste në agoni, pa ju dhene ndihmë. Infermieria ishte vendi ku trupat zhdukeshin, apo ndryshohej shkaku i vërtetë i vdekjes.

Kujtime të tilla, nga burgu dhe puna e detyruar, i rikthehen sa vë këmbën në këtë oborr, dhe rikthimet në Qafë-Bari, nuk i pëlqejnë Bedriut, tashmë të moshuar. Por nevoja për të rrëfyer, edhe për shokët që ja vranë para syve e nuk dolën dot nga ky ferr, e bën të vijë në këtë vend, sa herë duhet t’u tregojë atyre që nuk e kanë jetuar atë kohe. “Edhe pse kanë kaluar 40 vjet, kur shkel këtu, tmerri është i pranishëm kudo”- thotë Bedriu. Kudo që lëvizim nëpër kamp, vështrimi i tij, shkon në dritaret e zyrës teknike, dhe kujtimet, e përlotin ish-të burgosurn, që mundi të dilte i gjallë nga ky ferr.

Kujtimi i xhelatit Edmond Caja, sillet ende në këtë kamp, edhe pas 40 vitesh. Pengu që ai nuk e ka marrë ende dënuimin e merituar për krimet që ka bërë, e mbush më zhgënjm Bedriun.

Për të, ky nuk ishte një burg, e as një kamp pune, por një kamp i ngjashëm me ata të nazistëve, për shfarosjen e armiqve.

Mes përhumbjes nga kujtimet e dhimshme, vendos të na tregojë një histori që gjithë këto vite e ka mbajtur për vete, “Në orët e gjata të torturave dhe izolimit, për t’i dhënë fund vuajtjes, kam menduar edhe t’i japë fund jetës”- thotë, por shpresa se situata poltitike do të ndryshojë e mbajti gjallë.

Bashkë me ne në Qafë-Bari, ishin edhe një grup studentësh, por teksa u tregon atë që ka jetuar në këtë kamp, në sytë e tyre thotë se sheh një habi, dhe u duket e pa besueshme se si mendja njerëzore mund të prodhojë tortura të tilla.

Në 22 maj, u mushën 40 vjet nga Revolta e Qafë-Barit, dhe të vetmit që e kujtojnë këtë ferr, janë ata që kanë mbetur ende gjallë nga ish-të burgosurit. Shteti e ka lënë në harresë këtë vend, duke i lënë godinat të shëmben, e të marrin me vete edhe atë histori të trishtë, që u prodhua brenda këtyre mureve e telave me gjemba.

(BalkanWeb)

Vendimet e gjykatës si letra që s’thuhet- Nga LUTFI DERVISHI

Dy raste flagrante!
Parlamenti shperfill vendimin e Gjykatës Kushtetuese.
Komisioni Pavarur i Kualifikimit nuk zbaton vendimin e Gjykatës Apelit administrativ për të bërë transparent emrin e një sponsori të një aktiviteti!
E pamendueshme!
Njerëzit që vetojne faturat e prokurorëve dhe gjyqtarëve edhe të vitit 1991 jo vetëm nuk zbatojnë ligjin 119/2014 per te drejtën e informimit, por kanë guximin të mos zbatojnë vendimin e gjykatës!? Dhe gjykatës se reformuar prej tyre!
Çfarë ndodh kur nuk zbatohen vendimet e gjykatave?
Themelet e sistemit juridik hidhen në erë dhe besimi publikut te gjykata kthehet në shaka.
1. Minohet sundimi ligjit
Moszbatimi i vendimeve gjyqësore dobëson sundimin e ligjit, pasi u lejon individëve, subjekteve, apo institucioneve të shpërfillin vendimet pa e vrarë mendjen. Për pasojë rritet paligjshmëria dhe mosndëshkimi. Kushdo bëhet “trim” duke shpërfillur ligjin. Dhe vjen dita dhe hapim gojën me guximin që kanë për të grabitur prona dhe fonde publike.
2. Humbja e besimit tek gjyqësori: Kur vendimet e gjykatës nuk respektohen, besimi publikut te gjykata shkon në zero.
3. Rritja e mosmarrëveshjeve dhe konflikteve:
Vendimet e gjykatës që mbesin në letër shtojnë mosmarrëveshjet mes palëve në konflikt. Kjo situatë sjell konflikte të mëtejshme, juridike dhe sociale, pasi palët e dëmtuara i drejtohen mjeteve alternative për të zgjidhur hallin. Dhe pyesim pse janë rritur aktet e vetëgjyqësisë dhe referencat në Kanun.
4. Demokracia si farsë
Respektimi i vendimeve gjyqësore është thelbësor për ruajtjen e ndarjes së pushteteve dhe sigurimin e kontrolleve dhe ekuilibrave brenda një sistemi demokratik. Kur vendimet e gjykatave shpërfillen, minohet parimin e pavarësisë së gjyqësorit dhe demokracia kthehet në parodi.
5. Ndikimet në investime dhe stabilitet ekonomik:
Zbatimi sipas dëshirës i vendimeve gjyqësore shkurajon investimet vendase dhe të huaja. Kush do të punojë dhe jetojë në një vend ku nuk sundon ligji?
Kur nuk zbatohen vendimet e gjykatës nuk ka më kuptim të flitet per shtet të se drejtes, por për xhungel.
Qershia mbi torte një tjetër ngjarje në polici:
Nje oficer policie fiton gjyqin në të dy shkallët e gjyqësorit për njohje e grades në bazë të karrieres. Me vendimin e gjykatës në dorë shkon te (ish) drejtori i përgjithshëm i policisë i cili pasi lexon vendimin në konfidencë i thotë:
“ke të drejtë, por kam vendosur të mos zbatoj asnjë vendim gjykatash për gradat”
Çfarë të thuash?
Mbetet të pyesim nëse ligjet janë për t’u zbatuar apo janë thjesht çështje interpretimi?

BE-ja dhe lobimet e Serbisë kunder Kosovës- Nga SKËNDER MULLIQI

Së bisedimet Kosovë –Serbi nuk është dashur të zhvillohen pa kushte nga pala e jonë, flasin shumë të dhena.Së pari, Serbia,pas përfundimit të luftës në ish-Jugosllavi, nuk e pranojë realitetin e ri të Kosovës shtet sovran dhe i pavarur.Kosova u fut një bisedime për normalizimin e marrdhënjve pa asnjë kusht.Dhe, këtë gjë që nga fillimi e deri më tash Serbia e shfrytëzoj për të zhvilluar bisedimet sikur Kosova të ishte pjesë e saj.Zatën pushtetet në Serbi më këtë gjë lëgjitimoj pushtetin gjenocidial të Milosheviqit.Maratona e bisedime të deri tashme shpërfaqi pikëpamjet fashiste serbe ndaj Kosovës, më pretendimet territoriale te saj.Edhe, BE-ja nuk kërkojë që paraprkisht Serbia të pranon shtetësinë e Kosovës, dhe kjo ndikojë më duket mua që vazhdimi i bisedimeve mos të sjellë rezuluatin e pritur, të ndonjë marrveshje finale.Edhe pushteti i Vuqiqit si edhe ato pushtetet paraprake, po vazhdon më retorikën luftënxitëse e pushtuese për ndarje të Kosovës.Së ishte gabim futja në bisedime nga pala jonë, flasin edhe argumentet e lobimit të Serbisë kunder inkuadrimit të Kosovës në organizmat relevant të BE-së, edhe pse ky shtet ka marr zotimin më marrveshje të Brukselit për mos lobim.Serbia lobojë të shumë shtete që të çnjohin pavarësinë e Kosovës.Pastaj ,vazhdojë më lobimin e ashpër që Kosova mos të pranohet në Këshillin e Evropës, dhe e arriti këtë synim më ndihmen e Francës , Gjermanisë dhe Italisë , pasi që Asambleja Parlamenetare e kishte dhënë dritën e gjelbër përkunder argumentimeve te Bokojanis së Kosova i plotëson të gjitha kushtet për pranim në këtë organizem ndërkombëtar.Ju vu kusht Kosovës si gjithmonë implementimi i Asociacionit të komunave më shumicë serbe, të viteve 2013 dhe 2015, që është asociasion e pa pranueshem për Kosovën.Nuk po pranohet nga BE-ja një implementim i draft statutit të asociacionit nga Kosova, dhe më të drejtë u refuzua draft statusi dërguar nga BE-ja institucioneve të Kosovës, për tu dërguar në Gjykatën Kushtetuse.Është e quditshme gjithë ky tolerim ndaj një regjimi krejt kriminal në Serbi, i cili fund e krye është orjentuar nga Rusia dhe Kina, dhe i cili regjim i Vuqiqit së bashku më Putinin janë duke kërkuar më ngulm luftë edhe në Ballkan, për qëllime ekspansioniste.Të kthehemi të libimi më i ri serb , për mos avansim të statusit të Kosovës nga vëzhgues në anëtër të asociuar në Asamblen Parlamentare të NATO-s.Delegacioni serb kishte kërkuar në takim më delegacionin amerikan në NATO, Michael Turner, duke i dorëzuar një letër të Ana Bernabiq, si thirrje për mos pranim të Kosovës.Asambleja përbëhët nga 281 delegacione nga 32 vendet anëtare të NATO-s.Kuvendi i Kosovës, prej dy vitësh, është delagacion vëzhgues me dy ulëse.Me ngritjën e nivelit të përfaqësimit do të zgjerohej edhe delagacioni i Kosovës.

Administrata dhe kabinetet dynden drejt Italisë, ministra, deputetë e kryebashkiakë mbushin sallën

Ministra, deputetë, kryebashkiakë, administratë e deri në arsimtarë kanë qenë masiv në udhëtimin e shkurtër për të duartrokitur liderin e tyre në takimin që ka mbajtuir në Itali.

Mes ‘refugjatëve’ që duartrokasin Edi Ramën nëpër turmë, janë Erion Veliaj, Ulsi Manja, Pjerin Ndreu, rakip Suli, Elton Arbana, drejtorë e drejtoresha bashkie, mësues e administratë që kanë mbushur sallën.

 

SYRI TV

E diela nuk ka qenë një ditë pushimi për adminsitratën, e kjo jo për shkak të ndonjë angazhimi pune në shërbim të qytetarëve, por për të mbushur sallën e takmit të kryeminsitrit Edi Rama në Itali

Jo vetëm administratë, por edhe titullarë institucionesh. Nëpër rrjetet sociale nga radhët e socialistëve nuk ngurohet të shpërndajnë foto e video nga takimi i kryeministrit Edi Rama në Itali.

Listën e personave që kanë prerë një biletë afatshkurtër në vendin fqinj e drejtojnë ministra, si Ulsi Manja i drejtësisë, apo kryebashkiakë si Erion Veliaj, Rakip Suli i Kamzës e
Mes turmës i kamufluar si emigrant shfaqet diku edhe kryebashkiaku i Shijakut Elton Arbana, duke duartrokitur fjalimin e liderit.

Më pas vijnë nga administrate, si Drejtoresha  e Shërbimeve Sociale në Bashkinë e Tiranë, Matilda Zizolli.

Në rrjetet soaciale nuk mungojnë pamjet nga takimi që ka shpërndarë nga vendi ku mbahet  Armando Subashi që drejton bashkinë e Fierit, apo ministri Brendshëm Taulant Ballës.

Por jo vetëm kaq, edhe për mësuesit e arsimtarët do duhej të ishte një ditë e zakonshme pushimi, por nuk ka ndodhur kështu, ato janë rreshtuar nëpër avione e autobusë për të dëgjuar fjalimin e Ramës që iu flet emigrantëve nga ekrani, pasi në sallë me sa duket ka në pjesën më dërrmuese administratën shtetërore.

Itali- Mega parullë kundër Ramës: Me Kurtin Shqipëria shpreson, me ty Shqipëria vdes

Ndërkohë që kreu i qeverisë shqiptare përgatitet të takojë edhe në Milano patronazhistët dhe ekipet e punonjësve të bashkive të ndryshme te vendit që kanë udhëtuar që nga dje për të marrë pjesë në mitingun e tij, emigrantë shqiptarë kanë shprehur protestën e tyre për këtë vizitë.

Një parullë e madhe kundër Ramës është shfaqur ne vendin ku do zhvillohet takimi.

Image

“Me Kurtin Shqipëria Shpreson, me ty Shqipëria vdes”, është mesazhi i shkruajtur.

Kjo sipas Gazetares së Syri tv Alba Kepi është një mega parullë kundër Ramës e vendosur në Bustio Arsizio.

Edhe në Athinë kreu i qeverise u prit nga emigrantë shqiptarë të cilët kundërshtojnë politikat e tij dhe korrupsionin galopant që bën qeveria e tij qendrore dhe lokale.

Image

Publikohen emrat e 18 fëmijëve shqiptarë të zhdukur! Nga Bleona Mata te Julian Çela

Në episodin “Fëmijëri e humbur” të podcastit “Fol me Anila Hoxhën”, projekt i qendrës FOL i mbështetur financiarisht nga ambasada amerikane në Tiranë që transmetohet të shtunën e fundit të çdo muaji në Top Albania Radio, tema e diskutimit ishte për fëmijët e zhdukur.

16 fëmijë janë shpallur të humbur nga Interpoli. Disa prej tyre janë deklaruar të humbur pasi  njëri nga prindërit i ka rrëmbyer. Ndërsa për të tjerët nuk dihet asgjë. Juliana Hoxha ishte shtatë vjeçe kur humbi më 1992.

Xhevahir  Gezdari, 12 vjeç, humbi më 1995. Djali i një zyrtari të antiterrorit në shërbimin sekret,  Julian Çela 10 vjeç u deklarua zyrtarisht i humbur në 2013, Eva Dumani  më 2014 ishte 9 vjeç, u rrëmbye bashkë me të vëllain nga i ati duke u dërguar me luftime në Siri.

Aleksandër Nikolli ishte 13 vjeç më 1998, Noel Musa, nëntë vjeç  më 2019, Arisa Barci 13 vjeçe, shpallur e humbur më 2019, 3 vjeçe, tre fëmijët Kledi , Robert dhe Amelia Peshpali përkatësisht përkatësisht  12, 11 dhe 4 vjeç u deklaruan të humbur nga Interpol më 2019.

Artur Carja ishte nëntë vjet kur u shpall i humbur, Blerta Selaj humbi më 1999 dhe ishte tre vjeçe, Bleona Mataj ishte 6 vjeçe  dhe u deklarua e humbur më 2010 , Elson Lleshi  10 vjeç  humbi më 2009  dhe dy fëmijët Jon dhe Janina Gashi  6 dhe 4 vjeç  u futën në listën e Interpolit si të humbur më 2015. sn


Send this to a friend