VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

Në Kosovë përgjysmohet sipërfaqja e tokës së mbjellë me grurë

By | August 31, 2019

Komentet

Mesiç: Kufiri Kosovë – Serbi është i paprekshëm, nuk kishte arritur ta ndryshonte as Millosheviqi

Ish-presidenti i Kroacisë, Stipe Mesiç, në një intervistë për edicionin e DW-së në gjuhën polake, ka folur për zhvillimet në Ballkanin Perëndimor.

Mesiç ka thënë se problemi i Bosnje e Hercegovinës është një prej problemeve që duhet zgjidhur, pasi, sipas tij, është një prej problemeve më komplekse në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Mesiç ka kritikuar ndërkohë politikën e Beogradit karshi Bosnjës, pasi siç thotë ai, në njërën anë serbët deklarohet se e respektojnë një Bosnje e Hercegovinë të unifikuar, ndërkohë në të njëjtën kohë mbështesin politikat e Millorad Dodikut, i cili nuk e njeh si shtet Bosnjën.

Tutje ish-presidenti kroat ka folur edhe për paprekshmërinë e kufijve të shteteve në Ballkanin Perëndimor, duke theksuar faktin se të gjitha luftërat në Ballkan janë bërë për shkak të kufijve.

“Absolutisht. Të gjitha luftërat në Evropë kanë filluar për shkak të kufijve. Dhe të gjithë agresorët kanë gënjyer duke thënë se po tentojnë të mbrojnë minoritetet kombëtare në vendin tjetër. Sidoqoftë ata më pas pushtonin territore të popujve tjerë. Ata thjesht kanë gënjyer”, ka thënë Mesiç, transmeton Gazeta Express.

Teksa ka folur për regjimin e Sllobodan Millosheviqit, Mesiç ka thënë se presidenti famëkeq dëshironte një Serbi të Madhe etnikisht të pastër.

Por ish-presidenti kroat thotë se Millosheviq edhe përkundër ushtrisë së fuqishme që kishte nuk kishte mundur të ndryshonte asnjë milimetër kufijtë në mes të republikave të ish-Jugosllavisë dhe provincave.

“Pra kur Millosheviqi me ushtrinë e tij të fuqishme nuk arriti t’i ndryshonte kufijtë, askush nuk mund t’i ndryshojë ata as tani”, ka potencuar Mesiç, transmeton Gazeta Express.

Ish-presidenti kroat shton tutje se tendenca e Millosheviqit për krijimin e një “Serbie të Madhe” e të pastër etnikisht kishte shkaktuar persekutimin dhe spastrimin etnik të popujve tjerë joserbë të Ballkanit.

Teksa është pyetur për mundësinë e ndonjë shpërthimi të mundshëm në Ballkan, Mesiç ka thënë se nuk beson që situata është në atë fazë që mund të pritet diçka e tillë, duke ritheksuar si problematike, Republika Srpskan e Dodikut në Bosnje e Hercegovinë.

Intervista – Mathew Palmer: Kosova duhet të marrë kontrollin e fateve të veta

Mathew Palmer, i dërguar i posaçëm i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor i tha Zërit të Amerikës se administrata amerikane mbetet e angazhuar në Ballkan. Në një intervistë me korrespondenten e VOA pranë Departamentit amerikan të Shtetit Nike Ching, ai foli mbi përparësitë në detyrën e re si i dërguar i posaçëm, si dhe mbi pritshmëritë e SHBA për Shqipërinë, Kosovën, Serbinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Zëri i Amerikës: Cilat janë përparësitë politike në rolin tuaj të ri, duke pasur parasysh se ky është një pozicion i ri, i krijuar nën administratën e tanishme. A ka një rritje të interesit dhe angazhimit amerikan ndaj Ballkanit?

Matthew Palmer: Sigurisht, mendoj se vendimi i Sekretarit të Shtetit për të emëruar një përfaqësues të veçantë për Ballkanin Perëndimor tregon qartë dhe në mënyrë konkrete, angazhimin tonë për rajonin, angazhimin tonë për të qenë partner për rajonin dhe ambicien tonë për të ndihmuar rajonin, të zhvendoset më pranë bashkësisë perëndimore të kombeve. Prandaj, unë e shoh rolin tim si diçka që në fakt më mundëson të ndihmoj vendet e Ballkanit Perëndimor të përmbushin aspiratat e tyre për integrim evropian dhe euro-atlantik. Ne kemi shpresë se kjo fillon me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, duke u dhënë mundësinë për të hapur negociatat e anëtarësimit me Bashkimin Evropian. Ne gjithashtu dëshirojmë të shohim Serbinë dhe Kosovën, të kthehen në tryezën e bisedimeve dhe të arrijnë një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve mes tyre. Dhe, natyrisht, do të donim po ashtu që Bosnja dhe Hercegovina të vazhdojë procesin e reformës dhe të afrohet më shumë në rrugën e saj evropiane dhe euro-atlantike. Është një axhendë e madhe, ka shumë punë për të bërë, por unë jam i përkushtuar të qëndroj në partneritet të ngushtë me rajonin dhe t’i ndihmoj ato vende të ecin përpara.

Zëri i Amerikës: Siç e përmendët, nxitja e Kosovës dhe Serbisë për të rifilluar bisedimet është një nga përparësitë. Në ç’mënyrë?

Matthew Palmer: Mendoj se gjëja e parë që duhet të bëjmë është të presim derisa Kosova të zhvillojë zgjedhjet më 6 tetor. Pastaj do të ketë një proces të formimit të qeverisë. Ne do ta bëjmë të qartë pritshmërinë tonë se qeveria e ardhshme e Kosovës do të jetë një qeveri pro dialogut, e gatshme të pezullojë tarifat të cilat janë pengesë për rifillimin e procesit të dialogut, e gatshme të formojë një ekip negociator të fuqizuar si dhe e gatshme të angazhohet me Serbinë në tryezën e bisedimeve me seriozitetin e qëllimit për të arritur një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve. Shtetet e Bashkuara do të jenë me ta së bashku në çdo hap të këtij procesi, por Kosova duhet të marrë kontrollin e fateve të veta.

Zëri i Amerikës: Cila është pritshmëria juaj për zgjedhjet e 6 tetorit?

Matthew Palmer: Kjo varet në të vërtetë nga populli i Kosovës, por çfarëdo partie politike të dalë në krye, të jetë në gjendje të provojë për të formuar një koalicion, shpresojmë që ajo parti të lëvizë shpejt drejt formimit të qeverisë dhe drejt krijimit të një koalicioni të përkushtuar për të rihapur procesin e dialogut në mënyrë serioze.

Zëri i Amerikës: Siç e përmendët, pika më e vështirë duket se është, së pari tarifat e Kosovës ndaj importeve serbe dhe së dyti fushata diplomatike e Serbisë për të bllokuar njohjet e Kosovës. Çfarë do të bënte SHBA? Cilat janë zgjidhjet e mundshme?

Matthew Palmer: Ajo që ne do të dëshironim të shohim është që qeveria e ardhshme e Kosovës të pranojë se përparësia e saj është një marrëveshje normalizimi me Serbinë dhe që pezullimi i tarifave është pjesë e kësaj. Ne kemi shpresë që Serbia do të përgjigjej pas kësaj me disa stimuj nga ana e saj dhe që kjo të përfshinte pezullimin e mundshëm të fushatës për bllokimin e njohjeve. Dhe me këtë si bazë, pra me pezullimin e tarifave dhe fundin e fushatës për bllokimin e njohjeve, palët mund të kthehen në tryezën e bisedimeve në një atmosferë pozitive me vështrimin drejt arritjes së një marrëveshjeje.

Zëri i Amerikës: A do t’i rigjallëroni përpjekjet tuaja për t’i nxitur palët, siç është letra e përbashkët nga ju dhe Këshilli i Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, për t’i kërkuar Kosovës që të heqë tarifën prej 100 për qind, tani që në Shtëpinë e Bardhë do të jetë Këshilltari i ri i Sigurisë Kombëtare Robert O’Brien?

Matthew Palmer: Kur flas në emër të qeverisë amerikane, nuk flas thjesht në emër të Departamentit të Shtetit. Si Përfaqësues Special do të paraqes pozicionet e Shteteve të Bashkuara që përfshin Këshillin e Sigurisë Kombëtare, Zyrën e Sekretarit të Mbrojtjes. Ne flasim si qeveri amerikane me një zë të vetëm koherent dhe me një politikë të vetme. Kështu që, kur shkoj në Kosovë dhe takohem me zyrtarë të Kosovës, unë flas në emër të Shteteve të Bashkuara. Kjo presupozon se e gjithë qeveria amerikane qëndron prapa çdo gjëje që unë them.

Zëri i Amerikës: Nëse ngërçi vazhdon, a do të ketë kjo ndikim negativ në mbështetjen e SHBA për të ndihmuar integrimin e Kosovës dhe Serbisë në bashkësinë perëndimore?

Matthew Palmer: Ne mbetemi të përkushtuar për këtë, kjo është e rëndësishme për Shtetet e Bashkuara. Ne jemi të përgatitur të punojmë në partneritet me Beogradin, në partneritet me Prishtinën, në partneritet me autoritetet serbe, në partneritet me autoritetet në Kosovë për arritjen e këtij qëllimi dhe objektivi. Ne nuk mund ta bëjmë këtë vetë. Janë vetë palët që duhet ta udhëheqin këtë përpjekje. Ne duam një zgjidhje që të jetë në pronësi lokale, që të jetë e qëndrueshme, që të jetë e pranueshme tek të dyja palët. Një zgjidhje të cilën Shtetet e Bashkuara dhe të tjerët në bashkësinë ndërkombëtare të mund ta mbështesin. Ne jemi partnerë për ta në këtë proces, por janë ata që duhet të jenë në timon.

Zëri i Amerikës: Do të doja ta zhvendosja intervistën te Kina, pasi Kina po zgjeron nismën e saj Një Brez një Rrugë. Disa analistë thonë se investimet kineze në Ballkanin Perëndimor po marrin vrull. A është kjo diçka negative për ju kur ju flisni mbi përparësitë e politikës amerikane? Cili është ndikimi i kësaj në marrëdhëniet e SHBA me rajonin?

Matthew Palmer: Po. Ne e kuptojmë se vendet e Ballkanit Perëndimor janë të prirur të gjejnë marrëveshjet më të mira të mundshme për veten e tyre dhe publikun e tyre, kur përpiqen për projekte të mëdha infrastrukturore. Kjo është normale. Ajo që ne bëjmë është të përpiqemi të sigurojmë që loja të jetë e barabartë për të gjithë. Pra, që kompanitë amerikane, ndërmarrjet perëndimore të jenë në gjendje të konkurrojnë në mënyrë të drejtë për këto mundësi, kur ato shfaqen. Dhe ne po i inkurajojmë qeveritë në Ballkanin Perëndimor të shqyrtojnë në mënyrë të gjerë, nëse disa nga këto marrëveshje me Kinën janë vërtet në interesin e tyre. Dua të them që kemi parë në raste të tjera që lidhen me nismën Një Brez, Një Rrugë një lloj qasjeje grabitqare që i fut vendet në borxhe përmes këtyre programeve, ku shifrat që ofron Kina mund të duken shumë tërheqëse për qeverinë në fjalë, por kostot e mirëmbajtjes, mungesa e krijimit të vendeve të punës që kinezët sjellin bashkë me projektet, dhe më e rëndësishmja, ngarkesa e borxhit që ndikon në aftësinë e këtyre vendeve për të mirëmbajtur të mirat kapitale që ato marrin, në fakt krijojnë kosto afatgjata dhe pasoja që ato nuk i kanë menduar me aq kujdes. Pra, ekzistojnë konsiderata të sigurisë, ekzistojnë konsiderata financiare dhe çështje të marrëdhënies më të gjerë që këto vende do të donin të krijonin me korporata shumëkombëshe, të cilat duhet të faktorizohen në këto vendimmarrje.

Zëri i Amerikës: Sekretari i Shtetit Mike Pompeo shpesh i ka paralajmëruar aleatët në lidhje me rrezikun e përdorimit të firmës kineze HuaWei për rrjetet 5G. Ndërkohë Serbia po intensifikon bashkëpunimin e saj me Huawei-n. Si ua shpjegoni vendeve të tilla si Serbia, të cilat mund t’i shohin si më tërheqëse pajisjet apo paketat financiare kineze?

Matthew Palmer: Ajo që ne u kërkojmë njerëzve të bëjnë është të marrin në konsideratë tërësinë e çështjes. Sigurisht, diçka si infrastruktura e telekomit është çështje e sigurisë kombëtare, po aq sa është një investim financiar nga ana e qeverive në fjalë. Por a duan ata vërtet të angazhohen për të bërë biznes me një kompani që ka demonstruar se nuk është e sigurt? Ne inkurajojmë Serbinë dhe vendet e tjera në Ballkanin Perëndimor, që ato t’i japin përparësi sigurisë së rrjeteve të tyre, përveç përparësisë që i japin faktit se sa tërheqëse janë paketat financiare që u ofrohen.

Palmer për Shqipërinë: SHBA nuk zgjedhin fitues dhe humbës në lojën politike

Zëri i Amerikës: Të flasim për Shqipërinë, ku ndaj kryeministrit të tanishëm ka shumë kritika. Ç’mendim keni për situatën politike në Shqipëri?

Matthew Palmer: Ne do të donim që ngërçi i tanishëm politik në Shqipëri të zgjidhej. Ne kemi një partneritet të mirë e të ngushtë me qeverinë aktuale të Shqipërisë ashtu siç kemi pasur një partneritet të mirë e të ngushtë me qeverinë e mëparshme. Shtetet e Bashkuara nuk zgjedhin fitues dhe humbës në lojën politike, askund, dhe veçanërisht në Ballkanin Perëndimor, ku jam duke u përpjekur të bëj punën time. Ne punojmë me qeveritë që dalin përmes zgjedhjeve demokratike. Ne i kuptojmë dëshirat e opozitës për të parë zbatimin e reformave dhe e mbështesim qëllimin e reformave. OSBE-ja ka bërë rekomandime shumë specifike në lidhje me reformën zgjedhore në Shqipëri. Ne do të dëshironim të shihnim një dialog midis qeverisë dhe opozitës për këto reforma, dhe, kur kjo marrëveshje të arrihet, do të dëshironim që zgjedhjet e ardhshme të zhvillohen mbi këtë bazë. Ndërkohë, është e rëndësishme që Shqipëria të krijojë një Gjykatë Kushtetuese në mënyrë që ajo të gjykojë mosmarrëveshjet që do të lindnin në sferën politike. Por, mbi të gjitha, dhe kjo është shumë e rëndësishme, populli i Shqipërisë mund të mbështetet tek miqësia dhe partneriteti me Shtetet e Bashkuara. Aleatët tanë, partnerët tanë janë Shqipëria dhe populli shqiptar. Politika është politikë, por marrëdhënia midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë është e fortë dhe e qëndrueshme.

Zëri i Amerikës: Përsa i përket Maqedonisë së Veriut, cilat janë hapat konkretë me të cilat Shtetet e Bashkuara mund ta ndihmojnë Maqedoninë e Veriut të integrohet në bashkësinë perëndimore?

Matthew Palmer: Ne kemi shumë shpresë që Maqedonia e Veriut do të fillojë negociatat për anëtarësim, pas mbledhjes së Këshillit Evropian më 16 tetor. Ne besojmë se qeveria në Maqedoninë e Veriut e ka kaluar këtë kriter, madje shumë herë. Në fakt, Komisioni Evropian ka rekomanduar hapjen e negociatave të pranimit me Shkupin për nëntë ose 10 vitet e fundit me radhë. Pra, ne e kemi bërë të qartë këtë qëndrim tek partnerët tanë evropianë. Ne mendojmë se do të ishte jashtëzakonisht e dobishme. Natyrisht, Maqedonia e Veriut, mund ta ndihmonte çështjen e saj duke vazhduar të ndjekë axhendën e reformës, duke zbatuar ligjin e ri për prokurorinë speciale. Konsultimet dhe bisedimet e tyre për këtë çështje në Shkup janë duke vazhduar. Ne do të dëshironim që të bashkëpunonim me qeverinë e Maqedonisë së Veriut në mbështetje të axhendës së reformës dhe dëshirojmë ta ndihmojmë vendin të ecë përpara. Ne gjithashtu kemi shpresë se Maqedonia e Veriut do të ecë përpara në rrugën e NATO-s dhe se mund të shohim që Maqedonia e Veriut të bëhet vendi i 30-të anëtar i NATO-s qysh në dhjetor, nëse gjërat ecin mirë.

Zëri i Amerikës: Ju keni punuar më parë me Këshilltarin e ri të Sigurisë Kombëtare, Robert O’Brien. A keni diçka për të ndarë me ne? A shihni se një njoftim i tillë do të jetë një gjë e mirë për politikën e ardhshme të SHBA ndaj Ballkanit Perëndimor?

Matthew Palmer: Robert O’Brien është një profesionist i rrallë. Ai ka qenë një partner i shkëlqyer për mua dhe zyrën time për një numër çështjesh të rëndësishme dhe unë e uroj që u ngrit në postin e këshilltarit të sigurisë kombëtare. Jam i sigurt se ai do të bëjë një punë të shkëlqyer. Marrëdhënia jonë midis Departamentit të Shtetit dhe Këshillit të Sigurisë Kombëtare për Ballkanin Perëndimor ka qenë gjithmonë shumë e ngushtë dhe bashkëpunuese. Ne i kuptojmë gjërat në të njëjtën mënyrë. Ne punojmë shumë ngushtë në drejtim të formësimit dhe zbatimit të politikës. Unë pres që kjo të vazhdojë nën Këshilltarin e ri të Sigurisë Kombëtare.

Zëri i Amerikës: Ju faleminderit.

Shqipëria, Korea e Veriut e Europës Nga Christoph Dieckmann

 

Historiani gjerman: Enver Hoxha e shndërroi Shqipërinë në vend invalid, por për krimet e regjimit të tij s’flet askush, as nuk dënohet askush

 

Së fundi kanë qëndruar për vizitë në Shqipëri 20 shkencëtarë gjermanë, të cilët merren me trajtimin e së kaluarës. Qëllimi i vizitës ka qenë që me palën shqiptare të krijohen kontakte për bashkëpunim. Shkencëtarët kanë vizituar kampet e internimit në Spaç dhe Tepelenë, kanë qëndruar në Shkodër dhe kanë diskutuar me të mbijetuar të diktaturës së Enver Hoxhës. Pas kësaj vizite historiani Christoph Dieckmann ka shkruar një tekst të gjatë në gazetën DIE ZEIT të Hamburgut mbi historinë e Shqipërisë në shekullin e XX dhe trajtimin e së kaluarës komuniste – ose thënë më mirë: mungesën e gatishmërisë për të trajtuar krimet e komunizimit.

 

Dieckmann përshkruan fillimisht një vizitë në Spaç, dikur minierë e bakrit dhe qendër e kampit më të tmerrshëm të shfarosjes të ndërtuar më 1968 nga regjimi i Enver Hoxhës. Dieckmann e quan Spaçin «kamp përqendrimi». Në minierën e Spaçit punonin 1400 të burgosur. Më 1973 dhe 1985 në Spaç u shtypën dy kryengritje të të burgosurve. Shtatë udhëheqës të revoltës u vranë. Në vitin 1990 kampi u mbyll, më 2009 qeveria vendosi që në Spaç të hapë një muze. As sot e kësaj dite ky muze nuk është hapur. Fabian Kati, njëri nga të burgosurit në Spaç, thotë se shoqëria shqiptare nuk e sheh të domosdoshme të merret me trajtimin e diktaturës komuniste. Përse ishte dërguar në burgun e Spaçit Fabian Kati? Sepse me një antenë «kundërrevolucionare kishte dëgjuar pop-muzikë», e cila nga regjimi konsiderohej armike e klasave. Kati kishte përkthyer edhe tekste të këngëve, ky ishte mëkati i tij i radhës.

 

Historiani gjerman Christoph Dieckmann citon ish të burgosur të cilët thonë se një e treta e shqiptarëve janë përndjekur nga regjimi, Spaçi ka qenë Auschwitzi ynë, thotë një tjetër, dhe njëri shton: Auschwitzi u çlirua pas tri vitesh, Spaçi tek pas disa dekadave. Dieckmann përshkruan me ton telegrafik vërtitjen e Shqipërisë komuniste nga aleanca me Bashkimin Sovjetik te thellimi i raporteve me Kinën. Më 22 nëntor 1967 Radio Tirana njoftoi se Shqipëria ishte shpallur shteti i parë ateist në botë. 2035 objekte kulti u shkatërruan apo iu ndërrua destinimi, dinjitarët fetarë u vranë apo internuan, lutjet dënoheshin me masa drakonike. Mes alpeve shqiptare dhe Detit Jon u ndërtuan 173 mijë bunkerë. Shërbimi sekret Sigurimi nuk ndalej së zbuluari armiqtë klasorë, më 17 dhjetor 1981 kryeministri Mehmet Shehu u gjet i vdekur në shtratin e tij. «Kur vdiq Enver Hoxha më 1985, ai la pas vetes një vend invalid, krejtësisht të izoluar. Pas autokratit pushtetin e mori zëvendësi i tij Ramiz Alia, pas diktaturës personale erdhi oligarkia partiake», shkruan Dieckmann.

 

Pushkatimi i Nikolai Çausheskut dhe gruas së tij në Rumani më 1989 i frikësoi komunistët shqiptarë, të cilët lejuan themelimin e partive politike. Më 1990 u themelua Partia Demokratike. Dieckmann shkruan: «Demokratët e rinj nuk kishin një Havel apo një Valensë. Ata nuk rridhnin nga skena e disidentëve, as nga lëvizja sindikale, as nga kisha e distancuar nga regjimi, as nga grupi i kuadrove të ekzilit. Të gjithë vinin nga sistemi i mbyllur, të gjithë ishin edukuar në frymën komuniste. Ky është totalitarizëm. Sot të dy partitë funksionojnë si sisteme klanore dhe klienteliste. Në Shqipëri qarkullon një maksimë: të majtit janë më të djathtë se të djathtit dhe e kundërta».

 

Historiani gjerman Christoph Dieckmann tregon hollësisht vrasjen e murgeshës Marije Tuci. Ajo vdiq më 1950, ishte 22-vjeçare – vdiq për shkak se refuzoi të shtrihet në shtrat me shefin lokal të Sigurimit. Marije Tucin e futën në një thes, bashkë me një mace të egër, dhe e mbytën duke e goditur me shufra. Ajo sot është martire e kishës, martirë janë edhe 36 priftërinj dhe një imam. Vetëm në Shkodër regjimi burgosi 2890 njerëz, 601 i vrau, 136 vdiqën nga torturat. Në Shqipërinë diktatoriale u vranë 6000 njerëz. Pjerin Mirdita, i cili drejton një qendër memoriale në Shkodër, thotë se vrasësit e kohës së diktaturës as nuk përmenden, as nuk ndiqen penalisht. Nga vullneti i arsimtarëve varet nëse ata e tematizojnë diktaturën e Hoxhës në shkolla. Sipas Pjerin Mirditës shumë njerëz në Shqipëri kanë qejf të flasin për të arriturat e vendit në periudhën e Luftës së ftohtë. Pleqtë duan të harrojnë.

 

Rrugës për në Tepelenë, shkruan Dieckmann, shihen gra me shami të bardha duke punuar arat, burra me gomarë duke medituar, djem mbi mure duke përshëndetur me dorë, minare dhe një pikë karburanti, ku mes pastës së dhëmbëve dhe marmelatës së fikut gjenden CD me këngë që e lavdërojnë Enver Hoxhën. Tepelena, sipas historianit gjerman: para muzeut një përmendore e Ali Pashë Tepelenës, në muze kiç partizan, përfshirë një dhomë në kujtim të diktatorit Hoxha. Një pikturë revolucionare e paraqet atë duke e edukuar popullin, lart mbi luginë dhe lumë. Në Tepelenë Simon Mirakaj tregon historinë e tij: si u internua si fëmijë në kampin e Tepelenës, si pa dhe përjetoi vuajtje, vaj e vdekje – dhe Ilda Themeli, përkthyesja e shkencëtarëve gjermanë, kërkon një pauzë, sepse duhet të qajë.

 

Shumica e të internuarve në Tepelenë nuk kanë marrë asnjë dëmshpërblim, nuk ka dokumente për kampin e Tepelenës, s’ka as fotografi, ekzistojnë vetëm disa vizatime dhe tregime të të burgosurve. «Arkivi i diktaturës së Shqipërisë janë kujtimet e familjeve. Organizatat e viktimave punojnë të ndara në rajone, janë të fragmentuara, nuk janë të lidhura me njëra-tjetrën. Nuk ka diskurs kombëtar mbi diktaturën ose konsenzus mbi historinë», shkruan Dieckmann.

Në fund të vizitës Dieckmann flet edhe në emër të kolegëve të tij gjermanë, kur thotë: jemi të tronditur kur shohim se deri më sot në Shqipëri autoriteti i dosjeve të Sigurimit ka përpunuar dhe miratuar vetëm 1500 kërkesa për zbardhjen e dosjeve. Ligjin përkatës e ka miratuar qeveria socialiste e Edi Ramës, opozita demokrate nuk ka votuar, shoqatat e viktimave e quajnë ligjin «demagogji». Shqipëria, shkruan Dieckmann, është planet tjetër, s’mund të krahasohet me Gjermaninë e cila pas bashkimit është ballafaquar me të kaluarën komuniste të Gjermanisë Lindore./Përktheu Enver Robelli

 

 

Arba Kokalari zgjidhet zv.presidente e PE-së për Partitë Popullore

“Arba Kokalari zgjidhet zëvendëspresidente e Parlamentit Europian për Partitë Popullore. Në profilin e saj publik në rrjetet sociale, ajo ka njoftuar se do të jetë gjithashtu raportuesja përgjegjëse që do të udhëheqë punën e BE-së për Stambollin”, ka shkruar Majko në Facebook.

Arba Kokalari, 32 vjeçe nën programin e partisë “Moderata” arriti të hynte në PE, duke u bërë e para shqiptare që ulet në këtë parlament, përcjell albinfo.ch.

Ajo ka lindur në Tiranë më 27 nëntor 1986, më pas bashkë me prindërit, motrën dhe vëllain emigruan drejt Suedisë. Arba është mbesa e Musine Kokalarit, vajzës së bukur me beretë të bardhë, jeta e të cilës u shkatërrua nga sistemi komunist.

Musine Kokalari është ndër disidentet e para gra ndaj sistemit komunist që në vitin ’46. Ajo botoi librin e saj të parë “Seç më thotë nëna plakë” në vitin 1939. Më pas në ’43-shin ajo botoi gazetën “Zëri i Lirisë”. Më 23 janar të vitit 1946 ajo u arrestua nga forcat e Mbrojtjes së Popullit e gjyqi e dënoi me 20 vjet burgim. Në vitin 1961, e nxjerrin nga burgu dhe e internuan në Rrëshen për 22 vjet të tjera, ku dhe doli në pension me gjysmë page. Në vitin 1981 u sëmur me kancer dhe dy vjet më vonë u largua përgjithmonë nga jeta. Asaj nuk iu dha as mundësia për t’u kuruar në spitalin onkologjik.

Gjykata e Apelit konfirmon dënimet për grupin e Kumanovës

“Lagja e Trimave” në Kumanovë. Maj, 2015.
Isuf Kadriu

Gjykata e Apelit në Shkup ka konfirmuar vendimin e Gjykatës Themelore për grupin e njohur si i Kumanovës, i cili më 2 nëntor 2017 ishte dënuar me 746 vjet burgim. Për veprën terrorizëm ishin dënuar gjithsej 37 persona, shumica shtetas të Kosovës, të cilën ishin shpallur fajtorë për ngjarjet e 9 dhe 10 majit të vitit 2015 në ‘Lagjen e Trimave’, në Kumanovë.

Gjatë luftimeve që kishin zgjatur dy ditë ishin vrarë 8 pjesëtarë të forcave policore dhe 10 pjesëtarë të grupit të armatosur. Shtatë pjesëtarë të grupit ishin dënuar me burg të përjetshëm, 13 janë dënuar me nga 40 vjet burg, derisa 6 prej 37 të akuzuarve janë dënuar me nga 20 vjet burg. Të akuzuarit e tjerët janë dënuar me nga 18 vjet e më poshtë.

Pjesëtarët e grupit, gjatë procesit të gjatë gjyqësor kanë hedhur poshtë akuzat për terrorizëm, duke theksuar se në ‘Lagjen e Trimave’ në Kumanovë, kishin shkuar për t’i tërhequr vërejtjen autoriteteve maqedonase, për siç kanë thënë, “mosrealizimin e drejtave të shqiptarëve” sipas asaj që ishte paraparë në Marrëveshjen e Ohrit.

Pjesëtarët e grupit dhe pala mbrojtëse ka kërkuar hetim ndërkombëtar, ndërsa ka përsëritur qëndrimet se rasti ka qenë i orkestruar nga qeveria e kaluar për të shpërqendruar vëmendjen nga skandalet, me të cilat përballej ajo, në veçanti me aferën e përgjimeve dhe raste tjera.

Nga Qeveria e Maqedonisë së Veriut kanë thënë se mbeten në qëndrimin mbi nevojën e zbardhjes së këtij rasti dhe se pasi të ketë një epilog gjyqësor, do të mund të inkuadrohen ekspertët ndërkombëtarë.

Kryeministri në largim i Kosovës, Ramush Haradinaj në një prononcim për media kishte kërkuar që grupi të ekstradohet në Kosovë për vuajtjen e dënimit më burg. Pas vërtetimit të dënimit, pala mbrojtëse ka të drejtën e ankimimit të vendimit të Apelit në Gjykatën Supreme.

Von der Leyen e mbron idenë e “Mënyrës Evropiane të Jetesës”

Presidentja e zgjedhur e Komisionit Evropian, Urusla von del Leyen, e mbrojti vendimin e saj për të emëruar në mesin e anëtarëve të rinj të KE-së një zyrtar përgjegjës për, siç thuhet, Mbrojtjen e Mënyrës Evropiane të Jetesës, edhe pse kritikët e cilësuan këtë si slogan të ekstremit të djathtë.

Von der Leyen reagoi pasi udhëheqësja e ekstremit të djathtë në Francë, Marine Le Pen, e cilësoi emërimin e ri si “fitore ideologjike”.

Von der Leyen postoi në Twitter një pjesë nga Traktati i Lisbonës, i cili thotë se Bashkimi Evropian është i bazuar në vlera që përfshijnë respektimin e dinjitetit njerëzor, lirinë, demokracinë, barazinë, sundimin e ligjit dhe të drejtat e njeriut.

“Mënyra evropiane e jetesës gjithashtu nënkupton të dëgjoni dhe debatoni me njëri-tjetrin për të gjetur zgjidhje për të mirën e përbashkët. Kjo është ajo që unë dua që ne të bëjmë së bashku”, tha ajo.

Von der Leyen e emëroi grekun Margaritis Schinas, ish-anëtar i Parlamentit Evropian, komisionar për Mbrojtjen e Mënyrës Evropiane të Jetesës.

Ekipi i saj do të marrë detyrën më 1 nëntor.

Nis viti i ri shkollor, në banka sot 100 mijë nxënës më pak se vjet. 24 mijë vogëlushë, për herë të parë

Ky vit i ri shkollor do të gjejë jo vetëm më pak shkolla, pas reformës së nisur vjet për mbylljen e klasave kolektive, por edhe më pak nxënës.

 

Janë jo pak, por 100 mijë minus krahasuar me vitin e kaluar. Sipas shifrave të Ministrisë së Arsimit, në arsimin parauniversitar (arsim bazë-gjimnaz) do të shkollohen 380 mijë nxënës, nga 480 mijë që ishin vitin 2018-2019.

Nga këta, pjesa më e madhe, 272 mijë, janë pjesë e ciklit të ulët, ose sistemit bazë të detyruar 9-vjeçar, ndërsa 90 mijë futen në gjimnaz. Për herë të parë, në bankat e shkollës do të hyjnë 24 mijë nxënës, të cilët futen në klasën e parë.

Edhe këtu, shifrat e raportuara nga dikasteri i arsimit flasin për tetë mijë nxënës më pak. Rënia e lindshmërisë ndër vite dhe emigrimi shikohen si dy arsyet kryesore të rrudhjes së numrit të nxënësve që frekuentojnë shkollën.

Ndryshe nga vitet e kaluara, ku vogëlushët urohen me anë të një videomesazhi nga numri 1 i arsimit, ministrja Besa Shahini ka zgjedhur të urojë drejtpërdrejt sot nxënësit për rrugëtimin e ri shkollor 2019-2020.

Për arsimin bazë, mësimi përfundon më 12 qershor, ndërsa matura një javë më herët. Ndërsa pushimet e shumëpritura të dimrit do të zgjasin dy javë, nga 21 dhjetori deri më 5 janar 2020.

Digjet 1 hektar ullishte në Elbasan, policia dyshon për zjarrëvënie të qëllimshme

Digjet 1 hektar ullishtë gjatë natës në Samurr të Elbasanit. Burime zyrtare konfirmuan për gazetarin e ‘News24’ dhe ‘BalkanWeb’ Fatmir Popja se vatra e zjarrit u shfaq rreth orës 22:00 dhe u izolua rreth orës 01:30 të mëngjesit të kësaj të diele. Për shuarjen e flakëve u aktivizuan 13 punonjës të shërbimit zjarrfikës të Elbasanit dhe dhjetra banorë të zonës. Zjarri pati përhapje me shpejtësi në një sipërfaqe mjaft të madhe duke shkaktuar dëme të konsiderueshme. Dyshohet se zjarri ka qenë i qëllimshëm, ndërsa policia po heton për të identifikuar autorët dhe kapjen e tyre.

Pandeli Majkos i bëj ftesë që mos të shkelë në Zvicër se është non grata! Nga Elida Buçpapaj

Më datën 26 korrik një autor i respektuar në diasporë na dërgoi një ftesë ku lexohej se Shoqata Kulturore Bashkimi në Uster të Zvicrës lajmëronte mbajtjen e Panairit të Librit Diaspora 2019 dhe ftonte shtëpitë botuese dhe krijuesit nga Europa të bëheshin pjesë! Vura pikëçuditëse në fund të fjalisë pararendëse për të shprehur habi, sepse pronarët e Shtëpive Botuese e dinë shumë mirë se çfarë do të thotë të organizosh një panair libri! Por, megjithatë, kur është fjala për përhapjen e librit shqip në diasporë, hiperbolat janë të lejueshme.

Në pamjen e parë, ftesa ishte e thatë. Nuk orientohej askush, si, qysh e tek, vetëm thuhej se në datën aq e në orën kaq hapej Panairi i Librit Diaspora 2019.

Duke patur shumë respekt për kolegun, nuk paragjykova asgjë.

Diaspora shqiptare në Zvicer deri në vdekjen e Rugovës ka qenë shembull i shkëlqyer i organizimit të komunitetit. Megjithë traumën e vitit të mbrapshtë 1997 dhe konfliktit në Kosovë 1998/1999 që u reflektua në Zvicër me ringjalljen e celulave staliniste/enveriste/thaçiste, komuniteti ia kishte dalë të mbetej pothuaj solid.

Vdekja e Rugovës dhe kalimi i LDK në krah të Hashim Thaçit pëmbysi gjithçka për mbrapsht dhe sot diaspora shqiptare në Zvicër është shembulli më i shëmtuar i çorganizimit, nën drejtimin e politikave antikombëtare nga shteti amë dhe Kosova si dhe zëdhëndësave te tyre ambasadat, të cilat përfaqesohen përgjithësisht nga anonimë, të zgjedhur të politikës me skeletë në sirtarë dhe shërbëtorë të regjur të regjimeve të Edi Ramës, Hashim Thaçit & Co.

Nëse diaspora shqiptare në Zvicër do të qe open- minded dhe e organizuar në vetvete, komuniteti shqiptar në Konfederatën Helvetike do të duhej të protestonte përpara dyerve të ambasadave përkatëse, sepse në vendet e prejardhjes shqiptarët vuajnë mungesën e shtetit të së drejtës, varfërinë, padrejtësinë, papunësinë, korrupsionin dhe pasojat e një shteti që i ka lënë carta bianca mafies dhe botës së nëntokës.

Komuniteti shqiptar në diasporë sikur shqiptarët që jetojnë në shtetin amë e Kosovë kanë mbetur të paralizuar dhe mosveprues edhe kur janë dëshmitarë se ka stanjacion dhe asnjë vend nuk njeh prej vitesh shtetin e pavarur të Kosovës apo kur në Shqipëri është instaluar një narkoshtet! As amerikanët, as francezët, as italianët, as kroatët dhe asnjë komb në Perëndim nuk ka pritur që t’i çlirojnë të tjerët apo t’jua dhurojnë demokracinë në tabaka të tjerët!

Nëse diaspora shqiptare në Zvicër është për të qarë hallin, fajin e ka politika e Tiranës dhe Prishtinës me portavocet e tyre, por fajtor është edhe vetë komuniteti me indiferencën dhe papērgjegjshmerinë e vet.

Por le të kthehemi tek ftesa. Kolegu më 24 gusht komunikoi direkt dhe më dha disa sqarime. Nuk e paragjykova, dhe nga dëshira e mirë e prita me gëzim dhe naivitet.

Duke patur parasysh se të dy me Skënderin vitet e fundit kemi dhjetë botime plus librat e tim eti poetit Vehbi Skënderi, i qava hallin kolegut për transportin e tyre deri afër Zürichut ku do të mbahej aktiviteti dhe ai më premtoi se do të gjenin mjet për t’i çuar aty.

Të gjithë jemi dëshmitare të rrëmbimit pa pikë meritokracie të projekteve e fondeve publike nga gojët e pangopura klienteliste apo nepotike. Në këtë krizë identiteti, kur shqiptarët nuk kanë mecenatë që mbështesin zhvillimin e kulturës,  janë të mirëpritura iniciativat e shoqatave apo të individëve, që të japin kontribute në të mirë të interesit të përbashkët.

Si shembull të shkëlqyer në Zvicër po kujtoj periudhën e 3 % apo sot Shoqatën e Sali Çekajt që kontribuon në Kosovë, që i jep Kosovës pa e rrjepur, ndryshe nga të tjerët që zhvatin, sepse imitojnë politikën.

Zvicra ka qenë model brilant i aktiviteteve kulturore të komunitetit shqiptar edhe kur Kosova përjetonte pushtimin e egër. Shqiptarët e Kosovës e kanë patur të edukuar dashurinë për kulturën, për poezinë dhe poetët, ndryshe nga në Shqipëri, ku diktatura i persekutonte dhe vriste poetët.

Me këtë rast duhet të nënvizoj rolin e rëndësishëm që luajti LDK në Zvicër prej 1989 pasi Ibrahim Rugova dhe rrethi që krijoi këtë formacion politik si lëvizje kombetare për çlirim ishte vetë shkrimtar, dijetar dhe njeri i letrave. Edhe nën pushtim shkrimtarët dhe poetët e Kosovës ftoheshin në Zvicer nga komuniteti që organizonte mbrëmje dhe orë poetike ku lexohej poezi dhe bliheshin libra. Tek poezia e Mekulit, e Din Mehmetit e me rradhë shqiptarët e Kosoves zbulonin alfabetin e mbijetesës. Në mbrëmje të tilla në Zvicër kemi patur fatin të takoheshim me Ali Podrimjen, Azem Shkrelin etj.

Në Zvicër, Gjenevë e kishte selinë Ministria e Informimit që drejtohej nga ministri për Informim Xhafer Shatri një figurë e shkëlqyer e diasporës, ku mbulohej informimi dhe i tregohej Perëndimit për monstruozitetet e regjimit pushtues, që kishte mbyllur shkollat, Universitetin, që i kishte nxjerrë gjithë intelektualët në rrugë të madhe.

Në Zvicër gëlonin aktivitetet e komunitetit, këtu mikpritej Ibrahim Rugova dhe gjithë personalitetet që ishin pjesë e institucioneve të Kosovës. Këtu mikpriteshin figura të elitës dhe politikës nga të gjitha trevat shqiptare!

Këtu në Zvicër komuniteti ishte i gjallë, vital, sakrifikonte, kontribuonte, ishte solidar.

Këtu në Zvicër zjente dëshira dhe vullneti për të ndryshuar fatin e kombit për të mirë.

Këtu nga Zvicra u nis Agim Ramadani me shokë për të çliruar Kosovën.

Këtu në Zvicër, Zürich e kishte selinë qendrore gazeta më e madhe shqiptare e asaj kohe, Bota Sot, me një tirazh që botohej deri në 200 mijë kopje në ditë dhe shpërndahej në të gjithë Europën, SHBA, Kosovë, një kohë edhe Maqedoni,  një primat i paarritur kurrë nga ndonjë media në historinë mbi njëqindvjeçare të shtypit shqiptar.

Por prej vdekjes të Rugovës kjo kulturë e bukur u zhduk. Ambasadat filluan të promovonin nepër selitë e tyre antivlerat, antikulturën që t’i përdornin pastaj si detashmente të injorancës.

Në Zvicër u shua përkohësisht ajo frymë e bukur dhe e gjallë e komunitetit!

Politika defaktorizoi komunitetin që me remitancat mban gjall frymën e jetës në Kosovë!

Them përkohësisht sepse shqiptarët nuk mund t’i sundojë kurrë më e keqja shqiptare!

Aq më pak shqiptarët në Zvicër dhe në Perëndim, sepse ata tashmë janë vetë të identifikuar me Europën dhe Perëndimin!

Nga klima e keqe e Tiranës dhe Prishtinës nuk ka shpëtuar as vetë komuniteti i autoreve dhe artistëve shqiptarë në Zvicër, të cilët më së shumti të angazhuar me impenjimet e tyre profesionale kanë preferuar të qendrojnë larg moçalit që me kohë është kthyer në kënetë të instrumentalizuar nga mafia politike.

Pse e quaj mafie politike?

Disa kohë më parë në Zvicër erdhi Ilir Enver Hoxha që të promovonte librat e tij dhe te Nexhmije Hoxhës! I ftuar nga segmente të komunitetit shqiptar! Ilir Enver Hoxha nuk është distancuar nga vepra kriminale e prindërve dhe nuk u ka kërkuar ndjesë shqiptarëve.

Prandaj them mafie politike!

Për deri sa politika shqiptare me prejardhje komuniste përmes zëdhēnësve të saj këtu në Zvicër që janë ambasadat vijon e ndjek politika armiqësore kundër palës të cilën e kishte shpallur armik Enver Hoxha, ndërsa i biri i diktatorit ftohet dhe shet librat që i bëjnë jehonë regjimit kriminal!

Kjo është mafia politike e inkriminuar që shpërdor pushtetin politik dhe abuzon me taksat e qytetarëve për të arritur qëllimet që bien ndesh unitetit kombëtar të një vendi që si anëtar i NATO-s do të duhej të paktën të garantonte pluralizmin dhe shtetin demokratik.

I bëj këto paranteza si të nevojshme dhe rikthehem tek Panairi i Librit i Diasporës 2019.

Në vijim të bisedës i thashë kolegut të nderuar që të na jepte hollësi me qëllim pasqyrimin e aktivitetit. Hollësitë nisin zakonisht nga sponsorët. Këtu në Zvicër pēr të gjitha eventet paraprakisht publikohen sponsorët që i mbulojnë financiarisht, pra transparenca është alfa e demokracisë, që zakonisht në aktivitetet shqiptare mbulohen me terr.

Kolegu në vijim të komunikimit më tha se kish konfirmuar praninë e saj zonja Elena Kocaqi, një emër shumë i nderuar, që ai e merrte me mend se do ta prisja shumë mirë. Mrekulli ia ktheva. I kemi dërguar ftesa, shtoi, ministrive përkatëse të diasporës, ambasadorëve, Toenës… Po Onufrit e pyeta. I bëjmë më tha. Ok, i thashë, shumë mirë. Por ama sipas modelit zviceran që miku kur ftohet, do të thotë se i paguhet udhetimi dhe bujtja. Do ta bisedoj me z.Vaxhid Sejdiu, një nga organizatorët, më tha. Kush është e pyeta, se nuk e njoh. Magjistër dhe mësues i shkollës shqipe. Nuk vonoi ma dërgoi ftesën pēr Onufrin, duke premtuar pagesën pēr bujtjen por jo udhëtimin. Ishte një komunikim shumë korrekt deri në fund nga ana e bashkëbiseduesit. Deri këtu gjithçka në rregull.

Por kur më dërgoi programin, m’u hapēn sytë dhe pashë se Panairi i Librit Diaspora 2019 ishte vetēm një show në shërbim të politikave të pista zyrtare dhe në dëm të interesave të diasporës dhe autorëve të saj.

Pse do të thoni ju?

Sepse i gjithë programi ishte ndërtuar në funksion të atyre që ishin vendosur nga lart, jo nga Zoti, por nga mafia politike. Me stilin e njohur, shkrimtari i partisë, shtëpia botuese e partisë, panairi i librit i partisë…

Panairi i Librit Diaspora 2019 hapej me fjalimin e Pandeli Majkos, vijonte me fjalimin e ministrit të diasporës të Kosovës, pastaj e merrte fjalën Ilir Gjoni, pastaj ambasadorja e Kosoves, pastaj Toena ( e orientuar majtas) bënte prezantimin e bibliotekës të saj, pastaj, shoqata Mergimi do të përfaqësohej nje ore nga Bardhyl Mahmuti, pastaj prezantohej Qendra e Botimeve për Diasporën, një zyrë qeveritare që akaparonte fonde për t’i shpërndarë sipas shijes të Edi Ramës. Në panair nuk kishte asnjë hapësirë për autorët shqiptarë në Zvicër, as për shtëpitë e tjera botuese që mund të vinin, sepse panairi fillonte me ta dhe mbaronte me ta. Ndërsa prania e Prof.Elena Kocaqi, një emër shumë i nderuar, ishte “koka e turkut”.

Kur lexova programin, iu riktheva realitetit të egër që sundon në Shqipëri e Kosovë, të cilin politika e ndyrë shqiptare e ka mbjellë edhe në Zvicër.

Por ky bar i keq nuk ka shanse të mbijetojë në një tokë ku rritet bari i lirisë dhe shteti i së drejtës.

Duke hulumtuar pashë se organizatori i Panairit Diaspora 2019, si mësues i shkollës shqipe mbështetej nga Ambasda e Shqipërisë në Berne, ndërkohë që kishte mosaprovim nga LAPSH-I, një organizëm i krijuar në Zvicër prej 30 vitesh nga komuniteti! Do të më vinte shumë mirë nëse kjo Ambasadë do të përdorte autoritetin e shtetit në mënyrë të barabartë e të drejtë për të gjithë anëtarët e komunitetit dhe mos vijonte luftën e klasave.

Jemi tre krijues në familjen tonë, rast shumë i veçantë. Ambasada e Shqipërisë në Zvicër prej 1997 na ka trajtuar si armiq të klasës, sikur dikur baballarët e tyre. Jemi profesionistë të natyralizuar që kemi arritur të integrohemi në Konfederatën Helvetike në menyrë shumë dinjitoze me punë dhe integritet.

Si gazetarë dhe krijues, që prej gati një çerek shekulli nga Zvicra japim kontributin tonë në shtypin shqiptar të diasporës në të mirë të interesit kombëtar dhe integrimeve shqiptare euroatlantike, duke i denoncuar politikat antikombëtare që përçon politika dhe diplomacia shqiptare e unifikuar në të keqen e saj, si në shtetin amë ashtu edhe në Kosovë. Përfaqësuesit politikë të diplomacisë shqiptare në Zvicër kanë ndjekur kundër nesh politikën kriminale të injorimit. Me kallashnikovët e injorimit, kanë zëvendësuar luftën e klasave, burgjet dhe persekutimin.

Janë shkelës të ligjit. Si të tillë janë kriminelë!

Në Zvicër prehen eshtrat e tim eti, poetit Vehbi Skënderi, që ka vuajtur i gjallë dhe i vdekur mizoritë e diktaturës dhe të postdiktaturës, të etërve dhe bijve! Do të ishte normale që shoqatat kulturore të vendosnin një buqetë lule në varrin e tij në një ditë lindje apo përvjetor vdekje! Të njëjtën gjë do të duhej të bënin edhe diplomatët shqiptarë nëse do të kishin format Perëndimor, sepse kush do Perëndimin, do kombin e vet dhe poetët  !

E persekutojnë tim atë edhe në varr, por nga parajsa nuk e heqin dot, as ferrin e tyre nuk e shmangin dot!

Mizoria e tyre është e frikëshme, por nuk të frikëson, përkundrazi të mbush me dëshirën për drejtësi dhe sikur thotë Albert Camus vetë ekzistenca ime është një akt rebelimi kundër padrejtësisë!

Ata janë shpërdorues pushteti dhe shkelës të lirisë . Si të tillë i kap ligji. Sepse janë kundër civilizimit, kundër rilindjes së kombit, kundër iluminizmit, humanizmit, shtetit të së drejtës dhe të drejtave themelore të njeriut.

Ata e kanë çuar në gijotinë kriterin e meritokracisë, sepse duke qenë mediokër, e duan gjithçka për vete për gjithmonë dhe asgjë për të tjerë! Por këto privilegje ua jep vetëm shteti antiligjor!

Duke u kthyer tek Panairi i Librit i Diasporës 2019 natyrisht që nuk pranuam të ishim pjesë e skenarëve të pistë, të profiterëve të politikës që nuk i lejon shqiptarët të zgjedhin librat sipas shijes së tyre.

Gjithashtu i ftoj shqiptarët që ta bojkotojnë Panairin e Librit Diaspora 2019 sepse organizuesit kanë përdorur kriterin politik që është përçarës dhe bie ndesh me pluralizmin dhe multikulturalizmin që përfaqëson Zvicra dhe demokracia, ndërsa Pandeli Majkos, këtij politikani parazit që ka 27 vjet që riciklohet por nuk ka arritur kurrë të konvertohet, i bëj ftesë që mos të shkelë në Zvicër se është non grata!

Amerikanët shënojnë përvjetorin e sulmeve të 11 shtatorit

Amerikanët po shënojnë të mërkurën 18 vjetorin e sulmeve terroriste të 11 shtatorit të vitit 2001, që lanë pas vetes rreth 3 mijë të vrarë në New York, Virginia dhe në Pennsylvania.

Presidenti Donald Trump, do të nderojë viktimat me një minutë heshtje në Shtëpinë e Bardhë, para se të marrë pjesë në një ceremoni në Pentagon për familjet e atyre që u vranë kur terroristët e al-Qaidas përplasën mbi ndërtesë një avion të rrëmbyer.

Në New York, qindra të mbijetuar dhe familjarë të atyre që u vranë, do të mblidhen në vendin ku ngriheshin kullat binjake të Qendrës Botërore të Tregtisë, para se të rrëzoheshin nga goditjet e dy avionëve të udhëtarëve të rrëmbyer nga al-Qaida.

Nënpresidenti Mike Pence, pritet të marrë pjesë në një ceremoni në Shanksville të Pennsylvanias, afër vendit ku avioni i United Airlines u rrëzua, pasi që udhëtarët e morën nën kontroll nga terroristët që e kishin rrëmbyer.

Nëntëmbëdhjetë burra të lidhur me al-Qaida i kryen rrëmbimet.

Sulmi më vdekjeprurës në truallin amerikan, pas atij në Pearl Harbor në vitin 1941, ndryshoi përgjithmonë botëkuptimin e Amerikës për sigurinë dhe nxitën presidentin e atëhershëm George W. Bush t’i shpallë luftë terrorizmit dhe të pushtojë Afganistanin.

Forcat e koalicionit të drejtuara nga Shtetet e Bashkuara rrezuan talebanët nga pushteti në Afganistan, por konflikti ende po vazhdon duke u shndërruar në luftën më të gjatë amerikane. Përfaqësuesit e Shteteve të Bashkuara dhe talebanët kanë zhvilluar kohët e fundit bisedime për paqen, por derisa hollësitë e një marrëveshjeje të mundshme po bëheshin publike, presidenti Donald Trump anuloi takimet e planifikuara me talebanët dhe zyrtarë afganë, për shkak të sulmeve të vazhdueshme të talebanëve në Kabul.

Shtetet e Bashkuara këkruan udhëheqësin e al-Qaidas Osama bin Laden për vite me ardhë pas sulmeve dhe në maj të vitit 2001 forcat amerikane bastisën një kompleks në Abbottabod të Pakistanit ku e vranë atë.

Zëri i Amerikës: Kosova kujton 11 shtatorin (video)

Një pllakë përkujtimore me mbishkrimin “Kosova kujton” u ngrit të mërkurën në qendër të Prishtinës në nderim të viktimave të sulmeve terroriste të 11 shtatorit të vitit 2001 në Shtetet e Bashkuara.

Kryeministri në largim i Kosovës, Ramush Haradinaj, tha gjatë ceremonisë së zbulimit të pllakës se “sot 18 vjet më parë edhe Kosova e përjetoi rëndë sulmin mbi institucionet, mbi popullin, mbi miqtë tanë, mbi njerëzit e Amerikës. Kosova kujton çdo vit në këtë datë të rënët, martirët e kësaj dite dhe njëkohësisht bashkëndjen me Amerikën”.

Ambasadori amerikan në Kosovë, Philip Kosnett, tha se amerikanët nuk ishin viktimat e vetme dhe njerëz nga 77 shtete u vranë në këto sulme. “Ky ishte vërtetë një sulm ndaj qytetërimit”, tha ambasadori Kosnett.

“Amerika gjithmonë do të kujtojë ndihmën nga e gjithë bota dhe përgjigja e miqve tanë nga Kosova ishte e menjëhershme dhe e sinqertë. Pas sulmit në Kosovë njerëzit mblidheshin që të parakalonin dhe mbështesnin Amerikën me ndezjen e qirinjve, dhurimin e gjakut, madje disa qytetarë të Kosovës dolën vullnetarë që t’i bashkohen ushtrisë amerikane që të luftojnë në luftën globale kundër terrorizmit. Kjo mbështetje e përzemërt, spontane, është një konfirmim i një lidhjeje të thellë në mes të qytetarëve të Shteteve të Bashkuara dhe qytetarëve të Kosovës. Ky partneritet tejkalon çdo parti politike ose udhëheqës individual”, tha ambasadori Kosnett.

Të mërkurën u mbushën 18 vjet nga sulmet terroriste në Shtetet e Bashkuara që kanë pas vetes mbi 3 mijë të vrarë. Përgjegjësinë për sulmet e mori përsipër atëbotë rrjeti terrorist, Al Qaida.

Çdo vit, 11 shtatori shënohet në forma të ndryshme në Kosovë, ku roli i Shteteve të Bashkuara vlerësohet i pazëvendësueshëm në procesin e çlirimit dhe pavarësimit të Kosovës por edhe për proceset e ardhshme politike në Kosovë përfshirë edhe atë të integrimeve euroatlantike.

Prishtinë: Përkujtohen viktimat e sulmeve terroriste të 11 shtatorit

Memoriali në SHBA për viktimat të 11 shtatorit të vitit 2001.

Në Prishtinë janë përkujtuar viktimat e sulmeve terroriste që ndodhën me 11 shtator të vitit 2001 në SHBA.

Në kujtim të viktimave në oborrin e Qeverisë së Kosovës është inauguruar Memoriali “Kosova kujton”.

Në ceremoni, kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj tha se “akti terrorist në Nju Jork të SHBA-së ishte goditje ndaj institucioneve dhe popullit amerikan, ndaj vlerave të lirisë dhe demokracisë, mbi miqtë tanë dhe ne”.

Haradinaj tha se Kosova bashkëndjenë me SHBA-në dhe kujtimin për të rënët e kësaj dite do ta kthejë në traditë institucionale për çdo vit.

Në përurimin të memorialit ishte edhe ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Philip Kosnett, i cili tha se sulmet e 11 shtatorit të vitit 2001 ishin sulme ndaj gjithë njerëzimit.

“Amerikanët nuk ishin viktimat e vetme. Njerëz nga 77 shtete u vranë në këto sulme. Ky ishte vërtetë një sulm ndaj civilizimit”, tha Kosnett.

Në sulmet e 11 shtatorit të vitit 2001 humbën jetën rreth tre mijë persona ndërsa u lënduan rreth gjashtëmijë të tjerë. Përgjegjësinë për sulmet e kishte marrë rrjeti terrorist, Al Kaida.