Bertolt Brehti ishte i padëshirueshëm për hitlerianët dhe ndër të preferuarit e regjimit të Hoxhës. Në moshën 24-vjeçare bëhet i njohur në Gjermani brenda një nate me dramën “Tamburet e natës”, të cilën kritika e ngriti në qiell. S`ka qenë kurrë anëtar partie, ndonëse ishte nën ndikimin e ideve marksiste. “Kur lexova Kapitalin e Marksit, kam kuptuar dramat e mia. Marksi ishte dhe vazhdon të jetë: i vetmi spektator i dramave të mia.”-shkruan ai. (Me rekomandimin e babait shmang rekrutimin në ushtri, sikurse do i shmangej dhe luftës së dytë botërore, duke lënë përshypjen e një dezertori. Në fakt, me krijimtarinë e tij ishte në vijën e parë të frontit kundër luftës dhe diktaturës.) Me ardhjen e hitlerianëve në pushtet, në teatrot ku shfaqeshin dramave e Brehtit nazistët u frynin bilbilave, madje hidhnin dhe bomba në skenë. Dramën “Artur Ui” e shkroi për tre javë, ku ishte i arratisur në Suedi në pritje të një vize amerikane. Ngjarjet ndonëse zhvillohen në Çikagon e viteve `30, nënkuptohet ardhja e Hitlerit në pushtet. “Barku nga i cili del bisha e tërbuar ende nuk është shterpëzuar.”-mbyllet drama “Artur Ui”. Në vitin 1949 zgjodhi të kthehet në Berlinin Lindor, duke ruajtur shtetësinë austriake. Në vitin 1954 merr Çmimin Stalin për Paqe. Nga llogaritë bankare jashtë shtetit merrte remitanca të vlefshme në valutë nga e drejta e autorit. Në Perëndim shfaqjet e tij po bojkotoheshin, duke mos u vënë në skenë për më shumë se dhjetë vjet.
Drama “Artur Ui” vihet në skenën e Teatrit Popullor në vitin 1971, kur diktatori po mprehte shpatën edhe njëherë për situatën, ndërsa drama “Jeta e Galileit”, ndonëse ishte kundër inkuizicionit në vendin ateist kaloi në heshtje. Nëse hipotetikisht do ndodhte që, Hitleri dhe Enveri, të ishin së bashku në shfaqje, i pari do ta digjte dramën në mes të sheshit, ndërsa i dyti do internonte autorin. “Turma, opinioni publik nuk është gjëkafshë më tepër se një qen i zgjebosur i lidhur në një hu. Ky qen gjithë ditën leh, kruan zgjeben dhe vërsulet i tërbuar kundër cilitdo, që orvatet ta shpëtojë nga zinxhirët.”-shprehet Brehti në dramë dhe unë nuk e citoj kot. “Dhe gjithë ata që populli i do shpallen të rrezikshëm, bëhet çmos të syrgjynosen”, sikurse iu desh dhe Brehtit të merrte arratin. “Të fuqishëm nuk janë as mendjet e ndritura, si filozofët, satirikët, poetët, as shpirtrat e guximshëm si Prometeu. Më të fuqishmit janë kudo kusarët!” Kusarët që dalin nga turma përndjekës të Galileit. “Po ua them tani se asnjëherë s`kisha vajtur për të votuar. E përse të shkoja? Që të zgjidhja me dorën time se cili prej kusarëve do të më ripte lëkurën, e cili prej xhelatëve do të më priste kokën?” Kush do guxonte ta vinte në skenë këtë dramë në diktaturë? “Përpiqesha të gjeja gjithnjë një mendim të vetëm, i cili t’ishte i detyrueshëm për të gjithë dhe në të gjitha rastet, me pak fjalë të ishte i përhershëm dhe i pandryshueshëm, të qëndronte mbi kohën, mbi vendet e mbi njerëzit, domethënë t’ishte mendimi absolut. Një mendim i tillë duhej të kishte në vetvete diçka hyjnore, t’ishte “ide”…Atje në thellësitë e shpirtit prehen të varrosura idetë e vërteta, të mbuluara nga një shtresë e trashë ndryshku, që e kanë grumbulluar shqisat, dëshirat dhe interesat.”-përshfaq Galilei protagonizmin e tij përbashkues në funksion të një shoqërie të emancipuar, por në shoqërinë e konsumit përlahet çdo gjë, veç artit. Problemi është se inkuizicioni, duke mos lejuar mendimin e lirë, mendimin ndryshe, i ndryn idetë hyjnore në guackën e dogmave. “Për dy mijë vjet me radhë njerëzimi ka besuar që dielli si edhe të gjitha yjet e qiellit vërviteshin rreth tij. Papa, kardinalët, princat, dijetarët, kapidanët, tregtarët, e gjer edhe shitësit e peshkut dhe nxënësit e shkollave kujtonin se qëndronin mbi këtë rruzull të kristaltë pa lëvizur… Ka një shekull që njerëzimi sikur diç po pret.”
Edhe në shekullin XXI njerëzimi përsëri: diç pret?! Atje ku prej mijëra vjetësh kishte zënë vend besimi, rri i varur dyshimi. Dhe i gjithë ky trazim botës i vjen nga dylbit e Galileit. Para gjyqit të arsyes do rrëzohen idolet, dogmat, por, si ndodh që i arsyeshmi: të mos ketë duk as në shoqërinë moderne?! (Sa e sa shkrimtarë u akuzuan se e shihnin realitetin socialist me syze të errëta apo me dylbi?) Galilei besonte se shpikjet e tij forconin Republikën e Venetikut, ku kish filluar të tregtoheshin dylbit. Sot teleskopët e fuqishëm po sjellin pamje nga thellësitë e kozmosit. “Astronomia ka mbetur njëmijë vjet mbrapa, se s’ka patur dylbi.”-ankohet dijetari. Nis kërcënimi i parë: “Kur të pashë me dylbi tek kqyrje yjet, m’u bë një çast sikur po të të shihja ashtu mbi turr drurësh të ndezur dhe kur pastaj kishe besim në provat, m’u bë sikur më çpoi hundët era e mishit të djegur.” Edhe një kërcënim i dytë: “Po këtë thoshte dhe i djeguri. (Xhordano Bruno)…Mos ec Galile në Firence… Sepse atje sundojnë priftërinjtë.” (Papa kish qenë shok klase me Galilein. Të jetë ai shpëtimtari apo zili e tij ta ketë fundosur?) Dhe një i tretë kwrcwnon: “Si mundet që të mëdhenjtë e kësaj bote ta lënë të qarkullojë lirisht një njeri që di të vërtetën, qoftë atë makar edhe atë mbi ca yje të largët? Kujton ti se Papa do t`ia verë veshin asaj të vërtetës tënde, kur t’i thuash se gabohesh dhe se do ta pranojë edhe vetë, më në fund, se ka qenë i gabuar? Kujton se do të mjaftohet të shkruaj qetë-qetë në ditar 10 janar 1610, qielli mori fund?” Zbritja e njeriut të parë në Hënë dëshmoi ambicjen e njeriut për t`u bërë dhe zot i qiellit.
Galilei i drejtohet murgut, njësoj si mitomanëve të sotëm: “Llapni, llapni! Rroba që keni veshur ju jep të drejtë të thoni ç’të doni. Ai që s’njeh të vërtetën s’është veçse një injorant. Por kush e njeh dhe e quan gënjeshtër, ai është kriminel i shporrur nga shtëpia ime!” Ka që flasin në emër të rrobës, unformës, shtetit, ndërsa Galilei veçse ato që ia diktonte arsyeja. “Nuk e di se si, po kam përshtypjen se çdo minutë që i vjedhim këtij njeriu, ja vjedhim Italisë.” Nevoja që Galilei të thotë të vërtetën rritet, por trysnia mbi të shtohet: “Autoriteti juaj është rritur kaq shumë sa nuk mund të heshtni më.” Ai i përgjigjet: “Roma e ka lënë autoritetin tim të rritet, sepse kam heshtur.” Përndryshe do ia lëshonin gjarpërinjtë, sikurse Laokontit. I dituri hesht vetëm në regjimin e gojës së kyçur. Nëse ai do fliste do e nxirrnin me përdhunë nga ndërgjegjia e kombit. “Ata më treguan veglat e torturës.” Galilein e shëtisin në galerinë ku ishin të ekspozuara veglat e torturës, duke i treguar me detaje vuajtjet që ato shkaktonin tek i dënuari dhe e gjitha kjo në këmbim të heshtjes. (Kujtoni në “Qorrferman” të Kadaresë se si turma thërriste që poetit t`ia nxirrnin sytë me tibetianen.) “Frika ndaj vdekjes është njerëzore dhe dobësitë njerëzore nuk kanë të bëjnë me shkencën.”-i thotë murgu. “Lëvizjet e trupave qiellorë janë bërë tani më të qartë, por veprimet e zotërinjve për popullin kanë mbetur akoma të palëvizshme.” Bie perdja dhe përcillet mesazhi: edhe në ndodhtë që dogmat të rrëzohen, despotizmi mbetet, ngaqë historia përsëritet: “Dhe me këtë rast u them dhe këtë: ndonëse ky këtu është një vend i lirë, prapë nuk ua këshilloj që këtë emër (Xhordano Bruno) mbi të cilin rëndon mallkimi i rreptë i kishës ta zini me gojë orë e çast me këdo.”
Drama “Jeta e Galileit” e pranuar si kryevepra e Brehtit i është nënshtruar përpunimeve të vazhdueshme të autorit. “Versioni amerikan” i shfaqjes, i titulluar thjesht “Galilei”, mbeti versioni më i përhapur në Perëndim, ku ndihet optimizmi ndaj shkencës, por, me hedhjen e bombës atomike në Hiroshima, autorit do i bjerë entuziazmi i dikurshëm. I shqetësuar nga potenciali i dëmshëm i shkencës, Galilei i dylbive këmben vend me shpiksin e bombës atomike Ajshtajnin, dhe sot: Kremlini kërcënon me luftën bërthamore, “inteligjenca artificiale” për sigurinë në punë apo një virus vdekjeprurës i dalë nga laboraktori shkaktoi miliona të vdekur. “Megjithatë bota lëviz”, mërmëriti Galilei, por se në ç`drejtim një zot e di?