VOAL

VOAL

NË PËRVJETORET E SHEN NËNË TEREZËS SHQIPTARE Nga Lutfi ALIA

August 6, 2022

Komentet

U nda nga jeta Fatos Kola – Lamtumirë Profe, u nise në udhën pa kthim Nga Bujar Vani

LAMTUMIRË PROFESOR TOSI

Lamtumirë Profe, u nise në udhën pa kthim.

Na le në heshtjen që të le madhështia. Thuhet se njerëzit e mëdhenj nuk ikin, por shndërrohen në dritë që ndriçojnë mendjet dhe zemrat që kanë prekur.
Kush të njohu, s’mundi të mbetej indiferent ball teje.

Me ty, çdo njeri përballej si me një pasqyrë parimore të vetes, gjithkush që të njohu ose të deshi si mik, ose të ndjeu si kundërshtar. Sepse ti kurrë nuk le hapësirë për meskinitet, për zona të mjegullta, për qëndrime të vakëta. Prej natyre, ishe i dashur, trazues i ujërave të ndenjura, forca që lëvizte të fjeturit, prania që sfidonte rehatin e rreme.

Çdo hap i yti ishte zgjedhje krejt e vetëdijshme, i pamëshirshëm ndaj kompromisit. Vdiqe ashtu siç jetove i papërkulur e pa kompromis. I lirë në mendim, i zjarrtë në pasion, i ndershëm në shpirt. Jetove si një bohemian i vërtetë, jo nga moda, por nga parimi. Krijove pa frikë, fole pa kalkulime, veprove me ndërgjegje krejt të kthjellët.

Në këtë botë që shumë preferojnë maskën ndaj së vërtetës, ti zgjodhe të jesh fytyrë, edhe kur ajo lëndonte. Fjalët janë të pafuqishme për të mbajtur peshën e dhimbjes që na ka sjellë ndarja jote nga kjo jetë, por janë ura e parë për të ndarë pikëllimin tonë me njerëzit, mes nesh që të deshëm e na deshe, me miqtë, me studentët, me të gjithë ata që të respektuan dhe që mësuan nga ty se si jetohet pa u përkulur.

Me hidhërim lajmëroj se Fatos Kola skulptori i shquar, pedagogu i përkushtuar, artisti, filozofi, esteti dhe intelektuali i kulluar, u shua pas një beteje të gjatë me jetën.
Vepra jote profesor nuk do të shuhet.

Ajo do mbetet si frymë në ndërgjegjen artistike e kulturore të studentëve, të miqve e të kombit tënd.

Ti Profesor Tosi, ishe shumë më tepër sesa një mjeshtër i madh i formës. Ishe një arkitekt i shkollës shqiptare të skulpturës, një stilist e filozof i së bukurës, që modeloje jo vetëm materien, por edhe shpirtin e atyre që të dëgjonin e të ndiqnin.

Fjala dhe dora jote krijuese ishin dy gjuhë të një shpirti të vetëm, një shpirt që shihte përtej kontureve, përtej trajtës, përtej dhe kohës.

Për ty profesor, skulptura nuk ishte e thjeshtë, ishte formësimi i brendshëm i qenies, ishte zëri i heshtur i mendimit dhe i shpirtit, kur fjala nuk mjaftonte më. Ti e dije aq bukur se kur gjuha e fjalës heshtet, radha i vjen gjuhës së artit të flasë. Dhe ti flisje po aq bukur me të dyja gjuhët, si një skulptor që dinte të formësonte imashin e projektuar mbi materie dhe si një filozof që dinte të formësonte ndërgjegjen.

Unikaliteti yt qëndronte në këtë simbiozë si mes krijuesit dhe mendimtarit.
I papërsëritshëm në qëndrim. I pakompromis në ide.

Në një botë që shpesh e shet veten me kompromise, ti zgjodhe ndryshe me dinjitet, gjithonë ti zgjidhje ndryshe, më shumë sesa fjalën me pazar e kompromis.

Je dhe do të mbetesh i paharruar, si intelekt njerëzor, si shembull, dhe si frymëzim.

Lamtumirë, Profesor i Madh.

Përulje dhe nderim para teje.

U prehsh në amëshim, në paqen që vetëm shpirtrat e mëdhenj e njohin.

Tiranë më 3 qershor 2025

Ndahet nga jeta në moshën 75-vjeçare aktori elbasanas, Eduart Çala (PROFIL)

Elbasani është tronditur nga lajmi i ndarjes nga jeta të një prej figurave të shquara të artit skenik dhe kinematografik shqiptar, aktorit dhe regjisorit të njohur Eduart Çala. Ai u shua në moshën 75-vjeçare duke lënë pas një trashëgimi të pasur artistike dhe kulturore për qytetin e tij të lindjes dhe për gjithë artdashësit shqiptarë.

Eduart Çala lindi më 19 shtator 1950 në Elbasan ku kreu edhe arsimin fillor dhe të mesëm në shkollën “Jeronim De Rada”. Edhe pse nuk e pati mundësinë të studiojë për aktrim në Institutin e Lartë të Arteve, ai ndoqi studimet e larta në Institutin Pedagogjik “Aleksandër Xhuvani” për Gjuhë-Letërsi. Dashuria për teatrin dhe skenën do të shfaqej që në bankat e shkollës së mesme, kur interpretoi në komedinë “Udha e Zavalinëve”, një pjesë që la gjurmë në jetën e tij artistike.

Në vitin 1971, Çala u bë pjesë e trupës profesioniste të Teatrit “Skampa” në Elbasan ku gjatë dekadave të punës së tij interpretoi në mbi 50 shfaqje teatrore. Roli i tij në teatër u karakterizua nga një gamë e gjerë interpretimesh, duke kaluar nga rolet kryesore te ato dytësore dhe episodike, gjithmonë me një përkushtim dhe profesionalizëm të veçantë.Përveç teatrit, Eduart Çala kontribuoi edhe në kinematografinë shqiptare.

Ai u angazhua në role dytësore dhe episodike në disa filma artistikë ku spikati me interpretimet e tij të natyrshme dhe të kujdesshme. Ndër filmat më të njohur ku ai ka marrë pjesë përmenden: “Përtej mureve të gurta” (1979) ku interpretoi rolin e kuestorit italian, “Një natë Nëntori” (1979), “Partizani i vogël Velo” (1980) si komisari, “Pranverë e hidhur” (1985), “Një jetë me shumë” (1986), “Kronikë e atyre viteve” (1986), “Tre veta kapërcejnë malin” (1988), dhe “Ngjyrat e moshës” (1990).Veprimtaria e tij artistike nuk u kufizua vetëm në aktrim. Eduart Çala dha një kontribut të çmuar edhe si regjisor në Teatrin e Kukullave në Elbasan ku vuri në skenë dhjetëra shfaqje për fëmijë duke ndihmuar në edukimin dhe argëtimin e brezave të rinj.

Ai ishte shpeshherë edhe prezantues në koncerte dhe spektakle të ndryshme, festivale të këngës qytetare dhe për fëmijë, si dhe në aktivitete rinore të qytetit dhe më gjerë.Për kontributin e tij të palodhur në artin shqiptar, në vitin 1985 Çala u dekorua me medaljen “Naim Frashëri”. Bashkia e Elbasanit e nderoi me titullin “Mirënjohje e Qytetit”, ndërsa vlerësime të shumta i janë akorduar në Festivalet Kombëtare të Teatrove, të fëmijëve dhe të kukullave.Eduart Çala ishte pjesë e brezit të artë të aktorëve që dolën nga Elbasani, krahas emrave të tillë si Demir Hyskja, Shpëtim Shemili, Astrit Cerma, Spiro Duni, Ermira Bahiti (Gjata), Tefta Haziraj dhe Veronika Papa.

Me ndarjen e tij nga jeta, skena shqiptare humbet një prej figurave më të përkushtuara, një artist të qetë e punëtor, që jetoi me pasionin për artin dhe dashurinë për publikun.

Kujtimi i tij do të mbetet i gjallë në memorien e qytetit të Elbasanit dhe të gjithë atyre që e njohën dhe e duartrokitën në skenë. bw

KUJTOJMË SOT PROF. LUME M. JUKA- Nga EDUARD DILO

Në këtë pervjetor të peste te ndarjes nga jeta kujtojme me respekt dhe dhembje te paharruaren

Shqiptaren e madhe dhe të pavdekeshme Prof. Lume M. Juka. 

Në kujtim po sjell pjese nga Ditari i saj ne takim me SHEN TEREZËN:

NGA DITARI I PROF. LUME M. JUKA PER SHENJTOREN NEN’ TERESA.                                              

Në  këtë ditë  të  trishtuar, të  mësimit për humbjen e Z. Lume M. Juka, e ndjej si dosdoshmeri të sjell pjesë  nga Ditari i saj plot vlerë, dhurate Familjes Dilo-Sheperi. 

Ditari i saj, shkruar thjeshte, çiltër, me një  shkrim te qarte e te bukur, ka shume Hyjni, se shkruan per Hyjneshen me origjine shqiptare, Shen’ Tersen e nderuar dhe respektuar nga mbare njerezimi:                                               

E marte, 2 Qershor 1981            

Jam në dhomen e vogel ku ka me fjete Nana Teresa sonte.  Po Asht e vertete.     S’mund te ju besoj syve te mij.    Zemra me rreh me nji  gezim e mirenjohje te pa pershkrueshme.                    

Duhet te shkruej dicka qe te me mbesin, perndryeshe kam me kujtue se kam kene anderr.       

Ode sa grimca. Nji shtrat hekuri. Nji dyshek i holle, ma fort  jorgan  se dyshek.  Shume ma i ngushte e ma i shkurte se shtrati… mbulue me nji carcaf te vjeter e nji batanie ( jamulli)te lehte.                                  

Ne mur : nji Kryq I bame me dy dega, ose dy krande te thata.      Nji lutje e shkurte n’ anen e dritares ( vue aty sigurisht nga murgeshat).                           Ne paca kohe kam me e kopjue).                                                   

Nji drase me kater kambe:( tavolina e saj ku shkruen kur ka kohe ). Nji moter posa’ vuni siper saj tashti ne nje gastare cfardohi, njo drandafile te keputun ne kopshte.( kan nji kopesht te vogel. Kur mrrina te dieln m’u duk si me u kthye ne Shqipni, asht i rrethuem me mure te nalta e ka dy manda mbushe me kokrra, qe kane me u pjek perseshpejti.  Bare e drandofile. Ne midis statuti i Zojes Bekume. Zogjet qetesisht cicrojne e kendojne).                                                 

Cka ka tjeter? Vare ne mur nji kalendan fale prej ndokujt, e sigurisht e fale gjithashtu nji komon i vjeter me dy syza te shtrembta te cilat patjeter me mezi cilen e hapen…

N’ket ode flene ndoj murgeshe ose aspirante, ose “ come and see”kujt t’i takoje, kur s’asht N. Teresa ne NY.  Simbas nji rregulli qe paskan M.M. cdo muej nderrohen dhomat: here here te takon me fjete ne dormitore ne podrum, here per toke, here n’ode ne vedi.             

Para se te vinte N.Teresa aty kishte fjete Sn.Mirmala : per toke ne dyshek te holle te cilin – diten- e mblidhte ne nje qoshe.                                                          

E pashe, se mue me thane sot me ja goditi shtratin N.T…   U shendova persetepermi: Me i godit shtratin nji Shenjtneshe Shqiptare…. M’u duk si me me dhane Zoti nji mission prane vendit t’em.   Cili mund te jete?    

Iku rektori historik i Universitetit Ismail Qemali, Vlorë prof.dr. Bilal SHKURTAJ- Nga Albert HABAZAJ

 

Është Universiteti “Ismail Qemali” Vlorë që jep i pari lajmin e hidhur të ikjes në amshim të prof.dr. Bilal Shkurtaj, rektori historik i Universitetit Ismail Qemali, Vlorë, pikërisht rektori i dytë dhe më afatgjatë deri më sot,
Universiteti “Ismail Qemali” Vlorë njofton me hidhërim ndarjen nga jeta të Prof. Dr. Bilal Shkurtaj, ish-rektor i universitetit tonë (1998-2008), akademik i nderuar dhe figurë qendrore në historinë e institucionit, një profesor i mrekullueshëm, dashamirës i studentëve, si prindi për fëmijët e tij.
Një mendje e ndritur, një udhëheqës me vizion dhe një mësues që la gjurmë në formimin e mijëra studentëve.
Do të mbetet në kujtesën e kujtdo që e njohu apo dëgjoi për të ai burri i urtë e i mençur, i mirë e mendjehapur, mbështetës i të rinjve, zemërmiri.
“Trashëgimia e tij do të mbetet gjithmonë pjesë e ADN-së së universitetit tonë.”
Prof. Shkurtaj ishte një nga figurat me një kontribut të pakrahasueshëm në zhvillimin, modernizimin dhe konsolidimin e Universitetit të Vlorës në një institucion të rëndësishëm në nivel kombëtar. Gjatë drejtimit të tij, universiteti përjetoi një rritje të jashtëzakonshme të numrit të studentëve dhe të programeve të studimit, duke arritur mbi 14.000 studentë dhe u rendit ndër universitetet më të mëdha të vendit.
I diplomuar në Fakultetin e Shkencave të Natyrës në Universitetin e Tiranës, dega Fizikë, Prof. Dr. Shkurtaj i kushtoi jetën kërkimit shkencor, mësimdhënies dhe përkushtimit ndaj dijes. Ai la gjurmë të thella në formimin e brezave të rinj të profesionistëve dhe mbetet një figurë e respektuar nga kolegët, studentët dhe komuniteti akademik shqiptar.
Gruaja e prof. Bilalit, mësuesja shembullore dhe veprimtarja e dalluar Vojsava Shkurtaj, ashtu siç i ka hije, mes lotësh e dhembjes së dinjitetshme, me pak fjalë shpreh shumë kurajë: Të dashur miq e familjarë,
Me hidhërim të thellë ju njoftojmë bashkëshorti, njeriu i zemrës, bashkudhëtari im i çdo dite Bilal Shkurtaj, u nda nga jeta më 23.04.2025…
Po ashtu, Shoqata Atdhetare Kulturore “Vranishti” dhe fisi Shkurtaj i Vranishtit (bashkia Himarë – Vlorë, vendlindja e Prof. Bilalit) njoftojnë me dhimbje largimin e parakohshëm nga jeta të Prof. Dok. Bilal Arif Shkurtaj në moshën 74 vjeçare.
Shoqata Vranishti dhe vranishtiotët kanë humbur sot një profesor, një drejtues, dhe një vëlla të mirë, tek i cili gjeje kurdoherë fjalën e butë, mendimin e drejtë dhe humorin e hollë.
Prof. Dok Bilali me një jetë të pasur me aktivitete jetësore dhe kulturore lindi në 27.02.1951 në Vranisht të Vlorës, në një familje atdhetare, nga nëna e tij Sofia, bijë nga fshati Tërbaç, dhe nga babai i tij Arif nga fisi Shkurtaj në Vranisht.
ARSIMI:
▪1965-1969, Shkolla e Mesme Vlorë
▪1969-1974, Fakulteti i Shkencave të Natyrës, dega Fizikë 5-vjeçare
▪ Diploma Fizikan, Janar 1982
▪Grada Doktor, dt. 15.04.1997
▪Profesor i Asociuar me vendim të KKSH, Nr. 25 dt. 18.09.1999
▪Profesor me Vendim të KKSH, Nr.99, dt.13.07.2004
PUNËSIMI:
▪1974-1978, Mësues fizike në shkollën e mesme
▪1978-7.04.1998, Specialist në analizat kromatografike e gazkromato-grafike në Institutin e Naftës dhe të Gazit Fier
▪08.04.1998-26.11.2007, Rektor i Universitetit “Ismail Qemali” Vlorë
▪10.01.2008-26.11.2008, Dekan i Fakultetit te Edukimit, Universiteti “Ismail Qemali” Vlorë
▪26. 11. 2008 e në vazhdim Drejtor i Qendrës Kërkimore për studime mjedisore
▪ Pedagog i Fizikës (Mekanike, Termo-gaze, Optikë) ; Fizikë moderne;
▪13.06. 2016, Zv/ Rektor i Universitetit “Ismail Qemali” Vlorë
AKTIVITETE SHOQËRORE:
▪2000-2003, Anëtar i Këshillit Bashkiak Vlorë
▪2003-2007, Kryetar i Këshillit Bashkiak Vlorë
▪2002 e në vazhdim, kryetar i SHKA Vranishti Vlorë
▪2009, Kryetar i shoqatës Labëria, dega Vlorë
▪2012, Kryetar i Këshillit të FPU (Federata e Paqes Universale), dega Vlorë
VLERËSIME:
▪Nderi i Komunës Brataj
▪Personalitet i Shquar i Labërisë
▪Mirënjohje e qytetit të Vlorës
▪Mirënjohje e shoqatës së miqesise Shqipëri – Kinë
▪Mirënjohje e SHKA Vranishti
▪Nder I Universitetit “Ismail Qemali” Vlorë
Prof. Dr. Bilali është gjithashtu autor dhe bashkautor i shumë teksteve mësimore universitare, i shumë artikujve të gazetave e revistave dhe shumë kërkimeve shkencore, tema diplomash etj.
JETA:
Prof. Dr. Bilali u martua me bashkëshorten e tij fisnike, zonjën e nderuar Vojsava Shkurtaj, me të cilën lindën dhe rritën dy fëmijë të mrekullueshëm.
Jeta ka të papritura dhe për çiftin do të sillte një dhimbje të madhe, humbjen e jetës së bijës së tyre Teuta në vitin 1999. Dhimbja ishte madhe, por ilaçi për zemrat e tyre ishte djali, Ditioni, i cili i rritur mes edukatës së prindërve, do të gjendej pranë tyre në çdo moment bashkë me bashkëshorten e tij fisnike Eluerta dhe dy fëmijët e tyre Ditea dhe Darli.
Prof. Dr. Bilali ishte vëllai i pesë motrave, Teftës, Inajetes, Leonorës, Tatjanës dhe Lelës, dhe i dy vëllezërve Nuro dhe Fatosh.
Shoqata Atdhetare-Kulturore Vranishti shpreh ngushëllime të sinqerta për largimin nga jeta të ish – Drejtuesit të SHAK Vranishti Prof. Dr.Bilal Shkurtaj për gati një dekadë, bashkëshortes Vojsava, djalit Dition, motrave dhe vëllezërve, nipave dhe mbesave, gjithë kolegëve, miqve, shokëve dhe fisit Shkurtaj.
Universiteti i Vlorës shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes së tij, miqve, kolegëve dhe të gjithë atyre që patën fatin ta njohin nga afër.
Pushoftë në paqe!
NË KUJTIM DHE RESPEKT TË PROF. BILAL SHKURTAJ SOT, DITË E ENJTE, ORA 10:00-12:00 ZHVILLOHEN HOMAZHE NË HOLLIN E REKTORATIT GODINA E UNIVERSITETIT “ISMAIL QEMALI” VLORË
SKELË
Përcjellja për në banesën e fundit do të kryhet në Orën 12:00 në varrezat e Vlorës ku prehen edhe eshtrat e vajzës së vetme Teuta.

Ç’ dhimbje e rëndë, jo vetëm për Vojsavën, për djalin e vetëm Ditjonin, për dy mbesat, vajzat e Nonit, që gjysh Bilali i donte aq shumë! Humbje e madhe për familjen e tij shembullore. Por jo vetëm për të, por për gjithë miqësinë e shoqërinë e mirë siç qe vetë, duke filluar me Vranishtin dhe Labërinë, po aq dhe botën akademike.
Mua më iku një mik, një shok, një vëlla i madh!
Më tronditi ky lajm i hidhur.
Bëftë dritë!
Dritë, dritë, dritë, o prof.dr. Bilal Shkurtaj , se për dritë jetove e punove, vëzhgove e veprove!
Kurajë Sava, Vojsava Shkurtaj, o shqiponjë e suferinave!
Kurajë Nonit, djalit të urtë e të ditur të prof. Bilalit dhe dy mbesave, (Ditea dhe Darli) që aq shumë i donte prof. Bilali!
E priste kaq vite Teuta…Sa shumë duroi Durimtari dhe po i shkon pranë të jetë përjetësisht bashkë Babë e bijë…
Ngushëllime Savës, Nonit, Vranishtit, Labërisë, Vlorës, botës akademike, miqve të shumtë dhe të mirë si Ai.
Shoqata Atdhetare Kulturore Vranishti, Shoqata Atdhetare – Kulturore “Labëria”, Universiteti Ismail Qemali Vlorë, kanë pasur fatin e madh që ta kishin në krye këtë misionar mirësie e diturie. Për herë të fundit, më 15 nëntor 2024 e takova me mall në sallën “Ali Asllani” të Rektoratit me rastin e festimeve të 30 vjetorit të Universitetit “Ismail Qemali” Vlorë …

 

LOT PRILLI PËR MARGARITËN- Nga Albert HABAZAJ

 

Ti, që më 2 prill na erdhe
Ti, që më 3 prill na ike,
Më trishtove, keq ma zverdhe
Një këngë të bukur lirike.

Të thura këngë me refren
Tok me Shqiponjat e këngës
Se vjersha për Ramizenë
Të preku telat e zemrës.

Dhe si divë, zëdrithëruese
E këndove shpirtlënduar,
Në përmasa rrezatuese
Ramizenë yllzbukuruar.

Po sa herë ne biseduam
Ti me at’ zë si mjaltë i mallit,
S’mund ta fshij dot, jo, nuk dua
Numrin tënd të celularit…

Prilli i bukurisë tënde
Si Zonjë e Madhe, ikonë
Si Margaritar në mendje
Më vjen, po aq vesë e njomë…

Ti dje festove datëlindjen
“Nderi i kombit”, po thjesht fare,
Sot më shkasin lotët, s’binden
Për ty, Pishë e Bardhë krenare.

Lot me lule prilli janë
Që më dhembin, sa një plagë,
Rolet vijnë, më ulen pranë
I kam për shpirtin mëllagë.

Ti, që loze Ofelinë
Shpirtëmira engjëllore,
Je një tufë me trëndelinë
Qesh si rreze diellore…

28 Mars dita e lindjes e Artistes së Popullit Zoica Haxho Asdurian – E kujton i biri Emil Asdurian

Sot është ditëlindja jote.

Të gjej, siç të kërkoj padashje, gjithandej, shpesh me ndrojtje, me zë të flas dhe endem me ty si në park, në heshtje.

Pres të më thuash çfarë mendon, për ç’ndanim çdo ditë, një pjatë të thjeshtë a lulet që sillje kur ecje në fushë, për njē libër a varg, për një melodi që gati ishe në gjest ta kërceje.

Aty, mbi divan që sapo më shihje tek dera, ngriheshe edhe pse e pamundur, të më jepje një puthje, tek më ndiqje e përmalluar me sy, sikur ta dije.

Tek hyrja e dhomës gjithmonë gjysëm e hapur e drita e zbehtë para se të flije, tek ajo lëkundje ajri që valëzohej kudo si jehonë, tek ajo që mbushte çdo zbrazësi me qenien tënde!

Të ndjej që je brenda meje, shpesh deri në dhimbje, sa veten shkund të mos humbas në humbje.

E përsëri tërësisht më mungon, ngrohtësia e përqafimit tënd, dhe shkëndija e gëzimit tek shikimin yt … si mund i mjeri njeri të mësohet pa të. Hirushja ime, thëngjill zemre!

Zoica Haxho Asdurian, 28 Mars 1933 – 28 Nentor 2024

Burrë i devotshëm e Atdhedashës!- Nga ARIF EJUPI

Himn kushtuar Dr. Ibrahim Rugovës, lider shpirtëror i shqiptarëve të Kosovës.

 

Ishe mendjendritur e i durueshëm sikur idhulli Yt, Pjetër Bogdani.
I hajthëm, por ambicioz e zemërçelik.
Largpamës e kujdesshëm në çdo hap.
Në kohë stuhish e dallgësh vatrën ndezur e mbajte.
Me gjakftohtësi e me besim të plotë në vetvete e ruajte unitetin në popull.
Me urtësi e maturi ia çjerre maskën xhelatit.
Dy krahët e Atdheut të pushtuar nga korbat serbo-sllavë, e të vrarë nga vetvetja në një sofër i bashkove.
Qiellin e mbuluar nga tymi e të skuqur nga flakët e qetësove.
Tokës ia ktheve ajrin e freskët dhe rrezet e ngrohta të diellit.
Maleve të djegura mugullimin, e fushave të shkrumbuara gjelbërimin.
Me durim e mjeshtëri ua dogje turinj dhe putra pushtuesve shoven,
bijë të Grashaninve, Pashiqve, Çubrilloviqve, Andriqve dhe Qosiqve.
Pas dekadash-shekuj Kosovën, e ktheve nga Lindja në Perëndim.
Heroizmin askujt s’ia mohove. Miq e Aleatë deri në vdekje i nderove.
Ishe dhe do të mbetesh model burri fisnik dhe udhëheqësi shembullor !
Duke qenë i tillë u bëre Kaptinë e veçantë e historisë sonë të lavdishme!

ARIF EJUPI

STOIK DHE I PALUHATSHËM DERI NË VDEKJE!- Nga ARIF EJUPI

Ode kushtuar z.Xheladin Rekaliu, me rastin e 26-vjetorit të kalimit në amshim.

Deri në frymën e fundit luftove për Atdhe, liri, barazi e dritë.
Me shpatën mbi qafë sypatrembur mbrojte Gjuhën amtare dhe Flamurin me Shqiponjën në fluturim.
Lis hyre në Goli-otokun e inkuizicionit mesjetar dhe lis dole.
Edhe pse ishe vetëm 20 vjeç, s’të frikësuan rafalët e kallashëve e as dhëmbët e kallkanëve çatall.
Nuk të thyen burgosjet, linçimet e as izolimet.
Përherë qëndrove stoik, i paluhatshëm, bujar e fisnik.
Me durim e zell i ushqeve ëndrrat tona për Liri e Bashkim Kombëtar.
Me guxim të pashoq i mbrojte rrënjët, trungun dhe degët e pemës Pellazgo-Ilire.
Flamurin e Arbrit të përgjakur në Nish, të përgjysmuar në Vlorë, të ndaluar në Shkup e Preshevë, të ciflosur e të ulur në gjak në Tivar, së bashku me shokë fuqishëm e valëvitët në Prizren, Ferizaj, Tetovë, Gjilan, Besianë dhe Ulpianë!
Saherë valon Flamuri e fluturojnë Shqiponjat jo vetëm Llapi, por të gjithë shqiptarët kanë me të kujtuar si ushtar shembull në mbrojtje të Kështjellës Krutane!

ARIF EJUPI

Vangjush Tushi- Piktor i Popullit, lindi si sot 110 vite më parë- Nga Aleksandrino Ikonomidhi Sulioti

Prozhektori qendror bie në skenë. Errësira përreth. Errësira dhe heshtja. Vetëm pak “pluhur” i ndrojtur guxon të lëkundet në reflektimin imponues të prozhektorit. Në thellësi të kuintave të grisura dëgjohen zëra të shpërndarë që humbasin gradualisht me kalimin e kohës. Në qendër një kavalet i thyer, disa ngjyra të thara mbi një paletë të prishur dhe një penel. Buz kavaletit “lëviz” me përtim një leckë e zezë plot ngjyra që ka mbetur peng në erën e historisë. Portreti gjysmë i përfunduar i një njeriu në një kanavacë të vjetër, mezi dallohet në dritën e historisë. Fytyra i mungon. Dukuri e zakonshme për të “Mëdhenjtë” e këtij vendi.

Dëgjohen hapa. Herë të ngadalta e herë të shpejta, që kërcasin mbi drurin e vjetër të skenës. Pakëz heshtje! Serish gjurmët dhe ritmi i ngadaltë i një rubineti që pikon me harmoni. Nga ana tjetër, tek karriget bosh të një teatri të braktisur qëndron portreti i një njeriu të vuajtur me një republikë. Nuk bën asgjë. Shikon në skenë ndërsa duart i dridhen. A mund ta dalloni atë? Ai është Piktori i Popullit Vangjush Tushi.

Tushi, pa dashur (dhe pa e kërkuar) u lidh fort me Historinë. Jo vetëm me Artin që la pas apo me kontributin e tij në shoqëri, sesa me aspektet personale të vetë jetës së tij. Ai padashje integroi historinë e tij personale në “trupin” e historisë Kombëtare të Shqipërisë. U bë pjesë e legjendës sonë kombëtare duke venë një themel të patjetërsueshëm për historitë e dhimshme të popullit tonë. Personalisht dyshoj nëse ka një histori të ngjashme në ndonjë vend të botës.

Ndoshta pranaj për herë të parë në jetën time u ndjeva krejt ndryshe për dikë që nuk e kam takuar kurrë. Që në momentin e parë që hyra në shtëpinë e tij më funksionoi një ndjenjë e çuditshme. Një misticizëm do të thosha, si ata që ndiejmë në manastire apo vende kulti. Më mbyti një ngarkesë e çuditshme emocionale, me shumë ndjesi që nuk mund t’i përshkruaj me fjalë. Një ngarkesë emocionale që tek unë kombinohet gjithmonë me trishtimin madhështor që kanë imazhet në tempuj dhe statujat në muze.

Një histori u shpalos para meje nga një burrë i panjohur. Një përrallë e çuditshme ose një rrëfim që kam dëgjuar nga vetë ai por me zërin tim. Një përrallë plot emocione, imazhe, udhëtime, ngjyra dhe erëra. Shumë erëra. Si mund të mos tërhiqesh të studiosh jetën dhe gjendjen e një njeriu të tillë, që shpaloset madhërish që nga Korça e rilindjes artistike, në Athinën e periudhës mes dy luftrave, në Romën e Luftës së Dytë Botërore, kthehet në Korçën e kolapsit artistik dhe përfundon në burgun famëkeq të Ballshit. Më thoni ju çfarë drejtësie, çfarë ndjeshmërie dhe çfarë ligjesh njerëzore mund të gjykonin praninë e tij.

Mes qëndrimit tim tek “kulti i Tushit” mbase në mënyrë “indiskrete” lexova letrat e tij nga burgu.

“ Etleva,bija ime e dashur!Gjithmone me shkruan ti Etleva fjale afeksioni duke shprehur ndjenjat e nje bije te dashur ndaj babait.Edhe per mua ti je e dashur dhe dhembshur sidomos per vemendjen time shendetsore te veçante.Ashtu si mami,ti dhe Gjergji jeni krijesat qe merrni pjese si ne gezimet ashtu dhe ne vuajtjet e mia duke qene vite me radhe larg jush. Juve jeni qeniet me te dashura per mua.”

Letra ku shpalosen elementet e thella themelore të personalitetit të këtij njeriu të torturuar. Aty ku shënohet dinjiteti, ndershmëria morale e shpirtërore, qëndrueshmëria, vullneti i fortë dhe trajtimi i guximshëm i jetës së tij martire.

Letra të thjeshta, të cilat nuk janë vetëm një dëshmi e vogël nga ferri i Ballshit, por qëndrojnë si monumente të shpirtit të popullit tonë dhe si kode të një sjelljeje të re njerëzore plot me shtrirje intelektuale, mendje të mprehtë kritike dhe humanizëm, një humanizëm të thellë të lindur dhe të plotësuar me kultivimin shpirtëror e mendor si një ofertë. Fillimisht për familjen e tij, pastaj për popullin dhe në fund për historinë. Pasi këto janë ato ofertat që rinovojnë historinë njerëzore.

Ai lindi si sot 110 vjet më parë.

Vangjush Tushi- Piktor i Populli

 

 

 

 

 

RA DHE LISI I KATËRT I NJË FISI ATDHETAR- fjala e përcjelljes së Kanan Karefil Canodemoj- Nga Albert Habazaj

 

Vranisht: 15.05.1952 – Tiranë: 16.12.2024 -Vranisht: 17.12.2024

 

Të nderuar pjesëmarrës në këtë ceremoni mortore kaq të ligsht!

Ra dhe lisi i katërt i babë Karafil Mingos dhe nënë Selime Hysenes…
Dje, të hënën e 16 dhjetorit 2024 në spitalin e Tiranës, në moshën 72-vjeçare, ra, për të mos u harruar kurrë, i paepuri i Vranishtit e na lëndoi zemrat, se mbylli sytë trimi që qëndroi burrërisht ndaj sëmundjes së papritur, trimi që luftoi si hero ndaj padrejtësive. Ra e la pas Feron – këtë amazonë aq të përkushtuar ndaj tij. Ra e la dy motrat: Mexhite Canodemaj Ribaj dhe Dudë Canodemaj Ramadani, shumë të lënduara në gjak në shpirt e në kockë për vëllain e vogël me merak të madh… La pas nipër e mbesa, stërnipër e stërmbesa, miq e shokë, dashamirës të shumtë, që sot po e përcjellim me pikëllim, lot e keqardhje. Kishin kaq kohë që e prisnin vëllezërit, pranë prindërve…
Kanan Karefil Canodemoj ka lindur më 15 maj 1952, në periferi të Vranishtit, në Gryka. Dy prindërit e tij, Karefil Mingo Canodemoj dhe nëna Selime Hysen Hibraj (Canodemoj), ishin njerëz të thjeshtë, të rritur bonjakë, por shumë patriotë, të drejtë, të ndershëm, humanë dhe të dashur, të cilët lindën, edukuan dhe rritën 8 fëmijë shumë të mirë: Alushin, Sulejmanin, Mersinin, Selimin e pafat; e pesta ishte vajza e madhe Mexhitja, fëmija i gjashtë Enveri tragjik; fëmija tjetër, e shtata ishte vajzë – mësuese Duda dhe Kanani, që përcjellim sot për në banesën e fundit qe fëmija i tetë e i fundit. Unë nuk do të bëj biografinë e Kananit, se ju e njihni mirë e unë kam shkruar për të sa e sa herë, pasi më ka pasur redaktorin e tij besnik në të 5 librat e botuar, por do të ndalem në nja dy cilësi, vlera e virtyte të tij, ku spikati jo vetë si ushtarak i talentuar në specialitetin e vështirë të Zbulimit, por, së pari, si njeri me cilësi të larta shoqërore. Si oficer karriere, ai i ngjiti shkallët hierarkike vetëm me ndershmëri profesionale e zotësi, deri në funksionin e Shefit të Zbulimit të Divizionit në Peqin apo si Zëvendës Komisar i Brigadës së Ishullit të Sazanit.
Në vitin 1976 fejohet me Feride Sabri Skëndomemoj dhe një vit më vonë, në vitin 1977 martohen dhe formojnë familjen e tyre të pastër, të bukur, fisnike…
Akademisti Kanan Canodemaj, në vitin 1997 emigron me familjen në Athinë – Greqi, ku punoi me djersën e ballit dhe u kthye me familjen në Atdhe në vitin 2012, mbas 15 vjetësh emigracion. Në vitin 2017 doli në pension dhe, sa rrojti, qe një zotni burrë, i mprehtë, i vërtetë, parimor, polemist, por po aq dashamirës.
Veprimtarinë e tij krijuese e ka filluar herët me vjersha, që në shkollë në fshat, të cilat i përmblodhi në vëllimin poetik “Gurrë Nostalgjie”, me 60 vjersha, që e botoi në vitin 2012, me rastin e 60 vjetorit të lindjes. Emigracioni në dhè të huaj, por veçanërisht humbja para kohe e vëllait të tij Mersinit, ja ngacmuan prirjet e tij krijuese dhe atje filloi të shkruaj, si në poezi dhe në prozë. Krijimtaria e tij e parë është libri monografik kushtuar vëllait të tij Mersinit me titull “Meteori Vranishtit” në vitin 2009, libri dytë është botimi në vitin 2012 të Historikut të fisit të tij me titull “Canodemojt (Mingajt), jeta dhe historia e tyre në shekuj”, i treti libri me vjersha, që cituam; librin e katërt e botoi në vitin 2021, me titull “Skëndomemojt në rrënjët e Vranishtit”, ndërsa monografinë që i dha emër në rrethet intelektuale dhe të studiuesve “Vranishti dhe Hora, bashkë që nga lashtësia”, që është dhe libri i tij i pestë, e botoi në vitin 2022.
Por vepra e tij e veçantë, ndërkohë unikale deri më sot, në njohjen time, është Piktura murale apo Hartopiktura po me të njëjtin titull: “Vranishti dhe Hora, bashkë që nga lashtësia”, vendosur në faqe të murit të shtëpisë së studiuesit ushtarak Kanan Canodemaj në Ujë të Ftohtë, Vlorë. Ajo vjen si një superpikturë në 16 m² dhe është prodhim i dobishëm i një pune sa të lavdërueshme, aq të mundimshme shumë vjeçare e këtij autori të përkushtuar që, sa qe, s’njohu lodhje për të shpalosur të vërtetat e historisë së ndodhur e të jetuar të të parëve në ato troje të lashta, që rrënjët i kanë të thella në legjendat jashtëzakonisht madhështore. Nga shtëpia e tij, atë hartopikturë me shpirtin bujar që e karakterizonte e përjetësoi në faqen e murit në qendër të fshatit Vranisht, si një dhuratë të çmuar për brezat e sotëm dhe ata që do të ngrihen në Vranisht, po aq edhe në funksion të turizmit kulturor dhe historik të atyre trevave magjike me bukurinë që u ka falur natyra dhe traditat më të mira të banorëve që trashëgohen si stafetë nga brezi në brez.
Për Kananin mund të flas shumë e prapë s’i them dot të gjitha, por pa u futur në hollësira, po rikthehem pak tek libri i parë “Gurrë nostalgjie” me 60 vjershërime, ku vërtet vargjet e shpirtit ngjyhen me dashurinë për vendlindjen dhe njerëzit e saj. Janë prekëse sidomos 16 faqet në fund të librit, që vijnë në trajtën e një vjershe të gjatë apo poeme me titull “Rrëfim për njerëzit e drejtë” (refleksione në 60 vjetorin e lindjes), thurur me duf, zemëratë e shqetësim qytetar në Tiranë, në spital të martën e 31 janarit 2012, të cilat ndryshe ishin formatuar për t’u reflektuar nga autori, por ngjarja e befasishme që i ndodhi me shëndetin në ato momente e detyruan t’i transformonte me atë përmbajtje realiste e tronditëse se ishin të vërteta, të sinqerta, pa komplekse e drithëruese, ndërkaq, aty gjejmë jetëshkrimin e tij të deriatëhershëm, pa emocione, por me njohjen racionale të një njeriu të rrahur me vaj e me uthull për gjysmë shekulli e një dekadë ngarkuar. Më shumë se vargje ato janë thirrje për jetën, alarm human për të tërhequr vëmendjen qytetare ndaj atyre zanatçinjve që na shohin si shqerrat kur u biem në dorë për probleme shëndetësore. Pësimi im të bëhet mësim e përvojë për ju – ky është mesazhi që del nga leximi i këtij materiali tronditës. Këto fjalë në vargje janë skaner për mjekët e sotëm, konkretisht për ata doktorë që janë shndërruar në exhelë, në shtriga e shtriganë. Apel për njerëzit më shumë  se sa një material artistik është ky poemth social i kohës së sotme.
Kanan Canodemaj, që do të ngelet në kujtesën e fshatit, të miqësisë dhe shoqërisë së gjerë, si një nga djemtë e mirë dhe intelektualë të Vranishtit, një atdhetar i devotshëm që bëri shumë për vendlindjen, jo për t’u dukur, por sepse e ndiente së brendshmi, por na iku para kohe si një meteor dhe na lëndoi. Kjo ikje fatale qe kaq e papritur dhe e pamerituar, shumë e trishtueshme, që na hidhëron të gjithëve.
Fero, Mexho, teze Duda, nipër e mbesa!
Forcë e kurajë!
I dritëroftë kujtimi korrektit Kano!
Në kujtim të dajo Kananit, ju kërkoj të mbajmë një minutë heshtje!
I pa harruar!

Vranisht, e martë, 17 dhjetor 2024

Fisniku i fjalës se mençur (Mikut Sejdi Berisha)- Nga NEKI LULAJ

Nuk do vijë me si me parë
Buzë Lumbardhit të Blini plak
Ku dikur llafosnum e gjebronim kafet
Si miku me mikun në konak
Lumbardhi rrjedhë e rrjedhë pikëllueshëm
E mbi te po bie shi pa pra
Bashkë nuk do jemi me si me parë
Rrjdhë o lum  gurgullo me valët e tua pa pra.
Te erdhëm pa paralajërim për vizitë në shtëpi
Me mall e lotë me prite ke porta
Çuditërisht me the O sa me keni munguar
E kam ditur qe sot keni për t`me vizituar o mik o dost.
Me pyete mes lotëve për miqët e shumt te artit
E boca e Oksigjenit punonte pa pushim
Me premtove se shpejtë do te  sherohesh e forcohësh
Te Blini i poetve do rrufatim i sërish kafen e ngrohët.
Por çuditërisht ti na mashtrove
Na ike si gjethi i vjeshtës  mes ndërskemcave te kohës
Urtaku i rrallë e latuesi i vargut
S`pajtohëmi qe  na ike ne ameshim pa lamtumirën tonë..
Sigurisht kur mesnata bënte hapat e saj
Ti luftoje me dhembjët e mushkrive dhe pagjumësin
Hëna memece e varur si strajcë e pikëlluar
Jeta mbi ty shkruante testamentin e poezinë.
Tiktakët e orës se murit ecnin me ritmin e zemrës
Akrepat e lodhur përpiqeshin te shënonin ditën e re
Mbi qepapallat e lodhura dhe mushkrit e shkatrruara
Nga kolla po ikën ne këtë shekull Migjeni i ri.
Në këtë dhjetor  po digjën meteoret
Ti rri i heshtur si një perendi
Sejdi Berisha ne jemi të strukur ne Liqenin e lotëve
E kemi të pa mundurën qe të flasim me ty.

Jeta kulturore në Gjakovë: Akademi kushtuar Anjezë Gonxhe Bojaxhiu- SHËN NËNË TEREZA- Nga TAHIR BEZHANI

 

NJË PËRKUJTIM DINJITOZ I NËNË TEREZËS ME RASTIN E 45 VJETORIT TË NDARJËS SË ÇMIMIT NOBEL PËR PAQE.

 

Sot, me 10.12,.2024 në sallën “Teki Dervishi” në bibliotekën e qytetit në Gjakovë, Shoqata e Intelektualëve “Jakova” në Gjakovë, drejtuar nga Prof. dr. Ruzhdi Sefa e në bashkëpunim me Rrjetin Intelektual Shqiptarë, organizoi Akademi përkushtuese me rastin e 45 vjetorit të ndarjes së Çmimit Nobel për Paqe, Shën Nënë Tereza . Një pjesë të biografisë, veprës së Nënë Terezës, të pranishmit e përcjellën përmes monitorit në sallë. Moderimin e kësaj Akademie e udhëhoqi me zgjuarsi z. Albiona Bytyqi nga Gjakova.

Z. Zef Prenka gjatë kumtesës së tij

Në këtë akademi i pari që mori fjalën ishte z. Zef Prenka, i cili në fjalim e tij të thukët, pos tjerash ceki se “ jemi mbledhur këtu për të përkujtuar dhe nderuar një prej figurave më të ndritura të historisë së kombit shqiptar dhe të botës- Shën Nënë Terezën, ose Nëna e botës së mjerimit, fituese e Çmimit Nobel për Paqe, pikërisht me 10.Dhjetor, të vitit 1979” Mëtej z. Zef Prenka në fjalimin e tij shtoi se Nëna Terezë është një mundësi për të reflektuar mbi vlerat e paqes, dashurisë dhe solidaritetit, të cilat janë thelbësore për formimin e bashkëjetesës dhe identitetit kombëtar”.

Z. Dr. Edita Tahiri, veprimtare e njohur nga vitet 90-ta, gjatë kumtesës se saj

Pas zotëri Zef Prenka, fjalën e mori zonja Edita Tahiri, e cila në kumtesën e saj shpalosi vlerat fondamentale në këndvështrimin kombëtarë-humanitarë-diplomatik të Nënë Terezës. Ajo në kumtesën e saj, u ndal në disa momente kyçe të takimeve me të madhen Nëna Terezë, në Romë e Prishtinë, duke veçuar madhështinë e saj dhe mos harresën për popullin e saj, atë kujtesë që bartë thellë historinë e stërvuajtjeve të gjata të popullit nga i cili doli Nënë Tereza. Shenjtëresha jonë, Nëna Terezë, kombit shqiptar ia la lavdinë e përjetshme në tërë rruzullin tokësorë. Ndër të tjera z. Edita Tahiri, me nostalgji ceki momentin kur Nëna Terezë, në njërin nga takimet, ia kishte dhuruar një zingjir ari, në shenjë kujtimi e respekti, të cilin ua tregoi të pranishmëve në sallë. Ishte një nga momentet nostalgjike dhe i ndjeshëm për auditorin e pranishëm.

Dr. Dom Lush Gjergji, me rastin e kumtesës në Gjakovë.

Folësi më i dashur dhe shumë i pëlqyer ishte studiuesi biografik e bibliografik i fikurës së Shenjtëreshës Nëna Terezë, z. Dom Lush Gjergji, autor i mbi njëzet veprave shkruar vetëm për këtë figurë markante të kombit tonë. Ai foli gjatë për Nënë Terezën, duke shkoqitur pjesë të ndryshme të biografisë se saj, me fjalë të zgjedhura, emocionale, fjalë shpirti e zemre. Fjala e dom Lush Gjergjit u prit nga audienca me kureshtje të veçantë nga se masa e njeh prej moti, jo vetëm si një studiues të Nënë Terezës, por si një veprimtarë i devotshëm, i pandalshëm që nga vitet 90 ta, i cili së bashku me plejadën e asaj kohe, kurrë nuk pushoi për të mirën e vendit, kombit. Mes tjerash, z. Dom Lush Gjergji, në fjalimin e tij karakteristik, ceki se njeriu punën e mëdha e fillon nga të voglat, kur ato nisen nga shpirti dhe pastërtia shpirtërore. Veprën jetësore të Nënës Terezë duhet ta kemi si pikësynim të jetës për të afruar vlera njerëzore në vepër, për njerëzimin kudo në botë. Këtë na mëson humanizmi i papërshkruar i Shenjtores sonë, Nënë Tereza.

Pamje e auditorit gjakovar, interesim i jashtëzakonshëm

Në mbarim të fjalës së z. Dom Lush Gjergji, auditori e priti me duartrokitje të gjatë, në shenjë falënderimi për fjalët plot mirësi, edukatë, si udhërrëfim i karakterit dhe humanizmit gjithë shqiptarë.

Autori i tekstit me Dr. Dom Lush Gjergjin, pas akademisë.
Në fjalën mbyllëse të kësaj Akademie përkushtuese në 45 vjetorin e ndarjes së Çmimit Nobel për Paqe Nën Terezës, prof.. dr. Ruzhdi Sefa, drejtuesi i Shoqatës së Intelektualëve “Jakova” në Gjakovë, falënderoj nga zemra të gjithë pjesëmarrësit në sallën përplot, folësit në Akademinë solemne ,z .Zef Prenka, Edita Tahiri dhe z. Dom Lush Gjergji .

Gjakovë,10.dhjetor,2024 Tahir Bezhani


Send this to a friend