VOAL

VOAL

Ne duhet të jemi të gatshëm për të luftuar – Nga Aurel Dasareti*

February 8, 2016

Komentet

MITINGU I POZISË NË GJAKOVË PARA SHUARJES!- Nga JUSUF BUXHOVI

-Sot kur do të duhej të mbahej Mitingu i 62-të, nuk kurrëfarë shenjash nga organizatorët, që emblema e identitetit tonë kulturor-lerar të vazhdojë!
Në paraditën e dhjetë nëntorit të vitit 1964, në Parkut e Qytetit në Gjakovës, para nxënësve të shkollave të mesme të qytetit dhe qytetarëve të shumtë, një grup i shkrimtarëve të rinj nga klubi i sapoformuar letrar “Gjon Nikollë Kazazi”,nën drejtimin e poetit të njohur Din Mehmeti dhe në praninë e poetit Enver Gjerqeku, hapën Mitingun e parë të Poezisë.
Ishte ky fillimi i një manifestimi letrar i komunikimit me dashamirët e letërsisë në një formë të hapur. Si i tillë, me kyçjen në bashkëorganizim të Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës dhe të Bashkësisë së Kulturës, mori mbikëqyrjen institucionale-shtetërore. Kjo u pasqyrua kur mitingu kaloi nën patronatin e Fadil Hoxhës, asokohe anëtar i Kryesisë së RSFJ-së dhe të KQ të LKJ-së, i pranishëm në mbrëmjet qendrore të mitingut me kreun më të lartë politik dhe kulturor të Kosovës. Tretmani i tillë i Mitingut, bëri që pas tri vitesh të kthehet në një manifestim që tubonte poetë dhe shkrimtarë të njohur nga të gjitha viset e ish Jugosllavisë. Pak më vonë, me pjesmarrjën e shkrimtarëve të njohur botërorë, edhe fitues të çmimit Nobel, Mitingu mori edhe karakter ndërkombëtar. Me kalimin e kohës, krahas aktiviteve në në hapësirat e pallatit të kulturës “Asim Vokshi”, ato u shtrinë edhe me orët letrare nëpër shkollat fillore të qytetit dhe përreth si dhe me orën letare në Junik.
Festa e poezisë, siç quhej Mitingu i Gjakovës, vazhdoi edhe pas rrënimit të autonomisë së Kosovës në mars të vitit 1989, kur Serbia filloi të qëllojë të gjitha shtyllat e identietit tonë institucional dhe kulturor.
Edhe asokohe, Mitingu i Poezisë ruajti karakterin e tij kulturor. Kësaj i ndihmoi fakti se dr. Ibrahim Rugova ishte Kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës dhe njëherësh president i Kosovës. Kështu, nën përkujdesjen e vazhdueshme të dr. Rugovës manifestim u mbajt edhe në rrethanat e pushtimit dhe të represionit më të egër serb. Madje, nga viti 1991, Mitingu i Poezisë në Gjakovë, fiton edhe karakrerin kombëtar, meqë për herë të parë morën pjesë shkrimtarë nga Shqipëria (Besnik Mustafaj dhe Xhevahir Spahiu), rrugë kjo që do të vazhdojë me përfshirjen në rrezën e Mitingut edhe të Tropojës dhe pjesëve të tjera të Malësisë së Gjakovës.
Mitingu vazhdoi edhe pas çlirimit të Kosovës, por më kohë u vërejt një tërheqje e institucioneve qendrore nga organizimi dhe financimi i veprimtarisë së manifestimit. Kjo ndikoi, që Mitingu, viteve të fundit të zbehet deri në atë masë, saqë edhe mbajtja e mitingut të gjendet buzë shuarjes, siç ndodhi këtë vit me anashkalimin e tij, me çka ëmblema e fundit e identitetit tonë kulturor-letrar, akulturimit tonë, në rrethanat e shtetit, do t’ia jepte edhe një argument më tepër!
(Në foto, disa nga pjesëmarrësit e Mitingut të Parë të Poezisë në Gjakovë më 10.11.1964: Din Mehmeti, Enver Gjerqeku, Jusuf Buxhovi, Ali Olloni, Nexhmedin Soba, Hasan Hasani, H. Hagjosaj, N. Vula, Bujar Rexha, Mazllom Saneja, Bajram Rama …)

NDARJET ADMINISTRATIVE QË RREZIKOJNË COPËTIMIN E HAPËSIRËS ETNIKE SHQIPTARE NË MAL TË ZI – Nga XHELADIN ZENELI

Dihet tashmë se si trevat shqiptare në Mal të Zi mbeten jashtë trungut etnik shqiptar me vendimet famëkeqe të Kongresit të Berlinit në vitin 1878 dhe me ate të Konferencës së Ambasadorëve ne Londër në vitin 1913.
Që nga ajo kohë,dhe pas aneksimit të tyre, trevat shqiptare kanë vazhduar të  parcijalizohen, nga regjimet e ndyshme, brenda Malit të Zi.Për dekada, shqiptarët janë përballur me ndarje administrative që kanë ndikuar në dobësimin e lidhjeve të natyrshme midis vendbanimeve të tyre.
Sipas të dhënave zyrtare të regjistrimit të vitit 2023, shqiptarët përbëjnë 4.97% të popullsisë së Malit të Zi në nivel shteti, ndërsa Ulqini dhe Tuzi  mbeten dy qendrat kryesore të popullsisë shqiptare. Përveç këtyre dy komunave shqiptarët janë prezent dhe kanë rrënjë historike gjithashtu edhe në Komunën e Tivarit (Kraja), Plavës, Gucis  dhe ate të  Rozhajës.
Shqiptarët në Mal të Zi janë përballur dhe vazhdojnë të përballen me emigrimin, boshatisjen e vendbanimeve dhe dobësimin gradual të përdorimit të gjuhës si dhe asimilim kombëtar në disa zona ku ata gravitojnë si etni autoktone.Kur këtyre proceseve u shtohet edhe fragmentimi administrativ, atëherë pasojat mund të jenë edhe më të thella.
Çështja e organizimit territorial  lidhet drejtpërdrejt me mënyrën se si ruhet ose dobësohet kompaktësia demografike, territoriale dhe kulturore e shqiptarëve në trojet e tyre historike.Sepse kufijtë administrativë nuk janë thjesht vija në hartë. Ata përcaktojnë qendrat politike, ekonomike dhe institucionale me të cilat lidhen vendbanimet. Për një popullatë numerikisht të vogël, si shqiptarët në Mal të Zi, mënyra se si organizohet territori mund të ketë pasoja afatgjata.Prandaj për shqiptarët  duhet të jetë me e rëndësishme nëse një vendbanim shqiptar lidhet administrativisht me një komunë ku shqiptarët janë shumicë se sa me një komunë ku shqiptarët përbëjnë pakicë. Shembulli më i mirë i kësaj është treva e Krajës për të cilën do të bëhet fjalë më gjërë, më poshtë.
Pasojat e ndarjeve administrative të trojeve shqiptare në Mal të Zi ngrisin shqetësime serioze për ruajtjen e identitetit kombëtar, gjuhësor dhe kulturor të shqiptarëve. Bashkëngjitja e vendbanimeve me shumicë shqiptare në komunat e dominuara nga popullsia sllave  ka ndikuar në shkëputjen e lidhjeve të tyre territoriale, politike dhe institucionale me qendrat shqiptare.Kjo krijon  kushte për asimilim gradual dhe çkombëtarizim, duke e vështirësuar përfaqësimin politik, zhvillimin institucional dhe ruajtjen e identitetit kombëtar të shqiptarëve .

Ndryshimet territoriale dhe administrative që ndikuan në copëtimin e kompaktsisë etnike shqiptare

Viti 1957 shënon një kthesë të rëndësishme në organizimin territorial të Republikës Popullore të Malit të Zi, në kuadër të Jugosllavisë socialiste. Reforma e asaj kohe ndryshoi mënyrën e organizimit të pushtetit lokal, duke shkrirë një numër të madh komunash të vogla dhe duke përqendruar kompetencat në komuna më të mëdha.
Për historinë e trevave shqiptare, kjo periudhë është veçanërisht e rëndësishme për të kuptuar ndryshimet në organizimin administrativ të Krajës, Anës së Malit, Ulqinit dhe Tivarit. Çfarë ndryshoi në vitin 1957?
Para reformës se këtij viti, ekzistonin shumë komuna lokale, përfshirë komuna të organizuara rreth vendbanimeve dhe krahinave tradicionale. Reforma e vitit 1957 e zvogëloi ndjeshëm numrin e tyre, deri në një sistem prej 20 komunash. Si pasojë e këtij riorganizimi të zonave administartive
ish-rrethi i Tivarit u nda në komunat e Tivarit dhe të Ulqinit, dhe në këtë proces, Ostrosi (Kraja) ishte një ndër njësitë administrative që humbën statusin e mëparshëm dhe u përfshinë në komunën e Tivarit*.

Procesi i ndarjes territoriale të shqiptarëve në Mal të Zi vazhdon edhe gjatë sistemit pluralist

Parcijalizimi i trevave shqiptare ka qenë gjithëmonë skenar dhe strategji e regjimeve të ndryshme në Mal të Zi.Fatëkeqësisht këto skenare të  ndarjes administrative dhe parcializimit te kompaktësisë territorriale të  vendbanimeve etno-gjeografike shqiptare, vazhdojnë edhe pas rënies së sistemit monist, pra gjatë kohës së Malit të Zi të ashtuquajtur demokratik. Shembulli më i mirë për këtë është Gucia e cila në emër të ligjit të atëhershëm për organizimin territorial në Mal të Zi, të vitit 2013 këtij vendbnimi iu dha statusi i komunës në vehte edhe përkundër faktit se Gucia,si në aspektin historik ashtu edhe ate etno-gjeografik, gjithëmonë ka qënë  pjesë e një territori kompakt me Plavën.Në vend që kjo hapësirë të shihet si një tërësi e përbashkët territoriale me lidhje të forta gjuhësore , kulturore  dhe historike, pas këtyre ndryshimeve, nga perspektiva e shqiptarëve, ajo është sot si një mozaik i fragmentuar administrativ.

Kraja- një hapësirë e lidhur natyrshëm me Anën e Malin dhe Ulqinin

Në këtë kontekst,pra në kontekstin e ndarjeve administartive, duhet parë edhe kërkesa, kohë më parë, e Forumit Shqiptar për krijimin e ‘komunës urbane të Krajës’ në kuadër të Komunës së Tivarit.Kjo kërkesë meriton një debat të hapur brenda faktorit politik dhe shoqëror shqiptar, sepse një organizim i tillë,mund të prodhojë efekt të kundërt me interesin e ruajtjes së homogjenitetit dhe kompaktësisë territoriale shqiptare.
Kjo është arsyeja pse debati për Krajën si ‘komunë urbane’ eventuale e Tivarit,  duhet të trajtohet sipas tezës se asaj se a po ndërtohet një organizim territorial që forcon apo dobëson pozitën kolektive të shqiptarëve në këtë hapësirë?
Nëse qëllimi është forcimi i pozitës së shqiptarëve, atëherë duhet të shqyrtohen të gjitha alternativat: lidhja administrative me Ulqinin, një status i veçantë brenda strukturës ekzistuese, apo forma të tjera të vetëqeverisjes lokale që garantojnë zhvillimin dhe ruajtjen e identitetit të Krajës.Por një gjë është e qartë: çdo zgjidhje që e largon Krajën nga hapësira natyrore politike, ekonomike dhe shoqërore shqiptare e Ulqinit duhet të analizohet me shumë kujdes.
Pra pyetja që nuk mund ti shmangemi dot është se pse Kraja duhet të jetë njësi administrative e Tivarit, kur lidhjet e saj historike, gjeografike dhe kombëtare e afrojnë natyrshëm me Ulqinin?Kraja është një hapësirë shqiptare me lidhje të fuqishme historike, kulturore dhe shoqërore me trevat e Komunës së Ulqinit. Çështja e Krajës nuk duhet të përdoret vetëm si instrument i politikës ditore.Duhet të bëhet një debat i dokumentuar mbi historinë, demografinë, gjeografinë dhe nevojat reale të popullsisë.Duhet të krahasohen modelet administrative të së kaluarës me realitetin e sotëm dhe të dëgjohet drejtpërdrejt zëri i banorëve të Krajës.Pra,në vend që Kraja të mbetet objekt i vendimeve të marra nga qendra të tjera administrative, debati duhet të përqendrohet tek vetë banorët e saj.
Gjatë 36 viteve te pluralizmit politik në Mal të Zi, nuk ka pasur asnjë kerkesë zyrtare nga asnjë subjekt politik shqiptar lidhur me ate që Kraja si njësi administrative ti bashkohet Komunës së Ulqinit.Pse lidhja me Ulqinin meriton të rishikohet?
Siç e përmendëm edhe më lart, Kraja ka lidhje historike, familjare, ekonomike dhe kulturore me Ulqinin dhe në veçanti me Anën e Malit.Është  e padrejtë të shkëputësh administrativisht një hapësirë të tillë nga qendra shqiptare më e afërt dhe ta vendosësh në një strukturë tjetër administrative.Pikërisht për këtë arsye, çështja e statusit administrativ të Krajës meriton të hapet si një debat serioz publik dhe institucional: a është më logjike që Kraja të vazhdojë të jetë e lidhur administrativisht me Tivarin, qoftë kjo edhe përmes të ashtuquajturës ‘komunë urbane, apo lidhjet e saj natyrore me Ulqinin duhet të marrin një rëndësi më të madhe në një reformë të ardhshme territoriale?. Mendoj se lidhjet e Krajës me Ulqinin duhet të jenë një nga alternativat kryesore.

Nga parcializimi drejt një strategjie të përbashkët

Është koha që faktori politik shqiptar në Mal të Zi të ketë një strategji kombëtare shqiptare për organizimin territorial, e cila do të përfshijë të gjitha hapësirat ku shqiptarët kanë prani historike dhe janë autokton në trevat e tyre që sot administrohen nga Mali i Zi. Sepse nëse secila zonë trajtohet e shkëputur nga tjetra, atëherë humbet kuptimi i tërësisë.Një popull i vogël nuk e ka  luksin e politikës së copëzuar.Do të ishte politikisht naivitet të mos analizohet efekti afatgjatë i çdo ndryshimi territorial mbi strukturën demografike, politike dhe institucionale të shqiptarëve.
Prandaj, politika shqiptare duhet të ketë një strategji të qartë për popullin e vet,zhvillimin ekonomik, arsimin në gjuhën shqipe, infrastrukturën, forcimin e institucioneve lokale dhe lidhjet e natyrshme ndërmjet vendbanimeve shqiptare dhe me këtë edhe ruajtjen e identitetit dhe qënies së tyre kombëtare.

Xheladin Zeneli
Nëntor 2026

Referencat:
*Arkivi Shtetëror i Malit të Zi – Fondet arkivore të Ulqinit
*Studim akademik – Historia e formimit të komunave në Mal të Zi

Pasivizimi i adresave të shqiptarëve në Serbi – Sfidë për të drejtat kombëtare dhe test i përgjegjësisë parlamentare – Nga REFIK HASANI

Unifikimi për të garuar me një listë të përbashkët përmes “Koalicionit Shqiptar”, si dhe mbajtja e zgjedhjeve për Parlamentin e Serbisë më 25 tetor të muajit të kaluar, përbëjnë një zhvillim të rëndësishëm.

 

 

Megjithatë, bazuar në rezultatet përfundimtare të shpallura dje nga Komisioni Republikan i Zgjedhjeve, rezultati i arritur përfaqëson një realitet konkret politik, i cili, ndonëse është i qartë dhe i konfirmuar zyrtarisht, nuk përputhet plotësisht me pritshmëritë paraprake.

 

U arrit ky rezultat pasi u siguruan dy ulëse, përkatësisht dy mandate deputetësh, në legjislaturën e re të Parlamentit të Serbisë.

Ajo që do të duhej shpërfaqur në këtë trajtim, është se pasivizimi i adresave përmes ushtrimit shtetëror sistematik të një spastrimi etnik-diskriminimi, ku janë hequr votuesit me të drejtë vote edhe nga regjistrat e votuesve.

Si pasojë e heqjes, fshirjes së adresave të quajtur si pasivizim, janë prodhuar efekte administrative, demografike, politike tepër të dëmshme diskriminuese ndaj shqiptarëve etnikë dhe autoktonë në Serbi.

Dhe në zgjedhjet parlamentare në Serbi, të mbajtura më 25 tetor, pati drejtpërdrejtë që së paku dy deputetë nuk arritën të marrin vota, pasi të gjithë të pasivizuarit shqiptarë janë hequr nga regjistrat e votuesve.

Përmes pasivizimit të adresave janë veprime administrative sistematike dhe se heqja e të drejtës së votës, duke tjetërsuar kështu strukturën demografike dhe elektorale në Krahinën e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit.

Humbja, cenimi i të drejtave elementare individuale dhe kolektive të neve shqiptarëve, mohimi në përfaqësim, kështu Serbia po zbaton pa zhurmë dhe krejt në heshtje një strategji të qartë dhe me veprime konkrete po arrin të shpopullojë zyrtarisht Rajonin e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit.

Mendohet se çdo i 4-ti shqiptar, si shtetas i Serbisë, që i përket nacionalitetit shqiptar nga Komuna e Preshevës, Medvegjës dhe Komuna e Bujanocit, është i pasivizuar. Ose, e shprehur në shifra, mbi 25 mijë qytetarë shqiptarë mbeten të pasivizuar nga adresat e tyre.

Si pasojë e gjithë këtij spastrimi etnik, apo, më saktë, diskriminimit që quhet pasivizim, bazuar në hulumtimin dhe në Ligjin mbi vendbanimin dhe vendqëndrimin (“Gazeta Zyrtare e RS”), nr. 87/2011, i cili po vazhdon të zbatohet në mënyrë selektive dhe diskriminuese, duke targetuar vetëm shqiptarët në Serbi.

Pasivizimi drejtpërdrejt ka kontribuar në dobësimin demografik, politik dhe institucional të shqiptarëve, ka privuar nga mundësia e pjesëmarrjes në jetën publike dhe politike, ka për qëllim të reduktojë ndikimin e shqiptarëve etnikë dhe autoktonë në Serbi.

Dy deputetët shqiptarë nga “Koalicioni Shqiptar”, në Parlamentin e Serbisë, është domosdoshmëri e kohës që, me prioritete, të adresojnë pyetje parlamentare me shkrim, që në seancat e para të kësaj legjislature, në formën e interpelancës, për të kërkuar sqarime, informacione apo llogaridhënie, drejtuar Ministrisë përkatëse dhe Kryeministrit.

Se sa është numri i të pasivizuarve, përmes një liste në gjithë Serbinë, por edhe krahasimet me nacionalitete të tjera jo shqiptare në komunat e Serbisë.

Deputetët shqiptarë kanë obligim nga votuesit që të ngrenë alarmin, duke njoftuar e sinjalizuar, dhe do të duhej të ndërmerrnin veprime emergjente, duke kërkuar, insistuar dhe këmbëngulur edhe në ngritjen e një Komisioni të ngarkuar për hetimin e pasivizimit.

Por edhe të ndalojnë menjëherë këto praktika diskriminuese dhe të ofrojnë mundësi për hetime të pavarura dhe transparente, duke siguruar dhe garantuar pasqyrimin e numrit të saktë të qytetarëve të pasivizuar, si dhe rikthimin e të gjitha adresave të pasivizuara të shqiptarëve në Serbi.

Qeveria e re e Republikës së Serbisë duhet të sigurojë që të gjitha procedurat administrative të jenë transparente, të kontrollueshme dhe të zbatohen njësoj ndaj të gjithë qytetarëve, pa dallim të përkatësisë etnike.

Do të duhej të reflektonte dhe të ndërronte narrativat dhe diskursin që kishte ndjekur e udhëhequr pushteti i hekurt nga Aleksandër Vuçiqi.

Është përgjegjëse për ndalimin e pasivizimit të adresave, eliminimin e praktikave diskriminuese dhe garantimin e të drejtave themelore të shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc.

Jo vetëm nga deputetët e kësaj legjislature, por se pasivizimi duhet t’i nënshtrohet një kontrolli të plotë dhe të paanshëm të ligjshmërisë, proporcionalitetit, transparencës, monitorimit ndërkombëtar dhe mosdiskriminimit.

Lista studentore drejt pushtetit në Serbi mund të konsiderohet shpresë për ndaljen e diskriminimit ndaj shqiptarëve dhe demokratizimin e vetë Serbisë.

Një Ese me vlera të jashtëzakonshme për shoqërinë shqiptare- Nga Prof. dr. ESHREF YMERI

 

 

       Para pak ditësh, lexova Esenë e Prof.dr. Fatmir Terziut, me titull “Mashtrimi i suksesit: Shqipëria përballë kultit të pasurisë, pushtetit dhe dukjes (Një leksion filozofik mbi dallimin ndërmjet suksesit të vërtetë dhe iluzionit të tij në shoqërinë shqiptare)”.

       Në këndvështrimin e një lexuesi objektiv, kjo Ese ka vlerat e një leksioni edukativ, i cili duhet t’u rekomandohet pedagogëve të sociologjisë, për ta trajtuar me studentët si temë leksioni në auditoret e universiteteve. Kjo Ese madje mund të shërbejë edhe si temë për mbrojtjen e një doktorate.

Në themel të kësaj Eseje është fasada dhe realiteti. Me fjalën “fasadë”, duhet nënkuptuar një arritje e rëndësishme, e cila, siç e thekson bukur mirë profesori erudit Terziu, “një ditë paraqitet si pasuri e shpejtë, një ditë tjetër si një post i lartë, një tjetër si… një fotografi pranë një personi të rëndësishëm…”.

Le të kujtojmë për një çast fotografinë e Ramës me Barak Obamën disa vjet më parë. Për atë fotografi Rama pati paguar 80 mijë dollarë, me të vetmen arsye, që, gjatë fushatës zgjedhore, t’ua tundte shqiptarëve para hundës, për ta reklamuar veten si një figurë “shumë të rëndësishme” politike.

Kësisoj, Profesor Terziu e ka vënë theksin në një plagë të rëndë, e cila po e gërryen përbrenda pa pushim shoqërinë shqiptare, plagë kjo me emrin dualizëm, çka do të thotë: në qenien e njeriut bashkekzistojnë dy dukuri të papërputhshme ose të kundërta me njëra tjetrën. Ky dualizëm, në figurën e politikanëve, bëhet shumë i rrezikshëm për shoqërinë.

Vetvetiu lind pyetja:

Kush janë politikanë të tillë?

Sigurisht, ata që gëzojnë pasuri, të siguruar nëpërmjet ushtrimit të pushtetit dhe jo nëpërmjet punës së ndershme. Të tillë politikanë e manifestojnë haptazi dualizmin e vet: në dukje, e reklamojnë veten si gardianë të ligjit, por që, në të vërtetë, janë dhunuesit e pamëshirshëm të tij.

Le të ndalemi në një rast konkret.

Arjan Konomi është opinionist, shkrimtar, gazetar dhe aktivist politik.

Në një informacion, të botuar në internet kohë më parë, thuhej:

“Një incident është raportuar sot në fshatin Vuno, ku gazetari dhe publicisti Arjan Konomi është përfshirë në një përplasje me pjesëtarë të eskortës së kryeministrit Edi Rama.  Pas incidentit, Konomi është shoqëruar në Komisariatin e Policisë së Himarës. Sipas Konomit, konflikti ka nisur për shkak të automjeteve të eskortës së kryeministrit, të parkuara në qendër të Vunoit. Konomi, banor i zonës, mësohet se ka kundërshtuar mënyrën e parkimit, duke kërkuar që rregullat të zbatohen njësoj për qytetarët dhe zyrtarët, pavarësisht funksionit që mbajnë. Debati ka përshkallëzuar më pas në një përplasje fizike me pjesëtarë të eskortës. Konomi është larguar me forcë nga vendi i ngjarjes dhe më pas është dërguar në komisariat. Konomi më pas pretendon se, gjatë përballjes, Rama u ka thënë policëve:

“Maskara… merreni!”.

Konomi mohon të ketë ofenduar Ramën ose të ketë kërcënuar familjen e tij dhe thotë se vetëm kishte pyetur pse policia nuk po gjobiste makinat e eskortës, ndërkohë që më herët kishte gjobitur banorë dhe turistë për të njëjtën shkelje (Citohet sipas: “Truprojat e Ramës përplasen me Arjan Konomin në Vuno, gazetari përfundon në komisariat”. Faqja e internetit “McnTv”. 20 gusht 2026).

Ky qëndrim skandaloz i Ramës ndaj një qytetari dinjitoz, i cili ngre zërin për barazinë e të gjithëve para ligjit, të kujton Dante Alighierin (1265-1321), zëri i të cilit ushton që nga mesjeta e largët:

“Mashtrimi dhe forca janë mjete që i përdorin  njerëzit e këqinj”.

Dhe, në sinkron me këtë aforizëm të poetit italian, Profesor Terziu shpërthen:

“Nëse duam një Shqipëri, ku suksesi të mos jetë një maskë, por një arritje e vërtetë, duhet të

mësojmë të nderojmë jo vetëm atë që shkëlqen, por edhe atë që ndriçon; jo vetëm atë që ngrihet mbi të tjerët, por edhe atë që ndihmon të tjerët të ngrihen; jo vetëm atë që fiton, por edhe atë që fiton pa shkelur mbi dinjitetin e askujt”.

Pra, Profesor Terziu ngre zërin për vlerësimin e individëve të talentuar dhe të atyre që shërbejnë si mbështetje e fuqishme e tyre, të cilët janë shtylla e suksesit të shoqërisë.

Për fatkeqësinë tonë kombëtare, njeriu që kemi në krye të qeverisë, duke qenë krejtësisht i dështuar gjatë gjithë jetës së vet, për shkak të komplekseve të inferioritetit, është i paedukuar, arrogant, prandaj edhe s’e ka për gjë ta ofendojë qytetarin publikisht me fjalë të turpshme dhe madje të luajë edhe rolin e kryepolicit me urdhrin që jep për arrestimin e tij.

Populli ynë, edhe në kushtet e demoshëmtisë dhjetoriste pas më shumë se tri dekadash, nuk ka mundur dot të ngrihet në nivelin e popujve hungarez, polak dhe rumun, të cilët i patën përmbysur udhëheqësit e vet edhe në kushte e diktaturës së egër komuniste. Madje populli rumun, diktatorin e vet, Çausheskun dhe bashkëshorten e tij, jo vetëm që i patën përmbysur, por edhe i patën pushkatuar publikisht.

———-0———-

  ” RILINDJA  KOMUNISTE” ASHT  ANTIEUROPJANE !- Nga Fritz RADOVANI

 

 

DY FIGURA BOTNORE  Të  POPULLIT SHQIPTAR EUROPJAN

Gjergj Kastrioti – Skenderbeu asht themeluesi i Shtetit Shqiptar po, edhe mbrojtësi i Europës nga pushtuesit turq. Per këte qendrim burrnor Ai sot, nderohet dhe respektohet nga të gjitha shtetet Europjane dhe Botnore.

Figura e Tij, sot asht e papersëritëshme në gjithë Boten e qytetnueme!

Nanë Tereza asht simbol i dashunisë per të gjithë popujt e mbarë Botës.

Ajo me mesazhet e Saja bani me triumfue dashunia njerzore mbi vorfninë, tue i dhurue njerzimit buzqeshjen ndaj lotve, dhe perklleljen ndaj urrejtjes.

Ajo mbasi preku me duert’ e Saja vorfninë e tejskajshme në Botë, deklaroi se: “Unë i perkas Popullit Shqiptar!”, dhe, se: “Nuk na duhen armë e bombe për me sjellë paqen, por dashuni dhe dhimshuni.”

Papa Gjon Pali II me të vertetë që e ka njoftë mirë Nanen Tereze, po prej Saj Papa njofti mirë dhe Popullin Shqiptar. Papa ka thanë në Tiranë në 1993:  “Ajo që ka ngja në Shqipni të dashtun Vllazën dhe Motra, nuk asht pa kurrë në historinë e njerëzimit… Drama e Juej Shqiptarë të dashtun, zgjon interesimin e gjithë Kontinentit Europian dhe asht e domosdoshme që Europa mos t’ Ju harrojë!” Asht ajo që po ngjet sot nga qeverisja “Rilindja”!

Dëbimi e boshatisja e Atdheut nga Rinia Shqiptare asht tradhëti kombtare!

Rrnoftë nder shekuj Populli Shqiptar Europjan!

            Melbourne, 7 Nandor 2026.                                            

Lahuta e familjes Shkreli – nga Lukë Toma Shkreli te Vasel Gjergj Shkreli- Nga Frank Shkreli

Pesëdhjetë vjet në amshim — Lahuta që bashkon brezat — Në kujtim të një lahutari të shquar dhe të një trashëgimie familjare që vazhdon të jetojë edhe në Amerikë.

Ka njerëz që nuk i merr koha, sepse ajo që lënë pas është më e fortë se harresa. Ata vazhdojnë të jetojnë në kujtesën e familjes, në traditat e popullit dhe në vlerat që u përcjellin brezave.  Njëri prej tyre është gjyshi ynë, Lukë Tom Miruka Shkreli, të cilin e kujtojmë në 50-vjetorin e kalimit të tij në amshim.  Për familjen tonë, ky është një përvjetor i mbushur me mall, krenari dhe mirënjohje. Por është edhe një rast për të kujtuar një trashëgimi që kapërcen kufijtë e familjes dhe bëhet pjesë e historisë së kulturës shqiptare: traditën e lahutës dhe të këngës epike në familjen tonë.

Gjyshi ynë, ishte lahutari që la gjurmë dhe trashëgimi. Lukë Tom Miruka Shkreli ishte protagonisti kryesor i kësaj tradite në familjen tonë. Emri i tij lidhet me një kohë kur lahuta ishte një nga mënyrat më të fuqishme për të ruajtur kujtesën historike, për të përcjellë bëmat e të parëve dhe për të mbajtur gjallë identitetin dhe ndjenjën e përkatësisë kombëtare.  Në Malësinë e Madhe shqiptare, lahutari nuk ishte thjesht një këngëtar që shoqëronte zërin me një instrument. Ai ishte bartës i kujtesës popullore, interpretues i këngëve epike dhe përcjellës i një tradite që kalonte nga brezi në brez. Përmes lahutës ruheshin ngjarje, personazhe dhe kujtime që, në shumë raste, jetonin në ndërgjegjen e popullit përpara se të regjistroheshin në libra.  Në këtë traditë u formua dhe dha kontributin e vet gjyshi ynë, Lukë Toma Miruka Shkreli. Pesëdhjetë vjet pas largimit të tij nga kjo jetë (1976), kujtimi i tij vazhdon të jetojë jo vetëm në familjen tonë, por edhe në trashëgiminë që la pas — një familje të madhe, por edhe disa breza lahutarësh.

Një nga veçoritë më të çmuara të historisë sonë familjare është se tradita e lahutës nuk u ndërpre me largimin e gjyshit tonë.  Atë e vazhduan pjesëtarë të tjerë të familjes, ndër ta i biri Gjergji, axha i im dhe babai i Vasel Shkrelit, lahutarit grashigimtar deri në ditët e sotëme, si edhe kushëriri ynë Ndue Frani.  Edhe Gjergji e Noni ishin të njohur si lahutarë në trevat ku jetuan dhe vepruan, por edhe më vonë në Amerikë.  Kështu, lahuta nuk mbeti vetëm kujtim i një brezi. Ajo u bë një trashëgimi që kaloi nëpër disa breza, duke ruajtur lidhjen me identitetin e të parëve dhe me kulturën dhe historinë e Malësisë së Madhe.  Kjo është një histori për të cilën meriton të shkruhet e të dokumentohet. Sepse, kur një traditë ruhet nga disa breza të së njëjtës familje, ajo dëshmon për një lidhje më të thellë me rrënjët, me identitetin dhe me përgjegjësinë për të mos lejuar zhdukjen e një pasurie kulturore.dhe kombëtare siç është lahuta.  Vasel Shkreli, është sot bartësi i sotëm i kësaj trashëgimie. Sot, në këtë vijimësi historike e familjare, ai zë një vend të veçantë, si bartësi aktual i traditës së lahutës në familjen tonë.  I njohur në trojet shqiptare dhe në mesin e shqiptarëve në Amerikë, Vasel Shkreli përfaqëson vazhdimësinë e një trashëgimie që ka rrënjët te gjyshi ynë, Lukë Tom Miruka Shkreli.  Rëndësia e tij prej lahutari nuk qëndron vetëm në ruajtjen e një tradite familjare.  Ajo lidhet edhe me faktin se kultura shqiptare vazhdon të jetojë edhe përtej kufijve të atdheut, atje ku shqiptarët kanë krijuar bashkësi të reja, pa i harruar gjuhën, historinë dhe zakonet e të parëve. Sidomos në Amerikën tonë, lahuta bëhet edhe një urë lidhëse midis brezave. Midis atyre që u larguan nga vendlindja më shumë se gjyysëm shekulli më parë dhe pasardhësve që, në minimum, ata kanë nevojë ta njohin historinë e familjes dhe të popullit të vet. Kur tingujt e lahutës dëgjohen larg Malësisë së Madhe, ata nuk përcjellin vetëm një melodi të vjetër. Ata sjellin me vete kujtesën e vendlindjes, gjuhën e të parëve dhe krenarinë për një trashëgimi që nuk njeh kufij. Për këtë arsye, kontributi i Vasel Shkrelit duhet parë në vijimësi edhe në kuadrin më të gjerë të ruajtjes së identitetit kulturor shqiptar në diasporë.

Viti 2026 sipas disa kërkesave duhej të kishte qenë Viti i Lahutës.  Përvjetori i shkuarjes në amshim të gjyshit tonë përkon me vitin 2026, kur intelektualë, studiues dhe artistë shqiptarë, dhjetorin e e vitit të kaluar, kanë kërkuar që viti 2065 t’i kushtohej Lahutës Shqiptare.  Megjithse nuk ndodhi gjë zyrtarisht, kjo kërkesë e intelektualëve shqiptarë, ka një rëndësi të veçantë. Sepse, lahuta është një nga simbolet e traditës epike shqiptare dhe meriton vëmendje të vazhdueshme nga institucionet kulturore, studiuesit dhe shoqëria shqiptare.  Pikërisht këtu qëndron edhe mesazhi ynë: një trashëgimi e tillë nuk duhet të mbështetet vetëm te përkushtimi i familjeve dhe i individëve që e ruajnë traditën e lahutës. Ajo meriton edhe vlerësimin dhe mbështetjen zyrtare të institucioneve shqiptare.  Një vit kushtuar lahutës do të ishte një mundësi për të organizuar veprimtari kulturore e shkencore, për të regjistruar dëshmitë e lahutarëve, për të mbledhur këngët e vjetra, për të krijuar dokumentarë dhe për t’ua përcjellë këtë trashëgimi brezave të rinj.Do të ishte, gjithashtu, një rast për të nderuar lahutarët e njohur dhe ata që kanë ruajtur traditën në familjet e tyre, pothuaj gjithmonë, larg vëmendjes zyrtare.  Në këtë kuptim, përkujtimi i gjyshit tonë Lukë Tom Miruk Shkrelit dhe i lahutarëve të tjerë të familjes sonë merr një domethënie përtej përvjetorit familjar të kujtimit të këtij viti.  Sepse trashëgimia është një përgjegjësi për të ardhmen. 50-vjet pas kalimit në amshim të gjyshit tonë, historia e familjes Shkreli dëshmon se tradita mund të mbijetojë kur ka njerëz që e duan, e ruajnë dhe e përcjellin atë.

Lukë Tom Miruka Shkreli ishte figura qendrore e kësaj historie familjare. Gjergji dhe Ndue Frani e vazhduan traditën pas tij dhe për dekada. Sot, Vasel Shkreli e bart atë më tej, anë e mbanë trojeve shqiptare dhe në Amerikë.  Kjo vazhdimësi është për ne një arsye krenarie, por edhe një detyrim moral: të mos lejojmë që emrat e lahutarëve, në përgjithsi, të mos mbeten vetëm në kujtimet familjare, por edhe që trashëgimia kombëtare që ata ruajtën të marrë vlerësimin e merituar.  Sepse një popull nuk e ruan identitetin vetëm duke kujtuar të kaluarën. Ai e ruan atë duke njohur njerëzit që e mbajtën gjallë, duke dokumentuar veprën e tyre dhe duke ua përcjellë trashëgiminë brezave që vijnë, dhe hjo vetëm brenda familjes, por edhe më gjërë.

Në këtë 50-vjetor të kalimit në amshim të gjyshit tonë, përulemi me respekt para kujtimit të gjyshit tonë, Lukë Tom Miruka Shkreli duke nderuar të gjithë pjesëtarët e familjes që kontribuan në vazhdimësinë e ruajtjes së traditës familjare dhe trashëgiminë e lahutës. U qoftë i përjetshëm kujtimi!  Për fat të mirë, lahuta e gjyshit tonë vazhdon të tingëllojë edhe sot — në 50-vjetorin e kalimit të tij në amshim, me zërin e nippit të tij Vasel Shkrelit — nga sallat e Nju Jorkut, në Washington DC e deri në Gjirokastër, Strugë, e Malësi të Madhe. Lahuta e tij jeton në kujtesën tonë, në duart e bartësve të saj dhe në zërin e brezave që nuk e lënë traditën të shuhet. Sepse kur hesht lahuta, nuk hesht vetëm një instrument, hesht një pjesë e kujtesës së Kombit. Prandaj ruajtja e lahutës nuk është vetëm detyrë e lahutarëve, por ëshë përgjegjësi e të gjithë shoqërisë shqiptare, sidomos në Shqipëri e Kosovë, anë e mbanë trojeve shqiptare në Ballkanin Perëndimot, por edhe në mërgim.

Fragment këngë epike:

Në Shkrel të Malësisë n’male t’vjetra,
u nie lahuta si zemër e letra,
për burra t’fortë që s’njihnin frikë,
as n’ditë t’rënda, as n’kohë t’vështirë.

Luk Toma e çon zanin në mal,
si erë e fortë që s’nalet n’valë,
e fjala e tij mbetet si gur,
kur lidhet njeriu me emën e flamur.

Gjergj Luka n’odë ka këndue,
për besën e burrit që s’është harrue,
për tokë e nder që s’kanë çmim,
për gjakun e shenjtë në çdo kuvendim.

Vaseli mbrapa e vaazhdon traditën,
si rrjedhë e lumit që s’e ndalin ditën,
e Nua Frani me za të vjetër,
e kthen kujtimin në brez tjetër. (Frank Shkreli)

LAHUTARËT PROTAGONISTË TË FAMILJES TONË PËR NJË SHEKULL

Image

Luk Tom Miruka Shkreli – Gurthemeli i familjes tonë, i njohur në kujtesën vendase si një nga përfaqësuesit e hershëm të traditës tradicionale të malësorit dhe lahutare, i lidhur me këngët e odave dhe rrëfimet e vjetra të fisit dhe kombit. Ai përfaqëson shtresën themelore të trashëgimisë së kënges epike në familjen tonë dhe të ktahinës ku kemi jetuar.

Image

Gjergj Luka Shkreli –Bartës i repertorit tradicional të këngës epike, i njohur për interpretim të qëndrueshëm dhe besnik ndaj formës së vjetër të këngës së Malësisë. Në këngët e tij reflektohen temat e nderit, qëndresës dhe historisë lokale.

 

Image

Vasel Gjergj Lukë Tom Shkreli, Trashigimtari –Deri në ditët e sotëme përfaqëson vazhdimësinë e drejtpërdrejtë të kësaj tradite brenda familjes, duke ruajtur si instrumentin e lahutës, ashtu edhe mënyrën tradicionale të interpretimit të këngës epike në tubime familjare dhe shoqërore –në Amerikë dhe anë e mbanë trojeve shqiptare

 

Image

Nua Frani Shkreli –Kushëri i yni, një tjetër bartës i rëndësishëm i kësaj trashëgimie familjare, i lidhur me ruajtjen dhe transmetimin e këngëve të vjetra epike, duke kontribuar në vazhdimësinë e traditës në komunitetin local dhe më gjërë.

 

Image

Lahutari i Shkrelit dhe nipi i (Luk Tom Mirukës) Vasel Shkreli duke u përshendetur në Malësi të Madhe me ish-presidentin e Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishanin

Image

Vasel Shkreli me lahutë nga Malësia e Madhe në Washington DC

 FADIL BERISHA NDEROHET NË VATIKAN – Nga Frank Shkreli

 Një tjetër krenari për shqiptarët e Amerikës dhe për Kombin kur arti, humanizmi dhe identiteti shqiptar takohen në skenën ndërkombëtare.  Falë nderës Zotit, Kombi shqiptar ka plot individë individ, të cilët me suksesin e tyre kapërcejnë kufijtë e suksesit personal dhe marrin kuptim për një komunitet të tërë dhe për mabrë Kombin. Ka vlerësime që nderojnë talentin dhe arritjet e një njeriu, por që njëkohësisht shndërrohen në burim krenarie për bashkësinë nga e cila ai vjen dhe për Kombin dhe vendin që përfaqëson me punën e tij.
Një ngjarje e tillë është nderimi i fotografit të njohur shqiptaro-amerikan Fadil Berisha në Vatikan, në kuadër të veprimtarisë ndërkombëtare World Changers Summit 2026, të mbajtur më 22 tetor në Casina Pio IV, në Vatikan. Samiti, i organizuar nga Instituti për Studime të Avancuara dhe Bashkëpunim (IASC), mblodhi personalitete nga fusha të ndryshme, me synimin për të diskutuar besimin, përgjegjësinë etike, dinjitetin njerëzor dhe sfidat e së ardhmes. (IAScoop⁠) Për Fadil Berishën, pjesëmarrja dhe nderimi në këtë mjedis ndërkombëtar përbëjnë një moment të rëndësishëm në rrugëtimin e tij profesional dhe shoqëror. Për ne shqiptarët e Amerikës, kjo ngjarje ka edhe një domethënie tjetër: është një rast për të shprehur krenarinë për një bashkëkombës që, përmes talentit, punës dhe përkushtimit, ka krijuar një emër të njohur në botën ndërkombëtare, si fotograf shqiptaro-amerikan me famë ndërkombëtare Fadil Berisha është një nga emrat e njohur të fotografisë së modës dhe portretit në Shtetet e Bashkuara. I lindur në Kosovë dhe i vendosur më pas në Amerikë, ai ndërtoi një karrierë të suksesshme në New York, duke bashkëpunuar me personalitete të njohura të modës, artit dhe jetës publike. fadilberisha.com+2.
Përmes aparatit fotografik, Berisha ka dëshmuar një ndjeshmëri të veçantë artistike, duke e shndërruar fotografinë në një gjuhë universale, të kuptueshme përtej dallimeve gjuhësore dhe kulturore. Emri i tij lidhet me botën e modës ndërkombëtare, me portrete të personaliteteve të njohura dhe me një karrierë të ndërtuar përmes profesionalizmit dhe përkushtimit. Megjithatë, për një personalitet krijues, suksesi nuk matet vetëm me famën apo me emrat e njohur që kalojnë para objektivit të tij. Ai matet edhe me aftësinë për të ruajtur një vizion personal, për të përcjellë vlera përmes artit dhe për ta përdorur përvojën e fituar në shërbim të ideve që shkojnë përtej profesionit.  Pikërisht këtu qëndron një nga dimensionet më interesante të profilit të Fadil Berishës e që është ndërthurja e krijimtarisë artistike me angazhimin ndaj komunitetit dhe mbështetjen e talenteve të reja.
May be an image of text
Gabriele Pao-Pei Andreoli  (https://gpandreoli.com/about-me) duke i dorëzuar  fotografit dhe humanistit me famë botërore, Fadil Berishës medaljen përkujtimore Humanitas Magnifica, për vizionin e tij artistik dhe përkushtimin e tij humanitar.
Kështu shkruan Profesor Andreoli në faqën e tij sociale: “Ishte kënaqësi të mirëpritnim fotografin dhe udhëheqës humanitar me famë ndërkombëtare, Fadil Berisha, në IASC – World Changers’ “Multiverse of Trust in the Quantum Era,” që u mbajt më 22 tetor 2026 në Casina Pio IV, Qyteti i Vatikanit.  — Humanizmi si vlerë që e tejkalon suksesin personal –Në një botë ku suksesi shpesh vlerësohet përmes famës, pasurisë dhe ndikimit publik, është e rëndësishme të kujtojmë se arritjet marrin një kuptim më të plotë kur shoqërohen me përgjegjësi njerëzore.Humanizmi nuk është thjesht një fjalë e bukur. Ai është një qëndrim ndaj jetës, një bindje se dinjiteti i njeriut duhet të mbetet në qendër të çdo veprimtarie dhe se talenti e ndikimi personal mund të përdoren për të ndihmuar të tjerët.  Në këtë kuptim, nderimi i Fadil Berishës në një veprimtari ndërkombëtare kushtuar besimit dhe dinjitetit njerëzor na jep rastin të reflektojmë mbi lidhjen mes artit dhe përgjegjësisë shoqërore.  Një artist mund të ndikojë në shoqëri jo vetëm përmes veprave të tij, por edhe përmes shembullit që jep, mundësive që krijon për brezat e rinj dhe gatishmërisë për të mbështetur nisma që promovojnë bashkëpunimin e mirëkuptimin. Këto janë vlera që i japin suksesit një dimension më të gjerë se ai individ”, ka shkruar Gabriele Andreoli.
Rëndësi ka që kjo ceremony u zhvillua në Vatikan se Vatikani përfaqëson një qendër me rëndësi të jashtëzakonshme fetare, historike dhe diplomatike. Salla “Casina Pio IV”, ku u zhvillua samiti, është selia e Akademisë Papnore të Shkencave dhe një hapësirë ku janë zhvilluar takime ndërkombëtare mbi marrëdhëniet mes shkencës, teknologjisë, etikës dhe së mirës së përbashkët. (Vatican News⁠) Samiti i këtij viti, me temën Multiverse of Trust in the Quantum Era, trajtoi çështje që lidhen me zhvillimin teknologjik dhe përgjegjësinë njerëzore në një botë gjithnjë e më të ndërlidhur. Në qendër të diskutimeve ishte ideja se përparimi shkencor dhe teknologjik duhet të udhëhiqet nga etika, besimi dhe respekti për dinjitetin njerëzor. (Allatra⁠) Në këtë mjedis, prania e një shqiptaro-amerikani si Fadil Berisha ka rëndësi simbolike. Ajo dëshmon se shqiptarët nuk janë vetëm vëzhgues të zhvillimeve ndërkombëtare, por marrin pjesë në to përmes profesionit, krijimtarisë dhe angazhimit të tyre. Rëndësia e ngjarjes nuk ka nevojë për ekzagjerime por vetë pjesëmarrja në një forum të tillë ndërkombëtar dhe vlerësimi i një personaliteti shqiptar janë të denja për t’u pasqyruar me dinjitet.
Natyrisht se kjo medalje për Fadil Berishën shënon një sukses për punën e tij shumë-vjeçare si fotograf me famë botërore dhe humanitar, kjo është edhe njç krenari sidomos për komunitetin shqiptaro-amerikane, pjesë e të është edhe Fadil Berisha si njp anëtar aktiv i tij.  Historia e shqiptarëve në Shtetet e Bashkuara është një histori përpjekjesh, sakrificash, integrimi dhe suksesi. Siç kam pasqyzruar shpesh, breza të tërë shqiptarësh kanë ndërtuar jetën e tyre në Amerikë, duke kontribuar në shoqërinë amerikane, por pa i harruar rrënjët, gjuhën dhe kulturën e tyre.  Në këtë histori, personalitete si Fadil Berisha kanë një vend të veçantë. Ata dëshmojnë se prejardhja shqiptare nuk është pengesë për të arritur majat e suksesit ndërkombëtar. Përkundrazi, ajo mund të bëhet pjesë e identitetit dhe e historisë personale që e shoqëron njeriun në çdo hap të jetës.  Për shqiptarët e Amerikës, suksesi i një bashkëkombësi në një fushë të rëndësishme ndërkombëtare është më shumë se një lajm i mirë. Ai është një dëshmi e potencialit të komunitetit tonë dhe një burim frymëzimi për të rinjtë shqiptarë që kërkojnë të ndërtojnë të ardhmen përmes dijes, punës,  talentit dhe përkushimit. Kjo tregon gjithashtu se krenaria e diasporës nuk buron vetëm nga kujtimet e së kaluarës, por edhe nga arritjet e sotme. Ajo forcohet sa herë që shqiptarët, në cilindo vend të botës, dëshmojnë se mund të konkurrojnë me dinjitet dhe të kontribuojnë në fusha të ndryshme të jetës ndërkombëtare. Fadil Berisha është pjesë e kësaj historie suksesi dhe është një vlerësim që shkon përtej një indidivid.  Nderimi i Fadil Berishës në Vatikan na kujton se arti dhe humanizmi mund të krijojnë ura mes njerëzve, kulturave dhe kombeve. Në një kohë kur bota përballet me ndarje, konflikte dhe sfida të reja teknologjike, nevoja për të vlerësuar dinjitetin njerëzor, bashkëpunimin dhe përgjegjësinë bëhet gjithnjë e më e madhe. Për Fadil Berishën, ky moment i shtohet një karriere të ndërtuar me punë dhe përkushtim. Për komunitetin shqiptaro-amerikan, ai përbën një rast krenarie dhe një mundësi për të vlerësuar kontributin e bashkëkombësve tanë edhe në jetën ndërkombëtare.  Por mesazhi më i rëndësishëm është se suksesi fiton vlerë të qëndrueshme kur nuk mbetet vetëm pasuri e individit, por shndërrohet edhe në frymëzim për të tjerët. 
 
Urime Fadil Berishës për këtë vlerësim dhe për përfaqësimin dinjitoz të shqiptarëve në arenën ndërkombëtare! Qoftë ky një tjetër kapitull i suksesshëm në rrugëtimin e tij artistik dhe njerëzor, si dhe një burim frymëzimi për brezat e rinj të shqiptarëve të Amerikës dhe në Atdhe. Sepse, në fund të fundit, krenaria e një kombi nuk matet vetëm me historinë që trashëgon, por edhe me njerëzit që, përmes talentit, punës dhe vlerave të tyre, ndërtojnë të ardhmen.
Frank Shkreli

Keda Kaceli: Iu luta Papa Leo XIV të bekojë rininë shqiptare kundër kesaj të keqeje antishqiptare që ka zaptuar jetën e bashkëkombësave tanë! Intervistoi Elida Buçpapaj

Keda Kaceli është një politikane, gazetare dhe përkthyese shqiptare, si dhe presidente e Fondacionit “Jonuz Kaceli”, që mban emrin e gjyshit të saj, një intelektuali të shquar pushkatuar nga diktatura në Masakrën e 1951, kur diktatura i shpalli një luftë të hapur intelektualëve shqiptarë. Kjo ngjarje tragjike shënon një nga kulmet e terrorit shtetëror të diktaturës, ku u eliminuan fizikisht njerëzit e shkolluar në Perëndim, me qëllim parandalimin e çdo opozite të mundshme intelektuale. Familja jetoi në kushte ekstreme varfërie dhe izolimi shoqëror. Bashkëshortja e Jonuz Kacelit, gjyshja e Keda Kacelit,  tentoi të vetëmbytej nga dëshpërimi në një pus në Tiranë para internimit, por u shpëtua nga fqinjët. Ajo arriti t’i rriste e vetme 7 jetimët mes përbuzjes, urisë dhe persekutimit të vazhdueshëm të rrethit komunist. Dhe persekutimi shkonte nga brezi në brez. Me hapjen e Ambasadave, Familja si refugjate politike u vendos në Itali bashkë. Keda Kaceli ishte tetë vjeçe, ndërsa motra tre vjeçare. Dhe jeta e saj mori rrjedhë tjetër. Ishte një sukses i Keda Kacelit përkthimi në italisht i librit të famshëm autobiografik të At Zef Pllumit, “Rrno për me tregue”, Pjesa e Parë e të cilit e pa dritën e botimit në vitin 2013 me parathënien e Silvio Berluskonit, asaj kohe kryeministër i Italisë. Berluskoni, i prekur thellë nga historia e vuajtjeve të klerit dhe popullit shqiptar nën diktaturën komuniste e pranoi me kënaqësi të autor i parathënies. Në 2025 doli në italisht vëllimi i dytë i “Rrno për me tregue” si vijim i dëshmisë rrëqethëse e vuajtjeve të martirëve të kombit shqiptar persekutuar nga diktatura që Keda e ka amanet nga At Zef Pllumbi t’ju japë zë viktimave që edhe sot e kësaj dite kërkojnë drejtësi. Më 21 tetor Keda Kaceli pati një takim shumë të veçantë. Ajo u takua me Shenjtërinë e tij Papa Leo XIV të cilit i dhuroi librat e At Zef Pllumit, fratit françeskan dhe një nga figurat më të shquara të Kishës Katolike e të kulturës shqiptare që mbetet një simbol i fuqishëm i rezistencës shpirtërore dhe intelektuale kundër diktaturës komuniste në Shqipëri.

Duke përfituar nga ky rast i mora Keda Kecelit intervistën e mëposhtëme:

———-

Pyetje: Sapo jeni takuar me Shenjtërinë e tij Papa Leo XIV, cili ishte qëllimi i këtij takimi:

KEDA KACELI: Si mbesa e Jonuz Kacelit, intelektual i shquar i pushkatuar nga diktatura komuniste në Masakrën e vitit 1951 të bombës në Ambasadën Sovjetike, misioni im në nder të martirëve të komunizmit dhe vuajtjeve të heronjve tanë që ende nuk kanë drejtësi nuk do të ndalet kurrë.

Edhe takimi i shumëpritur me Shenjtërinë e Tij, Papa Leoni XIV në Shën Pjetër lidhej me martirët shqiptarë të diktaturës, 6000 prej të cilëve u mungon edhe sot një copë tokë ku t’ju prehen eshtrat, që familjarët të kenë ku të luten për shpirtërat e tyre apo të sjellin nga një buqetë me lule.

Prej disa muajsh po përgatisja këtë takim dhe me ndihmën e Zotit të madh e arritëm.

Vjet bashkë me Fretnit tanë Françeskanë në Shqipëri tek Botimet Françeskane, botuam vëllimin e dytë në italisht të librit monumental të At Zef Pllumit “Rrno vetëm për me tregue”.

Vëllimi i dytë sikurse i pari që pati atë jehonë të madhe mediatike, mban dhe ai një parathënie shumë të rëndësishme ashtu siç e kisha paralajmëruar në vite: fjalët dhe mbështetjen shpirtërore të Eminencës së Tij, Kardinalit amerikan Raymond Leo Burke, i cili është një mik i imi i shtrenjtë që me udhëzon dhe këshillon kurdoherë e që në një farë mënyre ka zënë vendin e Atit tim shpirtëror At Zef Pllumit që aq shumë më deshi dhe këshilloi ato pak vite që e pata fatin të isha bijë e tij në shpirt, saqë më besoi me zemër trashëgiminë e tij, biblën e dhimbjes shqiptare siç e quaj unë teologjinë e tij e cila në vetvete mban si titull amanetin që superiori i tij At Marin Sirdani i la në kohën më të vështirë për Kishën Katolike Shqiptare dhe për besimin fetar të një kombi i cili tek feja sheh edhe rrugëtimin e tij shekullor:

“Zef, dhe sikur të gjithë ne të shkojmë si qeni në rrush dikush duhet me teprue, prandej shko Zef, ti duhet me jetue, dhe sikur kurrgja të mos jesh i zoti me ba veç se me rrnu, shko Zef, rrno, rrno vetëm për me tregue, dikush me kallxue se si kje puna. Kush të teprojë le të kallxojë!“

 

Pyetje: Dhe ti po e vazhdon këtë kallxim?

KEDA KACELI: Po. Kjo fjali është monumentale. Besoj tek forca e saj është drithëruese. Kur e kam lexuar për herë të parë atë fjali një mori me ndjenja e ndjesi pështjelluese me kanë përshkuar shpirtin. E mora dhe unë si mision për veten time sikurse ai foli edhe për mua edhe me mua! Dhe meqë Patër Zefi ma ka lënë amanet veprën e tij, ashtu dhe unë deri sa të kem frymë amanetin do e ruaj e do ta përcjellë atë.

Ndaj sipas këshillës së mikut tim Kardinalit Burke shkrova një letër për të takuar Papën dhe për t’i dhuruar librat e At Zefit me dedikimet përkatëse.

Kërkesa u pranua nga Zyra Papnore dhe m’u kërkua të zgjidhja ditën e njëres prej pritjeve të ditës së Merkure që Shenjtëria e Tij mban çdo javë me besimtarët që vijnë nga gjithë bota.

E imagjinoni gëzimin tim të madh?

Për më tepër kur zgjodha ditën mu tha që do kisha biletën që i rezervohet njerëzve dhe miqve drejt për drejtë të Fesë dhe Besimit apo misionarëve.

Ajo ditë do mbetet, po e përsëris, në kujtesën time si dita më e veçantë e jetës.

Pata fatin që Ati i Shenjtë u ndal me mua disa minuta. Ai më dëgjoi për gjithçka i thashë.

Dhe pasi më bekoi dhe më tha që do të vijë në Shqipërinë tonë.

 

Çfarë i thatë Shenjtërisë së Tij?

KEDA KACELI: Iu luta padyshim që të më bekojë në vazhdimin e misionit në përhapjen e dëshmisë se palëkundur të guximit të martirëve tanë dhe të mesazhit të dashurisë tyre për jetën për atdheun dhe Zotin.

Iu luta ta bekojë rininë tonë Shqiptare në këtë rrugë të mundimshme kundër kësaj të keqe të gjatë antishqiptare që ka zaptuar jetën e bashkëkombësave tanë.

Shenjtëria e Tij pasi më dëgjoi me vëmendje më tha “Bekuar qofshin njerëzit vullnetmirë që luftojnë dhe nuk dorëzohen”!

Ka qenë shumë emocion i madh. I dorëzova sakaq librat me dedikimet përkatëse në italisht dhe anglisht, të At Zefit në italisht si dhe simbolikisht librin e Ratzinger që kam përkthyer në shqip për ta patur Ati i Shenjtë në Bibliotekën e Tij.

Papa Leo XIV më tha se do t’i mbante. “Paçka se nuk di shqip për ta lexuar atë, por librat italisht do t’i lexoj” më tha Ati i Shenjtë.

Më pas Father Edgard i mblodhi librat me premtimin e një përgjigje dhe kontakti të ardhshëm. Ndërsa ne qendruam me përulësi të Puthjes së Dorës me Unazën e Peshkatarit pasi na dhuruan rruzaren e bekuar nga Ati Shenjtë, që e mbaj gjithmonë me vete.

Duke shpresuar që Sigurimi i Shtetit, i cili nuk është ndalur edhe pse thuhet se është ndryshuar sistemi, bashkë me politikanë e gazetarë që punojnë nën rrogoz kundra nesh që mbetëm armiq dhe halë në sy për ata që atdheun dhe kombin e kanë parrullë e slogan jo mendim e veprim, të mos veprojë sërish në prishjen e Planeve siç ka vepruar kur fillova të merresha me realizimin e filmit disa vite më parë apo kur ndali mos përfshirjen e librit të At Zef Pllumit në italisht në Panairin e librave shqip në Itali. Por kjo mua nuk më ka ndaluar të vazhdoj misionin dhe të luftoj për amanetin e Padër Zefit tim.

Ja pra për këto folëm me Shenjtërinë e tij, Papa Leon, takim i paharruar dhe i shënuar i jetës pas takimit me At Zef Pllumin atë 24 Gusht të vitit 2005 në Shkodër, që ka qenë takimi me një martir të gjallë e që mbijetoi për të mbajtur një amanet dhe për të përcjellë memorien e një Kombi nga Djalli i vrarë, por i shpëtuar nga Zoti.

Takimi me Atin e Shenjtë është takimi më i rëndësishëm i jetës time deri më sot pasi ai shëmbëllen dhe është Zëvendësi i Krishtit të gjallë mbi tokë.

Lufta mes Errësirës dhe Dritës vazhdon por e Keqja me emisarët e saj nga portat e ferrit të errët “Non praevalebunt“ – «Nuk do të fitojë»!

 

Pyetje: Pushkatimi i gjyshit, internimet, vuajtjet, privimet, sakrificat, largimi nga Shqipëria deri tek protestat sot?

KEDA KACELI: mendoj se e Keqja e shqiptarëve dhe Shqipërisë ka qenë diktatura komuniste, trashëgimtarët e të cilës po e shpopullojnë vendin tim, sikur Familja ime e la Shqipërinë në 1991, por unë kam besim në Zot dhe tek Shqiptarët se kjo e Keqe “Non praevalebunt“ – «Nuk do të fitojë» dhe i ka ardhur fundi!

 

 

EVROPA PËRGATITET PËR 72 ORËT E KRIZËS: A ËSHTË KOSOVA GATI NËSE NDËRPRITET JETA NORMALE? – Nga Isuf B.Bajrami

Nga vetëpërgatitja e familjeve te ndërtimi i një sistemi kombëtar, të organizuar dhe funksional të mbrojtjes civile. Strehimoret, rezervat strategjike, organizimi në çdo vendbanim dhe përgjegjësia institucionale për sigurinë e qytetarëve.

HYRJE

72 ORËT QË MUND TË VËNË NË PROVË GATISHMËRINË E NJË SHTETI

Evropa po hyn në një periudhë të re të konceptimit të sigurisë. Luftërat, tensionet gjeopolitike, sulmet kibernetike, sabotimet ndaj infrastrukturës kritike, fatkeqësitë natyrore dhe ndërprerjet e zinxhirëve të furnizimit kanë ndryshuar mënyrën se si shtetet duhet të përgatiten për krizat.

Siguria e një vendi nuk mund të matet më vetëm me kapacitetet e tij ushtarake dhe policore apo me numrin e institucioneve që ka në funksion. Ajo duhet të matet edhe me aftësinë për të mbrojtur popullsinë, për të garantuar furnizimin me ushqim, ujë, energji dhe barna, si dhe për të siguruar vazhdimësinë e shërbimeve jetike kur funksionimi normal i shoqërisë ndërpritet.

Më 26 mars 2025, Komisioni Evropian prezantoi Strategjinë e Bashkimit për Gatishmëri (Preparedness Union Strategy), duke propozuar një qasje të re evropiane ndaj parandalimit, përgatitjes dhe menaxhimit të krizave. Strategjia përmban 30 veprime kryesore dhe e trajton gatishmërinë si përgjegjësi të përbashkët të institucioneve, sektorit privat dhe qytetarëve. [1]

Një prej rekomandimeve më të rëndësishme është që popullsia të ketë kapacitet për vetëpërballim gjatë së paku 72 orëve të para të një krize.

Ky rekomandim nuk është thjesht një këshillë që familjet të mbajnë disa rezerva ushqimore. Ai është pjesë e një koncepti shumë më të gjerë, i cili përfshin sistemet e paralajmërimit, komunikimin publik, vazhdimësinë e shërbimeve, rezervat strategjike, infrastrukturën e mbrojtjes dhe koordinimin institucional. [2]

Për Kosovën, ky zhvillim duhet të shërbejë si një alarm serioz institucional.

Pyetja nuk është vetëm nëse qytetarët tanë mund t’i përballojnë tri ditë pa furnizim normal. Pyetja thelbësore është nëse Republika e Kosovës ka ndërtuar një sistem që mund ta mbrojë popullsinë dhe ta mbajë shoqërinë funksionale nëse një krizë zgjat tri ditë, tri javë apo edhe më gjatë.

Kosova nuk ka nevojë vetëm për një fushatë informuese për 72 orët e para. Ajo ka nevojë për ndërtimin dhe funksionalizimin e një sistemi të plotë kombëtar të mbrojtjes civile, nga çdo vendbanim deri në nivelin qendror të shtetit.

Ky duhet të jetë boshti i debatit publik dhe i kërkesave ndaj institucioneve.

1. ÇFARË KËRKON KONKRETISHT BASHKIMI EVROPIAN?

Strategjia Evropiane e Gatishmërisë e vendos theksin te përgatitja për të gjitha llojet e rreziqeve, jo vetëm për një kategori të caktuar emergjencash.

Kjo nënkupton që institucionet duhet të planifikojnë për tërmete, përmbytje, zjarre, epidemi, konflikte të armatosura, ndërprerje të furnizimit me energji, sulme kibernetike, sabotime dhe kriza të furnizimit me produkte jetike.

BE-ja propozon që gatishmëria të ndërtohet në disa drejtime të ndërlidhura.

Së pari, përgatitja e popullsisë. Qytetarët duhet të kenë informacion të qartë për rreziqet dhe të jenë në gjendje t’i sigurojnë nevojat bazë për të paktën 72 orët e para.

Së dyti, paralajmërimi i hershëm. Duhet të zhvillohen sisteme që identifikojnë rrezikun dhe informojnë popullsinë në kohë, përmes kanaleve të ndryshme të komunikimit.

Së treti, vazhdimësia e shërbimeve jetike. Furnizimi me ujë, energji, shërbimet shëndetësore, transporti, komunikimi dhe furnizimi me produkte bazë duhet të kenë plane alternative funksionimi.

Së katërti, bashkëpunimi ndërmjet sektorit publik dhe atij privat. Kompanitë që menaxhojnë energjinë, telekomunikacionin, transportin, furnizimin me ushqim dhe barna, si dhe infrastrukturën tjetër kritike, duhet të jenë pjesë e planifikimit kombëtar.

Së pesti, përfshirja e qytetarëve dhe organizatave. Gatishmëria nuk mund të mbështetet vetëm në institucionet qendrore. Ajo duhet të përfshijë komunat, organizatat humanitare, shoqatat profesionale dhe komunitetet lokale.

Së gjashti, ushtrimet dhe testimi. Planet duhet të testohen rregullisht për të identifikuar mangësitë dhe për të matur aftësinë reale të reagimit.

Komisioni Evropian ka publikuar edhe udhëzime për përgatitjen e popullsisë, edukimin, komunikimin e rrezikut dhe përfshirjen e personave me aftësi të kufizuara. [2]

Duhet të theksohet një dallim i rëndësishëm: BE-ja nuk kërkon shprehimisht që çdo vendbanim të ndërtojë bunkerë apo të krijojë komanda të armatosura civile. Këto nuk janë kërkesa universale të Strategjisë Evropiane të Gatishmërisë.

Megjithatë, shtetet kanë përgjegjësi të organizojnë mbrojtjen e popullsisë sipas rreziqeve, legjislacionit dhe kapaciteteve të tyre. Për Kosovën, ndërtimi i një rrjeti të infrastrukturës emergjente dhe i strukturave civile lokale duhet të bëhet pjesë e programit kombëtar të gatishmërisë.

2. ÇFARË DUHET TË KETË ÇDO FAMILJE PËR 72 ORË?

Përgatitja familjare është niveli i parë i mbrojtjes. Ajo duhet të jetë e thjeshtë, praktike dhe e përshtatur me numrin e anëtarëve të familjes, moshën, gjendjen shëndetësore dhe nevojat individuale.

Rezervat duhet të mundësojnë që familja të mos varet menjëherë nga furnizimi i jashtëm në rast të një ndërprerjeje të përkohshme.

Uji dhe ushqimi: Ujë i pijshëm, ushqime që ruhen për një kohë të gjatë, produkte të gatshme për konsum dhe furnizime të veçanta për foshnjat, të moshuarit dhe personat me nevoja të posaçme ushqimore.

Shëndeti: Çantë e ndihmës së parë, barna personale, materiale higjienike dhe pajisje të domosdoshme mjekësore.

Energjia dhe ndriçimi: Llamba emergjente, bateri rezervë, radio me bateri dhe burime alternative të energjisë për pajisjet esenciale.

Komunikimi: Telefon i karikuar, bateri rezervë, numra të rëndësishëm të shkruar në letër dhe njohuri për kanalet zyrtare të informimit.

Dokumentacioni: Kopje të dokumenteve personale, dokumenteve mjekësore dhe informacioneve të rëndësishme familjare.

Evakuimi: Një çantë emergjente me veshmbathje, ujë, ushqim, barna, dokumente dhe mjete të tjera bazë personale.

Për personat me aftësi të kufizuara duhet të sigurohen pajisjet ndihmëse, bateritë për pajisjet mjekësore dhe mënyrat alternative të komunikimit.

Përgatitja familjare nuk duhet të krijojë panik apo të nxisë blerje të pakontrolluara. Ajo duhet të ndërtohet përmes informimit, planifikimit dhe edukimit publik.

Megjithatë, kjo është vetëm pjesa e parë e sistemit. Përgjegjësia kryesore për organizimin e mbrojtjes së popullsisë mbetet institucionale.

3. KOSOVA: A EKZISTON NJË SISTEM REAL I MBROJTJES CIVILE?

Kosova ka një bazë ligjore për organizimin e mbrojtjes nga fatkeqësitë natyrore dhe fatkeqësitë e tjera. Megjithatë, ekzistenca e legjislacionit nuk është dëshmi se të gjitha kapacitetet e nevojshme janë ndërtuar dhe funksionalizuar.

Ligji Nr. 04/L-027 për Mbrojtje nga Fatkeqësitë Natyrore dhe Fatkeqësitë Tjera përcakton bazat e organizimit të mbrojtjes si sistem shtetëror. Ai përfshin parandalimin, planifikimin, paralajmërimin, trajnimin, vetëmbrojtjen, ndihmën reciproke, mobilizimin dhe rimëkëmbjen. [3]

Një prej parimeve të rëndësishme është reagimi sipas shkallës së emergjencës: fillimisht aktivizohen kapacitetet lokale dhe, kur situata i tejkalon mundësitë e komunës, kërkohet mbështetja e nivelit më të lartë.

Kjo do të thotë se vetë legjislacioni i Kosovës e njeh rëndësinë e organizimit lokal dhe të përgjegjësisë së përbashkët.

Po ashtu, Rregullorja QRK Nr. 18/2017 përcakton lokacionet, kushtet e ndërtimit, mirëmbajtjen dhe normat teknike për strehimoret dhe përshtatjen e objekteve për strehim. [4]

Prandaj, çështja që duhet të shtrohet nuk është vetëm nëse Kosova ka ligje dhe rregullore, por nëse ato janë zbatuar në praktikë.

Duhet të dihet:

Sa strehimore ekzistojnë në territorin e Kosovës?
Sa prej tyre janë teknikisht të përshtatshme dhe funksionale?
Sa qytetarë mund të strehohen në to?
Cilat komuna kanë kapacitete të mjaftueshme dhe cilat kanë mangësi?
Sa janë rezervat materiale të gatshme për emergjenca?
Sa ekipe profesionale mund të aktivizohen njëkohësisht?
A kanë të gjitha komunat plane të përditësuara dhe të testuara të reagimit?
A ekziston organizim civil funksional në nivel vendbanimi?
Këto nuk janë pyetje teorike. Ato janë tregues themelorë të gatishmërisë shtetërore.

Zhvillimet institucionale që duhet të ndiqen nga afër

Projektligji për Agjencinë e Menaxhimit të Emergjencave, i regjistruar në Kuvend si Projektligji Nr. 11/L-021 më 15 tetor 2026, synon të përcaktojë më qartë misionin, organizimin, kompetencat, përgjegjësitë dhe financimin e Agjencisë. Ai trajton edhe planifikimin kombëtar, vlerësimin e gatishmërisë dhe rezervat materiale për emergjenca. [5]

Ky zhvillim duhet të shoqërohet me debat profesional dhe shqyrtim të kujdesshëm parlamentar.

Duhet të theksohet se bëhet fjalë për projektligj dhe jo për ligj të miratuar përfundimisht nga Kuvendi.

Reforma ligjore duhet të shoqërohet me reformë organizative, investime dhe ngritje të kapaciteteve konkrete. Përndryshe, ndryshimi i emërtimit apo i kompetencave institucionale nuk do të sjellë automatikisht rritje të sigurisë së qytetarëve.

4. ZVICRA: MODEL I STREHIMOREVE DHE I MBROJTJES SË ORGANIZUAR TË POPULLSISË

Zvicra është ndër vendet më të zhvilluara në organizimin e mbrojtjes civile.

Sistemi i saj i mbrojtjes së popullsisë, i njohur si Bevölkerungsschutz, funksionon përmes bashkëpunimit të policisë, zjarrfikësve, shërbimeve shëndetësore, mbrojtjes civile dhe shërbimeve teknike.

Përgjegjësitë ndahen ndërmjet Konfederatës, kantoneve dhe komunave. Secili nivel ka detyra të përcaktuara dhe kapacitete që aktivizohen sipas shkallës së emergjencës. [6]

Një prej karakteristikave më të rëndësishme është infrastruktura e strehimoreve.

Sipas Zyrës Federale Zvicerane për Mbrojtjen Civile, vendi ka rreth 365.000 strehimore private dhe publike, me kapacitet për afërsisht nëntë milionë persona. Kjo përfaqëson mbulim që tejkalon numrin e përgjithshëm të banorëve. [7]

Strehimoret përdoren për qëllime të tjera në kohë paqeje, por duhet të jenë në gjendje të përgatiten për funksionin e tyre mbrojtës kur kërkohet nga autoritetet.

Zvicra ka gjithashtu organizim të strukturuar të personelit të mbrojtjes civile, trajnim, planifikim të evakuimit dhe mekanizma koordinimi ndërmjet niveleve të ndryshme të qeverisjes.

Çfarë duhet të marrë Kosova nga modeli zviceran?

Kosova duhet të ndërtojë një program afatgjatë për infrastrukturën e strehimit, duke filluar nga identifikimi dhe regjistrimi i objekteve ekzistuese.

Në vazhdim duhet të bëhet vlerësimi i nevojave për secilin vendbanim, duke marrë parasysh numrin e banorëve, dendësinë e popullsisë, rreziqet dhe mundësitë e qasjes.

Në zonat urbane duhet të planifikohen kapacitete më të mëdha, ndërsa në vendbanimet rurale duhet të sigurohen zgjidhje të përshtatshme sipas distancave dhe kushteve lokale.

Një parim duhet të jetë i panegociueshëm: asnjë komunë nuk duhet të mbetet pa plan të dokumentuar për strehimin dhe mbrojtjen e popullsisë.

5. AUSTRIA: ORGANIZIMI LOKAL DHE KAPACITETET VULLNETARE

Austria paraqet një model të rëndësishëm për organizimin e reagimit emergjent në nivel lokal dhe rajonal.

Sistemi i saj përfshin nëntë njësi federale dhe rreth 2.100 komuna. Përgjegjësia kryesore për reagimin ndaj fatkeqësive u takon njësive federale, ndërsa komunat dhe distriktet kanë role të përcaktuara në organizimin operacional.

Një karakteristikë e veçantë është përfshirja e gjerë e organizatave vullnetare.

Zjarrfikësit, Kryqi i Kuq, shërbimet e shpëtimit malor dhe organizatat e tjera ofrojnë kapacitete të rëndësishme për reagimin ndaj emergjencave.

Në nivel federal, Ministria e Punëve të Brendshme koordinon mekanizmin SKKM – State Crisis and Disaster Management, i cili siguron bashkëpunimin ndërmjet institucioneve dhe organizatave të ndryshme. [8]

Çfarë duhet të marrë Kosova nga Austria?

Kosova duhet të ndërtojë një sistem ku çdo komunë ka kapacitete të identifikuara të reagimit dhe ku vendbanimet kanë struktura civile të organizuara.

Duhet të krijohet një rrjet vullnetarësh të trajnuar, të regjistruar dhe të siguruar, me përgjegjësi të përcaktuara.

Ata mund të ndihmojnë në informimin e popullsisë, dhënien e ndihmës së parë brenda kompetencave të trajnimit, mbështetjen humanitare, orientimin e qytetarëve dhe komunikimin me shërbimet profesionale.

Përfshirja e vullnetarëve nuk duhet të jetë spontane apo e improvizuar. Ajo duhet të jetë pjesë e një sistemi institucional, me trajnim, pajisje, mbikëqyrje dhe procedura të qarta.

6. ANGLIA: KOORDINIMI NDËRINSTITUCIONAL DHE PLANIFIKIMI LOKAL

Përvoja e Anglisë është veçanërisht e rëndësishme për Kosovën në aspektin e bashkëpunimit ndërinstitucional.

Civil Contingencies Act 2004 dhe rregulloret përkatëse kanë krijuar bazën ligjore për organizimin e përgjegjësive në rast emergjencash.

Një mekanizëm i rëndësishëm janë Local Resilience Forums – Forumet Lokale të Reziliencës.

Këto forume bashkojnë institucionet përgjegjëse për reagimin ndaj krizave, duke përfshirë policinë, zjarrfikësit, shërbimet shëndetësore, autoritetet lokale dhe organizatat e tjera relevante. [9]

Përgjegjësitë e tyre përfshijnë vlerësimin e rreziqeve, përgatitjen e planeve, shkëmbimin e informacionit dhe zhvillimin e ushtrimeve të përbashkëta.

Një element me rëndësi është regjistri lokal i rreziqeve, përmes të cilit identifikohen kërcënimet që mund të prekin një zonë të caktuar.

Çfarë duhet të marrë Kosova nga Anglia?

Çdo komunë duhet të ketë një mekanizëm të përhershëm të koordinimit ndërinstitucional.

Në këtë mekanizëm duhet të përfshihen komuna dhe shërbimet e saj, policia, zjarrfikësit, shërbimet shëndetësore, ujësjellësi, operatorët energjetikë, telekomunikacioni, shërbimet e transportit dhe organizatat humanitare.

Secila komunë duhet të ketë regjistrin e vet të rreziqeve dhe një plan të përbashkët të reagimit.

Planet duhet të përcaktojnë përgjegjësitë, komunikimin, kapacitetet, evakuimin, strehimin dhe vazhdimësinë e shërbimeve.

7. SUEDIA: STREHIMORET DHE MBROJTJA E POPULLSISË NË RAST KRIZE

Suedia është një prej shembujve më domethënës në fushën e mbrojtjes civile.

Koncepti suedez Total Defence përfshin mbrojtjen ushtarake dhe mbrojtjen civile, duke i trajtuar ato si pjesë të një sistemi të përbashkët të sigurisë kombëtare.

Sipas autoriteteve suedeze, vendi ka rreth 64.000 strehimore civile, me kapacitet për afërsisht shtatë milionë persona.

Në kohë paqeje, këto hapësira mund të shfrytëzohen për funksione të tjera, por duhet të jenë të gatshme për përdorim brenda dy ditëve kur kërkohet nga autoritetet. [10]

Suedia ka gjithashtu sistem të zhvilluar të alarmimit publik, përmes sirenave, njoftimeve në telefonat mobilë, radios dhe televizionit.

Çfarë duhet të marrë Kosova nga Suedia?

Kosova duhet të ndërtojë një program të posaçëm për mbrojtjen e popullsisë.

Ky program duhet të përfshijë:

Inventarizimin e strehimoreve ekzistuese.
Vlerësimin e kapacitetit të secilës komunë.
Modernizimin e objekteve që mund të përdoren si strehimore.
Planifikimin e objekteve të reja.
Zhvillimin e sistemit të paralajmërimit publik.
Informimin e qytetarëve për pikat e strehimit.
Ushtrime për evakuim dhe strehim.
Përfshirjen e personave me aftësi të kufizuara në planet e mbrojtjes.
Një mësim i rëndësishëm nga përvoja suedeze është se infrastruktura duhet të ekzistojë para krizës dhe qytetarët duhet të dinë se si ta përdorin atë.

8. FINLANDA: SIGURIA E FURNIZIMIT DHE VAZHDIMËSIA E FUNKSIONEVE JETIKE

Finlanda është veçanërisht e rëndësishme për Kosovën në fushën e rezervave strategjike dhe sigurisë së furnizimit.

Më 16 janar 2025, Qeveria finlandeze miratoi Strategjinë e Sigurisë për Shoqërinë (Security Strategy for Society).

Ky dokument përcakton një koncept gjithëpërfshirës, ku institucionet, bizneset, organizatat dhe qytetarët bashkëpunojnë për mbrojtjen e funksioneve jetike të shoqërisë. [12]

Një rol të rëndësishëm në këtë sistem e ka Agjencia Kombëtare e Sigurisë së Furnizimit.

Ajo bashkëpunon me sektorin publik dhe privat për të garantuar vazhdimësinë e furnizimit me produkte dhe shërbime të domosdoshme gjatë krizave.

Ky sistem përfshin ushqimin, energjinë, karburantet, barnat, transportin, komunikimin dhe infrastrukturën kritike.

Çfarë duhet të marrë Kosova nga Finlanda?

Kosova duhet të zhvillojë një sistem të integruar të rezervave strategjike.

Nuk duhet të mbështetet vetëm në rezervat shtetërore, por të krijojë marrëveshje të qëndrueshme me prodhuesit, distributorët, operatorët energjetikë, ujësjellësit dhe kompanitë farmaceutike.

Duhet të përcaktohen:

Sasitë minimale të rezervave strategjike.
Kohëzgjatja e mbulimit të nevojave.
Mekanizmat alternativë të furnizimit.
Përgjegjësitë e institucioneve.
Procedurat e aktivizimit dhe shpërndarjes.
Kontrollet periodike të rezervave.
Një shtet nuk mund të konsiderohet i përgatitur nëse ka struktura të reagimit, por nuk ka ushqim, ujë, karburant dhe barna për t’i mbështetur ato.

9. KOSOVA KA NEVOJË PËR NJË MODEL TË INTEGRUAR, JO PËR KOPJIM TË NJË SHTETI

Nga pesë modelet e analizuara mund të nxirren disa përfundime të rëndësishme.

Zvicra ofron përvojën e infrastrukturës së strehimit dhe organizimit të mbrojtjes civile.

Austria ofron decentralizimin dhe përfshirjen e kapaciteteve vullnetare.

Anglia ofron koordinimin ndërinstitucional dhe planifikimin lokal.

Suedia ofron mbrojtjen e popullsisë, strehimoret dhe sistemet e paralajmërimit.

Finlanda ofron sigurinë e furnizimit dhe bashkëpunimin e gjithë shoqërisë.

Kosova duhet t’i ndërthurë këto përvoja në një model të vetëm, duke i përshtatur me madhësinë e territorit, organizimin komunal, kapacitetet ekonomike dhe rreziqet specifike të vendit.

Ky model duhet të ketë një emër dhe një qëllim të qartë:

Sistemi Kombëtar i Mbrojtjes Civile dhe Reziliencës së Republikës së Kosovës.

Ai duhet të jetë një sistem i përhershëm, me kompetenca të përcaktuara ligjërisht dhe me financim të qëndrueshëm.

10. ORGANIZIMI KONKRET: NGA ÇDO LAGJE DHE FSHAT DERI TE QENDRA E SHTETIT

Një prej çështjeve më të rëndësishme për Kosovën është mënyra se si duhet të organizohet mbrojtja civile në terren.

Nuk mjafton të ekzistojë një Agjenci në nivel qendror dhe disa ekipe komunale. Sistemi duhet të ketë lidhje funksionale deri në vendbanimin më të largët.

Për këtë arsye, propozohet një organizim me pesë nivele.

Niveli i parë: Familja dhe qytetari

Çdo familje duhet të ketë planin e vet të emergjencës, rezervat për 72 orët e para dhe informacionin për vendin ku duhet të drejtohet në rast rreziku.

Duhet të organizohen programe të edukimit publik, veçanërisht në shkolla dhe institucione arsimore.

Niveli i dytë: Lagjja, fshati dhe vendbanimi

Propozohet krijimi i Këshillave Lokalë të Gatishmërisë dhe Mbrojtjes Civile.

Këto struktura duhet të funksionojnë si mekanizma civilë të komunikimit, informimit dhe mbështetjes së komunitetit.

Çdo strukturë duhet të ketë:

Një koordinator civil të identifikuar.
Një listë të kontakteve institucionale.
Njohuri për rreziqet lokale.
Informacion për objektet e strehimit.
Vullnetarë të trajnuar.
Plan për mbështetjen e personave në nevojë.
Procedura të komunikimit me komunën.
Detyrat e tyre duhet të kufizohen në informim, dhënie të ndihmës së parë brenda kompetencave të trajnimit, mbështetje humanitare, koordinim dhe orientim të qytetarëve.

Këto struktura duhet të jenë pjesë e sistemit institucional dhe nuk duhet të krijojnë komanda të armatosura, autoritete paralele apo kompetenca që u takojnë institucioneve të sigurisë.

Niveli i tretë: Komuna

Çdo komunë duhet të ketë një qendër funksionale të koordinimit emergjent.

Ajo duhet të ketë personel të caktuar, pajisje komunikimi, plane të përditësuara, inventar të kapaciteteve dhe lidhje të drejtpërdrejta me vendbanimet.

Në këtë nivel duhet të funksionojë edhe mekanizmi ndërinstitucional i koordinimit, ku marrin pjesë të gjitha shërbimet publike dhe operatorët e infrastrukturës kritike.

Niveli i katërt: Koordinimi ndërkomunal dhe rajonal

Komunat duhet të kenë marrëveshje paraprake për ndihmë të ndërsjellë.

Në rast se një komunë përballet me një emergjencë që tejkalon kapacitetet e saj, komunat e tjera duhet të mund të ofrojnë mbështetje me pajisje, personel profesional, transport, furnizime dhe kapacitete strehimi.

Ky bashkëpunim duhet të planifikohet dhe të testohet paraprakisht.

Niveli i pestë: Qeveria dhe koordinimi kombëtar

Në nivel qendror duhet të funksionojë mekanizmi kombëtar i koordinimit të krizave.

Agjencia e Menaxhimit të Emergjencave duhet të ketë rol qendror në koordinimin profesional dhe operacional, brenda kompetencave të përcaktuara me ligj.

Qeveria duhet të sigurojë drejtimin strategjik, financimin dhe koordinimin ndërmjet ministrive.

Në këtë sistem duhet të përfshihen edhe institucionet përgjegjëse për energjinë, shëndetësinë, infrastrukturën, ekonominë, ujin, komunikimin dhe rezervat shtetërore.

Duhet të ekzistojë një zinxhir i qartë përgjegjësish, në mënyrë që asnjë vendim emergjent të mos mbetet pa autoritet përgjegjës.

11. STREHIMORET DHE BAZAT EMERGJENTE: ÇDO VENDbanim DUHET TË KETË ZGJIDHJE PËR MBROJTJEN E POPULLSISË

Një prej kërkesave më të rëndësishme që duhet të shtrohet për Kosovën është krijimi i një rrjeti kombëtar të infrastrukturës së strehimit dhe ndihmës emergjente.

Nuk është e pranueshme që, në rast të një krize të madhe, qytetarët të mos dinë se ku mund të strehohen, ku mund të marrin ndihmë ose cilat institucione janë përgjegjëse për mbrojtjen e tyre.

Për këtë arsye, propozohet që çdo vendbanim të ketë së paku një pikë të identifikuar dhe të planifikuar për mbrojtje dhe ndihmë emergjente, ndërsa vendbanimet më të mëdha duhet të kenë një rrjet më të gjerë objektesh dhe kapacitetesh.

Duhet të bëhet dallimi ndërmjet strehimoreve të posaçme dhe qendrave të përgjithshme emergjente.

Strehimoret e mbrojtjes civile duhet të jenë objekte të projektuara ose të përshtatura sipas standardeve teknike për mbrojtjen e popullsisë nga rreziqet përkatëse.

Qendrat emergjente duhet të mundësojnë strehim të përkohshëm, ndihmë humanitare, furnizim me ujë dhe ushqim, shërbime bazë shëndetësore dhe mbështetje për personat e evakuuar.

Një shkollë, sallë sportive apo objekt tjetër publik nuk mund të konsiderohet automatikisht strehimore e sigurt. Përshtatshmëria e secilit objekt duhet të vlerësohet nga profesionistët dhe sipas standardeve për rrezikun për të cilin planifikohet.

Si duhet të organizohet infrastruktura në terren?

Në nivel lagjeje duhet të identifikohen objektet dhe pikat më të afërta për ndihmë emergjente.

Në nivel fshati duhet të sigurohen hapësira të përshtatshme për grumbullim, informim dhe strehim të përkohshëm.

Në qendrat urbane duhet të planifikohen kapacitete më të mëdha, duke marrë parasysh dendësinë e popullsisë dhe rreziqet specifike.

Në nivel komunal duhet të sigurohen qendra më të mëdha emergjente, me kapacitete për furnizim, akomodim, ndihmë mjekësore dhe koordinim.

Në nivel qendror duhet të ekzistojë inventarizimi i plotë dhe mbikëqyrja e të gjithë rrjetit.

Kjo kërkon një program shumëvjeçar të investimeve publike, në të cilin secila komunë duhet të ketë objektiva dhe afate konkrete.

12. SISTEMI I PARALAJMËRIMIT DHE KOMUNIKIMIT KOMBËTAR

Në një krizë të madhe, informacioni është një prej mjeteve më të rëndësishme për mbrojtjen e jetës.

Kosova duhet të zhvillojë një sistem kombëtar të paralajmërimit të popullsisë, i cili nuk varet vetëm nga interneti dhe rrjetet sociale.

Sistemi duhet të përfshijë sirena publike, njoftime në telefonat mobilë, radio, televizion dhe mekanizma alternativë të komunikimit.

Duhet të sigurohet që informacioni të arrijë edhe te qytetarët që jetojnë në vendbanime të largëta, te personat me aftësi të kufizuara dhe te ata që nuk kanë qasje të vazhdueshme në internet.

Një element tjetër i rëndësishëm është ekzistenca e një qendre zyrtare të komunikimit publik gjatë krizave.

Ajo duhet të publikojë informacione të verifikuara, udhëzime për qytetarët dhe njoftime për shërbimet që janë në funksion.

Informimi duhet të jetë i unifikuar, në mënyrë që institucionet e ndryshme të mos japin udhëzime kundërthënëse.

13. REZERVAT STRATEGJIKE: KOSOVA DUHET TË JETË NË GJENDJE TË PËRBALLOJË EDHE KRIZA TË ZGJATURA

Rezervat strategjike janë një prej shtyllave kryesore të sigurisë kombëtare.

Kosova duhet të ketë kapacitet për të garantuar furnizimin e popullsisë dhe institucioneve me produkte të domosdoshme, edhe nëse ndërpriten përkohësisht importet ose funksionimi normal i tregut.

Duhet të krijohen mekanizma të veçantë për:

Rezervat ushqimore.
Rezervat e ujit dhe kapacitetet alternative të furnizimit.
Karburantet për shërbimet kritike.
Medikamentet dhe pajisjet mjekësore.
Pajisjet për trajtimin dhe shpërndarjen e ujit.
Gjeneratorët dhe burimet rezervë të energjisë.
Pajisjet e shpëtimit dhe ndërhyrjes.
Materialet për strehim të përkohshëm.
Një çështje tjetër me rëndësi është shpërndarja territoriale e këtyre rezervave.

Nuk duhet të ekzistojë varësi e plotë nga një depo ose një qendër e vetme furnizimi. Sistemi duhet të ketë kapacitete të shpërndara, me mundësi aktivizimi dhe transporti sipas nevojave.

Po ashtu, duhet të krijohet një mekanizëm bashkëpunimi me sektorin privat, duke përfshirë prodhuesit vendorë, kompanitë e transportit, distributorët ushqimorë, operatorët energjetikë dhe kompanitë farmaceutike.

Përvoja finlandeze dëshmon se siguria e furnizimit është më e qëndrueshme kur përgjegjësia ndahet ndërmjet shtetit dhe sektorit privat.

14. BALLKANI PERËNDIMOR DHE SIGURIA RAJONALE

Kosova nuk mund ta trajtojë gatishmërinë kombëtare të shkëputur nga zhvillimet në Ballkanin Perëndimor.

Rajoni përballet me rreziqe të përbashkëta, përfshirë tërmetet, përmbytjet, zjarret, ndërprerjet energjetike dhe emergjencat shëndetësore.

Përveç kësaj, ndërlidhja e infrastrukturës energjetike, transportit dhe komunikimit nënkupton se një krizë në një shtet mund të ketë pasoja edhe në vendet e tjera.

Kosova duhet të forcojë bashkëpunimin me Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi dhe partnerët e tjerë rajonalë.

Bashkëpunimi duhet të përfshijë shkëmbimin e informacioneve për rreziqet, ushtrimet e përbashkëta, ndihmën e ndërsjellë, trajnimin e ekipeve të shpëtimit dhe koordinimin e furnizimeve emergjente.

Një rëndësi të veçantë ka edhe bashkëpunimi me Mekanizmin e Mbrojtjes Civile të Bashkimit Evropian (Union Civil Protection Mechanism).

Kosova duhet të punojë për përfshirje sa më të plotë në mekanizmat evropianë të gatishmërisë, shkëmbimit të kapaciteteve dhe reagimit ndaj fatkeqësive.

Siguria e popullsisë nuk është çështje vetëm e një institucioni apo e një shteti. Ajo është pjesë e reziliencës së përgjithshme rajonale.

15. PROGRAMI KOMBËTAR PËR NDËRTIMIN E SISTEMIT TË MBROJTJES CIVILE 2026–2028

Duke marrë parasysh përvojat ndërkombëtare, legjislacionin ekzistues dhe nevojën për forcimin e kapaciteteve, propozohet që Qeveria e Kosovës të hartojë dhe të financojë një program të posaçëm kombëtar.

Programi Kombëtar për Ndërtimin dhe Funksionalizimin e Sistemit të Mbrojtjes Civile 2026–2028 duhet të jetë instrumenti kryesor për kalimin nga planifikimi në zbatim.

Ai duhet të përmbajë projekte konkrete, buxhet të përcaktuar, institucione përgjegjëse, afate dhe tregues të matshëm.

Faza e parë: Vlerësimi kombëtar dhe inventarizimi

Afati i propozuar: 0–3 muaj.

Duhet të bëhet një vlerësim gjithëpërfshirës i gjendjes ekzistuese.

Të regjistrohen strehimoret, objektet emergjente, pajisjet, rezervat, kapacitetet profesionale dhe planet komunale.

Të identifikohen vendbanimet pa mbulim të mjaftueshëm dhe të publikohet një raport kombëtar për gatishmërinë.

Faza e dytë: Organizimi institucional dhe lokal

Afati i propozuar: 3–6 muaj.

Të përcaktohen përgjegjësitë e institucioneve, të organizohen mekanizmat komunalë të koordinimit dhe të krijohen strukturat civile lokale.

Të përgatiten planet për vendbanimet dhe të përcaktohen objektet që mund të përdoren për strehim dhe ndihmë emergjente.

Faza e tretë: Investimet dhe funksionalizimi

Afati i propozuar: 6–18 muaj.

Të fillojë modernizimi i strehimoreve, pajisja e qendrave emergjente, sigurimi i rezervave strategjike dhe ngritja e kapaciteteve profesionale.

Të zhvillohen programe trajnimi për personelin dhe vullnetarët.

Faza e katërt: Testimi dhe konsolidimi

Afati i propozuar: 18–24 muaj.

Të organizohen ushtrime kombëtare dhe komunale, të testohen planet e reagimit dhe të vlerësohet funksionimi i të gjithë sistemit.

Pas çdo ushtrimi duhet të publikohet një raport për mangësitë e identifikuara dhe masat korrigjuese.

Këto afate janë propozime për planifikimin e politikave publike dhe nuk përfaqësojnë afate të përcaktuara nga BE-ja.

Programi duhet të vazhdojë edhe pas vitit 2028, deri në arritjen e kapaciteteve të planifikuara.

16. KËRKESË KONKRETE PËR INSTITUCIONET E KOSOVËS

Në këtë pikë, debati duhet të kalojë nga rekomandimet e përgjithshme te përgjegjësia dhe transparenca institucionale.

Qeveria e Kosovës, Ministria e Punëve të Brendshme dhe Agjencia e Menaxhimit të Emergjencave duhet të japin përgjigje konkrete për gjendjen e mbrojtjes civile.

Kërkohet publikimi i një raporti kombëtar që të përfshijë:

Për strehimoret dhe infrastrukturën:

Sa strehimore ekzistojnë në Kosovë?
Sa prej tyre janë funksionale?
Sa persona mund të strehohen?
Cilat komuna kanë mungesa të kapaciteteve?
Sa mjete financiare nevojiten për modernizimin dhe ndërtimin e objekteve të reja?
Për rezervat strategjike:

Cilat janë rezervat aktuale shtetërore?
Sa është kapaciteti i furnizimit gjatë një krize të zgjatur?
A ekzistojnë marrëveshje të gatshme me sektorin privat?
Për Agjencinë e Menaxhimit të Emergjencave:

Sa është numri i personelit profesional?
Cilat janë kapacitetet operative dhe pajisjet në dispozicion?
A ekziston mundësia e reagimit të njëkohshëm në disa komuna?
Sa është buxheti i ndarë për zhvillimin e kapaciteteve?
Për organizimin lokal dhe komunal:

Sa komuna kanë plane të përditësuara për emergjencat?
A ekzistojnë struktura civile të organizuara në nivel vendbanimi?
Sa vullnetarë janë të trajnuar dhe të regjistruar?
Kur është zhvilluar ushtrimi i fundit kombëtar i gatishmërisë?
Këto informacione duhet të publikohen në formën e një raporti vjetor, me tregues të matshëm dhe me krahasim të rezultateve ndërmjet viteve.

Informacionet që lidhen me sigurinë e objekteve kritike mund të mbrohen sipas ligjit, por kjo nuk duhet të pengojë transparencën për nivelin e përgjithshëm të gatishmërisë.

PËRFUNDIM

SIGURIA E QYTETARËVE NUK MUND TË IMPROVIZOHET NË DITËN E KRIZËS

Përvojat e Zvicrës, Austrisë, Anglisë, Suedisë dhe Finlandës dëshmojnë se mbrojtja e popullsisë nuk ndërtohet vetëm përmes këshillave dhe fushatave informuese.

Ajo kërkon institucione funksionale, infrastrukturë të përshtatshme, rezerva strategjike, personel profesional, organizim lokal dhe financim të qëndrueshëm.

Zvicra ka ndërtuar një sistem të gjerë të strehimoreve dhe mbrojtjes civile.

Austria ka zhvilluar organizimin e decentralizuar dhe kapacitetet vullnetare.

Anglia ka krijuar mekanizma të strukturuar të koordinimit ndërinstitucional.

Suedia ka investuar në mbrojtjen e popullsisë, strehimoret dhe sistemet e paralajmërimit.

Finlanda ka zhvilluar një sistem të sigurisë gjithëpërfshirëse dhe të rezervave strategjike.

Kosova duhet t’i shfrytëzojë këto përvoja për të ndërtuar modelin e vet kombëtar.

Nuk duhet të presim që një krizë e madhe të na tregojë se ku janë mangësitë e sistemit.

Nuk duhet të presim ndërprerjen e furnizimit me ujë për të kuptuar rëndësinë e rezervave.

Nuk duhet të presim një tërmet për të kuptuar se sa vendbanime nuk kanë hapësira të përshtatshme për strehim.

Nuk duhet të presim ndërprerjen e energjisë dhe komunikimit për të kuptuar se sa i nevojshëm është një sistem alternativ informimi.

Dhe nuk duhet të presim një emergjencë kombëtare për të zbuluar se institucionet nuk kanë plane të koordinuara dhe të testuara.

Për këtë arsye, kërkohet që Qeveria e Kosovës ta trajtojë ndërtimin e sistemit të mbrojtjes civile si prioritet kombëtar dhe ta përshpejtojë zbatimin e një programi të posaçëm, me përgjegjësi të qarta, financim dhe afate të matshme.

Ky sistem duhet të fillojë në çdo lagje dhe vendbanim, të organizohet në nivel komunal, të koordinohet ndërmjet komunave dhe të funksionojë nën përgjegjësinë e institucioneve shtetërore.

Qytetarët duhet të kenë strehim, furnizim, informim dhe mbështetje. Institucionet duhet të kenë kapacitete për reagim dhe vazhdimësi të shërbimeve. Shteti duhet të jetë në gjendje të përballojë jo vetëm orët e para, por edhe krizat e zgjatura.

Kosova nuk duhet të ndërtojë një sistem që aktivizohet vetëm kur ndodh fatkeqësia. Ajo duhet të ndërtojë një sistem që është i organizuar, i financuar, i trajnuar dhe i gatshëm përpara se kriza të ndodhë.

Sepse mbrojtja e jetës së qytetarëve nuk është vetëm detyrë e shërbimeve emergjente. Është përgjegjësi e përhershme e shtetit.

72 orët janë përgjegjësi e përbashkët. Gatishmëria përtej 72 orëve është provë e kapacitetit të shtetit.

Burimet,

[1] Komisioni Evropian, The Preparedness Union Strategy, 26 mars 2025.

[2] Komisioni Evropian, dokumentet dhe udhëzimet për përgatitjen e popullsisë sipas Strategjisë së Bashkimit për Gatishmëri, përfshirë rekomandimet për vetëpërballimin 72-orësh.

[3] Kuvendi i Republikës së Kosovës, Ligji Nr. 04/L-027 për Mbrojtje nga Fatkeqësitë Natyrore dhe Fatkeqësitë Tjera, Gazeta Zyrtare, 2011.

[4] Qeveria e Republikës së Kosovës, Rregullorja QRK Nr. 18/2017 për Lokacionet, Kushtet për Ndërtimin dhe Mirëmbajtjen e Strehimoreve, si dhe Normat Teknike për Strehimore dhe Adaptim të Objekteve për Strehim.

[5] Kuvendi i Republikës së Kosovës, Projektligji Nr. 11/L-021 për Agjencinë e Menaxhimit të Emergjencave, i regjistruar më 15 tetor 2026.

[6] Zyra Federale Zvicerane për Mbrojtjen Civile, dokumentet për sistemin zviceran të mbrojtjes së popullsisë.

[7] Zyra Federale Zvicerane për Mbrojtjen Civile, dokumentet dhe të dhënat për strehimoret publike dhe private.

[8] Ministria Federale e Punëve të Brendshme e Austrisë, dokumentet për Sistemin Shtetëror të Menaxhimit të Krizave dhe Fatkeqësive (SKKM).

[9] Mbretëria e Bashkuar, Civil Contingencies Act 2004; Civil Contingencies Act 2004 (Contingency Planning) Regulations 2005; dokumentet për Forumet Lokale të Reziliencës.

[10] Agjencia Suedeze për Mbrojtjen Civile dhe Reziliencën, dokumentet për strehimoret civile dhe mbrojtjen e popullsisë.

[11] Qeveria e Suedisë, Ministria e Mbrojtjes, dokumentet për forcimin e gatishmërisë dhe kapaciteteve të mbrojtjes civile.

[12] Qeveria e Finlandës, Security Strategy for Society, miratuar më 16 janar 2025.

[13] Agjencia Kombëtare Finlandeze për Sigurinë e Furnizimit, dokumentet për sigurinë e furnizimit dhe përgatitjen kombëtare.

[14] Qeveria e Republikës së Kosovës, Strategjia Shtetërore për Zvogëlimin e Rrezikut nga Fatkeqësitë Natyrore dhe Fatkeqësitë Tjera 2023–2028.

Prishtinë,04.11.2026

Përshëndetje të nderuar bashkëkombës! – Nga Aurel Dasareti

Letër e thjeshtë:

Që nga viti 2001, edhe unë kam dhënë kontributin tim në njëfarë mënyre përmes shkrimeve në media të ndryshme kombëtare, duke u mbështetur kryesisht në profesionin tim (si oficer ushtarak…) dhe në përvojën time shumëvjeçare luftarake – veçanërisht në lidhje me çështjen shqiptare…

Historia ushtarake përfshin konfliktet brenda shoqërive njerëzore, duke u përqendruar zakonisht te luftërat dhe veprimet luftarake historike – përfshirë betejat, strategjitë ushtarake dhe armatimet. Megjithatë, kjo fushë mund të përfshijë gjithçka, nga përplasjet midis dy fiseve e deri te konfliktet mes forcave të mirëfillta ushtarake, apo edhe një luftë botërore me ndikime të gjera mbi një popullsi të tërë.

PS: Është vërtet për të ardhur keq që të gjithë ata gazetarë të vetëshpallur – të cilët shkarravitin budallallëqe të pakuptimta çdo ditë për mediat e kota (joserioze) online “e kuptojnë” disi saktësisht se si duhet të qeveriset vendi, pavarësisht faktit se në realitet punojnë si shoferë taksish apo berberë (ekspertë në prerjen e flokëve dhe rruarjen e mjekrave, mustaqeve…).

Kalofshi mirë, Aurel Dasareti

04-11-2026

Zunami zgjedhor demokrat dhe katastrofa republikane!- Nga Dr. JORGJI KOTE

      

 

Këtë radhë sondazhet e shumta mbi zgjedhjet e mesmandatit të datës 3 Nëntor në SHBA nuk gabuan; madje nga droja e të papriturave të mëparshme do thënë se ishin  disi të përmbajtura; ndaj edhe  nuk e kishin paraparë një fitore të tillë plebishitare të demokratëve, një cunam të vërtetë zgjedhor të tyre dhe një  katastrofë të tillë të republikanëve të Presidentit Trump dhe MAGA-s së tij.

Sipas rezultateve të deritanishme që do të përditësohen, këta të fundit, krahas Dhomës së Përfaqësuesve, deri tani kanë siguruar 225 vende nga 218 që përbëjnë shumicën absolute por mund të marrin deri në 255 deputetë; por ata muarën bindshëm edhe Senatin me 54 senatorë nga 45 që kishin kundrejt 44 të republikanëve, nga 53 deri tani.

Zgjedhjet e Mesmandatit ishin  barometri dhe testi më i  madh politik për politikën amerikane dhe sidomos për Presidentin Trump; edhe pse ai nuk e kishte emrin në fletën e votimit,  atje ishte bilanci i presidencës, e ardhmja politike e tij dhe e republikanëve.  Ndaj këto zgjedhje u kthyen në një Referendum politik për Trump, në një kohë kur pëlqyeshmëria publike ndaj tij kishte pësuar pikiatën më të madhe me vetëm 32 për qind, më e ulta pas  Harry Truman në vitin 1946.

Këto zgjedhje spikatin për disa arritje historike dhe spektakolare për demokratët. Kështu, në Kansas City, për herë të parë nga viti 1932 fitoi demokrati Adam Hamilton. Në Teksas, i konsideruar si “ perla dhe kështjella  zgjedhore” e republikanëve, ku ata nuk “lëshonin pe“ nga viti 1988 dhe ku Trump më 2024 fitoi me një diferencë prej 16 pikësh ndaj Kamala Harris, fituan thellë senatori demokrat James Talarico,  i mbiquajtur “Kenedi“ i ri amerikan dhe guvernatorja e parë latine Gina Hinojosa. Po ashtu, në Miçigan fitoi dhe u zgjodh muslimani i parë demokrat në Senat egjiptiano-amerikani Abdul El Sayed; edhe pse rivalja e tij në primare votoi në favor të sfidantit të tij republikan, në shenjë proteste ndaj sipas saj ndaj qëndrimeve anti-izraelite të Sayed. Megjithatë, u vërtetua parashikimi i politologut të njohur amerikan Hans Noel, se kjo nuk do të kishte ndikim, ca më pak të ndjeshëm për demokratët.

Po ashtu,  u zgjodh e para indogjene senatore demokrate dhe lista vazhdon e gjatë.

Në Dhomën e Përfaqësuesve, Demokratët e patën shumë më të lehtë për të marrë  shumicën me diferencë deri në 40 vende më shumë se republikanët. Kësisoj, ata thyen rekordin e zgjedhjeve në vitin  2018 kur siguruan 30 vende më shumë.

Kësisoj, siç përflitet, për herë të parë, Presidenti i Dhomës së Përfaqësuesve mund të jetë një njeri me ngyrë dhe kundërshtar i ashpër i Trump, Hakeen JEFFRIES.

Fronti më i vështirë dhe një Thriller i vërtetë ishte lufta për Senatin. Fillimisht aty Demokratëve iu desh të mbronin dhe konfirmonin fitoren në 4 shtetet ku kishin fituar më parë – Xhorxhia, New Hampshire, Minesota dhe  Miçigan. Së dyti dhe më e vështira, atyre u duhej të fitonin   të paktën 4 nga 9 ” kështjellat ” republikane. Në fakt, demokratët fituan 7 nga këto 9 kështjella zgjedhore të republikanëve: Karolina e Veriut, Karolina e  Jugut,  Ajova, Ohajo, Teksas, Kansas dhe Maine.

Sipas ekspertëve, përpara 6 muajve, fitorja e demokratëve në këto shtete nuk mund të imagjinohej, mbasi ato janë baza e MAGA-s. Por zgjedhësit u hakmorën  për shkak të shtrenjtimit të ndjeshëm të kostos së jetesës, pothuajse dyfishimin e çmimeve të naftës dhe benzinës, rritjen e inflacionit nga 2,4 në 3,7 për qind, etj; këto  si pasojë e mosmbajtjes së premtimeve të bujshme të Trumpit për paqe midis Rusisë dhe Ukrainës, zgjatjen e  luftës në Iran, duke rrezikuar ta kthejë atë në një ” luftë të përhershme  dhe gjendjes së nderë në Gaza, edhe pse u premtua se ajo do të bëhej ”’ oaz paqeje dhe riviera e Lindjes ”.

Sa u takon republikanëve, e vetmja përparësi absolute në këtë fushatë, më e kushtueshmja në historinë e zgjedhjeve amerikane  që pritet të kapë shumën  11,5 miliard dollarë ishin fondet e mëdha. Kjo edhe falë Elon Musk që financoi mbi 500 milionë dollarë  për republikanët. Gjithsesi ndodhi ajo që parashikoi një strateg i Presidentit Trump se “të gjitha paratë e botës nuk e zëvendësojnë dot entusiazmin e munguar” te republikanët.

Tre shkaqet kryesore të kësaj humbjeje të rëndë janë lufta në Iran, çka e pranoi më në fund edhe vetë Presidenti Trump, politikat e gabuara  me tarifat tregtare dhe qëndrimet ndaj Ukrainës dhe Rusisë.  Kjo mbasi efektet e tyre janë ndjerë tej mase në përditshmërinë e njerëzve në SHBA, në shtrenjtimin e kostos së jetesës,  krejt ndryshe nga premtimet e Presidentit Trump kur erdhi në Shtëpinë e Bardhë.

Ndryshe nga vite më parë, politika e jashtme ndikoi negativisht dhe ndjeshëm në zgjedhjet e 3 nëntorit. Kështu,  inflacioni, nga 2,9 në Janar 2025 ka kapur shifrën rekord 3,7 për qind. Kjo shkaktoi rritjen e normave të interesit nga 2,3 në Janar 2025 në 7,1 për qind në gusht dhe tani 11 për qind, me tendencë në rritje, duke rënduar xhepin e amerikanëve të thjeshtë.

Sipas ekonomistit të njohur amerikan Mark Zandi, 8 muajt e fundit të luftës në Iran i kanë kushtuar mesatarisht çdo amerikani 2000 dollarë. Ndërsa kostoja totale e kësaj lufte për ekonominë amerikane llogaritet në 265 miliard Dollarë. Për pasojë,  ajo ka shkaktuar 1/3 e rritjes së inflacionit dhe uljen e ndjeshme të fuqisë blerëse të popullatës.

Më tej, nga lufta tregtare tarifore amerikane, humbësja e parë e madhe është vetë SHBA-ja. Sepse tarifat tregtare janë tatim mbi konsumatorin. Ato shtrenjtojnë artikujt bazë të jetës, autot, pajisjet, etj. Për pasojë, industria duhet të paguajë më shumë për alumimin, lëndët drusore dhe teknologjinë e importit, duke shtrenjtuar çmimet e tyre të blerjes në treg. Kështu, konsumatorët varfërohen më shumë, blejnë më pak, pra bie kërkesa dhe prodhimi, rritet papunësia dhe kostoja e jetesës dhe tarifat kthehen në bumerang.

Dhe faktet tregojnë se  ndryshe nga pretendimet e Presidentit Trump se barrën e tarifave tregtare  do ta përballonin të huajt, ka ndodhur krejt e kundërta. Sipas të dhënave zyrtare, janë amerikanët e thjeshtë që kanë ” paguar” 90 për qind të efekteve të atyre tarifave, si pasojë e  rritjes së çmimeve të mallrave të konsumit dhe të benzinës.

Sipas sondazheve më të fundit, 53 për qind e amerikanëve mendojnë se ekonomia është dobësuar, treguesi më i dobët nga viti 2022 dhe 34 për qind në vitin 2018 gjatë presidencës së parë Trump.

Ndërkohë, marrëveshja që Trump bëri gjatë muajit Tetor me Presidentin Putin për livrimin e 300.000 ton naftë në muaj që më vonë do të rritet në 400 dhe 500.000 tonë nuk pati, ashtu siç edhe pritej, efekte në tregun amerikan dhe atë botëror. Kjo për arsyen e thjeshtë se 300.000 ton naftë tregu amerikan i thith brenda 14 orëve, mbasi ai konsumon 500.000 ton në ditë!

Në fakt, kjo marrëveshje bashkë me heqjen e sanksioneve ndaj Rusisë janë interpretuar si lëshim dhe favor tjetër amerikan për Rusinë, në dëm të  Ukrainës dhe Europës.  Kjo mbasi makineria e luftës së Putinit falë kësaj marrëveshjeje siguron 7 miliard Dollarë, me të cilat ai do të godasë infrastrukturën energjitike dhe dixhitale ukrainase.

Mirëpo, shumica e elektoratit në SHBA ushqejnë simpati për Ukrainën. Sipas sondazhit më të fundit të ABS Ipsos, 66 për qind e amerikanëve kanë simpati për Ukrainën dhe vetëm 3 për qind për Rusinë. Ndërkohë, Zelenski është lideri më popullor në SHBA me një pëlqyeshmëri 53 për qind, më e lartë se për vetë Trumpin. Për pasojë, kjo ka patur ndikimin e vet te elektorati amerikan në rënien e popullaritett për republikanët dhe Trumpin.

Në prononcimet e deridjeshme, Presidenti Trump ka thënë që në rast të humbjes, ai do të jetë Zoti VETO, dmth do të zbatojë të drejtën e vetos mbi vendimet e të dyja dhomave të Kongresit. Por ka lënë hapur edhe bashkëpunimin me demokratët. Ishte pozitive që ai nuk priti gjatë, por përgëzoi demokratët për fitoren e bujshme dhe punën e tyre të mirë, duke shprehur gatishmëmrinë për bashkëpunim me ta. Kjo ka ndikuar në një situatë dhe atmosferë të qetë në publikun amerikan.

Humbja e të dyja  dhomave të Kongresit amerikan do të ndikojë  në dobësimin e rolit dhe autoritetit të Trump si President. Sepse Dhoma ka në dorë buxhetin federal, emërimet e ministrave, bllokimin e masave presidenciale dhe kompetenca të tjera, ashtu si edhe Senati deri në procedurat për shkarkimin e tij dhe të qeveritarëve të tjerë të lartë , edhe pse për këtë duhen 2/3 e votave, por çdo gjë mund të ndodhë.

Për pasojë, tani Trump kthehet në një “ lame duck” ose “ rosak i çalë” madje me të dyja këmbët” Gjithsesi, ai prapë mund të drejtojë me urdhëra ekzekutivë, me të drejtën e vetos, ndërsa në ushtri ka komandën. Megjithatë, situata e krijuar kërkon mirëkuptim për politikat e brendshme dhe sidomos në fushën gjeopolitike, përballë sfidave madhre me të cilat ndeshen SHBA-të në botë.

Ndaj, mendohet se  kjo periudhë e re me demokratët që do t’i kenë të dy dhomat e Kongresit do të jetë e vështirë deri në zgjedhjet e ardhëshme presidenciale dhe do të kërkojë bashkëpunim, më shumë se konfrontim politik.

Gjithsesi, fillimi menjëherë pas përfudimit të zgjedhjeve duket inkurajues. Po të vazhdojë kështu, dhe gjasat janë, shmanget edhe ndonjë rrezik apo mundësi për dhunë masive dhe ca më pak të përsëritjes së sulmit më 6 janar 2021 në Kapitol Hill. Një ndër ekspertët më të njohur amerikanë të kësaj fushe  në Universitetin Penn në shtetin e Pensilvanisë, James PIAZZA thotë gjasat për një skenar të tillë  janë të pakta. Kjo mbasi tani nuk bëhet fjalë për zgjedhje presidenciale. Veç kësaj, ndryshe nga zgjedhjet presidenciale, ato të mesmandatit  kanë  rregulla dhe procedura të shumta dhe të ndryshme nga shteti në shtet; ndaj edhe mundësitë për manipulime janë fare të pakta.

E rëndësishme të theksohet është se pjesëmarrja në këto zgjedhje ishte tejet e lartë; 60 – 65 për qind; kjo përgënjeshtroi mendimet se droja dhe frika nga trysnia, dhuna dhe kërcënimet e ndryshme mund të dekurajonte votuesit për të mos shkuar në kutitë e votimit.

Si përfundim, ndonëse nuk përjashtohen  shfaqje dhune dhe vandalizmi, ku mund të ndikojë edhe gjuha e drunjtë politike e liderëve politikë, këto mund të jenë  sporadike,  të pjesshme, e shumta në ndonjë kryeqytet shteti dhe në zona të veçanta zgjedhore, por jo në nivel federal dhe ca më pak si më 6 Janar 2021.

Ja pse zgjedhjet e mesmandatit më 3 nëntor në SHBA nuk janë thjesht dhe vetëm fitore e demokratëve, por e gjithë politikës amerikane, e cila shfaqi edhe njëherë shembullin, vitalitetin dhe dinamikat e saj pozitive dhe frymëzuese.

Biblioteka Kombëtare, e braktisur nga shteti- Nga Prof. dr. ESHREF YMERI

 

 

          Disa ditë më parë, një Profesoreshë e nderuar e gjuhës angleze në Fakultetin e gjuhëve të huaja të Universitetit të Tiranës, më dërgoi një e-mail, në të cilin më pyeste se si mund ta siguronte Fjalorin frazeologjik anglisht-shqip (me 1254 faqe dhe 25 440 shprehje frazeologjike), të cilin e pata botuar në vitin 2018 në Studion “Intergrafika”, me drejtor specialistin e njohur të artit shtypshkrimor, zotin Eduard Shima. Profesoresha kishte shkuar për ta marrë në Bibliotekën Kombëtare, por zonja që shërbente në banak i kishte thënë se ishte e pamundur t’ia jepte, pasi Fjalori ndodhej jo në raftet e Bibliotekës, por në ndonjë kuti. I rekomandova Profesoreshës të shkonte në Studion Intergrafika për të marrë një kopje të printuar të fjalorit.

Meqenëse kam letërkëmbim internetik me një Zonjë shumë korrekte të Bibliotekës, iu drejtova me pyetjen se si është mundur që librat u vendoskan nëpër kuti dhe jo në raftet përkatëse? Zonja mjaft e nderuar më sqaroi menjëherë se Biblioteka nuk ka më mjedise për t’i sistemuar librat nëpër rafte, prandaj është e detyruar t’i vendosë nëpër kuti mbi njëra-tjetrën.

U befasova nga ky sqarim dhe thashë me vete:

Ky është një skandal që të bën të vësh duart në kokë. Ato zonja të nderuara, të shkathta, të papërtuara, të cilat, gjatë komunikimit me lexuesit, rrezatojnë gatishmëri, kulturë dhe mirësjellje shembullore, për mungesë mjedisesh, qenkan të detyruara t’i vendosin librat nëpër kuti.

Vetvetiu lind pyetja:

Ky Rama, 28 vjet në pushtet, fillimisht si kryetar i Bashkisë së Tiranës disa mandate, dhe kryeministër prej më shumë se 13 vjetësh, a e ka ditur se ku ndodhet Biblioteka Kombëtare? Nëse e ka ditur, a e ka marrë mundimin ndonjëherë të shkonte në mjediset e asaj Biblioteke dhe zonjat e nderuara që punojnë atje t’i pyeste se çfarë shqetësimesh kanë? Dikur Biblioteka Kombëtare është përmbytur dhe në mjediset e saj ka pasë rënë edhe zjarri, por, siç e ka pasë theksuar ish-drejtoresha e saj, zonja Persida Asllani, në një analizë, të botuar në faqen e internetit “abcNews” të datës 16 nëntor 2018, shteti nuk e ka pasë vënë ujët në zjarr absolutisht, dhe, nënkuptohet, kryefajtori është Rama. Biblioteka Kombëtare, si pjesë e kompleksit të Pallatit të Kulturës, është ndërtuar 66 vjet më parë. Por gjatë 28 vjetëve, Rama s’e ka vrarë kurrë mendjen për ngritjen e një tjetër Biblioteke me mjedise të bollshme për administrimin e librit. Përkundrazi, Rama e ka lidhur “krushqinë” vetëm me oligarkët e pangopur të ndërtimit, me të vetmin qëllim për “kullëzimin” e Tiranës dhe për të vjelë prej tyre sa më shumë përfitime. Për këto përfitime përrallore, dikur, ish-deputeti, i ndjeri Dritan Prifti, nga foltorja e Kuvendit ka pasë deklaruar:

“A ka shqiptar, që beson se zoti Edi Rama është i pastrehë? Ai në deklaratën e tij të pasurisë thotë që është i pastrehë dhe ne të gjithë e dimë që Edi Rama është pronar i fshehtë i mbi 200 apartamenteve në Tiranë, sepse flasin ndërtuesit. Taksa e tij e jashtëligjshme është 30 euro metër katror për çdo leje ndërtimi që ka dhënë nga viti 2000 e deri sot. A ka shqiptar që e beson këtë gjë qesharake, që Edi Rama nuk ka shtëpi, që jeton me nënën e vet?” (Citohet sipas: Dritan Prifti. “Edi Rama vetëm me hundë thith tre mijë euro në ditë”. Faqja e internetit e gazetës “Bota Sot”. 10 korrik 2010).

Kuptohet vetvetiu që me përfitimet e siguruara nga oligarkët e ndërtimit, Rama arriti të ngrejë sarajet e Surrelit, të cilat të kujtojnë sarajet e Abdyl bej Selimit të periudhës së sundimit otoman, të përjetësuara në vargjet popullore:

Pa dëgjo, o beu ynë:

Mbaje mirë terezinë,

Se njerëzia u piknë,

Ikën, morën arratinë,

Ca në Vlorë, ca në Delvinë.

E pe Abdyl bej Selimnë?

Kullat e bardha në brinjë,

Kukumjaçkat ulërijnë,

Ashtu do t’i lësh dhe tinë.

 

Vargjet në vijim i kushtohen me shumë respekt kolektivit të nderuar të Bibliotekës Kombëtare:

Ky Rama, ky “mendjezgjuar”,

Ndonjëherë a ka menduar

Të shkojë për të vizituar

Bibliotekën kombëtare,

Vatër e kulturës amtare?

Të ulet, të bisedojë,

Atje zonjat t’i nderojë,

Shqetësimet t’ua dëgjojë

Edhe kurrë të mos përtojë

Që t’u gjendet, t’i ndihmojë?

Se një hall i ka pushtuar:

Mjediset u janë ngushtuar

S’kan’ hapsirë të mjaftuar,

Librin për ta sistemuar,

Ndaj me kohë duhej menduar

Për një tjetër Bibliotekë,

Se ka tonelata lekë.

Por ky Rama, “derëziu”,

E ka mendjen krejt gjetiu:

Veç për kulla rri mendon.

Ndaj dhe nuk i bëhet vonë

Për librin që s’ka ku rri,

Ndaj është mbyllur në kuti,

Për turpin në qeveri,

Ku drejton një ditëzi,

Ky kancer në mushkëri

Për të gjorën Shqipëri.

 

———-0———-


Send this to a friend