VOAL

VOAL

Nacionalistët rusë ndërprejnë shfaqjen e filmit për konfliktin në Ukrainë

December 10, 2017

Komentet

Liderët e G7-ës pajtohen t’i japin Ukrainës miliarda dollarë hua duke përdorur asetet e ngrira ruse

Liderët e shtatë vendeve më të industrializuara në botë (G7) u pajtuan të enjten t’ia japin Ukrainës 50 miliardë dollarë hua duke i përdorur asetet e ngrira ruse.

Diplomatët konfirmuan se pajtueshmëria për këtë marrëveshje u arrit madje para se liderët të mbërrinin në Itali për samitin treditor të G7-ës.

Hollësitë e marrëveshjes do të diskutohen gjatë takimit të tyre në Itali, por Kievi pritet t’i marrë paratë kah fundi i këtij viti.

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, do të jetë në Itali gjithashtu dhe pritet të nënshkruajë një marrëveshje tjetër dypalëshe për sigurinë me presidentin e Shteteve të Bashkuara, Joe Biden.

Vendet e G7-ës, Kanadaja, Franca, Gjermania, Italia, Japonia, Britania e Madhe dhe Shtetet e Bashkuara, ngrinë asete ruse në vlerë prej rreth 300 miliardë dollarësh, pak pasi Moska nisi pushtimin e fqinjit të saj në shkurt të vitit 2022.

Në fillim të kësaj jave, Zelensky tha se pret që t’i sigurojë miliarda euro nga vendet aleate për mbrojtjen e Ukrainës dhe për rindërtimin e vendit të vet pas luftës.

Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt të vitit 2022.

Presidenti rus, Vladimir Putin e quan luftën “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.

Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre. REL

Luftanijet ruse mbërrijnë në ujërat e Kubës për një stërvitje ushtarake

VOA/Marrë nga Associated Press

Një flotë luftanijesh ruse mbërriti në ujërat e Kubës të mërkurën përpara stërvitjeve të planifikuara ushtarake në Karaibe, një veprim që analistët e shohin si një shfaqje force ndërsa vazhdojnë të rriten tensionet mes Moskës dhe perëndimit mbi konfliktin në Ukrainë.

Tri luftanije u futën në Gjirin e Havanës nën shoqërinë e disa anijeve të vogla, që i orientonin ato nëpër kanalin e ngushtë të gjirit.

Pas tyre pritet të mbërrijë një nëndetëse, që funksionon me energji bërthamore.

Ushtria amerikane pret që stërvitjet të përfshijnë një numër të vogël luftanijesh ruse, të cilat mund të bëjnë një ndalesë edhe në Venezuelë.

Rusia është një aleate e kahershme e Venezuelës dhe Kubës, dhe luftanijet dhe avionët e saj herë pas here kanë vizituar rajonin e Karaibeve. Por ky mision vjen më pak se dy javë pasi Presidenti Joe Biden autorizoi Ukrainën të përdorë armët amerikane për të goditur objektiva brenda Rusisë në përpjekjet për të mbrojtur Kharkivin, qytetin e dytë më të madh të Ukrainës. Pas këtij vendimi, presidenti Vladimir Putin sugjeroi se ushtria e tij mund të përgjigjej “në mënyrë asimetrike” në një zonë tjetër të botës.

“Mbi të gjitha, luftanijet janë një kujtesë për Uashingtonin se është e bezdisshme kur një kundërshtar ndërhyn afër vendit tuaj”, tha Benjamin Gedan, ekspert i Amerikës Latine në Qendrën Wilson në Uashington, duke iu referuar përfshirjes së Perëndimit në luftën e Rusisë në Ukrainë. “Kjo gjithashtu u kujton miqve të Rusisë në rajon, përfshirë kundërshtarët e Amerikës, si Kuba dhe Venezuela, se Moska është në anën e tyre”.

Personeli i nëndetëses bërthamore ruse Kazan.

Personeli i nëndetëses bërthamore ruse Kazan.

Megjithëse flota përfshin një nëndetëse me energji bërthamore, një zyrtar i lartë i administratës amerikane tha se shërbimet amerikane të zbulimit kanë përcaktuar se anijet nuk janë të pajisura me armë bërthamore. Zyrtari, i cili foli në kushte anonimiteti, tha se dislokimet ushtarake të Rusisë “nuk paraqesin kërcënim të drejtpërdrejtë për Shtetet e Bashkuara”.

Zyrtarët amerikanë javën e kaluar thanë se luftanijet ruse pritej të qëndronin në rajon gjatë gjithë verës.

Luftanijet ruse janë ankoruar herë pas here në Havanë që nga viti 2008, kur një grup luftanijesh ruse hynë në ujërat e Kubës, një veprim që në atë kohë media shtetërore tha se ishte vizita e parë ruse e këtij lloji në pothuajse dy dekada. Në vitin 2015, një anije zbulimi dhe komunikimi mbërriti pa paralajmërim në Havanë, një ditë përpara fillimit të bisedimeve mes zyrtarëve amerikanë dhe atyre kubanë për rivendosjen e marrëdhënieve diplomatike.

Një zëdhënës i Departamentit të Shtetit tha për agjencinë e lajmeve Associated Press se vizitat ruse në portin e Kubës janë “vizita detare rutinë”, ndërsa pranoi se stërvitjet e saj ushtarake “janë rritur për shkak të mbështetjes së Shteteve të Bashkuara për Ukrainën dhe aktivitetit stërvitor në mbështetje të aleatëve tanë të NATO-s”.

Ministri i Jashtëm rus Sergey Lavrov dhe homologu i tij nga Kuba Bruno Eduardo Rodríguez Parrilla gjatë një konference për shtypin në Moskë më 12 qershor 2024.

Ministri i Jashtëm rus Sergey Lavrov dhe homologu i tij nga Kuba Bruno Eduardo Rodríguez Parrilla gjatë një konference për shtypin në Moskë më 12 qershor 2024.

Të mërkurën, ministri i jashtëm rus Sergej Lavrov priti homologun e tij nga Kuba, Bruno Rodríguez, për bisedime në Moskë. Duke folur me gazetarët pas bisedimeve, zoti Lavrov falënderoi autoritetet kubane për qëndrimin e tyre ndaj Ukrainës.

“Që nga fillimi, Havana dha një vlerësim absolutisht të saktë dhe të vërtetë për atë që po përgatitej në Ukrainë nga Perëndimi për shumë vite”, tha ministri Lavrov.

Doktrina ushtarake ruse i vlerëson Amerikën Latine dhe Karaibet si rajone të rëndësishme duke i parë ato sfera nën ndikimin e Uashingtonit, që veprojnë si kundërpeshë ndaj aktiviteteve të Shteteve të Bashkuara në Evropë, tha Ryan Berg, ekspert i Amerikës Qendrore dhe Jugore në Qendrën për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare në Uashington.

“Ndonëse kjo ka të ngjarë të jetë pak më shumë se një provokim nga Moska, ai dërgon një mesazh për aftësinë e Rusisë për të treguar fuqi në hemisferën perëndimore, me ndihmën e aleatëve të saj dhe sigurisht që do ta mbajë ushtrinë amerikane në gatishmëri të lartë, ndërsa ata janë pranë”, tha analisti Berg.

Koha e misionit të këtij viti mund t’i shërbejë qëllimeve të Rusisë, por po ngre gjithashtu pyetjen nëse qeveria e Venezuelës mund ta përdorë këtë rast për të rritur mbështetjen për një mandat të tretë për Presidentin Nicolás Maduro në zgjedhjet e 28 korrikut.

Koalicioni kryesor i opozitës në Venezuelë po sfidon kontrollin prej dekadash të partisë në pushtet. Kjo sfidë dhe krijimi i një krize me tensionet e ndezura me Guajanën janë ndër skenarët që analistët besojnë se qeveria e Presidentit Maduro mund t’i përdorë si arsyetim për të shtyrë ose anuluar zgjedhjet.

“Është pothuajse e sigurt që Maduro nuk do të rrezikojë humbjen e pushtetit”, tha Evan Ellis, profesor nga Amerika Latine në Universitetin e Luftës së Ushtrisë Amerikane.

“Alternativa më e qartë, duke marrë parasysh me lëvizjet e fundit të ushtrisë së Venezuelës,. Është sajimi i një krizë ndërkombëtare që do të justifikonte ‘shtyrjen’ e zgjedhjeve në vend”, thotë profesor Ellis.

“Prania e anijeve luftarake ruse në afërsi do të shtonte në masë të madhe rrezikun e përshkallëzimit të një krize të mundshme, të sajuar nga zoti Maduro”.

Venezuelianët votuan në një referendum në muajin dhjetor në mbështetje të shtrirjes së sovranitetit në rajonin Esekuibo, i cili përfshinë dy të tretat e Guajanës dhe ndodhet pranë depozitave të mëdha të naftës në det të hapur. Venezuela thotë se ky territor ishte vjedhur kur kufiri u ndryshua para më shumë se një shekulli.

Guajana është në pritje të një vendimi në lidhje me pretendimin e Venezuelës nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, por qeveria e zotit Maduro nuk e njeh autoritetin e kësaj Gjykate.

Shtetet e Bashkuara mbështesin Guajanën në këtë mosmarrëveshje të vazhdueshme dhe e ndihmuan atë me fluturime vëzhgimi në fund të vitit të kaluar. Venezuela e ka kërcënuar me pushtim këtë vend.

Qeveria e Guajanës muajin e kaluar i dha leje ushtrisë amerikane të dërgonte dy avionë luftarakë F-18 për patrullim të hapësirës ajrore mbi kryeqytetin e saj për të demonstruara bashkëpunimin e ngushtë mes dy vendeve.

Nënpresidenti i Guajanës Bharrat Jagdeo më 6 qershor tha se flota ruse nuk paraqet “një kërcënim të drejtpërdrejtë” për vendin e tij.

“Megjithatë, ne jemi të vëmendshëm dhe po ndjekim me vëmendje këto zhvillimeve politike”, tha zoti Jagdeo në një konferencë për shtypin.

Stoltenberg thotë se Hungaria u pajtua të mos e bllokojë mbështetjen e NATO-s për Ukrainën

Shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg, thotë se Hungaria është pajtuar se nuk do ta bllokojë përkrahjen e aleancës për Ukrainën, por ka vendosur të mos ofrojë ushtarë apo fonde për ta ndihmuar vendin e rrënuar nga lufta.

Stoltenberg është takuar me vendet anëtare të NATO-s gjatë një turneu së voni në përpjekje për të grumbulluar mbështetje, para samitit të muajit të ardhshëm në Uashington, për zgjerimin e rolit të aleancës në përkrahjen ushtarake për Ukrainën.

Hungaria ka pasur mosmarrëveshje me vendet e tjera të NATO-s për shkak se kryeministri i saj, Viktor Orban, ka ruajtur vazhdimisht marrëdhënie të ngushta me Rusinë dhe nuk ka pranuar t’i dërgojë armë Ukrainës për t’u mbrojtur kundër pushtuesit rus.

“Hungaria nuk merr pjesë në këto përpjekje të NATO-s dhe unë e pranoj qëndrimin e saj”, tha Stoltenberg për gazetarë në Budapest, pas takimit me Orbanin më 12 qershor.

“Njëkohësisht, kryeministri më ka siguruar se Hungaria nuk do t’i kundërshtojë këto përpjekje, duke ua mundësuar aleatëve të tjerë të ecin përpara. Ai ka konfirmuar se Hungaria do të vazhdojë t’i plotësojë plotësisht detyrimet e veta në NATO”, shtoi ai.

Në të njëjtën konferencë për media, Orbani konfirmoi se Hungaria nuk do ta bllokojnë mbështetjen e NATO-s për Ukrainën.

Prej se Rusia e nisi pushtimin e plotë të fqinjit të vet Ukrainës në shkurt 2022, Orbani ka kultivuar marrëdhënie të ngushta me Kremlinin, dhe e ka zemëruar Brukselin duke mos pranuar t’iu bashkohet sanksioneve të BE-së kundër Moskës, apo ta lejojë, siç bëjnë vendet e tjera të NATO-s, dërgimin e armëve Ukrainës.

Qeveritë perëndimore janë të pakënaqura me marrëdhëniet e vazhdueshme të ngrohta të Orbanit me Moskën, si dhe me vonesat në ratifikimin e pranimit të Suedisë në NATO, megjithëse Budapesti e dha pëlqimin për pranimin e saj në fund.

Hungaria i kishte kërkuar aleancës ushtarake që ajo të mos merrte pjesë në dhënien e mbështetjes ushtarake për Ukrainën, në shkëmbim të lejimit të marrjes së vendimeve, që do të thotë se nuk do ta përdorë veton.

NATO-ja i merr të gjitha vendimet e veta me konsensus.

NATO-ja synon ta krijojë një plan për t’i dhënë Ukrainës më shumë mbështetje ushtarake në vitet në vijim, për ta zmbrapsur pushtimin rus, sepse forcat ruse, të armatosura më mirë, kanë kontrollin në fushëbetejë.

Aleanca do ta mbajë një samit muajin e ardhshëm në Uashington, ku liderët e saj synojnë ta finalizojnë planin. REL

Kanadaja ka filluar zbatimin e Rezolutës për gjenocidin në Srebrenicë

Kryeministri i provincës kanadeze të New Brunswick, Blaine M. Higgs dhe kryetari i bashkisë së Halifax, Mike Savage, kryeqyteti i provincës kanadeze të Nova Scotia, lëshuan proklamata me rastin e 29-vjetorit të gjenocidit në Srebrenicë.

Ndër të tjera, kryeministri dhe kryebashkiaku iu referuan rezolutës së miratuar së fundmi të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara për shpalljen e 11 korrikut si Ditën Ndërkombëtare të Përkujtimit të Viktimave të Gjenocidit të Srebrenicës.

Në proklamata, kryeministri dhe kryetari i bashkisë iu referuan vendimeve të gjykatave ndërkombëtare për gjenocidin në Srebrenicë, dy rezoluta të Parlamentit kanadez për gjenocidin në Srebrenicë, theksimin e gjenocidit në Srebrenicë në Muzeun Kanadez për të Drejtat e Njeriut dhe Liritë dhe rezoluta e sapo miratuar e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së për gjenocidin në Srebrenicë.

Ata ftuan qytetarët e tyre të bashkohen me kanadezët dhe veçanërisht viktimat e mbijetuara të gjenocidit të Srebrenicës që jetojnë në Kanada në përkujtimin e gjenocidit, duke kujtuar viktimat e gjenocidit dhe duke dënuar krimin më të madh pas Holokaustit në Evropë.

Drejtori i Institutit Kanadez të Kërkimit të Gjenocidit falënderoi kryeministrin dhe kryetarin e bashkisë dhe të gjithë qytetarët e provincës së New Brunswick dhe qytetit të Halifax për kontributin e tyre të vazhdueshëm në institucionalizimin e kulturës së përkujtimit të gjenocidit në Srebrenicë. Proklamatat tuaja u japin forcë të re atyre që duan që në vend të kulturës së gënjeshtrës, mohimit të së vërtetës dhe glorifikimit të kriminelëve të dënuar të luftës dhe revizionizmit t’i drejtohen një kulture të së vërtetës, kujtesës, drejtësisë në emër të besimit, dhembshurisë dhe ndjeshmërisë. për të forcuar kulturën kanadeze të kujtimit të gjenocidit në Srebrenicë.sn

Ishte duke kryer stërvitje, rrëzohet bombarduesi rus Su-34, asnjë i mbijetuar

Një bombardues i Forcave Ajrore ruse Sukhoi Su-34 u rrëzua në Kaukaz gjatë një fluturimi rutinë stërvitor, ndoshta për shkak të një dështimi teknik, duke vrarë ekuipazhin. Kështu njoftuan sot agjencitë ruse të lajmeve, duke cituar Ministrinë e Mbrojtjes në Moskë.

“Bazuar në të dhënat paraprake, shkaku i rrëzimit të avionit ishte një mosfunksionim teknik”, tha një zëdhënës i ministrisë, sipas agjencisë së lajmeve TASS.

Aksidenti ka ndodhur në rajonin e Osetisë, sipas të njëjtit burim. Është e paqartë nëse avioni me dy ulëse krah për krah kishte një apo dy anëtarë të ekuipazhit në atë fluturim.
(BalkanWeb)

Koreja e Jugut do të rinisë transmetimet me altoparlant përtej kufirit si hakmarrje për balonat me mbeturina

Një prej balonave me mbeturina që është nisur prej Koresë së Veriut te Koreja e Jugut.

 

Koreja e Jugut ka thënë se ka rinisur përhapjen e materialeve propaganduese me altoparlant kundër Koresë së Veriut – për herë të parë pas gjashtë vjetësh – si kundërpërgjigje ndaj fushatës së Phenianit, i cili ka nisur balona të mbushura me mbeturina përtej kufirit.

Më shumë se 300 balona të mëdha janë regjistruar të shtunën dhe të dielën në Korenë e Jugut, të mbushura me mbeturina prej letre dhe plastike.

Koreja e Veriut nuk ka reaguar ende, mirëpo Phenani e konsiderohen përhapjen e materialeve propaganduese si akt lufte dhe ka kërcënuar në të kaluarën.

Muajin e kaluar, Koreja e Veriut besohet se ka dërguar të paktën 200 balona të tilla me mbeturina drejt jugkoreanëve, si hakmarrje për fletëpalosjet me materiale propaganduese që janë përhapur prej Koresë së Jugut.

Koreja e Jugut ka thënë se në mbeturinat nëpër balona nuk janë gjetur materiale të rrezikshme.

Në mesin e materialeve që përhapen me altoparlant në zonat kufitare përfshihen lajme prej dy rajoneve, si dhe informacione për demokracinë dhe jetën në Korenë e Jugut.

Ushtria jugkoreane pretendon se këto transmetime mund të dëgjohen deri në 10 kilometra përtej kufirit gjatë ditës, dhe deri në 24 kilometra larg gjatë natës.

Dy Koretë janë ndarë prej Luftës Koreane, që ka përfunduar më 1953.

Ato nuk kanë nënshkruar traktat të paqes, prandaj teknikisht janë në luftë qysh atëherë. REL

Sulmet me dronë shkaktojnë dëme dhe zjarr në rafineri ruse të naftës

Sulmet e dyshuara ukrainase me dronë kanë shkaktuar zjarr në dy rafineri ruse të naftës në dy rajone në kufi me Ukrainën mëngjesin e së enjtes.

Këto sulme u kryen në një kohë kur Rusia po i vazhdon sulmet kundër caqeve civile në disa rajone ukrainase.

Një sulm me dronë në një rafineri nafte në Novoshakhtinsk, në rajonin Rostov të Rusisë, shkaktoi zjarr, duke e detyruar kompaninë ta ndalë punën, tha guvernatori rajonal Vasily Golubev.

“Puna e pezullua për shkak të përsëritjes së sulmit. Personeli u evakuua në një largësi të sigurt”, u citua Golubev duke thënë nga kanalet lokale në Telegram.

Zjarri përfshiu një hapësirë prej 100 metrave katror, tha Golubev, duke shtuar se nuk ka të vdekur apo të plagosur, sipas të dhënave fillestare.

Kanali SHOT në Telegram, duke i cituar dëshmitarët, raportoi se disa shpërthime të zëshme u dëgjuan në Novoshakhtinsk në orët e hershme të së enjtes, pastaj u pa tym dhe zjarr në zonën e rafinerisë së naftës.

Ky ishte sulmi i tretë në rafinerinë e naftës në qytetin Novoshakhtinsk, i cili ndodhet rreth 10 kilometra larg kufirit me Ukrainën. Edhe dy sulmet e kaluara në mars dhe në prill e detyruan kompaninë ta ndalë punën, sipas mediave ruse.

Ndërkohë, guvernatori rajonal i Belgorodit, Vyacheslav Gladkov, raportoi se një sulm me dronë në një depo të naftës në Stary Oskol, rreth 100 kilometra larg kufirit me Ukrainën, u kaplua nga zjarri.

“Forcat e Armatosura të Ukrainës, duke përdorur një dron kamikaz, e sulmoi një depo nafte në territorin e qarkut Stray Oskol. Si pasojë e shpërthimit, njëri nga rezervarët zuri flakë. Katër zjarrfikës e shuan zjarrin shpejt. Nuk ka viktima”, tha Gladkov.

Kievi nuk i ka komentuar këto raportime, të cilat nuk ishte e mundur të verifikoheshin në mënyrë të pavarur.

Rusia e ka sulmuar vazhdimisht infrastrukturën civile dhe energjetike me dronë dhe raketa, prej se e nisi pushtimin më 2022, duke shkaktuar viktima të mëdha, në mesin e tyre civilë, si dhe dëme të mëdha materiale.

Kievi është përgjigjur me sulme me dronë ndaj infrastrukturës energjetike ruse, kryesisht rafinerisë së naftës, me qëllim për t’ia shkatërruar rezervat e karburantit ushtrisë ruse.

Ndërkohë, Forcat Ajrore Ukrainase thanë se kundërajroret e tyre i rrëzuan 17 prej 18 dronëve me të cilët Rusia e sulmoi në rajonet Mikolaiv, Herson, Zaporizhja dhe Hmelnitki, më 6 qershor.

Serhiz Lzsak, guvernatori i rajonit jugor Dnipropetrovsk, tha se një dron rus e goditi një minibus udhëtarësh në qytetin Nikopol, duke i plagosur katër njerëz dhe duke shkaktuar zjarr. REL

Masakra e Sheshit Tienanmen në regjistrimet e Zërit të Amerikës

VOA/Yu Xiao

Kjo javë shënon 35 vjetorin e demonstratave pro-demokracisë në sheshin Tienanmen të Pekinit, të cilat përfunduan me gjakderdhje. Zëri i Amerikës ishte burimi kryesor i informacionit dhe lajmeve në atë kohë për kinezët.

Një moment i përgjakshëm në kohë i përjetësuar në gjuhën kineze dhe në anglisht.

“Një student 20-vjeçar, i cili ishte në sheshin Tiananmen kur mbërritën trupat para agimit, i tha Zërit të Amerikës se iu deshën gati dy orë për t’u larguar duke u zvarritur nga sheshi, për t’u shpëtuar plumbave. Ai tregon se pa qindra trupa rrugës. Studenti thotë se kushdo që ngrihej në këmbë ose lëvizte, qëllohej nga ushtarët”, raportonte në atë kohë Al Pessin, shefi i atëhershëm i Zyrës së Zërit të Amerikës në Pekin.

Zëri i Amerikës i gjeti kasetat e vjetra në Bibliotekën Harvard-Yenching në Kembrixh të Masaçusetsit.

Ky vit shënon 35 vjetorin e masakrës. Për gazetarin Pessin, ajo ditë ishte e veçantë për një arsye tjetër.

“4 qershori 1989 ishte ditëlindja e parë e djalit tim”, kujton ai.

Gazetari po xhironte videon e festës së ditëlindjes së djalit në shtëpi.

“Kam videon e të gjithë fëmijëve të vegjël dhe prindërve të tyre në dhomën e ndenjies, dhe më pas objektivi drejtohet nga dritarja dhe regjistron tanket dhe ushtarët nëpër rrugët e qytetit”, rrëfen Al Pessin.

Gazetari thotë se në atë kohë, Kina ishte ende nën hijen e revolucionit kulturor, në përpjekje për të lënë pas eksperimentin utopik të udhëheqësit kinez Mao Ce Dun. Reformat ekonomike kishin filluar të jepnin rezultat, reformat politike ishin të ngadalta.

Protestat kishin filluar të shfaqeshin që në vitin 1986. Studentët kërkonin zgjedhje demokratike dhe gazeta të pavarura.

Më pas reformisti Hu Yaobang vdiq nga një goditje në zemër në prill 1989 dhe kjo i hapi rrugë një lëvizjeje të pashembullt pro-demokracisë në të gjithë Kinën.

Al Pessin kujton një rast kur kishte dalë me makinë gjatë njërës prej demonstratave që çuan në masakër.

“Papritur, grupe të organizuara filluan të marshojnë rreth nesh nga pas makinës dhe duke rrethuar makinën, duke dalë para saj. Ata mbanin pankarta që identifikonin secilin grup. Dhe rezultoi që ata nuk ishin studentë, ishin punëtorë.”

Në fund, demonstruesit u qëlluan me armë zjarri.

“Një student pa katër studente që u luteshin ushtarëve që të mos i vrisnin”, thotë Pessin.

“Ai thotë se një nga studentet kapi nga këmba një ushtar i cili u përgjigj duke e goditur me bajonetë. Ai pa ushtarët të ekzekutonin tre të tjerët me armë”, vazhdon ai rrëfimin.

Autoritetet kineze janë përpjekur ta zhdukin këtë histori. Përmendja e incidentit është tabu në Kinë. Pas perdes së hekurt të informacionit, shumë kinezë sot nuk e dinë se çfarë ka ndodhur.

“Qeveria i burgos të gjithë ata patriotë që duan të sjellin ndryshimin”, thotë Luo Shengchun, e cila tani jeton në Shtetet e Bashkuara thotë se ka shpresë për një të ardhme të ndryshme për vendin e saj.

“Unë besoj se Kina do të përmirësohet sepse edhe dikush si unë që nuk i interesonte fare politika, tani do që qeveria të rrëzohet. Une dhe burri im, jemi të dy optimistë.”

Optimistë se idealet që çuan në vdekjen e studentëve në sheshin Tiananmen do të realizohen… dhe se gazetarët që njoftuan për ngjarjet e asaj dite, do ta mbajnë gjallë kujtimin e tyre.

Në Rusi shënohet ditëlindja e Navalnyt pavarësisht paralajmërimeve zyrtare

Mbështetësit dhe familjarët e Aleksei Navalnyt janë duke shënuar ditën kur kritiku i ndjerë i Kremlinit do të duhej të mbushte 48 vjet.

Organizimet janë duke u mbajtur jashtë Rusisë, derisa brenda territorit rus shumë njerëz kanë shkuar te varri i tij për ta kujtuar, pavarësisht paralajmërimeve për tubimet e paautorizuara.

Vdekja e Navalnyt është bërë e ditur më 16 shkurt në burgun Ujku Polar në Arktik të Rusisë, ku ka qenë duke vuajtur një dënim me burgim, lidhur me akuzat për ekstremizëm, të cilat, ai dhe mbështetësit e tij, i kanë konsideruar si të motivuara politikisht.

Ceremonia e përkujtimit për Navalnyn është mbajtur në Berlin, në të cilën ka marrë pjesë edhe e veja e tij, Yulia Navalnaya.

Në Moskë, njerëzit kanë dërguar lule te varri i Navalnyt.

Navalny është përballur me kushte të rënda në burg, mirëpo zyrtarët rusë kanë thënë se ai ka vdekur prej “kushteve natyrale” dhe kanë refuzuar të dorëzojnë trupin e tij te famijarët për gati një vit.

Navalny ishte arrestuar në janar të vitit 2021, menjëherë pas kthimit në Rusi nga Gjermania, ku është trajtuar pas një helmimi, gati fatal, me agjent nervor Noviçok.

Ai ka thënë vazhdimisht se helmimin e kanë kryer zyrtarë rusë, me urdhër të presidentit rus, Vladimir Putin.

Gruaja e Navalnyt konsideron që burri i saj është vrarë, derisa presidenti amerikan, Joe Biden dhe disa zyrtarë tjerë perëndimorë kanë thënë se e mbajnë Moskën përgjegjëse për vdekjen e tij.

Në ceremoninë e varrimit të Navalnyt, më 1 mars, kanë marrë pjesë mijëra persona, dhe atë ditë është shënuar marshi më i madh i disidentëve të regjimit të Putinit, prej nisjes së luftës së Rusisë në Ukrainë, në shkurt të vitit 2022. REL

Diplomati i lartë iranian konfirmon bisedimet me SHBA-në

Ministri në detyrë i Iranit për Punë të Jashtme, Ali Bagheri.

 

Ministri në detyrë i Iranit për Punë të Jashtme, Ali Bagheri, ka thënë të hënën se Qeveria e tij është angazhuar në negociata me armiket e përbetuara, Shtetet e Bashkuara, të cilat janë ndërmjetësuar nga Omani.

I pyetur për këtë çështje në një konferencë për media, gjatë një vizite në Bejrut, Bagheri ka thënë se “ne kemi negociuar gjithmonë… bisedimet nuk janë ndalur kurrë”.

Uashingtoni dhe Teherani nuk kanë marrëdhënie diplomatike prej Revolucionit Islamik në Iran më 1979.

E përditshmja britanike, Financial Times ka raportuar në mars se Bagheri është përfshirë në bisedime indirekte me Shtetet e Bashkuara në Oman, në fillim të vitit 2024, pavarësisht rritjes së tensioneve rajonale që lidhen me luftën Izrael-Hamas në Rripin e Gazës.

Hamasi, grup palestinez që udhëheq Gazën, është shpallur terrorist prej Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian.

Konflikt Izrael – Hamas ka nisur më 7 tetor 2023, pasi militantët e Hamasit kanë sulmuar disa vendbanime izraelite, duke lënë të vrarë rreth 1.200 njerëz dhe duke marrë peng 240 të tjerë.

Izraeli më pas ka nisur ofensivën në Gazë, me qëllim të shkatërrimit të grupit.

Shtetet e Bashkuara janë aleatet më të ngushta të Izraelit, dersa Irani mbështet Hamasin.

Bagheri ka arritur të hënën në Liban, në vizitën e tij të parë prej kur e ka marrë pozitën e ministrit në detyrë, pas vdekjes së Hossein Amir-Abdollahian, që ka qenë ministër i Jashtëm, në një aksident me helikopter muajin e kaluar.

Bashkë me të ka vdekur edhe presidenti i Iranit, Ebrahim Raisi, që ka qenë, po ashtu, në helicopter.

Bagheri ka thënë se arsyeja e vizitës në Liban është sepse ai vend konsiderohet “djepi i rezistencës kundër Izraelit”.

Irani e mbështet grupin e Libanit, Hezbollahun, financiarisht dhe ushtarakisht.

Hezbollahu, aleat i Hamasit, lufton në zonën kufitare me Izraelin, prej nisjes së luftës në Gazë, në fillim të tetorit.

Bagheri, ish-negociatori iranian për çështje bërthamore, ka thënë se diskutimet me fuqitë perëndimore për aktivitete atomike të Teheranit janë duke vazhduar.

Qeveritë perëndimore shqetësohen se Irani po synon të krijojë armë bërthamore – pretendim që Republika islamike e ka mohuar gjithmonë. REL

Sondazhet tregojnë se kandidatja hebreje Sheinbaum do të bëhet presidentja e parë e Meksikës

Mexico City – Ish-kryebashkiakja e Mexico City vlerësohet se ka fituar 58% të votave, një diferencë e qartë ndaj rivales kryesore Xochitl Galvez, e cila mori vetëm 29%

Claudia Sheinbaum do të zgjidhej të dielën si e para femër presidente e Meksikës. Kështu treguan të dhënat, një moment historik për një vend të rrënuar nga dhuna e shfrenuar kriminale dhe me bazë gjinore.

Ish-kryebashkiakja e Mexico City, 61-vjeçarja hebreje, e cila përfaqësonte partinë në pushtet, fitoi rreth 58 për qind të votave, sipas një vlerësimi nga firma e sondazheve Enkoll.

Kjo e vendos atë lehtësisht përpara rivales së saj kryesore të opozitës Xochitl Galvez – një senatore dhe biznesmene me rrënjë indigjene – e cila mori 29 përqind.

I vetmi mashkull që kandidoi, centristi Jorge Alvarez Maynez, kishte rreth 11 përqind të votave, tha Enkoll. Edhe media të tjera e shpallën fituese znj. Sheinbaum pa specifikuar përqindjen e votave.

Sheinbaum, një fizikane e kthyer në politikane, lindi nga emigrantë hebrenj nga Lituania dhe Bullgaria, përcollën mediat izraelite. Referenca e saj më e famshme për judaizmin e saj ishte gjatë një fjalimi që ajo mbajti në një aktivitetet të komunitetit hebre si kryebashkiake e Mexico City në 2018.

Ajo nuk e përshkroi veten si hebreje, por tha se të dy prindërit e saj ishin “me origjinë hebreje”. Ashtu si shumë hebrenj meksikanë, ajo ka një qasje laike ndaj besimit të saj.

Votuesit ishin dyndur në qendrat e votimit në të gjithë vendin e Amerikës Latine, pavarësisht dhunës sporadike në zonat e terrorizuara nga kartelet ultra të dhunshme të drogës.

Mijëra trupa u vendosën për të mbrojtur votuesit, pas një procesi zgjedhor veçanërisht të përgjakshëm që ka parë të vrarë më shumë se dy duzina politikanë vendas aspirues.

Më herët, znj. Sheinbaum përshëndeti atë që ajo e quajti një ditë zgjedhjesh “historike”.

Pasi hodhi votën e saj, kandidatja kryesore presidenciale zbuloi se nuk kishte votuar për veten, por për një veterane të majtë, 93-vjeçaren Ifigenia Martinez, në nderim të luftës së saj.

“Rroftë demokracia!” deklaroi Sheinbaum.

‘Transformimi’

Gratë meksikane që shkonin në qendrat e votimit e kishin përshëndetur mundësinë që një grua të thyente tavanin më të lartë të xhamit politik në një vend ku rreth 10 gra ose vajza vriten çdo ditë.

“Një presidente do të jetë një transformim për këtë vend dhe ne shpresojmë që ajo të bëjë më shumë për gratë,” tha Clemencia Hernandez, një pastruese 55-vjeçare në Mexico City. “Shumë gra janë të nënshtruara nga partnerët e tyre. Ato nuk lejohen as të largohen nga shtëpia për të punuar, “tha ajo. sn

Izraeli e pranoi planin për t’i dhënë fund luftës në Gazë, thotë ndihmësi i Netanyahut

Rafah, Gazë. Maj, 2024.

 

Radio Evropa e Lirë

Një ndihmës i kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, tha se Izraeli e ka pranuar një marrëveshje kornizë për ndërprerjen e luftës në Gazë – e cila tani po çohet përpara nga presidenti i SHBA-së, Joe Biden – ndonëse, sipas tij, ajo ka të meta dhe do ende punë.

Në një intervistë dhënë gazetës britanike, Sunday Times, Ophir Falk, këshilltar kryesor i Netanyahut për politikë të jashtme, tha se propozimi i Bidenit është “një marrëveshje për të cilën ramë dakord – nuk është një marrëveshje e mirë, por duam shumë që pengjet të lirohen, të gjithë prej tyre”.

“Janë shumë detaje për t’u përpunuar”, tha ai, duke shtuar se kushtet izraelite, përfshirë “lirimin e pengjeve dhe shkatërrimin e Hamasit si një organizatë terroriste gjenocidale”, nuk kanë ndryshuar.

Izraeli nisi fushatën e ashpër të sulmeve në Gazë, tetorin e kaluar, pasi Hamasi – organizatë e shpallur terroriste nga SHBA-ja dhe fuqi të tjera – sulmoi i pari tokën izraelite, duke vrarë mbi 1.200 njerëz dhe duke marrë pengje qindra të tjerë.

Në Gazën që kontrollohet nga Hamasi, bombardimet izraelite dhe ofensivat tokësore vranë mbi 36.000 palestinezë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë atje.

Zëdhënësi i Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, John Kirby, tha se nëse Hamasi bie dakord me marrëveshjen për t’i dhënë fund luftës në Gazë, Uashingtoni pret që edhe Izraeli ta pranojë atë.

“Ky ishte një propozim nga Izraeli. Pritjet tona janë që nëse Hamasi pajtohet me të, atëherë edhe Izraeli do të thotë po”, tha Kirby në një intervistë për rrjetin televiziv, ABC News.

Në fund të javës së kaluar, presidenti Biden dha hollësi për planin me tri faza, i cili, siç theksoi, është një plan i Qeverisë së Izraelit për t’i dhënë fund luftës në Gazë.

Faza e parë, tha ai, do të përfshinte armëpushimin dhe lirimin e një numri të personave që po mbahen peng.

Faza e dytë, ndërkaq, do të përfshinte lirimin e të gjitha pengjeve të mbetura gjallë, dhe e treta tërheqjen e ushtarëve izraelitë nga Gaza.

Hamasi tha se e mirëpret nismën e presidentit Biden.

“Fjalimi i Bidenit përfshinte ide pozitive, por ne duam që propozimi të materializohet brenda kornizave të një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse, e cila i plotëson edhe kërkesat tona”, tha zyrtari i lartë i Hamasit, Osama Hamdan, për rrjetin Al Jazeera.

Hamasi kërkon garanci se do t’i jepet fund ofensivës në Gazë, se do të tërhiqen të gjitha forcat izraelite, se do të ketë lëvizje të lirë për palestinezët dhe se do të ketë ndihma për rindërtimin e Gazës.

Këto zhvillime ndodhën derisa në Rafah të Gazës pati sulme intensive gjatë fundjavës.

Sipas agjencisë së OKB-së për refugjatët palestinezë, UNRWA, të 36 strehimoret e saj në zonën e Rafahut janë boshe, pasi banorët u detyruan të largoheshin.

Mbi 1.7 milion njerëz të tjerë vlerësohet të jenë të zhvendosur në Kan Jonis dhe pjesë të Gazës qendrore.

Përgatiti: Valona Tela

Send this to a friend