VOAL

VOAL

Në Paris më 31 Mars – Koncert humanitar për Ukrainën me sopranon e mrekullueshme Marie Saadi & pianisten e mirënjohur Maniola Camuset-Trebicka

March 29, 2022
blank

Komentet

blank

Studiuesi i mirënjohur Shaban Murati boton librin e ri “Aleanca e duhur Shqipëri-Kroaci”

Doli nga shtypi libri i ri i ambasadorit dhe studjuesit të marrëdhënieve ndërkombëtare Shaban Murati “Aleanca e duhur Shqipëri-Kroaci”, botuar nga shtëpia botuese “Albas” me sponsorizimin e Fondacionit të mirënjohur Çamëria “Hasan Tahsini”.
Është libri i parë dhe i vetëm nga një autor në Shqipëria për marrëdhëniet aktuale të Kroacisë me Shqipërinë dhe për politikën e jashtëme të Kroacisë në Ballkan nga pavarësia e saj deri më sot.
Libri përmban analizat profesionale diplomatike të ambasadorit Shaban Murati në harkun kohor të 20 viteve, dedikuar ekskluzivisht politikës ballkanike të Kroacisë dhe efekteve të kësaj politike në planin e marrëdhënieve të atij shteti me shtetet e tjera të rajonit dhe me krejt Ballkanin.
– Publicitet –
Analizat përqendrohen në zhvillimet më domethënëse dhe më siptomatike të diplomacisë dhe të politikës së jashtëme kroate dhe rolin e tyre pozitiv në zgjidhjen e tensioneve dhe të konflikteve rajonale dhe në stabilitetin real dhe afatgjatë të rajonit.
Një bosht kryesor e përbëjnë analizat e marrëdhënieve të Shqipërisë me Kroacinë, të cilat autori i vlerëson në një plan të gjërë diplomatik, historik, gjeopolitik dhe strategjik për rolin e ri dhe peshën e re, që duhet të marrin marrëdhëniet strategjike të Shqipërisë me Kroacin.
Autori rrëfen se qysh në postet e rëndësishme, që ka patur në sistemin e shërbimit të jashtëm të Shqipërisë ka këshilluar dhe ka këmbëngulur në një impostim më realist dhe më efikas të politikës ballkanike të Shqipërisë në një aleancë strategjike me shtetin kroat, me të cilin na lidh anëtarësia e përbashkët në NATO, deti i përbashkët Adriatik dhe një miqësi historike, për të cilën ka shkruar aq shumë albanologu i madh kroat Milan Shuflaj.
Interesi diplomatik dhe gjeopolitik i autorit për vendosjen në plan të parë nga diplomacia jonë në Ballkan të aleancës së duhur strategjike Shqipëri-Kroaci bëhet dukshëm më i qartë në krahasimin me zgjedhjen e gabuar të qeverive dhe të diplomacisë së Shqipërisë, të cilat për motive të paqarta e vendosën aksin e politikës së tyre ballkanike te aleancat e ngushta me Serbinë.
Kjo zgjedhje e gabuar historike u provua një fiasko e plotë për diplomacinë shqiptare, një rrugë humbëse gjeopolitike me dëme të pallogaritëshme për interesat e Kosovës dhe të çeshtjes shqiptare në Ballkan. Libri e shtrin optikën e tij në marrëdhëniet e Kroacisë me shtetet e tjera ballkanike dhe në rradhe të parë me Serbinë si shteti më problematik historik për të gjithë shtetet e rajonit.
Duke zbërthyer aspekte dhe dinamikën e raporteve të tensionuara dhe të konflikteve midis Kroacisë dhe Serbisë në periudhën e pasluftrave të përgjakëshme të Serbisë në ish-Jugosllavi, autori zgjeron kuadrin e analizës së tij gjeopolitike për të kuptuar më mirë lexuesi nevojën e një kthese të madhe në orientimin ballkanik të diplomacisë së Shqipërisë dhe përforcon bindjen pse Shqipëria duhet të ndërtojë marrëdhënie strategjike me Kroacinë dhe jo me Serbinë.
Në analizat e tij për politikën e jashtëme të Kroacisë në Ballkan autori është përqendruar në ato probleme të mprehta, përplasje dhe ngjarje, të cilat kanë një domethënie diplomatike dhe gjeopolitike jo vetëm për marrëdhëniet midis Kroacisë dhe Serbisë, apo të Kroacisë me Slloveninë, Bosnjë-Hercegovinën, Hungarinë, etj, të cilat kanë një efekt direkt ose indirekt në interesat e Shqipërisë, të Kosovës dhe të kombit shqiptar.
Por ato shërbejnë si një udhërrëfyes për zgjidhjet dhe zgjedhjet e Shqipërisë dhe të Kosovës në politikën e tyre rajonale. Sidomos Kosova shpjegon edhe arsyet përse autori mbështet qendrimet dhe politikën e jashtëme kroate kundrejt Serbisë dhe Ballkanit Perëndimor.
Autori i përmbahet qendrimit se kriza jugosllave ende nuk ka mbaruar, sepse ka lënë pa zgjidhur plot konflikte dhe tensione të trashëguara prej saj, të cilat rrjedhin nga politika recidiviste shoviniste e Serbisë ndaj të gjithë popujve dhe shteteve të Ballkanit, ashtu dhe nga politikat e gabuara dhe indulgjente të diplomacisë europiane ndaj Serbisë.
Në këtë linjë analitike autori shpreh mbështetjen për luftën e drejtë të popullit kroat për çlirimin e territorit të vendit nga agresioni dhe pushtimi serb në gushtin e vitit 1995, të drejtën e Kroacisë për reparacione lufte nga Serbia agresore, për qendrimin e Kroacisë ndaj dënimit të kriminelëve serbë të luftës, etj. tema këto për të cilata analogjia të çon te interesat e Kosovës për të njejtat probleme të trashëguara nga agresioni i Serbisë kundër saj.
Me interes është edhe trajtimi i çeshtjeve të kufijve midis shteteve, që dolën nga ish-Jugosllavia, dhe qendrimit të Kroacise në mosmarrëveshjet kufitare me Serbinë apo me Slloveninë del mësimi për Kosovën për rivendikimet kufitare të Serbisë për marrjen e territorit verior të Kosovës në emër të intrigës së “shkëmbimit të territoreve”.
Libri “Aleanca e duhur Shqipëri-Kroaci” sjell tematikë dhe problematikë të re diplomatike dhe gjeopolitike, si kontribut i ri në korpusin e veprave të autorit për mendimin e ri diplomatik shqiptar.
Në këtë kuadër libri ngjall dhe duhet të ngjallë në rrethet e interesuara diplomatike, zyrtare dhe akademike, një debat për një rivlerësim të orientimeve strategjike në Ballkanin Perndimor, që duhet të ndërmarrin qeveritë dhe diplomacia e Shqipërisë.Nacional

blank

Nata e Dymbëdhjetë në Teatrin A.Z. Çajupi Nga Aleksandrino Ikonomidhi Sulioti

Thuhet se në botën e teatrit klasik është i njohur fakti që tragjeditë e Shekspirit janë elementet që i hedhin më shumë dritë komedive të tij. Dhe këtu dikush do të pyesë veten se si mund të ndodhë kjo?

Kjo ndodh pasi komedia për autorin nuk ka qënë një “rrugë e shkelur” dhe e “sigurt”!siç ishte psh. për Aristofanin në antikitet ose për Molierin në Rilindjen franceze (koha e lindjes së periudhës së klasicizmit). Prandaj nëse i referohemi bibliografisë ndërkombëtare kuptojmë menjëherë që “komedia Shekspiriane” është më tepër një dramë satirike me simetri të kundërta, sesa një komedi e mirëfilltë. “Nata e Dymbëdhjetë” është padyshim një vepër e tillë.

Këtu ndoshta duhet thënë se qëllimi i autorit, sigurisht që ishte argëtimi i publikut. Madje vepra është shkruar me rastin e natyrës festive që krijohet në fundvit, gjatë natës së dymëdhjetë pas Krishtlindjeve, ku Shekspiri i dha veprës një strukturë pothuajse “farsike”, duke përfshirë shpesh muzikë dhe vallëzim klasik.E çuditshmja është se pavarësisht shkëlqimit dhe humorit të veprës, në sfond fshihet një ton hidhërimi që do e gjejmë haptas tek të gjitha pothuajse personazhet që veprojnë.

Historia fillon me një anijembytje, ku dy binjakë me një prejardhje fisnike, Viola dhe Sebastiani, ndahen, duke menduar të vdekur njëri-tjetrin. E vetme dhe e pafuqishme, Viola vendos të vishet si djalë dhe, me emrin Cesario, prezantohet me Dukën Orsino, i cili e punëson si shërbëtorin e tij, duke i besuar t’i dërgojë letrat e tij të dashurisë së dashurës së tij Olivia. Olivia, megjithatë, kundërshton me forcë ndjenjat e tij, duke pretenduar se vajton vdekjen e babait dhe vëllait të saj. Ndonëse e dashuruar fshehurazi me Orsinon, Viola i përgjigjet me përkushtim detyrës ndërsa Olivia papritur dashurohet me shikim të parë me ‘Cezarion’. Në të njëjtën kohë, Olivia shndërrohet në një mollë sherri mes naivit Sir Andre dhe Malvolios, i cili, i joshur nga megalomania e tij, bije viktimë e një komploti të sajuar nga shërbëtorja e djallëzuar Maria.

Gjithmonë brenda linjës të lehtë dhe sarkastike të humorit anglosakson, Shekspiri prek mjeshtërisht edhe tema taboo për kohën, si dashuria, zia dhe pushteti.

Zgjedhja regjisoriale dhe përpunimi dramaturgjik nga regjisori grek Dimitris Milonas është e qartë, pasi që në pesë minutat e para ai e trajton shfaqjen si një “komedi të pastër” që provokon puplikun të qeshe. Në total dhe për rreth dy orë, mund të them me siguri se në skenën e teatrit historik A.Z. Çajupi shfaqja ka një nivel interpretimi pa dyshim të lartë. Regjisori na ka hijeshuar në një shfaqje me stil të veçante që tregon se si vijen në skenë komeditë e Shekspirit jashtë, përmes muzikalitetit dhe nodalitetit gazmor.

Lëvizja dhe koreografia, e trupës së aktorëve ishte e drejtpërdrejtë dhe groteske, në përputhje absolute me këndvështrimin regjisorial të shfaqjes. Aktorët, me lëvizje delikate, kryesisht për nga aftësitë e tyre interpretative, duket se e realizuan misionin e tyre të vështirë.

Më konkretisht, Guri Koco me artikulimin e tij shumë të mirë, gjendjen e shkëlqyer fizike dhe talentin e tejmbushur shpalos në skenë me një natyrshmëri të admirueshme rolin e Malvolio.

Guri përvijon me tepër bindje dhe pa ekzagjerime, botën emocionale të një shërbëtori megaloman që dashurohet me Olivian, duke e zhytur spektatorin me interpretimin e tij në një det emocionesh tragjike.

Si katalizator i shfaqjes qendron Zamira Kita në rolin e Marias. Aktorja e mirënjohur duke kontrolluar plotësisht mjetet e saj shprehëse dhe temperamentin e bollshëm, pikturon portretin e Marias me përkushtim dhe respekt të admirueshëm, duke i dhënë jetë për dy ore të mira një karakteri shumë kompleks.

Sigurisht mbresëlënëse ishte Luiza Xhuvani në një rol veçanërisht kërkues. Sidomos nëse merret parasysh se roli është pa gjini dhe lëviz mes një të çmenduri dhe një kllouni. Me ekspresivitet të admirueshëm dhe mjeshtëri të papërshkrueshme, ajo iu përgjigj plotësisht rolit herë nga korridorët e Teatrit mes publikut dhe herë nga skena, duke na dhënë një figurë që do të na ndjekë për një kohë të gjatë.

Gent Hazizi me një autenticitet karakteristik tregoi edhe një herë se di më së miri ti “qepë”rolet që interpreton në karakterin e tij duke u thelluar në figurën e Ser Tobit. Duke marrë përsipër një nga rolet më “rebele” arrin ta kthejë atë në një “personazh negativ” të mrekullueshëm. Hazizi e kalon personazhin nëpër shumë filtra humori dhe imagjinate, për ta ndarë me ne në versionin e tij më perfekt.

Xhuliano Brisku na dhuroi një Dukë intensiv dhe të plotë me sjellje të bukura borgjeze, finesë dhe fisnikëri që ia doli më së miri edhe në skenat dramatike, duke gjetur ekuilibrin dhe brendësinë e nevojshme për të shprehur dashurinë.

Kristian Koroveshi krijon një Ser Andrew të pëlqyeshëm, naiv dhe me natyrë të mirë, do thosha një fëmijë të madh të djallëzuar që ende dëshiron të të luajë. Por ajo që është më e rëndësishme në qasjen e tij është se ai nuk tallet me rolin për efekt komik. Përkundrazi, ai e përqafon atë dhe e “dëgjon” me vëmendje, duke i dhënë hapësirë ​​të bollshme për të marrë frymë para nesh.

Bie në sy edhe erotizmi i performancës së Desara Xhangollit, e cila të mbush me dashurinë e fshehur për Dukën, ndërsa gjatë shfaqjes Viola e saj përbën një subjekt transformimi të vazhdueshëm siç diktohet nga natyra e saj e hutuar dhe e dashuruar.

Këtu vlen të përmendet edhe interpretimi i shkëlqyer i Paola Kodrës, Silvio Goskovës, Juxhin Plovishtit dhe Franc Bregut, që shpesh herë ishin disa role. Këta aktorë luajnë një sërë rolesh dhe e bëjnë atë në një mënyrë sa të zgjuar dhe tërheqëse. “Ndryshimet” e frymëzuara të kostumeve, përbëjnë një pikë emociononuese për shikuesin. Sidomos nëse kombinohet me shpejtësinë, shkathtësinë, muzikalitetin dhe instrumentet muzikore.

Personalisht këtë shfaqje e rekomandoj me gjithë zemër. Sidomos unë, që kam qenë i rreptë me shumë produksione që kishin të bënin me fenomenin Shekspir. Është një vepër pikë referimi, sepse përmes mjeteve të teatralitetit, që përdoren Teatri arrin të krijojë forma të reja shikueshmërie dhe të provokojë mendimin klasik.

blank blankblank

 

blank

Nënë Tereza: shenjtorja dhe kombi i saj – recension nga Bonita Aleaz*

Përktheu Arben Çokaj

Nënë Tereza: shenjtorja dhe kombi i saj, nga Gëzim Alpion, Oxford, Bloomsbury Academic, 2022, 296 f., 16$ (ppk), ISBN: 9789389165067

Trembëdhjetë vjet pas botimit të librit të tij të parë mbi Shenjtoren e Kalkutës, Nënë Tereza: Shenjtore apo e famshme? Gëzim Alpion sheh nevojën e këtij botimi të dytë madhor me të njëjtën temë, Nënë Tereza – Shenjtorja dhe Kombi i saj. Çfarë bëhet kaq bindëse për të rrëmbyer një sociolog gjithë jetën e tij, për t’i kushtuar pothuajse të gjithë karrierën e tij akademike përpjekjes për të bashkuar aspektet e ndryshme në jetën e shenjtores? Siç shpaloset pjesë-pjesë, kapitull pas kapitulli, përmes transformimit të vërtetë të autorit nga sociolog në etnograf, në historian, në pothuajse një kërkues, është dukshëm shumë më tepër sesa shtytja e deritanishme, një ‘thirrje shpirtërore’ që çoi në dhënien e një zakoni nga Agnes Gonxhe Bojaxhiu (para se të bëhej Nënë Tereza). Zbulimi i përpiktë i këtij mjedisi të dendur përbën temën e hulumtimit.

blank

Janë 15 kapituj në librin në shqyrtim, të ndarë në tre pjesë. Autori shkon shumë në pjesën e parë të etiketuar shumë me vend “Cilët janë shqiptarët e Nënë Terezës?”, për të nxjerrë për herë të parë në plan të parë etnobiografinë e kombit të vogël shqiptar. Të vendosur në rajonin shumë të paqëndrueshëm të Ballkanit, politikat shumë të trazuara ekspansioniste të fuqive dominuese në rajon gjatë kohës ndikuan në stabilitetin politik, zhvillimin apo edhe shfaqjen homogjene të komuniteteve të ndryshme që banonin në Shqipëri. Shtypja ushqehej nga shovinizmi fetar, me qëllim të dukshëm për të copëtuar shqiptarët, pasi pretendohej se ata ishin një popullsi e pastër islame, në kontrast me krishterimin dominues në vendet ballkanike.

Si kundërvënie, pothuajse si në kundërshtim me historinë e saj të shtypur, e kaluara shumë e shquar e Shqipërisë gjurmohet me shumë mundim. Pakkush mund të dijë se Iliria e lashtë dhe Shqipëria moderne kanë rrënjë të përbashkëta. E besueshmre, si Aleksandri i Madh, madje edhe Napoleani Bonaparte kishin rrënjë ilire. Megjithatë Shqipëria pësoi valë agonie; Dominimi i gjatë osman la gjurmë të thella në identitetin e tij shpirtëror.

Megjithatë, edhe një herë ka prova të mjaftueshme dokumentare, madje edhe në Dhiatën e Re, për të treguar se rajoni ilir ishte ekspozuar ndaj apostujve gjatë kohës së rënies së parë të krishterimit në Evropë. Atributet kozmopolite të Ilirisë nuk paraqisnin ndonjë religjiozitet të strukturuar në hapësirën publike, por lejuan që të gjitha fetë të lulëzojnë njëkohësisht.

Megjithatë, siç tregon historia e regjistruar, pikërisht ky aspekt, përparimi i lirë i krishterimit ishte shkelur qëllimisht dhe u kërkua të errësohej nga Roma parakristiane.
Përpjekjet e Alpion për të shkuar në këto hapa, për të vendosur disa fakte historike të rajonit, janë fare qartë për të treguar mjedisin para-ekzistues të krishterë që ndikoi Agnesën në rritje. Ai dëshiron fuqimisht të vërtetojë se ai nuk ka qenë kurrë një rajon antikristian, siç ishte propaganduar nga Roma, perandoria osmane dhe më vonë, serbët dhe evropianët e tjerë. Ishte një komb kozmopolit i persekutuar ku, midis krahëve të ndryshëm të krishterimit, katolikët ishin më të persekutuarit.

Se si feja dhe politika u kombinuan për të hapur rrugën për një përzierje unike të nacionalizmit shqiptar, shtjellohet në Pjesën e Dytë. Ajo gjurmon vitet e Nënë Terezës në shtëpinë e saj në Shkup dhe marrëdhëniet e saj me familjen e saj. Kjo pjesë është me të vërtetë një histori e vërtetë e marrëdhënieve atërore dhe amënore të Nënë Terezës, sukseset, dështimet, martesat, lindjet dhe vdekjet e tyre. Gërshetimi i ndërlikuar i historisë politike të rajonit me përparimin e familjes së gjerë është paraqitur me shkathtësi. Babai i Nënës marrëdhëniet ishin me ndikim politik; babai i saj së bashku me lidhjet e tjera ishte nacionalist i vendosur.

Megjithatë, a e transformuan këto ndikime Nënë Terezën në një politikane të aftë, që mund të menaxhonte në mënyrë efektive si Vatikanin ashtu edhe marrëdhëniet e saj me Shqipërinë? Në mënyrë fare delikate, pyetja futet në pjesën e tretë, Marrëdhënia e Nënë Terezës me Selinë e Shenjtë dhe Kombin Shqiptar. Ky seksion është i dendur me fakte dhe ngjarje historike. Unë do të grumbulloja tre pikat e mëposhtme që dalin nga katër kapitujt në këtë seksion.

Së pari, Nënë Tereza ndoshta e ka nxjerrë mendjemprehtësinë dhe pragmatizmin e saj nga vetë kombi i saj; ai vend i mbushur me këto karakteristika nuk lejoi kurrë të shfaqej një fetishizëm mbi identitetet e tij fetare. Pra, edhe për Nënë Terezën, feja ishte sistemi i saj personal i besimit, jo një atribut publik për t’u përhapur.

Së dyti, Europa është e paplotë pa identitet ilir; pra nuk është vetëm Roma apo Athina, që duhet vlerësuar si shtyllat e përparimit evropian që në lashtësi, por edhe identiteti ilir.

Së treti, Nënë Tereza nuk pranoi kurrë ndonjë rol publik nga ana e saj si ndërmjetëse midis Vatikanit dhe qeverisë së Shqipërisë. Prandaj, roli i saj i saktë në rënien e komunizmit në atë komb mbetet mjaft i paqartë. Përkundrazi, ajo shihej si një ashensor i mundshëm i mundimeve të kombit të varfër.

Nuk mund të mos arrish në përfundimin, se ky është gjithashtu një libër që përpiqet të bashkojë shkopinjtë që hynë nën rrota, duke e çuar përpara udhëtimin e shenjtores, por është gjithashtu një nxjerrje e përpiktë e historisë së kombit të saj.

Gjatë leximit të librit, me siguri do të lindë pyetja, a është kjo një vepër me në qendër Nënë Terezën apo ka në qendër Shqipërinë? Nacionalizmi i kujt shkëlqen me forcë më të madhe? A nuk është aq shumë Nënë Tereza, e cila shfaqet si një nacionaliste e vendosur apo vetë autori? Vrapimi i veprës është një përpjekje e guximshme për të rifituar për Shqipërinë prejardhjen e saj të lashtë dhe kështu të zhbëjë një pjesë të madhe të propagandës së rreme, që nxiti mizori mbi kombin e vogël e të rrethuar.

Vepra ka një linjë historie magjepsëse, të mobiluar me fakte të grumbulluara përmes kërkimeve të mundimshme. Megjithatë, nuk është një punë e lehtë për t’u rishikuar, kryesisht për shkak të densitetit dhe kompleksitetit të materialit me të cilin merret.

Privati dhe publiku gërshetohen në momente të panumërta, jo vetëm në jetën e kombit, por edhe në atë të shenjtores. Është kjo ndërfaqe enigmatike që shoqëroi krijimin e Shenjtores, që Alpion mbase donte ta zbërthente nëpër sferat e historisë, përkatësisë etnike, gjeopolitikës dhe sociologjisë së fesë. Një lexim vërtetë i mirë.

*Bonita Aleaz
Departamenti i Shkencave Politike, Universiteti i Kalkutës, Kalkuta, Bengali Perëndimor, Indi

blank

ESE ME RRËNJË E MUSHT NGA VRESHTAT E DIONISIT- Nga THANI NAQO


Comments
Grigor Jovani
“Nuk ka aq rëndësi forma por përmbajtja”?! Thaaaani! Po flet si kritik i realizmit socialist(!!!) Koha është të na kujtosh tani rolin udhëheqës të Partisë, etj etj. Forma është ARTI, Thani. E ka thënë qyshkur edhe Lasgushi, ai që modenizoi në formë poezinë shqipe të bejtexhinjve. Forma, Thani, FORMA! Se shkruan ti vetë në strofa katërshe të rimuara, nuk është kusht…
Reply
19h
Thani Naqo
Hej, Gole, hiq dorë nga paniku i pohimeve që s’kanë të bëjnë me ato që “fërshëllen” realizmi socialist apo dhe ndonjë sinjal i vakët lasgushian…Forma, për të cilën ti thua “është Art,” është edhe Art, por është e tillë në Artet Pamore, si piktura, skulptura, etj. por jo Forma Letrare e Poetike, e as ka të bëjë me formën e Renditjes të fjalëve, në daç si dardhë Devolli, apo Piramidë Egjypti…Nga i gjen këto pandehma sfilitëse o Gole? Pse nuk jep alarmin që sot bejtushkat dhe traktet Patriotike po lulëzojnë më shumë se në Epokën e Rilindhjes, dhe na duket sikur ende jetojmë në atë kohë, ndërsa koha bën përpara me shpejtësinë e dritës e jo të zërit…Nuk e shikon që ende shqiptarët e ngjyejnë kafshoren estetike në valltot e kënetave dhe jo në liqer e Lagushit apo në Liqene Ujëkulluar…Fryhen tullumbace festive Poetike, i thurren Kurrora Tymnajash Suksesi “ju pamë nga penxherka kur hanit bukë me piperka?” Jasu, file, jasu, mos e mer me tërsëllëmë dhe mos i hap velat kur nuk psherëtin era…Zhurma që po bën kësaj here do ta zgjojë nga gjumi Vreshtarin Dionis dhe ai do të t’i shkulë veshët ty e mua që të mbetemi çulakë e shurdhë për tërë jetën…Poezia jote është e çliruar nga Kthetrat e Turmës Gole, prandaj mos e sfilit veten… Megjithatë, të rikujtoj se Poezia nuk është në Menynë e Turmës. Ajo lloj poezie që i thurri tyrybambe Turmës dhe Propagandës Komuniste tani ka vdekur, edhe për nostalgjikët e atij sistemi. Poezia është Uni dhe jo Ne!

blank

Visar Zhiti: SHEN NËNË TEREZA – Libër nga Dr. Lutfi Alia –

E shfletova dhe sot. 17 gushti është zanafillë mrekullie në jetën e saj, 75 vjet më parë veshi sarin e bardhë si pastërtia e shpirtit, anëve vijat blu në ngjyrën e petkave të Zonjês së Bekuar. Si e mbuluar me Qiell nisi një jetë tё re, u bë Nënë Tereza, që do të shpallej shenjtore…
Libri “Shen Nënë Tereza”, i botuar këtë vit, me autor Dr. Lutfi Alia, tregon me çiltërsi dhe pasion jetën dhe bëmat e misionares së madhe, përkushtuar njerëzimit, më të varfërve të botës dhe sipas saj varfërinë e kemi shkaktuar ne, njerëzit, dhe jo Zoti.
Kapitull pas kapitulli në libër na shpaloset si në një film përunjtësia e madhërishme e Nënë Terezës, besimi në Krisht, detyra që në emër të Tij t‘u shërbente të tjerëve, atyre që kishin më shumë nevojë, më të varfërve të të varfërve, ku?- larg në Indi, të shëronte plagë, ato ishin pasuria e saj, plagët si xhevahirë.
Ashtu si Dom Lush Gjergji, biografi më i mirë i Nënë Terezës në Kosovë, që ka treguar dhe ikjet e saj nëpër botë për të hapur shtëpitë e saj të mëshirës, takimet me personalitetet e larta të shteteve, etj, apo studiuesi i shquar Prof. Gëzim Alpion, me vepra madhore në gjuhën angleze, edhe Dr. Lutfi Alia do të shtonte për ardhjet e Nënë Terezës në Shqipëri dëshmi vetanake, ndër të parët që e ka takuar dhe ka shkruar, mbresëlënëse të gjitha, edhe fotografitë e shumta që mbushin librin dhe pikturat si me prarime ngazëllyese, ja, me Papa Gjon Pali II, po edhe Papa Françesku që e shpalli shenjtore, etj, etj.
Befas dhe fotografia ime me Nënë Terezën, ai pak rrëfim dhe mbresë, lutja/ poezi e saj dhe poezia/ lutje imja, që më dhanë një emocion të patreguar.
Në libër gjithashtu ceken dhe çështje të thella, që marrin përgjigje të larta.
Dr. Lutfi Alia tashmë është i sprovuar në hulumtime e studime të vyera e qëmtime historike me interes kombëtar.
Por sot duhej hapur libri “Shen Nënë Tereza”, është 17 gusht, data kur ajo vuri sarin mbi krye, që do të shndërrohej në aureolë drite.
Visar Zhiti
blank
blank

NJË FOTO SA NJË JETË…- Nga LULZIM LOGU

⦁ Për librin “ Shtegtime të ndrydhura jete- të autorit Tahir Bezhani, botoi “ Blini BK” Gjakovë, Korrik 2023-

Gjithmonë kam menduar…
Gjithmonë kam menduar se nuk është nevoja të shpjegohemi kur marrim mundimin të shkruajmë jetëshkrimin tonë, pavarësisht përmasave të udhëtimit tonë jetësor dhe raportit delikat mes ambicieve tona dhe arritjeve apo dështimeve në jetë. Në fund të fundit, një jetëshkrim, sado i vonuar të jetë, në mos pastë lexuesin e pretenduar, gjithmonë shërben së paku si kujtim, si një sirtar ëndrrash, dëshirash dhe mesazhesh të sinqerta të një kohe, që kur të hapet qoftë dhe rastësisht një ditë trondit, mallëngjen, shkujdes memorien apo raporte të caktuara njerëzore në familje dhe shoqëri.
Dilema e të shkruarit apo jo e jetëshkrimit të tij ka sprovuar jo pak nga ana shpirtërore krijuesin e njohur Tahir Bezhani, fakti që ai në faqet e para përpiqet me një sinqeritet të prekshëm të argumentojë se përse u përfshi në të shkruarit e librit rreth jetës së tij, familjes, veprave dhe fatit të tij në jetë, për një çast tingëllon naïve dhe e tepërt, por më pas, kur ai përmbledh dhe shpalos historinë e tij, dhe përmes saj edhe të brezit dhe bashkëkohësve të tij me modesti, qartësi, dokumente dhe sjell mesazhe të forta mbështetur në realitetin , me të cilin ndjehet aq i përditësuar, duke u përpjekur që sadopak të jetë një guidë e nevojshme për të kuptuar të verteta njerëzore dhe historike njëherësh, e kupton sesa me vend është edhe parathënia personale e librit të tij.

blank

Që kapërcejnë stadin e personales, të lavdisë së pamerituar dhe e meritave që nuk i përkasin, defekte që shpesh bëjnë të dështojnë shumë biografi dhe dështime edhe të njerëzve shumë të famshëm. Përkundrazi, jetëshkrimi i tij i shkruar si një dialog i besueshëm, konçiz dhe mbështetur në fakte dhe argumente të mirëqëna dhe të pakundërshtueshme dhe duke u paraqitur siç është ai realisht, me dobësitë, të pamundurat, por edhe çastet më krenare të një jete me mundim, por të ndershme, mbetet një shembull unik sesi duhet shkruar një jetëshkrim objektiv.
Duke kerkuar karakterin dhe identitetin e atdheut dhe familjes, të shkrirë në një, përgjatë gjithë betejave të deritanishme, ndërsa ka krijuar emër të respektuar si njeri, prind, bashkëshort, krijues, por edhe si pjesë e shndrrimit të shoqërisë dhe pjesë organike e fatit historik të vendlindjes dhe të zhvillimeve mbarëkombëtare.

Nëna…
Nëna e tij, Raza, bija e Zogaje të Bytyçit është fillim dhe fund lajtmotivi që themelon dhe mban në këmbë biografinë e tij, një shtyllë ku është mbajtur gjithmonë që nga fëminia ngadhnjimi dhe qëllimi i tij jetësor, ajo fija e padukshme që depërton në krejt momentet skajore të ekzistencës, kuptimi madhor i përpjekjeve të mbijetesës, por edhe shtytja kryesore e rrëfimit të tij të detyruar në një moment thelbësor të jetës.

blank

Fotoja e saj e vetme, fotoja e një vajze të sapomartuar në pjesën tjetër të kombit, të ndarë befasisht dhe poshtërsisht në shkulmet e histories është bash fasada e krejt rrëfimit në vetë të parë të Bezhanit, duke e nisur rrefimin nga nëna e tij dhe drama e saj e ndarjes nga vendlindja dhe njerëzit e saj të zemrës si dhe duke ndertuar me pak fjalë, por me shumë mall, çiltërsi dhe penelata fine fatin historik të një familje shqiptare, duke personifikuar kësissoj fatin ngadhnjyes të krejt kombit në tërësi:
“ E kishin shtrirë në një qerre me kuaj të mbuluar në batanie, nuk më lejuan ti bie fytyrës, nuk më lejuan ta shoh nanën time të vdekur, kur dëgjoja vajtimin e grave pranë saj më bëhej se mishi më ndahej nga eshtrat, sikur dikush mi grryente trutë…”
Prej atij çasti e në vazhdim çdo çast jetësor i autorit ka emrin e saj, ngjyrën dhe zërin, në formën e amanetit dhe mësimit për jetën, edhe ky jetëshkrim njëfarsoj është premtimi i mbajtur i tij dhe i trungut të vet familjar për ta ruajtur nderin e fisit, ballin e nderit të kullës së vjetër të Bezhanajve të përzier përjetësisht me emrin dhe nderin e fisit të njohur të Bytyçit, me derën e njohur të Hajdarmatajve.
Nuk kam parë asnjëherë një rast të tillë, kur një njeri dhe krijues me emër ta vendosë aq bukur dhe aq pranueshëm, si gur themeli i ekzistencës dhe krijimtarisë së tij gati dyzetvjeçare historinë e nënës së tij dhe ta shndrrojë në një simbol të bukur dhe gjithëpërfshirës të veprave tëtij, porse dhe të veprimtarisë së përditshme si inicues i veprimtarive kulturore për të thyer barrierat dhe kufirin si koncept tashmë i papranueshëm për marrëdhëniet dhe zhvillimin tone si komb, në rrugën drejt integrimit evropian.
Tahir Bezhani me hapjen e kufirit u kthye në atdheun e nënës, tek njerëzit që e pritën si birin e tyre, si atherë kur kaloi tinëz kufirin, si tash që falë kontributit të tij ka fituar natyrshmërinë e të qënit qytetar i merituar dhe i nderit të Tropojës, por edhe shumë më gjerë. Në poezitë e tij fryma e ngrohtë e mirënjohjes ndaj nënës, atdhedashuria dhe ndjenja e përkushtimit për fatin dhe të ardhmen e bashkimit kombëtar ngjyer në tone të ngrohta dhe figuracion befasues dhe aq original, i kanë dhënë mundësinë të rrëfejë këndshëm dhe ta ngërthejë lexuesin e tij faqe pas faqes në ndodhitë dhe kulmet e jetës së tij shkrirë me fatet e atdheut:
“ Përmes këtij dorëshkrimi, i hershëm apo i vonuar, bëra përpjekje maksimale të zbraz borxhin tim që e mbaja mbi gjysmëshekulli mbi supe, do të kasha mbetur gjithmonë borxh në jetë pot ë mos e kasha shkruar…Këto rrëfime le të jenë një dritë sado e vogël e rrugëtimeve nëpër kohë, me dritë, por edhe me terrinë…”

blank
Shtegtime , trishtime dhe gëzime…
Modestia ishte dhe mbetet normë e padiskutueshme e autorit në jetë, vlerë që gjatë gjithë kohës, në sekuencat dhe retrospektivën e saj përcillet nga prindët tek fëmijët, rrita e tyre, edukata, karakteri dhe identiteti njerëzor dhe kombëtar janë investimet kryesore të Bezhanit , të cilat kanë dhënë frytet e tyre , ai pohon se nuk mundi të krijojë pasuri, por edukatë për besë dhe qendresë si shqiptarë po.
Bezhani shtegton me fëmijët, nipërit dhe mbesat viseve të pashkelura të atdheut, shtegton kah viset e kujtimeve të idhta dhe të ëmbla, krah shokëve të vjetër dhe të rinj, e pamundura e trishton, mungesat i përcjell me lot dhe gëzimet gjithashtu, politika e nervozon dhe ndjehet konfuz kur mendon se sadopak çaste të humbura në përçartjet e saj cënojnë fatet e bashkimit dhe integrimit me botën e qytetëruar, kur ka ngërç dhe vargjet poetike vonojnë muzës së tij ndjehet i thyeshëm, por gjithësesi është njeri krenar dhe i zakonshëm, poaq sa unik dhe i papërsëritshëm, një segment i ndritshëm i Gjakovës, por edhe i malësisë së saj në veçanti.
Jetëshkrimi është i tij, sikurse dhe i Gjakovës dhe i malësisë, por edhe i Kosovës në hekurudhën e saj historike kah ngadhnjimi mbi vdekjen e synuar qindravjeçare nga armiqtë dhe në paqen e garantuar nga miqtë e saj të mëdhenj.
E tillë në fakt është historia e saj, shtegtim, trishtime dhe gëzime dhe kush më mire sesa një shkrimtar i inkuadruar në fatin e saj mundet të përshkruajë sit ë tillë…

Tropojë, 14 gusht 2023

blank

Balada befasuese në festivalin e Gjirokastrës 2023- Nga Naxhi Kasoruho

Historinë e baladës së “Kostandinit dhe Doruntinës” e kam mësuar që kur isha nxënës në shkollën 7- vjeçare “Naim Frashëri” në Gjirokastër mbi 70 vjet më parë kur zonjusha e leximit nga tregonte për këtë ngjarje befasuese, të veçantë dhe të paperceptuar nga ne fëmijët e asaj kohe.

Nuk e kuptonim se çfarë ishte besa dhe fjala e dhënë që i kishte thënë nënës Kostandini se: “Edhe i vdekur do të ngrihej nga varri dhe do t’ia sillte Doruntinën motrën e tij kurdo që do ta kërkonte ajo.  Dhe ja besa e dhënë bëhet realitet.

Kostandini 3 vjet i vdekur ngrihet nga varri shkon tek shtëpia e motrës e merr atë e hipën në kalë dhe 3 male kaptuar i vdekuri me të gjallë dhe e sjell Doruntinën tek nëna e plakur që e priste ta shikonte të bijën.

Tani që po shkruaj këto rreshta nuk e përfytyroj dot se si e kuptonim ne fëmijët e shkollës këtë histori surrealiste. Kjo baladë përgjithësisht është kënduar në trevat e pjesës veriore të vendit por bën pjesë edhe në pjesën jugore madje është histori me shtrirje ndërballkanike me nuancat dhe identitetin e çdo vendi.

U zgjata në këtë rrëfim për të treguar se me këtë emocion dhe këtë përfytyrim e ndoqa këngën e vajzave të Zagories paraqitur në Festivalin e Gjirokastrës. Ishte një interpretim magjepës në motivin muzikor e strukturën tonalo – modale në timbrikën, harmoninë dhe intonacionin prefekt e komunikimin befasues të 3 korifejve që i përcillnin variantet melodike jo të ndara në tre marrëse por si një unifikim profesional të një kori “Acapela”.

Ky realizim befasues në skenën e festivalit e ka zanafillën në mesin e muajit maj kur ky grup polifonik u mblodh në Tiranë nën kujdesin dhe mbështetjen e bisnesmenit të njohur zagorit fisnik Andon Pango për të përgatitur këngën që këta këngëtarë do të përfaqësonin trevën e Zagories në skenën madhështore të kalasë historike të qytetit të gurtë.

Isha ftuar edhe unë për ta dëgjuar këtë grup polifonik dhe si studiues i trashëgimisë dhe dashamirës i grupeve të trevës së Zagories të ndihmoja me mendimet e mia modestisht në realizimin sa më mirë të këngës së tyre.

blank

Ndonëse ishte hera e parë që e dëgjoja këtë variant muzikor dhe interpretimi ishte në fazën fillestare e ndjeva se ishte një këngë interesamte dhe siç e kishin menduar këta këngëtarë dukej se do të paraqiste interes në skenën e festivalit. Përpara se të analizoj në detaje motivin dhe strukturën e kësaj kënge po citoj fjalët që e përbënin atë:

Kostandin të ardhtë gjëma

Martove Dhoqinën larg

Larg e larg mërguar- o

Tre male patuar- o.

Besa jote gur i rëndë

Ditë e natë të pres në këmbë

Tre vjet pa dëgjuar-o

Shpirt i përvëluar-o

Bir o bir ku je.

U ça toka u drodh mali

Kostandini u ngrit nga varri

Nëpër natë porsi era

I gjëndet motrës tek dera.

Refreni: 

Trok e trok kali nën hënë

Mbi shalë mban fjalën e dhënë

Një i gjallë e një i vdekur

Amaneti i pa tretur.

Me kë erdhe moj Dhoqinë

Ç’thua ardhçë me Kostandinë

Kostandini më ka vdekur

Ç’bën ai tre vjet pa tretur.

Sa çel drita ndaj të gdhirë

Ngrijnë të dyja nën e bijë

Një në prag e një në derë

Plasën si qelqi me verë.

Vargjet e kësaj balade të përshtatur nga Androkli Nika i kthen në këngë këngëtarja e talentuar e këngës zagorite Drita Ballo e cila nga pasqyron historinë tradicionale në një këndvështrim interesant dhe emocionues duke i dhënë intionacion dhe individualitet trevës së Zagorisë.

Drita Ballo është edhe krijuesja e motivit muzikor të kësaj balade e cila përzgjodhi nga variantet e këngëve zagorite nektarin e kësaj tradite që pastaj i organizoi si një muzikante profesioniste këtë këngë që përbëhet nga tre pjesë siç janë pjesët e muzikës klasike që me tërësinë e saj ky krijim është i përkryer.

Në strukturën e ndërtimit të këngës ndihet përbërja e tre motiveve të ndara nga njëra- tjetra e të kënduara nga tre marrëse të këngës që përfaqësonin nënën e Kostandinit dhe dy marrëset e tjera, rrëfimtaret e kësaj historie të veçantë dhe vlerë në folkloristikën tonë kombëtare.

Përshkrimi letrar është tashmë i njohur dhe i shprehur dhe analizuar nga mjeshtra e studiues të trashëgimisë tonë kombëtare por ajo që dua të evidentoj se kjo baladë në interpretimin e grupit polifonik të trevës së Zagorisë ishte befasues, i bukur në zërat brilantë të tre këngëtareve që emocionuan gjithë publikun në sheshin e kalasë së festivalit që u duartrokit me shumë dashuri.

Nëse e krahasojmë ndërtimin e kësaj kënga me ato të kënduara më parë nga grupet polifonike të Zagorisë por edhe më gjërë në gjithë trevat e polifonisë së jugut kjo baladë ishte e paekspozuar më parë të kënduar nga tre marrëse dhe të treja gra.

Duke u nisur nga teksti kënga fillon me fjalët: “Kostandin të ardhtë gjëma,/ Martove Dhoqinën larg”, që i këndon marrësja Anila Pina e cila përfaqëson nënën e Kostandinit në një monofoni monostrofike deri elegjiak me zë të dridhur që mbaron me fjalët: “Bir o bir ku je”, që duket si një piskamë që nëna i dërgon djalit të vdekur që t’i sjellë vajzën e martuar shumë larg në një mbretëri tjetër dhe të mbajë fjalën e dhënë- Besën.

Kjo paraqitje e këtij motivi nga këngëtarja Anila Pina ishte emocionues, i dhimbshëm dhe prekës. Marrësja e dytë Drita Ballo si krijuese e tekstit dhe motivet muzikore të kësaj kënge si këngëtare e këngës zagorite me një zë melodioz plot emocion na paraqiti motivin kur Kostandini ngrihet nga varri dhe shkon të marrë motrën për ta çuar tek nëna e saj.

Ky motiv që ngjan me këngët zagorite dhe rritmet e valles sustë apo çalthi siç i quajnë ata në kohën 2/4 shpreh  udhëtimin e Kostandinit: “Nëpër natë porsi era/ I gjendet motrës tek dera. Një moment ky suralist që këngëtarja Drita Ballo e përcolli me një interpreim të bukur dhe me zë brilant.

Ndërsa motivi i tretë këndohet nga marrësja Florika Suli e cila me një zë të fuqishëm të karakterit epiko- deklamativ e të rrokëzuar me një rritëm allegro, paraqet trokun e kalit që mban mbi shalë: “Një  të gjallë e një të vdekur”.

Kjo baladë u paraqit nga grupi polifonik miks i Zagorisë që përveç tre marrëseve gra kishte edhe dy djem: Kthyesin Sotir Ballo dhe hedhësin Llambro Ballo që mbështeteshin nga isua e unifikuar. Të dy këngëtarët Sotri dhe Llambrua janë vëllezërit e motrës Drita Ballo që si fis e familje përbëjnë një dukuri pozitive të kalimit të traditës në breza dhe brenda familjes.

Sotiri në rolin e hedhësit ishte një zë gurgullimë që ngjasonte dhe pasonte këngëtarët veteranë të traditës si Sotir Mekshi duke i qëndruar besnik atij interpretimi që tashmë është simbol në këngën zagorite.

Sotiri ka mbaruar shkollën e mesme të Muzikës në Gjirokastër gjë që ka ndikuar në edukimin e tij që dallohej në mënyrën e të kthyerit të këngës.

Ndërsa Llambrua në rolin e hedhësit me pritjet e motivit muzikor të parashtruara nga marrëset dhe kthyesi i jepte një ndërhyrje therrëse duke i lidhur korifejtë e këngës në një atmosferë që në tërësinë e saj kënga me ison stërgjatur të krijonte përshtypjen e një moto-perpeto që i sillte rrotull gjithë motivet e baladës.

Me këto emocione e ndoqa këngën e grupit polifonik të Zagorisë që në tërësinë e interpretimit të saj ishte një risi si një krijim muzikor folklorik i veçantë nga këngët me dy marrësa që janë në traditën e polifonisë së jugut si tek grupi i Bënçës, i grupeve të Pilurit e Himarës dhe në trevën e Labërisë.

Nëse do të kishte çmime në festival balada e “Kostandinit dhe Doruntinës”, e këngëtarëve të Zagorisë do të merrte çmimin e parë.

blank

“Jeta në pjatancë” e Vangjel Sakos përurohet në 64 – vjetorin e lindjes të shkrimtarit dhe gazetarit të paharruar Nga MSc. Albert Habazaj, redaktor i librit

 

1. Përmbushet Amaneti i Babës nga Bija
Pikërisht në ditën e lindjes së gazetarit profesionist dhe shkrimtarit Vangjel Llambi Sako bëhet përurimi i librit të tij me tregime “Jeta në Pjatancë”. Përurimi i librit tij u realizua në kujtim të 64- vjetorit të lindjes së gazetarit të ndjerë. Kështu përmbushet amaneti i tij nga familjarët, me përkushtimin e veçantë të së bijës, Arjola V. Sako. Përurimi i librit me tregime “Jeta në Pjatancë” i gazetarit të ndjerë, Vangjel Sako, që për fat të keq botohet pas vdekjes së tij të parakohëshme, një amanet i plotësuar nga familja Sako, u bë me mbështetjen e studiuesit, poetit dhe shkrimtarit të mirënjohur, Albert Habazaj, drejtor i Bibliotekës Shkencore “Nermin Vlora Falaschi”’, Universiteti “Ismail Qemali”, Vlorë dhe kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Artistëve “Petro Marko” Vlorë, i cili është redaktor i këtij libri, i pari i autorit Sako. Përurimi u bë, më datë 6 gusht 2023, ora 10:00, në Bibliotekën “Nermin Vlora Falaschi”’, Universiteti ‘Ismail Qemali’, Vlorë, pikërisht në ditën e 64-vjetorit të lindjes së gazetarit profesionist Vangjel Sako. Morën pjesë pjesëtarë të familjes Sako, gazetarë, poetë, shkrimtarë, piktorë, aktorë, artistë dhe autorë të njohur, miq të gazetarit Vangjel Sako. Aktiviteti u përcoll nga mediat, ndërsa TV Apollon e transmetoi “live”. Gjatë promovimit u shfaq edhe një video me foto të ndryshme nga jeta familjare dhe profesionale e gazetarit Vangjel Sako. Gazetari i mirënjohur, Vangjel Sako, ndërroi jetë, më 28 shkurt 2023. Për vite të tëra kontribuoi si reporter mes Fierit, Vlorës dhe Tiranës, në mediat Radio “Valë e Kaltër”, TV Apollon dhe gjatë viteve të fundit, si opinionist pranë të përditshmes Gazeta “Sot”. Vangjel Sako ishte anëtar i Unionit të Gazetarëve Shqiptarë dhe për vite të tëra u aktivizua në degët e organizatës duke qenë një ndër iniciatorët për veprimtaritë lokale të UGSH.

2. Fjala e Bijës dhe e miqve më të afërt

Vajza e gazetarit Vangjel Sako, Arjola, mbajti një fjalë prekëse.
“Përshëndetje të gjithëve!
Nuk e kam të lehtë të ndodhem sot para jush, pa e patur pranë personin që ishte forca ime, mbështetja ime më e madhe.
Por nuk mund të rri pa ju thënë faleminderit me zemër që gjetët mundësinë për të ardhur sot, për të respektuar kujtimin e Babit tim dhe mikut tuaj, për të nderuar veprën që ai la pas, librin me tregime të titullur “Jeta në pjatancë”.
Falëndërim i veçantë për Albert Habazaj, i cili, falë dhe miqësisë aq të pastër dhe idealiste gjysmëshekullore, dha ndihmesën e tij të pakushtëzuar për ta realizuar këtë amanet në ditën e sotme që Babi im do festonte ditëlindjen e tij të 64-t.
Në fakt e kisha ëndërruar ndryshe këtë ditë, por me shpresën se shpirti i bukur dhe fisnik i Babit tim ndodhet këtu mes nesh, dua t’i them: Ia dole Buçi, ashtu siç ti ia ke dalë përherë.
Faleminderit edhe njëherë dhe paçi vetëm bekime e lumturi në familjet tuaja.”
“Vangjel Sako ishte shumë kërkues dhe me pretendime ndaj shkrimtarisë së tij, në fushën e gazetarisë dhe të letërsisë. I paharruar shok, koleg, mik i çmuar Vangjel Llambi Sako, Xhekja ynë. 6 gushti i parë që na gjen pa ty, por për ty. Ti sot mbush 64 vjeç”, tha ndër të tjera, shkrimtari Albert Habazaj, i cili qe dhe moderator i veprimtarisë.
Miqtë e tjerë të Vangjelit: Çlirim Hoxha, Malko Durmishi, Laureta Petoshati, Ahmet Demaj, Agron Sinani, Ilirjan Ali, Asqeri Llanaj, Fiqri Sejdiaj, Anila Toto, Mark Qehaja dhe Artur Rustemi sollën kujtime nga njohja e tyre me gazetarin profesionist Vangjel Sako, duke dhënë vlerësime pozitive, si gazetar dhe si njeri, por edhe për familjen Sako. Shumë emocionues ishte ardhja e shqiptaro-amerikanit Mark Qehaja, tropojan i dashuruar me Vlorën, i cili ndodhej me pushime në qytetin bregdetar dhe sa mori vesh për këtë veprimtari shumë të veçantë, la familjen në plazh dhe vetë erdhi e fplo ca fjalë shpirti për Xheken, që na mallëngjyen të gjithëve në këtë nderim për shokun e tij gjysmë shekullor, që tashmë rron në kujtesën tonë.
Libri “Jeta në pjatancë” mund të ishte botuar qysh para 5 vjetësh, kur së bashku e dorëzuam për botim në shtpëinë botuese “Triptik”, Vlorë, të premten e datës 24.03.2017, por Vangjeli i palëkundur për asnjë gjë, këtu luhatej shumë dhe e tërhoqi, se ishte i pakënaqur e donte ta rishikonte prapë. Por ai iku dhe Amanetin e Babës e përmbush sot, në ditën e lindjes së tij e bija, Arjola, ish-studente e shkëlqyer e Universitetit “Ismail Qemali”Vlorë…

3. Parathënia e vëllimit me tregime “Jeta në pjatancë” e prozatorit Vangjel Ll. Sako: Tregimet e Vangjel Sakos vijnë bukur, se janë të vërteta, mbushur me musht nga jeta e gjallë
Proza e shkurtër e autorit Vangjel Sako është një gotëz me ujë të pastër letrar, që freskon Detin e Letrave Shqipe. Nuk kemi të bëjmë me një prurje të vonuar letrare, por me një kujdestar të vëmendshëm të penës, që ka respekt për të bekuarën fjalë. Shkrimtari ka një përvojë shkrimore të pasur, mbi 40 vjeçare. Ka qenë vjeshta e parë e vitit 1975, kur jam njohur me poezitë e fillimit dhe humorin thumbues e shërues të skënderbegasit të lastartë nga Çifliku i Kuçovës, 16 vjeçarit Vangjel Llambi Sako. Qe këndi letrar “Pushka dhe Pena” i letrarëve të rinj të Shkollës së Mesme të Përgjithshme Ushtarake “Skënderbej”, Tiranë që na njohu dhe miqësia e penës midis nesh ruhet e çiltër, e ndërsjelltë, dashamirëse, frymëzuese, edhe sot. Patjetër dhe në vijim. Përpara pak kohësh Sako më sjell te Biblioteka e Universitetit ku punoj, pesë tregime të printuara. “Do të jap material sot. Shikoji një çikë! – më tha – Vlejnë, s’vlejnë. Aman, mos u nxito! Zëre, se nuk më njeh mua. More vesh? Nuk më njeh mua fare! Pastaj do flasim”. – qeshi bukur dhe iku qetë. I lexova me dëshirë dhe me kushtin që më vuri Xheka: Do të njihja tregimet. Autorin s’e njihja … Materiali që më dha plotësonte parametrat e tregimit, si vepër e vogël letrare. E njoha dorën e tij, por më të pjekur letrarisht, tashmë me filozofinë e jetës për të dhënë esencën e saj. Kaloja në mend shkrimet e tij të hershme. Më kujtoheshin edhe poezitë e tij të lirshme e me pathos, sidomos ato satiriket, që shigjetë godisnin veset e kohës, të cilat i botonte me pseudonimet VLLASAK dhe PIPIRICKA. Bisedonim bashkë dhe unë e cysja për ti shtuar tregimet. Erdhi çasti dhe libri u plotësua për botim me 20 tregime të situra (rrallë kalojnë 4-5 faqe të printuara A4). Me këtë rast, edhe pse lexuesi vlonjat, fierak, beratas, kukësian apo mbarë shqiptar e ka njohur Sakon nëpërmjet gazetarisë së thukët apo shkrimeve të spikatura publicistike, po u kujtoj miqve të letrave që ai nuk është një penë e re në letërsi, por ka goxha përvojë letrare, me botimet në shtypin e kohës, qendror e lokal. Nuk e quajmë të nevojshme të paraqesim kronograma (detaje kronologjike) të shkrimtarisë së autorit. Ndërkohë, ai ka shumë pretendime ndaj vetes, i druhet penës. E quan hirësi penën. Prandaj leximi përgjatë prozës së tij rrjedh këndshëm, sepse ai tematikën e merr nga realiteti që përjeton vetë dhe di ç’ përzgjedh e si e trajton lëndën. Vangjel Sako e pasqyron realitetin drejtëpërdrejtë, siç e ndjen pa menduar se po bën letërsi. Figuracioni, që i zbukuron lëndën, buis spontanisht nga pena e tij, pa sforco. Sako nuk ka synim të zbukurojë realitetin, ngaqë ai nuk do t’i bëjë tualet asaj letërsise që prodhon, e do atë pa buzëkuq, të natyrshme, se është më e hijshme. Ai pasqyron letrarisht, nuk gënjen, fshikullon pa mëshirë veset që mbartin njerëzit me pushtet apo të vegjël në plotësim qytetar, jep mesazhe përmirësimi. Mund të vihet re që në tregimet e tij ka edhe përdorim fjalësh të rëndomta a vulgare, por ai nuk i mbyll dot veshët e sytë ndaj përditshmërisë së jetuar dhe “parolaçet” i vë në gojën e personazheve, për t’i përdorur në konteks, për ta përmirësuar shoqërinë qytetarisht. Ai nuk bën letërsi “inkubatori”. Ato që i rrok syri e veshi, po qe se i rezistojnë laboratorit të tij krijues, Sako i hedh në letër pa droje. S’i ka qejf akuariumet, kur ka detin pranë. Dhe ta sjell“Jetën në pjatancë”…

Përvoja gazetareske i vjen në ndihmë autorit për krijimin letrar, pa ngatërruar formacionin shkrimor të secilës gjini, sepse, vërtet kanë afri letërsia me gazetarinë, por, tjetër zhanër është proza letrare dhe tjetër publicistika me nëndarjet e saj si publicistikë filozofike, sociale apo letrare etj.

V. Sako ka kulturë komunikimi, brum letrar dhe realizon vëzhgim deri në detaj për të disaquajturat imtësira të padukshme, të parëndësishme, por autorit i vlejnë për tipizime profilesh të personazheve që prodhon. Në fakt, personazhet e tij, në të shumtën e tregimeve, janë persona realë të letrarizuar, që i përkasin jo më botës së vogël të një reparti ushtarak në Veri apo në Jug, të një shoqërie, vëllazërie, profesioni, lagjeje, ndërmarrjeje, sporti, porti, a një qyteti, por futen natyrshëm në botën e madhe të artit, të letrave. Fjala vjen, me një batutë të beftë në fund të tregimit për zavallin Tas Tysa, (tigrin e vartësve, miushin e eprorëve), që na është regjistruar në kujtesë, shpërfaqet portreti i servilit burokrat të paaftë e me vese, metamorfozimit të njeriut të vemjezuar: “Ore djalë, shef Tasa ka 25 vjet që kështu e ka shtyrë më së miri, ti shqyen sytë si buf. Hajde puno aty …”. Nuk kërcet fjala në tekst. Rrjedh pa zhurmë, pa tamtame, veç nuk shkulet nga kujtesa.
Gjendje rrëqethëse deri në tronditje krijon autori me prozën “Ne e donim atdheun…” ose tregimi i të ashtuquajturës çezmë ndërkombëtare. Duket si një prozë moralizuese, por është një tregim i fortë psikologjik, me ngjyra të ngarkuara etnologjike, që spontanisht pikojnë si bulëzime antroplogjike dhe e bëjnë të besueshëm tekstin nga të sotmit. Ne, që e kemi jetuar atë kohë, e kujtojmë qartë dhe e besojmë pa mëdyshje autorin, se Vangjeli përshkruan realitetin ndërkufitar (shqiptarë të kufizuar nga shqiptarë, zyrtarisht në shtet tjetër). Ushtar Petraqi nuk i bën për deklarata apo për t’u shfaqur si i zjarrtë për Atdheun para komandantit. Nuk mund ta diskutojmë që ai është ashtu siç shfaqet – patriot. Ç’ka shkruhet në tregim, është e besueshme njëqind për qind, në se mund të ndodhte, sikur shefi të kalonte atë vijën e lyer me bojëqielli, në mes të masës së betonit lart … Do të ndodhte. Po, po, do të ndodhte. Një tregim që ngelet në mendje: Ne e donim atdheun! Tregim jetësor, që nuk vishet e ngjishet me fjalë të mëdha, të lodhshme, të bezdisshme. Tregim, që fjalën e gdhend artistikisht edhe për të dhënë mesazhe estetike-etiko morale për dashurinë, përkushtimin dhe sakrificën që na duhet të bëjmë për vendin tonë, për vatrën tonë, për zjarrin tonë. Tregimi jep botën e grupmoshës sonë, edukimin tonë, që nuk duhet të thahet, por duhet të jetë i freskët e i shëndetshëm, sikurse fëmijët tanë, që edhe fëmijët e fëmijve ta duan Atdheun, si çdo njeri i globit e do atdheun e tij, se Atdhe s’të bëhet vend tjetër, veç dheut të atit e mëmës: Atdhe! Mëmëdhe! S’ka dy!

Tregimtaria e Sakos shquhet për mozaik tematik, për personazhe e ngjarje që nuk e kanë ngushtuar botën e tyre në një lokalitet të vogël, por vëheret pasuria gjeografike e shkallëzuar, nga qytetet shqiptare, në pikat kufitare, në Greqi, në Belgjikë… Nuk ka gjuhë urrejtje në prozën e tij, edhe kur ka debat a kundërshti skalitet individualiteti qytetar me dinjitet. Ka tregime me motive nga tema e dhembshme e migrimeve shqiptare, që na duken si dorë e zgjatur miqësie, ku pasqyrohet shiprti bujar i nënave të mira greke, që me atë dhembshurinë universale të nënave bashkë me bukën që u japin “refugjatëve” tanë të ndodhur në ditë të pikës pas viteve ’90-të, i ushqejnë me besim, me shpresë, me edukatë e qytetari për ta ndërtuar jetën me djersë e nder. Nga autorë të tjerë që kanë shkruar për emigracionin, jo pak herë kemi lexuar krijime, ku grekët paraqiten të liq, të egër, vrasës. Vangjeli thotë që ka dhe grekër të mirë, që të paguajnë udhëtimin, që të japin bukë, që të strehojnë. Kur ti i vjedh e plaçkit, ata nuk mund të të falenderojnë e të përqafojnë … Proza e shkurtër “Ne kishim fat … për rrugën në Greqi” nuk është një trill artistik, por pjesëz realiteti e letrarizuar shumë pak, pasqyruar vërtetësisht. Solidariteti dhe humanizmi i banorëve fqinjë jugorë me ne, njerëzve të thjeshtë grekë, (edhe pse kishte ndër ne “kaçakë” që keqsilleshin) meritojnë falenderim dhe mirënjohje. Sako e kryen këtë akt respekti me penën e tij, pa gënjyer: “Gjuha e ëmbël … nuk ka nevojë për fjalë”. Unë nuk kam qenë në Greqi, por e besoj Vangjelin, se im vëlla, Pirua, që ka punuar atje, më ka thënë ca histori të tilla, që, ca nga tanët nuk kanë qenë dhe aq të larë; që, ca herë nuk dalim ashtu siç themi e hiqemi se jemi … Veçse, jeta është reflektim, përparojmë duke u përmirësuar.

Proza e Sakos dallohet për thjeshtësinë e narracionit dhe ka një veçori: ajo mbahet mend. Do ta quaja fat, që jo çdo shkrues sot apo autor e ka. Duke u marrë me redaktimin e librit, kam qenë i kushtëzuar t’i lexoj disa herë tregimet e tij. Ç’ka më pëlqen, është se ai operon jo vetëm intuitivisht me tematikën dhe strukturën zhvillimore të lëndës, që njeh vetëm dinamikë të shkallëzuar besueshëm. Ai thith nga përvoja e jetës ç’ka bën përshtypje, që ka fabul, që jep mesazhe në disa rrafshe dhe vjen me gjetje. Është një tregim në dukje i çuditshëm dhe paksa absurd tregimi “Stërvitja shkencore”, por ashtu ka ndodhur jo pak herë. Autori ka pastruar e ka zgjedhur fjalën dhe ka ndërtuar një prozë, që nuk shqitet kollaj nga kujtesa, ndoshta për faktin, se ende kemi sipër dallkaukë gjëmëbërës si kapter Hekurani, që “shkenca” u arrin deri tek marrja dhe dhënia e benevrekëve të ushtarëve … E ku ta dinin oficerët e rinj se Hekri vendoste mbi fatin e djemve të rinj me ëndrra për jetën, për të qenë kuadro të përgatitur profesionalisht dhe të denjë qytetarisht. Nuk mund të harrohet cilësimi i tij në analizën e zezë “Komandanti i ri nuk di të zhvillojë stërvitjen me nivel shkencor (!) … Sa grotesk, aq i ububushëm ky etiketim, në qoftë se oficeri i shkretë s’do të kishte marrë kthesën në kohën që e këshilloi miku i mirë në krahë … Me dhembje pohojmë se kemi ende midis nesh “kapterë Hekuranë”, që na dëmtojnë integrimin e përparimin. Shumë tronditës është tregimi “Si limon i shtrydhur”, ku plagët sociale të kohës bëhen drama fatale për familjen, e copëtojnë, e shkatërrojnë, e thajnë atë, që e shohim me gjetjet e autorin në verbimin fluturak nga joshjet hipokrite të makutërve të veckël. Shpesh herë tregimet vijnë mbi bazën e kujtimeve dhe mbresave emocionale siç është ai për doktor Dishnicën, me famë dhe në Paris, apo ai me drejtorin e shkretë, që s’dinte kujt t’ja prishte e kujt t’ia ndreqte, i sëkëlldisur e i trembur, pa tipare vizionari, pa dalë dot nga guacka nepotike

Te “Zanatçinjtë për kryetar dege” cilësohet një dhunti tjetër e mjeshtërisë shkrimore të autorit, ngjyrat komike me të cilat vesh situata të rënda zyrtare, ku godet e fshikullon tendencat militante të vertikalitetit drejtues për të bërë qoka me vendet e punës, për t’i gjetur punë njeriut dhe jo punës njeriun e duhur, që të ecim përpara, në drejtimin e duhur dhe integrimin qytetar. Satira, sarkazma humori, deri në autosharje, në funksion të misionit artistik, estetik e moral, që autori i ka ngarkuar vetes, vesh gjithë lëndën letrare e botuar në këtë libër. Po “Sekretarja”? Nuk është të vëshë duart në kokë?! Mund të jetë trill i autorit dhe për këtë paraqitje letrare gati si e ndodhur me të vërtetë, tregon se kur përfytyrimi artistik shkrimor në përqasje me realen shkon në një shtrat, mund të themi se autori ka bërë letërsi të mirë dhe të pranueshme për lexuesit e tij. Profilin letrar të autorit të vlonjatizuar nga Kuçova, Vangjel Sako, do ta paraqesim me një shprehje të tij: “Duke jetuar pranë detit jam bërë si ai”…

 

blank

Gjama, buzmi bujar e Shtregullat- Origjina e këngëve dhe valleve shkodrane te studimi i Robert Prennushit

I njohur për publikun si tekstshkruesi i këngës “Qingji i vogël”, kompozitori Robert Prennushi sapo ka botuar studimin “Në kërkim të origjinës së këngëve dhe valleve shkodrane”. Kënga majekrahu, ajo e lahutës, lutjet e vallet vijnë përmes një qasje studimore e dokumentuese, krah përmasës etnografike, siç sqaron botuesja Anna Shkreli.

“Libri merret me analizimin e burimeve të lashta që vallet dhe këngët e Shkodrës të shek.. XV mund të kenë. Studimi nis me analizimin e dy ceremonive që janë me rrënjë pagane, njëra është buzmi bujar, që është ajo pjesëza e trungut që zgjidhet për t’u djegur gjatë periudhës së Krishtlindjeve dhe vazhdon me gjamën që është një rit që e njohim gjerësisht e ka të bëjë me nderimin e vdekjes”, thotë Anna Shkreli.

Studimi i Prennushit ndjek udhëtimin në kohë të këngëve e valleve e mes tyre ka këngë trimërie, ninulla dhe pjesë ritualesh me 115 mikroskena etnografike si Shtregullat-festa e pranverës. Këngët janë të notizuara dhe përmes skanimit, mund edhe të dëgjohen në smartfone.

“Prennushi bën edhe një revizion të këngëtarëve që i kanë kënduar këto këngë dhe ju kanë dhënë elementët e tyre e që janë pjesë e traditës qytetare të Shkodrës. Evidenton në vende specifike si këto tradita këngësh e vallesh dalin në letërsi. Një nga pasazhet më të bukura është ai ku i referohet një prej këtyre ceremonive që e gjejmë te jetë Shkodrane e Cuk Simonit”, thotë botuesja.

Që në hyrje, libri i Prennushit i kushtohet Gjon Kujxhisë, studiues e muzikant i cili i mblodhi këto këngë më 1943. Ai botohet në kuadër të kolanës së Radhonjve të Shejzave, drejtuar nga Ardian Ndreca.bw

blank

Ajo ishte Inva Mula Nga Gjergj Sulioti

 

Dedikuar Invës….

Dhe ndërsa reja e censurës kishte mbuluar Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit, në Evropën Lindore dallëndyshet e para tashmë kishin filluar të shpallnin fundit e dimrit të kuq. Në këtë kontekst, edhe në Teatrin tonë pas një mungese të gjatë filluan të riviheshin në skenë vepra të plota të repertorit operistik botëror.

Një nga përpjekjet e para ishte Traviata e Verdit të cilën e vumë për herë të parë në skenë me kolegë shqiptarë në vitin 1983, në bashkëpunim me kolegë turq në vitin 1985 dhe sërisht me kolegë shqiptarë në vitin 1988.

Edhe pse unë në atë produksion kisha rolin e vogël të Gastonit, gjatë provave finale në Skenën e Madhe, u bëra dëshmitar okular i lindjes së një ylli të madh, i cili disa vite më vonë do të shkëlqente në qiellin global. Në korridoret gri dhe pa jetë të Operës dëgjohej një zë magjepsës, që i jepte jetë dhe ngjyrë çdo ekzistence.

Violeta e vogël dhe e bukur, që sapo kishte dalë nga bankat e shkollës, kishte mahnitur të gjithë kolegët e brezit të vjetër me aftësitë e saj vokale dhe aktoriale. Të gjithë ne, kishim dëgjuar për fenomenin që quhej Inva për shkak të prindërve të saj që ishin miqtë dhe kolegët tonë prej vitesh, Avniut dhe Ninës. Megjithatë, -më besoni-, ish tjetër gjë të dëgjoje përshkrimet nga të tjetër dhe tjetër gjë ta përjetoje atë vullkan nga afër. Madje edhe instrumentistët gjatë pushimeve iu binin lexhiove me entuziazëm.

Kështu u krijua një valë shumë e nxehtë entuziazmi, që edhe pse kufijtë për Shqipërinë hermetike ishin ende të mbyllura, të gjithë besuam se ky yll do të çante vijat e mjegulluara të horizonteve dhe do të pushtonte botën.

Pas shfaqjeve, Teatri i Operas u përfshi nga duartrokitje masive. Shtypi i kohës lavdëronte yllin e sapolindur që kishte nisur të shkëlqente në rrugëtimin drejt majës. Ajo ishte Inva Mula.

Pak më vonë, kisha nderin ta kem bashkëprotagoniste në Operetën “Paja” të Nikolla Zoraqit. Që atëherë nuk kam pushuar ta admiroj dhe të gëzohen me arritjet e saj nëpër botë. Kjo ishte ajo vajza e vogël simpatike e Avniut dhe e Ninës që rrinte afër pianos kur ne bënim prova për “Karnavalet” dhe “Boranën”

 

blank

Gjergj Sulioti
“Dorëshkrime dhe kujtime”

blank

Në sallën “Teki Dervishi” të Bibliotekës së Gjakovës promovohen dy libra të publicistit të njohur Fahri Musliu

Shoqata e Intelektualëve JAKOVA-GJAKOVË më dt.20.7.2023 do të bejë promovimin e dy librave të gazetarit dhe publicistit të njohur Fahri Musliu!

Librat titullohen:

“Proceset e kurdisura” dhe  “Ditari i gazetarit shqiptar në Beograd”

blank

Ju ftojmë që të merrni pjesë në këtë aktivitet!

Me respekt!

Prof. Ruzhdi Sefa

blank

STUDIUESI MË I TALENTUAR I LETËRSISË SHQIPTARE- Nga Thanas L. Gjika

 

 

(Kujtime për studiuesin Akad. Prof. Rexhep Qosja,

kompletuar me rastin e 87-vjetorit te lindjes)

Në formimin tim si studiues i letërsisë shqiptare një rol të veçantë ka luajtur krijimtaria shkencore e studiuesit poliedrik Prof. Rexhep Qosja. Me veprat e tij ai ka ndikuar edhe në formimin e shumë studiuesve të tjerë, por unë do të tregoj si e njoha atë si person dhe si krijimtari shkencore.

Edukata fetare që kisha marrë në familje më nxiste që të ndjeja respekt e dashuri për rilindasit tanë, njerëz idealistë që kishin shkrirë jetën dhe pasurinë për të mirën e popullit tonë. Kjo ishte një nga arsyet pse unë ndjehesha i pakënaqur gjatë viteve 1966-1969 kur, pas mbarimit të fakultetit, punoja si redaktor e gazetar në “Radio Tirana”. Kërkova disa herë të transferohesha tek “Instituti i Historisë dhe i Gjuhësisë”, derisa u realizua ky transferim. Godina e Radio Tiranës ishte e re moderne me ngrohje qendrore. Muret e tavanet e zyrave e të korridoreve ishin të patinuar me hidromat, dyshemtë të shtruara me parket, dritaret e mëdha por mua nuk më hynin në sy. Më pëlqente t’i kushtoja jetën studimit të jetës e të veprës së rilindasve tanë, gjë që e realizova kur fillova punën në Sektorin e Letërsisë të “Institutit të Historisë dhe të Gjuhësisë” në janar të vitit 1970.

Njohja nga larg dhe afër me studiuesin Rexhep Qosja.

Kishin kaluar vetëm disa muaj, kur erdhi në Shqipëri studjuesi i parë nga Kosova. E quanin Rexhep Qosja. Drejtoria e institutit caktoi studjuesin Jorgo Bulo, kolegun më të vjetër të sektorit të letërsisë, për ta shoqëruar gjatë punës në Bibliotekën Kombëtare, në Arkivin e Shtetit, si dhe në bibliotekën dhe arkivin e institutit tonë. Pikërisht në një nga ato ditë, kur shkova te salla e bibliotekës së institutit pata rastin ta shikoja nga afër studjuesin që kishte ardhur nga Kosova. Rexhepit i kishin vënë mbi një tavolinë një grumbull me libra, dhuratë prej Bibliotekës së Institutit për t’i marrë me vete. Unë hyra në atë sallë rastësisht për të marrë ndonjë revistë ose libër. E pashë me kërshëri. Për mua emri dhe fytyra e Rexhep Qosjes (si dhe e çiftit simpatik Ekrem dhe Resmie Kryeziu, e këngëtares së famshme Nexhmie Pagarusha, etj) nuk ishin te panjohura, sepse im vëlla, regjisori Viktor Gjika, në apartamentin e të cilit unë banoja në atë kohë, më kishte treguar shumë foto dhe mbresa nga “Java e filmit shqiptar” që ishte organizuar në Prishtinë në datat 22-28 mars të atij viti. Studiuesi Qosja i kishte lënë tim vëllai përshtypjen e një intelektuali erudit. Gjatë bisedave të tij për filmat dhe letërsinë shqiptare, ai e kishte mahnitur Viktorin me mendimet e tij për romanin “Kështjella” të Kadaresë, etj. Në fund të bisedave, pasi kishte parë filmat shqiptarë, ai e kishte vlerësuar Viktorin shumë lart si kineast: “Më vjen mirë që kultura shqiptare ka jo vetëm një Ismail Kadare në letërsi, por edhe një Viktor Gjika në kinematografi”.

I pamësuar me të tilla vlerësime, Viktori i kishte thënë se kinematografia shqiptare ishte e re dhe ishte shpejt për krahasime të tilla. Rexhepit i kishte bërë përshtypje kjo përgjigje plot modesti dhe ishte ngritur e i kishte dhënë dorën si shënjë respekti. Realisht Viktorit vlerësimi i studiuesit të mprehtë Qosja do t’i shkonte plotësisht pas realizimit të filmave madhorë “Gjeneral Gramafoni” (1978) dhe “Nëntori i Dytë” (1982), por kritika shqiptare nuk kishte këllqe ta formulonte një mendim të tillë. Partia-shtet e kishte kthyer emrin e Ismail Kadaresë në tabu, pranë emrit të tij mund të vendosej vetëm emri i Dritëro Agollit, por asnjë krijues i fushave të tjera të artit shqiptar…

Do të kishte qenë një gëzim i madh për mua, sikur Jorgua, kolegu im i zyrës, të më kishte prezantuar me studiuesin Qosja, i cili më ishte ngulitur në mendje për vlerësimin e lartë që i kishte bërë tim vëllai. Mirëpo ai nuk mund të mos i përmbahej porosisë që i kishin dhënë, prandaj nuk na prezantoi.

Gjatë atyre minutave të këtij takimi në distancë më bënë përshtypje eleganca trupore dhe fytyra ovale e Rexhepit, pamje tipike e malësorëve të Alpeve Shqiptare. Ai kishte lindur në rrëzën veriore të këtyre Alpeve, në një fshat shqiptar që i ishte dhënë Malit të Zi më 1913. Këtë vit ai mbushte 34 vjet, por dukej më i ri. Kur fliste me Jorgon fliste ngadalë dhe me zë të ulët.

Me kalimin e viteve pamja e tij u burrnua, mori tipare madhështore, që të bënte për vete sapo ta shikoje. Me pamjen e tij ky person të imponohej. Po shtoj këtu se edhe kur u dobësua pas vdekjes së bashkëshortes, përsëri e simpatizoja. Balli i ishte zmadhuar nga renia e flokëve, humbja e peshës shkaktonte iluzionin sikur i ishin zmadhuar zgavrat e syve dhe sytë sikur i ishin futur më thellë. Kur e pashë Rexhepin në një foto me këtë pamje të dobësuar u ligështova, por u ngushëllova sepse më shembëlleu me plakun e shenjtë Jeronim De Rada, me të cilin kishte të njëjtin shpirt krijues dhe përkushtim atdhetar. Disa vite më vonë kur sapo i kishte mbushur 86 vjetët, si do ta tregoj më poshtë, Rexhepi e kishte marrë veten, fytyra i ishte mbushur dhe gëzonte shëndet të mirë.

Pasi Rexhepi mbaroi ditët e vizitës së parë në Shqipëri dhe u kthye në Prishtinë, Jorgua më sqaroi se ai kishte ardhur për të mbledhur materiale për jetën e veprën e Asdrenit, sepse do të hartonte një studim me të cilin do të mbronte gradë shkencore. Tek ne gradat shkencore nuk mbroheshin, ato jepeshin me dekret nga qeveria. Regullorja e atestimit për mbrojtjen e gradave shkencore u hartua në vitin 1974. Jogua nuk tha asgjë lidhur me përgatitjen shkencore dhe artikujt e librat me studime që kishte botuar Rexhepi deri atëhere. Ndoshta as ai nuk i dinte, sepse ishte e ndaluar të mësonim e të flisnim për botimet e letërsisë shqiptare në Jugosllavinë revizioniste.

Më vonë mora vesh se Universiteti i Prishtinës, kur Rexhepi kërkoi të mbronte “Magistraturën”, ia kishte marrë parasysh tre librat që kishte botuar dhe i kishte dhënë të drejtën të mbronte menjëherë gradën “Doktor i Shkencave”. Ai kshte shkuar për të mbledhur materiale dy herë në Bukuresht, dy herë në Beograd, një herë në Sarajevë dhe pastaj kishte ardhur në Shqipëri, ku mbodhi materialet e fundit.

Mbas dy vjetësh, në vjeshtë të vitit 1972, Instituti Albanologjik i Prishtinës dërgoi në bibliotekën e institutit tonë monografinë Asdreni Jeta dhe Vepra 500 faqshe. Me të Rexhep Qosja kishte mbrojtur “Doktoratën”. Ishte një punë madhore. U habita, jo vetëm unë me shpejtësinë e hartimit e të botimit, me nivelin e lartë shkencor, analizat e zhdërvjellta, gjuhën e pastër e të pasur, aparatin shkencor të sistemuar saktë, nivelin e lartë të botimit nga ana tipografike, etj. Ishte një model për ne. Askush prej profesorëve tanë të Tiranës nuk kishte hartuar e nuk mund të hartonte një vepër me cilësi të tilla dhe për më tepër brenda një kohë të shkurtër prej tre vjetësh. Për hartimin e një vepre të tillë ne do të na duheshin të paktën 8-10 vjet.

Ky studjues tregoi se përveç pasionit të madh ishte i pajisur dhe me talent të fuqishëm, formim shkencor solid dhe mendje pjellore. Që herët atë e kishte tërhequr ideja për t’i dhënë dimensionet e vërteta jetës dhe veprës së Asdrenit, këtij poeti të begatë por pak të studjuar. Brenda tre vjetësh e shkroi të gjithë disertacionin e tij dhe e botoi. Studimi monografik i Rexhep Qosjes për jetën e veprën e Asdrenit tregoi se ne studjuesve të Tiranës na mungonin jo vetëm formimi i tij shkencor dhe talenti, por dhe metoda e tij aq prodhimtare. Jorgo Bulua studjonte Naim Frashërin, Klara Kodra Zef Sermben, Floresha Haxhiaj (Dado) Andon Zako Çajupin dhe unë Mihal Gramenon. Ne ishim porositur që ta studionim jetën e veprën e autorit, që na ishte ngarkuar, duke e studiuar të ndarë në disa kapituj e nënkapituj. Gjatë një viti duhej të kryenim grumbullimin e materialit dhe hartimin e një kapitulli, ose nënkapitulli. Vitin tjetër grumbullonim material e shkruanim kapitullin / nënkapitullin tjetër, e kështu me radhë. Kjo metodë pune e zgjaste kohën e grumbullimit e të hartimit të krejt monografisë për shumë vjet. Asnjëri prej nesh nuk ishte dërguar e as u dërgua në vendet ku kishin jetuar e ku ishin formuar këta autorë, objekti i studimit tonë.

Në fakt në “Fakultetin Histori Filologji” të Universitetit të Tiranës ne kishim marrë formim për të punuar si mësues të letërsisë dhe të gjuhës shqipe në shkolla 8-vjeçare dhe të mesme. Kurse formimin shkencor po e merrnim ngadalë gjatë viteve të punës në institut duke dhënë provime plotesuese herë pas here, duke dëgjuar seminaret teorike prej shefave tanë Koço Bihiku e Jorgo Bulo dhe duke diskutuar artikujt e njëri tjetrit. Pasi i mbaronim së shkruari veprat tona procesi i mbrojtjes së gradës shkencore vononte dhe një vit tjetër, po aq dhe aprovimi për botim dhe procesi i botimit të tyre në shtypshkronjë. Për ne, shpejtësia e hartimit dhe e botimit të veprës së Rexhep Qosjes, ishte një shpejtësi e paimagjinueshme.

Me studimin për Asdrenin dhe veprat e tjera madhore “Kritika Letrare(1969), “Vdekja më vjen prej syve të trillë(roman 1972), “Panteoni i Rralluar” (përmbledhje studimesh (1973), “Historia e Letërsisë Shqipe – Romantizmi” (vol. I-II 1984 dhe vol. III 1986), “Porosia e Madhe(monografi për jetën dhe veprën e Naim Frashërit, 1986) dhe me disa drama, etj, Rexhepi u shfaq si personaliteti më i shquar midis studjuesve të mbarë botës shqiptare. Ai u kthye në ikonë. Në mendjen time zuri vendin e një Rilindësi, por të një Rilindasi të gjallë, sepse po e njihja jo vetëm krijimtarinë e tij, por edhe pamjen fizike dhe personalitetin.

Rexhep Qosja na mahniti me talentin e tij të rrallë si studjues dhe shkrimtar. Shumë vepra të tija i lexonim me kënaqësi si të ishin poema. Ai u bë profesori im i admiruar. Ndikimi i studimeve të tij vihet re tek unë edhe te hartimi i monografisë “Mihal Grameno Jeta dhe Vepra” MILENIUM, 2012. Leximi i veprave të tij më shërbente si një shkundje nga klishetë dhe kërkesat standarte të shkencës zyrtare të asaj kohe. Leximi i këtyre veprave ishte një nga kënaqësitë e mia më të mëdha, e njëjtë me kënaqësinë që më jepte dhe leximi i veprave letrare të Ismail Kadaresë. Kadareja dhe Qosja për mua ishin një pendë qe që lëvronin me shumë sukses, njëri arat e letërsisë e tjetri ato të shkencës letrare. Talenti dhe formimi i tyre i ndihmoi ata që të shfaqeshin me sukses edhe në arat e tjetrit. Kështu I. Kadareja me studimin për origjinalitetin shqiptar të Ciklit të Kreshnikëve dhe me studimin e krijimtarisë së Migjenit, të cilin e karakterizoi “Uragan i ndërprerë” shpalosi aftësitë e tij edhe si eseist e studiues i letërsisë. Kurse R. Qosja me romanin “Vdekja më vjen prej syve të tillë” tregoi se kishte talent të fuqishëm edhe si krijues letrar.

Në vitin 1972 profesor Qosja u emërua drejtoir i Institutit Albanologjik të Prishtinës dhe pas kësaj erdhi shumë herë të tjera në Shqipëri. Unë pata rast të ulesha në një tavolinë me të te kafeneja e Pallatit të Kulturës, ku ai zhvilloi një bisedë me profesorët Koço Bihiku e Dhimitër Shuteriqi.

Dy profesorët tanë, K. Bihiku dhe Dh. Shuteriqi, ngulnin këmbë se periodizimi që ata kishin bërë për letërsinë shqipe prej Rilindjes e deri në ditët tona, ishte një periodizim i saktë e shkencor. Ata e kishin ndarë letërsinë tonë të shek XIX-XX në katër periudha:

Letërsia e Rilindjes Kombëtare, përfshinte vitet 1878 – 1912”.

Letërsia e pavarësisë, përfshinte vitet 1912-1939”.

Letërsia e Luftës Nacional-Çlirimtare, përfshinte vitet 1939-1944”.

Letërsia e Realizmit Socialist, shtrihej nga viti 1945 e në vijim”.

Profesor Qosja dha sqarimet e veta duke treguar se ky periodizim ishte bërë mbi kritere historiko-politike, pra mbi kritere jashtëletrare. Ky lloj periodizimi nuk mbështetej në tiparet e krijimtarisë letrare, në tiparet e shkollës letrare së cilës i përkisnin veprat më të mira të sejcilës periudhë. Ai tha shkurt disa nga parimet metodologjike të periodizimit dhe dha emra të rinj për çdo periudhë:

Romantizmi”.

Mes romantizmit, realizmit dhe simbolizmit”.

Letërsia sociale”.

Realizmi integral”.

Këto koncepte ai i shtejlloi plotësisht në veprën “Prej letërsisë romantike deri te letërsia moderne. Me të tillë periodizim të letërsisë shqiptare, Profesor Qosja aplikonte në shkencën shqiptare të letërsisë koncepte të shkencës europiane. Ky studjues aq i ri në moshë diskutoi me kompetencë shkencore dhe i rrëzoi mendimet e dy profesorëve tanë të moshuar. Natyrisht ata nuk e pranuan konceptin e tij, sepse në mendësinë e tyre sundonte politizimi. Sipas tyre periodizimi i zhvillimit të letërsisë nuk mund të bëhej ndryshe nga periodizimi i etapave të historisë së popullit tonë. Pra ata linin jashtë faktorët e brendshëm të ecurisë së procesit letrar.

Më vonë pata kënaqësinë të shkruaja një recension për përmbledhjen me studime të këtij kolosi që u botua në Tiranë. Ai recension u botua te revista “Studime Filologjike. Simpatia ime për Rexhep Qosjen u rrit edhe më mbasi lexova veprat “Fjalori demokratikdhe “Popull i ndaluarsi dhe disa shkrime me përmbajtje politike e shoqërore, ku ai ka shpalosur më gjerë e më hapur fizionominë e një qytetari të shqetësuar që nuk arratiset nga aktualiteti, por lufton guximshëm. Ai është shprehur shpesh për çështjen kombëtare shqiptare dhe për gabimet e proceseve demokratike në Shqipëri.

Në fillimet e lëvizjes demokratike tek ne, të rinjtë, duke pasur konsideratë të lartë për të dhe për Ismail Kadarenë, dolën me fotografitë e tyre nëpër rrugë të disa qyteteve, për të kërkuar që të tillë personalitete të viheshin në krye të kësaj lëvizjeje. Unë, pasi u botua numëri i parë i gazetës “Rilindja Demokratike, shkova te Frok Çupi, kryeredaktor i saj dhe i sugjerova që t’i kërkonte këta dy intelektualë të ftoheshin për të ardhur në Tiranë për të mbajtur leksione e biseda mbi demokracinë. I dorëzova dhe një artikull ku sqaroja pse u bëra anëtar i PD-së. Artikulli im nuk u botua dhe as Ismaili e Rexhepi nuk u ftuan në Shqipëri. Mesa dukej, njerëzit që do të jepnin ndihmesën e tyre për zhvillimin e proceseve demokratike në Shqipëri ishin paracaktuar. Unë, jo e jo, por as I. Kadareja dhe R. Qosja nuk bënin pjesë në grupin e njerëzve që mund të jepnin ndihmesën e tyre në ecurinë e proceseve demokratike. Ai grup ishte caktuar nga Ramiz Alia…

Në muajt e parë të vitit 1991 me sugjerimin e disa politologëve europianë u hodh mendimi që populli shqiptar i Shqipërisë, si popull i vogël e me problemin kombëtar të pazgjidhur ende, duhej të ecte në proceset për demoktratizimin e vet në rrugë paqësore, pa shkaktuar hakmarrje e viktima. Për këtë arsye duhej zhvilluar procesi i pajtimit kombëtar midis forcave politike.

Me dëshirën e mirë për të ndikuar në ecurinë e proceseve demokratike e të pajtimit kombëtar, erdhi nga Kosova dhe profesor Qosja. Mendimet e tij u mirëpritën prej drejtuesve të mjaft partive e shoqatave politike. Përjashtim bënë Shoqata e të Përndjekurve Politikë, Partia Demokratike që drejtohej prej Sali Barishës dhe Partia Republikane, që drejtohej prej Sabri Godos. Sali Berisha ish-komunist prej 20 vjetësh dhe Sabri Godo ish-oficer i Sigurimit të shtetit që nga viti 1947 (si e ka pranuar vetë), ishin futur në lëvizjen demokratike prej Ramiz Alisë, por kjo gjë u mësua shumë vonë. Ata i urrenin demokratët e vërtetë dhe i mbanin sa më larg.

Sali Berisha nxiti Bujar Hoxhën, ndihmësin e tij, një ish-sigurims, që të shpifte ndaj profesor Qosjes gjëra të paqena. Kundër këtyte shpifjeve doli në shtypin e kohës Jorgo Bulua, kurse ne të tjerët heshtëm. Na kishte rrëmbyer entusiazmi i antikomunizmit dhe ishim trullosur prej propagandës zhurmëmadhe të Partisë Demokratike…

Sigurimi i shtetit gjatë diktaturës, duke luajtur rolin e shpatës së mprehtë të partisë-shtet kishte lënduar e plagosur, dikë më shumë e dikë më pak, mbi 75 përqind të familjeve. Prandaj mund të pranohej vetëm mendimi i Shoqatës së të Përndjekurve Politikë që kërkonte në ato momente “Para se të kalohej te pajtimi kombëtar duhej të dënoheshin bëmat vrastare të diktaturës komuniste, duke dënuar kupolën drejtuese të PPSH-së dhe duke përjashtuar nga radhët e deputetëve socialistë ata që kishin pasur funksione gjatë diktaturës”.

Sejcili duhej të kryente katarsën e tij, për t’u shpëlarë nga gabimet e krimet. Mirëpo shkrimtarët tanë të realizmit socialist dhanë një shembull të keq duke mos i kritikuar veprat dhe bëmat e tyre të kohës së diktaturës, madje ata vijuan t’i mburrnin ato. Vetëm I. Kadareja pati guximin ta pranonte se kishte qenë “poet i oborrit” dhe e filloi shumë mbarë katarsën e vet tek skica “Prometeu” që e ribotoi të ripunuar më 1992 ku shtoi pjesën ‘Prometeu i Pajtuar me Zeusin‘, por nuk e shpuri më tej këtë hap. Kurse Sali Berisha e Sabri Godo e konsideruan veten të larë, të rinovuar me kapërcimin brenda natës nga ish-komunist e ish-sigurims në demokrat. Katarsa nuk mund të bëhej prej njerëzve të pandershëm, që lakmomin mbi gjithëçka pushtetin politik. Për të mos u larguar nga postet e tyre drejtuese, këta dy politikanë, nxitën përçarjen dhe jo pajtimin kombëtar. Bënë sikur dënuan kupolën e PKSH-së me disa vjet burg jo për krimet, po për kafet e për disa shpërdorime paresh dhe e futën popullin në një qorrsokak.

Politika e tyre për ta ndarë popullin në dy gjysma armiqësore dhe vendosja e shumë kuadrove të paaftë në poste drejtuese, vetëm se ishin besnikë të pastisë së tyre, më kthjelloi e më nxiti të dal nga PD-ja që në fillim të vitit 1994.

Lidhur me problemin kombëtar atdhetari Rexhep Qosja ka shprehur vijimisht me guxim mendimet e tij shumë të vlefshme. Ai është shprehur qartë e pa frikë, se zgjidhja më e mirë e problemit të Kosovës është bashkimi i saj me shtetin mëmë. Si askush ai ka fshikulluar gabimet e qeveritarëve të Shqipërisë e të Kosovës së pavarur.

Ky akademik me punën dhe veprat e tij madhore shkencore e letrare, si ka saktësuar studjuesi Sadri Fetiu, “përballoi sfidat e dy dogmave të rrezikshme: ideologjinë antishqiptare të titizmit jugosllav dhe skematizmin dogmatik, realizmin socialist, që e karakterizonte letërsinë dhe artet në Shqipëri” (Nga “Fjala e Hapjes” në sesionin shkencor kushtuar jetës e veprës së Rexhep Qosjes në 70-vjetorin e lindjes).

Në vitin 2006 shkova në Kosovë me gjithë bashkëshorten time, poeten Julia, për të vënë lule te varri i të paharrueshmit Ibrahim Rugova dhe tek Jasharajt. Shkuam me taksi nga rruga e vjetër e dëmtuar e plot dredha. Dolëm në Prizren, pastaj kaluam në Gjakovë e ndalëm në Pejë, ku bujtëm te shtëpia e Z. Aziz Berisha, vëllai i mikeshës së Julias, mësueses Zymë Berisha.

Të nesërmen në bisedë me disa pejanë unë hodha mendimin se Prof. Rexhep Qosja është një intelekrual i shquar dhe do të ishte mbrekulli sikur ai të zgjidhej president i Kosovës. Mirëpo një burrë i ri në moshë, i martuar e baba i tre fëmijëve, nxitoi të thoshte:

Nuk mund t’ia japësh qeverisjen e shtëpisë një të huaji.

I çuditur shtova:

Po Rexhepi është bir i Kosovës. Këtu e kreu gjimnazin, fakultetin, këtu ka më se dyzet vjet që jeton e punon.

Jo, m’u përgjigj ai, ti e di që ai është nga Vuthaj i Malit të Zi.

Po shqiptarët e Rugovës me ata të Vuthajt, Plavës e Gucisë nuk kanë asnjë ndryshim, theksova unë. Pastaj çdo shqiptar mund të qeverisë Shqipërinë ose Kosovën, mjafton të jetë atdhetar i mirë e të ketë program të qartë demokratik. Fan Noli kishte lindur në Ibrik Tepe të Turqisë dhe populli shqiptar e mirëpriti më 1924 si kryeministër.

Kemi boll burra të mençur të Kosovës, ma preu shkurt folësi.

Nuk e zgjata më, por kur shkuam në Prishtinë mësova se Rexhep Qosja kishte mjaft kundërshtarë, sepse ai kishte guxuar ta kritikonte Ibrahim Rugovën për disa veprime, që nuk i kishin pëlqyer. Në Kosovën e sapocliruar nuk ishte ngjizuar ende mendimi pluralist, kërkohej vetëm bindje ndaj mendimeve që shprehte Presidenti Rugova. Edhe atje klanet e ndryshme kishin filluar të luftonin për pushtet, duke i mbajtur larg intelektualët e shquar, njësoj si në Shqipëri. Nuk dij çfarë emri t’i vë mosrespektimit që i bën shteti dhe populli i Kosovës një studjuesi dhe shkrimtari të talentuar, njeriut që ka shkruar e botuar një bibiotekë me vepra madhore e të shumanshme, kur çdo popull e çdo shtet i botës do ta kishte për nder ta kishte një Rexhep Qosje!

Rexhep Qosja është njeri dhe si njeri edhe ai është i gabueshëm, por për hir të kontributit aq të madh që ka dhënë në shkencat albanologjike, në letërsinë shqipe dhe në mendësinë shqiptare, nuk ka gabim që nuk i falet.

Mbi polemikën e R. Qosjes me I. Kadarenë mbi identitetin e popullit tonë.

Më kishte lënë një shije të hidhur polemika midis Rexhep Qosjes dhe Ismamil Kadaresë lidhur me identitetin e kombit tonë. Polemika kishte kaluar, sidomos prej Kadaresë, nga analizat shkencore për problemin, në kritika e grindje. Ky kalim i diskutimit në grindje e zbehu simpatinë time për të dy. Desha ta takoja patjetër profesor Qosjen gjatë vizitës që bëra në Kosovë në vitin 2010. Takimin ma mundësoi z. Abdyl Kadolli, në zyrën e profesorit brenda “Institutit Albanologjik, ku ai vijonte të punonte.

Mbasi u përshëndetëm, ai më shprehu ngushëllimet e tij për vdekjen e tim vëllai, Viktorit, të cilin e quajti “miku im i mirë të cilin e kam çmuar dhe e çmoj shumë”. Biseda filloi për studimet shkencore. Më tej i shpreha hidhërimin tim për polemikën midis tij dhe Kadaresë.

– “Ju të dy jeni Nderi i Kombit, por teprimet e kësaj polemike nuk ju nderojnë”, guxova dhe i thashë me drojtje.

– “Nuk jam i lumtur për polemikën që kam kryer me mikun tim të dikurshëm, Ismail Kadarenë”, filloi ai dhe vijoi: “Po si të mos e kritikoj Ismailin. Ai ka shkruar ashtu si ka dashur Enveri. Kur Enveri u nda prej Titos dhe e shau Titon, Ismaili po ashtu e shau Titon; kur Enveri u lidh me Stalinin ai e lëvdoi Stalinin, e kështu me radhë. Tani po hiqet si kundërshtar i regjimit të Enverit, si i përndjekur prej tij. Po e përmirëson dhe zbukuron jetëshkrimin e vet të asaj kohe. Unë nuk e feva Ismailin, ai më feu mua. Këto i bën një njeri pa karakter…”

Kuptova se profesor Qosja ndjehej ende i lënduar dhe se nuk i kishte dalë ende inati. U ngrita dhe, para se të ndaheshim iu luta z. Kadolli të na bënte një foto, të cilën e ruaj si kujtim. Kështu u ndava prej tij duke menduar se kur ta takoj përsëri do të dëgjoj prej tij vlerësime për Kadarenë të njëjta, si shkruante dikur.

Mbas disa muajsh dëgjova se Akademiku Rexhep Qosja kishte dhënë disa sinjale për afrim e pajtim me Ismail Kadarenë, fakt që më gëzoi sepse tregonte se ai ishte kthyer në pozitat e veta të një “Intelektuali te shquar”, si e dëshmon vepra e tij.

Shqipëria ka vetëm humbje nga grindjet e bijve të saj të shquar. Ecja e tyre së bashku dhe zhvillimi i diskutimeve dhe kritikave me maturi për problemet, pa sulme ndaj dobësive të karakterit të njëri tjetrit, janë e do të mbeten mësime për shqiptarët…

Në maj të vitit 2017 lexova veprën e re të Prof. Qosjes “Pushteti i korruptuar – protagonistët dhe viktimat” TOENA Tiranë 2016, përmbledhje me analiza kritike ndaj gjendjes aktuale politike të Shqipërisë dhe Kosovës. Shkrimet më pëlqyen shumë për sintezat historike, për analizat dhe kritikat e guximshme ndaj gjendjes aktuale dhe ndaj shkaktarëve, si dhe për idetë vizionare mbi të ardhmen e popullit shqiptar, detyrën imperative të cejes drejt krijimit të shtetit kombëtar shqiptar. I emocionuar shkrova recensionin e hollësishëm “Shekulli është premtues, politika në ngërç”, të cilin e botova në disa gazeta dhe në librin tim “Një letërsi kombëtare, një atdhe i vetëm” Botimet KUMI Tiranë 2018, f. 122-131.

Në këtë recension theksova disa nga mendimet shumë të çmuara të politikanit e filozofit Qosja. Ndër të tjera vura në dukje vlerësimin e tij për “Biblën” e “Kuranin” si vepra madhështore mendimore, etike, fetare, zakonore; si dhe dënimin e tij të ashpër ndaj terrorizmit fetar islamik xhihadist, si një dukuri shkatërimtare e dhimbjeprurëse, që është e shkëputur prej islamit të vërtetë. Qosja bashkohet me humanistin e madh Papa Franceskun për dënimin e ISIS-it dhe dallimin e tij prej islamit: “Nuk është e drejtë të flasësh për një islam të dhunshëm. ISIS-i nuk është islam” (f. 127). Ai e mbron Kosovën dhe popullin shqiptar të saj duke deklaruar se Kosova as ka qenë, as është e as do të jetë me ISIS-in, si kanë shpifur disa xhepaxhinj e çerekintelektualë që e gjynaqepsin Kosovën e popullin shqiptar si bastion të ISIS-it.

Më tërhoqi qëndrimi i tij ndaj besimit: “isha, jam e mbetem njeri i deklaruar vetëm për besimin e quajtur shkencë dhe art, domethënë krijimtari shpirtërore, i vetëdijshëm se ai njeri, ajo specie e quajtur njeri, vetëm në saje të krijimtarisë shpirtërore, vetëm në saje të shkencës, është aftësuar për të njohur natyrën, për të humanizuar veten e shoqërinë, për të ndërtuar jetën e denjë, kolektive, në organizimin që i thonë Shtet etik” (f. 128).

Si politikan, Qosja është vizionar. Ai e ka luftuar në disa shkrime dhe në përmbledhjen “Pushteti i korruptuar – protagonistët dhe viktimatidenë provinciale të krijimit të kombit kosovar, si një ide feudale jashtë kohe. Pasi sqaron se këtë ide e sajuan politikanët sërbë gjatë regjimit titist për të shuar idenë e pavarësisë së Kosovës dhe të bashkimit të saj me Shqipërinë, ai godet disa politikanë provincialë të sotëm të Kosovës, që e kanë gjallëruar këtë ide për interesa të ngushta vetiake. Ata thekson Qosja “nuk duan ta dijnë se Shqipëria dhe Kosova ishin një, se Kosova ishte pjesë e Shqipërisë, dhe meqenëse ishin Një gjatë historisë, pashmangshëm do të jenë Një edhe gjatë ardhmërisë” (f. 154).

Ideja e kombit kosovar, sqaron ky politikan, është ide e sajuar dhe e vjetëruar, reaksionare e kundërkombëtare. Ajo është ide anakronike, reaksionare, kundërkombëtare, sepse popullin shqiptar të Kosovës e kanë njohur në shekuj dhe e njohin edhe sot si pjesë të popullit shumëshekullor shqiptar, që ka një një gjuhë të tij të veçantë, një kulturë të përbashkët, një histori të veçantë, qytetërimin e tij të njohur që nga Antikiteti, të cilat prej gjithë shqiptarëve dhe të huajve janë njohur e quhen “popull shqiptar, komb shqiptar, gjuhë shqipe, histori shqiptare, kulturë shqiptare, qytetërim shqiptar” (f. 154). Bashkësia e këtyre vlerave madhore gjuhësore, historike, kulturore, shpirtërore e qytetëruese e ka bërë popullin tonë të mbijetojë në shekuj në territoret e veta dhe të ketë njohje europiane dhe botërore. Sot ky popull me përkrahjen e dy aleatëve të fuqishëm SHBA-të dhe BE, ka një të ardhme gjithnjë e më premtuese, prandaj, thërret ai, duhet t’i luftojmë ata individë e grupe që e mbështesin idenë monstuoze të kombit kosovar…

Mirëpo edhe pse e shpreha mirënjohjen time ndaj këtij krijuesi, filozofi e politikani në këtë recension dhe në disa letra që këmbyem me e-mail, mendja vijonte të më mbetej tek ajo polemika midis tij dhe I. Kadaresë lidhur me identitetin kombëtar të popullit tonë. Desha të dija a ishin pajtuar dy personalitetet më të spikatur të letërsisë shqiptare. Në vitet 2010-2016 kisha shkruar disa artikuj analitikë mbi krijimtarinë e I. Kadaresë dhe recensionin vlerësues “I vetëm në luftën kundër krijimit të çnjeriut” ku vlerësova kryeveprën e Helana Kadaresë “Kohë e pamjaftueshme – kujtime”, vepër biografike mbi jetën bashkëshortore me Ismailin. Kisha marrë vlerësime prej Helenës dhe Ismailit. Kështu që në vitin 2022 mendova që gjatë vizitës që do të bëja në Shqipëri për të promovuar monografinë time “Disa korrigjime në shënimet sqaruese dhe në hartat e Dhiatës së Re” në shtator-tetor, të takoja I. Kadarenë në Tiranë dhe R. Qosjen në Prishtinë për të mësuar nëse ishte kapërcyer prishja e miqësisë së tyre.

I shkrova në face-book Gresës, vajzës së Kadareve, ku iu luta që t’i dërgonte prindërve dëshirën time për takim. I sqarova thelbin e përmbajtjes së bisedës që do të zhvilloja. Së pari desha të dija se si e shpjegonte ai faktin që ne shqiptarët edhe pse jemi popull i zgjuar e i talentuar, jemi shumë nevrikë dhe hakmarrës e mbi të gjitha kur gabojmë nuk kërkojmë dot të falur. Dhe së dyti desha të mësoja a ishte pajtuar Ismaili me Rexhepin. Mirëpo Gresa nuk m’u përgjigj. Mendova se Isamili ishte jo mirë me shëndet dhe Helena nuk donte ta shqetësonte. Atëhere u lidha në telefon me Prof. Qosjen. Ai e priti me kënaqësi kërkesën dhe më dha adresën.

Vajtjen në Prishtinë e kreva në saje të shkathtësisë së shoferit Besim Zorba, një miku im i vjetër. U nisëm në ora 7:30 AM të datës 3 tetor dhe pasi kaluam kufirin ndalëm te një stacion benzine në hyrje të Prishtinës, ku pyetëm për adresën ku do të shkonim. Në ora 12:30 ishim para portës së shtëpisë së Prof. Rexhepit: Rr. Thimi Mitko Nr. 18. Një shtëpi e madhe private me dy kate të lartë dhe qilarë, e cila kishte dy hyrje. Pas telefonatës i zoti i shtëpisë u dha tek hyrja anësore dhe më thiri: “Ja ku jam Thanas, a më sheh? Eja!

E pashë. Mbylla telefonin, kalova oborrin dhe ngjita katër-pesë shkallët. Këmbët i kisha pak të mpira nga qëndrumi në makinë gati katër orë. I dhamë dorën njëri tjetrit. Kohë pandemie, nuk u përqafuam. Hymë brenda. Në korridor zbatha këpucët dhe mbatha pandoflet, që më tregoi i zoti i shtëpisë. Kaluam tek një dhomë e madhe në të majtë të sallonit. Rexhepi më tregoi divanin nga e majta e derës, vetë shkoi u ul përballë në një kolltuk. Kishte në të majtë të tij një tavolinë pune mbi të cilën qëndronte makina e shkrimit. Midis nesh ishte një tavolinë e ulët, ku një mesogrua bjonde, që i shërbente profesorit për pastrim e gatim, pasi u paraqit vendosi ëmbëlsira dhe çokollata për qirasje. Më pyeti a doja kafe apo çaj. I thashë se pëlqeja çaj kamomili. Edhe profesori kërkoi po ashtu çaj kamomili dhe zonja kaloi te kuzhina.

Shpëpia e Profesor Qosjes ishte ndërtuar mesa dukej në vitet 70 të shekullit të kaluar. Kjo shtëpi dhe dhoma e pritjes, ku po rrinim, kishin dimensione, që nuk mund të krahasoheshin me dimensionet e dhomave e të apartamenteve, ku jetonim ne punonjësit shkencorë të Shqipërisë gjatë viteve të diktaturës komuniste. Shqiptarët që jetonin në Jugosllavi nën sundimin serb me mungesa në fushën e arsimimit në gjuhën amëtare e te lirive kombetare, nuk e kuptonin se niveli ekonomik i popullit shqiptar brenda atdheut ishte shumë i ulët, nuk e shikonin me sy kritik luftën e tepruar të klasave dhe izolimin ekstrem te Shqipërisë, por e shikonin Shqipërinë vetëm si një shtet që forcohej gjithnjë e më shumë nga ana ekonomike, kulturore dhe ushtarake.

Fjalimi i Enver Hoxhës i vitit 1981, kur ai u shpreh se Shqipëria ishte një shtet i blinduar që nuk mund ta pushtonin dot ushtritë e huaja, i kishte trimëruar shqiptarët e Jugosllavisë. Shumica e tyre mendonin se atdheu mëmë ishte përgatitur që një ditë ta çlironte pjesën e popullit shqiptar që i ishte dhënë padrejtësisht Sërbisë e Malit të Zi më 1913. Një ide të tillë e përjetonin jo vetëm shqiptarët e thjeshtë, por dhe shumë intelektualë shqiptarë të Jugosllavisë së asaj kohe. Prandaj edhe sot shumica e tyre mendojnë vetëm pozitivisht për Enver Hoxhën.

Vetë Rexhep Qosja në romanin e tij të vitit 2020 “TË FSHEHTAT E TREGUARA, Botimet TOENA, ka shkruar: “Enver Hoxha, për të cilin besoj të keni dëgjuar e të keni lexuar, jo vetëm prej se jeni këtu në Shqipëri e në Kosovë, është përpjekur ta shkoklavisëpopullin shqiptar, prandaj edhe gjuhën shqipe dhe kur ka parë se ky popull nuk shkoklavitet me të mirë ka bërë shumë për ta shkoklavitur në mënyrë tjetër, me mjete të tjera: me gjykime, me burgime, me dënime, të një numri, në të vërtetë, të atyre më të koklaviturve nga radhët e folësve të shqipes! Por, Enver Hoxha nuk është as i pari e as i fundit sundimtar që popullin e vet është përpjekur ta sjellë në vete në atë mënyrë, me gjykime, me burgime e me dënime.

Një vlerësim i tillë për diktatorin tonë, ku i falen zullumet, përndjekja e intelektualëve që ishin formuar në botën Perëndimore, varfërimi ekstrem i popullit, mendoj e ka burimin pikërisht tek admirimi i qeverisjes së Enver Hoxhës, pa parë me realizëm dëmet që shkaktoi sundimi diktatorial. Një nga këto dëme ka qenë edhe largimi im nga atdheu më 1996, ku nuk mund të jetoja dot vetë i pestë (nëna e moshuar, burrë e grua te të 50-tat, djali 13 e vajza 18 vjece, në një dhomë e një kuzhinë e me të ardhura të pakta.” (f. 84-85).

Gjatë pirjes së kamomilit folëm për udhëtimin Tiranë – Prishtinë, gjendjen e mirë të Rrugës së Kombit, lehtësitë e transportit të sotëm, për kohën e bukur plot diell, etj. Shtova se e ftoja të drekonim në ndonjë restorant aty pranë, por Rexhepi tha se drekën do ta hanim në shtëpi. Nuk prita më, hapa çantën dhe i dhurova katër librat e mij të fundit, duke menduar se ndoshta nuk i kishin rënë në dorë. Më falenderoi dhe u ndal te titulli “NJË LETËRSI KOMBËTARE NJË ATDHE I VETËM” i librit të botuar më 2018.

E përpiva zërin e tij të ulët e të ngadalshëm: – “E ke gjetur mirë titullin e këtij libri, sepse sot të gjithë ne shqiptarët shkruajmë në një gjuhë letrare të përbashkët pavarësisht se ku jetojmë dhe synojmë të realizojmë shtetin tonë kombëtar”.

M’ u bë qejfi, por nuk guxova t’i kërkoja ta lexonte librin e të shprehte ndonjë mendim me shkrim. Për disa shkrime, që ishin përfshirë aty. ai më kishte dërguar përgëzimet e veta përmes postës elektronike kur ia kisha dërguar për t’i lexuar para botimit, kurse vlerësimin përgjithësues për gjithë lëndën e librit e kishte bërë dishepulli i tij, i ndjeri Prof. Sadri Fetiu, vlerësim, që ishte botuar si parathënie e librit te f. 7-25.

Duke parë nga makina e shkrimit mbi tavolinë, e pyeta se sa kohë e kishte përdorur atë.

– Unë nuk bëra përpjekje për të përvetësuar kompjuterin dhe të gjitha shkrimet e mia i kam hartuar duke i shkruar me dorë, më sqaroi profesori dhe vijoi, pastaj duke kryer procesin e redaktimit i kam hedhur në këtë makinë e më tej ua kam dhënë redaktorëve e botuesve. Kjo makinë shkrimi, ka qenë dhe është shoku im i pandarë i punës. Eshtë e vjetër, i kam bërë vetëm disa riparime, nuk është elektrike, por ka punuar e punon mirë.

Desha të mos humbja më kohë me gjëra anësore, prandaj kalova te thelbi i dëshirës sime që më vlonte prej vitesh:

– “I dashur Profesor, shteti shqiptar ju ka shpallur juve dhe Ismail Kadarenë <NDER I KOMBIT>, por ju të dy, si ju kam thënë dhe më parë, zhvilluat një polemikë me sulme tepër të ashpër ndaj njëri tjetrit kur shprehët mendimet tuaj lidhur me identitetin e popullit tonë. Që atëhere deri sot ju nuk i flisni me gojë njëri tjetrit. Mospajtimi juaj mua e shumë të tjerëve na ka lënë shije të hidhur. Ky mospajtim është shprehje primitivizmi dhe dëshirojmë që ta kapërceni këtë ngëç”.

– “Unë e kam dashur Isamil Kadarenë si njeri, kam qenë për vizitë te shtëpia e tij në Tiranë dhe në Paris bashkë me kolegë të tjerë. Filloi ai. E kam dashur dhe vlerësuar edhe veprën e tij”, vijoi ai, “kam shkruar vlerësime shumë pozitive, por si studiues unë kam bërë dhe vërejtje e kitikat e mia. Polemika për karakterin e popullit tonë u shty përtej caqeve të lejon polemika. Unë kam qenv dakord që ta takoj Ismailin dhe t’ia japim dorën njvri tjetrit si miq e kolegë të vjetër, por ky rast nuk më është dhënë.

A do të jesh ti në ceremoninë e 50-vjetorit të Kongresit të Drejtshkrimit?” -Më pyeti në fund, si për të nënkuptuar se mund ta luaja unë rolin e një ndërmjetësi për t’i takuar para ceremonisë festive.

– “Jo”, iu përgjigja, “unë nuk besoj se do të ftohem dhe pasi të promovoj librin tim te Muzeu Historik Kombëtar, do të kthehem në SHBA”.

(Po shtoj këtu një parantezë, për të sqaruar se pasi u ktheva në Tiranë shkova më 4 tetor aty nga ora 10:00 paradite për të takuar Prof. Skënder Gjinushin, Kryetarin e Akademisë së Shkencave. E gjeta duke pirë kafe te Kafe Restorant TOPTANI karshi godinës së Akademisë. Ishte bashkë me prof. Shaban Sinanin. Ky më prezantoi. I thashë Prof. Gjinushit se kisha qenë në Prishtinë, ku kisha bërë një vizitë respekti te shtëpia e Profesorit Rexhep Qosja dhe ky gjatë bisedës më kishte thënë se para ceremonisë së 50-vjetorit të Kongresit te Drejtshkrimit, kishte dëshirë që të gjendej rasti për t’u takuar me Isamil Kadarenë. T’ia jepnin dorën njëri tjetrit si miq e kolegë të vjetër, në shenjë pajtimi…

Prof. Gjinushi më tha se do të ishte një gjest shumë i mirë, por kishte frikë se Isamili nuk do të pranonte të vinte në atë ceremoni. I thashë se ju si kryetar i Akademisë duhet të bëni çmos me anë të miqve tuaj e të Isamilit, që ky takim i dy korifejve të kulturës e letërsisë sonë të realizohet…)

Më tej, gjatë bisedës erdhi nipi i profesorit, gazetari Valjet Rexhepi, djali i vajzës së madhe, të cilin Prof. Rexhepi dhe bashkëshortja e tij e ndjera Shpresa, që ishta larguar 8 vjet më parë nga jeta, e kishin rritur që në moshën 5-vjeçare. Tani Valjeti jetonte në pjesën tjetër të shtëpisë bashkë me zonjën e vet dhe dy fëmijët.

Profesori më ftoi të vizitoja ambjentet e shtëpisë. Ngjitëm shkallët e drunjta anët e të cilave ishin mbushur me piktura të piktorëve shqiptarë të Kosovës e të Shqipërisë ku secili kishte shprehur emocionet e veta vlerësuese për Profesor Rexhepin duke e portretizuar fytyrën e tij në pozicione të ndryshme. Midis tyre në një format më të madh ishte fotografia me ngjyra e bashkëshortes së tij, një fytyrë e ëmbël dhe e bukur me flokë të verdha.

Te kati i dytë, në fillim u futëm në të djathtë. Ishte studioja. Një dhomë e gjatë e zbukuruar në tri anë të saj nga një bibliotekë me rafte të mbushura me libra nga dyshemeja deri afër tavanit. Pjesa e poshtme e bibliotekës përbëhej nga dollapë të mbyllur me kanata druri. Në anën e majtë të dhomës ishte vendosur një tavolinë pune. Në shpinë të në pjesën e mesit të rafteved ishin vendosur në dy rreshta 29 vëllimet e veprës së plotë të Rexhep Qosjes, të botuar këto vitet e fundit me kapakë në ngjyrë të zezë.

Rexhepi iu lut nipit të tij të sillte një kopje të librit “ÇËSHTJA SHQIPTARE Historia e Politika” Botim i Institutit Albanologjik të Prishtinës 1994, 364 f. Pasi e mori në dorë u ul dhe shkroi dedikim:

Kolegut dhe mikut tim të dashur Thanas Gjika, me nderimet më të larta dhe me urimet për shëndet të mirë dhe jetë të gjatë dhe suksese në krijimtarinë e tij të rëndësishme letrare, kritike letrare dhe publicistikë.

Prishtinë 3.10.2022.

(Firma)

Pasi e lexova dedikimin, i emocionuar e vura librin e tij në tavolinë në këmbë krahas librit tim “DISA KORRIGJIME NË SHËNIMET SQARUESE DHE HARTAT E DHIATËS SË RE, Botimet Jozef 2022, dedikimin e të cilit e kisha shkruar që në Tiranë. Rexhepi shtoi dhe një kopje të librit “REXHEP QOSJA FILOZOF, IDEOLOG DHE POLITIKAN I ÇËSHTJES KOMBËTARE” të autorit Kudusi Lama, Botim i Institutit Albanologjik i Prishtinës 2021, 725 f. Kjo vepër paraprihej nga një parathënie shkruar prej Prof. Hysen Matoshit dhe redaktuar prej Prof. Sadri Fetiut.

U mahnita me lëndën e gjerë dhe faktin se këtë vlerësim të rëndësishëm për pjesën politike, atdhetare e filozofike të Prof. Rexhep Qosjes e kishte bërë një studiues shqiptar ushtarak pa tituj e grada shkencore, ndonëse veprat e hartuara prej tij, që rendiste në kapakun e pasmë të librit tregonin për përgatitje të lartë ushtarake, politike, historike dhe filozofike.

Duke qëndruar në këmbë me bibliotekën mbas shpine dhe para tavolinës ku kishim vendosur tri librat tanë, Valjeti na bëri disa foto si kujtim. Më tej kaluam te dhoma bibliotekë përballë studios. Aty të gjitha faqet e mureve, me përjashtim të dritareve dhe derës ishin të mbushura deri afër tavanit me libra që kishte blerë, ose i ishin dhuruar profesorit, të cilat ky i kishte shfrytëzuar gjatë punës së tij.

Sasia e librave që ishin ekspozuar në faqet e studios dhe të bibliotekës së Prof. Rexhep Qosjes ishte shumë më e madhe se sasia e librave që kisha parë të ekspozuar te biblioteka dhe studioja e Prof. Dhimitër Shuteriqit nëTiranë dhe te shtëpia private e Prof. Jup Kastratit në Shkodër në vitet 1992-1994.

Biblioteka e Profesorit Rexhep Qosja, bashkë me dorëshkrimet dhe kopjet e daktilografuara të shkrimeve të tij përbën një nga pasuritë më të mëdha të trashëgimisë së shkencës e kulturës sonë kombëtare. Më mbeti merak që nuk e pyeta në se i ruante të gjitha dorëshkrimet dhe kopjet e daktilografuara të librave të tij në pjesët e poshtme të dollapëve të bibliotekës.

Valjeti kërkoi lejë të largohej, kurse ne zbritëm poshtë dhe pasi lamë duart u ulëm në tavolinë te dhoma e ngrënies, ku ishte shtruar dreka me supë, gjellë me gjokse pule e pure patatesh, ëmbëlsira, fruta dhe kos. Në vend të verës unë kërkova ujë me limon. Vera më krijonte gjendje gjumi pas buke, kurse unë doja që gjatë kthimit të shijoja pamjet e bukura të Prishtinës dhe të natyrës shqiptare deri në Tiranë.

Dhoma e ngrënies ishte e ndarë nga kuzhina me derë më vete. Ashtu si dhoma e pritjes edhe kjo dhomë shquhej për thjeshtësi. Nuk kishte orendi të tepërta dhe as zbukurime të varura nëpër mure. Në përgjithësi në mënyrën e jetesës, pasijet e shtëpisë dhe sjelljen e Profesor Rexhepit binin në sy thjeshtësia e malësorit tipik shqiptar. Edhe shëndeti i tij, trupi i gjatë e i drejtë, ishin po ashtu shëndet dhe trup tipik i malësorit shqiptar.

Biseda gjatë ngrënies së drekës nuk pati gjëra për t’u kujtuar…

Kur mbërrita në Tiranë, te apartamenti i sime motre, pasi bëra një dush, e mora në telefon profesorin. E njoftova se arrita shëndoshë mirë dhe e falenderova për pritjen e ngrohtë. Nga ana tjetër e receptorit dëgjova zërin e Profesor Qosjes, që më falenderoi për vizitën dhe shtoi: “Këto orë lexova disa nga shkrimet e tua. Të përgëzoj për sqarimin tepër bindës që i ke bërë vizitës e punës së Shën Palit në qytetin e Durrësit. Të uroj suksese në promovimin e librit tënd të ri!

Më përlqyen mjaft artikujt dhe do të përpiqem që t’i lexoj të gjitha shkrimet e tua.

Unë u përgjigja duke u gëlltitur: Ju faleminderit i dashur mentor, ju faleminderit. Uroj të kem rast e të vij të takohemi më gjatë vitin që vjen

Natën e mirë e të fala Valjetit.

– Natën e mirë e na gjettë shëndoshë viti i ardhshëm!

Me këto fjalë u mbyll biseda jonë…

Sot në prag të 87-vjetorit të Akad. Prof. Rexhep Qosjes, mund të them se në botën shqiptare nuk kemi një krijues e studiues shumdimensional të nivelit të tij, kurse krijues me vlera letrare e artistike të dimensioneve të Isamil Kadaresë kemi Visar Zhitin. Ky i konkuron me sukses nivelet letrare artistike të Kadaresë dhe përsa i përket vërtetësisë ideore dhe moralit, veprat e V. Zhitit qëndrojnë shumë më lart se veprat e I. Kadaresë.


Send this to a friend