Menjëherë pas fitores me Armeninë, Presidenti i Republikës të Shqipërisë Bujar Nishani ka vlerësuar Ekipin Kombëtar të Futbollit të Shqipërisë me Dekoratën “Nderi i Kombit”.
Me shumë të drejtë kjo dekoratë. E cila erdhi flakë për flakë me triumfin e Kuq e Zinjve.
Sepse për herë të parë në historinë e futbollit shqiptar, Shqipëria kualifikohet në kampionatin Europian Francë 2016.
Motivacioni i dekoratës ishte ky: “Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Bujar Nishani vlerëson Ekipin Kombëtar të Futbollit të Shqipërisë me Dekoratën “Nderi i Kombit” :“Në vlerësim të arritjes historike të kualifikimit për në fazën finale të Kampionatit Europian ‘Francë 2016’, për rezultatet e shkëlqyera sportive që mundësuan këto fitore si dhe për lartësimin e imazhit të Shqipërisë dhe shqiptarëve në botë duke na bërë më krenarë e të bashkuar se kurrë”.
Fitorja e Kombëtares tonë Kuq e Zi ka entuziazmuar, ka ngritur zemrat peshë dhe mbushur me besim të gjithë shqiptarët jo vetëm në trojet amtare, por edhe jashtë tyre, në diasporën tonë në Europë, SHBA, Kanada, Australi e Zelandën e Ze.
Por emri i Kombëtares të Shqipërisë është ngritur në piedestal përveçse prej kontributit të djemve të shqipeve, është ngritur deri në këtë stad edhe në sajë të trajnerit të saj, Gianni De Biazi. Kjo fitore e Kombëtares i dedikohet edhe emrit të tij.
E atëherë, përse Presidenti i Republikës dekoron djemtë e De Biasit dhe jo De Biasin, kur në fitoren e Shqipërisë në Francë 2016 ka pjesë edhe puna dhe përkushtimi i tij.
A nuk është Gianni De Biazi, trajneri i parë në historinë e futbollit shqiptar që e çon Kombëtaren tonë në Kampionatin Europian.
Prandaj, zoti Presidenti i Republikës, mos ngurroni asnjë çast, mos u vononi më, se na turpëroni si komb, që harrojmë të tregojmë mirënjohjen ndaj një njeriu që e nderoi Shqipërinë si asnjëri nga politikanët e Shqipërisë, që njihen si zhvatës dhe profiterë, por jo si patriotë dhe atdhedashës. Imazhi i Shqipërisë prej emrave të politikanëve është rrëzuar në tokë, ndërsa De Biazi me djemtë e tij të Kombëtares e ngriti lart.
Mos u vonini më zoti President dhe ndërsa do ta prisni sot Kombëtaren në Aeroportin Nënë Tereza, dekorojeni menjëherë Trajnerin e Kombëtares Shqiptare, me Nderin e Kombit, sepse ai e nderoi kombin shqiptar dhe e ngriti lart imazhin e tij, si askush nga politikanët e Shqipërisë, të cilët vijojnë ta mbajnë Shqipërinë jashtë dyerve të BE.
Komentet