VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

NËPËR DETET E REJA – Poezi nga FRIEDRICH NIETZSCHE – Përktheu SKËNDER BUÇPAPAJ

By | October 25, 2021
blank

Komentet

blank

THËLLËZA E FJALËS – Poezi nga ATDHE GECI

 

 

Këndo  Rogana  ime  e  dashur,

mbjell! Zëri  yt  rritet dritareve,

në kopsht, luadheve, kodrinave

rritet në libra dhe në mirëqenie.

Kallinjtë që  po  pjeken  në  ara

janë nga  duart  tua, djersa  jote

janë poema që  t´i po i shkruan!

Zemër, shijoje aromën  e luleve

dashuria nuk ka  lindje, as  nuk

ka vdekje, është  vetë  perëndia.

Roganë, thëllëzë e fjalës shqipe

te këngë e ëndrrës do të ndalem.

Çfarë më takon s´e  kam marrë,

do bëj çmos të rimarr at´që më

takon! Shpirt, unë do bëj luftën

time, që këngë e ëndrrës të mos

zbrazët, por ta fitoj atë që dje  e

humba. Idetë e mendjes  dhe të

mendimeve janë në ngjitje, dhe,

s´pushojnë së kërkuari  tokat  e

pushtuara, Shqipërinë   deri  në

Prevezë, në Tivar dhe në Iliridë…

Mbjelli të mbjellat Rogana ime

përqafoj lulet  që vetë i ke rritë

shqiptar është kudo atdheu ynë

Çamërisë ia kemi borxh  lirinë!

se Shqipëri është Molla e kuqe!…

 

Atdhe Geci- nga libri “Kanuni poetik” i riu

blank

Shtegtimi i karvanit -pjesë e romanit “Flaka e shpresës” nga RAMADAN PASMAÇIU

Në kujtim të Ramadan Pasmaçiut, autorit të paharruar  e këtij romani.

     Kur mbaron së lexuari këtë roman  të dhënë me një stil mjaft tërheqës letrar e aspak narativ, që derdhet me një gjuhë të figurshme gjithë kolorit nëpèmjet një subjekti të bollshëm, të plotë, por konçiz, ndihesh i mbushur e i ngrohtë, domosdo, edhe krenar për të parët tanë.

blank

 

Ramadan Pasmaçiu

26 shkurt 1938, Berat. 31 tetor 2021, Tiranë

 

 

Karvani, me nëntë kuaj gjithësej, shpinte e binte njerëz në rrugën Berat – Janinë. Dhe ata të dy, gjoja, për atje po shkonin.

Qiraxhiu, një burrë i thyer po kockëfortë, i thinjur, fytyrëvrarë, vetullfshesë e me sy të vecërr, të egër, ishte fjalëpakë. Nuk lidhej në muhabet me udhëtarët, veç e ngiste kalin me vështrimin përpara, duke e thithur çibukun thellë e duke e nxjerrë tymin me shtëllunga. Atë ditë ai nuk e drejtoi karvanin nga ana e Drobonikut, që të kalonte më pas nëpër Çorrogjaf, në Gllavë, Ballaban, Këlcyrë e Tepelenë, por, sa la pas Urën e Goricës, mori nga e djathta.

Një mesoburrit lëkurëbardhë me ca bark, me  kasketë e me veshje qyteti, që e pyeti  sepse  e ndërroi  krahun,  iu përgjigj preras:

– Unë e di nga e heq udhën! Po s’të pëlqeu, zbrit!

– Jo, ore, se s’ta thashë me të keq! – mërmëriti mesoburri dhe heshti.

Qiraxhiut sikur s’i shkuan në veshë ato fjalë. Nuk foli më, por u  koll nja dy – tri herë dhe pështyu mënjanas. I priu kuajt drejt Velabishtit. La Palikështin në të majtë, i ra Mbreshtanit përbri, kaloi mbi Galinë, nëpër Paftal, Mbolan e Sinjë, që të dilte në Mallakastër.

Ai, edhe pse ca si nursëz, qenkej njeri shpirtmirë dhe nuk sillej keq me udhëtarët. E ndalonte karvanin në çdo çesmë, a burim, që gjenin rrugës.

“Pini ujë, freskohuni, mbushni dhe paguret!” – u thoshte, sikur ata të ishin të vegjël dhe duheshin mësuar.

– Zbrisni këtu, çlodhuni ca nën hije, sa t’ju shmpihen këmbët! Vini torbat te gjunjët dhe hani dy kafshata bukë! – u tha, kur arritën te një lis i madh matanë Velçanit.

– O xhaxha, më fal shumë, po si ta thonë emrin? – e pyeti Sifi, duke buzëqeshur lehtë.

– Lazëm e kam, Lazëm Sadiku!

– Ta gëzosh!

Xha Lazëmi për herë të parë e vuri paksa buzën në gaz.

– Po zotërinë tënde qysh e thërresin?

– Sif Garunja.

– Edhe ti e gëzofsh, or bir!

Në të errur arritën në Ballsh.

– Këtu do të gdhijmë sonte! – tha qiraxhiu dhe i zbriti kalit para derës së një hani me  dy rrepe trungjetrashë në oborr, me një gardh rreth e rrotull, me ahure poshtë e me konakët lart, tek ngjiteshe me ca shkallë të gurta.

I zoti i hanit ishte babaxhan. U shtroi të hanin nga një tas me fasule të nxehta, bukë misri të trashë, të gatuar me  ujë të valë, qepë dhe turshi me speca e domate të pabëra. Kur mbaruan, i vuri të flinin të gjithë bashkë në një konak, në radhë njëri pas tjetrit mbi ca rrogoza. U dha nga një jastëk të shkurtër mbushur me lecka, i mbuloi me velenxa, fiku fenerin e u tha natën e mirë.

Pa zbardhur, zëri  i xha Lazëmit  kumboi i rreptë e u  përplas faqeve të konakut:

– Çohuni, se na zuri dreka!

Lanë sytë, hëngrën mënges shpejt – shpejt, vezë të skuqura me djathë dhe ullinj, e u nisën…

Te një kurriz kodre mbi Hekal, u shfaqën befas ca xhandarë. Kishin bërë një si  postobllok në mes të rrugës. Njëri prej tyre, një skërfyell i gjatë si shufër arixheshke, u foli ashpër:

– Ku shkoni? Zbrituni kuajve!

Të gjithë u hodhën në tokë. Xha Lazëmi që udhëhiqte, i  doli përpara e i tha:

– Është karvani im ky. Këtë punë bëj unë. Bie e shpie njerëz tutje – tëhu! Qiraxhi hesapi!

– Nga vini?

– Nga Fieri.

– E ku shkoni?

– Në Janinë.

– A jo, xhanëm! Ai iu kthye udhëtarëve: – I keni korçanet e kokës?

– Po qysh s’i kemi!

– E mora vesh! Po ç’dreq ju shtyn të veni deri në filifistun?

– Unë kam një mik atje dhe dua ta pjek! – i tha burri lëkurëhollë.

– Po ti!? – e pyeti xhandari Sefen.

– Unë jam bashkë me këtë, – ia ktheu Sefja, duke treguar Sifin, – po vemi të porosisim ca mall për një saraç tonin.

– Edhe këtë e mora vesh! Po ndonjë armë të fshehur a keni me vete?

– E ç’na hyjnë në punë armët neve! –  folën udhëtarët përzjerë.

Xhandarit iu egërsuan sytë.

– Mbylleni! Mjaft folët! – e ngriti ai zërin dhe iu drejtua prapë qiraxhiut:

– Tani qysh t’ia bëjmë që të vinë me ju edhe dy nga ne deri në Tepelenë?

– Ç’të them! Zotrote e shikon që kuajt janë të zënë.

– Qepe dhe dëgjomë! Ky i holli le të hipë në vithet e këtij kalit, tek është ai atje me pak bark! Kështu lirohet një kalë! Po edhe këta dy të tjerët hollakë janë, le të bëhen tok! Ja, de, ku na dalin dy kuaj të zbrazët!

– Punë që s’bëhet ajo, xhandar efendi! Më lodhen e më ngordhin kuajt ashtu! Kanë rrugë të gjatë përpara!

– E po, kur e paske atë merak, e anavasim ndryshe ne! Dy nga ju të ecin në këmbë e të ndërrohen me shokët aty këtu, sa të arrini në Tepelenë!

Sefe Lara nuk i la radhë qiraxhiut të fliste, iu afrua xhandarit e i tha si në vesh:

– Unë s’e kam  për gjë të eci mbi opinga gjer ku thua zotrote. Edhe ky shoku im do të bëjë si do të bëjë bashkë me mua! Ja, merreni kalin tim dhe të këtij! Veç kam një merak! Ca burra, që u këmbyen me ne në Qafën e Koshovicës dje pas dite, na thanë të hapim sytë, se qenkan dukur komitë këndej! E, ja, po na dolën edhe neve, ku t’ju fshehim? Me kokën s’bëhet shaka!

Xhandari mblodhi buzët, u rrudh e ia nguli sytë Sefes.

– Ore, jezit, i ke sagllam ato që thua ti, apo të stisura?

Sefja tundi kokën,

– S’jam nga ata unë! Nuk torolisem me xhandarin e dovletit, se ia kam taksur ymrin Padishahut, qysh kur isha dhjetë vjeç, i qofsha falë!

Xhandari e shikoi ngultas Sefen, heshti dhe iu afrua xhandarëve të tjerë. Seç bisedoi me ta me zë të ulët. Pas pak erdhi dhe u foli të gjithëve me inat:

– Ikni, ikni! Thyeni qafën!                                        *          *

Grykën e Tepelenës përfund mureve të Kalasë së Ali Pashës karvani e kaloi qetë.

Ishin ende orët e para të mëngjesit dhe jo veç që dielli s’kishte filluar të nxehej, po edhe nga lugina vinte një puhizë e lehtë sa më s’bëhej e ëmbël.

– Në mos paçim ndonjë telash rrugës, pas nja dy – tri orëve, do të sosim në Virua! – u tha udhëtarëve qiraxhiu.

– Ty të kemi të parë këtu e ti e di ç’bën! – ia ktheu Peçi.

Xha Lazëmit nuk i pëlqente ta lëvdoje, ndaj nuk i dha përgjigje Peçit. U koll nja dy herë dhe  priu përpara pa folur.

Sa e lanë Tepelenën pas dhe dolën te Uji i Ftohtë, ai  u ndal, i zbriti kalit dhe foli me zë të lartë:

– Do ta bëjmë një shplodhje të shkurtër këtu, si thoni?

– E bëjmë, ore, poqysh! – iu përgjigjën udhëtarët gati  me një gojë.

– Mos harroni të mbushni paguret, se s’kemi më ujë si ky përpara. Bëjnë edhe kafe në atë ngrehinën e vogël më të mëngjër! Edhe çorbë kanë, edhe paça, edhe mish të pjekur! Dëgjuat? Shkoni, në daçi! Hani ndonjë gjë, po shpejt, ama!

Ishte një vend i bukur shumë. Me hije e me fresk, që ç’të thoshje! Degët e gjera të rrepeve të moçëm frynin me lezet! Fresku të shtynte të merrje frymë pa u ngopur. Hija e madhe e pemëve mund të përfshinte një tabor të tërë ushtarësh. Nga njëra anë – fëshfëritja e gjetheve, në anën tjetër – gurgullima e ujit të akullt e të kulluar qelq, që lëshohej vrundull nga sipër! Lëre – lëre,  të qepej goja nga magjepsja.

Peçi u shmpi, hapi krahët dhe thithi ajrin me  gjithë gjoks.

Sefja e Sifi s’ia ndanin sytë dhe qeshnin. Edhe ata ndiheshin jo më pak të gëzuar për më shumë se, siç kishte thënë xha Lazëmi, në vakt akshëmi, do të kishin në sy Gjirokastrën e Çerçiz Topullit. Pas një copë udhe, vështrimi i Sefes u ngul i vrenjtur mbi Sifin.

– Ku e ke atë ti?

– Në gji, o Sefe vëllai, në gji e kam! Ku ta kem gjetkë!

– Ashtu, de! Ruaje si sytë e ballit, se s’kemi surrat t’u dalim shokëve përballë, po e humbe!

– Ç’thua! Pse tarallak më bëre!?

Ata të dy po shkonin në Gjirokastër me një letër të Dan agait, komandantit të komitëve të Beratit, për Çerçiz Topullin.

Sefe Lara kalonte andej për së pari herë dhe kundronte me afsh gjithçka përqark: pyjet, malet, luginat. Pas një çasti, e pyeti Sifin:

– A nuk të duket edhe ty ajo gryka e lumit si e Gjorovenit?

– I ngjan një çikë vërtet, por është më e mbledhur, më e thellë, me më shumë ujë dhe me pemë të larta brigjeve.

– E marr vesh, e marr. Po për kalanë e Aliut ç’thua?

– E madhe, e lartë. Ta merr mendjen!

– Po jona?

– Oh, lëre! Ç’e zë në gojë! Ajo ha bukë veç! Botën të bredhësh, s’ia                    gjen shoqen!

– Edhe unë kam dëgjuar…Po sikur të vemi ta provojmë çorbën tek ai konaku?

– Kam hall mos prishim urinë e drekës!

– E po, shkojmë e pimë vetëm nga një kafe!

– Hajt, tymi t’i  dalë!

…Sa e vunë kafen në buzë, qiraxhiu thirri:

– Mblidhuni, ore, se do ikim!

Sefja doli në prag me filxhanin në dorë.

– Ja, edhe një çikë, xha Lazëm, se na dogji buzët kjo! Apo ta lëmë fare?

– Jo, jo, pijeni rehat, se s’përmbyset bota!

Sjellja dashamirëse e qiraxhiut i nxitoi edhe më ata të dy. U dukën sakaq tek dolën, u lëshuan në vrap drejt kuajve e u kërcyen sipër.

Xha Lazëmi s’u bëri zë. U vu në krye dhe e ngau kalin e tij përpara.

Karvani zhvendosej drejt Gjirokastrës pa zhurmë, diku nëpër udhë të ngushta me zhurina, a me dhe të ngjeshur, e diku – në vende të hapura me gurë e me pellgje të cekët prej ujëvarave, që vinin nga rrjedhat e  bregoreve.

Herë – herë dëgjoheshin rrahjet e patkonjëve, shkrofëtima e ndonjë kali të karvanit, cicërima e zogjve fluturakë e të mëllenjave në zabele, dhe krakllima e sorrave të egra.

Kuajt ecnin urtë njëri pas tjetrit. T’i shikoje së largu, të jepnin shëmbëllimin e një gjëje të gjallë e të gjatë me një shpirt, që dridhej e nxirrte bark sa aty – këtu, duke përshkuar udhën e ngushtë, ku me kurrize e ku me tatëpjeta të buta.

Udhëtimi po  shkonte pa u penguar e pa të papritura. Me ç’dukej, dosdo do ta arrinin Viruan në vakt dreke.

Tashti kishin në të djathtë dy kodrina të gjelbëruara përballë njëra -tjetrës. Rrëzës së tyre niste udha për Kardhiq. Çdo gjë po  shkonte mirë e bukur. Udhëtarët ndiheshin ende të freskët, ndonëse kishin lënë prapa goxha rrugë. Siç thoshte qiraxhiu, pas nja dy orësh, do t’ua kapte syri Gjirokastrën si në pëllëmbë  të dorës.

– Të kënaqka jeshili i këtyre kodrinave! – i tha Sefja Peçit. – Të ketë lepuj e dhelpra këtej?

– Ka, ore, poqysh! Sa të duash! Veç ujq të mos ketë, thuaj! Atyre kush ua bën hallin!

– Ç’punë kanë ujqërit në behar kaq afër rrugës!?

– Për ujqër me dy këmbë them, jo për ata me katër!

– Të paska zënë frika, më duket, or Peçi!

– Jo, hiç! Gjersa jam me ju, as që trembem fare, por që ta dish, të thashë! Se i njoh mirë unë ç’vende janë këto! I kam kaluar edhe herë  tjetër.

Fjalët e Peçit  sikur  zgjuan shejtanin  që flinte! Befas, nga ca gëmusha, u dëgjua një gërthitje:

– Qëndroni tek jeni, more! Ju kam vënë në si koburen të gjithëve! O t’jua krej trutë në shesh, po lëvizët!

Xha Lazëmi ia tërhoqi frerin kalit dhe bëri t’i zbriste, po s’arriti.

Zëri i egër prapë sokëlliu:

– Mos xërmo nga kali ti,  more, plaku stafidhe, se të ikën koka, dëgjove? Nuku qesh u’, po çë thom e bëjte!

– Si zë i njohur ky! – tha Sifi.

– Eshtë ai i mbrëmshmi, hajduti i mushkës qorre, që fjeti tok me ne tek hani! – ia ktheu Sefja, teksa ai i pusisë thirri ashpër:

Kreni nga xhepat ç’para keni, lëshojini në dhe, dhe thieni qafën, mos t’ju shoh më! Përndrishe, ju përlau vdekëla!

Qiraxhiu shikoi i ngrysur gëmushat dhe s’lëvizi. Po edhe udhëtarët heshtën e s’lëvizën.

Peçit i iku fytyra. Fryma sa s’iu pre. Ishte gati t’i lëshonte te këmbët e kalit nja tre – katër metelikë, po s’ia mbante të dilte përpara të tjerëve. I tha Sefes në vesh:

– Qenka i poshtër shumë! Ne e falëm atje te hani, edhe pse e zumë me preshë në dorë, tek donte të na zbraste xhepat,, ai na del këtu e na zë pritë!

– Pritën e tij e përmjer unë! Se nuk është trim, po gjysmë bythe burrë! – iu përgjigj Sefja. – S’bën nga ato që thotë! Por, na di si veten. Prandaj kërkon të na shtjerë frikën! Ja, shikomë mua tani!

Sefe Lara u hodh me vrull nga kali në tokë. Futi dorën në hejbenë e tagjisë, nxori revolverin me kurrizin kthyer gëmushave, e vuri në brez nën setër dhe filloi të ecte ballas, pa iu dridhur qerpiku, drejt atij pizevengut.

– Mos hidh asnjë çap nga u’, more, se ike si qeni në rrush! – ulëriti ai i gëmushave

– Pa, hë! Të shohim  ç’burrë je! – ia ktheu Sefe Lara dhe nxitoi hapin.

Xha Lazëmi u shqetësua e i foli Sefes të kthehej, po ku e dëgjonte më Sefja!

Sifi nuk ndihej! Ishte i sigurt se shoku i tij, aq vjet komit, nuk qe për t’u mësuar. Dinte ç’bënte.

– Ktheu pas, more, se o të ta vërvis kokën në hava, të thaçë! Ktheu, more, mos më fut në gjinah!

Sefe Larës sikur nuk i vinin në veshë ato kërcënime.

– Ktheu, se o t’i thiej kokallat! A ke të vogjël në shtëpi, a nuku ke? S’të vjen keq t’i lënç udhëvet? O të t’i shqiejnë mishrat korbat e ulqërit, i nxiri ti!

Zëri  nga prita tanimë sikur fërgëllinte! Sikur po fundosej. Tingëllonte si lutje e jo si kërcënim!

Sefe Lara e hoqi revolverin nga brezi dhe e drejtoi nga gëmushat.

– Çohu e dil që aty, se s’të them dy herë! – Dhe i hodhi edhe tre hapa përpara.

Ai tjetri u ngrit dhe u duk i tëri në këmbë, duke u dridhur si purtekë. Varur në gishta mbante vërtet një kobure.

– Aman, more, mos e përliej dorën me mua mavrinë, se nuku ka fishekë  kjo imja. Shihe! E ndrishkur është!

Sefja nuk foli më. E vuri përsëri revolverin e vet në setër, e kapi surratverdhin nga zverku, e tërhoqi zvarrë dhe e çoi para karvanit.

– Ja, ky është trimi, që donte të na vriste! Ç’t’i bëjmë?

– Ma bjer pak këtu! – ia ktheu qiraxhiu. E kur Sefe Lara ia afroi, ai ia nguli sytë buzë – e – hundërrudhur, ia mbështeti gishtin e madh në ballë, e shtyti tutje dhe shfryu: – Këtë e ka vrarë Perëndia, duket! – tha, – ia kanë çukitur trurin sorrat! – Ikim, se u bëmë vonë!

 

*           *           *

Xha Lazëmi e priu karvanin në të djathtë e u ndal në ca hije. Kishin arritur në Virua. Ç’vend! Të linte gojëhapur. Me tërë ata drurë të gjelbëruar e sheshe gjithë bar. Përpara – një si liqen  i vogël, që vetëtinte nën diell, ujëra të kulluar lëshoheshin nga bregore të veshura me shkurre, mare e dafina dhe gurgullonin lehtë. Gjethet e pemëve fëshfërinin dhe flladi i ëmbël ta shtonte jetën.

– Një orë do rrimë këtu! – tha qiraxhiu. – Çlodhuni dhe hani drekën! Në atë dyqanin atje keni plot gjëra!

Tek po u jepte kuajve të pinin, atij iu qas një djalë.nën të tridhjetat dhe i foli i ndrojtur.

– E, mo, qiraxhi, ç’vete, mirë?

– Qysh do Zoti!

– Mos keshe nja di vende për Janinë?

– Të shoh, pa të them! Prit një herë!

– Pres, mo, po çë, si nuku pres!

Si kaloi ndonjë gjysmë ore, xha Lazëmit iu afruan Sefja e Sifi.

– Hë, po shkoni? – i pyeti ai buzagaz, sa i vuri re. – Pas katër ditësh, do të më keni prapë këtu! Po në mbaruat punë më parë dhe gjeni me se të ktheheni, mos më prisni!

– Mirë, xha Lazëm! Hajt, faleminderit shumë prej teje e  mirë u pjekshim shëndoshë!

————————-

  • Përgatiti për botim Agim Xh. Dëshnica
blank

OPINIONI KUNDËRMUES I BLENDI FEVZIUT! – Nga Milaim L. Nela

Mbrëmë kush e ka ndjekur me vëmendje TV Klani ka trasmetuar një nga emisionet më të pista, më trushpëlarëse dhe mbi të gjitha KUNDËR interesit publik shqiptar!
Pse e them këtë?
Ai duke menduar influencën që ka në publik përmes disa anonimëve shiti apo më saktësisht u mundua t’i shesë publikut disa gënjeshtra;
1. Lufta në PD zhvillohet mes dy kampeve të barabarta bile ky i Bashës është më i fortë pasi ka Amerikën me vete.
Unë: Jo Fevzi, është Partia e vërtetë Demokratike në njërën anë, parti të cilën ti dhe Ben Blushi e keni luftuar që në ditët e para të krijimit të saj dhe një celulë e SOROSIT në anën tjetër që praktikisht është bërë seksion organik i “rilindjes” së Ramës.
Ti bashkë me Blushin na keni shitur të pavërteta që në shkrimin e parë në RD (Katër netët e mëdha të studentëve).
Berisha – Fevzi, nuk ka përballë Amerikën por një oktapod me të cilin është në hall të madh edhe vetë Amerika të cilës i jemi përherë mirënjohēs dhe ne shqiptarët e adhurojmë.
2. Në mënyrë shumë tinzare u tha – kuptohet përmes kapakëve që kishe ftuar sepse as Baton Haxhiu nuk do guxonte të thoshte që Kuvendi i 11 Dhjetorit nuk i ka as 1000 firma bile dikush guxoi të thoshte aty edhe një rrenë kaq të madhe sikur Kuvendi i Bashës (se kështu i thotë ai, kuvendi im) paska siguruar 4500 firma bile e detyrove atë mjekrën e vogël ta pësesëriste dy herë!
Unë: Nuk ka shqiptar sot jo me shkollën që kemi bërë unë e ti por edhe ata me shkollë KRISTALI që nuk beson që Sali Berisha ka mbështetjen dërmuese të delegatëve të Kuvendit të Partisë Demokratike.
Basha mund të mbledhë kuvend por vetëm me ushtrinë e Erion Veliajt dhe Arlind Qorrit po kurrësesi jo me demokratë.
3. U mundove të shesësh idenë që ka kohë që po qarkullon në gjirizin e anal-haleve se kjo punë do përfundojë nē gjykatë pasi vula ka rëndësi Basha është instuticioni e gjithçka tjetër është anti-miting. U tha që Kuvendi i 11tes do të mblidhet në stadium dhe nuk u mjaftove me këtē por në sfond gjatë gjithë kohës nxore një foto të poturexhiut duke kërcënuar me dy peshq të varur duke aluduar për Berishën dhe Metën!
Unë: Fevzi! Nuk ka gjykatë Dvoraniste që mund të gjykojë vullnetin e zemrës së partisë më të madhe opozitare në Shqipëri. Ti dhe unë Fevzi e dimë që kjo ide është e porositur nga lart dhe nuk mund tē ndodhë në realitet.
Me këtë emision Fevzi më ke bindur përtej çdo dyshimi që përveç se nuk je gazetar, je i pakarakter dhe sot e them me bindje të plotë që ti je ushtar i Xhorxh Sorosit.
Këtë të fundit ma përforcoi intervista e Lumir Abdixhikut të cilën ti e kishe përgatitur posaçërisht për këtë emision dhe përmes gojës së tij u tha një gjë e shëmtuar dhe për të cilën ka vite që punon SOROS sikur Ballkani nuk do mund të mbijetojë pa bashkimin ekonomik pra me fjalë të tjera nuk ka derman pa “Ballkanin e Hapur” të Vuçiçit. Që nga ky moment nuk e ndoqa më Abdixhikun sepse u binda që intervista kishte qëllime të tjera të ndyra se ti si adhurues i Hashim Thaçit nuk tu dogj xhani për LDK-në por ti ishe në shërbim ashtu siç duket që edhe Lumir Abdixhiku po dëshmon që në krye të LDK-se ka ardhur si ushtar i merimanges se zezë
Të gjitha emisionet tua janë të shpifura Fevzi por ky i mbrëmbjes së kaluar duhet të jetë objekt serioz studimi i studentëve të gazetarisë bash se si nuk duhet të jetë gazetaria në shërbim të publikut.
blank

PROFESORË! * – Poezi nga PËRPARIM HYSI

 

     In memoriam:Profesorëve të mi në NORMALEN e ELBASANIT!
   
Sot kam ardhur në ELBASAN,
Se sot aty është “NJË DITË E MADHE”
DITË E MADHE për KOMBIN mbanë
Më 1 dhjetor 1909 u hap SHKOLLA NORMALE!
.
PROFESORË! Asnjërin nga ju nuk mund të veçoj
SE JU,që të gjithë,ishit të mrekullueshëm!
Kurrë,sa të jem gjallë,nuk mund t’ju harroj
Dhe loti i mallit është i papërballueshëm!.

Ju që të gjithë punonit me përkushtim
Ishit modele që duheshit ndjekur
Për të gjithë Ju kam të veçantë adhurim
Mjerisht,të gjashmit me JU,kund s’i kam gjetur.
.
E di që nga kjo botë kini ikur
Por shpirtërisht vij dhe puth çdo pllakë varri
Sado i moshuar dhe kokëthinjur
Për JU lot lëshoj nga malli.
* kam qenë maturant në vitin 1959,në 50-vjetorin e shkollës.
 
                        Tiranë,1 dhjetor 2021
blank

I madhi Zot, qofsh lëvduom – Poezi nga PJETËR BUDI

 

I madhi Zot,qofsh lëvduom
për gjithë kaqë të mirë
që së kam u’ merituom
me ndoonjë shërbetyrë;

qi më dhee kaqë hijr
këtë kafshë me mbaruom,
si q paçë zanë fijll,
gjithëherë tue shkruom.

Posi mendja më përcijll
nd’Arbënë me ua dërguom,
për kishë e për munështjir
pak ndë mend me i trazuom.

Ata merrë mbë dëshijr
mkatit me u peenduom,
posi pemëtë ndë prijll
ndë shpijrt me lulëzuom;

e si zogzitë ndë pyyllt,
Zoti im me të lëvduom,
ndjerë vetë nata mbyyllt,
me një zaa t’amblëtuom.

(1618)

blank

O i paafati njerii – Poezi nga PJETËR BUDI

“O i paafati njerii,
Gjithë ndë të keq harruom,
I dhani ndë madhështii,
Ndë mkat pshtiellë e ngatëruom;

Ndo plak jee, ndo j rii,
Përse s’shtie të kuituom,
I vobeg ndo zotënii,
N ceije iee kriiiuom?

Balte e dheu cë zii,
E io ari cë kulluom,
As engjiishi cë tii,
Ndo guri cë paaçmuom;

Kaha të vien n dore tyy,
Mbë të madh me u levduom,
Ndë sqime e ndë madhështii,
Tinëzot me kundrështuom?

Lavdinë tand të levduom,
Ti pa vene ree vetë,
Ame cote idhënuom,
Kuur leve mbë këtë jetë,

Aty s’prune begatii,
As vistaar të levduom,
As urtë a diekëqii,
As gurë të paaçmuom;

Aty s’prune madhështii,
As dinje me ligjëruom,
As vertyt as trimënii,
As vetiu me ndimuom;

Aty s’prune zotënii,
Kual të bukur as të çpeitë,
As dinje gjak e gjeni,
As të mirëtë as të keqtë;

Po leve gjithë mëndryem,
Ame n cote idhënuom,
Tue qaam mallënjyem,
Me një zaa të helmuam (24)…

blank

29 janar 1622, imzot Pjetër Budi i dhuron “Doktrinën e Kërshtenë” Bibliotekës së Vatikanit

Më 29 janar 1622, ipeshkvi e shkrimtari shqiptar, imzot Pjetër Budi i dhuroi Bibliotekës së Vatikanit kopjen e veprës së parë të tij “Doktrina e Kërshtenë“ (Dottrina Christiana), përkthim i katekizmit të shën Robert Belarminit, që u botua në Romë në vitin 1618. Në fund të faqes së veprës shkruan “Autor dono dedit Bibliothecae Vaticanae. 29 Januari 1622” .

R.SH. – Vatikan

Kujtojmë se si sot, më 29 janar të vitit 1622, ipeshkvi katolik e shkrimtari shquar shqiptar, imzot Pjetër Budi i dhuroi Bibliotekës Apostolike të Vatikanit kopjen origjinale të veprës së parë të tij “Doktrina  e Kërshtenë “ (Dottrina Christiana), përkthim i katekizmit të shën Robert Belarminit, që u botua në Romë në vitin 1618. Në fund të faqes së veprës shkruan “Autor dono dedit Bibliothecae Vaticanae. 29 Januari 1622″ (Autori ia dha [këtë kopje] dhuratë Bibliotekës së Vatikanit. 29 Janar 1622.

Veprat e ipeshkvit të jashtëzakonshëm imzot Pjetër Budit (1618-1621). Dy breza pas dom Gjon Buzukut, vjen figura e dytë më e madhe e letërsisë së hershme brenda Shqipërisë, ajo e Imzot Pjetër Budit (1566-1622), autorit të katër veprave fetare, me përmbajtje të doktrinës së krishterë, në gjuhën shqipe.

Imzot Pjetër Budi lindi në fshatin Gur i Bardhë, në krahinën e Matit. Vajti e mësoi për prift në Kolegjin Ilirik të Loretos (Collegium Illyricum ), afër Ankonës, në Itali, ku studiuan shumë të rinj e priftërinj shqiptarë, si të viseve tjera të Ballkanit e të Evropës Qendrore.

Në moshën njëzetenjëvjeçare Pjetër Budi shugurohet meshtar katolik, dhe dërgohet menjëherë me shërbim në Maqedoni e Kosovë. Më 1610 përmendet si ‘kapelan i të krihsterëve’ në Shkup’, kurse më 1617 si kapelan në Prokuple, në Serbinë jugore.  Një vit më parë, mu në Prokuple, ishte mbajtur një mbledhje e lëvizjeve të ndryshme kombëtare kryengritëse për të organizuar një mësymje të madhe kundër turqve. Në Kosovë, dom Pjetër Budi erdhi në kontakt me katolikë françeskanë nga Bosnja, kontakte që në vitet e mëvonshme dhanë frytet e veta, sepse ndihmuan që të rritej mbështetja për qëndresën shqiptare kundër pushtuesve otoman.

Më 1599 Dom Pjetër Budi u emërua Vikar i Përgjithshëm (vicario generale) i Kishës katolike në Serbi, vend që e mbajti për shtatëmbëdhjetë vjet. Si përfaqësues i Kishës katolike në Ballkanin e pushtuar nga turqit, dom Pjetër Budi jetoi dhe punoi në një atmosferë politike pa dyshim të nderë.

Misioni i tij kishtar ishte nga shumë anë një veprimtari e jashtëzakonshme, për përforcimin e jetës shpirtërore të grigjës besimtare, që kishte në udhëheqje e nën mbrojtje, si dhe për kultivimin e vetëdijes kombëtare e të vlerave etnike e kulturore të popullit shqiptar.

Imzot Pjetër Budi digjej nga dëshira e zjarrtë për ta parë popullin e vet të lirë nga zgjedha turke dhe punoi pa pushim për arritjen e këtij qëllimi. Dihet se në këtë periudhë ai ka pasur kontakte me figura që u dëgjohej fjala si Françesko Antonio Bertuçi (Francesco Antonio Bertucci) dhe me kryengritës shqiptarë që luftonin për të përmbysur sundimin osman. Por ipeshkvi imzot Pjetër Budi nuk ishte kurrsesi nacionalist mendjengushtë. Me sa mund të gjykohet, veprimtaria e tij, atëherë e më vonë, synonte një kryengritje të përgjithshme të të gjithë popujve të Ballkanit, përfshirë edhe bashkatdhetarët myslimanë.

Më 1616 imzot Pjetër Budi shkoi në Romë ku qëndroi deri 1618 për të mbikëqyrur botimin e veprave të veta.  Nga marsi 1618 e deri aty nga shtatori 1619 ai vajti për një shtegtim tetëmbëdhjetëmujor në Santiago de Kompostela në Spanjë, te shenjtërorja e njohur e Shën Jakut Apostull. Kur u kthye në Romë në vjeshtën e vitit 1619, ai u përpoq të tërhiqte vëmendjen e Kuries Romake, çka do të thotë të Selisë së Shenjtë të Romës kundrejt  gjendjes së mjerueshme të të krishterëve shqiptarë dhe të siguronte mbështetje për qëndresë.

Më 20 korrik 1621 u emërua ipeshkëv i Sapës dhe Sardës (Episcopus Sapatensis et Sardensis), do të thotë i krahinës së Zadrimës, dhe u kthye në Shqipëri një vit më pas. Puna e tij atje qe njëkohësisht fetare e Kishtare dhe e natyrës kombëtare e politike.

Një nga synimet e imzot Pjetër Budit ishte që  të rriteshin thirrjet meshtarake vendore, pra shqiptare, të rritej kleri vendas për të plotësuar nevojat  shpirtërore e posaçërisht edhe ato kombëtare, pasi për veprimtaritë ungjillëzuese e apostolike, përkujdeseshin edhe misionarët e huaj, edhe pse jo gjithmonë arrinin t’i plotësonin nevojat e shqiptarëve vendas, veprimtari kjo që nuk do të arrihet të realizohet për shkakun e shumë vështirësive që ekzistonin, nga mungesa e strukturave si Seminaret, Kishat dhe shkollat filozofie e teologjike, deri tek mjetet për mirëmbajtjen e studentëve e tjera.

Në dhjetor 1622, pak ditë para Krishtlindjes, ipeshkvi imzot Pjetër Budi u mbyt duke kaluar lumin Drin.

Është hamendësuar të ketë qenë viktimë e ndonjë komploti për ta zhdukur këtë figurë të rëndësishme kombëtare e kishtare, ndonëse dëshmitë për këtë nuk janë të sigurta (18).

Të dhënat biografike për këtë autor vijnë nga një letër e datuar 15 shtator 1621, të cilën imzot Pjetër Budi ia drejtonte kardinalit Gozzadini në Romë, në të cilën ai parashtron planet e strategjinë për një kryengritje në Ballkan kundër otomanëve. Në këtë letër ai theksonte edhe: “… gjatë shtatëmbëdhjetë vjetëve, me aq sa munda, nuk i kam rreshtur kurrë përpjekjet për të ndihmuar e lehtësuar ata popuj, përfshirë edhe priftërinjtë, me modele fetare, duke shkruar vazhdimisht libra fetarë në gjuhën e tyre, si në atë të Serbisë edhe në atë të Shqipërisë, ashtu siç janë parë në mbarë ato vende në ditët tona.”

Kjo do të na jepte të kuptonim se gjatë viteve të shërbimit në Kosovë e Maqedoni, ipeshkvi imzot Budi i ka kushtuar energjitë e veta hartimit dhe përkthimit të veprave me përmbajtje fetare të krishterë, tashmë të humbura. Përndryshe, si mund të shpjegohej botimi i katër veprave në gjuhën shqipe me gjithsej një mijë faqe brenda pesë vjetësh?

Vepra e parë e imzot Pjetër Budit është ‘Dottrina Christiana’ ose ‘Doktrina e Kërshtenë’, një përkthim i katekizmit të shën Robert Belarminit (Roberto Bellarmino, 1542-1621). U botua në Romë më 1618 dhe një ndër kopjet origjinale ruhet në Bibliotekën e Vatikanit (R.I. VI. 449). Kryefaqja e titullit përmban këto të dhëna: “Dottrina Christiana. Composta per ordine della fel.me. Di Papa Clemente VIII. Dal. R. P. Roberto Bellarmino Sacerdote della Compagnia di Giesv. Adesso Cardinale di Santa Chiesa del Titolo di S. Maria in Via. Tradotta in lingua albanese. Dal Rever. Don Pietro Bvdi da Pietra Biancha. In Roma, Per Bartolomeo Zannetti. 1618. Con Licenza de’ Superiori.”

(Vepra “Doktrina e Krishterë”, e hartuar për nder të kujtimit dritëplotë të Papa Klementit VIII nga Shën Robert Belarmini, prift i Shoqërisë së Jezusit, tani Kardinal i Kishës së Shenjtë të Shën Marisë in Via. Përkthyer në gjuhën shqipe nga i nderuari Don Pjetër Budi nga Guri i Bardhë. Në Romë, nga Bartolomeu Zaneti 1618. Me lejen e Eprorëve.) E shënuar me dorë në fund të faqes është “Autor dono dedit Bibliothecae Vaticanae. 29 Januari 1622″ (Autori ia dha [këtë kopje] si dhuratë Bibliotekës së Vatikanit. 29 Janar 1622).

Shën Robert Belarmini nga Montepulçano ishte Kardinal dhe Jezuit, i kanonizuar dhe i shpallur doktor i Kishës më 1930, vepra Doktrina Kristiane mjaft e përhapur e të cilit, ashtu si veprat e tij të tjera, e kishte dëshmuar si teolog të zotin në konflikt me protestantizmin dhe në mbrojtje të të vërtetave të doktrinës së krishterë, sipas Kishës katolike romake. Vepra ‘Doktrina e Kërshtenë’ e vogël e tij, një vepër që kundërreforma kishtare e rekomandonte posaçërisht për përdorim misionar, kishte qenë botuar së pari më 1597 dhe më pas qe përkthyer në një numër gjuhësh tjera. Përkthimi shqip i ‘Doktrinës Kristiane’ prej imzot Pjetër Budit përbëhet nga 169 faqe.

‘Doktrina e Kërshtenë’ në gjuhën shqipe u rishtyp nga Kongregata  e Selisë së Shenjtë Propaganda Fide në Romë. Për këtë duhet të ketë pasur një numër relativisht të madh kopjesh nga botimet e viteve 1636, 1664 dhe 1868. Dihet se më 1759 në depot e Kongregatës Propaganda Fide kishte ende gjithsej 960 kopje të librit(19).

Me interes të madh letrar e fetar, si katekizëm, përmbajtje e ‘Doktrina e Kërshtenë’, vepra ka edhe pesëdhjetë e tri faqe me vjersha fetare apo shpirtërore në shqip, rreth 3000 vargje, shtojcë për Doktrina e Kërshtenë. Këto vargje përbëjnë poezinë më të hershme në dialektin gegë. Mjaft nga këto vargje qenë përkthyer nga latinishtja ose italishtja, por një pjesë janë origjinale.

Botimi i dytë i Budit përmban tri veprat e tij të tjera. Ballina mban titullin: “Ritvale Romanvm et Specvlvm Confessionis. In Epyroticam linguam a Petro Bvdi Episcopo Sapatense & Sardanense translata. Sanctissimi Domini Nostri Gregorii XV liberalitate typis data. Romae, apud Haeredem Bartholomaei Zannetti. 1621. Svperiorvm permissv.”
(Rituali Roman dhe Pasqyra e të Rrëfyemit, përkthyer në gjuhën epirote (shqipe) nga Pjetër Budi, peshkop i Sapës dhe Sardës. Dhënë për shtyp me bujarinë e zotit tonë më të përndershëm Grigor XV. Romë. Bartolomeu Zaneti 1621. Me lejen e eprorëve.)

Në parathënien e tij për ‘Doktrinën e Kërshten’ë, imzot Budi thotë: “Më parë hodha (d.m.th. kopjova) në gjuhën tonë dy kapituj të Ditës së Gjyqit të fundit, shkruar nga shumë i përndershmi e i devotshmi prifti Pal i Hasit.” Kjo Ditë e Gjyqit ishte një përshtatje mjeshtërore në gjuhën shqipe, sipas ritmit të saj tetërrokësh, himnit të njohur latinisht të mesjetës Dies irae, dies illa të murgut françeskan Thoma nga Çelano (Thomas a Celano, rreth 1200-1255):

“Dies irae, dies illa
Solvet saeclum in favilla,
Teste David cum sibylla.

Quantus tremor est futurus
Quando judex est venturus,
Cuncta stricte discussurus.

Tuba mirum spargens sonum
Per sepulcra regionum
Coget omnes ante thronum…”

“Ajo ditë me mënii
Qi të vinjë ndë e vonë
Këtë shekullë të zii
Ta diegë e ta përvëlonjë,

Si Profeta ban dëshmii
Me sibilënë, po thonë,
I madh gjyyq e mënii

Të vinjë për mkate tonë.
Saa dridhmë e cokëllimë
Të jeenë përgjithanë,

E n qiellshit shkepëtimë
Nd’ajërit e madhe gjamë…(23)”

Tërheqëse në lutjen-poezi të Pjetër Budit e të Pal Hasit janë ndjenja e sinqertë, bindja në forcën e uratës drejtuar Hyjit dhe shqetësimi i çiltër njerëzor për vuajtjet e një bote të mbrapshtë. Një lutje-vjershë tjetër që përcjell bukur këtë dhembshuri është ajo mbi vdekjen dhe madhështinë e njeriut që në saje të fesë në Hyjit do të ngadhënjejë mbi vdekjen për të shijuar përjetësinë, amshimin, duke mos kundërshtuar Zotin “Tinëzot me kundrështuom” . Ajo nis kështu:

“O i paafati njerii,
Gjithë ndë të keq harruom,
I dhani ndë madhështii,
Ndë mkat pshtiellë e ngatëruom;

Ndo plak jee, ndo j rii,
Përse s’shtie të kuituom,
I vobeg ndo zotënii,
N ceije iee kriiiuom?

Balte e dheu cë zii,
E io ari cë kulluom,
As engjiishi cë tii,
Ndo guri cë paaçmuom;

Kaha të vien n dore tyy,
Mbë të madh me u levduom,
Ndë sqime e ndë madhështii,
Tinëzot me kundrështuom?

Lavdinë tand të levduom,
Ti pa vene ree vetë,
Ame cote idhënuom,
Kuur leve mbë këtë jetë,

Aty s’prune begatii,
As vistaar të levduom,
As urtë a diekëqii,
As gurë të paaçmuom;

Aty s’prune madhështii,
As dinje me ligjëruom,
As vertyt as trimënii,
As vetiu me ndimuom;

Aty s’prune zotënii,
Kual të bukur as të çpeitë,
As dinje gjak e gjeni,
As të mirëtë as të keqtë;

Po leve gjithë mëndryem,
Ame n cote idhënuom,
Tue qaam mallënjyem,
Me një zaa të helmuam (24)…

Po në dorëshkrim në fund të faqes është “Autor dono dedit Bibliothecae Vaticanae. 29 Januari 1622” (Autori ia dha [këtë kopje] si dhuratë Bibliotekës së Vatikanit. 29 Janar 1622). Kjo vepër ende ruhet në Vatikan (Barberini VI. 56).

I madhi Zot, qofsh lëvduom

I madhi Zot,qofsh lëvduom
për gjithë kaqë të mirë
që së kam u’ merituom
me ndoonjë shërbetyrë;

qi më dhee kaqë hijr
këtë kafshë me mbaruom,
si q paçë zanë fijll,
gjithëherë tue shkruom.

Posi mendja më përcijll
nd’Arbënë me ua dërguom,
për kishë e për munështjir
pak ndë mend me i trazuom.

Ata merrë mbë dëshijr
mkatit me u peenduom,
posi pemëtë ndë prijll
ndë shpijrt me lulëzuom;

e si zogzitë ndë pyyllt,
Zoti im me të lëvduom,
ndjerë vetë nata mbyyllt,
me një zaa t’amblëtuom.

(1618)

Madhështi e njerëzve

Ku janë ata pleq bujarë,
që qenë përpara ne,
e ata trima sqimatarë,
të shpejtëtë si rrufe?

Ku janë ata djelm të ri,
të bukur e të lulzuom,
që pate pamë me sy,
me ta folë e ligjëruom?

Ku janë ata zotëninj,
që dojin me zotënuom
ndë sqimë e ndë madhështi,
këte jatë tue shkuom?

Ku janë ata perandorë
gjithë shekulli nalcuom,
në krye me një kunorë
gurëshi cë paçëmuom?

Ku janë ata letërorë
t’urtë e dijes të ndëgjuom,
të bardhatë posi borë
letëra tue kënduom?

Ku janë ato gra e vasha
ndë sqimë e ndë madhështi,
me petëkat të mëndafshta
nalcuom mbë zotëni?

Gjithë mortja i rrëzoi,
sikur i pret me shpatë,
për të ri s’i shikoi,
as të vobegë,as të begatë.

(1618

blank

ECJE TË TYMOSURA – Cikël me poezi nga TAHIR BEZHANI

ECJE TË TYMOSURA

 

Aromë lagështie myk i shprishur

Shtresohej në varëset e rrobave në dollap

Në xhepin e majtë të xhaketës

Ishte një paketë duhani e çakmaku i bardhë

Dorë e lodhur e mbërrin “zodiakun” e gjatë

Në dhomë rrathë tymi si histori

Fije mendimesh figura lypsarësh

Njerëz të tretur skajeve të botës

Një gotë verë në tavolinë dite

Ngacmonte etjen e sëmurë e kronike

Buzëqeshja rrapëllonte skajeve të buzëve

Si mëngjeseve vjeshtore mbuluar me vesë

Tymnaja shponte parvazet e dritareve

Balli ndizej mbuluar me djersë të ftohta

Një kollitje larg dëgjohet në rrugë

Gjumi kishte marrë arratinë

Mëngjesi kishte thithur gjithë nikotinën

Dikush kishte pirë verën në shishen e kuqe

Sillesha i dehur në dhomën e ëndrrave

I frikësuar nga figura të zverdhura

Rreshtuar në shpresë te një dite të re

Në pritje të metamorfozës të ditës e natës….

 

 

 

 

 

 

IKJA AS NATËN NUK NDALET…

 

Shpesh iki nga vetmia e natës

Zbres shkallëve e hap derën e rrugës

Shikoj  ftohtësinë dritat e neonit

Të varura mureve të zbehta

Fenerë mbyllur në xhama qelqi

Asnjë lëvizje në mesnatën e heshtur

Pos ndonjë qenë i uritur

Me zor ndalen lotët e zemërimit

(Urrej e dashuroj vetminë time….)

Sytë shndritin në prushin e fjetur

Udhëtimi natën nuk ndalet

Deri tek pritat e dallgëzuara

Pusi ka zënë shpirti i rebeluar

Kërkon të shuajë etjen

Nuk di as cilën etje

Ndoshta atë të çmendurisë

Si dhuratë kohe

 

 

 

BALLAFAQIM SHIKIMESH

 

Diçka po  digjet në mua

Kaq shumë tim

Edhe erë shkrumbi përtej flakëve

Shikimet ballafaqohen si dy memecë

Trishtueshëm flasin në heshtje shkallëzimet

Jeta po fshihet diku skutave të përvuajtura

Ngarkuar me injorancë

Dashuri e rreme përvidhet shikimeve

Nën këmbë hetohet flaka

Kush mund të di kahet e rrugëtimeve…

Në ballafaqim shikimesh diçka po ikën

Ndoshta kotësia e jetës

Si një ditë pluhur….

blank

ETËRIT Nga Zhuliana Jorganxhi

Etërit na ikën…
Në ditëvite të ndryshme.
Me vdekje të thjeshta,
si jeta e tyre.
Na ikën…
Cdo ditë e më shumë
ua numërojmë të mirat…
Ku ishim më parë
ne bijtë, ne bijat?!
Tani, që s’i kemi,
ah, dhe një çast t’i kthenim!
Të bëjmë ca rrugë
andej nga Liqeni,
t’iu japim një kafe,
që s’ua dhamë te “Rinia”
dhe tutje më shumë
t’iu bëjë pleqeria…
Rradhëve mos t’i lodhim
në asnjë lloj dyqani,
Mbrëmja mos heshtojë
me sy tek ekrani.
Të nisim udhë bisedash
për botën anembanë,
një gotë, çdo mbrëmje
ta pimë me etërit tanë…
Cfarë s’japim,
t’iu jepnim,
ato, që dot s’ua dhamë!
Të urtëve,
të pafjalëve,
të mirëve,
etërve tanë!
blank

Dëshira e fundit e Pjetër Shinit – Prozë nga Naum Prifti

 

 

Shkopinjtë trokitën me një ritëm nervoz mbi lëkurën e tendosur të daulles dhe në sheshin e pazarit të Shkodrës u vendos qetësia. Qytetarë e fshatarë, blerës e shitës dhe vizitorë të rastit i prenë fjalët dhe mbajtën vesh. Lajmërimet me tellall qenë kumtime ogurzeza, qëkurse Arbëria qe pushtuar nga osmanlinjtë. Çdo ditë pazari lajmëroheshin masat shtrënguese për dorëzime të armëve dhe kuajve, paralajmërime për popullsinë që ushqente apo strehonte kaçakët dhe të arratisurit nga kampet turke, dhe kërkesa për ndihma e krahë pune për ngritjen e xhamive dhe karakollëve. Turqit kishin arritur te ndaluan tregtinë e kripës dhe të lëndës së drurit, dhe te kufizuan lundrimet në det nga frika e ndonjë marrëveshjeje midis shqiptarëve dhe republikave të huaja.

 

Tani qe familja e Skënderbeut qe shpërngulur në Napoli, flitej se i biri i tij, Gjoni, po përgatiste forca që do ngrinin në këmbë popullsinë arbërore kundër pushtuesve. Populli mezi priste të kthehej koha e lavdisë dhe respektit për derën e Kastriotëve. Po ndërkohë kapedanët shqiptarë mbanin të gjallë shpirtin e rezistencës në tokat arbërore. Kur turqit më në fund arritën të pushtonin Shkodrën, Gjergj Golemi ende luftonte në Sopot dhe trupat osmane nuk kishin mundur ta merrnin kështjellën. Shumë kapedanë arbër, që kishin qenë djemuri në kohën e betejave nën Prijësin e Madh, ishin rritur maleve dhe burrëruar luftrave, dhe tani njiheshin nga i madh e i vogël për trimëritë e tyre që i tmerronin turqit dhe mbushnin me shpresë shqiptarët.

 

Tellalli po lajmëronte: “Kush e kap dhe e dorëzon Pjetër Shinin të gjallë a të vdekur, sadrazemi Ursun Bintash i fal taksën e dhjetë katundeve për shtatë vjet dhe zonjën e bukur, të shoqen e Pjetër Shinit, si skllave”. Njerëzit u panë sy në sy dhe buzëqeshën. Katër muaj që tellalli përsëriste të njëjtën shpallje. Por nga qershori në vjeshtën e parë, vetëm numri i katundeve rritej si shpërblim për kapjen e kapedanit. Po kapej veriu? A mbërthehet era?  A zihet në çark rrezja e diellit? Çdo javë kishte një pritë a sulm kundër postave turke e karvanëve të tyre në qytete a në fshatra, në monopat a shteg mali, me shokë a i vetëm, më këmbë a kaluar, njerëzia thoshin se aty pari ishte parë Pjetër Shini dhe fjala merrte dhenë.

 

Pjetër Shini kishte thënë se ai do të luftonte sa t’i regëtinte zemra, sa t’i kishte forcë krahu e sa t’i shihte dritë syri. Cilido që i thoshte vetes arbër dhe e donte atdheun të lirë ishte bashkë me të në beteja kundër turqve si dhe në çdo odë shqiptari që donte lirinë.

 

Shkoi një mot e shkuan dy e kështu me radhë, ranë gjethet, u zhveshën drurët, farëzat u bënë pemë e çikëzat u bënë nuse. Pjetër Shini me shokët e tij besnikë nuk i nënshtroheshin sundimit osman. Mes betejave hodhi shtat e u burrërua, mes betejave u martua. Për krushq shpuri shokët e vet dhe disa edhe pandehën se tani që u martua do të shtrohej e s’do të flinte më me gunë krahëve staneve e shpateve. Të tjera thoshin bota, tjetër mendje kishte trimi.

As një javë s’ndenji me grua, ngjeshi shpatën e pazmoren e sërish doli në mal.

– Ç’u martove o Pjetër Shini kur ti kishe këtë mendje? – e pyetën.

– Më pëlqen të kem fëmijë.

– Po për gruan, a mendon? E ke lënë vetëm në shtëpi. I kanë rënë gjithë hallet mbi kokë. Shtëpia e fëmija dhe ty s’të ka pranë për një punë a për një ndihmë.

– Gruaja ime edhe babën kaçak e kish. Bij kaçaku e nuse kaçaku.

– Po baba iu vra. Në iu vraftë dhe burri?

– Ani. atëhere do të jetë nënë kaçakësh!

E kishte gjetur edhe gruan si veten Pjetër Shini; të bukur e trimëreshë. Dhe e shoqja e Pjetër Shinin qe krenare për të se emrin e tij e mbanin në gojë të gjithë, miq e armiq. Turqit i kishin premtuar falje, ai qe përgjigjur se s’kishte bërë ndonjë faj. Ata i kishin ofruar ta gradonin e ta mbanin komandant të forcave të tyre ushtarake, ai qe përgjigjur se nuk e këmbente gjakun me grada. I kishin thënë të dorëzonte armën dhe të bënte ç’të donte ku të donte, ai ju tha: “Arma dhe nderi qëndrojnë bashkë”. E kishin kërcënuar, i kishin ngritur kurthe, e kishin ndjekur me koshare e suvarinj, por ai ju shpëtonte çdo herë. Pjetër Shini nuk bëhej as erë, as zog. Atë e mbronte gjithë populli i krahinës, atë e njihnin barinjtë dhe çilimijtë, druvarët dhe farkëtarët, peshkatarët dhe amvisat.

Pjetër Shinin s’do ta kishin zënë kurrë sikur të mos e kishte tradhtuar një prift. At Shtepani kur mori vesh se Pjetër Shini po mjekohej te një xherah, shkoi në zyrën e sadrazemit dhe e kallëzoi.

– Ç’do prej nesh, – i thanë priftit Shtepan, -veç atyre që të takojnë? Do kënaqesh me gruan e bukur të Pjeter Shinit.

– Zot na ruaj nga mëkati? Unë jam prift e nuk martohem.

– Zgjidh katundet më të mira e merr taksën për shtatë vjet.

– Nuk i dua, – tha ai. -Po e morën vesh fshatarët, do më hanë të gjallë.

– Fol, ç’do atëherë! – ia ktheu Sadrazemi.

– Vetëm mirënjohjen tuaj – ju përgjigj prifti me lajka.

Prifti përpara e turqit pas shkuan te vendi ku strehohej Pjetër Shini dhe e kapën të gjallë. Ja lidhën duart prapa qafës dhe e ngritën në këmbë.

Sytë e Pjetër Shinin vetëtinë si shkëndija.

– Siç ke rason, e paske edhe faqen!- i tha priftit.

Sadrazemi po dridhej nga padurimi për ta parë përpara tij atë kaçak që i kishte nxjerrë aq shumë telashe dhe e kishte munduar për vite me radhë. Urdhëroi të sillnin një fron për Pjetrin. Vetë u ul në një stol të stolisur. Kaçaku s’dukej as i ligështuar, as i trembur. Vështrimi i tij qe i rreptë e burrëror e sadrazemi s’dinte si të dukej impozant rrethuar nga ornamentet e tij.

-Pjetër Shini të erdhi fundi! – i tha. -Dorës së padishahut nuk i shpëton askush. Ajo të gjen kudo që të futesh dhe të ndëshkon siç e meriton. Po padishahu ka edhe mëshirë për ata që pendohen.

Pasoi një heshtje e shkurtër. Pjetër Shini nuk foli.

– Ç’ke për të thënë?

– Sadrazem unë bëra ashtu si ma desh zemra e si më tha mendja. As jam penduar për ato që kam bërë, as kam ndër mend të pendohem, – tha i vendosur Pjetër Shini.

– Pjeter Shini, në këta vjet që je sjellë maleve e brinjave si kaçak, sa turq ke vrarë e ke plagosur? – e pyeti sadrazemi.

– Unë nuk di të bëj llogari me shumë numra. Nja njëqind ushtarë në vit t’i kam vrarë e t’i kam prerë. Kam njëzetekatër vjet që luftoj. Sa është numri llogarite vetë.

– Dy mijë e katërqind shërbëtorë të padishahut. Dy mijë e katërqind njerëz nuk janë më ngaqë i ke vrarë ti. Ç’do më thuash për këtë?

– S’ka vrarë njerëz, Pjeter Shini, sadrazem. Pjetër Shini ka vrarë armiq. Luftova për nderin e gjakut tim dhe për lirinë e vendit tim.

– Ç’do të bëje po të të liroja tani? Më jep fjalën se do të shkosh në shtëpi e do merresh me tokë e gjë? Fjalës tënde i besoj. Ajo është fjalë burrash.

– As toka, as gjë e gjallë s’ka ç’i duhet Pjetër Shinit. Po më lirove, fjalë burrash, do luftoj si gjer tani.

– Atëhere s’kam ç’të bëj. Njëzetekatër vjet ke luftuar njëzet e katër ditë do të le varur në një dru atje tutje në det.

– Si të duash, o sadrazem. Unë mëshirë nuk lyp, – i tha Pjetër Shini.

– Cila është dëshira jote e fundit?

– Po të më varësh në det, asnjeri nuk do të të besoj.

– Mirë thua. Ku do ti të varesh? – pyeti sadrazemi me kureshtje.

– Unë dua të më varësh në mes të qytetit. Të më shohin të gjithë.

– Aty do të të var! – i tha i vendosur sadrazemi.

– Shpatën ngjishma brezit, kësulën në kokë dhe mburojën në dorë.

– Oh sa do kënaqem kur të shoh të tundet ai litar rreth qafës, – i tha me cinizëm sadrazemi.

– Sa herë të fryjë erë, shpata ime do vringëllojë dhe parzmorja do trokasë aq sa t’i shtjerë frikën turkeshave me fëmijët në gji, që do t’ju luten burrave të tyre të mbyllen në shtëpi se edhe aty nuk do kenë shpëtim nga Pjetër Shini.

Sadrazemi ngriu në vend dhe nuk mund t’i hiqte sytë nga Pjetër Shini. Luftëtarët e lirisë si ai mund të binin në duart e turqve por ata nuk i prekte vdekja sepse ishin bërë pjesë e legjendave të një populli që aspironte për lirinë e vet dhe atë nuk mund ta vrasë asnjë perandori sado e fortë dhe e armatosur të jetë.

 

blank

Çelësi i Mallit Nga Rita Saliu

Ne xhepin e shqyer nga malli
Te palltos se harruar ne gardhin e vendlindjes
Kerkoj çelesin e perjetimit
Portat e harrimit per t’i hapur
Te me therrase kujtesa te kthehem
Nga dheu i huaj ne preher te nenes
Qe me pret te kulla e braktisur
E rrenuar nga stuhite karpatiane
Duke qare per mua vret vetmine e heshtjes
Apo mungesen time deshiron ta vrase
E kulla ia reciton heshtjen pa mua
Çelesin e mallit e gjej
Ne fund te palltos se mykur moteve
Qe ruan plaget e lirise
Ne betejen e mbrame
Era e mykut me shnderrohet ne arome
Ua fala luleve qe vendos te shtatorja e lirise
Ku u betova se s’ do ta le me vetem nenen
Perterirja i kthehet kulles
Dhe mbyt harrimin e heshtjen
Rita Saliu/SHBA/
blank

NJERIU I LIRË – Poezi nga AGIM GJAKOVA

Nëse ju mund të thoni se vdiq njeriu i lirë i Kosovës
unë mund ta hap sirtarin e mrekullive
dhe ta nxjerrë historinë e copëtuar
do ta ndjeni pulsin që amshohet në univers
.
nëse unë ngrihem në mëngjes i pafjetur
dhe ngarkoj furtunën me mendimet e mia
dheu diku thellë tronditet nga buzëqeshjet magjike
kënaqësia fërfëllohet dhe tumiret me ngazëllimin
.
Nëse unë u shëmbëllej vrushkujve që prarojnë njerëzimin
kandilat e mirësisë ndizen në kapërthim të horizontit.
rrëmbej kuptimin e rrjedhës së shekujve
këndell të ardhmen ku udhëton fisi im.

blank
blank
blank
blank
blank
blank
blank
blank
blank
blank
blank
blank
Send this to a friend