Vazhdon vizita zyrtare e Mbretit Charles III dhe Mbretëreshës Camilla në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, e shoqëruar me zhvillime të rëndësishme diplomatike dhe mesazhe të forta politike.
Monarku britanik mbajti një fjalim në Kongresin amerikan, ku u prit me duartrokitje të gjata, ovacion në këmbë dhe thirrje entuziaste nga ligjvënësit. Kjo është hera e parë që një sovran britanik i drejtohet Kongresit që nga fjalimi historik i Mbretëreshës Elizabeth II në vitin 1991.
“Po jetojmë në kohë pasigurie të madhe”, deklaroi Charles III, duke iu referuar luftës në Ukrainë dhe konfliktit në Iran, të cilat i cilësoi si sfida serioze për komunitetin ndërkombëtar.
Në fjalimin e tij, Charles III dënoi gjithashtu sulmin e fundit në Uashington, duke theksuar se “dhuna nuk do të fitojë” dhe se demokracia do të mbrohet përmes unitetit.
Një moment i veçantë ishte edhe referenca me humor ndaj shkrimtarit Oscar Wilde, duke cituar shprehjen e tij të famshme se “amerikanët dhe britanikët nuk kanë asgjë të përbashkët përveç gjuhës”, çka shkaktoi të qeshura në sallë.
Në përfundim, monarku britanik nënvizoi “miqësinë e thellë” mes dy popujve dhe theksoi se lidhja mes SHBA-së dhe Mbretërisë së Bashkuar mbetet “e pathyeshme”. Panorama