

Nga Petraq Xhaçka
Pjesa e pesëmbëdhjetë
Qëllimi i këtij libri, është të bashkojë ndihmesën në përpjekjet që bëhen, për të paraqitur të vërtetat dhe tmerret e diktaturës komuniste në Shqipëri. Qëllimi kryesor i librit, nuk është t’i tregojë popullit tonë e kujtdo tjetër, se ne naftëtarët kemi qenë të pafajshëm, sepse kjo është bërë e njohur nga botime në shtypin tonë, nga televizionet e huaja, si dhe nga takimet direkte me Forumin Ndërkombëtar dhe atij shqiptar të të Drejtave të Njeriut. Dëshira e autorit, është që nëpërmjet kësaj historie, së bashku me tregime të tjera, të luftohet çdo shfaqje në çfarëdo forme, qoftë dhe të moderuar, që ai mund të ketë për të krijuar një shoqëri komuniste. Mendoj se edhe nëpërmjet kësaj historie të hidhur personale, do të shfaqet fytyra mizore e pabesë dhe prepotente e enverizmit, që për një gjysëm shekulli, ja mbajti thikën me majën në gjoks popullit shqiptar, me syrin pishë, duke përgjuar lëvizjet për shpëtim nga jashtë, apo rebelim të vetë popullit, i gatshëm ta shtynte thikën drejt zemrës, në lëvizjen më të parë. Ngjarjet janë vënë në fushat ekonomike ku ajo është shfaqur më me forcë, siç ka qenë industria e naftës dhe e gazit, ku pata fatin të derdh energjitë e mia, për një jetë të tërë dhe të bëhem në ato ngjarje pjesëtar dhe dëshmitar. Të gjitha ngjarjet që shkruhen në këtë libër kujtimesh, janë të vërteta, jo vetëm pa asnjë për zmadhim apo zbukurim të tyre, por ndofta, nuk di sa kam mundur të paraqes forcën tmerruese të ngjarjeve që ndodhnin në atë sistem dekadent të socializmit, ku nuk ekzistonte asnjë ndjenjë humane.
Nuk di cilin tjetër, por mua më thirrën në hetuesinë speciale, në Tiranë. Më bënë të ditur që në një orë të caktuar, të paraqitesha në hyrje të Burgut të Ri. Vendi ku më thërrisnin, m’u duk ogurzi. Megjithatë tronditja që pata kur ma thanë, nuk ishte asgjë para asaj që ndjeva e pashë, kur hyra brenda në ndërtesën e rëndë e të frikshme të Burgut të Ri të Tiranës. Më futën nga dera e madhe e hekurt dhe më shoqëruan nëpër korridoret e katit dytë të burgut. Aty kalova nëpër disa dyer të tjera prej hekuri, të montuara përgjatë korridorit, në një distancë prej disa metrash nga njëra – tjetra. Secila nga këto porta, ruhej prej një ushtari. Zymtësia e atyshme më futi një ndjenjë tmerri, që përfshiu tërë qenien time.
Në një zyrë me dritare të përforcuara me hekura të trashë më pritën dy hetues, emrat e të cilëve nuk i mësova kurrë. Njëri prej tyre, me një trup të madh, linte të dukej që ishte ai përgjegjësi, ndërsa tjetri ishte me një shtat të imët dhe pak si ezmer. Më thanë të ulesha. Me ndjenjën e pafajësisë, duke menduar sidoqoftë se nuk quhesha unë subjekti fajtor dhe e shumta se do të më pyesnin, për të qartësuar disa probleme debatesh teknike me specialistët e burgosur, u drejtova tek një karrige e lirë, që ishte në afërsi të dritares dhe bëra të ulem pranë tavolinës së hetuesit. Ai ndërhyri menjëherë dhe më tha se duhej ta lija atë karrige, sepse ajo nuk ishte për mua. Më tregoi me gisht një karrige tjetër, përballë tavolinës, pranë faqes së murit.
Ajo i ngjante një bangoje shkolle, tepër e vogël për një njeri me fizik si imi. Ishte prej dërrase dhe e mbërthyer në dysheme.
Ishte hera e parë që në jetën time, hyja në një ambient hetuesisë, që m’u duk aspak i këndshëm. Nga kjo dhe nga mënyra se si mi drejtonin pyetjet, e kuptova se afërsisht, edhe unë isha në pozitat e një gjysëm të akuzuari. Për ta, me sa dukej, kushdo që merrej me nxjerrjen e naftës, bënte pjesë në kontingjentet e armikut. Pyetjet shkuan gjatë, afro tri orë. Thelbi, ishin planifikimet e fryra e të pabazuara të kërkimeve dhe të nivelit të nxjerrjes së naftës, hartuar kryesisht nga autoritetet shtetërore dhe partiake, për të cilat unë kisha shfaqur kundërshtime, qëndrim i drejtë ky, që unë e mbrojta dhe aty.
I quajta dhe në hetuesi; plane jo të bazuar mirë teknikisht, sidomos për punimet dhe vlerësimet jo të sakta të rezervave të naftës e gazit, në shtratimin e Sarandës. Këto të vërteta ishin dhe të argumentuara shkencërisht, por të hynin të dridhurat, tek i shikoje ata njerëz, ndërsa i shkruanin me kujdes në letër dhe të kërkonin në fund, të nënshkruaje të gjitha përgjigjet. Vetëm pas kësaj, më liruan. E theksoj edhe një herë, se gjatë gjithë kohës, nuk më ofruan asnjë cigare apo gotë ujë, e nuk shkëmbyen me mua asnjë fjalë të lire, jashtë pyetësorëve, si për kohën e shëndetin, që sado formale janë, do të tregonin se ata nuk kishin të bënin me një të akuzuar.
U ktheva në shtëpinë time në Fier, i shtypur nga pesha e atij ambienti të rëndë. Më dukej se ende e kisha gojën të tharë nga ajo seancë pyetjesh, për të cilat, më së shumti, kërkonin përgjigje, që të nxirrnin në atë përfundim, që u interesonte atyre. Këtë e bënin më kollaj kur, për shembull, futej në lojë përplasja ime me ndonjë nga specialistët e burgosur: Le të kishte qenë ai një debat tekniko profesional! Ata gjallëroheshin, duke e shtyrë ngjarjen drejt kuptimit politik, e duke i dhënë pozicionit të grupit, një ngjyrë sabotazhi. Tërë kohën atë ditë, me ishte dukur vetja zog i zënë në leqe. Dhe kjo nuk mbaroi me kaq. Më thirrën te Burgu i Ri edhe tri herë të tjera. Orë të tëra, i njëjti mjedis, e njëjta mungesë totale e mirësjelljes, thuajse armiqësi e plotë.
Ishte një hetim i mirëfilltë, me të vetmin ndryshim, që nga shtëpia sillesha pa pranga në duar dhe prapë pa ato, kthehesha në Fier. Nga një pikëvështrim, dukej e arsyeshme që unë të pyetesha, ngaqë përmendesha në fjalimin e Hoxhës. Por unë atje, për belanë time, përmendesha shumë pozitivisht, gjë që në sytë e këtyre njerëzve kjo hollësi, nuk po shquhej aspak. Kjo linte të kuptohej se; ose paranojaku i madh Enver Hoxha, ndërkohë, kish ndryshuar mendje, ose këta “qen gjahu”, gjuajnë në lista vetëm pas emrave, e jo pas cilësorëve?! Por shumë shpejt e kuptova, që paskësh qenë hamendja e parë.
Për këtë u binda pas një viti, kur tashmë gjyqi i grupit, që Enver Hoxha vendosi ta sakrifikojë, qe zhvilluar. Më thirrën të paraqitesha në zyrën e Sekretarit të Parë të Komitetit të Partisë së rrethit të Fierit, Nimet Canit, që kish ardhur në atë post, pas vetëvrasjes së Pirro Gushos. Ai më priti mjaft ftohtë. Më ftoi të ulesha dhe hyri drejt e në temë, ashtu i ngrysur siç ishte. – Shiko, – më tha, – për ty, nga gjyqi i grupit të sabotatorëve, kanë dalë dhjetë pikëpyetje. Edhe ti akuzohesh, se nuk ke vepruar sipas orientimeve dhe mësimeve të Partisë, në fushën e kërkimeve të naftës.
Përmbledhtazi, ai m’i parashtroi, ato që më ngarkoheshin mua. Mbasi i dëgjova me kujdes, e ndjeva se ato nuk qëndronin fare. Ishin të thëna pa përgjegjësi, e sidomos të paargumentuara në fakte. Dukej hapur që ishin interpretime keqdashëse, nga njerëzit që ishin marrë me këtë punë, në grupin e ekspertizës dhe nga punonjësit e Sigurimit të Shtetit. Për nja dy puse që përmendeshin aty, se ishin shpuar larg vend-burimeve ekzistuese, unë i thashë se kish ngatërrim periudhash dhe se ato puse, ishin shpuar para se të dilnin orientimet e Partisë, për politikën e shpimeve.
Po kështu përmendeshin edhe disa puse të Shpuar me një sasi e nivel punimesh seizmike të pamjaftueshme, për të cilat dhe unë në Këshillin Shkencor, kisha qenë dakord që të bëheshin. U mundova t’i argumentoja, se në terrene ku janë shpuar këto puse, nuk mund të futej seizmika dhe ne kishim edhe shumë puse të tjerë të shpuar në të tilla kushte, që kishin qenë jo vetëm pozitive, por ishin bërë pikënisje, për të zbuluar vend-burime të reja. Pra, ato duheshin gjykuar në bashkësi, e jo të shkëputura, sepse pa ato puse negative, nuk do të ishin zbuluar këto vend-burime që kishim aktualisht.
– Më vjen keq, shoku Sekretar i Parë, – i thashë me urtësi. -Partia e ka vlerësuar lart, rezultatin e puseve të shpuara me atë nivel seizmik të pamjaftueshëm. Si është e mundur, që tani juve ua raportojnë këtë punë si të keqe, deri dhe të dëmshme e gati sabotuese?! Aq më tepër, shoku Nimet, po të duam të bëjmë krahasim me vitet para ’67-ës. Në ato kohëra, ne nuk kishim orientime të Partisë, për si, e sa duhet të shpojmë në gëlqeror, si e sa në ranore dhe si duhet të ishte kompleksi. Por ne, si specialistë, duke vlerësuar të gjitha mundësitë reale të vendit dhe terrenit, patëm gjykuar midis nesh, nëse duhej shpuar apo jo pusi.
Dhe këto janë bërë me diskutime të gjera në kolektiva dhe janë miratuar në ministri. Pra, ky nuk është veprim i vetëm një njeriu, ose i vetëm disa njerëzve. Ato janë përfundim i të gjithë specialistëve, që merren me këtë punë. Këtu juve ju kanë raportuar gjëra, për të cilat unë nuk mund të jem përgjegjës, sepse në ato vite, nuk punoja në Institut, nuk isha anëtar i Këshillit Shkencor dhe nuk kisha asnjë lidhje e asnjë dijeni, për këto puse. Si mund të ngarkohem me përgjegjësi?! Ai me shikonte i hutuar, se si unë po bëja mbrojtjen e punës sime.
– I them këto, shoku Sekretar i Parë, – vazhdova me këmbëngulje, -se ato vërejtje, jo vetëm që nuk qëndrojnë, por janë marrë të shkëputura, të njëanshme e disa janë fare absurde. Natyrisht e ndjeja të zorshme, t’i thoja copë Nimet Canit, se ato ishin orientime të gabuara, të bëra nga njerëz jo kompetentë. Sidomos pas atyre ngjarjeve rrëqethëse të 5 marsit 1975, ne naftëtarit nuk mund të thoshim, se fajtorë për këtë, ishte vetë udhëheqja e shtetit, që nuk pranoi kurrë nevojën e blerjes jashtë, të pajisjeve seizmike të përparuara, por na linte të punonim me një teknologji, fare të prapambetur sovjetike.
“Unë nuk të kam thirrur këtu për të diskutuar, qëndrojnë apo jo këto çështje, – ma ktheu sekretari Nimet Cani. – Unë u besoj këtyre letrave që kam përpara dhe të thirra që të të paralajmëroj, të punosh me kujdes dhe të zbatosh seriozisht porositë dhe mësimet e shokut Enver, për naftën. Ne të vlerësojmë, si një specialist mjaft të mirë, që punon shumë. Ti ke kontribuar në zbulimin e vend-burimeve të reja, prandaj ne kemi besim, se do të punosh më mirë, duke i patur shumë qartë në kokë, vërejtjet që të bëra në fillim të bisedës tonë”.
Mësova së të tilla shkundje, u ishin bërë edhe specialistëve e drejtuesve të tjerë të naftës. Edhe ata qenë thirrur në organe të ndryshme, u ishin vënë në dukje vërejtjet për ta dhe u ishin bërë të qarta paralajmërimet. Që të gjithë ishin porositur, të mos ia tregojnë njeriut tjetër paralajmërimet që kishin marrë. Unë, për vete, u shqetësova shumë. Nga kjo kohë, pagjumësia për mua u bë e zakonshme. Tashmë u binda plotësisht, se në vendin tonë, jeta dhe fati i njeriut, nuk mund të ishte e sigurt për asnjë vit, për asnjë ditë, bile as edhe për një orë. Në varësi të interesave të elitës partiake, shumë shpejt, e bardha mund të bëhej e zezë dhe anasjelltas.
Një luftë e madhe e brendshme zhvillohej në veten time, e shpesh shtroja pyetjen, se; çfarë duhet të bëja në këto kushte, kur e dija që, zyrtarisht, kisha tashmë një dosje të hapur, nga ana e Sigurimit. Tri, ishin mundësitë, të bëja çmos të largohesha nga kjo punë, gjë të cilën kisha vite që e kërkoja dhe nuk ma lejonin, t’i jepja fund jetës, për të mos u krijuar fëmijëve vështirësi për të ardhmen, gjë jo e përditshme, tepër e rëndë dhe me rezultate të pasigurta politike dhe e treta që mbetej, ishte të punoja kokulur, natyrisht jo vetëm me ndërgjegje si dhe më parë, por me një kujdes të veçantë në zbatimin e orientimeve, sado të paqëllimshme e antishkencore, të ishin ato.
Kjo rrugëzgjidhja e tretë që bëmë ne, pjesa më e madhe e inteligjencës në naftë, ishte njëkohësisht edhe më e paparashikueshmja, më e pasigurta dhe përvoja kish treguar, po tregonte dhe do të tregonte, se kish ngjyrat e një llotarie, mbi të cilën ti vetë, nuk ndikon aspak. Njerëzit vazhdonin të shihnin personalitete, drejtorë, ministra, anëtarë të Byrosë Politike të PPSh-së, që merreshin me këtë sektor nevralgjik të ekonomisë, të cilëve u hapeshin dyert e veturave me respekt, udhëtonin me avionë drejt kryeqyteteve të botës, por kurrë nuk ua panë grykën e ftohtë të revolverit, që nuk iu nda nga zverqet.
Gjyqi i lartë afro një vit pas asaj dite marsi, në përfundim, dënoi për motive politike, me vdekje, dy gjeologë, Koço Plakun dhe Milto Gjikopullin. Të tjerët morën dënime, nga pesëmbëdhjetë, deri në njëzetepesë vjet, në burgjet politike. Tërmeti i fuqishëm që ra në industrinë e naftës, e kishte epiqendrën e tij në Institutin e Studimeve Shkencore të Naftës. Përveç specialistëve të dënuar në këtë gjyq, mjaft specialistë të tjerë, u internuan ose u dërguan të punojnë në sektorët e naftës, si punëtorë të thjeshtë, nën mbikëqyrjen e vazhdueshme të Sigurimit të Shtetit, si kandidatë për t’u arrestuar, në rastin më të parë, në shprehjen më të vogël të pakënaqësisë.
Terrori psikologjik tek ne që mbetëm jashtë të padënuar, u bë i padurueshëm. E këtë ne bile nuk ia rrëfenim dot as njeri, – tjetrit. Hijet e mosbesimit, na kishin mbuluar të gjithëve. Gabimet që mund të bënim, siç mund të bëje në punë çdo qenie njerëzore, vetë në kokat tona, përktheheshin në krime. Siç kam përmendur dhe më lart, në industrinë e naftës, me logjikën e mbrapshtë të diktaturës, këto lloj krimesh, mund t’i gjeje muaj për muaj. Teknikisht, pranohet e njihet në të gjithë botën, se në kërkime, përveç puseve pozitive, që në vendet e përparuara të Europës dhe kontinentin amerikan, ishin mesatarisht në vlerat e trembëdhjetë deri pesëmbëdhjetë përqindëshit, janë negativët, si rastet më të shpeshta, të këtij grupi pusesh.
Ishte e lehtë, pra që të merrje në analizë disa nga këto puse, t’u gjeje atyre ndonjë kleçkë teknike dhe ja, akuzat për sabotime, i kishe gati. Megjithëse qe diskutuar e pranuar nga të gjithë, se puset negative janë teknikisht të nevojshëm që të shpohen, më pas njerëzit që e dinin mirë këtë probabilitet praktik, urdhëronin ekspertizat e mundësisë së sabotimit, vetë Enver Hoxha, kur fliste për naftën në Byronë Poltike, apo në Sekretariat të Komitetit Qendror të Partisë, theksonte se ai, pranonte që tek ne, të kish një raport një me tre, apo një me katër, mes puseve pozitivë me negativët dhe duke patur parasysh kushtet konkrete të vendit tonë, nxiste gjeologët, që të projektonin me guxim.
Ne praktikisht, qëndronim më lart se Evropa dhe kontinenti amerikan: ndërsa ata pozitivet, i kishin trembëdhjetë përqind, ne kishim arritur mrekullisht, tek shifra mesatare e tetëmbëdhjetë përqindëshit! Por ja që prijësi “legjendar” i shtetit shqiptar, kërkonte që ne të kishim për pozitivet, tregues më të lartë akoma, deri njëzetepesë përqind! Në një kohë që me një ndërtim gjeologjik si të vendit tonë, vendet e përparuara, pothuajse nuk do të merreshin, nuk do të kërkonin fare. Pa le pastaj, që ne dispononim një teknikë e teknologji të punimeve seizmike, shumë më të prapambetur se të vendeve të tjera. Ato, deri në thellësi 2000-4000 m. jepnin një informacion shpesh herë të dobët. Ne duhej të shponim puse me thellësi deri 4500 m dhe në disa raste, edhe më thellë. Kështu që gjeologët shqiptarë, viheshin nga partia para një kërkese absurde.
Por Enver Hoxha, me kërkesat e tij të marra, nuk na garantoi kurrë, se do të na çlironte nga “qentë e tij nuhatës” të sabotimeve, operativët e Sigurimit të Shtetit. Sikur edhe në njëqind puse, një, vetëm një, ta kishim negativ, ata do të kërkonin dorën armiqësore dhe atje! Udhëheqja e partisë, i dinte mirë ato mungesa e vështirësi. Thirrja për të projektuar me guxim, nuk pushoi kurrë, por pabesia ishte kaq e qartë, sa kjo thirrje, shndërrohej thjesht një fjalë në erë. Ata nuk deshën të kuptonin dhe as pranonin të bisedonin, se puse negativë dhe në punën më perfekte që mund të bëhet, përsëri në kërkimet e fushave të reja, gjithmonë ka patur e do të ketë. Sigurimi dhe hetuesia, kishin kërkesa më të avancuara se shefi i tyre, Enver Hoxha. Ata dinin vetëm një refren:
– Po të zbatohen drejt mësimet e partisë dhe të shokut Enver, të gjithë puset do të dalin pozitivë! Ky ishte një absurditet edhe më i madh nga ai i Hoxhës, por pikërisht ky, ishte edhe thelbi i pagjumësive tona shumëvjeçare. Për të qenë më i qartë, se çfarë përfaqësonin këto orientime të Partisë, përveç asaj që theksova më lart, lidhur me përgatitjen me kompleks dhe me guxim, si dhe për raportet e larta që kërkoheshin për puset pozitivë, ne na u vunë edhe detyra të tjera. Kështu na u kërkua, që mbi tetëdhjetë përqind e puseve të kërkimit, të ishin brenda kuadratit perspektiv, i cili përbënte një sipërfaqe vetëm prej njëzetë, herë dyzet kilometra. Ndërsa metrazhi orientohej të shpërndahej, gjashtëdhjetë përqind për gëlqerorët dhe tridhjete e pesë përqind, për ranorët.
Këto ishin vetëm pranga, në orientimin e kërkimeve gjeologjike, se po të shpoje jashtë kuadratit një pus më shumë, megjithëse ai mund t’i kishte të gjitha treguesit për t’u provuar, ti futeshe në rrethin e kuq të Sigurimit. Për ranorët, ne objektivisht nuk kishim rajone për një metrazh të tillë, kështu që duhej të shpoje më shumë puse, se sa nevojiteshin teknikisht, vetëm e vetëm për të ruajtur raportin, që të mos përfundoje nën hekura. Unë, personalisht, kam bërë një luftë të madhe, për mos vendosjen e shifrave të tilla si të detyrueshme, se nuk kishin baza shkencore, ag sa dhe kur më thirrën në qeveri, këmbëngula për të mos i miratuar ato. Por zëri i im nuk u dëgjua. Kryeministri, madje më bëri thirrje: “Dorëzoju, Xhaçka, dhe pranoi shifrat që të thonë”! Por unë me ndërgjegje të plotë profesionale, iu përgjigja: – Jo, shoku Mehmet, nuk dorëzohem!
Një tjetër aspekt formal dhe i neveritshëm i këtyre orientimeve, ishte përfshirja e punëtorëve në studimet projektuese dhe marrja e mendimit të brigadave, për shpimin e puseve të rinj të kërkimit. Na detyruan që të futnim si pjesëtarë në grupet e studimit të projektimeve, jo vetëm gjeologë të ndërmarrjeve të cilët, hajd se edhe mund të ndihmonin në proces, por edhe punëtorë! Ky ishte një formalizëm burokratik, aspak frytdhënës. Sipas trumbetimit demagogjik, të qenies së klasës punëtore në udhëheqje të shtetit të saj, pusi më parë se të miratohej në instancat shkencore e administrative, duhej të dërgohej në një brigadë shpimi dhe të argumentohej, se; përse duhej shpuar ky pus kërkimi, në struktura të tjera.
Miratimin duhet ta fillonin punëtorët, mekanikët, kryesondatorët, që ishin shpesh duarartë në punërat e tyre, por që nuk ishin aspak në gjendje, të gjykonin nëse duhej shpuar apo jo pusi i kërkimit. Sepse, nuk kishin as njohuritë më elementare të shkencës së gjeologjisë e gjeofizikës! Po të mos binte dakord brigada e shpimit, askush nuk mund të guxonte ta miratonte atë pus. Dhe ajo që bëhej më e rëndë, po të dilte pusi negativ, llogaria duhej dhënë përsëri para brigadës, që e shpoi atë pus dhe që më parë e pat miratuar. Memorie.al
Nga Drini Pilkati
Sapo kisha bërë një shkrim përkujtimor në gazetën Tirana Observer, mbi 50-vjetorin e vrasjes së dajës tim të paharruar, “Heroit Kombëtar” Myslym Keta, nga miqtë e shumtë që kam, mora shume mesazhe ngushëllimi dhe falenderimi, për kujtimin e përvjetorit të këtij heroi popullor të Tiranës dhe mbarë Shqipërisë. Me mesazhet e tyre, ata më sillnin edhe kujtimet e prindërve të tyre, që kishin luftuar dhe punuar së bashku me Lymin, duke më konfirmuar dhe dyshimet e tyre të hershme mbi humbjen e tij. Midis tyre ishte edhe Burhan Tabaku, një profesor matematike, me të cilin kishim punuar se bashku për shumë vite në rrethin e vështirë të Pukës. Bashkë me mesazhin e ngushëllimit dhe falënderimit për ketë shkrim përkujtimor, ai me dërgon edhe foton e një skulpture madhështore që ishte pikërisht ajo e dajës tim, Myslym Ketës, të cilën vëllai i tij, Besimi, e kishte realizuar që në vitin 1968.
Nuk kisha pasur asnjë informacion për këtë skulpturë dhe për ketë u gëzova pa masë, por së bashku me gëzimin, ishte e zakonshme që sytë e mi të fillonin edhe të lotonin. Në mendjen time filluan të vinin kujtimet e asaj ditë (25 shkurt 1966), kur në shtëpinë time atë mëngjes, erdhi gjeneral-leitnant Abaz Fejzo, Komandant i Repartit të Tankeve, i cili pasi më përqafoi, më mori me vete poshtë pallatit. Familjet tona banonin në “Rrugën e Durrësit”, pikërisht në pallatin e Merlikës. Abazi ishte me trup pak të shkurtër, por atë e plotësonte fare mire, me energjinë e një ushtaraku. Poshtë priste një “Gaz” i ri ushtarak, (tip 69) dhe brenda në sediljen e dytë, ishte ulur djali i vogël i dajës, Ceni.
Unë isha akoma me lot në sy, pasi kisha humbur jo vetëm dajën, por edhe idhullin tim, ndërsa Cenin e pashë pak të tulatur. Dukej se nuk dinte gjë seç kishte ndodhur, nënkuptohet që nuk kishte mbushur ende 8 vjeç dhe reagimet e tij, do të ishin të tilla. Ndërsa unë isha gati 12 vjeç, prandaj i dhashë forca vetes, për t’u përmbajtur. Fshiva menjëherë lotët dhe i vura dorën Cenit në qafë, si për t’i dhënë kurajo, por me nënqeshjen e tij të zakonshme, ishte ai që dha kurajo mua. Si për çudi lotët e mi mbaruan, sikur të ishin mbyllur me ndonjë rubinet dhe mbaj mend vetëm, që nuk dija çfarë t’i thoja. Shoferi filloj të na merrte me të mirë dhe na bëri disa xhiro nëpër Tiranë, pastaj na kthehu në shtëpitë tona. Me vonë mora vesh se kjo ishte koha kur në Sheshin “Skënderbej” po bëhej ceremonia madhështore e varrimit të dajës.
Kjo ishte arsyeja që unë nuk mora pjesë në varrimin e tij, por me pas nga njerëzit që kishin ardhur për ngushëllim, mora vesh se populli i Tiranës, qytetarë, fshatarë dhe malësorë nga e gjithë Shqipëria i kishin bërë dajës një varrim me të vërtetë madhështor dhe spontan. Myslym Keta, ishte për ta “Tribuni i Vegjëlisë” pasi këto fjalë të arta të Nolit, tingëllonin shumë bukur edhe për këtë hero mbarëkombëtar. Diktatori Enver Hoxha, nuk kishte dashur që homazhet të bëheshin në sallën e Kuvendit Popullor, siç i takonte atij, por me urdhrin e Abdyl Këllezit, që në atë kohe ishte Kryetar i Komitetit Ekzekutiv të Tiranës, homazhet u bënë në sallën e madhe të saj. Edhe babai im, ishte zëvendëskryetar i parë i Komitetit Ekzekutiv të Tiranës, prandaj i takonte atij dy here, të organizonte homazhet dhe varrimin, e para si kunati i tij dhe e dyta si bashkë titullar i këtij institucioni. Trupin e Myslymit të pajetë, e vendosen tek varrezat e Shish Tufinës, që kishte pak kohë që ishin inauguruar, në parcelën e parë buzë rrugës, ku më pas u bë edhe parcela e familjes Keta.
Kjo pasi diktatori, nuk kishte pranuar që Lymi të varrosej tek Varrezat e Dëshmorëve, me justifikimin se nuk kishte rënë në Luftë. Ky justifikim ishte shume qesharak, pasi Myslym Keta, ishte konsideruar simbol i trimërisë shqiptare. Për pasojë të kësaj konsideratë, në muajin prill të vitit 1947, ai ishte propozuar nga Rinia Antifashistë ballkanike, në kongresin e saj në Beograd, për titullin me të lartë që ekzistonte, atë të “Heroit të Kombeve”. Për nga kontributi ata kishin zgjedhur dy të rinj; një nga Shqipëria dhe një nga Polonia dhe të dy se bashku, vetë Tito, i kishte ftuar në tribunën e këtij evenimenti. Dashje pa dashje, këtë gjë në atë kohë, nuk mund ta kundërshtonte dot Enver Hoxha dhe për pasojë ky propozim, u bë realitet tre muaj më vonë. Kështu në 7 korrik, në moshën 22-vjeçare, Myslym Keta u shpall nga Kuvendi Popullor i Shqipërisë si i pari “Hero Kombëtar”, për së gjalli.
Isha ndarë me dajën tre ditë para se ai të humbte jetën, e cila ishte dhe humbja me tragjike dhe e mistershme për familjen tonë. E kisha bërë zakon që mbasi të dilja nga shkolla tetëvjeçare, “Avni Rustemi”, të kaloja njëherë me ndonjë shok nga Shtëpia Qendrore e Ushtrisë Popullore (ish-Lidhja e Shkrimtarëve), për të takuar dajën. E dija që rrinte shpesh aty me shokët e tij, prandaj kisha qejf që të mburresha pak me të edhe para shokëve të mi. Ishte gati fundi i pranverës dhe ishte e pazakonshme që pikërisht atë fund shkurti, të bënte një kohë e bukur me diell, por ishte pikërisht fati im, që atë ditë më takon të shoh dajën për herë të fundit. Ishte në mes të shokëve, para derës së Shtëpisë Qendrore të Ushtrisë dhe unë e dallova menjëherë që nga Kinema “Republika”, pasi ishte një kokë më i gjatë se shokët e tij. Trupi i tij i gjatë, hijeshonte nga kostumi i oficerit tankist, me xhaketën e gjatë jeshile të errët dhe pantallonat e çelura, i rrinte aq bukur në trup, sikur të ishte prodhuar apostafat për të. Në gjoks i ndriçonte një stemë në formë ylli me pesë cepa dhe sipër tij një shirit kuq e zi, e cila ishte stema e Heroit Kombëtar.
Daja!, – i them shokut dhe vrapoj për ta takuar dhe pas meje vrapon edhe shoku im. Sapo afrohem i thërras: O daj! Kuptova që edhe ai më kishte parë, pasi diçka po u thoshte shokëve për mua dhe ata njëherësh e kthejnë kokën nga unë, duke qeshur. Pa nguruar, ai mu afrua duke me fërkuar kokën dhe duke qeshur më tha: “Çfarë bon ti ktu mer daj, shko në shpi me honger drekë, se osht bo vonë, kur të kthehet daja nga shërbimi do ta sjell stemën që m’ke kërku”. Me thënë të drejtën, kisha kohë që e kisha bërë bozë me të, pasi sa herë që e takoja, ia kërkoja atë stemë, por ai nuk mërzitej kurrë. Vonë pas vrasjes mora vesh se ajo ishte medalja e Heroit Kombëtar, e cila për mua ishte bërë një peng i vërtetë.
Foto e statujës së dajës, të cilën Burhani ma kishte dërguar, ishte peshqeshi më i bukur dhe i shtrenjtë që ai mund të më kishte bërë. Ishte shumë e çuditshme, që pikërisht në momentin që unë po e rikujtoja atë në librin tim, dajë Lymi m’u shfaq përsëri para meje i gjallë edhe mbas 50 vjetësh, por kësaj radhe si një kollos i vërtetë. Kjo për mua përbënte tashmë edhe një episod të ri dhe shumë të rëndësishëm, pasi do të më mbylltë edhe më bukur librin tim.
Isha në shtëpinë time në Itali dhe nuk po me zinte vendi, deri sa të kthehesha në Tiranë. Isha në përfundim të librit, të cilin ia kisha dedikuar pikërisht dajës dhe babait tim dhe në të përmblidhja kujtimet e shokëve të tyre, më të afërt dhe ato me sekretet, të cilat në periudhën e diktaturës, nuk ishin thënë dhe shkruar asnjëherë. Me këtë mendim të ngulitur në mendje, pas pak kohe arrita në Tiranë. Duhej të takoja patjetër Burhanin dhe vëllain e tij, Besimin, pasi doja të dija gjithçka për skulpturën dhe fatin e saj. Burhani me kishte thënë se, bashkë me Besimin, po mundoheshin të mblidhnin të gjitha veprat artistike të tij, midis tyre edhe skulpturën e heroit Myslym Keta. Për këtë vepër Besimi, ishte mërzitur pa masë, pasi nuk e shihte prej shumë kohësh dhe kishte pasur gjithnjë dyshime që vepra e tij më e bukur, ishte zhdukur pa lenë gjurme nga diktatura komuniste.
Menjëherë të nesërmen mora në telefon Burhanin dhe pas dy ditësh u takuam të tre se bashku, tek bari i Kompleksit Sportiv “Ali Demi”. M’u duk shumë e çuditshme, që paralel me vrasjen e dajës edhe statuja e tij pas dy vitesh’ të kishte të njëjtin fat…! Ishin dy mistere dhe midis tyre të parin, pas shumë lodhjesh, tashmë kam arritur ta zbardh, por ky i dyti, më çorientoi fare. Kjo tregonte se sa poshtë kishte rënë diktatura komuniste dhe Enver Hoxha, i cili nuk ishte ngopur me eliminimin e tij, por kishte realizuar edhe planet, për asgjësimin pa gjurmë të statujës se tij. Besimi ishte një burrë shumë i mençur, i qetë, tamam një historian i vërtetë, pasi kishte punuar shumë kohë edhe në Institutin e Monumenteve të Kulturës. Ai më tregonte me shumë interes, gjithçka që unë kërkoja të dija për historinë e skulpturës, duke më shpjeguar me durim edhe detajin më të vogël. U desh edhe një ditë tjetër, për të plotësuar historinë e humbjes së kësaj skulpture, nga diktatura komunistë.
Dëshmia e skulptorit, Besim Tabaku:
“Në vitet 1958-‘62 mbarova Liceun Artistik dhe në vijim u paraqita në konkursin që organizohej për vazhdimin e studimeve të larta, atë të Arteve Figurative në Tiranë. Konkurrimin e mbarova me sukses dhe për ketë arsye, në vitin 1963, filloj studimet në vitin e parë të këtij instituti. Atëherë praktikë ne bënim në shkollën “Mihal Grameno”, në fund të rrugës me të njëjtin emër. Në këtë rruge banonte edhe heroi Myslym Keta, të cilin e njihja nga afër, pasi ishte shokë fëmijërie me daj Liun (Ali Kubatin), që ishte çun i xhajës i nonës time. Që në rinin e hershme, ata shoqëroheshin shumë shpesh bashkë, pasi Liu asokohe, banonte në krahun tjetër të lumit të Lanës, (pas gjimnazit “Ismail Qemali”), e cila ndodhej rreth 300 metra në vijë ajrore, nga shtëpia e nondajes së Lymit, ku ai kalonte pjesën më të madhe të kohës së tij. Edhe gjatë Luftës, u kishte takuar të luftonin përsëri bashkë, fillimisht në Batalionin e Dajtit, Brigadën 3 të Sulmuese dhe kompaninë e I-rë të saj, ku Lymi ishte komandant dhe Liu, komisar.
Këtë shoqëri ata e kanë ruajtur me rigorozitet edhe pas luftës dhe shtëpia e Liut, ishte shtëpia e dytë për Lymin. Siç me tregonte baba, Lymi ishte i përditshëm në shtëpinë tonë dhe ishte bërë beniamini i të gjithëve, pasi në atë kohë ne jetonim të gjithë së bashku. Kishte shumë raste që kur shkoja atëherë për në shkollë, të ndërrohesha shpesh rrugës me Lymin, kur ai çdo mëngjes, nisej për në ministri. Më kishte magjepsur gjithmonë pamja e hijshme e këtij burri të gjatë, tamam një gjigant i vërtetë, i barabartë me famën e tij që kishte krijuar në Shqipëri dhe Ballkan. Daj Liu, na kishte treguar për trimëritë e shumta dhe se e kishin dekoruar me titullin e lartë të “Heroit Kombëtar”. Megjithatë, daj Liu më thoshte, se ai ishte tepër i thjeshtë dhe modest me të gjithë dhe këtë e kisha provuar vetë, kur kalonte në rrugën “Mihal Grameno”, pasi përshëndetej me të gjithë, pa dallim edhe me romët e Tabakhones.
Rreth vitit 1965, e kam parë për herë të fundit Lymin në ekspozitën e Galerisë së Arteve Figurative, që ishte organizuar tek Pallati i Princeshave (sot godina e Institutit të Përndjekurve Politikë). Aty ishte ekspozuar një bust i “Heroit të Popullit” Kajo Karafili dhe shumë punime të tjera me temë nga Lufta. Ishte aty që e pashë për herë të fundit Lymin, i cili po shihte me vëmendje skulpturën e Kajos dhe i pakënaqur po tundte kokën, duke i thënë shokëve të tij, se skulptura nuk i ngjante atij. Por ishte edhe momenti i parë që e pashë me vëmendje edhe nga afër dhe në veçanti tiparet e tij burrërore, të cilat m’u ngulitën thellë në mendje. Në vitin 1967, mbarova Institutin e Arteve Figurative dhe fillova të bëja punët e para, por afirmimi në ketë fushë, ishte shumë i vështirë, pasi në Tiranë kishte shumë skulptorë me famë, midis tyre; Odhise Paskali, Hektor Dule, Kristaq Rama, Shaban Haderi dhe shumë të tjerë. Kisha pasur edhe fatin e madh të mbaroja një punë të Shaban Hadërit (“Heronjtë e Vigut”) i cili në atë kohë ishte i sëmurë dhe pati shumë besim tek unë, që mund t’ia mbaroja me sukses.
Në vitin 1969, ishte ekspozita e parë që unë do të merrja pjesë dhe për këtë, vajta në Lidhjen e Shkrimtarëve, për t’u konsultuar për projektin e skulptures, që unë do të prezantoja aty. Ishte 25-vjetori i çlirimit dhe punimet duhet të ishin kryesisht nga Lufta Nacionalçlirimtare. Atje takova Foto Stamon, ish-sekretar i Lidhjes së Arteve Figurative. Pasi u konsultova me të për punën e ardhshme, ishte ai që më tha: “O Besim, pse nuk bën Heroin Myslym Keta, pasi e ke pasur edhe tirancin tënd dhe kam besim se ti do ta qash”. Fjala e tij më ngrohu aq shumë, saqë sa hap e mbyll sytë, i dhashë menjëherë atij një përgjigje pozitive, duke i shtuar se: Lymi ka qenë shoku më i ngushtë i daj Liut (Ali Kubatit) dhe gjithë familjes tonë. I shpjegova atij se e njihja fare mire, çdo detaj të fizionomisë së tij, pasi e kam parë gati çdo ditë, kur shkoja në vitin e parë të Institutit të Arteve Figurative, pasi banonte pikërisht në atë rrugë.
Fjala e ime i bëri atij shumë përshtypje dhe pasi më rrahu shpatullat, Foto më tha: “Me këto që më the o Besim, kemi bindjen se ti do ta qash me të vërtetë, statujën e Myslym Ketës, hajde suksese”, dhe më dha dorën për t’u ndarë. Sapo u largova, mendja me shkoi menjëherë tek viti 1965, kur e pashë herën e fundit shumë nga afër Myslym Ketën të gjallë, tek shihte portretin e ekspozuar të Kajo Karafilit. Kishte qenë i pakënaqur nga ngjashmëria me fytyrën që ai mbante mend. Kishte pasur të drejtë, pasi e kishte shok në njësitet guerile, por kjo gjë nuk do të ngjante me mua, pasi unë e kisha akoma të gjallë në sytë e mi. Kisha qenë i frymëzuar për të bërë statujën e Myslym Ketës, që në gjallje të tij, por nuk e pata mundësinë, ndërsa tani mbas vdekjes, kisha bindjen e plotë, se nuk me mungonte asgjë për ta realizuar ekzaktësisht. Për t’u siguruar më shumë, u paraqita tek familja e tij, ku u takova me gruan. I thashë se jam nipi i Li Kubatit dhe ajo më vuri në dispozicion edhe shume foto të tij.
Zgjodha midis tyre, ato foto që me interesonin, në këndvështrimin tim si skulptor. Vendosa ta bëj Lymin ushtarak, pasi ishte edhe 25-vjetori i krijimit të Ushtrisë Nacionalçlirimtare dhe Shtabit të saj në konferencën e Labinotit. Myslymi ishte tankist dhe duhet të realizoja një statuje të lartë dhe veshjen e posaçme, prandaj i mora edhe një xhup Edip Ohrit, komandantit të Aviacionit, që ishte dhëndër i daj Liut. Xhupat e tyre, ishin njëlloj me ato të tankistëve. Nuk kisha studio ku ta punoja, por ketë ma zgjidhi skulptori Shaban Haderi, i cili më vuri në dispozicion studion e tij. Mbarova modelimin, e derdha në allçi dhe si imitacion, i dhashë ngjyrën e bronzit si dorën e fundit.
Të nesërmen në mëngjes e çova atë në sallën e Pallatit të Kulturës, në katin e parë, ku pas dy ditësh do të hapej ekspozita. Rreth skulpturës se Lymit, kalonin shpesh punëtorët e ndriçimeve dhe unë i shihja që silleshin me kureshtje rreth saj, pasi isha duke e pastruar. Nuk ua merrte mendja që e kisha realizuar unë, pasi isha shumë i ri, por vetëm dëgjova fjalët që qarkullonin midis tyre: Ky skulptori e paska qa Lymin, paska dalë më bukur se Enveri. Fjalët e punëtorëve të mirëmbajtjes, ishin ato të popullit të thjeshtë, pasi Lymi për ta përfaqësonte tamam njeriun më popullor dhe ndjenja që u krijonte atyre, ishte tjetër nga Enveri. Ishte e natyrshme që komplimentet e tyre, ma bënë shumë qejfin, por e lashë me aq, pasi nuk doja që ta dinin se e kisha realizuar unë.
Në kolonën tjetër të ekspozitës, përkrah saj, ishte vendosur skulptura e Enver Hoxhës, të cilën e kishte realizuar shumë bukur edhe Odhise Paskali. Ishte i veshur me uniformen partizane, që kishte pasur në konferencën e Labinotit. Pas pak erdhi komisioni i vlerësimit artistik, me kryetar Kristaq Ramën, i cili ishte në atë kohë autoriteti më i lartë shtetëror në këtë fushë. Vetë Kristaqi më thotë se: “E paske qarë me të vërtetë Lymin dhe kjo është një vepër për medalje”. Më pas komisioni u largua duke më bërë komplimentet e tyre. Përveç komisionit artistik, punimet tona në ekspozita, duhet të vlerësoheshin nga një komision tjetër, por kësaj radhe, politik. Zakonisht këtë e bënte një udhëheqës i lartë i shtetit dhe në rastin tonë Beqir Balluku, i cili atë kohe ishte Ministër i Mbrojtjes dhe anëtar i Byrosë Politike. Atë paradite dola nga salla shumë i kënaqur dhe i bindur nga vlerësimet e njerëzve me kompetent në këtë fushë.
Ishte puna ime e parë zyrtare, e cilado të kishte aprovimin e gjerë të publikut dhe udhëheqësve të lartë. Mbas dite vonë, shkoi të takoj Foton, i cili deshi, s’deshi, me gjysëm zëri, më tregoi të vërtetën: “Ka ngelur një mundësi e vetme për të marrë pjesë në këtë ekspozitë, vetëm pasi ta presësh statujën e Lymit në Torst (Bust), por ti, bëj si të duash”. Statujat e Enverit dhe Myslymit, ishin gati njëlloj të larta, rreth 2.20 cm dhe siç me tregoi Foto, pasi i kishte parë nga afër, Beqir Balluku ishte shprehur se: “Të dy statujat janë realizuar bukur, por komandanti i luftës, ka qenë vetëm një, Enver Hoxha dhe ne nuk duam që populli të ngatërrohet për këtë. Prandaj statuja e Lymit duhet të pritet si bust, që të mund të ekspozohet këtu”.
Kaq kishte thënë dhe kishte dalë nga salla, pak si i skuqur nga fytyra. Edhe Kristaqi i kishte thënë Fotos se: Ishte hera e parë që një vepër kaq e realizuar dhe e pëlqyer nga komisioni, mund të mos prezantohej në ketë ekspozitë. E kuptova që Foto ishte i imponuar për këtë propozim, pasi nuk është e mundur që një skulptor kaq i njohur, ta bëjë një gjë të tillë. Megjithatë nuk munda t’i them me asgjë, sepse fjalët më ngelën në grykë. U skuqa i tëri dhe ndjeva që nga sytë me dolën vetëm lot. Gjithçka filloj të më rrotullohej përreth, vetëm se mbaj mend që dola i hutuar nga salla e ekspozicionit dhe shkova direkt në shtëpi. Atë mbrëmje ketë ngjarje, ja tregova gjithë familjes, e cila bëri çmos që unë të qetësohesha. Të nesërmen që në mëngjes, baba më tha se kishte shkuar të bisedonte me Daj Liun për këtë dhe se ai i kishte thënë se: “Burrat nuk shkojnë në këtë ekspozitë”. Dhe unë të njëjtën gjë bëra.
Pasi mbaroi ekspozita, takova shokët e kursit, ishin ata që me konfirmuan se në krah të statujës se Enver Hoxhës, nuk ishte më statuja e Myslym Ketës dhe kjo nuk më habiti. Në vend të saj, ishte vendosur një statujë njëlloj e lartë, e një piloti anonim, të cilën e kishte realizuar shumë bukur, skulptori Andrea Mano. Ata më dhanë edhe foton e mëposhtme nga ekspozita, të cilin e kishin hequr nga stenda, që ishte afishuar në institutin e artëve. Ditën e Ekspozitës në sallën e Pallatit të Kulturës, kishte ardhur vetë Enver Hoxha, së bashku me udhëheqësit e tjerë të lartë, si; Mehmet Shehu, Beqir Balluku dhe Kadri Hazbiu. Kishin ndalur më shumë tek statuja e pilotit anonim, si për modesti dhe për të treguar që i pëlqente më shumë, siç shihet edhe në foto. Më pas ata i ishin afruar statujës së Enver Hoxhës që kishte realizuar shumë bukur Odhise Paskali, i cili prej saj mori edhe çmimin e Republikës”.
Siç i kishin treguar shokët Besimit, Enveri e kishte kontrolluar me shumë rreptësi skulpturën e vet dhe se fundi kishte ngelur i kënaqur. Por më i kënaquri në këtë revistë qeveritare, kishte qenë Beqir Balluku, i cili kishte pasur aftësinë që të largonte me kohë statujën e Myslym Ketës nga ekspozita. Me këtë veprim, kishte evituar dëshirimin e Enver Hoxhës, pasi statuja e Myslym Ketës, tashmë për atë nuk kishte më asnjë rëndësi, pasi ishte i vdekur, madje ishte tradhtuar, pikërisht prej tyre, që dy vjet më parë. Tashmë Beqiri flinte i qetë dhe i bindur, pasi përfundimisht sipas tij, populli nuk do të kishte më as më të voglin dyshim, se udhëheqësi i vetëm i Luftës Nacionalçlirimtare kishte qenë vetëm Enver Hoxha.
Kjo ishte gjëja me qesharake që kam parë dhe dëgjuar deri sot dhe nuk mund të ishte ndonjë argument, për të eliminuar veprën artistike të Besimit. Madje, kjo shtonte edhe me shumë dyshimet për eliminimin misterioz të Lymit. Me gjithë mundin, djersën dhe talentin e këtij artisti të ri, vepra e tij e parë, nuk kishte hyrë në diskutimin e shtypit të kohës, edhe pse ajo ishte konsideruar më e realizuara nga komisioni i vlerësimit artistik. Ky inskenim i shëmtuar, nuk mund t’i humbte rëndësinë dhe popullaritetin një heroi popullor, por ishte vetëm dëmi më i madh që mund t’i bëhet një krijuesi të ri. Në një ekspozitë kaq të rëndësishme, vepra e tij nuk e kishte fituar qytetarinë e Tiranës.
Vazhdimi i rrëfimit të Besim Tabakut:
“Të pasnesërmen e asaj dite, shkoj në Institutin e Arteve Figurative, ku rastësisht në sallon ndërrohem me Kristaq Ramën, i cili ato kohe jepte edhe leksione. Sapo u afruam ballë për ballë, ai me mori mënjanë, duke më thënë me zë të ulët se: “Qenke djalë me karakter…”! M’u dukën shumë të guximshme dhe të çuditshme këto fjalë, të cilat me dhanë më shumë kurajo, pasi Kristaqi, përveç një artisti tepër të njohur, në atë kohë ishte autoriteti me i lartë shtetëror në ketë fushë, por edhe nënkryetar i Kuvendit Popullor. Fjalët e tij me dhanë aq kurajo, saqë fillova ta pyes atë se: “Ku ndodhet tani statuja e Myslym Ketës dhe çfarë do të behet me të”?!
Por ai duke qeshur mu përgjigj: “Mos ki merak se është njëlloj siç e ke lënë, por je me fat, se puna jote nuk shkoi kot, pasi ia kemi shitur shtrenjtë Ministrisë së Mbrojtjes, e cila e ka blerë për ta vendosur tek reparti i Tankeve në Zall-Herr”. Fjalët e fundit të Kristaqit, ma ngrohën shumë zemrën, pasi më liruan nga një ankth kaq i madh. Siç e kuptova, mbas gjithë këtyre veprimeve të shëmtuara, për shokun e tij të luftës, koshienca e kishte thirrur Beqirin, për të justifikuar fajin e bërë më parë. Edhe kur e kishin vendosur statujën në repartin e Tankeve, si realizues i kësaj vepre, mua nuk më kishin thirrur për të marrë pjesë. E kishin vlerësuar 2.500 lekë të reja, të cilat për mua ishin shumë në atë kohë, por në krahasim me djersën dhe emocionet e mia, ato nuk patën vlerën e duhur. Fakti ishte se ato para. i prisha për pak kohë, për të blerë rroba dhe m’u dukën sikur i bëra rrush e kumbulla.
I vetmi mendim që më vinte në mendje, ishte statuja e Myslym Ketës, e cila tashmë nuk ishte me e imja. Ishte mbyllur në një vend që ishte e vështirë të hyje edhe pse isha autori i saj, aq më tepër për popullin e thjeshtë. Meqë unë e kisha mbajtur qëndrimin tim, kjo më bënte të dyshoja në jetëgjatësinë e punës time. Të njëjtin dyshim, kisha edhe për ekzistencën e statujës së Myslym Ketës, aq me tepër mbas viteve 1980, kur u dënua “Grupi i Tiranës”, ku dajë Liu dhe vëllai i tij, daj Bibi (Ibrahim Kubati) ishin pjesë e atij “grupi armiqësor”. Kisha gjithmonë dyshim për ekzistencën e statujës së Myslym Ketës, por nuk e kisha mundësinë ta vërtetoja, pasi ishte e pamundur të hyjë në këtë repart. Kjo ishte e vërtetë, pasi statuja e Myslym Ketës, ishte zhdukur pa lënë asnjë gjurmë dhe së bashku me të, edhe kryevepra ime. Këtë e vërtetova, kur shkova të kontrolloj tek reparti i tankeve kohët e fundit, por nuk më lanë të hyjë brenda. Për këtë pyeta punëtorët që po dilnin nga Reparti, të cilën më konfirmuan dyshimin tim për statujën e Lymit, duke më thënë se; nuk ishte aty dhe nuk e kishin parë asnjëherë”!
Përveç një varri në Shtish Tufinë, i cili është rrethuar në mënyrë barbare nga fshatarë të pandërgjegjshëm, sot ekziston vetëm një përkujtimore për “Heroin Kombëtar” Myslym Keta, të cilën vetëm populli i Pukës, ia dedikoj këtij Heroi. Edhe ketë foto ma ka dhënë Burhan Tabaku, të cilën e kishte fotografuar në Rrape të Pukës, ku sipas diktaturës komuniste, humbi jetën Myslym Keta. Kjo përmendore, pati mundësinë t’i shpëtojë barbarizmave të periudhës së pas viteve ’90-të, vetëm pse ndodhej në këtë fshat, në të cilin gjatë Luftës, ishte bërë beteja më e madhe me gjermanët. Disa barbarë i kishin vjedhur dhe shitur për hekur edhe zinxhirët e një tanku, të cilat ishin vendosur aty në shenjë simbolike, nga shokët e tij. Lapidari rrezikonte të humbtë përfundimisht.
Vetëm në sajë të një mikut tim, Mehmet Kadana, banor i këtij fshati, për mungesë fondesh, lapidari është restauruar pjesërisht, sa për të mbetur akoma i gjallë aty. Këtë ai e kishte bërë për nder të këtij Heroi të madh, timin dhe djalit të tij, Hysen Keta, i cili gjatë diktaturës komunistë, i kishte shpëtuar edhe të vëllanë nga burgu. Kjo është një formë mirënjohje e shoqërisë dhe popullit të Pukës edhe për mua, i cili me respektonte pa masë, si nipi i Myslym Ketës edhe pse babai im, Sabri Pilkati, ishte i burgosur politik nga diktatura komuniste. Më kujtohet që edhe një rapsod popullor i këtij rrethi malor, i quajtur Frrok Haxhia, i kishte dedikuar edhe një këngë Myslym Ketës. Ky është një borxh moral që Mehmet Kadana, Frrok Haxhia dhe i gjithë populli i këtij qyteti, më ka vënë para koshiencës time, por shpresoj gjithmonë që të kem mundësinë tua rikthej, së paku me shkrimet e mia përkujtimore. Memorie.al
Mund të ishte e 23 në masakrën ‘e bombës në Ambasadën sovjetike më 26 shkurt 1951.
Me zonjēn Didi banojmë prej vitesh në një banesë në Shallvare.
Mbas pak kohësh që kishim hyrë ne banesë e gjej ne apartamentin tonë duke biseduar me nënën time.
E pyeta nënēn?
-Kush ēshtë kjo grua fisnike?
-Është Didi Biçaku bijë e patriotit Qamil Biçaku, mbesë e Aqif Pashë Elbasanit, gruaja e agr. Maliqit diplomuar në Vjenë.
Me shume pa punë ne kohë te diktaturës.
Nē takimin e 26 shkurtit të 2011 per përkujtimin e 22 viktimave akuzuar për ‘bombēn e hedhur në Ambasadēn Socjetike foli zonja Didi.
Fjala e saj ishte tronditēse, sepse ishte e vetmja dëshmitare okulare që shoqëroi deri në kamionin ku do të shkonte drejt pushkatimit te vetmen femēr ndērmjet 21 martirëve Sebiha Kasimatin.
Zonja DiDi Biçaku tregoi: “Jam arrestuar mē 23-02-1951 mbas mesnate ‘në emër te popullit’.
Më futën në një kaush ku gjej Sabihanë e cila dridhej nga i ftohti. I dhashë pallton time që e mori me vete ne ditēn e pushkatimit. Pas pak na mblodhēn në një sallë ku
Mehmet Shehu thërriste:- Jeni armiq!
Mbi 150 vetē të arrestuar kryqi ishte vënë mbi emrat e 22 personave. Si Gestapo qe ne rradhe i merrte çdo te pestin .E kryqi ishte vënë te emri i Sabihasë sepse diktatori e njihte që nga Liceu i Korçës. Para nisjes së kamionit ishim lidhura së bashku. Na zgjidhēn.Sabihaja mbeti në kamion unë poshtë. Doja te mos ndahesha nga Sabihaja. Kur kamioni u nis një polic më thotë: ku doje të shkoje në uren e Beshirit(vendi i ekzekutimit).
Mbas katër muajsh hetuesije me liruan Mbas lirimit nuk mund të isha mësuese. Punova në ndèrtim ku arrita kategorinē e gjashtë. Mē vonē nê rrobaqepsi.”
Lufta e klasave kishte gjetur objektivin e vet nē familjen patriotike Bicaku.
Didi, kështu e thërrisnin, mund të ishte e 23-ta.
Numuri i te pushkatuarve qe 22.
Vetëm pak gjë e ka ndarë nga vdekja.
Didi i kujtoni ato dite tmerri dhe si ajo mund te jene edhe të tjerë.
Dëshmitë e tyre duhen marrë sa nuk është vonë.
Dhe une e kam marë këtë deshmi nē shkurt 2011 për ta ribotuar sot, me shkurtime, në ditën e ndarjes nga jeta te Didi Biçakut.
Dr. Orhan Sakiqi.
Nga SKIFTER KËLLIÇI
Ishte fund janari dhe fillim shkurti i vitit 1979, kur në përbërje të Brigadës së Parë Sulmuese, unë isha një nga rezervistët që do të sfiliteshim ditë e net me radhë pyjeve e maleve të vendit, në dëborë e në dimrin e ashpër që nga Tirana, në Dajt, Bizë e deri në Fushë-Studën kufitare me Maqedoninë…
Në atë marshim absurd, humbën jetën 4 vetë e dhjetëra të tjerë u plagosën… Ndërsa përballja me Mehmet Shehun, pas shkatërrimit të Brigadës së Parë në këtë marshim, mua e 1500 rezervistëve në atë takim, na ka lënë një shije të hidhur që dekadat nuk mund ta zbehin….
LAJMËRIMI
Ishte 14 janari i vitit 1979, kur në Shtëpinë Botuese të Librit Shkollor, ku punoja si redaktor gjuhësor, mua dhe disa shokëve të tjerë, na erdhi papritur njoftimi nga Dega Ushtarake e Tiranës se duhej të paraqiteshim pas tri ditësh në Repartin 1105, komanda e të cilit ndodhej diku pranë Fabrikës së Qelqit në Tiranë. Të them të drejtën, meqë nuk kisha mbushur ende një vit që kisha nisur të punoja në këtë institucion, ishte hera e parë që më vinte një lajmërim i tillë. Dhe duhet thënë se nuk e prita me dëshirë, sido që e dija se në ditët e zborit, në më të shumtën e rasteve bëhej gallatë.
Ndaj atë ditë, sipas njoftimit të ardhur nga Dega Ushtarake, bashkë me shokë të tjerë, u ndodha që me mëngjes në zyrat e shtabit. Nuk bënte ftohtë dhe po rrëfenim qyfyre, derisa një ndër ushtarakët e komandës, që nuk dinim se ç’detyrë kishte, se gradat në ushtri ishin hequr me vakt e me kohë sipas shembullit të ushtrisë kinezë, na mblodhi dhe na dha ‘lajmin e gëzuar’ se ne do të kishim nderin që, duke vazhduar traditat e Brigadës së Parë, do të bënim një marshim të gjatë dhe të vështirë, nga Tirana deri në Fushë-Studën kufitare. Ndërsa ai fliste unë, vëllai im, Luani, e plot shokë përreth, vrisnim mendjen se si do t’ia dilnim mbanë këtij marshimi që e merrnim me mend se do të ishte i vështirë e sfilitës
ANKTHI
Vëllai im vuante herë pas herë nga kriza stomaku, sidomos po të ftohej, por, kur guxoi të hapte gojën, ushtaraku ia preu fjalën rreptas dhe me kaq ne u kthyem nëpër shtëpitë tona. Të themi të drejtën ishim tepër të shqetësuar për atë që na priste. Aq është e vërtetë, sa një ushtarak i lartë, mik i familjes sonë, u habit kur mori vesh që në këtë marshim do të merrja pjesë unë e vëllai dhe bashkë me ne, plot e plot rezervistë që ishim rreth tek të dyzetat.
Madje kishte nga ata që ishin edhe më të moçëm, kur partizanët e kësaj brigade si dhe të tërë partizanët që kishin marrë pjesë në njësitet partizane, ishin përgjithësisht nga 17 deri 30 vjeç dhe shumë rrallë edhe më të mëdhenj me moshë. Ky ushtarak, miku jonë, bisedoi me ata të Degës Ushtarake që, meqenëse nga një familje ishim dy vetë në listën e pjesëtarëve të këtij marshimi, të paktën të mbetej vetëm njeri. Dhe, ndonëse kishte atje një mik të fortë, nuk ia doli mbanë, sepse porosia e kryeministrit Mehmet Shehu ishte që të mos bëhej asnjë lëshim, sikur të ishim në kushte lufte…
PROLOG
Më 24 janar u ndodhëm përsëri në repartin 1105, por këtë radhë për të marrë rrobat ushtarake. Secili kishte një palë këpucë të reja, kapotë të përdorur, ashtu si edhe pantallonat, gjimnastorka, pra, një farë xhakete, benevrekët, çuditërisht prej doku, kur të tëra ato duhej të ishin të leshta. Pa pelerina e pa kokore, për doreza as që bëhej fjalë, do të degdiseshim drejt maleve, me rreth 2000 metra lartësi. Po kujt t’i qaheshim, kur kryeministri nuk donte t’ia dinte për asgjë, veç faktit që ne do të ndërmerrnim këtë marshim për të kënaqur trillet e tij? Sidoqoftë, një shok yni, ushtarak, se ku gjeti nja dy pelerina e dy kokore e kështu ne të dy vëllezërit, ishim ku e ku më të përgatitur se marshuesit e tjerë, që po shkonin në këtë aventurë… Tri ditë para të cilit nuk vura brisk në faqe.
E HËNË, 29 JANAR 1979
Dita e parë e marshimit, nisi dhe shthurja! Kështu, pra, me një mjekër ta parruar, që kurrë nuk më kishte ndodhur në jetën time, e cila do të rritej edhe më shumë gjatë ditëve të ankthshme, ngjarjet e të cilave do t’i rendis më poshtë, unë dhe im vëlla në orën 7.00, sipas lajmërimit nga Dega Ushtarake, u ndodhëm këtë radhë në një nga pikat e hapjes, së repartit 1105, ku ndodheshin dhe depot. Pas rrobave ushtarake, të cilat tashmë i kishim veshur, do të pajiseshim edhe me pushkë,(oficerët me pistoletë), e me pajime te tjera. Me vete kishim marrë ushqime për dy ditë, se, sipas rregullores ushtarake në të tilla stërvitje, hynim në forcë ditën e tretë.
Merret me mend se nënat, gratë e motrat e marshuesve kishin përgatitur, me gjithë kushtet e vështira, sa më shumë ushqime. Dhe kishin të drejtë. Po harronin se, sa do të domosdoshme, ato ushqime do të rëndonin në shpatullat tona gjatë marshimit që do të fillonte pas disa orësh. Sipas mundësive, secili ishte përpjekur që të vishej sa më trashë, edhe kjo një masë e domosdoshme, në kushtet e dimrit. Po t’u shtonim atyre edhe pushkët, lopatat xheniere, e mbi të gjitha, helmetat, kuptohet se çfarë peshe rëndonte mbi supet tona. Po, për fat, nga lart erdhi urdhri që helmetat t’i kthenim mbrapsht. Një e mirë kjo në të keqen e madhe.
NISJA PER MARSHIM
Nisja ishte parashikuar në orën 11.00 të mesditës, por, siç ndodh në të tilla raste, ajo u shty rreth orës tre pasdite. Nga pika jonë e hapjes morën me hov përpara dy kompani… Ne nuk dinim se sa ishte numri i pjesëmarrësve në këtë marshim, ku bënin pjesë rezervistë nga institutet e projektimit, të shtëpive botuese, të RTVSH-së, Uzinës “Enver”, Kombinatit të Tekstileve “Stalin”, të Ndërmarrjes “Misto Mame”, etj., sepse çuditërisht, ndonëse atij iu dha shumë pompozitet, forcat pjesëmarrëse as nuk u rreshtuan të tëra, as nuk u përshëndetën para nisjes nga askush.
Mbi të gjitha, askush nga oficerët nuk na tregoi as atë ditë, as edhe më parë, se cili ishte qëllimi i këtij marshimi, si do të zhvillohej ai, nga do të kalohej, ç’detyra do të kishim sipas njësive të brigadës, cili ishte itinerari i marshimit, ku do të ndaleshim, ku do të flinim… Ne dinim vetëm se nga Tirana do të kalonim në Bizë e që andej në Fushë-Studën, emër që e dëgjonim për herë të parë. Ne po niseshim, pra, kuturu, të dalë ku të dalë! Dhe me këtë moto u zhvillua ky marshim i turpshëm që do të kishte pasoja tragjike.
RRUGËTIMI
Megjithatë, gjithçka filloi me gaz. Pasi kaluam kodrat pas Uzinës “Enver”, arritëm te kodrat e Liqenit të Tiranës, që andej, nga rruga e Elbasanit, u futëm përmes disa rrugicash, te lagjja “Ali Demi” dhe arritëm kështu tek tunelet e repartit instrumental të Kombinatit të Autotraktorëve “Enver Hoxha”, ku do të bëhej një pushim i shkurtër. Deri këtu gjithçka shkoi në përgjithësi mirë, ndonëse, ngaqë disa ditë më parë kishte rënë shi, fushëtira kudo ishte njomur e nga hapat tanë, shndërrohej në baltë.
Që aty, meqë koha qe e butë, të veshur trashë, siç ishim, nisëm të djersinim e të kishim etje… Aty mora vesh se në këtë marshim numri i pjesëmarrësve ishte rreth 1500 vetë… Dhe e tërë kjo masë e stërmadhe njerëzish nën rrobën ushtarake, nisi tani rrugëtimin nga kodrat e Shkozës, një fshat i vogël, drejt malit të Dajtit. Ndërkohë, kishte rënë mbrëmja. Duke kaluar nëpërmjet monopatesh, dolëm në rrugën automobilistike. Oficerë të repartit që na shoqëronin, na rrinin pranë që marshimi të bëhej me rregull. Mirëpo nëpër terr, kur dëgjoheshin trokëllimat e thata të këpucëve tona të rënda, dalëngadalë nisi pështjellimi. Togat, kompanitë zunë të bëheshin lëmsh me njëra-tjetrën… Oficerët e repartit sikur na u zhdukën nga sytë… Oficerët rezervistë nuk arrinin të frenonin forcat që dyndnin përpara, duke lenë të zhytur në gjysmë-errësirë Tiranën e prushitur nga dritëzat që flakërinin në sytë tanë.
NATË E VËSHTIRË
Në të kthyer të rrugës së asfaltuar, që të shpie prapa Dajtit, para syve tanë, tashmë nën dritën e hënës që u shfaq befas në qiell, u shpalos pamja e prapme e këtij mali. Një pamje e frikshme krejt e kundërt me pamjen e Dajtit nga kryeqyteti, kur ky mal të shëmbëllen me një gamile të shtrirë, (mali me kurrizin e tij) dhe maja, si koka e kësaj gamileje. Kurse ne as që na lejohej jo më të shtriheshim, por as të qëndronim.
Vazhduam kështu deri sa arritëm në afërsi të Qafë Mollës, fshatit të parë pas Dajtit, kur kishte kaluar mesnata. Unë me shokë të batalionit të tretë, ishim shkëputur nga kompanitë e tjera. Ishim të kapitur e të qullur djersë, sepse çuditërisht, ndonëse ndodheshim mbi 1000 metra mbi nivelin e Tiranës, ende nuk bënte ftohtë. Befas nëpër terr sytë na pikasën një shtëpi të vetmuar anës rrugës automobilistike, thuajse e rrënuar dhe e pabanuar.
Bashkë me vëllanë tim e shokë të tjerë u futëm brenda. Dritaret e dhomave nuk kishin xhama, por ne aq na bënte. Pas më shumë se 10 orësh marshimi, kur nuk kishim pasur veçse dy pushime,(mbase ishte dhënë urdhër edhe për pushime te tjera, po kush e mori vesh në atë zallamahi që përfshiu marshimin), ne u shtrimë si mundëm, që të paktën të bënim një sy gjumë. E dinim ndërkohë që shokët e batalionit tonë, që ishte i treti, ishin diku vërdallë dhe se edhe ata po pushonin. Megjithatë, gjumi nuk na zuri. Ç’është e vërteta edhe kishim një çikë frikë. Ç’do të na thoshin komandantët kur të merrnim vesh se ishim shkëputur nga trupat?
E MARTË, 30 JANAR 1979
Mëngjes. Ne nuk mundëm të flinim edhe për një arsye tjetër. Pas mesnate, të shtrirë ashtu siç ishim, nisëm të ndienim të ftohtë, që sa vinte shtohej. Ndaj, pa aguar mirë, u ngritëm dhe bëmë drejt rrugës për t’u bashkuar me shokët me të cilët kishim humbur lidhjet. Dhe bëmë mirë, se ndërkohë disa oficerë po na kërkonin nga të mundnin dhe po të na kishin pikasur, të shtrirë sa gjerë e gjatë në shtëpinë e braktisur, mund të na gjente belaja me ta. Por, nuk ishim vetëm ne që “ishim shkëputur nga grigja”.
Në përgjithësi, tërë rezervistët e batalionit të tretë ishin shpërndarë si të mundnin. U mblodhëm të tërë dhe një oficer madhor na qortoi rëndë. Madje ai e cilësoi batalionin tonë, “batalioni i zi”, i cili po njolloste traditat e mira të Brigadës së Parë. Dhe të themi atë që është për të thënë, ai kishte të drejtë. Ne, sado pa përvojë, në këtë pikë e kishim shkelur. Thuajse që të gjithë. Ndaj heshtëm. Bile, disa nga ne premtuan se këto nuk do të përsëriteshin. Por nuk ndodhi kështu. Shthurja do të vazhdonte edhe më shumë gjatë marshimit. Por këtë radhë jo më për fajin tonë.
NGJITJA DREJT BIZËS
Mëngjesi i saj dite qe mjaft i bukur. Lamë pas Qafë Mollën, një fshat me shtëpi të veçuara dhe morëm drejt lindjes. Sipas itinerarit kaluam rrugën automobilistike dhe iu qepëm një kodre të thiktë, e cila më pas do të na nxirrte përsëri në rrugë. Siç duket, për të kursyer kohë. Por qe një ngjitje tepër sfilitëse, se kishim mbi shpatulla çantën e shpinës me ushqime, pushkët e pajimet ushtarake e mbi të gjitha, nuk ishim fare të përgatitur fizikisht për një aksion të tillë.
E të mendosh se ende nuk kishim arritur në zonën e dëborës, ku marshimi do të ishte ku e ku edhe më i vështirë. Duke marshuar pastaj përsëri përgjatë rrugës automobilistike, lamë pas Malin me Gropa. Diku nga e majta ishte Fekeni, një tjetër fshat, ku ishte vendosur një repart i vogël ushtarak e pastaj niste një fushëtirë e blertë. Marshuesit përsëri nisën të hallakaten e të ndaheshim nga njeri-tjetri. Kur kërkonim që pushimi të zgjatej ca më shumë, oficerët nuk na linin.
PRAGMBRËMJE E VËSHTIRË
Dhe ja, kur mesdita ishte thyer, nisi të shfaqej edhe dëbora. Shtresa e saj, ende e hollë, i ngjante një pëlhure të stërmadhe dhe të shqyer mbi kurrizin e copëzuar malor. Të vinte keq kur shihje atë dëborë të brishtë që dukej se do të tretej nën rrezet e diellit. Por ne ende nuk e dinim se sa mizore dhe e pabesë do të na shfaqej ajo disa kilometra më pas, kur po arrinim në zonën e Malësisë së Martaneshit, siç thashë më sipër, rreth 2000 metra mbi nivelin e detit.
E kjo do të bëhej edhe më kërcënuese, kur hijet e para mbrëmësore do të ndereshin mbi shpate e maleve e doemos, edhe mbi ne që vazhdonim këtë marshim. Atëherë kur nuk ishin bërë veçse disa kilometra rrugë, këmbët tona nisën të shkelnin mbi dëborë. Ndërkohë qielli po terratisej nga re të dendura, duke paralajmëruar keqësimin e motit dhe temperatura po ulej. Veç kësaj, nga malet zuri të frynte një erë cingëruese që na mavijoste fytyrat. Për më tepër, ca nga makinat që kishin kaluar gjatë ditës, ca dhe nga këmbët tona që shkelnin mbi dëborë, rruga filloi të bëhej e dystë, e lëmuar dhe mbi të gjitha, e rrëshqitshme, si të ishte pistë patinazhi. Dhe befas, u dëgjua një klithmë. Morëm vesh se ishte rrëzuar një zboristi dhe kishte thyer një krah.
Atëherë vazhduam marshimin duke lidhur krahët e njeri-tjetrit, që kështu të mos rrëzoheshim. Megjihatë, më pas një tjetër zborist ra nga një urë e vogël në një përrua dhe për fat të mirë dëmtoi vetëm supin. Më së fundi, kur kishte rënë mbrëmja arritëm në Martanesh. Përmes territ të dendur mezi shquanim disa shtëpi të kredhura në heshtje…Mbase ata që banonin kishin rënë të flinin ose nuk dëgjonin zërat tanë. Nuk dinim si do ta kalonim atë natë të gjatë ftohëse. Më pas mësuam se sipas udhëzimeve të eprorëve tanë, ne duhej të ndiznim zjarre partizane dhe kështu të pritnim mëngjesin e së nesërmes. Drurët do të na I sillnin me makina ushtarake.
Por ne nuk pamë asnjë makinë të na sillte dru. Kështu disa zboristë që kishin marrë me vete copa të mëdha plastmase të rrasura në çantat e shpinës, ashtu siç ishin të dërmuar nga lodhja, u shtrinë në dëborë dhe u mbuluan me to. Por, pa kaluar disa minuta, një nga komandantët iu kanos me zë të lartë: “Shpejt më këmbë…A nuk e kuptoni se në gjumë do të ngrini dhe do të vdisni!”. Dhe ata ashtu bënë. Vrisnim mendjen se si do ta kalonim atë natë polare. Dikush më tha se ca më tutje ishte një tunel I vogël. Unë im vëlla, Luani dhe dy shokë të tjerë, u sulëm andej nga ky tunel shpresëdhënës. Sapo u futëm brenda tij, na rrahu fytyrat një ajër disi I ngrohtë dhe na u duk se gjetëm shpëtim. Shpresë e kotë, se kur u shtrimë, ndjeva se si në shpina po më ftohej. Vura dorën poshtë dhe gishtat më prekën një rrëke uji që rridhte ngadalë nëpër atë tunel. Kështu që nuk mundëm të flinim.
U përpoqëm të ndiznim në zjarr, por ishte e pamundur, se pse na duhej një sëpatë që të copëtonim një trung të madh mbetur kushedi se si brenda tunelit, kur im vëlla kishte vetëm një brisk të vogël. Në atë gjendje shumë të rëndë, kur i ftohti po shtohej, pritëm të zbardhte dita agimin. Na u duk se pritëm një ditë të tërë. Atëherë dolëm nga tuneli dhe pamë se pranë një ngrehine ishte ndezur një zjarr i madh. U afruam rreth tij si të tjerë dhe ndjemë të nxehtit të na përplasej në faqet tona të rreshkura. Aty morëm vesh se komanda kishte dhënë urdhër që zboristët ta kolonin natën në sallën e kinemasë së Martaneshit. Ata kishim kaluar natën të ulur në karriget e kinemasë ose të shtrirë në dyshemenë e ftohtë prej çimentoje të saj. Por të paktën brenda katër mureve, mbuluar me tavan ,kurse për ne dhe të tjerë që ishin hallakatur diku për të gjetur si ne ndonjë vend sa për të mbuluar kokën, komandantët tanë ,as që e kishin bërë qejfin qeder
Atëherë pasi kishim ngrënë për dy ditë ushqimet tona, ata të komandës, na dhanë bukë që thuajse kishte ngrirë, djathë kaçkavall dhe nga dy kutia me sardele për çdo njërin nga ne. Ndërkohë, qielli ishte mbuluar me re të murrme, që edhe ato dukeshin si të ngrira, si ne duke na krijuar një gjendje të trazuar shpirtërore, si të parandienim se më të keqen kishim përpara.. Kudo rreth e qark na rrethonte dëbora…Nisëm kështu marshimin, sërishmi marshim nëpër rrugën me dëborë, ku rridhnin rrëke ujërash gurgulluese, për të arritur në Fushë Studion. \
Çuditërisht, në vend të urisë kisha etje. Pija herë pas here ujë nga këto rrëke dhe më dukej se lehtësohesha. Tutje rrugës shtriheshin pyje pishash që dukeshin të vetmuara me dege ku rëndonte dëbora. Ato më shëmbëllenin si balerina të ngrira dhe majat e tyre si kokëza që sikur i luteshin qiellit t’u shkrinte dëborën nga krahët… Kur pushonim bashke me vëllanë nga i cili nuk ndahesha, ndjenim që tabanët e këmbëve na dhembnin. Kjo për fajin tonë, sepse nuk i kishim lidhur mirë pecet në këmbë, ashtu siç na kishin porositur oficerët. Vëllai im, që vuante nga stomaku nisi të villte dh mezi mbahej më këmbë. Normalisht, ai nuk duhej të ecte por ne deri atëherë dhe më vonë nuk pamë ndonjë ambulancë që të vihej në shërbim të zboristëve që mund të sëmureshin. Kështu duke e mbajtur nga krahët, unë nga një anë dhe një shok nga ana tjetër, bëmë përpara. Anës rrugës nisëm të shihnin kodrina hirplote që në muzgun që po na mbulonte na shëmbëllenin si shtëpiza dhe na lindte dëshira që të futeshim shpejt në to për t’u ngrohur…
Por, ato nuk ishin veçse mirazhe, si në tregime të Xhek Londonit. Në horizont si yll polar pamë të ndriste një llambë elektrike. Aty duhej të arrinim . Porsa po i afroheshim saj llambe, ajo sërishmi na largohej. Ishin iluzione optike.. Kaluam kështu disa orë tashmë nëpër terr dhe arritëm aty ku shndriste kjo llambë, varur mbi hyrjen e një tuneli me diametër më të lartë se shtati i një njeriu, kishim arritur kështu më së fundi në Fushë-Studën. Nga tuneli thuajse i zhytur në errësirë spërndritnin cigare të ndezura dhe dëgjoheshin zërat e tyre të zvargur. Në atë mjedis të akulluar duhej të kalonim dhe një natë tjetër. Befas nëpër errësirë nisa të shquaj siluetën e një shtëpie alpine, me çati të pjerrët ku zakonisht banojnë rojtaret e pyjeve. Mora vesh se në dhomat e saj ishin vendosur vajza zboriste dhe sipër ndihmësmjeke. Takova një nga mjekët dhe i thashë gati me lutje përgjëruese nëse mund të kaloja natën bashkë me vëllanë tim të sëmurë që mezi mbahej më këmbë në dhomën me ndihmës mjekë. Rastisi të ishte tifoz futbolli dhe më njohu si komentator dhe pranoi.
Vizitoi me këtë rast dhe vëllanë që pas të vjellave ndjehej më mirë. Pas pak u ndodhëm në një dhomë të madhe në mes të së cilës ngrihej një fuçi e mbushur dinga plot me prush. Ndjemë se po na shkriheshin gjymtyrët e ngurtësuar. Gjeja e parë që bëmë ishte të hiqnim pecet nga këmbët të hanim pecet e qullosura nga ujët dhe dëbora që kishin depërtuar nga këpucët. Pastaj, vumë çantat e shpinës si nënkresë palltot ushtarake si mbulesë dhe bëmë gjumë si rrallë herë në jetën tonë. U zgjuam në mëngjes dhe pamë një diell të ndritshëm, që më kujtoi vargjet e eposit të kreshnikëve, “Fort po shndrit ai diell, por pak po nxen”. Por, sidoqoftë ndjeheshim të përtërirë. Kurse shokët tanë kishin kaluar një natë të llahtarshme në tunel pa mundur të mbyllnin sytë. Morëm vesh se në Fushë Studion do ta kalonim ditën dhe natën dhe të nesërmen me një mësymje, për të cilin ata të komandës nuk na kishin sqaruar, do të mbyllnim marshimin. Po si do ta ngrysnim natën, kur toka ishte mbuluar me një shtresë dëbore rreth një metër Me lopatat që ishim pajisur nisëm të gërmonim dëborën derisa hasëm në tokë.
Krijuam një sipërfaqe katrore në tokë dhe mure prej dëbore që të na mbronte nga erërat që mund të frynin gjatë natës, si të na kishin armiq. Ndezëm një zjarr të madh me degë pemësh që kishte përreth dhe aty kaluam atë natë gjatë duke vështruar herë pas here qiellin ku llamburitnin yjet që na dukeshin se na vështronin me përgjërim, sikur të na qanin hallin për mynxyrën që na kishte goditur. Mu kujtua romani “Edhe yjet rrinë e vështrojnë” i Kronint, që e kisha lexuar dikur netëve pranë sobës së ngrohtë. Askush nga ne nuk vuri gjumë në sy. Dhe ishte nata e katërt. Në mëngjes panë se këpucët që i kishim hequr për të ngrohur këmbët në zjarr, kishin ngrirë dhe nuk i mbathnim dot. Për të qeshur dhe për të qarë. I vumë pranë zjarrit që po shuhej, i mbathëm dhe dolëm nga “streha” ku kishim kaluar tërë natën. Asnjë nga komandantët tanë nuk pamë të na afrohej dhe të na pyesnim si po ndjeheshim.
MËSYMJA..
Po çfarë mësymje dhe kundër kujt? Pyeta një oficer që e njihja, po ai ngriti supat…Që të mos zgjatem, aty nga mesdita na urdhëruan të viheshim në vijë të drejtë në fushën e gjerë, me sa mbaj mend dëgjuam një krismë pistolete dhe u sulëm teposhtë… Vazhduam kështu arritëm në një fushë të sheshtë. Aty na urdhëruan të pushonim dhe pastaj të ngjiteshim sërishmi për të arritur aty ku ishim nisur. Ashtu bëmë…ndonëse ngjitja ishte shumë e vështirë. U ndodhëm kështu në Fushë-Studën. Atëherë, morëm vesh se marshimi kishte përfunduar me këtë sulm i magjinar.
Nga Veli Haklaj
-“Qytetarja Emine Kolimja (Gishti), banore e lagjes ‘Hazinedare’, Elbasan, i ankohej Prefekturës, se çdo natë u shkonin ndër shpija, fuqia civile, me ç’nderue dhe për me vjedhë”-
Objekt i këtij punimi, që do të publikohet për lexuesin, është pasqyrimi i disa aspekteve të realitetit të përjetuar në Qarkun e Elbasanit, gjatë periudhës së pushtimit gjerman. Në fokus të punimit, do të jenë raportet e qytetarëve me organet e pushtetit civil dhe ushtarak në këtë qark, si dhe problematikat e shfaqura në relacionet ndërmjet fuqive të ‘Ballit Kombëtar’, që vepronin në Qarkun e Elbasanit dhe strukturave të pushtetit qendror dhe lokal. Do të pasqyrohet informacion me interes dhe për ballafaqime ushtarake mes fuqive të armatosura që vepronin në këtë qark. Në këtë punim, në varësi të çështjeve që trajtohen, ka të dhëna me interes dhe për qarqet e tjera kufitare me Qarkun e Elbasanit.
Për përgatitjen e punimit jemi bazuar kryesisht në dokumente që administrohen në fondin e Ministrisë së Punëve të Brendshme, në Arkivin Qendror të Shtetit Shqiptar, me të dhëna të shumta autentike për struktura, organizata dhe persona, për implikimet e tyre negative apo pozitive. Hartat ilustruese janë marrë nga libri Dokumente të Shtabit të Përgjithshëm dhe të Komandës së Përgjithshme të Ushtrisë Nacionalçlirimtare Shqiptare.
Fuqitë e Ballit Kombëtar, marrin përsipër atributet e autoritetit qeveritar
Më 25 janar 1944, Qark-Komanda e Elbasanit i raportoi Komandës së Përgjithshme të Xhandarmërisë mbi ndërhyrjet e komandantit të fuqive të ‘Ballit Kombëtar’ në Librazhd, Isak Alla, në kontrollet e makinave që kalonin për në Korçë, duke zbuar patrullën e xhandarmërisë. Qark-Komanda e Elbasanit, theksonte se; “Isak Alla njihej mirë si person plaçkitës dhe, si i tillë, fuqija e tij e ai vetë në atë qytet, kishin bamun shumë plaçkitje manifature e sende të ndryshme, përpos 2 mijë frangave Shoqnisë ‘Saide’ dhe aq të tjera një farë Mir Gjikës, tregtar”.
Nga këto veprime, tregtarët të dëshpëruar ishin shtrënguar të mbyllnin dyqanet. Ndërkohë, edhe Rrethi i Shijakut, raportonte se fuqia e ‘Ballit Kombatar’ e atjeshme, ishte duke bërë; “kontrolle shtëpijash tue tërhjekë dhe konfiskue çdo material, pa dijeninë dhe bashkëpunimin me xhandarmërinë e vendit”. Nisur nga këto ngjarje që raportoheshin, Qark-Komanda e Elbasanit, kërkonte nga autoritetet qendrore, që t’u njoftohej se cili do të ishte qëndrimi i xhndarmërisë në raste të tilla. Për ngjarjet e mësipërme, më 3 shkurt 1944, Komandanti i Përgjithshëm i Xhandarmërisë, kolonel Hysni Dema, njoftoi Zyrën Politike të Ministrisë së Punëve të Brendshme. Situatë më e rënduar në këtë drejtim, paraqitej në Rrethin e Peqinit.
Më 12 shkurt 1944, Komanda e Përgjithshme e Xhandarmërisë, informoi Ministrinë e Punëve të Brendshme, se një fuqi e Organizatës së “Ballit Kombëtar”, e destinuar në Peqin, e kishte veshur veten me të gjitha atributet dhe kompetencat që do të ushtronte autoriteti qeveritar, aq sa xhandarmëria e atjeshme dhe organet e tjera shtetërore, nuk ishin aspak në gjendje të ushtronin detyrat e tyre dhe për këtë, gjendeshin të ofenduara e të diskredituara para popullit. Faktikisht, Komanda e “Ballit Kombëtar”, në Peqin, kishte marrë përsipër të gjitha shërbimet e rendit publik, administrativ dhe gjyqësor, funksione këto që ia kishin bërë të ditur popullit, me shpallje publike nëpër mure. Me shpallje të tilla të publikuara, Komanda e “Ballit Kombëtar” në Peqin, i kishte lënë të lirë popullit shitblerjen e artikujve të monopolizuar, gjë që vlerësohej se i shkaktonte dëm të madh arkës së shtetit. Megjithëse xhandarmëria vazhdonte të qarkullonte në shërbime për sigurimin publik, por nuk ishte aspak e lirë të kapnin një fajtor, sepse do të gjendeshin të penguar menjëherë nga një fuqi tjetër, “Ballit Kombëtar”, që “arreston faj e pa faj persona të dyshimtë, rrahë, torturon, plaçkit, përvetëson të holla e sende të tjera dhe mandej i lirojnë, kështu që çdo fajtor nuk ka si paguan para drejtësisë veprën e tij, por në një mënyrë ose në një tjetër mbetet i lirë”.
Në përfundim të këtij komunikimi zyrtar, Komandanti i Përgjithshëm i Xhandarmërisë, kolonel Hysni Dema, i lutej Ministrisë së Punëve të Brendshme; “që të provokohet një ndërhyrje dhe një rregullim i kësaj gjendjeje që asht në dëm të madh të prestigjit qeveritar, mundësisht me largimin s’andejmi të njerëzve drejtues të organizatës në fjalë, të cilët si shihet i shërbejnë vetëm interesave dhe ambicieve të tyne, se sa qëllimit të lartë për të cilin duhet të veprojnë”. Por situata në Rrethin e Peqinit, vijonte të ishte problematike. Më 25 mars 1944, nënprefekti i Peqinit, Riza Ferri, informoi Prefekturën e Elbasanit dhe Ministrinë e Punëve të Brendshme, se Komiteti Krahinor i “Ballit Kombëtar” kishte transportuar sasi të konsiderueshme ushqimesh në drejtime të ndryshme, gjë kjo që kishte vazhduar me kohe, gjithnjë duke gjurmuar tregjet më të favorshme, pa marrë fare parasysh se ku çohet. Nënprefektura e Peqinit, në mungesë të forcave të xhandarmërisë, s’kishte mundur t’i ndalonte dhe as që mund t’i ndalonte, sepse s’kishte fare postbllok. Sipas nënprefektit Ferri, Komiteti i Vlorës ishte kujtuar shumë vonë (të kërkonte sasinë e nozullimeve për popullatën e Vlorës), mbasi vazhdimisht e pa pushuar kishte vazhduar transporti i drithit nga agjentët e autorizuar nga Komanda e “Ballit Kombëtar”. Edhe në informacionin e datës 2 mars 1944, Komanda e Qarkut të Xhandarmërisë së Elbasanit, informoi Prefekturën e Elbasanit, mbi pengimin që vullnetarët e Komandës Nacionaliste i bënin Armës së Xhandarmërisë.
Megjithëse titullari i asaj Prefekture, në çdo rast kishte këshilluar komandantët e vullnetarëve, për t’i dhënë ndihmën e tyre Armës së Xhandarmërisë, por kishte ndodhë dhe vazhdonte të ndodhte e kundërta, aq sa autoritetet drejtuese të Xhandarmërisë së Elbasanit, kishin qenë të shtrënguara të urdhëronin xhandarmërinë, për procedim e rreshtim të civilëve që kishin guxuar apo do të guxonin të ndërhynin në detyrat e xhandarmërisë. Në informacionin për Prefekturën e Elbasanit, theksohej se; “Kjo Fuqi Civile, nuk bën asgjë këtu në qytet në të mirën e shërbimit dhe si mbas informatave që kemi nga Komanda Gjermane, edhe përsa i takon veprimit të jashtëm ushtarak, nuk janë treguar në lartësinë e duhur”! Nisur nga situata e krijuar, Komanda e Qarkut të Xhandarmërisë së Elbasanit, i lutej prefektit që të urdhëronte ku duhet për shpejtimin e dërgimit në Elbasan, të Fuqive të Armës së Xhandarmërisë, “që kështu t’u jepet fund dallavereve bashibozuke”. Për këto zhvillime, u vunë në dijeni edhe Ministria e Punëve të Brendshme dhe Komanda e Përgjithshme e Xhandarmërisë.
Ankime të qytetarëve për veprime abuzive
Më 28 mars 1944, zejtarë të ndryshëm të Elbasanit, i drejtuan një lutje Ministrisë së Punëve të Brendshme, ku ankoheshin për mos likuidim llogarish nga ana e “Ballit Kombëtar”. Ndërkohë grabitjet e segmenteve të “Ballit Kombëtar” vazhdonin në forma të ndryshme. Fetah Kazadej dhe Arif Çerema, banues në Elbasan, vinin në dijeni Ministrinë e Punëve të Brendshme, se prej tre muajsh më parë kishin filluar të furnizonin Komandën e “Ballit Kombëtar” të Elbasanit, me mish që kapnin një shumë prej gjashtëdhjetë mijë frangash. Në këtë kohë, nevojat kishin qenë të mëdha dhe të dy qytetarët theksonin se kishin qenë të detyruar nga nevoja e rrethanave, të plotësonin kërkimin e bërë prej Komandës së “Ballit”. Në kohën e porosisë, si edhe më vonë, i ishin adresuar Komandës së “Ballit Kombëtar”, por e drejta e tyre nuk ishte likuiduar.
Nisur nga sa më sipër, ata e konsideronin të natyrshme dhe të drejtë që këto të drejta të padiskutueshme, t’u njiheshin dhe të hollat që përfaqësonin sende të marrura për interes të shtetit, t‘u paguheshin prej fondeve që do të shihej e arsyeshme nga Komanda e “Ballit Kombëtar”. Sidoqoftë, për likuidimin e të drejtës së tyre qytetarët Kazadej dhe Çerema, e linin në fuqinë e Ministrisë së Brendshme, për të përcaktuar autoritetin që do t’i paguante. Më 4 prill 1944, qytetarja Emine Kolimja (Gishti), banore e lagjes “Hazinedare”, Elbasan, i drejton një letër Prefekturës së Elbasanit, ku i parashtron se; qysh me ardhjen e fuqisë civile të armatosur, nuk shkonte natë, pa u shkuar në shtëpi fuqia civile, jo vetëm në shtëpinë e ankueses, por në çdo shtëpi të lagjes “Hazinedare”, orar mbas orari, biles shumë herë u kishte takuar rasti të çoheshin nga gjumi, në mes të natës. Sipas ankueses, “qëllimi i tyre ndër shtëpia, është vetëm për me ç’nderue dhe për me vjedhë”. Meqenëse sjelljet e personave civilë që hynin me zor ndër shtëpia po u shkaktonte prishjen e qetësisë dhe frikësimin e gjithë lagjes, Emine Kolimja i lutej autoriteteve të Prefekturës që të kishin “mirësinë me dhanë urdhrat e duhuna Komandës ku ata m’varen, që të ndalohen të përmendurit në hymjen e shtëpijave që po bëjnë”.
Një ditë më pas, prefekti i Elbasanit, Lutfi Shehu, i përcolli letrën e qytetares Emine Kolimja Zyrës Politike në Ministrinë e Punëve të Brendshme, duke theksuar se “të tilla sjellje shnderuese, vjedhje, vrasje e hymje me zor natën ndër shtëpia janë bë përditë dhe përsëriten nga fuqia e Xhafer Balit”.
Në informacionin e Prefekturës së Elbasanit, theksohet se civilët e armatosur që merreshin me të tilla sjellje ishin të komanduar prej Xhafer Balit që figuronte edhe si kapiten i Armës së Xhandarmërisë. Sipas informacioneve të sigurta, Xh. Bali nuk bënte pjesë në “Ballin Kombëtar”, veçse paraqitej si i tillë, duke pasë kontakt të ngushtë me komandat e ndryshme gjermane të Elbasanit dhe nuk linte “gjë pa krijuar kundër qytetarëve e personave të ndershëm, me qëllim dallavere personale”.
Më tej, prefekti Shehu shkruan se “këtij bukuroshi, kjo prefekturë me anën e fuqisë së Armës së Xhandarmërisë, do t’i tregonte vendin që meritonte, porse përkrahja e ekzagjerueme që i bâhet nga komandanti gjerman Langer, na ndalon nga çdo veprim legal, që duhet të marrim si kundër Xhafer Balit, ashtu edhe kundër fuqisë civile të armatosur, dipenduese prej tij”. Duke u nisur nga interesi i përgjithshëm për rregullin publik, prefekti Shehu, i kërkonte Ministrisë së Brendshme, që Xhafer Bali të mos qëndronte më në Elbasan dhe të dispononte urgjent masat e nevojshme për largimin e tij prej këtij qyteti, pasi vazhdimi i qëndrimit të tij në Elbasan, konsiderohej “në kundërshtim të plotë me interesin e vendit, e sidomos për prestigjin qeveritar”.
Por veprimet abuzive të pasuesve të Xhafer Balit, vijuan dhe më pas. Më 14 prill 1944, Muzafere Ypi, e shoqja e Bexhet Ypit, nga Elbasani, i drejtoi një letër Prefekturës së Elbasanit, ku ankohet kundër adjutantit të Xhafer Balit, pse i kërkonte kësaj kontributin, që i ishte caktuar të shoqit të saj. Në letrën e zj. Ypi, theksohet se; një nga komandantët e “Ballit Kombëtar”, z. Jorgji Mema, e kishte thirrë që të paraqitej në banesën e tij private, në një hotel të këtij qyteti, për të paguar kontributin që i ishte caktuar të shoqit, si shumë banorëve të tjerë të qytetit të Elbasanit. Zj. Ypi nuk kishte kundërshtuar për kontributin e caktuar burrit të saj, por ankohej pranë Prefekturës së Elbasanit, se për pagimin e kontributit thirrej ajo, një grua, kurse duhej të thirrej burri i saj, që ishte prezent, nga ana e Komitetit të “Ballit Kombëtar”. Zj. Ypi i lutej Prefekturës, që të demarshoj ku duhet që ta lenin të qetë në shtëpinë e saj, “mbasi në këtë rast, kontributet u janë caktue burrave dhe jo grave”. Brenda ditës, letra e Muzafere Ypit, iu përcoll nga Prefektura e Elbasanit Ministrisë së Punëve të Brendshme, ku shtohej se; “të tilla vepra, kanë lidhje me dallaveret personale të të quejtunit Jorgji Mema, që është mosketjer i Xhafer Balit”.
Ankime ndaj veprimeve të Rinisë së Ballit Kombëtar
Më 6 prill 1944, prefekti i Elbasanit, Lutfi Shehu, informoi Ministrinë e Brendshme, mbi formimin e një Komande Rinie në Elbasan, nën varësinë e të quajturit Shyqyri Biçaku (djali i Dervish Bej Biçakut). Sipas këtij informacioni rezervat, “kjo komandë kishte mbledhur në gjirin e saj persona të rinj, të degjeneruar, që me gjithë moshën e tyre të vogël, kishin ndryshuar shumë herë opinion”. Si prototipa të tyre, paraqiteshin Cen Graceni dhe Shefqet Ibrahimi, komunistë të rrezikshëm, që në kohët e fundit, kishin pasë vrarë Koço Nikon, me urdhër të Partisë Komuniste dhe që më parë kishin qenë shpërndarës traktesh. Gjithashtu, ishin inkuadruar në këtë komandë edhe Ali Abazi, ish-agjent kuesture në Berat, ku kishte pasë abandonue detyrën dhe për disa muaj rresht, kishte bërë pjesë në çeta partizane komuniste, si edhe Qamil Arapi, më parë komunist e më vonë spiun i Gestapos, e që për grabitje të hollash në popull, në emër të Komandës Gjermane, kërkohej nga strukturat e xhandarmërisë së Elbasanit, për procedim.
Për personat e përmendur që kishin qenë më parë komunistë, Prefektura e Elbasanit, i kishte dhënë komandantit të kësaj Rinie dhe instruksione që t’i shfrytëzonte për të treguar elementin komunist të qytetit dhe, nëse komandanti nuk do të ishte në gjendje që të përfitonte prej tyre, kishte kërkuar që ata persona, t’i dorëzoheshin xhandarmërisë që me masat e saj administrative do të mund të zbulonte prej tyre, deri dhe persona me interes shumë të madh për rregullin publik. Në informacionin e Prefekturës së Elbasanit, nënvizohej se duke qenë se personat që bënin pjesë në komandën e lartpërmendur, ishin kush më pak e kush më shumë, të kategorisë së përmendur më sipër, nuk kishte mundësi në asnjë mënyrë, që të pritej prej tyre shërbim serioz dhe i ndershëm, e “sidomos kur ata vepronin në emër të Rinisë Nacionaliste, kështu që për çdo natë bëhen përkufizime nëpër banesa, merren njerëz të pafajshëm, mbahen në burg dhe mandej lirohen”. Shpesh herë kishte ndodhë që kishin “marrë edhe vajza njëzetë vjeçare natën dhe, siç kanë qenë me teshat e fjetjes, i kanë mbajtur deri në mëngjes e mandej i kanë liruar”.
Për të gjitha këto vepra që bënin, Komanda e Rinisë as që pranonte edhe një këshillë të vetme nga autoriteti lokal dhe jo më që të vinte në dijeni autoritetin. Për të gjitha këto, Prefektura e Elbasanit, kishte njoftuar edhe Komandën Gjermane.
Në informacion theksohet se; djemtë e Dervish Bej Biçakut, kishin dalë në skenë me urdhërin e atit të tyre dhe vepronin pikërisht sipas udhëzimeve të Xhafer Balit, i cili qëndronte në Elbasan, në përkrahje të Komandës Gjermane dhe për të siguruar interesat e tij materiale, në kurriz të popullit: “1) se vepron në emër të “Ballit Kombëtar”, por “Balli Kombëtar” nuk e njeh; 2) se vepron në emër të nacionalizmit e prandaj gjoja edhe në favor të qeverisë, por qeveria as që e njeh fare, tue veprue ashtu si e do interesi i tij”. Si në komunikimin e një dite më parë (5 prill), prefekti Shehu i lutej Ministrisë së Brendshme, të bënte çmos për largimin e Xhafer Balit prej Elbasanit, meqë qëndresa dhe vepra e tij konsideroheshin në kundërshtim të plotë me politikën qeveritare dhe ndodhja e autoriteteve të Prefekturës aty, në vend që të paraqiste qeverinë me dinjitet, bëhej qesharake për ditë e më tepër, para opinionit publik të Elbasanit.
Veprime të konsideruara të paligjshme u kryen nga të vetëquajturit “Rinia Balliste” dhe ndaj bashkëshortes dhe vajzave të arsimtarit të nderuar Aleksandër Xhuvani. Për ngjarjet e ndodhura, ai, duke shmangur autoritetet e pushtetit lokal, iu drejtua më 6 maj 1944, me një letër drejtpërdrejtë ministrit të Punëve të Brendshme, Xhafer Deva. Nisur nga rëndësia e informacionit që përcjell, por dhe në respekt të Prof. Dr. Xhuvanit, letrën e Tij, po e japim të plotë në vijim, duke ruajtur gjuhën e dokumentit.
Zoti Ministër,
Po marr lejen t’i kallëzoj Zotnisë s’uej, nji ngjarje që ka ndodhë n’Elbasan në familjen t’eme:
Më 26 të muejit që kaloi, kishin vojtë në shtëpinë t’eme n’Elbasan, disa djelm t’armatosun dhe kishin kërkua të zanë dy gocat e mija, Iolandën dhe Semiranin, të kallzueme si komuniste. Këta ishin dërgue prej Reshatit, të birit të Dervish Beut, që ka përvehtësue titullin e Kumandantit të vetëquajtunës “Rinisë balliste” t’Elbasanit. Vajzat nuk i kishin gjetë aty, por iu kishin kanosë me të shame e të brituna, grues s’ime, për të dorëzue vajzat që i donte kumandanti i tyne, se për ndryshe, mund ta pushkatojshin dhe atë. Tre muej ma parë, Xhafë Bali me të tjerë katundarë t’armatosun, erdhën natën në shtëpinë t’eme n’Elbasan dhe zunë gruen me vajzën dhe i burgosën dhe mbas dhetë ditësh i lëshuen. Tash prapë vijnë vijnë njerëzit e të vetëquajturës “Rini balliste”, njerëz privatë, pa ndonjë cilësi zyrtare, gjind rropulli e gërdhajë dhe i marrin fytyrën grues, tue e kërcnue e tue e shamë.
Zoti Ministër, gjithë nënshtetasit janë të detyruem t’u shtrohen ligjeve, t’u binden urdhnavet të Qeverisë, të gjykohën drejtësisht prej saj, në qofshin fajtorë, e t’i ndihin në veprën e saj të mëkëmbjes e të rindërtimit të Shtetit. Por asht nji dhun’ e madhe kundra prestigjit e fuqisë qeveritare, që disa djelmosha, lapërdharë e bixhozçi, të zëvendësojnë pushtetin qeveritar, të burgosin e të marrin nëpër këmbë prindë e familje, pse fëmijët e tyne kallzohen prej spiujsh të poshtër, si komunista. Ndër ata që gërthitshin e shajshin gruen t’eme, u njoftën njifarë Haxhi Ymeri e Sulë Kadeshi dhe veç të tjerave, i kishin thanë: “jeni Serbë e Grekë”.
Zoti Ministër, si nënshtetas pa njollë e si arsimtar i vjetër, që ma tepër se askush tjetër kam dhanë ndihmesën t’eme të vogël, me shumë vepra shkollore, për naltësimin e arsimit kombëtar, si në kohë të robnisë turke, si në kohë të lirisë së kombit, unë protestoj për këtë dhunë që m’asht ba prej njerëzish të shkarzyem moralisht, që duen të shfryjnë pasionet e tyne e të marrin nëpër këmbë njerëz të ndershëm e puntorë, që nuk kanë qenë parazitë, por e kanë fitue bukën me djersën e ballit.
Ju lutem, z. Ministër, që të jepet urdhën për t’u hetue çâshtja e të mirren masa ndëshkimore kundra atyne rrugaçave, që kanë randue familjen t’eme, e kundra të vetëquejtunit kumandant të tyne, që quhet Reshat Bej Biçaku.
Tiranë, 6/V/1944
Me nderime të posaçme
(Aleksandër Xhuvani)
(firma)
Tre ditë më pas, më 9 maj 1944, Ministri i Punëve të Brendshme, i drejtoi një shkresë rezervat në formë urdhri Prefekturës së Elbasani, duke i bashkëngjitur dhe kopjen e parashtresës së z. Aleksandër Xhuvanit. Në shkresën e ministrit të Brendshëm theksohet: “Tuej marrë parasysh veprimet e një veterani t’Arsimit Kombëtar, i cili, pa ndie lodhje e debulesë për mbarëvajtjen e arsimit, ka punue me të gjitha fuqitë e tij për rimëkëmbjen e Shqypnisë sonë, e cila, në pikëpamje të arsimit, ishte krejtësisht poshtë në krahasim me shtetet e tjera, e sot në pleqësi e sipër, në vend që të ketë nder e mbrojtje, jo vetëm se nuk përkrahet prej rinisë por, çka asht ma tepër, po prej kësaj dishirohet që të shtypet e përse, kjo nuk mund të dihet. Na vjen shumë keq kur dëgjojmë veprime të tilla, që kryhen prej organeve të ‘Ballit’, pse kështu traditat shekullore të fisit tonë, merren nëpër kambë e hudhen mbas shpine, gja që e kemi pasë ma të shenjtë.
Asht e tepërt të shkojmë ma gjatë, mund ta kuptojnë vetë ajo prefekturë rëndësinë e çështjes. Prandaj, për sa na është parashtruem, kërkojmë që të bâni hetime dhe të na shpjegoni imtësisht rrjedhimin e atyne ngjarjeve e njëkohësisht ju porosisim që t’i ndaloni në mënyrë kategorike ato lloj veprimesh të Ballit t’atyshëm, mbasi në këtë mes diskretitohet dhe Qeveria Shqyptare”. Në përgjigje të këtij urdhri të ministrit, më 15 maj 1944, prefekti i Elbasanit, Lutfi Shehu, informoi Zyrën Politike, në Ministrinë e Punëve të Brendshme, se me marrjen në dorëzim të urdhrit të sipërm, titullari i kësaj prefecture, thirri menjëherë në zyrë Reshit Biçakun, të vetëquajtunin komandant të Rinisë së ‘Ballit’ në Elbasan dhe i kërkoj shpjegime për sa ankohet në lutjen e vet z. Aleksandër Xhuvani, por i përmenduni z. Reshat Biçaku, mohoi kategorikisht që ai të kishte dërguar djem të armatosur në shtëpinë e lutësit, për të zënë gocat e tij dhe kishte deklaruar se këto veprime të paligjshme, mund të jenë bërë prej ndonjë personi tjetër, nga të vetëquajturit komandanta të ‘Ballit’. Megjithëkëtë, prefekti e këshilloi të përmendurin, që të mos përsëriteshin më të tilla veprime, prej cilitdo që vepronte në këtë mënyrë.
Në përgjigjen e tij, prefekti Shehu, sqaron se Prefektura e Elbasanit, deri atë ditë nuk ishte vu në korrent prej të interesuarve, për veprimet ilegale të rëndueme mbi familjen e z. Aleksandër Xhuvani, me qëllim që të dispononte kundër autorëve, “në mos masat e duhuna (për shkak të rrethanave të kohës), të paktën të bënte këshillimet e duhuna dhe të raportonte atë ministri, siç ka raportuar me shkresa të ndryshme ngjarje të tilla analoge”. Me këtë rast, prefekti Shehu, shtonte se Prefektura e Elbasanit, nuk kishte munguar kurrë që t’i raportonte Ministrisë së Brendshme (citohen pesë shkresa), për veprime të tilla të jashtëligjshme, të shkaktuara në këtë qytet prej të famshmit Xhafer Bali, i cili për veprat e tij, mbiquhej prej autoriteteve të Elbasanit “Isa Toska nr. 2”, si dhe për mosketjerët e tij, Jorgji Mema e shokë, por kundër të cilëve, siç dihej, nuk kishin pasë mundur me marrë masat ligjore, për shkak të rrethanave të kohës dhe as që mund të vepronin në bazë të dispozitave ligjore, për deri sa vazhdonte kjo gjendje. Memorie.al
CILA ISHTE DETYRA E
SEKSIONIT KATOLIK
PRANë DEGëS Së MBRENDSHME Të
QYTETIT Të SHKODRES Në 1946,
I VETMI N’BOTë ?
-ZHDUKJA E PERJETëSHME E
VLERAVE KULTURORE T’ VERIUT.
NJë PREJ LETRAVE Të
ATDHETARIT GJON KAMSI:
HYMJE (F.R.) Fara e qytetnimit Europjan në Shkoder nuk shqimet kurrë!
Nga familja shumë e vjeter Kamsi njoha në vitin 1978, në moshen 84 vjeçare Burrin e dijtun e trim, mikun e Luigj Gurakuqit, Gjon Kamsin. Një ditë më dha një leter që i kishte shkrue Kryetarit të Institutit Folklorit në Tiranë, shokut Profesor Zihni Sako… Sigurisht, me shpresë se ajo leter, do të shkojë në zyret dhe tavolinat e të gjithë atyne “profesorëve” (ose edhe ma naltë), që mendonin dhe punonin pa pushue me turpnue veshjen e Grave Shkodrane.
I kerkova leje me e kopjue! Ai më dha atë të drejtë, tue shtue që “mbasi t’a lexoj, me i dhanë pershtypjen time per permbajtjen e saj!”
Unë do të botoj letren e plotë dhe pergjegjen e sh. Zihni Sako.
“Shokut Profesor Zihni Sako,
Drejtuer i Institutit të Folklorit Tiranë.
Shkoder, me 30 Tetuer 1978.
Në Festivalin folklorik të Gjinokastres i zhvilluem sivjet, më ka ra në sy paraqitja e grues shkodrane, e kerkueme, si thonë, në veshjen e saj, pa brenavekë fill në këmishë e tlina.
Nji paraqitje e tillë e kerkueme nuk dihet perse e me ç’ qellim folklorik ka pasë jo pa arsye, nji gjykim të randë nga ata qi kanë ndodhë ta shofin qysh në çfaqjen e parë, qi asht dhanë në nisjen e grupit folklorik të Shkodres per Gjinokaster.
E asht per atë arsye e të botës së pranishme, vendase e të huej në atë çfaqje festivali, qi po due të theksoj gabimin e randë të ndryshimit të veshjes së grues shkodrane, nga me brenavekë në atë me këmishë e tlina me bohçe perpara. Ndryshim qi nuk difton asgja të mirë folklorike e estetike.
Brenaveku nuk asht ashtu si mendohet nji veshje e thjeshtë me kinda por nji veshje mëndafshi të zi a vjollcë, me kambësa gajtani të kuq e qendisje mbi cohë të kuqe, lulesh me tehri të zezë, qi mërrijnë te pulpat e kambës dhe me të perparme, aty ku lidhet në bel me ushkur, nji ermaç të madh në trajtë zemre, edhe ky i qendisun po ashtu mbi cohë të kuqe me tehrina të zeza. Per rreth belit, mbi brenavekë, ka brezin e mëndafshit shumë ngjyrash.
Mandej, brenaveku nuk veshet fill mbas tlinave të ndjeshuna trupit, por mbi të bardhë me kinda, per nji dukje ma të hieshme të brenavekëve mbi trup.
Prandej, brenaveku në punimin e veshjen ndjekë nji kujdes të posaçem të terzis per kambëzat e ermaçin, dhe të grues.
Grueja shkodrane nisë veshjen fillim e mbarim kështu:
a. Ma parë, njiheri me tlinat, nji fanelë të hollë me mangë, e bardhë ose e drandofilltë, të veshuna per mish: Fanela e gershetueme në qafë me nji kordelë, qi lidhet në gushë në trajtën e nji flutres.
b. Të bardhat pambuku me kinda me këmishen harkat siper fanelës, me qafë e me grykë, e punueme me gjylpanë.
c. Jeleku mëndafshi me lule, merthehet në bel me fodulla të qendisuna me ar e lagjyhera, me komçe të punueme nga argjentarët;
d. Brenavekët me brez të mëndafshit si u tha ma naltë;
dh. Mbi krye me flokët të lidhuna bishtalec, ven sallmanin të qendisun me tertil e lagjyhera e inxhi, i merthyem mbi krye me nji lidhcë të gjanë, të qendisun gjithashtu;
ë. Sipri sallmanit degermia e qendisun me lule, fije mëndafshi të bardhë e diku nëpërte edhe fije ari, e cila, merthehet mbi krye rreth lidhcës së sallmanit dhe bije krahëve mbi xhybe.
e. Xhybja – pa mangë, e punueme me cohë të kuqe dhe e qendisun me leheri të zezë, me lule e pikla të kuqe. Asht e punueme e artit të terziut edhe në premjen e saj, dhe sa e ndjeshun per shpinë aq e gjanë mbi brenavekë dhe, në hapjen e saj kah parzma asht e stolisun me sumulla vezake mëndafshi, të zeza me majuca të kuq o të mëndafshta t’ arta.
f. Kambët me çorapë të shkurtë të pambukët a të leshtë, të bardhë simbas stinës, mbështetë mbi pashmangë me shtrijë të qendisunen e artë, si gjithashtu, siprina e gishtave qi maron në majuca o me stivaleti lustrafini të vizatuem e të merthyem anash me sumbulla xhixhë.
g. Marama tisi të bardhë, e hollë dhe e gjatë deri në gju, aty kah fundi ka nji shirit të qendisun me fije mëndafshi ngjyrë të kuqe dhe në mes ari, dhe vihet kur grueja del me shetitë. Ajo mbëlon me nji shestini rreth fëtyrës, me krahët, krejtë të perparmen e trupit.
gj. Japanxha në të kuq të kjartë cohe, pa mangë, mbëlon trupin deri në gjuj dhe ka nji jakë permbrapa që hidhet mbi krye dhe lidhet nen mjekerr me nji fije tertili të artë. E perparmja e hapun asht e qendisun në dy anët e kapakëve me lule të mëndafshta ngjyrë të verdhë, të kuqe e të qielltë, dhe ka në dy anët e supeve xhufka të mëdhaja me po ato ngjyra, të cilat derdhen mbi krahë.
l. Parzma ka per stoli gushoren (gjerdan a kolanë) dhe varsen per dupa, sinxhirin e sahatit me kapakë ari, në veshë ka vathët e vjerruna, në gishta të dorës unazat me gurë dhe, në kyq të dorës bylyzykët.
Gjithë stolia xhevahiresh të argjentarëve zanatçi shkodranë.”…
Kostume Shkodrane nga Piktori Kol Idromeno
Grueja shkodrane, me atë veshje madhshtore të saj ka ndejë perkrah burrit, i veshun ky jo me tirqi të bardha, qi asht veshja e pergjithëshme e Maleve të Veriut të Shqipnisë, por me brenavekë të zezë, kur si grueja që zavendsoi ragjen në brenavekë, poashtu, brijë burrit që edhe ky, zavendsoi shallvarët cohe të kuqe me brenavekët. Gjithashtu mbështolli inat me brez mëndafshi me ngjyra. Veshi anteri kumashi të kuq me vija të zeza të qendisun me tehri. Në parzem të burrit, këmisha e rrahun e ngrime në ujti me perrreth sumbullat e mëndafshta vezake të arta ose të zeza, me majuca të kuq të kapakëve të anterisë. Në qafë qafëzen e ngrime, e rrahun në ujti me kravatë të mëndafshët të zezë, të lidhun flutur, të cilat zevendsuen gryken e këmishës harkate e punueme me gjylpanë e shtrime perrreth qafës; jeleku cohe të kuqe i punuem nga terziu me tehrie lule dhe në buzë të jashtme të kapakëve, gjatë tyne të ngjituna sumbulla të arta mëndafshi ose të zeza, dhe në maje të kuqe; në krye fes të kuq të madh me xhufkë që derdhej mbi supa e që u zevendsue me fes të kuq të rrasun mbi krye (tanuz), gjithnji me xhufkë të madhe të kaltert, sahat me zinxhir perrreth qafës dhe revolver me dorezë sermi të punimit të argjentarit.
Kjo veshje e grues dhe e burrit fillim e mbarim kuq e zi të Flamurit Kombit, dhe karakteristike në të gjithë Ballkanin, per atë bukuri stolinash asht njoftë e vlersue në shkrime e botime europjane si në Vjenë, Budapest e Triestë, Venedik e Romë të shetinave shkodrane të hershme e të vona, në krejt Dalmacinë, Bosnjen e Malin e Zi, ku puntorë zanatçi shkodranë per veshje kombtare, kerkoheshin e punojshin veshjet e popullit të tyne.
Familja e Krajl Nikollës së Malit të Zi, asht sherbye per veshjet e mbathjet nga zanatçi shkodranë si, po permendi ata ma në za si kje: Gjon Gjo Kola e Lazer Çefa, të cilët, edhe u kanë mësue fëmijve të asaj familje edhe gjuhen shqipe, të cilët e kanë folë edhe në moshen e tyne madhore, si Elena, mbretnesha e Italisë.
Në Boston të Amerikës, asht njoftë veshja e grues shkodrane me anë të së shoqes së burrit Kini i Mati Kokës, i vuem, si thotë Imzot Noli, nga shqiptarët e atyshem, në mbrojtje të tij nga frika se mos e vrasin grekët, per ndamjen e Kishës me themelimin e Kishës Autoçefale Ortodokse Shqiptare, me liturgji në gjuhen shqipe, nga ajo greke të propagandës së Jugut të Shqipnisë, si Vorio – Epir grek.
Ajo grue e hishme e Kinit Mati Kokës, në veshjen e saj shkodrane si në paraqitjet, në pritjet në shtëpi dhe në shetitjet jashta shtëpijet asht qitë në fotografi nga fotografi Marubi i Shkodres, dhe asht perhapë me kartolina të shtypuna të Alterocca – Termi i Italisë. Rishtypë tash vonë në nji botim të nji artikulli të filologut Dr. Eqrem Çabej, në revisten “Knjiga o Balkani I” e Belgradit, me emertim “Zivot i običaji Arbanasa” (Jeta dhe doket e Shqiptarëve), me të cilën rishtypje ka ndriçue veshjen shqiptare me veshjen e grues shkodrane.
Si para tij asht edhe në botimet e permenduna të konsujve të Francës së Shkodres Heqvard e Degrand, të Inglizës Miss Edith Durham, të austriakut Theodor Ippen e të hungarezit Baron Dr. Franz Nopcsa. Me atë veshje të grues shkodrane madhshtore të artit punës dhe e pasun stolinash të mëndafshta e të arta, gratë e hueja Konsujsh e të tjera, e kanë pelqye të dalin në fotografi të Atelierit fotografik Marubi, dhe të zbukurojnë odat e pritjes kudo në vendet e tyne.
Sot, këtu në Shkoder, nuk shifet ma, asht ndrye në arkat e nusisë së plakave në Muze, pse edhe ajo kohë e artë e qytetit asht kthye në ate të thjeshtë të veshjes frenge, e pergjithshme në mbarë qytetin. Ka mbetë tash në veshjen e Maleve e të katundeve të ndrituna me ato stolina sermi në parzmat e tyne e qendisjet e tyne, nanë e bij, në të cilen, gjithnji ruhet ajo ngjyrë kuq e zi e Flamurit të Kombit, i perjetsuem në atë petk shajaku, në koret, kuq në pjesen e siperme e të fundit, dhe zi në mes të petkut.
Janë per t’ u kujtue per punen e artit të tyne të veshjes terzitë, mjeshtra Gjok Baba, Mati Tukja, Kolë Raboshta, Mati Ujka, Gjon Shahini e Zef Nikoll Gera, i qitun ky me puntorët në kartolina nga fotografi Marubi, me nja 40 puntorë zanatçi në dugajtë e tyne të qytetit per veshjet e grave dhe të burrave.Në Pazarin e 2000 e sa dugajve per veshjet e Maleve e të katundeve në sokakun e veçantë, i quejtun i “Tallaganxhijëve”, ishin Filip e Jakë Beni, Shan Çefa, Gjon Curani, Kolë Bazhdari, Simon Kadarja, qi kje edhe poet nen pseudonimin Dimo Akasari, me vjerrshat e tija në të perkohshmen shqip “Albania” e vjetit 1897 e ma vonë.
Argjentarët per vathë e unaza, bylyzykë e stolina të parzmave të grave, çibukë, zinxhir sahatash, doreza armësh, kutija duhani e cingarishte me të tjera filigrane, si në qytet Tuk Jakova, Pjeter Logoreci, Kristo Jakova, Pjeter Bedeni, dhe në Pazar, në sokakun e quejtun i Kujxhijëve ishin: Cin Jakova, Gjon Cepi, Nush Cepi, Luigj Bedeni.
Mendova me ju dhanë nji pasqyrë sa ma besnike të veshjes shkodrane, tue pa të persëritun lanjen e saj mbasdore me Albumin e Artit Popullor të Shqipnisë, dhe e shemtueme në këte çfaqje Festivali Folklorik Kombtar në Gjinokaster të këtij vjeti 1978.
Me shpresë se interesimi i Juej, si drejtuer i Institutit të Folklorit, nuk do ta lejojë ma, të persëritet ma ajo paraqitje e veshjes së grues shkodrane në atë mënyrë të shemtueme,
me nderime ju pershndes,
Gjon Kamsi (firma d.v.)
Drejtuesi: Rruga Sumej, nr. 114
Shkoder
Shenim nga F. Radovani: Letra asht kopjue pa asnjë ndryshim nga origjinali.
=========================================
Republika Popullore Socialiste e Shqipërisë
Akademia e Shkencave Instituti i Folklorit Tiranë, me 16.XI.1978
Shokut Gjon Kamsi Shkodër
Letren tuaj në lidhje me vrejtjet rreth kostumeve të grave shkodrane e mora.
Ju falemnderit. Shënimet tuaja janë interesante, por që ato kanë probleme që duhen studjuar.
Si duket nga shënimet tuaja ju keni njohuri të mira për kostumet e qytetit të Shkodrës.
Do t’ ju sugjeroja që ato ti zhvillonit në një punim më të gjatë, me ilustrime e vizatime me ngjyra.
Nga ana tjetër të mund të gjenit fotografi në banorë të Shkodrës, dhe një kopje t’ ia dergonit sektorit të etnografisë pranë Institutit të Historisë, që ka punonjës që merren me veshjet.Unë si Kryetar i Komisionit për veshjet kombëtare, letrën tuaj do t’ ua kaloj etnografëve të sektorit të etnografisë, të cilët mund t’ u sugjerojnë për metoden e studimit mbi veshjet për të cilat bëni fjalë, si dhe për të dhenat rreth mjeshtrave që kanë prerë, qepur e qendisur kostume të tilla.
Drejtor (Zihni Sako) firma, vula.
Nga Fritz RADOVANI:
Pershtypjet e mija të dhanuna Autorit letres Atdhetarit Gjon KAMSI:
FESTIVALI I GJINOKASTRES
DHE SHEMTUESIT E KOSTUMIT KOMBTAR SHQIPTAR
Edhe ate sahat naltë në Kala, e keni zhgulë në Kishat Katolike të Shkodres!
Ditë e natë u mendue vetem si me e shkatrrue, plaçkitë e me e qitë faret qytetin e Shkodres!
Po, edhe Rozafa.., vazhdonte punen e Saj: “Me u mëkue disa Burrave me qumështin e vet, ata tipare të pavdekshme të Trojeve Ilire, që ruente thellë nder temelet e gurt’ e Saj historikë!
Kostumi kombtar i Shkodres, trashigohej dhe ruhej si rrelike nder shtëpijat tona!
Nëse nuk perdorej… Ai shihej në të gjitha dhomat e pritjes së shtëpijave të vjetra, kjoftë edhe nder fotografi që vareshin në krye të vendit. Stergjyshët tanë vazhdonin me na nderue edhe ne! Arkat e vjetra të grave ishin të kudondodhuna me thesaret e Etnografisë sonë kombtare.
Kostumi kombtar shkodranë i grave shihej nder disa raste i veshun nga gjyshja ime Ninja e Pjeter Prennushit, Lezja, nana e Gasper Ugashit, Maria e Gjon Mark Shllakut Rusit, Zina e Kolë Dajës, Ninja e Kolë Gurashit, Shaqia e Shan Tarrnakut, Silja e Zef Krajës, Katrina e Gjelosh Shalës, Roza Krroqi e ndonjë grue që koha më ka shlye emnat e tyne. Ndersa, gratë kosovare që kanë jetue në Shkoder, binin në sy per veshjen e tyne kombtare dhe shumë të bukur tue fillue prej të shoqes Zef Batalakut, Luigj Shalës, Mati Thaçit, Pashko Berishës, Tade Shirokës etj…
Kostumi i grave shkodrane e tham pa pikë dyshimi se asht i papersëritshëm edhe nder vendet tjera të qytetnueme. Bukuria e tij tregonte kulturen shekullore që trashigohej nder breza…
Ishte i vetmi kostum kombtar i mbetun në një qytet Martirë, në Shkoder; mbasi nder qytetet tjera të Shqipnisë veshjet e tyne kombtare ishin “asimilue” nga turqit, sllavët dhe grekët… Prandej, dhe ai duhej perçudnue mbas viteve 1967, ashtusi, mendohej me e shpartallue edhe Shkodren!
Këte fakt e verteton “Festivali Folklorik i Gjirokastres”…
Zotni Gjon Kamsi,
Mendoj se:Perderisa ka probleme që duhen studjue, duhet t’ ishte në festival, mbasi nuk besoj se ka ndonjë kostum që s’ ka probleme…
Sugjerimi për një studim ma të gjatë asht i vlefshem per studjuesit e sektorit etnografisë së Institutit të Historisë, të cilëve, do t’ jua kishte anda me e marrë gati, bile edhe me ilustrime, vizatime e materiale fotografike.
Etnografët e sektorit etnografisë, të cilët, mund t’ ju sugjerojnë metodat e studimit, do të bajshin mirë me e lexue nja 3 herë letren Tuej, e mandej me mësue prej saj.
Ju falnderoj per kopjon e dorshkrimit të këtij materiali, të cilin, unë do t’ a studjoj me shumë kujdes, do të punoj vizatime dhe do t’ a ruej shumë, mbasi per kohen e ardhëshme ky asht brilant i kostumit shkodranë.
Me shumë respekt Fritz Radovani.
Shkoder, 30 Maji 1981.
Melbourne, 9 Shtator 2023.
Kuptimi i fjalës BURRË, në vendin tonë ka patur një rëndësi të lartë shoqërore, kulturore dhe krahinore njëkohësisht. Të citoje fjalën burrë ishte kompliment. Aq sa dhe grave i drejtoheshin me termin burrneshë kur donin ta vlersonin më shumë, nga ana e karakterit, besës, vlerës, veprimeve, moralit të lartë. Vetë fjala burrë peshonte, rëndonte, jo nga frika por nga respekti. Burrë nënkuptonte një njeri të shquar në veprimtarinë shtetërore e shoqërore ose që udhëheqte e drejtonte me personalitet. Kur zgjedhim nisim për rrëfyer themi; në atë kohë ishte një “Burrë i madh”. “Burrë shteti”, “Burrë trim” etj. Mendoheshin gjatë burrat para se të flisnin e më pas se si të vepronin. Burrat principale kishin respektin ndaj tjetrit, ndaj gruas dhe familjen e kishin të shenjtë. Burrat e ditur e me zemrën e bardhë, respektonin gruan në formë sublime të pashembullt. Kemi hasur shpesh përcaktimin e fjalës; pleqësia burrave; e cila kishte një burim drite speciale të mënçurisë dhe urtësisë. Sot jemi në kohën që është krijuar një mendësi se çdokush që ka të drejtën e fjalës publike, është një “burrë me mend në kokë”, kjo po krijon kaos në shoqërinë tonë. Dua të sjell në vëmendje Tiranën që pati burra të cilët lanë gjurmë të thellë në historinë e saj, në të gjithë Shqipërinë, dhe jashtë kufinjve të saj. Ata ishin të mençur, besnikë, thellësisht patriotë, idealist të lartë, morali dhe drejtësia i përkiste një niveli që ishte një detyrim mbi vetë jetën e tyre. Këto burra intelektualë duke qenë pjesëtarë të familjeve pasura të Tiranës, vunë në shërbim të vendit gjithshka kishin; dijen e tyre, pasurinë, ndikimin social brenda vendit dhe jashtë vendit. Sa herë njerëzit kishin nevojë më konkrete për ta, ata me përulje jepnin nga vetja dhe familja e tyre. Kuvendimet e këtyre burrave lanë gjurmë historike që falë tyre i gëzojmë dhe sot.
SAID SEREMEDIN BEJ TOPTANI 1823 -1883
Nënpunës i Divanit Perandorak, Sekretar i Ambasadës Turke, përkthyes.
Figurë e një personaliteti të shquar, që sipas pemës gjenealogjike Toptanase, ishte djali i Abdurrahman Beut sundimtarit të Tiranës i martuar me Hamide Ahmet Bargjinin. Ai u martua me Hanife Pedis Kartaji, fëmijët e tij ishin Murati, Vesime, Beixhe, Naxhije dhe Refik sigurisht të shkolluar dhe me një kontribut intelektual për kohën ku jetuan. Said Bej ishte intelektuali i hershëm i cili kreu mejtepin në vendlindje, ishte njohës i gjuhëve arabisht, persisht, osmanisht, frengjisht. Mbaroi gjithashtu Medresenë e Lartë të Stambollit. Studioi në qytetin e Venedikut shkencat e gjeometrisë, matematikës, gjeografisë, fizikës si dhe shkenca të tjera të dobishme. Mori pjesë në konkurs për të shërbyer në Sekretariatin e Divanit Perandorak dhe si rezultat i provimit, u pranua të punojë pranë atij sekretariati.
Ka disa të dhëna për idetë iluministe të Revolucionit francez, duke qenë prej vitit 1846 student në Fakultetin e Filologjisë të Universitetit të Sorbonnës, ai merr pjesë në Revolucionin e vitit 1848. Si pjesë e kësaj lëvizje, në përplasjet mes monarkistëve dhe republikanëve, ai u bë ndër udhëheqësit e studentëve të huaj të atij Universiteti. Ai ishte një nga dy protagonistët e ngritjes së flamurit tringjyrësh në Panteon. Ky veprim i tij historik është i njohur për Francën, por po aq edhe për komunitetin ndërkombëtar. Angazhimi politik i tij, mund të ketë qënë arsye që të ketë ndërprerë studimet.
Ka patur pozicione të larta pas vitit 1850 si; sekretar në Kryeministrinë e Turqisë, nënpunës dhe përkthyes në Ambasadën turke të Parisit (kohë gjatë së cilës përfundoi dhe botoi fjalorin mjaft të vlerësuar turqisht-arabisht-persisht) etj. Në 1865, në Stamboll, ai afrohet me “Osmanët e rij”, një organizatë përparimtare që drejtohej nga shoku i tij i hershëm turk, Ibrahim Shinasin. Ai punoi sëbashku me rilindas të tjerë vëllezërit Frashëri, Pashko Vasën, Kostandin Kristoforidhin, Mustafa Pashë Pojanin, për formimin e “Shoqëria e të shtypurit të shkronjave shqip” ose “Vatra shqiptare” që do të merrej me krijimin e alfabetit të gjuhës shqipe. Shquhet për kontribut në alfabetaren e botuar në shtypshkronjën franceze të gazetës “Courier d’Orient” të Stambollit. Sipas disa dokumenteve ai ka këmbëngulur vazhdimisht tek autoritetet qendrore turke (nga viti 1858, i kishte bërë kërkesë ministrisë turke të arsimit), u bë e mundur që, më 1862, sikurse në Shkodër e në Manastir, edhe këtu, të hapet shkolla “Ruzhdije”. Në vitin 1862, ai siguroi hapjen e PTT-s. Me aspiratat e një shkencëtari, tre vjet më vonë, më 1865, Saidi informoi në Tiranë mikun e tij Georg von Hahn për kërkimet dhe arritjet në fushën e hulumtimit të fosileve. Më 1877 formohet në Stamboll “Komiteti qendror për mbrojtjen e të drejtave të kombësisë shqiptare”, ose ndryshe “Komiteti i Stambollit”, në të cilin, krahas rilindësave të tjerë si: Pashko Vasa, Jani Vreto, Ymer Prizreni, Sami Frashëri, Zija Prishtina, Iljaz Pashë Dibra, Ali Vrioni, Mihal Harito, Mustafa Vlora e të tjerë, zgjidhet edhe Said Toptani, që njëherësh ishte një nga hartuesit e programit politik të tij. Said Toptani, është edhe nga udhëheqësit kryesorë të Lidhjes së Prizrenit (1878-1881). Ai u burgos e u internua tre herë, në qytetin Akka të Kaukazit, që në atë kohë ishte pjesë e territorit të Perandorisë Osmane e ku qëndroi disa vjet, dhe më në fund, në Bey Bazar të Azisë së vogël, ku vdiq më 1893. Saidi ishte mishërimi i denjë i një patrioti, rilindasi dhe një modern i kohës .
ADEM HILMI BIMBASHI
1834 -1887
Major, Nëntoger, inxhinjer.
Adem Hilmiu lindi në Tiranë, emër me të cilin njihej ai, mbaron shkollën e Lartë Ushtarake të Stambollit, kryeqytet i atëhershëm i Perandorisë Otomane; u diplomua me rezultate maksimale. Në degën e Xhenios mori titullin “inxhinjer” dhe gradën ushtarake “nëntoger”. Ai ndërtoi rrugë dhe ura në Turqi dhe në disa vende të Lindjes së Mesme. Ai mori gradën “major” (bimbash), epitet, që, më vonë, të gjithë pasardhësve të tij i mbeti zyrtarisht, si mbiemër familjar. Diagnostikohet me një sëmundje në zemër dhe në këto kushte lirohet nga ushtria në moshën 41 vjeçare. Më 1875 ai rikthehet në Tiranë. Martohet me një vendalie tiranse dhe sjell në jetë pesë fëmijë. Një inxhinjer me gardë të lartë, ai bleu një truall në qendër të Tiranës, në të hyrë të rrugës së Durrësit. Përveç dy shtëpive të banimit, pranë tyre, ndërtoi edhe një godinë të madhe, që shërbeu si hotel, ndër më të parët në Tiranë. Në këto vite Tirana ka qenë dhe është një nga trevat e njohura të prodhimit të ullinjve. I angazhuar me përpunimin e këtij produkti, ai pruri një presë për përgatitjen e vajit, lëndë të cilën familja tiranse Hobdari e përdorte për prodhimin e sapunit. Si specialist për ndërtimin e urave, punoi edhe në Tuz të Malit të Zi, atje ndërroi jetë në 1887.
ZYBER HALLULLI 1842 – 1927
Myfti, Filantropist dhe kryetar i Bashkisë së Tiranës 1913-1914 . Klerik Islam, poliglot, Themelues i “Shtëpisë së fëmijës”, Tiranë
Lindi në Tiranë në vitin 1842 në një familje vendase. Studimet e para i kreu në qytetin e lindjes ku përfundoi shkollën e mesme Ruzhdije. Më vonë ai u diplomua në Stamboll për filozofi dhe teologji. Të njejtin shkollim kishte bërë dhe i jati. Njihte mirë gjuhët si persisht, osmanisht, arabisht. Kur ai u kthye në atdhe ju përkushtua me pasion hapjes së shkollës së parë shqipe dhe mësimit të besimit islam. Më pas vijoi në Tiranë dhe në fshatrat si Shëngjergj, Linzë, Zallbastar, Mullet, Petrelë. Pa çlirim mendor e shpirtëror nuk mund të bëhej çlirim kombëtar. Ai themeloi shtëpinë e fëmijës në Tiranë që mban edhe sot emrin e tij. Me shumë patriotë të tjerë shumë të shquar më 28 nëntor 1917, hapën për herë të parë këtë institucion, duke grumbulluar fëmijë nga e gjithë Shqipëria, pa dallim krahine e besimi fetar. Kur vajzat martoheshin dhe duhet të shkonin nuse ai përgatiste pajën e tyre. I quajtur gjatë jetës së tij si “baba i jetimëve” iu përkushtua “Strehës Vorfnore” gjithë jetën dhe para se të vdiste, la amanet ti dhuroheshin asaj gjithë pasurinë e vet personale. Gjatë jetë së tij ai pati gjashtë fëmijë, katër djem dhe dy vajza. Zyber Hallulli, është dekoruar nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë Z. Bujar Nishani, me çmimin “Naim Frashëri”, gjithashtu ai është dekoruar edhe nga Prefekti i qarkut të Tiranës, Kryetari i Bashkisë së kryeqytetit.
HAXHI ALI DERHEMI
1850 – 1938
Klerik Islam, Krytetar Bashkie, Ekonomist, inspektor gjyqesh, mësues matematike, zogist
Dekoruar me urdhërin “Skënderbeu” Klasi I”, 1937 Ai lindi në Tiranë, në një familje autoktone. U cilësua gjithë jetën e tij si një njeri i zgjuar dhe filantropist. Në jetë ai pati modelin e një babai intelektual të shquar të këtyre viteve. Ai ishte jurist, inspektor gjyqesh për vilajetin e Shkodrës. Ali Derhemi, pasi kreu medresenë në Tiranë, mbaroi shkollën ekonomike turke dhe për vite ka qenë inspektor financash për Kavajën, Durrësin, Shijakun etj. Mik i ngushtë i mbretit Zog dhe u bë propagandues i zellshëm i mbretërisë. Vite me radhë ka dhënë lëndën e matematikës në medresë. Nga fillimi i viteve 20 e në vazhdim, disa herë radhazi është zgjedhur anëtar i Këshillit Bashkiak të Tiranës, kurse në vitet 23-24, zv/kryetar dhe Kryetar Bashkie i ndërpritet mandati nga revolta politike e drejtuar nga Fan Noli. U caktua Kryetar pasi ishte këshilltari që mori më shumë vota. Qeveria e Ahmet Zogut, duke vlerësuar shumë veprimtarinë e tij në dobi të popullit shqipëtar, me rastin e 25 vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë, së bashku me atdhetarë të tjerë të shquar e dekoroi me Urdhërin e Skënderbeut të Klasit I. Haxhi Ali Derhemi ka qenë gjithashtu edhe në detyrën e zv/kryetarit të Komunitetit Mysliman Shqiptar. Sipas shkrimeve në gazetë ai pasurinë e tij personale ja dhuroi xhamisë së Shehit të vogël dhe xhamisë së Tetovës. Ai u njoh në popull si “Ali Efendiu”
MYSLIM SULEJMAN LLAGAMI 1858 – 1916
Atdhetar, Jurist, poliglot
Dekoruar nga Sali Berisha, President i Republikës, me medaljen “Për veprimtari patriotike”. U lind në Tiranë më 1858 dhe kreu shkollën “Ruzhdije” dhe të medresë po në Tiranë me rezultate shumë të larta. Babai i tij një njeri i thjeshtë, bukëpjekës, kishte ambicje të mëdha për të birin dhe i mundësoi atij shkollimin e universitetit në Turqi. Në Stamboll ai mbaroi degën e juridikut dhe pse pati disa oferta për të ushtruar profesionin atje, ai zgjodhi Tiranën për të punuar. Atje ai krijoi miqësi dhe bashkëpunime me patriotë të tjerë të shquar ku më vonë do të jepte kontribut në pavarsinë e Shqipërisë dhe për disa vite në lidhjen e Prizërenit. Ai zotëronte gjuhë të huaj si osmanisht, arabsisht, persisht, greqisht. Shërbeu në këtë profesion në qytete si; Tirana, Durrësi, Kruja, Berati, Manastiri, Selaniku dhe Stambollli. Ai u shqua për drejtësi, ndërshëmri, kulturë të gjërë dhe ndihmë të pakursyer çdo shtrese kulturore. Punonte me një profesionalizëm që kishte sukses, disa dokumente kanë të dhëna që ishtë avokati i parë në Shqipëri. Ai jetën e tij ja kushtoi gjuhës shqipe, dhe ndërgjegjësimit për atdhedashurinë. Kontribuoi në mënyrë ta pashoq për përhapjen dhe mësimin e gjuhës shqipe. Përfshirë thellësisht në profesionin e tij ai hetoi dhe demaskoi karakterin antishqiptar të kushtetutës xhonturke. Ndërgjegjësoi shqipëtarët për luftën kundër pushtuesit otoman, avokat Myslimi dënoi ashpër veprimet armiqësore që turqit e rinj ndërmorën më pas ndaj çështjes shqiptare. Për këtë patriotizëm ai më 1910 është burgosur dhe rrahur publikisht nga pushtuseit turq në mesin e pazarit të Tiranës. Por kjo nuk e ndali atë të rreshtohej me 26 nëntor 1912, ditën kur në Tiranë u ngrit flamuri, ai ishte pjesë e organizimeve dhe e drejtimeve të ceremonive të kësaj ngjarje të shënuar historike. Ai mbajti qëndrim të ashpër dhe kundër intervencionistëve serbë, të cilët e burgosën. Në vitin 1916, ai ndërroi jetë, torturat e të rrahurat, burgosjet me sa duhet ja shkurtuan jetën në moshën 58 vjeçare. Si shumë intelektualë e patriotë të tjerë regjimi diktatorial komunist, për arsye të të birit dhe një nipi që u arratis në SHBA, ia mohoi vlerat dhe u mundua të fshije nga historia e Shqipërisë emrin dhe kontributin e tij, i cili sakrifokoi aq shumë. Kështu vijoi dhe heqja e emrit të tij në një rrugë që njihej si lagjia e “Llagomve”. Në vitin 2008, emri i ketij intelektuali me një kontribut kaq shumë të vyer, u rivendos në një rrugë ndërmjet asaj të Kavajës dhe Unazës. Në vitin 1992, emri i tij u dekorua nga Sali Berisha, President i Republikës, me medaljen “Për veprimtari patriotike”.
Jusuf Banka 1864 – 1944
Ministër i Financave, Deputet, Nënprefekt i Tiranës, Financier.
Jusufi ishte i gjithanshëm me një kontribut të pashoq për vendin tonë. Një burrë i madh në mëndje, ideal dhe veprimtari. Ai lindi në Tiranë më 1864, ishte i biri i Aqif Zhelegut. Mbaroi shkollën plotore në Tiranë dhe u largua për të studiuar degën e Financës në Stamboll. Pas studimeve u kthye në Tiranë pranë familjes së tij, e cila nga nëpunësia e vet u njoh me mbiemrin “Banka”. Shkrimet e tij spikatën shumë për një frymë kritike, për çështje legjislative, politike, ekonomike, kryesisht në gazetat e tiranës “Xhoka” dhe “Dajti”. Në gjuhën e tij të shkuar spikaste dialekti tirons.
Gjatë qëndrimit në Turqi, ai ju bashkua Rilindjes Kombëtare Shqiptare. Në kthimin në Shqipëri ai u angazhua në zhvillimin dhe përhapjen e shkollave shqipe. Arsimi dhe zhvillimi sipas tij ishin thelbësore për një vend. Mbeti në mendjen e shumë njerëzve për kulturën e gjërë që ai shprehte. Ai ishte ndër patriotët e dalluar tiranas, i cili bëri përpjekje të shumta që në Tiranë të përfitoheshin liritë e të drejtat e shpallura nga kushtetuta e re turke. Ai mori pjesë në në të gjitha veprimtaritë patriotike në Tiranë përfshi edhe ngritjen e flamurit kombëtarë në Tiranë, para se të shkelnin forcat pushtuese serbe. Ai pati fatin e keq të arrestohej dhe u burgos dy herë nga kryengritja e Shqipërisë së Mesme. Më pas u largua me Esat Pashë Toptanin në Selanik qëndroi atje, dhe sipas disa të dhënave kur ai u kthye kreu edhe disa funksione shtetërore pas Kongresit të Lushnjes: u caktua nënprefekt i Kavajës dhe më 1920-’21 nënprefekt i Tiranës. Më 1921 ishte i plotfuqishmi i qeverisë për shtypjen e kryengritjes së Mirditës. Po në këtë vit 1921 u propozua nga Rexhep bej Mitrovica që të bëhej kryeministër, po Këshilli i Naltë i Regjencës nuk e miratoi. Deputet i parlamentit të parë Shqiptarë më 1922, i zgjedhur si anëtar i Asamblesë Kushtetuese të Shqipërisë më 1924. Firmën e tij si deputet i prefekturës së Durrësit e shohim në “Gazetën e Korçës”, “Shqiptarin e Amerikës”, që kishte editor Faik Konicën e deri në “Diellin” e Bostonit. E deri në këtë vit ka qenë deputet i Partisë Përparimtare, si dhe kujdestar i Kryesisë të Këshillit Kombëtar. Në vitin 1924 fletorja “Dielli” shkruan se ai ishte një ndër demostrantët që u nisën të takonin kryeministrin Shefqet bej Vërlaci që hetonte për të nxjerrë në pah komplotistët e vrasjes së Avni Rustemit. Pas Lëvizjes së Qershorit më 1924 ishte njëri ndër drejtuesit e Partisë Demokrat-Nacionale.
JAKOV DHIMITER HOBDARI 1865 -1956
Mjek Kirurg, Poliglot
Dr. Jakovi lindi në Tiranë më 1865. Në një nga familjet më të njohura familja Hobdari është nga familjet më të njohura të komunitetit orthodoks të Tiranës. Bamirsitë e kësaj familjeje listohen në Kodikun e Kishës Orthodokse të Tiranës prej shek 18. Ai i kreu mësimet plotore në Manastir. Arsimin fillor dhe të mesëm e kreu në Manastir. Në universitetin e Athinës mbaron degën e mjeksisë. Ai ishte poliglot njihte mirë 6-shtë gjuhë greqisht, serbisht, turqisht, italisht, frëngjisht, arumanisht. Jakovi është ndër mjekët më të vjetër të Tiranës, i tretë i diplomuar në këtë fushë. Ai punoi në Berat, Kavajë, Durrës. Profesionalizmit të tij iu besua, drejtimi i një ambulance të hapur në në Durrës nga Perandoria Austro-Hungareze. Periudhë 1914-1916 përkon me qeverisjen e princ Vidi-t, dhe ishte mjeku personal i Esat Pashë Toptanit. Më pas në Tiranë ai do të hapte një aktivitet privat të tijin, si mjek i ndërhyrjeve kirurgjikale. Do të angazhohej në gjinekologji, dermatologji veneriane, sëmundje ngjitëse. Ka të dhënë që ai ka rekomanduar mjekimin me squfur të disa sëmundjeve të lëkurës. Në rrugën e Dibrës në Tiranë, që sot është Pallati i Kulturës ai në klinikën e tij hapi farmaci me emrin “Farmacia Hobdari”. Ajo ishte ndër të paktat në Shqipëri, që medikamentet i merrte deri nga Firma e famshme gjermane “Bayer”, njihet edhe sot. Më vonë atë farmaci, të pasuruar edhe me një laborator analizash, e drejtoi i biri i Jakovit, Milto, studimet e larta i kreu në Universitetin e Napolit. Dy të tjerët, Spiro studioi për stomatologji dhe Asti degën e farmacisë. Situatat politike të pasluftës së dytë nuk mundësuan shkollimin e lartë të djalit më të vogël, Pavllos. Ai kishte aktivitete intelektuale vetjake leximin, librat dhe revistat shkencore mjeksore, aktivitete fizike deri në fund të jetës së tij.
ALI BEGEJA 1888 – 1947
Kryetar Bashkie, Deputet, Gjykatës, Avokat
Dekoruar nga Princ Vidi me medaljen “Besë dhe Bashkim”. Aliu lindi më 1888 në Tiranë, në familjen Begeja, e cila është një ndër familjet më të vjetra. Ajo është vendosur aty në fund të viteve 1700, e ardhur nga një lagje e Krujës e quajtur “Begej”, kur Toptanasit morën në dorë administrimin e qytetit të Tiranës. Studimet e para i mori po në këtë qytet. Më vonë ai studioi për drejtësi dhe punoi si avokat dhe hetues në Tiranë/ Ai u shqua për kulturë të gjërë, dëshirën për dije dhe arsim, pasi vinte nga një familje ku kryefamiljarët i kishtë klerikë islam të shkolluar. Madje vetë Aliu fëmijët i tij i dërgoi të studionin në Itali dhe Francë. Në Tiranë ai thërritej me respekt Ali Efendiu. Në vitin 1908 Ali Begeja merr pjesë në komisionin e krijuar për hartimin e programit për përhapjen e gjuhës shqipe dhe sigurinë e vendit. Ky komision në atë kohë drejtohej nga Refik Toptani. Dy vite më vonë, 1910 merr pjesë si delegat i Tiranës në Kongresin e III të Manastirit për gjuhën shqipe. Në vitin 1911 – 1914 ka kryer detyrën e gjykatësit ndërmjetësues në Tiranë. Zgjidhje cështjet duke berë paqe mes tyre. Pas kësaj periudhe hapi zyrën e vet si avokat. Më 1914, së bashku me bashkëqytetarët, mbështet qeverinë e princ Vidit. Për aktivitetin e tij në shërbim të vendit, princ Vidi e dekoron me medaljen “Besë e Bashki Shoqata “Drita”, shoqata e parë e intelektualëve të Tiranës në të cilën, sekretar i saj ishte Ali Begeja, e përzgjodhën atë përfaqësues të saj në kongresin e Lushnjes. Më vitin 1922-1923 është zgjedhur Kryetar i Bashkisë Tiranë. Në 1923 zgjidhet asamblist në Kuvendin Kushtetues. Gjithashtu u zgjodh si kryetar i Bashkisë së Tiranës prej vitit 1922 deri në vitin 1923. Në vitin 1924 Ali Begeja zgjidhet anëtar i Asamblesë Kushtetuese së bashku me Ahmet Zogun, Seit Toptanin, Zija Toptanin, Osman Myderrizin, Rauf Ficon etj. që përfaqësonin qarkun e Tiranës. Në vitin 1927 ishte kryetar i Dhomës së Tregtisë në Tiranë. Në vitin 1937 ai u zgjodh deputet i legjislaturës së 3-të për prefekturën e Durrësit, ku bëntë pjesë dhe Tirana. Dhe deputet në Parlamentin Shqipëtar. Pas Luftës, Ali Begeja vazhdoi profesionin e tij si avokat deri në vitin 1947, kur u arrestua me grupin e deputetëve nga regjimi komunist. Ai vdiq nga torturat e atij sistemi brenda në burg. Një rrugë në Tiranë mban emrin e tij; “ALI BEGEJA”
QAZIM BODINAKU
1893 – 1936 Politikan, Prefekti i shumë qyteteve,
Lindi në Tiranë, filloren e kreu në vendlindje, më vonë gjimnazin e zhvilloi në Durrës. Studimet e larta i bëri në Kolegjin Turk të Selanikut. Ai përkrahu gjatë jetës sistemin mbretëror. Zotëronte mirë gjuhën turke dhe greke.Ishte një intelektual që linte mbresa të vecanta, dhe me një formim të tillë; atij ju ngarkuan detyra të rëndësishme të shtetit. Më 1920 – 1922 u vendos drejtor i departamentit politik, dhe komisar i policisë në Tiranë. dekretohet nënprefekt në Mat detyrë të cilën e refuzoi, me pas emërohet nënprefekt i Shijakut në vitet 1922 – 1923. Nënprefekt i Tiranës ishte në gjatë viteve 1922-1925. Me detyrën e Prefektit, Qazimi punoi në vendet si Kukësi, Dibra, Vlora. Elbasani, Berati, Gjirokastra dhe Shkodra. Kreu disa ndërhyrje në interes të atdheut ndaj shovinistëve grekë dhe fashistëve italiane. Për shkak të qëndrimeve të vendosura atdhetare të tij, e sidomos pas viteve tridhjetë, nga agjentë të paguar të agjenturës pro-fashiste, atë e vranë më 6 prill të vitit 1939, duke qenë për herë të dytë në detyrën e prefektit të Beratit. Gjithë jetën e tij e kaloi me aktivitete intensive politike dhe detyrat të cilat ai u emërua i trajtoi me përgjegjësi të lartë.
REXHEP JELLA 1895 – 1974
Deputet, Kryetar Bashkie, prefekt i disa qyteteve, jurist,
Mbreti Zog dha atij “Kordonin e Skënderbeut” 1937 dhe titullin “Prefekt i klasit të parë” 1938. Vjen nga një familje autoktone tironse që në themelimin e Tiranës, këtu ai mori mësimet e para të fillores. Më pas largohet në Stamboll për arsimin e mesëm, atje ishte nxënës me mbretin Zog. Për shkak të rezultateve të shkëlqyera, dhe për studimet fillojë studimet e larta për shkencat politike në Fakultetin e Jurispundencës të Universitetit të famshëm të Kembrixhit në Angli, ( universiteti i katërt në botë për nga vjetërsia), të cilin gjithashtu e mbylli me mjaft sukses. Ai njihte mirë gjuhën turke, greke, angleze, frënge. Pasioni i tij ishte letërsia dhe kohën e lirë e kalonte mes librave. Spikati për një kulturë tejet të veçantë për atë kohë. Ndërtoi një shtëpi të tijën dhe nga ana arkitekturore përballë urës së Tabakëve. Duke patur një vëmendje dhe ndaj sporteve të ndryshme si futbooli, basketbolli, dhe kanotazhin që mësoi në Angli. Me kthimin e tij në atdhe në vitin 1918, ai mori pjesë në Konferencën e Paqes në Paris. Më vitin 1920 mori pjesë në Kongresin e Lushnjës. Më 1926 ai drejtoi prefekturat e Elbasanit, Durrësit, Beratit dhe Gjirokastrës. Përgjatë viteve 1929-1936, Rexhepi është në krye të Prefekturës së Tiranës. Në historinë e këtij organi nga viti 1926 e deri në vitin 2008, Jella është nga të 24 prefektët paraardhës ai shënon periudhën më të gjatë të qeverisjes. Në aspektet politike ai mbajti një qëndrim pozitiv për Amerikën dhe Anglinë duke theksuar se ata patën një ndikim pozitiv në kontributin e pavarsisë së Shqipërisë. Deputet i Parlamentit të Shqipërisë më 1923 – 1937. Më 1930 ai u bë presidenti i Frederatës Shpipëtare të Futbollit. Më vonë në 1936-1937 ai ishte prefekt i Durrësit.mMë 1943 ai refuzon postin e kryministrit gjatë pushtimit gjerman në Shqipëri. Më vitin 1944, ai u akuzua si agjent i anglezëve dhe se kishte qenë nëpunës i lartë i Mbretërisë. U burgos dy herë. I burgosën të birin, i vranë vëllanë në paraarrest dhe i morën gjithë pasurinë. Pas daljes nga burgu, u internua në një fshat të Kavajës në një barake pa pension. Nga nevoja ai shiste librat që i kishin mbetur. Ai vdiq në gjendje mjerimi nga sistemi politik komunist. Por nuk harroi asnjëherë Amerikën dhe Anglinë se nuk do të vononin të shpëtonin Shqipërinë. Rexhep Jella ishte një nga personalitetet e larta kulturore të burrave të atyre viteve.
Shkrim i botuar në “Gazeta Shqiptare” print
-Ana e panjohur e betejave dhe përpjekjeve të Muharrem Bajrakatarit dhe forcave të tij, me repartet e Ministrisë së Brendshme, në vitet 1945-1946-
Memorie.al / Në fillim të marsit 1946, qeveria komuniste e Tiranës, shpalli falje dhe dërgoi njerëz për t’u marrë vesh me Muharrem Bajraktarin. Muharremi së bashku me Bajramin dhe pasues të tjerë, shkojnë në lagjen Domaj (Ujmisht) për t’u takue për këtë qëllim me Sadik Spahinë. Për këtë takim, kishin ndërmjetësue Murat Hani dhe Maliq Islami. Ndërsa ishin në marrëveshje me Sadikun, për takim erdhën Mus Istrefi dhe Isak Kasemi, në shtëpi të Murat Zejnelit, të dërguem nga Xhetan e Beshir Ndreu. Kanë bisedue me Muharremin, vetëm Musa e Isaku. Pas takimit, Muharremi u tha mbështetësve të tij, se i kishin propozue një dikaster në Tiranë dhe u kishte thanë se do mejtohem njâ një muej. Por ai nuk dëshironte me ba biseda serioze me anë të dibranëve, por vetëm me Sadik Spahinë. Atë ditë, si u ndanë me Musën e Isakun, dy orë pa dalë drita, një fuqi prej 600-700 vetash, forca qeveritare nga Kukësi, Bicajt, Lusna rrethoi vendin e takimit.
–Përpjekja e Trullës (Surroj), 8 mars 1945-
Muharrem Bajraktari me luftëtarët e tij, vetëm pesë minuta më parë patën dalë dhe drejtue për bjeshkë të Ujmishit, prej ku, mbasi i panë Forcat e Ndjekjes së regjimit komunist, kaluen për Surroj dhe Trullë, duke ecë ditë e natë. Kishte borë të madhe dhe kanë mbërrit një orë pa dalë drita. Një orë mbasi doli drita, erdhën kompania partizane. Ata kishin ardhë për të kontrollue për pushkë, ose për ndonjë të arratisur të veçantë. Forcat e Muharrem Bajraktarit, kanë qenë të vendosur në dy stane, në njërin Muharremi me shumicën, në tjetrin Bajrami me 7-8 vetë. Bajrami me të tijt, kanë qenë të gatshëm, kurse te Muharremi, vetëm Tahir Hajdari, Imer Myftari dhe Dem Nura, kanë qenë gati. Vetëm kur Forcat e Ndjekjes kanë ardhë te dera e stanit të Muharremit, i kanë dëgjue.
Partizanët nuk kishin ardhë në formacion luftimi dhe luftëtarët e Muharrem Bajraktarit, janë kapë në befasi. Zjarri është hapë përpara derës së Muharremit, në hyrjen e gardhit, njëkohësisht nga pararoja partizane dhe nga Tahir Hajdari, Dem Nurja dhe Imer Myftari. Pjesa tjetër e ushtrisë, ka shprazë një batare kundra stanit të Bajram Bajraktarit, të cilës i janë përgjigj dikush nga brenda, dikush kishte dalë. Në befasinë e pare, Bajram Bajraktari ka shti tri herë nga brenda stanit. Përpjekja ka zgjatë vetëm pesë minuta. Ndërsa pararoja partizane ishte shkëputë nga shokët e mbeti mbas stanit të Muharremit, në luftën me Tahirin, Demën dhe Imerin, të tjerët ikën lirisht në drejtim të Surrojt dhe shumë prej tyre (partizanëve) kërkuan të dorëzohen.
Në këto kushte, Muharrem Bajraktari ka urdhëruar pushimin e luftimit dhe ushtarët u larguan pa dam, nga ajo lëndinë shumë e rrezikshme. Por mbas stanit të Muharremit, punët ishin zhvillue ndryshe. Prej gjashtë partizanëve, Tahir Hajdari kishte vra tre e një plagosë; Imer Myftari, vret një vdekun dhe kishte shpëtue tjetrin, mbi të cilin ishte vërsul Tahiri, mbasi ai kishte dhanë shenja dorëzimi. Tahir Hajdari dhe Dem Nura, u plagosën lehtë, i pari në kofshë dhe i dyti në faqe. Njëkohësisht me përpjekjen e Trullës (Surroj), Tahir Hajdarit, i pushkatohej vëllai në Postën e Surrojt (për shërbim) dhe ai kishte dijeni mbi këtë. Megjithatë, Muharrem Bajraktari, u tërhoqi vërejtje bashkëluftëtarëve: “Deri sa të jem unë, do ta vë në plumb këdo që vret të dorëzuem, ose të plagosun. Ushtarët nuk kanë faj, janë nën disiplinë dhe unë luftoj burrërisht dhe jo poshtërsisht”!
Të dorëzuemit Muhin Hoxha (?) nga Remulli i Matit, Muharrem Bajraktari, i tha: “Ti more djalë i mir, po deshe shko tek shokët e tu, ose shko në shtëpi, ose rri me mue”. Mbasi ai kërkoj me ndejtë me Muharremin, menjëherë i dhanë armatimin. Pastaj janë largue në drejtim të Malziut (Shëmri), prej ku natën kanë kalue Drinin në Manëz, në kondita meteorologjike jashtëzakonisht të vështira: ujë shumë dhe shumë ftohtë.
Tek Muhamet Sula, ushtari i kapun kërkoi me shkue në shtëpi. I kanë dhënë dy veta me veti, pse nuk dinte vendin, por ai u ka ikë në rrugë. Sipas Bajram Bajraktarit, akti i faljes së ushtarit të Forcave të Ndjekjes, nuk ka qenë pendim për gabimin e parë, ose dëshirë për t’i shërbye pushtetit, por i përmenduni ishte bindë, mbi pamundësinë me qëndrue në male si të arratisurit. Ai kishte patur në dorë, një shërbim të paçmueshëm për pushtetin komunist: vrasjen e Muharremit, mbasi e kishin lënë roje, si të tjerët, natën, m’u mbi krye të tij.
Në përpjekjen e Trullës (Surroj) kanë qenë: Muharrem Bajraktari, Imer Myftari, Tahir Hajdari, Sef Xheladini, Bajram Bajraktari, Hamdi Bajraktari, Ibrahim Bajraktari, Sul Dogjan Skavica, Ali Xhelili, Islam Lami, Kadri Mata, Sul Dogjan Misini, Mus Mahmuti, Qazim Mahmuti, Bajram Tahir Dega, Ali Kazia, Rushit Kazia, Hakik Elmazi, Kamber Nuza, Hysen Mustafa, Kadri Mustafa, Rexhë Selmani, Mustaf Dauti, Mahmut Hyseni, Dem Nura, Zeqir Nura, Rushit Murati (?), gjithësejt 27 a 28 veta. Kurse nga forcat e ndjekjes të regjimit komunist kanë qenë 60-70 vetë.
Përpjekja në Domaj (Ujmisht), gusht 1945
Në korrik 1946, në Urën e Drinit, një bashkëluftëtar i Muharrem Bajraktarit, Hasan Sulejmani, që pa dijeni kishte ecë përpara, është ndesh në një pritë, e ka hetue dhe ka shti pesë here, në ta. Patrulla e fshehur e Forcave të Ndjekjes (Can Xhelili) ua mbathë këmbëve dhe mbas një gjysmë ore, bën një alarm fals me shprazje pushkësh e mitralozi. Ndërkohë, Muharrem Bajraktari me grupin e tij, kishin kalue Drinin në një tjetër vend. Në gusht 1946, vendosen në Domaj, Bajram Bajraktari me Sul Dogjan Skavicën. Bajrami ishte i sëmurë dhe për këtë ishte nda nga Muharremi, me të cilin ndonjëherë kishte edhe mosmarrëveshje.
Ditën e përpjekjes, një orë para sabahut, Bajram Bajraktarin dhe Sul Dogjan Skavicën, i fsheh në arën e Mehdi Baftjarit (Domaj) djali i tij, Adem Mehdiu, të cilin e kishin gjetë në Vreshta. Këtu janë fshehur kundër vullnetit të Bajramit dhe pa dijeni të familjarëve të tjerë. Njësi të Batalionit Special, nën komandën e Selim Bratit (afër 100 vetë), bëjnë një kontroll të imët në krejt lagjen Domaj e për rreth. Kur po u kthejshin për në katund nga Vreshtat, një patrullë (8 veta) u ndesh në Bajram Bajraktarin dhe Sul Dogjan Skavicën, në një largësi pesë metrash. I fundit prej tyre i shikon dhe u thërret; “Kush jeni?”.
Bajrami dhe Sula, kanë pasë mundësi me i vra dy-tre prej tyre fare kollaj, por nuk kanë qëlluar. Kanë ecë në drejtim të Reskut dhe partizanët i kanë gjuajt 50 – 60 herë, jo më larg se prej 20 metrash. Bajrami me Sulën, jo vetëm që nuk u janë përgjigj, por nuk e kanë ulë pushkën prej krahu fare dhe janë largue nëpër katund, me hapa më të ngadaltë se të rregulltit. Partizanët, që çuditërisht nuk ua panë drejtimin, kanë vazhdue ndjekjet dhe kontrollin në të katër anët (veç jo nga kishin shkue ata). Roja e Kepit Kala, nuk ka shti në ta, pse ishin me rroba ushtarake dhe ecja e tyre, nuk i denonconte aspak si të arratisun, me ndjekje pas.
Sul Dogjani u betue, që nuk do të ecte më me Bajram Bajraktarin, por ai i shpjegoi arsyet: 1) Nuk e ndiente luftën kundër partizanëve. 2) E konsideronte veten fajtorë, pse u fut në atë vend. 3) Detyra e organeve qeveritare ishte ndjekja, kaçaku duhet të ruhet. 4) Çdo dëm i shkaktuem nga Bajram Bajraktari, ishte pushkatimi i të zotit të shtëpisë, që nuk kishte dijeni fare. Sipas Bajram Bajraktarit, këto ishin arsye të mjaftueshme, para të cilave vdekja e Bajramit dhe e Sulës, ishin dâmi mâ i vogël.
Përpjekja e Limthit (Lusën), 10 mars 1946
Kur ka ndodhë përpjekja e Limthit (Lusën), grupi i luftëtarëve të Muharrem Bajraktarit, ka qenë në qendrën e Liman Peposhit dhe të Dostan Rexhepit. Vetëm një natë para kishin mbërrit dhe, siç duket, ai rrethim nuk ka qenë për ta, por për Dostanin, i cili ishte i sëmurë nga këmbët (ftoftë në Tetovë) dhe kishte një shok gjysmë të vdekur (Hazir Tajnovën, i cili u dorëzue tri ditë më pas). Kompania e Batalionit Special, nën komandën e toger Hasan Myftarit, ditën e parë kontrolloi vendin karshi, deri ku fillonte traku (që ishte tamam rrugë kerri). Ndoshta i impresionuem nga shenjat, se do të gjendeshin mâ tepër të arratisun se sa mendonte, Hasan Myftari, e shtyni rrethimin për nesër dhe lajmëroi Bicajt, që të zinin anën e Kolesjanit (Truiz).
Në përpjekje kanë qenë Muharrem Bajraktari, Bajram Bajraktari, Ibrahim Bajraktari, Sef Bajraktari, Hamdi Bajraktari, Esat Bajraktari, Dostan Rexhepi, Nexhet Hamzi, Elmaz Tosuni, Tosun Çiku, Liman Peposhi, Mehmet Labi, Avdi Rakipi, Imer Myftari, Tahir Hajdari, Dem Nura, Zeqir Nura dhe 18-19 të tjerë. Liman Peposhi, që vetë i treti ruajti trakun, lajmëroi ardhjen e fuqisë dhe grupi i Muharrem Bajraktarit, u orvatën të tërhiqeshim, por qe e pamundur nga shkaku i të sëmurit që e merrshin në shpinë. Partizanët iu hodhën në shpinë dhe filloi përpjekja. Pararoja e Muharrem Bajraktarit, e përbërë nga Bajram Bajraktari, Tosun Çiku (të dy u caktuen se nuk mujshim me ecë dhe mos t’i ndante lufta), Sef Xheladini (edhe ky sëmurë), Hamdi Bajraktari, Dem Nura dhe Zeqir Nura, nuk ka marrë pjesë në luftim. Aktivisht kanë marrë pjesë në këtë përpjekje, Muharrem Bajraktari, Liman Peposhi, Elmaz Tosuni, Avdi Rakipi, Dostan Rexhepi, Tahir Hajdari dhe Imer Myftari.
Në këtë betejë është vra toger Hasan Myftari i forcave të ndjekjes. Liman Peposhi, Elmazi Tosuni, Avdi Rakipi, Mehmet Labi dhe dy të tjerë janë largue në drejtim të Ujmishit, duke marrë poteren mbas vedi dhe kanë fshehë Hazir Tajnovën. Pjesa tjetër e luftëtarëve të Muharrem Bajraktarit janë larguar në drejtim të Lerës Sorrave dhe të katundit Fshat. Në Lerë të Sorrave, kishin mundësi me u ndal e, me i dëmtue rëndë partizanët, por nuk dëshironte kush gjakderdhje. Në katundin Fshat, kanë marrë bukë me detyrim dhe këtë barrë, e mori përsipër Bajram Bajraktari, për arsye që mos të merrnim tek ndonjë i vobektë, pse nuk kishte për vedi dhe atyre nuk ua plotësonte nevojat.
Kanë marrë bukë tek Molla Jashari, Sheh Isufi, Ali Shehu, Vaid Shehu, Hafuz Dardhesi. Muharremi dhe Dostani, kanë marrë opinga te tregtari Hafuz Shtini dhe kanë qitë paret me ja pague, por ai s’ka pranue. Gjithsej janë marrë 15 bukë (50 kg.). Ndërsa u tërhiqeshin përtej Rekës, ja befi patrulla ndjekëse dhe filloi luftimi. Të gjithë grupi kishin dalë jashtë qitjes, vetëm Bajram Bjaraktari dhe Sef Bajraktari, kishin mbetë pas dhe kanë hëngër një breshëri plumbash. Kanë zënë pozicione dhe tri orë rresht, ka vazhdue luftimi vetëm me partizanët. Sefa ka qitë 50-60 herë. Në anën tjetër, pozicioni ishte i tillë, sa një njeri vetëm e mbante (lumi ishte në mes tyre). Në këtë përpjekje, një partizan është plagosë në Fshat, nga të shtënat e Sefës. Në mbrëmje, grupi i Muharrem Bajraktarit, është largue për Grame (Dibër). Kishin bukë, për më tepër se një javë.
Përpjekja e Përdhukaj, 1-2 prill 1946
Një njësi partizane (50 vetë) në kontrollim e sipër në malin e Vilës, erdhi e u ndesh në grupin e luftëtarëve të Muharrem Bajraktarit, ndërsa Muharremi dhe Osman Lita, synonin me goditë Kalanë e Dodës. Kanë qenë në përpjekje: Muharrem Bajraktari, Ibrahim Bajraktari, Bajram Bajraktari, Hamdi Bajraktari, Sef Bajraktari, Esat Bajraktari, Imer Myftari, Tahir Hajdari, Dem Nura, Zeqir Nura, Dostan Rexhepi, Neshet Hamzi, Xhemali Mërtini, Osman Lita, Taf Lita, Sali Lita, Vehab Lita, Zejnel Lita, Rrahim Lita, Rushit Lita, Jahe Lita, Shefqet Lita, Hysen Lita, Emri Lita dhe Ukë Lita. Ndër këta Rrahimi, Saliu, Vehabi, Shefqeti, Hyseni, ishin fare të pa provuem dhe me nga 10 fishekë.
Partizanët kanë sulmue mirë dhe duket se nuk kanë patur humbje. Sulmi kryesor i tyre, u organizue drejt pozicionit të Muharrem Bajraktarit. Nga luftëtarët e Muharrem Bajraktarit, u vranë Uk Lita dhe Rrahim Lita. Sipas Bajram Bajraktarit, Litajt kanë qenë duke i larë hesapet atë ditë, por i ka shpëtue qëndresa e fortë e Muharremit, Dostanit, Tahirit, Demës dhe Esatit. Vetëm Tafa, Emria, Rushiti dhe Uka, ishin të armatosur e të shkathët si duhet. Janë tërheqë në drejtim të Gjinetës Kalisit, me mbrojtje nga larg dhe prej këndej janë kthye natën për Grame. Janë takue natën rastësisht me Han Kotaren dhe ky e Litajt, kanë marrë ushqim shumë nga fshatarët e Grames.
Përpjekja në stanet e fshatit, 8-9 prill 1946
Në kthim prej Grame për Ujmisht Grupi i luftëtarëve të Muharrem Bajraktarit kanë hyrë në një stan të shkretë përmbi fshat, ku aksidentalisht erdhi një patrullë partizane (15 – 20 vetë). I patën para dhe u tërhoqën në drejtim të Kepit të Camit (kufi), por, mbasi partizanët qëlluan, u përgjigjën Sefa e Tahir Hajdari, shkurtimisht 20 shprazje nga të dy palët. Edhe këtu grupi i Muharrem Bajraktarit, po të donin, nga pozita krejtësisht të favorshme do t’i kishin vra partizanët keqas.
Ndërkohë, Dostani dhe Nesheti ishin nda dhe kishin mbetë familja e Muharrem Bajraktarit, plus Imer Myftari, Tahir Hajdari, Dem Nura dhe Zeqir Nura. Sefa ishte sëmurë dhe u nda atë natë kur u kthyen prej Çaje për në Lusën dhe Ujmisht. Sipas Bajram Bajraktarit, nga takimi me Litajt ka fillue me i ndjek belaja dhe faktori kryesor ishte mungesa e ushqimit (racionimi i bukës).
Përpjekja e Shpazës (Domaj), 16 prill 1946
Në betejën e Shpazës (Domaj), më 16 prill 1946, nga grupi i luftëtarëve të Muharrem Bajraktarit, kanë qenë: Muharrem Bajraktari, Bajram Bajraktari, Ibrahim Bajraktari, Hamdi Bajraktari, Esat Bajraktari, Imer Myftari, Tahir Hajdari, Dem e Zeqir Nura (9 veta). Tahir Hajdari, kishte lënë mitralozin tek M. I., e marrë një pushkë gjermane. Esati mbante “Mashinkë” gjermane dhe Bajrami një pushkë të prishun. Kanë qëndrue dy-tri ditë në Domaj dhe ushqim merrnin tek M.I. Megjithëse M. u tha: “Më duket se u kanë marrë vesh”, ata nuk mundën me u largue atë natë, sepse Muharremi ishte sëmurë (veç Bajramit i diftoi) dhe nuk kishin kohë me dalë nga periferia e Domaj (e rrethimit). D.m.th., për t’u shmangë nga përpjekja me partizanët, duhej me kalue Drinin (e pamundur), Limthin (larg), Dardhëzen e Bicajt (partizanët).
Siç e kishin kuptue, informatën e kishte dhënë M.S. (hakmarrje për nëntogerin e milicis G.), i cili e dinte se edhe Sefa, ishte me ta. Nga se nuk kishte mal, vajza e tij i kishte pa rastësisht, tuj kërkue një lopë. Bajrami kishte ngulë këmbë që të largoheshin, por Imeri garantoi, që nuk i kishte pa. M.I., ishte takue me dajën e tij Z.S., në Bicaj, dhe, mbasi ka kuptue se ai e dinte, ja ka vërtetue tamam, tuj tregue sa ishin dhe armatimin. Pastaj, nga frika se mos shpëtonte ndonjë, i ka thënë Muharrem Bajraktarit: “Bicajt e dinë, por nuk është asnjë ushtar aty, s’mendoj të vijnë nesër, tash është punë për juve”. Besnikëri e dyanshme, e rafinueme.
Kështu e mejtonte dekonspirimin, grupi i Muharrem Bajraktarit, o s’paku Bajrami, se Muharremi besonte në M. Për këtë, Bajram Bajraktari shprehet: “Betohem që, për djemtë që janë vra aty, në kërkënd nuk jam i dëshpëruem, përveç M. (ishalla nuk ashtë). Fuqitë partizane, kanë qenë astronomike për numrin tonë, thonë 800 – 900, por jo ma pakë se 500 vetë”. Kur kanë ardhë forcat partizane, grupi i luftëtarëve të Muharrem Bajraktarit, ka qenë në kodër mes Shpazës e Domaj. Solucioni ma llogjik, ishte pozicioni (Hurdha e Alisë), ku mund të luftonin edhe dy vetë me një mijë, por Imer Myftari i ngriti për Shpazë, ku ishte i vetmi zabel me gjeth të ri. Muharremi, kur janë nisë poshtë, u thotë: “Djem, kurrë nuk kemi qenë në pozitë ma të vështirë. S’na mbetet tjetër, veç me e shitë lëkurën shtrenjtë. Nëse vetëm një nga ne del nga ky rrethim, k’to njësi ushtarake, nuk e meritojnë një emën të tillë”.
Sa kanë fillue me ra në drejtim të Drinit, roja ka shti edhe shpërthej luftimi. Bajramin e goditi një plumb në krahun e majtë, pa e shprazë akoma pushkën. Nuk u tregon shokëve, por mbeti praktikisht jashtë luftimit dhe pushkën e tij me gjithë fyshektore, e mori Dem Nura, të cilit i ishte prishur mitralozi sa filloi përpjekja. Prej orës 12 të mesditës, deri në orën 8 të mbrëmjes, është luftue pa ndërprerje. Grupi i Muharrem Bajraktarit ishin në dy pozicione: 1) Imer Miftari, Hamdi Bajraktari, Zeqir Nura, Tahir Hajdari, Ibrahim Bajraktari në disa kepa (krahu i Gabricës). 2) Muharrem Bajraktari, Dem Nura, Esat Bajraktari në fund të arës (krahu i Ujmishit). Largësia në mes dy grupeve ishte 200 metra.
Bajram Bajraktari është mundue të mbaj ndërlidhjen, por e pamundur (nuk u ndigjonte zani as pesë metra nga zhurma e armëve). Kur asht bë aksham, me përjashtim të plagës së Bajramit, nuk ka pasë tjetër dam nga ana e grupit të Muharremit. Grupi i Muharremit, me prijës Bajramin, kanë dalë dy orë mbas akshamit në drejtim të Gabricës. Shkuen në vend të shokëve (grupi i Imer Myftarit) dhe, mbasi nuk i gjetën, pandehen se kishin dalë prej rrethimit. Faktikisht ata nuk kishin ditë shtegun, me ardhë tek grupi i Muharremit dhe aty ishin kryqëzue. Në fund, kishin sulmue drejt pozicionin partizan të Gabricës dhe prej këtij sulmi, ka dalë vetëm Tahiri (tregimi i tij).
Vetëm mbas 5-6 ditëve, ata morën vesh vrasjen e shokëve.
Prej luftëtarëve të Muharrem Bajraktarit ishin vra: Imer Myftari, në vend; Zeqir Nura, pushkatue rrugës Gabricë – Bicaj; Hamdi Bajraktari, plagosë e vdekë në Bicaj; Ibrahim Bajraktari, humbë pa shej, por sigurisht i vdekur, përndryshe do ta kishin gjetë, dhe është hedhë në Dri, përndryshe do ta kishin hetue se ku ka vdekë. Kur filloi luftimi, Hamdiu kishte thënë: “Edhe në u plagossha, do t’i bije Drinit baftua”. (Hamdi e Ibrahim Bajraktari ishin djemtë e Muharrem Bajraktarit – V.H.). Nuk dihen humbjet e partizanëve, për pos Nuhi Bislim Matës dhe djalit të Ismail Gjutës (daj babe, i familjes së Bajraktarëve), por kapiten Beqir Ndou, i kishte thënë Bajram Bajraktarit se ishin vra shumë.
Sipas Bajram Bajraktarit, ata i kishin pësue këto humbje, vetëm për një gabim trashanik: a) Pse nuk u nda Bajrami nga Muharremi. b) Sigurisht Bajrami, i kishte qitë shokët pa dam fare dhe Muharremi të tjerët. Vetëm Bajrami dhe Muharemi, e dinim mirë vendin. Gabimet nga ana e partizanëve, sipas Bajram Bajraktarit:
1) Mungesë e plotë taktike ushtarake nga komandanti i fuqisë, si dhe mungesë guximi. 2) Sabotim (me dashje o padashje), i elementëve civilë, që dinin fare mirë pozitat strategjike për pozicione. P.sh. ana e Ujmishit (Ali Selmani), në Kalin e Shpazës e në Dri, vendin pa zanë; ndërsa nga anan e Gabricës, lan bosh bash kodrën, në mes Gabricës e Shpazës, ku kanë kalue grupi i Muharremit. 3) Një farë mungese agresiviteti, nga ana e elementit ushtarë, me harxhime të kota municioni, pa pa kend.
4) Vetëm një sulm vendimtar, do t’i kishte asgjësue luftëtarët e Muharrem Bajraktarit, me humbjet e njëjta nga ana e fuqive në rrethim.
Përpjekja e Lojmes, 16-17 qershor 1946
Në Lojme, grupi i luftëtarëve të Muharrem Bajraktarit ka qëndruar tre-katër ditë. Janë furnizue nga Beqir Tafa edhe kanë pasë dijeni për vendndodhjen e tyre, Men Ismeni (?) dhe një i lojmjan tjetër, Ramadan Bidini nga Brekia, Iliaz Haxhia dhe Mal Brahimi nga Topojani. Me ta ka qenë dhe një i prizrenas, të cilin e kanë gjetë aty në sabah, kur Bajrami shkoi me marrë bukë në Lojme, te Beqiri. Atë e kishte pru Iliaz Haxhija. Sidoqoftë, siç u mor vesh më vonë, ai kishte qenë i dërguem nga Prizreni, me tjetër program. Në Lojme kanë qenë: Muharrem Bajraktari, Bajram Bajraktari, Sef Bajraktari, Esat Bajraktari, Dostan Rexhepi, Neshet Hamzi, Avdi Rakipi, Tosum Çiku, Elmaz Tosumi. Sipas Bajram Bajraktarit, sulmi i Forcave të Ndjekjes, ka qenë i përsosun për ekzekutim dhe guxim. Bajrami ka qenë në gjumë, 5 metra larg pushkës; Muharremi tuj shetit, 20 metra larg pushkës; Avdi Rakipi, 100 metra larg pushkës; Elmaz Tosuni, 20 metra larg, por me nagantë. D.m.th. vetëm Dostani, Sefa, Esati, Nesheti (në gjumë) i kanë pasur armët me veti. Si është kryer përpjekja e Lojmes:
1) Një reshter ka ardhë dhe e ka shprazë “Mashinkën” në derë të kolibes së Dostanit e Sefës dhe është kthye, pse nuk pat kohë me e mbushë. Është kap fyt a fyt me Neshet Hamzin, që ishte ngritë jerm prej gjumi.
2) Kapiten Shukri Meka, ka sulmue drejt në Muharremin, por i është hedhë përpara Elmaz Tosumi dhe Esati. Elmazi e ka vra kapitenin (të cilit duket se nuk i ndezi “Mashinka”) me revole gjoks në gjoks. Esati ka plagosë një ushtarë.
3) Kur Bajrami ka kërcye në drejtim të pushkës, e ka goditë një plumb pushke dhe shtatë pjesë bombe në kokë (ma keq pjesët e bombës, se plumbi), por jo rand fort. Bajramin e ka mbulue gjaku dhe nuk ka shti fare. Armën ia kishte dhanë Esati.
4) Tosum Çiku dhe Sefa, kanë mbetë në vend në zjarrin e parë.
5) Elmazi ka ra i plagosun dy herë pranë Bajramit dhe nuk iu përgjigjë, kur ai e thirri.
Bajrami e pandeh të vdekun, kurse atij i kishte pas ra të fikët dhe ma vonë ka luftue i vetëm gjysmë ore. Ndërkohë luftëtarët e tjerë, ishin largue.
6) Dostan Rexhepin e ka vra një ushtar, me një të shtime, 200 metra sipër kolibes. Dostani përpara ia lëshoj, po nuk e mori plumbi. Ushtarin nuk e panë ma.
7) Avdi Rakipi, ishte plagosë me disa pjesë bombe nën kërthizë dhe s’ka mujtë me arritë tek pjesa tjetër e grupit, i kanë mbetë dy pushkë dhe dylbitë. 8) Muharremi, kur ka kërcye e ja ka ngjitë armës, e ka krue diçka në brinjë. Nuk kanë mund me kuptue nëse plumb apo kungj druni (kishte 5 kungja aty t’u pushka, në lisin afër shtratit, dhe në ma të sipërmin armën). Nuk e ka mjekue fare, as nuk u kuptonte. Vetëm Esati dhe Nesheti, kanë shpëtue paq këtë rradhë dhe ai i prizrenasi, i cili ishte pa pushkë.
Në përfundim: Kapiten Shukri Meka dhe një ushtar, janë vrarë nga ana e Batalionit Autonom. Kurse nga grupi i luftëtarëve të Muharrem Bajraktarit, Dostan Rexhepi, Sef Bajraktari, Elmaz Tosumi, Tosum Çiku të vdekur; Bajram Bajraktari, Avdi Rakipi dhe Muharrem Bajraktari, kush më shumë, kush më pak të plagosur. Sipas Bajram Bajraktarit, kur i janë vra djemtë (Ibrahimi dhe Hamdiu) në Shpazë, Muharrem Bajraktari, nuk ka dhanë as ma të voglën shenjë demoralizimi. Kurse kur ka humbë Dostanin e Sefën, nuk e ka përmbajtë dëshpërimin, por kjo se ka ndalue të thotë: “Bravo i qoftë këtij oficeri (kapiten Sh. Meka), kjo është vdekje me nder, në kryemjen e detyrës me përsosuni”. Memorie.al
HELENA LULI
(1914 – 2001)
CILA ISHTE DETYRA E
SEKSIONIT KATOLIK
PRANë DEGëS Së MBRENDSHME Të
QYTETIT Të SHKODRES Në 1946,
I VETMI N’BOTë ?
-ZHDUKJA E PERJETëSHME E
ANTIKOMUNISTAVE T’ VERIUT.
Jo larg nga shtëpia ime në rrugen Badra, në Shkoder, në rrugen Marvukej, ka banue zonja Helena Luli (Mirakaj). Nana ime njiihej me zj. Helena që në kohen kur Ajo ishte e re dhe ishte nder mësueset e para në Shkoder.
Ajo kishte natyrë joshëse dhe shumë terheqëse, e kjo më shtyni me e pyet Nanen se, kush ishte kjo grue e re gjithmonë e veshun me tesha të zeza? Dhe Nana më shpjegoj se Asaj i kanë vra burrin komunistët në mal se asht kenë oficer Gjelosh Luli, i fisit njoftun të Ded Gjo’ Lulit. Ndersa, kjo asht e fisit Mirakaj, me disa vetë të vramë edhe këta. Kjo kishte dy vajza me emnat Klara dhe Izabela, njenën ma të bukur se tjetren, janë fise të bukra… Në të vertetë vajzat i njifshe të dyja. Ishin afer me moshen time. Ma vonë më pat tregue Nana se Helenen e njifte që në moshë të re në shkollen e Motrave Stigmatine ku edhe Ajo vazhdonte mësimet, dhe binte në sy per bukurinë e Saj. Nana kujtonte edhe një prirje të Helenës që, Ajo asht kenë vajzë e re, kur ka fillue me shkrue vjerrsha. Shumë vonë gati aty mbas viteve 1980, njëditë e pyeta: Zonja Helena, a vazhdon me shkrue edhe tashti? – Ajo buzqeshi dhe tue më dhanë doren shumë miqsisht, më dha me kuptue se vazhdonte me shkrue sa me kalue merzinë.
Jeta i solli aq telashe sa vjerrshat e shkrimet u harruene krejtësisht mbas vrasjes së Gjeloshit në 1947 dhe, interrnimeve e burgosjes së Helenës krejt’ e pafajshme, vetem pse ishte e motra e Kol Mirakaj dhe Zonja e oficer Gjeloshit, i vramë në Mal. Pak ditë perpara se të nisem per Australi, kam shkue tek e bija Izabela per me takue Zonjen Helena dhe, kemi kalue disa orë bisedë me Ate. Nuk i mbajti lotët kur i tregova se shpejtë iku per Australi. Më mori doren dhe ma shterngoi fort tue më pyet me një dhimbje të thellë në Shpirtë: A thue premton Zoti që të shihemi prap ma vonë? Unë nuk i premtova asgja, sikur t’ ma ndinte zemra se nuk shihemi ma!!
Vjerrshat e Poetes së paharrueshme Helena Luli xanë vend në shkamijt e groposun të nëntokës sonë Shqiptare. Edhe ato janë të daltueme nder gur! Vlerat e Tyne janë aq sa të mëdha aq, edhe të domosdoshme per edukimin e rinisë sonë, ku Poetja Helena, me mjeshtri ka qendisë dallgët e jetës së një grues së vejë me dy vajza jetime nën diktaturë të pashpirtë komuuniste.
Vlerat e atyne poezive kuptohen shumë mirë nga të gjithë ata mija e mija qytetarë që lindën, u rriten dhe u plakën të rrethuem nder tela me ferra, pa asnjë shpresë se do të jetojnë ndonjëherë të lirë. Ja si e shikon jeten Poetja Helena tek vjerrsha “Lutje”:
“Një tallazi të zi – E n’gji t’vet don me përpi – Gjithshka n’tokë quhet mirsí”
Poete Helena Luli e vuen në zemer gjendjen ku ka mërrijtë Atdheu.
Ja shka shkruen:
“E dijmë mirë se tokës amtare – I kanë zhgulë nder e i kanë mbjellë marre.” (“Kaçak malit”), pikrisht aty ku Ajo, nuk pajtohet me shkatrrimin dhe vorrosjen e të gjitha atyne tipareve burrnore dhe të nderueme të Trojeve tona. Poetja nuk rri me pa por, e vajton gjendjen e Shqipnisë së mjerueme:
“Vendit tonë i hupi ndera – Si n’për jerm iku lavdia – T’liga punë bijtën te dera – Ulë për tokë, asht krejt madhështia” (“Shpresoj agimin”).
Ndersa, vlenë me u shpjegue kjartë urrejtja per agjentat e sigurimit, ja nama e Saj:
“Kurrë ksi djelmsh mos baftë ma nana!” (“Kaçak malit”) E, vazhdon…
Edhe pse Poetja Helena Luli ka psue ate shka mundet me e kuptue kush e ka provue, Ajo deri në fund të jetes i mështetet Zojës së Shkodres, ku asht themeli i edukates:
“Ty amanet – T’a lamë Shqipninë – O Zojë e dashtun – Na kthe lirinë!”
Shpresa e plotë dhe e palëkundun e një Martirës së Vertetë!
Vargu ku shihet kjartë madhështia Shpirtnore e Poetes sonë Helena të Paharrueshme.
Nuk asht e largët jo, koha kur këto Poete do të hyjnë n’ zemrat e Vajzave Shqiptare! Ato do të studjohen nder shkollat Shqiptare, se janë Nanat e Nderueme të breznive të 50 vjetve vuejtje, interrnime e burgosje të masakrave barbare komuniste! Prej Tyne sot vajzat tona do të mësojnë persekucionin komunist, po ma e randsishmja asht qendresa e Tyne dhe perballimi i së keqes me krenari dhe nderim të perjetshëm. Vlerat morale të Atyne Nanave Heroina asnjëherë nuk i kalbë dheu i Rrëmajit!
E mos harroni se, Ato ishin ndera dhe lavdia e Shqipes Dykrenare të Gjergj Kastriotit dhe Nanë Terezes!
Jo rastësisht, shpesh kam pyet veten: Kush ishte Ky Kapiten Gjelosh Luli (1908 – 1946) Foto Marubi, Shkoder 1941.
Kur “historianët” do të shkruejnë të vërtetën, që Rinia Shqiptare me e mësue “até”?! Sa do të më pelqente sikur “prof. dr. e akademikët” me e dijtë këte emen, kush ishte kjo “Besë – Lidhja e Malësisë së Madhe, Rranxave dhe Postribës”, kush e krijoi dhe pse u krijue, apo cili ishte qellimi i Saj Atdhetar?! Nuk dij a e kanë lexue ndonjëherë Programin e Saj!! Prej vitit 1941 krahinat Veri – Perëndimore të Shkodres, tue fillue prej Ulqinit, Tivarit, Hotit dhe Grudës, ishin të lira nga jugosllavët dhe malazezët, mbas sa luftave per Lirinë e Tyne, dhe shpejt do t’ishte e lirë edhe Kosova e Maqedonia, deri poshtë ku kishin hy forcat gjermane, që kërkonin edhe shkëputjen e Trojeve Shqiptare nga zgjedha sllave.
Menjëherë ndër ato krahina u hapen 120 shkollat shqipe me 250 mësues nga ministri Ernest Koliqi dhe qeverisjet lokale të tyne ishin nga Shqiptarët, të cilët filluen edhe organizimin e policisë dhe administrimin e vendit. Kur ushtria naziste filloi terheqjen nga Ballkani me humbjen e luftës, ndihej nevoja e organizimit ushtarak ndër ato krahina për me mujtë me sigurue “Lirinë” e Tyne, e cila jo vetem do të rrezikohej, por pritej edhe përdhosja e Tyne nga forcat komuniste jugosllave të Titos, i cili kërkonte edhe njëherë aneksimin e tyne në vathen e vjetër sllave, por këte herë i ndihmuem nga forcat ushtarake sovjetike dhe nga komunistët shqiptarë, që ndihmoheshin materialisht nga forcat ushtarake të Aleatëve.
Nga fundi i vitit 1943 forcat nacionaliste shqiptare “Balli Kombëtar”, “Legaliteti” dhe Indipendentët, luftoheshin haptas nga forcat komuniste “partizane” të drejtueme prej agjentëve jugosllavë, që kryesoheshin gjoja nga Enver Hoxha, që tashti kishte shpalosë haptas flamurin e tradhëtisë, me luften civile në Shqipninë e Jugut, dhe pritej që Shqipnia Europjane t’ ishte tansisht nën pushtimin bolshevik komunist të Titos. Me këte vepër tradhëtije pajtohej edhe blloku i Aleatëve, nen parullen e “Konfederatës Jugosllave”; i cili ndihmonte me të gjitha mjetet financiare dhe materiale “nacional – çlirimtarët” e bllokut komunist të Stalinit. Me daten 23 Shtator 1943, kapiten Gjelosh Luli, major Mul Bajraktari, major Dodë Nikolla (Ivezaj), kapiten Llesh Marashi, të mbledhun per me shpëtue Atdheun nga një robni e ré që po i kercnonte krahinat e Shqipnisë së Veriut të porsalirueme nga sllavët dhe italianët, e të cilat po administroheshin nga Shqiptarët, kur gjermanët ishin në terheqje,
Këta Burra, në një mirëkuptim të plotë edhe me Krenët e vendit, të gjithë bashkë, formuene “Besë – Lidhjen e Malësisë së Madhe, Rranxave dhe Postribës”, e cila kishte si pikësynim kryesor: 1. Mbrojtja e Kufijëve të sotëm të Shtetit Shqiptar. 2. Qetësia e mbrendëshme në krahinat Shqiptare, dhe një Program të plotë, që perputhej me interesat kombtare të Lirisë, Pavarsisë dhe të zhvillimit e përparimit të Tyne me kahun e pikpamjet Europjane – Perëndimore. Të nisun edhe nga sakrificat e Familjes së Atdhetarit Dedë Gjo’ Lulit në vitin 1911, trashigimtarit të Gjakut të Tij, po edhe pasues i divoçem per nga Atdhetaria, kapiten Gjelosh Lulit nga të gjithë drejtuesit iu besue drejtimi dhe organizimi i mandejshem i Saj.
Të parët që miratuen dhe u bashkuen me këte “Besë – Lidhje të Veriut” ishin Krenët e Hotit, Grudës, Kelmendit, Kastratit, Shkrelit, Triepshit, Koçës, Fundës (Luare – Ledhe) , Reçit, Lohes, Rrjollit, Koplikut, Buzë-Ujit dhe Postribës. Shumë shpejtë me ta u lidh edhe koloneli Atdhetar i Dibres Muharrem Bajraktari. Me daten 19 Dhjetor 1944, drejtuesit e Besë – Lidhjes i drejtojnë një kerkesë edhe anglezit, kolonelit Nill (Neell), që ndodhej në Veri.., i cili “premton po nuk mban asnjë fjalë nga ata që premtoi.” (Dosja 1883, Arkivi Min. Mbrendshme Tiranë, 1998).
Të parët që iu përgjegjen Lidhjes ishin grupi i ushtarakëve ndër shpellat e Shllakut, që kryesohej nga kapiten Gjergj Vata (Cukali), Martin Sheldija, Zef Agostini, Kolë Ashiku, Zef Jakoviq, Loro Vata dhe ma vonë, organizatori i Rinisë Shkodrane, Ndoc Jakova. U gjet perkrahja e grupit ushtarak të shpellave të Dukagjinit, ku ishin oficerat Gjon Destanisha, Pal Thani, Mark Mala, Nik Sokoli, Ndue Pali, Zef Kol Prela etj. Në Postribë ishte Jup Kazazi, Abdullah e Nuh Kazazi, që mbeshteteshin tek Parija aty. Pa kalue as pak muej në perkrahje të “Besë – Lidhjes së Veriut” ishte edhe Puka me të ushtarakët e njohun e trima, Mirakajt, Mirdita me major Markun dhe Lleshin e Zi Markagjoni. Me kenë se Gjelosh Luli ishte edhe mik i At Mati Prennushit, provinçialit Françeskan të Shqipnisë, i cili kishte lëshue një urdhen të premë mbas vrasjes së At Lekë Lulit, kur bashkpunoi me Legalitetin dhe u vra tradhëtisht, Ai urdhnoi që “asnjë Klerik Katolik nuk duhet të perzihet në politikë”, në këte “Besë – Lidhje të Veriut” nuk u angazhue asnjë nga Klerikët e këtyne zonave. Por edhe pse Kleri Katolik nuk u perzi fare, Kleri u godit ma keq se kushdo, tue fillue nga data 25 Mars 1945 që u pushkatue Don Ndre Zadeja dhe mbas tij, me rradhë dijetarë e Atdhetarë për 47 vjet rresht panderpremje, deri tek Don Lazer Sheldija në vitin 1988, që u vra nga sigurimi komunist i yni në Amerikë, vetëm se ishte Bir besnik i Atyne trojeve të Besë – Lidhjes së Veriut.
Kur forcat komuniste të Mehmet Shehut e Koçi Xoxës, e të sa e sa “gjeneralëve” halabakë, sulmuen mbas shpine Atdhetarin Prekë Cali, bashkë me forcat jugosllave që kishin pushtue Gruden, me “Besë – Lidhjen e Veriut”, u bashkuen edhe çetat e Shqipnisë së mesme me Alush Lushanakun, Mark Zef Palin dhe Gjon Mark Ndojin, të cilët ruenin lidhjet e veta me “Çeten e Hekurt” të Sul Selimes në rrethinat e Tiranës. Rezistenca antikomuniste në Shqipni filloi pa mbarue Lufta e Dytë Botnore.
Atdhetarët e vërtetë nuk u pajtuen kurrë me komunizmin gjakatar.
Në Shkoder asht i pari në Europë Mark Çuni, që formon organizaten antikomuniste “Bashkimi Shqiptar”, me anen e së ciles kerkoi pluralizmin politik dhe zgjedhje demokratike. Askush nuk mund të harrojë qëndresën heroike shqiptare të Pjetër Dedës me gruen e tij Maria (Zojzi), të Ludovik Saraçit, të Pashuk e Palë Bibë Mirakajt, të Frano Mirit, të Gjon Dodanit, të Hasan Isufit, të Marash Ndue Mirit, të Pashko Zef Hotit, të Hysen Lepenicës, të Zagoll Shenos, të Sami Lepenicës etj., po gjithmonë tue vue në fletën e parë të këtyne volumeve të qendresës heroike Shqiptarin Gjelosh Lulin e Hotit dhe të Maleve të Veriut, që nuk e bân kurrmâ Nana.
Në vitin 1999, në muejn Tetor, më ka shpjegue zonja e Nderueme Helena Luli (Mirakaj), e shoqja besnike e Gjelosh Lulit, që atë natë kur Gjeloshi do të merrte malet, mbasi u vesh me rrobat ushtarake, vuni nën koletin e xhaketes një Kryq të vogel, dhe mbasi puthi dy vajzat e veta të vogla, Klaren dhe Belen, i kishte kerkue zonjës Helena revolverin që e ruente të mbyllun me çels. Kjo ia kishte sjellë dhe Ai e kishte marrë në dorë, e kishte shikue dhe i kishte thanë: “Mos e thashtë as mos e premtoftë Zoti, që unë me këte armë me rrëzue Landen e Tij!” – dhe e kishte vue në brez, ishte perqafue me Té dhe kishte dalë nga shtëpia për mos me u kthye kurrmâ.
Me daten 31 Dhjetor 1946, tek zyret e ndjekjes së Koplikut asht ekspozue vetëm koka e preme e Gjelosh Lulit, për me terrorizue Malet e Veriut dhe krahinat antikomuniste! Pothuej të gjithë Emnat e Atyne Burrave që kam përmendë ma siper janë vra e zhdukë edhe trupat e tyne, kush pa krye, kush pa kambë, kush pa sy e kush pa krahë, perfundimisht gati të gjithë janë “pa Varr”!
Po monument per Këta Atdhetarë, viktima të komunizmit a ka sot kund!?.. – Jo, “monumentet” janë per vrasësit e tyne, per kriminelët e dekoruem atëherë e sot! “Monumentet” janë e do të jenë per “nacional – çlirimtarët” tradhëtarë e kolaboracionistë me bolshevikët sllavo – komunistë të Jugosllavisë së Titos, Rusisë terroriste staliniste dhe Kinës së Mao Ce Dunit, shfarosës e barbar, me etiketen e “Revolucionit”, të cilëve u kanë sherbye dhe vazhdojnë me u sherbye me perkushtim, se i lidhë të gjithë bashkë “ideali antiatdhetar”… Po “ideali i antarëve të parë të partisë komuniste” cili ishte? – Sot, dimë vetëm një fakt, se pothuej të gjitha përpjekjet e Shqiptarëve për liri u shtypën me gjak, hekur, torturë, vrasje dhe tradhëti. Koçi Xoxe deklaron: “Për vrasjet pa gjyq kam qenë këshilluar dhe janë bërë me urdhër të shokut komandant.”(Dosja 1623). Torturuesit dhe kriminelët Haxhi Lleshi, Zoi Themeli, Vaskë Koleci, Lefter Lakrori, Muço Saliu, Siri Çarçani, Mestan Ujaniku, Nesti Kopali, etj., tregojnë se kur ishin në Shkodër, në janar të 1945, ishte në dijeni edhe Mehmet Shehu dhe Ever Hoxha për operacionin e Veriut, ku pasonin ushtarakët Sheuqet Peçi, Gjin Marku, Rahman Perllaku, Ramiz Alia etj. “, që kishim urdhër me vra dhe me i tretë në proskë njerëzit e dyshimtë dhe Parinë e vendit.” Ata partizanë që u vranë në Luften Nacional – Çlirimtare, të gjithë pa perjashtim, vrritën per një “ideal”, per “idealin” komunist: “Bijtë e Stalinit jemi né, rroftë Stalini i math, babai ynë!”. E dij se e kanë të veshtirë me arsyetue me trunin e tyne marksist-leninist të mykun nga “historia e PPSh” dhe parimet komuniste “prof. dr. e akademikët” e Tiranës anadollake, por duhet të tregojnë haptas se cilat ishin programet e tradhëtisë prej 8 nandorit 1941, të komunistëve të Tiranës, Permetit, Beratit, e deri tek Ramiz Alia, në 1991, në sherbim të komunizmit gjakatar? Në 1991 Ramiz Alia thotë: “Edhe gjak do bëjmë..!”, ja “ideali” i kriminelit të 1943…! E verteta historike asht vetem një: Komunistët anadollakë të Shqipnisë për me sigurue një kolltuk, até të Ever Hoxhës, shiten Atdheun, shiten Trojet Shqiptare, vranë e masakruen të gjithë Atdhetarët dhe inteligjencen Europjano Perëndimore, kthyen një Popull në bujkrob per me punue per terroristët e tradhëtarët, vodhen e vorfnuen vendin dhe pushtetin ua dorzuen veglave të tyne besnike, per me ua sigurue edhe mbasardhësëve pushtetin e perjetshëm antiatdhetar! Mundohen “disa” me gjetë krraba me varë “programet” e Mukjes apo të Bujanit tash nga pleqnia, e aty nga fundi kujtojnë se u ka ardhë prap koha edhe “këtyne” me u thirrë “pashallarë”, dhe askush nuk thotë të verteten historike! Mashtrojnë dhe gënjejnë edhe pse janë në gryken e vorrit.
E nuk kujtohen se mbi rrasen e “mermerit” të tyne Populli Shqiptar, ka me i daltue se: “Këtu asht një tradhëtar hajdut i droguem, imoral i njohun i Shqipnisë së shitun, rjepun dhe të plaçkitun!”.
Melbourne, 5 Shtator 2023.
Nga Petraq Xhaçka
Pjesa e shtatë
Memorie.al / Qëllimi i këtij libri, është të bashkojë ndihmesën në përpjekjet që bëhen, për të paraqitur të vërtetat dhe tmerret e diktaturës komuniste në Shqipëri. Qëllimi kryesor i librit, nuk është t’i tregojë popullit tonë e kujtdo tjetër, se ne naftëtarët kemi qenë të pafajshëm, sepse kjo është bërë e njohur nga botime në shtypin tonë, nga televizionet e huaja, si dhe nga takimet direkte me Forumin Ndërkombëtar dhe atij shqiptar të të Drejtave të Njeriut. Dëshira e autorit, është që nëpërmjet kësaj historie, së bashku me tregime të tjera, të luftohet çdo shfaqje në çfarëdo forme, qoftë dhe të moderuar, që ai mund të ketë për të krijuar një shoqëri komuniste. Mendoj se edhe nëpërmjet kësaj historie të hidhur personale, do të shfaqet fytyra mizore e pabesë dhe prepotente e enverizmit, që për një gjysëm shekulli, ja mbajti thikën me majën në gjoks popullit shqiptar, me syrin pishë, duke përgjuar lëvizjet për shpëtim nga jashtë, apo rebelim të vetë popullit, i gatshëm ta shtynte thikën drejt zemrës, në lëvizjen më të parë. Ngjarjet janë vënë në fushat ekonomike ku ajo është shfaqur më me forcë, siç ka qenë industria e naftës dhe e gazit, ku pata fatin të derdh energjitë e mia, për një jetë të tërë dhe të bëhem në ato ngjarje pjesëtar dhe dëshmitar. Të gjitha ngjarjet që shkruhen në këtë libër kujtimesh, janë të vërteta, jo vetëm pa asnjë përzmadhim apo zbukurim të tyre, por ndofta, nuk di sa kam mundur të paraqes forcën tmerruese të ngjarjeve që ndodhnin në atë sistem dekadent të socializmit, ku nuk ekzistonte asnjë ndjenjë humane.
Specialistë rusë në fushat tona të naftës
Ardhja e specialistëve të lartë të rinj shqiptarë nga shkollat e huaja dhe e grupit tonë të teknikëve, koiçidoi me periudhën që ishin dënuar grupi i ashtuquajtur armiqësor, ndërmjet të cilëve ishte dhe Prof. Stanislav Zuber, e të tjerë. Studimet e çmuara të këtyre specialistëve të shquar u bllokuan. Tani mbas vitit 1948, në Kombinatin e Naftës me qendër në Kuçovë, drejtimin teknik dhe kujdestarinë organizative, e morën në dorë specialistët sovjetikë.
Kur filluam punë ne teknikët e rinj, pamë se nga maja e piramidës shtetërore, ky bashkëpunim e kjo ndihmë vlerësohej e shkëlqyer. Mendimet e atyre pak inxhinierëve shqiptarë nuk vlerësoheshin si e sa duhet, megjithëse shpesh ato ishin të drejta. Pra kishte një feshitizim të mendimit të specialistit, apo drejtuesve sovjetikë. Kjo nuk ishte aspak e drejte. Ata kishin në duart e tyre drejtimin e të gjitha fushave kryesore të ekonomisë e të jetës politike e ushtarake. Ne i ndienim këto gjatë punës së përditshme në industrinë e naftës. Askush nuk mund të dilte kundër fjalës së rusëve, po të mos desh të futej në kallëpet e “veprimtarisë antisovjetike”, e cila dënohej rendë, me burgim e ca më shumë.
Për hir të së vërtetës duhet thënë se midis sovjetikëve të dërguar tek ne, kish specialistë të aftë, drejtues të mirë, punonjës të ndershëm e të përkushtuar. Por kishte dhe nga ata që ishin me një përvojë të pakët, e jo rrallë të pa aftë.
Kështu kur shkuam në Kuçovë, pas mbarimit të shkollës teknike, në Kombinatin e Naftës ne gjetëm njërin prej tyre, krye gjeologun Burxhanadze. Ai jo vetëm na mësonte e udhëzonte ne teknikët e rinj gjeologë, por edhe na mbronte nga kritikat e ashpra e pavend, që bënin disa punëtorë apo specialist, ndaj veprimeve tona të domosdoshme për problemet gjeologjike në puse. Kjo atyre u vinte kryesisht nga padituria, por nuk ishte e pakët edhe dëshira për të flakëritur secili vigjilencën e vet, aq të inkurajuar nga organizmat e partisë.
Mosnjohja prej tyre e detyrave e kompetencave të kësaj shkence, ishte si mos e pyet! Pamundësitë objektive për të përcaktuar saktësisht disa gjëra, sidomos në zonat e reja të puseve të kërkimit, ekzistonin atëhere, ekzistojnë dhe tani. Në vendin tonë ky shërbim, ishte fare i ri, pa përvojë. Niveli teknik e teknologjik i pajisjeve në ato kohëra, ishin mjaft të prapambetur. Burxhanadze, kishte durimin dhe mirëkuptimin të punonte me ato pajisje dhe me ata njerëz që kish për rreth. Por natyrisht, nuk mund të ishin të gjithë si zoti Burxhanadze.
Kur unë isha kthyer nga studimet e Moskës, pas afro një viti pune në ndërmarrjen e nxjerrjes, duke e vlerësuar shumë të mirë punën time, më emëruan Kryegjeolog të Kombinatit të Naftës në Kuçovë. Edhe aty punonte një inxhinier sovjetik. Ishte këshilltari i drejtorit të përgjithshëm. Unë megjithëse i ri, për shumë probleme e vendime që merrte ai, fillova të mos bija dakord. Në mbledhje të drejtorisë, unë shprehja kundërshtimet e mia, qëndrim ky që nuk i pëlqente aspak mysafirit.
Siç duket, këshilltari sovjetik ishte ankuar në Komitetin e Partisë të industrisë së naftës në Kuçovë. Mbase kish raportuar aty edhe ndonjë person tjetër. Kështu, një ditë vjeshte të vitit 1960, më thërrasin në zyrën e Sekretarit të Parë, Haki Toskës. Haki Toska më vuri në dukje, të rreshtuara me kujdes, disa nga rastet e përplasjeve të mia me këshilltarin sovjetik. Më qortoi për këto lloj qëndrimesh dhe më këshilloi të kisha kujdes, e të mos i kundërvihesha specialistit mik.
-Të tilla veprime bëhen të dënueshme, – tha Sekretari butë, por me shumë vendosmëri. Në përgjigjen time, unë pranova se duhet të isha treguar më i kujdesshëm, edhe pse nuk ishte aspak mire, që unë të pajtohesha me mendime apo vendime që janë të gabuara teknikisht, qoftë nga ai, qoftë nga kushdo tjetër prej specialistëve tanë.
-Faleminderit, shoku Haki, – i thashë në fund. – Unë do të kem parasysh edhe vërejtjet e këshillat tuaja të çmuara, që të jem më i kujdesshëm me të apo specialistë te tjerë sovjetikë. E do të gjej rrugët, që të shfaq e mbroj mendimet e mia deri në fund, por ju siguroj, që do ta bëj këtë me shumë kujdes. Kur dola përjashta, kuptova se edhe duke mbrojtur të drejtën, mund t’i hapja plot telashe vetes.
Në prag të Vitit të Ri, na erdhi në industrinë e naftës një delegacion specialistësh sovjetikë, nga më të mirët për sektorët e ndryshëm të kësaj industrie. Në takimin e ngushtë që patëm me kryetarin e delegacionit, anëtarin e Akademisë së Shkencave të Bashkimit Sovjetik, akademikun Mirçink, në prani të këshilltarit sovjetik, unë parashtrova divergjencat teknike, që kisha me të. Pasi na dëgjoi të dyve, të drejtën ai ma dha plotësisht mua, duke iu drejtuar atij me këtë shprehje: “Petraqi i di gjërat më mirë e më drejt se ty, more biri i im”
Aty nga fillimi i vitit 1961, marrëdhëniet sovjeto-shqiptare, pësuan menjëherë një kthesë të madhe, deri në prishjen e plotë të tyre, për shkaqe të mospajtimit të udhëheqjeve të dy partive. Sado për të vënë buzën në gaz, por erdhi sëra që me prishjen e këtyre marrëdhënieve, deri në armiqësi, ato përplasjet e mia me këshilltarin rus, të merrnin goxha vlerësim nga strukturat udhëheqëse të shtetit tonë.
Sherr-mëria ime me inxhinierin e ardhur nga Bashkimi Sovjetik, u cilësua qëndrim parimor, i guximshëm e bile patriotik në mbrojtje të interesave të vendit tim, gjë që mua për aq shumë nuk më pat vajtur mendja! Ky vlerësim edhe pse i fryrë nga oportunizmi, u shndërrua në një farë inkurajimi për punën time që tashmë, pas largimit të specialistëve të huaj, u bë më me përgjegjësi. Shërbimi gjeologjik në naftë, kishte një rol të rëndësishëm në fushën e zbulimit të vendbanimeve të rinj të naftës e të gazit, në nxjerrjen e naftës, të cilat në fund të fundit, lidheshin me shpenzime të mëdha. Narta përbënte industrinë më të leverdisshme.
Ajo siguronte valutën më të madhe në dollarë, mbështeste më shumë se cilido prodhim tjetër vendin, në politikën e tij të izolimit e të mbylljes së kufijve. Ne gjeologët iu përveshëm punës këmbëngulëse, duke dashur që me përkushtim e djersë, të mbushnim boshllëqet e përvojës së pakët.
Shumë veta patën shpresuar se pas prishjes me Moskën, udhëheqja partiake e shtetërore e Shqipërisë, do të rishikonte gabimet e saj e do të hapej, më në fund, drejt Perëndimit. Për fat të keq, ajo e mbylli edhe më shumë “post-bllokun”, duke u përpjekur të dalë edhe mbi vetë themeluesit e marksizëm-leninizmit, me praktika “akoma më revolucionare”, por që në fakt e çuan më afër e më shpejt vendin, drejt greminës. Diktatura u bë më e egër, prapambetja ekonomike u bë më e madhe dhe të drejtat njerëzore humbën krejt.
Në këtë situatë shumë delikate, kërkesat e qeverisë për të zbuluar vendburime të reja, u bënë edhe më të mëdha. Në emër të kësaj nevoje, pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Naftës, në Kuçovë, u ngrit një grup i vogël i studimeve përgjithësuese gjeologjike dhe iu vu emri “Byroja Gjeologjike”. Ne të gjithë iu përveshëm punës me vetëmohim, për të rishqyrtuar të gjithë materialin gjeologjik të grumbulluar në vendin tonë më përpara, nga gjeologët e huaj dhe ata pak shqiptarë.
Ne e gjykonim se kontributi i ynë ishte për të mirën e popullit tonë të vuajtur, të një vendi që deri në ato vite nuk pat parë njëherë dritë, por veç armiqësira, luftëra kundër pushtuesve e tani, ndodhej para një izolim të plotë, që sillte vështirësi edhe për bukë, e jo më për më shumë.
Diktatura nuk linte asnjë njeri të ngrinte as gishtin e vogël kundër politikës së saj. Të vetmen detyrë patriotike për veten time dhe shokët e mi gjeologë, në atë situatë të rëndë konsideroja forcimin e industrisë së naftës. Dhe jeta më vonë tregoi se ne punuam mirë dhe drejte. Ne punuam që t’i shërbenim sa më mirë popullit tonë si intelektualë të dalë nga gjiri i tij, për të rritur mirëqenien e tij. Politika nuk ishte në dorën tonë. Ne nuk e ndryshonim dot atë.
Kundrejt specialistëve sovjetikë, kundrejt ndihmës së shtetit sovjetik, udhëheqja shqiptare filloi të hedhë baltë, duke sharë e akuzuar ata për gjithçka. U kalua çmendurisht në ekstremin tjetër, ku asnjëri nuk mund të thosh as edhe një fjalë të mirë për punën që kishin bërë ata. Pa një pa dy, ai futej në burg si pro-sovjetik.
Ata naftëtarë, të cilët ishin martuar me gra sovjetike, dikur nga më të respektuarit njerëz, tani, me prishjen e marrëdhënieve, pothuaj të gjithë përfunduan nëpër burgje, si “agjentë të të huajve”, ose nën akuzën se patën bërë agjitacion e propagandë. Përpikmërisht, si gjithnjë, familjet e tyre u keqtrajtuan egërsisht: u dëbuan, u internuan, u veçuan për çdo gjë.
Këngë të vjetra, me fjalë të reja
Ngjarjet që ndodhnin në politikën shqiptare, pasqyroheshin me shumë forcë në industrinë e naftës, si sektori më i rëndësishëm i ekonomisë. Për këtë, vlen shkurtazi të paraqesim disa nga këto momente. Në naftë, ndihej shumë ndikimi i metodave të punës që kishin shtetet me të cilët bëhej ndryshimi i politikës shqiptare, sepse aty vinin për punë, specialistë nga këto shtete dhe fjala e tyre ishte vendimtare. Kur marrëdhëniet politike ndryshonin, çdo gjë ndryshonte e në vlerësimin e ndihmës së tyre.
Këto dyfaqësira të liderëve komunistë shqiptarë, ishin shfaqur njëlloj në historitë e marrëdhëniet me shtetet e tjerë. Njëlloj ishte e treguar e pakufishme dashuria, njëlloj ishin zbukuruar faqet e maleve, me shkrime gjigante prej shkëmbinjsh, mbi pavdekësinë e kësaj miqësie, njëlloj ishte shpalosur nënshtrimi, njëlloj verbëria, njëlloj ndëshkimi për ata që dyshoheshin se i kishin halë në sy, miqësitë e Enver Hoxhës me sllavët e të gjitha llojeve, e njëllojtë pat ardhur urrejtja pas prishjes.
Me t’u prishur marrëdhëniet midis Partisë së Punës së Shqipërisë, me Partinë Komuniste Jugosllave të Titos, në vitin 1948, çdo vlerësim i bashkëpunimit të mëparshëm, u mbulua me baltë. U harruan ato që ishin thënë. U errësua gjithçka dhe si kut vlerësimi u bë, që kush të shante më shumë, ai ishte më i mirë dhe atij i besohej më shumë. Politika e Titos u quajt revizioniste dhe ai, i quajturi deri në atë kohë komunist e internacionalist i madh, u ri-cilësua; bashkëpunëtor i imperializmit amerikan!
Tani i kishte ardhur radha armiqësisë me rusët, siç do t’i vinte dhjetë pesëmbëdhjetë vjet më vonë, armiqësisë me kinezët. Por të gjitha këto linin pas një haraç të rëndë. Të përfytyrosh se stili i jetës kineze, u shartua në kulturën e jetës shqiptare edhe pse komuniste, të zënë të dridhurat. Majmunëria e udhëheqjes shqiptare, arriti me kinezët deri aty sa sekretarët e partisë, nisën të mbulojnë kokën me kasketa kineze me strehë, të vishen me xhaketa të mbyllura ushtarake, me distinktiva të Mao Ce Dunit në gjoks, e me stilolapsa në xhepat e jashtëm.
Kështu u adoptuan përbuzja ndaj tualetit të femrave, stërmundimi i intelektualëve në punën nëpër fusha të kooperativave, vënies së fshatit mbi qytetin, e mijëra kinezërira, që sot të vjen ndot t’i kujtosh, e jot’i hedhësh në letër.
E tillë ka qenë goditja mbi ushtrinë, ku sipas përvojës kineze, u dha urdhër që të hiqeshin gradat e oficerëve. Të tilla ishin fletë-rrufetë, që morën dhenë e që nuk ishin veçse një imitim i plotë i “Tan Xi Baove”, kineze që shiteshin për mjete të demokracisë proletare. Fletë-rrufetë e shëmtuara, hynin dhunshëm në orbitat e jetës private të njerëzve, shokëve, fqinjëve e kujtdo që nuk gëzonte autoritet të paprekshëm, duke u bërë forma të nxitjes së armiqësive, në shtresat e shtypura të shoqërisë.
Në Berat, një mjek 40 vjeçar, ra në dashuri me një vajzë 20 vjeçare. Ata vendosën të martohen. U kurdisën fletë-rrufetë që dënonin këtë veprim të doktorit, llogariteshin moshat dhe opinioni meskin me kinezërinë e tij, e dënoi këtë martesë, e cila vërtet nuk përfundoi.
Një inxhiniere nga ato të Institutin të Naftës, që pat mbaruar studimet në Rumani, u bë tabelë qitje e fletë-rrufeve për pallton e saj më të shkurtër se sa norma që lejonte opinioni i proletarëve. Ajo qau për një kohë të gjatë, për këtë ndërhyrje në shijet e saj. A mund ta përfytyrojë njeri sot, se fletë-rrufetë, u hartuan brenda në një institucion specialistësh të lartë e të mesëm, të punës studimore?!
Dhe familja jonë e provoi efektin e fletë-rrufeve kineze. Një të tillë na ngjiti në muret e Kuçovës, një qytetar i atjeshëm, i shqetësuar proletariatisht, se përse ne djalin nuk e çonim në çerdhe, si të gjithë, por kur gruaja ime ishte në punë, e linim të na e mbanin në një familje.
Kushtet e këqija të higjienës në çerdhe, sëmundja e rendë e djalit dy vjeçar, si edhe rrezikimi i jetës së tij, ishin të parëndësishme përpara uniformitetit kinez, të dërgimit të vocërrakëve nëpër qendrat e caktuara.
Ne nuk e respektuam mesazhin proletar të afishuar në mur: familja e dashur e Kiu Bushit, vazhdoi ta mbante djalin tonë, po me atë kujdes që mbante fëmijët e vet, djali ynë u shërua dhe ne i jemi mirënjohës për jetë, familjes Bushi.
Nuk mund t’i vesh faj një qytetari të thjeshtë nga Kuçova, kur udhëheqësit partiakë hynin vetë pa teklif dhe bile me zell në jetën private të specialistëve, e të drejtuesve të ndërmarrjeve të tyre, duke e thënë fort fjalën e partishme, edhe në zgjedhjet e shokut të jetës, në fejesat e martesat e vartësve te tyre.
Kështu ca vite para incidentit mbi çerdhen e Gencit, në verën e vitit 1961, unë pata vendosur të lidh jetën më Zhaneta Plluskën nga Tirana. Disa muaj para martesës, më bënë zë të paraqitesha tek ndërtesat e poshtme, që kishte Shtëpia e Pritjes në Kuçovë, ku strehoheshin figurat e larta shtetërore. Më priste anëtari i Komitetit Qendror të Partisë, Peti Shamblli. Ai nuk vonoi të hynte drejt e në temë.
– Ti, shoku Xhaçka, duhet ta prishësh atë fejesën që ke bërë, -më tha pa shumë fjalë të tërthorta. – Ti duhet të ndahesh me Zhaneta Plluskën, sepse ajo vjen nga një familje me origjinë borgjeze. Babai i saj ka mbaruar studimet e larta në një vend kapitalist, në Universitetin e Oksfordit në Angli.
Unë nisa të gjej mënyrën se si t’ia kundërshtoja e të shpjegoja mosbindjen time. -Pikësëpari, shoku Peti, unë tashmë e kam dhënë fjalën. Së dyti, i ati i të fejuarës sime, inxhinier Sotir Plluska, ka qenë një intelektual shumë i ndershëm, që ka kontribuar mjaft në ndërtimin e rrugëve të vendit tonë. Nuk është përzierë fare në politikë.
Ai mbeti i pakënaqur nga qëndrimi i im, dhe ndofta për këtë arsye, pas pak kohe, më thirri një person akoma me i rëndësishëm se Shamblli: pikërisht Shefi i Shtabit të Ushtrisë, Petrit Dumja vetë! As e njihja personalisht dhe as e kisha takuar ndonjëherë më parë Petrit Dumen! Më tha po të njëjtat gjëra mbi rëndësinë e luftës së klasave, por nga ana tjetër, edhe unë u mbajta fort pas kundërshtimit që pata bërë më parë.
Presionet që më bënë kuadrot e rëndësishme partiake unë arrita t’i përballoja. U martova me Zhanetën, gëzova dashurinë e saj të pakufishme, u mundova t’i jap dashurinë time të katërfishuar por, pa dashur, i dhashë një “lugë të madhe” të hidhur, të fatit tim, të cilën unë jo e jo, por sidomos kjo qenie e dashur, nuk e meritonte aspak. Memorie.al
Vijon
Botues:
Elida Buçpapaj dhe Skënder Buçpapaj
Moto:
Mbroje të vërtetën - Defend the Truth
Copyright © 2022
Komentet